• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2018

NDËRROI JETË NË NJU JORK HALIT NEZAJ

January 22, 2018 by dgreca

1 ok halit nezaj.jpg

Njoftohet komuniteti shqiptar në SHBA dhe në vendlindje se në Nju Jork ka ndërruar jetë, pas një sëmundje të pashërueshme, atdhetari, biznesmeni, vatrani Halit Nezaj. Halit Nezaj ka vdekur nw rezidencwn e tij në Clifton Park të Nju Jorkut të shtunën mbrëma, më 20 janar 2018.

Ai vuante nga një sëmundje e rëndë dhe u nda nga jeta në moshën 85 vjeçare.

Halit Nezaj lindi me 12 Qershor 1933 në Shipshan të Malësisë së Gjakovës(Tropojë) në familjen e atdhetare të Nezajve, një familje e njohur në Historinë e Tropojës dhe të Kosovës gjatë të gjithë shekullit të 19-të dhe 20. Fëmijërinë Haliti e kaloi në vendlindje, ndërsa kur ishte 15 vjeç, familja, e detyruar nga presioni shtypës i diktaturës komuniste, kaloi në Kosovë. Edhe aty Halit Nezaj dhe familja e tij përjetuan vuajtjet e mundimet e sistemit serbo-sllav-komunist.

Haliti dhe familja gjetën qetësi pas shumë mundimeve dhe një kalvari të gjatë vuajtjesh, pasi arritën të emigrojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1969. Familja Nezaj u vendos në Nju Jork, dhe këtu tregoi vlerat në fushën e biznesit, ndërkohë që u dallua në veprimtaritë Kombëtare të komunitetit shqiptar.

Halit Nezaj dhe Familja e tij dhe shume bashkatdhetare te tjere janë të njohur për sponsorizimin e Shtatores së Ali Ibër Nezaj, figurë e njohur Kombëtare në Lidhjen Kombëtare të Prizrenit. Ne biblioteken e Vatres ndodhet libri i Halit Nezaj”Rrugetimi i Perjetesimit te Ali Iber Nezaj ne Bronz”, ku jane edhe listat e donatoreve te shtatores si dhe pershkruhet rrugetimi i shtatores, si lindi ideja, kush ishin sponsoret, komisioni etj.

Jeta dhe veprimtaria e Halit Nezaj është përshkruar në librin e tij”Udha e Ëndrrës së thyer”. Ai është dhe sponsorizues i librit “Ali Ibër Nezaj” me autor Hamit Aliaj.

Halit Nezaj ishte një vatran i përkushtuar.

Federata Vatra dhe Gazeta Dielli ngushëllojnë Familjen Nezaj.

Familja pret ngushëllime të Martën me 23 Janar, ora 2 pm deri në 9 pm në Shtëpinë mortore : Pleasant Manor Funeral Home, Inc. 575 Columbus Avenue Thornwood, New York 10594.

Varrimi bëhet ditën e Mërkurë me 24 Janar 2018, në Hope Cemetery in Hastings – on – Hudson, New York.

***

Halit Nezaj passed away at his residence in Clifton Park, New York on Saturday evening, January 20, 2018.  He was predeceased by his beloved wife Hyra on October 30, 2017.

Family and friends are invited to Pleasant Manor Funeral Home, Inc. 575 Columbus Avenue Thornwood, New York 10594 on Tuesday, January 23, 2018 from 2:00 – 9:00 PM for visitation.  Services will be at Pleasant Manor Funeral Home, Inc. on Wednesday, January 24, 2018 (time to be announced).  Interment will follow at Mt. Hope Cemetery in Hastings – on – Hudson, New York.

Filed Under: Opinion Tagged With: dalip greca, Halit Nezaj, NDËRROI JETË NË NJU JORK

Një Senat për Partinë Demokratike!

January 22, 2018 by dgreca

2-enver-Bytyci-1

Nga Enver Bytyçi/

Partia Demokratike e Shqipërisë është në ditë jo të mira. Duket qartë se brenda kësaj partie përplasen me e pa arësye ide, vizione, qëndrime, interesa, breza dhe shpesh herë duket se konflikti nuk mbaron. Megjithatë të gjitha grupet në instancë të fundit kanë një interes të përbashkët: Që Partia Demokratike të forcohet e të bëhet faktor politik i pakonkurueshëm. Nëse një parti bëhet faktor, atëherë kundërshtarët e saj do të tërhiqen dhe do të kalojnë në “mbrojtje”. Në momentin që Partia Demokratike do ta detyrojë partinë në pushtet dhe kreun e saj kryeministër të mbrohet, në këtë moment ajo ka marrë kthesën e ringritjes së saj drejt pushtetit. Kështu ndodhi në vitin 2001. Partia Demokratike, megjithëse ishtë në ditët e saj më të vështira nga ngjarjet e vitit 1997, katër vite më vonë u shjfaq fuqishëm si faktor i pazevendësueshëm në Shqipëri. Zgjedhjet e vitit 2001 e nxorën atë fituese dhe fitoren e saj të grabitur nga Ilir Meta, ajo e provoi në gjyqe ndërkombëtare! Po sot? Sot kemi një situatë krejt ndryshe. Kjo do të thotë që PD ka nevojë të ringrihet, të bëhet faktor i patjetërsueshëm dhe i pakonkurueshëm. Për këtë asaj i duhet një program alternativ ambicioz, konservator, pa arrnime liberale e pa kompleksin e “liberalizmit” të kundërshtarit. Por para së gjithash i duhet koherencë, bashkëjetesë dhe bashkëveprim. Konfliktet brenda saj e pengojnë atë të bëhet faktor i tillë. Si zgjidhje do të propozoja krijimin e një këshilli konsultativ, të njëlloj senati, i cili do ta kishte aftësinë të ngrihej mbi palët, mbi grupet kundërshtare dhe do të qëndronte jashtë interesave të tyre. Ky grup senatorësh ka nevojë të institucionalizohet. Ndoshta në një Kuvend Kombëtar të Partisë, në të cilin do të duhej të miratoheshin ndryshime statutore. Një kuvend kombëtar i PD-së për ndryshimin dhe vendosjen e disa rregullave të reja të funksionimit të partisë është i domosdoshëm. Prej këtu fillon bashkimi dhe konvergimi i interesave dhe pikëpamjeve të demokratëve me ato të vetë partisë e më tej të Shqipërisë së zhvilluar e të përparuar. Por nuk dua të ndalem në këto ndryshime. Objekt i këtij propozimi është që ky statut të konstituojë një senat të demokratëve, numri i të cilëve të ishte i kufizuar, ndoshta jo më shumë se gishtat e dy duarve. Tashmë në PD ka figura politike të spikatura, me kontribute dhe të pakontestuara, të cilat kanë aftësinë dhe integritetin të qëndrojnë mbi palët në konfliktin e brendshëm. Këto figura politike janë aseti dhe investimi më i madh i kësaj partie, e cila themeloi pluralizmmin politik në Shqipëri, e anëtarësoi vendin në Këshillin e Europës e në NATO, liberalizoi vizat për shqiptarët dhe u dha frymën e lirisë atyre. Tashmë figurat e spikatura të Partisë Demokratike kanë ndikim të jashtëzakonshëm jo vetëm në radhët e demokratëve, por edhe te shqiptarët në tërësi si dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Këto figura meritojnë të jenë senatorët e kësaj partie. Ata duhen votuar në Këshillin Kombëtar të Partisë. Më pas do të duhet të jenë të përjetshëm në këtë organizëm, për pasojë të pakontestueshëm. Më e mira do të ishte që propozimet dhe rekomandimet e këtij senati të vinin si mendim unanim I të gjithë senatorëve. Në një rast të tillë ky senat do të bëhej “mponues”. Pasi të zgjidhen, ata do të duhej të kishin një kornizë veprimtarie të caktuar për të vepruar sipas disa rregullave të lojës demokratike për ekulibrin politik në parti. Senati i demokratëve dhe senatorët demokratë nuk do të duhet të kenë të drejta vendimarrëse, por ata me propozimet dhe rekomandimet e tyre, pa diskutim se do të ishin forcë imponuese, sidomos kur krijohen sherre dhe konflikte në parti për zgjidhjen e tyre. Senatorët demokratë me statut do të duhej të qëndronin mbi palët, nuk do të duhej të kishin varësi nga askush. Ata do të duhej të kishin të drejta për të propozuar dhe rekomanduar alternative, ide, vizione politike, zgjidhje të konflikteve, me qëllimin e vetëm, bërjen e Partisë Demokratike faktor politik vendimtar në qeverisjen e vendit. Nëse dikush në PD do t’i kundërvihej këtij senati, atëherë senati do ta kishte të drejtën me statut që t’i drejtohej anëtarësisë për zgjidhjen e provlemeve, njësoj si edhe kryetari i partisë dhe forumet e saj. Por asnjëherë nuk do të duhej që të imponohej përmes vendimmarrjes, sepse ky senat nuk është një institucion ekzekutiv e vendimmarrës në kuptimin statutor në parti. Ngritja dhe funksionimi i një senati të tillë do të kthente shpresën te Partia demokratike, do të mobilizonte shumë më tepër resurse në veprimin dhe aksionin politik të saj, do të çlironte energji të shumta e për pasojë do ta shndërronte partinë në një motor të organizimit dhe alternativës politike për zhvillimin e vendit tonë. Dhe e dini pse do të ndodhte kjo? Sepse një senat i tillë do krijonte klimën e besimit në parti! Tiranë, 22.01.2018

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci, Një Senat, për Partinë Demokratike!

Presidenti Meta në Kosovë, viziton Familjen Rugova

January 22, 2018 by dgreca

-Kryeministri Haradinaj priti në takim presidentin Meta/

22.1.2018 - ZKM-2 (1)

PRISHTINË, 22 JANAR 2018-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj priti në takim presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, me të cilin bisedoi për temat me interes për të dyja vendet.22.1.2018 - ZKM-2 (3)Gjatë takimit kryeministri Haradinaj tha se perspektiva euroatlantike e Ballkanit, është ajo që na bashkon të gjithëve, duke besuar se askush nuk do të ketë hezitime për të ecur përpara në këtë aspekt.

Ilir-Meta-te-Familja-Rugova

“Ne patëm një bisedë të hapur, vëllazërore, për ecje në rrugën tonë të përbashkët”, shtoi kryeministi Haradinaj/

Ndërsa, presidenti Meta, duke siguruar kryeministrin Haradinaj për mbështetjen maksimale të Shqipërisë, tha se shpreson shumë në angazhimin e mëtejmë të kryeministrit Haradinaj dhe Qeverisë, por edhe opozitës, për të dhënë zgjidhje të mençura, për të gjitha ato çështje që do ta forcojnë pozitën ndërkombëtare, që do ta forcojnë pozitën e Kosovës.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka mbërritur dje në Kosovë, ka vizituar Familjen Rugova dhe ka shprehur vlerësimin dhe admirimin e veçantë për veprën e Presidentit historik Ibrahim Rugova.

“Të dashur miq, kënaqësi të takohesha sot në Prishtinë me familjen e dashur të Presidentit Rugova, për të kujtuar veprën e tij të pavdekshme. Urtësia dhe largpamësia e tij na duhen edhe sot, po aq sa dje”, ka shkruar presidenti shqiptar Meta./b.j/

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Presidenti Meta, vizite ne Kosove

Shtjefen Ivezaj…Një atdhetar ndryshe….

January 22, 2018 by dgreca

6 Dhoma e gjumit kthye ne MuzeKushtue atdhetarit, nga trevat shqiptare të Malit të Zi, Shtjefen Ivezaj/1 shtjefniNga Pjeter Logoreci/*

Mbas udhëtimit prej nji ore nga Shkodra, në territorin e Malit të Zi, u ndala para nji porte të vjeter, mbas të cilës hapej nji oborr i madh, ku përmjedis, zgjatej shtegu qi të drejtonte tek nji banesë e thjeshtë katundi, me pak kambë shkallë, e që rrethohej nga do fusha të gjana ku tek tuk shihej ndoj shtëpi a vilë tjetër. Porsi pemët qi rriten përpjetë tuj kërkue diellin, njashtu në mes të oborrit, nji mbajtës disa metra i naltë, qi ja kalonte edhe kulmit të shtëpisë, mbante flamurin kuq e zi që naltohej sikur kërkonte frymëmarrje, tuj u tundë pa pra edhe pse ishte ditë gushti. Mu lidhën fjalët e ashtu i heshtun,  ndava mendjen të shijoj pamjen që mu hap përpara…

Pasi përshkova ngadalë oborrin, trokita në derën e shtëpisë, mbas së cilës lehja e mprehtë e një qenit sikur i zgjoj banorët. Mbas pak çastesh dera u hap, e ftyra e nji grueje të moshueme malsore, me krye të mbluem, mu shfaq përpara. Ishte Gjystja, e zoja e shtëpisë, grueja sokoleshë që mbante mbi durimin e saj të gjithë mundin e të hjekunit të asaj çka vizitorin aty e mahnitë.

Mbasi na vendoj në një nga dhomat muze, grueja, mori ndër duer nji telefon të viteve 60 dhe thirri të shoqin, Shtjefnin, i cili nuk ndodhej aty. Si aparati i telefonit ashtu tavolina mbajtëse e blloku ku mbaheshin numrat, ishin objekte të vjetra, pjesë e muzeut. Shumë kisha ndigjue e lexue për Muzeun Etnografik të Malsisë, kishte qëllue me pa edhe foto apo ndonji copë filmi dokumetar, nga ku mora shkak për me ba këtë vizitë krejt të veçantë.

Me të zotin e shtëpisë ose ideatorin dhe krijusesin e këtij Muzeut, Shtjefen Ivezaj, ishim miq virtual, njohë e komunikue disa herë nëpërmjet internetit. Qysh në kontaktin e parë, më befasoj interesi i Shtjefnit për fotografinë dhe objektet historike. Më vonë, i ftuem prej tij për  me vizitue Muzeun, pata mundësi me pa nga afër objektet e koleksioneve të tij të vlefshme.

Shtjefen Ivezaj, asht biri i një familje të njohun nga Malsia e Madhe.  Ai ka lindur me 30 gusht 1937, në Pikalë / Tuz të Malit të Zi, në kryeqytetin e së  cilit (Podgoricë), ka krye dhe arsimin e mesëm në gjuhën serbokroate. Ai asht babai i tre femijëve, dy djelm e një vajzë. Për të përballue jetesën, Shtjefni, punoj për disa vite në zanatin e tornitorit, por që në vitin 1954 arriti të realizojë deshirën e tij për tu ba fotograf profesionist, tuj punue gjatë karrierës së tij, në të gjitha zonat e ish Jugosllavisë nga ku flet  gjuhët: shqip, serbisht, kroatisht, boshnjake e malazeze.  Si rezultat i punës krijuese dhe talentit të tij, në vjetin 1966, Shtjefni krijoi laboratorin e parë profesional të fotografisë në Malsi – Tuz. Edhe pse pat shumë pasoja e probleme nga autoritetet malazeze, Shtjefni, për tu përshtatun në treg, por edhe për ti shërbye komunitetit shqiptar, stampoi disa fotografi kartolina, me temë nga historia kombëtare, të cilat shiteshin për turistë si dhe  për të urue festat tradicionale shqiptare. Me kalimin e kohës, kartolinat e para me flamurin shqiptar (pa yll), me heroin kombëtar Gjergj Kastriotin Skanderbegun apo Dedë Gjon Lulin, do të baheshin të njohtuna në të gjitha trojet shqiptare e në diasporë.

Krahas artit të fotografisë, atij, ju rrit dëshira për të koleksionue aparate fotografike, libra, fotografi, vegla muzikore e bujqësore, objekte kulturore, orendi shtëpijake, të gjitha këto nga trevat dhe kultura shqiptare, për ti shndërrue të gjitha ambientet e shtëpisë së tij, qysh nga 1 maji 2002, në një galeri qi sot asht Muzeu Etnografik i Malsisë.

Shtëpija e familjes së Shtjefen Ivezajt ose Muzeu Etnografik i Malsisë, gjindet në fshatin Lekaj të komunës së Tuzit në Malin e Zi. Në përbamje të Muzeut, në fillim ishin: Fototeka, Biblioteka me libra të rinj dhe të vjeter, si dhe Koleksioni i Filatelisë. Edhe pse me mundësi të pakta financiare, Shtjefni, ju përkushtue mbajtjes dhe dokumentimit të kulturës, të një ndër popujve më të vjeter në Ballkan, atij shqiptar. Koleksioni i parë, ai i pullave postare, e ka zanafillën në vitin 1947, ndërsa ai i etnografisë qysh nga viti 1966.

Ndikim shumë negativ dhe humbje të mëdha në ekonomine e tij private, i shkaktoi Shtjefnit, kriza monetare e Dinarit, por edhe futja në përdorim e monedhës europjane, duke detyruar atdhetarin Ivezaj, qi për mbijetesë, të shesë pjesë nga trojet e familjes dhe aktivitetin e tij si fotograf në Tuz.

Ivezaj, me koleksionet e tija fotografike dhe etnografike, ka marrë pjesë në disa ekspozita në Mal të Zi e Kosovë. Po ashtu, nën kujdesin e dashamirëve, ndërhyrjen e disa sponsorëve apo të komunës, Muzeu ka festuar disa përvjetorë. Në maj 2006, 4 vjetorin e themelimit, të organizuar nga Prof. Xhoana Përkaj; në maj 2007, 5 vjetorin të organizuar nga këngëtari i njohur Lindon Camaj; po ashtu dhe 8 vjetorin të organizuem nga Sytki Ndrecaj n/Prefekti i Malsisë së Madhe, aktivitete të cilat u pasqyruen gjërësisht në mediat lokale e kombëtare.

Për punën dhe përkushtimin e tij në ruajtjen e traditës dhe të vlerave shqiptare, Shtjefen Ivezaj asht nderue me shumë: Medalje, Mirënjohje, Diploma e Falenderime nga përsonalitete të ndryshme si dhe ka titullin Ambasador i Paqës. Janë të shumtë dhe të ndryshëm personat që interesohen dhe vizitojnë Muzeun e Etnografik të Malsisë: etnografë, studentë, gazetarë, arkeologë, shkrimtarë, studjues, nga trojet shqiptare por edhe shumë të huaj.

Personalisht, vizita në Muzeun e Malsisë, më la përshtypje të pashlyeshme. Natyra e shumëllojshme e qindra objekteve, ku secili ka historinë e vet, më emocionoj shumë. Veçanërisht befasuese ishte vendosja e orendive jetësore që familja përdor çdo ditë, në mënyrë funksionale dhe pa “damtue” pamjen e ambientit rrethues. Magja ku Gjystja gatoi bukën e drekës, vatra, saçi dhe çerepi, enët prej dheut apo mjetet e të ngrënit, më kthyen shumë mbrapa në kohë. Po ashtu e admirueshme asht vendodhja e shtratit bashkëshortor në mes të koleksioneve me objekte të ndryshme mekanike. Por, në mes të qindra objekteve me vlerë, më mbeti në mendje aparati fotografik me të cilin Shtjefni kishte punue, të cilin, në pa mundësi ekonomike për ta blerë të ri, e kishte krijue vetë me pjesë të mbledhuna nga aparatura të vjetra.

Flamuri kombëtar si dhe figurat e atdhetarëve më të randësishme të kombit si: Nënë Tereza, Gjergj Kastrioti Skanderbeg, Dedë Gjon Luli, Luigj Gurakuqi, Ismail Qemali, etj,  paraqiten në të gjithë ambientet e shtëpisë Muze.

Një herë një gazetar i TVsë shqiptare, i mrekulluem nga sa kishte parë, ishte shprehë: “…Ky asht Muzeu ma i çuditshëm në botë, se asht i vetmi Muze që nuk ka buxhetin e vet, nuk ka makinen e vet, nuk ka kamera sigurie, nuk ka administratë, nuk ka rojen e natës.”

Mbas vizitës së Muzeut, i ulur nën hije pranë çoshkut të shtëpisë, po admiroja pasionin dhe sakrificën e Shtjefnit për ta krijue këtë pasuni kombëtare. Sigurisht, sikur eksponatet “të flisnin” për historinë malazeze, Muzeu do të kishte pamje tjetër dhe familja Ivezaj nuk do të jetonte në varfëri, me një pension mujor 90 euro.

I kënaqun dhe krenar nga sa pashë, vlerësoj pakufi përpjekjet e atdhetarit Shtjefen Ivezaj: … përballë keqdashjes së shtetit e politikës malazeze, përballë keqdashjes së disa banorëve të krahinës, për shpenzimet e mëdha nga arka private e familjes, humbjen e hapsinave jetsore të shtëpisë dhe prishjen e qetësisë e rehatisë përsonale e familjare. Sot, në moshen 80 vjeçare, burri shtatvogël por energjik Shtjefen Ivezaj, shijon frutet e pasionit të tij, të një pune kolosale dhe i gëzohet pa masë vizitave e lavdrimeve të turistët që vijnë të shohin Muzeun.

Vjenë, me 14 janar 2018

*Per me shume fotografi shkoni ne Facebook(dielli vatra)

Filed Under: Histori Tagged With: …Një atdhetar ndryshe, Pjerin Logoreci, Shtjefen Ivezaj

Skenderbeu i lavdisë së përjetshme, mbijetesa e një kombi

January 21, 2018 by dgreca

pastedImage-2Reflektim, persiatje në 550 vjetorin e vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot – Skenderbeut (6 maj 1405 – 17 janar, 1468)/

2Sadik-Elshani

NGA SADIK ELSHANI*/Viti 2018 është shpallur Viti I Skenderbeut në tëre botën shqiptare, sepse shënojmë 550 vjetorin e ndarjes së tij fizike nga kjo botë, por shënojmë edhe 575 vjetorin e kthimit të tij në Kruje më 28 nëntor të vitit 1443, për të shënura kështu periudhën më të lavdishme të historisë sonë kombëtare. Është ky 28 nëntor që përshkoi harkun pesëshekullor të historisë sonë e që do të vazhdojë sat ë rrojë edhe kombi ynë. Më 17 janar të vitit të largët 1468, Skenderbeu, Heroi ynë Kombëtar i mbylli sytë përgjithmonë për të kaluar në botën e lavdisë së përjetshme. Historia e një vendi, kombi është jetëshkrimi, bëmat e njerëzve të tij të mëdhenj. Skenderbeu me bëmat e tij e shkroi kapitullin më të ndritur, më të lavdishëm të historisë sonë kombëtare. U hapi shqiptarëve dyert e historisë botërore, i futi në faqet më të lavdishme të saj. Nga largësia shumëshekullore, në atë errësirë shumëshekullore, Skenderbeu përherë i ndricoi rrugën popullit tonë. Ishte dhe gjithmonë mbeti ylli ynë polar që na orientonte, na drejtonte, na tregonte rrugën e drejtë. U bë flamur, burim frymëzimi për të gjitha brezat e shqiptarëve, mishërim, personifikim i vlerave tona të larta kombëtare e njerëzore: trimërisë, burrërisë, nderit, besës. Skenderbeu simbolizon bashkimin kombëtar, qëndresën, synimet e popullit tonë për liri e pavarësi. Gjuha shqipe, flamuri Kuq e Zi, Skenderbeu, përbëjnë trkandshin e barabartë kombëtar, AND-në e kombit tonë. Hapi i parë i rëndësishëm që Skenderbeu ndërmori pasi y kthye ne Krujë më 28 nëntor të vitit 1443, ishte përpjekja e tij për t’i bërë së bashku të gjithë princat shqiptarë në Kuvendin e Lezhës më 2 mars të vitit1444, i njohur në histori si Besëlidhja e Lezhës. Ai si një strateg ushtarak i pashoq, nga më të mëdhenjtë që ka njohur historia e njerëzimit, e dinte mirë se bashkimi bën fuqinë. Tani janë bërë legjendare shtatë thuprat e Skenderbeut. Pastaj ai  lidhi miqësi e aleanca me shumë vende të tjera, fuqi të asaj kohe. Kjo ëshë ajo formula magjike e Skenderbeut që duhet ta zbatojmë edhe sot për të ndërtuar një vend të fortë e të qëndrueshëm, të respektuar nga të gjithë.

Për 25 vite Skenderbeu i bëri ballë the e shpartalloi ushtrinë turke që ishte shumë herë më e madhe dhe më e pajisur se ushtria e Skenderbeut. Por Skenderbeu me shkathtësitë luftarake perdorte taktika, bënte  manovrime që i fuste ushtarët turq në kurthe për t’i shpartalluar më lehtë. Qëndresa e Skenderbeut në Shqipëri ia ndali hovin pushtues ushtrisë otomane dhe në njëfarë mënyre e shpëtoi qytetërimin europian.

Poetët dhe shkrimtarët e Periudhës së Rilindjes sonë Kombëtare e ngritën lart figurën e Skenderbeut për t’ia ngjallë ndjenjat atdhetare shqiptarëve, për t’iu dhnë zemër për ta ringjallur kohën e lavdishme të Skenderbeut, për t’u treguar shqiptarëve se edhe pse jemi popull i vogël, mund ta çlirojmë dhe ta mbrojmë vendin tonë. Dikur këtë e ka bërë Skendrbeu. Edhe nga varri Skenderbeu u printe shqiptarëve: “Një zë i lartë që dolli nga varri i Skenderbeut/Kërkoni ju shqiptarë lirinë e Mëmëdheut”, janë vargjet e një kënge të krijuar nga populli.

Dita e kthimit të Skenderbeut në Krujë më 28 nëntor të vitit 1443 u bë një ditë që e përshkoi tërë historinë tonë, ditë që jo rastësisht përkon edhe me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, pikërisht më 28 nëntor të vitit 1912. Edhe zgjimi, ringjallja atdhetare e shqiptarëve të Kosovës lidhet me emrin e Skenderbeut. Ishte pikërisht manifestimi madhështor i shënimit të 500 vjetorit të vdekjes së Skendrbeut në Kosovë që i dha hov lëvizjes për liri e pavarësi. Keto ngjarje po ndodhnin vetëm dy vite pas rënjes së Rankoviqit, ministrit famëkeq të Punëve të Brëndshme të Jugosllavisë. Atë vit mori hov edhe botimi i një vargu të veprave letrare e historike, ndër të tjera: “Historia e Skenderbeut” e Marin Barletit, “Historia e Skenderbeut” e Nolit, “Bashkëluftëtarët e Skenderbeut” e Ali Hashorvës. Këto libra dhe shumë të tjera ngjallnin ndjenjat, krenarinë kombëtare që kulmuan me demonstratat e studentëve ne Prishtinë në nëntor të viti 1968. Dhe 40 vite më vonë, më 17 shkurt të vitit 2008 Kosova u shpall shtet i pavarur. Të gjitha rrjedhat, ngjarjet historike që kanë ndodhur më vonë, burimin e kanë te ajo periudhë e lavdishme, te bëmat e Skenderbeut. Skendrbeu ishte oksigjeni që e mbajti gjallë frymemarrjen e një populli që po lëngonte nën pushtimin shumëshekullor Otoman, e mbajti gjallë shpirtin, shpresën, ëndrrën e popullit tonë për liri e pavarësi.

Nuk ka shembull në historinë e kombeve tjera (me ndonjë përjashtim të rrallë) që një figurë si Skenderbeu që ka 550 e vite që nuk është në këëtë botë e të jetë mjaft i pranishëm edhe sot në jetën tonë të përditshme. Skenderbeu më tepër se një emër, një njeri, është një vizion, është një epokë, është mbijetesa e një kombi. Skenderbeu nuk simbolizon vetëm forcën e muskujve, por edhe mencurinë, zgjarësinë, urtësinë, intelektin. Ishte një figure interesante që frymëzonte, që ka gëzuar adhurimin e figuarave të njohura jo vetëm të kohës së tij, por edhe kohërave të mëvonshme dhe vazhdon edhe ne ditët tona. Shkrimtarë e filozofë i kushtuan vepra, poetët i thuren vjersha e poema, piktorët ia pikturonin portretin, kompozitorët i thurën vepra muzikore, opera (Vivaldi).

Në kohën e Skendrbeut ishte Europa ajo që i kishte drejtuar sytë kah Shqipëria, shpresat për mbriojtjen e saj i kishte mbështetur te Skenderbeu. Shqipëria e kohës së Skenderbeut i ofronte Europës vlera të larta morale, qëndresë, mbrojtje. Edhe sot Shqipëria duhet të shkojë në Europë duke i ofruar asaj vlerat tona kombëtare e njerëzore dhe jo duke iu lutur, duke iu përkulur, duke i kërkuar lëmoshë asaj. Kjo është ajo porosia e madhe e Periudhës së Lavdishme të Skenderbeut që vjen në ditët tona. Kur shqiptarët e ndjekin shembullin, rrugën e Skenderbeut, atëherë janë në rrugë të drejtë, rrugë të mbarë. Skenderbeu na ka treguar se edhe një vend sado i vogel qoftë, kur udhëhiqet nga një udhëheqës këmbëngulës, largpamës me dinjitet e karakter të fortë, atëherë edhe ai vend mund të bëhet një vend i rëndësishëm që gëzon autoritet në arenën ndërkombëtare. Gazetari dhe publicisti Virgjil Kule e ka quajtur Skenderbeun “Kryqtari i fundit”, por ai është edhe kalorësi i përhershëm i lirisë që gjithmonë frymëzon, ngjallë shpresat e popujve liridashës.

Në një shkrim për Shekspirin lexova edhe këto fjalë: “…Atëherë pse t’i ngritet përmendore Shekspirit? Une përgjigjem, jo për lavdinë (famën) e Shekspirit, por për nderin e Anglisë”. Kjo vlen edhe për Skenderbeun. 550 vite më parë Skenderbeu e mbylli me lavdi e dinjitet kapitullin e jetës së tij mbi këtë toke dhe me bemat e tij i ka siguruar vetes vendin e përjetshëm në faqet më të ndriyura të historisë së Shqipërisë dhae asaj botërore. Prandaj, Skenderbeu nuk ka nevojë për përmendoret e shqiptarëve, por shqiptarët kanë nevojë për përmendoret e Skenderbeut. Dhe përmendorja më e madhe që shqiptarët mund t’i ngrenë Skenderbeut është: Ndërtimi i një shteti të fortë, të qëndrueshëm, funkcional e demokratik, me shqiptarë të bashkuar, anëtar i denjë i familjes europiane – si dikur në kohën e Skenderbeut.

Kur e shoh gjithë këtë anarki, plogështi që i ka kapluar dy shtetet shqiptare, udhëheqësit e pavendosur e të korruptuar, më vjen të bërtas deri ne kup të qiellit: Zgjohu, o Gjergji ynë! Ku je, o Skenderbe?

Lavdi e përjetshme Heroit tonë Kombëtar, Kryezotit të shqiptarëve, Gjergj Kastriot – Skenderbeut!

Sadik Elshani është doktor i shkencave të kimisë dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

Filadelfia, janar, 2018

Filed Under: Analiza Tagged With: Dr. Sadik Elshani, mbijetesa e një kombi, Skenderbeu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT