• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2017

MBLIDHEMI NË VJENË PËR TË PROESTUAR PËR HARADINAJN

March 16, 2017 by dgreca


1-2ramush-haradinaj-1-300x169

Të dielën më 19 mars 2017, në 13h00/

PROTESTË NË VJENË TË AUSTRISË PËR LIRIMIN E Z.RAMUSH HARADINAJT/

Të nderuar shqiptarë,

Më 6 prill 2017 autoritetet e drejtësisë së Republikës së Francës do të sjellin vendimin lidhur me kërkesën e shtetit serb për ekstradimin e Ramush Haradinajt në Serbi.

Ju lusim që të publikoni thirrjen tonë për mobilizimin e përgjithshëm për protestë që organizohet për lirimin e menjëhershëm dhe pakusht të z. Ramush Haradinajt. Publikimi i apelit nga mediet në gjuhën shqipe për mobilizimin e të gjithë shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni, Luginë të Preshevës, Mali i Zi dhe Shqipëri është formë e shprehjes së solidaritetit me Ramush Hardinajn dhe kundër proceseve gjyqësore të montuara nga regjimi i Beogradit. Ju jemi mirënjohës të gjithë atyre që na kanë mbështetur në këto protesta. Shpërndarjet që u keni bërë thirrjeve tona kanë ndikuar pozitivisht në mobilizimin e mërgimtarëve shqiptarë. Në këtë mënyrë mediet në gjuhën shqipe  u bënë pjesë e organizimit të protestave anekënd shteteve të demokracive perëndimore.

Të nderuar redaktorë dhe gazetarë të medieve në gjuhën shqipe,

Ju lusim që nga dita e sotme e deri të dielën më 19 mars të publikoni  thirrjen tonë për mobilizimin e përgjithshëm për protestë që organizohet për lirimin e menjëhershëm dhe pakusht të z. Ramush Haradinajt dhe mundësisht të ndikoni te shqiptarët që ndjekin medien tuaj që protesta të jetë dinjitoze.

Protesta mbahet në adresën: Schwarzenbergplatz beim Hochstrahlbrunnen 1030 Wien

Këshilli organizativ i protestës për lirimin e z. Ramush Haradinaj

Me respekt

Mentror Mushkolaj

Filed Under: Mergata Tagged With: E Haradnajt, per Lirimin, PROTESTË NË VJENË TË AUSTRISË

Do të përkujtohet në Nju Jork 106 VJETORI i Kryengritjes së Malësisë së Madhe

March 16, 2017 by dgreca

LAJMRIM/1 Malesia

Lajmërojmë  komunitetin shqiptar  se  Shoqata  “MALËSIA E MADHE” me veprimtari në New York , në kujtim të 106 vjetorit të Kryengritjes  së Malësisë së Madhe , organizon mbrëmje festive .

Ky aktivitet do të mbahet me 8 prill , 2017 në restorantin Eastwood Manor Bronx New York , duke filluar nga ora 7:00PM .

Ejani te kujtojmë dhe festojmë sëbashku  këtë ngjarje me rendësi të veçantë për  historinë e gjatë e të mundimshme , por edhe krenari e e lavdishme e popullit shqiptar .

Hyrja është 70 dollarë kurse për fëmijë 35 dollarë .

Për bileta dhe informata te tjera mund te kontaktoni;Lek Gjolaj 914-806-6257 Leonardo Berishaj 917-592-5757 Gjon Gjokaj 917-741-8600 Fado Decaj 646-750-4480 dhe Nikoll Juncaj 646-242-7163

Filed Under: Komunitet Tagged With: 106 Vjetori, Ejllo Berisha, i Kryengritjes, malesia e Madhe

Historia e shqiptarëve që e mbrojtën Sanxhakun nga çetnikët

March 16, 2017 by dgreca

Lufta për mbrojtjen e Pazarit është shprehje e cila ka hyrë në histori si shprehje treguese për zhvillimet luftarake në Sanxhakun e quajtur Sanxhaku i Novi Pazarit, i cili deri në vitin 1912, kur u okupua nga Serbia, ishte pjesë përbërëse e Vilajetit të Kosovës. Në këto luftime, për qëllim të mbrojtjes së popullatës së rrezikuar nga shfarosja, janë ballafaquar trupat e armatosura shqiptare me ato sllave.

cetnik-780x439

Nga Ismet Azizi/

Në Sanxhak në vitin 1941, jetonin rreth 254 mijë banorë. Nga ky numër 57 për qind e popullsisë kanë qenë të besimit ortodoksë dhe 43 për qind myslimane ( shqiptarë e boshnjak). Analfabetizmi i popullsisë së përgjithshme ishte në shkallë prej 76 për qind. Në vitin 1931, Sanxhaku kishte në dispozicion shtatë mjekë dhe 171 shtretër në spitale. Prandaj, vdekshmëria foshnjave ishte 142 në 1000 foshnje të lindura.

Parë nga pikëpamja ekonomike, Sanxhaku ishte pjesa më e pazhvilluar e tërë shtetit të atëhershëm, pa asnjë objekt të veçantë industrial, me bujqësi krejtësisht ekstensive. Gjatë dimrit të 1941-1942 mbizotëroi uria e cila ka shkaktuar rritjen e vdekshmërisë së popullsisë. Përveç tjerash, popullsia joserbe e kësaj treve ishte e keqtrajtuar e pa të drejta elementare njerëzore; e urryer dhe duke iu hakmarrë në çdo aspekt ne emër të sundimit osman, e po ashtu duke u trajtuar nga Serbia si element i rrezikshëm dhe i urryer.

Në të njëjtën ditë kur kishte kapitulluar Mbretëria Jugosllave, më 17 prill 1941, Ushtria gjermane hyri në Pazarin e Ri. Banorët e Pazarit nuk fshihnin kënaqësinë me rastin e ardhjes së gjermanëve, sepse shpresonin se në kuadër të qeverisjes së re do të “frymojnë” më lirisht.

Aqif Blyta, me urtësinë që e karakterizonte, e njofton komandën e lartë gjermane me historinë jo vetëm të Pazarit, por krejt viseve shqiptare, të ndarë padrejtësisht nga shteti amë më vitin 1913. Pas kësaj, trimi i Pazarit do të shihet edhe në tubimet e popullit në Pejë e Mitrovicë ku me fjalën e urtë u tregon për qëllimet e komandës së lartë gjermane, duke i siguruar ata se trupat nuk mund të konsiderohen pushtuese.

E vërteta është (pavarësisht se ç’mund të kenë qëllimet strategjike të Gjermanisë) se me vendosjen e forcave gjermane në territoret e Mitrovicës, Pejës, Pazarit e Rozhajës, masakrat serbe pushuan.

Në malet rreth Pazarit të Ri, kah mesi i vitit 1941 u formuan njësitë të përbëra nga serbët e rrethit të Dezhevës dhe Moravicës. Malet e Kopaonikut, Rogoznës, Golisë, Javorit, si dhe luginat e lumit Ibër në drejtim te Rashkës dhe Kralevës, vlonin nga kriminelët çetnikë me në krye me Dragoljub Mihaloviqin -Drazhën..

Komanda gjermane, duke respektuar të drejtën për autonomi, u lejoi dhe u mundësoi krerëve të Sanxhakut të rikthejnë qeverisjen e cila iu ishte marrë pas Luftës Parë Ballkanike. Në takimin që u mbajt në Mitrovicë, të cilin e kishte organizuar Krajs komanda më 19 prill 1941.,qeverisja politike dhe udhëheqja iu dorëzua myslimanëve të Sanxhakut. Në këtë këshillim morën pjesë Aqif Blyta dhe Ahmet Daci. Vendet kyçe udhëheqëse në kryeqytetin e Sanxhakut – Pazarin, i morën Aqif-efendia, Ahmet Daci dhe Bahri Abdurrahmani (Abdurahmanoviq).

Të gjithë pozitat kryesore të cilat më herët i mbanin serbët, i morën sanxhaklinjtë, ndërsa nga xhandarmëria u larguan të gjithë serbët dhe malazezët, sepse Aqifi nuk kishte besim në ta. Largpamësia e tij u tregua më vonë shumë e qëlluar në ngjarjet të cilat u zhvilluan më vonë, si hap me vend në shpëtimin e Pazarit dhe me këtë edhe tërë Sanxhakun – sepse çelësi i mbrojtjes ishte në këtë qytet. Për komandant të xhandarmërisë u emërua Azem Haxhoviq.

Në radhë të qytetarëve më të respektuar të asaj kohe, pos Aqif Blytës ishin edhe krerët, si: Ahmet Daci, kryeshef i rrethit dhe kryetar komune në Pazarit; Ejup-agë Lajqi; Hafiz Ibrahim Rigjanoviq, gjykatës i sheriatit; Murat – efendia Sukiq, myfti;- Xhemajl agë Bosnja; Mahmut agë Elfiqi.

Egërsirat çetnike pa ndërpre përgatiteshin se si ta thyejnë “zemrën e Sanxhakut” – Pazarin e Ri. Atëherë në krye të Këshillit për mbrojtjen e Pazarit të Ri u vu Aqif Blyta. Këshilla të ngjashëm u formuan në shumicën e qyteteve të Sanxhakut. Aqifi në tërësi kontrollonte situatën në qytet dhe rrethinë. Menjëherë e mobilizoi tërë popullatën e aftë për luftë dhe shpërndau armët dhe në të njëjtën kohë dërgoi tri delegacione që të thërret në ndihmë vëllezërit shqiptarë nga Kosova dhe Peshteri, si dhe nga rrethet tjera.

Delegacionin i cili u nis për në Kosovë, e përbënin qytetarët e Pazarit të cilët ishin me namë: Hanefi Lajqi, Rasim agë Nishliu, Hazir agë Kërleshi dhe Fehim agë Hoqa. Fehim agë Hoqa ishte i lindur në Pazar, por babanë e kishte nga Kosova dhe kishte lidhje të shkëlqyeshme me udhëheqësit shqiptarë të cilët mbanin pothuajse tërë qeverisjen në Kosovë. Duke iu falënderuar ndikimit të tij u arrit ndikimi te udhëheqësit shqiptarë, si te Xhafer Deva, Pajazit Boletini, Adem Voca dhe të tjerë. Aqif Blyta me kohë armatosi popullatën. Pas marrjes së ftesës për ndihmë, 3200 shqiptar të Kosovës arritën me shpejtësi të pamenduar nëpër malet e Rogoznës, në Pazarin e Ri.

Forca të mëdha çetnike me vetëbesim kishin filluar të futen nëpër fshatra. Me shpejtësi marramendëse arritën vullnetarët nga Kosova nën udhëheqjen e Shaban Polluzhës. Në të njëjtën kohë, nga drejtimi i Dohoviqit dhe nga Ribariqi arrinin luftëtarë nga Peshteri, Bisheva dhe luftëtarët e Xhemajl Koniqaninit. Çetnikët në panik iknin në drejtim të Rashkës, nga edhe kishin ardhur. Por, në tërheqje ua kishin zënë priten afër Banjës së Pazarit, shqiptarët që kishin ardhur nga Kosova e që në tërësi i shkatërruan. Tek kriminelët e vrarë në jangjikët (çantat) e tyre u gjetën gozhda të mëdha të cilat i kishin marrë me vete që kur ta marrin në dorë qytetin, myslimanët t’i kryqëzojnë dhe t’i gozhdojnë. Luftëtarët e Peshterit, të cilët kishin arritur, i detyruan çetnikët që të tërhiqen në drejtim të Rashkës.

Shqiptarët trima i udhëhiqte legjendari Shaban Polluzha, i cili me të arritur në Duga Polanë, fshati më verior i banuar me popullsi myslimane – shqiptare – njësive, gjegjësisht forcave ushtarake dhe banorëve, me një fjalim të shkurtër po me një autoritet të pakontestueshëm, iu thotë: “Të nderuar vëllezër, kemi ardhur këtu për të kryer një mision të shenjtë; jemi këtu për t’i mbrojtur familjet e rrezikuara nga çetnikët e tërbuar. Ju, siç jeni në dijeni, kriminelët serbë kanë vrarë e masakruar popullatën e pafajshme të kësaj ane. Ne, kur kemi pasur mundësi, gjithnjë kemi ndihmuar popujt e rrezikuar. Prandaj, në këtë kontekst, duhet kuptuar këtë mision i cili në planë të parë ka karakter humanitar e njerëzor. Por, me këtë mbrojmë edhe një pjesë të shqiptarëve që jetojnë në këto anë. Uroj që lufta të na shkoj mbarë dhe besoj se kemi forcë dhe moral që t’i dëbojmë hordhitë çetnike nga Sanxhaku i përgjakur”.

Ne kujtimet e Brahim Spahiut thuhet se luftëtarëve në Duga Polanë iu drejtua edhe Mulla Ilaz Brojës, i cili në kontekst të ritit fetar ka theksuar se “misioni juaj është njerëzor dhe se dikush mund të bjerë edhe në vijën e frontit, prandaj përshëndetuni me njëri-tjetrin. Te Zoti jeni të drejtë. U priftë e mbara”.

Për fat të keq, në Sanxhak e edhe në Kosovë dihet pak për kontributin e Shaban Polluzhës dhe bashkëluftëtarët e tij, duke mos llogaritur qytetarët e vjetër të Pazarit të cilët me respekt të madh flasin për ato kohëra.

Në Luftën për mbrojtjen e Pazarit kanë dhënë jetën 144 luftëtar shqiptarë nga Kosova, varret e të cilëve ndodhën në varrezat më të Mëdha të Pazarit në Gazillar. Nga Peshteri dhe krahina e Rozhajës kishin arritur rreth 2000 ushtarë të udhëhequr nga Mulla Jakup Kombi (Kardoviq). Çetnikët gjatë këtyre 65 ditëve (nga 2 tetori deri më 7 dhjetor 1941), organizuan tri sulme drejt Pazarit të Ri, ndërsa policia e Pazarit, nën udhëheqjen e Haqif Blytës, kishte kryer një kundërsulm të fortë në drejtim të Rashkës.

Në këtë luftë pranë Rashkës u dallua “ trimi në kalë të bardhë”, Xhemajl Koniqanini, cili udhëhoqi luftëtarët e rrethinës së Tutinit. Ejup Mushoviq, në veprën e tij “Novi Pazari dhe rrethina” thotë: “Sulmi i parë ndaj Pazarit të Ri është kryer me 4 nëntor 1941. Qëllimi i sulmit ishte marrja e qytetit nën kontroll dhe shfarosja i popullsisë myslimane. Sulmi ka zgjatur nga ora 4:00 deri në ora 10:00. Ky sulm i çetnikëve ishte i pasuksesshëm. Pas këtij sulmi, Aqifi në qytet solli forca të reja dhe në shenjë hakmarrje organizoi sulmin ndaj Rashkës. Ky sulm filloi më 16 nëntor në ora 10:00 dhe u krye më 17 nëntor rreth orës 16:00. Në këtë sulm morën pjesë 2600 shqiptarë dhe boshnjak të armatosur më mirë”.

Pas sulmit të parë të çetnikëve, Aqif Blyta organizoi një kundërsulm me qëllim që t’ju shkaktoj dëme të mëdha. Me këtë rast ishte i ndihmuar nga komandanti i milicisë së Tutinit, Xhemajl Koniqaninit, dhe nga vëllezërit Dreshaj. Kishin pasur mundësi ta marrin Rashkën nën kontroll, por ishin ndalur nga gjermanët që mos të bënin një gjë të tillë.

Sulmi tjetër i çetnikëve në Pazarin e Ri është kryer më 21 nëntor me forca më të mëdha sesa herën e kaluar. Ky sulm zgjati vetëm një ditë. Gjatë këtij sulmi, çetnikët i djegën të gjitha fshatrat myslimane. Kësaj here Pazari i Ri me sukses është mbrojtur. Sulmi i tretë i Pazarit të Ri ka qenë më specifik. Në këtë sulm kanë marrë pjesë edhe gjermanët, të cilët çetnikët i kishin mashtruar sepse iu kishin thënë se qytetin e kanë nën kontroll komunistët. Posa filloi sulmi, rreth orës 4:00 më 4 dhjetor, gjermanët kishin zbuluar mashtrimin dhe ishin kthyer në Rashkë bashkë me çetnikët.

Lufta për mbrojtjen e Pazarit, gjegjësisht popullsisë nga shfarosja, ishte jo vetëm veprim i duhur dhe i domosdoshëm, por edhe më tepër human. Kjo luftë është ndër luftërat e rralla në të cilën u tregua jo vetëm ndihma vëllazërore por edhe organizimi brilant i udhëheqjes së trupave mbrojtëse.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Historia e shqiptarëve që e mbrojtën Sanxhakun, Ismet Azizi, nga çetnikët

LEJLAJA

March 16, 2017 by dgreca

Lejlaja/1 adem Lejla

Mbresa nga Avdulla Kënaçi/ Kanada/

As më kishte shkuar kurrë ndërmend se një ditë do të drejtoja një grup letrarësh të vegjël në Shtëpinë e Pionierit në Gjirokastër. Ahere isha 24 vjeç dhe sa kisha filluar punë në gazetën lokale, kur një miku im, shkrimtari Tasim Gjokutaj, më propozoi të jepja mësim mbasdite në një prej grupeve letrare të shkollave 8-vjeçare të qytetit. Pagesa ishte plus mbi rrogën e gazetarit dhe kjo gjë më leverdiste shumë, ama nuk e kisha fare haberin se çfarë do t’u mësoja atyre vogëlushëve. Gjithënjë godinën e Shtëpisë së Pionierit  e kisha parë nga sipër prej kangjellave me gurë e dru të “Sheshit të Çerçizit”. Zakonisht aty rrinte i menduri Petro Dralo, i cili kishte qenë mësuses matematike, por, si  thuhej, kishte ikur nga fiqiri për shkak të llogaritjeve të shumta që bënte se si duhej lëvizur nga vendi Kalaja e cila në gjysmën e ditës i bënte hije Sheshit të Çerçizit. Petrua, pasi lodhej me llogaritjet, ndiqte me sy fëmijët që luanin në oborr dhe kushdo që e pyeste, aty për aty përgjigjej me akcentin e minoritarit grek: “Janë edugjimet e vogla”. Donte të thoshte se ajo godinë shërben për edukimin e të vegjëlve.

Realisht godina dykatëshe stononte me ansamblin e shtëpive gjirokastrite sepse jo vetëm që ishte mbuluar me tjergulla, por edhe me muratura prej guri të papërpunuar, soleta e ndërkatit ishte betonarme monolite, e rregullt, e shëmtuar. Arkitrarët e dritareve ishin realizuar me rrasa guri vertikale, të shtërnguara me njera tjetrën e të pykëzuar në qendër, një imitim i dështuar i harkut karakteristik gjirokastrit. Për fat të mirë, kjo godinë e paekspozuar, aty ku nis përroi midis dy lagjeve, nuk i prishte shumë punë ansamblit elegant të shtëpive gjirokastrite.

Me përjashtim të drejtorit, asnjë nuk njihja nga punonjësit e Shtëpisë së Pionierit. Bëja mos të arrija në orar dhe me të mbaruar, kthehesha përsëri në redaksi ku punët nuk mbaronin kurrë. Në një prej ditëve të fillimit, u nisa drejt e nga ferma e Valaresë ku isha për të ndjekur një aksion të grumbullimit të misrit. Sa vura këmbën në korridor, u përshëndeta me një nga punonjëset.Ajo ma bëri me shenjë ta ndiqja në zyrën e saj. Me siguri mendova, ndonjë porosi nga drejtori. Por jo, ajo nxorri nga një sirtar një leckë dhe ma bëri me shenjë nga këpucët e mia. Ahere vura  re që syprinat e tyre ishin mbuluar nga një tis i lehtë pluhuri.U skuqa gjer në rrëzë të veshëve. Mekanikisht i pastrova këpucët dhe falenderova punonjësen. Ama sa herë e kujtoja këtë çast, ndjeja se më digjnin mollëzat e faqeve. Në rastin më të parë, ia shpreha mikut tim, Tasimit, se çfarë me kishte ngjarë. Tasimi buzëqeshi dhe më tha se ajo është një grua e shkëlqyer, e edukuar dhe plot kulturë.

–         Nuk më duket si gjirokastrite. – i thashë.

–         Jo, ajo është e martuar me doktorin e syve, Adem Harxhin dhe ka ardhur nga Tirana. Eshtë me origjinë bejlereshë.

–         Belejreshë? Po ndoshta prandaj e kanë transferuar dokor Ademin këtu.

Për regjimin komunist të asaj kohe bejlerët nuk shiheshin me sy të mirë. Madje shumë prej tyre , pasi i kishin xhveshur nga pasuria, i kishin burgosur, internuar apo dëbuar nga Tirana. Dëshiroja me shpirt që kjo punonjëse aq e edukuar, trupgjatë, e përzemërt e simpatike, të mos ishte nga ato zonja që  ishte goditur nga diktatura. Quhej Lejla; me sy dhe flokë pis të zes, pak të dallgëzuar, të shndritshëm që bënin kontrast me fytrën e bardhë e të lëmuar. Nuk vishte rroba të shtrenjta, por aq bukur  kombinonte, sa thua se disa rrobaqepës kishin punuar për veshjet e saj. Pas asaj ngjarjeje, m’u bë zakon, para se të nisja mësimin me fëmijët, kthehesha nga zyra e Lelës që gjithënjë e kishte derën hapur dhe e përshëndetja me përzemërsi. Në shumicën e herëve aty gjeja instruktoren e grupeve artistike, Melin. Ishte këngëtare  e Estradës, vinte nga Berati, por e martuar me një inxhinier gjirokastrit. Meli ishte vazhdimisht e qeshur e gazmore, i pëlqenin shakatë dhe sa here vishte ndonjë rrobe të re, pyeste në se i shkonte. Unë nuk merrja vesh nga veshjet e grave, por e kisha gjetur si argëtim duke i thënë se ja kjo sot të rri shumë bukur. Në shumicën e rasteve përsëritja të njëjtat gjëra, por Meli hiqej sikur unë ia thoshja përshtypjet për herë të parë. Më në fund më tha: “Kot më thua, nuk të besoj, ti nuk merr vesh. E pse të pyes ty kur kam këtu Lelën”. Kështu u çlirova nga Meli, por jo nga kafja kur pas mësimit të tre e pinim një filxhan allaturka në zyrën e Lejlasë. Meli vazhdimisht pyeste se si quheshin lagjet e Gjirokastrës, rrugët e rrugicat, traditat dhe gatimet. Më në fund i jepte karar; “Jo, nuk ka shumë ndryshim nga Berati.” As burrat, i thoshja unë.

Një mbasdite, me afrimin e Vitit të ri, kur errësohet herët, orët i shkurtuam për të mos i zënë fëmijët shiu nëpër rrugë, ama ne instruktorët duhet ta bënim orarin të plotë. Soba me dru bubullonte dhe të tre, ia kishim shtruar bisedës për shtatë palë qejfe. E qeshura e Melit përplasej me tërsëllimë nga muret në korridor. Papritur Meli e ndërpreu të qeshurën dhe e lebetitur, duke vështruar me sy të shqyer nga dritarja, tha: “Burri, e zeza, Lelaaa ”. Nuk kuptoja se çfarë po ndodhte, por për Lejlanë nuk kishte asnjë enigmë. Ajo ma bëri me shënjë të largohesha dhe unë ashtu bëra, ama nuk ndjeja ndonjë faj, por thjesht se i besoja qorrazi Lejlasë. I përshëndeta dhe dola. Kështu i rrallova vizitat në zyrën e saj, por jo komunikimin aq të natyrshëm, aq të përzemërt. Meli, sa më shikonte, vinte buzën në gas, por kurrë nuk qeshte më me zë të lartë si dikur.

Ndërsa për të provuar fisnikërinë e Lejlasë, do më duhej të ndodhte një incident tjetër. Duke kontrolluar krijimet e secilit nxënës, vura re se një nga vajzat kishte kopjuar pikë për pikë një poezi të botuar në revistë dhe ma paraqiti si frymëzim të saj. U revoltova pa masë, e ngrita të shkretën vajzë para klasës dhe e pyeta se ku e kishte gjetur atë poezi sepse e saj jo se jo që nuk ishte. Ajo nuk deshi të tregonte, por një shoku i saj e denoncoi revistën nga e kishte marrë. “Kjo është vjedhje, si të gjitha vjedhjet, i thashë, quhet pronë intelektuale  e dikujt tjetër dhe po qe se ti e publikon me emrin tënd, dënohesh me ligj”. Vajza u shkreh në vaj dhe fytyrën ia mbukuan flokët. Këmbëngula të spjegohej e të kërkonte ndjesë, por ajo nuk e zbërtheu gojën. E nxorra jashtë mësimit. Edhe kur ora letrare mbaroi, nervat i kisha ka urel. Mbylla regjistrin dhe po dilja me nxitim nga klasa. Lejlaja më priste në korridor. Më ftoi si zkonisht nga zyra e saj. Meli mungonte, ishte në provat e fundit të çfaqjes.

Duke përzier kafen, më tha se nxënëses që kisha dëbuar nga klasa desh i kishte rënë të fikët në korridor.

–         Eshte kopjace,Lejla, plagjiaturë, nuk duhet të mësohet kështu nxënësi.

–         Eshtë fëmjë, ka dashur  ekspozohej sa më mirë para teje. Nuk e ka vlerësuar si gabim.

–          E ndëshkova që të mësojnë edhe të tjerët, Lejla.

–         Ti ke hallin e plagjiaturës, por këtu plagjiaturë bëjnë edhe të rriturit. Ah, sikur bota të ishte kaq e përsosur.

–         Po si t’ia bëjmë?

–         Vajzën e ke fyer aq shumë sa ka rrezik të mos vijë më në rrethin letrar. Në fund të fundit, kjo është pjesmarrje vullnetare, pavarësisht se ne paguhemi. – nga fjalët e saj, por edhe se vetë fillova t’i thërres mendjes, i thashë.

–         Ka ikur, tani nuk bëhet gjë.

–         Jo, tha Lejlaja, nuk e lashë unë të ikte, e kam mbajtur në klasën ngjitur. Ajo pret fjalën tënde. E kishte kuptuar gabimin.

Eh, mendova, ja çfarë do të thotë të jesh fisnike, aristokrate. Të falësh, të jesh zemërgjerë. Kjo mua më mungonte. Ndoshta edhe pse isha i ri e pa përvojë.

Pas pak vitesh u transferova në Tiranë dhe thuajse Lejlanë nuk e takoja fare. Sa për Melin, mora vesh se bashkëshorti i kishte dhënë divorcin.

Besoja se me ndryshimet demokratike edhe Lejlaja duhet të ishte kthyer në Tiranë. Rastësisht e takova përpara hotel “Tirana”, ose Pesëmbëdhjetë katëshi si  i thoshnim në zhargon. Gjurmët e bukurisë së dikurshme shfaqeshin qartë, veçse  dukej shumë e lodhur. Rreth syve të zinj që nuk i kishin ndryshuar, i lexohej një mërzi e lehtë. Ndoshta nga rruga e gjatë.

–         Ku bëhesh Lejla, oh, sa kohë ka që kur nuk të kam parë?

–         Jemi familjarisht në Filadelfia, së bashku me Ademin, kemi vite.

–         Të lumtur?

–         Lumturinë nuk e kishim në kohën kur duhej, tani është vonë.

Ahere nuk e dija se edhe unë pas disa vjetësh do të gjëndesha në të njëjtin kontinent dhe do të mendoja po në të njëjtën mënyrë si Lejlaja.

 

Kanada, mars 2017

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Avdulla Kenaci, LEJLAJA, mbresa

Republika e Re mbi gërmadhat e Republikës së Vjetër!

March 16, 2017 by dgreca

Nga Enver Bytyçi/

Një mjek i nderuar, profesor në Universitetin e Mjekësisë, megjithëse me bindje të majta, është njohur si kritik i spikatur i Rilindjes, veçmas për çeshtjet e shëndetësisë dhe skandalet e shumta të ministrit Beqja. Për këtë shkak ai meritoi respektin e shumë qytetarëve shqiptarë, u bë madje në disa raste simbol i rezistencës kundër korrupsionit dhe mashtrimit të rilindasve bashkëpartiakë të tij.

Por ndodhi protesta e demokratëve dhe u rrit magjia e fuqia e Çadrës së Lirisë. Mjeku aktiv kundër padrejtësive të Rilindjes e lexoi këtë si “rrezik” për familjen e tij politike të majtë. Prandaj u tërhoq nga vetja dhe iu bashkua korit të Rilindjes kundër opozitës. Kaq u desh që edhe të tjerë kritikë të Rilindjes të tërhiqen të strofën e ideologjisë, duke u rikthyer në vathën e vjetër të organizimit politik. E dija se “sado kritikë të jenë të majtët ndaj elitës së tyre politike, ata kur nuhasin rrezikun e kundërshtarit në opozitë dhe vjen era e ndryshimit i bashkohen radhëve të rezistencës së përhershme kundër të djathtës”.

Por në rastin e Rilindjes mendoja se ka një diferencë të thellë midis saj dhe së majtës së përshkruar si moderne, midis oligarkisë dhe Partisë Socialiste. Besoja se logjika do t’i çonte drejt një rezistence morale së paku, e cila do t’i bënte këta kritikë më dinjitozë, më njerëzorë, më idealistë. Megjithatë nuk ndodhi kjo. Shumë prej tyre u bënë pjesë e korit propagandistik të qeverisë së Rilindjes dhe sorosistëve në pushtet. Se ata udhëhiqen nga koncepti: “Më mirë përkrah kriminelëve të familjes time politike, sesa përkrahës i një modeli të ri që vjen nga kundërshtarët politikë”, i cili sot është emërtuar si “Republika e Re”.

Kjo masë analistësh dhe kritikësh kanë marrë përsipër që të barasvlerësojnë qeverisjen e Rilindjes me atë të opozitës. Dhe në kushtet e trashjes së zullumit, Rilindja nuk shpreson më shumë se kaq. Asaj i mjafton ngulitja e nocionit “Të gjithë janë njësoj”, me qëllim që të barazojë rezultatin zgjedhor, të shtojë numrin e votuesve indiferentë, të cilët janë edhe kontigjenti e votimit me blerje. Republikën e Re na e paraqesin të nëjtë me Republikën e Vjetër. Nuk shohin, as nuk duan të shohin se Republika e Re i ka rrënjët e saj në shumë aksione politike krejt të ndryshme me qeverisjen e Republikës së Vjetër. Nuk duan t’ia dijnë se Republika e Re është çlirimi nga krimi dhe kriminelët në politikë, në administratë, në sistemin gjyqësor, në media e në çdo institucion me ndikim në opinionin publik. Modeli i luftës kundër krimit dhe kriminelëve  i Republikës së Re është ngjizur që me imponimin e ligjit për dekriminalizimin, një ligj që u inicua nga kryetari jo deputet i opozitës shqiptare. Pasojë e këtij ligji janë dëshmitë tronditëse që shfaqen çdo ditë për krimet e deputetëve dhe kryebashkiakëve socialistë.

Unë nuk kam dëgjuar në asnjë rast që Lulzim Basha të ketë marrë në mbrojtje ndonjë peshk të vogël të krimit në PD, të ndëshkuar nga ligji i dekriminalizimit. Por jam shokuar me dhjetra raste të alibive që ka shpik Edi Rama në mbrojtje të kriminelëve me damkë në radhët e deputetëve dhe funksionarëve të tjerë shtetërorë të rrethit të tij. Eshtë e pashembullt që një kryeministër të shkarkojë de jure një kryebashkiak e ta lejojë atë de facto të ushtrojë detyrën e tij! Por kështu ka ndodhur e po ndodh me Elvis Roshin, mikun e ngushtë te kryeministrit tonë.

Eshtë unik rasti kur kryeministri e përdor në fushatë elektorale një kriminel të dënuar me burgim të përjetshëm dhe një ditë para zgjedhjeve e përcjell jashtë sistemit Tims në kufi me Malin e Zi, që ai t’i shpëtonte drejtësisë! Janë unike në historinë e qeverisjes rastet kur një kryeministër, si ky yni, të dënuarit për krime të rënda si prostitucion, vrasje, trafik droge, grabitje, përdhunime, në fillim i bën deputetë e kryetar bashkie e më pas, kur sipas ligjit shkarkohen, i ngarkon si shefa të zonave elektorale në qarqet nga ata vijnë!

Nuk dua të përmend fakte të tjera, si kanabizimi, vjedhja e shit-blerja e votës, as varfërinë, diskriminimin përballë ligjit e në investime. Nuk po ndalem te rastet e pafund, kur të vobegtët arrestohen e dënohen me burg, ndërkohë që kriminelët e dënuar para Rilindjes dalin një nga një nga qelitë, pavarësisht se janë të dënuar përjetësisht! Nëse do të flisnim për këto, atëherë do të na duhej shumë, shumë kohë të lexonim për atë çfarë përfaqëson Republika e Vjetër.

Por a i shohin së paku këto bëma të Republikës së Vjetër ata që deri sot ishin kritikë të Rilindjes?! Nëse jo, çfarë ka ndodhur me ta? Si u bë që me ngritjen e Çadrës së Lirisë të rikthehen te propaganda kundër Republikës së Re?! E tmerrshme, çfarë mekanizmi perfid për të zhvleftësuar një kauzë të jashtëzakonshme, ndërtimin e një Republike tjetër, të ndryshme nga ajo e Rilindjes, madje të ndryshme edhe nga qeverisjet në kohë para Rilindjes prej vitit 1991 e këtej!

Republika e Re i ka themelet te projektet e opozitës, disa prej të cilave janë imponuar të bëhen ligje. Fatkeqësisht ende këto ligje nuk zbatohen, sepse mungon vullneti politik i rilindasve. E pikërisht këta mohues të ligjit betohen për reformën në drejtësi!!! Republika e Re ka për qëllim rritjen e hapësirës së lirisë së individit dhe harmoninë midis dhunës shtetërore dhe humanizmit, gjithnjë në respekt të ligjit dhe të së drejtës! Republika e Re është dëshmuar tashmë si Republika e Antikrimit, Antikanabizimit, Antihumanizmit, Antioligarkisë! Ndoshta është e para opozitë e një çerekshekulli, e cila nuk ka imponuar zgjidhje në tavolinë, por zgjidhje ligjore për krizat e shkaktuara të qeverisjes së Rilindjes!

Tani i thonë se “kërkon pushtetin në tavolinë”!!! Ndërkaq këta ish-kritikët e Rilindjes i janë bashkuar korit të propagandës qeveritare dhe fillojnë e tjerrin se cilat na qenkan “krimet e qeverisjes se Partisë Demokratike”! Numërojnë Gërdecin, 21 Janarin e madje kthehen e shkojnë deri te vitit 1997! Përmendin edhe zgjedhjet e majit 1996! E ndërkohë ushtrojnë presion të bëjnë zgjedhje kundër vullnetit të opozitës ose pa opozitën. I thonë opozitës se bën bojkot, pse ajo kërkon zgjedhje të lira e të ndershme, por nuk etiketojnë si bojkot largimin e komisionerëve socialistë nga qendrat e votimit me urdhër të Gramoz Ruçit në mbrëmjën e 25 majit 1996!

Ndërkohë asnjë provë te re nuk kanë sjellë në katër vite, me të cilat të implikojnë në krim kabinetin e PD-së! Thjesht përdorin propagandën. Nuk po ndalem sesi Shqipëria u trondit nga Gërdeci, sepse aty ka shumë dritë-hije, më së pari duhet gjetur kush i vuri flakën barutit dhe pse ndodhi kjo tri javë para se NATO të jepte ftesën e pranimit në Paktin e Atlantikut! Duhet të analizojmë pse qëlloi mbi demonstruesit e 21 janarit njeriu i afërt i Lenka Çukos, nipi i saj?! Ka shumë pikëpyetje, të cilave duhej t’u jepte përgjigje vetë qeverisja e Partisë Demokratike. E pranoj se ajo ishte e paaftë të ndriçonte të vërtetën e këtyre e ngjarjeve, madje edhe të vrasjes së deputetit fierak, Xhindi, në fushatë elektorale, së paku më e paaftë se ideatori e skenaristi i atij krimi makabër!

Përdorimi politik i këtyre ngjarjeve, burimi real i të cilave është i dyshimtë dhe i diskutueshëm, së paku i pandriçuar dhe e paprovuar, edhe pse këta qeverisin prej katër vitesh, është dashakeq dhe propagandë e pastër kundër Republikës së Re! Ndërkaq PD e ka marrë përsipër përgjegjësinë politike të saj. Ish-lideri historik i saj dha dorëheqjen dhe kjo do ishte e mjaftueshme në çdo vend demokratik për të dëshmuar se Republika e Re nuk ka asgjë të përbashkët me Republikën e Vjetër të Rilindjes.

Atëherë pse ish-kritikët e Rilindjes u rikthyen në pozicion kritik kundër Çadrës së Lirisë?! A është kjo një metamorfozë që na ndjek si ogur i zi ne shqiptatëve, duke na shkatërruar në fillim shpirtërat e më pas qenien tonë si komb?! Sa kohë do të na duhet që së paku të krijojmë një elitë të dinjitetit, personalitetit dhe integritetit politik, shkencor, intelektual?! Të krahasosh Lulzim Bashën me Edi Ramën ose Republikën e Re të tij me Republikën e Vjetër të Edi Ramës është jo vetëm mëkat, por heqje dorë nga e vërteta, nga dinjiteti njeëzor, politik e intelektual, është ndjellje e pesimizmit dhe mbjellje e pashpresësisë te shqiptarët! Për çfarë? Se Rilindja dhe e majta funksionon si ideologji militare dhe dëshiron të mbijetojë përmes mashtrimit!

Filed Under: Politike Tagged With: e Republikës së Vjetër!, mbi gërmadhat, Republika e Re

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • …
  • 65
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT