• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2017

Lugina e Shushicës, bardhësi, gjelbërim, kaltërsi dhe krenari

September 2, 2017 by dgreca

(Përshtypje dhe mbresa nga udhëtimi nëpër Lumin e Shushicës)/

1 Ylli Xhaferri 2

Reportazh nga Ylli XHAFERRI/

Rasti e solli, që për shkak të detyrës, të isha me shërbim për probleme pune në Luginën e Shushicës, në lumin e Vlorës, të cilin plot dëshirë e quaj, siç dhe është në të vërtetë, Lumi i Bardhë i Jetës, nga që përshkon si ylber, si Trini e Shenjtë, në emër të bardhësisë, kaltërsisë dhe gjelbërimit, tërë Krahinën Malore Jugore të Shqipërisë. Shkonim për të realizuar një grafik takimesh në sensibilizimin e prindërve të nxënësve që nuk shikojnë, të bënim realitet objektivat e Qeverisë “Berisha” për reformën në arsimin parauniversitar, integrimin e tyre në shoqëri jo për keqardhje e mëshirë, por me dinjitet, krenari dhe kontribut njerëzor. Për shokë rruge kisha specialistë të Institutit “Ramazan Kabashi” dhe shoferin, këngëtarin popullor, bilbilin e Labërisë, Nazif Çelaj, që për djep të vetes dhe këngës kishte fshatin, Lapardhanë e tij, mbi hapësirat e së cilës më bëhej se ende ushtonte si flatrim pëllumbash kënga “Janinës, çi panë sytë”. Që të hysh në Tempullin e Lumit të Shushicës, nuk mund të ketë fillim më të mbarë se sa ngjitja në Kalanë e Kaninës nga ku ke si në pëllëmbë të dorës Gjirin e Vlorës, Luginën e Shushicës, Gadishullin e Karaburunit, Ishullin e Sazanit, Malin e Tomorit e më tej. Madhështore, epike dhe hijerëndë, Kanina vigjilon në veriperëndim të Malit të Lungarës, 6 km larg nga qyteti i Vlorës. Kjo kala e lashtë përmendet nga shekulli IV p.e.s. Zbulimet arkeologjike dokumentojnë aty gjurmë të periudhës ilire. Mendohet se kalaja është ndërtuar në shek III, gjurmët e mëpasme dëshmojnë të gjitha periudhat historike, bizantine, veneciane e turke. Ajo u rindërtua nga perandori Justinian në shek V, pastaj u rikonstruktua nga sulltan Sulejmani më 1531. Ndodhet në mes të gjirit të Vlorës, majë kodrës në lartësinë 380 m, ku malet i afrohen bregut të detit fare pranë. Në këtë parajsë të tokës së arbrit nusërojnë portokallishte dhe ullishta shekullore, ku gëmushat e gjineshtrave kanë ndezur luledritat e stinës, mes të cilave valëviten palat e fustanellës luftarake të mureve të vjetër, Kaninës së lavdishme. Kalaja ka një sipërfaqe prej 3.6 hektarësh dhe mbrohet nga 18 kulla, çka dëshmojnë fuqinë e saj administrativo-qeveritare për kohën. Lugina e Lumit të Vlorës afrohet rrëzë kodrës duke e lehtësuar ndjeshëm lidhjen e zonës bregdetare me hinterlandin, Ndërsa në jug malet fitojnë lartësi të madhe, duke thelluar ndjeshëm largësinë midis detit Jon dhe Lumit të Shushicës. Lugina ka një gjatësi prej 56 km, ndërsa gjerësia shkon nga 500 m deri në 5 km, duke krijuar një fushë pjellore që si gjendet shoqja në faqe të dheut, ku spikatin si diamante të rralla gjeomonumente, hidromonumente dhe biomonumente mahnitëse. Udhëtonim përmes gjelbërimit dhe freskisë jetëdhënëse të Shushicës, shtrati i së cilës krijon dredha të shumta e nivele tarracash lumore të dobishme. Ciceron për historinë, gjeografinë dhe etnografinë e krahinës nuk kisha, kështu që thirra kujtesën. Më të mirë se Ago Agaj nga Smokthina dhe libri i tij “Lufta e Vlorës”, një dokument autentik me vlera të shumëfishta, nuk mund të gjeja. Ky libër i shkruar në syrgjyn, në vetminë përvëluese të shkretëtirës së Saharasë, për të ardhur në vendlindje si dëshmi e bardhë vonë, shumë vonë, si gjëmë e vaj zgjuar nga balada e nizamit “Mbeç, more shokë, mbeç”. Ky patriot dhe intelektual u nëm e mallkua nga diktatura komuniste sa dhe një varr për shenjë nuk iu dha në dheun që e deshi aq shumë, ku si ministër i bujqësisë në Qeverinë e Rexhep Mitrovicës gjatë Luftës së Dytë Botërore, shpëtoi nga vdekja me qindra familje herreje, duke i dëshmuar botës së qytetëruar madhështinë e kodit etiko-moral dhe shpirtin humanist shqiptar. Lamë pas Drashovicën, rruga kalonte mes Monumentit hiperbolik dhe urës së lavdishme, por nuk e di përse mu kujtua albanologu Johan Georg von Hahn, i cili në veprën “Studime Shqiptare” Drashovicën e përmend për cilësinë e rrallë të gurit të strallit, xeheror që shitej në Shkodër, Beograd e Mal të Zi. Peizazhi ndërronte ngjyra e përmasa. Pyjet dhe pemëtoret kapur dorë për dore dukeshin si burrat e Vranishtit në valle, valle që e printe plot elegancë ulliri, degët e të cilit shpalosnin paqen midis tokës dhe qiellit, njerëzve dhe natyrës. Isha vizitor në galerinë e gjallë të arteve të natyrës. Zërat njerëzor, shushurima e ujërave të kristalta, cicërimat e zogjve, blegërimat dhe puhiza ledhatare e detit më sillnin të gjallë zërin e magjishëm të aktorit Kadri Rroshi tek recitonte poemën “Bagëti e bujqësi” të Naim Frashërit. Dy anëve të lumit shfaqeshin vargmale, pyje, fshatra, vreshta, ullishta të reja, kopshte mollësh, pjeshkash, kaisishë, kumbullash, portokajsh dhe limonësh. Labëria punonte, një me drapër korrte grunoret e florinjta, dikush me shatë ujiste misrin, një i tretë me kërrabën në dorë dhe fyellin në buzë çonte tufën në mriz, ndërsa amvisat e bukura labe në stane dhe magje s’i hiqnin nga duart e arta shtizat. Këto Penelopa moderne s’reshtnin së thururi me dashuri, pasion, talent e elegancë lumturinë e fëmijëve dhe burrave të tyre. Hymë në Kotë, fshat në bregun e djathtë të Lumit të Shushicës që dëshmohet si vendbanim ilir, ku janë gjetur monedha me mbishkrimin “Amantia”. Nazifi këndonte me vete: “Obobo se ç’qënkej Kota/ mbytur top e mitraloza/ Shkoza ç’u bë lakëra/ u vra Kanan Mazeja/ Kanan t’u prish bukuria/ ç’ka se mbeta unë pa gojë? / po Shqipëri të rrojë!”. Nga këto treva mitike do të dilte Nuredin bej Vlora, sqimatari me frak që thirri në shesh të mejdanit për duel kontë e baronë në mes të Parisit, vetëm se përkrahnin pushtimin italian të djepit dhe varrit të tij, Shqipërisë. Lart ishte kalaja e Cerjes, kurorë trimërie mbi fshatin Brataj. Përballë nesh, anë xhadesë vinte një kalorës, flokët e gjatë dhe pela e kuqe hedhur në galop më sollën vetiu në mend vargjet për “leshraprerën” apo “bishtkorrën”, çka simbolizonin gruan që i ka vdekur burri, apo pelën që i ka vdekur i zoti. Zakoni lab i flokëve të gjatë shkonte larg në antikitet, deri tek Leka i Madh, që kur i vdiq shoku besnik preu flokët e gjatë, duke dëshmuar një profil etnografik shqiptar, sa dhe “Larrousse illustre” i vitit 1946 portretin e tij e jep veshur me këmishë me mëngë të shkurtra, të gjerë dhe me pala, si fustanella e Labërisë. Pimë një kafe në lokalin e djalit të rapsodit Feti Brahimi, portreti i të cilit më solli në kujtesë aktorin kosovar Bekim Fehmiu. Midis tipareve eshtake të fytyrës dhe mjekrës së bukur labe dhe asaj të kosovarit të shquar ruhej tipi-gjenetik i shqiptarit për të cilin ndjehemi krenar. Krenaria duket sikur e kishte djepin e saj në Luginën e Shushicës. Mbi harkun e lartë të Urës së vjetër të Bratajt që rrezatonte një nur të rëndë mu bë se pashë siluetën e ndritur të aktorit Sandër Prosi, që nuk reshte së luajturi misionin e artistit dhe patriotit edhe pas vdekjes nëpërmjet filmit “Udha e Shkronjave”, kujtime që ishin ngulitur thellë tek banorët e zonës. Ishim në dilemë, dëshirat në kapërcyell. Kë të vizitonim Valin e Vranishtit apo Ujëvarën e Ramicës? Astrit Jegeni dëshironte t’i shihnim të dyja. Vali është një gropë karstike rreth 2 km e gjatë me bimësi të pasur dhe kullota alpine në kurriz të malit të Bogonicës, ndërsa Ujët e Varur bie nga një lartësi prej 15 metrash në një gropë të thellë me ujë kristal. Midis bukurive është vështirë të zgjedhësh, për më tepër kur koha rridhte shpejt. Ishte e pamundur t’i shihnim të gjitha…Ikën, lamë pas Burimin e Kripur të Bashajve, Karthin e Tërbaçit, Rrapin e Shënvarvarës së Velçës. Ngado bukuria të shkruhej në sy. Pëllëmbë e bukuri, pëllëmbë e histori, pëllëmbë dhe krenari. Kështu iu afruam Qafës së Dushkut, një rrugëtim malor me pamje të rralla, të denja edhe për giudat turistike më elitare të botës. Fshati më i afërt ishte Vajza, ku ka dokumentime, gjetje arkeologjike, tuma, etj. 5 km më tej është qyteti antik i Ilirisë jugore. Amantia, një magji ndërtimi e antikitetit të largët. Mali i Gribës si Tartari, qethur nga bimësia, zbardh ende nga bora e pashkrirë. “U mbars mali dhe polli flori”…Vërtetë flori e shkuar floririt është Amantia, ndërtuar në lartësi malesh me një sipërfaqe prej 15 ha. Aty hijeshon stadiumi, shkallinat e gurta përbëjnë befasinë dhe madhështinë e qytetit ilir. Stadiumi ka 17 radhë të gurta, tribuna qendrore mban 3000 shikues. Stadiumi i Amantias përmendet në lashtësia për cilësinë e lojërave olimpike që zhvilloheshin aty. Në Amantia ruhen gjurmët e tempullit të Afërditës, teatrit, nekropolit, varre monumentale, si dhe bazilika e pasur me plastikë dekorative arkitektonike, që ftojnë vizitorë për t’u mrekulluar. Labi siç të merrte gjak në vetull nuk mungonte ta ndiqte historinë. Ai nuk e kishte për gjë që toponimet vendase t’i pagëzonte me emra kombësish e shtetesh të largëta, por që njerka histori ia kishte hedhur fytafyt kundër. Ndaluam tek “Ura e Frëngut” në fshatin Gjorm, ku dëshmohen beteja të egra me pushtuesit italianë gjatë Luftës së Vlorës. Nazifi nuk flet, por këndon, këndon me vete: “Qasi shokë të këndojmë / se sonte pa nesër shkojmë / kush e di ku qëndrojmë / Janinë apo Mesolongjë”. Rruga kalon pranë shtratit të thellë të lumit. Aty ngrihet Lepenica, shquar për vendin, por më shumë për njerëzit. Në Lepenicë është një shpellë karstike, formuar nga shkëmbinj gëlqerorë në formën e guvës, në muret e së cilës gjenden vizatime të hershme me vlera të mëdha arkeologjike. Shpella e shkruar e Lepenicës është në një strehë shkëmbi në lartësi 800 m mbi nivelin e detit, datohet 3600 vjet p. e. s. Piktura përbëhet nga 19 figura antropomorfe dhe 8 figura gjeometrike të çrregullta, pikturuar me vija të gjera dhe bojë minerale ngjyrë kafe. Piktura më kujtoi një fakt nga jeta e “Skulptorit të Popullit”, Odise Paskali, që lidhej me Smokthinën, kur punonte në Vlorë për realizimin e Monumentit të Pavarësisë. Teksa gdhendte figurën e flamurtarit nuk po e kapte dot çastin. Kishte dalë të çlodhej në rrugën e skelës, aty ku kërkonin punë hamejtë, argatët dhe lypësit. Fytyra e egërsuar e një labi e shkundi nga trallisja. Iu afrua. Kërkonte punë për një lek ditën. Puno me mua, dy lekë dita!- e kishte ftuar skulptori. Labi i panjohur pozoi për ditë, ditë që u kthyen në miqësi të pasur, sa fukarai nuk pranoi të merrte hakun e punës që nuk mund ta quante punë. Sa herë shkonte në Vlorë, Odise Paskali, ngjitej drejt Lepenicës. Vizitonte stanin e varfër të mikut të paharruar, labin e mirë, modelin e Flamurtarit…Përsëri pamë rrënojat e një kalaje. Kalaja e Vranishtit. Përballë Shpella e Boderit në Smokthinë. Tubat e hidrocentralit që rrëzonin ujin drejt turbinës shkëlqenin nën rrezet e diellit jo natyrshëm për atë peizazh të virgjër. Tutje, në Malin e Çikës fshihet “Shpella e Shëngjergjit”, që thërritet nga vendasit “Shpella e Bletës”. Shpella është 100 m e gjatë, ka një gjerësi dhe lartësi mbi 4 metra. Në të gjenden murana të hershme, thuhet se shpella është përdorur nga mbretëresha ilire, bukuroshja Teuta. Në horizont lartësohet kërcënueshëm Mali i Vetëtimës. Labi tradicional kishte kullotur bagëtitë në shtrofullat përvëluese të vetëtimave. Edhe Zeusi vetë e kishte pasur zili… Shushica nanuriste ëmbël e butë, si ninullë e nënës natyrë. Morëm rrugën e fshatit Kuç. Emri “Kuç” përmendet për herë të parë në regjistrin e Halil Inalçikut në Turqi më 1431, ku dëshmohet se fshati ka 49 shtëpi e 180 banorë. Albanologu, Norbert Jokli, emërtesën “Kuç” e lidh me “kudh”-i, si dimunitiv të kësaj fjale, e shqipton si “vorbe dyveshëshe”, emërtim që lidhet me formën fizike të vendit. Dy veshët e “vorbës” janë Maja e Shkagës nga njëra anë dhe ajo e Bogonicës në anën tjetër, kurse fundi i saj është gropa tek Buronjat…Konsulli gjakatar, Pal Emil, shkatërroi disa vendbanime në Kuç, për këtë masakër u denoncua në senat nga Ciceroni. Në shekullin I të e.s. romakët ndërtuan kalldrëmet e rrugëve që rrjedhin ende, si: Shkallë-Pori-Kuç-Progonat, Pilur-Shkallë-Kallarat, rrugë për karroca dhe kalorës, anës së cilës rridhnin kroje, gjurmët e të cilëve ruhen edhe sot e kësaj dite. Kuçi është 620 m mbi nivelin e detit, 62 km larg Vlorës. Fshati rrethohet nga kurora malesh të lartë: Papadhia me lartësi 1481 m. Vali i Papadhisë është një pllajë e sheshtë prej 7 ha, me kullota verore, ku mund të ndërtohet një aeroport për aviacion civil e ushtarak, helikopterë, etj. Aty mund të zhvillohet agro-turizmi elitar, gjuetia e kafshëve dhe e shpendëve të egra si: lepuri, kunadhja, thëllëza, pëllumbat. Ngjitur me të është mali i Golemit, (Gjoshnikoshi 1533m). Nga maja e Golemit të Jugut të Shqipërisë mallëngjehem për fshatin tim të lindjes, Golemin e Kavajës në mes të Shqipërisë, plazhin bujar të gjithë shqiptarëve…Klima e Kuçit është midis së butës mesdhetare të Borshit dhe së ashprës së Kurveleshit të Epërm. Flora e zonës harliset e çliruar prej dëmtimeve dhe shpyllëzimeve për toka bujqësore, prerjet për dru zjarri për furrat e bukës së kooperativave bujqësore, kullotjet pa kriter të bagëtive (dhive), etj. Bimësia më e përhapur janë shkurret e tipit mesdhetar (makja) të përbëra nga : sqina (xina), koçimarja, prralli, mërsina, shqopa, sfaka (bezga), thrumbja, sherbela, etj. Në lugina rritet plot elegancë ilqja dhe rrapi, ndërsa lart bredhi, pisha, bien në sy edhe kullotat e pasura verore. Nga kafshët e egra gjenden derri i egër, lepuri, dhelpra, kunadhja, dreri (sorkadhja), shqarthi (macja e egër), lundërza (vidra), etj. Nga shpendët haset kukumjaçka (bufi), qyqja, harabeli, gushëkuqi, shqiponja, etj. Në Kuç ka gjurmë nga epoka e hekurit, që lidhen me vendbanimin e fortifikuar të Kadafiqit. Kalaja e Kadafiqit datohet në fund të mijëvjeçarit të VI p.e.s. Këtu është zbuluar një reliev i njohur si “Emblema e Kadafiqit” me përmasa 40x30cm, ku dallohet një shqiponjë e gdhendur me girlanda gjethesh lisi. Shqiponja simbolizon figurën e Zeusit, kryezotit të perëndive të Olimpit, sofra e të cilëve padyshim që ndodhej aty. Emblema në fjalë lidhet me periudhën e stërlashtë të Dodonës. Nuk e di, por në buzë më erdhën vargjet e këngës: “Tafil Buz mustaqeziu / nga grykë e Kuçit arriu”. Pikërisht në Kuç merr jetë lumi i Shushicës, që përshkon gjithë luginën e ulët flishore duke ndërtuar anëve të tij tarraca lumore pjellore. Kuçi përshkohet nga shumë përrenj, aty gjenden 157 burime uji të pijshëm, si: Burimi i Lëpushës me prurje 550 litra në sekondë, ai i Rrepave të Buronjave me 300 litra në sekondë, ku mbarështohet trofta, etj. Në rajon hasim mineralin e fosforit, si në Fushë-Bardhë, Gusmar, malin e Kudhësit, etj, ndërsa në Fterrë ka shenja të mineraleve radioaktive, nafte e gazi, çka dëshmohet nga Uji i Qelbur në Cerëz të Kuçit. Kuçi përmendet nga kronikat e kohës për një tërmet shkatërrues që e goditi me 14 qershor 1893, për të cilin rapsodi këndoi: “Ra tërmeti e kiameti/ këtu rreh të dalë deti/ shtëpi në këmbë nuk mbeti/ shkëmbi nga Shkaga kërceu”. Në qendër të fshatit ngrihet hijerëndë monumenti i Zenel Gjolekës. Nazifi këndonte: “Gjolekë e Hodo Aliu / në dorë palla u ngriu”. Dreka qe e shijshme. Mish keci e dhallë që binte erë trëndelinë. I zoti i lokalit, një djalosh lab, më habiti me pasionin e tij, kishte ngritur një mini-muze arkeologjik dhe etnografik. Madje luajti për ne muzikë me këmborët, 24 këmborë që duart e tij të shkatha i kthyen në një sistem instrumentesh virtuozë që lëshonin tinguj mahnitës… Me afrimin e muzgut, një muzg i kaltër, morëm rrugën e bukur drejtë Himarës. Himara përmendet nga kohët e lashta, ku banorë ishin fisi Ilir i Kaonëve. Historia moderne fillon në 1199, kur në Himarë u vendos sundimi i Venedikasve. Himarioti Anton Linerosa, dëshmon Barletit, mori pjesë ne Kuvendin e Lezhës, ku dhe u vra në betejën e Torviollit me 40 trimat e tij më 1444. Me 12 korrik 1577 pleqtë e Himarës dërgojnë një letër për Papën, të cilën e dorëzoi doras në Romë Gjik Kola me Gjergj Katasin. Ata i dëshmonin Papës se janë arbër, se krenohen me Skënderbeun dhe kërkojnë që Evropa t’u japë armë për të luftuar kundër pushtuesve. Një letër e dytë iu dërgua Papës më 1581, ku i thonë se 50.000 luftëtarë shqiptar janë gati të ngrihen në kryengritje. Krahina ka një popullsi autoktone shqiptare, kryesisht me origjinë nga zona e Labërisë, e duke filluar nga shekulli i XV me të ardhur nga zona e Mirditës dhe Krujës. Kush, vallë, në mbarë globin mund të krenohet më shumë se Piluriotët, që mbiemrin e tyre “Mërkuri” e kanë si emërtim të njërit prej planetëve më të mëdhenj të sistemit diellor? Në Himarë shkolla e parë është hapur rreth vitit 1160-1161, çka u vazhdua më tej nga Onufër Kostandini, një shqiptar i shquar i kohës. Trimat e Himarës u bënë të famshëm nëpër botë. Gjeneral Mërkur Bue Shpata e kërkoi zulmën deri në Spanjë, ku Zhonopulli arriti gradën e Feldmarshallit. Konstandin Kasneci u bë gjeneral i shquar i Austro-Hungarise, Pano Vixhili konsull i Rusisë në Artë, etj. Të rinjtë duhet ta mësojnë që motra e heroit të revolucionit grek, shqiptarit suljot, Marko Boçari, ishte martuar në Dhërmi, ku lindi Jani Kocanin, komandant të shquar. Po ashtu Gjenerali Dhimitër Leka i Napolit qe himarjot. Këtij Jeronim De Rada i kushtoi kryeveprën “Milosao”. Një djalë nga Vunoi qe në truprojën e Bajronit në Mesolongj, dëshmon Eduard Liri…Të gjitha këto do të m’i përsëriste plot elegancë në Himarë, miku im i shquar, Lefter Çipa. Truppakët, me një bastun në dorë, dukej si një aed i lashtë, mpiksur në krenarinë e të qenit shqiptar, madje shqiptar prej Himarës. Na priti buzë detit, aty ku ndjehej dyfish i gjallë dhe njëqind fish shqiptar. Mbi shtëpinë e tij valëvitej hijerëndë flamuri kombëtar, dhe i kishte hije. Valëvitej mbi rezidencën e poetit. Atë flamur e kishte ngritur më ’97, mbi një shtizë të lartë, shumë lartë, ku shqiponjën e tij nuk mund ta preknin kthetrat e megalloidesë, gjaku i shprishur, që rridhte turbull nëpër venat e bollanove me kompani…Ikëm. Lamë pas Himarën. Nuk e di por më erdhën në gojë vargjet e anonimatit popullor që mbushte gruan me besim e shpresë tek e ardhmja, tek perëndimi, apo siç e quajmë sot integrimi: “Grua, bëna bukë e mos u tremb / nesër do të shkoj në Otrënt / do të bie tri okë ergjënt”.

Filed Under: Reportazh Tagged With: bardhësi, gjelbërim, kaltërsi dhe krenari, Lugina e Shushicës, Ylli Xhaferri

Kullat shqiptare që shënuan historinē e Kombit

September 2, 2017 by dgreca

2 oso.kuka_.3OSO KUKA, FLAKADAN I PËRJETSHËM I LIRISË/

1 azganNga Azgan HAKLAJ/

“Lahuta e Malësisë”, këngët e para të së cilës u botuan në vitin 1907, është cilësuar nga studiuesit shqipëtar dhe të huaj, si “Iliada Shqiptare”. Ajo e vëndos krijuesin e saj, Gjergj Fishtën në Panteonin e Kulturës, Letërsisë dhe të Patriotizmit Shqiptar.

Besoj se, ashtu si mua, edhe mijëra të tjerëve që e kanë lexuar me vëmendjen që meriton këtë kryevepër të letërsisë shqipe, ju ka lindur natyrshëm pyetja: – Përse Oso Kuka është personazhi qendror i “Lahutës së Malësisë”?

Poeti i madh i ka kushtuar jo vetëm një kapitull apo (këngë) të veçantë këtij trimi legjendar, po për më tepër me përshkrimin mjeshtëror të portretit të tij, i ka dhanë Oso Kukës tipologjinē e genit të Racës Iliro -Arbërore.

Fishta ka shkuar më tej duke i veshur heroit tipare të pavdekësisë, si Homeri Akilit tek “Iliada”:

“Thonë i ka një palë musteqe

Kaçurel e leqe, leqe,

Që me i mrri deri në fletë të sylahit

Të gjatë e të trashë si llana e krahut”.

Apo më poshtë:

“Edhe plumi thonë si ngulet

Në ta tagani dhe përkulet

Top me i ra shpirti si shkulet”.

Në se “Lahuta…” evokon me tē drejtë historinë e lashtë të Atdheut, Qytetërimin e lashtë Pellazgo-Ilir, Aleksandrin e Madh, Teutën, Pirron e Gjergj Kastriotin (Skënderbeun), ngjarjet historike tē shkuarës së largët i kalon përciptazi, me një vështrim empirik, dhe i venë ato mjeshtërisht në shërbim të zgjimit tē ndërgjegjes kombëtare, Epopenë e Oso Kukës dhe të betejave me malazezët i ka në epiqendër të poemës.

Oso Kuka lindi në vitin 1820. Ai doli nē skenën historike shqiptare në vitet 50-60 të shek. të XlX, në kohën më kritike të Kombit Shqiptar.

Në vitin 1830 osmanët prenë në besë dhe vranë në Manastir 500 burra tē Toskërisë.

Viti 1831 shënoi rënien e pashalleqeve shqiptare, atij të Janinës dhe të Bushatllinjëve. Bashkë me rënien e tyre u shua dhe ëndrra për krijimin e një fronti të përbashkët Ballkanik kundër Turqisë.

Në vitin 1832 Turqia filloi “Reformat e Tanzimatit”.
Kudo nē tërë hapsirën shqiptare shpërthyen kryengritjet lokale, të cilat u kthyen në lëvizje kombëtare. Veçojmë Kryengritjen e Beratit në vitin 1834 e udhëhequr nga Hamza Kazazi,  të Shkodrës në vitin 1835, të Myzeqesë në vitin 1835, të Dibrës në vitin 1844, të Kosovës nē vitin 1845.

Kryengritjet më tē mëdha ishin ajo e Malësisë së Gjakovës e udhëhequr nga Binak Alia dhe Sokol Rama në qershor tē vitit 1845, ajo në Shqipërinë Jugore të udhëhequra nga Rrapo Hekali, Zenel Gjoleka, Tafil Buzi, Hodo Aliu në vitin 1847 dhe ajo në Shkup në të njëjtin vit – e udhëhequr nga Dervish Cara.

Edhe këto kryengritje shqiptare u shtypën me ekspedita ushtarake dhe Porta e Lartë me organizimin e ri bëri ndarjen e shqiptarëve në katër vilajete, për t’i mbajtur më kollaj nën sundim. E shkatërruar, e tronditur deri në themel nga luftrat për liri e çlirim kombëtar nga Turqia, Shqipërisë i kanosej dhe një rrezik i ri.

Rusia Cariste, tashmë me statusin e njē fuqie të madhe ushtarake dhe politike, ndjehej e plotfuqishme për të ngopur oreksin e Serbisë e të Malit të Zi për të zgjeruar kufijtë e territoreve të tyre në kurriz të shqiptarëve. Ilia Garashanini, ministri i Jashtëm i Serbisë kishte shpallur “Naçertanijan” (Serbinë e Madhe). Koleti, kryeministri i Greqisë kishte shpallur Megalidhenë (Greqinë e Madhe). Knjaz Nikolla i inkurajuar nga planet e Moskës dhe premtimi i Carit për mbështetje me armatim, para e mjete logjistike thërret në Çetinjë kriminelin me damkë Vulo Serdanin e Vasoviçit dhe e urdhëron të djegë, plaçkitë e të shkretojë viset shqiptare, në Veri të Shkodrës. Ekspeditat ndëshkimore malazeze e kishin kthyer Vraninën e rrethinat e saj në tokë të djegur. Qindra burra ishin vrarë dhe barbarisë së malazezëve nuk u shpëtuan as fëmijët e djepit. Nga presioni i madh i popullit dhe duke qenë krejtësisht i paaftë për tē mbrojtur kufirin me Malin e Zi, Guvernatori i Shkodrës, Avdi Pasha, organizoj mbledhjen e autoriteteve, të parisë sē qytetit dhe të popullit dhe u mundua me dredhi t’i vinte fajin shqiptareve duke i quajtur frikacakë e të pafe, për të mbrojtur vendin e tyre.

-S’ka më burra këtu, ju keni mbetur në vajza” – ju drejtohet Pashai turk me ligësi e fodullek të pranishmëve.

Trimi Oso Kuka, i cënuar në gjenë më të shtrenjtë, në nderin dhe dinjitetin kombëtar, ngrihet në këmbë si Anté, venë dorën mbi dy koburet e lara me argjend që i mbante në brez dhe i drejtohet Pashait osman:

“Avdi Pasha ma kadalë,

Mos e thuaj dy herë atë fjalë,

Se për dinë e për imanë,

T’baj si t’kjan’ e zeza nanë.

T’baj si t’kjan pa exhel ty, nana,

Se n’Shqipni ka djem si zana,

K’ta më t’parët janë n’fushë t’mejdanit.

K’ta mē t’rreptit janë ballë dushmanit.

Janë çelik për teh të táganit”.

Oso Kuka me një grusht djemë të zgjedhur dhe tē sprovuar në beteja me turqit dhe malazezët mori përsipër të mbronte Kullën-fortesë të Vraninës dhe viset që sulmoheshin nga Vulo Serdani e banditët e tij.Së bashku me luftëtarët e tij e kthen situatën brenda pak ditëve në disfavor të pushtuesit. Ai kapi dhe asgjesoi dhjetëra cuba plaçkitës, duke i rikthyer popullit qetësinë dhe shpresën për të jetuar të lirë në trojet e tyre. Demarshet diplomatike të Knjaz Nikollës në kancelaritë evropiane me qëllimin final për të aneksuar Shkodrën dhe rrethinat e saj, ishin kthyer në një rutinë, por gjendja në terren ishte krejt tjetër.

Oso Kuka e kishte kthyer kufirin në barrikadë të pakapërcyeshme.

Kur mbreti malazez Nikolla I po i mburrej për zotësitë e tij Mbretëreshës Milena, ajo duke e njohur mirë realitetin e ri, guxon e ja përplasë në fytyrë me fjalët që kënga popullore i ka gdhendur mjeshtërisht:

“Nuk e njeh ti Oso Kukën,

Që me gjak ai ta lan trupin.

Hajt nji herë ka Podgorica,

Me çelik t’u ka nxanë Granica”. 

I alarmuar së tepërmi nga disfata në Vraninē dhe nga frika e koordinimit nē një komandë të vetme të kryengritjeve që kishin filluar të shpërthenin në të gjitha trojet Iliro-Dardano-Arbërore, Knjaz Nikolla dha urdhër të sulmohej nē befasi dhe të pushtohej me çdo kusht Vranina, si një pikë strategjike nga duhej të pushtohej dhe Kryeqyteti i Ilirisë, Shkodra.

Ashtu si Leonidhës përballë hordhive perse të Kserksit, Oso Kukës dhe çetës së tij ju desh të luftonin 1 me 300.Në natën e asaj beteje homerike, Oso Kuka ngrihet shpejt nga sofra e bukës:

 

“Po ça ka ai Oso Kuka

Atij sonte s’po i hahet buka

Nuk han bukë veç sa me thanë

I lan durt e rrin njan t’anë”

Mbështetet në krah të oxhakut, e duke thithur llullën mendueshëm, i kujtohet një ëndërr e frikshme që kishte parē një natë më parë.

-Shife shpatullēn e na trego çfarë thotë, se kam pa një ëndërr të keqe,- i drejtohet Soko Tonës.

Kur mësoj se në shpatull paralajmērohej njē betejë e përgjakshme dhe me shumë tē vrarë, Oso Kuka urdhëroj lahutarin t’ja merrte kangës. Kanë mbetur të gdhendura me shkronja të arta në “Lahuta e Malësisë” fjalët e “Luanit të Vraninës”:

“Çou Kaçel kape lahutën

Se prej luftës shqiptarët nuk tuten

Me na kndue një kangë shqiptare

Se s’mbajm zi për pa dal fare”.

Oso Kuka duke e njohur mirë pabesinë e malazezëve dërgon roje katër luftëtarë trima: Met Zenelin, Vuksan Gjelin, Karrni Gilen dhe Sinanin. Luftëtarët e Osos pastrojnë pushkët, mprehin shpatat dhe shtrihen për të marrë një sy gjumë, si e kanë zakon ushtarët e regjur në beteja. Në terrin e natës 3.000 forca elitare të ushtrisë malazeze të prirë nga Mirko Gjura, mik i Osos dhe banorë i Vrakës, i afrohen nē fshehtësi Vraninës. Rojet shqiptare pasi vrasin tradhëtarin fillojnë betejën e pabarabartē me pararojën malazeze.

“Lahuta…” na sjell mrekullisht madhështinë e kësaj beteje heroike:

” Ah, qëndro, o Met Zeneli !

Ban gajret, o Vuksan Gjeli !

Mos e lesho mori Zagore,

Ngul Sinan, bre re mizore,

Se me gjasë ke dridhet Suka

Asht tuj ardh bash Oso Kuka.

Dragojt shqiptarë të prirē nga Oso Kuka dolēn si shqiponjat nga çerdhja e tyre dhe fluturuan drejt në “Logun e Zanave”, siç e quan Fishta mejdanin e trimave:

“Aman Zot kur Osoja mbrrini,

Si re breshni kresë njaj vrrini.

Me tridhjetë e disa burra

E zateti nëpër curra.

Aty qiell má nuk u pá.

Aty pushkë má nuk u dá.

Kriste ltina e dumdunja,

Porsi breshni vinte plumja”.

Kush e ka pá Vaterlonë dhe i njeh përmasat e kësaj kasaphanje përmes vargjeve të Hygoit: “Vaterlo, Vaterlo, Vaterlo – fushëvarr” ështē në gjendje të imagjinojë guximin e trimërinë legjendare të Oso Kukës dhe Çetës së tij, të cilët luftuan si luanë për 10 orë kundër ushtrisë malazeze, derisa kryetrimi i tyre e kthen kullën e Vraninës në një varr masiv për ushtrinë e Knjazit. Perlat e Vraninës u kthyen në ferr për agresorët. Kur e pa se ndihma ushtarake nga Shkodra nuk po i vinte dhe i kishin mbetur gjallë vetëm 7-8 luftëtarë të plagosur, Oso Kuka si luani i plagosur dhe i egërsuar u mbyll në “Kullēn e Barotit”. Dhjetëra luftëtarë malazezë hipën nē çatinë e Kullës që nuk jepej. Ndërkaq 800 forca të tjera e kishin futur atë në një rreth të hekurt.

Kryetrimi Oso Kuka merr me tē shpejtë vendimin që e bëri të pavdekshëm në histori:

“Ndigjo Nikollë, të vraftë Zoti,

Se k’tu i thonë Oso Baroti,

Se djeg veten edhe ty….”.

Ai u vuni flakën fuqive të barotit për ta kthyer Kullën e Vraninës, këtë çerdhe shqiponjash nē varr masiv për armikun. Kulla e Vraninēs u hodh në erë, bashkë me rrethuesit dhe mbrojtësit.

Oso Kuka vendosi të vetëflijohej dhe me shkrumbin e vet dhe të luftëtarëve tē tij të digjte armikun. 800 malazezë u dogjēn në flakët e barotit, ndërsa dhjetëra të tjerë ishin vrarë në orët e kësaj lufte tē përgjakshme.

Kështu përfundoj kjo betejë pa tē dytë në histori, në qershor të vitit 1862.

Oso Kuka bëri atë që nuk e bëri dot Pashai i Janinës, Ali Pasha, që përfundoi me krye tē prerë në tepsi, për t’u dërguar nē Stamboll tek Sulltani.

Ai, Oso Kuka, e ktheu Vraninēn në “Trojēn Shqiptare”.

Kulla e Oso Kukës në Vraninë rá, por u ngritën shqiptarët. U ngritën zërat për heroizmat dhe kërkesat e tyre. Kjo kullë u bë simbol qëndrese nē mbarë trojet etnike. Dhjetëra djelmosha shkodranë u vranë në moshën mē të bukur tē tyre, por e shpaguan vehten duke vrarë qindra armiqë, që u dogjën e u përvëluan në flakët e barotit.

Trimëria e kthyer nē legjendë e Oso Kukës dhe akti i tij sublim i kanē dhanë kurajo e besim të patundur nē të katër anët, brezave pas trimit të Vraninës, nē ëndrrat e tyre për çlirimin e trojeve etnike dhe bashkimin e tyre në një shtet.

Emri dhe fama e Oso Kukës dhe e çetës së tij trime u përhap me shpejtēsi si rrufeja, nga Shkodra në Janinë e Kosovë, në Manastir e Shkup. Çdo kullë shqiptare u kthye në kēshtjellë qëndrese për liri.Ja si e pershkruan kēnga epike djaloshin trim të Kosovēs Zhuj Selmanin, që qëndroi 10 vjet nē Kullat e Sherametit dhe kreu të njëjtin akt sublim në mbrojtje tē kauzës shqiptare në vitin 1875:

“Flakë të kuqe e tym tē zi

Nē ato kulla kush ka hi

Zhujë Selmani me Kapakli.

Kah del Dielli e preron Hana

Zhujë Selman nuk ban ma nana”.

Beteja tek Kulla e Abdullah Pashë Drenit në Gjakovë është aksioni i parë i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për mbrojtjen e tokave shqiptare nga coptimi i Vendimeve të Kongresit të Berlinit në vitin 1878.

Pas luftimeve të ashpra malësorët djegin kullën dhe vrasin Maxharr Pashēn, Të Dërguarin ë Fuqive të Mëdha.
Vritet edhe Abdullah Pashë Dreni, i cili e mori në mbrojtje Maxharrin. Mbeti në betejë edhe Col Delia.

“Flakë e kuqe u dhez Gjakova,

Për dritare zgjatet dora.

Amanet trima shqiptarë,

Një kovë ujë me e ndrrue me ár.

Col Delia i Geghysenit,

Pushka e parë e Lidhjes së Prizrenit,

Tuj vikatë, tuj shkue si n’dasëm,

Në një vend të keq e ka gjetë Pashën”.

Aktin e Oso Kukës e përsëriti Mic Sokoli në Betejën e Shtimes, më dt. 21 prill të vitit 1881, ku përfundimisht u thye Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Populli e ka kthyer në kengë aktin heroik të trimave shqiptarë:

“N’Fushë t’Kosovës u lidh jezeri.

Haj medet ka mbetë shumë njéri.

Mic Sokoli e Zmajl Hyseni”…

Kulla e Vraninës ka simotër të historisë Sarajet e Ali Pashë Gucisë, kullat e Binak Alisë e Mic Sokolit, Ali Ibrës, kullat e Boletinëve, Dedë Gjo’ Lulit, Idriz Seferit, kullën e Elez Isufit, kullat e Zogollëve, Azem Bejtës, Ahmet Delisë, Sadik Ramës, Çun Mulës, Shaban Polluzhës, Prek Calit, kullat e Tahir Mehës, kullat e Jasharajve, kullat e Haradinajve e Jabllanicës, të cilat u kthyen në kala qëndrese dhe flakadanë të pashuar të betejave për lirinë e Atdheut gjatë historisë tonë.

Kulla e Vraninës ka si motëra Kullat e Junikut. Ajo u bá burim frymēzimi për luftëtarët e lirisë. Nuk ka poet më të madh se popullin. Askush më bukur se ai nuk përshkruan trimërinë e bijëve të vet:

“Mua po mē thonē Brahim Sadiki,

I kam kullat midis Juniki.

Ku t’qëlloj pushkën e nisi.

Vet po jes, Pashën koriti”

Më dt. 21-25 maj të vitit 1912 u mblodh Kuvendi i Junikut me 250 delegatë nga të gjitha trojet etnike shqiptare.
Truri i Lëvizjes Kombëtare, Hasan Prishtina, lëshoi Proklamatën: Shpëtim a Vdekje”.

Ky Kuvend hartoi Platformën për Kryengritjen e Përgjithshme dhe Shpalljen e Pavarësisë.Kryengritësit, të udhëhequr nga korifeu Hasan Prishtina, “Robinhudi Shqiptar” Isa Boletini, tribuni popullor Bajram Curri, në gusht 1912 çliruan Shkupin dhe në tetor thirrën Kuvendin e Shkupit.Hasan Prishtina kërkoj bashkimin e katër Vilajeteve në një shtet të vetëm me kryeqytet Shkupin.Kjo Kryengritje çoi në “Nëntorin e Dytë”. Plaku i Vlorës Ismail Qemali shpalli Pavarësinë, pikërisht me dt. 28 Nëntor, ditën kur Gjergj Kastrioti – Skēnderbeu kishte ngritur krenarë Flamurin tonë në Kalanë e Krujës në vitin 1444.

Kuvendi i Junikut është prologu i Pavarësisë. Zëri brilant i Shkurte Fejzës na përcjell mrekullisht madhështinë e këtij Kuvendi, në vargjet e poetit Hamit Aliaj, me rastin e 100- vjetorit:

 

-“O Junik me kulla guri.

 Prej tek ti u nis Flamuri.

N’Mitrovicë e n’Kaçanik

Thërret Kosova: – o Junik”.

 

Në Junik gjenerali Klark njohu legjitimitetin e UÇK-së.

 

Nga kullat e Zogollëve doli Burrështetasi Ahmet Zogu, i cili ështē themeluesi i Shtetit modern Shqiptar. Ky burrë u bë barrikadë tridhjetë vjeçare e pakapercyeshme e komunizmit në Shqipëri. Me shpalljen “Mbret i Shqiptarëve” mbajti lart frymën kombëtare.

 

Kulla e Oso Kukës ka simotër kullën e Sali Manit, Kullën e Konferencës së Bujanit dhjetor 1943-janar 1944. Në këtë kullë, në këtë Konferencë u vendos Bashkimi Kombëtar sipas parimit tē Vetēvendosjes së Popujve pas Luftës së Dytë Botērore. Edhe kjo Konferencë u tradhtua nga komunistët.

 

Kulla e Vraninës ka si motër Kullen e Muharrem Bajraktarit të Lumës.

 

Kulla e Zeqir Halilit i dha Shqipërisë Kryetarin e Partisë Demokratike, ish-Presidentin, ish-Kryeministrin Sali Berisha.

 

Familjet emblematike të Kosovës, Jasharajt dhe Haradinajt, shënuan epopenë mē të lavdishme të Kosovës dhe të Kombit Shqiptar.

Komandanti i UÇK-së, Adem Jashari, flijoj’ krejt familjen për lirinë e Kosovës në Kullat e veta duke luftuar me heroizëm të pashoq.

Familja Haradinaj vuni në themelet e Pavarsisë së Kosovës Shkëlzenin, Luanin, Enverin. Kalorësi i Lirisë, Ramush Haradinaj, pas një beteje të gjatë disavjeçare në Hagë, e së fundmi në Francē, triumfoi dhe çertifikoi kauzën e drejtē të UÇK-së dhe Luftën e saj për çlirimin e Kosovës, ashtu siç e kishte çertifikuar Krishtërimin si fe zyrtare Konstandini i Madh me Ediktin e Milanos në vitin 313.

 

Pas një betejë të gjatē po finalizohet Kauza e Ushtrisë Çlirimtare të Maqedonisë, që kishte si pikënisje kullat e Zajasit, prirë nga strategu i luftës, Ali Ahmeti. Sot Parlamenti i Maqedonisë drejtohet nga Telat Xhaferi. Gjuha Shqipe ështē gjuhë zyrtare. Së shpejti, Shqiptarët si faktor shtetëformues do të kenë Kryeministrin ose Presidentin.

 

Shqiptarët në Mal të Zi me votën e tyre ishin përcaktues të shkëputjes së Malit të Zi nga Serbia në Referendumin e vitit 2006, po ashtu dhe të Qeverisë pro-perëndimore të zgjedhjeve të fundit dhe të antarësimit të Malit të Zi në NATO.

 

Kauza Çame eshtë bërë kryefjalë e kallzues i axhendës së kancelarive perëndimore.

 

Presheva mbetet Nyja Gardiane e Shqiptarizmit.
Vëllezërit tanë atje presin përmbushjen e idealit të UÇPMB-sē dhe Komandant Lleshit (Ritvan Qazimit), vrarë pabesisht në pusi Ditën e Nēnshkrimit të Paqes.

 

Kombi Shqipëtar pret finalizimin e ëndrrës mijëra vjeçare, krijimin e Shtetit-Komb.

 

Kulla e Vraninës, kjo “Krujë e dytē” e Epopesē së Kombit, është njē nga shenjtoret më tē mëdha, siç është mbrojtësi i saj heroik Oso Kuka, simboli i trimërisë dhe i patriotizmit shqiptarë.

 

Poeti Hamit Aliiaj e ka skalitur bukur me penën e tij këtë kullë, që eshtë kryefjala e qëndresës shqiptare, përmendore e nacionalizmit, memorial i ndërgjegjes kombëtare, por e lanun në harresë:

 

“Moj Vraninë, Vranina e shkretë

Tek ti vijnë e mblidhen retë

Mblidhen retë e vajton moti

Tek kjo kullë, kullë baroti.

 

Kulla e Vraninës duhet të jetë për bashkëkombasit, ashtu siç është Meka dhe Jeruzalemi për dy fetë e mëdha botërore.
Historia ta ka gdhendur emrin me shkronja tē arta Oso Kuka. Është koha që bashkëkombasit ta ngrenë me madhështi Përmendoren.

-Tungjatjeta, Oso Baroti !

 

Vraninë, 31 gusht 2017

Filed Under: ESSE Tagged With: Azgan haklaj, FLAKADAN I PËRJETSHËM, i Lirise, Oso Kuka

Alb-Shkenca, Konferencë në Prishtinë

September 2, 2017 by dgreca

-Punimet e Takimit të dymbëdhjetë Ndërkombëtar të Institutit të studiuesve shqiptarë Alb-Shkenca do të zgjasin tre ditë/

1 ALB Shkence

PRISHTINË, 2 Shtator 2017-Gazeta DIELLI/ Ministri kosovar i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, ka marrë pjesë sot në Prishtinë në Konferencën shkencore të Takimit të dymbëdhjetë Ndërkombëtar të Institutit Alb-Shkenca, në të cilin po marrin pjesë shkenctarë dhe studiues nga të gjitha viset shqiptare dhe nga vende të ndryshme të botës.

Punimet e Takimit të dymbëdhjetë Ndërkombëtar të Institutit të studiuesve shqiptarë Alb-Shkenca do të zgjasin tre ditë.

Me këtë rast, ministri Bajrami theksoi rëndësinë e madhe të kësaj ngjarje dhe tha se po shndërrohet në një forum ndërkombëtar të shkencës, si një mundësi e mirë e këmbimit dhe e përparimit shkencor.

Ministri theksoi se, edhe pse MAShT e ka mbështetur, kjo ngjarje ka nevojë për përkujdesje shtetërore, ndërsa bëri apel te qeveritë që pritet të konstituohen në Tiranë e Prishtinë, që të rriten fondet për shkencë, në mënyrë që të stimulohen hulumtuesit dhe shkenctarët e rinj, të cilët me punën e tyre do të mund të ndihmojnë edhe në zhvillimin e përgjithshëm të inovacionit, por edhe të zhvillimit ekonomik të këtyre vendeve.

“Ne duhet të mos kufizohemi vetëm në qeveritë tona, të cilat asnjëherë nuk kanë buxhet të mjaftueshëm, por duhet të gjejmë edhe rrugë për të depërtuar në fondet ndërkombëtare”, tha ministri Bajrami, ndërsa theksoi se është një lajm i mirë që Kosova këtë vit është pranuar në programin Erasmus+.

Ministri Bajrami tha se janë tri objektiva për të stimuluar hulumtimin shkencor: forcimi dhe zhvillimi i kapaciteteve të universiteteve tona, caktimi i prioriteteve të shkencës, si dhe stimulimi i hulumtuesve të rinj./b.j/

Filed Under: Kulture Tagged With: Alb-Shkenca, Konferencë në Prishtinë

Simbolika e Logos së Shugurimit të Shenjtërores Shën Nënë Tereza

September 2, 2017 by dgreca

1 Logo

Sipas traditës  shekullore, institucionet dhe personat zyrtarë, kanë një logo apo stemë me të cilën identifikohen në shkresa, dokumente, vula e tjera. Një traditë e tillë shpeshherë përdoret edhe për ngjarjet e rëndësishme.

Duke qenë që Shugurimi i Shenjtërores Shën Nënë Tereza, është një nga ngjarjet më të rëndësishme të Kishës dhe të Vendit tonë në këtë kohë, kemi vendosur që kjo festë ta ketë Logon e vetë, e cila do të përdoret në ftesa zyrtare, në figura festive, si dhe në materiale promovuese të kësaj Dite.

Çfarë simbolizon logoja e Shugurimit?

  1. Katedralja, brenda dy krahëve të Shqiponjës – simbolizojnë Popullin dhe Kishën që ka lind Shën Nënë Terezën, e cila qëndron në ballë të Katedrales, duke bekuar Vendin, Popullin dhe Kishën e vet. Krahët e Shqiponjës janë me ngjyrë të bardhë, pasi që tani populli ynë jeton në paqe dhe liri. Por mbi gjitha, ato i bënë të shëndritshme rrezatimi i dritës së  dashurisë, me të cilën  Nënë Tereza ka shëndrit zemrat e njerëzve në mbarë botën.
  2. Hapësirat mes krahëve të Shqiponjës janë përshkuar me përzierjen e ngjyrës së kuqe dhe të kaltër. Ngjyra e kuqe, simbolizon tokën tonë të përgjakur nga martirizimet e shpeshta dhe të shumëfishta, kurse ngjyra e kaltër simbolizon qiellin, që do të thotë se, me Shenjtërimin e Nënë Terezës, në popullin tonë është bashkuar qielli e toka.
  3. Kombinimi i vizave bardhë e kaltër – simbolizojnë veshjen modeste të Shën Nënë Terezës (sarinë), që është një nga veshjet më të thjeshta të grave indiane. Forma ovale e këtyre vizave ka dy domethënie: e para, është përmasa botërore e figurës së Shën Nënë Terezës, që paraqet globin dhe përfshin gjithë njerëzimin, ndërsa kuptimi i dytë është forma vezore, që simbolizon vezën e Shqiponjës, prej së cilës çelë pëllumbi i paqes, (që është vetë Ajo), e cila merrë  krahët e saj, e bashkon popullin tonë me popujt e botës dhe e fton atë të mbushë zemrën e vet me dashurinë e krishterë për mbarë njerëzimin.
  4. Katedralja – Shenjtërorja, brenda Shqiponjës dhe e mbështjellur me ngjyra bardhë dhe kaltër, është fryt falënderimi i Popullit tonë ndaj Zotit dhe shprehje e dashurisë për Nënë Terezën. Ne, populli i saj, do t’ia kushtojmë asaj këtë Kishë me 5 shtator 2017, sikur është shënuar në fund të logos. Prandaj, Fytyra e saj është vendos në ballore të Shenjtërores, kurse me shkrimin mbi krahët e shqiponjës, ftojmë Popullin tonë t’i lutet kësaj Nëne. Akrepat e orës 11:00, në orën e këmbaneres, shënojnë kohën kur do të fillojë kremtimi solemn i Shugurimit të kësaj Shenjtërore.

Gjitha këto simbolika janë të mirëmenduara nga Këshilli Organizativ për Festë, dhe janë realizuar me duart e arta të një djali të ri autodidakt, Lin Halili, i cili ka gëdhend edhe kapitolat brenda Katedrales./drita.info

Filed Under: Kulture Tagged With: Shën Nënë Tereza, Simbolika e Logos së Shugurimit të Shenjtërores

Të gjithë folëm, veç Skënderbeut!

September 2, 2017 by dgreca

5-Ilir-levonja-2-288x300-1

Nga Ilir Levonja/

Ngjarjet janë aq masturbuese tek ne, sa e dyta e vdes të parën. Dhe kështu me radhë. Përshembull të enjten u shqyem me indinjatën sociale se si një burrë, vret ish gruan në mes të rrugës. Krejt gjakftohtë, i fut dy plumba kokës. Dhe triumfator i tha botës se ishte burrë. Të shkallonte nga nervat vrulli i indinjatës. Ashtu sikur të shkordhte çdo lloj arsye, debatet, apo komentet me i lumtë dora, ai është burrë. Vendosi nderin në vend. I tha Allahu dhe ai e bëri. Nga ana tjetër një habi e pakuptimtë, pasi nuk ka sikur edhe një të vetëm prej nesh, që mos ta dij se gruaja në Shqipëri punon, frymon a jeton nën mendësinë që ekziston vetëm t’i shërbej mashkullit. Jo burrit, mashkullit…. se burrat kanë kanë që kanë humbur. Çfarë nuk të dëgjonte veshi e të shikonte syri. Si për Kanunin, si për Kuranin etj. Megjithëse po t’i futesh faqeve të atij Kanuni, për kohën, burrat etj…, gruaja është një model që e sotshmja as nuk e ka, as nuk e prodhon dot, pasi mungon thelbësorja respekti. Po kështu edhe me Kuranin, e besimtarëve myslimanë.

Puna është se tek ne çelsat e shoqërisë i kanë marrë në dorë të paaftit. Mjafton të dëgjosh se si flet një hoxhë Kosove, a hoxhë Tirane. Kështu edhe në besimet e tjera. Aq sa sot për shkak të mendësive fondamentale, mendojmë si fondamentalë, urrejmë si të tillë dhe jetojmë po ashtu.
Kur Shqipëria kishte veç perënditë mbretëronte një e vetme, ishte shqiptari. Kurse sot me ca kaurrë radikalë, me ca myslimanë fondamentalë, me ca vullnetarë revolucionesh që nuk njohin asgjë veç vetes dhe pordhëve të tyre plot erë, është një mishmash social. I cili lutet e falet latinisht, arabisht, greqisht, sllavisht, e veç në shqip jo.
Ky masturbim kolektiv është shanc për të kuptuar se sa është larguar shqiptari nga të qënit shqiptar. Për të reflektuar. Por të gjitha ndodhin, veç reflektimi jo. Përkundër shoqërive të tjera ne marshojmë të lumtur në masturbimin tone.
Nuk e kuptoj pse duhet kaq indinjatë, kaq vulgaritet sharjesh, apo patriotizmi me rënien dëshmorë etj…,për ato dy ekrane në një tubim fetar. Eshtë absrude kur dëgjon një intelektual që thotë unë jam krenar të bëhem hero duke zbuluar Skëndërbeun. Mos mbuloni Skëndërbeun etj. Ne shquhemi për heronj të rremë. Zot na ruaj kemi ca me shumicë. Na mjaftojmë për të kuptuar se sa të ndarë jemi. Sa na kanë vrarë e përçarë bindjet dhe suprioriteti fundamental. Sapo e bëm dhe një ballist për një banderole. Shqiptaria, shqiptaria, dhe veç emigrantë. Nuk e di pse na shqetëson kjo punë e heroizmës me ndjenjën e pushtuesit, të huajit, kur ne kemi kohë që e kemi pushtuar evropin dhe botën. Veç me fare kosi. Kemi pushtuar edhe veten.
Po ta quajmë mbulim… a e dini se sa ka pare ai shesh. Se sa here e kanë zhvendosur para e mbrapa Skëndërbeun. I kemi vënë klasikët e mraksizmës, çizmet e policëve, shkopinjtë e gomës. Kemi demaskuar në sytë e tij. Jemi shqyer duke ngrënë tamël, torte kolektive. Nuk ka thënë gjë Skënderbeu…
Ne Skënderbeun e duam për pordhë. Ashtu si shumë dashuri të tjera patriotike. Si devotshmëri të tjera fallco.
Megjithatë u duhet thënë edhe besimtarëve myslimanë ajo që…., mjaft më falje publike. Mjaft më, me syfyre a iftare publike. Nganjëherë metodat a startegjitë të kthehen për kokë. Por I japin edhe shkas absurditetit. Zotin mund ta duash në shumë mënyra. Në shumë këndëvështrime. Dhe ndofta dashuri të tilla janë më të virtytshme se rreshtat publik.
Unë përshembull dy herë e kam adhuruar islamin. Një here kur lexoja Leon Tolstoin, tek Haxhi Murati. Dhe kur lexoja Nagip Mahfuzin tek E bekuar qoftë mbrëmja jote…
Siç e shikoni jo prej tubimeve a iftareve publike.
I duhet thënë shoqërisë së besimit islam, që, krejt ndryshe nga politika ta zhvilloj aktivitetin e saj në strehën e Allahut. Festime të tilla janë imponime ose dhunë. Kur jetoj e lindi Allahu dëshmonte zemra, fryma, jo ekranet a shou publik. Tirana nuk është Meka. Shqiptarët pavarsisht të gjithave, nuk e meritojnë mjekërzimin, festet, transformin nga shqiptarë në xhihadistë. Feja nuk është komb. Të gjitha këto e të tjera, krahas një depresioni social, drogës, vrasjeve publike për nder mashkullor, sjellin pikërisht këtë masturbim kolektiv në gjithçka. Aq sa sot ju ndjeheni viktima. Dhe meshkujt patriotë. Kjo është absurde. Por e vërtetë. Ndodh në Shqipëri. Duheni Allahun shqiptarçe, nëse jeni a ndjeheni të tillë. Shqiptarë…

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, Të gjithë folëm, veç Skënderbeut!

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 47
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT