• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2017

Për tre muaj, mbi 2 milionë euro të falsifikuara në Kosovë

April 5, 2017 by dgreca

Vetëm gjatë tre muajve të parë të këtij viti, Policia e Kosovës ka konfiskuar mbi 2 milionë euro para të falsifikuara, bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë zyrtarë të policisë.

Gjatë këtyre tre muajve policia thotë të ketë trajtuar 243 raste të falsifikimit të parave në vlerë prej 2 milionë e 140 mijë eurove dhe ka arrestuar 18 persona të cilët kanë qenë të involvuar në veprime të tilla të kundërligjshme.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha ka thënë për Radion Evropa e Lirë se rastet e tilla të parave të falsifikuara raportohen nga qytetarët dhe nga autoritetet e ndryshme bankare.

“Policia e Kosovës ka realizuar një numër të aktiviteteve policore kundër veprave penale që, sipas Kodit Penal, cilësohen ‘Falsifikim i parasë’, dhe mund të konkludojmë se si rezultat i këtyre përpjekjeve operacionale janë arrestuar persona të dyshuar, janë konfiskuar dëshmi relevante duke përfshirë edhe para të falsifikuara”.

“Referuar statistikave gjatë periudhës janar – mars të këtij viti, në luftimin e kësaj dukurie që ka ndikim edhe në mirëqenien e qytetarëve të Kosovës polica ka të raportuar 243 raste derisa vlera e parave të falsifikuara kap shifrën e 2 milionë e 140 mijë euro, derisa janë arrestuar 18 persona”, bënë të ditur Hoxha.

Kartëmonedha më e falsifikuar në tregun e Kosovës, sipas policisë, është bankënota prej 50 euro.

Në anën tjetër, zyrtarë të bankës Qendrore të Kosovës në një përgjigje të dërguar përmes postës elektronike kanë prezantuar të dhënat në lidhje me paratë e falsifikuara të cilët ata i marrin nga Laboratori i Forenzikës së Kosovës.

“Sa i përket kartëmonedhave euro të falsifikuara dhe që janë konfiskuar në nivel të Kosovës gjatë vitit 2016-të , të ndara sipas denominimeve janë si në vijim: gjithsej në total janë konfiskuar 824 copë kartëmonedha të falsifikuara dhe 123 copë monedha të falsifikuara”, thuhet në përgjigjen e Bankës Qendrore të Kosovës.

Vënia e parave të falsifikuara në qarkullim ka efekte negative në ekonominë e vendit thonë ekspertë dhe përfaqësues të shoqatave të bankave në Kosovë.

Drejtori ekzekutiv në Shoqatën e Bankave të Kosovës, Petrit Balija, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se kohëve të fundit kanë vërejtur se ka një rritje të qarkullimit të parave të falsifikuara në ekonomin e vendit.

Duke pasur parasysh këtë, shton Balija, janë duke ushtruar vigjilencë në këtë drejtim duke identifikuar bankënotat e falsifikuara që tentojnë të deponohen në banka dhe më pas të veprojnë sipas ligjeve në fuqi.

“Kjo shkakton probleme qoftë për bizneset dhe qytetarët që deponojnë apo i përdorin këto para, pasi që merren në pyetje dhe iu kërkohet përgjegjësi për prejardhjen e këtyre parave. Përveç kësaj, kjo ndihmon në financimin e ekonomisë së zezë ose edhe më keq veprimtaritë kriminale dhe financimit të terrorizmit, prandaj është një humbje e madhe për shtetin nëse nuk konfiskohen apo nuk evitohen me kohë këto situata”.

Mejdi Bektashi, profesor i lëndës Analiza Ekonomike e së Drejtës, në Fakultetin Juridik, thekson se vlera e lartë e parave të falsifikuara të cilat mund të jenë të pranishëm në tregun e Kosovës kanë efekte negative.

“Është një fenomen jo vetëm në Kosovë, por në gjithë botën. Banka Qendrore Evropiane viteve të fundit ka marrë masa shtesë të sigurisë duke i zëvendësuar eurot vlera të ndryshme me bankënota shtesë të sigurisë. Edhe në Kosovë ka raste të shumta si të euros ashtu edhe falsifikimit të dollarëve apo valutave tjera që mund të kenë efekte negative në mirëbesimin e qytetarëve ndaj valutave të caktuara”, thekson Bektashi.

Përveç eurove të falsifikuara, në vitin 2012 Policia e Kosovës pati konfiskuar rreth 1 milion dollarë të falsifikuara.

Në janar të vitit 2012, Kosova kishte konvertuar valutën nga valuta gjermane marka në valutën euro.

Në atë kohë Banka Qendrore e Kosovës në bashkëpunim me Policinë bënë angazhime të veçanta në fushën e edukimit dhe luftimit të parave falso, si dhe themeluan Komitetin kombëtar për luftimin e parave falso. (Luljeta Krasniqi Veseli REL)

Filed Under: Ekonomi Tagged With: 2 milion Euro, 3 muaj, fallsifikim, Kosove

Departamenti Amerikan i Shtetit dhuroi pajisje për Policinë Kufitare Shqiptare

April 5, 2017 by dgreca

Nga Shefqet Kërcelli/2 shefqetMë datën 4 prill 2017, në ambientet e Drejtorisë së Kufirit u zhvillua ceremonia e dhurimit të tetë automjeteve, mjeteve e pajisjeve për Policinë tonë Kufitare. Këto mjete janë të përshtatëshme për të operuar në cdo lloj terreni të vendit tonë dhe do shërbejnë për monitorimin dhe forcimin e kontrollit të kufijve tokësorë. Ndihmat e ardhura këto ditë për Policinë tonë Kufitare janë pjesë e programit për Kontrollin e Eksportit dhe Sigurinë e Kufijve {EXPS}. Theksojmë se krahas programeve e projekteve të shumta të bashkëpunimit në të gjithë fushat të shtetin shqiptar me Departamentin e Shtetit të SHBA, nga viti 2003, ka filluar zbatimi i një programi të vecantë bashkëpunimi, i emërtuar shkurt EXBS, kryesisht Ministrinë e Brendshme, si rezultat i të cilit janë trajnuar qindra kuadro e specialistë të Policisë Kufitare, Doganës, Antikontrabandës, Policisë së porteve, aeroporteve, etj. Gjithashtu në vijimësi janë dhuruar paisje, aparatura, mjete për shtimin e kapaciteteve operacionale, sigurisë dhe monitorimin e kufijve tanë. Nga momenti i fillimit të këtij projekti deri tani, strukturat tona të kontrollit të kufijve, kanë përfituar 3.5 milionë $ ndihma. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, morën pjesë, Zv.Ambasadori i SHBA në vendin tonë, zoti David Muniz dhe specialistë amerikanë të EXBS, drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, specialistë të Policisë Kufitare, etj. Duke treguar mjetet e pajisjet e dhuruara nga EXBS, të cilat do të përdoren në pikat tona kufitare për të parandaluar trafikimin ilegal, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Kufitare dhe Migracionit, Genc Merepeza, falenderoi njëkohësisht Ambasadën dhe shtetin amerikan për ndihmën e dhënë gjatë këtyre viteve, Policisë sonë Kufitare në shtimin e kapaciteteve të saj për monitorimin e kufijve. Në fund të këtij aktiviteti, Drejtori i Përgjithshem i Policisë së Shtetit, Haki Çako, në shenjë mirënjohjeje i dhuron Zv. Ambasadorit David Muniz, stemën e Policisë së Shtetit Shqiptar.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Departamenti i shtetit, Ndihma, Policia kufitare, Shefqet Kercelli, shqiptare

DEGA E VATRES NE MICHIGAN ZHVILLOI KUVENDIN

April 5, 2017 by dgreca

*Kryetari i ri u zgjodh, Z. Mondi Rakaj,  Nenkryetar  Z. Julian Cefa,  sekretar  Z. Ilir Myftiu,anetare te bordit: Nevruz Nazarko ,Kujtim Qafa,  Luvigj Sterbyqi dhe Valentin Lumaj./

1 Dega michigan

*Kuvendi zgjodhi edhe shtate delegate per ne Kuvendin e Vatres/

  • Z. Alfons GRISHAJ njezeri u zgjodh kryetar nderi i deges se Vatres/

NGA VALENTIN LUMAJ/

Ne prag te Kuvendit te Federates Panshqiptare te Amerikes VATRA, qe do te organizohet me 10 qershor 2017, ne shtetin e Michiganit, me 2 prill, zhvilloi punimet Kuvendi i degesse Vatres.

 

Me date 2-04-2017, ne nje nga lokalet e njohura te qytetit Sterling Heights, Michigan, zhvilloi punimet Kuvendi vjetor i Federates Vatra, Dega Michigan. Kjo Konference perveç se nje rutine e pervitshme kalendarike, kete rradhe u mbajt me 2 Prill, date, e cila perkujton revolten popullore dhe masakren e shtetit diktatorial ne ikje, kundrejt popullit te Shkodres. Ne kete proteste mbeten te vrare pabesisht kater te rinj shkodrane te shpallur “Heronj te Demokracise” pas vdekjes.

Punimet e kesaj Konference u hapen nga Kryetari ne detyre i deges Vatres Michigan Z. Alfons Grishaj. Ai, edhe me cilesine e Kryetarit te “Unionit Antikomunist Shqiptar”, kërkoi fillimisht që në shenjë respekti të mbahej një minute heshtje për viktimat e 2 Prillit 1991.

Pastaj Z. Grishaj ju transmetoi te pranishmeve, pershendetjet dhe urimet e perzemerta per Konferencen nga Kryetari i qendres se Vatres ne New York, Z. Gjon Buçaj dhe stafit te tij, veçanerisht Zv/Kryetarët Bushati dhe Rexha , editorit te Diellit Z.Dalip Greca dhe Z. Dritan Mishto, antar i Kryesise. Ai vleresoi rolin dhe kontributin e Dr. Buçaj, si nje njeri i devotshem e patriot, me kulture dhe horizont te gjere, qe se bashku me familjen e tij, ka dhene shume per Vatren. Ai theksoi se Vatra nen drejtimin Dr. Gjon Buçaj, ka arritur ne ato nivele qe vete Noli dhe Konica do te deshironin qe ajo te ishte. Me tej z, Grishaj, shtoi se mardhenjet me Degët e Vatres ne Amerike dhe Kanada kane qene te shkeqyera, duke permendur Z. Kolec Ndoja ( West Palm FL), Merita Bajraktari (Washington DC), Adriatik Spahiu (Jacksonville FL), Tony Kastrati (Toronto) etj…

Me pas Z. Grishaj, theksoi mungesen per arsye shendetsore te Z. Kujtim Qafa dhe i uroi atij sherim te shpejte. Zotin Qafa, komuniteti shqiptar ne Detroit, e njeh si nje njeri te ndershem e kurajoz, nje mik i mire e i dashur me te gjithe, por edhe kritik qe di ta thote te verteten ballas. Ai eshte bir i nje familje te nderuar te Fush-Arrezit, tradicionalisht antikomuniste, dhe me nje aktivitet shoqeror te hershem ne diaspore.

Z Grishaj, pasi falenderoi te pranishmit per pjesmarrjen, u fokusua ne punen e suksesshme e Vatres ne vitet e fundit. Ai theksoi se anetaresia ne Vater ka njohur vetem rritje, dhe perberja e larmishme e anetaresise se saj nga itelektuale, biznesmene, shkrimtare, kengetare e njerez te thjeshte, shfaq me se miri edhe karakterin e saj gjithperfshires, duke i kaluar kufijte lokale e krahinore, me nje shtrirje perfaqesimi pa kufij te shqiptareve ne diasores ne MI.
 Ai uroi edhe anetaret e rinj te sapo pranuar ne Vater. Po ashtu ai përgëzoi punën e madhe dhe përfaqësimin dinjitoz ne komunitet te Kryesise se Vatres, dhe i ftoi te gjithe qe t’a forcojnë edhe më shumë Federatën dhe caktoi si detyre qe secili anetar i Kryesise, qe te zgjeroje kontaktet me rrethet shoqerore qe te thithin dhe afrojne per anetaresim sa me shume individe me potenciale dhe enregji pozitive, pa dallim feje, krahine apo edhe ideje hershme, per sa kohe qe idete e tyre aktuale perputhen me vlerat e lirise dhe demokracise si dhe ata te plotesojne kriteret e anetaresimit ne Vater.

Ne vazhdim, Z. Grishaj falenderoi dhe vleresoi edhe kundershtite brenda dhe jashte Vatres. Ai theksoi se mendimet ndryshe dhe kritikat e kane ndihmuar Vatren duke i dhene asaj nje dimension te ri dhe shtoi se te gjithe pa perjashtim e me zemer “e duam Shqiperine, por ne secili ne menyra te ndryshme”. Rendesi ka qe ne Vater te mos egzistoje koncepti i “unit”, por te zhvillohen idete e debatet, te merren ne konsiderate mendimet e gjithsecilit, dhe ne fund te prevaloje e mira kundrejt smires, vlera dhe jo antivlera.

Ne perfundim te fjales se tij Z. Alfons Grishaj paraqiti para Kryesise doreheqjen nga posti i Kryetarit te Vatres, dega Michigan, per shkak te perkushtimeve te tij familjare the letrare. Po ashtu ai theksoi se me kete doreheqje te vullnetshme, ai synon qe t’i hape rruge elementeve te rinj, figurave te reja, me qellim qe elitat te qarkullohen, dhe Vatra te vazhdoje rrugen e saj drejt suksesit ne sherbim te komunitetit dhe çeshtjeve shqiptare. Mbas fjales se tij shumica e te pranishmeve shfaqen rezerva dhe shprehen keqardhjen per doreheqjen e Z.Alfons Grishaj, si nje njeri me aftesi te jashtezakonshme drejtuese, dhe i kerkuan atij qe te qendroje afer dhe te keshilloje Kryesine sipas nevojes. Ne fund te debateve, anetaresia e pranoi doreheqjen e tij.

Mbledhja vazhdoi ne forme debati dhe diskutimesh.

Z. Sotir Laço, nder te tjera tha se ndihet i lumtur qe eshte anetar i Vares dhe qe merr pjese ne kete Konference, dhe premtoi se edhe ai ne gjurmet e te atit, si je aktivist i hershem i Vatres, do t’i ndjeke aktivitetet dhe zhvillimet ne vazhdim.

Z. Julian Çefa, si nje anetaret me te vjeter te Vatres, me rreth 40 vite te vazhdueshme anetaresi, theksoi se vitet e fundit, ne Vater ka patur nje ringjadhje dhe gjalleri te vertete, dhe i uroi suksese Konferences.

Z. Valentin Lumaj, pjesemarres aktiv ne demostraten e 2 Prillit 1991, po ashtu ish-kryetar i Unionit Studentor ne Univeritetin “Luigj Gurakuqi” ne Shkoder ne vitet 1997-99, tha se 2 Prilli eshte një ngjarje që nuk ka kaluar dhe nuk do të kalojë asnjëherë në heshtje, dhe se meriton me shume respekt mbasi perkujton diten ne te cilen ne hirin e germadhave e Komiteit te Partise te perzier me gjakun e paster te djelmnise Shkodrane, leshuan jete filizat e pare te demokracise shqiptare.

Z.Lumaj tha se Vatra eshte themeluar dhe rritur nga mendje te ndritura te kombit, prandaj çdo vatran duhet te qendroje ne nivelin e pergjegjesise dhe integritetit, dhe theksoi se ne vazhdimesi ne Vater duhet te mbizoteroje fryma e mirekuptimit, paqes, respektit reciprok dhe faljes.

Z. Gjon Kaçaj, ish Kryetar i Shoqates se Perndjekurve politike ne rrethin e Malesise se Madhe, shkrimtar dhe botues i disa librave, i aferm i tenorit me fame boterore Luke Kaçaj dhe poetit Dode Kaçaj, kerkoi qe, per shkak se ai vjen nga nje prej Shtepive me te persekutuara nga sistemi komunist, Vatra te mbaje jashte dhe te mos lejoje depertimin e personave qe e i kane sherbyer sistemit komunist, qe kane paditur apo deshmuar padrejtesisht ne gjykatat shqiptare gjate diktatures.

Z. Mondi Rakaj, nenkryetari ne detyre i deges se Vatres, biznesmen the aktivist i vazhdueshem, ne fillim te fjales se tij, lexoi nje leter falenderimi qe Kryetari i Vatres dega Florida, Z. Kolec Ndoja “Pishtar i Demokracise” i dergoi Konferences, ne pamundesi per te marre pjese. Pastaj Z. Rakaj lexoi listen e plote te anetaresise se

deges MI. Ne vazhdim ai theksoi nevojen e takimeve me te shpeshta te Kryesise, si dhe angazhimin e burimeve intelektuale dhe monetare, ne sherbim te gjallerimit te aktiviteteve me karakter letrar dhe shoqeror ne komunitet.

Z. Luigj Sterbyqi, biznesmen, patriot dhe aktivist i Vatres, tha se çdo anetar duhet te paguaj kuoten e antaresise siç e parashikon Kanunorja e Vatres. Ai nenvizoi se Vatra eshte nje organizate jo fitim- prurese, prandaj eshte e nevojshme te shtohen kontributet e antaresise, ne menyre qe te rritet fondi i Vatres dhe mundesisht te investohet per ndonje projekt ne Vendlindje. Ai theksoi se Dukagjini i ka dhene shume figura te shquara kombit, dhe si bir i kesaj treve, do te vazhdoje te mbeshtese Vatren ne aktivitetet e saj.

Z. Gjeto Ivezaj, studjues, biznesmen, patriot dhe anetar i hershem i Vatres, theksoi se te gjitha deget e Vatres ne pergjithesi dhe Vatra ne qender ne veçanti duhet ti shtojne perpjekjet qe i sherbejne çeshtjeve shqiptare etnike ne Mal te Zi, Kosove e Maqedoni. Bashkimi kombetar, – theksoi ai, duhet te jete alfa dhe omega e çdo aktiviteti te vogel apo te madh ne diaspore; sikurse Vatra dhe diaspora shpetuan Shqiperine nga zhdukja si komb, po ashtu Vatra dhe diaspora do te realizojne qellimin e tyre final Bashkimin Kombetar te shqiptareve.

Po ashtu diskutuan, patrioti i ghithkund-ndodhur ne aktivitete shoqerore Z. Vasel Ujkaj, biznesmeni Z. Sokol Kalaj dhe poeti Z. Pal Rakaj.

Me pas Konferenca i vazhdoi punimet me zgjedhjet e reja.

Mbas votimit, me shumice votash u zgjodh Kryesia e re, si me poshte vijon:

Kryetari i ri u zgjodh, Z. Mondi Rakaj. Nenkryetar u zgjodh Z. Julian Cefa Sekretar u zgjodh Z. Ilir Myftiu Nevruz Nazarko Anetar

Kujtim Qafa Anetar,

Luvigj Sterbyqi anetar,

Valentin Lumaj anetar .

Me propozim te Z. Mondi Rakaj, Konferenca zgjodhi Z. Alfons Grishaj Kryetar Nderi te Vatres MI.

Gjithashtu, ne baze te antareve te Deges se Vatres Michigan, u zgjodhen shtate delegatet per ne Kuvendin e ardhshem.

Vlen te theksohet se ne votim konfirmuan voten e tyre nepermjet pjesmarrjes virtuale me telefon anetare te tjere te deges se Vatres

Z. Alfons Grishaj propozoi, qe me rastin e 105 Vjetorit te Vatres, duhet te dekorohen disa figura qe kane milituar ne vite per Vatren dhe çeshtjen Kombetare. Ai sqaroi se, ne menyre qe te mos kete hater-mbetje, keto dekorime qe propozohen, behen si mirenjohje per kontributet angazhuese te tyre dhe jo si favore.

Me pas Vatra procedoi punimet me zgjedhjen e Keshillit te te Urteve, sa me poshte vijon:

Everest Haxhi, Gjeto Ivezaj, Gani Vila , Menyr Nazifi, Luan Kuçi, Vasel Ujka , Sotir Laço, Nikoll Hysa, Gjon Kaçaj, Mehdi Karamuça , Gjovalin Gjelaj , Mark Sallaku.

Keshilli i te Urteve duhet te bashkepunoje ngusht me Kryesine per te zgjidhur problemet e deges se Vatres. Ata kane peshen e ndergjegjshme dhe pjekurine per vendim-marrje.

Vendimet e marra ne kete Konference u protokolluan ashtu siç e kerkon rregulli i Kanunores.

Pas kesaj, Konferenca e deges se Vatres Michigan, i mbylli punimet dhe mes urimesh dhe pergezimesh u shtrua nje darke falenderimi me ushqime dhe pije tradicionale.

Filed Under: Featured Tagged With: Dega e Vatres Michigan, Kuvendi, Mondi Rakaj, Valentin Lumaj

PAKTI PER ZGJIDHJEN E KRIZES I PROPOZUAR NGA PDIU

April 4, 2017 by dgreca

NGA SHPETIM IDRIZI/

Në këtë moment të vështirë politik, duke parë që situata vazhdon të jetë në një ngërç prej më shumë se një muaji, si edhe duke parë pozicionimin e palëve larg njëri-tjetrit;

Duke vlerësuar pozicionin e Kryeministrit dhe Kryetarit të Partisë Socialiste, z.Edi Rama, në pozitat e fituesit legjitim të zgjedhjeve të 23 qershorit 2013;

Duke vlerësuar pozicionin e Kryetarit të Parlamentit dhe Kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta, si parti përbërëse e koalicionit qeveritar;

Duke vlerësuar pozicionin e Kryetarit të Partisë Demokratike, z.Lulzim Basha dhe kërkesën legjitime për nevojën e garancive të jashtëzakonshme për zgjedhjet e ardhshme të 18 qershorit;

Si Kryetar i PDIU-së dhe me përgjegjshmërinë që më buron propozoj, një Pakt Kombëtar, i cili do të përfshijë zgjidhjen e çështjeve konkrete për përparimin e vendit në integrimin Europian, realizimin e reformës në drejtësi dhe rritjen e garancive për zgjedhje të lira, një draft ky rreth të cilit mund të debatojmë dhe mund ta pasurojmë bashkërisht:

  1. Kthimin e Opozitës në Parlament për miratimin e akteve ligjore, që do i hapnin rrugën zbatimit të reformës në drejtësi, përparimit të vendit në integrimin evropian dhe realizimin e disa ndryshimeve në kuadër të legjislacionit zgjedhor dhe masave të tjera, për të siguruar atomsferë të qetë dhe të besueshme, për zgjedhjet e 18 qershorit.
  1. Garantimin e rolit të paanshëm në zgjedhje të Policisë së Shtetit.
  1. Ndryshimin e sistemit zgjedhor në sistem proporcional me një zonë zgjedhore, për krijimin e mundësive reale për të garuar forcat politike jashtë koalicioneve.
  1. Depolitizimin e anëtarëve të KZAZ-ve, KQV-ve dhe GNV-ve, ose rritjen e numrit të anëtarëve në komisionet e numërimit, me përfaqësues të partive parlamentare.
  1. Krijimin e një grupi të posaçëm me urdhër administrativ të Prokurorit të Përgjithshëm, krijimin e një “task force” prokurorësh të atashuar pranë KQZ-së, e cila ka për detyrë të hetojë në mënyrë urgjente të gjitha sinjalizimet për blerje vote, kërcënim, intimidim, etj. Gjithashtu edhe dërgimin e çështjeve të lidhura me cënimin e procesit zgjedhor brenda 24 orësh në gjykatë, duke ashpërsuar masat për “krimin elektoral”.
  1. Ngarkimin e një strukture inxhinierike konsensuale që do të përgatisë në mënyrë urgjente një projekt teknik, për variantet e mundshme të realizimit të numërimit elektronik, apo edhe vlersimin e mundësive të realizimit të votimit elektronik, nëse ai konsiderohet i sigurtë dhe i mundshëm në kohë, në një procedurë të miratuar në mënyrë konsensuale nga të  gjitha partitë parlamentare.
  1. Thirrjen e tryezës së partive politike parlamentare për fillimin e dialogut, me qëllim miratimin e një kandidature konsensuale si President të Republikës së Shqipërisë.

Për arritjen e kësaj zgjidhje do të kërkoja dhe mirëprisja bashkpunimin e përfaqësive dipolmatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Europian, OSBE-së, dhe vendeve të tjera anëtare të BE-së.

Kërkoj dhe mirëpres gjithashtu mbështetjen dhe kontributin e të gjitha partive parlamentare pjesë të mazhorancës, opozitës apo edhe ato që nuk bëjnë pjesë në grupimet politike të mazhorancës dhe opozitës.

Filed Under: Politike Tagged With: I PROPOZUAR, NGA PDIU, PAKTI, PER ZGJIDHJEN E KRIZES, Shpetim Idrizi

Republika private

April 4, 2017 by dgreca

Shkruan: PhD, Ledian Droboniku/

Titulli nuk është provokativ, por pasqyrim i asaj çfarë po ndodh në debatin publik shqiptar. Arsyetimi me anë të paradokseve është i imponuar nga rendi simbolik artificial, mbi të cilin ngrihet kasta e tranzicionit. Ky rend simbolik është ngritur mbi përmbysjen e koncepteve autentike dhe ka për qëllim paralizën e të të menduarit. Qytetarët që mendojnë me kokën e tyre, përbëjnë problem për çdo regjim.

Padronët e Republikës dhe medias,  bëhen edhe padronë të kuptimit të fjalëve. Ata e dinë që fjalët janë gurë. Fjalët janë armë. Pa ato, nuk ka qytetarë por skllevër vullnetarë. Prandaj, beteja në radhë të parë është semantike, duke iu rikthyer fjalëve kuptimin luftarak që mobilizon energji për ndryshim.

Kasta është e alarmuar për pakënaqësinë sociale. Ajo nuk mund ta fshehë dot apo ta ndrydhë atë, si nën regjimin komunist. Ajo çfarë mund të bëjë dhe ka bërë këto 27 vite, është udhëheqja e  kësaj pakënaqësie në drejtime të padëmshme, duke e deformuar, relativizuar dhe neutralizuar.

Shteti, Republika, demokracia, ekonomia, media, akademia nuk janë thjesht të korruptuara, por të kapura sepse nuk i shërbejnë më publikut por një grushti njerëzish. Por kasta flet për korrupsion sikur problemi të ishte sporadik dhe jo sistemik. Në këto kushte, njerëzit induktohen të mendojnë, që zgjidhja mund të vijë edhe nga brenda sistemit, me anë të partive, me anë të votës apo vetingut magjik.

     Iluzion!

Si mund të presësh që ndryshimin do e sjellë ky 1% që mbahet pikërisht mbi privilegjet ndaj 99% të mjerë, të përçarë si skllevër vullnetarë? Ky nuk është më diskutim juridik, por faktik ngritur mbi raporte force. Kasta ka gjithçka dhe populli asgjë.

Në Republikën private, vendimet e rëndësishme  për jetët e miliona shqiptarëve nuk vendosen nga populli, madje as në institucione, por në restorantet dhe hotelet e pushtetarëve. Populli televiziv asiston nga larg sikur kjo të ishte diçka normale, si natyrore, si spektatorë të një show dhe jo sikur bëhet fjalë për jetët e tyre.

Padronët dhe shërbëtorët e tyre në media dhe katedra, kanë mbjellë tashmë idetë e mbrapshta se Republika, Shteti, Politika janë çështje të një “elite” dhe populli duhet të rrijë larg, sepse ai nuk kupton. Ai mund veç të shikojë, të brohorasë, të duartrokasë,  por jo të vendosë.

Por Kushtetuta, Republika, Shteti, politika ngrihen mbi idenë e konfigurimit dhe përkujdesjes së interesit publik. Llogjikisht dhe historikisht garanti më i mirë për publikun është vetë publiku. Prandaj dhe populli luftoi dhe fitoi demokracinë si pushtet i të gjithëve dhe askujt.

Sot ky pushtet i përket vetëm një pakice si në diktaturë por me një ndryshim, sot e quajnë “demokraci”. Politika nuk është ende ai aktivitet ku të gjithë kontribuojnë në mënyrë të barabartë në përcaktimin e fateve të komunitetit. Ajo është pronë e të privilegjuarëve që kanë akses ekonomik, financiar, mediatik apo partiak. Dhe kështu të privilegjuarit “merren me politikë” duke rritur akoma më shumë privilegjet në dëm të të mjerëve “që veç flasin për politikë”.

Njësoj si në nomenklaturë, pushtetarët emërojnë njëri tjetrin për të sunduar me rotacion. Gjithashtu rituali i votës vijon ende si në diktaturë, por ajo prap nuk shërben për të ndryshuar gjërat. Populli kërkon një gjë dhe kasta bën të kundërtën e asaj që premton. Si mund të ketë kontratë sociale, nëse vullneti deformohet, besimi vidhet dhe përgjegjësit nuk ndëshkohen. Një kontratë e tillë nuk krijon dot as paqe sociale dhe as begati të përgjithshme, por shpërdorim të energjive dhe degradim të vlerave.

Çfarë duhet të bëjmë atëherë? Duhet të braktisim fjalën demokraci, apo të luftojmë për realizimin e vërtetë të saj?

Demokracia – thotë Dewey – është edukim, është emancipim i vazhdueshëm, ajo nuk ndodh vetvetiu në gjendje instiktive. Pra duhet një kulturë demokratike. Dembelizmi mendor dhe kultura baritore, na bëjnë të mendojmë në formë piramidale, tek ardhja e një bariu të mirë që do të na shpëtojë. Dhe kështu të gjithë kërkojnë “bariun e mirë”, pa kuptuar se shpëtimi i vërtetë, është të heqim dorë nga të qenurit dele dhe dele-gimi i pushtetit. Kjo do të thotë trasferim i pushtetit të vërtetë nga partitë dhe lobet drejt atij 99%shi  të vjedhur, të mashtruar e të poshtëruar.

Pushteti nuk është abstrakt, ai ushtrohet me anë të institucioneve. Prandaj dhe betejat nuk duhen bërë për emra dhe sigla por për marrjen e institucioneve. Sa më shumë institucione formohen dhe kontrollohen direkt nga populli aq më shumë forcohet pushteti i tij dhe aq më shumë gërryhet pushteti i oligarkëve, partive, lobeve dhe ambasadorëve.

Republika për të qenë vërtet besnike e kuptimit të saj (e mirë publike) duhet të jetë demokratike, pra të ngrihet dhe kontrollohet nga demosi, nga populli. Ajo çfarë kemi sot është një Republikë private, ku interesi publik zëvendësohet me interesin  e një grupi pranë pushtetit, ku nuk ekziston ndarje e pushtetit dhe llogaridhënia por përqendrimi i të gjitha tagrave në një dorë të vetme, ku hyrja nuk është e lirë për të gjithë bashkëkomunitarët, por për besnikët e oborrit që sjellin dhurata.

Për çfarë duhet një Republikë e tillë, që prodhon privilegje për 1% dhe skamje për 99%?

Kasta e tranzicionit na trampoloi pas në kohën e feudalizmit, jo vetëm politikisht dhe ekonomikisht por dhe në degradimin e kulturës, edukimit dhe arsimit. Injoranca dhe përçarja e të mjerëve nuk është pasojë, por kusht për përjetësimin e këtij regjimi barbar.

Sigurisht kjo ndërtesë duhet rrëzuar nëse duam emancipimin e shqiptarëve dhe ngritjen e kombit. Ajo duhet shkulur nga rrënjët. Mbi themelet e saj nuk mund të ndërtojmë dot asgjë të re dhe afatgjatë.

Por nëse është e lehtë të kuptosh nevojën për rënien e saj, këtë gjë nuk mund ta themi dot sesi duhet ndërtuar Republika e Re. Shkatërrimi kryhet dhe nga turrmat histerike, kurse ndërtimi i një Republike Demokratike, bëhet vetëm nga populli i bashkuar rreth një projekti racional. Por ky popull nuk lejohet që të formohet, ai përçahet dhe ndërsehet kundër njëri tjetrit pas flamurëve të çifligarëve.

Pa komponentin popull, nuk mund të kemi dot një projekt autentik. Në mungesë të një projekti të tillë, do serviret një fallso nga kasta dhe qarku i saj mediatik.

Këtij Jo-Projekti, i ngjan propozimi i opozitës për Republikë të re psh. Nga një anë pranohet një përqasje olistike por jo sistemike. Pra pranohet që problemi zgjidhet në mënyrë të përgjithshme, por nuk pranohet që të ndryshohet sistemi. Duhet përsëri që vendimet ti marrë partia me miqtë dhe besnikët e saj, që për më shumë janë po të njëjtët.

Ndryshimi i Republikës minimalisht do të thotë zëvendësim i gjithë klasës politike si ndodhi me Republikën e dytë italiane, falë ndërhyrjes së magjistraturës. Por as kjo nuk do mjaftonte pa ndryshim të qendrave të pushtetit, pa përforcim të mekanizmave garantues dhe demokratizim të institucioneve. Korrupsioni kapilar që kishte shoqëruar mrekullinë ekonomike italiane, jo vetëm që nuk do zhdukej me ardhjen e Berluskonit dhe partive të reja, por do të trasformohej në kancer kundër interesave të Republikës së re. Lobet dhe hienat ndërkombëtare do privatizonin dhe deindustralizonin ekonominë italiane, duke rritur papunësinë, ulur shërbimet publike dhe rritur borxhin publik. Pra italianët duhet të hidhnin ujin e pisët dhe të mbanin fëmijën (fitoret ekonomike) por fatkeqësisht bënë të kundërtën, flakën fëmijët dhe mbajtën ujin e pisët. Sot në vendin fqinj, diskutohet se kush janë tradhëtarët e kombit dhe sa e rëndësishme ishte demokratizimi i vendit, rritja e fuqisë vendimmarrëse qytetare si mekanizmi i vetëm për të ruajtur imunitetin e Republikës ndaj vemjeve të jashtme dhe të brendshme. Modelet elitiste priren gjithmonë të zëvendësojnë interesin publik me atë korporativ, pavarsisht përrallave neoliberale të konkurrencës së elitave shumpeteriane.

Model tjetër mund të ishte ai francez i formimit të Republikës së pestë, prej gjeneralit De Gaulle, në një moment të vështirë të Francës, e ndrydhur mes presionit amerikan dhe atij sovjetik. De Gaulle kuptoi që insitucionet aktuale nuk mund ta luanin dot atë rol dhe me anë të reputacionit ushtarak modifikoi asetin e Republikës, Kushtetutën politike dhe ekonomike,  me anë të një referendumi popullor. Dhe Franca rifitoi rolin e saj në arenën evropiane dhe ndërkombëtare.

Në rastin shqiptar asnjë prej këtyre faktorëve nuk është në gjendje tu japë shqiptarëve një Republikë të Re. Shqipëria nuk ka një magjistraturë me legjitimitet popullor si ishte magjistratura italiane, e cila kishte luftuar dhëmbë për dhëmbë me mafian. Magjistratura shqiptare është pjesë e kastës dhe më me pak reputacion tek shqiptarët duke tregtuar drejtësinë, njerëzve me pushtet politik, ekonomik, mediatik etj.

Nuk kemi as edhe një ushtri të aftë për të shpëtuar vendin. Kasta u kujdes të çmontonte ushtrinë, arsenalin e saj, por mbi të gjitha elitën ushtarake duke krijuar karikatura që i qahen ambasadorëve dhe vjedhin ushtarët. Ndoshta kjo ushtri për çlirimin e vendit mund të krijohet në diasporë, por fragmentizimi aktual i saj, e bën atë ende të parrezikshme për sundimin e kastës shqiptare.

Këtë rol sigurisht nuk mund ta luajnë partitë shqiptare, të reja apo ato të vjetra. Formimi dhe rritja e një partie autentike nuk do lejohet kurrë nga kasta, e cila kontrollon institucionet, financën, median dhe krimin. Në vend të tyre krijohen kërpusha të vegjël që duan veç të rriten duke i pirë gjakun këtij populli. Kjo është dhe arsyeja se përse të gjitha partitë propozojnë vetëm modele elitiste, ku populli  dele-gon pushtetin dhe ato “punojnë për të”.

Nëse do të kishim sindakata, këtë rol të ndryshimeve mund ta luanin ato në emër të miliona të papunëve dhe punëtorëve skllevër. Por sindakatat, mediat dhe shkollat do ishin të parat që do binin nën pushtetin e kastës sepse mund të shndrroheshin në qendra të përqendrimit të pakënaqësisë dhe mobilizimit të masave.

Fatkeqësisht këtë Republikë demokratike të re nuk mund ta bëjë dot as populli, sepse nuk e di dhe prandaj as nuk e dëshiron. Shqiptarëve i kanë instaluar prej dekadash në tru, mekanizmin baritor-elitist, ku skllevërit nuk duan të çlirohen por duan të bëhen padronë, ku nuk duan të vendosin vetë fatet e tyre por thjesht tua delegojnë një bariu të mirë, liderrit apo partisë së zemrës. Edukimi demokratik jo vetëm që nuk përhapet por ai anatemohet nëpër katedra apo studio televizive, dhe në fund skllevërit binden se nuk ka model tjetër.

Shqipëria është ndër vendet e rralla, që nuk u prek nga iluminizi evropian. Për pasojë nuk u përpunua idea e “qytetarit” si i vetmi entitet me të drejta origjinale mbi të cilin themelohet Republika Demokratike. Nëse të mjerët nuk e duan këtë gjë, aq më pak e duan intelektualët dhe shërbëtorët e pushtetit që gëlojnë pas tij. Në vend të qytetarit (në kuptimin iluminist dhe jo antinomisë me fshatarin) u përjetësua koncepti i “nënshtetasit” që ofron bindje. Kjo është edhe arsyeja se përse pseudo-shkencarët shqiptarë elaborojnë vetëm një lloj shteti autoritar duke vlerësuar madje dhe diktatorët si Hoxha apo Zogun. Shqiptarët e mjerë, mbyllin sytë dhe mbajnë mend vetëm një lloj shteti dhe kujtojnë se ai është i vetmi. Nga ana tjetër kasta është e lumtur që tu ofrojë atë tip shteti, duke rritur represionin, kontrollin mbi jetët e njerëzve. Nuk duhet habitur pse qeveria e ripjelljes mburret se “po bën shtet”.

Shteti dhe Republika ngrihet e fortë vetëm nëse qytetarët e saj janë të fortë, të begatë, nëse në ndërtimin e saj marrin pjesë si qytetarë të lirë dhe të barabartë. Pra një Republikë Demokratike, që formohet e kontrollohet nga vetë qytetarët dhe jo partia, lobet, korporatat apo ambasadorët.

Sigurisht këto faktorë nuk janë por mund të prodhohen në një horizont demokratik. Ata që vuajnë janë shumica dërrmuese edhe pse jo të ndërgjegjshëm për mënyrën sesi ndryshohet sistemi.

Ky ndërgjegjësim duhet nisur nga forcat prodhuese, nga 99% e biznesit prodhues shqiptar që mbijeton nën kushtet e një oligarkie politike dhe monopolesh ekonomike. Ky model neoliberal imponuar nga kasta dhe lobet, na ka kthyer në një koloni importi ku ata që përfitojnë janë vetëm 1% që përqendrojnë kapitalin gjithmonë e në më pak duar. Borgjezia e vogël duhet të kuptojë që ky model nuk arnohet por vetëm rrëzohet nëse duan të prosperojnë në kushtet e rritjes së punësimit, rrogave dhe kërkesës agregate të brendshme për shitjen e produkteve të tyre.

Ndryshe nga ajo çfarë trumbetojnë klerikët e neoliberizmit, këtë gjë nuk e bën vetë tregu. Tregu është një e mirë publike dhe duhet ti shërbejë të gjithëve. Nëse ai zaptohet nga disa oligarkë, e vetmja rrugë shpëtimi është rregullimi i tij me anë të politikave publike. Por këto të fundit për të qenë publike, nuk mund tu lihen në dorë “elitave” por publikut të gjerë që ka interes që të zhvillohet një ekonomi e lirë dhe e ndershme, ku triumfon talenti, puna dhe sakrifica.

Pra Demokracia, do të nisë nga demokratizimi i ekonomisë, si ajo fushë që kuptohet dhe mobilizon më lehtë forcat progresiste në vend. Fundi i një ekonomie koloni importi, dhe krijimi i një ekonomie kombëtare, i një borgjezie prodhimi që vlerëson asetet e vendit dhe krijon punë dinjitoze për miliona shqiptarë. Kjo është dhe arsyeja se përse faktori ndërkombëtar (FMN, SHBA, BE, etj) nuk e mbështet këtë model zhvillimi kombëtar, sepse preferojnë atë bazuar në një globalizim të kontrolluar nga kapitali i madh. Por ky model është dekadent dhe shpejt kursi do ndryshojë, duke çliruar zhvillimet e vendeve prej dikaturës monetare dhe borxheve skllavëruese. Shqipëria është ende një vend sovran dhe nëse do kishim një elitë patriotike kjo ekonomi kombëtare tashmë do të ishte realitet. Por pilotimi i qeverive dhe pushtetarëve komodë në këto vende, është karakteristikë pikërisht e këtij globalizmi neokolonial. Propaganda sistemike nga ana tjetër qep e shqep opinionin publik, pa lejuar kurrë formimin e ideve të qenësishme për zhvillimin e vendit.

Ky regjim mbahet me forcën e fjalëve, përmbysjen e koncepteve. Pa fjalët dhe konceptet autentike, askush nuk mund të formojë dot ide për të cilat mund të bashkohet dhe ti realizojë më të ngjashmit e tij.

Prandaj, dhe beteja jonë si shqiptarë duhet të fillojë tëk rimarrja e simboleve për të ndërgjegjësuar një popull të tërë për problemet dhe zgjidhjen e tyre në mënyrë demokratike. Bashkë me ndërgjegjësimin e biznesit të vogël, mund të bashkoheshin më tej,  studentë dhe intelektualë, që nuk janë kompromentuar ende me këtë sistem radioaktiv dhe dëshirojnë një Shqipëri Demokratike, ku vendosin qytetarët shqiptarë, si qytetarë të lirë!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Ledian Droboniku, Republika private

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 55
  • 56
  • 57
  • 58
  • 59
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT