• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2017

ZGJEDHJET NË SHQIPËRI-“ EDI RAMA NUK KA FAJ”

June 21, 2017 by dgreca

asllani-56

Opinion nga Asllan Bushati/

Duke i parë  nga një këndshikimi i përgjithshëm në  zgjedhjet e 2017-ës në Shqipëri, ( krahasuar  me të mëparëshmet),  mund të konstatohet lehtë  se kanë  disa ndryshime të dukshme. Që në fillim mund të theksojmë se ata nuk kanë dam-dame, flamuj partiak, banderola, karikatura, shprehje vulgare e poshtruese për kundërshtarët, banda muzikore, grupe fansash që demostrojnë  forcë etj. Bukur. Shpresojmë të jetë shprehje e një emancipimi  të përgjithëshëm   shoqëror e zgjedhor, ku të gjithë aktorët kanë pjesën e tyre. Shpresojmë që ato të jenë  më pak të kushtueshme se të mëparëshmet,  të drejta,  të ndershme , të pa manipuluara, transparente dhe të pranuara pa kontestim  nga gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje.

Por, nuk mund të kalojmë pa e theksuar se në emër të maxhorancës, në cilësinë e Kryeministrit, dhe të Kryetarit të PS-së, Edi Rama për gati katër vite,  për pak sa nuk na shurdhoj veshët duke thënë:”fajin e ka Sali Berisha, fajin e ka qeveria e mëparëshme e PD-së, fajin e ka SHQUP-i, fajin e ka Lulzim Basha e cadra në bulevard. Dhe tani (e moderuar  në fushatë), fajin e ka LSI-ja dhe Ilir Meta të cilët e kanë penguar të udhëheq, fajin e ka PDIU-ja  e Shpëtim Idrizi,… Ben Blushi e Koco Kokdhima… madje po të shkohet më tutje  ndoshta mund të dalë që fajin e ka patur  edhe Ramiz Alia e Fatos Nano, por  vetëm Edi Rama nuk ka asnjëherë faj”.

Edi Rama pati premtuar 300 mijë vende pune të reja e shëndetësi falas, por meqënëse ata nuk u realizuan ,” ai nuk ka faj”. Në Parlament e në segmente udhëheqëse të katër vjecarit të tij, erdhën shumë të inkriminuar, “por ai edhe për këto nuk ka faj”. Shkatrroi  strukturat kanabiste të fshatit Lazarat, por ata u përhapën në të gjithë Shqipërinë dhe për këtë Edi “nuk ka faj”. Bëri premtime të mahnitëshme në shumë fusha, sa ta kishte ënda ta dëgjoje në fushatën e 2013-tës, por me që ata nuk u realizuan “ai nuk ka faj”. Cdo vit nga Shqipëri janë larguar për në vendet e tjera mesatarisht 30-40 mijë të rinjë se nuk gjenin mundësi punësimi, por edhe për këtë Edi “nuk ka faj”.Pra tani në fushatë nuk i duhet kërkuar llogari për premtimet se ai për katër vjecarin e ardhshëm e don “timonin”  dhe “tepsinë”vetëm dhe është shpresëplotë se do të bëjë mbrekullira. Në qoftë se ndonjerit i vete mendja ti kërkojë Edit  llogari për të shkuarën, kjo është fyerje për të, është jashtë mode dhe s’ka asnjë përqasje me” idetë madhështore të tij për të ardhmen”. Pa le sa thjeshtë vishet ( ore me citjane), sa bukur flet para turmave me batuta e barsaleta brilante, aktor i vërtetë i shoubizit alla rilindase. Madje edhe për deklaratat për Presidentin Trump dhe për thirrjen drejtuar policisë që pas punës të bëjnë fushatë për PS-në,” ai nuk ka faj”.

Edi Rama  s’ka nevojë të jap llogari  në këto zgjedhje për dështimet e tij katërvjecare, sepse ai  aktualisht është ” shumë i zënë  me  shpalosjen e filozofisë  së  bashkimit të së majtës shqiptare”. Kjo është shumë” madhore” në këtë moment,  premtimet e së kaluarës dhe të tjerat janë sekondare.Shikojini me vemendje se cfarë janë partitë e vogla dhe partnerët për  Edin…ferra nëpër këmbë që i kanë pushtuar administratën, që  se kanë lënë të punojë dhe për këtë ai “nuk ka faj”. Plotfuqishmëria e një partie që ai kërkon në këto zgjedhje, “nuk” është dukshëm një autoritarizëm i tipit të ri  dhe “shumë  e rrezikëshme” për demokracinë në Shqipëri.  Jo , betohet Edi dhe kur betohet ai ,duhet te besohet pamedyshje.

Por, unë të dashur bashkatdhetar mendoj se, “Edi Rama ska faj” se ai si person, është i pa përgjegjshëm për cfarë thotë e cfarë bën, është i pa aftë për të drejtuar shtetin, madje edhe po ta  cojë  atë  në greminë   (sic deshi të bënte me reformën dë drejtësi dhe zgjedhjet pa opozitën), prap do të thotë “unë nuk kam faj”. Fajtor do të jemi ne votuesit në qoftë se  e votojmë përsëri Edi Ramën. Ti japësh edhe një shans tjetër këtij njeriu, kur ka shkatërruar cdo gjë në katër vite, është njëlloj si të vrasësh  me vetdije  të ardhmen  e fëmijëve të tu.

Por edhe LSI-ja  dhe Ilir Meta, që tashmë  po u bien sirenave, nuk janë pa faj. Aty kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në koalicion me Edi Ramën. Vendimet i kanë marrë bashkë , përfitimet i kanë ndarë bashkë, pisllëqet i kanë bërë bashkë, tani nuk duhet tu largohen përgjegjesive për dështimet. Ilir Meta së bashku me Edi Ramën e Erjon Velinë dhe disa analistëtë sojit të tyre, po përpiqen të krijojnë përshtypjen se të gjithë politikanët shqipëtar, janë të të njejtit format, të të njejtit soji të korruptuar të gjithë njëlloj pra alla Rama-Meta. Unë mendoj se kjo është e qëllimëshme dhe e pa drejtë.

Është krejt ndryshe qëndresa stoike e PD-së dhe e forcave të tjera opozitare që treguan vision për të ardhmen, kulturë demokratike, qëndrueshmëri dhe forcë që e tronditi qeverisjen Rama –Meta.  Këto u panë me insistimin për ligjin për dekriminalizimin, për ligjin për vetingun, për qëndrestarinë tremujore për votën e lirë ,e deri në shembja  e 11 ministrave të  të qeverisë Rama në prag të zgjedhjeve. Programi i   Zotit Basha është i qartë, i ndërthurur , i argumentuar dhe i besueshëm, për  uljen e taksave, punësimin, rritjen e pagave e të pensioneve, zgjerimin e biznesit, përmirësimin e shëndetësisë e të arsimit, zgjidhjen e problemit të pronave dhe hapjen ndaj biznesit të huaj.

Personalisht besoj tek ky program dhe ju ftoj ta votoni. Pas katër vitesh është e drejta jonë ti kërkojmë llogari edhe Zotit Basha se sa i ka realizuar premtimet e marra.

Filed Under: Politike Tagged With: “ EDI RAMA NUK KA FAJ”, asllan Bushati, zgjedhjet ne Shqiperi

Europa League! Takaj:”Duam te shkojme sa me larg ne Europe

June 20, 2017 by Administrator

skenderbeu round

Nga Albano Kolonjari/

Skenderbeu ka “buzeqeshur” pas hedhjes se shortit ne Europa League. Perballe skuadres korcare do te jete skuadra modeste Sant Julià nga Andora. Eksperienca e krijuar por edhe niveli i futbollit korcar eshte me i larte se ai i kundershtareve te tyre. Ky fat u ka dhene te “drejte” korcareve te mendojne per turin e dyte, ku perballe tyre do te jete fituesi i ciftit Kairat Almaty (Kazakistan) – Atlantas (Lituani). “Kemi eksperiencen e duhur per te perballuar ndeshje te tille. Por duhet thene se ne te tilla nivele nuk ka kundershtare te lehte. Largesia eshte problem, pasi shkakton lodhje te lojtaret, por do te dime ta perballojme”,shprehet presidenti i Skenderbeut Taka. Nga skuadra korcare jane larguar disa lojtare duke perfshire ketu edhe sulmuesin e mirenjohur Hamdi Salihi. Ndersa ka afruan ne skuader Afrim Takun nga Tirana, portierin e Partizanit Desajani, sulmuesin malazes Goran Vujoviç, Danjet Shkodren nga Luftetari dhe Albi Doka nga Tirana. Presidenti i ekipit Takaj thote se:”objektivin e ekipit te Skenderbeut  eshte per te shkuar sa me larg ne Eurapa League”. “Jemi duke ndertuar nje ekip cilesor dhe normalisht do te kete ndryshime dhe perforcime dhe kjo varet edhe nga kalimi i tureve”. Pavaresisht se ndeshja duket shume e lehte ne leter Takaj thekson se:” ky takim do shueë kujdes dhe jo nenvlerësim, por eshte nje rival i kalueshem”. Pyetjes se si e parashikoni turin e dyte ku perballe do te keni fituesin e ciftit Kairat Almaty (Kazakistan) – Atlantas (Lituani). ETakaj pergjigjet:”Ecuria e Skenderbeut në Europe ka qene shume positive. Skenderbeu eshte mesuar te luaje me klube shume me te medha edhe me te forta se skuadra qe pritet te perballet ne turin e dyte dhe ia ka dale mbane. Shpresoj qe ekipi do te gjeje forcat per te kaluar edhe turin e dyte”.

Filed Under: Sport Tagged With: Alban Kolonjari, Europa Lig, sa me larg, Takaj

Avdullah Hoti ule kokën dhe rri sus !

June 20, 2017 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj /

Një deklaratë infantile ma tepër se skandaloze nga Mali i Zi ajo e kandidatit të LDK-së për kryeministër se grupacioni i tij politik nuk do të bashkëpunojnë as me PAN dhe as VV sepse këto formacione politike rrëzuan qeverinë e Isa Mustafës, mentorit të tij që edhe e emeroi ministër financash, edhe kandidat për kryetar të qeverisë.

Po të shohësh rezultatet paraprake të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 11 qershorit ku po të hiqen edhe fletëvotimet e pavlefshme rezulton që 63% e popullit të Kosovës i ka bojkotuar duke i thënë jo kësaj klase politike, ku nga gati 2 milione votues, votën e kanë dhënë vetem 700 mije, dhe LDK-së po t’ja heqesh votat e AKR dhe Alternativës, del me këpucë të kuqe, të jetë votuar nga rreth 100 mijë votues, një humbje e paparë në krahasim me të gjitha zgjedhjet e mbajtura deri tash në Kosovë.

Të njëjtën humbje e ka pësuar edhe PDK, si dy partite bashkë me LDK qe kanë keqqeverisur Kosovën në një aleancë diabolike që prej zgjedhjeve të nëntorit 2007.

Qeveria e Isa Mustafës ka qenë qeveri e turpit sepse u ngrit në kundërshtim të plotë me vullnetin e elektoratit që ia dha votën sipas premtimit parazgjedhor se LDK do të rrëzonte Hashim Thaçin, që jo vetëm nuk e rrëzoi, pra e zgjodhi edhe president, ndersa Hashim Thaçi e shpërdori establishmentin e LDK në kēmbim të pushtetit.

Qeveria ku Avdullah Hoti u emërua ministër i saj u ngrit duke mashtruar elektoratin e LDK, prandaj puna ma e mirë që duhet të bëjë Avdullah Hoti asht me hesht.

Të shuj ma mirë.

Tė rrijë sus.

Ose t’i kërkojë ndjesë elektoratit të LDK dhe atij Rugovist se e keni mashtru dhe rrejt e tash ju ka ardhë ora me pagu.

Pra ule kokën Avdullah Hoti dhe si njeri i financave analizo rezultatin zgjedhor.

Nëse je profesionist nuk bëzan por reflekton.

Nëse je sharrllatan lëshon deklarata idiote si ajo nga Mali i Zi, të cilat kanë vetëm një efekt boomerang e të djegin ty dhe ti bëhesh harakiri për një qeveri antidemokratike që u ngrit për interes të Klanit Pronto si thuhet në Kosove dhe kundër interesave kombëtare të Kosovës!

A ke kuptu gja nga këto që kam shkrujt?!(E dergio per Diellin- VOAL)

Filed Under: Politike Tagged With: Elida Buçpapaj, ule kokën dhe rri sus !

NJË ZGJEDHJE TEJET E VËSHTIRË

June 20, 2017 by dgreca

1-eugjen-merlika

“Arti i luftës është arti për të shkatërruar njerëzit, politika është arti për t’i gënjyer.”- D’ALEMBERT/

Shkruan: Eugjen Merlika /

Kemi hyrë në javën e fundit të fushatës zgjedhore më të veçantë e më të pazakontë të pas komunizmit në Shqipëri. 25 qershori pritet me një interes të shtuar, si në Shqipëri e në mjediset shqiptare jashtë kufijvet, po ashtu edhe nga ata qarqe të politikës evropiane e botërore që shqetësohen, ndoshta jo pa të drejtë, për rreziqet që mund të burojnë nga Ballkani i trazuar, që sjellin ndër mënd kohë të shkuara e të vona, të shoqëruara me ngjarje të hidhura e plot dhimbje. Shqipëria është një pjesë e atij Ballkani, ndoshta ajo më problematikja, mbasi populli i saj, që flet të njëjtën gjuhë  e ka të njëjtët doke e zakone, jeton i ndarë në gjashtë shtete !!!

Ky fakt, normalisht, do të detyronte disi rrahjen e mendimeve të fushatës zgjedhore, të trajtonte si problem për zgjidhje edhe çështjen kombëtare. Por në lumin e turbullt të fjalimeve parazgjedhore nuk ka asnjë gjurmë të saj. Për hir të së vërtetës duhet pranuar se, pak kohë më parë, drejtues të lartë në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, për të trysnuar Brukselin që të shpejtojë proçesin prej kërmilli të integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE, e ngritën zërin e tyre, duke krijuar nga një anë shpresa të vakëta e duke marrë, nga ana tjetër përgjigjet standarte të tabusë së mos ndryshimit të kufijvet. Ato shpresa avulluan si vesa në diell, duke zhgënjyer ndonjë besimtar të pakët të ëndrrës shqiptare. Politika evropiane e botërore parapëlqen të mos “shtojë” telashet e veta me një bashkim të trojeve shqiptare në një shtet të vetëm, edhe se sot ajo nderon njëzëri renanin e madh nga Ludvigshafen, arkitektin e bashkimit të Gjermanisë këtu e 27 vjet më parë, ish Kancelarin Helmut Kohl, që ndërroi jetë këto ditë e që u vlerësua nga dy ish presidentë amerikanë, bashkëkohës politikë të Tij, Georg Bush (ati) dhe Bill Clinton, si ”shtetari më i madh i Evropës së mbas luftës”.

I arkivuar problemi kombëtar, fushata parazgjedhore paraqitet në gjithë përmasat e saj të një profili të ulët, në të cilën mbizotërojnë paditë e sharjet mes tre forcave politike kryesore, të cilat garojnë për qeverisjen e Vendit. Kjo fushatë, në krahasim me paraardhëset e saj, përjashtuar atë të “vitit të mbrapshtë” 1997, ka veçantitë e saj mjaft të spikatura. Së pari shtrihet në kohën më të gjatë të mundëshme, mbasi në fakt filloi më 18 shkurt me mitingun e madh të Opozitës në Tiranë e vazhdoi për pesë muaj, gjatë të cilëve shqiptarët qenë të pranishëm në kapërximet politike më të papërfytyrueshme, dëshmi e një paqëndrueshmërie parimesh politike, por edhe e një mungese të theksuar të moralit politik.

Shkërmoqja, sa qesharake, po aq edhe e shëmtuar e shumicës pushtetare të katër viteve të fundit, nxori në pah, në gjithë lakuriqësinë e tyre, problemet themelore të pregatitjes, të karakterit, të programeve politike e ekonomike, të moralit vetiak e politik të PS e të LSI si parti e, kryesisht si drejtues kryesorë. Ajo lidhje, që kishte si “mision” “Rlindjen” e vonë të Shqipërisë dhe fillimin e bisedimeve për hyrjen e saj në BE, nga vetë pohimet publike të përfaqësuesve të saj kryesorë, rezultoi se qe një marrëveshje pushtetare për ndarjen e “tepsisë”, të zonave të ndikimit në fusha të ndryshme të jetës ekonomike dhe administrative të një Vendi të drobitur nga hallet. Simbas pohimit të Presidentit të sapo zgjedhur dhe ish Kryetar i Kuvendit, z.Ilir Meta, koha e bashkëqeverisjes së fundit”është periudha e lulëzimit dhe shpërthimit të drogës në të gjithë Shqipërinë. është periudha kur Shqipëria u përcaktua si Vendi i dytë për prodhimin e drogës në botë.” Ky pohim përkon me paditë që kryetari i PD, Basha i kish shpalosur hapur kohë më parë, por që autorësinë e vërtetë Kreu i Shtetit përpiqet t’i a veshë forcës së tij politike, duke u shprehur se “Basha u kujtua për drogën mbas zgjedhjeve për kryetarin e bashkisë së Peshkopisë”. Ҫuditërisht z. Meta “harron” të shpjegojë arsyet aq të forta të bashkëqeverisjes me kartelin e drogës, kur i u desh të flijojë edhe ministrin e tij të Drejtësisë….

Kryeministri nuk parapëlqen të flasë për problemin e drogës e të personave të inkriminuar në partinë e tij, mbasi ndoshta në marrëveshjen e 18 majit me bashkëbiseduesin e tij, që deri n’atë çast e quante si kundërshtarin më të madh të reformës në drejtësi, mbasi kishte frikë prej saj, pra ishte i lidhur me paligjëshmërinë e korrupsionin, është gjetur një mënyrë e pranueshme për “t’a vënë në gjumë” dukurinë e shëmtuar, së paku deri sa të mbarojë fushata, edhe se kronika çdo ditë pasqyron episodet e saj të panumurueshme. Ai kërkon votat për të patur shumicën absolute, kërkesën e parë e të fundit të çfarëdo politikani në çdo Vend të Botës. Ai përsërit në pafundësi e deri në mërzi tezën se vetëm partia e tij është në gjëndje të “bëjë shtet”, mbasi, sipas tij, shteti shqipatar nisi rrugën e tij në qershor të 2013, deri atëherë ishte një “tabula rasa”….. Kuptohet se kjo mënyrë mëndjemadhe të shprehuri, jo vetëm që nuk i përgjigjet së vërtetës, por pasqyron një vetëkënaqësi skajore e cila nuk mund të sjellë asgjë të mirë. Aleatët e tij në Qeveri e konsiderojnë sot si një personazh të dorës së dytë, “të paaftë të mbajë timonin”, që shumë shumë mund të gjejë një vend si pasagjer. Z.Rama, nga ana e tij, i vesh bshkëpuntores kundështare, LSI, të gjitha arsyet e mosrealizimeve të qeverisë së tij, duke e paditur atë si një parti afariste që, në mbrojtje të interesave të saj, kushtëzonte çdo hap të veprimtarisë qeveritare me marrëveshje në dobi të saj. Sigurisht në këto akuza  të ndërsjellta është një pjesë e mirë e së vërtetës objektive.

Por kryeministri është i vendsur t’a “ndryshojë” këtë gjëndje, ai premton që me partinë e tij të ndërtojë një shtet ku të funksionojë gjithshka, ku të mbizotërojë mirësjellja në marrëdhëniet me partnerët dhe kundërshtarët, ku administrata shtetërore të mos jetë më funksion i ndryshueshëm simbas përfundimeve zgjedhore të partive, ku të bashkërendohet një politikë e përbashkët synimesh e mjetesh në mbrojtjen e interesave kombëtare në përballje me botën, ku të sundojë meritokracia si kriter bazë i përzgjedhjes së administratës shtetërore, ku… Të gjitha ide të lëvdueshme, të pohuara qindra herë në përvojat e shteteve të zhvilluara, por të evokuara edhe në shumë shkrime të shtypit shqiptar në vite. Por nëse për një gazetar të thjeshtë do të mjaftonte paraqitja në mënyrë bindëse e tyre, për të qenë në harmoni me ndërgjegjen profesionale dhe atdhetare, për një drejtues shteti ajo paraqitje duhet binjakëzuar me besueshmërinë që frymëzon përsa i përket mundësisë së sendërtimit të tyre. Në këtë drejtim problemi le shumë për të dëshiruar, mbasi të gjithë drejtuesit e partive të mëdha mbajnë mbi supe të gjithë përvojën dështake të kalesës pas komuniste.

Gara e premtimeve, duke e ditur se nesër në pushtet nuk do të mbahen as një e katërta e tyre, është një kostante e politikës në çdo kohë e në çdo vend, por premtimet e bëra në këtë fushatë zgjedhore në Shqipëri i kalojnë caqet e gënjeshtrave të zakonshme të politikës. “Gënjeshtrat janë jeta e burrave të Shtetit” shkruante dikur  G.L. Graves, një shkrimtar anglez. Por kur  premtimet  marrin formën e gënjeshtrave, të cilat kalojnë kufijtë e logjikës më parake ekonomike, përbëjnë një problem moralo-ligjor që shtrohet me forcë, mbasi mashtrimi për të marrë votën kthehet në një dukuri negative të papranueshme. Për më tepër kur ata mashtrime nuk bëhen nga “virghëresha” të politikës, por nga aktorë të regjur në drejtimin shtetit.

Kjo vlen edhe për kreun e PD, Basha, që mundohet të bindë shqiptarët se “Republika e re” do të jetë një Eldorado e ëndërruar prej tyre, ku qytetarët do të paguajnë 9% taksa, ku pensionistët do të kenë të siguruar 25.000 lek në muaj, ku arsimi i lartë do të jetë falas e shërbimi shëndetësor  i garantuar për të gjithë në standartet evropiane. Të gjitha këto janë synime mjaft fisnike e të domosdoshme, por në kushtet e ekonomike të shtetit shqiptar, mbeten vetëm dëshira, që mund të sendërtohen vetëm nëse të tjerët na lejojnë të shesim drogën në tregjet e tyre normalisht. Me që kjo mundësi përjashtohet a priori për shumë arsye parimore e praktike, për një Vend që ka 647.000 pensionistë në një popullsi më pak se tre milion banorë, me nivele papunësie shkatërruese e nivele prodhimi të ulta, të tilla iluzione nuk mund të mbeten veçse ëndërra. Por leaderi i PD e përforcon propagandën e tij zgjedhore në fushën ekonomike me njoftimin se programi i tij ka vulën e këshilltarit ekonomik të kancelares Merkel. Argumenti është sugjestionues, por paraqet dritë hijet e tij, mbasi vevetiu lind pyetja : përse qeveria gjermane nuk bën një ulje drastike të taksave nga mbi 40% në 9%, siç mëton drejtuesi kryesor i PD ? Përgjigja është e thjeshtë : sepse një veprim i tillë do të çonte në falimentim edhe ekonominë më të fuqishme të kontinentit.

Nëse shqiptarëve u pëlqen të nanurisen nga premtimet e Ramës, të Metës, të Bashës apo ndjekësve të tyre, të cilët, në këta vite të gjata të kalesës, kanë patur rastin katëcipërisht të maten, nga pozita pushtetare apo opozitare, me të vërtetën dramatike të jetës së Vendit të tyre, duke pjellë më të shumtën dështime, pa marrë mundimin për t’i renditur këtu, mund të shkojnë më 25 qershor e t’i votojnë.  Më 26 qershor apo në ditët në vijim ata do të jenë të pranishëm në fillimin e shtrimit të sofrave “të marrëveshjeve”, për të formuar të njëjtat qeveri, duke i ngrënë të gjithë paditë e bëra në drejtim të njëri tjetrit. E nëse ndonjë forcë do të mbetet e pakënaqur nga përfundimet e votës së sovranit popull, do të nxjerrë nga arsenali i saj armën e protestës e të mos njohjes së rezultateve…

Kryetari i Shtetit që tani paralajmëron mos dekretimin e Qeverisë, një hap shumë më “i përparuar” nga mos dekretimet e ambasadorëve në Vatikan të markës Nishani. Rreziku i një paralize të jetës politike shqiptare, mbas çadrave të Ramës e të Bashës, mbetet i përhershëm duke e kthyer Shqipërinë, jo vetëm në republikë të drogës, por edhe n’atë të bananevet.

Para këtij pështjellimi të pashembullt politik si duhet të votojnë shqiptarët ? Simbas bindjes sime modeste, ata duhet të gjejnë forca në vetvete, për të votuar në masë parti krejtësisht të reja si ato të Gjergj Bojaxhiut apo Bilal Kolës, të cilat mund të përfaqësojnë, edhe se n’embrion, një alternativë për t’ardhmen, përballë monopolit 26 vjeçar të partive të mëdha pas komuniste. Do të ishte fillimi i ndyshimit të vërtetë të politikës shqiptare, ndryshim që do të kërkojë kohën e tij, por që duhet të japë shenjat e para të dukëshme më 25 qershor.

Duket si një gjë e pamundur, një përmbysje e raportit të forcave në politikën shqiptare, por është i vetmi mjet për të goditur në themele qeverisjen  e dështuar të njëzet viteve të fundit, së bashku me aktorët e saj të dorës së parë apo të dytë. Duket si një ndërmarrje marramendëse dhe ireale, por përvoja botërore na jep mjaft shëmbuj vërtetues, më i fundit ndriçues, fitorja e “Republikës në ecje” të Presidentit francez, Emmanuel Macron.

Qershor 2017                                                      

Filed Under: Opinion Tagged With: Eugene Merlin, NJË ZGJEDHJE, TEJET E VËSHTIRË

VLORE, KUJTO E NDERO DJEMTE ATDHETARE! ABDYL SHARRA KUJTIM BEQIRI

June 20, 2017 by dgreca

1 Kujtim beqiri                                     Ne Foto: Kujtim Beqiri/1 Abdyl Sharra

Ne foto: ABDYL SHARRA/

Nga Agim Xh. Dëshnica/

Në këto ditë fushate, kur më 25 qershor, do të votohet për Republikën e Re, kujtimet na kthejnë mbrapsht, në 2 Dhjetorin e votimeve 1945 dhe dramave tragjike që zgjatën pothuaj gjysëm shekulli. Historia dëshmon, se pasi krismat e Luftës së Dytë Botërore heshtën, kudo u kryhen punime për rindërtimin e qyteteve, porteve, urave, rrugëve dhe hekurudhave. Përparimi i shkencës e teknikës, i dha shtytje të fuqishme zhvillmit të industrisë, bujqësisë e blegtorisë. Autostradat zhvlerësuan hekurudhat, transporti ajror lundrimin detar. Mbrojtja e natyrës e mirëmbajtja e monumenteve të kultures në botë, sidomos në perëndim, u shoqëruan me lulëzimin e turizmit, një prej degëve më të fuqishme të ekonomisë. Si rrjedhojë e tërë këtyre punëve mirëqenia ekonomike e kulturore u ngrit edhe më lartë. Në këtë përparim veproi fuqishëm ndihma e SHBA.

Në vendin tonë, të rreshtuar në krahun e gabuar, më 28 nëntor 1944, u fol për “fitoren e popullit”, por pushteti, me gjakun e atdhetarëve liridashës, ra në duart e një kaste të rrezikshme. Në zgjedhjet e vitit 1945, “Fronti Demokratik”- u përball me një opozitë krejtësisht të pafuqishme, me vota të manipuluara nga komunistët.

Në kohën, kur bijtë e familjeve fisnike, studentë të shkëlqyer në universitetet e Europës, u kthyhen në atdhe si mjek, veterinerë, agronomë, punuan në institucionet përkatëse, ndërsa inxhinerë, si Abdyl Sharra e Kujtim Beqiri, morën përsipër drejtimin e punimeve për rindërtimin e urave dhe porteve të dëmtuara. Por zhvillim i ngjarjeve politike. ndryshoi drejtimin në kah të kundërt. Komandantët e komisarët, shumica pa shkollë, të zbritur nga malet, u sulen drejt pushetit me gjyqe pa ligje, kundër “kolaboracionistëve”-firmatarë të pavarësisë- intelektualë të shkencës, letërsisë e kulturës.

Pas votimeve të 2 dhjetorit, më 11 janar 1946, u shpall me brohori Republika Popullore me një parti. Ky akt i pabesë kundër demokrakracisë, u shoqërua me skenare gjyqesh në Tiranë, Shkodër, Vlorë, Gjirokastër, Korçë etj. Një ndër ta ishte gjyqi i “grupit opozitar”, ku bënte pjesë shkrimtarja e parë shqipare Musine Kokalari. Më pas u vijua me “grupin e sabotatorëve”, “agjentë të amerikanëve”, e inxhinerëve, Abdyl Sharra e Kujtim Beqiri nga Vlora, tok me ekipin teknik, për tharjen e kënetës së Maliqit, për panxharin e Fabrikës së sheqerit, kur populli vuante nga mungesa e bukës. Aso kohe ndihma me ushqime falas nga UNRA, u shit me racion. Mallrat e tregtarëve të shpronësuar, iu dërguan Beogradit të uritur. Një sjellje e tillë bujarie, shkaktoi mungesën e frikshme të mallrave të nevojshme për qytetarët. Kjo krizë rëndoi mbi shpatullat e fshatarëve që punonin e prodhonin më shumë. Për habi ata njerëz të ndershëm e punëtorë, u quajtën ”kulak” “armiq të pushetit”. Ata skllevër në tokën e tyre, duhej t’i dorëzonin shtetit prodhime më tepër se detyrimi i caktuar. Në qytete u shfaqen dukuri të tjera të panjohura deri atëhere, cilësimi sabotator, borgjez e reaksionar.

Gjyqi i “sabotatorve”, ishte edhe një veprim dinak, për të mbuluar mashtrimin e madh, e një viti më parë, për votime të lira. Ndryshe nga premtimet, u krijua një qeveri e dhunshme, me partinë komuniste të fshehur nën disa maska: e “Frontit”, e “punës”, me anëtarë komunistë. Në skena kinemash e teatrosh, e fshehur pas perdes Front, Partia Komuniste drejtoi gjyqe pa ligje, pa fakte me sajesa hetuesish, prokurorësh kriminelë e gjyqtarësh, pa shkollën përkatëse. Vendimet ishin të neshkruar qysh më parë nga dora e diktatorit. Sipas kryetarit kukull të gjyqit, shumica e “sabotatorëve”, nxënës të shkollës teknike, paskëshin qenë “agjentë.të Fulcit.” Të gjithë inxhinerët, u arrestuan, në punë e sipër, në ditën e gjashtë të nëntorit 1946. Pas dy ditësh dolën në gjyq. Vendimi u dha dy javë më vonë dhe u ekzekutua në mbarim të katër ditëve në Kampin e Maliqit: Me atë gjyq, diktatori E. Hoxha synoi gjetiu, prishjen e marrëdhënieve me SHBA dhe Anglinë. Pesë ditë pas procesit gjyqësor kundërligjor, misionet amerikane dhe engleze në shenjë proteste u larguan nga Shqipëria. Veprimi i drejtë diplomatik amerikan dhe englez, u përdor nga “drejtësia e partisë” para popullit të paditur, si provë tjetër “sabotimi”. Kjo ngjarje e rëndë, e ndau vendin tonë nga dy shtetet më të pasur në botë, SHBA dhe Britania e Madhe.

Edhe pse kanë kaluar shumë vite emri Maliq seç ka diçka të zymtë, të ngjashëm me Matahuzenin e shfarosjes së njerëzve pa emër në hi e pluhur, siç ndodhi me te burgosurit e vrarë me plumb apo zhytur nën baltë, nga oficerët sadistë gjatë punimeve për hapjen e kanalit kullues për tharjen e kënetës.

Ç’thonë të vërtetat e historisë përmes dijetarëve të fushave te ndryshme studimore?

Dikur këneta e Maliqit ishte liqen i pastër përqark me pyll, një nga mbrekullitë e natyrës, ku gjallëronin shpend, kafshë e peshq gjithëfarësh,. Sipas zbulimeve arkeologjike, atje ndodhej një vendbanim i lashtë, tashmë i zhdukur. Edhë në kohët e reja aty pranë bleronte Pylli i Fazanëve. Në zona livadhesh e drurësh, në ajër e tokë, mbi e nën ujë, endeshin peshq, shpend e kafshë të egra. Kush qe ai, që nënshkroi vendimin shkretan për prishjen e asajë parajse të natyrës mbi tokë. Kush qe ai i krisur, që kërkoi të prishej ajo bukuri pjellore e ish-kënetës së Maliqit? Një fjalë e urtë e thotë: “ Vetëm atëherë kur

druri i fundit të jetë prerë, atëherë kur lumi i fundit të jetë helmuar, atëherë kur peshku i fundit të jetë zënë, vetëm atëherë do të kuptojmë që paraja nuk mund të hahet.”

Dijetarët vendas e të huaj, për vlerat e saj turistike këshillonin të mos prekej. Në shumicën e vendeve mendojnë se dëmtmi i natyrës së gjallë të trashëguar prej shekujsh, ngjan me tufanet e shkretimit të botës. Por Qeveria e aftë vetëm për vrasje, kërkoi me këmbëngulje tharrjen e plotë të kënetës. Veçse ajo nuk qe e zonja të financonte projektin e inxhinererëve të paharruar vlonjatë Abdyl Sharra e Kujtim Beqiri, me të cilin sigurohej mbrojtja përfundimtare e fushës së Maliqit, duke ndërtuar prita të fuqishme betoni mbi grykëderdhjen e Devollit për përballimin e prurjeve të shumta në sezonin e shirave apo nga shkrirja e borës në male. Për atë projekt dijetarësh, nuk vlenin, as parrullat revolucionare, as kërcënimet, duheshin para e jo fjalë në erë. Ndaj projektet e mendimet e inxhinereve nuk u miratuan. Diktatori donte gjak, jeta njerëzish, për sheqer të kuq, në një kohë, kur Shqipëria vuante nga mungesa e bukës e cila vazhdoi edhe pasi stalinisti I betuar. u marros e iku nga kjo botë.

Edhe pas hapjes së kanalit, Këneta e Maliqit, herë thahet, herë përmbytet. E megjithatë me akuzën e “sabotimit”, meqë këneta nuk u përurua më 1 maj, duhej të vdisnin njerëz të pafajshëm. Një gjyq i tillë për nga barbaria, nuk ishte parë ndonjëherë në historinë e drejtësisë. Proçesi gjyqësor, i duhej pushtetit të dhunshëm, të fshihte të vërtetat për tharjen kënetës. Kundër çdo arsyetimi teknik, ishte vendosur që “vepra e madhe” të kryhej me punën e krahut e mijëra të burgosurve skllevër brenda tetë muajve. Por me mjete të tilla, si kazma, lopata, e tokmaku, qe krejt i pamundur mbarimi në kohën e caktuar verberisht. Sipas logjikës prej të marri, duhej të dënohej me varje në litar, me pushkatim e me burg “grupi i sabotatorëve.” Në akuzën mashtruese u rreshtuan si fakte “sabotimi”, fajet e vetë qeverisë: mungesa e maqinerive, e motorave, e çizmeve, e ujit, e ushqimit për punëtorët e burgosur që u dergjën të sëmurë në barakat e kampit të rrethuar me tela me gjemba, me kullat e rojave me mitrolozë.

Kush ishte ky “grup sabotatorësh?

Dy inxhinerët projektues e drejtues të punimeve, Abdyl Sharra 35 vjeç i diplomuar në Fakultetin e inxhinerisë së ndertimit i në Romë; me medalje ari. pasardhës i familjes princërore të Gjergj Arianitit, nip në Vrana-jt e Kaninës. i dënuar barbarisht me varje në litar; Kujtim Beqiri, 32 vjeç, me medalje ari , Ylli i Universitetit të Inxhinerisë së Vjenës. Edhe sot foto e tij duket në muret e Universitetit. I kthyer nga studimet për t’i shërbyer vendit të vet. humbi jetën në moshë të re, i dënuar me varje, dy here në litar, deri sa dha shpirt si shenjt, në prani të prokurorit gjakatar Haznedari. Fjala e tij e fundit jehon përjetsisht:” “Fajin tonë do ta tregojë historia. Të rrojë Shqipëria! Të rrojë flamuri!”

Në ekipin zbatues të punimeve, bënin pjesë inxhineri Vasil Mano me bashkëshorten Zyraka, Mirush Përmeti 34 vjeç, nga familje fisnike, prind i dy fëmijëve të mitur dhe italiani, dashamirës i Shqipërisë, Eugenio Scaturo i ndershëm në punën e vet. Të katër u dënuan me pushkatim, Tregojnë se Scaturo vetëm në çastin, kur u ndodh para grykave të pushkëve, kuptoi se po e vrisnin.

Inxhineret e huaj që erdhën në mbarim të tragjedisë, u mahnitën nga projekti i përkryer, i inxhinereve Abdyl Sharra e Kujtim Beqiri dhe nga punimet, në një kohë aq të shkurtër se bashku me vartësit e tyre dhe punëtorët- skllevër të burgosur, për tharjen e kënetës. Por tronditja e përzier me habi, qe edhe më e thellë, kur u thanë se ishin dënuar me varje në litar si “sabotatorë!” Nuk mjaftuan këto mjerime, por duhej të botohesh romani “Këneta”, nga shkrimtari F. Gjata.. Pastaj Kino-Studio “Shqipëria e Re”, me filmin e zi. pasuroi arkivin me kundëtvlera.

Por ç’ngjau më pas? Pas përmbytjeve në stinën e shirave punimet për tharjen e kënetës vazhduan pafundesisht. Mijëra të burgosur, midis tyre poetë e shkrimtarë, si Mitrush Kuteli, Vexhi Buharaja, Arshi Pipa, me mjete mesjetare u sfilitën nëpër baltra përgjatë kanalit të nëmur.

Në vitin 1959, u fol përsëri për tharjen e kënetës. Kush ishte “sabotatori” këtë herë? Dhe shi papritur e pakujtuar në kohët e reja, u zbulua një dokument arkivor.

“VENDIM n. 388 16-11-1959

Mbi tharjen e plotë të kënetës së Maliqit me rjedhje të lirë.-Byroja Politike e Komiteti Qendror të PPSh në mbledhjen e saj të dates 16.11. 1959, mbasi mori në shqyrtim propozimin e Kryesisë së Këshllit të Ministrave mbi tharjen e plotë të kënetë së Maliqit me rjedhje të lirë”, duke marrë parasysh leverdinë ekonomike që ka kryerja e kësaj vepre, mbasi sipas studimeve të bëra, do të përfitohen 1.300 ha tokë e re dhe do të përmirësohen rreth 4.000 toka të tjera, si dhe do të sigurohet kullimi më i mire i vendeve më të ulta të fushës,

VENDOSI

Të bëhet tharja e plotë e kënetës së Maliqit me rrjedhë të lirë,sipas projekti të hartuar nga organizata projektuese sovjetike “ Giprovod- hoz.” Punimet për këtë vepër do të fillojnë në vitin1960.

Sekretari i Parë i Komitetit Qendror i Partisë së Punës të Shqipërisë

Enver Hoxha  ( Firma dhe vula me draper e çekan.)”

Dhe poetesha e frymëzuar nga këto vendime këndonte: Parti e vendit tim Në mal përmbi këto male E ngritëm Shqipërinë, Plot dritë e sotmja jonë, Më të bukura ditët vijnë Dhe dora shtrëngon dorën Dhe bëhet grusht i fortë, Të gjithë rreth Partisë Rreth shokut Enver.

* * *

Pas vitit 1990, kritizerët u sulen me shkrime kundër tranzicionit. Pra çfarë ndodh me ta? Gjatë fushatës për pushtetin qendror më 2013, në Maliq u pa gazetarja e Top-Chenellit e njohur për intervistat me “kuadrot” e një kohe të mbrapsht. E shoqëruar nga kameramanët, ajo ecte më këmbë me mikrofon në dorë përbri një kamioni. Tërë shfaqja zhvillohej para kënetës së përmbytur nga rreshjet e fuqishme dhe nga dalja e Devollit nga shtrati. Nga larg kamioni kishte pamjen e një karuseli, cirku shetitës. Nga afër u pa qartë, se të gjithë ishin veprimtarë të P.S, gra e burra me faqet buçko, veshur për bukuri, hipur në karroceri teksa fyenin pa turp flamurin e PD, të varur prapa kabinës së kamionit, që endej udhës para kënetës. Në atë orgji fjalamanësh,që shitireshin si fshatarë varfanjak, dëgjoheshin ankesat e mësuara qysh më parë: “Po vdesim për

bukë, me se të rrojmë, paratë në bankë na u mbaruan, nga Greqia nuk na dërgojnë asgjë. Vdiqëm, po vdesim. Në kohën e Enverit ishim më mirë, tani jemi argatë në tokat e të tjerëve.Qeveria ndihmon vetëm fshatarët e Shkodrës së përmbytur. Po ne përse na ka harruar? Ah! Ferma e panxharit! Ah! Moj Fabrika e sheqerit me ato oxhaqet përpjetë, më e madhja në Ballkan!” Nga mënyra sesi flisnin, merrej vesh, se të gjithë ishin humoristë ose shakaxhinj e karagjozë të Top-Chenell-it. Ndërkohë dëgjoheshin, edhe zëra njerëzor, që kujtonin e flisnin thjeshtë për të vërtetën: ”Me gjakun e burrave, grave e fëmijve të pafajshëm, u mbajt gjallë diktatura e pangopur, që shkatërroi natyrën mbi e nën tokë. Gjithçka i takonte asaj, kurse sot këta pushta enveristë me kënetën e vdekjes, na tregojnë sa i mirë qe panxhari rus, sa i ëmbël ishte sheqeri, sa i përpjetë oxhaku i zi i fabrikës. Ai sheqer që dilte andej seç kishte një ngjyrë si të purpurt, njësoj sikur merrte me vete gjakun e inxhinerëve të pafajshëm të varur në litar apo të pushkatuar tok me të burgosurit, që dhanë shpirt, të harruar në llucë. Fatkeqësi, krim, dhimbje, mallkim!” Por për ironi të fatit, shohim herë pas here, tek krenohen buzëgaz para potretit të diktatorit, kryetarët e PS, LSI, PDS, Rama, Meta e Milo.

Inxhineret e paharruar, Abdyl Shara e Kujtim Beqiri janë nderuar me titullin Martirë të Demokracisë, veçse për çudi në Fjalorin Enciklopedik të Akademisë së Shkencave, emri i tyre i nderuar mungon. Megjithatë, të gjithë janë Nderi i Kombit.

Vlorë e Pavarësisë, në këto ditë fushate, kujto djemtë e tu atdhetarë, inxhinerët e talentuar Abdyl Sharra, Kujtim Beqiri dhe gjithë viktimat e Kampit të Maliqit.

Shqipëri, në këto ditë fushate zgjedhore, ndero emrat e veprat e tyre në shërbim të atdheut, Të gjithë në votime. për të ardhmen e sigurtë, më të qetë e më të mirë. Votoni, për ndërtimin e motorit të fuqishëm, të ekonomisë shqiptare, sipas shembullit amerikan. Amerika është me ne! Votoni për PD, Republikën e Re!

 

Filed Under: Histori Tagged With: Agim Deshnica, KUJTO E NDERO DJEMTE ATDHETARE! ABDYL, SHARRA KUJTIM BEQIRI, Vlore

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT