• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2017

Në memorje të Dr. Selahedin Velaj

December 15, 2017 by dgreca

Ne memorje te Dr. Selahedin Velaj(Dhjetor 1922- 30 Janar2015)/

1 Selahedin-Velaj1Nga Albana LIFSCHIN/ Doktor Selahedin Velaj -një nga baballarët e komunitetit shqiptar të Nju Jorkut Jetojmë në një kohë të çuditshme kur sheh rreth e rotull njerëz që kujdesen shumë për ‘imazhin” e tyre’ publik, vetëlëvdohen, vetëkurorëzohen, u bien borive që t’i dëgjojnë të tjerët, i japin vetes të drejtën e ‘udhëheqësit’, intelektualit të “shquar” , e shkelin tokën duke bërë zhurmë. Në anën krahun tjetër qëndron një pakicë njerëzish të heshtur,modestë,fisnikë, që jetojnë me pulsin dhe hallet e komunitetit, janë të vëmendshëm ndaj tij dhe kontribuojnë shpirtërisht e madje edhe materialisht kur e do puna, pa lëshuar fishekzjarre në qiell. Në ballë të këtyre personaliteteve të respektuara për kontributin dhe modestinë e tyre , do të dalloja Dr. Selahedin Velaj. Dr. Selahedinin e kam njohur nëpërmjet gazetës së komunitetit, “Iliria”, ku botoj tashmë prej më shumë se 20 vjetësh . Më ka ndodhur disa herë që pas ndonjë shkrimi , të kem marrë letër prej Dr. Selahedinit. Më bënte përshtypje ky fakt,pasi personalisht, nuk kisha patur rast të njihesha më parë, me të. Por nuk do të kisha vlerësuar më shumë komplimentet e një miku apo mikeshe për shkrimet e mia, se sa korespondencën me Z. Selahedin. Nga letrat e tij mësova që ai jo vetëm e ndiqte krijimtarinë time,( do nënkuptoja këtu edhe të kolegëve të mi të penës) por letrat në vetvete ishin shkëmbim mendimesh për një temë të caktuar, apo për një problem të caktuar, ishin shprehje direkte e interesimit të tij intelektual dhe patriotik në disa sfera. Letrat e Dr. Selahedinit më kanë përcjellë imazhin e një intelektuali të interesuar realisht për komunitetin shqiptar të Nju Jorkut, në përgjithësi, dhe për emigrantët e rinj që hynin në këtë komunitet, në veçanti. Por jo vetem kaq. Edhe pse mbi 60 vjet i larguar nga mëmëdheu, ai mendon e merakoset për të. Në një nga letrat e tij, shprehte shqetësimin për pastërtinë e gjuhës shqipe në kohën e sotme, kujdesit që duhet të bëjë kushdo që shkruan për evitimin e fjalëve të huaja që kanë ‘sulmuar’shqipen, duke e pretenduar përdorimin e tyre si ‘kulturë’. Vitin që shkoi , kur u ktheva nga pushimet në atdhe, gjeta një letër të Dr.Velajt, e cila merrte shkas nga një shkrim i imi tek ILIRIA për një konceptim të drejtë të Kanunit të Lek Dukagjinit në përgjithësi, dhe për gjakmarrjen në veçanti , shkrim të cilin ja pata dërguar gazetës që nga Tirana.Në atë letër të gjatë, Z.Selahedin ndante pikpamjet e tij të përbashkëta mbi këtë temë , dhe përmendte veprën e Yamamotos,’si libri më i mirë që ka dalë në diasporë ,këto 20 vitet e fundit’, përkthyer nga vetë ai në shqip. Për dekada të tëra jete në komunitetin shqiptar të Nju Jorkut, me gjithë kontributin e tij të madh e të vazhdueshëm, puna e Z. Velaj nuk rresht. Edhe pas goditjes më të rëndë që mund të pësojë zemra e një prind,sic është humbja e fëmijës,Dr. Selahedin Velaj vazhdon të qëndrojë po ai sy i vëmendshëm, e po ajo zemër bujare, si një nga baballarët e komunitetit. Angazhimi intelektual, si autor, studiues e përkthyes, ndërthuret me atë prindëror, gjë do ta theksonin edhe më mirë veçanërisht ata emigrantë që kanë ndjerë nga afër ngrohtësinë shpirtërore, madje edhe atë materiale të Dr.Selahedinit për t’i ndihmuar e aftësuar ata për të nisur një jetë të pavarur në Amerikë. (Shkruar para vdekjes së Dr. Selahedinit, perfshire ne librin e Pandeli Simsisë “Legjenda vlonjate në Amerikë”. Pergezime edhe një herë autorit që përjetsoi figurën e këtij patrioti të rallë.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Albana Lifschin, Memorie, Selahedin Velaj

Tillerson, qëndrim më i ashpër ndaj Koresë së Veriut

December 15, 2017 by dgreca

-Tillerson tha se fuqizimi në rritje i kapacitetit bërthamor të Koresë së Veriut përbën “një kërcënim të drejtpëdrejtë ndaj sigurisë sonë dhe asaj të mbarë botës.” Ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë luftë, por se “do të përdorin të gjitha masat e nevojshme për t’u vetëmbrojtur nga një agresion i Koresë së Veriut.”Ai tha “Shpresa jonë mbetet që kjo çështje do të zgjidhet përmes diplomacisë.”/

American Secretary of State Rex Tillerson speaks to reporters after a high level Security Council meeting on the situation in North Korea, Friday, Dec. 15, 2017 at United Nations headquarters.  (AP Photo/Mary Altaffer)

Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson u tërhoq sot nga oferta që kishte bërë pak ditë më parë për zhvillimin e bisedimeve pa kushte paraprake me Korenë e Veriut. Ai u tha fuqive botërore të mbledhura të premten në Nju Jork, se Pheniani, që zotëron armë bërthamore, duhet ta meritojë të drejtën për të negociuar me Shtetet e Bashkuara.

Deklarata e Sekretarit të Shtetit para Këshillit të Sigurimit të OKB-së shënoi një ndryshim të habitshëm, pasi ai kishte propozuar në fillim të javës, që diskutimet me Phenianin të zhvilloheshin pa vendosur kushte paraprake. Këto komente të tij u kundërshtuan menjëherë nga zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë.

Megjithatë, zoti Tillerson kishte planifikuar ta përsëriste të premten thirrjen e tij në takimin minisrave të jashtëm të Kombeve të Bashkuara, për çështjen e Koresë së Veriut, duke theksuar që Pheniani duhej t’i jepte fund sjelljes me kërcënime, para fillimit të bisedimeve. Por Sekretari Tillerson e ndryshoi fjalimin e tij.

“Koreja e Veriut duhet ta meritojë pjesëmarrjen në bisedime”, – i tha zoti Tillerson ministrave të jashtëm. “Fushata e presioneve duhet dhe do të vazhdojë derisa të arrihet çmilitarizimi. Ndërkohë, ne do t’i mbajmë të hapura kanalet e komunikimit.”

Debati lidhur me ofrimin e bisedimeve pa kushte tregon për mendimet e ndryshme brenda administartës Trump, ndërsa skadon afati për ta ndaluar Korenë e Veriut të perfeksionojë raketat bërthamore, të afta për të arritur deri brenda territorit të Shteteve të Bashkuara. Presidenti Donald Trump është zotuar të mos e lejojë Phenianin të ketë këtë aftësi bërthamore, qoftë edhe përmes ndërhyrjes ushtarake.

Deri tani, sanksionet e miratuara nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara ndaj Koresë së Veriut dhe izolimi diplomatik, nuk e kanë detyruar qeverinë e Kim Jong Un-it, që t’i ndalë provat me raketa, në shkëmbim të negociatave të drejtpërdrejta.

I pyetur në se ai mbështet bisedime pa kushte me Korenë e Veriut, Presidenti Trump të premten nuk ju përgjigj pyetjes në mënyrë të drejtpërdrejtë. “Të shohim se çdo të ndodhë me Korenë e Veriut. Ne kemi mbështetje të madhe. Një numër i madh vendesh janë dakord me ne, thuajse të gjithë”- u tha Presidenti Trump gazetarëve. Ai tha se Kina, që e zhvillon 90 për qind të tregtisë së jashtme me Korenë e Veriut, ka ndihmuar, duke ushtruar presion ndaj Koresë së Veriut, ndërsa Rusia tha ai, nuk ka ndihmuar sa duhet.

Në fjalimin e tij në Kombet e Bashkuara, zoti Tillerson i bëri thirrje Kinës dhe Rusisë, që t’i tejkalojnë sansionet ekonomike të miratuara në OKB.

Ai tha se punonjësit koreano-veriorë punojnë si skllevër, në kushte tepër të vështira në Rusi, për paga që përdoren për financimin e armëve bërthamore, ndërsa Kina tha ai, vazhdon të lejojë kalimin e naftës bruto në rafineritë e Koresë së Veriut.

Koreja e Veriut ka kryer më tepër se 20 prova me raketa balistike gjatë vitit 2017 dhe shpërthimin më të fuqishëm bërthamor deri më sot.Tillerson tha se fuqizimi në rritje i kapacitetit bërthamor të Koresë së Veriut përbën “një kërcënim të drejtpëdrejtë ndaj sigurisë sonë dhe asaj të mbarë botës.” Ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë luftë, por se “do të përdorin të gjitha masat e nevojshme për t’u vetëmbrojtur nga një agresion i Koresë së Veriut.”Ai tha “Shpresa jonë mbetet që kjo çështje do të zgjidhet përmes diplomacisë.”

Toni i Sekretarit të Shtetit ishte shumë i ndryshëm nga ai i tre ditëve më parë.

Tillerson dhe Trump kanë shfaqur përplasje edhe më parë për çështjen e Koresë së Veriut, duke ngritur pikëpyetje lidhur me të ardhmen e kryediplomatit amerikan, dikur ekzekutiv i kompanisë ExxonMobil.Në tetor, presidenti Trump tha se zoti Tillerson “po humbte kohën e tij”, duke u përpjekur të negocionte me Korenë e Veriut.(Kortezi-VOA)

Filed Under: Politike Tagged With: ndaj Korese se Veriut, Sekretari amerikan i shtetit, tone te ashpra

Kosove- Veteranët kërkojnë ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale

December 15, 2017 by dgreca

Qytetarët në Prishtinë duke nënshkruar peticionin për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. 15 dhjetor, 2017

Qytetarët në Prishtinë duke nënshkruar peticionin për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. 15 dhjetor, 2017/Me iniciativën e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shumë qytetarë, por edhe ish-pjesëtarë të UÇK-së kanë nisur të nënshkruajnë një peticion ku kërkohet ndryshimi i Ligjit për Gjykatën Speciale.Veteranët kërkojnë që me ndryshimet e ligjit, Gjykata Speciale duhet të merret edhe me krimet që serbët i kanë bërë në Kosovë gjatë luftës. Sipas tyre, versioni i tashëm i ligjit obligon gjykatën të merret vetëm me të dyshuar të etnisë shqiptare.Xhavit Jashari, përfaqësues i organizatave të dala nga lufta, e konsideron si degraduese dhe fyese votimin e Gjykatës Speciale në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015.”Ne jo vetëm që u bëjmë[deputetëve] thirrje që të kthehet në rishqyrtim dhe të mos i hapet kjo rrugë, absolutisht ne jemi kundër një gjykate të tillë. Dhe mendoj se nuk ka diçka më degraduese dhe më fyese, jo vetëm për ata djem e vajza që me gjak, e luftën e tyre, na kanë sjellë deri këtu lirinë e kësaj pjese të atdheut, po mendoj se kjo është fyerja më e rëndë që i bëhet popullit shqiptar, jo vetëm në Kosovë, por popullit shqiptar në përgjithësi”, tha Jashari.Veteranët shpresojnë se subjektet politike do ta marrin parasysh kërkesën e tyre dhe do ta votojnë ndryshimin e këtij ligji.
Pamje nga nënshkrimi i peticionit për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. Prishtinë, 15 dhjetor, 2017

Pamje nga nënshkrimi i peticionit për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. Prishtinë, 15 dhjetor, 2017

Erald Selca, veteran i luftës tha për Radion Evropa e Lirë, se ka ardhur nga Peja që ta nënshkruajë peticionin.

“Besoj se [peticioni] do të merret parasysh se do të kalojë atë shifrën që duhet të jenë mbi 10 mijë nënshkrime. Duhet t’i thirret ndërgjegjes kombëtare. Lufta e UÇK-së është luftë që ka qenë me karakter kombëtar është vlerë e kombit”, tha Selca.Në një përgjigje për Evropën e Lirë, Gjykata Speciale ka thënë se ligji nuk përmend asnjë përkatësi etnike dhe se ka juridiksion mbi personat që kanë shtetësi kosovare apo mbi personat që kanë kryer krime, në kuadër të juridiksionit të tyre lëndor, kundër personave me nënshtetësi kosovare, kudo që janë kryer ato krime.

“Dhomat e Specializuara nuk mund të dinë kush janë dhe çfarë nënshtetësie kanë individët kundër të cilëve Zyra e Prokurorit të Specializuar do të ngrejë akuza. Kjo është kompetencë vetëm e Zyrës së Prokurorit të Specializuar”, thuhet në përgjigje.Albulena Haxhiu, deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, si dhe kryetare e Komisioni për Legjislacion, tha se ende nuk janë të njoftuar se si është menduar nga shoqatat e luftës ndryshimi e Ligjit për Gjykatën Special me anë të peticionit. Ajo tha se për këtë ligje dhe vet Gjykatën Speciale, Vetëvendosje ka qenë kundër.”Kemi konsideruar që ajo gjykatë është e padrejtë, gjykatë etnik,e dhe po ashtu kemi konsideruar se paraqet një pasqyrë të shtrembëruar të vërtetës për luftën e UÇK-së”, tha Haxhiu.Pas mbledhjes së 10 mijë nënshkrimeve, drejtuesi e organizatave të dala nga lufta kanë thënë se peticionin do t’ia dorëzojnë kryeparlamentarit dhe kryesisë së Kuvendit.Ende nuk ka datë të saktë se kur mund të lëshohen aktakuzat e para nga Gjykata Speciale, mirëpo zyrtarë kosovarë kanë bërë me dije se një gjë e tillë mund të ndodhë në fillim të vitit të ardhshëm.(Kortezi:Arton Konushevci,RFL)

Filed Under: Opinion Tagged With: duan ndryshimin e Ligjit, per gjykaten speciale, Veteranët

15 DHJETOR- 75 VJET PA FAIK KONICEN

December 15, 2017 by dgreca

1 konica2

Sot është 15 dhjetor, një datë e trishtë që na kujton ikjen parakohe te njerit prej kolosve të shqiptarizmit, zbulonjësit të Flamurit të Skënderbeut, kryelëronjësit dhe ustait të gjuhës Shqipe, diplomatit, eseistit, ikones FAIK KONICA.Po si, në c’rrethana u shua kolosi? Le të shfletojmë librin e Ilir Ikonomit “Faik Konica, Jeta ne Uashington” , i cili e ka përshkruar kështu ikjen e Faikut:  Ishte e hënë, ora 5 pasdite e datës 14 dhjetor, kur Faiku pësoi papritur hemoragji cerebrale. Hattie, që i kishte shërbyer prej vitesh, e gjeti të rrëzuar në hapësirën e ngushtë të banjës dhe e ndihmoi të shkonte në shtrat. Faiku kërkoi të telefonohej sekretarja dhe ajo arriti pas 30 minutash.Charlotte ishte një grua e përpiktë dhe e sjellshme dhe Faiku i besonte ashtu si vetes së tij. I tha se kishte një dhimbje të fortë në sy dhe Charlotte propozoi të thërrisnin mjekun, Robert Oden.Megjithë kundërshtimet e Faikut, mjeku u thirr. Dr. Oden, ndër më të njohurit e Uashingtonit dhe mik i vjetër i Faikut, e kuronte nga hipertensioni kronik prej 14 vjetësh. Dr. Oden i mati tensionin. Aparati tregonte 250/140 dhe mjeku tha se Faiku ishte në rrezik prandaj duhet të merrej një infermiere ose të dërgohej në spital. Në atë kohë hipertensioni nuk njihej mirë si sëmundje, por as Faiku nuk i dëgjonte këshillat e mjekut dhe nuk mbante dietë. Veç kësaj, pinte deri në tre paketa cigare në ditë.

Charlotte vendosi ta kalonte natën në apartament. Vonë në mbrëmje Faiku e thirri nja dy herë, pastaj kërkoi ujë. Para mesnate, kur Charlotte kishte filluar t’i shkruante një letër të shoqit, i cili shërbente në Forcën Ajrore, vuri re se Faiku kishte vështirësi në frymëmarrje por nuk dukej dhe aq keq. Sekretarja shkoi të marrë një sy gjumë në divanin e dhomës së ndënjes dhe u zgjua në 5 të mëngjesit. Ai dukej se flinte i pabezdisur, i shtrirë në kurriz me krahun e majtë nën kokë.Nga ora 8, Charlotte shkoi ta shohë përsëri. Ai nuk kishte lëvizur fare dhe sytë i kishte paksa të hapur dhe të përhumbur. I telefonoi Dr. Odenit, i cili e udhëzoi t’i prekte dorën. Ajo ishte e ftohtë dhe e sertë. E kuptoi se Faiku ishte shuar….

FAN S. NOLI PER KONICEN

… E kam takuar Konicën për herë të parë më 1909. Ishte diçka që nuk kam për ta harruar kurrë. Më kishte shkruar nga Londra se do të vinte në Boston i veshur me kostum shqiptar. Ideja ishte që të dilte fotografia e tij në gazetë dhe të shfrytëzohej rasti për të propaganduar çështjen kombëtare shqiptare, e cila ka qenë pasioni i gjithë jetës së tij. Unë mbeta i shtangur. Si prift ortodoks i modës së vjetër, në atë kohë unë vetë mbaja një mjekër të gjatë të zezë, për të cilën më duhet të pranoj se nuk u pëlqente djemve të Bostonit. E merrja me mend se sa do të dëfreheshin ata djem po të më shihnin duke ecur me një burrë të veshur me fustanellën shqiptare. Ndonëse nuk kisha parë kurrë ndonjë fustanellë greke, një lloj fundi i balerinave. Unë isha i shkurtër e i bëshëm, Konica ishte i gjatë e i thatë, kështu që të dy do të dukeshim si Don Kishoti me Sanço Pançën të arratisur nga ndonjë cirk. Sa u habita këtë herë kur pashë se djemtë e Bostonit e harruan gjithçka lidhur me mjekrën time dhe thjesht zunë të shihnin Konicën me adhurim. Atëherë e kuptova se fustanella shqiptare nuk ishte fustanellë qesharake greke, por diçka që i ngjante kiltit të skocezëve dhe se i përshtatej shumë një burri të pashëm si Konica.

Meqë ra fjala, lexuesi mund ta gjejë në librin e Konicës ndryshimin ndërmjet kostumit grek dhe veshjes shqiptare: është e vërtetë se grekët e kanë përshtatur nga shqiptarët, por ata u përpoqën ta stërhollojnë sa që e bënë një veshje grash me aq sa mundën.

Veshja e Konicës nuk ishte e vetmja gjë që më habiti. Thjest mbeta pa mend, kur ai nisi të më “mësonte” për çdo gjë në botë. Ishte njeri me kulturë të lartë. Gijom Apoliner, një shkrimtar dhe mik i tij, e ka quajtur “enciklopedi shëtitëse” që e fliste frëngjishten si një francez. Një shkrimtar tjetër, Zhyl lë Metrë, ka shkruar për të: “Ky i huaj që e shkruan kaq mirë gjuhën tonë”.

Si studiues i pasionuar i muzikës, Konica e adhuronte shumë Vagnerin. Një nga gjërat e para që bëri ai pasi u takuam, ishte të më tregonte për Vagnerin dhe operat e tij. Me këshillën e tij e pashë përherë të parë Parisfalin, kur u dha më 1910 në Boston. Në varrimin e tij, tridhjetë vjet më vonë, duke e ditur se sa shumë e donte Vagnerin, iu luta organistit të luante muzikën e Vagnerit nga kreu deri në fund.

Ka disa fakte që mungojnë në librin e papërfunduar të Konicës, fakte për Shqipërinë, që i kam mësuar prej tij. Për shembull, Konica flet për krenarinë e malësorëve shqiptarë. Zonja Durham e pranon këtë në librin e saj “Brenga e Ballkanit”. Kur përshkruan shpërndarjen e ndihmave në Maqedoni gjatë dhjetëvjeçarit të parë të shekullit të njëzetë, ajo na tregon se si gratë fshatare e rrethonin ditë e natë, duke i kërkuar ushqime dhe rroba. Ata vendoseshin rrotull shtëpisë ku banonte ajo dhe nuk largosheshin derisa të merrnin diçka. Edhe kur u shpjegoi se nuk kishte më asgjë për t’u dhënë, ato nuk shkuleshin. Kur zonja Durham vajti në Shqipëri, priste që t’i ndodhte njësoj. Për habinë e saj, askush nuk iu afrua për t’i kërkuar ndihmë.

Konica përmend edhe faktin se zonja Durham ka qenë një adhuruese e madhe e amvisës shqiptare. Ajo mendonte se vetëm amvisa holandeze mund të krahasohej me të për pastërtinë. Zonja Durham kishte të drejtë. Mjafton të shkosh për vizitë në shtëpitë e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara dhe mund ta shohësh dallimin ndërmjet amvisës shqiptare dhe shumë prej fqinjëve të saj që nuk janë shqiptare.

Një gjë që e ka lënë jashtë Konica është fakti që fqinjët ballkanas e italianë kanë shpifur se shqiptarët janë të egër e të pamëshirshëm. Zonja Durham na thotë se kjo nuk është e vërtetë. Ajo kishte parë fshatarët siçilianë se si i rrihnin pa mëshirë kuajt dhe gomerët, por kurrë nuk kishte qenë dëshmitare se si një shqiptar rrihte një kafshë. Unë e kam vënë re edhe vetë kur kam udhëtuar me kalë në Shqipëri. Sa herë vinim te ndonjë copë rrugë e vështirë, ishim të detyruar të zbrisnim dhe kafsharët gjithnjë përdornin fjalët përkdhelëse për t’u dhënë zemër kafshëve, si për shembull: “Hajde, vëlla. Ec, or bir; Nuk është dhe kaq e vështirë. Do ta kalojmë”.

Një shpifje tjetër e përhapur nga fqinjët tanë, është se shqiptarët qenkan njerëz që nuk u shtrohen ligjeve. E vërteta është krejt e kundërt. Ata u shumë më tepër se gjithë fqinjët e tyre. Statistikat e rajoneve të policisë në qytetet amerikane ku ka shqiptarë, dëshmojnë qartë se ata janë nga grupet më të mira ndër të gjithë të ardhurit e huaj. Përvoja ime e gjatë më ka vërtetuar se shqiptarët u binden ligjeve në shqipëri po ashtu siç u binden në Shtetet e Bashkuara. E keqja është se, kur fqinjët e Shqipërisë përpiqen të shkelin tërësinë e saj tokësore, atëherë shqiptarët “e paligj” ngrenë krye.

Kur përshkruan pamjet e bukura të Shqipërisë, Konica përmend shumë turistë të huaj që e kanë admiruar këte vend. Një emër, që megjithatë mungon, është ai i prozatorit, dramaturgut dhe kritikut muzikor francez, Roman Rolanit, i cili në njërin nga librat e vet flet për “kodrat e bukura të valëzuara të Shqipërisë”. Unë për vete i kam soditur nga maja e malit Tomor dhe nga kështjella e Krujës, kryeqyhteti i vjetër i Skënderbeut. Nuk kam parë gjithë jetën time gjë më të bukur.

Mjaft shtesa mund t’i bëhen kapitullit të Konicës për vetitë luftarake të shqiptarëve. Për shembull, kalorësit shqiptarë u bënë proverbialë në gjithë Europën pas vdekjes së Skënderbeut. Gjithë mbretërit dhe sundimtarët e Italisë, Francës, Britanisë së Madhe kanë marrë kalorës të lehtë shqiptarë për ushtritë e tyre. Konica më ka thënë një herë se në shekullin e shtatëmbëdhjetë, kur francezët kërkonin të lavdëronin një kalorës, shpreheshin: “E nget kalin si një shqiptar”.

Kemi disa dokumente italiane, që flasin për kalorësinë shqiptare dhe që na shpjegojnë se si Skënderbeu e shpëtoi mbretin Ferdinand të Napolit me kalorësinë e vet të lehtë. Sipas dëshmisë së historianëve bashkëkohës, Ferdinandi e kishte humbur davanë kur e braktisën banorët feudalë dhe u bashkuan me Rene Anzhuanë, që ishte rivali i tij francez dhe që pretendonte fronin e Napolit.

Dihet mirë se ushtritë mercenare të Rilindjes asnjëherë nuk bënë ndonjë betejë të vërtetë. Ata kujdeseshin jo për lavdinë ushtarake, por për pagat. Zakonisht krijohej një komitet i përbashkët i të dy ushtrive rivale dhe vendoste kush do të shpërblehej me fitoren. Për shembull, kur njëra nga ushtritë kundërshtare kishte epërsi të padyshimtë si numër, asaj i jepej fitorja pa e zgjatur shumë. Kur ushtritë ishin të barabarta nga numuri dhe komiteti nuk mund të merrte vesh se cila palë mund të fitonte, atëherë kurdisej një betejë e shtirë, në të cilën nuk dëmtohej ose nuk vritej askush, me përjashtim të ndonjë aksidenti. Por kjo manovër shërbente për të ndihmuar komitetin e përbashkët që të merrte një vendim.

Diçka e ngjashme ndodhi kur skënderbu zbriti në Itali me kalorësinë e vet të lehtë. Komandanti i ushtrisë kundërshtare konti Piçinino dhe Skënderbeu rregulluan një betejë të tillë të shtirë për të parë se cila nga të dy ushtritë do të kishte më shumë shanse për të marrë fitoren. Dy reparte të zgjedhura nga ushtria shqiptare dhe italiane bënë një paraqitje të kalorësisë dhe të aftësisë luftarake. Shqiptarët e fituan ndeshjen dhe kështu u mbyll gjithë kjo histori. Italianët asnjëherë më nuk e kundërshtuan epërsinë e kalorësisë shqiptare. Natyrisht, me turret ishte një pun krejt tjetër. Atëherë Skënderbeut i duhej të bënte beteja reale dhe të arrinte fitore reale. Turqve nuk u bënte përshtypje asnjë paradë.

Skënderbeu ka qenë, padyshim, një gjeneral i madh dhe ai meriton nderime të mëdha për kryqëzatën e tij heroike kundër turqve. Por ne nuk duhet të harrojmë se edhe ushtarët e tij meritojnë pjesën e tyre të nderit. Kryengritja shqiptare e viteve 1910 – 1912 kundër turqve tregoi se luftëtarët e çetave shqiptare ende e ruanin trimërinë dhe forcën e gjallë që kishin dëshmuar në kohët e vjetra në Skënderbeun. Vetëm për vetëm ata i mundën turqit, marshuan në Selanik dhe e detyruan qeverinë turke t’u jepte autonominë. Pas disa muajsh iu desh gjithë kombeve të Ballkanit që të bashkoheshin për t’i mundur po ata turq. Më 1920 atje u përsërit po ajo histori e përjetshme. Shqipërinë e kërcënonte copëtimi. Italia kishte pushtuar Vlorën dhe prapatokën e saj deri në Gjirokastër. Fqinjët e tjerë kërkonin copat e tyre sipas traktatit të fshehtë të vitit 1915. Vetëm një zë u ngrit për të kundërshtuar, ai i president Wilson. Por ai mjaftoi për të ngritur kombin. Malësorët shqiptarë të bregdetit jugor qenë të parët që u ngritën, pastaj i ndoqën edhe të tjerët. Brenda pak muajve italianët u hodhën në det dhe u detyruan ta linin Vlorën dhe rrethin e saj. Rreth njëzetë vjet më vonë, më 1940 grekët, pothuaj shtatë herë më të shumtë si numër sesa shqiptarët, nuk mundën ta përsëritnin këte marifet, ndonëse kishin mbështetjen e flotës angleze dhe të forcave ajrore angleze, që i penguan italianët të sillnin përforcime.

Tani disa fjalë për vendin e Konicës në historinë e Shqipërisë së sotme. Si mysliman dhe si përkrahës i një familjeje të vjetër aristokratësh nga Shqipëria e jugut, Konica kishte të gjitha mundësite që të fitonte poste të larta në Perandorinë Turke, ku Shqipëria bënte pjesë, që pas vdekjes së Skënderbeut. Në të vërtetë, shumë shqiptarë të tjerë gjatë shekujve ishin ngjitur në postet më të larta të Perandorisë Turke. Për shembull, kur Konica ishte i ri, Vezir i madh ose kryeministri i Perandorisë Turke ishte Ferid Pasha, një shqiptar nga Vlora.

Por kjo karrierë nuk e tërhiqte Konicën. Ai mendonte se misioni i tij ishte të luftonte për pavarësinë e Shqipërisë. Nga viti 1897 deri më 1912, dy nga pionierët më të shquar të pavarësisë së Shqipërisë kanë qenë Konica dhe Shahin Kolonja, botuesit e dy revistave shqiptare, që dolën jashtë: “Albania” dhe “Drita” përkatësisht.

Gjatë sundimit turk shqiptarët kishin harruar gjithçka për lavdinë e tyre të kaluar nën Skënderbeun. Konica ka qenë njeriu që e rizbuloi dhe e popullarizoi Skënderbeun e flamurin e tij, shqipen e zezë dy krenare në një fushë të kuqe. Ky flamur u bë simbol i pavarësisë kombëtare dhe më në fund u ngrit në Vlorë më 1912 nga Ismail Qemali kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur.

Konica është quajtur si krijuesi i prozës moderne shqipe. Kur unë vendosa të bashkohesha me kryqëzatën për pavarësinë e Shqipërisë, e para gjë që më bëri përshtypje ishte mungesa e plotë e veprave letrare shqipe me vlera artistike. Por kur vajta në Egjipt më 1903, një atdhetar shqiptar, Spiro Dineja, më dha vëllimet e revistës “Albania” nga viti 1897 deri më 1903. I lexova të gjitha nga faqja e parë deri tek e fundit dhe atëherë e mësova se në shkrimet e Konicës ne e kishim atë që na duhej: letërsinë e mirë shqipe. Për më tepër, Konica zbuloi dhe popullarizoi shqiptarë të veprimtarisë letrare si Kristofordhi, Mitkoja, Fishta dhe Zako Çajupi. Me këshillën dhe udhëzimet e tij unë përktheva disa vepra nga Shekspiri, Ibseni, Edgar Alan Poeja dhe Don Kishotin e Servantesit. Të gjithë autorët shqiptarë që vijnë pas Konicës janë nxënësit e tij, duke përfshirë dhe shkruesin e këtyre radhëve.

***

Skënderbeu kur jetonte / Shqipëria lulëzonte….

Që më 1897, Konica 21 vjeçar iu drejtua me thirrje zemre “shqiptarëve mëmëdhe-dëshërimtarë për t’u mbledhur rreth e rrotull flamurit tonë”. Shumë herë ngjeu penën për bëmat dhe në bëmat skënderbejane, që shkëlqyen në Europë nën flamurin kastriotas, me emrin e  Albanisë, emër me të cilin ai pagëzoi revistën e tij. Solli në ballinen e kësaj kryevepre emblemën me shqiponjë të Skënderbeut, vargjet e popullit për Kryetrimin, si dhe vargjet e veta e të rilindësve për atë që u quajt “Dragoi i Shqipërisë”, “Babai i Kombit”, “Mbreti i Shqiptarëve”. Vuri në qendër të prozës poetike Mrikën 17 vjeçare, “me leshrat që i derdheshin gjer në vithe të kalit” dhe që mbrojti Skënderbeun në shesh të betejës me gjoksin e saj të njomë shpuar tejpërtej nga shigjetë e turkut. E shenjtëroi vashën luftëtare shqiptare si gruan e thjeshtë të popullit francez me gjoksin zbuluar majë barrikadës në tablonë e Delacroix “Liria udhëheq popullin”. Solli Shegën, “Lulen e Maleve”, “Perëndeshën e luftës”, siç thotë, atë zanë e Dianë shqiptare që ra edhe ajo në shesh të betejës, kur plumbi i halldupit “i prekojti siskën e rrumbullakët dhe ndoti me të kuq bardhësinë e saj”. Dhe, pas Mamicës e Vojsavës në lot për vdekjen e Kryetrimit dhe rënien e Krujës, pas “Vajtimit për robëri të shqiptarëve” ringjalli  në Kujtesën e Kombit – si një Feniks që rilind nga hiri çdo pesëqind vjet – edhe vetë Kryeheroin, atë vit fatlum 1912 kur, me emrin dhe “Flamurin e tij të kuq dhe shqiponjë të zezë dykrenare”, dha kushtrimin final për t’u dhënë turqve dërrmën e fundit dhe kur shqiptarët, “duke parë atë flamur, të cilin nuk e kishin harruar, i faleshin me gaz edhe e prisnin si fytyrën e gjallë të çlirimit”.

Më 1899, Konica thuri me vargje klasike poezinë “Flamuri”. Që në strofat e para dy-vargëshe, që shquhen për ritmikë luftarake, si një marsh i vërtetë, ai e sheh simbolin flamur të lidhur fort me emrin e Skënderbeut, burim frymëzimi shpirtëror për shqiptarët: “Skënderbeu kur jetonte / Shqipëria lulëzonte, / Ish e fortë ish e zonjë / Kish në flamur një shqiponjë, / Një shqiponjë me dy krerë, / Ai lirisht hapej n’ erë “…

 

***

POEZI NGA FAIK KONICA

 

FITOVA MOJ ZEMBËR

Fitova, fitova, fitova, fitova, moj zembër
Ah mos derth më lot ah mos derth më lot
Nga zgjedhë e dashurisë shpëtova sot.

I flaktë i verbër gjer sot un’ i gjori,
E desha diallushen lumi mënt më mori,
Remës marësisht i shkoj tani koha,
Zjarri i dashurisë mu shua shpëtova.

Kur buz’ e saj qeshte zembra ndizej,
Vështronjam pshertinja nga malli dot s’flisnje,
Tani ësht’ i thyer zinxhiri mërzitshmë,
Që më mbante lidhur posi skllav të frikshm.

DRIT’ E SHPIRTIT TIM

Drit’ e Shpirtit t’im,
Ki pakëz besim:
Se pa ty s’roj dot,
Jeta është kot.

Unë i mjeri heq,
Zëmra më rënkon:
Si s’të vjen keq,
Pse më mundon?

NJË TË DASHUR KUSH KA GJETUR

Një të dashur kush ka gjetur,
Q’është e besës dhe e drejtë
Le ta puthë le ta dojë,
Jetën le t’ja ëmbëlsojë,
Dhe me lule le t’ja shtrojë.

Po besnike që të jetë,
Në kafas duhet ta ketë,
Djallushet kur ndrojnë erë,
Ju pëlqen nga no njëherë,
Të shijojnë tjatër verë.

Kur veçan Hëna kadritë,
Miq, i hapni mirë sytë,
Se bandilli përgjon çastin,
Vogëloshes i jep rastin,
Hap edhe zbraz kafazin.

FLAMURI

Skënderbeu kur jetonte
Shqipëria lulëzonte.

Ishe e fortë, ish e zonjë
Kish në flamur një shqiponjë
Një shqiponjë me dy krerë
Ai lirisht hapej në erë.

Kur armiku na vërvitej
Flamuri i kombit ngrihej

Gjëmonin një mij trumbeta
Suleshin treqindmij veta.

Derdhji ngjakun si të marrë
Që të mbaheshin Shqipëtarë.

Derdhjin gjakun pa peshuar
Për flamunrin e bekuar.

Po trimatshkuanpërjetë,
Shqipëriambet e shkretë

Trimat shkuan edhe vanë
Kordhët po ndryshken mënjanë.

Kordhët ndryshkën e në baltë
Na ra flamuri i naltë!

Na raflamuri i naltë
Mbeti e u kalb në baltë!

Sot kan dalë ca zuzarë
Që ulërti në shqipëtarë,

Po këtë emër e lanë
U bashkuan me aganë

E punojnë nat’ e ditë
Që të mbtemi pa dritë,

O zuzar, o tradhëtorë
Ne na bëjtit shërbëtorë,

Na e vuatli të lirinë
E na shkel të Shqipërinë.

Rrëmbyet e po rrëmbeni
Gjith se ç’patmë e se ç’kemi!

Po mjaft! Koha ësht afër,
Kur të ndizet luft’e ashpër,

Lufta tri her’e bekuar
Qëna ka për të shpëtuar,

Jo luftë kundrë Turqisë,
Jo kundrë mbretit Shqipërisë,

Po luftë për ca zuzarë
Që u lind në shqipëtarë

E, armiq të Shqipërisë,
I fryj në dritës së lirisë,

S’na lënë dhe ne të tjerët,
T’dalim nga gjum’i errët,

Po ç’dëgjoj në ven’ e thonë,
E ç’shohin e tradhëtojnë

Eshtë turp prej kësi krimbash
Të mundohet një komb trimash!

Ngrehuni, o shqipëtarë,
T’i shtypim këta zuzarë!
(1899)

KUSHTRIMI OSE MARSEJEZA E SHQIPËTARËVE

Përpara djemtë e Shqipërisë
Zëri i kushtrimit po gjëmon!
Kundër nesh i mizorisë
I ndryri Flamur po valon!
Malet tona po ushtojnë.

Nga bërtimet e nizamit:
Egërsirat Ju kërkojnë
Nder’ e gruas, gjaknë e djalit!
Burra, kush është trim,
Në luftim me nxitim,
Me hov, me hov!
Bini me tërbim!
Armikut për shpërblim.

II
Ç’kanë me ne këta barbarë
Shtazë në shpirt e në turi?
Hapni sytë o shqipëtar,
Shikoni hekurat gati,
Qafën kujt duan t’i vënë
Nën zgjedhë, e nën kërbaç.
E turp i tmerrshëm i pa dhënë

Shkabën ta ngasim si margaç!
Topi buçet, pushkët p’ushtojnë
Plagë, me plumb, vdekje dhe zjarr.
Trumbetat ndizen dhe çfryjnë!
Yt fat po lozet,
Komb Shqipëtar.

Që nga Janina
E gjer në Shkodër,
Burrë dhe grua,
Foshnje dhe plak,
Çdo lum e përrua
Çdo shesh e kodër,

Po rrjedhin lot
Po rrjedhin gjak.

Burra, kush është trim.
Dridhuni ujq të Mongolisë,
Dhe ju shqiptar për mallkim
Që ç’panë sytë e Shqipërisë
Ah, dridhuni se s’ka shpëtim!

Çdo krah do ngrihet të ju bjerë
Dhe këta trima po të mbeten,
Vend’ ynë pjell trima të tjerë
Gati të ngrihen të ju dridhen

Burra kush është trim
Zemrohuni një herë
Mprihni kordhën për të prerë
Mprihni kordhë e mprihni pallë
Të ju ndritin yj në ballë.
Flamur të ngrini në erë
Me shqiponjën me dy krerë.
Dhe në vend ‘ tuaj të rroni
Si të doni e si të thoni!

VAJTIM PËR ROBËRI TË SHQIPTARËVET

O të humbur shqipëtarë,
Seç qenkeni për të qarë!
Për të qar’ e për të sharë,
Për të shar’ e për të vrarë!
Armiqtë mbë dhé ju hodhnë,
Dhe ju shtypnë sa u lodhnë!
Sa u lodhn’ e sa ju ngopnë
Ju gdhendnë edhe ju rropnë.
As bukë, as brekë s’ju lanë,
Ju punoni, ata hanë!
Nuk ju lan’ as pakë nderë
Q’e kini pasur përherë.
As nder, as turp, as gjak s’kini
Unji kryet dhe po rrini.
I duroni vet armiqtë;
Prisni vdekjen apo vdiqtë?
Shërbëtorë t’Anadollit,
Kleçk e lodra të Stambollit.
Në mos u shove fare,
Ndizu, zemra shqipëtare!
O shqipëtarë barkzbrazur,
Fustançjerr’ e këmbëzbathur
Zemërohuni një herë,
Mprehni kordhët për të prerë,
Mprehni kordh’ e mprehni pallë
Të ju ndritin yj mi ballë,
Ti frikësoni zuzarët
Ç’i shuan shqipëtarët,
E në vend tuaj të rroni
Si të doni e si të thoni!

(1901)

ANADOLLAKU NË MESALLE

Ka ndenjur si një ka
Po ha edhe po ha,
Shembet me pilaf,
Fruhet me hoshaf;
S`ka kohë të flasë
Hedhe sa të pëlcasë:
Llop një bakllava,
Llop një hallva,
Llop një revani,
Llop muhalebi.
Therret:-Hiç je medum!
– O burra, bre dudum!
Kërkon një syltjaç,
Porosit një kulaç,
Rrëmben një bugaçe,
– Të rrëmbec një kapaçe!
Të tërë për një darkë,
Të tëra në një barkë!
Kur lodhet sa ngjinjet,
Pushon e shtrihet
Shtrihet dudumi
Dhe na e zë gjumi.
Nesër kur të zgjohet
E, me “bismil-lah”,
Prapë pilaf
E prap hoshaf.
“Qebap boll-boll
Koxha Anadoll!”
More dudum kokëkungull
Gojëbuall e barkrrumbull
Thuamë, të rëntë pika!
Ç`të duhet ty politika?
Hiq, more dudum dore, hajde
Të të kllasëm në një kade
Plot me mjalt`e me reçel
Ha pi e kurrë mos del.
(1901)

HELENA E TROJËS

Në Trojë, nga maja e një kullë të lartë
Helena e bardhë zgjat kryet dhe përgjon
Poshtë nënë muret luftën që luftonMenella syzi me Parin flokëartë..
Shikon buzëqeshur e me ballë të qartë
zjarrin që ka ndezur vetë dhe ëndërron
e stolisur si ditën që hipi në fron
Kur vajti nus’e re nga Amykla në Spartë.
Dhe në shesh Menella me Parin të tërbuar
Goditën me sulm për të mundur a për të vdekur
Gjëmojnë duke çuar zërin në qiell.
Gjaku u ka hyrë faqe dhe duar
Kordhë me kordhë hekuri me hekur
Përpiqen, tringëllojnë, shkëlqejnë në diell.

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: 15 DHJETOR- 75 VJET, PA FAIK KONICEN

Sekretet e kryeqytetit amerikan

December 15, 2017 by dgreca

Washington, DC, USA --- An aerial view of the Lincoln Memorial and the Reflecting Pool leading up to the Washington Monument. --- Image by © Jason Hawkes/CORBIS

Ky vit shënon 206 vjetorin e themelimit të Llozhës së Madhe Masonike të Washington DC, një bashkëudhëtim dhe kurorëzim i suksesshëm i procesit interesant të konceptimit arkitekturor dhe ndërtimit të kryeqytetit. Me një vizion të qartë rreth besimit dhe principeve të larta të vëllazërisë në një botë në ndryshim të vazhdueshëm dhe me një shpirt të lartë intelektual e diversitet shoqëror, pjesa e padukshme, por e gjallë e kryeqytetit mban në gjirin e saj figura të njohura të politikës, biznesit, diplomacisë, artit, shkencës dhe sportit./

1 Dritan_Mishto

NGA DRITAN MISHTO/

Kryeqyteti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës,  Washington – Distrikti i Kolumbias ose thjesht DC është i veçantë për simbolikën e arkitekturës së tij, me bulevardet e gjera të dala nga një pikë e përbashkët dhe sheshet dekorative të ndërthurura në mënyrë intriguese. Pozicionet, format e godinave qeveritare, monumentet, sheshet dhe rrugët e kuadratizuara përbëjnë një materializim të parimeve të mendjehapësisë dhe ndricimit, të hedhura në plan mjeshtërisht nga arkitekti i njohur mason Pierre L’Enfant.

Kryeqyteti mbetet një vepër ideore e presidentit të parë të SHBA George Washington, Mason i Llozhës Fredericksburg Nr. 4, Virginia dhe më pas i nderuar nga një sërë llozhash të tjera, i cili me një përkushtim të pashoq dhe përqëndrim të lartë përcaktoi vendndodhjen, hapësirën dhe planimetrinë e tij, duke miratuar në mënyrë të pandryshueshme gjithçka që shihet edhe sot. Nën një ceremoni masonike, më 18 Shtator 1793 filloi puna për zbatimin e planit urbanistik me vendosjen e gurit të themelit të godinës së Kongresit, ndërkohë që sapo kishte përfunduar  konkursi për ndërtimin e Shtëpisë së Bardhë. Në këtë proces të rëndësishëm, Presidenti Washington bashkëpunoi me një sërë anëtarësh të masonerisë amerikane ku spikatën: Charles Fierer, Master i Llozhës Potomak 5 dhe James Hoban, Master i Llozhës Federale 1 e njëkohësisht arkitekt i Shtëpisë së Bardhë.

Kryeqyteti në krijim e sipër filloi të tërheqë ndërkohë bamirësinë masonike. Në vitin 1829 vdiq masoni i pasur James Smithson, me pasurinë e dhuruar të të cilit u ngrit Instituti Smithsonian, një nga qendrat e njohura të shkencës dhe kulturës botërore. Vite më pas, bankieri dhe masoni  bamirës William Corcoran themeloi galerinë e talenteve të artit, një nga më të njohurat ndërkombëtarisht.

Në 4 korrik 1848, përmes një marshimi të gjatë dhe ceremonialiteti të lartë Presidenti James  K. Polk inaguroi fillimin e punimeve për ndërtimin e monumentit kushtuar George Washington, vepër e cila përfundoi falë angazhimit të fuqishëm të masonit dhe ish Kryetarit të Gjykatës së Lartë të SHBA John Marshall. Lartësia jo e rastësishme e monumentit prej 555 këmbë (169,29 m) është pika më e lartë e kryeqytetit dhe pavarësisht se jo e përcaktuar me ligj, falë frymës që mban gjallë simbolikën e këtij qyteti asnjë godinë tjetër nuk e ka kaluar dhe nuk pritet ta kalojë lartësinë e tij. Ndërtimi i monumentit në nderim të Presidentit George Washington përbën një moment tejet i rëndësishëm në historinë masonike amerikane duke u vlerësuar nga studiuesit si konfirmim i tre elementëve themelorë të  republikës së re: mirëformimi, vërtetësia dhe besueshmëria.

Shekulli i 19 dhe fillimi i shekullit 20 e gjejnë kryeqytetin amerikan me pasuri arkitekturore të vlerësuara nga opinion i gjerë ku veçanërisht spikasin: Stacioni i Trenit “Union Square”, një reminishencë e stilit të madhështisë romane; godina e Llozhës së Madhe të Masonëve dhe godina e respektuar e Këshillit Suprem të “Scottish Rite” me dy sfinksët e saj, nënkuptues të mençurisë dhe fuqisë. Një sërë lidhjesh të tjera masonike qëndrojnë heshturazi në qytet, duke filluar nga Trekëndëshi Federal e deri tek godinat madhështore të Kompleksit të Galerive Kombëtare, ndërtuar falë këmbënguljes së masonit dhe ish Sekretarit të Thesarit Andrew Mellon, fondacioni i të cilit vazhdon të kujdeset për to. Ndërsa Presidenti Taft, mason dhe ish kryetar i Gjykatës së Lartë të SHBA luajti një rol kyç në bindjen e Kongesit për të ndërtuar një godinë të denjë për Gjykatën e Lartë, e cila u projektua dhe ndërtua nga arkitekti mason Cass Gilbert. Ndërtesa të tjera të intrigojnë me historinë e tyre, ku përveç planimetrisë një vend të rëndësishëm zë edhe koha e preçizuar dhe mënyra e ndërtimit në përputhje të plotë me simbolikat e vjetra masonike. Qyteti është zbukuruar me shumë vepra të krijuara nga artistë masonë, ku spikasin statuja e presidentit Lincoln, Roosevelt, Jefferson apo Muzeu i Holokaustit, një përkujtim e nderim ndër të tjera edhe për persekutimin e hebrenjve masonë.

Kryeqyteti amerikan dhe masoneria janë bashkëjetesa e gjallë e idealizmit  dhe vizionit të ngritur mbi dinjitetin dhe të drejtat e përbashkëta njerëzore. Fazat e mëvonshme të ndërtimit dhe përsosjes, duke i qëndruar besnik deri në detajet më të vogla planit arkitekturor fillestar kanë bërë që përgjatë më shumë se dy shekujve ky kryeqytet të kalojë me sukses provat e zgjerimit, rritjes,  maturimit e restaurimit, duke ruajtur formën dhe qëllimin e asaj çfarë ai mban në brendësi.

Ky vit shënon 206 vjetorin e themelimit të Llozhës së Madhe Masonike të Washington DC, një bashkëudhëtim dhe kurorëzim i suksesshëm i procesit interesant të konceptimit arkitekturor dhe ndërtimit të kryeqytetit. Me një vizion të qartë rreth besimit dhe principeve të larta të vëllazërisë në një botë në ndryshim të vazhdueshëm dhe me një shpirt të lartë intelektual e diversitet shoqëror, pjesa e padukshme, por e gjallë e kryeqytetit mban në gjirin e saj figura të njohura të politikës, biznesit, diplomacisë, artit, shkencës dhe sportit.

Kryeqyteti amerikan vazhdon të mbetet destinacion për miliona vizitorë dhe kjo falë jo vetëm veçorive të arkitekturës, por edhe zgjuarsisë e mençurisë së gjeneratave që kanë ndihmuar dhe ndihmojnë në ruajtjen, pasurimin dhe paprekshmërinë e simbolikës dhe sekreteve të tij.

Filed Under: Histori Tagged With: dritan Mishto, e kryeqytetit amerikan, sekretet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT