• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2017

Nën peshën e mbresave dhe të përsiatjeve të Pavarësisë së Kosovës

February 16, 2017 by dgreca

1-anton-cefa2-220x300

 Nga Anton Cefa*/

Atë ditë aq të pritur prej shekujsh, prej vitesh, prej orësh, atë ditë të 17 Shkurtit, kur në ndërgjegjen kombëtare u përvijua e dyta datë e Madhe, pas 28-ës së Nëntorit, m’u ndërmend vetëtimthi ai shfrim i furishëm impulsi i gjakut tonë, aq bukur i shprehur prej Poetit : “Erdhi Dita e Arbrit!”

E kujt nuk iu përlot syri dhe nuk i gufoi shpirti tallaz gëzimi e krenarie, duke parë shqiptarët që pushtuan sheshet jo vetëm ato të trojeve tona, në Kosovë e Shqipëri, në Dibër e Malësi, po edhe në mbarë botën, kudo ku jetojnë ata! Me ditë vazhduan festimet, u valëvitën flamujt, shpërthyen brohoritjet, jehuan këngët më të bukura dhe u hodhën vallet më të gëzueshme prej shqiptarëve të veshur me rroba festive të stolisura me ngjyra e simbole kombëtare! Qenë këto ditë që do të na ndrisin gjithnjë me bardhësinë e tyre, që na bënë të shprehim para gjithë botës, si asnjë herë tjetër, veten tonë si popull dhe, po ashtu, edhe ta njohim më mirë veten tonë. Dhe na njohu e na kuptoi njëherë e mirë e gjithë bota, që u gëzua me ne, na përshëndeti dhe na uroi me zemër të hapur. E gjithë bota pau se si gëzohet shpirti i lirisë, ai shpirt optimist e entuziast, i etshëm prej shekujsh për t’u shprehur në plotninë e vet, në vetëdijen dhe nënvetëdijen e vet, ai shpirt i çiltër e këmbëngulës që synon veç ecjen përpara. Pau e u çudit se sa fort shqiptarët e ndarë më dhunë e duan njëri-tjetrin dhe e ëndërrojnë e vlerësojnë bashkimin.

Po çka se do të jenë dy shtete, dy administrata qeveritare, dy parlamente, dy data pavarësie, kur kemi një zemër dhe një shpirt! Do të jemi një e të bashkuar në shtetin e shpirtit tonë, shpirtit të kombit tonë, që nuk njeh kufij gjeografikë, por që, e thënë hapur, e ka të vështirë të pranojë dy flamuj, sado që njëri është thjesht një oportunitet politik i nevojshëm. Shqiptarët gjithnjë do të jenë shpirtërisht të bashkuar, do të glorifikojnë një hero kombëtar, do të shkruajnë një histori në një gjuhë të veten, do të kultivojnë një kulturë mbi të njëjtat rrënjë të qëmoçme, dhe do të valëvisin një flamur, flamurin e kuq të shpirtit tonë me shqiponjën me dy krerë, shtizën e të cilit e kemi të ngulur thellë në ndërgjegjen dhe nënndërgjegjen tonë; sepse ky flamur  është simbol i patjetërsueshëm i qenies  sonë, i vetëdijësimit tonë për ndjenjën e rrënjosur që motit të përkatësisë sonë etnike dhe të qenësisë sonë kombëtare, i ruajtjes së identitetit tonë si komb i lashtë, i plazmuar me virtyte aq të fisme, për t’u marrë si shembull prej të gjithëve.

*   *   *

Dita e madhërishme e 17-ës, na përhirohet sot e do të na përhirohet mot, së bashku me figurën e lavdishme të ideusit e të luftëtarit këmbëngulës të lirisë e të pavarësisë së Kosovës, Presidentit të Parë të saj, atdhetarit idealist, burrështetasit të urtë e të nderuar prej gjithë botës, gandistit të madh Ibrahim Rugova. “Një Kosovë e pavarur, demokratike e paqësore, e integruar në BE, në NATO dhe në miqësi permanente me SHBA, është vullneti politik i popullit të vendit tim”, pati thënë ai qartë e bukur, në Senatin Evropian, kur ky Forum i Lartë e shpalli atë Anëtar Nderi, në vitin 2004. Është ky vullnet politik që u jetësua atë ditë të 17-s dhe do të jetësohet më tej, kur Kosova do të hyjë në Bashkimin Europian dhe në NATO. Me këtë vizion politik transparent, me këmbëngulje, durim e urti të pashembullt, ai arriti ta bëjë të njohur çështjen e Kosovës në të gjithë botën, i siguroi asaj miqësinë e ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Bashkimin Evropian dhe me mbarë botën.

Në vitet e ndryshimeve kolosale, që ndodhën në të gjithë botën, por sidomos në Europë, nga shembja e komunizmit, Kosova shkroi një histori të lavdishme, për t’u paraqitur si shembull në historinë botërore i një lufte të qytetëruar gandiste, dhe i një qëndrese heroike vetëmbrojtëse. Hap pas hapi, ajo, nën drejtimin e tij, me pjekuri politike sendërtoi institucionet që mishëruan idealin dhe vullnetin e saj politik, duke shpallur para gjithë botës, në korrik të vitit 1990, Deklaratën e Pavarësisë, duke miratuar Kushtetutën, duke organizuar zgjedhjet e para të lira presidenciale e parlamentare. Në rrethanat e dhunës më të përgjakshme e më shnjerëzore të pushtuesit shekullor serb, në Republikën e Kosovës filloi të funksionojë një shtet sui generis, që qe quajtur në atë kohë “shteti paralel” dhe që u shtri në rrafshet më të rëndësishme të jetës politike, shoqërore, ekonomike. U mbajt një armatë e tërë mësuesish që ushtroi detyrën e vet në shkollat e improvizueme, një rrjetë shëndetësore aktive, u ngritën institucione të ndihmës sociale dhe u njëmendësuan detyra të tjera urgjente që kërkonte funksionimi i një shteti. U ndërkrye në përgjakjen e vet marramendëse pushteti kriminal serb, po edhe vërejti me vëmendje Europa dhe e gjithë bashkësia ndërkombëtare rrugën dhe përpjekjet paqësore të një populli të vogël për të fituar të drejtat e tij.

Dhe erdhi Rambuje-ja, ku një dorë e fisme shqiptare u shtri për paqe e miqësi, por mori një përgjigje arrogante: një mohim kategorik. Dhe më pas, ndodhi ajo që ndodhi: çmenduria serbe kaloi çdo kufi, duke dashur ta zgjidhte përfundimisht konfliktin me gjak, për ta zhbërë Kosovën sipas udhëzimeve të dikurshme të Naçertanie-s së Grashaninit dhe projekteve të Çubriloviçit.  Kosova organizoi menjëherë rezistencën, siç e ka organizuar gjithnjë. Radhëve të luftëtarëve të lirisë dhe të nderit kombëtar: Haxhi Zekës, Sulejman Vokshit, Isa Boletinit, Hasan Prishtinës, Azem e Shotë Galicës, Idriz Seferit, Shaban Polluzhës, për të përmendur një numër fare të vogël, iu shtuan martirë të rinj, Adem Jashari me shokë, me luftëtarët heroikë të UÇK-es. Forcat e NATO-s ndërhynë dhe i dhanë lirinë; OKB-ja dhe Bashkimi Europian e futën atë në rrugën e ndërtimit të institucioneve demokratike; Ahtisari, i ngarkuar nga OKB-ja, përgatiti planin që e çoi Kosovën drejt Pavarësisë.

Kosova e ka dëshmuar gjithnjë që pavarësia është e drejta e saj historike, etnike, shpirtërore, shoqërore, politike, ekonomike, e drejta e saj e shenjtëruar nga jeta e lufta e saj, nga mundimet dhe përpjekjet e saj, nga vlerat, meritat dhe virtytet e saj; ajo e ka dëshmuar që pavarësia është dëshira e saj, vullneti i saj, ëndrra e saj shekullore.

Kosova, në këtë hulli të rrezikshme ngjarjesh, për herë të parë në histori të saj pati përkrah Europën dhe Amerikën dhe, pothuejse, gjithë opinionin botëror, me përjashtim kryesisht të serbëve të mbrojtur si gjithnjë prej rusëve. Fatmirësisht, Europa e sotme nuk është më ajo e Kongreseve Berlineze dhe as e Konferencave Londineze, por është një Europë e Bashkuar, e formësuar mbi ligjëshmërinë e të drejtave njerëzore dhe Amerika është ajo e gjithmonshmja, Amerika e Wilsonit.

. . . . . . .

E ardhmja do të dëshmojë që shqiptarët në Ballkan, duke bërë një politikë të urtë paqësore, do të shndërrohen në një faktor të fuqishëm paqeje e stabiliteti.

17 shkurti e futi jo vetëm Kosovën në rrugën e zhvillimeve normale politike, ekonomike, shoqërore e shpirtërore, që karakterizojnë një shtet, në rrugën e integrimit të saj në bashkësinë e shteteve të lira të Europës së Bashkuar; po dhe gjithë kombit tonë i hapi një prespektivë historike krejt të re, që do ta çojë atë drejt realizimeve të reja të shpirtërimit shqiptar, dhe do ta bëjë faktor të rëndësishëm ndikues edhe për një shpirtërim ballkanik më realist, më human e më paqësor.

*(Ribotim)

KOSOVA*

Kosovën të lirë e paçim,

tonën për jetë,

Kosovën të lirë e paçim!

Në ditën e dasmës së madhe

ta bajmë nuse,

mbi krrelat e ditëve të ardhme

të hedhim kokrra gruni

ugur për Pavarësinë.

*Poezi e shkrueme në kohën kur Kosova vuente nën robninë dhe shtypjen e egër serbe.

Filed Under: ESSE Tagged With: Anton Cefa, e mbresave dhe të përsiatjeve të, Nën peshën, pavaresise se Kosoves

Kosova, pikëkalime të përhershme të IBM-së në kufi me Serbinë

February 16, 2017 by dgreca

-Para 9 viteve, më pak se një muaj pas shpalljes së pavarësisë në 17 shkurt 2008, Republika e Kosovës në 9 mars nisi të vendoste mbishkrimet me identitetin e ri në kufirin me Republikën e Serbisë. Solemnisht, së pari, u zbulua tabela me mbishkrimin “Republika e Kosovës – Mirë se vini” në pikën kufitare Kosovë-Serbi në Merdare/

-04

-Presidenti Thaçi: Kosova e përkushtuar që të lëvizet pa pengesa në rajon/ MERDARE, 16 Shkurt 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Në prag  të ditës së 9 vjetorit të pavarësisë, sot sapo u zhvillua ceremonia e vënies së gurthemelit të ndërtimit të pikëkalimit të përhershëm kufitar të IBM-së në mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë në Merdare.“Kosova gjatë gjithë këtyre viteve gjithmonë ka qenë e përkushtuar për dialog, për fqinjësi të mirë, për bashkjëpunim në shërbim të gjithë qytetarëve, në shërbim të zhvillimit dhe paqes në rajon”, tha presidenti i Republikës, Hashim Thaçi në fillim të ceremonisë, ku  morën pjesë edhe kryeministri Isa Mustafa dhe Shefja e Zyrës së BE-së/Përfaqësuesja Speciale e BE-së, Nataliya Apostolova.“E vlerësoj lart vënien e gurthemelit të vendkalimit kufitar mes Kosovës dhe Serbisë, ky është një rezultat i drejtpërdrejtë i dialogut që kemi zhvilluar një kohë të gjatë, që nuk ka qenë i lehtë por po jep rezultate shumë të mira”, tha kryeministri Mustafa.Zyra e BE-së në Kosovë ka deklaruar se, në përputhje me marrëveshjen e dialogut mbi Menaxhimin e Integruar Kufitar (IBM), do të financojë tre pika kalimi kufitare permanente në mes të Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht në Merdare, Mutivodë dhe Bërnjak, me një vlerë prej 9.42 milione euro.Ceremonia e vënies së gurthemelit sot në pikën e parë kufitare është organizuar nga Zyra e BE-së/Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së në Kosovë së bashku me Ministrinë për Dialog.

Ministria ka deklaruar se, ky është i pari nga gjashtë pikëkalimet kufitare të përhershme të IBM-së që do të ndërtohen në kuadër të projektit të gjerë të Menaxhimit të Integruar të Kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë, i paraparë më marrëveshjen e arritur në kuadër të dialogut të Brukselit.Para 9 viteve, më pak se një muaj pas shpalljes së pavarësisë në 17 shkurt 2008, Republika e Kosovës në 9 mars nisi të vendoste mbishkrimet me identitetin e ri në kufirin me Republikën e Serbisë. Solemnisht, së pari, u zbulua tabela me mbishkrimin “Republika e Kosovës – Mirë se vini” në pikën kufitare Kosovë-Serbi në Merdare.

m-01

PRESIDENTI THAÇI: KOSOVA E PËRKUSHTUAR QË TË LËVIZET PA PENGESA NË RAJON

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, bashkë me kryeministrin Mustafa, ministren Tahiri dhe shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, sot kanë vendosur gurthemelin e pikës së re të kalimit kufitar mes Kosovës dhe Serbisë në Merdarë.Presidenti Thaçi ka thënë se ky pikëkalim është vetëm një nga gjashtë pikëkalimet kufitare të përhershme të Menaxhimit të Integruar të Kufirit, të cilat do të ndërtohen në kuadër të projektit të gjerë në mes të Kosovës dhe Serbisë.“Në këtë mënyrë, ne jo vetëm që po i përmbushim standardet evropiane, por po ua zvogëlojmë hapësirën edhe dukurive të ekonomisë joformale”, u shpreh presidenti Thaçi.Gjatë gjithë këtyre viteve, presidentit Thaçi tha se Kosova ka qenë gjithmonë e përkushtuar për dialog, për fqinjësi të mirë, për bashkëpunim në shërbim të qytetarëve, në shërbim të zhvillimit dhe paqes në rajon.“Institucionet e Kosovës kanë qenë dhe mbesin të përkushtuara për lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave. Jo vetëm brenda Kosovës, por edhe me shtetet fqinje, si në këtë rast me Serbinë”, ka thënë ai.Vënia e këtij gurthemeli në Merdarë, për ndërtimin e pikës së kalimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, presidenti Thaçi theksoi se është edhe një dëshmi tjetër e rrugës së duhur që kemi ndjekur përmes dialogimit.“Ndoqëm rrugën e bashkëpunimit dhe dialogimit për të mirën e qytetarëve, rrugën e ndërtimit të urave dhe vendkalimeve të reja”, u shpreh presidenti Thaçi.Ai ka thënë se Kosova gjithmonë e ka respektuar lirinë e lëvizjes së njerëzve, automjeteve dhe mallrave.Për këtë qëllim, presidenti Thaçi theksoi se janë arritur marrëveshje që mundësojnë edhe kalimin e kufirit vetëm me letërnjoftime, që të gjithë qytetarët e rajonit të lëvizin pa pengesa.“Këto kanale të reja të kalimit të qytetarëve tanë, shqiptarë e serbë, por edhe të bashkatdhetarëve tanë, po krijohen falë marrëveshjeve në kuadër të dialogut në Bruksel”, u shpreh presidenti Thaçi.Kreu i shtetit e falënderoj Zyrën e Bashkimin Evropian në Kosovë për mbështetjen financiare dhe UNOPS-in, si partner implementues të BE-së, si dhe Ministren e Dialogut, Edita Tahiri, për punën e bërë.Me dialog dhe bashkëpunim, presidenti Thaçi tha se çdoherë e më shumë po e forcojmë identitetin tonë, sovranitetin, por edhe subjektivitetin shtetëror.Ai theksoi se dialogu dhe bashkëpunimi janë rrugë e vetme përpara për tërë Ballkanin Perëndimor.

Kryeministri Mustafa: Do të vazhdojmë që përmes dialogut të zgjidhim problemet me fqinj

unnamed (2)Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka marrë sot pjesë në ceremoninë e vënies së gurëthemelit të ndërtimit të pikëkalimit të përhershëm kufitar në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë në Merdare.Me këtë rast, kryeministri Mustafa theksoi se kjo është një e arritur e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, në mes të dy shteteve fqinje, Kosovës dhe Serbisë.Kryeministri Mustafa po ashtu ka vlerësuar se ndonëse dialogu nuk ishte gjithmonë i lehtë, rezultatet e arritura dëshmojnë se vetëm përmes dialogut zgjidhen të gjitha problemet me shtetet fqinje. “Unë e vlerësoj lart sot vënien e gurëthemelit të vendkalimit kufitar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Vlerësoj se ky është një rezultat i drejtpërdrejt i dialogut që ne kemi zhvilluar për një afat të gjatë, që nuk ka qenë i lehtë, por po jep rezultate shumë të mira, dhe është një dëshmi që ne duhet të vazhdojmë që përmes dialogut të zgjidhim të gjitha problemet tona me fqinj. Unë dëshiroj kësaj radhe të falënderoj Bashkimin Evropian për mbështetjen e këtij projekti dhe t’ju uroj shumë suksese” tha kryeministri Mustafa.Marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, e arritur në kuadër të dialogut të Brukselit, parasheh ndërtimin edhe të pesë pikëkalimeve tjera kufitare në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Fjala e ministres për Dialog Edita Tahiri me rastin e vënies së gurthemelit të pikëkalimit kufitar në Merdarë

unnamed (3)

Prishtinë, 16 shkurt 2017/ ,/Menaxhimi i kufijve sipas standardeve evropiane demonstron përkushtimin e shtetit tonë për integrime evropiane dhe euroatlantike. Republika e Kosovës është ndër shtetet e para të rajonit e cila ka vendosur dhe zbaton politikat e menaxhimit të integruar të kufijve, si një model i avancuar i kontrollit të kufijve, në mbrojtje të sovranitetit shtetëror dhe për një lëvizje më të lirë për njerëzit, idetë dhe mallrat. Ne po konsolidojmë standardet evropiane në fushën e kontrollit kufitar me gjithë shtetet fqinje, për të rritur sigurinë, paqen dhe stabilitetin në rajon dhe Evropë. Por edhe më shumë, ne po ndërtojmë vlera shtetërore, të qëndrueshme dhe moderne. Ne po bëjmë progres për të jetësuar vizionin tonë euroatlantik, prandaj presim mbështetjen e merituar për të përshpejtuar integrimin e Kosovës në BE, NATO, OKB dhe institucione tjera relevante.

Vënia e gurthemelit për ndërtimin e pikëkalimit të përhershëm kufitar këtu në Merdarë, është dhurata jonë për ditëlindjen e nëntë të shtetit tonë të ri. Ky është një gur më shumë në themelet e shtetit, sovranitetit dhe prosperitetit.Ky është rezultat i dialogut të për fqinjësi të mirë dhe paqe që po e zhvillojmë në Bruksel. Është rezultat i Marrëveshjes së IBM-it me të cilën vendosëm kufijtë ndërshtetëror mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjes së fuqishme të SHBA-ve.

Që nga viti 2011 kur e kemi arritur këtë marrëveshje, autoritetet shtetërore kufitare të Republikës së Kosovës dhe të Serbisë kanë rritur bashkëpunimin me qëllim të kontrollit sa më të mirë të kufirit, duke përmirësuar dukshëm lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe automjeteve si dhe duke detektuar dhe penguar dukuritë negative kufitare, në dobi të dyja shteteve.Me këtë rast dëshiroj të falënderoj Bashkimin Evropian për mbështetjen e projekteve për ndërtesat e përhershme kufitare përfshirë dhe financimin e tyre, për gjashtë pikëkalimet kufitare.Projekti i PKK në Merdarë është më i madhi prandaj e kemi nisur të parin. Ky PKK ka rëndësi madhore për infrastrukturën dhe konektivitetin rajonal të shtetit tonë, duke marrë parasysh autostradat dhe korridoret rrugore rajonale që kalojnë përmes tij. Duke marrë parasysh sukseset tona në ndërtimin e infrastrukturës së rrugëve dhe autostradave, infrastruktura moderne e pikëkalimit kufitar në Merdarë që po e fillojmë sot është edhe një sukses i madh i Qeverisë së Kosovës.Bashkëpunimi mes Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe UNOPS-it si partner implementues i përzgjedhur nga BE ka qenë i shkëlqyeshëm për realizimin e projektit, dhe i tillë do të vazhdoj edhe në fazat e ndërtimit. Ne po punojmë intensivisht për vënien e gurthemelit edhe në dy pikat tjera kufitare ku Kosova është shtet mikpritës, Bërnjak dhe Mutivodë, ndërsa për tre të tjera do të jetë pala e Serbisë.Dua ta bëj një falënderim të veçantë për Grupin punues qeveritar për IBM, gjithë anëtarëve të saj, Bordit të projektit të përbërë nga Ministria e Dialogut, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Policia e Kosovës, Dogana e Kosovës, AVUK, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX-i.Në fund dua ta ndaj me ju një storie nga negociatat e IBM-it në Bruksel. Unë kam pasur një kolonel të nderuar në delegacion, por të cilin e shpalla gjeneral në grupin punës, në emër të reciprocitetit me palën tjetër. Ai është kolonel Guda. Që nga ajo ditë është gjenerali im.Urime të gjithëve. Urime 9 vjetori i Pavarësisë së Kosovës!

Ju faleminderit!

 

 

 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari, kosova, pikekalimi e perhershme, Serbi

Qeveria e Kosoves,homazhe te shtatorja e Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova

February 16, 2017 by dgreca

1 Qeveria homazhe te Rugova

Prishtinë, 16 shkurt 2017/Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa dhe kabineti qeveritar, me rastin e shënimit të nëntë vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, bënë homazhe te shtatorja e Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.Pas homazheve, kryeministri Mustafa vlerësoi lartë figurën e Presidentit Rugova, luftën heroike të UÇK-së dhe Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe të gjithë atyre që u flijuan për pavarësinë e Kosovës.“Jemi së bashku me zëvendëskryeministrin Kuçi, me ministrat e Qeverisë së Republikës së Kosovës për t’i bërë nderime Presidentit Ibrahim Rugova. Ne si institucione të Republikës së Kosovës vlerësojmë lartë figurën e Presidentit Rugova dhe kontributin e tij në shtetndërtim, ashtu siç vlerësojmë shumë lartë luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe të gjithë atyre që u flijuan qoftë me mendje, qoftë me jetë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe për ndërtimin e shtetit të Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, homazhe, Peremndorja e Rugoves, qeveria

Kosova feston 9 vjetorin e Pavarësisë, kryeministri Rama në seancën solemne të Kuvendit

February 16, 2017 by dgreca

1 seanca solemne-Kuvend-Kosove-sot

-Mes pjesëmrrësve në seancën e hapur me Himnin Shtetëror të Kosovës është edhe ambasadori i SHBA në Prishtinë, Greg Delawie, dhe diplomatë të tjerë e përfaqësues të pranisë ndërkombëtare në Kosovë/

PRISHTINË, 16 Shkurt 2017-Behlul Jashari/

Kuvendi i Kosovës u mbledhe sot në një seancë solemne në të njëjtën orë e në të njëjtin vend ku para 9 viteve, në 17 Shkurtin historik 2008, shpalli pavarësinë.Seanca solemne, ku po merr pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, është pjesë e axhendës treditëshe të festimeve, me aktivitete të organizuara nga Presidenca, Kuvendi, qeveria dhe nga komunat, të nisura që dje për të vazhduar edhe nesër në ditëlindjen e shtetit më të ri evropian, të dytë të shqiptarëve. Mes pjesëmrrësve në seancën e hapur me Himnin Shtetëror të Kosovës është edhe ambasadori i SHBA në Prishtinë, Greg Delawie, dhe diplomatë të tjerë e përfaqësues të pranisë ndërkombëtare në Kosovë.“Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe Sovran”, theksonte Deklarata e Pavarësisë e lexuar nga atëherë kryeministri Hashim Thaçi, tash president i Republikës, i cili po flet edhe sot në seancën solemne.Kosova 9 vjetorin e Pavarësisë e pret e njohur nga 113 shtete anëtare të OKB-së dhe e anëtarësuar në mbi 50 organizata ndërkombëtare, politike, të sigurisë, ekonomike e të tjera.Para 9 viteve shpallja e pavarësisë është pasuar me miratimin nga Kuvendi në  9 prill 2008 të Kushtetutës së Republikës, e cila në nenin 1 përcakton se “Kosova është ështet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”. Kushtetuta ka hyrë në fuqi në 15 qershor 2008, dhe në këtë një zhvillim shumë i rëndësishëm ishte dekretimi i 41 ligjeve të  dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së.Një nga këto ligje është është Ligji për festat zyrtare në Republikën e Kosovës të miratuar në Kuvend në 21 maj 2008, sipas të cilit Dita e Pavarësisë 17 Shkurti, po edhe Dita e Kushtetutës 9 Prilli, janë festa shtetërore.

Filed Under: Komente Tagged With: 9 vjetorin e Pavaresise, Behlul Jashari, Edi Rama ne Kuvend, Kosova feston

FAMILJA SHQIPTARE DHE AJO“REVOLUCIONARE E 1967”

February 16, 2017 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/*

StemaeFamiljesKastrioti

STEMA E FAMILJES KASTRIOTI/

PAPA GJON PALI II ka thanë: “Ajo që ka ngja në Shqipni, të dashtun Vëllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit…”/

■Familja Shqiptare asht guri i parë i thëmelit të Kombit Shqiptar, i njohun nder kombet ma të vjetra të kontinentit Europian.

Don Kolec Prennushi në librin e Tij “Rrimë shtremt e flasim ndrejtë”, shkruen kështu: “Familja do të mshtetet mbî bazë religjoze, mbî martesë; e të gjitha marrdhanjet e familjes ndermjet burrit e grues, prindve e fëmijve e do të rendohen e rregullohen mbas parimeve besimore e jo mbas epsheve (pasjoneve) të natyrës së prishun.Kombi âsht nji grup i madh njerzish qi dallohet prej grupeve tjera neper nji gdhènje trupore-shpirtnore të posaçme që zakonisht qindron në nji bashkim gjûhe, toke, kulture e historije. Feja nuk âsht prá nji pjesë perbâse e kombit. Por as perçarse.Anglia, Gjermania, Holanda, Zvicra, të gjitha janë shtete të perbâme prej banorësh me besime të ndryshme e prá, kanë mërrijtë në kulmin e perparimit.Kombin do ta çmojmë e do ta duem. Atij i detyrojmë shumë të mira, e prandej, ai ka të drejtë mirnjohjen tonë. Por kombi Hy nuk duhet bâ. Sherbtori besnik i Zotit âsht edhè bir besnik i popullit të vet. Me kênë ,,antinacional,, âsht nji mkat: Me kênë ,,international,, d.m.th. me i mbajtë të gjitha kombet baras, kjo âsht nji padrejtësi.Të gjitha kombet do t’i nderojmë e do t’i duem por, kryet e vendit e zên Kombi ynë.

Në rasë nevoje per Kombin do të bâjmë flîjë jeten e gjakun tonë.”

■Tue pasë neper duer materiale me vlera të mëdha që në vitet e rinisë sime nga disa dijetarë Shqiptarë, në dorshkrimin tim “Gurët e Thëmelit”, i kam kushtue një randësi të posaçme studimit Familjes Shqiptare. Ndarjët krahinore në Shqipni të njohuna që në kohët ma të lashta dhe përfshimja e disa vëndimeve, besëlidhjeve, marrëveshjeve, ligjëve të bazueme mbi norma juridike, edhe pse të pashkrueme në kohën kur ato vëpronin, ato ndikuen e krijuen familjen, pronën, fisin, flamurin (bajrakun), ku kishte disa fshatra deri thellë nder male që i lidhte gjaku, gjuha, doket e zakonet, historia, toka e mardhanjet ekonomike, kulturore etj. E, pra, këta janë të gjitha bashkë ata elementë që i mblidhnin njerëzit në familjën e madhe që quhet Komb.

Kombi Shqiptar, një ndër kombët ma të vjetra të Europës, ndonse, në etapa të ndryshme historike pëson ngritjet dhe zbritjet e veta, madje, edhe shumë të vështira e gati deri në shfarosje, prapseprap dokumentët flasin për një Komb që me dinjitet përballoi dallgët e historisë ku ishin ma të egrat e ma të çoroditunat njerëzore, edhe pse i varfën ai mbijetoi dhe u përfaqësue me ballë naltë në familjën e vet  me tradita Europiane.

■Kanunët e Malëve, i Lekë Dukagjinit, i Skenderbeut, i Labërisë dhe ruejtja e vlerave tona kombëtare nga Arbëreshët e Italisë, janë edhe ma shumë domethanëse se të gjitha veprat antishqiptare të të gjithë atyne që kanë dashtë ndër shekuj me varrosë traditat tona kombëtare, identitetin tonë, tue i lanë në “harresë”, tue i mohue, tue i shtremnue, tue i luftue, tue i përbuzë ose edhe ma keq, tue i përbaltë ata Visare të arta.

■“Kanuni i Skanderbegut”, mbledhë e kodifikue nga Don Frano Illia, ashtusi dhe të tjerët Kanune kanë pothuaj përmbajtjën e Kanunit të Lekës, me pak ndryshime. Unë i jam referue se, kodifikimi i tyne më çon drejtë konkluzionit që duhët të nxjerrim na sot, për mënyrën dhe  organizimin e Familjes Shqiptare dhe Shtetit Shqiptar ndër shekuj.

■Kanuni i Skenderbeut ka 75 faqet e para per Familjen Shqiptare, dhe organizimin e saj.  

Pa hy në detaje, në analiza të imta të ndamjës së librave, kapitujve, nëntitujve, nenëve dhe shpjegimëve të hollësishme që bahën në zbërthimin e ligjëve, tue kundërvue dhe dënimin për thyemjen e sejcilit nên, mërrijmë me kuptue peshorën e drejtësisë, doket e këthyeme në dogma, kjartësinë e mendimit, saktësinë e fjalës, mënyrën përmbledhëse në pak fjalë të shprehjes, korrektesën e të folunit, rrugën e kërkesës për zgjidhje të drejta pa gjakderdhje, format e bindjes me gjoba, ndalimi i së keqës me masa paraprake, etj., që, janë gurrë studimi kryesisht për brezat e ardhëshem dhe kryesisht për shpërdoruesit e këtyne Kanuneve. Vetëm dokumentat janë veprat mbi të cilat duhët mbështetën faktet.

Të gjitha fajet dhe gabimet kanë përballë shpagimin.

Ligjët e padiskutueshme duhët të zbatohën nga të gjithë!

                        “Kufijtë e tokës nuk luhën!”

                        “Kufini nuk ban lak!”

                        “Gjuha asht tulit e gjithëshka bluen”.

                        “Béja lanë gjaqe!”

                        “Mos ju ndeshët Zoti në bérrêjshmin!”

                        “Dâmi ka çmim por jo pushkë!”

                        “Një dhi thanë një vërri”

                        “Kush vjedhë shtëpinë e strajcën e mikut,

                          Kanúja i ka caktue për gjobë “faqën e zezë”.

                        “Pushka e çon gjakun té shtëpia!”

                        “Gjaku s’hupë kurrë!”

                        “Dorëzanë e bestarë nuk hyn kush me pare!”

                        “Pronët e pasunia e Kishës janë të paprekëshme!”

                        “Prifti s’bjen në gjak!” “Prifti asht ndorja e famullisë!”

                        “Kisha asht e papërlyeme!”…

***

■At Shtjefen Gjeçovi O.F.M.(1874-1929): Ka lé në Janjevën Shqiptare. Në 1896 e gjejmë famullitar në Pejë, Laç të Kurbinit, Vlonë e Gomsiqe. Kohën e fundit shërbente në Zymb ku, përveç punës së palodhun në arkeologji… Ju mësonte fëmijëve kosovarë gjuhën e Nanës. I thirrun nga autoritetët serbe të Prizrenit, tradhëtisht si gjithmonë me françeskanët Shqiptar, u veprue edhe me At Shtjefnin, me datën 14 Tetor 1929, e vranë.

Ai ishte fetar i dëvoçem, mësues, arkeolog, etnograf, shkencëtar dhe mbyllë jetën me studimet juridike tue lanë thëmelët e drejtësisë sonë kombëtare për brezat e ardhëshme në punën e palodhun të Tij, në veprën madhore “Kanuni i Lekë Dukagjinit”.

Kjo vepër u botue pjesë-pjesë në revistën “Hylli i Dritës” e mbas vdekjes së Tij, në 1933 doli si vepër në vete me një parathanje si pak vepra në Shqipni, nga  dy kolosët pakrahasueshem At Gjergj Fishta dhe Faik Konica. At Fishta aty në atë parathanje shkruen: “Me të vërtetë se nëpër botim të Kanunit …I bahët Kombit një sherbim i dobishëm, mbasi për çdo një shtet që thotë se don me jetue e me u zhvillue mbas parimëve të arësyes e të hullisë së qytetnimit të vertetë, ligjët gojdhanëse e që përmblidhen në Kanunin dokëtar të Kombit kanë një rendësi të madhe fort në vetvete: e, se prandej duhët pasë parasyshë prej gjithë njatyne që presin e zbatojnë ligjët e Shtetit.”

■Me punën e Tij të vyer në shërbim të Atdheut, At Gjeçovi kunorzohet me palmat e drejtësisë e të martirizimit në Elterin e Atdhetarëve të Kombit.

“Kanuni i Lekë Dukagjinit” para vitit 1950 kje përkthye në gjuhën gjermane nga Don Kolec Prennushi, por mbas arrëstimit të tij në vitin 1948-49 nuk dihet fati i asaj vepre. Prof. Martin Camaj ma vonë (1984), e ka botue Kanunin të përkthyem në anglisht dhe që në paraqitje të jashtme Vepra meriton nderim.

■Pjesë nga “Kanuni i Lekë Dukagjinit”:

Libri i parë: KISHA. Artikull i parë. Pjesa qytetnore….

Neni i parë: Hija e Kishës.§2. Kisha ban tym në famulli.§4. “Kisha shpatë e konop s’ka.”. Libri i dytë: FAMILIA…§18. Përcaktimi i familjës…

Libri i tretë: MARTESA…

Libri i katërt: SHTËPIA…§132. Në themel asht shtëpia, po kje kullë, mëdheskë a kësollë, mjaft që të ketë carânin e votres e të qesë tym.

Libri i tetë: NDERA…§594.  I miri dhe i keqi kanë një çmim: Kanuni i mban për burra: Miku: “Shtëpia e Shqiptarit asht e Zotit dhe e mikut”…

  • 695. Vargu i brezave të gjakut e të gjinisë, shkon në të pasosun për Shqiptarin e Malëve. §700. Rrjedhja e brezave prej anës së babës thirrët “Lisi i gjakut”.

***

■Të gjitha sa kam shkrue siper a pajtohen me “Familjen e re Revolucionare të 1967”?

Ja shka percjellë në shkresen nr. 133 prot. Tepër-sekret, Tiranë, më 27.II.1967, terroristi Enver Hoxha: Si t’i zhdukni kishat dhe xhamitë: Komiteteve të Partisë së Rretheve:

“Bazën materiale dhe propagandistike për shumëzimin e librave fetare e kemi zhdukur. Ne kemi zhdukur gjithashtu mundësinë e nxjerrjes së kuadrove. Tash është çështja t’u prishen kishat e xhamitë, të vetmet mjete kryesore ku klerikët grumbullojnë besimtarët për të mbajtur gjallë besimin, qoftë edhe në forma dekadente. Prishja e kishave, xhamive, teqeve e manastireve, natyrisht, paraqitet më e vështirë, për arsye se nuk duhet shkuar në kundërshtim të drejtpërdrejtë me atë pjesë të popullit që beson… Por mjaft prej tyre janë prishur, pa ngjallur asnjë reaksion, disa të tjerë janë prishur se kanë rënë, ka nga ato që janë kthyer në depo ose kanë mbetur pa hoxhë apo pa prift dhe praktikisht nuk funksionojnë. Në këto forma duhet të vazhdojmë ne përderisa nuk funksionojnë.

Në këto forma duhet të vazhdojmë ne përderisa t’i rrafshojmë nga faqja e dheut tonë. Institucioneve fetare ne duhet t’ua heqim, atje ku e kemi lënë diçka…”

■Të gjitha këta vendime të këtij “Revolucioni…” a mund të zbatohen kur Shqiptari nuk mund të shkelin me dashje “Librin e tretë: MARTESA…Neni XXXII- Grueja pa-kunorë:

Ai, qi të marrë gruen pa kunorë, jet i lidhun kah Feja e kah Kanuja. Grueja e pa kunorë farë tagrit s’ka në shtëpi të burrit. Kanuja i nep këto ndeshkime burrit që merr gruen pa kunorë: a) shtëpia i digjet e toka i mbet djerr. b) nxirët prej vendit, e nuk mund ta shklasë tokën e vet, derisa ta largojë gruen pa kunorë. c) në pasët fëmijë me grue pa kunorë numërohën të pa-ligjë e, prandej, nuk mund të bahën kurrë trashigues…”

■Po mija e mija të burgosun, të gjithë të ndamë nga gratë e veta, si do të vepronin?!

■Cilit “Lis Gjaku” i perkasin sot Fëmijët e Tyne?!

           *Pjesa e III .Vijon me  Pjesen e IV.

            Melbourne, Shkurt 2017.

Filed Under: Komente Tagged With: DHE AJO “REVOLUCIONARE, E 1967”, FAMILIA SHQIPTARE, Fritz radovani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT