• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2017

“Anarkia është debashkim, jo bashkim”

April 26, 2017 by dgreca

 1-Dritëro-Agolli-300x229

DRITËRO AGOLLI PËR BASHKIMIN KOMBËTAR/

1-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/Kohët e fundit, Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama dhe Presidenti i Kosovës, Z. Hashim Thaçi ngritën mundësinë e bashkimit të Shqipërisë dhe Kosovës në një shtet të vetëm, nëqoftse nuk ndodhë bashkimi i tyre brenda Bashkmit Evropian.  Analistë të ndryshëm e kanë cilësuar deklaratën e udhëheqsve shqiptarë si një manovër parazgjedhore, si një përpjekje për të larguar vëmendjen e mbrendshme dhe të jashtme nga kriza aktuale politike në Shqipëri dhe në Kosovë, ose më keq, si një kërcënim dhe shantazh ndaj Evropës, nëqoftse Bashkimi Evropian nuk merr masa për të shpejtuar integrimin e Shqipërisë dhe Kosovës në radhët e tij.

Sidoqoftë sikur të kishte nevojë për një deklaratë të tillë në këtë moment deklarata e Kryeministrit Rama dhe e Presidentit Thaçi dashtë e pa dashtë ndezi tensionet politike në Balkan, duke shkaktuar reagime të ashpëra jo vetëm nga Beogradi, por edhe nga Moska. Rusia dhe Beogradi mezi prisnin një deklaratë të tillë që të drejtonin gishtin akuzues Tiranës dhe Prishtinës zyrtare për destabilizim të rajonit.  Ndërsa, edhe Bashkimi Evropian (BE) ka kritikuar gjithashtu ashpër deklaratën e Z. Rama dhe Z. Thaçi.  Komisioneri Hahn, sipas Deutsche Welle-s, ka hedhur poshtë mundësinë e presioneve dhe shantazheve ndaj Brukselit duke thënë se deklaratat nxitëse mund t’u këthehen vendeve të Ballkanit si bumerang.  Në vend të kësaj, ka thënë përfaqsuesi evropian, vendet e Ballkanit duhet të përqëndrohen tek bërja e reformave të nevojshme për të plotësuar kushtet për antarësim në BE.  Edhe ambasadat amerikane në Tiranë, Beograd dhe Prishtinë, kanë reaguar ndaj deklaratave të Z. Rama dhe Z. Thaçi, duke i cilësuar   si të nxituara dhe të pakujdesshme.

Ndërkaq, gazeta Illyria në New York sjellë një reagim të Presidentit të Kosovës, Z. Hashim Thaçi, i cili u përgjigjet edhe njëherë   kritikave të zyrtarëve të BE-së ndaj deklaratave të tij dhe të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për mundësinë e bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë duke i quajtur “bajate”, “të gërditshme” dhe “neveritëse”, deklaratat e zyrtarëve të BE-së. Ai ka theksuar se kërcënim për paqën përbën nacionalizmi serb dhe jo deklaratat e tij.“Kërcënim për BE-en është nacionalizimi serb. Është Beogradi që është duke punuar në destabilizimin e rajonit dhe instalimin e ndikimit të fuqishëm së Rusisë në Serbi, prej bazave ushtarake e deri tek ‘MIG-at’ rusë”, është shprehur udhëheqsi i Kosovës në reagimin e tij ndaj kritikave evropiane. Bashkimi kombëtar i shqiptarëve është një ëndërrë e shënjët e të gjithë brezave deri më sot.  Por bashkimi kombëtar arrihet me vepra e jo me fjalë, as me akuza ndaj njëri tjetrit as me ultimatume ndaj të tjerëve.  Është kundër dinjitetit kombëtar që thirrjet për bashkim kombëtar të përdoren për qëllime politike parazgjedhore ose për të treguar mllef ndaj një vendimi ose jo, të Bashkimit Evropian.  Fatkeqsisht, me  dështimin e përfaqsuesve evropianë për arritjen e një kompromisi për zhdukjen e ngërçit politik në Tiranë, Shqipëria gjëndet para një “kollapsi politik”, siç e cilësoi në një shkrim dje Karl Bildt, bashkëkryesues i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë,, ndërkohë që kriza politike vazhdon për një kohë të gjatë në Kuvendin e Kosovës, ndërsa edhe atje po bëhet thirrje për zgjedhje të përgjithëshme, të parakohëshme parlamentare, sikur zgjedhjet janë zgjidhja e të gjitha problemeve.

Përballë këtij aktualiteti politik sot në trojet shqiptare, ndodhë se jam duke lexuar librin e Adnan Merovcit, truprojës së Presidentit Ibrahim Rugova, “Në Hap me Rugovën”, ku vura re ndër të tjera edhe deklaratën e të ndjerit Dritëro Agolli mbi bashkimin kombëtar, gjë që më tërhoqi vëmendjen, pasi është temë e ditës. Ai e kishte bërë këtë deklaratë gjatë një takimi me shkrimtarët e njohur të asaj kohe gjatë një vizite në Kosovë.  Takimi i kryesuar nga Ibrahim Rugova në Prishtinë, me Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës, është mbajtur gushtin e vitit 1991, një periudhë e vështirë kjo politike si për Shqipërinë ashtu edhe për Kosovën.   Është një këshill nga Dritëro Agolli që vlente atëherë për të gjithë, por përgjigja e tij 25 vjetë më parë, është edhe sot shumë aktuale, përball krizës politike në Tiranë dhe debatit të shkaktuar nga dy udhëheqsit shqiptarë në lidhje me bashkimin kombëtar, për ata që duan t’a dëgjojnë dhe për ata që janë me të vërtetë serioz dhe të cilët janë me të vërtetë të dhënë për realizimin eventual të bashkimit kombëtar. Pyetjes në lidhje me bashkimin kombëtar të shqiptarëve nga njëri prej pjesëmarrësve një temë e ditës sot Dritëro Agolli iu përgjigj kështu, sipas shënimit në librin e lartë përmendur.“Këtë gjë”, u tha ai shkrimtarëve më të njohur të asaj kohe në Kosovë, “Duhet ta shikojmë më shumë në të ardhmen.Të ardhmen, sepse është problem jo vetëm për Shqipërinë, për ta forcuar atë dhe për ta bërë për Shqipërinë e brendshme, por edhe për Shqipërinë e jashtme, se tashti ka ardhur ajo pika më kulminante që o do të ngrihet me të madhe ky problem i bashkimit kombëtar ose tjetër shanse është vështirë të jepet sepse me ç’ta ka dhënë historia, Shqipëria kalon në demokratizimin e plotë të vendit – por nëqoftse kjo do të merret, të ketë një anarki të plotë në Shqipëri, siç ka tani, që është anarki, tashti po qartësohet një çik më shumë, por ka një anarki.Nëqoftse është kjo anarki, ajo nuk mund të marrë përsipër bashkimin kombëtar.Anarkia është debashkim, jo bashkim.  Ajo i sjellë dëm edhe pjesës këtu (Kosovës) nëqoftse vazhdon ajo gjëndje, sepse nuk ka as autoritet, qoftë edhe në Ballkan qoftë edhe në vende të tjera. Do ju thonë juve, me ke jeni mo, me ata që po grinden e po zihen njëri me tjetrin, ku do veni ju?”  Mungesa e rregullit, qetësisë dhe e unitetit politik në Shqipëri, ka thanë Agolli, “duket medoemos se i sjellë dëm çështjes së madhe kombëtare”. Nuk mund të ketë bashkim të trojeve shqiptare, pa bashkimin e shqiptarëve, me qëllim për të bërë më së pari “Shqipërinë e brendshme” dhe “Shqipërinë e jashtme”, të lirë e demokratike të standardeve evropiane.Dritëro Agolli porosiste një çerek shekulli më parë, aty në zemër të Dardanisë, që më së pari të bëhet Shqipëria e brendshme dhe e jashtme, e pastaj të flitet për bashkim kombëtar! Këtë nuk mund ta bëjë as Evropa as Amerika dhe askush tjetër, përveç vetë shqiptarëve. Ndëgjoni porositë e të moçëmve dhe mos sillni ujë në mullijtë e armiqëve të kombit.

Filed Under: Politike Tagged With: anarkia, debashkim, Dritero Agolli, Frank shkreli, jo bashkim”

DOD DOÇI U TAKUA ME PAPEN NË SELINË E SHENJTË

April 26, 2017 by dgreca

 1 Doda papa
 Shënjtëria e Tij, Papa Francesku priti në audiencën e Tij në Selinë e Shenjtë në Vatikan Dod Doçin, shqiptarin atdhetar nga Lura, biznesmenin bajemirë të kompanisë “Lura” në Tiranë, veprimtarin kombëtar panshqiptar.
Në shtatorin 2014, kur Papa Francesku ishte për Vizitë në Shqipëri Dod Doçi ishte pjesmarrës i vlerësuar, elitar, në ceremonitë protokollare në Tiranë.
Herët, më 19 tetor 2003, Dod Doçi u takua edhe me Papa Gjon Pali II, kur ishte në Vatikan me familjen e tij dhe 50 vetë nga firma “Lura” për të marrë pjesë në Ditën e Lumturimit të Nanë Terezës.
Dod Doçi i Lurës, një ndër “100 biznesmenët shqiptarë të shekullit”, e ngriti me fondet e tij nga themelet e saj rrënoja Kishën Shën Maria në Lurë, e cila mban emrin e Nanës së Krishtit.Thuhet se i përket vitit 1418. Është nji nga 275 kishat katolike shumë të hershme që i listnon albanaologu Fulvio Cordignano. Edhe në kohën e Ateizmit, kur mbeti veç në rrënojë të themeleve e në gufalim barnaje, aty – tek kjo “Shtëpi e Zotit”, tek ky “vend i bekuar” – vinin me droje besimtarë shpirtnorë luras, nga rrethinat e prej hejcekuhit, për të krye rite fetare, për të gjetë qetësi besimi e për të marrë shpresë jetësore. Kjo vepër kulti e arti, e rrallë për nga ndërtimi në kompleks i saj, u përurua në tetor 2014 në jehonën e Vizitës së Shenjtërisë së Tij, Papa Françesku në Shqipëri.
Kisha Shën Maria në Lurë i ka 12 dritare në dy ballët gjatnor të saj. Nji numër biblik ky. Në ato 12 dritare dritërojnë 12 Apostujt e Krishtit. Natën Apostujt, portret-gdhendur në dritare duken dhe ma bukur, falë mjeshtrisë të kombinimit me dritat. Aty, brenda në Kishën Shën Maria të Lurës i gjen dhe 4 portrete me format të madh të Papa Klementit XI–Albani, të Papa Gjon Pali II, të Papa Françeskut, të Shën Nanë Terezës. Katër emra flasin shumë për Shqipërinë, për lidhje e kontribute të tyre për Shqipërinë, që na kanë nderue dhe i nderojmë në përjetësi. Ndaj i ka përzgjedhur Dod Doçi dhe këto katër emblema të historisë të Krishtërimit, të Selisë së Shenjtë në Vatikan, të Kombit Shqiptar – trojenik në Ballkan e mërgimtar në Botë.
Dod Doçi, senator i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike në Tiranë, ishte dhe në eventin tjetër madhor, të mrekullueshëm, në Ditën e Bekuar të 4 shtatorit 2016 kur Papa Francesku në Selinë e Shenjtë në Vatikan dekretoi në mënyrë solemne e festive Shenjtërimin e Nanë Terezës, Shpalljen e Saj Shenjtore e Krishtërimit.

Filed Under: Komente Tagged With: DOD DOÇI, ME PAPA FRANCESKUN, në Selinë e Shenjtë, u takua

Dështimi i negociatave – Basha i moderuar me qëllime finale radikale!

April 26, 2017 by dgreca

2 enver-Bytyci-1 Nga Enver Bytyçi/Dy negociatorët e Parlamentit Europian, David McAllister dhe Knut Fleckenstein, erdhën dje mbasdite dhe zhvilluan një tur negociatash të ndara me mazhorancën shqiptare dhe opzitën në Tiranë. Ilir Meta dhe Edi Rama ranë dakord para disa ditësh që konfliktin politik në Shqipëri ta negocionin aleatët e Bashës në Bruksel, përfaqësues të partive popullore europiane. Por pas kësaj u bë e njohur se nga dy negociatorët njëri do të ishte aleat i të majtës në Shqipëri dhe tjetri i të djathtës. McAllister duket se ishte caktuar si i parë, ndërkaq Fleckenstein luajti rolin e ndihmësit të tij, kryesisht për të ndikuar te zoti Rama që të pranojë një propjekt propozim të Brukselit për zgjidhjen e krizës. Në fakt projekti ishte një hap i rëndësishëm për të përligjur të drejtën dhe kërkesat e opozitës shqiptare për mosbesimin e krijuar sa i përket procesit të realizimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme. Në këtë këndvështrim opozita mori kreditet e nevojshme dhe u legjitimua në qëndresën e saj përballë një qeverisjeje të inkriminuar. Kjo se dekriminalizimi, droga dhe ndryshimet në polici u përcollën si masa pikërisht për shkak të kriminalizimit të qeverisë, kupolës së policisë dhe bashkëpunimit të tyre me trafiqet e grupet kriminale. Për këtë arësye Rama pranoi që të ndryshojë jo vetëm drejtuesit e korruptuar dhe inkriminuar të policisë, por edhe tre-katër ministra, të cilët do të kishin besimin e opozitës. Por nuk pranoi krijimin e një qeverie teknike si garanci për zgjedhje të lira e të ndershme në këtë vend. Nuk pranoi gjithashtu as votimin dhe numërimin elektronik, sepse kjo do të çonte në shtyerjen për në vjeshtën e vonë të zgjedhjeve. Media e kapur e interpretoi gjithë sa ndodhi si refuzim nga ana e zotit Basha të paketës së zgjidhjes që solli nga Brukseli grupi i negociatorëve. Po ashtu ajo e trajtoi zotin Basha edhe si përgjegjës për dështimin e bisedimeve e të një marrëveshjeje, duke shtrembëruar realitetin dhe faktet. Ndërsa kryeministri u përpoq që të shtojë makiazhin e një politikani të kompromiseve dhe dialogut e marrëveshjeve. Ai u kujdes që këtë makiazh ta shesë jo vetëm te ndërkombëtarët, por edhe te shqiptarët. Psh kur propozoi që kryetari i KQZ-së t’i jepej opozitës, ndërkohë që do të kishte në dorë vendimet e kolegjit zgjedhor. Mjafton ky mekanizëm hileqar për të mos i besuar kurrë, kurrë zotit Rama, edhe nëse i besojnë të gjithë gazetarët e analistët e këtij vendi së bashku, të gjithë politikanët e Brukselit e madje, edhe nëse i besojnë shumica e shqiptarëve. Në fund të fundit ky ballafaqim midis mazhorancës dhe opozitës shqiptare nuk është thjesht një përpjekje për të fituar shumicën. Eshtë shumë më tepër se kaq. Vendi ka nevojë të pajtohet me faktin se e drejta, e moralshmja, e vërteta nuk qëndron gjithnjë në anën e shumicës, por shumë herë edhe në anën e pakicës. Koncepti se në anën e shumicës qëndron gjithnjë e drejta është një koncept marksist, i cili ka shkaktuar shumë dhimbje në marrëdhëniet sociale në vendin tonë. Prandaj zoti Basha nuk ka pse kompleksohet se disa ose shumë ndërkombëtarë apo analistë e media të kapura në Shqipëri e konsiderojnë atë si “të vetëm”. E drejta nuk është e vetmi, edhe nëse lëpirësit e shumtë në zhgarravinat e tyre bëjnë presion se “Tashmë Bashës Brukseli do ia heqë vizën”. Ai që dëshiron të kthejë kokën dy-tri vite më pas e njeh faktin se kur filloi aksioni opozitar i Lulzim Bashës për dekriminalizimin, ai dukej “i vetëm”. Kalemxhinjtë e sotëm, të cilët bëjnë presion për viza europiane talleshin me kërkesën e tij për dekriminalizim. Ndërsa kryeministri merrte në krah kriminelët në mitingje elektorale dhe u thoshte shqiptarëve “Se këtë kriminelin këtu në krahun tim nuk ka bir kurve që e njollos”! U desh kohë të bindej bota e të bindeshin shqiptarët se kriminelët në Shqipëri bëjnë ligje, madje edhe vetingje e nëse dalin nga një derë Edi Rama ua hap një dritare tjetër për të qenë të pranishëm në jetën politike të vendit. Tani jemi në një aksion tjetër të Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj opozitarë, në një lëvizje tjetër, ndoshta më të fuqishme e më të rëndësishme sesa dekriminalizimi e dekanabizimi i Shqipërisë. Eshtë fjala për betëjën e themeleve të demokracisë, që garanton të ardhmën e shqiptarëve dhe u kthen shpresën atyre, zgjedhjet e lira e të ndërshme. Edhë këtë betejë opozita do ta fitojë. Edi Rama dha dje të gjitha shenjat se do të dorëzohet. Ai i zhveshi megafonët e tij në studio televizive nga miti i respektimit të kushtetutës kur pranoi që zgjedhjet të shtyhen tej afatit kushtetues, më 16 korrik. Kjo do të thotë se kushtetuta ishte alibia e tij. Tani i ka mbetur si alibi vetëm votimi i vetingut. Ndonëse ky është problem më i vogël për opozitën, ajo e përdor si karem për ta detyruar kryeministrin të largohet për t’i hapë rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme. Kjo betëjë nuk mori e nuk mund të merrte fund mbrëmjen e djeshme. Ajo nuk është aq e thjeshtë. Edhe pse i pëlqen zotit Ngjela të spekullojë me qëndrimin amerikan e ta shpallë opozitën si antiamerikane, mua më rezulton se në Shqipëri e në rajon po luhet pikërisht një lojë konspiracioni europiano-rus kundër interesave të SHBA-ve. Konflikti, nëse e gjykojmë nga qëndrimet dhe përcaktimet e aleatëve, qëndron pikërisht në këtë aspekt gjeopolitik. Ndëra Kalorësi i Legjionit të Nderit përfaqëson ineteresa antiamerikane në përcaktimet dhe iniciativat e tij në Shqipëri e në rajon, kreu i opozitës shqiptare jep garanci për një ekuilibër të prezencës euro-amerikane në Shqipëri e në rajon. Prandaj këta analistët që nguten dhe e lënë “në vetmi” Lulzim Bashën gabohen. Në planin e brendshëm protesta dhe kundërshtitë midis dy palëve në konfliktin e zgjatur politik krijojnë hapësirë që tek qytetarët shqiptarë të krijohet një klimë besimi dhe optimizmi e munguar që prej vitit 2013, ose më saktë pas festimit të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Protestat janë shpikur që nga koha e Republikës së Perikliut si ilaç i mobilizimit dhe motivimit të qytetarëve për zhvillim e përparim. Gati dy mijëvjeçarë e gjysëm më vonë, policia shqiptare bën të kundërtën, denoncon pjesmarrjen e qytetarëve në protesta. Në vitin 2010 Edi Rama krijoi mitin e largimit masiv të shqiptarëve drejt Europës, nëse merrej vendimi për liberalizimin e vizave. Lulzim Basha, thjesht ministër i Brendshëm, bashkë me qeverinë e kohës, e thyen këtë mit. Largimi ndodhi pas ardhjes në pushtet të Edi Ramës. Sot zoti Rama ka lëshuar të gjithë megafonët e tij për t’i bindur shqiptarët dhe Brukselin se “Protesta e opozitës destabilizon Shqipërinë dhe bën pjesë në projektin e një destabilizimi më të madh në rajon”, duke e përdorur Çadrën e Lirisë si gogolin e vitit 1997. Lulzim Basha po e çmonton edhe këtë mit, sepse në protestat që ai po i drejton në mbi dy muaj kohë, nuk ka lejuar që të ndodhë asnjë ngjarje destabilizuese. Ai ka vendosur që me mjete demokratike e të moderuara të realizojë një qëllim final radikal për të shëruar plagët e mëdha që qeverisja e socialistëve ka hapur në këto katër vite. Ai ka vendosur që t’u kthejë besimin shqiptarëve te zgjedhjet e lira, sepse prej këtu fillon edhe besimi se ky vend mund të bëhet një ditë. Presionet se “zgjedhjet mund të bëhen edhe pa opozitën” tashmë janë thjesht përpjekja e fundit e qëndresës së garnitarurës kriminale në pushtetin e Tiranës. Edhe nëse kjo do të ndodhte, çka është e pamundur, përsëri Shqipëria do të ishte më e fituar nga mospjesmarrja e opozitës në në kushtet e një qeverisje të inkriminuar. Çdo opozitë e përgjegjshme në botë ka detyrë themelore të ofrojë shpresë te qytetarët e një vendi. Opozita shqiptare, pak vonë, por më në fund është angazhuar fuqimisht në këtë mision. Fuqia e opozitës nuk varet nga ushtrimi i dhunës së saj ndaj institucioneve, edhe nëse ato janë të inkriminuara. Fuqia dhe suksesi i saj varen nga kembngulja dhe vendosmëria, nga gatishmëria e saj për të dialoguar, por jo për të bërë kompromis me të keqen. Nëse do të ndodhë kjo, krimi në pushtet do të tërhiqet. Nëse bëhen compromise me krimin e drogën, atëherë Shqipëria do të marrë formën e qeverisjes së modelit latino-amerikan, ku pushtetin e ka krimi e droga, prostitucioni dhe imoraliteti. Tregomëni një vend latino-amerikan të inkriminuar e njëkohësisht të zhvilluar dhe unë do bashkohesha me euforikët e zotit Rama, se Shqipëria mund të bëhet edhe me krim dhe me drogë!

Filed Under: Featured Tagged With: Basha i moderuar, Dështimi i negociatave, Enver Bytyci

Muhamed Zekiri nuk mund të përfaqësoj shqiptarët në Maqedoni

April 26, 2017 by dgreca

Nga Skënder Karaçica/SHSHA në Çikago/

1 Muhamed Zekiri
Ne Foto:Muhamed Zekiri/
SHSHA në Çikago përmes reagimit të sotëm për opinion,kërkon që ndaj deputetit të LSDM-së Muhamed Zekiri,të dsitancohen të gjitha partitë politike shqiptare dhe votuesit shqiptarë në Maqedoni,që me ,,dashamirësinë,,e tij për karrigën politike,ia kthej shpinën çështjes së (pa)zgjidhur shqiptare në hapësirën etnike dhe u bë vasal i Zoran Zaevit.
Gazetari në TV ,,Alsat M,,me apetitet e tij politike ndaj karriges dhe privilegjeve alla sulltance(sic!)përmes propagandës mediale,i mashtroi më se 70 mijë votues shqiptarë për kinse,,shpëtimin,,e tyre dhe ,,përspektivën,,me ligjet e pashkruara,vetëm që të dëmtojë elektoratin shqiptar në Maqedoni,që nuk ka ndodh askund që një numër kaq i madh votuesish të lënë bllokun politik shqiptar dhe të rreshtohen pas një partie sllavo-maqedonase.Kjo ka ndodh në Maqedoni dhe me skenarët tashti të (deputetit maqedonas)dhe jo shqiptar të Muhamed Zekirit,i cili me turp dhe me tradhëtinë alla Esad Pashë Toptani ia kthej shpinën popullit të vet shqiptar dhe shkoj atje që të bëhet një zë i vetmuar,që nuk mund të flasë dhe nuk mund të përfaqësojë shqiptarët në institucionet e shtetit në Maqedoni,thuhet në fund të reagimit të SHSHA-së në Çikago.
 
 Skënder Karaçica
 Executive Director
Albanian-American Association

of Intellectuals Businessmen and Activists

Filed Under: Komente Tagged With: Muhamed Zekiri, ne Maqedoni, nuk mund të përfaqësoj, shqiptaret, Skender Karacica

KUJTESE-Dita e të Pagjeturve të Kosovës-27 Prilli

April 26, 2017 by dgreca

 -Tubim përkujtimor në Mejë, në Lëndinën e Pikëllimit, ku në 27 prill 1999 forcat serbe masakruan e zhdukën 377 shqiptarë që i rrëmbyen nga kolona e refugjatëve/
1 27 prilli
– Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në publikimet e tij dëshmon se, pas luftës së përfunduar në 12 qershor 1999 në Kosovë nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar evidentoheshin 6027 persona të zhdukur, të lajmëruar nga familjarët/  
PRISHTINË, 26 Prill 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Në Ditën e të Pagjeturve të Kosovës -27 Prill, në mesditë, në Mejë të Gjakovës në Kompleksin Memorial organizohet tubimi përkujtimor për masakran e para 18 viteve/
Në Mejë, në Lëndinën e Pikëllimit, në 27 prill 1999, forcat serbe masakruan e zhdukën 377 shqiptarë që i rrëmbyen nga kolona e refugjatëve.
Asnjëri nga të ndaluarit në rrethimin e hekurt të kolonës së civilëve nuk kishte arritur të dilte i gjallë. Ajo ishte një nga kolonat e shumta të spastrimit etnik, të rreth 1 milion shqiptarëve të dëbuar nga Kosova, shumica drejt Shqipërisë.
Në Kosovë, 18 vjet pas luftës, janë ende mëse 1600 të zhdukur të pagjetur. “Atyre që na mungojnë”, me këtë emërtim, u është ngritur përmendore në sheshin kryesor të Prishtinës, para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.
“27 Prill – Dita e të Pagjeturve të Kosovës…vazhdojmë t’i kërkojmë…” shkruante në njoftimet e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur që i vendosnin sot grupe të rinjësh nëpër kryeqytet, Prishtinë.
Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut-Kosovë ka paralajmëruar aksionin simbolik me rastin e Ditës Kombëtare për Personat e Pagjetur, i cili do të realizohet në mbrëmjen e 27 Prillit  në Sheshin Ibrahim Rugova në Prishtinë.
Në luftën e para mëse 18 viteve kundër Kosovës, në fushatën e terrorit, spastrimit etnik e gjenocidit, forcat serbe të Milosheviçit, i njohur edhe si Kasapi i Ballkanit, i cili më pastaj ka përfunduar në Tribunalin për Krime Lufte në Hagë, kanë vrarë e masakruar më shumë se 12.000 shqiptarë, e mijëra të tjerë i zhdukën duke i dërguar e groposur edhe në Serbi, apo edhe duke i djegur, kanë dëbuar rreth një milion, shumicën drejt Shqipërisë “përtej Bjeshkëve të Nemuna”, dhe kanë djegur mëse 400 qytete dhe fshatra.
 Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në publikimet e tij dëshmon se, pas luftës së përfunduar në 12 qershor 1999 në Kosovë nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar evidentoheshin 6027 persona të zhdukur, të lajmëruar nga familjarët.
Edhe sipas të dhënave të asociacioneve familjare të të zhdukurve të pagjeturve, numri i tërësishëm i të zhdukurve të Kosovës pas luftës së para 18 viteve mbërrinte mëse 6.000 veta. Mbi 90 për qind prej tyre ishin civilë shqiptarë, të cilët u rrëmbyen, u morën të gjallë në mënyra të ndryshme nga formacionet policore-ushtarake dhe paramilitare të pushtetit okupues serb. Një numër i tyre, rreth 600 janë gjetur të gjallë nëpër burgjet në Serbi .
Kosova vazhdon të kërkojë zbardhjen e fatit të qytetarëve të saj të zhdukur dhe me këtë mesazh fotografitë e të pagjeturve janë vendosur e rivenodur nga familjarët  në rrethojat e Kuvendit e qeverisë kosovare, në sheshin qendror të Prishtinës.

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari, Dita e te pagjeturve, të Kosovës-27 Prilli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT