• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2017

Kadare: E vërteta e letrës që shkruajta me dorën time për Enverin

September 15, 2017 by dgreca

Shkrimtari i njohur Ismail Kadare në një intervistë ekskluzive për gazetaren Eni Vasili rrëfen momente të veçanta nga jeta e tij. Në emisionin “Studio e Hapur”, Kadare flet për herë të parë përpara kamerave për letrën e tij drejtuar Enver Hoxhës dhe kërkesën e tij për hapjen e dosjeve.Ai ka treguar arsyet se përse letrën duhet ta shkruante me dorën e tij, dhe të mos linte asnjë kopje apo gjurmë të saj.Sakaq, ai ka komentuar edhe polemikat me Fatos Lubonjën.

1 kadare eni

Pjese nga intervista
Botimi i librit të Dashnor Kaloçit “Kadare në dokumentet e Pallatit të Ëndrrave”, nga botuesi Çili, ju ka përfshirë në një polemikë me analistin Fatos Lubonja. Po kështu do të doja të flisja edhe për një botim të ri ditët e fundit nga gazeta Mapo që ka të bëjë me një dokument të dëshmisë së Lubonjës në lidhje me polemikën ku jeni përfshirë ju. Përpara kësaj a mund të na tregoni diçka më tepër për letrën që ju i drejtuar Çilit pasi ai ju bëri një thirrje për hapjen e dokumenteve që kanë emrin tuaj në dosjet e sigurimit të shtetit. Së pari çfarë e konsideroni këtë letrën tuaj dhe gjithë debatin rreth saj?
-Kadare:- Kjo është diçka e njohur. Unë prej shumë vitesh kam kërkuar kur ka qenë rasti hapjen e arkivave të fshehta, dokumenteve të fshehta, organizmave të fshehta, të shërbimit shqiptar të sigurimit. Kjo nuk është një gjë e pazakonshme. Në çdo vend që pretendon të kalojë nga tirania në liri, një nga veprimet e para që mund të kërkojë është ai i hapjes së gjërave të fshehta që janë mbuluar me kujdes gjatë viteve të diktaturës. Në diktaturë sundon me mijëra mënyra, por me mënyra të fshehura thelbi vihet tek përgjimi i fshehtë. Dhe kështu që është një gjë e njohur. Gjermania e filloi, po kështu edhe vendet ish-komuniste. Gjermanët u treguan më të ndjeshëm pasi ishin djegur dy herë, nga dy diktatura të ndryshme, por edhe të ngjashme shumë, nazizmi dhe komunizmi. Shumë njerëz nuk iu pëlqen po të krahason këto dy lloj tiranish që kanë luftuar me njëra-tjetrën, por tiranitë shpesh ngjajnë, dhe do tentojnë prapë të ngjajnë nëse njerëzimi nuk do marrë masat për t’i shkulur. Dhe një nga masat për t’i shkulur, është zbulimi i arkivave të fshehta të tyre që të mos ketë me enigma mistere, të dimë ato ç’kanë ndodhur, sepse kanë ndodhur shumë gjëra dhe ne nuk dimë të vërtetën. Dimë një lloj të vërtete të stisur, dhe të paraqitur në formë gjysmë-teatrale dhe më keq akoma.

Le ta fillojmë me një letër që është botuar së fundmi në shtyp dhe që ka të bëjë me motrën tuaj, një letër që i drejtohej udhëheqësit. A mund të na thoni diçka më shumë rreth kësaj?
Kadare-Po unë kam kërkuar vite më parë që të hapen arkivat e fshehta dhe më kujtohet një kritik, studiues i njohur francez, i cili njihet si eksperti numër një i komunizmit në botë, autori i librit që mund të gjendet edhe në shqip “Libri i zi i komunizmit”, ka një enciklopedi të diktaturave komuniste; më intervistoi dhe më pyeti: Z.Kadare a e keni menduar mirë që kërkoni këtë hapjen e arkivave, se ndodh që njeriu lë kudo ndonjë gjurmë, dhe mbase edhe ju keni lënë ndonjë dokument që s’do donit të hapej. Ndërsa unë në përgjigje i thashë se këtë gjë e kam menduar shumë mirë, dhe nuk jam aq thjesht nga mendja sa të harroj gjëra të tilla të mëdha. Ai më tha është qëndrim i adhurueshëm për mua, dhe e botoi këtë. Kur e botova këtu në Shqipëri 5-6 vite përpara shumë njerëz kanë rendur nëpër arkiva se kanë menduar të shikojë ky se ç’kemi për t’i nxjerrë ne. Dhe kjo është e vetmja letër që gjatë 40 viteve unë i kam bërë Enver Hoxhës. S’ka tjetër, dhe po e përsëris sot te juve këtë: Nuk ka letër tjetër që unë t’i jem drejtuar liderit absolut, tiranit absolut shqiptar gjatë 40 viteve, është vetëm kjo. Kjo letër është shkruar me dorën time, sepse kur kërkova t’i bëj një letër Enver Hoxhës, sekretari i tij më tha: Shoku Kadare ka disa kushte që ai ka dhe juve duhet t’i pranoni. Letrën duhet ta shkruani me dorën tuaj, të mos mbani kopje, të mos lini kopje askund, dhe të mos lini gjurmë askund të kësaj letre. Dhe unë e shkrova letrën me dorën time, e besova këtë, se kujtova se diktaturat nuk kanë ndonjë forcë mbinjerëzore për të verifikuar gjërat, por kujtoja se verifikonin ndoshta çdo gjë. Dhe letrën e pashë tani kur u botua në shtypin shqiptar….

Polemikat me Lubonjën, Kadare: Çfarë deklarova unë për të atin…

Shkrimtari i madh Ismail Kadare në një intervistë ekskluzive për emisionin “Studio e Hapur” të gazetares Eni Vasili në News 24, kometon gjerësisht polemikat ku është përfshirë me analistin Fatos Lubonja pas botimit të librit të Dashnor Kaloçit “Kadare në dokumentet e Pallatit të Ëndrrave”, nga botuesi Henri Çili.

Fatos Lubonja njihet si një ndër kritikët më të fortë të Kadaresë në këto 25 vitet e fundit dhe në gjyqin e tij ka implikuar të atin dhe Kadarenë si frymëzues të leximeve të fshehta dhe mendimeve të gabuara. Por një dokument i fundit i botuar, një dëshmi e babait të Lubonjës i hedh poshtë këto ide. Todi shprehet se nuk i ka thënë apo biseduar këto me të birin. Për këto dhe shumë të tjera rrëfehet Kadare.

“Nga ana ime është absurde, këtë njeri e kam njohur shumë pak, pothuajse nuk e kam njohur fare, kam njohur vetëm babain e tij, është e parëndësishme, absurde, dhe pa kuptim. Ai është historian, unë jam shkrimtar. Besoj një farë shkrimtari është, i rëndomtë, nuk dua ta fyej, s’po përdor fjalën mediokër, por është krejtësisht i rëndomtë si shkrimtar. Dhe me sa duket krijon legjenda të tilla për ta bërë tepër interesant emrin e vet.

Nuk jam përzier në punët e tij asnjëherë, me Todi Lubonjën unë kam patur shoqëri, miqësi, dhe po ju them, kur ai u fut në burg si komplotist, të gjithë njerëzit që njiheshin me të, që rrinin me të, janë pyetur për të thënë atë çka dinin për këtë “armik”. Se kështu ishte stili atëherë, kur arrestohej një njeri, një turmë e madhe njerëzish, të afërm shokë, miq, të gjithë pyeteshin. Unë jam pyetur në Kryesinë e Lidhjes së Shkrimtarëve, zyrtarisht.

Deklarata ime për Todi Lubonjën është e dokumentuar, me datë, me vulë, me të gjitha. Dhe kam thënë: unë nuk kam kuptuar ndonjë gjë armiqësore te Todi Lubonja, veç shakave që bënte shpesh të tepruara, por që ishin në formë humori. Gjëja kryesore që kam thënë, është se ai më lavdëronte mua në mënyrë të tepruar. Ndoshta më ka bërë dëm si çdo njeri, kur lavdërohet shumë, dëmtohet. Kanë qeshur ca, ca s’kanë qeshur. Kjo ka qenë e vetmja dëshmi.

Ndërsa del tashti, dhe me një kuriozitet unë kam parë dokumentet, që i biri i tij ka mbajtur tjetër qëndrim. Sipas këtyre dokumenteve, po e përsëris sipas këtyre dokumenteve, ai e ka akuzuar babanë, e ka zhytur thellë e më thellë. Këtu është ndoshta edhe armiqësia, ndaj e quaj absurde. Unë isha miku i tij, ai vendosi të godasë babanë. Por s’kishte punë me mua, s’kishte pse ta theksonte këtë. Le të më zbulonin të tjerët nëse isha armik si i ati i tij”,- thotë Kadare.

Shkrimtari thotë gjithashtu se Fatos Lubonja e urrente të atin, ndërsa shton se e gjithë se i është shmangur gjithë kësaj historie për librat e ndaluar, se i duket vulgare dhe e ulët.

“Këtu s’ka ndonjë kontradiktë të madhe, por të thjeshtë, njerëzore, të trishtueshme, dhe të ketë. Ka patur vërtet atë që njihet si urrejtje ndaj të atit, por kjo teori përkrahet kudo në botë. Ky ka patur një nervozizëm, se me këto dokumente që kanë dalë ai vihet me shpatulla për muri. Ai duhet t’i hedhë poshtë ato, se ai thotë unë s’kam folur me ty, ai thotë ke folur kundër Enverit. Ka diçka që nuk shkon, mund të mos thotë asnjëri të vërtetën, apo të dy të thonë të vërtetën, të ketë keqinterpretime.

Me sa duket si letrat i ri papeshë, mendon se kjo do t’ia ngrejë peshën. Fatos Lubonja nuk është shkrimtar i ri i arrestuar, por është djali i Todi Lubonjës që u arrestua. Fatos Lubonja mund të kërkojë aureolën e vet, por nuk ka të drejtë të shpifë për të tjerët. Nuk ka të drejtë të thotë se unë paskam qenë furnizues i Todi Lubonjës me libra të ndaluar. Unë mund të kem dhënë ndonjë libër të ndaluar. Por i biri thotë që i ka dhënë, kur Todi vetë thotë nuk më ka dhënë. Ky është një llum kaq i madh, sa të vjen turp ta bisedosh. Kanë kaluar kaq vite, dhe unë i jam shmangur shpjegimeve sepse më duket kaq vulgare, e ulët”,- thotë ai.

 

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Eni Vasili, Interviste, Ismail Kadare

Kategoria Superiore! “Te gjithe ne kerkim te fitores”

September 15, 2017 by Administrator

alban-hoxha

Partizani! Alban Hoxha dorezon shiritin e kapitenit. Kukesi !”Kembanat” bien per teknikun Milinkovic. Flamurtari dhe Lushnja kerkojne piket e para. Kamza-Skenderbeu! Ish lojtaret korcare kerkojne hakmarrje.

Nga Albano Kolonjari

Partizani-Kukesi

Sfida kryesore e javes se dyte, Partizani-Kukesi ka filluar me nje surprise per te kuqte. Kapiteni Alban Hoxha ka dorezuar shiriten e kapitenit.  “Klubi ka vendosur nje rregullore te brendshme, te cilen une dhe shoket e mi duhet ta respektojme. Kur kjo rregullore nuk respektohet une marr persiper pergjegjesite. I kërkoj falje klubit ,stafit teknik dhe shokeve te skuadres. Per kete arsye dorezoj edhe shiritin e kapitenit per te dhene shembull per te gjithe. Jam gati te rikthehem ne vendin tim, prane skuadres dhe te jem ne dispozicion te klubit, trajnerit dhe ekipit per te miren e Partizanit”, u shpreh portieri i talentuar Alban Hoxha. Ne takimin e pare Partizani-Laci 0-2, te kuqte aktivizuan portierin e dyte Xhika, qe ishte larg formes se tij. Ish kapiteni i Partizanit Hoxha , u denua nga stafi teknik dhe  Luciano Moxhi, pasi nuk u paraqit ne kohen e duhur prane ekipit. Hoxha ishte i grumbulluar me ekipin Kombetar per dy ndeshjet me Liteshtenjin dhe Maqedonine dhe sipas te kuqve u paraqit prane ekipit 24 ore me vonese duke thyer rregulloren e klubit. Ndersa pritet qe Hoxha te mbroje porten e kuqe, Partizanit do ti mungoje ne kete sfide mbrojtesi Fejzullahu, i demtuar ne takimin e Kupes, Naftetari-Partizani 2-6.

Tekniku i Kukesit  Milinkovic i duhet patjeter fitorja me Partizanin qe te forcoje pozitat e tij ne krye te Kampioneve. Dy humbje ne tre ndeshje kane bere qe mbi teknikun serb qe drejtoi sezonin e kaluar me sukses Luftetarin te biejne kembanat. Humbja ne Superkupe me Tiranen 1-0 dhe ne turin e pare te Kupes me Egnatian 1-0, kane treguar se Kukesi nuk eshte ne rrugen e duhur per te mbrojtur titullin Kampion. Ne javen e pare kuksianet fituan me veshtiresi 1-0 perballe Kamzes me ane ten je 11 metershi. Ne kete takimim pritet qe Milinkovic te kete ne dispozicion te gjithe grupin e futbollisteve.

Flamurtari-Lushnja

Te dyja skuadrat regjistruan ne javen e pare humbje. Vlonjatet humben ne korce 2-0 me Skenderbeun, ndersa lushnjaret 2-0 ne Fier me Vllaznine. Te dyja skuadrat jane ne kerkim te pikeve te para. Ndeshja do te zhvillohet ne Ballsh ne stadiumin Adush Muca sepse tapeti i stadiumit te Flamurtarit ka probleme . Flamurtari qe vjen me pretendime ne kete sezon per tu renditur ne kater skuadrat e para, sfidon lushnjaret te cilet kane per pretendim qendrimin ne Super Ligen shqiptare. Ne 9-te ndeshjet e fundit, Flamurtari ka fituar kater, lushnjaret, dy dhe tre ndeshje kane perfunduar ne barazim. Tekniku i njohur Shpetim Duro, u shpreh se:”Ne nuk e nenvleresojme lushnjen, edhe pse ajo konsiderohet sin je prej skuadrave me te dobeta, lushnjaret kane kohe qe luajne bashke, dhe kane nje ekip kompakt”.

Kamza-Skenderbeu

Nje sfide teper interesante. Kamza ka ne “gjirin” e saj tre ish lojtare te Skenderbeut. Sebino Plaku, qe i dha kualifikimin ne dy ture Skenderbeut ne Europa Lige, u largua nga korcaret pasi nuk ishte ne planet e tekinikut Daja. Tashme Plaku luan per Kamzen dhe eshte kapiteni i saj. Korcaret do te kene perballe edhe nje ish te tyre qe u largua pa asnje aresye, Hektor Idrizaj. Qe te dy keta futbolliste do te kerkojne te hakmerren perballe ish klubit te tyre, per te treguar qe vendimin per largimin e tyre ishte i gabuar. Nga ana tjeter tranjeri i Skenderbeut nuk do te kete ne dispozicion mbrojtesin Jashanica dhe Tefik Osmanin te dy te demtuar ne takimin me Dinamon e Kievit.

Filed Under: Sport Tagged With: albano kolonjari, futboll, Superior

SI U SHUA VATRANI NË BURGUN E BURRELIT?

September 15, 2017 by dgreca

*KOLË RODHE,VATRANI, DEPUTETI, PREFEKTI, LUFTËTARI I LIRISË U SHUA NË BURGUN BURRELIT…./

1 Kola me Kostum.JPG ok

* Atdhetari vatran Kolë Rodhe, që la Amerikën për të bërë Shqipërinë, u akuzua si armik i popullit dhe u mbyll në burgun e Burrelit, ku u shua dhe sot nuk ka as varr…

2 ok Kola vullnet ok3ok Vatra Marlboro4 ok5 Vullnetari ok6 Noli dhespot7ok eleni Rodhe Leka ok

Foto 1-Grupi i Besa-Besën me uniformat 1909, ku shkruhej shqip:”Liri a Vdekje”. 2- Ne krye te  degës nr. 19 të  në Marlboro( i dyti majtas) 3-Gazeta e tij”Vullnetari” 4- Kur Noli u dorezua Dhespot 5-Vajza e Koles Eleni me te shoqin Genc Leka, pushkatuar nga dikttaura komuniste/

* Vajza e Kolës, mësuesja Eleni Leka(Rodhe), e martuar me poetin e pushkatuar Genc Leka, do të persekutohej e flakej rrugëve…

NGA DALIP GRECA

Në radhën e vatranëve, që ndriçojnë në rrugëtimin më shumë se një shekullor të Federatës Panshqiptare të Amerikës ”VATRA”, qëndron edhe Kolë Rodhe, luftëtari i lirisë kundër bandave greke, ish kryetari i Besa-Besë, Kryetari i Shoqatës”Arsimi” në SHBA, vatrani i përkushtuar, botuesi i së përdyjavshmes kombëtare ”Vullnetari”, deputeti i Korçës, prefekti i Beratit, Gjirokastrës, Shkodrës, martiri që u burgos nga turqit, grekët dhe komunistët, i cili pati një fund tragjik duke u shuar në burgun famkeq të Burrelit. Më kot kërkova me ngulm kronikat e viteve 1946, 47, 48 të gazetës Dielli, për arrestimin, burgosjen, dhe vdekjen tragjike të vatranit Kolë Rodhe. Nuk e gjeta, shkaku merret me mend: Në atë kohë Vatra mendonte se Qeveria e Enver Hoxhës ishte demokratike dhe në faqet e Diellit botoheshin fjalimet, biografia e Hoxhës, reportazhet dhe sukseset e qeverisë komuniste, lëvdohej Enver Hoxha, madje shahej dhe Amerika e mbrohej Bashkimi Sovjetik. Edhe kur shkruhej ndonjë fjalë për arrestimet e nacionalistëve, qofshin edhe vatranë, kalohej me ndonjë fjali të thatë, ku lajmi mbetej i dyshimtë. Kështu kur u arrestuan intelektualë e nacionalistë të Korçës, në fund të kronikës shkruhej:”Thonë se me këtë grup armiqsor është arrestuar edhe Kristo Kirka e Kolë Rodhja…”

Ndërsa në Diellin e Prill-Maj 1955, gjuha e Diellit është e mprehtë, therëse, kritike. Kupa e helmit është mbushur.Vatranët e Amerikës e kanë mësuar të vërtetën. Që në faqen e parë botohet kronika e vdekjes në burgun e Burrelit: “Kriminelët komunistë bëjnë kërdinë… Vazhdon pamëshirë çfarosja sistematike e patriotëve në Shqipërinë e Kuqe….Edhe Kristo Kirka vdiq në burg….”

Shkrimi vijon:” Pas Kolë Rodhes, Bahri Omarit, Kol Tromarës, Akile Tasit, Hito Sadikut, dhe shumë shqiptaro-amerikanë  e vatranë të tjerë, u vranë nga komunistët  e Shqipërisë ose vdiqën në burgjet e tyre të tmerrshme…Kristo Kirka vdiq në burgun e”Kryetrimave”, ku kishin vdekë dhe vatranë të tjerë, si Kolë Rodhja”

Shqiptari i Amerikës ndjen dhimbje.Vatranët vajtojnë për vatranët që po i grinte diktatura…

***

… Kolë Rodhe është ndër ata vatranë, që u nderua vonë nga shteti shqiptar, ndërkohë që shteti komunist e pat shpallë armik, luftëtarin e Lirisë, që luftoi gjithë jetën kundër armiqëve të Shqipërisë. Etaloni i demokratëve, vuajti në burgun e Burrelit, ku u shua dhe ende nuk i dihet varri as sot. Nuk mjaftoi vetëm dënimi i tij, por dhe familja u përndoq e u end dhimbshëm në Kalvarin e vuajtjeve. Përveç bashkshortes, edhe vajza e tij do të kalonte në ferrin e vuajtjeve për shkakun se ishte e bija e armikut të Partisë, Kolë Rodhes, që kishte vdekur në burg, por ishte edhe e shoqja e poetit, “armikut të rrezikshëm të partisë”, që u pushkatua me akt-akuzë për poezitë dhe përkthimet, Genc Bardh Leka.

Me propozim të Vatrës, Kolë Rodhe u nderua nga presidenti Bujar Nishani me Urdhërin e Artë të Shqiponjës, në nëntor 2015.

Po kush ishte Kolë Rodhe?

Kolë Rodhe lindi me 25 Korrik 1883 në qytetin e Korçës. Familja i mundësoi shkollimin bazë, gjimnazin. Ndjenja e shqiptarizmit e burrëroi herët, e rreshtoi me armë në dorë në radhët e çetave të Lirisë, por edhe e përplasi herët në qelitë e burgjeve. Ishte 18 vjeç, kur u burgos nga Xhonturqit, si njeri që trazonte Perandorinë. Pas 9 muajësh burg lirohet, por nuk mundi të jetonte më në Korçën e dashur, pasi emri i tij ishte vendosur në rreth. Ndjenja e patriotizmit e çon në Odesë të Rusisë me qëllim që të mbledhë ndihma për familjen e dëshmorit Papa Kristo Negovani, të masakruar nga grekomanët. Më pas kontribuon për mbledhjen e fondeve për gazetën e Sotir Pecit”Kombi” që botohej në Boston. Atdheari është i kudondodhur në vorbullën e Lëvizjes Kombëtare. Gjendet në Sofje dhe në Bukuresht, ku ka vendosë lidhje me patriotët shqiptarë të atjeshëm, ka kontakte me priftin patriot At Naum Çere e të tjerë. Më 1908 është me taborrin  e shqiptarëve që kërkojnë organizimin e Lëvizjes Kombëtare, mbështetës i patriotëve shqiptarë në Amerikë. Lëvizja e këtushme(SHBA) i jep pjekuri guximit dhe shpirtit të tij atdhetar. Fillimisht me Nolin e më pas dhe më Konicën, Kristo Kirkën, Kolë Tromarën, e patriotët e tjerë, bëhet një nga shtyllat e lëvizjes shqiptare në SHBA. Është në taborin mbështetës,kur Noli themeloi Kishën Ortodokse Shqiptare, gjendet aty kur u dha mesha e parë. Zgjidhet Kryetar i Shoqatës Besa–Besën, është kryetar i pleqësisë për degën e Vatrës në Marlboro, është ithtar i përgatitjes së Trupave vullnetare me djemtë e shqiptaro-amerikënve dhe i oficerave shqiptarë, për t’i dërguar më pas në Shqipëri për t’u mbrojtë nga fqinjët grabitqarë të tokave arbërore.

***

Që kur ishte tek shoqata Besa-Besën, Kol Rodhe kreu një akt që pakëkush do ta bënte. Shoqata Besën e kishte në programin e saj mbrojtjen e Atdheut. Ata kishin krijuar edhe uniformat ushtarake për të qenë të gatshëm kur t’i kërkonte Atdheu. Në kapelat e uniformës shkruhej në gjuhën shqipe”Liri a Vdekje”. Kur Kol Rodhe ishte në krye të Besa-Besë, si kryetar i saj, dha shembullin për të tjerët: Unë i pari,- tha ai. Pastaj bëri ftësën:

-Të tjerët pas meje t’i ndihim Atdheut që po rënkon!

Dhe u nisën drejt Shqipërisë. Kur mbërritën në Korfuz, u zbuluan dhe u arrestua nga Xhonturqit. E dërgojnë në burgun e Janinës, më pas në kalanë e Gjirokastrës. Gazeta “Koha” e Mihal Gramenos në numrin e saj të 17 majit 1917, jepte këtë kronikë:” Si vetëtimë u përhap kushtrimi prej Gjirokastre, që përcillte lajmin e bukur që atdhetarët Nikolla(Kolë) Rodhe dhe Vasil Tromara, pas 8 muajësh burg në Delvinë, Janinë e Gjirokastër, muarën berarët dhe u liruan nga burgu. Këta atdhetarë vuanin si martirë për çështjen kombëtare, se vjet në verë ardhë nga Amerika e i burgosën në Delvinë pas Kryengritjës.”

Sapo fiton lirinë, kthehet në qytetin e tij dhe vendos lidhje me luftëtarët e lirisë. Krijon grupimin e tij me një masë të konsiderushme luftëtarësh të lirisë nga Gora, Opari dhe me ta çliron Bërzeshtën, Pogradecin etj. Sërish kthehet në Korçë dhe merr pjesë në çlirimin e saj. Kapet prapë nga xhonturqit dhe burgoset në bodrumet e Mitropolisë së bashku me shokët e tij. Sapo u përhap lajmi, fshatarët e fushës së Korçës mësyjnë dhe shpërthejnë burgun. Kola lirohet dhe bashkohet me çetën e Sali Butkës dhe Kajo Babienit, sulmojnë Kolonjën e çlirojnë dhe nisën drejt Beratit.

Kudo ku luftohej për liri atje ishte Kol Rodhja. Mori pjesë në Luftën e Çifligut përkrah shokut të armëve Spiro Ballkameni. Shokë armësh e idealesh me Themistokli Gërmenjin, Çerçiz e Bajo Topullin, mori pjesë në Luftën e Mashkullorës, ku merr plagë dhe e nisin drejt Vlorës.

Nëse do të vazhdonim të shfletonim kronikat e bëmave atdhetare të këtij luftëtari të Lirisë, do të shënonim:Kolë Rodhen me 1 dhe 2 prill 1914, e gjejmë shef të Xhandarmërisë në Korçë. Në krye të forcave të mbrojtjes së qytetit ai shtyp kryengritjen e grupimeve të komitëve grekë, të ndihmuar nga ushtarët grekë, e ashtquajtur kryengritja e Vorio Epirit.

Më 1915 kthehet sërish në Amerikë. Si përherë aktiv. Në shkurt 1916 është ndër krijuesit e shoqatës “Arsimi Kombëtar” dhe në krye të saj, si kryetar.

Me gazetën e tij”Vullnetari”, që nisi botimin me 1916, u bë një avokat i aftë i Vatrës dhe i Lëvizjes Kombëtare në SHBA.

Numri i parë i Vullnetarit është publikuar me 18 Shkurt 1916 në Natick-Massachusetts. Botohej dy herë në muaj.Ishte gazetë politike e satirike.Që në numrin e parë gazeta botoi programin, ku spikaste qëllimi i botuesit dhe mbështetësve të gazetës: Gazeta ka si qëllim të mbrojë vetëqeverimin dhe tërësinë e Shqipërisë, të forcojë Lëvizjen Kombëtare, të godasë çdo kundërshtar, që pengon Lëvizjen Kombëtare, të demaskojë publikisht para shqiptarëve intrigantët, provokatorët, dhe përçarësit, të mbajë lart nderin e atdhetarëve të shkëlqyer dhe shqiptarëve Kombëtarë etj. Vullnetari, që në numrin e parë denonconte masakrat e grekëve në Jug të Shqipërisë dhe vajtonte fatin e popullit të masakruar, ndërkohë që godiste fort përçarjet mes shqiptarëve, përfshi dhe tek shqiptarët e Amerikës.

***

Si shumë atdhetarë të tjerë përkrahës dhe dishepuj të Fan S.Nolit, edhe Kol Rodhja, kthehet në Atdhe për të”bërë Shqipërinë”. Korça e vlerësoi kontributin e birit të vet duke e zgjedhur deputet të të parit Parlament Shqiptar më 21 prill 1921.

Gazeta “Posta e Korçës” e datës 9 mars 1922 shkruante: “Votoni për kandidatët e pandarë të Im Zot Nolit, zotin Kolë Rodhe dhe Faslli Frashëri…”.

Ndërsa më 11 Mars 1922, e njëjta gazetë shkruante:”Populli e tregoi me fakte besimin e tij, duke i dhënë votat zotit Kolë Rodhe për postin e deputetit.”

Studiuesi Teki Selenica do të shkruante në librin e tij statistikor”Shqipëria më 1927”: I zgjedhur për trimërinë dhe respektin që krijoi Korça e mrekullueshme, Korça shqiptare midis Banush, Hamdi, e Estref Frashërit, Loni Kristos, Pandeli Calës, Kristo Kirkës, Pandeli Evangjelit, Sejfi Vllamasit, Sotir Pecit, …vuri edhe Kol Rodhen.”

Në shtypin e kohës gjenden gjurmët e veprimtarisë së vlerësuar atdhetare të Kolë Rodhes. Gazeta e Vatrës, që dilte në Korçë nën drejtimin e Hasan Bitinckës”Shqiptari i Amerikës”, në artikullin me titull”Deputeti i Korçës” botuar në numrin e 24 marsit 1923, ku jepet një kronikë nga punimet e Parlamentit të 22 marsit, shkruan:” Pardje(22 mars), doli Qeveria para Parlamentit për shkoqitje e votëbesim.Fjala e Kryeministrit u karakterizua prej opozitës si konferencë premtimesh e shpresash për të ardhmen…prej opozitës folën Isuf Benga, Luigj Gurakuqi, Ali Këlcyra, Bahri Omari, Koço Tasi, Kol Rodhe e Medi Frashëri.”

Kol Rodhe përveçse deputet aktiv, kreu dhe detyra të tjera shtetërore, paçka se ishte kundërshtar i hapur i Monarkisë, Mbreti Zog, e ngarkoi me detyra qeveritare si Prefekt në Shkodër, Berat, Fier, Gjirokastër. Kundërshtarët politik ia vlerësonin atdhetarizmin dhe përkushtimin Kombëtar. Ai kishte dhënë prova me armë në dorë për mbrojtjen e Atdheut. Pushtimin fashist të Shqipërisë e priti me revoltë, ashtu siç kishte pritë të gjithë pushtuesit. Në ditëpushtimin fashist ai dha dorëheqjen nga detyra shtetërore. Edhe pse e përkrahu luftën kundër pushtuesit Kolë Rodhe nuk pranoi thirrjet për të marrë pjesë në Konferencën e Pezës, Kongresin e Përmetit, Konferencën e Beratit etj. Kola kishte përvetësuar demokracinë amerikane- ishte për një pluralizëm e demokraci alla amerikane.I kuptoi shpejt qëllimet e Partisë Komuniste Shqiptare dhe kërkoi të veprojë për ta ndalë të keqen.

Ishte kjo arsyeja që u vu në krah të opozitës përballë komunistëve, duke qenë në radhën e socialdemokratëve në zgjedhjet e para pas çlirimit. Nuk pranoi që të votonte me 2 Dhjetor 1945, abstenoi në votime së bashku me vajzën dhe gruan e tij. Ishte kundërshtar i hapur i bashkëpunimit me Jugosllavinë. Për këto qëndrime arrestohet me 27 Janar 1946 dhe në qershor, atdhetari, që kishte luftuar aq shumë për pupullin e tij, me pranga ndër duar, gjykohej para popullit si “armik i popullit”! Dhe kush?… Ai luftëtari i përhershëm për çlirimin e Atdheut, që kishte luftuar me turqit, grekët, e italianët…Gjykohet së bashku me 37 antikomunistë (Grupi i Sami Qeribashit dhe Musine Kokalarit) në qershor 1946.Mbajti qëndrim burërror para Trupit Gjykues. Dëshmia e atij gjyqi vjen nga kronika prej sallës së Gjyqit, që e ka përcjellë Gazeta e Frontit Demokratik”Bashkimi” në numrat e 19 dhe 21 qershor 1946, kur shkruan:

” Kolë Rodhja jep llogari.”

Akuza: Kolë Rodhja zhgënjeu komunistët, të cilët përdorën reputacionin e tij në popull duke e vënë në Kryesinë e Frontit Demokratik”…

Kryetari i gjyqit, sulmonte me mllef atdhetarin e orëve të para: – “Armik i popullit”!..

– Sabotator!

– Ujk plak…!

Kryetari i Trupit gjykues:- I pranon akuzat?

Kola:-Asnjë!

Kryetari:-S’ke pasur lidhje me tradhtarët?

Kola:-JO!

Prokurori:-Po asnjë faj nuk ke bërë ti, Kolë Rodhja?

Kola:-Asnjë!

Prokurori:- Mos të kemi sjellë kot këtu?…

(Salla dhe trupi gjykues(të orkestruar) qeshin…)

Prokurori:- Gënjen Kol Rodhe…Ti thua që rinia nuk duhet të merret me politikë. Ti ke qenë Inspektor i Ministrisë së Brendshme…Nuk ke përkrahur lidhjet tona me Jugosllavinë. Kërkoje Autonominë e Kosovës.Po, o Ujk plak, po Kol Rodhe…Ti deshe Regjencën e Mehdi Frashërit, deshe ndërhyrje të jashtme, se gjendja qenka e errët…Deshe shpërndarjen e ushtrisë, mbrojtjen e atdheut…deshe qeveri koalicioni me shumë partira, deshe të prishësh unitetin politik e popullit shqiptar…

Akuzat vazhdonin lumë….

Ç’ti thoshte Kola këtij prokurori militant ?  Dhe zgjodhi heshtjen….

Kol Rodhja kur gjykohej ishte 67 vjeç… Trupin gjykues i dha dënimin me 30 vite burgu. Mosha, torturat, e lodhën patriotin, që një vit pas dënimit u shua në burgun famkeq të Burrelit…

Kalvarit të vuajtjeve nuk i shpëtoi as familja e tij, e cila u “shpërblye” për aktivitetin patriotik të Kolës duke e hedhur në krahët e mjerimit dhe punët e krahut!

Vajza e tij, e martuar me poetin disident Genc Leka,u përjashtua nga arsimi. Ndër akuzat që i formuluan ishte dhe ajo e vjehrrit, Kolë Rodhe,ish deputet i Zogut(kështu e quante Vangjel Çërrava) dhe shtonte në raportin e tij konfidencial për organet e  diktaturës: Babai i saj, ka vdekur si “armik” në Burgun e Burrelit…Deputet i Zogut!

***

BIBLIOGRAFI

1- Gazeta Dielli, 16 Prill 1947, faqe 1(Gjyqi i Korçës)

2- Gazeta Dielli-Prill-Maj 1955, F .1

3- Klara Çelo”Udhëve të Historisë)-Të pathëna për shqiptarët e famshëm-Vëllimi i I, Faqe 99-104

4-Gazeta “Koha” e Mihal Gramenos 17 maj 1912, 25 Maj 1914

5-Gazeta”Shqiptari i Amerikës”,24 mars 1923

6-Gazeta e Korçës, 26 prill 1924

7-Gazeta “Bashkimi”, 21 Qershor 1946

8-Teki Selenica”Shqipëria më 1927”, f 21, Pasqyra A

9-Gazeta “LIRIA A”- 14 Mars 1996, faqe 6 , 8, autor Gaqo Rrota-ish deputet.

10-Gazeta”Dita”,6 tetor 2008: Klara Çelo”Kolë Rodhe, një jetë në shërbim të atdheut”.

 

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Kole Rodhja, ne Burgun e Burrelit, Si u shua Vatrani

Festivali i Dytë Mbarëkombëtar“Muza Poetike Budiane”

September 15, 2017 by dgreca

                 FRYMË  POEZIE  NË  MAT/

OLYMPUS DIGITAL CAMERAOLYMPUS DIGITAL CAMERAOLYMPUS DIGITAL CAMERAOLYMPUS DIGITAL CAMERAOLYMPUS DIGITAL CAMERAOLYMPUS DIGITAL CAMERA

Mbresa nga Festivali i Dytë Mbarëkombëtar i Poezisë “Muza Poetike Budiane”, në Burrel/

 NGA PËLLUMB GORICA/*

 Si zogjtë që mblidhen rreth një çerdheje cicëronjëse, poetë nga të gjitha trevat shqiptare mbushën strehën e ndenjave me mataforat e veta, aty ku do të zhvillohej Festivali i Dytë Mbarëkombëtar i Poezisë “Muza Poetike Budiane”, në Burrel, një prej qyteteve më të njohura për brumin e gatuar në magjen e poezisë. Takime të tilla ngjallin interes të veçantë. Ato janë edhe një instrument i fuqishëm shpirtëror, përvojë krijuese, konkurrim, burim dijesh, revokim historie e, çka është më e rëndësishme, ngjarje e rëndësishme për komunitetin e krijuesve. Duhet thënë se, sa më interesante e më të ngjeshura të jenë, aq të bukura shprehen ato edhe në rreshta përmes fjalës së shkruar. Është një arsye më shumë për të shkruar rreth ndjesive që përjeton me thjeshtësi, sinqeritet e ngrohtësi që shfaqën ndjenjat e matjanëve, veçanërisht të poetëve.

Festivali Mbarëkombëtar i poezisë “Muza Poetike Budiane” është në edicionin e dytë për t’a kthyer në traditë. Prandaj, jo vetëm për nga rëndësia, por edhe për pjesëmarrjen e madhe, tregoi vlersimin e poetëve të qytetit dhe posaçërisht të kryetarit të Bashkisë së Matit, z Nezir Rizvani. “Më shumë se më pak e më pak se shumë” do të ishte slogani i shpirtit të trevës, që shpaloset para syve realisht këtu, ku lindi madhështori Pjetër Budi. Ndaj ndjen kënaqësi për këtë fakt, sepse nderimi ndaj figurave të tilla reflekton vlera të pamohueshme shpirtërore. Dhe klubin e tyre letrar matjanët jo pa shkak e kanë emërtuar Pjetër Budi.

Hamdi Hysuka, kryetari i klubit letrar “Pjetër Budi”, Lindita Doda nëkryetare dhe Fatmir Neli sekretar, të ofrojnë një pritje tepër bujare, me ndjenjë fisnikërie, që ndër matjanët është e lartë. Kjo shpërfaqje e shpirtit të tyre me një lloj emocioni të rrallë ndër ne, meriton të përgëzohet, sepse disa flasin dhe recitojnë bukur, disa heshtin, por shkruajnë bukur dhe të tjerë i bëjnë gjërat të ndodhin. Kësisoj, të gjithë bashkë, krijojnë bashkësinë e vlerave.

Mjedisi ku do të zhvillohej festivali, në Lektoriumin e ish-Shkollës së Lartë Jopublike “Nëna Mbretëreshë Geraldinë” Burrel, u përfshi thellësisht në atmosferën e poezisë, në bisedat e shtruara dhe miqësore për ngjarje e krijime, si gumëzhitje e një zgjoi bletësh, që në aspektin artistik ishte konceptuar me një poetikë të pasur, si vetë poezia, (thjesht e bukur), duke u shoqëruar edhe nga një kërshëri e banorëve artdashës të qytetit. Atmosferën e ndjeshme festive dëshiron ta përmbyllësh me një fjali: Sintezë arti, kulture, me vlerë miqësie si pikëtakim ndenjash poetike.

Orët në tik-take kalojnë të gëzuara dhe të zhytura edhe në ndjenja të natyrshme të kënaqësisë, se je mes njerëzve, me pasione, me vlera, që dhurojnë emocione të bukura, njohje të reja, mendime, të cilat mund t’i shprehësh natyrshëm, sepse mbresat s`harrohen. Ndaj është dukur plot kjo sofër poetike me rrymë gjallërie, ndikuese e ngrohtësie shpirtërore, me kumbim e pa droje dhe magji në vargjet e skalitura nga artistët e shpirtit, me plot dashamirësi bisedash, fllad humori të hollë, këngë dhe fjalë përshëndetëse. Nuk thonë kot se te poetët më së tepërmi mishërohen ndjenja gëzimi, mirësie dhe dashurie, të cilat i përjetojnë me tërë qënien e tyre të shpirtit. Ata janë miqtë besëlidhur të Njerëzimit, që e bëjnë të shëmtuarën të bukur, dhe të bukurën edhe më të bukur. I ndjen këto e nuk mund të rrish pa theksuar realizimin e bukur, sepse doli në pah organizimi me të veçantën e tij, të shpërfaqur edhe në traditën e përhapur mes poetëve të tërë Botës që dhurojnë miqësisht libra. Ndërkohë, këmbimet e mendimeve për poezinë, për botimet, për artin në përgjithësi, në kolorit i bëjnë këto takime interesante e të paharruara, sepse gjendesh edhe mes emrave të njohur të penës si: Basir Bushkashi, Agim Bajrami, Namik Selmani, Nikolla Spathari, Adem Zaplluzha, Gjok Dabaj, Lindita Doda, Agim Desku, Vladimir Muça etj. I shtuan dhe i përforcuan ato edhe interesi i madh i të rinjve të talentuar: Valjeta Krosi, Ermal Lala, Aida Topalli etj, si një domethënie e bukur për të ecur drejt panteonit poetik.

-Sa kënaqësi është për ne të brezit të ri, -shprehet poetesha e talentuar Valjeta Krosi, -të marrim pjesë në festival. Takimet e tilla, njohjet, mbresat e pasurojnë shpirtin sa s’thuhet dhe japin mesazhe miqësie midis krijuesëve.

Prandaj fikson në kujtesë foto e çaste të veçanta që lenë mbresa, veçanërisht humorin e poetit matjan Basir Bushkashi, me batutat plot kripë malësori për pushtetarët që drejtojnë bashkitë, të cilat shpërthenin çiltër, që u pritën me të qeshura e s’ka se si të përshkruhen më bukur.

Në nisjen e festës poetike të bën përshtypje prezantimi i Hamdi Hysukës që, duke u marrë me detyrat e të zotit të shtëpisë, me përkujdesjen e zakonshme në mënyrë që të ndjejnë kënaqësinë e tyre të ftuarit, i jep udhë zhvillimit të festivalit. Salla e tejmbushur si kurrë ndonjëherë me poetë të njohur, por edhe të rinj të tejngopur me ëmbëlsi, mban frymën nga fjala e tij, e cila rrjedh si uji kristalor i burimit, edhe pse ndërpritej herë pas here nga duartrokitjet miqësore të të pranishmëve.

Pas fjalëve përshëndetëse dhe përmes konkurrimit poetik nuk mund të mos fshehësh gëzimin e brendshëm, kur poetët njëri pas tjetrit sjellin artin e shpirtit të tyre me një lum emocionesh gurgulluese, të endur me zjarr frymëzimi. Dhe të ngop fryma e shenjtë e poezisë, që padyshim ishte thelbi i bukurisë së Festivalit të Dytë Mbarëkombëtar të Poezisë “Muza Poetike Budiane”, me krijime që bien në sy edhe për individualitete. Diku poezitë shprehnin një lirizëm, diku mendimet rrjedhnin me një shpërthim të natyrshëm të dimensioneve të dhimbjes, duke theksuar kuptimin për jetën, por të harmonizuara e të përshkuara edhe nga ndjenja të thella patriotike. Sepse një emocion që lind në shpirtin e krijuesit ka forcë nëse shprehet bukur. Melodi të lehta i përkëdhelnin vargjet e recituara si fëshfërima e erës, por në mendje të mbetet meliodiziteti pasionant i këngëve të bukura matjane, që begatuan festivalin, duke e bërë më të larmishëm origjinalitetin e mençurisë së fjalës poetike.

Një çast, që gjithsesi i emocionoi të pranishmit, ishte kur juria e festivalit, me pjekuri profesionale prej emra poetësh, që i bëjnë nder poezisë shqiptare si, Hamit Aliaj, Fatmir Gjestila e Lindita Doda, vlersoi e ndau çmime për poezitë më të arrira. Dhe ato i merituan Xhevat Latifi nga Gjilani Çmimin e Parë, Nikolla Spathari nga Durrësi dhe Ramë Oraca nga Podujeva Çmimin e Dytë, Agim Bajrami nga Durrësi, Pëllumb Gorica nga Tirana dhe Dan Brahimi nga Prishtina Çmimin e Tretë.

*   *   *

Pas një dite thuajse të mbushur me  përjetimet e festës së fjalës poetike në Burrel, erdhi koha, kur u duhejt thënë matjanëve: Mirupafshim në takime të tjera!

  • Pellumb GURI eshte bashkepunetor i gazetes Dielli ne Shqiperi. E falenderojme per reportazhet, intervistat dhe korrespondencat qe prej i vitesh ua percjell lexueseve te Diellit.

Filed Under: Reportazh Tagged With: FRYMË POEZIE, NË MAT, Pellumb Guri

Kur partizanet dënonin me vdekje nacionalistë

September 15, 2017 by dgreca

Letër e Mehmet Shehut mbi denimin me vdekje te Zyber dhe Sherif Lita/

1 qerim Lita

Nga Qerim Lita/*

LETËR/

nga Mehmet Shehu, dërguar më 7 shtator 1944 deri te Shtabi i Korp-Armatës së I, në të cilën ndër të tjera thuhet se Zyber e Sherif Lita janë dënuar me vdekje pushkatim/

Peshkopi, 7 shtator 1944

shehu-sanxhaktari-popovic-

Ne Shtabin e Mehmet Shehut ishin dhe Jugosllavet, nxitesit e luftes vellavrasese/

SHTABIT TË KORP-ARMATËS SË PARË

Po ju përcjellim procesin dhe vendimin e Gjyqit Ushtarak mbi Zyber Litën dhe Sherif Litën. Siç do t’a shini nga procesi dhe vendimi i marrë që të dy këta reaksionarë kanë bërë faje të rënda dhe i kemi dënuar me vdekje. Vendimin e kemi dhënë për ekzekutimin e të dyve për arsyet që tregohen në proces dhe jemi plotsisht të bindur në rast pushkatojmë Zyber Litën (i cili duhet pushkatuar pa tjetër) dhe të lirojmë Sherif Litën, ky i fundit, me shpirtin hakmarrës që ka, me ndërgjegjen e kalbur që ka mund të hidhet në ekstremitet për hakmarrijen e Zyberit që e ka ungj[1]; në rast se do ta lëmë si partizan në repartin t’onë ai patjetër mund të tentojë mbi jetën e ndonjë përgjegjësi dhe në qoftë se do t’a lëmë të lirë ai nuk munt të shmanget nga gjaku i Zyberit e të mos bahet një kriminel e reaksionar i rrezikshëm. Jo vetëm kjo por ai është përgjegjës për sa e sa kosovarë e malazezë që janë vra nga intrigat dhe mashtrimet e tij e fajet e tij, sado në të kaluarën janë tepër të mëdha që të mos peshojnë për të zhdukun nga faqja e dheut. Përpara se të merrnim vendimin e kemi gjykuar çështjen nga çdo anë dhe me gjakftohtësi[2]. Presim aprovimin t’uaj për të zbatuar këtë vendim. Mundësisht përgjigja të na jepet menjëherë.

Brigada e XVIII-të ka marrë ndonja 20 partizanë nga Reçi e Dardha. Me autorizimin t’uaj, Reçi e Dardha si dhe katundet nga e djathta e Drinit do të mobilizohen për Divizionin e I-rë. Prandaj propozojmë që të urdhëroni Brigadën e XVIII-të që të na i dorëzojnë këta partizanë sa më parë, Gjith’ashtu ju vemë në dijeni se Shtabi i Divizionit nuk ka radio për të dëgjuar lajmet e jashtme mbasi ata që kishte u a ka dorëzue juve; nga ana tjetër informohemi se Brigada e XVIII-të ka tri radio. Propozojmë që t’urdhëroni Brigadën e XVIII-të që të na dorzojë njërën nga radiot që ka në dispozicion.

Një Kompani e Brigadës së V-të që kish qenë për mobilizim në krahinën e Zerqanit, u kthye sot në Peshkopi me 26 rekruta të pa armë. Duke qenë se Brigada e IV-të ka një efektiv të vogël në krahasim me Brigadat e tjera të Divizionit dhe se duhet t’a ballancojmë efektivin e çdo Brigade, ne i mbajtëm këta 26 rekruta për Brigadën e IV-të. Mobilizimi u krye pjesërisht në Lurë, Reç e Dardhë dhe jemi duke vazhduar mobilizimin edhe në qarkun e Peshkopis, këtej Drinit e mbrenda kufive të vjetra. 10 partizanë nga Reka që na erdhën sot, i drejtuam për në njësitë partizane të Maqedonisë.

Sot qe këtu i gjithë Këshilli i Lurës me të cilin biseduam gjërë e gjatë e nuk është e vërtetë se ekziston një përçarje në Lurë, janë vetëm disa vogëlsira të cilat i ndreqëm dhe partizanët që po na vinë do të ndahen nëpër skuadra të ndryshme e nuk do të formohen njësira në bazë të terrenit.

Xhelal Ndreu erdhi dhe biseduam gjerë e gjatë me te. Bëmë dakord që të shkojë si partizan i thjeshtë në Brigadën e I-rë por për disa ditë e dërguam në Reç e Dardhë për të përfituar nga influenca e tij me kryerjen e mobilizimit e pastaj menjëherë do të shkojë në Brigadë. Cen Elezi nuk është kthyer akoma. Na jepni udhëzime ç’masa të marrëm[3]. Në bashkëpunim me Këshillin provizor dhe komandën e qarkut jemi në ndjekje të disa t’arratisurve të cilët po t’i kapëm do t’i gjykojmë dhe vendimin do t’ja u përcjellim për aprovim. Zbuluam se Baba Faja në kokën e tij ka dënuar nja shtatë persona me vdekje dhe u a ka dhanë artilierëve t’anë për ekzekutim. Ekzekutimi është krye pa gjyq, vetëm me urdhëra personale të baba Fajës. Kjo formon një faj të rëndë në mos një krim. Ne nga ana jonë i hoqmë vrejtjen shumë rëndë Komisarit dhe Nënkomisarit të artilerisë dhe u dhamë urdhër kategorik që të mos përsëritin gjera të këtilla.

Inglizët akoma nuk kanë hedhur material. Ne po insistojmë por insistoni edhe ju. U kemi dhënë shokve të Pezës 400 Fr. A.për ushqimin e kafshëve.

Presim përgjigje të shpejtë.

Të fala

Për Shtabin e Div. I-rë Sulmues

Komandanti (Kol. Mehmet Shehu)

Peshkopi, me 7 Shtator 1944

AQSH. F. 202. V. 1944. D. 73. Fl. 3-4

[1] Axhë.

[2] Zyber Lita, i lindur në vitin 1911 në Kala të Dodës. Përndryshe ai ishte djali i njërit ndër krerët më të njohur të Lumës, Mustafa Lita. Kishte kryer shkollën e mesme të plotësimit në Tiranë. Një periudhë ka qenë i kyçur në Ushtrinë Shqiptare me gradën Aspirant. Në vitin 1942 Zyber Lita emërohet komandant i Detashmetit Shëtitës Luma, me qendër në Kukës, detyrë që e kreu deri në arrestimin e tij më 5 shtator 1944 nga Brigada e V-të komuniste shqiptare. Sherif Lita, lindi në vitin 1914 në Kala të Dodës. Në vitin 1936 kreu akademinë ushtarake në Modena të Italisë, duke fituar gradën toger. Nga viti 1937 u inkuadrua në radhët e Ushtrisë Shqiptare, fillimisht në Elbasan e më pas në Tiranë. Më vonë, përkatësisht me kapitullimin e Mbretërisë jugosllave, Sherifi një periudhë punoi si nëpunës i lartë në prefekturën e Prizrenit e më pas edhe të Pejës. Këtu bashkëpunoi ngushtë me disa krerë të njohur të Kosovës si: Rifat Begollin, Xhevat Begollin, Asllan Boletinin etj. Me kapitullimin e Italisë, Sherif Lita kthehet në vendlindje, përkatësisht në Kala të Dodës, ku mban lidhje të përhershme me Misionin Ushtarak Anglez. Që të dy, arrestohen nga Brigada e V-të më 5 shtator 1944, ndërsa siç shihet nga letra e mësipërme më 7 shtator, Mehmet Shehu, në cilësinë e kryetarit të Gjyqit Ushtarak i dënon me vdekje pushkatim.

[3] Cen Elezi, ishte djali i Elez Isuf Ndreut, përndryshe kushëriri i parë i Dali Ndreut, i cili në atë kohë ishte komandant i Korp-Armatës së Parë. Ndërkohë, Xhelal Ndreu ishte djali i Cen Elezit. Ai deri sa nuk qe dorëzuar, mbante postin e komandantit të Xhandarmërisë Shqiptare në Elbasan.

  • Nxjerre nga “Tokat e Liruara 1941-1944: Përmbledhje dokumentesh”, Vëllimi III (2016, shtepia botuese LOGOS A, Shkup).

Filed Under: Histori Tagged With: dënonin me vdekje, NACIONALISTE, partizanet, Qerim Lita

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT