• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2018

PARASHIKIMI-KU PO SHKON BOTA?

January 24, 2018 by dgreca

1-Gezim-Llojdia-240x300

Nga Gëzim Llojdia/

 1.Besohet se gruaja misterioze nga Bullgaria, profetesha e verbër Baba Vanga ,pak përpara vdekjes së saj në të cilën ajo parashikoi “shumë trupa të vdekur”. Nga 58 parashikimet e Baba Vanga, vetëm 22 prej tyre do te ndodhin thonë të tjerë. Mjafton të shikojmë vitet 2010,2011,2014,2016 kur ne jemi gjallë dhe jetojmë ndërsa profetesha Vangeliya Pandeva Dimitrova  (dhe pas martese  Vangelia Gushterova) lindur  më (31 Januar 1911 – 11 gusht 1996), , ishte një mistike e verbër bullgare, shikuese dhe herbaliste, e  cila e  kaloi pjesën më të madhe të jetës në zonën e Rupitit në malet Kozhuh në Bullgari. Miliona njerëz në mbarë botën besonin se ajo zotëronte aftësi paranormale. Në shumë mediumet janë vënë alarme duke njohur aftësitë e saja parashikuese  ngase një pjesë e e tyre kishin ndodhur  dhe për parashikimet deri në fund të botës të profeteshës  bullgare të verbër, që  jetoi në Ballkan, në shekullin e XX.

Në fakt ajo humbi shikimin kur ajo ishte vetëm 12 vjeçe, gjë që të bënë të besosh se jeta e saj prej mistike rridhte nën errësirën e syve,por me ndriçim të dritës së shpirtit. Pasi u zhduk nga një stuhi, vajza e re mbijetoi dhe u gjet e mbuluar me pluhur dhe gurë,thuhet për jetëshkrimin e mistikes Baba Vanga. Gruaja misterioze nga Bullgaria që u bë profetesha e shekullit të 20-të shkruan, Wilk Vatroslawski.

Anatoli Lyubchenko një biznesmen ukrainas, tha  se biseda që kishte bërë me profeteshën e verbër bullgare Baba Vanga ,pak përpara vdekjes së saj në të cilën ajo parashikon “shumë trupa të vdekur”. Vangelija Gušterova emri i saj i vërtetë, por i njohur në mbarë botën si Baba Vanga,i  zbuloi Lyubchenkos këto detaje për të ardhmen tonë të afërt, për të cilën ne mund të kemi preferuar, që ato të  ndaheshin me ne. Sipas saj, bota po pret një përmbytje të madhe e cila do të mbajë një “lumë të kufomave”. Përmbytjet e shumëfishta në mbarë botën do të ndodhin pas shkrirjes së borës dhe kur kalon fatkeqësia dhe ne mendojmë se jemi të sigurt, duke pritur për ferrin tonë edhe më të madh. Ajo parashikoi një sëmundje të lëkurës, një epidemi, që supozohet të jetë më e rrezikshme sesa AIDS.

Vanga supozohet se ka gjetur kohë  vdekjen e Princeshës Diana, Hitlerit dhe Stalinit, sulmi ndaj Qendrës Botërore të Tregtisë së Nju Jorkut, rënia e BRSS, data e vdekjes së mbretit bullgar Boris III dhe data e vdekjes së saj.

2.Ja parashikimet që ka bërë Baba Vanga:

2010: Lufta e 3 Botërore fillon në nëntor 2010. Duke filluar si një luftë e rregullt, ajo do të përparojë në një luftë bërthamore dhe kimike. Vanga thotë se lufta do të përfundojë deri në tetor 2014.(?)

2011: Si rezultat i luftës, dushet radioaktive do të shkatërrojnë pothuajse të gjithë jetën në hemisferën veriore. Evropianët e mbetur do të përballen me një kërcënim edhe më të madh nga muslimanët të cilët do të përdorin armë kimike për t’i përfunduar ato.(?)

2014: Si një rezultat tjetër i kimikateve dhe armëve bërthamore gjatë luftës, shumica e popullsisë botërore do të ketë kancer të lëkurës dhe sëmundje të tjera të lëkurës.(?)

2016: Europa është pothuajse e pabanuar.(?)

2023: Orbita e Tokës do të ndryshojë.

2028: Do të gjendet një burim i ri energjie. Uria është tejkaluar. Një fluturim me njerëz do të largohet për në Venus.

2033: Nivelet e ujit në botë do të rriten kur kapakët polare të akullt të shkrihen.

2043: Ekonomia është e mirë. Muslimanët do të udhëheqin Evropën.

2046: Të gjitha organet trupore mund të riprodhohen, duke u bërë metoda më e lehtë dhe më e popullarizuar e trajtimit.

2066: Shtetet e Bashkuara përdorin një armë të re që ndryshon klimën (“The Sharp Cooling-Freezin Instant”) në Romën e kontrolluar nga myslimanët.

2084: Natyra rilind. (??)

2088: Një sëmundje e re ju bën të rriteni në sekonda.

2097: Sëmundja e plakjes së shpejtë është shëruar.

2100: Dielli i bërë nga njeriu është duke ndriçuar anën e errët të planetit.

2123: Luftërat midis vendeve të vogla. Vendet e mëdha qëndrojnë jashtë saj.

2125 Do të pranoj: Sinjalet nga Hapësira.

2130: Me ndihmën e të huajve, qytetërimet do të jetojnë nën ujë.

2164: Kafshët do kthenë gjysmë njerëzor.

2167: Një fe e re.

2170: Thatësira të mëdha.

2183: Një koloni në Mars do të bëhet një fuqi bërthamore dhe do të kërkojë pavarësi nga Toka.

 2187: 2 shpërthime të mëdha vullkanike do të ndalen me sukses.

2195: Kolonitë e detit do të kenë energji dhe ushqim.

2196: Aziatikët dhe evropianët do të jenë të përzier plotësisht.

2201: Temperaturat bien ndërsa proceset termonukleare të diellit ngadalësohen.

2221: Në kërkim të jetës jashtë-tokësore, njerëzit do të vijnë në kontakt me diçka të tmerrshme.

2256: Një anije kozmike do të sjellë një sëmundje të re në Tokë.

2262: Planetet do të ndryshojnë ngadalë orbitat. Marsi do të kërcënohet nga një kometë.

2271: Ligjet e fizikës do të ndryshohen.

2273: Gara të bardha, të zeza dhe të verdha do të formojnë një garë të re.

2279: Fuqia do të merret nga asgjëja. (Ndoshta një vakum ose një vrimë e zezë.)

2288: Udhëtimi i mundshëm i kohës dhe kontakti i huaj.

2291: Dielli ftohet .Përpjekjet do të bëhen për ta bërë atë të nxehtë përsëri.

2296: Shpërthime të forta në diell. Forcat e gravitetit do të ndryshojnë. Stacionet e vjetra të hapësirës dhe satelitët do të bien.

2299: Në Francë, një lëvizje rezistencë do të ngrihet kundër Islamit.

2302: Ligjet dhe sekretet e rëndësishme të universit janë zbuluar.

2304: Sekretet e Hënës janë zbuluar gjithashtu.

2341: Diçka e tmerrshme do të afrohet me Tokën nga Hapësira.

2354: Një aksident në diell artificial do të rezultojë në thatësira.

2371: Uria e botës.

2378: Një garë e re dhe në rritje të shpejtë.

2480: 2 dielli artificiale (të bëra nga njeriu) do të përplasen dhe do të largohen nga Toka në errësirë.

3005: Një luftë në Mars do të ndryshojë trajektoren e planetit.

3010: Një kometë do të godasë hënën. Toka do të rrethohet nga një unazë prej guri dhe hiri.

3797: Në këtë kohë, çdo gjë në Tokë do të vdesë. Megjithatë, qytetërimi njerëzor do të përparojë sa duhet për të kaluar në një sistem të ri yjesh.

3803: Një planet i ri është i populluar nga pak. Më pak kontakte mes njerëzve. Planeti i ri i klimës ndikon në organizmat e njerëzve – ata ndryshojnë.

3805: Lufta midis njerëzve për burime. Më shumë se gjysma e njerëzve do vdes.

3815: Lufta ka mbaruar.

3854: Zhvillimi i qytetërimit praktikisht ndalet. Njerëzit jetojnë si tufë si kafshë.

3871: Profeti i ri u tregon njerëzve vlerat morale, fenë.

3874: Profeti i ri merr mbështetje nga të gjitha segmentet e popullsisë. Organizon një kishë të re.

3878: Së bashku me Kishën për të ri-trajnuar njerëzit e rinj për të harruar shkencat.

4302: Qytete të reja po rriten në botë. Kisha e re inkurajon zhvillimin e teknologjisë së re dhe shkencës.

4302: Zhvillimi i shkencës. Shkencëtarët zbuluan në ndikimin e përgjithshëm të të gjitha sëmundjeve në sjelljen e organizmit.

4304: Gjetur një mënyrë për të fituar ndonjë sëmundje.

4308: Për shkak të mutacioneve njerëzit në fillim të fundit për të përdorur trurin e tyre më shumë se 34%. Plotësisht humbin nocionin e së keqes dhe urrejtjes.

4509: Njohja e Perëndisë. Njeriu në fund është arritur në  një nivel të tillë zhvillimi që mund të komunikojë me Perëndinë.

4599: Njerëzit arrijnë pavdekësinë.

4674: Zhvillimi i qytetërimit ka arritur kulmin e saj. Numri i njerëzve që jetojnë në planete të ndryshme është rreth 340 miliardë. Asimilimi fillon me të huajt.

5076: Një kufi universi. Me këtë, askush nuk e di.

5078: Vendimi për të lënë kufijtë e universit. Ndërsa rreth 40 për qind e popullsisë është kundër tij.

5079: Fundi i Botës.

3.Besohet se nga 58 parashikimet e Baba Vanga vetëm 22 prej tyre do te ndodhin.Ja cilat do të jenë ato:

2023: Orbita e Tokës do të ndryshojë.

2028: Do të gjendet një burim i ri energjie. Uria është tejkaluar. Një fluturim me njerëz do të largohet për në Venus.

2033: Nivelet e ujit në botë do të rriten kur kapakët polare të akullt të shkrihen.

2046: Të gjitha organet trupore mund të riprodhohen, duke u bërë metoda më e lehtë dhe më e popullarizuar e trajtimit.

2084: Natyra rilind. (??)

2097: Sëmundja e plakjes së shpejtë është shëruar.

2100: Dielli i bërë nga njeriu është duke ndriçuar anën e errët të planetit.

2125 Do të pranohen: Sinjalet nga Hapësirën.

2167: Një fe e re.

2187: 2 shpërthime të mëdha vullkanike do të ndalen me sukses.

2196: Aziatikët dhe evropianët do të jenë të përzier plotësisht.

2262: Planetet do të ndryshojnë ngadalë orbitat. Marsi do të kërcënohet nga një kometë.

2271: Ligjet e fizikës do të ndryshohen.

2288: Udhëtimi i mundshëm i kohës dhe kontakti i huaj.

2296: Shpërthime të forta në diell. Forcat e gravitetit do të ndryshojnë. Stacionet e vjetra të hapësirës dhe satelitët do të bien.

2302: Ligjet dhe sekretet e rëndësishme të universit janë zbuluar.

2304: Sekretet e Hënës janë zbuluar gjithashtu.

2378: Një garë e re dhe në rritje të shpejtë.

3005: Një luftë në Mars do të ndryshojë trajektoren e planetit.

4302: Qytete të reja po rriten në botë.

4302: Zhvillimi i shkencës. Shkencëtarët zbuluan në ndikimin e përgjithshëm të të gjitha sëmundjeve në sjelljen e organizmit.

4509: Njohja e Perëndisë. Njeriu në fund është arritur në  një nivel të tillë zhvillimi që mund të komunikojë me Perëndinë.

Filed Under: Komente Tagged With: Gezim Llojdia, KU PO SHKON BOTA?

Një zë kundër harrimit

January 24, 2018 by dgreca

Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK)  ka gati botimin e Albumit narrativ “Një si mijëra familjet e tjera” të autorit Musa Çapani, një i mbijetuar i kampeve të internimeve komuniste që në mituri e deri në rënien e diktaturës, të shoqëruar me parathënien e shkrimtarit Agron Tufa/

Agroni-tufa

Nga Agron Tufa/ Z.Musa Çapani e ndesha gjatë një aktiviteti përkujtimor në kampin famëkeq të shfarosjes në Tepelenë. Ishte një zotëri i heshtur, shtatmesatar, mbi të shtatëdhjetat, i pabujë e i pavënë re; shkurt, nga ata që nuk luftojnë të dalin në pah në radhët e para. E veçanta e tij ishte një buzëqeshje e plotë dhe e gjerë që të falet gjer në fund të shpirtit, gjithë familjaritet. Më tha se donte të më takonte në Institut për të biseduar diçka. Kur të mundesh, i thashë. Mendova se interesohet për ndonjë të afërm të dënuar, të cilin nuk e ka gjetur në germat e “Fjalorit Enciklopedik të Viktimave të Terrorit Komunist”. Andaj këtë prisja të më thotë kur erdhi në zyrë. Por jo. Bëhej fjalë për një seri portretesh e skicash, peizazhesh e vizatimesh nga kampe të ndryshme të “telave me gjemba”, e mandej për kampe të tjera internimi me punë të detyruar anekënd Shqipërisë komuniste.

Në bisedë e sipër, duke kundruar këto vizatime e portrete bashkëvuajtësish të kohës, kuptova se kisha të bëj me një dëshmitar të përhershëm të atyre realeve të trishta kampesh, me një përjetues nga brenda tyre, i cili i ka përcjellë me dekada të gjata ato pamje të zymta, në fillim me sytë shastisur të një fëmije, e mandej me sytë e adoleshentit, të djaloshit dhe të burrit të pjekur. Një kalvar i gjatë e i pasosur i vetvetes, familjes dhe familjeve të tjera.

Edhe në ferrin komunist të internimeve e degdisjeve fati ruan surpriza: fëmija i internuar ishte i pajisur me dhuntinë e kujtesës vizuale dhe mbresimit të saj në letër, përmes skicimeve, vizatimeve e pikturimit. Për fat të mire, lapsi e peneli i tij vazhdoi t’i mbresonte thjesht, në letër, këto pamje e portrete bashkëvuajtësish, për të mos ia lënë harrimit gjithëpërpirës. E sot këto mbresa përbëjnë dëshmi të rralla, madje unikale, në kushtet kur kanë mbërritur kujtimet për atë topografi të dhimbshme lotësh e vuajtjesh nga kampet e hershme me “telat me gjemba”, por që prej tyre sot nuk ka mbetur më shenjë e as gur mbi gur. Ne nuk e dinim se si ishin këto kampe, por falë dëshmive të fëmijës-djaloshit-burrit Musa Çapani, ato i jepen lexuesit për herë të parë, duke na përafruar sadopak me shembëlltyrën e atyre kampeve.

Përpos këtyre, krijimtaria e lapsit dhe penelit të Çapanit (i cili e quan veten, modestisht, “amator”), bashkëshoqërohet në këtë album edhe me një narrativë memuaristike, që i ilustron dhe i shpjegon këto pamje e portrete. Përftohet kështu një panoramë kuptimore, antropologjikisht e imagjinueshme se si kanë funksionuar kampet komuniste të internimit, si kanë regëtirë fatet njerëzore të braktisura në udhëkryqet e atdheut, me fëmijë të vegjël, pa prindër, pa shtëpi e strehë, të hedhur nga karroceritë e kamionëve nëpër sheshet e qyteteve e fshatrave nga qenë dëbuar. Një akt i papërshkrueshëm mizorie e moskokëçarjeje, sikundër e shohim në fragmentin e mëposhtëm:

Ushqimi vazhdonte me kazan, buka shpërndahej një herë në ditë dhe supa kryesisht ishte me koloniale, mbeturina të ardhura nga depot e ushtrisë sovjetike dhe më së shumti me bathë foragjere që ishte kulturë kryesore për fermën e lopëve të ngritur para viteve ’40 në Kamëz. Gjella e kazanit ishte një lëtyrë e shpifur, që edhe pa e provuar të përzjehej, e megjithatë ishte i vetmi ushqim që mbante gjallë trupat kufoma, të drobitur nga kequshqyerja dhe veshja e pamjaftueshme. Dimri 1951-52 me urinë dhe epidemitë e herëpashershme i përgjysmoi fëmijët dhe pleqtë e kampit.

Fuqia punëtore, gra dhe vajza të rritura, ishte e angazhuar në Fabrikën e Tullave dhe pjesërisht në punë bujqësore në fermë.

Fundi i vitit 1951 ishte fatkeqësia më e madhe që u ndodhi familjeve të internuara në kampet e Kamzës. Me një vendim ogurzi të Ministrisë së Brendshme të gjitha familjet u ndanë në tre pjesë:

Fëmijët e moshës 5-13 vjeç u liruan dhe forcërisht të hipur në karroceri makinash e të shoqëruar me 2-3 policë, u nisën në drejtim të vendlindjes. Në atë mes dimri të egër e të uritshëm, u përplasën në sheshet e qyteteve e lokaliteteve nga ishin internuar dhe u lanë në mëshirë të fatit, në mes të katër rrugëve pa prindër, pa strehë e pa ushqim.

Pleqtë e plakat, të paaftë për punë e të sëmurë, u ngarkuan nëpër makina e u nisën drejt Kampit të Tepelenës.

Të aftët për punë, mes tyre dhe nënat e reja së bashku me fëmijët e gjirit, u lanë përkohësisht aty derisa me një urdhër të dytë, pas 6 muajsh, u nisën drejt Kampit të Paprit për t’u marrë me punë bujqësore në kodrat e këtij fshati dhe në fushat e Cërrikut.

Këtë fat të keq patën gjithë familjet. Po e ilustroj këtë me fatin e familjes Çapani, e cila u nda në këtë mënyrë: 4 fëmijë të moshës deri në 13 vjeç, u nisën drejt Leskovikut; gjyshet u nisën drejt kampit të Tepelenës; kryefamiljarja Enveria, së bashku me djalin e vogël 3 vjeç, ngeli në Kodër Kamëz.

Për herë të parë, në sajë të këtij albumi me pamje e portrete, ne kemi mundësinë, falë lapsit e penelit të Musa Çapanit, të perceptojmë vizualisht, se si kanë qenë një sërë kampesh të komunizmit, që nga ato me “tela me gjemba”, deri tek ato të mëvonshmit nga Vlora, Fieri e Lushnja. Deri më tash nuk kemi pasur asnjë dokument pamor (foto apo vizatime) nga kampet e Kamzës (“Kampi i Mesit”; “Kampi Poshtë”; “Kampi Lart”; “Kodër-Kamzë”; “Kampi te Kodra e Beut” në Paskuqan), por tani ato i kemi për here të parë të vizualizuar me sytë e një fëmije të talentuar që gjendej brenda tyre.

Vizatimet e tjera, si ato të kampit famëkeq të Tepelenës e të Porto Palermos, kanë përsëri një rëndësi të jashtëzakonshme, sepse vijnë si dëshmia e dytë vizuale, pas atyre që ka sjellë piktori ish-i internuar Lekë Pervizi, të botuara tashmë nga Instituti ynë në albumin “Në rrathët e Ferrit” (ISKK, 2014). Janë të njëjtat reale pothuaj, me të cilat Musa Çapani përforcon vizualisht ato pamje e mjedise të trishta që sjell Lekë Pervizi.

Në një seri vizatimesh, skicash e portretesh dalin përsëri kampe të tjera, si ai i Paprit në Elbasan, i Petes në Vlorë, i Ngurës, i Gjazës dhe i Kryekuqit në Lushnjë, për të cilët nuk ekzistonte më parë asnjë dëshmi pamore. Kampet e tjera të internimi, të Plugut, Grabianit, Çermës e Savrës – përsëdytin sërish, me të veçantën autoriale të Çapanit ato pamje, portrete e realitete që i kemi ndeshur edhe tek Lekë Pervizi.

Libri “Një si mijëra familjet e tjera”, i konceptuar si një album narrativ, ka një vlerë të pazëvendësueshme në cilësinë e guidës pamore, rrëfimore e meditative për kalvarin e familjeve të internuara. Ne vetëm se mund të hamendësojmë mbi përditshmërinë e rëndë e të privuar nga çdo lloj gëzimi e shprese, për perspektivën e zymtë e shtypëse të fateve individuale brenda këtyre kampeve të punës së rëndë, deri në shfytyrim. Sigurisht, na ndihmojnë shumë në këtë drejtim dëshmitë e shkruara memuaristike të atyre që ia dolën “me rrnue e me tregue”, sikundër janë memuaret e Lekë Pervizit, Fatbardha Mulletit, Dine Dines, apo ditari i mrekullueshëm e lapidar i Lekë Tasit “Grabiani mes kodrash”. Edhe autori i këtij libri-album, Musa Çapani ka shtjelluar memuaret e veta në librin “Jetë apo dhembje” (Tiranë, 2001). Madje në këtë libër ne mund t’i përafrohemi një gjendjeje konstante të të vetëndjerit në përditshmërinë e internimit, nëse i referohemi njërës nga poezitë e Musa Çapanit me titull “GRI…”:

Qielli i rimët me horizonte gri,

Toka pa bimë, ujë e baltë gri,

Rreth e qark mjegull, heshtje, qetësi,

I ftohtë, bezdisës, shi e vetëm shi.

Në trupin e cfilitur, kapitëse dhimbja rri

Në shpirtin e harruar, brengë e mërzi.

Po si do ta mposhtim dhimbjen, si?!

Ku është agimi që do çjerrë terrin e zi?!…

Grabian, 1985

Albumi pamor e memuaristik i ish-të internuarit Musa Çapani, me pamjet, panoramat, portretet e tablotë e mbijetuara,jo vetëm shpëtoi, për fat të mirë, tok me vetveten, nga harrimi i kampeve të përqendrimit dhe internimit, por shtron sërish para shtetit shqiptar apelin për t’u zgjuar nga mefshtësia e amnezisë së përgjithshme dhe për t’i shënuar në harta memoriale të gjitha burgjet dhe kampet e internimit anembanë Shqipërisë. Askush nuk mund të krenohet me harresën, e harresa e qellimshme është një turp dhe krim i dyfishtë, është sindroma e njohur e kriminelit që fsheh gjurmët e krimit.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Agron Tufa, kundër harrimit, Nje ze

A KANË GREKËT LIGJ LUFTE ME ITALINË?

January 24, 2018 by dgreca

Çfarë duan varret e pushtuesve grekë në Shqipëri?/

1 Kolec Traboini3

Nga KOLEC TRABOINI/

Një takim tre ditor i mbyllur u zhvillua në Korçë në mes të dy ministrave të jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë. Duke e marrë me mend se ministri që përfaqëson Shqipërinë në këto bisedime nuk ka nxjerrë zë sa i përket të vërtetave të dhimbshme historike, do të kishim dashtë që ministrit grek ti shtroheshin disa pyetje. Ta zëmë: A kanë e në agjendën e vet ende politikanët e Greqisë ligj lufte me Italinë? Po me Gjermaninë… Meqë e paskan ende ligjin e luftës me Shqipërinë që kurrë nuk ka bërë ndonjë luftë pushtuese në histori.

Si mund të ketë ende në fuqi ligj lufte në mes të dy vendeve të Natos, të Bashkimit Europian do të ishte pyetja tjetër? Si mendoni se ka akoma ligj lufte në mes të Francës dhe Gjermanisë….Bah….Grekët me të vërtetë janë të çmendur, ndërkohë që politikanet tanë janë debila. Me plot kuptimin e fjalës.

Ne vërtetë u këndojmë trimërive e legjendarizojmë historinë, por nuk besoj se ka një komb tjetër të ketë pasur politikanë e shtetarucë më tradhtar të poshtër se kjo e mjera jonë Shqipëri. Prandaj jemi humbës në histori. Cili vend në Europë ka humbur më shumë territore se Shqipëria dhe cili vend tjetër ka pushtuar më shumë territore të tjera se sa Greqia.Territore shqiptare sigurisht.

Pse vazhdojmë të jemi humbës edhe sot e kësaj dite? Në Kosovë do ti japin troje shqiptare Malit te Zi me të ashtuquajturin demakracionin i vijës se kufirit. Veç për ca viza në pasaportë. Mjerim. Por edhe turp gjithsesi. Politikanet europianë këndellen. Këndej do ta mbushim Shqipërinë me varre greke. Na u shpifën me këto varre ne këto dy pëllëmbë tokë që na kane lënë si Atdhe pasi na gjymtuan e grabitën gjysmën e trojeve shqiptare. Po fundja Le ti marrin kockat e të vrarëve të vet në tokën e vet se nuk kanë rënë për Shqipërinë e shqiptarët po për Greqinë ne atë kohe lufte, duke e bërë Shqipërinë e pushtuar fushëbeteje për interesa e veta shovinistë. Pse nuk e dimë ne që çakejtë e Athinës kërkonin Vorio Epirin kur Epiri i Jugut ishte territor historikisht shqiptar. Ndërkohë viktimat e Çamërisë nuk kanë varr në trojet e veta të lashta. Pse nuk e ngremë zërin për Gjenocidin grek ndaj shqiptareve. Për masakrimin e burrave e grave, fëmijëve e pleqëve. Nuk dinë të flasin diplomatët tanë?

Por heshtin si mumie. Se në Shqipëri ka ndodhur e paimagjinueshmja. Postkomunizmi ishte e vazhdon të mbetet një komunizëm i kamufluar aq ligsht që i shet interesat kombëtare. A mund të mendohej në 1991 se i biri i kuadrit të lartë të Enver Hoxhës, Sulejman Bushati do të bëhej Ministër i Jashtëm i Shqipërisë dhe do të kishim kryetar parlamenti ministrin e brendshëm të diktaturës. Interesat e kujt do të mbrojë ai ministri i Sul Bushatit?! Jam i bindur se në takimin 3 ditor në Korçë ky pinjoll i komunizmit vetëm ka shituar interesat e Shqipërisë e shqiptarëve pa asnjë përfitim veç atij personal të klanit qeverisës. Padyshim sepse varret e ushtarëve pushtues greke anë e mban tokave shqiptare janë shitje të interesave kombëtare, një plan dinak afatgjatë brenda strategjisë shoviniste greke.

Po, po, këtu ka ndodh e paimagjinueshmja.

I shkreti popull në çfarë mjerimi ekonomik dhe intelektual ka rënë, një popull që edhe kur e rrahin dhe e poshtërojnë nuk e ngre zënë. Ja venë varrin e grekut që erdhi si pushtues si monument tek dera dhe shqipua hesht. Sa shumë po nguten brenda e jashtë Shqipërisë për ta shkatërruar e poshtëruar këtë komb. Këtë komb që ka zgjedhur si mjet lufte heshtjen pa e ditur se heshtja është humbësja më e madhe në histori.

Filed Under: Analiza Tagged With: A KANË GREKËT, Kolec Traboini, LIGJ LUFTE, ME ITALINË?

Flakëkashtizmi i protestave tek ne

January 24, 2018 by dgreca

*… E vetmja gjë që mund t’i thosha opozitarëve apo dhe protestuesve, sikur të më pyesnin, do të qe një formulë fare e thejshtë: radikalizmit të sunduesit fuqiplot mund t’i kundërvihesh vetëm me masa radikale/

1 andon Deda 2

nga Andon Dede, Nju York/

E ç’nuk është thënë e po thuhet për protestën e pritëshme të 27 janarit: se do të bëhet nami, do t’i tregohet vendi kryeministrit aktual dhe Shqipëria do të çlirohet më në fund nga kjo qeveri e korruptuar që mendon vetëm për vete dhe jo për popullin…

Qofsha i gabuar, madje edhe do të gëzohem po të dalë e kundërta, por unë po e them me keqardhje se nuk do të ngjasë asgjë pas kësaj proteste, ashtu siç ka ngjarë përherë pas protestave të tjera si kjo, përjashto ato të fundit të shekullit të kaluar që përmbysën Diktaturën e i hapën rrugën zhvillimeve të reja pluraliste. Por, të mos i bëjmë qefin vetes: edhe ato protesta as që mund të imagjinoheshin më parë, po të mos kishin ndodhur tërë ato përmbysje rreth e qark nesh, që filluan me ngjarjet në Rumani e shembjen e Murit të Berlinit. E keqja është se pas shëmbjes së atij muri, u ngritën të tjera “mure”, jo vetëm tek ne por dhe në gjithë Europën Lindore apo edhe më tej, pasojat e të cilëve kanë lidhje edhe me zhvillimet aktuale. Por, të kthehemi tek tema që nisëm.

E patëm fjalën pra, tek protesta e 27 janarit. Opozita, përmes liderve të saj Basha, Kryemadhi e të tjerë, u ngjir së foluri duke i bërë thirrje popullit që të marrë pjesë në të e duke vënë në dukje arsyet e kësaj pjesëmarrjeje. Ata premtojnë se duke përmbysur Ramën, si sinteza e të gjithë të këqijave tek ne, do t’i hapet rruga zhvillimeve të reja, duke i dhënë fund vuajtjeve që po i marrin frymën shumicës dërrmuese të popullit. Nuk ka mbetur epitet pezhorativ që përmban Fjalori i Gjuhës Shqipe, pa ia faturuar artist-sportist-politikanit që në sundimin e vet ia ka kaluar çdo para-ardhësi pushtet-mbajtës, jo vetëm tek ne por në gjithë Botën. Si zor të gjesh një të dytë, në tërë rruzullin, president, kryeministër, mbret, emir etj. që të vendosë vetë, pa pyetur askënd, jo vetëm për buxhetin e shtetit, detyrat e dikastereve, emërimet e ministrave, ambasadorëve, drejtorëve, presidentin e Republikës, Prokurorin e Përgjithshëm por dhe për palmat që do të mbillen rrugëve, për kalldrëmet që do të shtrohen shesheve, ngjyrat që do të lyhen muret e kështu me radhë. Çdo njeri që nuk e njeh realitetin shqiptar, me të drejtë do të mrekullohej nga pohimet e mësipërme e do ta kishte zili atë popull që ka në krye një individ të tillë polivalent. Por, këtij të mrekulluarit do t’i mjaftonin vetëm pak minuta informimi e njohjeje të Shqipërisë së sotme për tu zhgënjyer dhimbshëm: ai shumë shpejt do të kuptojë se ka të bëjë me vendin më të varfër të Europës, populli i të cilit, në shumicën dërrmuese të tij, mezi ngop barkun me bukë; se nga ky vend nisen për çdo ditë motoskafe me tonelata lëndësh narkotike; se të rinjtë e të rejat e këtij vendi po bëjnë ç’është e mundur që të largohen se nuk po gjejnë dot punë e kanë humbur çdo shpresë e plot mangësi të tjera që po t’i radhisnim këtu do të na mbushnin faqe të tëra. Shkurt muhabeti: Opozita ka plotësisht të drejtë në ato që thotë e në kërkesat që mendon të shpallë e trumbetojë më 27 janar. Po atëhere, ku është e keqja, mund të pyesë me të drejtë dikush. Fare e thjeshtë për ta kuptuar: se të gjitha këto i di jo më kryeqeveritari e tërë kasta e politikanëve tanë, në pushtet apo në opozitë, por edhe një fëmijë i kopshtit që sapo ka mësuar kuptimin e këtyre fjalëve. Ja, ky është problemi: protesta si kjo janë bërë sa të duash e nuk kanë sjellë asnjë ndryshim, nga që artist-sportist-politikani ynë as që do t’ia dijë për to. Hallet apo interesat e popullit janë gjëja më e parëndësishme për të. I vetmi rast që mund të më përmendë dikush do të jetë ai i anullimit të shkatërrimit të lëndëve helmuese siriane, por kjo iu imponua, sa nga rreziku që mbartëte pranimi i tyre aq dhe nga masiviteti i protestuesve, si rrallë herë, me që ishte fjala për pasoja katastrofike për jetën e tyre, se po të qe për vullnetin e mirë të kryeqeveritarit tonë, ai tashmë e kishte treguar veten përderisa i kishte pranuar. Ai është gati të bëjë gjithçka, vetëm të mos i kërcënohet karrigia ku është ulur. Ai e ka çimentuar aq fort pushtetin e vet sa që tallet e bën humor me tërë ata që ankohen apo që e kundërshtojnë. Jo vetëm kaq, por ai ka shumë të drejtë kur pohon se edhe nesër të zhvilloheshin zgjedhjet, do t’i fitonte përsëri. Unë e pranoj plotësisht këtë, jo se e meriton, por se e ka treguar me vepra se i zotëron tërë mekanizmat e duhura për t’i manipuluar ato siç ia do qejfi. Mjafton të ndaleh tek një fakt fare i thjeshtë: të gjithë po e pranojnë, madje dhe Rama vetë, se katër vitet e qeverisjes së tij qenë komplet dështim e megjithatë ai fitoi përsëri shumicën. Tjetër punë se në fitoren e tij dha ndihmesën e vet dhe opozita me qëndrimet e saj të papërgjegjëshme, veç të tjerash dhe me shkërmoqjen e saj vështirësisht të riparueshme, por kjo është një temë tjetër.

E, pra, ja pse them se dhe protesta e pritëshme do të jetë një flakë kashte dhe asgjë më tepër, sikur të marrin pjesë në të jo mijëra por dhe miliona veta e nga folësit të thuhen çudira që s’i kemi dëgjuar më parë. (Ndonëse, e përsëris, e kam shumë vështirë të gjej ndonjë gjë të pathënë deri tani, në mitingje e në Parlament).

Nga gjithë sa më sipër, mos duhet menduar se ka humbur çdo shpresë ndryshimi për mirë në atë vend e për atë popull?! E kam vështirë të pohoj të kundërtën. E vetmja gjë që mund t’i thosha opozitarëve apo dhe protestuesve, sikur të më pyesnin, do të qe një formulë fare e thejshtë: radikalizmit të sunduesit fuqiplot mund t’i kundërvihesh vetëm me masa radikale. Çdo rrugë tjetër më duket krejt humbje kohe e energjish. Por, për fat të mirë apo të keq, as që më pyet e aq më pak, as nuk më dëgjon njeri.

Nju York, 24 janar 2018

Filed Under: Politike Tagged With: Andon Dede, Flakëkashtizmi, i protestave tek ne

Victoria Muzakaj Murphy, gjak i trungut të familjes princërore të Muzakajve

January 24, 2018 by dgreca

 1 Victory Muzakaj1 Victory Kishe2 Muzakaj1 Vatra

 Nga Klajd Kapinova/

Në sallën kulturore Nënë Tereza, pranë kishës katolike shqiptare Zoja e Shkodrës, kishte ardhur për të marrë pjesë në përkujtimin e 550-vjetorit të Heroit Kombëtar edhe amerikania Victoria Muzakaj Murphy me familje.Ajo ishte e ftuar e nderit në meshën përkujtimore dhe Simpozium e mbajtur me këtë rast. Sipas traditës mikpritëse shiptare, ajo ishte vendosur në sofrën e nderit të miqëve dhe të ftuarve të tjerë nga Shqipëria, Kosova etj.

Ka disa dekada, që nga themelimi i saj nga meshtari mirditor mons dr. Zef Oroshi (1912-1989) dhe sot nga vazhduesi i denjë dom Pjetër Popaj,  kisha katolike Zoja e Këshillit të Mirë, sot me emrin Zoja e Shkodrës, ka qenë dhe është një besëlidhje e mdhe e vlerave etnike arbërore në SHBA.Viti Jubilar 2018, është caktuar më të drejtë nga trojet shqiptare dhe në diasporë si viti historic i përkujtimit i 550-vjetorit kushtuar figurës më të madhe të kombit tonë, si Viti i Kryetrimit të Arbërisë Gjergj Gjon Kastriotit.Mbas meshës solemne, të gjithë të pranishmit u drejtuan në ambientet e bukura të Qendrës Nënë Tereza, ku, u zhvillua Sesioni Shkencor Përkujtimor, në nderim të 550-vjetorit të kalimit në amshim të Heroit Kombëtar dhe kryetrimit të Arbërisë Gjergj Gjon Kastriotit.

Ndër miqtë special të ftuar ishin anëtarët e trungut të familjes princërore të Muzakajve, Victoria Muzakaj Murphy me bashkëshortin, që kishin udhëtuar nga Texas-i në New York, enkas për të marrë pjesë në shënimin e përkujtimit të 550-vjetorit të kalimit në amshim të Gjergj Kastriotit.Kjo familje me origjinë arbërore prej vitesh jeton dhe punon në SHBA. Victoria bën foto para bustit të Gjergj Kastriotit dhe mban në duar flamurin shqiptar, duke thënë se jam shumë krenare që jam shqiptare. Ajo thotë se ka shumë dëshirë të vizitoi trojet e të parëve të saj në Shqipërinë e Mesme etj.

Victoria dëgjon me vemendje ligjerimet në gjuhën shqipe dhe buzëqesh kur dëgjon emrin Gjergj Kastrioti Skënderbeu, të vetmen fjalë që ajo kupton në gjuhën shqipe. Ajo është shumë e thjeshtë dhe e hapur për cdo pyetje që i bëjnë gazetarët dhe miqët e tjerë shqiptarë. Ajo flet me pasion për Gjergj Kastriotin dhe familjen e saj princerore në Shqipëri. Ajo ka hulumtuar dhe lexuar ne anglisht shumë për historinë e gjatë të familjes Muzakaj.

Gjatë një bisede të shkurtër me Victoria Muzaka Murphy, duke qenë shumë e emocionuar tha se ka zbuluar prejardhjen e saj nga familja e madhe e Muzakajve, dhe se ndjehet thellësisht krenare për rrënjët e saj të lashta shqiptare, që shkojnë thellë përtej epokën së ndritur të Gjergj Kastriotit…Ajo ndër të tjera tha: ”Unë, mund të mos e flas gjuhën shqipe, por gjakun e kam shqiptar. Dhe gjaku shqiptar, na bën një familje. Ju jeni familja ime dhe unë jam familja juaj“.

Pak fjalë për historinë e Muzakajve

Burimet historike të botura para vitit 1944 dhe më pas nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe në websitet e ndryshme në internet sot, tregojnë qartë se Muzakajt, janë familje feudale e aristokracisë mesjetare shqiptare e njohur në lidhjen historike me Kastriotët të pinjolles Donika Kastrioti me Gjergj Gjon Kastriotin.

Historiania bizantine e shek. XI-XII, Ana Komnena, përmend e para emrin e një fisniku nga familja Muzaka, i cili rreth vitit 1090 ishte ndër komandantët më të besuar të perandor Aleksi I Komneni.

Origjina e familjes ishte nga zona e Oparit, ku Muzakajt kishin zotërimet fillestare të tyre me fshatrat Voskop, Lavdar, Xerje, Bec, Mazrek, Marjan, Dushan, Zerec etj. Kronisti Gjon Muzaka (1510) kujton se varret e të parëve të familjes ndodheshin pranë kishës së Shën Triadhës në Lavdar të Oparit.

Autoriteti dhe roli politik i Muzakajve dëshmohet qartë që në shek. XIII. Gjatë luftërave me anzhuinët e Napolit (1273-1281), i pari i derës së Muzakajve, Gjoni I Muzaka, u shqua si një ndër krerët kryesorë të qëndresës.

I zënë rob gjatë një beteje, në tetor të vitit 1279, Gjoni u burgos në kështjellën e Brindizit bashkë me tre bashkëpunëtorët e tij, Dhimitër Zogun dhe Kasnec e Guljelm Blenishtin. Por, nën presionin e krerëve shqiptarë, mbreti Karli I Anzhu u detyrua ta lironte atë vitin tjetër, kundrejt premtimit se “nuk do të fliste e nuk do të vepronte më kundër tij”.

Në fund të shek. XIII, duke përfituar nga marrëdhëniet e tyre me pushtetin qendror bizantin, Muzakajt mundën të siguronin prona të shumta në krahinat fqinje të Tomoricës, Skraparit, Këlcyrës e Beratit në perëndim dhe në ultësirën e Korçës në lindje. Atë kohë Muzakajt afrohen me anzhuinët, që vazhdonin të mbanin Durrësin, dhe nëpërmjet tyre me Papatin, i cili ishte vënë në krye të koalicionit të fuqive evropiane e ballkanike kundër mbretërisë serbe.

Në vitin 1319 papa Johanit XXII i njoftuan gatishmërinë e tyre për t’iu bashkuar frontit antiserb shumë fisnikë shqiptarë, mes të cilëve edhe tre vëllezërit Muzakaj, zotër në Këlcyrë.

Qëndresa e organizuar nga bujarët Muzaka kundër ekspansionit të serbëve në trevat shqiptare, ende nën sundimin bizantin, u vlerësua edhe nga perandorët e Bizantit, të cilët i shpërblyen ata me prona të reja e me tituj fisnikërie. Familja fisnike Muzakaj sundoi në shekujt XIII, XIV e XV.

Sundimi i Principatës së Muzakajve ndahet në dy periudha. E para lidhet me vitet 1286-1343 dhe periudha e dytë me vitet 1350-1417. Në dokumentet historike Muzakajt përmenden qysh më 1090.

Pushtetin e tyre politik dhe administrativ Muzakajt e shtrinë, kryesisht, në Muzaki (Myzeqe) dhe Toskëri me qendër (pas vitit 1350) Beratin, i cili ishte dhe qyteti më i madh i fortifikuar i Shqipërisë. Ky qytet dikur pat qënë qendër administrative dhe ushtarake e Despotatit të Beratit i cili më 1308 përfshiu në territoret e veta qytetin e Janinës dhe më gjërë. Atëkohë perandori bizantin Androniku II Paleologu pati emëruar si qeveritar në Berat Sevastin Skurra (1308-1336).

Kulmin e lulëzimit të formacionit të tyre shtetëror e arritën në kohën e sundimit të despotit Andrea i II Muzaka (1335-1372), i cili para vitit 1335 mori titullin “despot”, që në shkallën e hierarkisë bizantine ishte i dyti pas atij të perandorit. P Androniku i III Paleologu.

Despoti Muzaka gjatë viteve 1335-1341 ishte në krye të lëvizjeve antibizantine në Arbëri. Më 1336 njeh për kryezot mbretin Robert Anzhu të Napolit, i cili nga ana e vet ia pranoi titujt, trashëgimet dhe gradat dhënë Andreas së II Muzaka prej perandorit të Bizantit, por me kusht të lënies peng në Durrës, pranë përfaqësuesit të mbretit të Napolit, njërin djalë të tij.

Vdekja e despot Andrea II Muzakës menjëherë pas marrjes së Kosturit (ai u varros në kishën e Shën Ndoit në Durrës) ndikoi gjithashtu në dobësimin e zotërimit të Muzakajve. Ky u nda midis tre bijve të tij: Gjonit, Teodorit e Stojës. I pari trashëgoi zotërimet stërgjyshore të familjes, i dyti Beratin e zonën e Myzeqesë, kurse i treti viset nga Devolli në Kostur. Shumë shpejt, në vitin 1375, Stojë Muzakës iu desh të përballonte një sulm të Mark Krajleviçit, i cili me një ushtri mercenare osmane u përpoq pa sukses të rimerrte Kosturin…

Stema stratiostësh me emrin Muzaka. Në dokumente historiko-heraldike njihemi dhe me dy stema të tjera stratiotësh me emrin Muzaka. Të dyja i përkasin gjysmës së parë të shek. XVI. Janë të botuara nga Sturza në veprën e tij “Fjalori historik dhe gjenealogjik i familjeve të mëdha të Greqisë, Shqipërisë dhe Kostandinopojës”, botuar në Paris më 1983.

Këto stema kanë qenë të njohura nga perandori gjerman Karli V. Njëra stemë përbëhet nga një shqyt i kaltërt me dy yje të artë gjashtëcepësh të vendosur vertikalisht, njëri pas tjetrit të cilët ndahen prej tyre nga një brez i artë mbi të cilën paraqitet një gjysmëhënë e argjendtë, e shtrirë. Kjo stemë paraqitet në blazon e punuar nga N. Manesku. Stema tjetër vjen vetëm e përshkruar: e kaltër me një qiparis të blertë e qarkuar me dy luanë të artë përballë njëri–tjetrit me nga një shpatë të ngritur lart. Në ballin e artë të shqytit qëndron një shqiponjë e zezë dykrenore. Mbi mburojë qëndron një përkrenare stratioti.

Nga të gjithë këto stema, stema autentike e Muzakajve do ta thoja këtë në një kuptim të thellë të fjalës autentike, sepse në heraldikë fenomeni autentik merret gjithnjë me një lloj rezerve, është stema e parë, njohur më 1336 Andreas së II Muzaka, ku historikisht jemi në kulmin e lulëzimit të familjes së tyre dhe simbolet heraldike lidhen natyrshëm me veçori natyrore të vendit ku ato u lindën dhe lulëzuan dhe këtë informacion e përcjellin deri më 1510 vit kur u shkruajt “Memoria”.

Gjithsesi studimet e mëtejshme heraldike mund të hedhin mendime të reja dhe më të plota në këtë fushë. Hulumtimet e thelluara mbi Muzakajt vazhdojnë ende sot… (Shih Wikipedia)

Filed Under: Histori Tagged With: Familja princerore Muzakaj, Klajd Kapinova, Victoria Muzakaj Murphy

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT