• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2017

Vakuumi institucional fut Trepçën në krizë

August 29, 2017 by dgreca

Për afër një vit që nga miratimi i Ligjit për Trepçën, autoritetet në Kosovë nuk kanë arritur të bëjnë as edhe një hap para, për siç është synuar, rimëkëmbjen dhe zhvillimin e kombinatit Trepça.

Mitrovica

Kombinati Trepça, llogaritej si një prej ndërmarrjeve më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në ish-Jugosllavi. Por, në vitet e fundit kaloi në fazën e mbijetesës dhe nga mbi 20 mijë punëtorë sa kishe në të kaluarën, Trepça numëron aktualisht rreth 1,400 punëtorë.

I gjithë procesi që do të duhej të kalonte kombinati Trepça pas miratimit të Ligjit në tetor të vitit të kaluar dhe t’i hapej rruga e zhvillimit, ka mbetur peng i problemeve politike.

Aktualisht, siç thonë përfaqësues të Trepçës, gjithçka që ndërlidhet me Trepçën ka mbetur e ngrirë deri në formimin e institucioneve të reja të Kosovës të dala pas zgjedhjeve të 11 qershorit.

Drejtori i Trepçës, Ahmet Tmava, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, thotë se kombinati Trepça po përballet me vështirësi të mëdha të funksionimit e të cilët po sjellin jo pak probleme.

“Për fat të keq Ligji nuk është bërë funksional dhe funksionalizimi është vështirësuar tej mase, pasi që aktualisht as nuk jemi si një ndërmarrje shoqërore në Agjencinë Kosovare të Privatizimit e as në Qeveri dhe kjo po sjell telashe. Institucionet shtetërore duhet t’i kryejnë obligimet edhe pse faktet po falsin të kundërtën”.

“Çështja e funksionalizimit të Ligjit është dashur të përfundojë qysh moti, por ne po bëjmë përpjekje maksimale që këtë periudhë të tranzicionit ta tejkalojnë pa telashe serioze”, thekson Tmava.

Çdo vonesë që po bëhet në çështjen e Trepçës, shton Tmava është e dhimbshme, pasi që zhvillimi i Trepçës kishte mundësuar hapje të vendeve të reja të punës, rritje të prodhimi dhe të shihet interesi në shfrytëzimin e resursit.

Në anën tjetër, Shyqyri Sadiku, kryetar i sindikatës së Trepçës, gjendjen në këtë ndërmarrje e paraqet mjaft shqetësuese.

Ai në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se ndërmarrja po shkon drejt falimentimit.

“Kemi ngecur kemi rënie të prodhimit. Nëse e krahasojmë me vitin paraprak, në gjashtë mujorin e parë kemi 6 mijë tonë më pak të prodhimit të xehes. Trepça nuk është duke u menaxhuar si duhet. Ka vakum institucional, janë duke u neglizhuar punët, nuk ka prodhim të mirë. Punëtorët kanë pritur që po formohen institucionet e reja të Kosovës, nëse kjo gjendje vazhdon, Trepça shkon drejt falimentimit”, thotë Sadiku.

Ndërkohë, Sadiku shton se edhe kushtet në të cilët po punojnë punëtorët e Trepçës janë nën nivelin e duhur.

“Kushtet për punëtorët janë të rënda, ata po përballen me probleme të ndryshme, probleme të veçanta janë kushtet e ambientit, mikroklimës”, thekson Sadiku.

Ndërkohë, drejtori ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka thotë për Radion Evropa e Lirë se kriza politike afekton ndërmarrjen Trepça dhe pamundëson zbatimin e dispozitave të Ligjit mbi Trepçën.

“Është e nevojshme që Kosova të ketë institucione funksionale qeveritare që mund të marrin vendime dhe të shtyjnë përpara ristrukturimin e ndërmarrjes Trepça. Pavarësisht rolit që Qeveria duhet të ketë për Trepçën, ajo çfarë OEAK ka potencuar është e rëndësishme përfshirjen e kapitalit privat në ndërmarrjen Trepça, pasi që kjo në një masë do të reduktonte rolin që vetë shteti ka në drejtimin dhe menaxhimin në një ndërmarrje të tillë strategjike për zhvillimin ekonomik të vendit”, thotë Zeka.

Në kohën kur ishte miratuar Ligji për Trepçën, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës ishin shprehur të gatshëm që të përfundohet sa më shpejt çdo procedurë e nevojshme që të fillohet me zbatimin e këtij Ligji.

Ata ishin shprehur optimistë se me miratimin e Ligjit për Trepçën, kësaj kompanie do t’i kthehet nami që ka pasur në të kaluarën.

Trepça, sot, brenda Kosovës, përbëhet prej 41 njësive të ndryshme, që grupohen kryesisht në tri komplekse të mëdha: në miniera me flotacione, në parkun industrial në Mitrovicë dhe në kompleksin e shkritoreve.

Por, një pjesë e madhe e këtyre kapaciteteve janë të degraduara, për shkak të mungesës së mirëmbajtjes ose mungesës së investimeve, e madje edhe keqshfrytëzimit në të kaluarën.(Luljeta Krasniqi)

Filed Under: Ekonomi Tagged With: kosovo, ne krize, Trepca

KUJTESE- 30 vjet; kur rrëzuam “Partizanin” e Beogradit

August 29, 2017 by dgreca

1 Vasil ruciNga Gëzim Llojdia/
1.
Kujtojmë këtu se rreth 25 vjet më parë,”Flamurtari” i Vlorës gjunjëzoi Partizanin e Beogradit duke e larguar nga kupat e Evropës .Aty nga vitit 2000, kam intervistuar një ndër ata sportistët e Vlorës.
Bomberi i shquar i “Flamurtarit”, ai që rrëzoi në gjunjë radhën e portierëve shqiptarë të viteve 80, quhet Vasil Ruci. Ka lindur në Vrenezë, kështu thirret edhe sot ajo që përmendej si lagja pranë agjensisë. Vendlindja është rregjistruar në muaj të brishtë: 17 Shkurt 1958.Ja cili ishte rrëfimi i tij.
Viti 1987.”Partizani” i Beogradit në atë kohë mbërrinte nga ajo pjesë e ngrysur e Ballkanit. Në Vlorë, kjo skuadër gjeti një tjetër skuadër që ishte gati ta hante të gjallë. Ishte politika që e konsideronte atë një lojë politike. Situata në Shqipëri ishte e ndezur. Kurse në Vlorë tensioni ishte ca gradë më tepër. Nuk flitej veç për fitore. Ishte harruar gruri e misri. Propaganda ishte drejtuar tek “Flamurtari”. Presionet dhe trysnia ishte e jashtëzakonshme. Fitorja 2:0 në Vlorë me gol të Iliadhit, dhe një autogol. Temperatura u rrit përpara se të shkonim në Beograd. Përpara se të kapërcenim kufirin na thanë: Duhet të fitoni se kjo është një lojë politike. Situata në Beograd ishte tjetër. Ata e konsideronin thjeshtë një lojë. Goli i Kushtës na çliroi nga dy përgjegjësi, ajo politike dhe ajo sportive. Pas minutës së 72 kualifikimi ynë ishte i sigurt. U kualifikua edhe pse në Beograd humbën 2:1. Kështu e rrëzuam “Partizanin” e Beogradit, e cila mbante në skuadër emra të mëdhenj, Smajç, Xhurobski dhe Katanec. Ky i fundit është trajner i Sllovenisë, që zhvilloi ndeshje të mëdha në evropianin e fundit.Si vajtja dhe kthimi u përshkuan me avion dhe autobuzë. Në Han të Hotit kemi ndjerë për herë të parë reprezaljen e shtetit. Deri atëherë ajo ishte drejtuar tërthorazi, por aty gjetëm “fytyrën” e asaj kohe.Sapo mbërritëm në kufi, doganierët ishin të ngrysur dhe na thanë se me një urdhër nga lart do të kontrollohej autobuzi. Ferko do të thërriste: përgatituni për zhveshje, gati i kanë hekurat këta. Na zbritën, na kontrolluan duke na zhveshur. Çmontuan edhe sedilet për ti kontrolluar. Tahos, Ziajt, Cipit, mua, na morën nga një Tv që na i kishin dhuruar kosovarët. Ata kishin ardhur atë ditë nga viset e Kosovës. Populli shkodran na priti me lule. Bllokoi autobusin dhe bëri festë sikur të ishim ekipi i tyre.
2.
– “Futbolli, krahasohet me artin, për nga bukuria. Gjithë ato ëndrra u pikëzuan një ditë. Më mori një shok tek “Shtëpia e Pionierit” dhe më dorëzoi tek Skënder Ibrahimi. Provoje, i tha, edhe këtë. Më dha një bluzë. Futu, më tha, por mos ki frikë”. Kështu e fillon prezantimin e tij Vasil Ruci, dhe më tej vazhdon:”E kisha ëndërruar të bëhesha futbollist. Aty gjeta një ditë të gjithë ata që do të mbeteshin yjet e futbollit. Ishte Perlat Musta, Kreshnik Cipi, Hasan Lika, Kokalari, Mile, Kërçini, H. Gega, Agron Dauti. Ishte një spartakiadë, ku u shpallën më të mirët. Kishim humbur. Dridheshim në pushim, më saktë qamë, kur hymë, fituam 3:1. Kështu u bëra protagonist për ekipin e të rinjve. Dy vjet aty, rreth moshës, 15-17 vjeç kam kaluar me të rinjtë. Më kujtohet që në një kampionat kam shënuar 14 gola. Në konceptin e një sulmuesi, golat janë epiqëndra e tij. Në fillim kam provuar mesfushën si lojtar, më vonë gjendem sulmues i “Flamurtarit”.- Me ndihmën e B. Birçes kam luajtur ndeshjen e parë në vitin 1976 ku përballë ishte Kavaja. Bëra një gol, që më drodhi nga emocionet. Depërtova tek sulmuesit që ishin hijerëndë me peshë në futbollin e Vlorës. Ishte një treshe; Sh. Zilja, S. Curri dhe P. Xhaho. Një ditë të ftohtë para përgatitjes, trajneri Birçe i thotë A. Sulos, një sulmuesi potent, por që kishte pësuar rënie se do të qëndronte në stol. Po qe se do të qëndroj në stol, tha ai, do të largohem fare. I madhi Agron, nga ajo ditë u largua, më vonë, aty rreth viteve 78 u rikthye, tashmë si trainer i Vlorës.
Vitet ’80 do të konsiderohen si një hap cilësor i “Flamurtarit”. Askush nuk do të mendonte më vonë se ky ekip do të pëlqehej aq shumë, do të adhurohej, herë për golat, herë për vallzimin në fushë, herë për rezultatet. Por si ndodhi kjo?
– Ekipet e qyteteve të tjera ishin të ngjashme me njëri-tjetrin, për nga mënyra se si luanin, si fitonin dhe si humbnin ndeshjet, kupat, apo kampionatin. Në atë kohë kishte ekipe rebele, që fitonin një ndeshje, njëzet humbnin. Kështu në pamundësi për të thyer Tiranën, në jo pak kohë, bëmë bllokimin e saj. Tek ajo ndrisnin dy sulmues Kola, Minga. Sot nuk dihet ku janë shpërndarë ata, por ekipi i viteve 80 përbënte një skuadër dinjitoze, ishin P. Ruci, F. Ziai, E. Liçaj, A. Canaj, K. Cipi, Sh. Zilja, Xhaho, Taho. Ndërkohë krahas tyre vijnë prurjet e vitit 60, Ferku, Bubeqi, Gjondeda. E përshkruar kjo rrugë është e tillë, 82, 93 nënkampion, 83 dhe 84 në finale, 85, 86 fitues. Prekëm dy kupa. Për fatin tonë jo fort të dëshiruar mbetëm 6 herë nënkampion. Viti 83 e në vijimësi lexohet, vitet e të mëdhenjve. Tirana mbante peshën. Mbrojtësit e saj ishin të vështirë për të depërtuar. Lekbello, Bimo, Baçi, Vladi. Ishte koha e sportistëve “star” të Tiranës. Po atë kohë do të formonin vargonin e pafund të dhimbjes time, në mospjesëmarrjen me “Flamurin” në kupat e Ballkanit. Për herë të parë në këto vite, skuadra zbriti në vjeshtë në takimet me Aek të Athinës dhe Velezh të Mostarit. Nuk më lejuan të merrja pjesë në të dy takimet, duke u kthyer në një spektator të thjeshtë që vuan tragjedinë e popullit të tij, vuanja “biografinë”. “A. Sulo më tha: Vasil ik bëj biografinë në Dhërmi dhe hajde më pastaj. Ekipi iku, dhe në vendin tim morën Kovaçin dhe ndonjë nga rrethet. Në Evropë, Barcelona ruan emrin e saj me autoritetin e ekipit të madh. Në Spanjë, por edhe në Evropë kishte formuar varganin e pafund të titujve. Barcelona mbërriti në Vlorë, në vjeshtë, në shtatorin e Kupave të Evropës. Në formacionin e saj, yjet ishin prezent. Në portë Zubizareta i Barcelonës dhe i kombëtares spanjolle. Linekeri, ylli i Anglisë, lojtar i kombëtares. Ishin gjithashtu Hjuxh si dhe spanjollët e kombëtares Karasko, Alberto, Miguer, Viktor. Më kanë pyetur të gjithë, ndonëse kanë rrjedhur vite: Si e bëre golin? Sot po e përmbledh me dy radhë: Një top ka ardhur nga mesfusha, e kam stopuar dhe kam gjuajtur. Unë e ruaja vizionin e portës edhe kur sytë nuk shohin portën. Zubizareta me gjithë lëvizjet, ishte një portier i mahnitshëm. Furia e gjuajtjes ishte e madhe, brenda disa sekondave, topi pushoi në rrjetë dhe e drodhi Zubizaretën. Ky ishte një gol që nuk u ngjante të tjerëve, ndërsa në portë ishte një portier, që gjithashtu, nuk u ngjante të tjerëve. Me aftësitë dhe lartësinë ai përbënte një portier të madh, i cilësuar si më i miri në Evropë. Barcelona vërtet u befasua, por e ka mbledhur veten. Na ndëshkuan me një gol.

Filed Under: Sport Tagged With: 30 vjet, BEOGRADIN, Gezim Llojdia, kur rrezuam

Bija shqiptare – Nëna e botës – tani shenjtëresha e dashurisë, Nëna Tereze

August 28, 2017 by dgreca

Nga Don Lush GJERGJI/*

Don Lush GJERGJI1 Marjani dila prifti okL Gjergji marjani

Shekujt e pritën dhe përgatiten, ne e përjetuam/

Për ta kuptuar njeriun si qenie personale, familjare, shoqërore, kombëtare, fetare, kulturore, lypset njohur rrethin, ambientin, kontekstin jetësor, sepse pa këto tipare dalluese njeriu humb disi tërësinë, rrënjët, mbetet në “ajër”, pa identitet dhe personalitet bazor.

Kush ishte Gonxhe Bojaxhiu?

Bija e Kolë Bojaxhiut, me prejardhje nga Prizreni, dhe Drane lindur Bernaj – Bojaxhiu, nga Novosella e Gjakovës, por edhe më tepër bija e krishterimit tonë dymijëvjeçar, e  traditës, kulturës dhe martirizimit të popullit shqiptar.

Përse ajo lindi në Shkup?

Familja e Gonxhe Bojaxhiut u shpërngul nga Prizreni në Shkup për shkaqe të përndjekjeve dhe masakrimeve turke kundër shqiptarëve, veçmas shqiptarëve katolikë; për shkaqe të epidemisë, sidomos të kolerës, që e përgjysmojë popullatën e Prizrenit gjatë viteve 1850 – 1855, si dhe për shkaqe të kërkimit të tregjeve më të mëdha.

Sipas një dokumenti të gjetur gjatë vitit 2010 në arkivin e famullisë së Prizrenit “Zoja ndihmëtare” të datës 23 janar 1880 Lazër Mark Bojaxhiu, babai i Kolë Bojaxhiut, pra, gjyshi i Nënës Tereze, i kishte dhuruar “të gjitha shtëpitë, tokat dhe pasuritë që gjenden në qytetin e Prizrenit dhe jashtë tij, si të mirat e palëvizshme, ashtu edhe ato të  lëvizshme, të cilat janë ne emër tim, që i kam blerë apo trashëguar… nuk janë më pronë e imja, por i përkasin Argjipeshkvisë katolike dhe Kishës Katolike në Prizren, të cilët janë pronarët e vërtetë e të gjitha këtyre të mirave… tash e përgjithmonë, për mua dhe për pasardhësit e mi…”.

Kush ishin prindërit e saj?

Kolë Bojaxhiu (1872-1919) ishte tregtar i njohur, ndërtimtar, muzikant, poliglot, patriot i shquar, por mbi të gjitha bamirës dhe babë i shumë të varfërve të Shkupit dhe të rrethinës. Angazhimin e tij për drejtësi dhe barazi e pagoi edhe me jetë,  si duket qe helmuar në Beograd, sepse i mbronte të drejtat themelore të njerëzve të pambrojtur, sidomos të shqiptarëve.

Drane Bojaxhiu (1889-1972) ishte grua e mirë, shtëpiake e kujdesshme, nënë e zellshme dhe shumë e përshpirtshme, shpirt dhe zemër për çdo nevojtar, edukatorja e parë e Gonxhe Bojaxhiut.

Familja Bojaxhiu pati edhe dy fëmijë të tjerë: Lazër Bojaxhiu (1905-1981) dhe Age Bojaxhiu (1908-1973).

Në çfarë rrethana lindi, qe edukuar Gonxhe Bojaxhiu?

Ajo lindi më 26 gusht 1910, gjatë sundimit turko-otoman, në një ambient të përzier etnikisht dhe fetarisht. Shkupi atëherë ishte kryeqendra e Vilajetit të Kosovës dhe Selia e Ipeshkvisë sonë. Atë e pagëzoi Don Zef Ramaj, e krezmoi argjipeshkvi Imzot Lazër Mjeda. Shkollën fillore e kreu pranë shkollës shqiptare katolike të “Zemrës së Krishtit” në Shkup, ndërsa gjimnazin në shkollë publike, shtetërore po ashtu në Shkup. Së pari familja, pastaj famullia, atë e edukuan për dashuri flijuese dhe dhuruese, për vëllazëri të gjithëmbarshme, për shërbim ndaj Zotit dhe të afërmit, sidomos ndaj atyre që vuanin në trup apo në shpirt

Si erdhi te thirrja rregulltare?

Gjashtë vite “luftoi me Zotin”, prej moshës 12 deri në atë 18 vjeçare, dhe pas shumë këshillimeve, lutjeve, shtegtimeve të rregullta në Letnicë, së fundi vendosi: “DUA TË BËHEM MOTËR MISIONARE PËR T’I SHËERBYER TË VARFËRIT E BOTËS”. (Letnicë, 14 gusht 1928)

Pse shkoi në Kalkutë, në Indi?

Sepse si e re kishte  lexuar dhe dëgjuar  në Shkup prej etërve jezuitë, që kishin misionarë në Kalkutë dhe më gjerë në Bengali (Indi), mbi mjerimin, varfërinë, gërbulën si dhe mbi ndasitë fetare, kastore, gjinore, racore, dhe më s’ mund të ishte e qetë, por dëshironte të jetonte me ta dhe të vepronte në mesin e tyre.

Si udhëtoi në Kalkutë dhe kur mbërriti atje?

Udhëtimi për Kalkutë u zhvillua në tri faza: me tren Shkup – Zagreb (26 shtator 1928), prapë me tren Zagreb –Dublin (13 tetor 1928) dhe së fundi me anije Dublin – Kalkutë

(prej 1 dhjetorit deri më 6 janar 1929). Në një mënyrë ky udhëtim simbolizon dhe paralajmëron tri fazat e saja jetësore, si Gonxhe Bojaxhiu (1910-1928), Motra Tereze e Loretos (1929-1950) dhe Nëna Tereze – Misionare e Dashurisë (1950-1997).

Këto tri periudha jetësore përputhën me tri virtyte hyjnore: FEJA, SHPRESA dhe DASHURIA.

Pse quhej Motra Tereze e Loretos?

Sepse atëherë ishte tradita  dhe ligji kishtar i ndërrimit të emrit të pagëzimit me ndonjë emër të ri në rregulltari. Gonxhe Bojaxhiu e ndërroi emrin e pagëzimit në atë të Motra Tereze e Loretos, sepse ishte anëtare e bashkësisë rregulltare të motrave që quheshin “Motrat e Loretos”. E ndërroi emrin për ta ndërruar së pari vetveten, jetën dhe veprimtarinë e saj, pastaj Kalkutën, Indinë, botën mbarë.

Kërkim (feja), angazhimi apo veprimi (shpresa) dhe dhurimi apo flijimi (dashuria), ishin dhe mbesin shtyllat në të cilat ajo mbështeti mbarë jetën dhe tërë veprimin – flijimin për ta mahnitur njerëzimin si Nëna e Dashurisë.

Sa kohë jetoi dhe veproi si motër e Loretos në Kalkutë?

Prej vitit 1929 deri në vitin 1950, kur përfundimisht mori lejen e themelimit të bashkësisë së re rregulltare “MISIONARET E DASHURISË”. Këto tri faza jetësore janë konteksti jetësor i saj, dhe pa këtë ajo s’ mund të kuptohet, edhe më pak të imitohet.

Çka bëri Nëna Tereze për Kalkutën, Indinë, Botën?

Asgjë dhe gjithçka. Me fuqinë e fesë dhe me frymëzimin e dashurisë, vërtetoi dhe dëshmoi se i vetmi mjekim për trup dhe shpirt, për varfëri, sëmundje, gërbulë, vetmi, për pleq, fëmijë dhe rini, për të këqijat e botës së pasur dhe të varfër, për  të gjithë është DASHURIA VEPRUESE ose NË VEPRIM.

Ajo së pari i përballoi të ligat e Kalkutës, më vonë edhe të Indisë, së fundi edhe të  mbarë botës, dhe ia doli, i tejkaloi të gjitha ndasitë, dallimet, përkufizimet kombëtare, fetare, gjinore, racore, kastore… duke e pasur si pikënisje dhe si përfundim të çdo veprimtarie binomin ZOTI dhe NJERIU.

Për të Zoti dhe njeriu ishin të pandarë, sepse ajo ishte mbi të gjithë që të jetë dhe të mbesë NËNA E TË GJITHËVE.

Për të bërë të gjitha këto vepra bamirësie Nëna Tereze ka themeluar: MISIONARET E DASHURISË (1950), VËLLEZËRIT MISIONSRËT E DASHURISË (1963), BASHKËPUNËTORËT E NËNËS TEREZE (1969), MISIONARET E DASHURISË –DEGA KONTEMPLATIVE (1976) dhe VËLLEZËRIT E FJALËS – REGULL MESHTARAK (1984).

Çka kemi ne prej saj?

Me Nënën Tereze edhe një herë ndriçoi dhe lulëzoi krishterimi ynë 2000 vjeçar martir, dialogu ndërfetar shqiptar krishtero-mysliman, dialogu ndërkishtar katoliko-ortodoks, tradita bujare e mikpritjes dhe e bamirësisë, ndihmës ndaj të varfërve, strategjia paqësore jodhunore, me pak fjalë vlerat tona shekullore të fisnikëruara dhe të begatuara me përvojën madhore të Nënës Tereze.

Me rastin e Shpërblimit Nobel për paqe, së pari gojarisht, pastaj edhe më shkrim para mijëra gazetarëve ma dha këtë porosi në gjuhën tonë shqipe:

Oslo, 10/ 12/ 79

“Une gjithmon e kam në zemër popullin tem Shqiptar. Shum luti Zotin qi Pagja e Tij të vijn në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjith botën. Lutnu shum për fukarat e mij – dhe për mua dhe motrat e mija.

Une lutem për juve”.  

Teresa Bojaxhiu 

Çka kemi ne me beatifikimin dhe shenjtërimin e Nënës Tereze?

Shumë, sepse do të jetë Shenjtëresha e parë Shqiptare edhe zyrtarisht e pranuar dhe e shpallur nga ana e Selisë Shenjte, ajo që bota e shpalli NËNË UNIVERSALE dhe SHENJTËRESHË e mbarë njerëzimit, Nëna e Jetës dhe Dashurisë.

BIJA SHQIPTARE, NËNA E BOTËS, TANI EDHE SHENJTËRESHA E DASHURISË, ja, NËNA JONË TEREZE. Ajo do të lutet dhe do të ndërmjetësojë për ne para Zotit, ndërsa ne do të mundohemi të jemi bijtë dhe bijat e saja në jetë dhe në veprim.

Porosia apo testamenti shpirtëror i Nënës Tereze për ne?

“Pa dashuri dhe flijim jeta s’ ka kuptim”;  “Vetëm dashuria do ta shpëtojë botën”;  “Veprat e dashurisë janë vepra të paqes”.

Nga goja dhe zemra e plotë lind urata spontane: Shën NËNA TEREZE LUTU PËR POPULLIN SHQIPTAR, PËR KISHËN TONË, PËR BOTËN MBARË! Amen.

 *(Kumtesa në hapjen “Ditët e Nënë Terezës”, Katedralja Nënë Tereze në Prishtinë, 26 gusht 2017)

 

Filed Under: Opinion Tagged With: bija shqiptare, don Lush Gjergji, Kumtese, Shenjtja e Tereze

Të jemi gjithë nga pak Nënë Tereza për vendin tonë!

August 28, 2017 by dgreca

Imzot Dodë Gjergji: Të jemi gjithë nga pak Nënë Tereza për vendin tonë!/*

Ipeshkvi Dode Gjergji - Kosove okKatedrale-Nena-Tereze

Fort të dashur miq,/

Me dashurinë e Nënë sonë Tereze, dua të Ju përqafoj të gjithëve, të Ju dëshiruar të keni paqe e gëzim në zemrat tuaja, e të arrini të jeni gjithë nga pak Nënë Tereza për vendin tonë.Të gjithë ne e kemi të njëjtën zemër bujarie, të njëjtin entuziazëm guximi për t’i shërbyer të mirës dhe për të qenë në dobi të të afërmve, sepse këtë mësim ne e marrim prej Krishtit, këtë e mbjellim në zemër dhe të njëjtën dua t’ia dhurojmë botës.Ne, sot po fillojmë të përgatitemi për festën e madhe të 5 shtatorit, ditë kur do ta shugurojmë këtë shenjtërore.Në traditën e moçme, nga 26 gusht – 5 shtator, kanë qenë ditët e Nënë Terezës, dhe ne dëshirojmë t’i vazhdojmë ato, sepse është një nëntëditësh përgatitje për festën e madhe të 5 shtatorit, në ditën e shugurimit të kësaj Shenjtërore, e cila dëshirojmë që të jetë një vend ku çdo njeri pa dallim, çdo njeri i vullnetit të mirë, të vijë e të mësojë se çfarë do të thotë dashuria, të vijë e të mësojë çfarë do të thotë shërbimi në emër të kësaj dashurie.

Dua me këtë rast të falënderoj të gjithë donatorët, që na kanë ndihmuar për ndërtimin e kësaj Kishe, ata që janë sot prezent e ata që do të jenë me 5 shtator.Dita e ditëlindjes së Nënë Terezës, me 25 gusht, do të jetë një ditë kur ne do të fillojnë të bëjmë mirë në emër të Nënë Terezës, jo vetëm të flasim mirë për të, por edhe të japin një lëmoshë për bamirësi, të cilën do ta fillojmë sot. Nga kontributi që do të mblidhen për çdo vjet në 26 gusht, do të jenë për bamirësi. Sivjet lëmosha do të shkojë te motrat e Nënë Terezës në Pejë, të cilat tash sa vite shërbejnë me përvujtëri e pa ju nie zani. Por ato janë këtu, janë në Pejë, e i duan të varfëruat ashtu si i donte Nënë Tereza në Kalkutën e largët.

Kjo ditë është e veçantë, sepse është ditëlindja e Nënë Terezës, po këtë ditë, me 26 gusht 2015 është bërë bekimi i gurthemelit të kësaj Katedrale nga shumë të dashurit tanë Dr. Ibrahim Rugova dhe Mons. Mark Sopi. E për koincidencë edhe famullitari i Katedrales Nënë Tereza ka sot ditëlindjen, pra ka lind me të njëjtën ditë me Nënë Terezën. Pra një ditë e shënuar për të gjithë ne.I falënderoj të gjithë ata që kanë përgatitur këtë mbrëmje shpirtërore dhe kultuore për ditëlindjen e Nënë Terezës, artistët tanë, këngëtarën dhe recituesit e poezive dhe uratave të Nënë Terezës.Në fund, dua ta përshëndes z. Sakip Imeri-in, drejtorin e përgjithshëm e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) një komshi tonin që e ka përgatit ekspozitën me fotografi të ndërtimit të Katedrales. Ai që nga fillimi i ndërtimit, për 10 vjet me radhë, për çdo ditë, ka bërë nga një fotografi punimeve në Katedrale nga zyra e tij e punës. Disa prej tyre janë të ekspozuar sonte, që e ngjallin një proces të punimeve të kësaj Katedrale ku jemi sot.

*(Fjala përshëndetëse e Imzot Dodë Gjergjit, në hapjen “Ditët e Nënë Terezës”, në Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë, më 26 gusht 2017.)

Filed Under: Komente Tagged With: Imzot Dode Gjergji, Nene Tereza, nga pak, te gjithe

Majlinda Kelmendi-(Best Female Judoka Today)

August 28, 2017 by dgreca

Majlinda merr çmimin më të madh në karrierë/

auto_majlinda1503867036

Majlinda Kelmendi ka fituar çmimin prestigjioz “Xhudistja më e mirë e sotme” (Best Female Judoka Today) nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos.Kampionia olimpike është nderuar me çmimin më të madh në karrierë të dielën në mbrëmje në Budapest të Hungarisë, para Kampionatit Botëror në Xhudo.Botërori nis më 28 gusht dhe zgjat deri më 3 shtator.Në fjalimin e saj, Kelmendi ka falënderuar kryetarin e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer, për të cilin ka thënë se është mbështetja e tij që i ka mundësuar suksese xhudos kosovare, transmeton Koha.net.“Nder i madh që të jem këtu. Kam disa fjalë të them. Shpresoj të mos ju pengoj. Fillimisht dua të uroj presidentin për mandatin e ri. Faleminderit që e keni mbështetur Kosovën. Ju jeni arsyeja që Kosova është pranuar në Komitetin Olimpik. Falë jush më është mundësuar të përfaqësoj Kosovën në Rio. Falë jush Kosova e ka medaljen olimpike. Faleminderit nga zemra”, ka thënë ajo.Më tej ajo ka falënderuar trajnerin Driton Kuka si dhe ka thënë se çmimi i sotëm është më i madhi në karrierën e saj.

auto_m11503867875

“Falënderim special për njeriun që më ka rritur dhe më ka bërë kampion, trajneri Driton. Vëllezërit Syla dhe Agroni. Të gjithë e njihni storien time. E kam nisur karrierën në Kosovë. Kam fituar gjithçka. Por ky çmim sot është ‘Everesti’. Nuk mund të kërkoj për më shumë”, ka shtuar ajo.Trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, para mbajtjes së kësaj ceremonie ka thënë se çmimi që mori sot Majlinda Kelmendi është i rëndësishëm sikurse “Topi i Artë” në futboll.

Filed Under: Sport Tagged With: (Best Female, Judoka Today), Majlinda Kelmendi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 63
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT