• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2017

RAPORT I DEPARTAMENTIT TË SHTETIT TË SHBA- TRAFIKIMI I PERSONAVE- SHQIPËRIA

June 28, 2017 by dgreca

Në vitin 2016, qeveria trajnoi 75 gjyqtarë dhe 20 oficierë policie për hetim dhe ndjekje penale të trafikantëve dhe për mbrojtjen e viktimave. Qeveria nuk raportoi ndonjë hetim, ndjekje penale apo denim të punonjësve qeveritarë si bashkëfajtorë në kundravajtje trafikimi. /

19430076_10154784038535838_5454546684212155071_n

Qeveria e Shqipërisë nuk përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit; megjithatë, po bën përpjekje domethënëse për ta bërë këtë. Qeveria demonstroi përpjekje në rritje krahasuar me periudhën e mëparshme të raprotimit; për pasojë, Shqipëria mbeti në Grupin 2. Qeveria demonstroi përpjekje në rritje duke ndjekur penalisht dhe dënuar më shumë trafikantë dhe duke përdorur për herë të parë “fondin e posaçëm” të saj për mbrojtjen e viktimave nga asetet e kapura prej trafikantëve. Qeveria rriti financimin për Zyrën e Koordinatorit Kombëtar Anti-Trafikim (ZKKA) dhe rregullisht mblodhi aktorët e mekanizmit kombëtar të referimit dhe komitetit anti-trafikim. Megjithatë, qeveria nuk arriti të përmbushte standardet minimale në disa fusha kyçe. Policia vazhdoi të pasqyronte të kuptuar të kufizuar të trafikimit njerëzor dhe dështoi në disa raste të identifikonte viktimat e trafikimit mes individëve të përfshirë në prostitucion të detyruar apo si shërbëtorë shtëpie. Qeveria hetoi dy viktima dhe dënoi një viktimë për akte të jashtëligjshme kryer si rezultat i nënshtrimit ndaj trafikimit, edhe pse ligji përjashton viktimat nga ndëshkimi për krime të kryera si rezultat i shfrytëzimit të tyre.

REKOMANDIME PËR SHQIPËRINË

Të zbatohet ligji që përjashton viktimat nga dënimet për akte të jashtëligjshme të kryera si rrjedhojë e drejtpërdrejtë e nënshtrimit ndaj trafikimit, sidomos viktima të trafikimit seksual që shfrytëzohen në prostitucion; të trajnohet policia, inspektorët e punës, si dhe zyrtarë të tjerë të vijës së parë për identifikimin proaktiv të viktimave; të vazhdohet me rigorozitet hetimi, ndjekja penale dhe dënimi i trafikantëve sipas neneve 110(a) dhe 128 (b); të ngrihen mekanizma të qëndrueshme financimi për njësitë e lëvizshme që administrohen nga ligjzbatuesit dhe grupe të shoqërisë civile për të identifikuar viktimat; të rritet mbrojtja për viktimat kundrejt kërcënimeve dhe kanosjeve gjatë seancave gjyqësore duke lehtësuar pjesëmarrjen në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve dhe duke zgjeruar trajnimin për prokurorë që merren me dëshmitarët viktima; të rritet financimi për strehat e administruara nga OJQ për viktima të trafikimit dhe të ofrohet financim në mënyrë të rregullt; të përmirësohet kapaciteti i policisë së kufirit dhe migracionit për kontrollin e migrantëve të parregullt për tregues të trafikimit; si dhe të rriten përpjekjet për të kontrolluar fëmijët e rrugës për shenja të trafikimit. NDJEKJA PENALE Qeveria vazhdoi përpjekjet e ligjzbatimit për anti-trafikimin. Nenet 110(a) dhe 128(b) të kodit penal ndalojnë trafikimin për qëllime seksuale dhe të punës dhe parashikojnë ndëshkime prej tetë deri në 15 vite burg; këto janë mjaftueshëm shtrënguese dhe kapërcejnë ato të parashikuara për krime të tjera të rënda, të tilla si përdhunimi. Policia e shtetit hetoi 69 raste me 69 trafikantë të dyshuar në vitin 2016, krahasuar me 80 raste me 90 të dyshuar në vitin 2015. Qeveria nuk bënte  ndarje në të dhënat e ligjzbatimit për të demonstruar përpjekjet kundër trafikimit për qëllime seksuale dhe punë të detyruar, por mbante shënime nëse viktimat ishin të rritur apo fëmijë. Njëzetenjë nga këta të dyshuar në vitin 2016 u hetuan për trafikim të fëmijëve dhe 48 për trafikim të të rriturve. Zyra e Prokurorisë së Krimeve të Rënda ndoqi penalisht 18 trafikantë të dyshuar, krahasuar me 15 në vitin 2015. Nëntë nga këta të dyshuar u ndoqën penalisht për trafikim të fëmijëve, krahasuar me dy të dyshuar në vitin 2015. Gjykatat dënuan 24 trafikantë, krahasuar me 11 në vitin 2015. Njëmbëdhjetë nga këta trafikantë u dënuan për trafikim të fëmijëve dhe 13 për trafikim të të rriturve. Të gjithë trafikantët e dënuar morën dënime me burg, të cilat varionin nga dy deri në 25 vite. Autoritetet vazhduan të ndiqnin penalisht disa trafikantë për krimin më të lehtë të shfrytëzimit të prostitucionit. Autoritetet raportuan konfuzion midis elementëve të mbivendosur të prostitucionit dhe trafikimit dhe, hera-herës, aplikuan akuzën më të lehtë sepse kërkonte më pak specializim dhe kohë ose për shkak të besimit të gabuar se krimet e trafikimit kërkonin një element ndërkombëtar. Trafikantët e akuzuar për shfrytëzim të prostitucionit mund të merrnin dënime më të lehta se ata të akuzuar për trafikim për qëllime seksi. Në vitin 2016, qeveria trajnoi 75 gjyqtarë dhe 20 oficierë policie për hetim dhe ndjekje penale të trafikantëve dhe për mbrojtjen e viktimave. Qeveria nuk raportoi ndonjë hetim, ndjekje penale apo denim të punonjësve qeveritarë si bashkëfajtorë në kundravajtje trafikimi. U rritën përpjekjet për ligjzbatimin ndërkombëtar. Qeveria bashkëpunoi në dy hetime të përbashkëta me ligjzbatuesit italianë dhe spanjollë. Në vitin 2016, tetë shqiptarë u arrestuan në Holandë, Gjermani, Greqi dhe Itali për përfshirje të dyshuar në trafikim; tre nga këta të dyshuar u ekstraduan në Shqipëri. Shqipëria ekstradoi tetë trafikantë të dyshuar të huaj në Itali, Maqedoni dhe Moldavi. MBROJTJA Qeveria vazhdoi përpjekjet për mbrojtjen e viktimave. Qeveria dhe OJQ-të identifikuan 95 viktima të trafikimit dhe viktima të mundshme të trafikimit, krahasuar me 109 në vitin 2015. Nga këta, 55 ishin të rritur dhe 44 ishin fëmijë (61 të rritur dhe 48 fëmijë në vitin 2015), 11 ishin meshkuj dhe 84 ishin femra (22 viktima meshkuj dhe 87 viktima femra në vitin 2015), dhe tetë ishin të huaj (katër viktima të huaja në vitin 2015). Gjashtëdhjetë e dy u identifikuan si viktima të mundshme dhe 33 u identifikuan zyrtarisht si viktima, një status i akorduar pas një interviste të përbashkët kryer nga përfaqësues si ng ashërbimet e ligjzbatimit ashtu dhe nga ato të shërbimit social shtetëror. Ligji garantonte shërbime të barabarta për si për viktimat e mundshme ashtu edhe për viktimat e njohura zyrtarisht. Tri streha të specializuara administruar nga OJQ dhe një strehë e administruar nga shteti ofronin asistencë për viktima të trafikimit, përfshi ushqim, këshillim, asistencë ligjore, kujdes shëndetësor, shërbime shkollimi, shërbime punësimi, asistencë për fëmijët e viktimave, ndihmë financiare, strehim afatgjatë, veprimtari shoqërore, trajnim profesional, dhe ndjekje për pasintegrimin. Strehat e administruara nga OJQ-të mbështetën 75 viktima të trafikimit dhe viktima të mundshme ndërsa streha e administruar nga shteti mbësheti 30, 10 prej të cilave ishin nga viti 2015. Qeveria ofroi 21.7 milionë lekë ($169,231) për strehën e administruar nga shteti, më pak se sa 23,970,000 lekë ($186,900) në vitin 2015. Qeveria ofroi 15.3 milionë lekë ($119,093) për strehat e administruara nga OJQ-të për të mbështetur pagat për 24 anëtarë të personelit, çka shënon rritje nga fondi prej 10 milionë lekë ($77,972) për të mbështetur pagat për 12 anëtarë të personelit në vitin 2015. Për herë të parë, qeveria shtoi 4.7 milionë lekë ($36,647) për buxhetin nga asetet e konfiskuara kriminale për të financuar shërbime të riintegrimit dhe mbështetjes. Mbështetja me ushqime për strehat e drejtuara nga OJQ-të u ul në 1.8 milionë lekë ($14,035) nga 3 milionë lekë ($23,392) në vitin 2015. Strehat e drejtuara nga OJQ-të vazhduan të operonin në kushte të shtrënguara financiare dhe mbështeteshin në burime të jashtme për kostot operative. Mekanizmat financiare të përdorura për të financuar këto streha gjatë vitit mbetën të ndërlikuara dhe të prekshme nga manipulimet nga qeveritë vendore. Financimi i qeverisë për tre streha të drejtuara nga OJQ-të u vonua me dy muaj dhe një strehë nuk arriti të merrte ndonjëherë financimin për ushqime. Strehat e drejtuara nga OJQ-të lejuan viktimat e rritura të largoheshin nga strehat në mënyrë të vullnetshme, ndërsa streha e drejtuar nga shteti iu kërkonte viktimave të kërkonin miratim nga drejtuesi i strehës. Qeveria ofronte falas trajnim profesional, tekste për viktimat fëmijë, si dhe karta shëndeti që ofronin akses falas në kujdesin shëndetësor. Vetëm një strehë e drejtuar nga OJQ-të ofroi shërbime të specializuara për viktima fëmijë nën moshën 16 vjeç. Viktimave meshkuj iu ofroheshin apartamente me qera, ku merrnin ndihmë nga OJQ-të. Viktimat e huaja kishin akses në të njëjtat shërbime si viktimat vendase, përfshi ndihmën ligjore. Personat përgjegjës në vijën e parë ndiqnin një procedurë standarte pune për identifikimin dhe referimin e viktimave tek shërbimet; megjithatë, qeveria kishte çaktivizuar njësitë lëvizëse të identifikimit sepse donatorët e huaj nuk ofronin më mbështetje dhe qeverisë i mungonin fondet për të vazhduar me njësitë. OJQ-të raportuan se ligjzbatuesit burgosnin viktimat për akte të jashtëligjshme si rezultat i drejtpërdrejtë i nënshtrimit ndaj trafikimit njerëzor. Për shembull, një viktimë femër e trafikimit u dënua për prostitucion me 16 muaj burg, nga të cilat kreu nëntë muaj. Një tjetër viktimë u dënua me 18 muaj provë por e fitoi çështjen në apel. OJQ-të raportuan se policia shpesh e shoqëronte trafikimin me lëvizjen dhe nuk ishte në gjendje të identifikonte viktimat e rekrutuara dhe shfrytëzuara në të njëjtin rajon të vendit. Vëzhguesit raportuan raste kur rojet e kufirit dhe zyrtarë të migracionit nuk kryenin procedurat standarte të kontrollit. Qeveria, në bashkëpunim me një organizatë ndërkombëtare, trajnoi 388 zyrtarë në 12 rajone për identifikim, referim dhe ndihmë për viktimat. Ligji iu siguronte viktimave të huaja një periudhë tremujore reflektimi me status të përkohshëm banimi dhe autorizim pune për deri dy vite, edhe pse qeveria ende nuk ia kishte akorduar këtë status ndonjë viktime. Viktimat mund të merrnin kompensim nga qeveria ose të ngrinin padi civile kundër trafikantëve; tre viktima aplikuan për kompensim por çështjet e tyre ishin pezull gjatë periudhës së raportimit. Vëzhguesit raportuan kërcënime ndaj viktimave dhe familjeve të tyre gjatë seancave gjyqësore. Gjykatat lejonin dëshmitë me anë të viedokonferencave dhe viktimat që dëshmonn kundër trafikantëve kishin akses në programin për mbrojtjen e dëshmitarëve, por asnjë viktimë trafikimi nuk mori pjesë në program.

PARANDALIMI

Qeveria rriti përpjekjet për parandalimin e trafikimit. Qeveria rriti financimin për ZKKA në 5.7 milionë lekë ($44,444) nga 5.2 milionë lekë ($40,546) në vitin 2015. Qeveria miratoi një plan veprimi të rishikuar pas një vlerësimi nga ZKKA në bashkëpunim me një organizatë ndërkombëtare. ZKKA vazhdoi të publikonte raporte të rregullta për veprimtarinë në faqen e internetit dhe mblidhte aktorët e përfshirë në mekanizmin kombëtar të referimit. Dymbëdhjetë komitete rajonale anti-trafikim (KRAT), përbërë nga zyrtarë vendor dhe OJQ, punuan për parandalim dhe ndihmë për viktimat. Kryeministri nxori një urdhër për të forcuar KRAT duke formalizuar raportimin, vendosur afate, dhe duke rritur përpjekjet për rritje ndërgjegjësimi. KRAT dhe koordinatorët kombëtarë anti-trafikim nga Mali i Zi dhe Kosova nënshkruan një deklaratë të përbashkët që siguronte aplikimin e një procedure standarde pune për mbrojtjen dhe riatdhesimin vullnetar të ndihmuar të viktimave.  Qeveria sponsorizoi fushata ndërgjegjësimi mbi praktikat e shfrytëzimit për punë; një organizatë ndërkombëtare raportoi se vetëm 28 nga 47 agjenci punësimi operonin në mënyrë të ligjshme. ZKKA trajnoi mbi 1,000 punonjës të qeverisë, gjyqtarë, prokurorë dhe partnerë të shoqërisë civile mbi çështje të trafikimit. Qeveria nuk bëri përpjekje për të reduktuar kërkesën për shfrytëzimin e seksit për tregti. Qeveria ofroi udhëzime anti-trafikim për personelin e saj diplomatic dhe koordinatori kombëtar informoi diplomatët shqiptarë të vendosur në nëntë qytete mbi rregulloret lidhur me trafikimin njerëzor. PROFILI I TRAFIKIMIT  Siç është raportuar gjatë pesë viteve të fundit, Shqipëria është një vend burimi, tranaziti dhe destinacioni për burra, gra dhe fëmijë që i nënshtrohen trafikimit seksual dhe punës së detyruar. Femrat dhe fëmijët shqiptarë i nënshtrohen trafikimit seksual dhe punës së detyruar brenda vendit, sidomos gjatë sezonit turistik. Trafikantët përdorin premtime të rreme të tilla si oferta për martesë apo punësim për t’i detyruar viktimat të përfshihen në trafikimin seksual. Trafikantët përdorin gjithnjë e më shumë median sociale për rekrutim viktimash. Fëmijët shpesh detyrohen të lypin ose të kryejnë të tjera tipe pune të detyruar si shitje e artikujve të vegjël. Fëmijët shqiptarë, kryesisht nga komuniteti rom, shfrytëzohen në Turqi për punë sezonale. Pati edhe raste fëmijësh që detyroheshin të punonin në fusha kanabisi në Shqipëri dhe disa trafikantë me gjasë janë të përfshirë në trafik droge. Viktimat shqiptare i nënshtrohen trafikimit seksual në vende kudo në Europë, sidomos Kosovë, Greqi, Itali dhe Mbretëria e Bashkuar. OJQ-të raportojnë rritje në numrin e fëmijëve shqiptarë që detyrohen të punojnë në Kosovë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Viktimat e huaja nga vende europiane, Filipinet, Nigeria iu nënshtruan trafikimit seksual dhe punës së detyruar në Shqipëri. Migrantët e parregulltnga Azia punësohen gjithnjë e më shumë si punëtorë shtëpie nga familje të pasura ku janë të prekshëm nga kushtet e skllavërisë në familje.

Migrantët nga Lindja e Mesme, Azia Qendrore dhe Afrika kalojnë tranzit në Shqipëri për të arritur në Europën Perëndimore dhe janë të prekshëm nga trafikimi.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: RAPORT I DEPARTAMENTIT, shqiperia, TË SHTETIT TË SHBA- TRAFIKIMI I PERSONAVE

Demokracia Shqiptare si “Ligji i Xhunglës ”

June 28, 2017 by dgreca

1 Alfons-Grishaj1 Alfonsi2

Nga Alfons Grishaj/

Megjithëse kanë kaluar vite, demokracia shqiptare është akoma në një gjendje të mjeruar. Në parti, organizata, institucione shtetërore, institucione kulturore etj., shfaqen herë pas here mbetjet e një  kohe të tmerrshme që la plagë të mëdha në shoqërinë shqiptare. Edhe sot, kjo pasojë që gangrenizoi shoqërinë, shtetin dhe të ardhmen, shfaqet me shëmtinë e saj, ku personazhi kryesor i një subjekti i jep vetes të drejtën e fuqisë e një Perëndie… Ai legjitimon vetveten si një drejtues i pazëvendësueshëm dhe i pagabueshëm.

Në këtë maratonë, babëzitja lë vranga, duke kafshuar me egoizëm të egër. Viktimë e egërsisë dhe pabesisë bie rrethi shoqëror, organizata, partia apo shteti. Megjithëse ka me mijëra ilustrime për një dekadencë të tillë, përsëri në shoqërinë shqiptare ka idhuj dhe pasues të kësaj gangrene. Hipokrizia e adhuruesve aminxhinjë që rrethojnë Perëndinë e gënjeshtërt me saze të shurdhta i ka dhënë zë një propagande të verbër, që përhapet gjithaq me anë të një megafoni rrëngallë që i përcjell zërat thjesht si pëllitje. Në politikë, kjo i ka kushtuar rëndë Shqipërisë, kurse në organizata shoqërore ka qenë një kurth asfiksie ose shkatërrues  që ka manipuluar dhe ndaluar përparimin e zhvillimit shumë dimensional.

Mbetjet e këtyre trupave amorfë janë shpërndarë për të rikrijuar parti apo organizata të tjera, të cilët kanë sjellë të njëjtën pasojë të rëndomtë, produkt negativ dhe regres! Sipas informacioneve të shkruara dhe gojore  dhe personale, në këtë katrahurë, praktikë e vendeve dhe mendjeve të pazhvilluara, operojnë vrasësit e shpresës. Lideri  balonë dhe rekrutët e “Injorancës  së shkolluar”, siç thoshte Bjelinski, kanë përçudnuar lidershipin deri në atë shkallë sa të vjen për të qarë duke shikuar se si është varrosur kultura tradicionale e burrërisë, fjala dhe tradita. Ato flasin për traditën, për burrërinë, që në të vërtetë, nuk është asgjë reale dhe e prekshme, por vetëm një fasadë reje…

Kjo kategori e ka shumë të vështirë për të kapur kohën. Patericat i gjykojnë si shtylla mbajtëse të një ndërtese klasike…! Por në fakt, nuk është ashtu, se këtu nuk bëhet fjalë për një relike muzeale po për një organizëm të gjallë që duhet rigjeneruar me mendje dhe gjymtyrë të reja. Për shembull: Nëse ne do ta gjykonim Vatrën si një objekt apo si një  relike muzeale, me plot të drejtë dikush do të thoshte se ajo e ka kryer misionin e saj…Realisht, Vatra nuk është një relike muzeale, por një Institucion i gjallë 105 vjeçar, që ashtu si Kisha apo Xhamia, të cilat kultivojnë vlerat  e shenjta  shpirtërore, Vatra kultivon vlerat e larta patriotike dhe kombëtare. Por nëse kjo Vatër kthehet në qëllim në vetvete për t’i shërbyer një familjeje apo një nervi amatoresk, ajo ka mundësi të degradojë në të njëjtën shkallë si dhe institucionet në Shqipërinë etnike…

Shoqëria shqiptare ka krijuar një preçedent të rrezikshëm: kulturën e suportit të partive, apo  organizatave që punojnë në dëm të shoqërisë, duke i zënë sytë vetes për të mos parë bajraktarizmin unikal të lidërve primitivë, të cilët janë pasuruar në mënyra të paligjshme, pa e konceptuar pushtetin qe nuk e kanë si instrument shërbimi për masat, por, si një money tree për ta shkundur në xhepat e tyre. Përgjegjësia ndaj shtetit dhe popullit janë në nivelin zero. Nëse shoqëria shqiptare do të ishte e ndërgjegjshme që me referendum të krijonte një model tjetër, si ai i sistemit amerikan, ku pushtetet janë të ndara, transparenca është maksimale dhe ligji është funksional, atëherë, populli shqiptar do fitonte lirinë, mirëqënien dhe dinjitetin. Po a i intereson ky hap transformimi politikanëve të babëzitur shqiptarë?  Kurrësesi jo! Po të ndodhte kjo, fundi i tyre do ishte pa lavdi. Koncepti i kastës së krijuar në vorbullën e etnisë tonë nuk krijon mundësinë e debatit konstruktiv që bazohet në normat e shenjta  të demokracisë. Nëse je me kastën në fjalë, je hero! Nëse i kritikon, humb titullin…! Po i dole kundra, mund të humbasësh dhe gjithçka. Ligj ky, i emëruar: “Ligji i Xhunglës!” Konotacioni tragjik i këtyre dy fjalëve përmbledh dhe sakrilegjin  e zgjedhjeve të fundit, ku humbësi i madh mbetet përsëri populli, trupa e madhe zgjedhore, vetë sovrani.

Filed Under: Opinion Tagged With: alfons Grishaj

Ardian Kadriu: Mjeshtri i Skulpturës dhe Skenës

June 28, 2017 by dgreca

 Ardian Kadriu me mjeshtëri krijon art ku derdh shpirtin dhe talentin nëpërmjet imagjinatës së tij. Fantazia vepruese e artistit të suksesshëm nga Maqedonia është influencuar nga guximi për krijimtari dhe dëshira për ngjallur emocione nëpërmjet artit. Ka mbajtur ekspozita të veçanta për skulptura të jetësuara me argjil, dru, gur dhe mermer në Tetovë, Gostivar, Shqipëri etj. Veprat e skulptorit Ardian Kadriu kanë lënë gjurmë të prekshme për artdashësit ku midis të tjerave veçohet “Klithmat e Brendshme”.

10988514_10206054404303321_3855953926789101843_n10405481_10206587603112958_9073534454447628816_n320866_2410200138567_2019882364_n11159495_10206587533431216_7658109001252812682_nSkulptura 11618477_10203250333163295_1008848341_n1507683_10203262680871980_1047805730_n

 Skulptori i talentuar Ardian Kadriu përveç artit figurativ ka pasion pikturën, aktrimin, skenografinë në filma dhe teatër. Njihet si skenograf për shfaqet: Rrënjët e Kullës – Vebi  Qerimi (rekuiziter), Qeni i Baskervileve – Qazmedin Nuredini, I sëmuri për mend – Ahmet Jakupi, Ballyturk – Qazmedin Nuredini, Mesimi –Ilirjan Himaj dhe Një shtrat plot me të huaj – Esat Brajshori. Si skenograf ka bashkëpunuar me regjizorin e mirënjohur Ibër Deari dhe njihet për filmat fitues: Last Confession, Between Paradise and Hell, My city Screams, Toka, A long way home.

Ardian Kadriu ka lindur në Kumanovë në vitin 1989. Shkollën fillore e kreu në vendlindje në fshatin Sllupçan – “FAIK KONICA”, ndërsa shkollën e mesme në gjimnazin “GOCE DELCEV”. I diplomuar nga Fakulteti i Arteve dega SKULPTOR në Universitetin shtetëror të Tetovës.Momentalisht Ardian Kadriu është skenograf i shfaqes “Një shtrat plot me të huaj“, nga autori Dave Freeman dhe me regji të Esat Brajshorit. Gjithashtu po përgatitet për ekspozitën personale, të cilën dëshiron ta ekspozojë në 2018.

 Intervista me Artistin Ardian Kadriu

Intervistoi: Ermira Babamusta

 Na trego fillimet e tua për skulpturën. Si fillove?

 Ardian Kadriu: Shumë herët, por arsyeja se si ia nisa apo ku lindi kjo dashuri sigurisht që ka ndikim familja ime. Unë isha me fat që linda me një familje ku vetëm se janë marrur me ART. I rrethuar me artistë, babi është piktor kurse xhaxhai im është grafist, kshtu që isha i rrethuar me piktura, grafika dhe skulptura. Si fëmijë ajo që më shumë më tërhiqte ishte argjila ose balta. Gjithmonë luaja me baltë dhe punoja forma të ndryshme të skulpturës, punoja skulpturë dhe ndër  kohë pikturoja. Por prapë se prap isha më i lidhur ose më shumë interesi më ikte kah skulptura.

 Me skulpturën  mundesha ta prekja në të gjitha anët, të ndërtoja me duar dhe  më shumë e ndjeja, dhe kështu fillova të punoja vazhdimisht me shumë pasion. Kur erdhi koha për të studijuar tani më e kisha të qartë se çfarë doja. Vazhdova në fakultetin e artëve ku kisha fatin dhe u pranova në fakultet si student i  rregullt i Artit Figurativ, drejtimi Skulpturë.

 Ka njerëz të uritur, por shpirti i artistit është gjithnjë i etshëm.

Cilët artistë të inspirojnë më shumë?

Ardian Kadriu: Nga klasikët më shumë që më inspirojnë janë Michelangelo, Rodini Donatello, Edvard Munch, Francicko Goya, Rembrandt, Van Gogh. Nga arti modern do ta veçoja skulptorin Javier Marin.

 Çfarë të inspiron më shumë për të bërë art/skulpturë ose pikturë?

 Ardian Kadriu: Mendoj se artistin e ngacmon gjithçka që na rrethon për të na dhënë një inspirim që të krijojmë diçka. Unë inspirimin e gjej gjithkund. Kaloj shumë kohë në natyrë pasi që mendoj se aty qetësohem dhe komunikoj me artin. Pa e pasur një mendje të qetësuar dhe një shpirt të pastër është vështirë që të lidhemi me një inspirim apo krijim të mirë. Gjëra të tjera që më inspirojne janë librat, filmat, muzika e mirë, shëtitje, njerëzit, ejt. Dhe mundohem që ta shikoj brendësinë e njeriut, egon e tij, dëshirat, ambiciet, dhimbjen gjithçka që e bën një njeri të gjallë.

 Këshilla juaj për dikë që dëshiron të ndjeki këtë karrierë?

 Ardian Kadriu: Është punë e rëndë, ndoshta nga të gjithë artet e tjera Skulptura përveç lodhjes kreative apo asaj shpirtërore, se si të gjejmë një ide, e pastaj analizat se çfarë mesazhi bartë ajo ide, ka edhe lodhjen e madhe fizike. Ku artisti duhet te jetë fizikisht i përgaditur, të punojë me baltë dhe daltë. Të punojë pa pushuar netë e ditë. Por dëshira e madhe për këtë punë të jep kënaqësi.

 Këshilla ime, lexoni dhe punoni me shpirt. Fillimet janë të vështira por në fund e kupton dhe e sheh se ti je krijuesi i një vepre. Kjo është shumë e rëndësishme.  Do ta përfundoj me një thënie shumë të mirë nga Van Gogh ku thotë, “Nëse dëgjon një zë të brendshëm të pëshpërije brenda jush “ti nuk mund të pikturosh”, atëherë në të gjitha kuptimet e mundshme pikturo, dhe ai zë do të jetë i heshtur.”

 Na trego pak për proçesin se si bëhet një skulpturë?

 Ardian Kadriu: Unë do ta mar si shembull skulpturën në argjil por kemi edhe materiale të ndryshme si psh: druri, guri, mermeri, etj.

 Sikur piktura dhe grafika që kërkohet të vizatohen skicat, po ashtu edhe në skulpturë punohet skica. Pastaj fillojmë me përgaditjen e argjilës, sikur brumin që e gatuajmë, e gatuajmë edhe argjilën. Përgaditet argjila pastaj fillojmë skeletin ta punojmë me materiale të ndryshme. Gradualisht  fillojmë me mbushjen e skeletit me argjil duke e mbushur dhe duke e bëre vendosjen. Pasi që ta vendosim fillojmë dhe e modelojmë skulpturën. Pas  modelimit e përfundojmë skulpturën dhe e përgadisim për ta hedhur në gips ose materiale të ndryshme. Pak a shumë u mundova me shkrim të sqaroj, por nga punimet e mia të ardhshme kam plan që t’i xhiroj gjithë proçesin me një kamerë dhe aty shumë më mirë do dallohet dhe kuptohet.

 Cila është pjesa më e rëndë për të bërë një skulpturë?

 Ardian Kadriu: Në përgjithësi nuk ka pjesë të lehtë apo të rëndë. Ndonjëherë pjesa më e rëndë është proçesi në kërkimin e idesë se çfarë dua të bëj me një skulpturë. Por në realizimin e saj, pjesa më e vështirë ose me e frikshme për skulptorin është vendosja e skulpturës në skeletin e saj, që ajo të qëndrojë e lirë. Dmth kjo është pjesa më shumë që një skulptor koncentrohet që ta pëfundojë me suksese. Pastaj pjesa e modelimit është më e lehtë e kështu me radhë. Dmth mendoj që pjesat më të rënda në art nuk janë ato fizike ku ti punon me duar, ajo është si pjesë teknike e proçesir të artit. Pjesa më e rëndë është ajo mendore… Më pëlqen një thënie e Michaelangelo ku thotë se, “Një artist pikturon me mendjen e tij jo me duart e tij.”

 A jeni shumë skulptorë shqiptarë, nëse po na trego disa prej tyre?

 Ardian Kadriu: Nuk jemi shumë numër i madh. Në Maqedoni është numri më i vogël se sa i piktorëve dhe artisteve në fushat tjera të artit. Unë disa nga Skulptorët që i njoh dhe kam kontakte janë: Xhelil Rufati, Muamer Sadiku, Xhezair Rexhepi, Bashkim Mexhiti  etj….Shpresoj që në të ardhmën të rritet numri i artistëve që duan të merren me skulpturë.

 Çfarë jeni duke punuar tani për momentin?

 Ardian Kadriu: Për momentin jam duke u përgaditur  për ekspozitën personale që do ta kem në fund të vitit 2018, dhe shpresoj që të mos ndalem dhe të vazhdoj t’i ekspozoj  dhe nëpër qytete të Maqedonisë por edhe jashtë vendit. Gjithashtu përveç ekspozitës jam duke punuar edhe me një shfaqje profesionale në Teatrin e Kumanovës. Dmth aty jam si skenograf i shfaqes “Një shtrat plot me të huaj“, nga autori DAVE FREEMAN dhe me regji të Esat Brajshorit.

 Përveç skulpturës me cilat arte tjera e shpreh vetën?

 Ardian Kadriu: Më duket se gjithçka që ka të bëjë me artin e gjej një lidhje që mund të shprehem e të komunikoj me publikun. Dmth është Piktura. Pastaj e dua dhe më pëlqen aktrimi, kam qenë pjesmarrës në disa filma si aktorë por në role më të vogla. Merrem me kostumografi dhe skenografi në teatër dhe film. Dhe shumë gjëra të tjera që për momentin mendoj që këto janë të mjaftueshme

 Cilat janë disa nga filmat që ke punuar?

 Ardian Kadriu: Skenograf kam qenë në gjithë filmat e Ibër Dearit duke filluar nga Last Confession, Between Paradise and Hell, My city Screams, Toka, A long way home … në shumicen e këtyre filmave kam marrë pjese edhe si aktor në disa nga rolet. Kam bërë një përvojë të madhe në filma. Filmat shumë i dua kur i shikoj… por të punosh në filma është një magji komplet tjetër. Eksperiencë e veçantë dhe e këndshme.

Cilat janë disa nga shfaqjet në teatër që ke punuar?

Ardian Kadriu: Do ti shkruaj disa më të rëndësishme për momentin që kam punuar. Për në teatër gati çdo vit punoj nga 1 deri me 2 shfaqe. Dmth në rolin e skenografit.

Rrënjët e Kullës – Vebi  Qerimi – rekuiziter”

Qeni i Baskervileve – Qazmedin Nuredini

I sëmuri për mend – Ahmet Jakupi

Ballyturk – Qazmedin Nuredini

Mesimi – Ilirjan Himaj

Një shtrat plot me të huaj – Esat Brajshori

Cilat janë skulptuarat e tua që i pëlqen më së shumti ose do ti kishit veçuar në krijimtarinë tuaj?

 Ardian Kadriu: I kam disa dhe e vështirë për ti veçuar. Por mendoj që deri më sot çfarë kam punuar. Vepra ime që kam punuar me shumë dhimbje dhe në fund kam ndje një kënaqësi të madhe mundem me thënë se është vepra ime e quajtur KLITHMAT  E BRENDSHME – Fytyrat nga disa personazhe të ndryshem që Brenda tyre degjohen klithmat dhe ankthet.

 Çfarë bëni kur nuk jeni duke u marr me krijimin e skulpturës?

 Ardian Kadriu: Gjatë tërë kohës jam skulptori ku mendoj se cila do jetë vepra ime e ardhshme. Por si kohë relaksi dhe meditimi shikoj shumë filma, lexoj libra… ka momente kur dëgjoj vetëm muzikë. Shëtitjeve në natyrë i kam të obligueshme. Është oksigjeni im për të jetuar më mirë. Dal me koleg diskutoj, debatoj për art. Punët të tjera siç tregova më lart skenografia në filma dhe teatër. Pjesmarrja ime ne filma. Shëtitja në festival etj etj.

Top 3 skulptorët më të mirë dhe veprat e tyre që do ti kishit veçuar?

Ardian Kadriu:

1.Donatello (1386 – 1466), Davidi i bronztë është një nga skulpturat më të famshme të ditëve të sotme. Dallon si puna e parë e pambështetur në bronz të përpunuar gjatë periudhës së Rilindjes dhe është skulptura e parë mashkull që qëndron nudo në këmbë që nga antikiteti.

2. Auguste Rodin (1849 – 1917) “Puthja” është një skulpturë e mermertë e vitit 1889. Ka një histori të veçantë. Buzët e dashnorëve nuk preken në skulpturë, duke dhënë idene e diçkaje që u ndërpre dhe ata u vranë me buzë që akoma s’ishin prekur.

3. Mikelanxhelo (1475 – 1564), Mëshira (La Pieta) Mikelanxhelo krijoi një nga skulpturat më të bukura që është parë ndonjëherë. Mëshira paraqet Virgjëreshën Mari që mban të birin, Jezu Krishtin në krahë.

Filed Under: Interviste Tagged With: Ardian Kadriu, Ermira Babamusta, i Skulpturës dhe Skenës, Mjeshtri

Vushtri, Sesion shkencor kushtuar heroinës shqiptare Shotë Galica

June 28, 2017 by dgreca

-Bashkëorganizohet nga Instituti i Historisë i Kosovës “Ali Hadri” dhe Kuvendi Komunal i Vushtrrisë, me kumtesa shkencore paraqitën studiues nga Kosova, Shqipëria e më gjerë/

1 Shote GalicaPRISHTINË, 28 Qershor 2017-Gazeta DIELLI/ Një sesion shkencor kushtuar jetës dhe veprimtarisë së heroinës shqiptare Shotë Galica, me rastin e 90 vjetorit të shuarjes, do bashkëorganizohet nga Instituti i Historisë i Kosovës “Ali Hadri” dhe Kuvendi Komunal i Vushtrrisë.

Në këtë sesion, i cili do të mbahet në Qendrën e Kulturës “Hasan Prishtina” në Vushtrri, në 30 qershor nga ora 12:00, me kumtesa shkencore do të paraqitën studiues nga Kosova, Shqipëria dhe më gjerë, të cilët do të trajtojnë personalitetin dhe veprën e heroinës sipas këndvështrimeve dhe burimeve të ndryshme historike.Shotë Galica, kjo luftëtare shqiptare, i përket periudhës në mes të dy luftërave botërore kur shqiptarët e pushtuar u ngritën në një lëvizje kombëtare për çlirimin e trevave të Kosovës dhe më gjerë nga sunduesit serb, e njohur ndryshe edhe si lëvizja kaçake, përkujtojnë organizatorët në ftesën e dërguar.Bëhet e ditur se, në këtë sesion shkencor pritet të marrin pjesë personalitete nga jeta akademike, kulturore e politike të vendit./b.j/

 

Filed Under: Kronike Tagged With: kushtuar heroinës shqiptare, SESION SHKENCOR, Shote Galica, Vushtri

Kosova dhe Iowa(SHBA) thellojnë bashkëpunimin

June 28, 2017 by dgreca

-Një delegacion nga shteti Iowa i SHBA-ve po zhvillon një vizitë në Kosovë, ku në takime me autoritetet po bisedohet për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve. Sot u prit nga kryeministri Isa Mustafa dhe kryeparlamentari Kadri Veseli, ndërsa u zhvilluan edhe takime tjera/

1 Mustafa IOWA

Prishtinë, 28 qershor 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim një delegacion të Shtetit të Iowa-s në SHBA, të udhëhequr nga sekretari për Bujqësi, Bill Northey. Gjatë takimit u bisedua për mundësitë e bashkëpunimit dhe fuqizimin e raporteve speciale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Iowa-s.
Kryeministri Isa Mustafa i njoftoi për zhvillimet në Kosovë dhe rezultatet e arritura në zhvillimin ekonomik, në arsim dhe në fusha tjera të jetës.
Po ashtu, kryeministri Mustafa e njoftoi delegacionin nga Iowa për përkrahjen e fuqishme që Qeveria i ka dhënë sektorit të bujqësisë si dhe reformat e ndërmarra në fushën e arsimit.
Në këtë kontekst, kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit me Iowa-n në këto fusha, duke falënderuar për përkrahjen e rëndësishme që Iowa ka dhënë për FSK-në.
Delegacioni nga Iowa vlerësoi të arriturat në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e mëtejme për Kosovën në fushën e bujqësisë, arsimit, përkrahjen e mëtejme për FSK-në dhe përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit edhe në fusha të tjera.

Kryeparlamentari Veseli priti në takim sekretarin për bujqësi të shtetit të Iowas në SHBA

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur në takim një delegacion të shtetit të Iowas nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i kryesuar nga sekretari për Bujqësi, Bill Northey.Në këtë takim, Kryeparlamentari Veseli dhe sekretari Northey, kanë diskutuar për bashkëpunimin e deritashëm dhe ndihmën e vazhdueshme që shteti i Iowas dhe SHBA-të i kanë dhënë shtetit të Kosovës.Kryetari Veseli tha se industrializimi i bujqësisë, edukimi profesional dhe akademik në këtë fushë si dhe rritja e investimeve në bujqësi, janë prioritete të shtetit të Kosovës.Ai po ashtu tha se eksperienca e shtetit të Iowas dhe bashkëpunimi i deritashëm do të vazhdojnë dhe do të thellohen edhe më shumë.

Kosova dhe Iowa të thellojnë bashkëpunimin në fushën e bujqësisë

Një delegacion nga shteti i Iowa-s (SHBA), i kryesuar  nga sekretari për Bujqësi, Bill Northey ka nisur sot vizitën në Kosovë. Ata janë pritur sot në Qeverinë e Kosovës nga ministra dhe përfaqësues të odave ekonomike në vend. Në këtë takim ka marrë pjesë edhe Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi. Ministri me këtë rast ka mbajtur një fjalë rasti, ku ka prezantuar të arriturat dhe sfidat e sektorit të bujqësisë në Kosovë.Ai theksoi se bujqësia mbetet një prioritet për Qeverinë e Kosovës dhe në vitet e fundit janë bërë investime të mëdha. Kjo, tha ai, ka bërë që të ketë rritje në prodhim të produkteve bujqësore dhe shtim të produkteve të përpunuara. Ministri Krasniqi përmendi edhe disa nga sfidat me të cilat, tha ai, po merret qeveria e Kosovës, sa i përket bujqësisë. Në këtë drejtim, përmendi nisjen e programit për sigurimet bujqësore, hartimin dhe realizmin e një projekti të madh për ujitjen e tokave bujqësore në Kosovë, rritjen e buxhetit për bujqësinë, menaxhim më efikas të fermave, e shumë aspekte të tjera. Ministri falënderoi sekretarin Northey për gatishmërinë që shteti i Iowa-s të mbështesë bujqësinë në Kosovë. Kosova, tha ministri Krasniqi, mund të mësojë shumë nga praktikat dhe tradita e madhe bujqësore në këtë shtet. Ai shprehi gatishmërinë që bashkëpunimi të thellohet në të ardhmen.

Nga ana e tij, sekretari Northey tha se ndjehet mjaftë i lumtur për vizitën e tij të parë në Kosovë dhe vlerësoi të arriturat e shënuara në sektorin e bujqësisë në Kosovë. Ai inkurajoi që të vazhdohet edhe më tutje me investime në bujqësi, si një sektor potencial për zhvillim ekonomik dhe hapje të vendeve të reja të punës.Ministri Krasniqi dhe sekretari Northey, të shoqëruar edhe nga anëtarët e tjerë të delegacionit kanë vizituar Agjencinë e Veterinës dhe Ushqimit dhe si dhe qumështoren ‘Eurolona’ në Fushë Kosovë.Ata edhe në ditët në vazhdim do të vizitojnë ferma dhe agro-biznese të ndryshme.

Ministri Bajrami priti një delegacion nga shteti Iowa i ShBA-ve

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka pritur sot në takim një delegacion nga shteti Iowa i ShBA-ve, i cili po qëndron këto ditë për vizitë në vendin tonë.Delegacioni amerikan ishte i pëbërë nga rektorë, dekanë dhe profesorë të universiteteve të këtij shteti amerikan (University of Iowa, The University of Northern Iowa, Des Moines Area Community College (DMACC), si dhe Drake University), me të cilat universitete, ministri Bajrami paraprakisht ka nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi.

Me këtë rast, ministri Bajrami falënderoi delegacionin amerikan për vizitën dhe për bashkëpunimin e mirë që ka Kosova me shtetin mik Iowa në shumë fusha të jetës, e veçanërisht në fushën e arsimit të lartë.Duke prezantuar arsimin e lartë në Kosovë, ministri Bajrami përmendi disa sfida në të cilat po punohet e që janë: lidhja e arsimit me tregun e punës, ngritja e cilësisë së programeve akademike dhe mësimdhënies, si dhe financimi i qëndrueshëm në arsimin e lartë.Prandaj, ministri Bajrami theksoi se përvoja amerikane është shumë e rëndësishme për arsimin kosovar, sidomos sa i çështjes së financimit të arsimin e lartë dhe Kosova është shumë e interesuar për konkretizimin sa më të shpejtë të marrëveshjeve me universitetet e Iowas.

Delegacioni i lartë nga Iowa u shprehën po ashtu të gatshëm për të vazhduar bashkëpunimin me Kosovën dhe theksuan se do të sigurohen që t’iu japin studentëve dhe profesorëve kosovarë sa më shumë mundësi në universitetet që ata i udhëheqin.

Me këtë rast, ministri Bajrami pranoi medaljen e partneritetit të shtetit të Iowa-s me Kosovën nga Sekretari i Shtetit për Bujqësinë, z. Bill Northey.

 

Filed Under: Featured Tagged With: bashkepunim special, Behlul Jashari, Kosova&Iowa

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT