• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2017

ÇAMËRIA-PLAGA SHEKULLORE E SHQIPTARËVE

May 4, 2017 by dgreca

Nga Prof. dr. Nusret Pllana/Universiteti ‘‘Hasan Prishtina’’-Prishtinë/1 Pllana LibriÇAMËRIA-PLAGA SHEKULLORE E SHQIPTARËVE-(Prof.dr.Selman Sheme, Çamëria-vështrim gjeopopullativ dhe etnokulturor)/

1 ok salleVepra e studiuesit të pasionuar, Prof.dr.Selman Sheme, Çamëria-vështrim gjeopopullativ dhe etnokulturor, shqyrton, analizon, trajton dhe nxjerrë përfundime interesante për problemin e  Çamërisë nga lashtësia deri në ditët tona. Qasja e këtillë i ka dhënë dorë autorit, jo vetëm të shfrytëzojë një literaturë të gjerë nga Fjalorët enciklopedikë e deri te vepra monografike autorësh të ndryshëm, por edhe të mbaj qëndrim kritik në punë të shqyrtimit shkencor të Çamërisë, si pjesë e çështjes së pazgjidhur shqiptare.

Vepra studimore e Prof.dr.Selman Shemes, mjaft e vëllimshme, është shtrirë në dymbëdhjetë (XII) kapituj dhe përmbyllet me një përfundim prej 26 faqesh, në gjuhën angleze, mjaft dëshmues në aspektin e informacionit shkencor. Vepra ka 372 faqe brenda të cilave merr frymë jeta historike e një pjesë të madhe të popullit shqiptar, i cili duke u përballuar padrejtësive historike ka dëshmuar jo vetëm identitetin e tij kombëtar, por edhe lashtësinë e ekzistencës së tij. Duke u mbështetur  në  dëshmi arkeologjike, studiuesi zë fillin e të dhënave që nga parahistoria e deri te prania e dëshmive të  Kulturës së Komanit,  në trevën e Çamërisë, të cilat i ka sistemuar në kapitullin e parë.

Lashtësia historike e jetës së Çamërisë

Kur lexon veprën madhore të studiuesit Prof.dr.Selman Sheme, nuk mund të kapërcesh pa marrë me vete atë barrën e ankthit të njeriut me vetëdije kombëtare, se si është e mundur, të zhbëhet një krahinë e tërë, si është e mundur të zhvendosen një numër aq i madh i fshatarve me popullatë shqiptare, nëpër tronditjet historike të kohëve të ndryshme, në njërën anë, por edhe të marrësh me vete dhembjen e humbjeve njerëzore që shkakton kjo vetëdije për asimilimin e një pjese shumë gjallnore të popullit shqiptar, në anën tjetër. Vetëm lista e fshatrave që autori i ka sistemuar në kapitullin e dytë nuk të lë indiferent për humbjen e madhe që i ka shkaktuar historia popullit shqiptar nëpër tronditjet e shekujve, siç do të shprehej akademik Rexhep Qosja. Një humbje po kaq e madhe popullit tonë i është shkaktuar gjatë viteve 1877/1878, siç  na është e njohur të gjithëve,  edhe me gjenocidin serb mbi shqiptarët në Toplicën shqiptare dhe, zhbërjen e 714 fshatrave shqiptare të Sanxhakut të Nishit, këtë krahinë shqiptare të cilën kurrë  askush nuk e zë në gojë, as pushtetarët e as opozita e Republikës së Kosovës.

Studiuesi Prof.dr.Selman Sheme, kapitullin e parë e ka mbështetur kryesisht në dëshmitë arkeologjike, jo vetëm për të risjellë në kujtesën tonë dhe të kohëve ekzistencën dhe praninë në këto hapësira të elementit iliro-arbëror, siç thotë ai, por edhe përkatësinë e identitetit të këtyre dëshmive.

Do të thotë, një kronologji e mirëfilltë e pranisë së elementit arbëror që nga lashtësia e këndej, por një prani që është zhbërë nga ideologji fashiste të pushtuesve grekë, sidomos në shekullin e nëntëmbëdhjetë, e veçanërisht pas Luftës së Dytë Botërore, ku prania çame vjen e zbehet deri në mosqenie.

Dilema e parë që ngacmon vetëdijën e lexuesit, në raste të këtilla, është ajo e pamundësisë për ta kuptuar përmasën e këtij gjenocidi dhe heshtjen e madhe të botës demokratike, sidomos kur është fjala për shqiptarët, apo për drejtësinë historike që u është mohuar shqiptarëve në vazhdimësi. Bëhet fjalë për 620 fshatra, pra 620 vendbanime, që nuk janë më pjesë e realitetit historik në jetën e shqiptarëve, por janë e do të jenë pjesë e dhembjes së përjetshme për humbjen e tyre, siç janë edhe pjesë e kujtimit të përjetshëm të brezave të tërë të shqiptarëve. Prania e këtyre vendbanimeve, nuk ishte në kohën e para Krishtit, pra para epokës së re, po ishin dëshmi të shekujve XIV-XV, siç i ka sistemuar të dhënat autori në Kapitullin e dytë.

Fakte që flasin për përkatësinë shqiptare të Çamërisë

Autori i veprës Çamëria-vështrim gjeopopullativ dhe etnokulturor, studiuesi i nderuar Prof.dr.Selman Sheme, ka qëmtuar me durim dhe me kujdes, thuajse shumicën e burimeve shkencore për të dëshmuar përkatësinë tjetër, të ndryshme nga ajo greke të popullatës çame, ose, siç thotë autori dhe studiues të tjerë të banorëve të Epirit.

Duke mbështetur  mendimet e albanologëve të shquar gjermanë, studiues, që i kanë bërë nder jo vetëm shkencës albanologjike, por dijes evropiane në përgjithësi, sidomos për shqiptarët dhe Shqipërinë, siç janë Johan Tunman, i cili që më 1774 ka konstatuar se maqedonët e lashtë, epirotët  dhe ilirët janë popuj të një trungu dhe flasin të njëjtën gjuhë.

Më tutje, këto dëshmi i çon më tej albanologu më i njohur gjerman, Johan Han, faktet e të cilit, studiuesi  Prof.dr.Selman Sheme, i konsideron të arriturën  më të bindshme shkencore, jo vetëm për lashtësinë, por edhe për origjinën e përkatësisë së popullit shqiptar dhe të gjuhës së tij.

Studiuesi i tretë gjerman, Jakob Fallmerayer, i cili që në vitin 1857 deri më 1861 tri herë e boton veprën e tij shumë të veçantë, e sidomos të rëndësishme për studimin e çështjes së pranisë së popullatës çame në ato vise, Elementi shqiptar në Greqi, i kanë dhënë dorë autorit që të trajtojë bindshëm problemin e madh historik të Çamërisë.  

Numri i autorëve të huaj dhe shqiptarë, arbëreshë dhe të tjerë që janë marrë me çështjen shqiptare, rrjedhimisht edhe me problemin çam, është i madh, që zë fill nga albanologët gjermanë të cilët i zumë në gojë e deri te Sami Frashëri ynë, që ishte edhe hartues i Programit të ideologjisë kombëtare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet, janë dëshmi e mjaftueshme për të hetuar karakterin hulumtues të studiuesit Selman Sheme, si dhe të dhënat e shumta që ka sjellë në këtë vepër.

Këtu janë interesante të dhënat që ka marrë në shqyrtim nga folkloristi dhe entografi i njohur arbëresh, Antonio Bellushi, i cili studimin e tij për kulturën dhe venbanimet çame e ka botuar më 1994 në Kozencë të Italisë.

Autori i këtij studimi ka shkruar edhe vepra të tjera, që në taban kanë padrejtësitë historike që i janë bërë popullatës çame, siç është vepra e tij e botuar në Tiranë më 2005, Çamëria, vendi, popullsia dhe jeta ekonomike, (monografi), apo vepra tjetër, Hyrje në gjeografinë regjionale, botuar në Tiranë, më 2012, e kështu me radhë.

Struktura e veprës dhe ndërtimi i jetës çame

Studiuesi Prof.dr.Selman Sheme, siç është theksuar më sipër, veprën e tij e ka ndërtuar në 12 kapituj. Çështjet që janë trajtuar janë të shumta, për të mos thënë se kapin të gjithë përbërësit e ndërtimit të jetës së Çamërisë, që nga lashtësia deri në ditët tona. Duke ndërtuar strukturën e studimit të tij, autori ka pasur kujdes që të ndjek, siç thuhet, kronologjinë e rrjedhës historike të pranisë së Çamërisë në jetën shqiptare.

Mund të thuhet prandaj, në shtrirjen e saj, studimi i autorit Selman Sheme, ka përthekuar të gjitha periudhat kohore, duke e vënë theksin në përbërësit që janë dëshmi e mjaftueshme, historike, kronologjike, arkivore, shkrimore për praninë e Çamërisë në jetën historike të popullit shqiptar.

Kur thuhet në jetën historke, është marrë parasysh faktori  i tërësisë gjeografike, gjuha dhe doket, trashëgimia e tërë nëpër periudha të caktuara kohore, nëpër kapërcylle shekujsh, që janë të përbashkët me ato çame.

Në secilin prej kapitujve, autori ka shtruar, ka analizuar dhe e ka mbështetur me fakte të burimeve të shumta të informacionit shkencor, çështje të caktuara të jetës së Çamërisë, duke filluar nga lashtësia e deri në ditët tona, por ato duke i shqyrtuar edhe me kritere të mirëfillta shkencore, pa ato animet folklorizuese, që aq shpesh e dëmtojnë mendimin e mirfilltë shkencor, sidomos kur bëhet fjalë për padrejtësitë e mëdha historike që i janë bërë popullit shqiptar nëpër shekuj.

Në të vërtetë, shumë çështje që ka trajtuar autori i këtij studimi të mirëfilltë, Selman Sheme, nuk e durojnë as anën folklorizuese të çështjeve, por as indiferencën që mëtojnë një dorë historianësh, gjoja në emër të paanësisë dhe të modernitetit.

Përfundim

Në veprën e tij të vëllimshme Çamëria-vështrim gjeopopullativ dhe etnokulturor, studiuesi Prof.dr.Selman Sheme ka shqyrtuar bindshëm edhe një aspekt të jetës së çamëve, doemos si të të gjithë popujve të tjerë që kanë pasur fatin e tyre. Aspekti që ka shqyrtuar autori, është mundësia e integrimeve rajonale, e cila ka vënë para dilemës së madhe shtetet kombëtare, për mënyrën e ruajtjes së përkatësisë së tyre. Por, kjo mundësi, siç është dhënë në kapitullin e njëmbëdhjetë të këtij studimi, ruan edhe kujtimet për vendin e të parëve, për vendin ku kanë qenë autoktonë, andaj kërkesat e tyre, sot (për fat të mirë) të përfillshme ndërkombëtarisht, përkufizojnë edhe mundësinë e shtrimit për zgjidhje të problemit të Çamërisë, sidomos në planin e integrimeve globale.

Duke vërejur me kujdes burimet e shumta që i kanë hyrë në punë autorit, Prof.dr.Selman Sheme, lexuesi bindet edhe për një fakt tjetër të madh, që është e kundërta e asaj që quhet veprim politik të shteteve që historia u ka bërë padrejtësi të këtilla, duke u dhënë të tjerëve pjesë të gjeografisë kombëtare të një populli, vetëm për të krijuar qetësinë e lëkurës së tyre, për të cilën askush nuk e di saktë se sa do të duhej të ishte e tillë. Përmbysjen e kësaj mendësie, të Evropës së djeshme e ka dëshmuar edhe Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila përmbysi robërinë dhe kolonializimin e fundit në Evropë, edhe Lufta Çlirimtare në Kosovën Lindore, e cila i dëshmoi botës se ato pjesë të gjeografisë sonë kombëtare janë të pushtuara, edhe Lufta e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në tokat shqiptare nën Maqedoninën e sotme, e cila dëshmoi praninën e shqiptarëve në ato hapësira  që nga lashtësia e këndej.

Si do të jetë e nesërmja e Çamërisë?

Sa kam kuptuar  unë, nuk është  shumë  qartë, siç nuk është qartësuar edhe në të gjitha ato studime, historike, gjuhësore, etnografike, folklorike, gjeografike, gjeopolitike e të tjera, të cilat i ka shfrytëzuar për burime në veprën e tij, edhe autori i këtij studimi që po e përurojmë sot, studiuesi i mirënjohur Prof.dr.Selman Sheme.

Por, derisa gjumi i rrit fëmijët, siç ka thënë Plaku i Urtë i Pavarësisë sonë, Ismail Qemali, gjumi për popujt është vdekjeprurës. Shqiptarët, nëse u besohet veprimeve historike, në fund të shekullit njëzet dhe në fillim të shekullit njëzet e një, më në fund e kanë mësuar këtë shkollë të madhe të historisë –  mosharresën e kujtesës historike!

Prishtinë, 3 maj, 2017

 

Filed Under: Kulture Tagged With: ÇAMËRIA-PLAGA SHEKULLORE, e shqiptareve, Nusret pllana, selman Sheme

Kujtesë e diasporës në SHBA – Ago Shero Agaj

May 4, 2017 by dgreca

Ne kuadrin e 120 vjetorit te lindjes/         1 Ernest-Koliqi-permes-fotografise_Publikim-Albert-Vataj-12

Ne Foto: Ago Agaj ne te djathte te Ernest Koliqit ne festimet e 60 vjetorit te Gazetes”Dielli”, organizuar me 28 dhe 29 Nentor 1969 ne Hotel “Americana”, New York/

Nga Reshat  Kripa/

Lindi më 7 mars 1897 në Smokthinë të Vlorës, në një familje të njohur për patriotizmin e saj. I ati i tij, Shero Emin Agaj, pjesmarrës në lëvizjen për pavarësinë e Shqipërisë, ka kryer detyrën e komandantit të xhandërmarisë shqiptare në vitet 1913-1914.

Shkollën fillore Agua e kreu në vendlindje. Kurse shkollën e mesme dhe atë të lartën në Vjenë të Austrisë, ku u diplomua në degën e ekonomisë agrare. Pasi përfundoi studimet, për shkak të Luftës së Parë Botërore,  duke mos pasur mundësi të kthehej në atdhe, punoi një vit në Moldavi dhe një vit në Poloni si agronom. Mundi të kthehej në vitin 1919.

Në janar të vitit 1920 merr pjesë në delegacionin e rrethit të Vlorës në Kongresin e Lushnjes, ndërsa në qershor të atij viti bëhet pjesmarrës aktiv i Luftës së Vlorës kundër pushtuesve italianë.

Në qershor 1924 bashkohet me lëvizjen fanoliste. Ji si shkruan ai lidhur me qendrimin e tij perkrah Nolit”.

“Unë, edhe pse admiroja Zogun për veprimet e tij, e pashë se Noli ishte idoli ynë i lirisë së bashku me Gurakuqin, Fishtën e Koçulin. Dhe, u bëra me ta. Më ftuan dhe më ngarkuan të organizoja krahinat e Vlorës. I thirra lebërit dhe ata erdhën, më dëgjuan e nuk më kthyen fjalën. U formua batalioni i Vlorës dhe shokët më zgjodhën sekretar. Kështu, të organizuar, arritëm deri në Tiranë.”

Pas vendosjes së mbretërisë shqiptare punoi si Drejtor i Shkollës Bujqësore Lushnje dhe si agronom kudo ku ishte nevoja e atdheut. Në vitin 1929 ishte antar i komitetit për reformën agrare. Në vitin 1932 arrestohet si pjesmarrës në lëvizjen kundër Zogut, por lirohet përsëri. Nga viti 1932-1941 punon si ekspert i agrikulturës në Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare.

Në kohën e Luftës së dytë botërore, kur më 17 prill 1941 mbretëria jugosllave u dorëzua dhe viset shqiptare të Kosovës dhe Metohisë iu bashkuan Shqipërisë, shumë patriotë shqiptarë u drejtuan për atje, për të  ngritur administratat shqiptare në vend të atyre serbe. U emërua prefekt në prefekturën e Mitrovicës që përmblidhte edhe nënprefekturat e Vushtrisë, Podujevës dhe Pazarit të Ri.

Atje ai filloi shqiptarizimin e administratës së Kosovës. Kryetar gjykate caktoi Shefqet Shkupin, prokuror Kudret Kokoshin, komandant xhandërmarie Bajazitin, djalin e Isa Boletinit, mjek Ibrahim Dervishin dhe të tjerë, të gjithë vullnetarë të ardhur nga Shqipëria. Për një kohë të shkurtër Mitrovica përjetoi një liri që nuk e kishte pasur asnjëherë. Kjo liri e ndezi aq shumë popullin e krahinës sa edhe gratë, gjë nuk kishte ndodhur më parë, morën pjesë në kremtimin madhështor që u bë më 28 nëntor 1941.

Gjatë qëndrimit në Kosovë ai shpëtoi mjaft hebrej të cilët i vendosi në një godinë të mirë dhe më pas, kur gjeti mundësinë, mundi t’i dërgonte në Shqipëri si dhe mjaft jevgj dhe ciganë të cilët ai i paraqiste me origjinë nga Egjypti dhe India dhe që ishin nomadë. Për të vërtetuar këtë shërbeu libri i profesor E. Novak i cili ishte marrë me studimin e tyre. Kështu ata shpëtuan dhe në shenjë mirënjohje dhanë një koncert siç dinin vetëm ata.

Në qershor 1943 merr pjesë në mbledhjen themeluese të Lidhjes se Dytë të Prizrenit së bashku me shumë bashkatdhetarë të tjerë patriotë, midis të cilëve Bedri Pejani që u zgjodh kryetar i saj. Kjo lidhje ishte nje kundërpeshë e lëvizjes komuniste në Kosovë dhe Shqipëri. Lidhur me këtë Ago Agaj shpreh një vlerësim të veçantë për komandantin trim nacionalist Shaban Polluzha që tregoi heroizma të papara në luftën kundër çetnikëve serbë. I gjithë ky aktivitet në të mirë të Kosovës, bëri që vendasit mos ta thërrisnin më me emrin e tij por me epitetin “Kosovari nga Vlora”

Ja si shkruan ai per Kosoven:“Në vjetin 1924, në mbarim të udhëtimit t’im të parë rreth e rrotull, mal më mal e grykë më grykë të Shqipërisë, dolla dhe në majë të malit të Bishtrikut prej ku me dylbi kundrova me mall Kosovën. Dashurinë për këtë vend m’a kishte mbjellë në shpirt kur isha pothuaj hala fëmijë, Kolë Margjini që m’u bë si vëllaj i math në Vjenë dhe më vonë do të bëhej profesor – martir i shqiptarizmës në Prizren, viktimë e sllavokomunizmës. Ai dhe Dervish Hima më tregonin dhe trimëritë e luanit të Dardanisë, Isa Boletinit, që ahere ish bërë legjendë e gjallë në tërë Evropën”.

Kështu i lindi dashuria Ago Agajt për Kosovën.

Më prapa kthehet në Shqipëri ku në shtator 1943 merr pjesë në qeverinë e kryesuar nga Rexhep Mitrovica ku i ngarkohet posti i Ministrit të Ekonomisë Agrare, detyrë të cilën e kreu me përkushtim.

Në fundin e vitit 1944, kur forcat komuniste po hynin në qytetet shqiptare detyrohet të lerë atdheun dhe të emigrojë fillimisht në Egjypt, ku qëndroi për gati njëzet vjet dhe pastaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u vendos ne Detroit pranë teqesë së famshme të Baba Rexhepit, një qendër e madhe e patriotizmit shqiptar.

Në librin “Milloshi Heroi i Kosovës”, në kundërshtim me studiuesit sllavë, që heroin që vrau Sulltan Muratin në Betejën e Fush Kosovës e paraqesin si serb, Ago Agaj dokumenton se ai është shqiptar, madje edhe origjinën e tij e nxjerr nga Blloshmajt e Librazhdit.

Në librin “Lufta e Vlorës”, një libër përmendore, një enciklopedi e trimërisë, një shembëlltyrë se si duhet shkruar historia, paraqitet gjendja aktuale e vendit, përgatitja, personazhet, dëshmorët dhe të plagosurit e kësaj lufte legjendare të një populli që nuk duron dot robërinë.

Libri “Si e njoha Xhafer Devën” është një kronikë e vërtetë e luftëtarëve të lirisë dhe bashkimit kombëtar në Shqipërinë etnike.

Ago Agaj ndërroi jetë më 24 dhjetor 1994, në Clearëater të shtetit Florida, në Shtetet e Bashkluara të Amerikës, në moshën 97 vjeçare. Gati një shekull jetë në shërbim të Shqipërisë së vërtetë. U përcoll në banesën e fundit nga qindra bashkatdhetarë dhe personalitete të tjera të ardhur nga të katër anët e Shteteve të Bashkuara, madje edhe nga Kanadaja.

Ja si shkruan ai ne ditet e fundit te jetes se tij:“Jam në shtratin e vdekjes. Flas nga përvoja njëqindvjeçare e jetës sime. Kam pasur dhe kam bindjen se fati i kombit shqiptar do të vendoset në Kosovë. Nëse Kosova do të shpëtojë na kthetrat e kuçedrës serbe, atëherë do të kemi një komb tetëmilionësh dhe askush nga fqinjtë keqdashës nuk mund të arrijë atë që dëshiron. Në rast e Kosova, mos e dhëntë Zoti, mbetet nën pushtimin serb, paraqitet rreziku edhe për Shqipërinë. Pra, unë kur përpiqem për Kosovën, përpiqem për kombin, për Shqipërinë, për Vlorën… O sot, o kurrë, populli shqiptar duhet të bëjë përpjekje për shpëtimin e Kosovës. Kjo bindje i ka rrënjët te babai i kombit, Ismail Qemali, i cili, në mbledhjen e madhe me parinë e Vlorës, mori një telegram dhe, pasi e lexoi, filloi të qante. Ismail Aga Mezini, mik i tij, i tronditur i tha: “Mblidhe veten, na thuaj se ç’pësuan djemtë?” Ismail Qemali u përgjegj: “Jo, djemtë nuk pësuan gjë, po e pësoi atdheu ynë. Kosova mbeti jashtë kufijve të Shqipërisë. Shpresoj se lotët e babait të kombit do të bëhen armë e fortë për realizimin e ëndrrës së tij”.

Ky ishte Ago Agaj. Po si konsiderohet ai sot në atdheun e tij, pas njëzetegjashtë vjetësh pas përmbysjes së sistemit totalitar? Për fat të keq ka ende të indoktrinuar nga mentaliteti komunist që vazhdojnë ta quajnë kolaboracionist duke e lënë në harresë dhe duke harruar majat e larta që ai arriti me karakterin dhe inteligjencën e tij. Madje midis tyre ka edhe intelektualë të shquar që i shohim përditë në faqet e shtypit të shkruar dhe atij viziv.

Një miku im  më ka thënë një shprehje që nuk do ta harroj kurrë: “Të huajtë e kthejne baltën në njeri kurse shqiptarët njeriun e kthejnë në baltë”.Kjo shprehje u dedikohet kryesisht atyre trundryshkurve që nuk duan të shkëputen nga mentaliteti komunist.

Si figura e Ago Agajt shqipëria ka edhe plot të tjera që qëllimisht lihen në harresë. Do të përmendja ato të Rexhep Mitrovicës, Xhafer Devës,  Hasan Dostit, Ernest Koliqit, Lef Nosit, Patër Anton Harapit, Xhevat Korçës dhe të tjerëve.Ja si është shprehur Patër Anton Harapi para trupit gjykues që e akuzonte si kolaboracionist të pushtuesve të huaj:“Më rrenë mendja se nuk ka zog shqiptari, qi të mendojë se unë e mora ketë barrë për kulltuk, për interesë a për ndonji intrigë. Mundet veç me drashtë ndokush mos qe ndonji maní e emja qi më shtyni deri këtu. Edhe un po u a vërtetoj fjalën dhe po u thom se po: manija e Shqipnís, po, qe ajo qi më vuni dilemën : a me anarkista për të ba gjak, ase me hjekun dorë prej çashtjes kombtare. Dhe mbasi shpirti nuk m’a tha të baj as njenën, as tjetrën, qeshë i shtërnguem të zgjedhi njenën dysh: a të baj nji marrí tue e pranue ketë zyrë, ase të tregoj nji dobsí tue u largue. Vendova ma mirë të baj nji marrí: ase sikurse thonë ata shqiptarë qi duen të ruhen të pastër – desha të komprometohem”.Duke i mbyllur këto rreshta dua t’iu drejtohem lexuesve dhe t’iu them

  • A mund të quhet kolaboracionist Ago Shero Agaj apo figurat  e   tjera  të  përmendura më sipër? A nuk ka ardhur koha që këto mentalitete të një sistemi totalitar të hidhen poshtë? Kur do të vijë kjo kohë?

Ju lutem, më ktheni një përgjigje!

Filed Under: Histori Tagged With: Ago Shero Agaj, Kujtese, reshat kripa

MUSLI MULOSMANAJ, ATDHETARI QË ECI GJURMËVE TË BINAK ALISË

May 3, 2017 by dgreca

Nga Harry Bajraktari /HB & MUSLI copyMbrëm vonë në New York ndërroi jëtë Musli Mulosmanaj, nacionalist i shquar, legalist dhe antikomunist i përbetuar i komunitetit shqiptar në SHBA dhe trashëgimtari më vjetër i familjes së Binak Alisë. Vdekja e mori pas një sëmundje të rëndë, duke e lënë familjen e tij të pikëlluar, miq e dashamirë të shumtë në SHBA, në Shqipëri, në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare, e sidomos në Malësinë e Gjakovës, nga edhe është origjina e tij. I ndjeri Musli Mulosmanaj është bartës i titullit” Kalorës i urdhërit të Skënderbeut”, të ndarë nga presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani.

***

Musli Mulosmanaj, vjen nga dera e madhe e familjes së Binak Alisë, një burrë i përkushtuar pas Shqipërisë etnike dhe Monarkisë Mbretërore, i cili, me dashuri të jashtëzakonshme, kultivoi traditat, ndjenjën dhe virtytin e të parëve të tij, Binak Alisë, Shaban Binakut, Ali Binakut dhe të plejadës tjetër të Mulosmanajve që luftuan me vite kundër Perandorisë Osmane, kundër serbëve e malazezëve, kundër fashizmit, nacizmit dhe kundër komunizmit të Enver Hoxhës.

I ndjeri, Musli Mulosmanaj, ishte një burrë fisnik e bujar, inteligjent, me një qytetërim tradicional shqiptar, gjithmonë të vërtetën dhe të drejtën e ka vlerësuar si virtyt dhe moral në hap me kohën. Qysh në moshë të re i ra të përballej me tiraninë komuniste të Enver Hoxhës, ku arriti të shpëtonte kokën me një pjesë të familjes së tij, pasi u arratis në Kosovë, në Janarin e vitit 1949. Këtij nacionalisti të familjes së Binak Alisë i ra të përplasej me shumë sfida: me fashizmin e Musolinit, me Shqipërinë komuniste të Enver Hoxhës, pastaj si emigrant në Kosovë për 17 vjet dhe një vit me punë të detyruar në Serbi dhe Vojvodinë, me UDB-en e Jugosllavisë dhe, më në fund, fati për të mos qenë aq mizor ndaj tij, e solli në Amerikë në vitin 1967. Përkundër kësaj, shpirtit i tij kishte mbetur tek pjesa tjetër e familjes, ku regjimi i Hoxhës i kishte torturuar dhe zhdukur në kampet e internimit në Shqipëri.

Në New York, në qendrën më të madhe botërore, gjeti emigracionin politik nga Shqipëra dhe Kosova me të cilin filloi të bashkëpunonte ngusht për çështje kombëtare, për një Shqipëri etnike me një rend demokratik perëndimor. Emigracioni politik i asaj kohe, kur emigroi i ndjeri Musli Mulosmanaj në SHBA, ishte i organizuar në parti të ndryshme nacionaliste dhe vinte nga anë të ndryshme të atdheut etnik. Së bashku me Canin, Hysenin dhe Abedinin, iu bashkuan Organizatës Kombëtare, Lëvizja e Legalitetit (OKLL). Musli Mulosmanaj i njohur si antisllav e antikomunist, ka mbajtur kontakte me gjithë përfaqësuesit e organizatave nacionaliste që ideal dhe përkushtim kishin bashkimin e Shqipërisë me Kosovën dhe me viset tjera shqiptare në një shtet të përbashkët demokratik, si me Dr. Rexhep Krasniqin, Ing. Xhafer Devën, Selim Damanin, Abaz Kupin, Mehmet Agë Rashkocin, Vasil Germënjin, Fuad Myftinë, Ago Agajn, Hysen Tërpezën, Hysen Beg Prishtinën, Mexhid Dibrën, Dom Zef Uroshin, Xhemail Laçin dhe me të pandashmin, Imam Isa Hoxhën, që vinte nga Bytyçi i Malësisë së Gjakovës.

Në vitet e 70-ta, më herët e më pas, ky emigracion i paraqiste Departamentit të Shtetit Amerikan kërkesat që të mbështeste rrëzuarjen e regjimit komunist dhe t’ i hapej rruga e demokracisë edhe popullit në Shqipëri, dera e të cilit ishte e blinduar nga diktatori Hoxha.

Musli Mulosmanaj u lind më 10 Gusht 1930 në Fang të Bujanit, në Malësinë e Gjakovës. Është djali i madh i Çelë Shabanit, sëtrnip i Binak Alisë dhe nip i Shaban Binakut. Kjo familje ka dhënë shumë heronj e dëshmorë të kombit, dhe në kohën kur Shqipëria ra në duar të komunizmit – regjimi i Enver Hoxhës ekzekutoi, burgosi dhe internoi familjen e tij.

Pas një aktiviteti intensiv që zhvilloi për një kohë të gjatë për çështjen kombëtare, në vitin 1986 mori detyrën e kryetarit të Degës së Organizatës Kombëtare Lëvizja e Legalitetit për New York dhe New Jersey, që ishte një ndër degët më të mëdha në botën e lirë shqiptare. Këtë detyrë e kreu me përgjegjësi të lartë deri në vitin 1991. I ndjeri Musli që nga ardhja e tij në Amerikë, ishte edhe anëtar i Këshillit të Xhamisë, ku bashkëpunoi ngusht me klerikët atdhetarë, tani edhe ata të ndjerë, Isa Hoxhën, Sali Efendi Miftinë dhe me priftin Zef Oroshin. Është i njohur bashkëpunimi dhe kontributi i tij me komunitetet fetare të shqiptarëve të Amerikës.

Musli Mulosmanaj ka marrë pjesë në të gjitha demonstratat dhe protestat që komuniteti i shqiptarëve nacionalistë në SHBA i ka organizuar kundër regjimit serb e jugosllav për çështjen e Kosovës dhe kundër regjimit diktatorial të Enver Hoxhës.

Musli Mulosmanaj dhe Mulosmanajt e tjerë në SHBA, duke u nisur nga tradita shumëvjeçare e bashkëpunimit me Mbretin e Shqiptarëve Zgu I, ku këto ndërlidhje i kishte vendosur Ali Binaku, u thelluan edhe më fuqishëm me Mbretin Leka I dhe me Princin Leka II. Musli Mulosmanaj, Mbretin Leka I,  për herë të parë e kishte takuar në New York në vitin 1968. Sa herë që ai vinte në SHBA, e ka takuar dhe ka biseduar me të për Shqipërinë etnike. Mbreti ishte shumë i përkushtuar ndaj kësaj çështje të madhe kombëtare, e sidomos për Kosovën, e cila ndodhej e okupuar nga Serbia.

Me të ndjerin Musli Mulosmanaj dhe familjen e tij ishim në miqësi të përhershme. Ai ishte i lidhur ngusht me babain dhe gjyshin tim. Këtë miqësi me të ndjerin e vazhdova pastaj unë.  Gjatë dy dekadave të fundit, në të gjitha udhetimet për çështjet kombëtare në Kosovë, Shqipëri dhe në trojet tjera etnike kemi qenë bashkë. Bashkë vepruam edhe në aktivitetet tona për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe për shqiptarët në përgjithësi në Washington dhe në New York.

Në Qershor të vitit 1988 kur ishte kryetar i Degës së OKLL-së për New York dhe New Jersey, në Kishën Katolike Sant Ritas në Bronx, takoi dhe përshëndeti të famshmën e shqiptarëve, Nënë Terezen, fituesen e Çmimit Nobel për paqe.

Mik të tij e kishte edhe presidentin e Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, kongresmenin Eliot Engel, Dr. Sali Berishën, Ramush Hardinajn, ish presidentin Fatmir Sejdiun, presidentin e Shqipërisë z. Bujar Nishani  etj. Duke qenë përkrahës i politikës së Dr. Ibrahim Rugovës, bashkë me të morëm pjesë edhe në varrimin që u bë më 26 Janar 2006 në Prishtinë. E donte shumë Kosovën. Atje kaloi 17 vjet në një moshë relativisht të re. Ka përcjellë të gjitha ngjarjet dhe ka kontribuar për lirinë dhe pavarësinë e saj. Mori pjesë në të gjitha protestat dhe demonstratat që u organizuan në New York dhe Washington kundër politikës hegjemoniste serbe dhe kundër diktatorit Hoxha.

Përballë ekzekutimeve e burgosjeve të meshkujve të familjes së tij, vizitoi Avdyl Qerimin në burgun e Burrelit dhe Hazir Sylën në burgun e Durrësit, në kërkim të këtij të fundit për t’ i dërguar disa rrobe të nevojshme dhe pak ushqim. Kujtimet e tij nga ato ditë ishin trishtuese, aq më tepër, kur ky si i ri ndodhej përballë mizorive. Pas vdekjes së babait Çelë Shabanit në mënyrë misterioze në një spital të Nishit, merr drejtimin e familjes, derisa bënte jetë emigranti në Kosovën e pushtuar.

Musli Mulosmanaj mbetet njëri ndër nacionalistet e shquar nga Komunitetit i shqiptarëve të Amerikës, për kontributin e tij që ka dhënë në çështjen kombëtare që nga vitet e 70-ta të shekullit të kaluar. Këtë aktivitet e vazhdoi deri në frymën e fundit kur i mbylli sytë përgjithmonë.

Vepra që la pas i ndjeri Musli Mulosmanaj, do të zë vend gjithmonë në zemrat e nacionalistëve shqiptarë, të legalistëve dhe të antisllavëve. Do të përkujtohet gjithnjë si një atdhetar i devotshëm, që ai dhe paraardhësit e tij i dhanë Shqipërisë, Kosovës dhe viseve tjera etnike shqiptare.

I qoftë dheu i lehtë!

New York, 3 Maj, 2017.

 

 

Filed Under: Politike Tagged With: Esse nga Harry Bajraktari, Musli Mulosmanaj

SHËRBIMET FUNERALE PËR MUSLI MULOSMANAJ, TË PREMTEN

May 3, 2017 by dgreca

Në njoftimin e shpërndarë nga Familja Mulosmanaj, shkruhet: Me dhimbje të thellë lajmërojmë të gjithë të afërmit, miqtë, komunitetin shqiptar në Amerikë se mbrëmë vonë me 2 Maj 2017, në New York, ndërroi jetë i dashuri ynë, trashëgimtari më i vjetër i families së madhe të Binak Alisë së Malësisë së Gjakovës, nacionalisti legalist, antikomunisti dhe veprimtari i njohur i çështjes shqiptare, Musli Mulosmanaj(1930-2017).LAJ MORTO

Vdekja e mori pas një sëmundje të rendë, duke lënë të pikëlluar, bashkëshorten Serveten dhe vajzën e tij, Gjuljanën, nipa, mbesa, miq dhe dashamirë të shumtë në SHBA, Shqipëri, Kosovë dhe vise të tjera Shqiptare.

FUNERALI i të ndjerit është të Premten me 5 Maj 2017 prej Orës 12.00 deri në orën 9.00 të mbrëmjes në Shtëpinë Mortore F.Ruggiero & Sons, që ndodhet në adresën:

732 Yonkers Avenue, Yonkers, NY 10704-Tel: 914-375-1400

Ceremonia e Përmortshme është të Shtunën me 6 Maj 2017, në oren 8.00 të Mëngjesit në Shtëpinë Motore F. Ruggiero &Sons, kurse varrimi fillon në Orën 11.30 në Varrezat Maple Grove Cemetery, në adresën:

83-15 Kew Gardens Road, Kew Gardens, NY 11415-Tel 718-544-3600

Të pikëlluarit Sami Mulosmanaj dhe Familja Mulosmanaj

Telefoni i Families Mulosmanaj 914-564-5525

Filed Under: Emigracion Tagged With: 5 Maj 2017, E PREMTE, Musli Mulosmanaj, sherbimet funerale

Talat Xhaferi merr kabinetin e kryeparlamentarit të Maqedonisë

May 3, 2017 by dgreca

*Kryetari i ri i Kuvendit është njohur edhe nga SHBA-të dhe Bashkimi Evropian, të cilët presin formimin e shpejtë të qeverisë së re./

Xhaferi TelatNe Foto: Talat Xhaferi merr kabinetin e kryeparlamentarit të Maqedonisë/Kryetarit të ri të Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi i është dorëzuar kabineti nga paraardhësi i tij, Trajko Veljanovski përkundër kundërshtimeve nga ana e tij që këtë ta bënte pas zgjedhjes së Xhaferit për kryeparlamentar të enjten e kaluar nga shumica e re parlamentare.

Madje deputetët e VMRO DPMNE-së të martën kishin hyrë të gjitha në kabinetin e kryetarit të Kuvendit për të manifestuar unitet në vendimin e tyre për të mos hequr dorë nga mos-njohja e Xhaferit.“Akti i pranim-dorëzimit të detyrës u realizua në procedurë normale në bazë të parimeve të parlamentarizmit”, thuhet në komunikatën e parë për media nga kabineti i Xhaferi.Pas largimit të Veljanovskit i cili kryesonte për gati një muaj mbledhjen konstitutive të Kuvendit, shërbimet e Kuvendit tanimë kanë nisur procedurën e zyrtarizmit të Talat Xhaferit në gazetën zyrtare për të rrumbullakësuar procesin e emërimit tij për kryetar të Kuvendit.“Duhet të ketë një akt juridik, vendim se kryetari i ri është zgjedhur. . Këtë duhet shërbimet e Kuvendit ta bëjnë. Vendimi duhet të shpallet në gazetën zyrtare dhe me këtë kompletohet e gjithë procedura. Nëse procedura është e rregullt me dokumentacion të kompletuar, patjetër që duhet të shpallet”, thotë ish kryetari i Kuvendit Stojan Andov.Pas këtij akti pritet që Xhaferi të njoftojë presidentin Gjorge Ivanov se në Kuvendin e Maqedonisë ka shumicë parlamentare dhe se mandati për kryeministër duhet ti ndahet liderit social-demokrat, Zoran Zaev.Nga shumica parlamentare presin që presidenti Gjorge Ivanov të mos pengojë më dhënien e mandatit liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, i cili ka hartuar edhe programin qeveritar si garanci se nuk do të ketë ndarje të shtetit, apo prishje të karakterit unitar siç pretendonte Ivanov, por edhe VMRO-ja e Nikolla Gruevski.Osman Kadriu, profesor i së drejtës kushtetuese beson se presidenti Ivanov do të respektojë Kushtetutën në dhënien e mandatit, por gjithashtu nuk përjashton edhe pengesat.“Ai duhet të veprojë sipas Kushtetutës dhe vlerësoj se vizitat e fundit të zyrtarëve të lartë nga jashtë, e në veçanti e diplomatit amerikan Hoyt Bryan Yee do të kenë ndikim që ai të ndryshoj mendimin dhe t’ia jep mandatin liderit Social-Demokrat Zoran Zaev. Nëse këtë nuk e bënë dhe e shkel Kushtetutën siç ka bërë deri më tani, atëherë shumicës së re nuk i mbetet asgjë tjetër pos të veprojë si deri më tani apo si në rastin e kryetarit të Kuvendit, të formojë edhe qeverinë e re”, thotë Kadriu.Nga ana tjetër, Talat Xhaferi takimin e parë si kryer Kuvendi e ka realizuar me ambasadorin e Bashkimit Evropian Samuel Zhbogar.“Bashkimi Evropian është i gatshëm të punojë me kryetarin Xhaferi për zbatimin e reformave të nevojshme për integrimin euroatlantik të Maqedonisë”, ka shkruar ambasadori Zhbogar në Twitter pas takimit me kryeparlamentarin e ri të Maqedonisë.Zgjedhja e Talat Xhaferi për kryetar Kuvendi është njohur edhe nga Britania e Madhe e cila kërkon formimin edhe të qeverisë së re nga LSDM-ja dhe partitë shqiptare.“Mbretëria e Bashkuar mbështet vendimin demokratik të shumicës së deputetëve të Maqedonisë për ta përzgjedhur Talat Xhaferin si Kryeparlamentar. Ne do të bashkëpunojmë me të. I bëjmë thirrje të gjithë individëve, institucioneve dhe partive që të mundësojnë transferim të pa dhunë dhe pa pengesa të qeverisë. Sa më shpejtë që të formohet ajo, aq më shpejtë do të mund të vazhdohet me implementimin e reformave urgjente nga të cilat do të përfitojnë të gjithë qytetarët e Maqedonisë”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

Kryetari i ri i Kuvendit është njohur edhe nga SHBA-të dhe Bashkimi Evropian, të cilët presin formimin e shpejtë të qeverisë së re.

 

Filed Under: Rajon Tagged With: merr Kabinetin, Talat Xhaferri

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 51
  • 52
  • 53
  • 54
  • 55
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT