• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2017

Masakra e 10 Prillit 1994, nga terroristët grek të MAVI

April 10, 2017 by dgreca

Nga Arben LLALLA/

Voridhi-Beleri, dy anetaret e MAVI

Ne Foto_ Voridhi-Beleri, dy anetaret e MAV-it/

Më 10 Prill 1994, rreth orës 3, pas mesnatës, një skuadër paraushtarake me emri “PIRRO,, që i përkiste organizatës terroriste greke e njohur “Fronti Për Çlirim e Vorio Epirit”- MAVI, e përbërë nga 8 persona, hynë 4 km në territorin e Republikës së Shqipërisë. Kjo skuadër sulmoi godinën ushtarake ku mbetën të vrarë ushtari i shërbimit Arsen Llazar Gjini, 20 vjeç nga Semani i Fieri dhe oficerin Fatmir Sali Shehu, 34 vjeç, nga Tepelena, si dhe plagosën 3 ushtarë të tjerë. Pasi morën peng rreth 120 ushtarë të cilën kur u krye sulmi po flinin, grupi terroristë thërriste: “Këto i keni për Vorio Epirin, ne nuk kemi harruar”. Gjatë largimit skuadra terroriste e MAVI-t, morën me vete 15 automatik të markës kallashnikov, prodhim kinez dhe dy arka me fishek. (Sipas agjentëve që u filtruan në grupin e MAVI-t, pasi dolën nga burgu, u patën thënë se në fillim vranë ushtarin, oficeri duke parë ushtarin e vrarë u mundua të merrte armën që ishte në tavolinën e punës, por u qëllua pas shpine).

Të nesërmen, më 11 Prill, organizata terroriste MAVI, dërgoj një letër në gazetën greke Elefterotipia, ku merrte përsipër sulmin ndaj godinës ushtarake brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Mediat dhe i gjithë aparati shtetëror grek akuzën se janë grek ata që kryen masakrën e 10 Prillit në fshatin Peshkëpi nuk e pranonin, por e quajtën provokim nga ana e Shqipërisë. Më 13.4.1994, gazetarja Kristina Pulidhu botoj një shkrim në gazetën AVJI, ku aktin terroristë ua ngarkojë kapuçonëve parashtetëror të Athinës.

Gazeta greke STOXOS, botoj me krenari foton e 4 pjesëtarëve të MAVI që morën përsipër masakrën e Peshkëpisë.

Më 19 mars 1995, policia greke kufitare afër Delvinaqit ndaloj një veturë dhe një kamion, brenda tyre gjeti 6 kallashnikovë me 878 plumba, dy pistoleta Tokaref, me 42 plumba, një radio, një bajonetë, dylbi, uniforma ushtarake. U arrestuan shtatë persona që gjendeshin brenda dy automjeteve, kryetari i grupit, Jorgos Anastasulis, 34 vjeç, shtetas grek(oficer ushtrie dhe thuhet se ka origjinë nga Himara), Apostolos Karvelas, 26 vjeç, shtetas grek(ish-polic rrugor), Marios Kutula, 25 vjeç, Fredi Beleri, 23-vjeç, (i cili përdor disa emra si Dionisios dhe Foti), Jorgo Kristo 26, vjeç, Jorgo Papa, 30, të gjithë këta janë nga Himara, Harallamb Papa, 21 vjeç, nga Krioneri i Gjinokastër,

Armët e tjera të organizatës MAVI, u gjetën në Mars, 1995 në shtëpinë e Andrea Kokaveshit, mjek, 67 vjeçar, shtetas shqiptar nga Dhërmiu-Himarë. (Familja Kokaveshi është themeluese e MAVI-t më 1941, Athanasios Kokaveshi). Pjesëmarrësit që u akuzuan ishin 7 veta, dy grek dhe 5 minoritar.

Jorgo Anasatasuli, Apostol Karvela, Fredi Beleri, Jorgo Kristo, Marios Kutula, Harallambo Papa dhe Jorgo Papa u akuzuan për kontrabandë armësh, të kapur me 7 kallashnikov më 1995, ndërsa Angjelo Kokaveshi u akuzua për fshehjen e 7 kallashnikovëve të tjerë në shtëpinë e xhaxhait të tij, mjeku Andrea Kokaveshi.

Gjykata e Athinës më 21 Mars 1996, dënojë me 4,5 vjet burg, Jorgo Anastasulin, 3.5 Apostol Karvelën, dhe gjatë shtetasit shqiptar me nga 3 vjet burg. Por gjykata e Apelit e reduktojë dënimin nga 18-20 muaj burg. Pas përfundimit të gjyqit avokati i tyre Filoklis Asimakis, thirri: “RROFTË MAVI, JAP 5 MILION DHRAHMI PËR ORGANIZATËN E RE MAVI”.

Pas përfundimit të gjyqit, kryetari i Lidhjes së Bashkimi i Himariotëve në Greqi, Dhimitri Dhimalezi, e puthi tërë pasion në buzë, Angjelo Kokaveshin. Për Dhimitër Dhimalezi thuhet se ka qenë bashkëpunëtor i sigurimit grek tradicionalisht. Babi i tij, Anastas Dhimalezi ka qenë agjent i sigurimit grek që në vitet 1940, dhe ka kryer disa misione spiunazhi në Shqipëri gjatë luftës Nacional Çlirimtare dhe pas saj. Pasi sigurimi shqiptar zbuloj se Anastas Dhimalezi ishte spiun grek, më 1946, ai mori me vete kur u arratis për në Greqi djalin e tij, Dhimitrin. Disa vite Dhimitër Dhimalezi u dërgua për spiunazh në Qipro, pasi erdhi në pushtet partia e majtë PASOK më 1984, Dhimitri u tërhoq nga veprimet e spiunazhit. Me ardhjen në pushtet të partisë së djathtë greke të Konstandin Miçotaqit, Demokracia e Re më 1990, Dhimitri u riaktivizua për spiunazh në Shqipëri. Më 1991, themeloj shoqatës Bashkimi i Himariotasve, dhe filloj stërvitjen e paraushtarakëve për akte terroriste në Shqipëri. Gjatë kësaj periudhe Dhimitër Dhimalezi kishte përkrahjen e plotë të Andoni Samaras, që në atë kohë ishte ministër i jashtëm i Greqisë.

Flitet se një bashkëpunim me organizatën MAVI, ka patur deputeti dhe ish-zëvendësministër, Maqis Voridhis, që ka qenë kryetari i partisë Fronti Nacionalist. Por çelësi kryesor për këtë lirimin e tyre thuhet se ishte një deputete dhe ish ministre e partisë së Demokracisë së Re. Gjatë procesit gjyqësor të grupit të MAVI-t dolën të dhëna se Maqi Voridhi është takuar me kryetarin e grupit Jorgo Anastasulin në hotelin Zafolia, në Athinë disa orë pas masakrës së Peshkëpisë. (Nëse janë nisur ora 5 të mëngjesit grupi i MAVI nga Delvinaqi, atëherë i bie të kenë mbërritur në hotel Zafolia rreth orës 12 të drekës).

Fredi Beleri qëndroj 18 muaj në burgun e Koridhallo. Gjatë qëndrimit në burg anëtarët e MAVI, u bënë pishman për atë që kishin bërë dhe të gjithë fajin ja hodhën Jorgos Anastasulis i cili ishte kryetari i grupit. Në periudhën e burgut midis të burgosurve u infiltruan agjent të sigurimit grek dhe të huaj të cilën donin të mësonin të vërtetën e MAVI-t.

Me ligj në dhomat e burgut në Koridhalo qëndronin në çdo dhomë 4 të burgosur. Të akuzuarit e grupit të MAVI i vendosën të pestë në një dhomë në katin e sipërm të burgut. Në burg, kryetari i grupit, Jorgo Anastasuli bënte shoqëri me të burgosurin Vasil Vanalantos i cili njihej si vrasës ordiner. Kjo shoqëri nuk shihej me sy të mirë nga anëtarët e tjerë të grupit të MAVI. Pas disa muajve anëtarët e MAVI-t akuzuan kryetarin e tyre Anastasulin se i kishte futur në kurth për interesat e huaja dhe jo greke për sulmin ndaj godinës ushtarake në Peshkëpi. Një ditë, Apostol Karvelas dhe Mario Kutula, u zunë keq me Anastasulin dhe shoqëria e tyre u prish përgjithnjë.

Pas daljes nga burgu të gjithë ata që u akuzuan si pjesëtarë të MAVI nuk u riorganizuan. MAVI u harrua dhe aktiviteti i saj u ndal, nuk foli më njeri për këtë organizatë të vjetër terroriste. Thuhet se CIA e ndali riaktivizimin e MAVI duke paralizuar çdo qelizë të saj.

Filed Under: Histori Tagged With: 1994, arben llalla, Masakra e 10 Prillit, Terroristet MALAVI

Ekspertët: Kosova ka Kushtetutë jofunksionale

April 10, 2017 by dgreca

Nëntë vjet nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, aktin më të lartë juridik vazhdojnë ta përcjellin sfida të pakalueshme të ndryshimit./

1 Kosova Kushtetute

Nga Arton Konushevci/Për këto nëntë vjet, u ndërmorën disa nisma për ndryshimin dhe amendamentimin e kësaj Kushtetute, por të cilat në fund u përmbyllën pa sukses.Si shtet shumëetnik, Kosova ka një Kushtetutë e cila mund të ndryshohet vetëm me anë të votimit të dyfishtë, që nënkupton vota e dy të tretave të numrit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës si tërësi dhe votat e dy të tretave të deputetëve nga komunitetet pakicë.Si e tillë, Kushtetuta e Kosovës, sipas ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë, në disa raste e ka bllokuar vendin në shumë procese të rëndësishme. Aktualisht, ndryshimet kushtetuese po e mbajnë peng formimin e Ushtrisë së Kosovës.Ish-diplomati amerikan dhe shef i Grupit Ndërkombëtar të Krizave për Kosovën në vitin 2000, Louis Sell, i tha Radios Evropa e Lirë se bashkësia ndërkombëtare ia ka përshkruar Kosovës, në një mënyrë, një Kushtetutë jofunksionale dhe tani duhet t’i ndihmojë Kosovës që përmes procedurave kushtetuese ta krijojë ushtrinë.Sell thotë se është e kuptueshme që Kosova e do ushtrinë e saj, por ky proces varet nga marrëdhëniet e saj me vendet perëndimore dhe prandaj Kosova duhet ta kuptojë seriozisht atë që i thonë miqtë – që ky proces të kryhet përmes ndryshimeve kushtetuese.“Nga ana tjetër, bashkësia ndërkombëtare është ajo që, në një mënyrë, e ka ngarkuar Kosovën me një Kushtetutë jofunksionale, e cila një grupi i mundëson që nën udhëzimet e një shteti tjetër të bllokojë ndryshimet e mëdha, siç janë këto”.“Tani varet nga bashkësia ndërkombëtare që duhet të përcjellë procedurat kushtetuese për të gjetur mënyrën se si të ndodh kjo. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë Kosova duhet të shoh interesat e saj”, tha Sell.Sipas tij ‘Kosova duhet të bashkëpunojë me bashkësinë ndërkombëtare gjithnjë deri sa ajo të luan drejt’.

Hajredin Kuçi, zëvendëskryeministër i në Qeverinë e Kosovës dhe nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se Kushtetuta, që nga miratimi i saj është sfiduar, por sipas tij, janë ndërtuar edhe mekanizma që e mbrojnë Kushtetutën nga sfidimet.“Ka nevojë që Kushtetuta të jetë edhe më evolutive se sa që është norma juridike. Natyrisht veçantia e ndryshimit ka të bëjë me rritjen e kapaciteteve shtetërore. Kjo ka ndodhur edhe më herët. Por, tani ka të bëjë sa u përket kapaciteteve të armatës së Kosovës. Ajo çka dua të them që shtrirja e saj, respektimi i saj, është për tërë territorin e vendit, por njëkohësisht kërkohet, po e quaj, respektim nga të gjitha institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës pa marrë parasysh etninë e tyre”, tha KuçiKuçi tha se Kushtetuta e vendit ka lejuar që të vihen bazat e shtetit sovran dhe demokratik dhe, siç tha ai, aty janë të parapara mundësitë dhe detyrat që të inkorporohen minoritetet në kuadër të institucioneve dhe shoqërisë.“Ndryshimet politike që kanë ndodhur në vitin 2014 me Listën Serbe, kanë krijuar pengesa të tilla, e kundërta ka qenë më herët, kur asnjë pengsë në ndërtimin e institucioneve tona nuk ka ndodhur”, tha Kuçi.Pjesa më e madhe e kësaj Kushtetute, rrjedh nga Plani Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës, i presidentit Marti Ahtisaari, ku u janë përshkruar të drejtat e veçanta grupeve minoritare.

Eksperti i çështjeve juridike – kushtetuese, Mazllum Baraliu, profesor në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë tha se në vend se Kushtetuta të shtyjë dhe ndihmojë proceset zhvillimore, ajo paraqitet si bllokuese dhe pengues e proceseve.

“Koha ka dëshmuar, pas kaq vitesh aplikimi të Kushtetutës, që thjesht ato mekanizma janë më tepër bllokues dhe barriera krijues sesa shtytës, ndihmues dhe mobilizues të zhvillimit dhe të avancimit të proceseve edhe politike edhe të zhvillimit ekonomik- social dhe gjithëpërfshirës. E po ashtu edhe të konsolidimit të shtetit të Kosovës. Instrumentet e instaluara në këtë Kushtetutë kanë vend në udhëkryq zhvillimin e mëtejmë të vendit, por edhe nxjerrjen ose miratimin e vendimeve me karakter dhe interes vital për vendin”, tha Baraliu.

Mekanizmat normativ që janë inkorporuar në Kushtetutën e Kosovës, thotë Baraliu, kanë qenë politikë dhe imponues, andaj, sipas tij, ato tani duhet ndryshuar.

“Kjo Kushtetutë, përkundër anësisë që ka historike, përkundër faktit që është një libër i shenjtë, ose do të duhej trajtuar si një lloj libri i shenjtë, ajo për faktin se është një produkt i imponuar apo më mirë thënë është produkt i një projekti politik i cili është tejkaluar, po flas për propozimin gjithëpërfshirës të Ahtisaarit, i cili është i tejkaluar, andaj kjo Kushtetutë duhet domosdoshmërish të rishkruhet fill dhe fund”, u shpreh Baraliu.

Akti më i lartë juridik ka hyrë në fuqi më 15 qershor të vitit 2008. Kushtetuta, Kosovën e definon si një shtet demokratik dhe laik, me shoqëri shumëtnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera

Filed Under: Analiza Tagged With: Ekspertet, jo funksionale, Kushtetuta e Kosoves

Sizifi, Shqipëria dhe fati i saj i rrokullisur

April 10, 2017 by dgreca

Nga Anton Çefa/

Popujt e hershëm që në agim të jetës njerëzore kanë sendëzuar ndërgjegjen e tyre primitive në konturet e miteve, në magjen e të cilave janë formësuar e kanë marrë jetë idetë, ndjenjat, iluzionet, shpresat, dashuritë, urrejtjet, gëzimet, dëshprimet, fatkeqësitë, torturat, humbjet, arritjet. Çuditemi sot kur endemi në botën e miteve dhe stërçuditemi, kur përpiqemi të zgjidhim enigmat e tyre domethënëse, të hedhim dritë mbi brendësinë e tyre, të stisim disesi mesazhet e tyre.

Ja Sizifi në mbretërinë e errët të Hadit, duke bartur e ribartur shkëmbin rrokullisës. Në atë gollen stërmadhe, ku errësira është e pamatë dhe koha e pafund, rrokulliset e rrokulliset edhe Sizifi mbas fatit të tij.

Kjo figurë sa heroike aq mëkatare, që ka joshur e turbulluar mendjet njerëzore, sidomos të filozofëve, të shkrimtarëve, të piktorëve, të skulptorëve (Eskili, Euripidi, Sofokliu e kanë futur në tragjeditë e tyre, Ticiani e përjetësoi në një tablo, Alber Kamy në një ese, për të përmendur vetëm disa), veças ka tallazitur mendjet e shqiptarëve. Edhe pse shqiptarët nuk i kushtuan ndonjë vepër arti, ata i janë mishëruar fatit të tij, tek i cili kanë parë të përsëdytet, si në një pasqyrë të mjegulluar, fati i kombit të tyre. Ndoshta, kjo ka ndodhur sepse Sizifi, mbreti i Korintit, ishte me prejardhje pellazge, dhe për ne shqiptarët shkenca hamendëson se jemi bij pellazgësh, banorë të parë të Greqisë, të trojeve tona, të Gadishullit Ballkanik dhe të një pjese tëë mirë të brigjeve të Mesdheut.

Të çmeritur prej ndëshkimit, rrallë kujt i shkon mendja të pyesë pse e dënuan Sizifin. Një dënin i tmerrshëm vjen pas një faji të kobshëm. Mbasi Sizifi pati ngjallur urrejtjen e Olimpit për shumë gjynahe e faje që kishte bërë, Zeusi i tërbuar i çoi Tanatosin, Perëndinë e Vdekjes, për ta vdekjesuar, por Sizifi guximtar dhe i paepur e lidhi atë. Lidhja e Vdekjes: një ëndërr e përhershme e njerëzimit, që shkenca e sotme nuk e ka arritur. Sa kohë qëndroi e lidhur Vdekja, njerëzit u barabitën me Perënditë. Si Perënditë edhe njerëzit: dashuroheshin dhe urreheshin, më së tepërmi urreheshin; punonin dhe luftonin, më së tepërmi luftonin; duheshin dhe grindeshin, më së tepërmi grindeshin; por mbi të gjitha jetonin dhe nuk vdisnin.

Megjithëse Perënditë e plotfuqishëm e çliruan vdekjen dhe e ndëshkuan Sizifin, njerëz dhe popuj mbijetuan. Edhe shqiptarët mbijetuan. Dënimi i Sizifit qe tepër i rëndë, sa rëndësia e veprës së tij prometeane në dobi të njerëzimit. Ngritja dhe ringritja pa pushim tej kufijve të kohëve e një shkëmbi të rëndë. Nga maja e kodrës në rrëzë të saj, nga rrëza e kodrës, rishtas në majë. Një punë e pafund, gjithnjë e pakryer dhe pa kurrfarë rezultati, një punë e padobishme. “Perënditë kishin gjykuar me të drejtë se nuk ka ndëshkim më të tmerrshëm se puna e padobishme dhe e pashpresë”, ka thënë Alber Kamy.

*          *          *

Në ç’kushte dhe pse mendësia mitologjike e ka krijuar Mitin e Sizifit, a mos e ka parandjerë ajo ndërgjegjja pellazge fatin e stërnipërve? A mos e ka parandjerë ajo që Shqipëria – mbetja e fundit gjeografike e pellazgëve – do të dënohej të jetojë e copëtuar, sepse ajo “e lidhi Vdekjen”, mbijetoi duke kapërcyer të gjitha kohët? Dhe për këtë, ajo do të bartë e ribartë shkëmbin e çështjes së saj të pazgjidhur, shkëmbin e gjendjes së saj të copëtuar?

Shqipëria disa herë e ka ngritur shkëmbin e saj në majë të kodrës, por ai është rrokullisur përsëri. Dhe vazhdon të rrokulliset edhe sot e kësaj dite. Ajo e ka ngritur atë në kohën e Lidhjes së Prizrenit, kur për afro një viti e gjysmë Qeveria e Përdorme e saj sundoi mbi katër vilajetet shqiptare; ajo e ka ngritur gjithashtu më 28 Nëntor 1912, kur delegatët nga të gjitha trevat shqiptare e shpallën atë të lirë e të mosvarme, por shkëmbi është rrëzuar dhe rrëzuar. Si më 1878 në Berlin, si më 1913 në Londër, si më 1920 në Paris, si më 1944 në Tiranë e Prishtinë. Dhe Shqipëria ka mbetur po ajo, në udhëtimin e saj të përjetshëm me shkëmbin e çështjes së saj mbi shpatulla.

A nuk u rrukullis para syve tanë edhe më 1997, kur me dorën tonë vramë vetën, demokracinë dhe kombin?

*          *          *

Megjithkëtë, është një moment në kohë, një pikë në hapësirë, ku fatet e Sizifit e të Shqipërisë skajohen nga njëri-tjetri. Dhe ky moment, kjo pikë qëndron në kufirin e shpresës. Sizifi e bart dhe e ribart shkëmbin pa pasur asnjë shpresë se një ditë ai do të qëndrojë në majë të kodrës. Ndërsa Shqipëria e ka bartur e ribartur atë gjithnjë me shpresë. Dhe shpresa është një nga vlerat më të mëdha të njeriut. Eshtë fija që e mban atë të lidhur me jetën. Në çdo situatë, në çdo fatkeqësi, në çdo udhëkryq.

Shqipëria shpreson dhe ka të drejtë të shpresojë, ndoshta sepse atë nuk e ka dënuar Olimpi, por e dënoi bota; e dënuan ato që populli si me mospërfillje i quan Fuqitë e Mëdha. Dhe Fuqitë e Mëdha, sado të fuqishme të jenë a sado të mëdha të jenë, ato nuk kanë forcën e madhërinë e Pushtetit Olimpik. Ato nuk mund të nëpërkëmbin gjithmonë popujt, aq më tepër popullin tonë, i cili si popujt e tjerë të stërlashtë, i ka kthyer mitet në histori dhe kështu është bërë i pavdekshëm. Sado që pavdekësi e dhimbshme e një trupi të copëtuar.

Filed Under: Politike Tagged With: Anton Cefa, dhe fati i saj i rrokullisur, shqiperia, Sizifi

Krizë

April 10, 2017 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Për momentin mund të thuhet pa frikë se Shqipëria është në një krizë të mirëfilltë politike. Për rrjedhojë do kemi dhe një të tillë institucionale. Kësisoj shumë shpejt do të kemi dhe një opozitë tjetër. Kjo është ajo mes socialistëve të vjetër dhe socialistëve të rinj. Ose Lësëistave të kohës. Dhe socialistëve nevrik me realitetin, si ata të Libras së Blushit.

Një krizë politike që vjen nga shkolla e Sorosit, që përfaqësohet nga çifti Rama Basha. Me përballje nga klasa tradicionale, Berisha e Meta. Shto pastaj pashallarët e partive të vogla që asnjëherë nuk e mësuan se çfarë bëhet me votata e tyre. Sa e padrejtë është ekzistenca e tyre. Një krizë që, ku gjithçka mund të kalkulohet. Ku gjithçka po kalkulohet, veç interesat e vendit, jo. Një krizë ku gjithçka mund të ndodhi. Ku kushdo mund të vritet. Po vetëm krizëbërësit jo. Një krizë ku njëra palë ka hallin si t’ia hedhi tjetrës. Dhe tjetra ndihet krejt e trembur të marri në dorë fatet e vendit.
Dhe akoma më keq, kur ky që qeveris, pa qënë i zoti të menaxhojë një krizë politike. E konsideron pushtetin si pronë të tijën. U flet shqiptarëve për vetingun, duke treguar ata përballë si hajdutët më të mëdhenj të të gjitha kohërave në Shqipëri. U ofron një preteks se ata nuk duan reforma për faktin se kanë vjedhur. Kurse ky vet nuk ka vjedhur fare. Madje as nuk pranon kababizimin e vendit. Dhe as nuk I shkon në mëndje se, pjesë e vetingut, në radhë a në listë është edhe ai. Po atij nuk i shkon kjo në mëndje.
Thotë se ata nuk e duan Shqipërinë në europë. Dhe harron që na bëri telendi përpara europianëve në vitin 2010, në Strasburg tek Krokodili. Duke u thënë atyre se në vendin tim njerëzit nuk e honepsin dhe nuk kanë më besim tek politika. Ndërkohë që harron se, një nga ata që nuk e duan njerëzit, që nuk e honepsin dot, është edhe ai.
Por këtij nuk i shkojnë në mendje këto. Nuk i shkojnë. Dhe a e dini përse? Sepse e konsideron pushtetin pronë të vetën. Dhe se ka planifikuar të qëndrojë aty. Në studio e televizionit ertv. Me marrinat e tia mbi muret institucionale dhe historinë e një shteti. Përjetësisht, si etërit e tij.
Ndërkohë…, Intelektuale nuk ka. Por edhe ata që janë…, janë rrshtuar. Por edhe nëse ka? Fjala e intelektualëve nuk vlen. E para se intelektualët e partizuar me shumicë, kanë armë. Kurse intelektualët e lirë dhe me bindje, të themi, sa majtas a djathtas, kanë vetëm fjalën. Po fjala nuk vret. Dhe ne shqipëtarët priremi të duam armët e vërteta. Pavarsisht se themi që fjala vret. Ne na vret sa për tu zemëruar me njëri-tjetrin. Sa për tu nxehur. Prandaj jemi në krizë. Në krizë totale…

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, Shqipëria në Krizë

Opposition decides not to register for the elections and for a huge protest in Kavaja on May 7

April 10, 2017 by dgreca

The Democratic Party and its allies have had a meeting today, where they decided not to register in the Central Electoral Commission for the general elections, scheduled in 18 June 2017. The opposition coalition is determined in its decision as long as their demand for a caretaker cabinet has a positive response.

Sources from the opposition coalition told Syri.net that the meeting has also decided for another national protest, like that of February 18, this time in Kavaja, on May 7.

The tent of the opposition will continue to stay in the boulevard despite the protest in Kavaja.

May 7 is the day of partial local elections in Kavaja, where people will vote to replace dismissed Mayor Elvis Rroshi. The opposition has boycotted the elections.

Filed Under: Komente Tagged With: not to register, Opposition decides

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT