• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2017

DIASPORA-Mësimi i shqipes, interes kombëtar

April 11, 2017 by dgreca

-Ministri Valon Murati priti nxënës të mësimit plotësues nga Austria. Vizita po realizohet në kuadër të ekskursionit në Kosovë e Shqipëri/

PRISHTINË, 11 Prill 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Ministri i Diasporës në qeverinë e Kosovës, Valon Murati, bashkë me zëvendësministrin Sahit Krasniqi dhe me përfaqësues të tjerë të diasporës pritën sot një grup të mësuesve dhe të prindërve bashkë me 37 nxënës të mësimit plotësues nga Austria, të qyteteve Vjenë, Grac, Linc, Wels dhe St.Polten. Vizita e këtyre nxënësve po realizohet në kuadër të ekskursionit në Kosovë e Shqipëri, organizuar  nga Ministria e Diasporës, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit.

Ministri Murati, pasi u uroi mirëseardhje, i përgëzoi mësuesit për punën që po bëjnë në edukimin dhe nxënien e mësimit shqip. Ai foli edhe për rëndësinë që ka mësimi i gjuhës shqipe.

“Ministria e Diasporës po bën përpjekje që bashkë me mësues të shkollave  shqipe e prindër të organizojë vazhdimisht aktivitete me programe të tilla, si ekskursione, kuize të diturisë, kampe verore, që t’ju mbajë sa më afër atdheut”, tha ndër të tjera ministri Murati.

Ai  i ftoi nxënësit e mësimit plotësues që të bëhen pjesë e kampeve verore, e kuizeve të diturisë, përmes të cilave jo vetëm që fitojnë njohuri për atdheun, po krijojnë edhe miqësi të reja me moshatarët e tyre. Ministri Murati i falënderoi mësuesit, por edhe prindërit e këtyre nxënësve për punën e madhe që po bëjnë vazhdimisht për ta mbajtur gjallë gjuhën shqipe. Ai u shpreh se mësimi i shqipes nuk është vetëm interes kombëtar, po edhe interes i nxënësve, sepse, me njohjen e saj, ata mësojnë një gjuhë më shumë dhe integrohen më lehtë në shoqëritë ku jetojnë, por në të ardhmen mund të jenë edhe lidhje mes vendit ku jetojnë dhe atdheut.Ndërsa, në emër të mësuesve, Hazir Mehmeti, mësues, njëherësh kryetar i shoqatës “Naim Frashëri”, falënderoi MeD-në për gjithë punën që po bën për diasporën, në veçanti për mësimin plotësues, si një nga hallkat kryesore për ruajtjen e identitetit kombëtar.Në këtë ekskursion njohës mësimor, nxënësit shqiptarë nga diaspora do të vizitojnë vende të ndryshme në Kosovë e Shqipëri, institucione të  ndryshme arsimore e monumente historike.

Gjatë vizitës në atdhe, për nxënësit nga diaspora do të organizohen aktivitete të shumta, me tema të ndryshme në funksion të edukimit, po edhe zhvillimit të identitetit, me qëllim t’u forcohet edhe më shumë ndjenja e dashurisë për atdheun.Ekskursione të tilla do të organizohen edhe me grupe të tjera nxënësish të mësimit plotësues nga  Kroacia, Greqia, Gjermania dhe Suedia.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Behlul Jashari, DIASPORA-Mësimi i shqipes, interes kombëtar

KOMBETARJA E FUTBOLLIT E FEMRAVE TE SHQIPERISE MPOSHT GREQINE, KUALIFIKOHET

April 11, 2017 by dgreca

*Kombëtarja shqiptare e femrave ka triumfuar 2-1 ne fundin e ndeshjes  ndaj Greqisë dhe kalon në fazën kualifikuese të Botërorit 2019./

1491921495goccc

-Furtuna Velaj, pasi pat humbe penalltine, ne minuten e ’90 shenon golin e kualifikimit historik te Kombetares se Femrave/Ndeshja kualifikuse e Kombetares Shqiptare perballe asaj Greke ne Elbasan Arena ishte e mbushur me emocione. Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll me rezultatin e barabartë 1-1, ku Shqipëria kaloi e para në avantazh me Doçin në minutën e 16, ndërsa vetëm 2 minuta më pas Greqia barazoi rezultatin me ane te lojtares Nati.
Shqiperia ishet e pafat kur humbi nje 11 metersh me sulmusen e saj Furtuna Velaj. Edhe pse Kombetarja greke mbeti per shume kohe me 10 lojtare, pas nxjerrjes me karton te kuq te nje lojtareje, goli vonoi deri ne ekstrem te ndeshjes, ne minuten e 90, kur mrekullia erdhi nga Velaj.
Ndeshja u mbërthye në rezultatin 1-1 deri në minutën e fundit të kohës së rregullt dhe kur të gjithë menduan se ishte Greqia e kualifikuara për më tej, Velaj shënon golin e fitores dhe të kualifikimit për Shqipërinë, që tashmë kalon në fazën kualifikuese, duke u renditur e para në grup me 7 pikë.

Në ndeshjen e parë, kombëtarja e femrave mposhti Kosovën 3-2, ndërsa barazoi 0-0 me Maltën.

Gazeta Dielli uron Kombetaren Shqiptare dhe vecanerisht lojtaren Furtuna Velaj, e bija e Mhill Velaj, pjese e komunitetit shqiptar ne Stamford, per mrekulline qe beri ne ndeshje dhe kontributin e saj ne Kombetare.

1 Kosova

Kosova pëson edhe humbjen e tretë/

Kombëtarja e Kosovës në futboll në kategorinë e femrave ka pësuar humbjen e tretë më radhë në parakualifikimet për Kupën e Botës ‘Franca 2019’, duke u mposhtur nga Malta 1:3.

Pas kësaj humbje Kosova renditet në vendin e fundit me 0 pikë.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Femrat Kuq e zi, Furtuna Velaj, Kombetarja Shqiptare, mposhten Greqine

KUJTESA E KOSOVES- PRILLI I PËRGJAKUR

April 11, 2017 by dgreca

Fakte dhe dëshmi nga treva e Lypjanit/
1 Ismail Gashi-Sllovia
Shkruan:Ismail Gashi-Sllovia/
Si çdo vjet në gjitha hapësirat shqiptare kosovare edhe në trevën e Lypjanit,  kujtojmë jetën e veprën e dëshmorëve e martirëve të kombit. Rënia per liri kombëtare e çlirimin e athdeut, eshte një madhshti njerëzore, po aq sa janë madhore edhe fenomente e natyrës, lindja dhe perëndimi i Diellit e Hënës, të cilat, nuk mund të përshkruhet, sado oratori të kemi, e sa mundohemi te zgjedhimtë fjalë e shprehje. Rënia për atdhe në luftë me okupuesit serbë në Verën e 1998 dhe Prillin e tokës së përgjakur të 1999, të 21 dëshmorët e kombit e 167 martirët e kësaj hapësire shqiptare. Nga kjo hapësirës komunale, u përkjetësuan, gjatë dy ofanzivave serbe, u plagosën edhe 71 qytetarë shqiptarë e 23 ushtarë të UÇK-së, Nga dhuna serbe u ç’vendosen tërësisht banorët shqiptarë të 42 fshatrave, e pjesërisht nga 21 fshatra tjerë. Flaka e kalljeve serbe i përfshiu 46 vendbanime shqiptare të kësaj treve komunale, nën kërcënime të dhunës  u dëbuan jashtë Kosovës mbi gjysma e popullsisë shqiptare. Shkatërrimet, kalljet, vjedhjet dhe plaçkitjet e vlerave materiale e shpirtërore të kësaj hapësire shqiptare kapin shumën e dhjetëra milion eurove.
Dhuna serbe dhe pastrimi etnik i shqiptarëve
 Sistemi okupues serb, në fundshekullin 20-të, me dhunën gjenocidale e pastrimin etnik ndaj shqiptarëve,  dëshmoi  mësimet e moralit të keq të historisë sllave, të dëshmuara në 24 projekte sërbe kundër shqiptarëve, që nga “Naçertania” e Garashaninit 1844, e deri te Memorandumi i ASSHA 1986. Serbet me vrasje, tortura e masakra mesjetare ato 78 ditët e tmerrit të 1999, si në çdo mjedis e hapësirë në Kosovë, edhe në shqiptarët e kësaj hapësirë komunale, kryen shumë vrasje masive të popullatës civile të pa armatosur. Në trevën komunale të Lypjanit, për vrasje masive barbaria serbe, u përqendrua në tri nga vendbanimet shqiptare.  Në Sllovi më 15 e 16 prill 1999, ranë 4 dëshmorë e 41 martir të lirisë e 11 qytetarë të tjerë u plagosen rënd e lehtë. Më 15 prilli pas sulmit serbë në fshatin Akllap, kallën mbi 80% të shtëpive dhe vranë një qytetar. Hordhia serbe në mesditë në orën 13.30 sulmoi Sllovinë, aty vrau e masakroi 24 shqiptarë dhe dëboi me dhunë nga fshati gjithë popullatën shqiptare. Kurse më 16 prill 1999, shqiptarët sllovias të strehuar në “Lugun e Demës”, ku përjetuan Natën e Bartolomeut. Vrastarët ushtarak e policor të dhunës sërbe, pasi vranë 4 qytetarë të zhegocit në “Livadhe të Gjana”, vranë edhe dëshmoren Zylfije Gashi në Tërboc. Këtu në “Lugun e Demës”, masakruan e ekzekutuan edhe 17 civilë shqiptarë të tjerë. Nga gjithë të rënit sllovias 6 ishin pleqë deri në moshën 90 vjeçare, 4 nga të cilët ishin të palëvizshëm. Nga 17 të vrarit në “Lugun e Demës”, kufomat e të cilëve ushtria vrastare, me qëllim të zhdukje së krimit, i dërgoi në Serbi dhe i varrosi, në varre të fshehura masive në Batajnicë, nga deri më 15 prill 2006 u sollën 15 nga 17 kufomat e zhdukura nga hordhia barbare serb. Mbetjet mortore të dy të zhdukurve të tjerë, i solli dy vjet më vonë më 2008, nga Batajnica në varret që gjatë priten të hapura në Varrezat e Dëshmorëve dhe Martirëve në Sllovi. Nga dhuna serbe në Sllovi, 33 familje pësuan humbje në njerëz nga të cilat më së tepërmi pësoi, Familja e Murat Gashit me pesë të vrarë, Familja Gërbeshi më 3 të vrarë, dy Familjet Sopa njëra me tre, e tjetra me dy të vrarë e të masakruar, familja Bytyçi, Kryeziu dhe Berisha me nga dy të vrarë. Ndërsa 26 familje të tjera kanë të vrarë e të masakruar nga një anëtarë. Me 17 prill në vendbanimin afër Lypjanit Jeta e Re, u vra dhe u dogj plaku Xhevat Rexhepi 68 vjeçar. Spiralja e dhunës serbe, posi lubia,  më 18 prill 1999 që, në orët e mëngjesit, sulmoi Ribarit të Vogël. Kjo makineri e pajisur me informacione nga serbët vendor filloi “lojën vrastare”, ekzekutoi 25 qytetarë shqiptarë, 7 të tjerë i gjymtoi e i shëmtoi me plagë të rënda, mosha e të cilëve ishte nga 10 deri 90 vjeçare, nga të rënit, 10 ishin nga familja Vishesellla, 6 të familjes Vuniqi nga Blinaja, ato ditë tmerri të strehuar në Ribar, 4 të vrarë ishin të familjes Gërxhaliu, ndërsa 5 të tjerë ishin nga 2 të familjes Ismaili e Jashanica dhe një nga familja Kelmendi. Nga të vrarit 7 ishin pleq, madje Rizah Jashanica /1902/, kishte 92 vjet dhe ishte i palëvizshëm.
Ekzekutimi para syve të familjarëve
Nga të vrarit në Ribar 8 ishin femra e 17 meshkuj. Nga këta, 18 ishin qytetarë vendor, 7  ishin të strehuar. Në Hallaq të Vogël, rrugën e sakrifikimit të jetës e qeli dëshmori Ismet Asllani, më 24 mars 1999, për tu martirizuar edhe të tjerët nga familja dhe të afërmit.  Më 19 prill 1999 në Hallaq të Vogël vazhdoi vala e vrasjeve masive, ku vrasësitë serbë vranë e masakruan 20 qytetarë shqiptarë, nga të cilët 4 ishin të strehuar nga vendbanimet tjera. Forcat serbe urdhëruan daljen e gjithë shqiptarëve në lendinë të fshatit, pjesa që nuk arriti të dal, u vranë në oborre e shtëpi, madje dy nga ata u dogjën. Ndërsa nga 40 të tubuarit në mes të fshatit 13 i ndanë për pushkatim, nga të cilët 11 u ekzekutuan  para syve të familjarëve, dy shpëtuan, e dy të tjerët pas torturës dhe masakrës çnjerëzore shpëtuan të gjallë. Nga vrasjet serbe vetëm familjes Gashi ju vranë 4 anëtarë, 4 anëtarë ju vranë edhe familjes Buzuku, kurse familjes Asllani 3, ndërsa nga familja Zekiqi u vranë 3 vëllezër, e nga një anëtarë humbën familja Jashari-Mordoqi. Mulaku, Bajrami, Fazliu dhe Selimi. Kufomat e Minush dhe Abdullah Gashit kanë qenë të karbonizuara, dyshohet se për të gjallë apo pas vrasjes ishin djegur me benzinë.
Në Sllovi, Ribar të Vogël e Hallaq të Vogël, si kudo në Kosovë, çdo vjet përkujtohen dëshmorët e martirët e rënë për liri. Por, vrasjeve në kohë e rrethana të tjera, nuk ju shpëtuan as vendbanimet të tjera si: Kroishta me 9 qytetarë civilë te vrarë shqiptarë, Ribar të Madh u vranë  e u masakruan 6 të tjerë, në Blinajë 8 e Mirenë 7 civilë shqiptarë, Hanroc 5 qytetarë të vrarë shqiptar. Vrasje si në ofanziven e parë ashtu edhe në atë të dytën pati edhe në Kleçkë, Shalë, Krojmir, Baicë, Mirenë, Resinoc, Zllakuqan, Magurë, Bregu i Zi, Leletiq, Rufc i Ri, Dobrajë, Qylagë, Poturoc, Jeta e Re, Janjevë, Brus, Akllap, Terbuc, Gadime, Babush të Muhaxhirëve dhe Plitkoviq. Këto ditë tmerri e dhune, na kujtojnë të kaluarën, na kujtojnë vrasjet e masakrat barbare serbe, na kujtojnë dëbimin me dhunë nga trojet etnike, kur nga kjo tokë u ndoqën gjyshërit e baballarët tanë, pse kërkonin të jenë të lirë, pse e donin lirinë si edhe të tjerët, dhe për të tjerët luftonin për lirinë e të drejta e tyre njerëzore e kombëtare. Andaj, në fundshekullin 20 luftuam dhe ngadhënjyen mbi robërinë shekullore.
 Është e veçanta e dëshmorëve e martirëve tanë që, triumfalisht bijën në altarin e lirisë, por, sipas rrethanave dhe gjendjes së rend, tri herë varrosen, siç ndodhi në gjeografinë e varrezave të lirisë  për  jetën e veprat e tyre  përherë shprehim kujtimin e dhembjen tonë. Prillin e përgjakur të 1999, vrasjet, torturat dhe masakrat e barbarisë serbe, gjithmonë dhe në vazhdimësi i kujtojmë, jo për të krijuar moral urrejtës, por për ta ruajtur kujtesën historike në ndërgjegjen e arsyeshme të të gjallëve. Të rënit vazhdimish kujtohen për të krijuar fisnikrinë e të tashmes dhe të ardhmes sonë, dhe për të ndërtuar vlera pozitive ndaj jetës dhe lirisë së popullit. Në drejtësi ligjore,fetare e tradiconale, krimi është i dënueshëm. Por, ndaj kriminelëve, ndarja e të drejtës, nuk guxon të matet me dy kute. Askush nga ushtarët,policët e vullnetarët vrastarë sërb, as nuk u muar në pyetje nuk doli para të drejtë, e as nuk u denua për krime te kryera
Kriminelët nuk morën denimin meritor, as në Hagë, as në gjykatat vendore
Andaj, për kyesit e krimeve kerkohet denim adekuat, siç kërkojmë të ndalet ndjekja e pa natyrshme e çlirimtarëve, të ndalet ndjekja e denimi  i atyre që kurrë nuk shkelën në troje të huaja, atyre që kurrë nuk vranë qytetarë civilë e të pafajshëm, të ndalet ndjekja e atyre që luftuan barbarinë, atyre që kërkuan liri për popullin e tyre të padrejtësisht të robëruar me shekuj, Të ndalet ndjekja e atyre që krijun shtetin demokratike, të lirë e të barabart për të gjithë, Të ndalet ndjekja e paligjshme e atyre qe janë kreatorë të politikës demokratike, lirisë së fjalës dhe sigurisë e të drejtë për levizje të lirë për të gjithë. Sot, institucionet qeveritare e shtetëror angazhohet, përpiqen dhe punojmë në përmbushjen e kërkesave të natyrshme të së drejtës njerëzore, që në Republikën e Kosovës së pavarur të pas luftës, me shtetësi të plotë e sovrane, të gjithë të jetojnë, të punojnë dhe të ndërtojnë jetën e lirë, Por, këto kritere duhet kërkuar me përgjegjësi adekuate edhe ndaj kryesve të krimeve. Për krimet serbe në trevën e Lypjanit, jo se nuk u ndënua askush në Hagë e gjykata vendore, ku pas gjitha deshmive e fakteve kriminelet komanduesit, urdhëruesit e ekzekutuesit e krimeve ordiner, si Sheshel, lirohen të pafajshëm, e në liri të panatyrshme trimrohet e dalldisen duke kerkuar kthim triumfues  në vendin e krimit. Ndërsa kuadrot komanduese të UÇK-Së, Tash struktura qeveritare te Republikes së Kosovës, dalur nga morali i çlirimtarëve, jo nga morali vrastar, siç ishin gjatë luftës, kuadro, njësi e forcat qeveritare, ushtarake e policore të dhunës serbe.
Bota filloi të mendojë, të flasë e të veprojë shqip
Çdo verë e pranverë shqiptarët në gjitha mjediset kosovare, kujtojmë verën e 1998 dhe pranverën e 1999, por edhe vitet e me hershme të robrisë shekullore. Shqiptarët e Kosovës  do t’i kujtojmë dhembjet e përjetuara, do të kujtojmë humbjen e dhjetëra mija bijve e bijave të kësaj hapësire. Kjo katrahurë antinjerëzore hartuar nga ASSHA, e udhëhequr nga njeriu dinozaur, që synonte të përbijë një popull, ta vras lirinë, pse fletë ndryshe, pse beson në Zot ndryshe, pse nuk janë serbë e pse janë popull liridashës. Në Kosovë këto vlera dhe të drejta kombëtare e njerëzore për zgjedhjen e çështjes së Kosovës, shqiptarët i  kërkuam me vite e dekada në mënyrë paqësore e njerëzore, me dialog, e pa mjete dhune, në vazhdim i kërkuam edhe me shprehjen e pakënaqësisë me protestave e demonstratave të studentëve dhe popullit. Me veprime politik përveç ndërkombëtarizimit të çështjes sonë, arritëm në shkallën e mosdurimit të dhunës, dilemën hamletiane “të rrosh, o të mos rrosh”. Atëherë, domosdoshmërisht shqiptarët e Kosovës  hyjnë edhe veprimit ushtarak për realizimin e kërkesave njerëzore e kombëtare. Dhe mu për këtë rënë 21 dëshmorët tanë dhe 167 martirët e lirisë nga gjithë hapësira komunale e Lypjanit. Rënë ashtu siç rënë në Qirez e në Likoshan, në Prekazin legjendar e në Reçak, në Koshare e Gllogjan, e qindra vendbanime të tjera shqiptare në Kosovë. Nga ky mot i madh për shqiptarët, ndryshoi matja e kohës dhe historisë. Nga këtu bota filloi të mendon, të flet e të vepron shqip. Nga këto mote e këto ngjarje për shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët përgjithësisht, nis një epokë e re, një jetë dhe një filozofi e moral tjetër i veprimit politik. Intervenimi ushtarak i forcës ushtarake NATO-së për shpëtimin e krimit kundër njerëzimit në Kosovë, ishte intervenimi i vetëm në 50 vjetet e ekzistimit të kësaj force ndërkombetare, aleate e ushtri tokësore e të cilës ishte UÇK-ja, për 78 ditë bombardimesh dëboi nga këto troje vrastarët serb, ndali dhunën, dhe vet ne thyem traditën negative historike, ndodhi kthimi i madh monumental i shqiptarëve në trojet e veta.
 Sipas humanistës për të drejta të njeriut, Natash Kandiqit. Në tërë Kosovën, gjatë 1998-1999  janë vrarë 13.549 qytetarë civilë të pa armatosur, nga këta 76% meshkuj e 24% femra, 1400 nga këta nën moshën 18 vjeçare. Përkatësia kombëtare e të vravëve në Kosovë është 8693 shqiptarë, 1196 sërbë e 445 romë e të tjerë. Kthimi provokativ i eshtrave të shqiptarëve nga Serbia, tash sa vite na torturon.
 Gjitha këto përjetime të rënda, nga ky moral i stërkequr sërbë, na bënë të mos ndalemi në rrugëtim për ndërtimin e shtetit tonë kombëtar Kosovën shtet demokratik sovran e të pavarur, të  integruar e të njohur nga 113 shtete e institucionet të ndërkombëtare. Sot është domosdo historike e klasës politike, të qëndrojë unike në ndërtimin e shtetit demokratik të Kosoves dhe të qëndrojë bindjes në  kërkesën e  arsyese së natyrshme, deri në realizimin e synimeve tona kombëtare.
Kujtimi për dëshmorët dhe martirët e lirisë
 Familjet e dëshmorëve dhe martirëve lipjanas, në vazhdimësi bëjnë kërkesë njerëzor, për një angazhim më serioz të subjekteve ndërkombëtare e vendore në gjetjen e ende të pagjeturëve, të cilët u zhdukën po nga ato forca të dhunës, po nga ata njerëz, po nga ajo dhunë serbe. Do të përulemi gjithmonë me respekt para varrezave të dëshmorëve e martirëve të kombit. Ata në vazhdimësi të kohërave, do të jenë krenaria historike e të ardhmes së kësaj toke të djegur e këtij populli të ndjekur.
Rënia për liri është madhështore. Amaneti i dëshmorëve e martirëve, puna, mundi, gjaku dhe jeta e tyre e dhënë për këtë tokë e për këtë popull, obligon për ndërtimin e shtetit të Kosovës demokratike, të pavarur e sovrane. Vetëm kështu, të rënëve tanë, shpirti ju pushon i qet në Kosovën e tyre. Të rënit për liri kanë dhënë, madhoren, Jetën e tyre, për të cilët ne të gjallë, nuk mjafton vetëm të ngrehim përmendore e të vejmë kurora mbi varret e tyre.  Me respektimin e veprës dhe amaneteve, në kujtim të përjetësisë së tyre për liri, marrin uratën e madhe të popullit. Kujtimi për dëshmorët dhe martirët e lirisë, gjithmonë do të jetë  kujtesë lavdie në  traditën  pozitive të historisë sonë kombëtare.  
 

Filed Under: Histori Tagged With: Ismail Gashi-Sllovia, Lypjani masaker, PRILLI I PËRGJAKUR

11 prilli dhe këpucët e kuqe

April 11, 2017 by dgreca

Nga Flutura Açka/

Ishte mëngjesi i 11 prillit, kur për herë të parë pas atyre muajve të vitit të parë të ekonomikut, nipi i Sofo Lazrit, emri i të cilit nuk më kujtohet këtë çast, erdhi i zymtë në klasë. Rrathët e syve i kishte të kuq dhe ninëzat nuk i shiheshin nga trishtimi që e kishte zënë.Atë e kishim si lidhës me Komitetin Qendror, klasa jonë e studentëve kishte ‘privilegjin’ e madh të mos luteshim për ndonjë lajm nga kupola, por lajmet na vinin vetë; sigurisht për ata që i kishin merak ato lajme. Për vete nuk e di shumë, por një mikja ime më kujton atyre viteve që unë vetëm qeshja dhe më pëlqenin pastat.Ai vetëm tha se do ta mësonim shpejt se Shqipëria do të thyhej më dysh nga dhimbja që do të mësonte. Aty nga ora 11 a më pas, lajmi u njoftua zyrtarisht dhe natyrisht mësimi i asaj dite shkoi.

Si sekretare e grupit që isha (më shumë nga notat dhe natyra organizative) kisha për detyrë të organizoja grupin për ngushëllimin mbarëkombëtar që duhet t’i shkonte Komitetit Qendror nga çdo klasë, organizatë, zyrë, arë me miser me kubik dhe pa kubik, kantier, furrnalta, minierat, lulishte, kopësht e klinikë.E gjithë Shqipëria po bënte ngushëllimin kombëtar historik dhe po e siguronte partinë se ishte pranë saj ato ditë të rënda të cfilimës sonë. Shkurt, edhe në, nën mbikëqyrjen dhe kujdesin e nipit tonë të dashur, e bëmë si mos më mire, vumë emrat tanë, të gjithë me radhë (mos e vër po deshe!), firmosëm dhe e nisëm. Çuditërisht një kopje të saj e kam në arkivën time personale, me gjithë marrëzinë që përfshin ajo.

Dhe m’u për faktin që isha biçim lidere e grupit, emri im u shënua tek studentët që do të kishin ‘privilegjin’ të mbanin kurorat, kurorat e të tjerëve. Nuk më kujtohet në fakt se cilën kurorë kam mbajtur unë me dike tjetër, por mbase atë të Frontit Demokratik, pasi nuk isha në radhët e para. Kurora ishte e rëndë dhe e vështirë ta mbaje nëpër boulevard, por deri atë ditë, kur pikërronte shi dhe kronologjia e shënoi si përlotje e natyrës ndaj fatit tone, unë pata ca periperci, jo aq të vogla po të kthehesh në kohë.

Të nesërmen, drejtoresha e godinës 15 të Qytetit Studenti ku bujtnim ne të ekonomikut, më thirri në zyrë dhe më pyeti për veshjen. “Shko vishu siç do të vishesh atë ditë dhe eja në këtë dhe të orë të shoh se a je përshtatshëm”. Edhe pse veshjet e mia i qepja vetë me time më me një ‘Butterfly’ kineze që kishin në shtëpi, nuk kisha veshje të zeza (kodi i detyruar për atë ditë), pasi ajo i urrente. Kështu që lypa te vajzat e dhomës – dhe ishim jo pak, por nja pesëmbëshjetë rioshe – dhe u sajova disi. Kur vajta te F. SH., drejtuesja e konviktit, një grua që më donte dhe e doja fort, ajo më këqyri dhe kur pa gjysmëkëpucët e mia në ngjyrë të kuqe, tha: “Flutura, hiqi shpejt, këto nuk lejohen!”.

I thashë se nuk kisha të tjera dhe se asnjëra nga shoqet e dhomës nuk e kishte numrin tim të këmbës, as këpucë të përshtatshme. Më urdhëroi të shkoja në shtëpi, në Elbasan dhe të nesërmen të isha aty ‘gjallë ose vdekur’ me këpucë të zeza.

Kështu që udhëtova me tren atë mbrëmje dhe të nesërmen në kthim, me orë e orë të tëra për shkak të vonesave të trenave atyre viteve dhe të popullimit të madh që u kishte ndodhur vagonëve nga shqiptarë të pikëlluar që po vinin për homazhe dhe të ishin afër parties atyre ditëve që armiku i jashtëm ishte duke festuar.

Mbase nëpër fqinjë a në të afërm, dhe këpucët e zeza u sajuan, kështu që këpucët e mia të kuqe, nuk ishin dëshmitare të asaj dite funeral, kur njerëzit binin nga ligía në trotuar dhe kur kurorat tona ndiqnin topin ku mbahej kuptimi i deriatëhershëm i frymëmarrjes sonë. Të nesërmen askush nuk do të dinte se si të merrte frymë pasi të ndaheshim nga udhëheqësi ynë.

Atyre ditëve në mbrëmje, në dhomën e vogël të televizorit të godinës 15 mblidheshin rreth 800 vajza dhe qanin me ligje. Kishte që rrinin më larg, por po të rrije në dhomë, mund të përfundoje të nesërmen në burg. Armiku atë ditë kuptohej lehtë, dhe partia përveç vajit, ishte syçelët të shihte kush po festonte atë ditë. Ulërima e atyre ditëve në atë sallë të vogël, është gjëja që nuk më është shlyer kurrë nga kujtesa, piskama i shponte muret, që mbase atë ditë kishin nisur të tronditeshin.

Pak ditë më pas unë iu ktheva kënaqësisë së këpucëve të mia të kuqe dhe pranverës që premtonte ngjyra për vete dhe shqiptarët, një pjesë e të cilëve mbase ende nuk i kishin palosur të errëtat. Natyrisht të përbetuarit nuk kanë harruar as sot të vajtojnë, të vizitojnë të venë që po bën jetë princeshash dhe që ka zëdhënëse ca gazetare e gazetarë që nuk kanë mundur të kuptojnë se nga cila gijotinë kemi shpëtuar atë 11 prill 1985.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: 11 prilli, Flutura Acka, këpucët e kuqe

BINOMI RAMA – VUÇIÇ KUNDËR KOSOVËS

April 11, 2017 by dgreca

Opinion nga Dr. Islam LAUKA/

  Dr.Islam Lauka

Ideja e hedhur në Samitin e Sarajevës (16.03.2017) për krijimin e tregut të përbashkët ballkanik po bëhet, gjithnjë e më shumë, objekt debatesh në kryeqytetet e gjashtë vendeve që parashikohen të përfshihen në këtë grupim, por edhe në qendrat e vendimmarrjes ndërkombëtare. Sipas Deklaratës së Përbashkët të pjesëmarrësve të Samitit, nisma synon lëvizjen e lirë, pa pengesa, të mallrave, shërbimeve, kapitalit, të fuqisë punëtore të kualifikuar, krijimin e një hapësire dinamike investimesh, etj. Është vendosur që kjo nismë të jetë pjesë e axhendës së Samitit të Triestes, që do të mbahet më 12 Korrik të këtij viti.

Midis protagonistëve të kësaj ideje po spikasin Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Të vetëshpallur si omnipotentët e Ballkanit, që mund të bëjnë breshërin dhe diellin në këtë rajon të trazuar, duket se në çështjen e krijimit të tregut ballkanik ata janë marrë vesh mirë dhe kanë bërë edhe ndarjen e punës për promovimin e kësaj ideje. Me gjasë, Vuçiçi, ka marrë përsipër që ta shesë atë në hapësirat e ish Jugosllavisë, ndërsa Rama, në botën shqiptare. Deri tani, Vuçiçi paraqitet si më i suksesshëm. Para pak ditësh, në një intervistë në gazetën, Politico, ai i ëmbëlsoi jugonostalgjikët me pilulën “tregu i përbashkët ballkanik është Jugosllavia e vjetër plus Shqipëria”.

Ndarja e roleve nuk kufizohet vetëm në promovimin e këtij projekti. Revista britanike, The Economist, “zbulon” se rolet janë ndarë edhe në funksionimin e tregut të përbashkët ballkanik. Ajo vë në dukje se aty Serbia do të ketë rolin që ka Gjermania në BE, pra lokomotivë e këtij organizmi. Ajo nuk shkon më tej për të sqaruar se cili do jetë roli i Shqipërisë, dhe i Kryeministrit “omnipotent” të saj. As nuk ka nevojë ta bëjë këtë gjë, sepse, mëse një herë, vetë Rama, duke folur per pajtimin shqiptaro-serb, i është referuar shembullit franko-gjerman. Pasi është “zbuluar” Gjermania në Serbi dhe Adenaueri te Vuçiçi, pjesa tjeter e ekuacionit del vetiu – Shqipëria është Franca dhe Rama, kush tjetër, veç vetë De Goli!

Të zhytur në delirin e tyre të madhështisë, Ramës dhe Vuçiçit nuk iu bëhet vonë për pakënaqësitë që ka ngjallur ideja e krijimit të tregut ballkanik tek “të vegjëlit” e rajonit tonë, Malit të Zi dhe Kosovës, sidomos tek kjo e fundit. Drejtuesit e saj më të lartë shtetërorë, Kryeministri, Isa Mustafa dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj kanë shprehur qartë qëndrimin e Prishtinës zyrtare kundër kësaj nisme, si të papajtueshme me interesat e saj politike, ekonomike dhe ato të sigurisë, si një “ambalazhim i ri i së kaluarës”, apo “një projekt i stilit rus”.

Qëndrimi i Vuçiçit është i kuptueshëm. Ai shpreh dhe mbron interesat kombëtare të shtetit serb, në kushtetutën e të cilit sanksionohet që Kosova është pjesë përbërëse e tij. Dhe që nuk lë gur pa lëvizur për të minuar pavarësinë dhe integritetin shtetëror të saj, si dhe për të penguar, me çdo kusht e me çdo mjet, anëtarësimin e saj në strukturat euroatlantike dhe në organizatat ndërkombëtare.

Po Edi Rama interesat e kujt mbron, duke promovuar e mbrojtur idenë e një projekti që është në kundërshtim të hapur me interesat jetike të Kosovës? A mos ka harruar që vetë ai ka firmosur “ Deklaratën e Partneritetit strategjik” midis Shqipërisë dhe Kosovës? Apo ai është për partneritet strategjik me Kosovën, në letër dhe më Serbinë, në vepër?

Nuk ështe hera e parë që Edi Rama dëshmon që problemet e Kosovës janë të huaja për tё. Ai nuk i njeh as nuk i kupton ndjeshmëritë e saj historike. Ai nuk e ka kuptuar dhe, duket se nuk ka për ta kuptuar kurrë, se çfarë kanë hequr shqiptarët e Kosovës nën sundimin e Beogradit, pavarësisht formës së atjeshme të regjimit.

Por nuk janë vetëm ndjeshmëritë historike që i bëjnë shqiptarët e Kosovës ta perceptojnë idenë e tregut të përbashkët ballkanik si kërcënim serioz të interesave të veta. Edhe analiza e ftohtë racionale i çon ata tek i njëjti përfundim. Serbia është shteti më i fuqishëm i Ballkanit Perëndimor, me territorin dhe popullsinë më të madhe, si dhe vendi më i militarizuar i rajonit. Nuk do shumë mend për ta kuptuar që pikërisht ajo do të dominojë në tregun e përbashkët ballkanik. Që do të thotë, se aty do të mbizotërojnë interesat e saj gjeopolitike dhe ekonomike, në dëm të të tjerëve. Në konceptin e Prishtinës, tregu I përbashkët ballkanik nuk e afron atë me BE-në, por me Serbinë; ai nuk iu hap rrugë mallrave të standardit europian, por atyre të standardit serb, të prodhuara qëllimisht për të mbytur tregun kosovar; para se të flitet për qarkullimin e lirë të trangujve e patateve, duhet të sigurohet lëvizja e lirë e njerëzve; nuk mund të ketë bashkim doganor a treg unik me atë që mohon ekzistencën tënde, si shtet. Analiza e ftohtë racionale duhet që edhe Tiranën zyrtare ta çojë në përfundimin se ky projekt, duke qenë kundër Kosovës, në të vërtëtë, është kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve, në përgjithësi, pra është anti kombëtar.

Historikisht, idjea e dominimit ka shoqëruar çdo projekt ballkanik të Beogradit, pavaresisht, etiketimit të tyre, si federatë, konfederatë, aleancë ballkanike, bashkim doganor, a treg i përbashkët. Shqiptarët, kudo në Ballkan, i kanë provuar në kurrizin e tyre pasojat e rënda të projekteve serbe.

Dominimi i Serbisë në Ballkan, në thelb, do të thotë dominim i Rusisë. Beogradi është pajtuar me rolin e tij si instrument i ndikimit të Moskës në rajonin tonë, në këmbim të ndihmës së Kremlinit në çështjen e Kosovës dhe në faktorizimin e Serbisë në sytë e BE-së. Fakti që ideja e tregut të përbahskët ballkanik mbështetet nga Brukseli dhe disa kryeqytete europiane nuk ndryshon asgjë. Ky nuk është hapi i menduar e i pjekur i Brukselit të qetë, të dikurshëm, por hapi i nxituar i Brukselit të sotëm, në ankth dhe të kapluar nga kriza ekzistenciale. Nuk i qëndron kritikës ideja se tregu i përbashkët ballkanik e afron rajonin tonë më shumë me Bashkimin Europian. Më afër së vërtëtës është argumenti që tani Brukseli, më shumë, mendon për të larguarit ose ata që mund ta braktisin, se sa për anëtarësimin e të rinjve. Nuk i qëndron kritikës as ideja tjetër që, duke i dhënë Serbisë rol qëndror në Ballkan, pra duke ndarë me të një pjesë të përgjegjësisë për rajonin, Brukseli mund të çlirohet disi nga problematika ballkanike. Së pari, roli udhëheqës nuk dhurohet, por fitohet. Çfarë ka bërë Beogradi që të konsiderohet si udhëheqës i rajonit? Ka filluar 4 luftra në hapësirat e ish Jugosllavisë. Ka kryer genocid e spastrim etnik kundër popullsisë civile. Sot e kësaj dite, Serbia vazhdon të mos kërkojë falje për krimet e kryera në Kosovë, të mos zhdëmtojë dëmet e shkaktuara prej saj, të mos kthejë eshtrat e të vrarëve prej saj dhe të fshehura, po prej saj. Së dyti, Brukseli duhet ta dijë se ndarja e përgjegjësisë me Serbinë për problemet e Ballkanit, në fakt, është ndarje përgjegjësie me Moskën. Më saktë, është ndarje dominimi. Në mungesë të hapave konkretë të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, ekziston rreziku real që peshorja e dominimit në rajon të anojë nga Rusia. Se çfarë “çlirimi” mund të sjellë dominimi rus në Ballkan, këtë mund të mos e dinë vetëm postmodernistët e Brukselit dhe Edi Rama.

Shërbimet e Ramës ndaj politikes së Beogradit dhe Presidentit Vuçiç kundër Kosovës nuk mbarojnë me kaq. Duke e paraqitur Tiranën zyrtare si nismëtare dhe mbështetësë të projektit për tregun ballkanik, nga njëra anë dhe, duke braktisur Kosovën në kundërshtimin e saj të vendosur të këtij projekti, nga ana tjetër, Kryeministri Rama i bashkohet tezës së Beogradit se ai mund të merret vesh me të gjithë shqiptarët, me përjashtim të atyre të Kosovës, se ata nga natyra, janë të këqinj, të papërgatitur e të paaftë për shtet. Kjo është edhe pikëpamja e Moskës, e cila Kosovën e konsideron “pseudoshtet artificial”, një nga burmet bazë të destabilitetit, bartës kryesor i potencialit konfliktues në Ballkan”. Shërbim më të mirë, as Vuçiçi, as Beogradi dhe as Kremlini nuk mund të prisnin nga shqiptari “i mirë”, Edi Rama.

Kuvendi i Shqipërisë, Komisioni Parlamentar i Politikës së Jashtme, partitë politike, intelektualët e përgjegjshëm dhe shoqёria civile duhet të ngrihen në këmbë për t’ia ndalur turrin Edi Ramës, i cili, në partneritet të plotë me Vuçiçin, nisur nga axhenda, ngushtësisht personale, kryesisht, për t’u shitur në Perëndim si liberal e pajtues i madh midis popujve, po punon intensisivisht kundër Kosovës. Qeveria shqiptare, Ministra e Jashtme, duhet të organizojnë konsultime, sa më shpejt të jetë e mundur, me Qeverinë dhe Ministrinë e Jashtme të Kosovës, në Tiranë dhe në Prishtinë, për të dëgjuar pikëpamjet dhe argumentet e njëra tjetrës. Do ishte mirë që kjo çështje të shtrohet në mbledhjen e përbashkët të qeverive, jo për butafori, siç është vepruar në takimet e deritanishme, por për të diskutuar seriozisht e për t’u dhënë zgjidhje problemeve që nuk janë të pakta në marrëdhëniet tona dypalëshe. Qëllimi duhet të jetë që në Samitin e Triestes, Kosova dhe Shqipëria të shkojnë më qëndrim të unifikuar – kundër idesë së krijimit të tregut të përbashkët ballkanik, si një projekt që, në rrethanat e sotme, u shërben të tjerëve, jo interesave kombëtare e shtetërore të shqiptarëve.

Filed Under: Analiza Tagged With: BINOMI RAMA – VUÇIÇ, Dr. Islam Lauka, kunder Kosoves

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT