• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2017

Në kujtim të poetit të papërsëritshëm Frederik Rreshpja

September 9, 2017 by dgreca

anton-cefa

(Përgatitur për botim nga Anton Çefa)

Frederik Rreshpja

Frederik RESHPJA/

Rapsodi/

Shqipëri, kur të dëgjojë kushtrimin tënd,

Portreti im u shpëradaftë në vjeshtë dhe në hënë,

Bronxi i vdekjes sime do të kthehet përsëri te mineralet

Ku vringëllijnë armët e Lirisë.

Tokë e dashur, ku prehen ështrat e martirëve

Dhe fle mermeri i perendive ilire,

Tokë e miteve dhe e kështjellave të pafundme,

Zërin tim bëj kurorë për ty, enise!

 

Fole e fluturimeve të mia

Që asnjë qiell tjetër i botës nuk i zë,

Zëri im bie në gjunjë para teje,

Enise, enise!

 

Fëminia

Aso kohe edhe ngjyrat ishin shpirtra.

Në fund të kopshtit banonte mitologjia

Në një olimp prej trëndafilash.

 

Këndonin lulet dhe tregonin legjenda.

O! Tërë trëndafilave të botës do t’i bie në gjunjë,

Por ato legjenda s’kam për t’i dëgjuar më kurrë.

Yjet bëheshin trishtila në dritare,

Ngjyer me magjinë e pyjeve të largët.

 

Por fluturuan ato yje cicëronjës,

Yje tjerë u ngritën mbi kubenë e kohës

Dhe olimpin e trëndafilave e humba përgjithnjë,

Si perenditë e rrëzuara ilire.

Ajkuna pas betejës

Me rubën e zezë mbi sy

Thur ngadalë

Nën mjegullën e hollë te yjeve, në një dekor guri

Elegjitë epike

Dhe era thërret me kuje nëpër shkëmbinj: Omer!

Dhe ortekë rrokullisën nga dhëmbja: Omer!

Dhe vjeshta shkul flokët e gjetheve: Omer!

Dhe rrufeja ikën duke shtrënguar plagët: Omer!

Dhe hëna bën vetvrasje nëpër përrenjtë malorë: Omer!

Shtyu tutje, bir! Bëmë vend në varr, o shpirt…

Poezia

Në atë shteg ku kaloj unë e ka kasollën vjeshta.

Bile gjitha stinët janë fqinj,

Një beng si stradivarius,

Më mëson mua folklorin e zogjve.

Kasolle prej hënë! Nën qiellin tërë shi

Pikë-pikë mbi çatinë e kaltër

Trishtimi i djalërisë…

Mbeti te xhami i plasur i dritares sate

Vështrimi im i thyer.

Unë vetëm u bëj nga një vizitë stinëve, o njerëz,

Kurse zemrën e kam te ju.

Rozafa e flijuar

Ule nga supet këtë qytet, memëzo!

Kështu lutej foshnja tek floknaja e gurit.

Tutje pas mjegullës, perënditë ilire

Dëgjonin ankthin e gurit: Imzot,

Si më këmbeve me një qytet,

Ti që s’më këmbeje as me zotat?

O Medaur!

Bekoje këtë qytet që lindi nga një grua,

Tani që ra hëna e syve të mi.

Mane

Mane, të varrosën në pyll:

Bari ka mbështjellë sytë e tu,

Vesa ka mbushur pikë pikë

Qytën e koburës së komitit.

Mane të varrosën në këngë:

Telat zgjaten përmbi ty.

Mane të varrosën në muzg:

Kali yt që u bë vjeshtë

Hëngri gjelbërimin e pyllit

Edhe befas u bë dimër.

Mane me ballin prej hëne,

Ke mbuluar qiell e tokë.

Bjeshkët e Namuna

Bjeshkët e Namuna,

Magji e gurtë, vizatuar me shqetësim.

Dhembja e një rapsodi të harruar

Rënkon brenda erës, diku.

Dhjetori pikon nëpër pishat

Që mbinë mbi rininë e Omerit.

Retë mbi hone

Tundin patërshanat e shiut,

Zbardhin në fund të përrenjve eshtrat e vetëtimave.

O, ku je tretur ti që bëre tërë këtë kob të zi

Veç për një puthje të lënë përgjysmë?

*   *   *

Poezi kushtuar Frederik Rreshpes

(Nga Anton Çefa)

Ike mbas dyersh mermeri

Ike mbas dyersh mermeri

e rrasash të ftohta,

i le muret e vetmisë së botës.

I heshtun në nji botë të huaj.

për ty mbajnë jazë

zogjtë e drujtë,

të qajnë lotët e hanës në netët e vjeshtës.

Do të kujtojnë kalldramet e Shkodrës

nën shinat qi s’pushojnë.

 

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: Anton Cefa, Frederik Reshpja, ne kujtim, te Poetit te paperseritshem

Uragani „Irma“ – Eksod në Florida

September 9, 2017 by dgreca

Nga të dyja anët e gadishullit banorët po përgatiten për skenarin më të rrezikshëm. 5,6 milionë banorëve në zonat e evakuimit i është drejtuar thirrja e alarmit. Shumë largohen, autostradat janë bllokuar, benzina mungon.

„Koha po ikën. Nëse ndodheni në një zonë evakuiimi, duhet të largoheni. Kjo është një stuhi katastrofale, si nuk është parë kurrë më parë”, paralajmëroi guvernatori i Floridas, Rick Scott. „Irma” është tani më e madhe se Flordia. Epiqendra e uraganit u kategorizua sërish në shkallën maksimale të rrezikut, 5. Sipas prognozave kjo stuhi pritet të godasë të dielën në mëngjes me një fuqi ere prej 257 kilometra në orë.

USA Hurrikan Irma Vorbereitung Florida (picture-alliance/abaca/T. Alvarez/Sun Sentinel/TNS)

Dallgë tre metra të larta

Për të gjithë bregun jugor të Floridas, nga Atlantiku deri në Gjirin e Meksikës është dhënë alarmi i rrezikut për dallgë deri në tre metra të larta. Të premtën uragani kishte madhësinë e Teksasit, thanë meteorologët. Qindra mijëra vetë po përpiqen të largohen nga zona e rrezikut. Në autostrada bllokimi i trafikut kap disa kilometra. Në shumë vende ka mungesë karburanti. 5,6 milionë vetë jetojnë në zonat e evakuimit, sipas autoriteteve.

Vetëm në Miami, iu është kërkuar 650.000 banorëve të largohen. Kryebashkiaku i metropolit të njohur bëri fjalë për evakuimin më të madh në historinë e këtij rajoni. Ata që nuk largohen po gozhdojnë hyrjet me dërrasa dhe vendosin thasë rëre kundër përmbytjeve të mundshme.

Irma Hurricane Karibik (Getty Images/J.Jimenez)

Stuhi me potencial të lartë shkatërrimi

Presidenti amerikan, Donald Trump apeloi tek popullata e zonave të prekura të jenë të vigjilentë dhe të ndjekin rekomandimet e autoriteteve. „Kjo është një stuhi me një potencial historik absolutisht shkatërrues”, deklaroi ai. Si pasojë priten përmbytje deri në brigjet e Georgias dhe Karolinës së Veriut.

Kuba Hurrikan Irma (picture-alliance/AP Photo/T. Aylen)

Ushtria amerikane ka mobilizuar mijëra ushtarë. 14.000 ushtarë të Gardës Kombëtare janë vendosur në gjendje  alarmi. Me një shpejtësi ere 260 kilometra në orë, stuhia „Irma goditi të premten arkipelagun Camaguey në Kuba. Televizioni shtetëror tregoi pamje të shkatërrimit dhe përmbytjeve, por ende nuk dihen qartë përmasat e katastrofës. Miliona vetë, shumë turistë ishin evakuuar më parë.

Filed Under: Komunitet, Kronike Tagged With: - Eksod në Florida, Uragani „Irma“

KOSOVË-KUVENDI, SOT SEANCË PËR QEVERINË E RE

September 9, 2017 by dgreca

-Kuvendi i Kosovës,sot në seancë të jashtëzakonshme për zgjedhjen e Qeverisë së re/

1 haradinaj

-Ramush Haradinaj në 100 ditëshin kryeministër, në intervistë ekskluzive Gazetës Rilindja në fundvitin 2004: Sigurt do të arrijmë suksesshëm në vlerësimin pozitiv të standardeve. Pavarësia e Kosovës do të shënojë edhe një fillim të ri për shumë çështje që e preokupojnë rajonin sikurse që është integrimi i shpejtë në strukturat evropiane dhe ato veriatlantike/
2 ramush-Cilat janë kompetencat e Qeverisë e të Kryeministrit, që i përcakton Kushtetuta e Republikës së Kosovës/

1 behlul ramush

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 9 Shtator 2017/ Zgjedhja e Qeverisë së Republikës së Kosovës sot në orën 16:00 është pika e vetme e axhendës së seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit kosovar, i cili seancën konstituive të nisur në 3 gusht e përfundoi dje, afër 3 muaj pas zgjedhjeve të parakohshme të 11 qershorit.

Kandidati i koalicionit fitues të zgjedhjeve PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, është mandatuar për formimin e Qeverisë së re të Kosovës, menjëherë pas seancës konstituive të Kuvendit, nga presidenti i Republikës, Hashim Thaçi.

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, mbajti te premien me 8 shtator mbledhjen e parë për Legjislaturën VI, të drejtuar nga Kadri Veseli, kryetar.

Kryesia shqyrtoi kërkesën e 45 deputetëve nënshkrues për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për votimin e qeverisë së re të Kosovës.

“Kryesia vlerësoi se kërkesa i plotëson kushtet formale-juridike dhe njëzëri vendosi që konform kësaj kërkese, Kuvendi të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme të shtunën, më 9 shtator, në orën 16:00, me pikën e vetme të rendit të ditës: Zgjedhja e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thekson njoftimi zyrtar i sapodërguar nga Kuvendi sot pasdite.

Në përfundim të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, dje pasdite, i saporizgjedhur kryeparlamentar Kadri Veseli paralajmëroi për të shtunën seancën për zgjedhjen e liderit të AAK Ramush Haradinajt  kryeministër dhe Qeverisë së Kosovës, e më parë mandatimin.

Derisa vononte konstituimi i Kuvendit që pasohet me zgjedhjen e qeverisë së re të Kosovës, qeveria e zgjedhjeve të para tre viteve zhvilloi në 30 gusht 2017 mbledhjen e 154-të, të tetën të pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit, të nëntën si qeveri në detyrë pasi u rrëzua në 10 maj në seancën e Kuvendit në mocion mosbesimi.

Në 10 maj, një muaj para zgjedhjeve të parakohshme, Kuvendi i Kosovës u vetëshpërnda me kalimin me shumicë votash, të opozitës e edhe të partisë më të madhe të maxhorancës – PDK, të  mocionit të mosbesimit për qeverinë e udhëhequr nga LDK të zgjedhur në 9 dhjetor 2014 në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë me vonesë gjashtë muajshe pas zgjedhjeve të 8 qershorit, të cilat ishin poashtu të parakohshme.

Ramush Haradinaj ishte kryeministër i Kosovës edhe më parë rreth 100 ditë.

Në 3 dhjetor 2004, pas zgjedhjes së Presidentit të Kosovës, deputetët e Kuvendit të Kosovës me vota të hapura zgjodhën kryeministrin dhe kabinetin qeveritar. Pasi më parë Presidenti Ibrahim Rugova para deputetëve nominoi në këtë post Ramush Haradinajn nga AAK-ja, ai mori votëbesimin e Kuvendit dhe u zgjodh kryeministër i ri i Kosovës si dhe 11 ministrat nga radhët e koalicionit. Për kabinetin qeveritar votuan 72 depuetë, kudnër ishin 2 dhe pesë abstenuan.

Ramush Haradinaj në seancën e nesërme pritet të zgjedhet kryeministër i Kosovës me votat e koalicionit PDK-AAK-Nisma-AKR dhe të komuniteteve pakicë, ashtu si u zgjedh dje kryetari i Kuvendit.

Gjatë 100 ditëve të qeverisjes, në kohën kur Kosova prej disa vietesh e lirë shkonte drejt shpalljes së pavarësisë, kryeministri Ramush Haradinaj në një intervistë që kam zhvilluar për gazetën tradicionale kosovare Rilindja shprehte besimin se pavarësia e Kosovës do të shënojë edhe një fillim të ri për shumë çështje që e preokupojnë rajonin sikurse që është integrimi i shpejtë në strukturat evropiane dhe ato veriatlantike, derisa fliste edhe për bisedimet për statusin final.

“Ne bisedat i konsiderojmë si punë e mëtejme për t’i shpjeguar bashkësisë ndërkombëtare dhe të gjithëve edhe vendeve të rajonit se njohja apo  pranimi i vullnetit politik të popullit të Kosovës për pavarësi, pra njohja e pavarësisë së Kosovës është zgjidhja e vetme dhe që siguron ose shënon edhe më tej ndihmesë në stabilitetin e Kosovës dhe të rajonit”, theksonte Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj shprehej optimist se Kosova do të arrijë me sukses e me kohë në cakun e caktuar për mesin e vitit 2005 për Vlerësimin Gjithpërfshirës të Standardeve dhe fillimin e bisedimeve për statusin final të Kosovës.

“Dinamika jonë, angazhimi ynë, reflekton edhe te UNMIK-u dhe mund të them se sigurt do të arrijmë suksesshëm në maj, pra në gjysmën e vitit që vjen me vlerësimin pozitiv. Veç tani ka sinjale të një sigurie të këtillë edhe nga pala ndërkombëtare duke vërejtur seriozitetin me të cilin ne po angazhohemi për zbatimin e standardeve për Kosovën”, theksonte Haradinaj.

Ai deklaronte edhe se me pavarësinë e Kosovës krijohet rrethanë e re për pozitë më të mirë edhe për pakicat.

“Pozita e pakicave sot, pozita e serbëve e cila nuk është e mirë në këtë rast nuk mund të përmirësohet pa ndryshime, pa e ndryshuar pozitën edhe të shumicës. Me pavarësinë e Kosovës krijohet rrethanë e re për pozitë më të mirë për serbët, pra unë besoj se pavarësia e Kosovës do të shënojë edhe një fillim të ri për shumë çështje që i preokupojnë pjesëtarët e pakicave, por edhe shumë çështje që e preokupojnë rajonin sikurse që është integrimi i shpejtë në strukturat evropiane dhe ato veriatlantike”, theksonte Haradinaj.

Ai shprehej se, “Qeveria e Kosovës, institucionet e Kosovës kanë treguar dhe janë të vendosura që t’i japin rëndësi thellimit të bashkëpunimit me vendet fqinje dhe në rajon. Në këtë rast edhe me Beogradin. Ky qëndrim yni do të jetë vazhdimisht i këtillë dhe do të jetë edhe synim që të thellojmë bashkëpunimin në rajon me të gjitha vendet dhe me Beogradin. Besoj se pala serbe do ta vërtetojë se është edhe në dobi të rajonit që edhe ata të marrin pjesë me një vullnet, do ta quaja tonin, e që është shumëpalësh, pra që edhe Serbia të veprojë njëjtë si vendet e tjera fqinje sikurse Maqedonia, Mali i Zi e Shqipëria që kanë shprehur gatishmëri për thellimin e bashkëpunimit të gjithanshëm”.

Intervista ekskluzive me kryeministrin Haradinaj u zhvillua në pasditën e 30 dhjetorit të vitit 2004, ndërsa u botua të nesërmen me titullin “Sigurt do të arrijmë suksesshëm në vlerësimin pozitiv të standardeve” në numrin festiv  të Rilindjes të Vitit të Ri 2005, në të cilin gazeta tradicionale e Kosovës kishte jubileun e 60 vjetorit. Me këtë rast, kryeministri Ramush Haradinaj në zyrën e tij në ambientet e Qeverisë së Kosovës priti për intervistë kryetarin e Këshillit Drejtues e kryeredaktorin e Gazetës  Rilindja, Behlul Jashari, tash korrespondent në Kosovë i Gazetës DIELLI.

Ramush Haradinaj është dorëzuar vullnetarisht në Tribunalin e Hagës në 9 mars 2005, pasi një ditë më parë kishte dhënë dorëheqje nga funksioni i kryeministrit të Kosovës, menjëherë pasi ishte njoftuar për ngritjen e aktakuzës nga Tribunali i Hagës. Në 29 nëntor 2012 u shpall  i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës.Në 10  korrik 2014, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ishte  pjesë e regjistrimit të deputetëve të Legjislaturës V të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 8 qershorit, para seancës konstituive të 17 korrikut.

“Pas 10 vjetësh, sot u çertifikova për herë të dytë në mandatin e deputetit të Kuvendit të Kosovës. Sigurisht se ishte përjetim i veçantë, pas një periudhe të gjatë, me plot sfida, që kaluam unë, familja dhe Kosova. Ky moment shënon edhe një pikënisje të re për të gjithë ne, në rrugën dhe synimet e përbashkëta për Kosovën evropiane”, shprehej me atë rast Haradinaj.

Ai vlerësonte se, “Kosova ka shënuar të arritura, është shtet i pavarur, por shtetit dhe pavaresisë sonë i duhet rend, ligj, zhvillim, sovranitet dhe integrim”.

Në Kuvendin e Kosovës me gjithësej 120 deputetë, prej tyre 100 shqiptarë e 20 të komuniteteve pakicë, për zgjedhjen e qeverisë së re duhen së paku 61 vota.

Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës për kompetencat e Qeverisë e të Kryeministrit shkruan:

Neni 93 [Kompetencat e Qeverisë] Qeveria ka këto kompetenca: (1) propozon dhe zbaton politikën e brendshme dhe të jashtme të vendit; (2) mundëson zhvillimin ekonomik të vendit; (3) propozon Kuvendit projektligje dhe akte të tjera; (4) merr vendime dhe nxjerr akte juridike ose rregullore, të nevojshme për zbatimin e ligjeve; (5) propozon Buxhetin e Republikës së Kosovës; (6) udhëzon dhe mbikëqyr punën e organeve të administratës; (7) udhëzon veprimtarinë dhe zhvillimin e shërbimeve publike; (8) i propozon Presidentit të Republikës së Kosovës emërimet dhe shkarkimet për shefa të misioneve diplomatike të Kosovës; (9) propozon amendamentimin e Kushtetutës; (10) mund të referojë çështje kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese; (11) ushtron edhe funksione të tjera ekzekutive, të cilat nuk u janë caktuar organeve të tjera qendrore ose vendore.

Neni 94 [Kompetencat e Kryeministrit] Kryeministri ka këto kompetenca: (1) përfaqëson dhe udhëheq Qeverinë; (2) siguron që të gjitha Ministritë të veprojnë në pajtim me politikat qeveritare; (3) siguron zbatimin e ligjeve dhe të politikave të përcaktuara të Qeverisë; (4) ndërron anëtarët e Qeverisë, pa pëlqimin e Kuvendit; (5) kryeson Këshillin e Sigurisë të Kosovës; (6) emëron Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës; (7) këshillohet me Presidentin e Republikës së Kosovës mbi çështjet e Inteligjencës; (8) së bashku me Presidentin, emëron Drejtorin, Zëvendësdrejtorin dhe Inspektorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë; (9) këshillohet me Presidentin për zbatimin e politikës së jashtme të vendit; (10) kryen edhe punë të tjera, të përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, KOSOVË-KUVENDI, PER QEVERINE E RE, SOT SEANCË

SHTYPI:QEVERIA E KOSOVËS VOTOHET PAS TAKIMEVE SERBE NË BEOGRAD

September 9, 2017 by dgreca

ZGJEDHJA E QEVERISË SË KOSOVËS SI E PËRCAKTON KUSHTETUTA/

Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës për zgjedhjen e e Qeverisë shkruan:/

“Neni 95 [Zgjedhja e Qeverisë] 1. Pas zgjedhjeve, Presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë. 2. Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit. 3. Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. 4. Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre. 5. Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë. 6. Anëtarët e Qeverisë pas zgjedhjes, japin betimin para Kuvendit. Teksti i betimit rregullohet me ligj”.

SHTYPI I PRISHTINËS: QEVERIA E KOSOVËS VOTOHET PAS TAKIMEVE SERBE NË BEOGRAD

Sipas shtypit të Prishtinës, ka shumë gjasa që edhe  seanca e ftuar për të shtunën e Kuvendit të Kosovës të zvarritet, së paku për disa orë, për shkak se deputetët e Listës Serbe, që po ashtu pritet të jenë pjesë e kabinetit qeverisës të Haradinajt, nuk kanë shumë gjasa që të mbërrijnë me kohë për fillimin e seancës në orën e caktuar.

“Lista Serbe, siç edhe ka paralajmëruar, para votimit të Qeverisë do të qëndrojë në Beograd për takime konsultuese me zyrtarët atje. Dhe janë takimet e caktuara në Beograd ato që duket se do ta pamundësojnë prezencën e deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës në orën 16:00.

Sipas një njoftimi të publikuar në ueb-faqen e Zyrës për Kosovë të Qeverisë së Serbisë, drejtuesi i kësaj zyre, Marko Gjuriç, do të presë kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiç, dhe deputetët e saj në Kuvendin e Kosovës, në ndërtesën e Qeverisë së Serbisë të shtunën në orën 13:00. Pas takimit, Gjuriç dhe Rakiç do të mbajnë një konferencë për gazetarë, në orën 14:00”, shkruan në numrin e të shtunës gazeta Koha Ditore me titullin “Qeveria e Kosovës votohet pas takimeve serbe në Beograd”.

Filed Under: Politike Tagged With: Beogradi, Media e Kosoves, qeveria

DIANA ZHITI DHE MBIJETESA E ËNDRRAVE…

September 9, 2017 by dgreca

Bisedë me autoren Diana Zhiti, për librin e parë të saj, “Ëndërr ishte…”/

2.Ballinat e librit...Nga Prof. Murat Gecaj/

1.Në fillim të kësaj Bisede të përbashkët, mike Diana, për të cilën të falënderoj, duam të dimë: Cila është vendlindja juaj? Po shkollimin  fillestar, ku e kreve?

1.Diana Zhiti-bust

-Kam lindur në Plug të rrethit të Lushnjës, në vitin 1960. Më pas, jetuam në Dushk dhe, në vitin 1967, u transferuam, familjarisht, në Grabjan, të po këtij rrethi. Aty kreva arsimin tetëvjeçar.

2.Si e përjetove dhe përballove  përbuzjen e nënçmimin, në regjimin e kaluar, kur jetonit në Lushnjë?

-Im Atë, gjate këtyre viteve, nga arsimi kaloi agronom, sepse ishte shkolluar edhe për këtë degë, por dhe ekonomist. Mami punonte  edukatore kopshti. Në kohën, kur ne fëmijët mbaruam tetëvjeçaren, filluan goditjet e luftës së klasave.Prindërit i larguan nga detyrat e mëparshme dhe i dërguan direkt në punët bujqësore. Ndërsa ne, femijeve, nuk na u dha e drejta e studimit!? Jetonim nën presion  fizik, psikologjik etj. Që në moshë të mitur e kuptoja dallimn, që na bëhej.Por ne fëmijët dinim, aq sa duhej të dinim. Të tjerat i mësuam gjatë jetës…

3.Kur keni emigruar jashtë Shqipërisë dhe si u përshtatët me jetën e re atje?

-Në vitin 1991, u larguam në emigracion, në Greqi, me të dy fëmijët. Atje iu përkushtuam punës, shkollimit të fëmijëve. Sigurisht, e patëm vështirësi me gjuhën, por dhe këtë e kaluam shpejt. U përshtatëm me vendin e njerëzit dhe iu kushtuam vazhdimësisë, me korrektësinë e normave morale e shoqëërore, që gjetëm atje.

4.A të ka pëlqyer të lexosh libra letrarë? Po, kur ke nisur të shkruash, poezi ose prozë? A të kujtohen krijimet e para?

-Krijimet e para i kam filluar që në moshë të vogël. Kur vazhdoja shkollën fillore e më pas atë tetëvjeçare, hartimet e mia lexoheshin në vitin tjetër, po pa e treguar emrin tim! Libri ka qenë për mua gjithnjë ushqim shpirtëror. Tërë kohën krijoja në mendjen time. Po, realisht, nisa të shkruaja mbas vitit 2016, kjo dhe për mungesë kohe.

5.Ku jetoni tani  dhe cila është përbërja juaj familjare? Fëmijët, a i kanë ndjekur shkollat dhe në cilët profile?

–Jetojmë në Anglli, prej dy vjetësh. Kam dy fëmijë.  Vajza jeton ende në Greqi dhe prej saj kam dy mbesa, si yje, të cilat ma kënaqin shpirtin dhe më frymëzojnë, që të shkruaj më bukur. Kurse djali vazhdoi shkollën e lartë, në Angli, me bursë. Ia doli mbanë me focat e tij dhe ushtron profesionin e aktorit e regjisorit dhe jep mësim, për këto degë të artit.

6.Tani, le të flasim, sigurisht shkurt, për librin tënd të parë poetik, që është dhe arsyeja kryesore e kësaj Bisede…Kur ke nisur t’i  shkruash këto poezi dhe a ke publikuar prej tyre, në shtyp ose në rrjetet sociale?

–Siç thashë më lart, fillova të shkruaja në vitin 2016. Në gazetën “Intervista” janë botuar disa poezi të mijat. Sot jetojmë në botën elektronike, ndaj  herë pas herë i  publikoj krjimet e mia në Fb. Përsëri vazhdoj të shkruaj. Si qytetare e këtij vendi, në poezitë e mia, kam shprehur mendimet e shqetësimet e mia për traditat, historinë, të kaluarën e afërt. Në ato flitet edhe për marrëdhëniet shoqërore, ka lirika të ndryshme etj.

Si temë kryesore të poezive të mia, veçoj mbijetimin e ëndrrave. Jetoj prej 26 vitesh në emigrim dhe gjithnjë jam me  mendje, zemër e shpirt në Atdheun tim.  Më dhimbset, sepse zhvillimi po vjen me ritme të ngadalta, me të meta themeltare, të cilat janë të dukshme. Por, megjithatë, le të shpresojmë për një të ardhme më të mirë, për brezat e ardhshëm.

7.A do të  shkruash e të botosh edhe në vazhdimësi?

– Po,  nuk do  të pushoj së shkruari dhe, sigurisht, së botuari!…

8.Me cilin ke bashkëpunuar ose të ka ndihmuar, në përgatitjen dhe botimin e këtij libri të parë poetik, “Ëndër ishte…”?

–Redaktimin e librit tim e ka bërë Bledi Ylli, korrektimin  Eltona Lakuriqi. Ndërsa është përgatitur e shtypur në SHB “Ada”, me Roland Lushin, të cilët i përshëndes dhe i falënderoj, për zellin e dëshmuar dhe punën profesionale, që kanë bërë!

9.Por dhe Hyrjen e librit tënd e ka shkruar Bledi Ylli…Cilën pjesë të saj ke dëshirë ta nënvizosh këtu?

–Me që më pyesni, po veçoj këto mendime të tij, për të cilat i jam mirënjohese:

“Poetja Diana Zhiti vjen në botën e poezisë,  përpara lexuesit, me një grumbull ëndrrash shpirtërore. Unë e quaj poete, sepse për ditë të tëra kisha fatin të punoja mbi shkrimet e saj. Vargu i Dianës ka një shenjë të gdhendur thellë, nga dora e saj. Kjo e bën atë unike në mënyrën e të shkruarit. Pra, poezia e Dianës ka fituar «unin» personal, që duhet të ketë çdo autor, që i shërben artit të fjalës. Ky vëllim, që nga titulli, vërteton një enigmë. Një botë pafund ëndrrash shpirtërore të autores, por dhe, njëkohësisht, shumëllojshmëri kuptimesh. Çdo kush mund të supozojë diçka…”.

10.A ke ndonjë mendim tjetër, që dëshiron ta shtosh në mbyllje të kësaj Bisede?Ndër të tjera, që dhe se ndodhesh, këto ditë, në qytetin e bukur të Durrësit?

–Sa herë kthehem në Shqipëri, sikur ripërtërihem, mbushem me ndjenja të bukura, që më frymëzojnë. Valët e Detit Adriatik, sikur më përkundin në ëndrrat e së shkuarës së vendit tim dhe më japin shpresa, për një jetë më të mirë…

Së fundi, ishte kënaqësi, që e zhvilluam bashkë këtë Bisedë të shkurtër…Gjej rastin t’i përshëndes të gjithë krijuesit e lexuasit tanë, sidomos femrat tona, poete e shkrimtare, artiste e veprimtare shoqërore!

Tiranë-Durrës, 9 shtator 2017

Filed Under: Interviste Tagged With: DIANA ZHITI DHE, MBIJETESA E ËNDRRAVE…, Murat Gecaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT