• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2017

Meta:Keqardhje për votën e Shqipërisë kundër mikut tonë më të madh!

December 22, 2017 by dgreca

Letër e Presidentit Meta dërguar Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump/

1 Meta Leterilir-meta-720x479

Tirane, 22 dhjetor 2017/

I nderuar Zoti President,

Ju falënderoj shumë për urimet e përzemërta që më dërguat me rastin e kremtimit të 105-vjetorit të Ditës së Pavarësisë së vendit tim!

I vlerësoj jashtëzakonisht shumë mesazhet Tuaja inkurajuese, veçanërisht për marrëdhëniet tona të forta, të mishëruara në partneritetin strategjik e dëshiroj, me këtë rast, të shpreh sërish mirënjohjen për mbështetjen e vyer që Ju dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i jepni Shqipërisë në rrugën e reformave, në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës e kontrollit të kufijve, sfida që lidhen ngushtë me sigurinë kombëtare të vendit tim, të rajonit të Ballkanit dhe të pellgut të Mesdheut.

Përfitoj nga rasti të shpreh mirënjohjen e thellë për miqësinë e fortë që SHBA i ka ofruar Shqipërisë dhe shqiptarëve për më shumë se një shekull dhe Ju siguroj se Shqipëria do të vijojë të jetë aleat e partner besnik në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe ekstremizmit të dhunshëm, si dhe do të kontribuojë gjithmonë për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Evropës Juglindore. Si anëtare në NATO, Shqipëria do të vijojë të jetë aleate aktive, kudo ku kërkohet kontributi i saj.

I dashur President Trump,

Dëshiroj të shpreh keqardhjen e madhe për votën e Shqipërisë dje në OKB kundër aleatit dhe mikut tonë më të madh, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kjo votë është marrë pa asnjë konsultim paraprak me institucionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe as me Kuvendin e Shqipërisë dhe nuk pasqyron qëndrimin dhe vullnetin e popullit dhe kombit shqiptar, i cili nuk harron dhe nuk do të harrojë asnjëherë mbështetjen e SHBA në momentet më të vështira të ekzistencës së tij.

Do të kërkoj personalisht shpjegime dhe sqarime për këtë qëndrim dhe vendim të qeverisë që bie ndesh me marrëdhëniet e partneritetit tonë strategjik dhe interesat tona kombëtare.

Me urimet më të mira për festën e Krishtlindjeve dhe të Vitit të Ri 2018, për shëndetin e lumturinë Tuaj dhe të familjes Tuaj, për më shumë begati, zhvillim e përparim për Shtetet e Bashkuara dhe popullin amerikan, Ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!

Me respekt,

Ilir Meta

Filed Under: Featured Tagged With: derguar Presidentit Trump, keqardhje, Leter e Presidentit Meta, per voten kunder

Shqipëria nuk është e ftuar nga Nikki Haley

December 22, 2017 by dgreca

-Ambasadorja Nikki Haley u ka dërguar ftesë të gjitha vendeve që votuan me Shtetet e Bashkuara dhe atyre që abstenuan si dhe atyre që nuk morën pjesë në votim, për të marrë pjesë në një pritje të organizuar prej saj, me 3 janar, sipas njoftimit, “Për t’i falënderuar për miqësinë e tyre me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”./

  • Dy ditë më parë ambasadorja Nikki Haley ishte mes shqiptaro-amerikaneve dhe deklaroi aty publikisht respektin për shqiptarët, dashurinë e tyre për amerikën dhe krenarinë e saj si i shoqi kishet gjak shqiptar…/

1 amb Nikki flet

VEPRIM I PABESË: SHQIPËRIA DHE VOTA NË ASAMBLENË E KOMBEVE TË BASHKUARA/

1-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/ Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara votoi këtë javë me 128 vota pro, 9 kundër dhe 35 abstenime për një rezolutë që kundërshton njohjen e Shteteve të Bashkuara, të Jeruzalemit, si kryeqytet të Izraelit.   21-vende nuk ishin të pranishme në votim.  Dihet se megjith se çështja e Jeruzalemit është një çështje delikate midis palestinezëve dhe izraelitëve, Kongresi i Shteteve të Bashkuara kishte miratuar një rezolutë në vitin 1975 me të cilën bëhet thrirje për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit, por që administrata të ndryshme amerikane nuk kanë vepruar deri tani.  Presidenti Trump kishte premtuar gjatë fushatës se do të bënte një gjë të tillë dhe ashtu, në përputhje me premtimin e tij, njoftoi vendimin për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit.

Shqipëria votoi pro-rezolutës duke u bërë një prej 128-votave në favor dhe kundër qëndrimit amerikan.   Shqipëria, nepërmjet një deklarate të Ministrisë së Jashtëme, a po të “Ministrisë për Evropën” siç e quajnë tani, përball kritikave të shumta se vota e Tiranës ishte një votë kundër SHBA-ve, e arsyeton votën e saj në favor të rezolutës kështu:

“Në politikë të jashtme nuk e kemi luksin të mos dallojmë faktet nga trillimet. Për ata që ende besojnë te faktet, vota e Shqipërisë dje në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara nuk është një votë kundër SHBA, por shprehje e qëndrimit tonë koherent, parimor e të pandryshuar në vite, bazuar në konsensusin ndërkombëtar të shprehur në dokumentet e panumërta të OKB-së dhe Rezoluta të Këshillit të Sigurimit, të cilat kanë fuqi detyruese, sikundër në linjë të plotë me qëndrimet e shumicës dërmuese të vendeve anëtare të OKB-së, NATO-s dhe BE-së, partnerë historikë të SHBA-ve”.

Unë mendoj se ky ishte një vendim i nxituar dhe i pamenduar mire, për të mos thënë i gabuar.  Hajde se nuk donte qeveria e Kryeministrit Rama të votonte kundër kësaj rezolute, ndoshta mund të kuptohet, por kush e ndalonte Shqipërinë që të abstenonte në këtë rast, ashtu siç abstenuan 35 vende anëtare të OKB-së, të cilat Ambasadorja amerikane Nikki Haley i falënderoi për abstenimin e tyre, ose të mos merrte pjesë fare në votim.  Në minimum, abstenimi do të ishte vendimi më i përshtatshëm që duhej dhe mund ta bënte Shqipëria.  Në deklaratën arsyetuese të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë thuhet se, “në politikën e jashtme nuk e kemi luksin të mos dallojmë faktet nga trillimet”.  Plot e drejtë!  Prandaj, si rrjedhim duhej abstenuar, në minimum, duke marrë parasyshë, pikërisht, faktet e marrëdhënieve dy-palëshe, midis Uashingtonit dhe Tiranës.

E vërteta është se vota në OKB ishte simbolike dhe si e tillë as vota e Shqipërisë dhe as e 138 vendeve të tjera nuk do të ndryshojë asgjë në marrëdhëniet midis Izraelit dhe Palestinezëve dhe as nuk do të sjellë paqë në Lindjen e Mesme.  Por simbolizmat janë të rëndësishëm në zhvillimet ndërkombëtare dhe në marrëdhëniet midis shteteve dhe kombeve.  Shtetet e Bashkuara, edhe në periudhën më të errët të regjimit komunist, kur radio Tirana në shqip dhe në gjuhët kryesore të botës por edhe nepërmjet përfaqsuesve të saj po në këtë Organizatë të Kombeve të Bashkuara, i kishte hapur luftë të hapët “imperializmit amerikan” – Washingtoni zyrtar dhe populli amerikan ishin konsekuent dhe mbështetës të Shqipërisë dhe të të drejtave të kombit shqiptar, madje edhe gjatë asaj periudhe të zezë të marrëdhënieve midis dy vendeve.  Më kujtohet, gjatë viteve të luftës së ftohtë,  megjith sharjet dhe helmin që përhapte regjimi komunist i Enver Hoxhës kundër Shteteve të Bashkuara dhe demokracisë amerikane, Stejt Departmenti çdo vit na sillte në Zërin e Amerikës një deklaratë ose ofronte një zyrtar të lartë për ta intervistuar me rastin e 28-Nëntorit Ditës së Pavarësisë, me qëllim për të thekësuar miqësinë historike midis dy kombeve, ndërkohë që gjithmonë shpreheshin për marrëdhënie më të mira midis dy vendeve, në të ardhmen.  Edhe gjatë asaj periudhe të errët të një politike armiqësore anti-amerikane gjysëm shekullore në marrëdhëniet midis dy popujve, Shtetet e Bashkuara i qëndruan besnike miqësisë me kombin shqiptar  Kjo besnikëri dhe miqësi e Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë, me Kosovën dhe me shqiptarët në përgjithsi, u shfaq shprehimisht dhe në person, jo më larg se një ditë para votimit në OKB – nga vet Përfaqsuesja e Presidentit Trump në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) në Nju Jork, Ambasadorja Nikki Haley.  Në vazhdimësi të kësaj besnikërie dhe mbështetjeje ndaj shqiptarëve, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, mori pjesë në një aktivitet në Nju Jork, me përfaquses të komunitetit shqiptaro-ameirkanë dhe me biznesmenë nga Shqipëria dhe Kosova.  “Arsyeja qe e bëjmë këtë është se ne kemi disa lidhje të përbashkëta”, u tha ajo të pranishëmve.

“Ne deshëm të merrnim pjesë në këtë aktivitet për disa arsye. Jam këtu me burrin tim, gjyshi i të cilit erdhi në Amerikë nga Shqipëria.  Me komunitetin shqiptar nga Kosova dhe Shqipëria ne kemi shumë gjëra dhe vlera të përbashkëta….   “Ne po përpiqemi që të gjitha vendet ta njohin Kosovën në OKB dhe këtë do ta vazhdojmë deri sa ajo ta fitojë njohjen”.

Ashtu siç kanë bërë edhe më parë dhe në çdo rast, zyrtarë të lartë amerikanë — republikanë dhe demokratë – pasi, siç e kam theksuar shpeshëherë, politika dhe mbështetja amerikane për shqiptarët, ç’prej fillim shekullit të kaluar, duke filluar nga Wilsoni – nuk ka qenë dhe nuk është e mbështetur në vija partiake, por është politikë amerikane! Anasjelltas, as politika shqiptare karshi Shteteve të Bashkuara nuk duhet dhe nuk guxon të jetë e bazuar në vija partiake, por duhet të jetë një politikë e bazuar në interesat kombtare të shqiptarëve.  Tradhëtohen ata që mendojnë se në, këtë aspekt, do të përçajnë politikën amerikane ose komunitetin shqiptaro-amerikan.  Në takimin e ambasadores Nikki Haley me shqiptarët, duke folur për marrëdhëniet midis Kosovës, Shqipërisë dhe shqiptarëve, ajo vazhdoi duke thënë: “Ne respektojmë njëri tjetrin, besojmë te njëri tjetri. Kemi të njëjtat vlera demokratike.  Janë këto gjëra që formojnë lidhje dhe marrëdhënie të forta e që nuk thyhen.  Pra, ne deshëm të jemi këtu për të respektuar komunitetin e këtushëm dhe për t’ju thënë se do të vazhdojmë të përpiqemi që Kosova të njihet si vend anëtare e Kombeve të Bashkuara.   Desha t’ju them edhe diçka tjetër nga përvoja personale.   Çdo vend pëballet me vështirsitë e veta.  Edhe Shtetet e Bashkuara patën sfida me uraganët këtë vit.   Shqiptarët e Kosovës u treguan të gatëshëm të na ndihmonin kur uragani goditi Teksasin.   Dhe kjo flet për lidhje që ne kemi dhe për vlerat që ne ndajmë.  Kemi ardhur këtu si miq dhe për t’ju uruar dhe për t’ju dëshiruar bekimet dhe gjithë të mirat për stinën e festave dhe jemi këtu për tu thënë se do të punojmë për lidhje më të forta mes komuniteteve shqiptaro-amerikane dhe Shteteve të Bashkuara”, përfundoi ambasadorja Haley fjalën e saj në takimin me shqiptarët në Nju Jork, një ditë para se Shqipëria të hedhte votën e saj kundër Shteteve të Bashkua, në Asamblenë e Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara.Një ndër çështjet madhore të kombit shqiptar në këtë moment historik, për të cilën do të kemi nevojë për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe të zyrtarëve të administratës së presidentit Trump, siç është ambasdaorja Nikki Haley — është edhe edhe njohja e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran nga sa më shumë vende si dhe antarësimi i Republikës së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Në frymën e “dallimit të fakteve nga trillimet”, siç na sugjeron Ministria e Jashtme e Shqipërisë në lidhje me votën e saj kundër Shteteve të Bashkuara, në fushatën e nesërme për këto përpjekje, kujt t’i trokasim në derë: Washingtonit, Moskës, Pekinit apo Ankarasë, të nderuar diplomatë shqiptarë.   A po do të bazoheni “në konsensusin ndërkombëtar” në lidhje me këtë çështje të rëndësishme të objektivave kombëtare?  Bazuar në fakte dhe jo trillime, a mund t’i përgjigjeni shumicës pro-amerikane të shqiptarëve kudo?  Nëqoftse deri tani nuk i dini ende faktet se në anën e kujt duhet ti rendisim interesat afat-gjata të kombit shqiptar, atëherë është tepër vonë dhe mund të konsiderohet si një pabesi ndaj një miku të madh e historik të kombit shqiptar dhe një tradhëti ndaj interesave aftagjata të kombit.

Ja dhe lajmi i fundit. Një numër medias amerikane njoftojnë sot se Ambasadorja Nikki Haley u ka dërguar ftesë të gjitha vendeve që votuan me Shtetet e Bashkuara dhe atyre që abstenuan si dhe atyre që nuk morën pjesë në votim, për të marrë pjesë në një pritje të organizuar prej saj, me 3 janar, sipas njoftimit, “Për t’i falënderuar për miqësinë e tyre me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Natyrisht se Shqipëria nuk është e ftuar nga Nikki Haley.  Vota e Shqipërisë nuk meriton koment tjetër!

Haley’s email invitation (pictured) asks the nations who voted with the U.S. or abstained from the vote “to a reception to thank you for your friendship to the United States.”

 

 

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, nga Nikki Haley, Shqipëria nuk është e ftuar

Turpi i votës në OKB është i qeverisë, nuk është i shqiptarëve

December 22, 2017 by dgreca

2 enver-Bytyci-1

Nga Enver Bytyçi/

Shqipëria votoi mbrëmë kundër vendimit të presidentit amerikan për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit. Rezoluta e paraqitur nga Turqia dhe Jemeni mori shumicën e votave, dy të tretat në Asamblenë e Përgjithshme. Por pati edhe vota pro SHBA-ve dhe vendimit të Tramp si dhe abstenime. Ambasadori shqiptar as votoi pro SHBA-ve, as abstenoi. Ai votoi kundër. Kundër SHBAV-ve, kundër Shqipërisë, kundër shqiptarëve, pro Lindjes, pro Erdogan, pro Vladimir Putin, pro Kinës, pro Iranit, pro Bashar Al Sadat.

Ky është një skandal diplomatik dhe politik. Eshtë papërgjegjshmëri që shkon në kufijtë e tradhëtisë kombëtare. Eshtë rrjedhojë e një mentaliteti dhe kulisave të bashkëpunimit lindor të qeverisë shqiptare. Eshtë pasqyrë e trashëgimisë politike dhe diplomatike të periudhës së diktaturës komuniste. Eshtë mendjelehtësi dhe pasojë e miqësive personale të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama me Erdogan aleat të Putinnit. Eshtë një votë që dëmton rëndë interesat kombëtare të shqiptarëve. Eshtë shprehje e urrejtjes së Edi Ramës për angazhimin e SHBA-ve në Kosovë për çlirimin e saj. Si e tillë është vote për Serbinë. Eshtë hakmarrje e Edi Ramës për atë që Amerika bëri, duke e pranuar Shqipërinë në NATO. Eshtë pasojë e luftës personale që Edi Rama ka me Presidentin e SHBA-ve, Donald Trump. Eshtë pasojë dhe shërbim që kryeministri i Shqipërisë i bën Georg Soros dhe ideologjisë së majtizmit ekstrem e shkatërrues sorosian për fatin e kombit shqiptar! Eshtë pasojë e djemve të bllokut komunist që drejtojnë diplomacinë dhe politikën e Tiranës zyrtare.

Kosova është distancuar nga ky vendim dhe qëndrim i Tiranës. Kosova do të duhet që këtë qëndrim ta dënojë më ashpër, duke paralajmëruar kushtëzimin e marrëdhënieve të saj me Tiranën, me atë çfarë Tirana zyrtare e çdo qeverie realizon në partneritet strategjik me SHBA-të. Kosova duhet të bëjë me dije me vepra se distancohet nga Edi Rama dhe institucionet e saj duhet të reagojnë zyrtarisht me notë protestë.

Shqipëria dhe shqiptarët po largohen nga aleanca e ngushtë nga Amerika. Ata që nuk pajtohen me këtë zhvillim, ikin e kërkojnë azil politik dhe ekonomik në Europë.Edhe nëse do të viheshin në rrezik marrëdhëniet me Bashkimin Europian për shkak të një marrëdhënieie të ngushtë, speciale e strategjike, të përhershme dhe të pakushtëzuar me SHBA-të, Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët duhet të zgjedhin Amerikën para Europës. Vërtet jetojmë në Europë, por jetojmë në një Europë që historikisht dhe gjithashtu në ditët e sotme na diskriminon në pikëpamje gjeopolitike. Ndryshe nuk do të hezitonin pesë vende të BE-së për ta njohur shtetësinë e Kosovës. Ndryshe nuk do të bllokohej Kosova në integrimet europiane dhe liberalizimin e vizave. Sa kohë që Europa, përkatësisht BE, nuk detyron Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë, Spanjën dhe Qipron të njohin Kosovën, aq kohë Brukseli ose qarqe të caktuara në Bruksel duan ta mbajnë peng integrimin e Kosovës.

Nuk ndodh kjo me SHBA-të. Edi Rama zgjodhi Erdoganin dhe përmes tij Vladimir Putin, mbështetësin kryesor të palestinezëve, Iranit, Sirisë etj, me qëllim që të japë një sinjal të qartë të aleancës së tij me Lindjen. Kjo i duhet për shkak të ruajtjes së pushtetit të tij absolut e të dhunshëm në politikat e brendshme Si të tilla, për të njëjtat arësye i ndërtonte marërdhëniet e tij me vendet e lindjes edhe diktatori Hoxha, gjithnjë në liftë me Perendimin. .

Ne duhet ta përjetojmë këtë akt antishqiptar si tragjedi, por jo pa rrugëdalje. Kjo që ndodhi mbrëmë duhet të na bëjë të vetëdijshëm se sa të rrezikuar jemi nga vetëvetja, nga drejtimi dhe qevevrisja lindore e instaluar në Tiranë. Askush nuk duhet të ketë dyshim për këtë. Shqiptarët duhet të kuptojnë më në fund se Lindja do na mbajë të përçarë, të ndarë, të prapambetur dhe të përbuzur në mesin e kombeve të tjera. Nëse vazhdojmë ta lejojmë Edi Ramën apo këdo tjetër të na përdorë si kavie eksperimentale lindore, atëherë do të pësojmë fatin e sizifit. Kurrë nuk do ta nxjerrim gurin në majë të kodrës, kurrë nuk do të bëhemi komb i zhvilluar dhe i përparuar, kurrë nuk do të kemi prosperitet dhe zhvillim. Do të mbetemi lindorë jo vetëm në koncept, mentalitet, por edhe si njerëz. Do të mbetemi qytetarë të botës së tretë e të dorës së dytë. Tamam siç na duan Rusia, Serbia dhe qendra të tjera antishqiptare në Europë. Edi Rama mbrëmë dëshmoi se i përket kësaj kategorie udhëhqësish. Duke kundërshtuar SHBA-të, ai ka vene një gur të rëndë në shpinën e shqiptarëve, i ka dhënë përparësi turpit, në vend se të respektojë vlera të tilla si mirënjohja, respekti dhe mbi të gjitha interesat e kombit të tij. Ai respektoi më shumë interesat e pushtetit të Erdogan e të Vladimir Putin, sesa interesat e shqiptarëve.

Shqipëria e ka vendin në krah të SHBA-ve. Presidenti Amerikan është përfaqësuesi i shtetit amerikan. Nuk mund të vihet Georg Soros dhe interesat e tij përpara interesave të SHBA-ve dhe gjithashtu përpara interesave të shqiptarëve dhe të Shqipërisë e të Kosovës.

 

Tiranë, 22.12.2017

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci, ne OKB, Turpi i votes kunder

MARRZITË POLITIKE NË SHQIPËRI VAZHDOJNË

December 22, 2017 by dgreca

Asllani Portret-81

NGA ASLLAN BUSHATI/Këto ditët e fundit  masmedia  (stimuluar nga  qeveria dhe qarqe të afërta me të), parapëlqeu  të vinte në një plan të dukshëm  takimin dhe  bisedimet e Ministrit tonë të  Jashtëm Bushati  me homologon e tij  grek Kotzias . Dhe më pas me shumë kujdes e me një farë “krenarie” të heshtur, vuri në gojën e këtij të fundit  se: është rënë dakort  që pala greke të heq “ligjin e luftës” me Shqipërinë.  Pra, me fjalë të tjera , prapa bisedimeve  na qenka  një “fitore e  madhe” e politikës sonë të jashtme. Madje duke cituar  në ligjiratë të drejtë ministrin  e jashtëm grek, vihen ne dukje  se kjo ceshtje na qenka e përfunduar, vetëm se duhet të zgjidhet një nga   dy opsionet e mundëshme : njeri me anë të një dekreti presidencial ,ose (varianti tjetër jo i pëlqyer prej tij) nëpërmjet një vendimi të Parlamentit të Greqisë. Më pas me shumë hile e mungesë sinqeriteti  lëshohen nja dy fraza se : po ashtu ”është rënë dakort edhe për ngritjen e varrezave të reja  të ushtarakëve grek të  rënë në teritorin shqiptar në Luftën e Dytë Botërore(LBD), sic ka qenë dakort edhe Qeveria e mëparshme, (pra qeveria e PD-së). Tek kjo fraza e fundit  fshihet gjithë llumi  e ndotësi  e marrëzisë së re  politike.

Që ligji i luftës i Greqisë me  Shqipërinë duhet të hiqet, kjo ishte dhe është një domosdoshmëri midis dy vendeve normale, demokratike e  fqinje  dhe  aq më tepër midis dy antarve të NATO-s, sepse mbajtja më tej e tij është një turp për Greqinë dhe jo për Shqipërinë. Por puna e varrezave greke ne teritorin shqiptar është një maskaradë e re politike  që dëmton rëndë interesat e sigurisë tonë kombëtare sot e në të ardhmen, duke bërë tramkë  të turpshme varrezash e ligje lufte.

Federata  Panshqiptare e Amerikës Vatra ( përfshi dhe mua  personalisht), edhe më para ka folur hapur e me shume forcë kundër këtij fenomeni, duke e konsideruar atë  anti kombëtar. Madje i është  drejtuar me  një ftesë të  hapur publike edhe ish Presidentit Topi që të mos e dekretojë se (në gjykimin e Vatrës), kjo është tradhëti e re  kombëtare.

Tani, ky problem ka eskaluar  shumë , është “maisur”, është bërë i rrezikshëm  dhe  është koha t’ju  thuhet hapur  e  pa as më të voglin  ekuivok  grekëve se : Shqipëria nuk ka asnjë përgjegjësi  për sulmin që Italia fashiste i  bëri Greqisë  nga teritori shqiptar në kohën e LDB-së. Sepse  sic dihet botërisht , Shqipëria ishte e pushtuar para Greqisë, pra nuk ishte  një vend i lirë që mund te merrte vendime të lira. Por vendimet i merrte Jakomoni- mëkëmbësi i Mbretit të Italisë  (pra pushtuesi Italian). Ne e respektojmë luftën vetmbrojtëse të Greqisë kundër pushtuesve italianë dhe shprehim respekt për të rënët e saj në LDB brenda kufijve territorial të Greqisë. Por për të rënët grek  brenda kufinjeve të Shqipërisë, problemi  është shumë  më kompleks. Në se ju grekët keni  respekt për to , varrezat e tyre duhet ti trasferoni  në Greqi në mënyrë që të afërmit të kenë mundësi që t’ju shprehin atyre nderimet  e duhura dhe jo të ngreni komplekse memoriale  në teritorin e Republikës së Shqipërisë.

Edhe varrezat e mëparëshme ( vecanërisht në Kosinë të Përmetit ), kanë ngjallur shqetësime të medha publike në Shqipëri ,se me to është abuzuar deri në ekstrem. Kujtoj këtu deklaratën e mjekut të nderuar Dr.Meksi, i cili gjatë ekzaminimit të eshtrave të varrezave të sipërpërmendura , konstatoi se jo vetëm ishin grumbulluar eshtra të të afërmve të  disa familjarëve përmetar, por, në ato të ashtuquajturave “ushtarë grek”, kishte eshtra plakash(femrash), një fëmije femër gjashtë vjecare, madje edhe eshtra kafshësh.  Pra t’ju thush grekëve sot, hajdeni e ngrini edhe ca varreza të reja në teritorin e Shqipërisë është, marrëzi e re politike me kosto të madhe  për të ardhmen.

Edi Rama, me” delirin e tij prej  gjoja lidershipi ndryshe nga të tjerët” dhe me  idenë se do të ndjellte pas qerres se tij politike një pjesë të të përndjekurve politik të regjimit komunist, sajoi një  “bunker” sipërfaqsor  pranë Ministrisë së Brendëshme në qendër të Tiranës . Ai  e  quajti atë veper arti kushtuar anti komunistëve, por që  në të vërtetë  jo vetëm që nuk ishte vepër arti për këtë shtresë të shoqërisë, por një tallje e radhës me to. Ka plot vende që me të vërtetë e meritojnë të kthehen në vepra arti dhe muze kombëtar për të përndjekurit politik si: Spaci, Qafbari, Kampi i Tepelenës, Porto-Palermos etj, për të cilat nuk është  bërë asgjë.

Por nuk mjaftuan këto, se” i nderuari  Kryeministër”, u tallë  publikisht dhe shpalli , ish Vend-Komandën e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare (në veri të Qytetit të Tiranës- afër  Shtisht-Tufinës), “bunker art”, vend peleglinazhi për vizitorë shqiptar e të huaj. Kjo Vend-Komandë nuk ishte e diktatorit Enver Hoxha, sic u reklamu (se diktatori ka shkelur në atë hapsirë vetëm një herë në jetën e tij  për 15-20 minuta), por ajo ishte një objekt me  vlera të pazëvëndësueshme për Ushtrinë Shqiptare në rast lufte dhe specifikisht në rast të përdorimit të armëve të dëmtimit në masë(ADM).

Tani kam rastin ta pyes publikisht të nderuarin Kryeministër Rama se :Kur ndodhi sulmi terrorist mbi SHBA  më 11 Shtator  2001 mbi (Pentagon, gradacelat e NY, e Pensilvani) a e dini se ku e strehu personeli i Shtëpisë Bardhë (Zëvëndës Presidenti e personeli  tjetër madhor) se Presidenti  ishte jashtë Uashington DC me shërbim?  Ju a them unë: në tunelin (ose sic mund ti thoni Ju bunkerin) kundër berthamor, si ai i Shtabit Përgjithshëm Shqiptar që ju u tallët me të. Po në rast sulmi bërthamor nga i cmenduri i Koresë së Veriut ? Ju a them une : në tunelin kundër bërthamor, pa as  më të voglin dyshim. Po a e dini i nderuar Kryeministër se i gjithë Kremlini (kryeqendra e Rusisë), është i fortifikuar me strehime kundër bërthamore të nëndheshme dhe i lidhur po  me rrugë të nëndheshmë kundër bërthamore  me objektet strategjike  rreth tij?  A e din se objektet themelore të qendrës së Pekinit në Kinë (Komitetit Qendror i PKK-së, Parlamenti, Ministritë e institucionet kryesore), kanë strehime kundër bërthamore nën objekt dhe dytësore të gjitha kundër bërthamore si ai shqiptar me të cilin u tallët Ju? A e dini i  nderuar se të tilla objekte kanë edhe UK-ja, Franca, Gjermania, Italia, Suedia, Norvegjia… etj etj.

More i nderuar  kryeministër avanturier (e ke pak nofkën avanturier) ,a i ke “ti Edi Rama” në dorë kodet dhe celsat e ADM-ve të  të gjithë  botës? A mendon ti se bota pa urdhërin tënd nuk ka për ti përdorur ADM-të?  A mendon ti se rreziku i ADM-ve është zhdukur (përfshi dhe terrorizmin)?  Në se mendon se këto pyetje dhe shumë të tjera si këto janë inekzistente, atëherë unë si qytetar shqiptar, si  ish specialist dhe drejtues i fushës së ADM-ve, si  ish ushtarak i lartë i Ushtrisë Shqiptare më e pakta gjë që mund të të them është:” je i cmendur”. Veprimet tuaja po i shtojnë popullit shqiptar  marrëzi pas marrëzie.

Duke e parandjerë se një marrëzi e re shqiptare do të ndodhte në selinë e OKB-së në NY, më 21 Dhjetor 2017, para disa ditësh pata publikuar në shtyp një shkrim me titull:”Deklarata e Presidentit Trump për Jeruzalemin” ku ndër të tjera theksoja (citoj):“Po shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, si ta  vlerësojnë  deklaratën e Presidentit Trump, në një kohë që kerkojnë ti bashkangjiten BE-së dhe kjo e fundit nuk e mbështet atë. Mendoj se nuk duhet të ketë asnjë dyshim për rrugën dhe qëndrimin  pro amerikan. BE-ja ka punët e veta dhe vështirësitë e panumërta, sic shpesh është e pa zonja të marrë vendime të shpejta, të drejta e të bashkrenduara me të gjithë partnerët. Por BE-ja është hapsira të së cilës i përkasim, gjeografikisht, politikisht, kulturalisht etj, pra është shtëpia jonë natyrale”.

Tani që kjo ndodhi ,dhe Shqipëria votoi kundër SHBA-së, mikut tonë më të madh dhe kontribuesit më të madh për ruajtjen e integritetit territorial shqiptar në Lidhjen e Kombeve dhe në realizimin e pavarsisë së Kosovës, mund të them se është marrëzia e radhës e Edi Ramës.

Pa e zgjatur  më, do të theksoj edhe një marrëzi  të fundit.  Ramiz Alija dhe Nexhmije Hoxha, u përpoqën për shumë kohë  që ta nxirrnin të larë e të pa përlyer në asnjë gjë të keqe diktatorin Enver Hoxha  për gjithë kohën e sundimit të tij. Megjithëse  ai  sundoi  me dorë të hekurt e si  një diktator mizor , vrau, preu e shtypi popullin shqiptar pa as më të voglën mëshirë, Ramizi e Nexhmija  ja faturuan kriminalitetitn e tij , të tjerëve (grupeve armiqësore). Por kjo nuk qe e mjaftueshme për ta mbrojtur atë dhe  Nexhmija u distancu nga Ramizi duke thënë se edhe ai e njollosi qëllimisht  figurën e Enver Hoxhës, dhe se Enveri ishte krejt i pastër. Tani kohët e fundit del i biri i diktatorit (Sokoli me të shoqen Liliana), të cilët thonë se fajtoret kryesor  janë Nexhmije Hoxha e Ramiz Alija (madje sipas tyre të dy këta kanë qenë pjesë e agjenturës jugosllave që në kohën e LDB-së). Pra  arma e fundit e përdorur për mbajtjen gjallë të ndonjë gjëje nga Enver Hoxha ,është edhe sakrifikimi i Nënës (vjehrrës) tyre Nexhmije Hoxha. Këto lloje përpjekjesh unë i quaj shkurt –marrëzi, megjithëse nuk shoh asnjë politikan që ti kundërvihet kësaj prirje mediatike të kohëve të fundit.

Shpresoj e dëshiroj që marrëzitë e politikës shqiptare të ndalohen këtu, megjithëse ajo (politika) është inkubator ose edhe mitër e marrëzive.

Filed Under: Analiza Tagged With: asllan Bushati, MARRZITË POLITIKE, NË SHQIPËRI VAZHDOJNË

Kantautori Vlashent Sata shkëlqen në Nju Jork

December 22, 2017 by dgreca

1 ok VlashentMbrëmjen e së Enjtes të 20 Dhjetorit 2017, në Scandinavia House – Park Avenue, Manhattan, koncerti i kantautorit, pedagogut në Paris, Vlashent Sata, ka arritur të bëjë për vete shqiptaro-amerikanët.Një koncert i shkëlqyer, kur artisti shqiptar me performancë pariziene, nga minuta e parë ka qenë në rezonancë me sallën e mbushur plot dhe ka lënë “peng” shpirtin e tij për spektatorin e përzgjedhur me ftesa nga konsullata e Kosovës në Nju Jork dhe me kontribut nga Studio e Fadil Berishës.1 ok Teuta

Mbrëmjen koncertale e ka celë konsullja e përgjithshme e Republikës së Kosovës në Nju Jork, zonja Teuta Sahatciu.

1 agimiKantautori pas një vetëprezantimi origjinal,ia ka nisë koncertit me këngën “Këmbëzbathur”, duke udhëhequr orkestrën unike(që ishte nga kënga e pare deri tek fundit tepër e unifikuar) fillimisht duke luajtur në kitarë e më pas në piano.Koncerti rrjedh ëmbël në shtratin që nga “Këmbzbathur”, “Celesh”, “E di unë”, “Djemtë e Balonave”, “Lule-Lule”,” Bab”, “Kasollja”, “Në Botën Tonë”, “Embël”, “Hana”, deri tek kënga e fundit”Erdhi dita”.

Gjatë të gjithë koncertit Vlashenti komunikon me sallën jo vetëm me këngën por edhe me rrëfimet e tij emocionuse rreth jetës dhe karrierës së tij.

Edhe në bisedën që zhvilloi në fund të koncertit me TV Kultura Shqiptare dhe Gazetën Dielli, kantautori, u shpreh se ndjehej I lumtur, që bashëkatdhetarët e tij e kishin duartrokitur nxehtësisht.

Vlashent Sata ka nisë të fluturojë në krahët e muzikës që në moshën 5 vjecare, tek lunate në piano dhe e regjistronte i ati… Edhe pse është larguar nga Shqipëria sapo kishte përfunduar Liceun Artistik, ai nuk I ka munguar spektatorit shqiptar në Tiranë e Prishtinë. Pas përfundimit të Liceut ai studio për piano në Francë me mjeshtra francezë si Romano Pallottini e Denis Pascal.

Ai ka rrëfyer se vjen nga një familje artistësh: I ati I tij, Loro Sata,që është mentari dhe udhëheqësi I tij në botën e magjishme të muzikës,këngëtar lirik, ka qenë nxënës i Lukë Kaçajt, një nga basët më të mëdhenj që ka njohur konservatori i Moskës në vitin ‘68. Motra e Vlashentit Mariena, është violinë e parë në orkestrën simfonike të Bilbaos në Spanjë, ndërsa motra tjetër Reksi ka mbaruar për violonçel dhe kanto klasike dhe ka qenë pjesë e Operës së Liezhit, në Belgjikë.

Formatin e lartë muzikor dhe talentin Vlashenti e shpalosi gjatë koncertit e mbrëmjes magjike në Scandinavia House – Park Avenue, Manhattan.

Koncertin e ndoqi dhe kryetari I Vatrës, Dritan Mishto, zv. Kryetari Agim Rexhaj me zonjën Laura, anëtarët e kryesisë Zef Balaj dhe Besim Malota, koordinatori I medias Dritan Haxhia e të tjerë.(dalip Greca)

Filed Under: Featured Tagged With: koncert, Konsullata e Kosoves, Vlashent Sata

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT