• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2017

DY DASMA, NJË ORKESTËR

December 30, 2017 by dgreca

1 Shefqet Dobra

NGA SHEFQET DOBRA/ Me rastin e festave, një mirënjohje për një ngjarje të para shumë kohësh, që vlen  për t’u kujtuar:  të keqen hidhe pas shpine- thonë të vjetrit- të mirën mos e harro kurrë. Këtë, vetëm ai të cilin e kanë rrëzuar dhe ka mundur të ngrihet, ai që nuk është verbuar nga errësira ku e hodhën, ai që e bënë të qaje dhe me zor ka qeshur, ky nuk e harron të mirën sado e vogël që i bëhet. Këta lloj, dikush i shanë, por këta janë këta, nuk mund të jenë ndryshe.

Ishte sezoni i dasmave, martesat e fëmijëve janë ngjarje të rëndësishme, janë gëzim i prindërve, është gëzim që një herë në jetë e provon secili, është kujtimi më i bukur i jetës, për çdo dalë a vajzë, dita e martesës, aty fillon familja e re.  Në çdo rrethana  që të ndodhet njeriu, ashtu si këtë që po trajtoj këtu, mundohet që këtë moment ta gëzojë ashtu si të mundet.

Gori Boçi dhe Bilal Nela, martonin djemtë në të njëjtën ditë; Gori e kishte shtëpinë në krye të sektorit, Bilali në fund të sektorit. Gori kryetar këshilli, Bilali i deklasuar; edhe se ishin banor të një sektori, edhe se fëmijët ishin rritur bashkë, në një far mënyre, cilësoheshin të ndryshëm, për të mos thënë kundërshtarë, kështu i quanin, kështu i trajtonin në atë kohë. Gori si kryetar i këshillit, deri para një viti, i bënte apelin dy herë në ditë Bilalit.  Të dy gëzonin, të dy do merrnin nuse në të njëjtën ditë për djemtë. Secili në mënyrën e vet, mundohej që ta gëzonin martesën e djalit, edhe së gëzimi i secilit ishte ndryshe:  te Gori buçiste muzika që prej tre ditësh, te Bilali, pavarësisht respektit që gëzonte, këtu nuk ndjehej se kishte dasmë. Te Gori, ahengu bëheshe jashtë në oborr, hareja ishte e madhe, klarineta dhe daireja buçitnin,  kurse të ftuarit te Bilali, mjaftoheshin me një çifteli, por, edhe kështu, mjaft kënaqeshin edhe këta. Ishte një ndarje, që u ishte imponuar këtyre njerëzve edhe se nuk kishin gjë të keqe mes tyre, edhe se gjithë ditën fëmijët e tyre punonin bashkë, mes tyre ishte një “hendek” që, nëse gaboje, mund të “fundoseshe” pavarësisht ç’biografi kishe  por, kjo ishte më e keqe se mbytja sepse, nëse mbytej një, ai i tërhiqte të gjithë tjerët pas.

Pse ndodhin këto? Sepse, ashtu u thoshin, ashtu do bënin.  Ne ecnim me këmbët tone dhe mendonim me mendjen e tjetrit. Për trimëri dhe pavarësi mendimi, as që duhej menduar.

Ahengxhinjtë, pavarësisht dëshirës, te Bilali kishin frik të shkonin, kurse për taksi, as  që bëhej fjalë, të vinte nusja e djalit të Bilal Nelës.

Kur te Gori erdhi taxia, dhe një makinë, për të marr dasmorët që do shkonin të merrnin nusen, djali i Bilalit me dy tjerë  kishin ikur më këmbë që shpejtë- as një, nuk e merrte me mend, si do e merrnin nusen këta, nusja banonte larg shumë.

Për njeriun e mirë, qëllon të gjendet një derman, një mik i Bilalit, që banonte në Fier, kishte mundur të rregullonte një taxsi, por kjo nuk duhej të merrej vesh deri në momentin kur të vinte nusja, për ndryshe, taksinë mund ta kthenin në rrugë.

Gjithë dasmorët e Gorit, por dhe tjerë banorë të sektorit, dolën deri te ura e kolektorit, duke kënduar e duke kërcyer, të pritnin nusen ë djalit të Gori Boçit, dhe ashtu u kthyen. Kur nusja zbriti nga taxia, ishte kulmi i haresë, gjëmonte kënga e muzika, kërceni të vjetër e të rinj, martohej djali i kryetarit të sektorit, kurse te Bilali, mbretëronte qetësia. Madje, ata ishin në tension, se mos ishte marr vesh e u ndodhte gjë rrugës.

Pasi ishte futur nusja brenda, kishte pushuar për pak muzika te shtëpia e Gorit, u dëgjuanë zërat e fëmijëve: po vjen nusja, po vjen  nusja! Taksia tjetër me nusen e Metit, djalit të Bilalit, u fute në sektor, me agavash por, pa muzikë.

Gori, i thirri ahengxhinjtë dhe u tha: shkoni, shoqërojeni taxi deri te shtëpia e Bilal Nelës, bëni edhe atje aheng se: edhe ai po marton djalë si unë. Të gëzojnë edhe ata, s’ka pse të ndëshkohen ata për kohën që as e njohin as e kanë jetuar.

Ne shkojmë me gjithë qejf, shoku kryetar se, shok e kemi edhe atë po, sikur të na thërrasin nesër, të na thonë: pse shkuat te Bilal Nela….

-Shkoni, shkoni se po u the unë- u tha Gori. Kështu që edhe nusja e Met Nelës, u fut në shtëpinë e sajë të re, e shoqëruar me orkestër. Orkestra ndenji ca kohë, sa edhe dasmorët e Bilalit kërcyen e u kënaqën. Më pas, bënë edhe adetin: nxorën edhe nusen në valle, pastaj iku orkestra të shtëpia e Gorit.

Njeriu kur është dikush, më mirë është të mendojë që, këtë respekti i rrem që gëzon prej postit që ka,  ta gëzojë në kohën kur të jetë njësoi si tjerët,

Lum ai që bënë mirë, që fëmijëve u lë nderë. Tani, pas 40, vjetësh, Met Nela, që tashmë është noter në Tiranë, në një grup shokësh, na flet me mirënjohje për veprimin e kryetarit të këshillit të asaj kohe.

Filed Under: ESSE Tagged With: DY DASMA, NJË ORKESTËR, Shefqet Dobra

Dua Lipa është përzgjedhur nga revista e njohur “Vogue”

December 30, 2017 by dgreca

Ylli nga Kosova me famë botërore, Dua Lipa është përzgjedhur nga revista e njohur “Vogue” në mesin e 17 “vajzave që pushtuan vitin 2017”.

1 Dua Lipa

Me hitin “New Rules” Dua siguroi suksesin që e meritonte. Hiti i saj arriti më shumë se 800 milionë shikime në YouTube dhe i ndihmoi që të bëhej artistja e parë femër që siguron pozitën e parë në top-listën britanike që prej hitit “Hello” të Adele në vitin 2015, transmeton Koha.net.

Dua Lipa është bërë zë i një gjenerate. Pop-i i saj është target i audiencës së ditëve të sotme.

“Dua patjetër që është pop-princesha që Britania ishte duke e kërkuar për një kohë të gjatë”, ka shkruar revista “Vogue” për Dua Lipën.

Dua Lipa me një postim në rrjetet sociale është ndier e nderuar që gjendet në mesin e grave të talentuara.

“Shumë e nderuar që jam në mesin e grave të talentuara dhe të pabesueshme”, ka shkruar Dua për këtë artikull të “Vogue”.

Image

Filed Under: Kulture Tagged With: Britania, DUA LIPA, Princesha

Joni Latifi ëndërron të prek Hollivudin

December 30, 2017 by dgreca

1 Joni

Joni Latifi është një aktor i talentuar shqiptar, lindur në Tiranë më 27 qershor 1994. Ka kryer studimet e larta dega “Administrim Biznesi” në Universitetin Europian të Tiranës. Në vitin 2016 ka lëvizur në Nju York, për të ndjekur ëndrrën e tij për t’u bërë aktor i “Hollivudit” dhe një yll i suksesshëm në fushën e aktrimit.2 JoniKa marrë pjesë në reklamën e Telekom Albania dhe në videoklipin “Pa Mua” të këngëtares së njohur Eranda Libohova, fituese e festivalit “Kënga Magjike”.

3 Joni

Joni Latifi luan rolin “Laki” në filmin “Akuariumi”, me regji të Dhimitër Ismailaj dhe me rol kryesor Florind Belliu. Gjithashtu është protagonist i filmit “Buster” me regji nga Leandro Gualdi  dhe luan në filmin “Winner winner chicken dinner” me regjisor Jun Ren.Ndjek studimet në akademinë prestigjioze “Stella Adler Studio of Acting” në Nju Jork për aktrim, në programin me emër “Professional Conservatory”, që njihet nga më të mirët në Amerikë për pregaditje në industrinë e filmit të Nju Jorkut dhe Hollivudit.

Intervistë me aktorin Joni Latifi

Bisedoi Ermira Babamuta, Nju Jork

Na tregoni për fillimet në fushën e aktrimit?

-Fillimet e mia në fushën e aktrimit kanë qënë të vështira, por s’kam hequr kurrë dorë nga pasioni im. Çdo përvojë në audicione më ka bërë më të fortë dhe më ka shtyrë për të punuar shumë e më shumë. Sidomos në Jo’në e parë që mora, kam pyetur veten, çfarë mund të jap më shumë nga vetja për të qenë i suksesshëm në qëllimet e mia. Fillova të marr disa klasa aktrimi dhe gjuhë personale për t’u përgatitur më së miri në nivelin profesional.Suksesi arrihet me shumë punë, duke punuar fort me orë të vona dhe duke u dashuruar me punën që po bën. Dhe sa herë që fitoj një audicion më bën t’a dua më shumë punën dhe më rrit besimin në aftësitë dhe talentin tim. Nuk i mbaj shpresat te fati, por te puna dhe këmbëngulja ime për të arritur aty ku dua unë të arrij.

–Me cilat projekte po mereni tani?

-Momentalisht marr audicione ose rol direkt nga dy agjensitë më të mëdha në New York. Tani po merrem me audicione të shumta, por konkretisht po punoj për një film, me regjisorin e njohur shqiptar, Dhimitër Ismailaj dhe me aktorin e talentuar Florind Belliu. Film është me metrazh të shkurtër i quajtur “Akuariumi”. Shpresojmë t’a xhirojmë në fillimet e vitit 2018. Do jetë dramë / romancë.

Çfarë ju pëlqen në rolin që po luani në filmin “Akuariumi”? Si lidheni ju me këtë personazh?

–Me pëlqen roli shumë se do jetë ‘back in time’ i një djali me emrin “Laki”, humorist, me ambicje dhe feminist. Më përshtatet shumë në jetën reale. Duke parë se regjisori është shqiptar, shumë i aftë, ka mbaruar studimet në New York për regjisor, po më ndihmon shumë dhe ka goxha besim tek unë. Filmi do dërgohet në 50 festivale, shpresojmë për diçka të mirë!Gjithashtu jam me mikun tim të ngushtë Florind Belliu, i cili me jep këshilla dhe do ketë rol kryesor në këtë film. Ne shpresojmë filmi “Akuariumi” të pëlqehet jashtë Shqipërisë nëpër botë dhe brenda gjithashtu.

–Cili ka qenë filmi më i bukur ku keni marrë pjesë?

-Filmi më i bukur që kam marr pjesë quhet “Buster” i cili nuk është perfunduar ende. Aty luaj rolin kryesor dhe në fund tē këti vitit do dali dhe Preview. Do jetë short movie drama. Kam rolin e “Buster”, një djalë me trauma, me probleme të forta psikologjike. Në këtë rol, ndjesia ime është dhuna dhe çdo ditë vej në dyshim ekszistencën e jetës sime. Kam punuar shumë fort për këtë rol, dhe xhirimet kan vajtur shumë mirë.Filmi tjetër del nē janar të 2018 “Winner winner chicken dinner” short movie i stilit Tarantinos. Kam rolin e “John Kumarxhi” dhe mafjoz; i gjithë filmi ka vetëm një skenë në tavolinën e një Poker game. Kam rol dytësor. Të dy filmat do çohen në festivale në USA.

Çfarë lloje filmash ju pëlqen të jeni pjesë?

-Filmat që më pëlqejnë të marr pjes janë: Drama, Horror, romancë, thriller.  Kam refuzuar edhe shum role si aktor extra pa dialogue sepse nuk dua të jem pjesë e asaj turme dhe pse i respektoj. I vetmi film që kam luajtur si extra është film Hollivudian “The Night Hawks” ku jam pjesë e një skene!

 Çfarë mund të presim nga ju për vitin 2018?

-Viti 2018 më pret me studimet në shkollën më të mirë “Stella Adler” të cilën e kanë mbaruar yjet e kinematografisë Marlon Brandon dhe Robert De Niro. Dhe shpresoj një ditë të jem në nivelin e aktorit tim të preferuar Johnny Depp.  

Filed Under: Interviste Tagged With: aktori Joni Latifi, Ermira Babamusta

Kush është pronari i varrezave greke të Këlcyrës, sot?

December 30, 2017 by dgreca

1 ManastiriNga Arben LLALLA/

Kryeministri Edi Rama ulërin për dënimin e falsifikatorëve të tjetërsimit të pronave, dhe  garanton hedhjen në kundërsulm ndaj grabitësve dhe falsifikatorëve. Është vjedhur prona duke përdorur një lidhje të shkurtër mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor, është çelja e kësaj faze të dytë përmes një operacioni shumë të thellë dhe të suksesshëm të goditjes së çdo akti të falsifikuar që ka prodhuar përmes veprës penale një interes të paligjshëm pasuror dhe një të drejtë tërësisht të falsifikuar mbi pronën. Dhënia fund e të gjithë kësaj historie skandaloze tejzgjatjeje dhe zvarritjeje përmes procedurave ligjore ka si parakusht goditjen e produkteve të veprës kriminale të tjetërsimit të pronës përmes falsifikimit”.

         Duke besuar se vërtetë do dënohen falsifikatorët e tjetërsimit të pronave ne do të ngremë hije dyshimi për ndërtimin e varrezave të ushtarëve grek rënë më 1940 në Shqipërisë, çështje që e ngrenë çdo diplomat dhe politikan grek në takimet me përfaqësuesit shqiptar për përfundimin sa më shpejtë të tre varrezave të ushtarëve grekë, që bashkojnë në një vijë imagjinare të rënësh, Gjirokastrën, Përmetin dhe Korçën. Në takimet dypalëshe grekët ripërsërisin se ekziston një marrëveshje ndërshtetërore për këtë çështje, ratifikuar në Kuvendin e Shqipërisë në vitin 2009, dhe e ricikluar nga Edi Rama në dhjetor 2017 duke shpallur 28 tetorin festë kombëtare shqiptare në nderim të ushtrisë greke. Por Greqia ka festën e saj kombëtare më 28 tetor, të organizohen ceremoni përkujtimore, të udhëhequra madje edhe nga priftërinj ortodoksë të Shqipërisë, por që dinë t’u këndojnë kokallave në greqisht. Aq shumë tregojnë entuziazëm për këtë pikë, sa duket sikur ndarja e ujërave dhe çëshja e pronave çame, kalojnë në hije, sikur nuk kanë diskutuar asnjëherë diplomatët dhe politikanët e dy vendeve.

Po t’i kthehemi angazhimeve të plota të palës shqiptare për të mos ua prishur dëshirat, miqve ngjittonë-fqinjë, nuk mund të mos bënim përballjen e dokumenteve me realitetin. Ndaj detyrohemi ta ngremë fuqishëm zërin, për një padrejtësi tjetër, që është bërë në kurriz të pronave që i përkasin popullit shqiptar. Dhe nuk do flasim aspak për mënyrën si u bënë zhvarrimet, apo për priftin Thomollari, që shpërtheu vite më parë, një bombë të atillë skandali që në KOASH edhe sot ia dëgjojnë gjëmën. Jo, do të flasim për një problematikë të re, që ndoshta nuk është kapur si duhet deri tani, fjala është për kishën e Shën Kollin të Grykës.

Kur në VKM, flitet për shpronësim të trojeve ku do ndërtohen varrezat dhe një nga këto vendprehje është ndërtuar pikërisht në kishën e Shën Kollit të Grykës, atëherë sipas marrëveshjes, kjo pronë është shpronësuar. Pra, i është marrë Kishës Autoqefale të Shqipërisë dhe nuk dihet kujt i është dhënë. Sipas kësaj marrëveshje kisha e Shën Kolli të Grykës, nuk i përket më shqiptarëve, por ka ndërruar pronar dhe destinacion.

Siç tregojnë të moshuarit që banojnë në ato anë, kjo kishë është ndërtuar me paratë e çobenëve të zonës, të cilët po me të hollat e tyre kanë blerë dhe truallin ku është ndërtuar faltorja, dhe me shumë mundësi, sot, as ndërtuesit e kësaj kishe, blerës të truallit dhe ndërtues të kishës, por edhe pasardhësit e tyre dhe banorët e Këlcyrës, me shumë pak gjasa e dinë që ai vend, jo vetëm ka ndërruar qëllim, por me shumë mundësi edhe pronarin. Nëse kjo është e vërtetë dhe nëse kisha e Shën Kollit nuk është më pronë e Bashkësisë Ortodokse të Shqipërisë, kemi të bëjmë me një skandal dhe vjedhje prone të padëgjuar më parë në Shqipëri. (Marrëveshjet nuk citojnë se cili subjekt është pronar dhe kujdestar i këtyre mauzoleumeve pas shpronësimit).

Të moshuarit në Këlcyrë thonë se kur kalonin automjetet aty pranë e përshëndesnin me bori vendin e shenjtë, këmbësorët ndaleshin për tu lutur. Dikur aty fëmijët e zonës kalonin pushimet në kampe verore në Manastir, por sot, gjithë ato gropa të hapura e varre të zbrazura dhe kutitë metalike me eshtra që mbushin kishën, ua shtrëngojnë zemrat e i mbushin me një ndjenjë trishtimi, pasi themeluesit dhe ndërtuesit e kësaj kishe, janë nëpërkëmbur, sepse kur e ngritën kishën e tyre, në asnjë rast nuk kishin si qëllim ta kthenin atë vend në varrezë, madje po të ishin ende gjallë do protestonin fort e do kërkonin llogari nga autoritetet e KOASH-it, sepse ua kanë rrëmbyer atë kishë qe e ndërtuan me gjakun dhe kursimet e tyre.

Ndaj pyesim: A mund të na sqarojë dikush opinionin publik, se kush është pronari i varrezave greke të Këlcyrës, sot? A është akoma KOASH-i që i administron pronat e Bashkësisë Ortodokse në Shqipërisë, në rastin në fjalë është bërë shpronësimi? Nëse është shpronësuar e ka shitur apo e ka dhuruar pronën Greqisë? Në të dyja rastet me ç‘të drejtë e ka bërë këtë dhe me vendim të cilit organ apo autoriteti kishtar? Por edhe nëse e ka akoma si pronë, kush ua jep këtë të drejtë të tjetërsimit arbitrar të pronave kishtare, Sinodit, apo Kryepeshkopit që janë kujdestarë të përkohshëm të KOASH-it dhe do të zëvendësohen nga të tjerë, siç na mëson historia kishtare? Kjo do të jetë sërish paradoksale, nëse është akoma KOASH-i pronar. Ç’punë ka dhe mbi cilën traditë, një Kishë Ortodokse Autoqefale mund të administrojë apo mirëmbajë një varrezë ushtarake të një vendi tjetër? Prandaj askush nuk mund të bëjë ç‘të dojë më Kishën Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë që është pronë kombëtare dhe trashëgimi e gjithë shqiptarëve, as priftërinjtë, as peshkopët e as Kryepeshkopi. Pronarë dhe kujdestarë të kishave është populli që i ndërtoi dhe askush nuk mund t’ia rrëmbejë atij, për t’i bërë dhurata për qoka, e për të përfituar favore.

Nëse ortodoksët e asaj zone, kanë blerë një truall dhe kanë ndërtuar një kishë për t’u falur, cili ka të drejtë pas kaq vjetësh t’ua rrëmbejë atë pronë dhe ta kthejë në varrezë? Nuk mundet që një grusht njerëzish apo më keq, një i vetëm që ka ardhur si misionar me qëllimin që ta krishtërizojë këtë popull, t’i rrëmbejë atij pronat e t’i dhurojë sa majtas djathtas. Shpresojmë që të paktën KOASH-i të mos ta ketë shitur kishën e Grykës së Këlcyrës, apo më keq të mos ta ketë falur atë, por nën ndonjë presion ekonomik a politik, të jetë detyruar t’i japë në përdorim këto prona, me gjithë peshën e përgjegjësisë historike që mbart, duke i kthyer nga faltore gjigande shpirtërore ku njerëzit luteshin e gjenin shërim, në varreza gjigande ushtarësh. Në çdo rast, ky veprim arbitrar i një Kryepeshkopit Anastasios që për më tepër është një ish-oficerë i zbulim dhe kundërzbulimit ushtar grek, përbën një skandal gjigant e kërkon sqarim dhe hetim. Ortodoksët në Shqipëri duhet të dinë se kush ua trajton pronat si t’i ketë të trashëguara nga babai, e jo sikur t’ia kenë besuar për t’i ruajtur e për t’ia kaluar ato të pacënuara, brezave që do e pasojnë.

Nëse KOASH-i do ishte i detyruar për ndonjë përfitim a mbështetje për mbijetesë, le t’ia kalonte ndonjë pronë, me qera a koncension, por kurrsesi kishën pa asnjë kriter për përdorim ideologjik, tek një shtet tjetër. Lusim Zotin që të mos jetë bërë e njëjta gjë në Gjirokastër dhe Korçë, pra që të jenë falur e tjetërsuar kisha të tjera të shqiptarëve, pasi skandali do t’a kalonte çdo masë të përfytyrueshme. Kryepeshkop Anastasi me kopenë e tij nuk ka të drejtë t’u rrëmbejë pronat shqiptarëve dhe t’ua japë grekëve për varre.

E keqja më e vogël do të ishte që të ishte ndërtuar vetëm një mauzoleum përkujtimor, në pronë të blerë ligjërisht dhe jo në truall kishtarë, nëse është falur trualli kishtar, ato tashmë konsiderohen të humbura dhe të pushtuara, pa të drejtë rikthimi. Kjo ngjarje kërkon hetim dhe sqarim, si nga organet tona kompetente, pasi ne nuk mund të lëmë askënd që trashëgiminë tonë kombëtare kulturore të na e kalojnë tek një komb tjetër, si dhe nga brenda Bashkësisë Ortodoksët Shqiptarë duhet të kërkojnë llogari për rrëmbimin e pronave të blera me gjakun e të parëve tanë.

Prandaj, Kryepeshkop Anastasi nëse nuk i lenë trajtimet intensive me fizioterapi që po merr në atdheun e tij, për të rigjetur ekuilibrin dhe forcat e humbura për të vazhduar detyrën, detyrë që duket se ka dritëhijet e veta, ndoshta ai duhet ta sqarojë edhe njëherë pozicionin e tij, mirë kësaj here, sepse historia e thotë mendimin e saj bazuar në dokumente dhe fakte, kur pashmangshmërisht figura e tij është për t’u marrë në studim, qëllimi dhe roli në Shqipëri.

Filed Under: Opinion Tagged With: arben llalla, i varrezave greke, Kush është pronari, sot, të Këlcyrës

2018, viti i dhjetëvjetorit të parë të shtetësisë së Republikës së Kosovës

December 30, 2017 by dgreca

1 Behlul Hashim Shkruan: Hashim Thaçi/

Jemi në prag të festës së fundvitit dhe të gjithë mirëpresim momentin që të mblidhemi në familjet tona, me miqtë më të mirë për të ngritur nga një dolli. Unë dua që ju t’i mbushni gotat tuaja, duke uruar për më shumë mbarësi në vitin që po vjen. Në këtë kohë të ndërrimit të moteve, kur për disa momente pushojmë pak, të rrethuar nga më të dashurit tanë dhe të larguar nga përditshmëria, të gjithë e gjejmë veten në një kohë të reflektimit. Prandaj, edhe unë dua të ndaj me ju disa momente reflektimi për vitin që po lëmë pas dhe vitin e ri 2018.

1 Hashimi

Dy ngjarje nga viti 2017, njëra në fillim dhe tjetra në fund, janë pasqyrë e gamës së gjerë të ngjarjeve që e kanë karakterizuar këtë vit që po lëmë pas. Në janar u përballëm me një provokim irritues dhe irracional me nisjen e trenit me parulla nacionaliste nga Beogradi në drejtim të Kosovës, i cili nuk e arriti cakun, por gjithsesi shërbeu si një rikujtim i brishtësisë së paqes dhe stabilitetit. Ndërsa, krejt në fund të vitit, në pjesën e dytë të dhjetorit 2017, erdhi lajmi i mrekullueshëm i nënshkrimit të marrëveshjes për një nga investimet e huaja direkte më të mëdha në Kosovë dhe rajon. Kompania amerikane “Countour Global” do të investojë me një shumë prej 1.3 miliard euro në projektin e termocentralit “Kosova e Re”, dhe do të hapë 10.000 vende të reja të punës.

 Ndërmjet këtyre dy ngjarjeve kemi pasur një vit të plotë me peripeci nga më të ndryshmet.Asnjë përshkrim i periudhës të së kaluarës sonë të afërme nuk do të ishte as përafërsisht i saktë nëse nuk thuhet qartë se kemi përjetuar disa momente jo të lehta në rrafshin politik. Përveç zgjedhjeve lokale të parapara, ne u përballëm edhe me zgjedhje të përgjithshme të parakohshme. Unë jam i lumtur për faktin që sivjet kemi pasur dy palë zgjedhje, të cilat kanë qenë të organizuara mirë, të lira dhe demokratike. Por, kjo nuk e mohon faktin se përsëri kemi pasur vazhdim të përçarjeve të brendshme, përshkallëzim të retorikës, e cila më së paku i shërben qytetarit dhe interesit shtetëror. Disa mund të thoshin se këto janë “dhimbjet e rritës”, të rritjes sonë si shtet dhe si një shoqëri demokratike. Por, kjo rritje duhet të përcillet me pjekuri. Kosova nuk e ka luksin të shpenzojë energji e kohë në debate të pafundme rreth emrave të përveçëm, personaliteteve, partive, rrymave, grupeve të ndryshme të interesit, etj. Kosova nuk ka mungesë të problemeve e temave jetike që të humbim edhe një vit për betejat e vogla të brendshme. Ky vit do të mbahet mend më shumë për atë se jemi marrë shumë me vetveten, por jo në mënyrë konstruktive. Nuk e përjashtoj se kjo mund të jetë e influencuar edhe nga faktorë të jashtëm, por, rezultati dhe përgjegjësia na mbesin ne.     

Para vetes kemi një vit të rëndësishëm. Është viti kur do të shënojmë dhjetëvjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës. Një dekadë shtetësi duhet të paraqes një mundësi të jashtëzakonshme. Ne duhet të jemi të fokusuar në interesin tonë shtetëror të përbashkët dhe t’i qëndrojmë besnik qëllimit tonë të konsolidimit të shtetit dhe të përfundimit të detyrës sonë të përbashkët të forcimit të funksionit të shtetit, përmirësimit të kushteve të jetesës së qytetarit, përmirësimit të pozitës së vendit tonë të rajon dhe botë. E them nga vetë përvoja ime jetësore, bazuar edhe në karrierën politike të mbushur me ballafaqime e vështirësi të shumta, se vetëm vizioni, puna ekipore, vetëbesimi, përgatitja, morali, përkushtimi dhe qëndrimi besnik ndaj qëllimit përfundimtar na  nxjerr në pozitë të volitshme.

Nuk do të ketë festim më të denjë të dekadës së parë të shtetësisë se dhënia fund e paqartësive të brendshme, përmbushja e obligimeve ndërkombëtare dhe rrjedhimisht përfundimi i izolimit, duke përfituar nga liberalizimi i vizave. Duhet ta përfundojmë punën e mbetur për përfundimin e procesit të reformës zgjedhore, avancimin në punën e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin, themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës dhe përfundimin e fazës së fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përmes njohjes së ndërsjellë dhe përfundimit të pengesave bilaterale në procesin e anëtarësimit në BE dhe NATO.

Të gjitha këto veprime do të rezultojnë në një përshpejtim të zhvillimit të mëtutjeshëm politik e ekonomik dhe do të ndikojnë në përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve tanë. Si rrjedhojë, do të hapen rrugët për përmbushjen e standardeve evropiane në të gjitha fushat relevante, sepse qëllimi ynë strategjik është anëtarësimi në BE dhe NATO. Standardet e BE-së, por edhe kërkesat e procesit të anëtarësimit në NATO, kanë qenë pjesë organike e çdo hapi në shtetndërtimin e vendit tonë.

Fokusi duhet të jetë tek detyrat tona të përbashkëta të ndërlidhura me zhvillimin politik, konsolidimin e mëtutjeshëm të institucioneve, vazhdimin e reformës së administratës publike, reformat e mëtutjeshme në gjyqësor dhe tek përforcimi i sundimit të ligjit. Po ashtu, duhet çuar më tej reformat në qeverisjen ekonomike dhe reformat tjera strukturore në përputhje me kriteret ekonomike të BE-së, përkatësisht për të siguruar një ekonomi të tregut të lirë që është në gjendje të përballojë presionet konkurruese të tregut të vetëm të BE-së. Ne duhet edhe më tej të punojmë drejt krijimit të kushteve ekonomike për të rritur produktet dhe eksportet tona, për të tërhequr investime të huaja dhe për të integruar bizneset e Kosovës në tregjet ndërkombëtare. Në këtë drejtim kemi pasur edhe suksese, dhe këtë e dëshmon edhe raporti i Bankës Botërore i të Bërit Biznes, që doli së fundmi në të cilin Kosova shënoi një përmirësim të ndjeshëm në renditje, nga vendi i 60-të në atë të 40-të. Por, të mos harrojmë, ende kemi dobësi që duhen eliminuar. Ende kemi probleme me ekonominë joformale dhe mbledhjen e të ardhurave, që ndikojnë në financat tona publike. Niveli i inovacionit dhe cilësia arsimore duhet të përmirësohen. Nuk duhet harruar që Kosova ende vazhdon të ketë një shkallë të lartë të papunësisë, që mund të zbutet dukshëm nëse me seriozitet i qasemi së bashku reformave të nevojshme. 

Shpesh ndjehemi të zhgënjyer që procesi i integrimit evropian nuk është më i shpejtë. Vonesat po krijojnë hapësirë për aktorët tjerë të cilët përpiqen të cenojnë vlerat tona civilizuese perëndimore. Në këtë situatë, ne nuk kemi ndonjë dilemë apo alternativë. Ka përfunduar koha e hamendjeve. Gjithçka është e qartë se si do të arrihet ky qëllim. Porositë për këtë temë nga Brukseli dhe kryeqytetet e të gjithë aleatëve të shtetit tonë janë të qarta dhe ne duhet t’i ndërmarrim hapat tanë. 

 Prandaj, uroj që të gjithë së bashku të gjejmë energjinë që të përballemi me të gjitha këto tema të rëndësishme. Nga dita e fundit e vitit që lëmë pas, në ditën e parë të vitit të ri, jemi të njëjtit njerëz, me po të njëjtin fat, me të njëjtat mundësi e sfida para vetes. Por, e mira është që ne vetë jemi ata që e kemi mundësinë t’i ndryshojmë gjërat për të mirë. Prandaj, uroj që secili qytetar, ne bashkë si shoqëri, të punojmë sa më shumë që në vitin që vjen, t’i influencojmë gjërat pozitivisht në vetvete në rrethin tonë dhe për shtetin tonë.

Filed Under: Politike Tagged With: Mesazhi per, Presidenti Thaçi, Viti i Ri 2018

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT