• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2017

Rusia 2017!Gjermania fiton Kupen e Konfederatave.

July 2, 2017 by Administrator

Gjermania kampione

Nga Albano Kolonjari.

Gjermania fitoi per here te pare Kupen e Konfederatave. Ekipi i drejtuar nga Joakim Levi, fitoi me rezultatin 1-0 perballe Kilit. Finalja e Kupes se Konfederatave u zhvillua ne Shen Petersburg te Rusise. Gjermanet koleksionuan trofeun e munguar fale golit te shenuar nga Lars Stindl, ne pjesen e pare te takimit. Kili ne pjesen e dyte ishte prane barazimit te rezultatit me ane te Vidal dhe Sagal, por fati ishte ne anen e Gjermanise qe vuajti shume per te mbrojtur rezultatin e arritur. Pak dite me pare Gjermani fitoi Kampionatin Europian per 21 vjecaret, Ne kete menyre Pancerat gjate ketij viti kane vendusur hegjemonine e tyre ne futboll. Por a do te triumfoje shkolla gjermane? Kjo ngelet per tu pare vitin e ardheshem ne ndeshjet qe do te zhvillohen per Kupen e Botes 2018 ne Rusi. Interesant eshte fakti qe te gjitha skuadrat qe kane fituar Kupen e Konfederatave, nuk kane arritur qe nje vit me pas te fitojne Kupen e Botes. Pjese e formacionit fitues ishte edhe futbollisti me origjine shqiptare Shkodran Mustafi. Ky eshte trofeu i dyte qe Mustafi fiton me ngjyrat e Gjermanise. Ne vitin 2014 ai fitoi Kupen e Botes ne Brazil.

Po sot u luajt edhe finalja e vogel Portugali-Meksike. Kampionet e Europes fituan me rezultatin 2-1. Portugezet e pane veten ne disavantazh pas autogolit te shenuar nga mbrojtesi Neto. “Luzitanet” provuan ta barazonin rezultatin por e kishin shume te veshtire te kalonin murin e ndertuar nga meksikanet. Skuadra e teknikut Fernando Santos, arriti te barazonte 1-1 ne minute e pare shtese me ane te Pepes. Ne shtesen 2X15, Portugalia permbysi rezultatin me ane te ne 11 metershi, te ekzekutuar sakte nga Silva.

Filed Under: Sport Tagged With: albano kolonjari, gjermania, Kampione e upes se Federatave

4 KORRIKU DHE MIQESIA E SHQIPTAREVE ME AMERIKEN

July 2, 2017 by dgreca

3 BislimNGA FATON BISLIMI*/

Miqësia e vërtetë dhe e sinqertë me SHBA-të për ne shqiptarët është si buka e uji. Miqët tanë amerikanë nuk na dojnë e përkrahit pahir. Ata na mbështesin sepse ne dhe shumë gjenerata paranesh shtruan rrugën e kësaj miqësie.Bislimi-AmbAmerikanLu

Që nga koha e Nolit e Konicës, vizionarët modern të kombit shqiptar gjithëherë e kanë parë ekzistencën jo vetëm politike, por edhe natyrale / biologjike të kombit tone si të ndërlidhur dhe të ruajtur direkt nga SHBA-të. Ata që atëherë, qysh në themelet e para të shtetit të shqiptar, sado i cunguar territorialisht që ishte, e bënë për vete dhe e kthyen në favor të së drejtës kombëtare shqiptare një vend me ndikimin më të madh në botë—bënë që Washingtoni të jetë zë që përcon kërkesat e drejta shqiptare në botë dhe njëkohësisht përkrah direkt realizimin e tyre.

4 Bislim

Në historinë tonë më të re, miqësia jonë strategjike dhe e përherëshme me SHBA-të u bë platformë e pazëvendësueshme politike e rezistencës aktive paqësore kundrejt okupuesit serb nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, Presidentit Historik të vendit. Por edhe deri tek kjo ripërtritje e miqësisë sonë me SHBA-të nuk erdhi rastësisht, sikurse nuk kishte ardhur rastësisht as miqësia e Konicës e Nolit me Presidentin Wilson të SHBA-ve në fillim të shekullit XX. Qysh në atë kohë, shqiptarët e Amerikës kishin mbledhë fonde të mëdha për të përkrahur fushatën e Wilsonit dhe për t’i arsimuar sic duhet njerzit kyc të tij mbi cështjen shqiptare. Edhe në kohën e historisë sonë moderne, lidhjet e Kosovës me Washingtonit u mundësuan nga njerzë që edhe sot e kësaj dite vazhdojnë t’i kontribuajnë kualitativisht kësaj marrëdhënie speciale. Ndër ta, kryesor dhe i pazëvendësueshem ishte Kongresisti Joseph DioGuardi, shqiptaro-amerikani me prejardhje nga arbreshët e Italisë së jugut. Ai hapi dyertë por edhe zemrat e Senatorëve dhe Kongresistëve më të rendësishëm amerikanë kundrejtë kauzës sonë, duke sjellë Rugovën në takime zyrtare në Washington për here të parë, e mandej edhe duke kthyer në favor të UCK-së dhe luftës së lavdishme clirimtare të popullit nën udhëheqjen e Komandantit Legjendar, Adem Jashari, njerzit kyc të politikës së jashtme amerikane, e cila përfundimisht solli edhe intervenimin ushtarak të NATO-s që rezultoi me clirimin e Kosovës.Ishte dhe vazhdon po kjo miqësi strategjike me SHBA-të, e ndërtuar dhe trasuar në vazhdimësi nga lobi ynë në SHBA, nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane nën udhëheqjen e DioGuardit dhe znj. Cloyes, që bëri Presidentin Bush të njoh pavarësinë e Kosovës, që siguroi përkrahjen e pashterur amerikane për demokratizimin e Shqiptarisë dhe anëtarësimin e saj në NATO, si dhe që mbajti në radar të politikës së jashtme amerikane cështjen shqiptare në Mal të Zi, Maqedoni, dhe Luginë të Preshevës.

Ky vit shënon 15 vjetorin e angazhimit tim me Ligën dhe punën e drejtpërdrejt me z. DioGuardi e znj. Cloyes si dhe me shume miq tanë në Kongres e Senat, duke përfshirë personalitete si Dole, McCain, Rohrabacher, Biden, etj., (si dhe shumë që nuk janë më ndër ne, si Lantos, Gilman, Hyde, etj.).  Nuk ka asnjë lloj karriere apo pozite (qoftë edhe shtetërore) që do të më kishte dhënë një privilegj e kënaqësi më të madhe. Nuk ka cmim apo kompenzim që paguan për ndjenja të tilla sic kam pasë rastin unë të kem—vizita e takime me njerzë shumë të mëdhenjë në Washington, DC, New York City, Boston, Chicago, Miami, Atlanta, San Francisco, Detroit, e gjithandej Amerikes e botës; takime zyrtare e vizita në Kongres e Shtëpi të Bardhë; në Senat dhe OKB; si dhe në rezidencat private të disa figurave kyce të politikës amerikane.

Tri ditët e fundit më bënë të reflektoj mbi këtë marrëdhënie kaq strategjike në mes shqitparëve dhe SHBA-ve dhe të ndihem mëse i nderuar që vlerësimet më të mira për punën tone tanimë i kanë dhe po i bëjnë edhe përfaqësuesit e SHBA-ve në Ballkan. Për nder të ditës së pavarësisë së SHBA-ve, të enjtën, pata nderin e vecante dhe kënaqësinë të jem prezent në pritjen zyrtare të Ambasadorit amerikan në Shkup, z. Bailey, kurse të premtën në festën e kësaj ditë të rendësishme me Ambasadorin amerikan në Tiranë, z. Lu (festë kjo që koincidoi në të njëjten kohë me atë në Prishtinë). Kurse, mbrëmë ishim bashkë me Ambasadorin e Kanadasë në Kosovë, z. Maksymiuk,  përfaqësuesin diplomatik të një shteti aleat mirëfilli jo vetëm i Kosovës por edhe i SHBA-ve.

Andaj, përgjerësa populli ynë gëzon miradinë Amerikane (edhe të botës perëndimore në përgjithësi), ne do të ecim drejt progresit e zhvillimit, pamarrëparasysh sfidat politike me të cilat ballafaqohemi. Miqësia jonë strategjike me SHBA-të vecsa do të forcohet dhe ne jemi të përkushtuar ta bëjmë këtë, sikur dje, ashtu edhe sot e nesër! E nesërmja do të jetë më e mire; të mirat dhe risitë nuk do të mungojnë… Ju premtoj!

*Faton Bislimi
Anëtar i Bordit të Drejtërove
Koordinator për Ballkan
Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane
New York dhe Washington, DC

2 Korrik 2017

Filed Under: Featured Tagged With: 4 korriku, Faton Bislimi, miqesia shqiptaro-amerikane

DITËLINDJA E MUNGUAR

July 2, 2017 by dgreca

1 Shefqet dhe Bukurie DobraNga Shefqet Dobra/ 20-06-2017. Në këtë ditë, ti Bukuri do të mbushje 68- vjeç, por, më tepër, për fatin tim të keq, ti nuk e arrite këtë ditë, dhe unë në vend që ta festoj këtë ditë më ty, do të kujtoj vitet kur ne i festonim bashkë ditëlindjet. Kisha shkruar diçka për mungesën tënde në këtë ditë, por momenti është ai që të bën të ndryshosh të gjitha planet dhe mendimet që ke; momenti është ai që të ndryshon edhe jetën; për më mirë a për më keq. Ja si më ndodhi që ta fshija tërë atë që kisha shkruar: gjithë natën thuajse nuk fjeta, duke menduar që ti, të nesërmen, në ditën kur duhej të gëzonim së bashku, do të mungoje. Unë nuk do të uroja si herët e tjera…

Në mëngjes nuk ndihesha mirë. U ngrita. Do të shkoja të laja sytë, kur m’u dëgjua sikur ti në kuzhinë përplase lugën në tenxhere. Instinktivisht, ndërrova drejtim, erdha të të shikoja çfarë po gatuaje, dhe me mendjen që kur të më ndjeje, do të më thoshe si herët e tjera:

  • Hë, se më trembe, ç’më vjen si hije!

Po kur u ndodha në derë të kuzhinës, aty mbretëronte qetësia. U hutova dhe mbeta si i ngrirë në derë. Ti nuk ishe aty. Po ç’ishte kjo që dëgjova? A mos erdhe ti të më kujtosh sot në ditëlindjen tënde.  Unë vërtetë jam harraq, nuk i mbaj mend ditëlindjet si ti, por tënden nuk e harroj kurrë. Është e para ditëlindje që nuk ta urova dhe kurrë nuk do të ta uroj dot më. Kjo është dita që gjithnjë do ta ndjejë mungesën tënde; gjithnjë kjo datë, mua do më shkaktojë tronditje të forta psikologjike, dhimbje të madhe në shpirt, por, mos e dhëntë Zoti, të më ndodhë si sot. Kush mund ta besojë si u ndjeva unë, që shqisa e dëgjimit më zhgënjeu. Kjo është dita, kur 68 vjet më parë, Zoti të kishte planifikuar të ishe shoqja e jetës time, e kënaqësive dhe më tepër e vuajtjeve të pafundme.  Ishe ti ajo që sakrifikove aq shumë për mua, e që nuk u ankove kurrë. Ditëlindjet tona i kemi festuar të gëzuar së bashku, i kemi festuar edhe të ndarë e me lot në sy – unë në Spaç e Qafë-Bar, ti në baltrat e Tërbufit – punoje me lopatë për të ushqyer fëmijët, por atëherë jetonim me shpresën se një ditë do takoheshim përsëri e do t’i festonim përsëri së bashku. Kjo shpresë na bënte të fortë, kurse kësaj radhe, kjo ndarje nuk na jep shpresë për t’u takuar edhe njëherë.

Këtë ditë do ta kishim festuar të gjithë bashkë, por fati deshi që kësaj here ne të mos uronim për jetë më të gjatë e më të lumtur, por unë do të lutem për ty, do t’i lutem Zotit me dhimbje në shpirt për vuajtjet që kalove këtu. Besoj se Zoti të ka rezervuar Xhenetin, sepse Ti e meriton, sepse kurrë nuk e prishje gojën e nuk mallkove askënd.

Unë agjërova gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit. Ti vitet e fundit nuk agjëroje se ishe sëmurë, por ngriheshe për të më shërbyer, më bëje kafen… Këtë Ramazan isha vetëm… I kam kënduar shpesh ato ajete që thuhet se janë për këto raste. Ta kam çu selamin; nuk di në i ke marrë a jo, sepse prej atje, nuk kanë ardhur kurrë përgjigje për këto punë, por unë besoj në Zot, besoj se selami të ka ardhur; lutjet që kam bërë për ty, Zoti do t’i ketë pranuar. Këto i kam bërë edhe për nënën, edhe për Lindën tonë të dashur, që ti tani u vajte afër. E lashë të pres edhe ditën e Bajramit e pastaj ta publikoja shkrimin. Edhe para një viti nuk e festuam dot se ti ishe në spital por, atje ta urova. Edhe 50-vjetorin e martesës nuk e festuam dot se përsëri ti ishe në spital. Kurrë nuk do më hiqet nga mendja 6-të nëntori kur ishim te varrezat në Lushnje; ishte hera e parë pas 22 vjetësh, që ti nuk qave te varri i Lindës tënde. As premtimin që më kërkove dhe që ta premtova nuk do ta harroj, po nuk e mbajta dot fjalën që të premtova, se unë nuk jam i fortë sa ishe ti; për këtë kërkoj të më falësh sepse unë do mundohem, do të gjej forca për ta mbajtur premtimin që të dhashë.

Ç’zemër të madhe që kishe moj Bukuri! Në kohën e shpirtit më shumë mendoje për mua, sesa për vete; nuk e dorëzove shpirtin pa i thënë Benit:

  • Babin, babin!

E kishe fjalën që fëmijët të kujedeseshin për mua. Ti vuajte shumë sepse më pate fat

mua, po kurrë nuk u dëshpërove, kurse unë ndihesha krenar se të pata fat ty, që më ndenje pranë e më inkurajoje. Kur unë sëmuresha, ti më thoshe gjithnjë:

  • Sa ke vuajtur ti!..

Ti mendoje për vuajtjet e mija dhe më qaje hallin, kurse vuajtjet e tua nuk i zije me gojë. Optimizmi yt ishte i pakrahasueshëm, mua më mungonte. I humbisja shpresat shpejt. Ti më jepje kurajo. Ti ke tri data, në tre vende të ndryshme, që unë do t’i kujtoj për ty:

5 Dhjetorin, që pas gjithë asaj kohe që vuajte në spital, ndërrove jetë në Itali.

8 Dhjetorin kur të përcollëm për në botën tjetër në Shqipëri

20 Qershorin, ditën kur linde në Librazhd.

Unë isha pranë teje gjatë gjithë kohës që vuajte. Jetova me dhimbjet e tua, ligështohesha, por ti grua e dashur, sado shumë që vuaje, ishe më e durueshme nga unë. Gjithnjë pyesja veten:

  • Ku e gjen gjithë këtë forcë!

Kurrë nuk mbajë mend që kur jemi bashkuar, të sëmuresh e të zësh krevatin, veçanërisht këto vitet e fundit… Ti ke zënë një vend të veçantë në zemrën time, jo vetëm si grua, më tepër për vuajtjet e sakrificat që ke bërë për dashurinë që kishe për mua. Shumë gra, nga ato që jetonin ndryshe nga ju, që mburreshin për biografinë e ofiqet e burrave tyre, dhe ju urrenin se ishit gra armiqsh, por kur u ndodhte burrave tyre, siç na ndodhte neve, ato, shumica prej tyre, braktisën jo vetëm burrat, por edhe fëmijët, se edhe fëmijët ishin armiq të partisë. Bënin kështu që të tregonin sa e donin partinë, kurse ti, ju gratë tona të shumëvuajtura, pranuat çdo sakrificë, se për ju familja ishte më e shenjtë nga çdo privilegj. Ju jeni heroinat e vërteta, por të përçmuara nga njerëzit bastard të asaj kohe.

Këto janë kujtimet që japin dhimbje dhe që më bëjnë mua, mos të të harroj për asnjë moment. Ma ke lënë shtëpinë plot djem e vajza, nipër e mbesa, nuk më mungon asgjë, por, mungesa jote më ka legjendisur. Sidoqoftë, është tjetërkush që vendos për këto, se po të ishte në dëshirën tonë, nuk do më mungoje ti tani. Unë do të të kujtoj gjithnjë me shumë respekt, sa të jetoj. Por, atje ku je ti, veç fotografisë e dhimbjes që më shkakton, nuk kam ç’të shikoj tjetër. Asnjë festë, vit të ri, edhe Bajramin që sapo e festuam, unë erdha në Shqipëri, jo për ta festuar, por, që të vij atje ku je ti, të ta çoj selamin ty, nënës e gocës tonë.

Bashkë nuk do të festojmë më. Këtë fat, paskemi pasur risk, edhe pse nuk i bëmë keq asgjëje. Zoti të pastë bërë vend në Parajsë! Ferrin e provove këtu, në këtë jetë. Kujt duhet t’i shërbejnë këto lloj kujtimesh, ne që vuajtëm apo atyre që na bënë të vuajmë; të paktën të ndjejnë pendesë, të lehtësojnë shpirtin e tyre.

Ne kurrë nuk do dëshironim që edhe ata të provonin fatin tonë.

Filed Under: Opinion Tagged With: DITËLINDJA E MUNGUR, Shefqet Dobra

2 Korriku memoria jonë e plogësht

July 2, 2017 by dgreca

5-Ilir-levonja-2-288x300-1

Nga Ilir Levonja/Florida/

4 dy korriku

1) Pranverë, viti 1990. Një gazetar italian, i hollë, me flokë të rënë, me mustaqe të zeza…, shëtiste në Shqipëri. Ai do fluturonte nëpër viset tona. Do futej nëpër zonat e larta. Në zonat e ulta. Në oborret e njerëzve. Do u bënte pyetje shqiptarëve. Të cilët disa me mburrje e disa me ironi. Do jepnin ato përgjigjet tona standarte. Plot kemi.

2 Korriku

Më kujtohen si tani ca sekuqenca nga një fshat në Myzeqe. Në një fshat të varfër vape, ku dy qe’ qaraviteshin në atë ngathtësinë karakteristike të qerres. Me atë indefrencë fyese prej botës që kollondrisjes prej qindra llojesh mjetesh motorike . Kurse ne me qe’ e buaj dhe zbukuronim parrullat. Një natyrë pikante, amorfe ku gjethet veshë varura nga pluhuri. U kishte vdekur era përsipër. Gjithçka gërrvërrej nga rrotat e këtij mjeti parahistorik, qerres së socializmit. 3 dy korrriku

Në krye qëndronte një njeri fisnik, djegur rrudhash, me dhëmbë të brejtur që ia tregonte qeshja pa gajle. Madje dhe stoiçizmi i sojit shqiptar: Që mirë jemi, mirë. Plot kemi. Poshtë armiqtë. Të rrojë partia.

Kamera i mëshoi parrullave. Në ca stalla. Kurse ai gazetari me sportivitet do na kujtonte për herë të pare absurdin e sukseseve tona. Në atë mënyrë rrëfimi që nuk ishin, ishim mësuar ne shqiptarët. Epoka televizive e jona qe e dominuar vetëm nga suksesi dhe arritjet e mëdha. Nga retushimet. Kurse ai, gazetari, emisioni i tij, i tregonte botës mbarë për mekanizimin dhe agregatet tona bujqësore, deri tek qerret. Dhe mjetet e tjera me të cilat ne ndërtonim socializmin.

2) Ky ishte Federico Fazzuoli i emisionit Linea Verde të RAIUNO-s. Një emision që transmetohej pasdreke, kryesisht me temë për bujqësinë në Itali dhe vendet rreth saj. Një emision që nuk i çonte asnjëherë shqiptarët tek RAIUNO. Ashtu si Domenica in, apo Carramba che sorpresa e Raffaella Carras. Por ja që e bëri kësaj radhe. Ne ishim të gjithë të shoguar për shkak të atyre emocioneve që provon kur shikon veten tënde me sytë e një të huaji. Që deri atë diell jete. Ishin në kokat tona si qënie që na donin vetëm të keqen. Pushtues, fashista, mafie e gjallë. Por edhe një Itali, Amerikë për shkak të dominimit me ekranet e saj. Botën e shout, sportit. Dhe serialet e filmave nga aty dhe bota mbarë.

E kam të gjallë si sot atë pasdite. Kur bashkë me një shokun tim, u sollëm nëpër qytet. Akoma i zbrazët nga vapa e pasdites. Nga periferia në periferi. Me dhjetra here. Distanca nuk është asgjë kur mendja nuk është me ty. Një soj turbullimi që edhe na bënte me turp. Edhe na tallte. Por edhe të pyesnim veten. Këta jemi ne? Ky është vendi që ne duam? Kështu duhet të jetë Shqipëria jonë? Kjo marrëzia kolektive?!

Dhe prapë na hidhëronte gojën, si uji i moçalit, i shushunjave.

Na irnoste përfytyrimin. Planet bajate për tu bërë pjesë e artit me hormone nga realizmi i heronjëve pozitiv. Ne çunat e fashionit të aranxhatave, përballë universit të Cinecittas perëndimore. Realiteti i munguar i vendit tone.

3) Dhe jo më larg se nga këto emocione, ndodhi edhe 2 korriku. Një lloj marazi që shpërtheu dhe bëri të papërfillshëm një regjim gjysmë shekullor. E gjitha kjo, ka hyrë në analet e kohës sonë si eksodi i 2 korrikut 1990. Ose ngjarjet e amabsadave. Shqiptarët tashmë ishin objekt jo më i emisioneve të bujqësisë. Por i rrebeshit të lajmeve televizive përtej Italisë. Ne bijtë e devotshmërisë sociale, mbi atdheun dhe patriotizmin. Bijtë e planeve 5-vjeçare, ushtarët e kështjellës shkëmb graniti buzë adriatikut, hekur e beton…, ishim kthyer në pushtues të ambasadave.

Një soj llave që nuk ka nevojë për armë. Kësisoj përcaktimet qeveritare të tipit tradhëtarë të atdheut. Të shitur tek borgjezia etj. Rrugeçërit …, nuk pinim më ujë. Rrugeçërit e vertetë qëndronin në zyrat me llak dhe makina shkrimi Olivetti. Njëriu me dogma mund të ushqehet për disa kohë. Po jo përjetësisht. Bota po vraponte kurse Shqipëria po vdiste për mend e kokës së dreqit. Shqiptarët vet, e kam ke veshi akoma, zërin e atij burri Gjakove kur më tha se, or bir një shtet që i ka çu koutat e gjatësisë së shqiptarëve, të burrit, në 1m e 50cm. Shqiptarin bojalli të folklorit, nuk është shtet, degjo bacën ti…., ja shiko atë që po kalon matanë. Shikoje. Atje përtej shkonte në punë të vet, një mesoburrë me mëngë përveshur, Një këmishë oficerash. Me një trastë supeve. Dhe me pantallona të errta me gjunjë të rjepur. Por, po të flasim me gjuhën e korçarëve do u themi bollka. Nuk ecte, megjithatë sandalet i bënin pluhur.

4) Edhe pse ishte pikënisja. Fryma, ajo u ezaurua nga zhvillimet e tjera.

Sidomos ato politike që erdhën më pas. Dhe që konkluduan me lëvizjen e dhjetorit, pluralizmin etj.

Shqiptarët lane ambasadat. Ambasadat nuk ishin më asgjë. As edhe portet. Nuk kishin nevojë të rrëmbenin vaporët. Krenarinë detare. U mjaftonin gomonet. Por ikja nuk ishte vetëm det. Kishim edhe malet.

5) Shqiptarët përkujtojnë shumë data. Çudërisht 2 korrikun jo. Po u kujtua ndonjë studio televizive. Ku ndonjë redaktor programacionesh ka ndonjë familjar, misionar të 2 korrikut, mire. Do japi ndonjë kronike.

Shqiptarët nuk e përjetojnë 2 korrikun. Pasi i bën me turp ikja. I bën me turp llava njerëzore e zogjve të socializmit. Kur hidhen në det nga lartësitë e vaporëve. Po, vërtet ashtu si fluturakët krahë njomë. I përplaseshin ujit. Nuk e përkujtojnë për shkak se i del boja demagogjisë aktuale. Edhe pse e vërteta është më kontribuese se sa çdo qeverisje, a stad shoqëror, sado reforma që pretendon të bëj ajo.

Shqiptarët i tremb e vërteta. Se në fakt 2 korriku, është një ngjarje që i përket të tërëve. Që i përket masës në përgjithësi. Pasi është nisja drejt Perëndimit. Dhe këtu nuk mund të përjashtojmë as familjet në favor të regjimit. Për më të thjeshtën arsye se ata sot janë pjesëmarrës dhe bashkëqytetarë në botën perëndimore.

Në mos drejtpërsëdrejti, janë përmes fëmijëve të tyre. Që kanë emigruar dhe po jetojnë aty. E që në një farë mënyre o një tjetër, janë ata që bëjnë dallimin midis sistemeve. Të atij që ndërtuan dhe atij që iu kundërvu. Dhe baballarët nuk kanë qejf që bijtë t’ua u kujtojnë. I kanë nervat tek maja e vështrimit.

6) Zakonisht historia i mban në sqetull ngjarjet e mëdha. Kështu edhe me 2 korrikun. Sepse është e tillë që shënon hapjen e një fondi ekonomiko-politik. Dhe qeveritarëve, të ashtuquajtur demokrat. Reformatorë të ekonomisë së tregut. Të shtetbërjes e demokracisë. Nuk u shkon për shtat

Edhe pse është nisja e transformimeve të vërteta demokratike. E transformimeve reale. Nuk mund të klasifikohet si datë që duhet të përkujtohet shtetërisht. Eshtë ndoshta një nga ngjarjet që do mbetet ngjarje për aq kohë sa mos të kemi një histori tonën. Ndofta edhe për faktin e thjesht. Që nuk prodhoi një lider politik. Dhe nuk ka se si… Prodhoi qytetarë perëndimorë. Ngjarje që nuk mori asnjëherë suport politik. Megjithëse ishte një shpërthim masash. Pra një ngjarje kapërcyell në fatet e popullit tonë.

Pse nuk është festë? Festë jo, por përkujtesë shtetërore? Ose të përkujtohet shtetërisht dhe solemnisht 2 korriku i vitit 1990? Aq më tepër që po shoh sot edhe nëpër webe, se edhe në Kosovë 2 korriku përkon me lëvizjet e para për pavarsimin e saj. Për afrimin e vendit po me Perëndimin? Arsyet janë të shumta. Por ndër më të rëndësishmet mund të përmëndim anën ekonomike. E vërteta që vret sytë, faktin që emigrantët, dërgesat, kanë qënë shtyllat bazë e ndërtimit të vendit. Jo të ardhurat nga puna aty. Shqiptarët në masë të madhe janë të papunë. Ose ku ka, kryesisht sektori administrate, pagat janë të pamjaftueshme. Ose të punësuar në zhgunin e një ekonomie informale. Paga jepet nga xhepi etj., kur ka pronari.

Shefave të shtetit nuk u pëlqen ky fakt. U pëlqen mburrja e tyre për sukseset imagjinare që ata pretendojnë.

Nuk përkujtohet për shkak edhe të politizimit më shumë se sa duhet, me ndarje kahesh, të vet popullit. Pjesa dërrmuese e qytetarëve e shikon prespektivën në dy rrugë, pjesëmarrjes në parti. Ose ikja jashtë shtetit.

Në të njëjtën kohë duke qënë një ngjarje dhe jo lëvizje, protagonistët e saj janë në Perëndim. Shumë prej tyre japin intervista dhe shpjegojnë në një apo tjetër mënyrë, atë ftohjen e emigrantit me vendin amë. Kjo edhe prej ndryshit Brenda tij. Ose rivështrimin me një koncept të ri të politkëbërjes aty. Për rrjedhojë edhe kur afrohen ata stonojnë. Stonojnë karshi tropikut politik shqiptar. Ku të dya gjysmat janë vetëm për njërin. Dhe njëri, vetëm për veten. Kësisoj edhe e vërteta e faktorëve të ndryshimeve në një vënd nuk ka si të jetë reale. Por arsyeja më e fortë, më reale. Dhe dominantja është ajo që tha me pak dhe shumë fjalë një përfaqësues i lartë politik i vendit, në Kuvend. ”Gjatë këtyre viteve janë shitur dhe blerë deputetë, gjykatës, kryetarë bashkish, kryetarë komunash, prokurorë e nënpunës etj”. Por edhe ky tepër vonë. Kur nuk e ka pushtetin. Kjo, dhe thjesht, sepse bindjet politike janë më forta se qytetarët.

Dhe e keqja më madhe për një vend, ka filluar kur shiten edhe vet ata, qytetarët. E keqja që nuk dihet se kur do mbaroj.

Filed Under: Featured Tagged With: 2 korriku, e plogësht, Ilir Levonja, memoria jonë

Ku është vendi i gruas?

July 2, 2017 by dgreca

1 Kaltrina Ventimiglia

Nga Kaltrina Hoti/Nju Jork/Gruaja sot është një subjekt shoqëror, nëse lexohen ligjet shqiptare si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri ka të drejtën e përfaqësimit edhe në pushtet. Bile atje demokracia perëndimore i kushtëzoj me një kuotë të cilën edhe duhet  ta plotësojnë. Në Shqipëri përfaqësimi nuk ka munguar por Evropa ka kushtëzuar IRJM dhe Kosovën të cilat në formën organizative kanë diskriminuar përfaqësimin gjinor. Shpesh e themi; “gjuha shkon atje ku dhemb dhëmbi”. Unë tash pyes veten ku është dhe sa është gruaja sot e përfaqësuar në jetën e organizuar në diasporë, e konkretisht këtu në Amerikë. Për mendimin tim gruaja këtu ka mbet në rolin dytësor apo krejt e papërfillshme në përfaqësim që nga më i vjetëri organizim; Federata Vatra e deri tek Klubet apo Organizatat e ndryshme që veprojnë me qëllime të caktuara sipas programeve të tyre. Kështu që fitojë përshtypjen se; Liria është monopol i burrave duke harruar se liria lindjen e ka në çdo qenie që lind pa dallim gjinie. Po pyes kujt i nevojitet liria që varet nga gjinia mashkullore?!  Dikush do thotë ja, jeni të përfaqësuara, apo nuk jeni dhe aq të arrira profesionalisht. Unë nuk pajtohem më këtë bindje mashkullore edhe pse e kam dëgjuar shpesh, se gruaja shqiptare këtu në Amerikë por edhe në vendet tjera në mënyrë individuale ka shpërthyer si në shkencë, art, kulturë, muzikë, humanizëm dhe ka zënë vend të merituar në arkivat botërore por fjala e saj, zëri i saj, shkrimi i saj, brusha e saj, humanizmi i saj nuk përmenden, apo thjesht neglizhohen vetëm nga mesi shqiptar. A  thua këto organizma, klube, shoqëri e shoqata janë aq të arrira sa të mos kërkojnë mendjen e gruas por të vetëkënaqen me vetveten? Atë që desha ta them që nga fillimi është se ne si shqiptarë në një botë të lëvizshme ku brenda ditës ndryshojnë shumë gjera kemi mbet në vendnumëro. Duke i analizuar programet dhe statutet që nga Vatra dhe të tjera rend e rend fitoj përshtypjen se u janë shterë idetë. Në botën e civilizuar çdo subjekt mundohet që të mënyra të ndryshme të sjell apo të ulë në vend të merituar kuadro, aktivistë nga me të ndryshëm që të realizojë qëllimet e caktuara programore, ndërsa në statutet e tyre këtu në Amerikë ku demokracia ka nivelin më të lart ata sanksionojnë vlerat e veta. Ende nuk kemi subjekt organizativ shqiptar që do tubonte dhe do bënte të pamundurën që në krye të saj të ketë kuadro që me punë e tyre kanë dëshmuar atdhedashuri, profesionalizëm, art, kulturë… të cilët do ishin zë i fuqishëm dhe i besueshëm për të ndryshuar jetën e mërgatës shqiptare. Çdo subjekt nëse në radhët e veta nuk e ka dhe gruan të përfaqësuar është një relikt i shekujve të kaluar.

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Kaltrina Hoti, Ku është vendi i gruas?

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 50
  • 51
  • 52
  • 53
  • 54
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT