• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2017

Terrorizmi, shtohen masat e sigurisë edhe në Shqipëri

August 24, 2017 by dgreca

1 Terrorizmi shqip

Në Shqipëri policia njoftoi sot se pas sulmeve terroriste në disa qytete të Europës dhe kërcënimeve për sulme të tjera nga ISIS, ka marrë masa shtesë për sigurinë në vend. “Do të ketë shtim të pranisë policore me uniformë dhe agjentë në terren, do të forcohen masat e kontrollit gjatë aktiviteteve me pjesëmarrje masive kulturore-sportive, qendra tregtare, objekte me rëndësi strategjike, si dhe trupit diplomatik”, saktëson njoftimi i policisë shqiptare. Forcim të kontrolleve janë parashikuar dhe “në Pikat e Kalimit Kufitar e kufirit të gjelbërt për persona që konsiderohen me risk, mjete dhe sende të kundraligjshme”.

Nga ana tjetër “strukturat e Antiterrorit po punojnë intensivisht në terren për mbajtjen nën kontroll të personave me risk, me prirje radikale por edhe lidhjet e tyre. Këto struktura – saktëson njoftimi – kanë intensifikuar bashkëpunimin me Prokurorinë, SHISH dhe agjencitë ligjzbatuese të vendeve partnere për shkëmbimin e ndjekjen në kohë të çdo informacioni për veprimtari kriminale me sfond terrorist me qëllim parandalimin, zbulimin e vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të dyshuar”.(VOA)

Filed Under: Politike Tagged With: Shqiperia shton sigurine, terrorizmi

Avdullah Hoti: Vetëm LDK mund t’i japë vendit Qeveri normale

August 24, 2017 by dgreca

????????????????????????????????????

Në një konferencë për medie të Grupit Parlamentar LAA (LDK-AKR-Alternativa) Avdullah Hoti sot tha: Ne, LDK dhe koalicioni jonë, jemi të vendosur të mos lëshojmë rrugë për ata që duan të vijnë në pushtet përmes dhunës ose përmes shantazhit ndaj deputetëve.

Fjala e plote:

Konferencë për medie e Grupit Parlamentar LAA?

Prishtine- 24.08.2017/

Sot për të gjashtën herë u mblodhëm në seancë për të zgjedhur institucionet e vendit.

Në seancën e sotme, të kërkuar nga vetë PAN-i, është dashur të ndodhin dy veprime:
– Të propozohet kandidati për Kryetar të Kuvendit, ose
– Të deklarohen se nuk mund të bëjnë shumicën në Kuvend.

Koalicioni i PDK-së nuk e dha propozimin për Kryetar të Kuvendit, por kërkoi shtyerje të seancës. Pra nuk e kanë shumicën në Kuvend.

U bënë dy muaj që kërkojnë të shtyhen seancat.

Pasojat për ekonominë dhe qytetarët nga kjo gjendje nuk do të jenë vetëm momentale, por afatgjata.

Gjendja e krijuar është shqetësuese për demokracinë që po e ndërtojmë.

Qytetarët e vendit tanimë e kanë të qartë se kjo gjendje është krijuar nga pa përgjegjësia e PDK-së, e cila e ka monopolizuar procesin e themelimit të institucioneve.

Dy individ e mbajnë peng themelimin e Kuvendit dhe Qeverisë, Kryetari i PDK-së dhe Kryetari i AAK-së.

Rruga që këta të dy po ndjekin për të ardhur në krye të këtyre dy institucioneve është rruga e pazareve të ulëta politike dhe rruga e presionin.

Por, për ta kjo nuk përbën problem. E rëndësishme është vetëm arritja e qëllimit.

Ata duhen ta kenë të qartë se, me veprimet e tyre për të bllokuar institucionet e vendit, po shkelin vullnetin e qytetarëve të Kosovës të shprehur në zgjedhjet e 11 qershorit.

Me shtyerjen pa afat të seancës së sotme, vendi po hynë në krizë të thellë institucionale.

Ne nuk marrim pjesë më në asnjë seancë të tillë çfarë ishte kjo e sotmja.

Një grupim politik që përfshinë PDK-në, AAK-në dhe Nismën, i ka varur shpresat në formimin e qeverisë në vullnetin e disa matrapazëve që po punojnë në bindjen e disa deputetëve për të votuar koalicionin PAN.

Kjo është fatkeqësi për vendin dhe për këto forca politike.

Kështu nuk bëhet shteti.

Shteti bëhet me përkushtim e vullnet.

Institucionet bëhen me marrëveshje në mes të forcave politike.

Nëse kjo marrëveshje nuk mund të arrihet, i pari që ka dalë në zgjedhje lëshon rrugë në mënyrë demokratike.

Rrugë tjetër nuk ka për themelimin e institucioneve.

*******************
Seanca e sotme nuk guxon të përsëritet.

Foltorja e Kuvendit nuk duhet të përdoret për qëllime të fyerjeve në mes të Albin Kurtit dhe Kadri Veselit.

Qytetarët e Kosovës nuk kanë nevojë të dëgjojnë fjalor të tillë

Në mandatin e kaluar, Kuvendi u patë shndërruar në arenë përplasje me gaz lotsjellës, me sharje e fyerje të shkaktuara nga Vetëvendosje, AAK dhe Nisma.

Tash, dy taborre të papërgjegjshme politike, PAN-i dhe Vetëvendosje, po e shfrytëzojnë Kuvendit e Kosovës për qëllime të ulta politike të tyre.

Vetëvendosje në mandatin e kaluar shkoi shumë larg, duke sulmuar Kryeminsitrin fizikisht, duke ja rrezikuar jetën atij, familjes së tij dhe stafit të tij përcjellës.

Asnjë qeveri, nga viti 1999 nuk ka qenë më shumë e sulmuar nga opozita se sa Qeveria Mustafa.

Kjo për faktin e thjeshtë, se asnjë Qeveri nuk ka punuar më shumë se Qeveria Mustafa.

Në dy vite e gjysmë, Vetëvendosje ka dëshmuar se nuk zgjedh mjete për të ardhur në pushtet.

Veprimet e Vetëvendosjes në Kuvendin e Kosovës ishin të papenguara apo të ndihmuara nga Kryetari i atëhershëm i Kuvendit z.Veseli.

Ai ka koketuar me ta atëherë dhe po bënë edhe tash.

Bashkëpunimi i tyre u pa në votimin për rrëzimin e Qeverisë, kur PDK u bë bashkë me Vetëvendosjen dhe AAK-në e Nismën.

Bashkëpunimi i z.Veseli me opozitën e dhunshme të mandatit të kaluar u bë e qartë edhe në marrëveshjen e koalicionit të PDK-së me AAK-në dhe Nismën.

*******************

Vetëvendosje dhe Albin Kurti sot moralizuan në Kuvend.

Ata duan koalicion me LDK-në, por nuk janë të gatshëm të bashkëpunojnë me LDK-në siç kërkohet.

Rruga e vetme e bashkëpunimit me ne shkon përmes deklarimit për sulmet e shpifjet në Kuvnedin e Kosovës dhe jashtë Kuvendit të Kosovës.

Si mund të bashkëpunojnë me ne kur kanë dërguar 70 dosje në prokurori? A jemi të njëjtit njerëz që tash po kërkojnë të bashkëpunojmë?

Duhet të kenë dinjitetin e nevojshëm dhe të deklarojnë se ato veprime kanë qenë me qëllim të ardhjes në pushtet.

*******************

PDK dhe Kadri Veseli sot vazhduan me avazin e vjetër, duke u thirrur në luftën e shenjtë të UÇK-së, të cilën e kanë nëpërkëmbur.

Z.Veseli e din që Kryeminsitri është sulmuar në Kuvend dhe jashtë Kuvnedit.

Brenda Kuvendit, ai nuk ka bërë asnjë veprim për të penguar këto sulme.

Ai është përgjegjës për lejimin e futjes së gazit lotësjellës në Kuvendit e Kosovës.

Ai është përgjegjës për lejimin e futjes së gazit lotësjellës në sallën alterantive të Kuvendit, kur i solli brenda deputetet nga opozita e atëhershme.

Ai ka organizuar shkarkimin e Qeverisë së vetë, ku ka pasur gjysmëm e Ministrave nga partia e tij.

*******************

Kohëve të fundit e keni parë gjoja betejën në mes të PDK-së dhe Vetëvendosjes.

Vetëvendosje për një kohë të gjatë ka sulmuar PDK-në.

Tani është shëndrruar në një verzion edhe më të keq se PDK.

Tash, PDK e akuzon Vetëvendosjen.

Akuzat e PDK-së nuk janë duke u distancuar nga e kaluara e krimit dhe korrupcionit për të cilën njihet PDK, por duke e akuzuar Vetrëvendosjen se edhe ajo është sikur PDK.

*******************

Kryeminsitri i Kosovës, me të cilin Albin Kurti po përgjërohet që të arrijë marrëveshje për qeverisje, është i vetmi person që po i mbron institucionet e Kosovës në këto kohë kur të gjithë po i nëpërkëmbin dhe nuk po i respektojnë.

Ai po vepron i vetëm në mbrojtje të interesit shtetëror, sipas kushtetutës.

Qeveria në detyrë e udhëhequr nga ai po kujdeset për funksionimin normal të institucioneve të vendit, duke ofruar shërbimet e nevojshme për qytetarët e vendit.

Ndërkohë që po flasim, ai po kujdeset për ekzekutim të buxhetit për të siguruar mjetet:
– Për pensionistët dhe familjet në asistencë sociale,
– Për veteranët e luftës,
– Për 80 mijë të punësuar në sektorin publik,
– Për të siguruar pagat edhe për 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës.

*******************

Ne, LDK dhe koalicioni jonë, jemi të vendosur të mos lëshojmë rrugë për ata që duan të vijnë në pushtet përmes dhunës ose përmes shantazhit ndaj deputetëve.

Ne jemi të vendosur të mbrojmë kushtetutën e vendit, sepse vetë i kemi vënë themelet e shtetit 27 vite më parë.

Qytetarët e Kosovës të jenë të sigurtë se e vetmja Qeveri që mund të themelohet në Kosovës është Qeveria që përcaktohet nga LDK, që udhëhiqet nga LDK.

Kjo sepse vetëm LDK mund t’i japë vendit Qeveri normale, që ka partneritet me miqtë tanë ndërkombëtar, Qeveri që siguron integrime evropiane dhe zhvillim ekonomik, që lufton krimin e korrupcionin pa kompromis.

Faleminderit.

Filed Under: Komente Tagged With: Avdullah Hoti, vendit Qeveri normale, Vetëm LDK mund t’i japë

DEGJESTA E EDI RAMES

August 24, 2017 by dgreca

Politika shqiptare tashme e kthyeme ne nji politike qesharake dhe cinike/

u3_gjergjlacuku

A ka nevoje populli per ” degjesat ” e Rames?

Sod, pra ne ket shekull te ri, ku burimet e informacionit kan prek çdo kand te fshehte e dikur te paaritshem, politikanet tone vazhdojne ti servirin popullit te tyne histori te trishtueme mashtrimesh. Ajo çka asht ma e keqja dhe ma qesharakja por edhe ma cinikja dhe ma e padurueshme , asht se te tane peshqit e medhaj te politikes akuzojne njani-tjetrin per problemet e vendit. Ne fakt , protagonistet e katrahures shqiptare nuk jan edhe aq shume , pasi ato edhe jane identifikue prej akuzave te tyne te ndersjellta.

Besoj se nuk ka nevoje per shume detaje apo per analiza te sterhollueme per te identifikue bartesit kryesor te amullise Shqiptare. Asnjani prej nesh s’ka ma te voglin dyshim se kto jane Rama-Meta-Basha-Berisha

Zgjedhjet e fundit tregune edhe nji here se sa te papergjegjeshem jane politkanet tane ndaj popullit. Demagogjia e tyne tashme asht kthye ne nji obsesion sa qe kan harru se perse jan aty.

Tashme Rama ka ne dore mandatin e tij te dyte personal por shpresojme qe te shohim ndonji gja sepse mandatin e pare e perfundoj tue thane;” Pritni se akoma s’keni parë gjë”. Dhe ç’ka asht e verteta, ne me t’vertete nuk pame asgja per 4 vjet. Per kete shprehje , Rama duhet falenderu sepse ai na kishte paralajmeru se nuk do shihnim asgja .

Me sa duket , ne mandatin e dyte Rama do te kete ne qender te tij “degjesat me masat ” ne menyre qe te mos kete kohe qe te marrin asnji mase pasi ne nuk kemi pa gja akoma. Por per nji politikan te tipit Rama , ku ne platformen e tij elektorale nuk kishte asgja konkrete , mbase ai ka nevoje per “degjesa” , pra te marre sugjerime prej popullit.

Sidokjofte, n’Shqipni e verteta asht ne drite te diellit, e nuk besoj se shqiptarve asht nevoja t’ju kujtojme”Alegorine e Shpelles ” se Platos, prandaj keto “degjesa” me popullin sikur t’sjellin ndermend kohen e komunizmit. Sod,per fatin e mire apo te keq, secili prej nesh e  din se per ç’ka kan nevoje shqiptaret por me sa duket vetem Rama nuk e din. N’kjofte se nepermjet “degjesava” Rama ka me e kuptue se per ç’ka kan nevoje shqiptaret, atehere kjo nenkupton se ai s’paska pa gja tash 4 vjet.

N’se u mora ma shume me Ramen, nuk a per arsye te bindjeve t’mija politike sepse ato dihen, por sod u mora me te pasi qeveria ka 4 vjet qi asht n’duart e tij dhe ai e ka pergjegjesine ma t’madhe per ate çka ka ndodh gjate mandatit te parë.

Ne fund te fundit, nji KM ne nji vend si Shqipnija  me njimije e nji halle, nuk duhet te merret me “degjesa” por kur ai nuk ka nji plan ekonomik gjitheperfshires per te ardhmen e vendit, atehere “degjesat” kthehen ne nji alibi per deshtimin e tij si lider.

Filed Under: Komente Tagged With: degjesat e Rames, Gjergj Lacuku

EUTHANASIA E 25 QERSHORIT-as zgjedhja e as zgjidhje

August 24, 2017 by dgreca

3 Kolec

Nga KOLEC TRABOINI/Shumëkush po thotë se e ka fajin populli që nuk punon ndaj jemi në këtë ngecje. Thonë kemi popull dembel që nuk i kthehet punës. Po mirë, shkuar pas kësaj trage po thërrasim në ndihmë të madhin Naim Frashëri me vjershën “Punë, punë natë e ditë”. Vëmë popullin ta këndojë si në kohën e Revolucionit Kulturor e jemi OK! Po pse more kështu zgjidhen punët e shtetit e problemet e popullit. Po në cilin shekull jetojmë. Çfarë psikologji kemi? Po shqiptarët shkojnë në zgjedhje e vrasin mendjen të zgjedhin cili është hajduti më i mirë e meriton të jetë në krye. Se nuk ka asnjë alternative tjetër. Këtej Rama, konfuz e i papërgjegjshëm, që në zyrë merret me zhargavina që i vë nëpër ekspozita banale me ministrin e brendshëm të diktaturës në shpatull, andej Luli pas të cilit hijerëndë rri Saliu me 700 katastrofa si karvan, për më andej si Jago rri Mediu në sfond të Gërdecit me 26 kufoma. Pas tyre një tufë demagogësh që politikën e kanë si kafe.

Cilin të zgjedh populli. I kanë mbyllur të gjitha shtigjet e lirisë për të zgjedhur. As kaq nuk kuptoni o njerëz? Kë zgjodhët kësaj herë? Ekipin me idiot që mund të ekzistojë në qeverisje. Po me Xhackat e maçkat do bëjë prokopi ky vend. Po a bëhen harabelat ministra. Hë më ju lumtë. Mënyra më e mirë për ta shkatërruar një vend është vënia e kokëboshëve sharlatanëve në qeverisje. Dhe mënyra më sigurtë që një popull të bëjë vetëvrasje është të delegojë pushtetin si sovran tek bandat e banditët që nuk dinë tjetër veç të vjedhin e grabisin.

Tani me këtë zgjedhje çmendurake që keni bërë, o shqipot e mi, do të keni ish Ministrin e Brendshëm të Diktaturës kryetar Parlamenti. Kjo është katastrofë e ju më thoni se nuk ka faj despoti që jep urdhër, as xhelati që pret koka, por i mjeri njeri i varfër që vodhi një çap bukë për të mbajtur frymën. Njerëzit vjedhin atëherë kur nuk kanë asnjë zgjidhje tjetër. Ju i shkarkoni fajet e krimineleve në pushtet e qeverisje a në politikë tek njeriu i varfër. Ky është antihumanizëm. Kjo është barbari. Kjo është të jetosh me psikologjinë e xhunglës. Por unë kam një mendje tjetër. Atje ku shteti sillet si bandë hajdutesh, populli ka të drejtë të revoltohet dhe të ngrihet e ta përmbysë keqqeverisjen me të gjitha mundësitë që ekzistojnë për të shpëtuar nga tirania e pamundësisë për të jetuar. Sepse për lirinë ja vlen çdo sakrificë.

Për lirinë ja vlen të rrezikosh. Dhe një gjë për të mos u harruar është edhe se, pamundësia ekonomike është ekzaktësisht mungesë e plotë lirie. Është skllavëri ekonomike. Është mungesa e lirisë për të jetuar. Liria nuk është një koncept i ngushtë dhe nuk mund assesi të kuptohet vetëm si mundësi për të vrarë veten si e vetmja zgjidhje e shpëtim nga prangat ekonomike. Për të shpëtuar prej të tillave ekseseve, prej kësaj gjendje kritike ku mund të vihet njeriu, qytetarët zgjedhin qeverinë e cila detyrë të parë ka rregullimin e jetës në një shtet dhe përkushtimin si nëpunës kokulur të popullit. E jo të këndojnë për fitoren e vet si gjeli maj mullarit të plehut pasi ka shkelur pulat e oborrit. Jo nuk e ka fajin populli. Për gjendjen katastrofike ku jemi e kanë fajin banda e horrave që mashtron popullin e vinë në pushtet të vjedhin e të grabisin pasuritë kombëtare e popullin kësisoj e kanë varfëruar deri ne atë skaj sa tragjikisht të ndërtojë psikozën “Shqipëria nuk bëhet”.

Fati i Atdheut nuk është fati i njeriut të vetëm. Edhe pse jeta e çdo njeriu ka rëndësi potenciale në një shtet. Kjo është e ditur. Peshon shumë e më shumë fati i Atdheut. Prandaj nuk mund të gjykojmë si provincialë të vetmuar që e kanë mendjen veç tek parcela e vet e vogël e bota le të bëjë si të dojë, le të digjet e përvëlohet. Jo! Nuk na lejohet një luks i tillë banal. Kam pas e kam tjetër vizion. Se Shqipëria mund e duhet të bëhet. Pengesë janë pushtetarët që më shumë se sa si drejtues të mençur veprojnë si pushta para pasqyrës me psikologjinë e dëlirin për vetveten. E kam këtë bindje se e di mirëfilli se Shqipëria është një vend me pasuri të mëdha natyrore që shkojnë në xhepat e bandave politike dhe banditëve në pushtet. Qytetarët shqiptarë janë viktima të represionit ekonomik, ku një kryeministër më shumë i kushton përkushtim atleteve të veta Adidas me vijë të kuqe, se sa probleme ekonomike që po e zhbëjnë ketë vend. Ky është vizioni im për problemet social ekonomike dhe despotizmin e oligarkisë që e kanë pllakosur e duan ta shkatërrojnë këtë vend e ta shpërbëjnë këtë popull

Cila është zgjidhja? Zgjidhja është dëbimi. Më mirë të ikin pushtetarët se sa populli. 400 mijë shqiptarë kanë ikur jashtë përgjithmonë në katër vjet të kësaj qeverisje të papërgjegjshme e të korruptuar deri në palcë. Shqipëria pakësohet me 100 mijë shqiptarë në vit. Një ministre jep koncesion pa përfitim nga shteti 1 milion metër katror për 100 vjet. Pyetja me e thjeshte dhe e drejtpërdrejtë është, sa para morën ndërmjetësit e këtij skandali pa precedent në Evropë por rëndomë në Shqipëri. A ka kontroll shteti. A ka prokurori në këtë vend?! Një gjë është më se e sigurt: me këto ritme shpopullimi dhe afera në dy dekada në vazhdim nuk do të ketë më Shqipëri e shqiptarë. Harrojeni.

Në agjendat sekrete pan-ballkanike shuarja e shtetit shqiptar është në veprim e sipër. Antagonistët e kësaj prirje kanë një agjendë tjetër po aq të rafinuar, kthimin e Shqipërisë në një Kalifat në suazën e perandorisë së re osmane të udhëhequr nga erdoganizmi. Këto janë dy forcat kryesore ogurzeza që veprojnë në konspiracion të plotë e me buxhet mbështetje miliona dollarë. Po ku janë atdhetarët? Ku janë intelektualët e idealistët kombëtar të paktë që i kanë mbetur këtij vendi? Pse nuk flasin e shkruajnë. Pse nuk mblidhen të kundërshtojnë. Ti japin përgjigje pyetjes: Çfarë duhet bërë përpara këtyre alternativat kobzeza e komb vrasëse? Pa dashur të bëj të diturin shpreh bindjet e mia me shprese se jam në udhëz të drejtë.

Zgjidhje mendoj se është zgjimi nga letargjia dhe shpërthimi në kundërshti e revolta popullore. Asnjë rrugë tjetër nuk ka. Zgjedhjet si ato te 25 qershorit janë në mënyrë te përsëritur në 27 vjet, një fasadë, një hipokrizi, një mashtrim, legjitimim i banditizmit, dhe një mënyrë që në emër gjoja të sovranit të sjellin e risjellin në pushtet bandat që e kanë kapluar politikën. Cila është zgjidhja? Dalja në rrugë, të bëhemi bashkë dhe imponojmë vullnetin tonë në të drejtën për punë, për liri, për mirëqeverisje nga të cilat buron mirëqenia e popullit. Jemi një vend i pasur nuk ka asnjë shkak të jemi një popull i varfër. Çdo qeveritar që nuk ka frikë nga populli është despot. Ky është një mësim që kurrë nuk duhet harruar.

E para dhe e fundit fjalë gjejnë njëra-tjetrën nëse duam të jetojmë si njerëz: Trimërohuni që t’ju kenë frikë. Kjo është e vetmja zgjidhje.

gusht 2017

 

Filed Under: Analiza Tagged With: as zgjedhja e as zgjidhje, Kolec Traboini

Shpartallimi i komitëve më 1907

August 24, 2017 by dgreca

1 qamil Llashtica

Nga Qamil S. Dardhankodra/

Shumë vjet ma parë kishte fillue veprimtaria subverzive e komitëve serbë në trollin shqiptar. Ato ishin grupe diverzante të ushtrisë së regullt serbe – njisi të përgatituna posaqërisht për nji veprimtari të tillë. Këto grupe keqbërësisht qeveria serbe i hedhte në Shqipni që asokohe ishte e pushtueme nga Turqia. Qëllimi kryesor i tyne ishte jo lufta kundër Turqisë po torturimi i popullit shqiptar, ata vrisnin e prisnin veprimtarët e Lëvizjes Çlirimtare Shqiptare, burrat e shquem, krenat e fiseve, intelektualët, pishtarët e arsimit shqip, venin zjarre, hasmonin e përçanin fiset shqiptare, korruptonin njerëz, etj. Kjo ishte parapërgatitje për lehtësimin e marshimit të kobshëm të ushtrisë serbe në Shqipni që ndodhi ma vonë në 1912. Diverzantët serbë po vepronin para hundëve të qeveritarëve dhe ushtrisë turke – nji veprimtari të tillë ata e shikonin nëpër gishtrinj. Lëvizja Kombëtare Shqiptare luftohej me të gjitha forcat nga ushtria turke, nga turkoshakët tanë dhe tashti edhe nga komitët serbë që kishin futun nji panik në popull. Rexhë Ahmeti nga Llashtica ishte bekçi (roje, kujdestar) në Pisjan, katund i çarkut të Gjilanit. Ai paguhej nga qeveria turke nji lirë (monedhë ari) në muej R. Ahmeti megjithëse punonte për turqit ai ishte dhe mbeti shqiptar i vërtetë . Gjatë punës së tij nji ditë ai e hetoi se në kishën e Pisjanit po qëndronin komitët serbë. E pa se shkinat (gratë) e Pisjanit po çonin bukë te vorret “rend e pa rend”. Rexha erdhi në Llashticë dhe në fshehtësinë ma të madhe u mobilizuen burrat e armatosun të katundeve Llashticë, Velekincë dhe Uglar dhe të nesërmen herët në mëngjes pa u nda nata e dita, pa dhanë ferk i zunë pusi karshi kishës ortodokse serbe të Pisjanit. Krisi pushka dhe u shkëmbye zjarr, aty mbeti i vramë luftari i lirisë Liman Uglari, nji trim i shquem. Pushka e kishte marrun në dërrasë të krahnorit. Ai dhe luftarët e tij kishin zanë pozitat në përronin që asht disa dhjetëra hapa në lidhje të kësaj kishe, nga ana e Uglarit. Mbasi pushoi zjarri, nga ana e komitëve ma nuk ndiheshin të shtëna, nuk dihej se a mbeti kush ende në kishë apo jo. Si të vërtetohej kjo?. Kush ishte ai që do të shkonte atje dhe ta vërtetonte këtë gja. Nga luftarët e tri copë katundeve doli vullnetar Mehmet Çerkini nga Llashtica, ai “e bani veten dekë” u përshëndet  me shokë, u përbetue në Qiell e në Tokë, në Dritë e në Diell dhe me ndihmo o Zot u nis me pushkë në dorë drejt kishës. Fati i tij qe i madh, mbrenda nuk ishte askush, komitët kishin ikun e kishin lanë vetëm nji pushkë të cilën e morri Mehmeti dhe kështu nga kisha ai doli me dy pushkë. Nuk vonoi shumë dhe aty filluen me ardhun grupe luftarësh nga të katër anët, deri kah dreka aty ishin rreth 1000 luftarë. Mehmeti atë pushkë e shiti aty për aty dhe me ato pare për shpirt të tij e nxorri nji bunar pranë xhades së Kumanovës në Zallinat e Lladovës, në udhëkryq, në veri të këtij katundi. Bunarin e Mehmetit çdoherë e kanë damtue serbët, sa e sa herë unë kam pi ujë prej atij bunari. Aty pak para drekës mbërrini dhe ushtria turke nga kazermat (kershllatë) e Gjilanit, që ndodheshin para stacionit të sotëm të autobusave, shumë kohë mbasi ishte krye puna, tue u thanë luftarëve shqiptarë se “pse po perziheni në këtë punë, ajo asht detyrë jona, etj.”, etj. Shihej qartë se Turqisë shumë ma tepër po i pengonte veprimtaria atdhetare e shqiptarëve se sa aktet terroriste të komitëve serbë. Kam nji dëshmi gojore nga Shefki Ramiz Sadiku nga Llofca se së paku nji epor i ushtrisë turke nga kazerma e Gjilanit bashkëpunonte me komitët serbë. Numri i luftarëve shqiptarë që mbërrinë këtu u rrit edhe ma shumë, ata të mllefosun vendosën me ia shtie flakën Pisjanit po këtë gja nuk e lejuen njerëzit e armatosun nga katundi M., të cilët nuk lejuen me iu djegë shtëpitë “pobratimëve” të tyne. Disa pleq nga ky katund lidhun me këtë ngjarje më kanë thanë se “tanët e kishin pas me dije” që komitët janë në Pisjan. Komitët kishin ikun, ishin shpartuallue, ata kishin me vete vegla speciale për zhurmim – klik- klik, për marrëveshje. Njerëzit i kishin ndie nëpër fushë, nëpër kollamoqe zhurmat e këtyne aparaturave dhe kujtojshin se kishte ardh “nji shpend i ri” sepse nji tingllim të tillë kurrë nuk e kishin ndëgjue ma parë. Ma vonë komitët ishin tubue dhe vendosun në kodrën e Cerrnelit afër katundit Gjonlekaj (Gjylekar), derisa nuk i hetoi Rrustë Gjonlekaj nga ky katund i cili asnja të gjallë nuk e lëshoi. Nga Pisjani nji komit kishte humbun udhën dhe kishte përfundue në Gosponicë të Preshevës, aty i ishte dorëzue banorëve të këtij katundi dhe ua kishte dhanë pushkën dhe kishte kerkue me e dorëzue në hyqmet (qeveri) në Preshevë, dhe ashtu u ba. Ky komit me 1912 erdhi me ushtrinë serbe si epror në Gosponice dhe e vuni nji letër në nji derë të nji shtëpie që mos me e nguc kërkan në këtë katund. Vërtetë Gosponica shpëtoi në këtë luftë por nuk shpëtoi dhe pësoi shumë rand në vjeshtën e vitit 1944 mbasi në këtë katund ushtria shiptare kishte korrun nji fitore të lavdishme ndaj çetnikëve-komunistë serbë. Nji ish komit e kishte takue Shaip Qazim Salihu nga Llashtica rreth vitit 1922 në Vinkovc (në fushën e Sremit) derisa po e kryente ushtrinë , ky ishkomit tashti oficer i vjetër i ushtrisë serbe e kishte pyetun gjanë e gjatë për gjithë ato katunde të kësaj ane në mes të tjerash ai i kishte thanë atij se postën e tyne (të komitëve) e bante njerin me emnin (!) (emnat e tyne dhe katundet janë të dituna nga autori). Ky ishte postier i qeverisë turke dhe paguhej nji lirë (monedhë ari) dhe nji lirë tjetër paguhej nga komitët, i cili e çonte postën serbe deri në katundin Dbd. dhe ia jepte personit me emnin (!) e ky çonte deri te serbët në Koçvishtë e këta prej kendej në konzullatën serbe në Shkup. Komitët vepronin natën; visheshin me rroba shqiptare, kapuç të bardhë, lurkë, tirq të bardhë, etj. për arsye lehtçarkullimi. Për këtë humbje me kohë serbët në këtë katund (Pisjan) kanë vue nji pllakë përkujtimore (komitskom odredu 1907)  po shqiptarët nuk kanë ba për këtë ngjarje të lavdishme pothuajse asgja edhe Bunari i Mehmetit që lidhet ngusht me këtë ngjarje ka humbun dhe tashti shërben si parking makinash. Ky u mbeti Liman Uglari që ndoshta asht i pari dëshmor që ra heroikisht si luftar i ushtrisë vullnetare shqiptare në pëpjekje me soldateskën serbe në fillim të shekullit XX?, këtë dëshmor duhet nderue e madhnue.

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: i komitëve më 1907, Qamil S. Dardhankodra, Shpartallimi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 63
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT