• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2017

DRANJA “ FRYMA E NGUJUEME NË ASHT”

March 15, 2017 by dgreca

DRANJA “ FRYMA E NGUJUEME NË ASHT” /

200px-Pirro_Loli

ESE nga  Pirrro Loli/

“ Dranja madrigale “ e Martin Camajt është një det kuptimesh e nënkuptimesh i paeksploruar.I pazoti për të notuar tej e përtej e sidomos për t’u zhytur thellësive, isha i detyruar të qëndroja afër bregut. Ndonjë dallgë që më merrte në krahë, më tërhiqte gjithnjë e më tutje, më përplaste befas e më thoshte se  deti bëhej det atje më tutje e brenda ka bukui të frikshme.

dranja-martin-camaj DETI I SIMBOLEVE

=   Breshkë me emrin “DRANJA”, e lashtë që kur ka lindur bota, gjallesë e vogël rritur e zvarritur shkurreve, drithërueshëm nëpër rrugëza të pjerrta e shtigje pa cak. Në këtë pamje, kurrsesi, nuk ta mbush syrin për të qënë komb, atdhe, a popull. Por poeti vepron me shenja. Simboli është më e dashura shenjë e Martinit. E me të shënon hapësira dhe kohë, njerëz e ngjarje, histori dhe ide e, të gjitha së bashku, zëra të pafund, që duan të dëgjohen, polifoni kambanash të frikshme e magjepsëse si Circet e Homerit. Pa dyshim simboli qendror që lidh të tëra pjesët është kocka, rrashti i saj. Kjo është mburoja mbrojtëse, gatuar me bronc e me gjak, që mbulon trupin nga të gjitha anët. Mishi i breshkës nuk duket. Vetëm një frëngji e vogël ku hyn e del vetëm koka, me dy sy të vegjël që vëzhgojnë rreziqet. Gungë gjigande, bunker i blinduar në mish. Dhe jo vetëm mburojë, por dhe moral. Dranja i di rregullat e etikës, përshtatjen, nuhatjen, atë që duhet të prekë e atë nga ku i vjen rreziku. Ky simbol bazal, njëkohësisht është dhe dallim ekzistencal nga qeniet e tjera jo vertebrore, nga ato pa kockë, pa shtyllë, pa qëndrim e pa besë. Shkallëzimi i simbolit të rrashtës arrin majat e qenies dhe lartësisë. Dranja u përket hapësirave kozmike për nga origjinaliteti e qëndresa.  Rrashti i saj “ i përngjet rruzullimit me njolla dhenash..”. Syri i mikroskopit mbi këtë rrasht, fokusohet nëpër oaze gjelbëroshe e në xham ngrihen objekte të çuditshme, hije metaforash e simbolesh e gjithnjë një dritë e përhershme hëne, relieve piktoreske, shira e akuj e njerëz të stepur nëpër shtigje bore. Mbi ashtin kockor, së jashtmi, një radar gjithëpërfshirës, që vëzhgon çdo gjë që ka të bëjë me Dranjën, ajrin ,malin dhe detin, rrezikun dhe pabesitë. Rrashti i Dranjës simbolizon dhe kulturën, atë kulturë që ka dhënë e ka marrë me të gjithë të tjerët, por dhe krejtësisht origjinale, të vetmen “kështjellë” të papushtueshme mijëravjeçare, që nga mënyra e prodhimit deri te monumentet, këngët e vallet, eposin dhe mitet, krejt krijimtarinë popullore, gjuhën mbi të gjitha, elementin më të qenësishëm të ekzistencës së saj. E, pse jo, aktualisht, edhe tatëpjetën e kulturës.

Në deje ka muzikë, egërsi e herë herë, gjallesa që ke përpara, bëhet me dhëmbë ujku. Shëmtim e bukuri, ku simbolet lëvizin, shtyhen e derdhen dallgë dallgë. Ajo është simbol i bukurisë që në fillesa. (Kur shkon breshka në tempullin e Afërditës, tempullari gjeti dhe e krahasoi me një figurë të njëjtë dhe tha :”ajo nuk është erdhacake, por dhease”(autoktone. P.L) (f.21) Por Martin Camaj , në asnjë vend nuk mbahet nëpër majat e krenarisë të heroizmit e të virtutit. Ajo më tej volli. S’mund të kërkonte bukurinë e Afërditës. “Dikujt bukuria e lypun tepër i del prej hundësh.(f.21)E gjithë historia e Dranjës është histori e rrukullimës. Ajo ka qenë dikur, dikur por, ah!…

Por ky frymor vazhdon të jetë i papërsosur. E ndoshta pozat e këngëtarëve, që nga rapsodët e lashtë deri te poetët e sotshëm, zveniten si jo realiste, po ta shohësh në sy historinë. Dranja është gjallesë dhe figurë gjeometrike shumëplanëshe, kaliedoskop, simbol sferik që përbrenda e ka historinë dhe dramën kate kate. Këmba e poetit të vërtetë ngec në baltra e shket në rrugë të pjerrëta. Atje ku ajo ka mundur të jetë, të ekzistojë, duke humbur shumë, shumë, ndoshta vertebra bazale të skeletit të saj.

Dhe megjithatë, ka gjithmonë një syth drite Dranja, që s’i vjen nga dielli, por i buron së brendshmi. Kjo është e mjaftueshme për t’u orientuar edhe atëherë kur është terr.

Shumëkuptushmëria e simboleve në këto proza kaq konçize, duket si një hallakatje e përllogaritur në jerm. Saktësisht e pafundme si kuptimi i botës, si fati mijëvjeçar i fisit mbërthyer në mankthe ekzistence. Njëkohësisht kryelartë, intuitiv e i dehur për aventura në kërkim të vetvetes. Dhe vetëdije. Për Martinin, shkëputja fizike nga ajo “ dhëmb si ndamja e mishit prej ashti”(f.29) Kujtojmë se e gjithë jeta krijuese e poetit kaloi në Gjermani. Kjo ndarje e gjatë sa jeta e një njeriu, dhimbshëm del aty këtu e lexuesi zhytet në një pyll metaforash…Janë të lodhur njerëzit e fisit dhe stoikë që refuzojnë të thyhen. Si pemët e larta, mbetur trungje që tashmë s’ka ç’u bën as furtuna që hedh gurë nga qielli. Me ta e për ta, poeti mbeti përherë poet i mallit dhe i ndarjes pa kthim. E bukura në proemat e tij është pas fjalës e pas vargut, në nëntekst, në imazh. Zëri i poetit s’ka klithma e deklarata. Ai, si Borgesi e di natyrën e poetëve të këqij; rreptësisht kundër frymës luftarake, shkëlqimit të rremë e humorit bajat. Breshka e tij është një gjetje, një pikë ku vëzhgohen të gjitha hapësirat, është një Aleph borgesian.. Ajo pikë është qafa e botës, gjetje simbolike që i ka dhënë dorë ta përsosë poemën. (Të gjitha pjesët bashkë kanë një shtyllë vertebrale e, bukur fort, mund ta quajmë poemë, poemë me 90 pjesë. Dranja u botua më 1981 fillimisht në Romë e prozat e tij të kujtojnë poetët e mëdhenj të tipit të Rembosë ; proza të shkurtra që, pavarësisht se jo vargje të rregulla madrigale, në përmbajtje e mesazhe, poezi liriko-meditative, që nëpër të gjitha pjesët ka nga një rrëfenjzë për bëmat e breshkës, kundërvënie ndaj trajtave tradicionale të letërsisë shqipe e kështu, pioniere nismëtare e letërsisë moderne.)

Është një poemë e një mendjeje fisnike, me të vërteta të dhimbshme. I ka të gjitha burimet e dritës dhe terrin e vjen e ngrihet figurë komplekse, mbushur dritëhije e që, duhet ta zbërthesh si teoremë. Në të, ndoshta mu në zemër, thellësive të errta të AND-së së genit etnik, nuk mungon ajo rrezja e dritës e malli i pafund që projekton kohësh e, njëkohësisht, busull orientuese nëpër labirinthe, hap pas hapi , ku Dranja bën jetën e saj krejtësisht si breshkë (simbolike). Ajo është dhe mbeturinë përbindëshi, midis sisorit dhe shpendit.” Me shqisa të përgjysmuara midis të pamit dhe të ndiemit..(f.37)..lind pa dhëmbë, thotë autori -e deri në fund nuk do dhëmbë shtazori.., nga frika e rrufesë s’duron pranë asgjë prej hekuri.. Ndaj mbetet e patjetërsueshme , ndaj ajo nuk futet në rrugë me shkëmb dhe gjithnjë e ruan një shteg për dalje. Pavarësisht se me gjak të ftohtë, ka një besim absolut në vetvete se kurrë nuk do humbasë raca e saj. Pikërisht ky besim kockor e ka bërë të përshtatshme e stoike. Ekzistenca e saj, fatalisht, është përcaktuar si

            QENIJE E RRUGËVË TË PJERRTA…

Rrezikuar të ecë në teh të thikës. Ajo, lëviz ditë e natë, jo vetëm në “dhenat e veta”. Ajo zbulon dhe popullata të tjera breshkash, të mëdha e të frikshme e “ kthen kah kishte ardhë ..te toka e saj, e thatë si buka”(f.50)

Është e pashpresë e udha e breshkës dihet e, më tej vetvetja, dheu i saj “atje ku dhe hëna është pjellore, atje ku dhe drita e yjeve mjafton të mihësh e të mbjellësh”

Ajo(ai), është qerosi i Ballkanit, vëllai i vogël që paraqet vetëm të vërtetat për vete e për të tjerët, pa gënjeshtra e mburrje e prandaj, poshtëruar si qeros. Sepse i vogël.  E të tjerët, sidomos fqinjët, u bëhet se në shpinë, në asht të saj shohin lashtësinë e kockës së bukur por vraga dredhash si gjarpër. E dashakeqsit, të vërtetat nga goja e tij, u duken si helm hidhërimi në gjak. Të gjithë e poshtërojnë Qerosin, por të gjithë e kanë pasur e ia kanë nevojën. Ky qeros, i rrezikshëm e “i papërfillshëm”, i jep emrin kuptimplotë përrallës dhe historisë së këtij gadishulli, mbushur me intriga dhe pabesi ndaj vëllait të vogël. E ky gadishull pa përralla e mite, pa poezi e drama do të ishte i paqenë.

Samari i saj hyn e del  si kodrinë nëpër mjegulla. Po ku të shkojë ? Dimër në veri e mur në jug. Verdikti i historisë : “dështim me lanë kryet dikund, fitore me mbetë veç gjallë si frymorët e tjerë të përvujtun e zvarranikë”(f.23) E kanë shkelur e shtyrë drejt humnerës “ndër eshtna armiqsh”..dhe “lypi fletë të njoma hithash”, Zgjodhi hidhërimin si i ati e i gjyshi. Rrëpira ekzistenciale e ka mësuar se po ra këmbëpërpjetë ajo mbetet ashtu e gjallesat e vogla, morrat e kandrat e hanë. Në gollet e historisë ajo shumë herë është dukur e zhdukur por, jo , ajo befas ngrihet prej dheut, e një qenie toke s’e shkel dot dimri. Heq e vuan, por e di fatin, kjo është jeta breshkane.., ngec shkretëtirës nëpër shkurre e pluhur, plagosur e djegur “ sa me iu pas ngjitë rrashta në lëkurë”(f.50). Qenia e saj rrukullimave, ka filluar me gjak e i është dashur dhe të murohet. “ që të qëndrojë shtëpia e Culit, vranë një breshkan”(f.51)…Dhe të shfaqet Martini te  ky breshkan fatkeq, ballëçarë e gjakosur, flijuar krejt rastësisht ose nga tradita e murimit. Dhe bëhet gjak themelesh në kulturën shqiptare, fitil kandili, me atë flakëzën e përjetshme që ushqehet që nga lashtësia “me voj ullini”, dëshmi kjo e poetëve të mëdhenj që e pranojnë flijimin.

Dikujt tjetër, poetëve epiko-folklorikë, nuk do t’u pëlqente kjo pamje. Por thamë, Martini është larg pozave e deklaratave heroike, megjithëse edhe simboli e përmban superlativën, poeti nuk do të dalë as te pasojat katastrofike të qëndresës dhe luftave shekullore. Nuk i pëlqen ndeshja me përbindsha e qytetërime, që në jetën e Dranjës, kanë lënë gjurmë shkretëtire mbi dhe e nën dhe. Ama, kujton se më parë ka pasur më tepër zë. Zoti i lashtë kish ndrequr me rrashtin e breshkës(sonë) të parën vegël muzikore, të cilën ia fali Apolit e ky” me muzikën prej ashtit të saj i zbuti të tana shtazët e egra… e përmalli dhe breshkën …sa me nxjerrë një pikë loti, por kjo nuk u bë lotore dheu”(f.68) Ajo s’e mban mend mashkullin – thotë autori –por çon kryet e shikon diellin e në mend, mjegullueshëm, i shfaqen bij e bija. Vazhdimësia, përbën betejën përfundimtare të qenies.

Martini krijon një ekzistencë tjetër që ka të bëjë me lindjen, atë të artit. Ja kështu mungesa bëhet ndjeshmëri poetike, e ndërton pallatin me njëqind kate, poemën kuptimplotë, atdheun poetik, ëndrrën ose atdheun e munguar.

  DY ENË KOMUNIKUESE QË NUK FUNKSIONOJNË

Si diçka jashtë ligjeve të natyrës. Atdheu dhe ai. Dy brenda vedit që nuk duan të njihen. Në rastin e talenteve të mëdha dhe ekuacion me dy të panjohura. (Dhe një faj në mes. Jo moskuptim. Divorc ose më mirë braktisje). Dy skaje që s’mund të ndriçohen pa njeri tjetrin. Se dhe atdheu s’ka kuptim pa frymën e poetit, se dhe skaji tjetër do ishte frymor i pafrymë.  Ka një marrëveshje tepër të veçantë midis Martin Camajt dhe atdheut.”Marrëveshja rrodhi sepse unë nuk ia preva kurrë rrugën Dranjës”(f.75), ndërkohë as Dranja s’u muarr me të. Ka një kthim shpine nga të dy dhe, do vinte një kohë, që do gjykoheshin distancat e braktisja do rëndonte si baltë e rëndë mbi atdheun. Por poeti e ka atë me vete si pikë diellore në sy. Në ashtin e mëmëdheut ai sheh si në pasqyrën e botës gra e vasha, nuse, malësorë, zogj e flutura. Të gjitha mbi Drin. Atje është qafa e botës, si çdo vendlindje për çdo poet. Dhe përmbi, një hënë ku mbillen të lashtat, malin dhe detin, dëborën dhe delet…dhe shira të kithtë..Pulsi i poetit rrjedh në damarët e saj, por vetëm në gjumë. Gjithçka nderim dhe vuajtje, por jo harresë. Gati gati një zemër e përbashkët në dy trupa. Si dy enë komunikuese që çuditërisht, në këtë rast, nuk rrjedhin te njëra tjetra.. Dhe kënga e humbjes, për më të dashurin që mungon.., për Dranjën.

***

Është e patjetërsueshe Dranja për poetin. Ajo, e vo-gë-la, mbart mbi shpinë të gjitha vulat e kontinentit. S’ka rëndësi perimetri i pafund i sferës, por pika e qendrës, cilësia jo masa, zemra jo trupi. Për poetin që i ngre ultësirat në Himalajë, ajo është dhe histori dhe dhimbje, por sidomos FRYMË, frymë e ngujueme në asht, e sidomos dëshpërim e mall poetik…Portrete me pamje të zbeta në pasqyra të grricura. Pasqyrë e njeritjetrit larguar. Si të gjitha mendjet e ndritura të Rilindjes, gjak i shprishur shpërndarë gjithandej, por nga i njëjti burim zemre. Për Martinin vetëm në ide, jo në ndiesi, imazh, jo prekje. Andej  prej së largu në një shtëpi të vetmuar, ai ka një turbullim të tmerrshëm poetik tek shikon nga dritarja zogjtë që fluturojë ” zogj sa të zit e thoit”(f.76)..atij dhe breshkat e tjera (shtetet a fiset) i duken pa asht e pëlcet përbrenda  kur mendon vragat e ashtës së tij e zërin e idhët, klithmën e “zojës së vjetër tue rrah shkurret me njanën furkë” Dhe shtanget dhe pikëllohet “qysh se e humba sysh..”e shpreson se do ta shohë njëherë… Iku djalosh Martini dhe u thinj në pritje. Por,oh! Koha e pritjes e shpresës, dhe e mallëngjimeve, sosi… Atdheu kurrë nuk “shkoi”tek ai. Rrugët qenë thyer. Kish të bënte me një atdhe që s’kish nevojë për frymën e bijve të vet. Kjo është më tepër drama e atij që mohon më të mirën e vetvetes.…

***

Shpesh ashti i Dranjës barazohet me ashtin e njeriut ”pa kapuç shqiptari”, pa trajta malësorësh ngelur nëpër shtigje bore. Ia ka ënda ta paraqesë shqiptarin, jo vetëm shqiptar, por njeri, njeri   universal. E këtë e realizon vetëm arti i madh, arti , që pavarësisht ku lind, e kapërcen burimin e shkon në detin e të gjithëve.

Të shqetëson qëndrimi i poetit ndaj atdheut, që kaq shumë heshti për më ballëndriturin bir të tij. Ai që jetoi në mes të Gjermanisë moderne me të gjitha të mirat për rreth, ai profesori i universitetit ku ligjëronte shqip, ai me aq shumë miq, studentë , poetë, akademikë, edhe mund të heshtte, edhe mund të urrente, por jo, thotë e gjithë vepra e tij. Ai e dinte se poeti pa atdhe është i parrënjë, i palumtur. (Mbi kulmin e shtëpisë së tij një krah shpendi  i zi si nata. Ky krah e ndoqi kudo që shkeli nëpër Evropë. Fatalisht i zi.) Këtu qëndron humnera shpirtërore e krijuesit, sepse vetëm atdheu të jep emër. Le të jesh i njohur në kontinent, le të barazohesh me poezinë më të mirë të kohës, vulat e vlerave, t’i jep vetëm atdheu. Dhe Martini kish aq shumë nevojë të verifikohej, aq shumë nevojë për dorën e nënës që e kish braktisur pa të drejtë. Dhe një zë intelekti nga të vetët, kurrë nuk e ndjeu në vesh. Dhe vdiq pa e marrë vulën. Dhe kur i bëhej se dëgjonte një jehonë zëri nga ashta, asgjë e re, nga atdheu “mbi Drin”.. E flaku zogun e borës kryepingul në xham e la atje dy pika gjaku”(f.96), dy pika gjaku si dëshmi, se heroizmi ka dhe trajtë tjetër.., braktisjen, harresën, ose moskuptimin ..

***

Dranja tashmë është kujtim, ama, kryezonjë e librave të tij. Dhe “dëshiroj të mbesë përherë aty “(f.78). I ftohtë atdheu i Martinit, rrashtëgur. Mermer me statuja të vdekura, pa vena gjaku përmes. Por poeti ia fal heshtjen, fyerjen, mosnjohjen, mohimin, kokëpremjen, vetëm, ..(shihni sa pak kërkojnë poetët) të mbetet e vetmja hajmali “me mbetë gjithmonë para syve të mi si hana me fytyrë tjetër, gjithnjë e re dhe e vjetër në andrra e rrëmime..”(po atje) Shira të kithtë dhe borë dhe një brymë e përhershme vesh xhamet e mjegulluara të dritares.. Fort mirë e di se një gjëmë i ka ndodhë Dranjës. “rrashtës i shihen tash(jemi në vitet 70`)vetëm njolla të gjelbra e rava e  deje gjaku..” Tash raportet e tij me të janë vetëm raporte dijesh e përvojash, histori dhe traditë dhe zhgënjim i plotë pa kthim.

***

I virgjër. Si bredh. Që lartësohet në vetmi. Dallandyshja s’ka rrugë tjetër veçse të zbardhet. Në distancën që sa vjen e zmadhohet midis tij dhe atdheut, ka një mëri në mes. Një kthim shpine. Mur më mur. Dëshira për kthim tretet. Si plangprishës, jo se jo. Dhe ai bëhet vazhdimisht atje. I dëgjon tek zbrezin orteqet. “Është barrë e vrame në bark të nanës” e kafen e pi të hidhur. Dhe cermoninë e mortit e ngrë atje, atje ku vatra e shuar ndez qirinjtë, ku nxijnë rrasat e tumtarit, ku hesht i ftohtë rrethi i hirit, ku shqyen fytyrën ujku i habitur, ku një pishë e heshtur nusëron në hone, ku loti e djeg syrin faqeve të nënës mespërmes,…

E guri u bë mall, e malli u bë qyqe, e qyqja u bë motër… E lugjeve të bardha qan me kujë : O vë-lla, ku je, në ç’gur a degë dielli je tretur, o Gjon, o Gjon ,o vë-lla…!

Por,dhimbja për të nuk dhëmb më..

“Tash qëndrojnë pezull shkëndijat… bërthamat e dritës ose mardigalet e mia, varg.”

***

Kthimi i Martin Camajt tash së voni në altar, të kujton një dhomë muzeu, me çelsa në bravën e harresës. Është një akt kortezie pa e bërë të vetin. Formaliteti i ndereve dhe dekoratave për të, për Nënë Terezën, Faik Konicën, Ernest Koliqin, Mithat Frashërin, Isuf, Luzajn, Gjergj Fishtën, Arshi Pipën,  etj etj., sikur të kujton një ftesë për të heshtur. Komuniteti shqiptar nuk është i gatshëm t’i bëjë frymë e veprim, funksion e pika referimi e, rrjedhimisht, jo lëndë të ndërgjegjes kombëtare.

Dhe atje në altar, ka një heshtje të pëzishme, një kontraditë të mbyllur që nuk pranon të sqarohet. Dhe një kodoshllëk. Atje ku pranërrinë nderet e kombit, akoma çirren zërat panegjirikë për nënën Shqipëri, me gjak e lule mbuluar, dithirambe mbërthyer me gozhdë të ndryshkura, vaj pushkësh e male që s’dinë përse mendohen, bunkerw e vrasje dhe skelete të zgjatura metalikë si me qenë një pyll armature.. Martini hesht. Si statujë që s’duhet të zgjohet nga mermeri. Por, dhe kështu, ai godet fisnikërisht si poet. Bleta është kthyer në flutur të murrme, anonime e popullore nga “ata që shkruajnë ndër ne” ..që vjelin në ty fjalë e trajta e rima “ figura të vjetërueme e deri shëmbëllesa ku fshihet palca e dhunës”(f.88) Ndryshimet e frymës poetike me folklorin –sqaron poeti-duken si motër e vëlla, por ndryshojnë esencialisht si gjumi e vdekja, që s’shihen për së gjalli në jetë, vetëm ti si libër e unë si rrashtë”

***

Martin Camaj është poeti më modern që lidh natyrshëm poezinë e re shqipe me De Radën, Mjedën, Migjenin,  – syth i ri përtëritws i traditës më të mirë, sup më sup me poezinë evropiane.

E, paçka se jo fizikisht pranë, Shqipëria është e gjithhershme, kryezonja e dremitur e ëndrrave të tij, paçka se herë herë e humbet besimin ndaj ashtës”si i ati që  shihte shpatullën e berrit dhe nuk i beson më profetizmit primitiv, ai gërmoi vazhdimisht në rrasht, në lëkurën e pergamenëve të lashtë e, atje, thellësive e honeve, gjeti fytyrën e saj, tempullarë si të Afërditës.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: DRANJA “ FRYMA, E NGUJUEME NË ASHT”, Martin Camaj, Pirrro Loli

MARTIN CAMAJ: MALËSORI BUJAR DHE EVROPIANI ERUDIT

March 15, 2017 by dgreca

*Të tjerët për Martin Camajn, në kujtim të 25-vjetorit të vdekjes/

* Megjithë “mospërfilljet ndaj tij dhe megjith portën e mbyllur për të, në këtë 25-vjetor të vdekjes, Martin Camaj gjithnjë bën thirrje:“Avitu njeri! Afrohuni shqiptarë!/

1 Frank shkreli (2)

Nga Frank Shkreli/Në një shkrim me titull: Martin Camaj përherë me ne”, të shkruar më 2010, Ardian Klosi do ta cilësonte Profesorin me origjinë nga Dukagjini, si të “Përzemërt, me një mirësi të kultivuar, kur bashkohej malësori bujar me europianin erudit”.  Ismail Kadare e ka quajtur Martin Camajn, “Shkrimtari i Lartësive”, ndërsa ka shkruar se “Ndjesia e parë që provon lexuesi kur hyn në botën letrare të Martin Camajt është ajo e lartësisë”.  Ismail Kadare shkruan edhe për “vetminë e shkrimtarit”, duke nënvijuar se “Martin Camaj ka qenë, pa dyshim, shkrimtari më i vetmuar shqiptar i gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë.  Duke i strehuar ngjarjet dhe personazhet e veta në një lartësi, që iu siguronte pavarësinë, ka kujtuar ndoshta se do ta mbronte artin e tij prej ndikimit të katrahurës shqiptare, asaj së cilës kujtonte se i kishte lënë lamtumirën”.

200px-Martin_Camaj

Ne Foto:Profesor Martin Camaj/

Në këtë frymë të katrahurave shqiptare, Ernest Koliqi shkruante se Martin Camaj ishte “Pjestar i një djelmënije të vrugosun në shpirt nga nji stuhi ngjarjesh tepër shqetsuese, të nji djelmënije që u randue me vuajtje të pameritueshme ç’se filloi me marrë mend” dhe si i tillë, “Njofti mërgimin, burgimet, fushat përqendruese, punën e përdhunëshme…”  Ernest Koliqi, bashkpuntor i ngusht dhe mentor i Camajt, ka shkruar se Martin Camaj, “Trimnisht ka përdorur penën si të parët e tij taganin dhe pushkën”, duke thënë se, “Fisnikija e lashtë e malësorve, kalorsija e natyrshme që u pajisë shpirtin, pikon papritmas edhe në vepër të këtij pinjolli të tyne, e i cili e di harresën në të cilën bota e huej dhe vendase i la malet tona.”  Si pinjoll i atyre maleve, shkruan Koliqi në parathënjen e veprës së Camajt, “Djella”, Martin Camaj e kishte gjithmonë, “Parasyshë mospërfilljen e paevarëshme që shumica e qytetarëve ka dëftue për këta fatosa të lindun, e të cilët si kala e gjallë mbrojtën kombin nga sulmet e sllavëve”.   Megjithkëtë,  Koliqi shkruan se në veprat e tij, Camaj  “Lëshon nji kushtrim jo ma luftarak, por paqsuer, plot shpirtbardhsi dhe flakë dashunije vëllaznore”, duke cituar poetin:

“Avitu, njeri!

Nga palci i urrjejtjes dëshiroj me dalë

Si bima prej fare në pranverë”.

Edhe Ismail Kadare ka shkruar duke aluduar për këtë mospërfillje të shumicës së qytetarëve ndaj shkrimtarit dhe poetit Camaj, për të cilën ka shkruar Ernest Koliqi, duke theksuar se,”Përpara këtyre portave u gjend një ditë Martin Camaj.   Nuk ishte i nxjerrë jashtë mureve, si Fishta, Konica, Koliqi, por kjo nuk e bënte më pak të ndërlikuar problemin e tij.  Kishte qenë thjesht nënshtetas i atij vendi që quhej Shqipëri, por asnjëherë brenda kullës letrare.  Ka gjasë që për një kohë të gjatë, në nënvetëdijen e tij shestohej e paarritshmja: të bënte pjesë një ditë në atë fis apo në atë urdhër trillan.  Brenda kullës, përveç hijeve të mëdha, ishin shkrimtarë të gjallë, të ngjashëm me ta, por të padashur, si Lasgush Poradeci ose Mitrush Kuteli.  Siç ishin të pakuptueshëm për epokën brenda së cilës u gjendën, ashtu do të ishin më pas, kur epoka të ndërrohej.”

Megjithse gjatë regjimit komunist, “porta ishte e mbyllur” për shkrimtarë e poetë si Martin Camaj, Kadare shkruan se Camaj  “Nuk i lejoi vetes asnjëherë që, duke përfituar prej lirisë që i jepte mërgimi të shkruante kundër sivëllezërve të tij në Shqipëri. Ishte e vërtetë se në kohën që ai kujtohej e bëhej merak për ta, ata nuk u kujtuan kurrë për të, por kjo nuk e shtyu asnjëherë t’u mbante mëri për shpërfilljen apo harresën e tyre të gjatë.  Ishte i ndjeshëm për gjendjen e tyre, për optimizmin e rremë e për ankthin e fshehur me kujdes midis festës po aq të rreme”, ka thënë Ismail Kadare duke përfunduar se, “Në ngrehinën e përkorë të letrave shqipe, atje ku është duke zënë vendin e vet Martin Camaj, ashtu si në çdo panteon, hyhet vetëm prej një porte, asaj të madhes.  E ajo portë, siç e tregon emri, nuk njeh veçse arsyet e mëdha”, ka vlerësuar Ismail Kadare veprën dhe personin e Martin Camajt.

Në vitin 2010, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, ka dekoruar shkrimtarin dhe albanologun Martin Camaj me urdhërin “Nderi i Kombit” duke u shprehur se,”Kur kam firmosur Urdhërin “Nderi i Kombit” për Martin Camajn, kam patur parasysh përkushtimin e tij sipëror ndaj gjuhës sonë, artin e madh, dashurinë e vuajtur e poetike ndaj Shqipërisë së tij”, ka theksuar Presidenti Topi gjatë ceremonisë së organizuar me atë rast.  Gjatë fjalës së tij Presidenti Topi u shpreh gjithashtu se në jetën e Camajt, pamundësia e kthimit është tragjike, por fatlume për letrat shqipe. “Në asnjë vepër tjetër të letërsisë shqipe, nuk gjejmë kaq shumë atdhe, kaq shumë fëmijëri, kaq shumë vendlindje”, ka thënë ish-presidenti Topi.

Ardian Klosi, i cili ka shkruar se kishte njohur Martin Camajn për dy vjet pas shembjes së komunizmit, ka thënë se Martin Camaj kishte luajtur një rol të jashtzakonshëm në jetën e tij dhe se ai kishte qenë gjithashtu edhe njëri ndër kontribuesit kryesor në Lidhjen e Shkrimtarëve e Intelektualëve të pavarur, themeluar në qershor të vitit 1991.  Ardian Klosi ka shënuar se, “Pak ditë para se të vdiste i dërgoi me telefon lidhjes sonë këtë mesazh që u bë më pas i famshëm për fjalinë e tij të fundit: “Të dashun miq e vllazën shqiptarë, intelektualë, artistë dhe mbarë popull shqiptar, përshëndetjet e mija ju janë drejtue të gjithëve.  Gëzohem pa masë se keni vendosë të vlerësoni veprën time: ky vlerësim na afron.  Bâtë burrninë të më shtini në rreshtin tuej.  Ndonse të ndamë për një gjysmë shekulli, unë jam i jueji e ju jeni të mijt. Martin Camaj.”

 Megjith “mospërfilljet ndaj tij dhe megjith portën e mbyllur për të, në këtë 25-vjetor të vdekjes, Martin Camaj gjithnjë bën thirrje:“Avitu njeri! Afrohuni shqiptarë!

Filed Under: Opinion Tagged With: EVROPIANI ERUDIT, Frank shkreli, MALËSORI BUJAR DHE, Martin Camaj

Thaçi: Rajoni është i kërcënuar, Kosovës i duhet ushtria

March 14, 2017 by dgreca

Themelimi i ushtrisë së Kosovës është domosdoshmëri për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon, ka deklaruar presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

Këto komente, presidenti Thaçi i bëri sot gjatë një tryeze diskutimi të organizuar nga Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë, në lidhje me procesin e formimit të ushtrisë së Kosovës.“Transformimin e bëjnë të nevojshme edhe zhvillimet në rajon dhe nevoja që Kosova t’i forcojë mekanizmat mbrojtëse të vendit. Kurse ngurrimi i Bashkimit Evropian që të përshpejtojë integrimin e Kosovës dhe shteteve tjera të Ballkanit Perëndimor, u ka hapur rrugë ndikimeve tjera në rajonin e Ballkanit”, ka thënë Thaçi.

“Këto ndikime tjera, janë kërcënim për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë, prandaj është urgjente që FSK të avancojë në misionin dhe detyrat e saj”, ka thënë Thaçi.

Formimi i ushtrisë, sipas tij, bëhet për ngritur kapacitetet dhe për t’u mbrojtur nga kërcënimet e ardhshme për Kosovën dhe rajonin.“Pavarësisht dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, Serbia po e ruan armiqësinë e saj në raport me Kosovën”, tha Thaçi.Presidenti Thaçi tha edhe këtë herë se Serbia ka plane për aneksimin e pjesës veriore të Kosovës, ngjashëm me veprimet e Rusisë në Krime.“Serbia ka plan për ndarjen e Kosovës, për aneksimin e pjesës veriore, sikurse Rusia Krimenë. Kjo është e vërtetë. E ka planin. Këtë plan e dinë edhe ndërkombëtarët. Unë nuk po them ta bëjmë ushtrinë dhe të përgatitemi për luftë, por ta bëjmë ushtrinë, të jemi më të fortë për paqe, stabilitet dhe natyrisht t’i dalim zot vendit tonë”, është shprehur Thaçi.Po ashtu, Thaçi përsëriti se transformimi i FSK-së në ushtri përmes ndryshimeve kushtetuese është bërë i pamundur, për shkak të kundërshtimeve të Listës Serbe, e cila përfaqësohet në Kuvendin e Kosovës me 11 deputetë.

Thaçi tha se kundërshtimi i Listës Serbe është i ndërlidhur me qëndrimin dhe vullnetin politik të Beogradit.

Andaj, si zgjidhje alternative, Thaçi tha se ka vendosur që transformimi nga misioni civil në atë ushtarak, të bëhet përmes ligjit.

Por, shndërrimi i FSK-së në forcë ushtarake përmes ligjit, nuk është mbështetur nga NATO- dhe Ambasada Amerikane në Prishtinë. Të dyja, kanë inkurajuar institucionet e Kosovës që transformimi të ndodhë përmes ndryshimeve kushtetuese.

Megjithatë, Thaçi tha se i garanton partnerët ndërkombëtarë se i gjithë procesi i transformimit do të zbatohet në koordinim me NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët ndërkombëtarë.

Ky transformim, shtoi Thaçi është në përputhshmëri me politikat e administratës së presidentit amerikan, Donald Trump.

“Propozimi për themelimin e ushtrisë, apo Forcave të Armatosura është në përputhshmëri me orientimet e administratës së re të presidentit Trump i cili thotë se shtetet e pavarura e sovrane duhet t’i rrisin kapacitetet e tyre mbrojtëse”, ka thënë Thaçi.

Ndërkohë, Burim Ramadani nga Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë tha se “Kosova duhet ta ketë edhe ushtrinë edhe përkrahjen ndërkombëtare”. Njëherësh, ai e ngriti si çështje edhe arritjen e konsensusit të brendshëm politik, sidomos ndërmjet forcave politike shqiptare. Përderisa për komunitetin serb, Ramadani tha se tash për tash nuk mund të llogaritet në mbështetje.

Me projektligjin e ri, Forca e Sigurisë së Kosovës merr përgjegjësi të reja ushtarake, tha presidenti i Kosovës. Një forcë e tillë, vijoi ai, do të jetë e gatshme për angazhim në funksion të paqes në rajon dhe më gjerë.Projektligji për FSK-në është ende në duart e Qeverisë së Kosovës. Aktualisht, mendimin për këtë projektligj e ka dhënë Ministria për Forcën e Sigurisë të Kosovës.Ministria për FSK-në ka shprehur pajtimin e plotë dhe ka thënë se mbështet miratimin e Projektligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Ky transformim, sipas kësaj Ministrie, do të rezultonte me krijimin e bazës ligjore me qëllim të përmirësimit dhe ndërtimit të një sistemi të mbrojtjes dhe sigurisë me kapacitetet e nevojshme shtetërore, në mbrojtje të sovranitetit, integritetit territorial dhe interesave shtetërore, si dhe përmbushjen e synimeve për integrime euro-atlantike.Pritet që mendimet e tyre për këtë projektligj, ta japin edhe Ministria e Financave si dhe ajo e Integrimeve Evropiane.Më pas, Qeveria e Kosovës do të vendosë nëse do ta procedojë atë për në Kuvendin e Kosovës, ku do t’i nënshtrohej procedurave të shqyrtimit dhe miratimit. (Zijadin Gashi REL)

Filed Under: Politike Tagged With: kosova, Presidenti Thaçi, Rajoni, Ushtria

FAIK KONICA, ATDHETAR I DENJË I KOMBIT SHQIPTAR

March 14, 2017 by dgreca

FAIK KONICA:(15.03.1876 = 15.12.1942)/

“Një nga pionierët më të shquar të pavarësisë së Shqipërisë…”/

Shkruan: Safet N. Ramolli/

   Është një nga vlerësimet e shumta që Fan Noli formulon për Faik Konicën. Po cila është skematikisht biografia e tij? Bashkatdhetari dhe bashkëshoku i tij Qamil M. Panariti, që duhet të jetë autobiografi më i besueshëm, pohon se Faiku u lind në Konicë të Shqipërisë, prej nga mori edhe mbiemrin, fshat ky i lënë jashtë trojeve të trungut shqiptar nga viti 1912.

   Qysh kur ishte fëmijë i vogël filloi mësimet e arabishtes në vendlindje. Kur ishte 9 vjeç shkoi pas të motrës, e cila ishte martuar me një oficer, në Shkodër. Kështu iu krijua mundësia që të vijojë një vit në Shkollën e Jezuitëve. Mandej do të vijojë një vit në një shkollë greke, por njëherësh vijonte të merrte mësime intensive në greqishten e vjetër dhe në latinishte. Në vitin 1889, djalosh 14-të vjeç, do të shkonte në Francë, ku studjoi në një lice e kolegj. Inteligjent nga natyra, por edhe këmbëngulës e me vullnet të pazakontë për studime, do të përfitonte nga dy klasë në një vit. Në të pastajman vazhdoi studimet në Liceun Perandorak të Galata Serajit, një shkollë kjo me prirje frenge, ku edhe mësoi frengjishten. Kështu F. Konica do të zotëronte gjuhën gotishte, sanskrishte, frëngjishte, gjermanishte, italishte, dhe gjithë gjuhët e Ballkanit.

   Më 1895, pra kur ishte njëzetvjeçar, pranohet në fakultetin e letërsisë në Universitetin e Dizhonit, duke iu krijuar kështu mundësia, që jo vetëm të njihte mirë historinë e popullit frances, por edhe të thellohet sidomos në njohjen e letërsisë së gjerë e të begatë franceze. Pas provimeve që dha, fitoi gradën “Bachelor i Letrave dhe i Filologjisë”. Njëkohësisht vijoi studimet e filologjisë romane.

   Tip i veçantë, studiues i etur për të fituar me studime intensive, vijon studimet në Universitetin e Harvardit të Kembrixhit në Masaçusets të SHBA-së, ku në vitin 1912, kur ishte 37-të vjeç, fitoi gradën e Mjeshtrit të Arteve në Letërsi (“Master of arts”).

   Si rrallëkush “zhytet” në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare që kur ishte i ri, vetëm 22 vjeçar, por me pseudonimin Trank Spiro Beg për t’i shpëtuar survejimit të administratës turke. Bashkëshoku i tij Fan Noli formulon vlerësimin se, nga viti 1897 deri më 1912, dy nga pionierët më të shquar të Pavarësisë së Shqipërisë kanë qenë Konica dhe Shahin Kolonja. Gjatë këtyre viteve (1896-1909 S.R) boton në Bruksel revistën e mirënjohur “Albania”, përmes së cilës mbron si rrallëkush me argumente dhe pathos patriotik çështjen e drejtë shqiptare. Ai tashmë ka të konsoliduar sentencën: “Çdo popull të përpiqet të çlirohet, të qytetërohet, të përparojë për hesap të tij, që të mos mbetet asnjë element i errët në faqe të dheut…”.

   Në vitin 1912, së bashku me Nolin dhe udhëheqës të tjerë, themelon Federatën Gjithëshqiptare të Amerikës “Vatra”, e cila në vitet që do të pasonin, do të luante një rol të madh për mbrojtjen e pavarësisë dhe të tërësisë territoriale të Shtetit të Ri Shqiptar të sapokrijuar. Me cilësinë e drejtuesit të “Vatrës”, por edhe me atdhetarizmin e zjarrtë që e karakterizonte, në vitet 1912-1921, do të ndërmerrte një veprimtari të dendur diplomatike në vende të ndryshme të Evropës, duke u përpjekur për çështjen kombëtare. Mesa duket, jo kudo gjeti dëshirën e mirë për të ndihmuar popullin shqiptar, prandaj me një farë deziluzioni shprehet se, ndërsa “Ne (shqiptarët S.R) kemi shkruar me gjakun tonë mjaft faqe të historisë së Evropës…”, disa herë Fuqi të Mëdha kanë bërë lojë të rrezikëshme në kurriz të popullit tonë. Në kuadrin e kësaj veprimtarie diplomatike, më 1913 viziton edhe Shqipërinë, por mbeti i pakënaqur nga puna e qeverisë së I. Qemalit, ish-kryetar i përkohshëm i shtetit të vogël që po lindëtte. Analistët dhe biografët, e vlerësojnë “gabim të hidhur” vendimin e Konicës për të bashkuar forcat me Esat Pashë Toptanin, “… njeri tiran i egër ky…”. Me sa duket nuk u orientua drejt me situatën dhe realitetin shqiptar. Më 1914, edhe pse ishte vlerësuar si “udhëheqësi shqiptar më i shquar dhe eksponenti më agresor për një Shqipëri Demokratike”, nuk pranoi asnjë pozitë në qeverinë e Princ Viddit. Po këtë vit takon në Vjenë për herë të parë Ahmet Zogun, me të cilin u bë mik për shumë kohë. Në zhvillimet e viteve 1920-1924, mori pjesë aktive duke kontribuar fuqishëm për krijimin e shtetit modern shqiptar. Po në dhjetor të vitit 1924, me sa duket bije në gabimin e dytë: pranon humbjen e nacionalistëve progresivë në lojën me A. Zogun, ashtu si deklarohet, se lufta e mëtejshme kundër Zogut nuk kishte kuptim, dhe se nuk ishte në interes të vendit. Si shpërblim, thonë analistët, Zogu do ta emëronte Konicën të dërguarin e Qeverisë Shqiptare në Uashington, ku do të qëndronte deri në pranverën e vitit 1939, kur vendi ynë do të pushtohej nga Italia. Ky qëndrim do t’u jepte shkak shumë shqiptarëve liberalë, që F. Konicën të mos e shikonin më “si kampion të lirisë e të demokracisë”, besim të cilin ai nuk do ta fitonte më kurrë në të ardhmen. Megjithatë, kontributi i Konicës në Uashington për propagandimin dhe mbrojtjen e çështjes shqiptare, do të mbetet me vlerë. Një gazetar amerikan, pesë ditë pas pushtimit të Shqipërisë më 7 prill 1939, shprehet edhe sa vijon: “Si përfaqësues i një vendi të vogël pakkush nga diplomatët i ka bërë vetes një vend kaqë të rëndësishëm në Uashington sa Faik Konica, ministër i qeverisë së rrëzuar të Shqipërisë”.

   Jetoi shkurt, vetëm 66 vjet, por ishte një jetë e tejmbushur me veprimtari sa personale, aqë edhe mbarëkombëtare. Në përgjithësi mbetet një bashkëkombas jo i zakonshëm, prandaj dhe ka tërhequr mjaft vëmendjen e studjuesve të veprës dhe të biografisë së tij, të cilët janë më të shumtët të huaj, por edhe shqiptarë. Bëri një jetë të pazakontë, i pakujdesshëm ndaj shëndetit, duke mbetur në përgjithësi një njeri i palumtur, pasi edhe nuk konkludoi asnjëherë që të ndërtonte një jetë familjare. Gjithësesi, si jetë u shua i nderuar dhe i respektuar. Më 14 dhjetor 1942 pati një goditje, dhe ditën tjetër vdiq nga hemoragjia cerebrale duke mbyllur karrierën e shquar të një prej bijve më të përmendur të Shqipërisë. Nderimet e fundit iu bënë më 20 dhjetor 1942 në sallën New England Mutual Hall, në zemër të Bostonit. Edhe pse ishte mot i ftohtë, kishin ardhur qindra adhurues të tij të afërt e të largët. Kishin ardhur edhe përfaqësues nga Miduesti, Detroiti, Miçigani, Ohajo dhe Virxhinia Perëndimore. Një kurorë me lule dërgoi mbreti Zog nga Anglia, të cilën e pagoi shoqëria “Vatra”. Fjalën e përzishme, në një mjedis të trishtuar e të pikëlluar, e mbajti bashkatdhetari, bashkëluftëtari dhe bashkëshoku i tij, Fan Noli, i cili në fund u lut: “Zoti i Plotfuqishëm i dhëntë paqen e përjetëshme!”.

Faik Konica është anatemuar nga qeverisja e viteve 1945-1990

   Edhe pse ka qënë një personalitet madhor i politikës dhe i letrave në periudhën midis shek. XIX dhe XX, me kontribute të çmuara, ai nga qeverisja e dalë pas përfundimit të Luftës II Botërore është përbaltur me dashakeqësi deri në kufijtë e mënjanimit dhe të mohimit. Nuk është rastësi që në periudhën e mësipërme, vepra e tij nuk gjen pasqyrim në asnjë tekst shkollor të të gjitha niveleve të ndryshme, as edhe në ndonjë antologji apo botim tjetër shtetëror. Njëherësh, në asnjë veprimtari që ka të bëjë me letrat shqip, qofshin ato përkujtimore, muaji i letërsisë dhe arteve, simpoziume të ndryshme etj.etj. emri i tij nuk zihej ngojesh. Në se i referohemi Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, botim i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, viti 1985, edhe ky shpreh qëndrimin zyrtar ndaj Konicës (nuk e kuptoj se si mund të titullohet i tillë një punim nga institucioni më i lartë shkencor në vend, por që s’ka asgjë të përbashkët me shkencën, veçse bën biografinë e drejtuesve të partisë-shtet, edhe kjo e deformuar dhe larg së vërtetës S.R), personaliteti shumëdimensional i Konicës sulmohet në mënyrën më anakronike dhe më barbare të mundëshme. Akuzohet sikur gjatë gjithë jetës së tij, u përpoq të mbronte interesat e bejlerëve, po edhe sikur lëvizjen patriotike u përpoq ta kufizonte vetëm në kërkesa kulturore, kur dihet fare mirë se populli shqiptar atëmot nuk e kishte parësore çështjen e kulturës, por probleme të tjera madhore që kishin të bënin me sigurimin e lirisë dhe tërësisë territoriale, ndërkohë që Konica është mjaft kritik ndaj bejlerëve të tipit “bejlurçina”, duke shkarkuar mbi ata fshikullime sarkazme të ashpra. Mandej akuzohet sikur ishte kundër organizimit të kryengritjeve më 1906-1807, duke mohuar qëllimin e tyre për sigurimin e lirisë dhe pavarësisë, dhe sikur ka propoganduar idenë e autonomisë por nën Perandorinë Austro-Hungareze, dhe që pas përfundimit të Luftës I Botërore, Shqipëria të ishte nën protektoratin italian. Është një akuzë pa asnjë bazë, sepse përgjatë gjithë veprimtarisë së tij, ai spikat mes bashkëluftëtarëve për atdhetarizëm të zjarrtë, duke sulmuar ashpërsisht shtetet që synonin copëtimin e territoreve shqiptare, por edhe duke u bërë thirrje të drejtpërdrejta shqiptarëve të bashkohen rreth çështjes kombëtare. (kujtojmë vjershën “Avropi”). Më tej akoma, akuzohet sikur Luftën e Vlorës më 1920, e vlerësoi si shprehje të “verbërimit” politik, por edhe sikur në vitet 1921-1924, mbrojti interesat e çifligarëve e të bejlerëve, duke u përpjekur të ulte vrullin e lëvizjes demokratike antifeudale. Por është krejt i qartë qëndrimi i tij për ruajtjen dhe sigurimin me çdo kusht të tërësisë territoriale, ndërkohë që në lëvizjen politike në vitet 1921-1924, ai i bashkua me krahun më progresiv të politikës, duke u rreshtuar me luftëtarë atdhetarë si F. Noli, H. Prishtina, B. Curri etj. Akuzat nuk kanë të sosur, sikur pas dështimit të lëvizjes së armatosur në qershor 1924, u vu në shërbim të A. Zogut duke pranuar emërimin ambasador i kësaj qeverie reaksionare në Uashington, por edhe sikur në revistën e mirënjohur “Albania”, të cilën e drejtoi në vitet 1896-1909, mbisundonte toni i sarkazmës dhe fyerja ndaj kundërshtarëve politikë personalë, por edhe sikur në disa vepra letrare shprehte mosbesimin për aftësitë e popullit shqiptar për t’u integruar në rrugën e përparimit ekonomik e shoqëror. Qëndrimi i F. Konicës pas dështimit të qeverisë jetëshkurtër të F. Nolit, të dalë pas lëvizjes së armatosur të qershorit 1924, nga analistë dhe biografë në zë,por edhe nga autoritete të huaja, është vlerësuar i drejtë. Në thelb ai u përkiste intelektualëve që bënin thirrje për pushimin e grindjeve dhe të luftës “brenda llojit”, dhe të bashkoheshin për të ngritur kombin shqiptar në lartësinë e kombeve të tjera të Evropës. Ndër të rrallët, Konica e ka stigmatizuar portretin e A. Zogut me epitete therës pejorativë, ndërsa ka gjetur bashkëpunëtorë atdhetarë pa dallim krahinor në gjithë Shqipërinë. Për atë çka ishin vëllezërit Frashëri ishte edhe At Gjeçovi, At Gjergj Fishta, Bajram Curri, Hasan Prishtina etj. Konica ishte një evropian i vërtetë, i kompletuar me dije të qëndrueshme, njihte shumë mirë historinë e zhvillimit të shoqërisë njerëzore, dhe e dëshironte administrimin e popullit shqiptar brenda ligjeve dhe të drejtave themelore si popujt e tjerë të Evropës. Nuk mund të pajtohej me punonjës të administratës që s’kishin haber për këtë shërbim, dhe për më tej që shpërdoronin besimin e ngarkuar nga populli, prandaj edhe shprehej me tone të larta kundër tyre. Por gjejmë edhe mjaft akuza të tjera të tipit “sikur”, që sipas akuzuesve “cënonin interesat kombëtare”.

   Po, a mund të akuzohet një intelektual kompetent dhe brilant, një personalitet që përfaqësoi qeverinë shqiptare në opinionin botëror me diapazon kulturor të gjerë, me argumente bindëse dhe me guxim si rrallëkush?!!! Për habinë edhe të opinionit botëror, kjo ngjau për këtë personalitet poliglot, i cili nuk kishte asgjë të përbashkët me akuzat monstruoze të montuara me dashakeqësi të skajshme.

Po, kush ishte në fakt Faik Konica?

 Veprimtaria e Faik Konicës në fushën e krijimtarisë.

I kompletuar me kulturë oksidentale, por edhe me aftësinë për t’u shprehur jo vetëm verbalisht, por sidomos me shkrim, fillon të botojë që herët kur ishte akoma student. Ishte tepër i gjerë dhe i thellë në mendime. Realitetin e përceptonte me lehtësi, ashtu si e pasqyronte me vërtetësi dhe kurajo atë. “Trokiti” në dyertë e poezisë, të prozës poetike, të portretit dhe të prozës së shkurtër; të kritikës e të essesë; të përkthimeve, ashtu sikurse provoi me sukses edhe lëvrimin e prozës së gjatë. Por, gjithësesi studjuesit e biografisë dhe të krijimtarisë së tij, kanë rënë “në emërues të përbashkët” se, ndërsa kishte horizont të gjerë dhe në krijimtari rrokte tematikë të larmishme dhe interesante, në përgjithësi nuk kishte durimin e duhur për t’i çuar punët deri në fund. Megjithatë, Ai spikat ndër bashkëkohësit si një ndër etërit e artit e të kulturës moderne.

   E donte atdheun dhe popullin, prandaj i grishte bashkëqytetarët e tij, që të krenoheshin me vlerat patriotike dhe morale të të parëve të tyre, duke e stigmatizuar popullin e tij si: “… një komb trimash…”, i cili ngrinte flamurin në ballë të betejave sa herë që armiku e kërcënonte. Lirinë e bashkëkombësve dhe të kombit nuk e gjykon si një sofist, por me realizëm. Ai mendon se, s’mund të ketë komb të lirë pa qytetarë të lirë. Për lirinë e individit formulon këtë frazeologjizëm të artë filozofik: “Liria është e drejta e çdo njeriu për të besuar atë që dëshiron, për të folur atë që ka në zemër, për të shkruar atë që ka në mendje dhe për të bërë atë që i pëlqen, me kusht, që të mos e dëmtojë asnjeri tjetër”. Konica pranon, që atdheu dhe malli për atë është i shtrenjtë dhe i dhembshëm, prandaj i revoltuar nga qëndrimet e disa turkomanëve, dhe të tjerëve që pranojnë shtypjen, shkruan edhe me mllef të mbingarkuar dhe me keqardhje përmes vargjeve: “…Është turp prej kësij krimbash, / Të mundohet një komb trimash…”, ose “… As nder, as turp, as gjak s’kini, / Unjni kryet dhe po rrini…”.

   U është mirënjohës paraardhësve dhe bashkëkombësave, të cilët çështjen shqiptare e bënë dhe e quajtën gjithmonë të tyren. Avdyl Frashërin e lartëson, kur në kujtimet për atë, posë të tjerash, shprehet edhe sa vijon: “… Tepër i papjekur, mjerisht, nuk kuptoja në ato ditë të lumtura për mua, fjalët që dilnin si zjarr i qëruar nga goja e tij”. Për Naim Frashërin veçon epitetet e spikatura: “… zemërqëruar, mendjehollë, fjalëkripur, ndjesëhollë”, e të tjera si këto. Për Ali Pashë Tepelenën veçon togfjalëshin: “… luani që i vuri shpatën Turqisë…”. Jeronim De Radën e kualifikon ndër shqiptarët, që e kanë dashur vendin e tyre me zjarr, që nuk janë vetëm shqiptarë por edhe atdhetarë. Atë Gjeçovin e veçon midis të tjerëve si një njeri me mendje të ndritur, me zemër të mirë, me fjalë të paka por me vend, si “… një nga njerëzit më të lartë…”, që ka patur Shqipëria; “…një lartësi e përulur, … një lartësi shpirti dhe mendjeje e panjohur…, një njeri që shpërndante veç fjalë të urta dhe ngushëllime njerëzore, i ditur me një dituri pa tingëllim, por edhe shqiptar i kthjellët”. Për Bajram Currin veçon të tjera epitete, të cilat shprehin thelbin e kodit moral të shqiptarit, duke e paraqitur si njeri fisnik, të mençur nga natyra, trim, etj., “… liberal në mes të despotizmës, patriot në mes të tradhëtisë…, i patrembur në armët…, një besnikëri e patundur në fjalën që jepte…”. Është fakt historik që, Fan Nolin e ka patur bashkëshok e bashkëpunëtor, por edhe kundërshtar, por e vlerëson si një fytyrë historike, që ka luajtur rol të madh në lëvizjen patriotike shqiptare. Prandaj edhe do të shpalosë mendimin se është: “…mendjehapur…, që nga kultura, nga mendësia dhe nga karakteri i tij më kujton shpesh kishtarët e Përlindjes italiane…”, vlerësim që rrallë tjetërkush e ka bërë për këtë figurë madhore të politikës, të letrave e sidomos të klerit.

   Si për të mbyllur portretizimet, të cilat Konica i bën me aqë finesë, aqë të goditura, të artikuluara mjeshtërisht dhe besnikërisht, le të nënvizojmë, se si e dëshironte ai portretin e shqiptarit në përgjithësi. “Vetëm një gjë duam të shtojmë: Shqiptarët njohin e duhet të njohin për të tyre vetëm ata që, kudo, kundër të gjithëve, janë, thuhen, rrëfehen e provohen: SHQIPËTARË! Thënie e mençur kjo, që ngërthen më së miri çështjen kombëtare.

   Disa nga krijimet dhe thëniet e Konicës mbeten margaritarë të rrallë për gjuhën shqipe. Kjo jo vetëm për problemet që servir, për mënyrën si i koncepton dhe i trajton, por sidomos për mënyrën e paraqitjes. Nën okelion “Çipi i palaçove”, në mënyrë shumë konçize dhe me një satirë tepër të goditur, fshikullon lojën e rrezikëshme që kanë bërë disa herë Fuqitë e Mëdha në kurriz të popullit shqiptar. Përmes lojës së fjalëve “Avropa” dhe “Evropi”, ai bën prezent faktin, që të mëdhenjtë kanë luajtur me të vegjëlit lojën e “Maces me miun”. Konica ndërmjet “Avropit” dhe “Evropit” vë një top, për të cilin ata gjoja zihen dhe goditen, por që tek e fundit: “Bam “Avropa”, bam “Evropi”, / Ulurijnë: ku ishte topi? / Evropa bën sehir… / Dhe pastaj na rrëmben shkopin…”. Të rrallë janë personalitetet shqiptare në historinë e kombit që të sintetizojnë me kaq zgjuarësi, mprehtësi dhe elokuencë, sjelljet dhe qëndrimet e Fuqive të Mëdha ndaj popullit shqiptar.

   Në artikullin “Ca këshilla mbi artin e shkrimit”, Ai prezantohet si një estet i mirëfilltë dhe i kompletuar si kritik letrar. Kështu, vlerëson vëllezërit Frashëri, Kristoforidhin. Pashko Vasë Pashën, Thimi Mitko, De Rada, e të tjerë, të cilët hapin rrugën ”… për përparimin e gjuhës shqipe…”. Artin e të shkruarit e krahason me mjeshtërinë e ndërtuesit, sepse që të ndërtosh një shtëpi duhet “… t’i vësh gurët radhë me radhë që të lidhen dhe të qëndrojnë shëndoshë e bukur”. Letrari, nënvizon Konica, e ka domosdoshmëri, që para se të marrë penën e të shkruajë, duhet të ketë të qartë objektin e shkrimit, mënyrën si do ta ekspozojë, rrëfimin pjesë-pjesë, dhe konkluzionin apo përfundime.

   Një perlë e vërtetë e krijimtarisë së Konicës është shkrimi: “Lutja e shkrimtarit”. Në pamje dhe në përmbajtje i ngjan një epitafi. Në jo më shumë se 7-8 rreshta shpaloset një filozofi e tërë. Prandaj për të mos i prishur bukurinë po e citojmë ashtu si e ka shprehur autori. Ja si pohon Konica: “Ati ynë që je në qiell. Jepna fuqinë të mbajmë gojën mbyllur kur s’kemi gjë për të thënë! Falna durimin të thellojmë një punë përpara se të shkruajmë në të! Frymëzona me një ndjenjë të mprehtë të drejtësisë që të flasim jo vetëm me paanësi, por edhe të sillemi ashtu! Shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembërimet e gjuhës dhe nga lajthimet e shtypit! Ashtu qoftë!”, e mbyll “lutjen” me shpresë e besim, se atë e dëgjojnë ata që kanë veshë por edhe dëshirë për të dëgjuar.

   Sikurse mund të gjykohet, edhe nga sa evidentuam më sipër, Konica është një figurë mjaft komplekse. Në ndonjë rast gjykimi i tij për Shqipërinë dhe shqiptarët i ngjason paragjykimit të një Kasandre. Në raste të tjera paraqitet eklektik, sidomos në gjykimin e dyzuar që bën ndaj A. Zogut, por edhe ndaj Fan Nolit. Por gjithësesi ai meriton plotësisht epitetimet që i janë rezervuar si: “… një enciklopedi e gjallë për njohuritë e gjera dhe fushat e ndryshme të njohjes…”, apo “… ambasador i kulturës dhe i letërsisë shqipe në botën e huaj… Princ i gjuhës shqipe…, kryelëronjës i gjuhës sonë…”, dhe shumë të tjera si këto. Më 20 shtator 1938, At Gjergj Fishta i dhuron librin “Lahuta e Malëcis”. Në kopertinë shkruan dedikimin: “Njeriut më të ditur, Faik Konicës, gjykatësi i letërsisë shqipe më elegantë, me miqësi të përherëshme e të përulur!”. Fan Noli nënvizon se: “… Të gjithë autorët shqiptarë që vijnë pas Konicës janë nxënësit e tij, duke përfshirë edhe shkruesin e këtyre radhëve”.

   Biografi i tij më i besuar, Qamil Panariti, nënvizon se Konica ishte një pamfletist i tipit të këndëshëm por të ashpër, “… një lloj Volteri shqiptar me sarkazmin e tij të hidhur…,  ka qenë burrë i përsosur, një pritës i pakapërcyeshëm, një rrëfimtar i rendit të parë dhe zotëronte një kujtesë të shkëlqyer e të fortë… të gjithë të huajtë e quanin “Faiku i butë” … Atë e kanë çmuar të huajtë më tepër se sa shumë nga bashkëatdhetarët e vet”.

   Anglezi H. Breislford, një mik i popullit shqiptar për afër një shekull në librin e tij “Makedonia” për Konicën shprehet edhe sa vijon: “… Një dijetar e studjues, njohuritë e të cilit në filologji janë po aqë të shënuara sa edhe toleranca dhe qartësia e tij në politikë… Filolog që dinte gotishten dhe sanskrishten, ashtu siç dinte frëngjishten, gjermanishten, italishten dhe gjithë gjuhët e Ballkanit…”.

   Tek e fundit, vlerësimi i lartë që Konica i bënte Shqipërisë dhe vendit të vet, do të shprehet në Testamentin që i drejton Fan Nolit dhe Sejfulla Malëshovës (Lame Kodrës S.R) në prag të ndarjes nga jeta në vitin 1942, kur shprehet se “…Ndërroj jetë me mejtimin se ju jeni njerëzit që më keni kuptuar në këtë dhé. Nuk do të më tretë dheu, në se ti imzot Noli dhe ti Lamja im i vogël dhe gjithë ata që e quajnë vehten shqiptarë, nuk do të çojnë kufomën time të më tretet në tokën mëmë. Kam lënë mënjanë edhe harxhimet e rrugës për trupin pajetë dhe shumën për dy metra vend në Shqipëri. Mbyll sytë se ti i nderuari Noli dhe ju të nderuar shqiptarë e ti Lamja im i vogël në Paris do të ma kryeni këtë amanet!”

   Ishte një amanet i dhembshëm si gjithë amanetet e tjera në përgjithësi, por që për kushtet e të qenurit në luftë, e sidomos për rrethanat që u krijuan në përfundim të saj, nuk do të realizohej. Duhej të vinte viti 1995 që eshtrat e shqiptarit të nderuar Faik Konica të shkelnin në tokën e amëshuar shqiptare. Ato prehen në Parkun Kombëtar pranë Liqenit Artificial në Tiranë.

   Ja kjo ishte motua e një jete të madhe, që mendoi e punoi vetëm për Atdhe e Komb.

Safet N. Ramolli, Mars, 2017

Filed Under: Vatra Tagged With: Atdhetar i denje, Faik Konica, Safet Ramolli

KUR SPORTI I BOKSIT U SHPALL I NDALUAR

March 14, 2017 by dgreca

Në vjeshtën e vitit 1963 ,sporti i boksit u ndalua, një vjeshtë e hidhur e rëndë me shenjat paralajmëruese që i dha koha./1-Gezim-Llojdia-240x300Nga Gëzim Llojdia/

 1.Ai  quhej Njazi Hamzaraj Gjyqtari i boksit, dhe tashmë nuk është më prezent në këtë botën tonë.Gjyqtari i boksit në banesën e vetë ka të shpalosura medaljet dhe titujt e fituar si gjyqtar në sportin e boksit amator dhe profesionist. Ja disa:-në kampionatin Europian në 22 korrik në Perm,afër Uraleve.

-Në tetor 2005 në Shkup merr kupën”Zllatni gong” për gjyqtar,ose brezi i artë.

-Gjyqtar i Evropës për sportin e boksit amator.

-Medalje në Greqi në kupën “Aleksordin2003,medalje në kupën Akropolis. Thesaloniki 2004 si dhe medalje në Beograd me 37 shtete.

-Mirënjohja e Kosovës,medalje në shtetin rumun si gjyqtar në ring ,gjerdani i artë 2002.

2.Disa vite më parë zhvillova me gjyqtarin e boksit këtë bisedë:Zbret natyrshëm në thënien e tij Njaziu,për sportin e boksit. Në 7-8 dhjetor 2002 në San Nicola,pranë Napolit ,Presidenti i kampionatit italian të këtij sporti mori 3 gjyqtar të huaj për gjykim mes tyre ishte një polak dhe 1 austriak,thirrja e këtyre gjyqatrëve të huaj ishte për të mos ju dorëzuar kthetrave të jashtë objektivitetit. Njaziu mbrinte në Napoli një ditë të zymtë dimri të ftohtë në qytetin e Vezuvit,por më pas dy vite më vonë, në kupën Herkules në Traklo një eveniment evropian ku marrin pjesë 20 shtete,ishte në të dy pozicionime,gjyqtar ringu dhe gjyqtar që jep pikët.

Njaziu me Kreshnik Qaton në një kampionat në pjesën e ngrysur të Ballkanit.Por zanafillën me sportin e boksit e ka në vitet ’61 me P.Dautin,R.Cunin në dyert e llonxhës atyre u vinte nga pas një djalosh.Për këtë sport,që më tepër e luanin ata që ishin të varfër. Qyteti detar kishte një ekip boksi dhe ishte furnizues i rregullt i Partizanit.B.Zoga 2 herë kampion,L.Krutaj 2 herë kampion me Partizanin. T.Truja,I.Rama emblema e boksit vlonjat dhe P.Dauti, A.Kasemi .Y.Arapi, B.Bute.

Si hyri në sportin e boksit?Gati thjeshtë: Do të vish në boks,i thanë  profesor Burhani dhe P.Pina, ke disa cilësi në përpunimin teknik. Kam bërë 8-12 ndeshje kur kundërshtarët e mi ishin 2-4 herë më të mëdhenj. Si shenjë treguese për sportin e boksit ishin duart e gjata që kishte  duke i mbajtur në një farë mënyre larg kundërshtarët.

Toli Truja një trajner kampion në këtë sport i arsimuar me një kulturë qytetare kërkonte

a-statizmin,

b-paraqitjen,

c- veshjen.

Foton e Muhamed Aliut e ruante  ende si atë ditë kur e pikasi me dorën, që grushtonte rëndëshëm. Në radion e R.Mustafajt kishte  dëgjuar atë ditë Olimpiadën e Romës.

Ku përvec  M.Aliut ishte Nino Benvenuti.

Kur L.Kruta ishte shef fizkulture u arit të ngrihej një palestër e kohës tek shkolla mjekësore,sot është abadionuar.Bilanci:8 ndeshje me të rinjtë,në Durrës 6 ndeshje 5 fitore,1 e humbje.Në vjeshtën e vitit 1963 ,sporti i boksit u ndalua, një vjeshtë e hidhur e rëndë me shenjat paralajmëruese që i dha koha. Atë vjeshtë gjethet binin në rrugë dhe në trurin e tyre e fiksua ngrirja, që ndoshta u shfaq si e përkohshme,por zgjati vite të tëra.

3.Në ’91 në Vlorë u formua shoqata e boksit në pallatin e sportit. U mblodhën ditën  e rikthimit si dikur Idai Rama,Ramadan Cuni,Toli Truja,Pajtim Dauti,Muharrem Veshi,Sadedin Gjoka. Kampionati i parë nisi në dimërin e vitit’92 në Tiranë.Njaziu ka gjykuar ndeshjen  e parë në Shkodër midis Besnik Gjetjes me nënkampion europe,malazez. Ishte me emocione,shqiptari ishte sallakës,i shkurtër,malazezi i gjatë ndërkohë që punonte si shef stërvitje në ushtrinë e Malit të Zi.

Ndeshja ishte e pastër,dhe gjykimi erdhi duke u lehtësuar. Gjetja shqiptari fitoi 58-60. Në Permë të Rusisë afër Uraleve në një pallat sporti me 3 ringje njëhershëm u mbajt kampionati 34 europian i boksit. Ai ruante ende këmishën e bardhë të ringut. 54 shtete pjesëmarrëse.

3000 rusë bërtisnin:”Rasia.Rasia” me megafon. Një hungarez u nxeh dhe kërkoi pezullimin duke thënë se rusët s’kanë të drejtë të bëjnë këtë reklamë. Gjykoi disa ndeshje. Kur priste sekondi-sekondën në ring ishin ngjitur  izraeliti Teofik dhe një bjellorus. Të dy boksierët kishin këto parametra.I shin mbi 2 m të gjatë .Ishin mbi 120 kg. U quajt ndeshja e gjigantëve, që po e gjykonte një xhuxh,Hamzaraj.Duke qenë në punë 3 ringjet,vëmendja ishte përqendruar tek ringu jonë. Në raundin e dytë bjellorusi bënë faull e goditi nën brez,unë i dhashë faull pa paralajmërim.Ringu gumëzhiu dhe më vonë e mësoi  se bjellorusi ishte vëllai i Presidentit të Permës,ku u zhvillua europiani i boksit.Në dimrin e vitit 2002 Presidenti italian i boksit Franko Fracineli dhe zv presidenti Giuzepe Minutoli  e caktuan për të gjykuar në Caseuita. Në ring kishte përball 2 bokësierët ,1 maqedonas dhe 1 grek, që kishin problemet e tyre në atë kohë për emërtimin e Maqedonisë.

Të dy bokësierët respektuan shtetin e tyre duke mos i dhënë dorën njeri-tjetrit.Ndonëse fliste  anglisht ,gjyqtari shqiptar i foli grekut në greqisht:”Dhosto to peri!jepi dorën dhe maqedonasit, maqedonisht :” Zemaj tvot ruka!”ata e panë në sy,hezituan ,por i dhanë dorën njeri-tjetrit. Në Itali,boksonte Roberto Kamarele, një boksier me 91 kg.Në dy rastet ky goditi për ta çarë kundërshtarin me qëllim për ta dëmtuar.I thirri:”Attenti riski fauli”,mirëpo trajneri i tyre ,që deri atëherë kishte qëndruar i kthjelltë protestoi,por ai  i tha në kohë:”Perfavora,cioza la boks.

Nga boksierët shqiptarë ai sëbashku  me Kreshnik Qaton në vitin ’96 me të rinjtë e Teutës në Beograd në Pançevo,ku Kreshniku regjistroi dorezën e artë.

Federata e boksit shqiptar  ku kishte  qenë anëtar kryesie kishte  formuar  lidhje me federatën kosovare të boksit. Sekretari i kësaj federate Mehmet Bukujeci ka qenë kampion i Jugosllavisë dhe  kishte  ardhur në qytetin tonë si ekip kombëtar i këtij sporti dhe janë nderuar nga skuadra e këtij qyteti dhe bashkia u ka dhënë shenjën e mirënjohjes.”Memoriali i Vllaznisë”, që ka filluar në shkurt të viti ‘92 organizuar nga sportklubi “Vllaznia” e Shkodrës ishtë një shenjë mirënjohje in-memorial për boksierët, që nuk jetojnë më si Dervish Efovia,Ndoc Gjoni, vrarë në burg, Kolec Ashiku,Nazmi Halili,Fadil Efovia,Lem Kosovari.Çdo vit atje mërijnë me familjet e tyre dhe zhvillohet  një kampionat boksi. Madje ishte zhvilluar me 12 ekipe të huaja të boksit pjesmarëse dhe është planifikuar nga federata e boksit europian në kalendarin e saj vjetor në 2005 .Cdo shkurt- mars dhe për të 14 herë në qytetin verior lexohet “Memoriali Vllaznia i boksit”.Ka një Memorial tjetër të shpërngulur në jug të vendit. Në Ballsh është zhvilluar kupa Skënder Kalenja,sekretar i federatës së boksit ish i persekutuar vrarë në vitin ’98.N.q.s politikanët zbatojnë rregullat e boksit ,bota s’do të kishte luftë. Skënderi do të ruhet në mëndje sepse ka sjellur në Shqipëri,specialistë më të mirë të boksit si gjermanin Hans Petter Tomas, Detorin,Franko Fracinelin,Xhorxhi Luciano.Kur u hoq boksi ose më mirë u kurthua nga forca e shtetit në vitin ’63 u nxuar një shkak revolucioni kulturor kinez dhe u quajt sport borgjez,u ndalua në Kinë dhe gjithashtu edhe në vendin tonë,ishin 10 sportistë në gjimnastikë  të qytetit tonë  kur 8 prej tyre përfunduam universitetin.

Ndalese e madhe e boksit ose shurdhëria e plotë e tij përvijoi nëpër vite të gjata.Por njeriu i hekurt Ahmet Golemi,autor i libri: “Fundi i dorezave të zeza”u dënua me 8 vjet burgim. Golemi kishte shkuar në Durrës për të parë një ndeshje boksi midis të mëdhenjve të këtij sporti, Kleit dhe Aliut,kur për ironi të fatit,M.Aliu boksieri i madh kishte shkuar si misionar në Rusi dhe Kinë për paqen e Vietnamit.

6 herë kampioni i vendit, Golemi i vitlindjes ‘34,pësoi këtë fat.

Shumë sportistë të kësaj fushe kaluan në sporte të për afërt.

Hamdi Uka,15 vjeç ishte,kur rrëzoi kamponin e botës një korean.

Ekipi shqiptar i boksit ka qenë në maja të larta përpara rrëzimit me dekretin e rëndë shtetëror.Në kampionatet në Rusi dhe R.D.Gjermani në Laipcig shkëlqyen boksierët shqiptar si Teodor Janku, Idai Rama, Fag Alushi,Martin Ceka, Hysen Sharra.Periudha post-mortum  boksi regjistroi dhimbje për disa sportistë të mirëfilltë të këtij sporti burrëror.Bujar Orizaj e hoqën si arsimtar e dërguan mekanik në kombinat,Ali Shënpremten nga mësues në punëtor gurore me vare.Dhori Gërnjotin 18 vjeç e kurthuan në burg. 27 vjet burgim bëri Gërnjoti,tentoi edhe arratisjen ku i vranë shokun. Nga kjo familje ka një pemë të gdhendur mirë me sportin e boksit. I ati i Dhorit,Refael Dishnica ishte kampion i Amerikës së Jugut,e çuditshme por një shqiptar kampion në vendet e Amerikës latine. Vajza e Dhorit është kampione boksi në Greqi. Gërnjotat u hoqën  nga Tirana u dërguan në Korçë.Në postëkohë e 90 ,Xehvat Muhedini vuri në teori dhe praktikë leksionet e kësaj disipline,u shfaqën librat  e parë të boksit shqiptar. Agron Haxhihyseni ka qenë sekretar i federatës së boksit ka botuar librin si mund të bëhesh kampion. Vetë Hamzaraj përktheu  librat Primo Carnera dhe 10 boksierët e shekullit.

 

Filed Under: Sport Tagged With: Gezim Llojdia, i ndaluar, KUR SPORTI I BOKSIT, U SHPALL

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • …
  • 65
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT