• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2018

DHURATA 12 MILJE DET GREKËVE (PO A THUA SA TOKË?!?)!

February 3, 2018 by dgreca

Ismail bardhi3NGA Prof. Dr. ISMAIL BARDHI/

Po e filloj këtë shkrim me një përsëritje të asaj që mjaft është shkruar dhe diskutuar nëpër revistat e mëparshme: çka është duke ndodhur me mendjen shqiptare, me politikën shqiptare, me kulturën shqiptare, gjegjësisht me tokën/trojet shqiptare dhe shprehjet e pyetjet si: “toka jonë”, “vendi ynë”, “kultura jonë”, “ku po vemë?” e “çka po ndodh?” Ndër ato që më pëlqeu në këto revista dhe që po i përmend këtu janë një titull artikulli: “Jashtë nga Vlora grekët” si dhe një pasus nga shkrimi me titull “Idealista pa ideal” te revista “Hylli i Dritës”, nr. 10, viti 1936, ku zhvillohet një bisedë kësisoj: “Kallzojnë për knjaz Nikollen e Malit të Zi, se tue ndejë ‘i ditë me nji mik të vetin, paska rá bisedimi mbi politikë. Shka asht politika? – e pyetka miku knjazin. Tue pas ngurrue aj në të përgjigjun, më lên, t’a kallzoj, Madhni, i thânka miku: Politikë don me thanë, po të rrejsh ti, un me duertrokitje të brohoris: Të lumët! E po rrêjta un, të më burgosish si fajtuer, pá pasë të drejtë të lypi arsye…” Dhe për të satën herë edhe në kohën tonë vetëm përsëriten vendimet vdekjeprurëse për ne shqiptarët, dhe atë nga vetë krerët shqiptarë. Ne nuk kemi mundësi këtu t’i radhisim të gjitha, sepse me siguri do të mbushej një libër i tërë me dobësitë, tradhtitë, shkatërrimet, harresën etj.

Këto ditë lexova se kryeministri i Greqisë, Cipras, ka mbetur i kënaqur me bisedat që ka pasur me “krerët” shqiptarë. Si fjalë më tingëlloi mirë, por një shok më tha: mos shpejto, lexo pak më thellë, shiko se për çfarë bëhet fjalë. E çka të shoh: një vijë detare prej 12 miljesh i dhurohet Greqisë nga Kryeministri (të mos flasim për pikat e tjera që diskutohen pas dyerve të mbyllura), kurse Presidenti i shtetit na jep gajret duke thënë: “flini të qetë dhe mos u brengosni, se unë do të veproj sipas Kushtetutës”. Çka duhet kuptuar nga kjo? Vetëm një gjë: ne nuk kemi shtet! Edhe i tillë siç është, është më i pambrojturi nga të huajt. Për një çast m’u rikthye trishtimi i së kaluarës sonë: komunizmi i paparë si fizikisht ashtu edhe metafizikisht; pastaj 1990-ta kur ne u futëm nëpër një rrugë në demokraci, në kohën kur gjithë bota “dilte” prej saj; faktikisht ne hymë nga dalja. Pastaj, nuk kaloi shumë kohë dhe ndodhi ’97-a, kur u vodh, u shkatërrua dhe u dogj shteti. Sa për t’ua përkujtuar: hairin më të madh atyre ndodhive ia panë Greqia, Serbia dhe Maqedonia. Këtu nuk e kam fjalën për shitjen e binarëve të hekurudhave, gëzhojave të predhave, por të vetë armatimit që e blenë qyl, e për çka shumë shqiptarë u dënuan me pretekst të shitblerjes së armëve dhe “terrorizmit”. Me sa më kujtohet asokohe nga burgu u arratis ish-kryeministri Fatos Nano, i burgosur si kriminel, që u rikthye në pushtet sërish si kryeministër?!

Kur i kemi parasysh të gjitha këto, me siguri kjo shitblerje e territorit tokësor dhe detar të Shqipërisë duket si “hiçgjë”. Askush në botë, as vendet e Afrikës nuk e marrin si shembull këtë shtet si shtet, përpos “krerëve” kosovarë, që duket se me mish e me shpirt mundohen t’i ngjajnë në këtë aspekt “nënës” Shqipëri, se edhe ata kanë ca patate të nxehta në dorë (p.sh. demarkacioni me Malin e Zi). Që t’i largohem radhitjes së këtyre informacioneve fatale për ne, nuk kam mundësi të flas, përpos asaj fushe metafizike që tregon dhe thërret në kujdes të veçantë.

Këtë shkrim që e bëj mund ta emëroj vetëm si të përgjegjshëm, sepse ne me sa duket nuk jemi në pozitën që të zgjedhim mes dy të mirave, por vetëm mes të ligave. Kjo përgjegjësi nënkupton pasoja me ndikim të gjerë dhe atë pasoja që mund të jenë të drejtpërdrejta. Faktikisht, del se ne jemi në “luftë”, sepse akoma nuk është shfuqizuar ky ligj te njëri nga shtetet fqinje. Ne jemi sy më sy me realitetin e vrazhdë ndaj shkrimi im është vetëm rezultat i atij realiteti, e jo i prirjeve, përcaktimeve ose qëllimeve personale.

Këtu, në këtë çast, duke pasur parasysh rrethanat, kemi të bëjmë me vetëdijen dhe ndërgjegjen e mundshme të popullit tonë. Secili nga ne tani është edhe diçka më shumë se ç’është me vetveten, të pandarë në atë që jemi, qoftë me vullnetin tonë, qoftë me pashmangshmërinë historike që i ka rënë si hise këtij brezi. Në këtë hapësirë me ne janë të gjithë të gjallët dhe të vdekurit tanë. Ne jemi si në “Ditën e Gjykimit”, me atë dallim që llogarinë ia japim vetes dhe atyre që do të na trashëgojnë – të bashkuar nga udhëkryqi i vrazhdë historik; të barabartë në brengat që na pllakosin, pa ndasi rajonale dhe partiake, pa kurrfarë rivaliteti dhe paramendimesh kundërshtare, të vënë nën një dhe të vetmin emërues me atë mënyrën se si kemi lindur dhe si kemi vdekur.

Asgjë më nuk do të jetë siç ka qenë, si duket duhet nisur gjithçka nga fillimi: pastër dhe qartë si vetë natyra, pa dyfytyrësi. Shqiptarët janë mbase i vetmi popull europian me udhëheqje poltrone anacionale politike (nuk them “nacionaliste” se të gjithë shtiren si të tillë). Ne shqiptarët jemi historikisht të keqtrajtuar në këto hapësira, më të gjera se Shqipëria e sotme – ushtarakisht, ekonomikisht dhe kulturorisht, dhe atë ndoshta më shumë nga vetë “ne” sesa nga te tjerët. Edhe pse gjatë gati një shekulli të fundit jemi margjinalizuar si popull politik, fizikisht dhe ekonomikisht në mënyrë sistematike dhe josistematike të shkatërruar, kulturorisht të përçmuar, fetarisht të satanizuar si relikt aziatik-islamik, ne jemi i vetmi popull në hapësirat europiane me institucione (a)nacionale, me presion të pushtetit ndaj inteligjencies fetare dhe të përbotshme, me zhytje joshëse në europizimin e mjegulluar që është si purgator për përcaktimet e ardhshme kombëtare.

Kjo rrjedhë e trazuar historike është njëri nga shkaqet që tek populli shqiptar mund të hasen të gjitha llojet e skajshmërive. Askund nuk kam hasur njerëz aq të prekshëm zemërbutë, naivë dhe të përkushtuar, pafundësisht vetëflijues, të gatshëm për çdo lloj sakrifice personale dhe kolektive, dhe askund individë dhe grupe të tilla absolutisht zemërngushtë, pafundësisht egoistë, të korruptueshëm, politikisht baltakë dhe, mbi të gjitha, të fiksuar pas nënçmimit të gjithçkaje personale, emrit personal, fesë, zakoneve, të kaluarës. Nuk gjej kurrfarë justifikimi për këtë. Kështu, jemi pa një program të qartë politik, pa udhëheqje të vërtetë politike, pa respektim të mjaftueshëm të autoriteteve fetare dhe kulturore, pa sens për çdo lloj organizimi harmonik. Në regresionin e përgjithshëm shtetëror dhe shoqëror, të shkaktuar nga zhvillimet e parashikueshme historike në Ballkan, te populli ynë u zhvilluan ato veti shkatërrimtare që nga brenda e tresin trupin e vet dhe shpirtin e vet…

Ne nuk kemi dhënë pretekst për atë që na bëhet. Ne as grekëve, as serbëve, as maqedonasve me të cilët jetojmë, me të cilët kemi jetuar, nuk u kemi dhënë kurrfarë preteksti për atë që i kanë bërë dhe dëshirojnë t’i bëjnë  popullit tonë të (pa)mbrojtur. Krimet e tyre janë rezultat i veprimeve të planifikuara (Kosova, Vorio-Epiri…). Për këtë kemi një varg mësimesh nga e kaluara e afërt dhe e largët, por ato mësime i kemi harruar në shpirtmirësinë tonë naive dhe në neglizhencën tonë politike, e çka e kemi madje të ndaluar ta kujtojmë, e lëre më ta mësojmë. Së paku kjo duhet të na shërbejë për vetëdijësim dhe plotësim politik e kulturor, natyrisht edhe shtetëror.

Zbatimin e programeve hegjemoniste nuk do të mund ta pengonte çfarëdo sjellje jona ndryshe. Nëse këtë nuk e kuptojmë menjëherë dhe në mënyrën e duhur, atëherë i bashkohemi agresorëve dhe pohimeve të tyre për fajin tonë apo ndarjen e fajit. Është koha që edhe një herë të themi se ky është një lloj lufte “kryqëzatash/holokausti” modern dhe se faji ynë është kolektiv. Nuk do të them se në këtë mësymje ne kemi vepruar të organizuar, nuk do të them se gjithçka duhej të ishte ashtu siç është, por rrjedha kryesore e ngjarjeve do të shkonte ashtu siç shkoi. Kjo nuk është një luftë emocionale, grindëse mes fqinjëve. Ajo ka qenë, dhe vazhdon të jetë, realizim fizik i planeve politike shumëvjeçare: e paskrupullt, e pamëshirshme dhe radikale. Më e dhimbshmja në gjithë këtë është se ne i ndihmojmë gjendjes së këtillë.

Makineritë propagandistike e fqinjëve, që është e kuptueshme, e njohin këtë përjashtueshmëri dhe fobi antiislame europiane, ndaj e frikësojnë botën me fenë tonë, dhe virtytet tona të njohura, dhe nga ekspertë objektivë të vlerësuara, i paraqesin si rrezik. Në të vërtetë, Europa nuk i vlerëson format multikulturore dhe multifetare të bashkësisë dhe mënyrën tonë të bashkëjetesës. Ajo atë e përjeton më shumë me habi sesa me mirëkuptim. Ata kështu “mendojnë”, por problemi është se ne vetë si mendojmë?!

Ne u besonim përrallave që na janë rrëfyer qëllimisht. Ne nuk jemi “zemërngushtë“, por është e qartë se ata përreth nesh dëshirojnë të na mësojnë se si duhet të jemi. Disa nga ato mësime duhet t’i pranojmë për të qenë të kuptueshëm. Sulmet anti-kombëtare, anti-fetare ndaj shqiptarëve nga e majta dhe e djathta, me urrejtje e bëjnë të dyshimtë këtë pastërtinë tonë shpirtërore dhe me gjurmë të përgjakur fshijnë gjithçka që kemi prekur me shputat tona dhe që e kemi materializuar shpirtërisht. Sepse, ne nuk jemi kurrfarë populli qiellor, por tokësor, i kësaj toke.

Në krahasim me të tjerët ne gjithmonë kemi qenë të matur, modestë, të sjellshëm, miqësorë dhe të kujdesshëm, mirëpo gjithmonë kjo është vlerësuar si dobësi e jona, e jo si zemërgjerësi e qenies sonë. Ne jemi vlerësuar jo sipas asaj që jemi dhe çfarë ofrojmë në bashkëjetesën me të tjerët, por sipas kutit matës, cilësive dhe moralit të vlerësuesit. Ky, fatkeqësisht, nuk është kurrfarë ngushëllimi. E liga nuk kërkon lavdërim, por dehjen e entuziazmit të çmendur. Ne i kemi pranuar të gjitha bukuritë që na janë ofruar, iu besonim përrallave që janë rrëfyer qëllimisht, e falnim ligësinë dhe shëmtinë që na bëheshin, shtrinim duart e pastra në “ardhmërinë e largët”… E gjithë ajo ishte një mashtrim i paramenduar dhe i ulët. E gjithë ajo tani na tall me cinizëm në fytyrën e gjakosur, jo pa kënaqësi maniake të kriminelit. Tani jemi këtu ku jemi dhe atje ku nuk jemi: me viktimat, gurëvarret e freskëta, rrënojat, monumentet e shembura, nënat dhe motrat e përdhunuara, me dhimbjen. Këtë ligësi kurrë nuk duhet ta harrojmë. Kjo e ligë ndaj popullit tonë dhe trojeve tona është formësuar asisoj dhe në mënyrë aq shprehëse sa me të ky qytetërim do të merret si me një shkak tmerrues shtjellimi shkencor dhe artistik që mund t’i sjellë Njerëzimit aq shumë dobi përvoje, sa neve që na ka sjellë dëm.

Për t’u prezantuar dhe dëshmuar se kush jemi, çdo forcë fizike dhe metafizike duhet bashkuar, dhe duhet kuptuar serioziteti i kohës, duhen krijuar mundësitë për një zhvillim më të fortë, më të plotësuar dhe më racional, që do të mund ta mbrojë vetveten ashtu siç duhet. Kjo nuk bëhet me abuzimet e institucioneve të shtetit, të cilat janë bërë “domosdoshmëri” tek ne. Për fat të keq, në këtë lojë marrin pjesë edhe figurat “fetare”, siç pamë para disa ditësh kur Sulejman Rexhepi dekorohet me urdhrin kalorësiak të Skënderbeut nga Ilir Meta. Edhe dekoruesi edhe i dekoruari bëjnë abuzim institucional të shqiptarëve. “I madhi” tallet me shtetin, e ky tjetri në vend që ta merrte dekoratën, duhej t’i thoshte: ju akoma dyshoni për kufijtë e shtetit, e i dhuroni territor dikujt, ndaj si mund të jepni dekorata shtetërore?!

E gjithë kjo që u tha më sipër, pa marrë parasysh “komandantëve” të shumtë dhe “trima” që i terrorizojnë fqinjët dhe që vriten me njëri-tjetrin pandërprerë, ma përkujtuan thënien nga viti 1997 të ministrit të brendshëm të Maqedonisë, i cili në pyetjen e një gazetari se a mendon se Maqedonia është e kërcënuar nga Shqipëria, përgjigjja e këtij ishte se ajo nuk ka mundësi t’i ruajë kufijtë e vet, e lëre me të kërcënojë dikë tjetër. E sot, e shohim se ajo që thoshin serbët kur i nisën luftërat që e shkatërruan ish-Jugosllavinë se: “aty ku ka edhe një varr serb është tokë serbe”, tani si duket po e vazhdojnë grekët.

 

Ismail Bardhi

 

31 janar 2018

Filed Under: Analiza Tagged With: Dhurate 1 2 mile, grekeve, Prof.Ismail Bardhi

Në përvjetorin e 550-të të Johannes Gutenbergut

February 3, 2018 by dgreca

Gutenbergu: Shpikësi që demokratizoi dijen/

1 GoutenberguMe shpikjen prej tij të shtypshkronjës ai konsiderohet si ati i komunikimit masiv. Por a ka qenë vërtet ai i pari që shtypi libra? Edhe 550 vjet pas vdekjes së Gutenbergut, shumë çështje mbeten pa përgjigje./

NGA BETTINA BAUMAN-DW/

“Të gjithë e njohin Johannes Gutenbergun, megjithëse për të thuajse nuk dihet asgjë”, thotë zëvendësdrejtorja e muzeut Gutenberg në Mainz, Elke Schutt-Kehm. Kjo nis që me ditën e tij të lindjes dhe përfundon me datën e vdekjes, me të cilën ka lidhje përkujtimi i sivjetshëm i 550 të vdekjes së Gutenbergut. Vetëm kaq dihet: Johannes Gutenberg është shpikësi i shtypjes së librave me gërma të lëvizshme metali dhe me këtë ai kontribuoi në mënyrë vendimtare në suksesin e Reformacionit. Për këtë gazetarët amerikanë e zgjodhën atë “njeriun e mijëvjeçarit”.

Deutschland Geschichte Buchdruck Johannes Gutenberg (Getty Images)

Ai lindi rreth vitit 1400. Ndoshta në Mainz, por ndoshta edhe në Eltville në anën tjetër të Rinit në Rheingau. Ai vinte nga familja e pasur tregtare Gensfleisch. Më vonë ai e ndryshoi emrin e lindjes, siç ishte moda atëherë, dhe mori emrin e rezidencës së familjes “Hof zum Gutenberg”.

Përgatitje në Strasburg

Ndoshta Johannes Gutenbergu studioi në Erfurt. Këtë e tregon një shënim në regjistrat e Universitetit. Rreth vitit 1428 familja Gensfleisch u largua nga Mainzi për shkak të konflikteve midis familjeve drejtuese të qytetit. Se ku qendroi pas kësaj Gutenbergu, nuk është dokumentuar. Qëndrimi i tij dokumentohet sërish në vitin 1434 në Strasburg.

Në këtë qytet, që sot është qytet francez, atij ju ofruan mundësi të shumta fitimi. Gutenbergu punoi atje ndër të tjera në zejet e monedhave dhe të argjendarisë, themeloi një shoqëri financimi dhe prodhoi objekte për t’i marrë me vete në pelegrinazhe. Ai kaloi atje gjithsej dhjetë vjet.

Suksesi në Mainz

Bleisatz-Buchstaben Typ Helvetica diagonal (Fotolia/fotoliajongleur)

Pasi u kthye në Mainz ai vazhdoi punën për shtypjen e librave me ndihmën e tregtarit Johannes Fust dhe të shkruesit Peter Schöffer. Midis 1452 dhe 1454 puna përfundoi: u prodhuan gërmat e tij metalike të lëvizshme. Dhe meqenëse Guttenbergu qe mekanik i aftë dhe njëkohësisht sipërmarrës që i hynte rrezikut, ai ndërtoi për to edhe shtypshkronjën manuale me levë. Për shekuj të tërë librat qenë shkruar me mundim me shkrim dore, shumicën e herëve në dhomat e shkrimit të manastireve. Vetëm kleri dhe shtresa e lartë mund t’i blenin ato produkte të shtrenjta – pa folur për leximin. Kurse tani gërmat mund të shtoheshin si dëshiroje, fjalë dhe fjali të tëra mund të hidheshin në faqe – dhe e gjitha të riprodhohej sa herë të doje. Një shpikje që e revolucionarizoi shkëmbimin e dijes dhe solli ide të reja në popull me tirazh të lartë – për kushtet e Mesjetës.

Bibla origjinale e shtypur nga GutenberguBibla origjinale e shtypur nga Gutenbergu

Në vitin 1450 mjeshtri ndërmori punën më ambicioze të tij: brenda dy vjetësh ai shtypi me ndihmën e 20 të punësuarve të tij 180 kopje të Biblës së Luterit. Bibla është jo vetëm vepra e parë, por edhe libri më i bukur, që është shtypur ndonjëherë, mendon Elke Schutt-Kehm.

Teknika e Gutenbergut u shpërnda tepër shpejt. Në vitin 1500 shtypshkronja në të gjithë Evropën prodhonin jo vetëm vepra dijetarësh, por edhe shkrime denigruese kundër tregtisë së çertifikatave të faljes së mëkateve. Rreth 100 vjet më vonë u shfaq gazeta e parë.

Model Azia?

Po a ishte Gutenbergu i pari që e mundësoi shtypjen e librit? Përgjigja është: jo. Shtypja e librave me gërma të këmbyeshme qe shpikur që në shekullin e 11-të në Kinë dhe qe përhapur në shekullin e 13-të edhe në Kore. Por në një kohë kur në Azi gërmat gdhendeshin me procese të derdhjes së dyllit ose gdhendeshin në dru, Gutenbergu shpiku një teknikë krejt të vetën me një instrument që pikonte bojën dhe me një shtypshkronjë me levë. Ai është “i pari që konceptoi një prodhim serial të pjesëve të veçanta të standardizuara”, thotë Schutt-Kehm. Kjo ishte një metodë e re dhe një hap shumë i madh në historinë e teknikës. Në 3 tetor në Mainz dhe jo vetëm aty kremtohet 550 vjetori i ditës së vdekjes së pionerit të mediave – edhe nëse shkencërisht për 03.02.1486 si datë të vdekjes ka diskutime e mendime që e kundërshtojnë.

 

Filed Under: Histori Tagged With: 550 vet, Gutenbergu: Shpikësi, që demokratizoi dijen

Celebrating the 10th Anniversary of the Independence of Kosova

February 3, 2018 by dgreca

1 Mark OK

Celebrating the 10th Anniversary of the Independence of Kosova/

– Saturday, February 17 at 6 PM – 11 PM/
-Marina del Rey Caterers/
1 Marina Dr, Throgs Neck, New York 10465/

Filed Under: Emigracion Tagged With: Mark Gjonaj. 10th Anniversary of the Independence, of Kosova

SOT ËSHTË DITA JONË

February 3, 2018 by dgreca

SOT ËSHTË DITA JONË; NJË KAFE NJË RAKI!/

 

1 shefqet-dobra

NGA SHEFQET DOBRA/

Në sektorin Çermë, ishte bërë zakon që, kur merrnin rrogat, burrat shkonin gjithë gëzim te lokali i vetëm që kishin, – i thoshin banakierit: sot është dita jonë, një kafe e një raki! Për dy ditë lokali ishte plot, edhe brigadierët,  ato ditë, ata zinin një tavolinë dhe punëtorët, secili porosiste edhe për brigadierin e tij.  Gjithashtu, nuk mungonte as operativi, Bujar Peza, i cili ulej në një cep pranë derës, edhe për atë, do porositnin dhe, kënaqeshin kur Bujari u dhuronte një gjysmë buzëqeshje. Por disave u dilte nga hundët, ajo që kishin pirë, se në shtëpi, ziheshin me gratë, ngaqë nuk u mjaftonte rroga, deri kur të merrnin tjetrën.

Gjithë ditët e tjera, në lokal kishte qetësi, vetëm pensionistët, shkonin të pinin një kafe dhe kalonin ditën me muhabete. Fjala: -sot është dita jonë- ishte bërë zakon, atë e përdornin edhe ditët e tjera kur ndonjëri shkonte  të pinte kafe, ose më tepër, kur i vinte ndonjë mik që do i jepte një kafe- i thoshte banakierit:  sot është dita jonë, nga një kafe! Asnjërit nuk i shkonte në mend se, edhe kjo fjalë,  ishte e dëmshme.

 Ibraim Qosja, punonte te elektropompa ujit të pijshëm në Konjat, prej njëzet e katër orësh, nuk ishte larguar nga puna. Në mëngjes, pasi la punën- sektori ishte mbi një orë e gjysëm larg- rruga më këmbë dhe pagjumësia,  u duk shumë i lodhur kur arriti në sektor. Mendoi të pinte një kafe para se të shkonte në shtëpi; u fut në lokal, brenda ishte qetësi, disa pleq që ishin me nga një filxhan kafe para, nuk po luanin domina e të grindeshin si gjithmonë. Ibrahimi duke qeshur si gjithnjë, që nga dera- i tha banakierit: një kafe dhe një teke, se sot është dita jonë! Pastaj, përshëndeti pleqtë: mirë mëngjes, por ata, veçse e shikuan si të habitur, iu përgjigjën me një zë, si pëshpëritje, sa me zor e dëgjoi Ibrahimi, dhe ulën kokat, kurse banakieri, nuk foli fare. Herë pas here, pleqtë i hidhnin nga një shikim nënë vetulla, sikur po i mërziste me shakanë prej së cilës, gajaseshin ditët tjera.

Banakieri, kur i vuri kafen e rakinë në tavolinë, duke e shikuar drejtë në sy -i tha:- po, sot është tamam dita jote. Ibrahimi  duke qeshur- i tha: – faleminderit gruas që më dha  edhe për sot të pi kafen. Gruaja është i parë shtëpie, ato e kanë hesapin, ne burrat kot mburremi dhe qeshi me të madhe. Kurse pleqtë e shikuan si të habitur,  dy prej tyre, u ngritën, dolën pa i përshëndetur tjerët. Ata çuditeshin me alegrin e Ibrahimit, kurse Ibrahim vriste mendjen: ç’kishin këta sot që rrinë sikur u ka  vdekur ndonjë?  Pasi piu kafenë e rakinë, i përshëndeti por, as një nuk i ktheu përgjigje. Kur shkonte për në shtëpi, qendra dhe rrugët e sektorit, atë ditë nuk kishte lëvizje, rrallë me ndonjë  që ndërrohej në rrugë, pasi e përshëndeste, merrte një përgjigje që, sa me zor e dëgjonte. Ç’kanë këta njerëz sot me mua? mendonte Ibrahimi. Sapo u fut në shtëpi- gruaja kishte ikur në punë- djali u shtri dhe, me njëherë e zuri gjumi.  

Atë ditë ishte ditë zije, se kishte ndërruar jetë udhëheqësi, për tetë ditë ishin pezulluar të gjitha argëtimet; nëse ishte planifikuar ndonjë gëzim: fejesë apo martesë, ose të prapësohej ose ta merrnin në shtëpi dhe kaq, të gjithë shqiptarët këto dit, duhet vetëm të qanin. Kishte ndërruar jetë, jo prindi i ndonjërit sido kudo, por, “baba” i të “gjithë” shqiptarëve. Disa i thoshin: babë Enveri disa; xhaxhi Enver. Dmth, të gjithë do qanin: për babën ose për xhaxhin, sido që ta quanin. Por, Ibrahimi nuk dinte gjë.

Sapo e kishte zënë gjumi, trokiti dera.

-Ç’ësht ky që nuk më lë të fle?- tha me vete, Ibrahimi. Hapi derën.

-Hë more pse ma nxore gjumin, sapo kam ardhur nga puna, jam njëzet e katër orë pa gjumë. shoku me kokë ulur- i tha: të kërkon operativ Bujari.

-Pse? – e pyeti.

-Nuk e di! – u përgjigj shoku.

-Ku është, te lokali? Mendoi se e ka ftuar të pinë ndonjë kafe bashkë, të gjithë kujtonin se e kishin shok, ishte privilegj i madh të pijë kafe me të.

-Jo, jo! te dhoma që kanë këtu.

-Epo, mirë, shko! Sa të vishem.

-Po mos u vono, kështu më tha. Këta nuk e dinin se operativi nuk kishte shokë, se ai  ishte më i rrezikshëm se ujku; ujku e ndiqte tufën gjithë ditën, priste  të ndahej ndonjë bagëti nga tufa ta rrëmbente,  kishte raste që pas gjithë atij mundimi, ujku mund të vritej nga bariu, kurse operativet, për të kapur gjahun, nuk mundohej fare, e kërkonte në zyrë dhe viktima shkonte vetë.

Kur vajti të dhoma e Bujarit, dera ishte gjysmë hapur, Ibrahimi e shtyu derën si herët e tjera, kur e ftonte për kafe- dhe, duke qeshur, sapo do e përshëndeste si herët e tjera, papritmas dëgjoi një Britmë: ku futesh kështu pa trokitur, në shtëpinë tënde! Jashtë. Për një moment Ibrahimi, mbeti si i ngrirë në derë, duke e shikuar, mundi të thotë; më.. më… më fal shoku Bujar! Erdha si herët e tjera. U zmbraps dhe trokiti. Nga lodhja dhe pa gjumësia ishte këputur, përçmimi dhe pritja e gjatë, e legjendisi fare. Më në fund dëgjoi Bujarin; hyr! Ishin të dy më këmbë, ballë për ballë, njëri shikonte i habitur pa kuptuar pse sot Bujari po e shikonte me egërsi? Nga sikleti, iu djersit balli. Papritmas dëgjoi, ti thotë: pa më thuaj more -mut muti- ç’e kishe gjithë atë gëzim sot?

Ç’a gëzimi, shoku Bujar? Unë sa erdha nga puna

-Partinë gënjen ti, ëh! E di ti, kush jam unë? Dhe iu afrua

-Jo shoku…. nu….nuk po gënjej

-Ke thënë te lokali: sot është dita jonë! Pse është dita jote sot ?

-Ibrahim qeshi, kujtoj se po bënte shaka Bujari- si gjithnjë shoku Bujar: një kafe një raki, se, sot është dita jonë- i thash klubistit.

-Po pse është dita jote sot, ëh!

-Sot nuk është tamam se, nuk është ditë rrogash- tha duke qeshur- po ti e di që kjo është bërë zakon ta themi edhe herët e tjera.

-Ashtu, si herët tjera ëh?  Na, ta tregoj unë si është dita jote, qen e biri i qenit- ja futi syve, Ibrahimi nuk po kuptonte, shoku … shoku…., po të parën  e pasoj e dyta, e treta e me radhe, Ibrahimi nuk mund ta shqiptonte emrin e operativit. Kur Bujari po rrinte më këmbë, Ibrahimi me lot në sy, mund të thotë: po pse more shoku operativ, pse ma bëre këtë.

-Pse, ça do ti, të përkëdhel, edhe burgun e ke pak, për atë që ke bërë, dhe…

-Po kështu kemi thënë gjithnjë, kur marrim rrogat, kështu thash edhe sot.

-Sot që të gjithë shqiptarë qajnë, për ty qenka ditë gëzimi, ëh?

-Pse shoku operativ, ça ka ndodhur?

-Sot që ka ndërruar jetë udhëheqësi ynë, ti na je zgërdhirë si ato putanat, në lokal, kaq shumë qenke gëzuar, ëh? Ibrahimi e shikoi, i ra kokës me grusht – për të treguar dhimbjen që ndjeu, duke e shikuar, sikur shikonte viktima xhelati. Bujari sot, nuk ishte ai tavolinës që i buzëqeshte kur i shkonte porosia.  A e di se me këtë, u ke bërë qejfin armiqve? Edhe burgun pak ke, me atë që ke thënë.

-Nuk di gjë, të betohem, unë sapo erdha nga  puna, piva kafen dhe rashë në gjumë.

-Nuk ke dëgjuar gjë fare, nuk të tha njeri? Po radion, nuk e dëgjove.

-Po, jo o shoku Bujar, ku pata kohë të dëgjoj radioja, sa u futë në shtëpi rashë në gjumë, të betohem dhe u shkreh në vaj prapë.

-Po e di, se kjo që ke bërë ti, quhet armiqësi? E kapi për jake, e shtyu jashtë: zhduku, mu hiq nga sytë, dhe këto dit, mos u largo nga sektori!- i tha. Gjithë ato ditë- Ibrahimi, priste mos e arrestonin. Tani e kuptoi Ibrahimi se biografia nuk të shpëtonte. Të gjithë në familjen e Ibrahimit ishin të trishtuar, frika e torturoi për shumë kohë, fjalën:- sot është dita jonë,  dhe kur e përdornin tjerët, kishte frikë ta dëgjonte. Kur shikonte Bujar Pezën te cepi i lokalit, sa nuk i binte pika, kur merrte kafen- i thoshte banakierit: çoi shoku Buja…. banakieri i thoshte: mirë, duke buzëqeshur e duke luajtur kokën.  Kafen e pinte sa më shpejt, që të largohej prej aty.

Një ditë kur kthehej nga puna, një shok e pyeti: – o Bimi, pse je dobësuar kaq shume more, ke qen gjë sëmurë? Ibrahimi e shikoi pak- i tha: po, shumë sëmurë, kam qenë.

-Pse, ça pate?

– Si gjithnjë, piva një kafe një raki, nuk di pse, po desh vdiqa, vuajta shumë, aq shumë sa, shpirti ma di.      

-Qëllon nga një herë, s’dihet si qëllon trupi i njeriut, ndoshta nuk ta pranon stomaku. Të shkuara! – i tha shoku.

   Faleminderit! – iu përgjigj Ibrahimi.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Shefqet Dobra, SOT ËSHTË DITA JONË

Pasoja të rrezikshme për të nesërmen e Shqipërisë

February 3, 2018 by dgreca

*MARREDHËNIET SHQIPËRI-GREQI, NË UDHËKRYQET E HISTORISË/

*Në vitin 1936, Fuqitë e Mëdha kanë vendosur që, gjerësia e detit territorial për Greqinë, të jetë 6 milje. T’i jepet Greqisë 12 milje det, do të thotë që ajo të zotërojë tërësisht Kanalin e Otrantos, me gjithë rezervat e mëdha të naftës dhe gazit, që janë zbuluar në pejsën që i takon Shqipërisë, madje t’i afrohet Ksamilit e Sarandës fare te dera, gjë që duket e pabesueshme ose çmenduri qeveritare./

Ditmir Kotzias

Shekulli XXI u duk sikur do ta zgjidhte përfundimisht çështjen shqiptare. Dhe duhet pranuar që janë hedhur hapa të mëdhenj përpara. Më kryesori ndër ta është Shpallja e Pavarësisë së Kosovës, në saj të mbështetjes së fuqishme nga SHBA dhe disa shteteve europiane. Pas shumë përpjekjesh, duke filluar nga viti 2001 dhe më pas me Marrëveshjen e Ohrit, u legalizua Universiteti, dhe vitin e fundit në parlamentin e Maqedonisë u miratua ligji për njohjen e gjuhës shqipe, gjuhë zyrtare, krahas asaj maqedonase. Megjithë përpjekjet e presidentit dhe opozitës së atij vendi, për të mos pranuar një ligj të tillë, kemi bindjen se nuk do të ketë kthim pas. Por kjo nuk mjafton. Për shkak të politikës së dobët të zhvilluar prej shqiptarëve dhe vatrave jo miqësore që vazhdojnë të jenë gjallë në Europë, është venë në diskutim Mitrovica dhe po shtrohet për diskutim ndarja e saj. Ka tendenca për t’iu nënshtruar vijës së demarkacionit me Malin e Zi, e cila është në kundërshtim me të gjitha normat ndërkombëtare që lidhen me përcaktimin e kufijve midis shteteve. Edhe më keq akoma po zhvillohen marrëdhëniet me Greqinë. Dhe ja sepse.

Kohët e fundit janë zhvilluar bisedime të nivelit të lartë, midis Shqipërisë dhe Greqisë, ku është diskutuar për disa çështje që mbajnë pezull marrëdhëniet dypalëshe. Kërkesa e Tiranës zyrtare për të patur marrëdhënie të mira me shtetin grek është normale dhe e domosdoshme. Pa marrëdhënie të mira me shtetin grek, progresi ekonomik dhe integrimi do të ishte më i vështirë. Mirëpo, nëse qeveria shqiptare e kërkon këtë miqësi duke pranuar pretendime absurde të qeverisë greke, ka pasoja të rrezikshme për të nesërmen e Shqipërisë. Shqipëria dëshiron të shkojë në Europë, për të cilën i duhet ndihma e Greqisë dhe vendeve të tjera, por, në radhë të parë, do të shkojë si një komb me dinjitet, si shqiptar, dhe nuk do të shkojmë, siç na propozohet, duke dhënë pjesë të territorit. Mirëpo, pas takimit të Kretës erdhi ai i Korçës, për rezultatet e të cilit mungon informacioni. Nëse qeveria greke është shfaqur më transparente me publikun, qeveria shqiptare i ka mbajtur bisedimet në tërësi të fshehta. Por nga ato që janë pohuar prej të dy palëve, nuk rezulton asgjë e dobishme për Shqipërinë. Delegacioni shqiptar pranoi të bënte lëshime të mëdha në favor të Greqisë, pasi morën premtime për t’u mbështetur nga Athina në marrjen e statusit të kandidatit për në Bashkimin Europian, si dhe heqjen e ligjit të luftës. Po çështë ky ligj lufte që mban pezull marrëdhëniet dypalëshe?  

Qeveria greke, me vendimin nr. 2636/40, të muajit nëntor 1940, si dhe me dekretin e Mbretërisë së Greqisë, nënshkruar më datë 10 dhjetor 1940, e cilësoi Shqipërinë vend armik, me të cilin Greqia ishte në luftë. Ky vendim vinte si kundërpërgjigje e “dekretit mbretëror shqiptar”, nr. 194, datë 9 qershor 1940-XVI-II, në nënin nr. 1 të të cilit thuhej: “Mbretëria e Shqipënisë njifet e hymne në luftë me ato shtete me të cilat mbretnija e Italisë ka me qënë në luftë”. Në fakt, ky dekret ishte i Viktor Emanuelit III, i cili qe shpallur mbret i Italisë dhe Shqipërisë. Kjo u realizua me anë të mëkëmbësit të mbretit italian në Tiranë, Francesco Jakomoni, i cili e detyroi qeverinë kukull të Vërlacit të miratonte ligjin në fjalë, më 9 qershor 1940. Mirëpo ky ligj nuk mund të penalizojë popullin shqiptar, pasi Shqipëria ishte nën pushtim dhe qeveria e Tiranës dirigjohej nga Roma. Këtë e dinin mirë edhe krerë të politikës së Athinës, por atyre u interesonte ta rendisnin Shqipërinë në krahun e agresorëve fashistë, pasi në këtë mënyrë realizonin më me lehtësi qëllimin e tyre ekspansionist.

Ka 78 vjet që luhet me një ligj të tillë. Loja ka për synim realizimin e qëllimeve djallëzore në dëm të Shqipërisë. Me pushtimin e Greqisë nga Gjermania, në mesin e vitit 1943, kryeministri grek Jorgos Xolagoklus e hoqi ligjin e luftës me Shqipërinë, sepse kërkonte paqe në kufijtë e saj. Por qeveria helene që mori pushtetin në vitin 1945, e rivendosi sërish. Kabineti i qeverisë së Andrea Papandreut, në të cilën qe ministër edhe Karolio Papulias, më 28 gusht të vitit 1987, e shfuqizoi sërish atë ligj. Qeveria shqiptare besoi. Në muajin mars të vitit 1996 u nënshkrua Pakti i Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Sigurisë për fqinjësi të mirë. Tashmë vazhdon të thuhet se ligji nuk është hqur. Në rrethanat e krijuara shtrohen disa pyetje: Si mundet të nënshkruhet pakti i miqësisë midis dy vendeve, kur njëra palë është me duar në xhepa dhe tjetra me mitraloz në dorë? Pse qeveria shqiptare nuk e ka shtuar këtë çështje në NATO? Si mund të rrinë dy shtete fqinjë anëtarë të NATO-s, kur janë në gjendje lufte? A pranon BE të anëtarësoi në radhët e veta dy vende që janë shpallur armiq dhe vazhdojnë të jenë në gjendje lufte? Përse nuk është shtruar me forcë kjo çështje në Bruksel? A e dinë qeveritarët tanë që Greqia ka patur dhe vazhdon të ketë pretendime territoriale ndaj Shqpërisë?

Athina tallet duke karikuar herë pas here ligjin famkeq që kërcënon sovranitetin e Shqipërisë, por edhe Tirana nuk e ka denoncuar me forcë mbajtjen ndezur të gjendjes së luftës nga politika e Athinës. Edhe nëse ai miratohet, prej tij përfitojnë një numër i kufizuar shqiptarësh, pronat e të cilëve, sipas qeverisë greke, kapin vlerën rreth 13 milionë euro. Ndërsa për çamët e ndjekur nga vendlindja, ka një tjetër ligj që i konsideron të shtetëzuara pronat e tyre, pasi janë cilësuar bashkëpunëtorë me gjermanët. Nëse nga pala shqiptare nuk do të pranohej të nënshkruheshin një sërë marrëveshjes me Athinën, ligji në fjalë do të ishte hequr vite më parë, pasi do të futeshin në lojë edhe aktorë të tjerë. Shprehjet e politikanëve tanë se, nuk ka çfarë na duhen kufijtë dhe së çdo gjë “e di Europa” apo “tashmë do të shkojmë në Europë e kufijtë do të shuhen”, “kemi NATO e SHBA”, e të tjera, janë vetëm në dëm të shqiptarëve. BE dhe SHBA nuk do të pajtoheshin kurrë me Athinën, nëse do ta dinin që Greqia nuk e njeh “de jure” kufirin e miratuar nga Fuqitë e Mëdha, në vitin 1924, pra Protokollin e Firences. Madje Athina refuzon edhe sot e kësaj dite nënshkrimin e tyre. BE mbase nuk do të miratonte as uzurpimin e kishës orthodokse shqiptare, ku janë shkelur me të dyja këmbët parimet e shenjta, kanonet e Kishës Autoqefale të Shqipërisë, të vendosura që në vitin 1921, nëse politika shqiptare do të shprehej në një zë.

Qeveria shqiptare pranoi të zgjerohen varrezat greke në Këlcyrë e Bularat, madje mori përsipër të gjejë edhe varret e ushtarëve grekë të rënë gjatë Luftës Italo-Greke. Ajo që tërheq vëmendjen është dhënia e tyre të statusit historic, që nënkupton rënien e ushtarëve për trojet shqiptare, apo për trojet e tyre, gjë e cila mund të shoqërohet me pasoja në të ardhmen. Në fushën e luftimeve, gjatë muajve nëntor 1940 – prill 1941, mbetën të vrarë rreth 17 mijë ushtarë italianë dhe grekë për interest e tyre, duke e kthyer Shqipërinë në shesh beteje, jashtë vullnetit të saj. Italia i tërhoqi trupat e të rënëve, për t’u prehur në vendlindjen e tyre, ndërsa Greqia nuk i luajti nga vendi, pasi Athina zyrtare vazhdon ta quaj Jugun e Shqipërisë pronë të saj. Ne nuk jemi kundër gjetjes së eshtrave të ushtarëve grekë, pasi nderimi ndaj të rënëve është kulturë dhe detyrim qytetar. Por nuk e shohim me vend grumbullimin e tyre nëpër manastire të ndërtuara në tokën shqiptare. Greqia mund t’i tërheq eshtrat e tyre në vendin e vet. Në fakt, jo vetëm që nuk e bënë një gjë të tillë, por e lidh rënien e ushtarëve me kisha e manastire, pas të cilëve fshihet diçka e kobshme për interest kombëtare shqiptare.

Lind pyetja: Përse përbëjnë problem serioz për Shqipërinë dhe shqiptarët, pranimi i varrezave greke në Këlcyrë e më gjerë? Nuk do të kishte asnjë shqetësim, nëse bëhej fjalë për një shtet fqinj që nuk ka pretendime territoriale ndaj Shqipërisë, apo nëse Athina do t’i njihte kufijtë e saj. Por e vërteta është ndryshe dhe gjërat duhen thënë siç janë. Greqia vazhdon ta quaj jugun e Shqipërisë tokë greke.

Qeveria shqiptare nuk duhet të harrojë përpjekjet e bëra nga shteti fqinj, për të përfshirë brenda kufirit grek, dy prefekturat shqiptare që përfaqësojnë trojet e ndodhura në jug dhe juglindje të Shqipërisë, prefekturën e Korçës dhe atë të Gjirokastrës. Politika greke e ka kërkuar këtë territor, duke filluar nga gjysma e dytë e shekullit XIX dhe i shtoi përpjekjet në vitet 1870 -1880, në kuadër të Traktatit të Paqes së Shën Stefanit (3 mars 1878) e më pas në Kongresin e Berlinit (13 qershor 1878) për t’i rinisur gjatë zhvillimit të punimeve të Konferencës së Ambasadorëve të Londrës 1912-1913, por edhe më pas, në Konferencën e Paqes së Versajës 1919-1920 dhe atë të Parisit të vitit 1946. E njëjta gjë vazhdon edhe sot, kur ajo e ka shtrirë minioritetin deri në afërsi të qytetit të Vlorës. Greqia i bën presion qeverisë shqiptare se nuk do ta votojë për në BE, nëse nuk i hapet rruga për të plotësuar objektivat e hershme, në funksion të helenizmit të Shqipërisë së Jugut.

Dhe të mos harrojmë! Në kushtetutën helene thuhet se ushtari grek varroset në tokën e vet. Lind pyetja: Mos edhe tokën ku janë ngritur këto varreza, Athina e quan greke? Patjetër që po. Qeveria greke, në pranverën e vitit 1943, i kërkoi komandës gjermane t’i jepte lejen për të mbajtur të pushtuar jugun e Shqipërisë, në këmbim të lenies së lirë të trupave të tyre, por gjermanët nuk pranuan. Karrolio Papulas, vite më parë, kur vizitoi Shqipërinë, gjatë një takimi në Fier, pyetjes së një gazetari grek se çdo të bëhet me eshtrat e Shën Kozmait, u përgjigj: Lereni të prehet në tokën e vet!

Varrezat greke përbëjnë problem, sepse ato janë kthyer që sot në qendër pelegrinazhi, që organizohet nën kujdesin e politikës greke, e cila e ka intensifikuar punën për helenizimin e Jugut të Shqipërisë. Për këtë flasin qartë kishat e ndërtuara në tërë jugun e vendit, jo me karakteristika të kishës shqiptare, por me karakteristika të kishës greke, ku është zbatuar e njëjta arkitekturë dhe objekte të tilla janë ngritur me shumicë në një linjë, që është vija imagjinare e Vorio-Epirit, e përcaktuar në vitet 1912 – 1913 nga Venizellos. Ato gjenden që nga derdhja e Vjosës dhe vijojnë në fshatra, qytete, madje edhe aty ku nuk ka fare ortodoksë, siç është p.sh. Memaliaj, në Këlcyrë e në vazhdimësi deri në Korçë. Pra vihet re një koncentrim objektesh fetare, të cilat synojnë, me sa duket, të zëvendësojnë piramidat e kufirit, që grekët nuk i njohin në vendin e tyre të ligjshëm, në kufirin e njohur në vitin 1913 dhe rizyrtarizuar në vitin 1924 nga Protokolli i Firences.

Pra, në këtë hulli, ne kemi edhe fenomene të tjera të çuditshme, të cilat i zbuloi skandali i njohur i eshtrave të ushtarëve grekë në Kosinë të Përmetit dhe më gjerë, të cilat rezultuan se ishin eshtra të banorëve shqiptarë. Në zhvarrimin e eshtrave u vu re prania e përfaqësuesve të shtetit grek dhe të Kishës së ashtuquajtur Autoqefale Shqiptare, e cila drejtohet po nga grekë.

Kjo tregon që këtu kemi një problem vërtetë të madh, ku shteti shqiptar i ka braktisur qytetarët e vet, dhe aty po funksionojnë pushtete të fshehta, pushtete ilegjitime, siç është ai i konsullit apo pushteti i Janullatosit, i cili bën si të dojë, ndërton varreza dhe memorialë pa patur leje, i paraqet si memorialë grekë etj. Të gjitha këto janë vepra dhe akte të palejueshme në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe janë tepër të rrezikshme, jo vetëm për paqen e harmoninë në këto zona, që janë të pastra shqiptare, por janë akoma më të rrezikshme kur në këto zona ka vërtet minoritet grek, si në Gjirokastër e Delvinë, kur ngrihen struktura paralele, të cilat nuk identifikohen me shtetin shqiptar, duke avancuar në objektivin e krijimit të një zone ekstraterritoriale, para të cilave ndonjëherë vërehet dhe heshtje apo gjunjëzim i politikës shqiptare.

Këto veprime mund të demaskoheshin me lehtësi, nëse do të kishte vullnet dhe vendosmëri nga klasa politike shqiptare, nëse ajo do të bashkohej kur bëhej fjalë për çështje madhore të Shqipërisë. Në fakt, të dy krahët e politikës, për të fituar kredibilitet pushteti me anë të anëtarësimit të Shqipërinë në NATO apo në BE, kanë preferuar të dhurojnë pjesë të territorit shqiptar, njëlloj sikur të jepnin dhuratë një tablo pikture. Ata harrojnë që interesat e larta të kombit shkojnë tej interesave partiake, madje edhe tej integrimit të Shqipërisë në BE.

Tashmë u deklarua sërish rishikimi i kufirit detar me Greqinë. Ministria e Jashtme e Shqipërisë e ka mbajtur të fshehtë të vërtetën e këtyre bisedimeve. Sipas deklaratës së ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kotzias, në takimet e zhvilluara, përveç varrezave, pala shqiptare ka pranuar të kalojë në favor të Greqisë rreth 12 milje nga territori shqiptar në Detin Jon. Ministri Bushati pranoi që do të bëhen negociata, por sipas tij, marrëveshja për rishikimin e çështjes së kufirit detar do të jetë më e mirë se ajo e nënshkruar nga qeveria e djathtë. Mirëpo kjo frazë nuk thotë asgjë. Shqipëria nëse nuk është në gjendje të përballet me ekipin e specializuar grek të kufirit, duhet të kërkojë ndihmë ndërkombëtare. Në vitin 1936, Fuqitë e Mëdha kanë vendosur që, gjerësia e detit territorial për Greqinë, të jetë 6 milje. T’i jepet Greqisë 12 milje det, do të thotë që ajo të zotërojë tërësisht Kanalin e Otrantos, me gjithë rezervat e mëdha të naftës dhe gazit, që janë zbuluar në pejsën që i takon Shqipërisë, madje t’i afrohet Ksamilit e Sarandës fare te dera, gjë që duket e pabesueshme ose çmenduri qeveritare. Por edhe sikur të mos jetë 12 milje, por më pak, sërish është e gabuar dhe pala shqiptare nuk mund të marrë përsipër të negociojë me qeverinë greke, pa patur të pranishëm ekspertë ndërkombëtarë për këtë çështje, phesë e të cilit të jenë patjetër edhe eskpertë italianë, pasi Italia është pjesë e Otrantos.

Nëse kryhet ky akt, kemi të bëjmë me tradhëti të hapur ndaj interesave kombëtare shqiptare. Gjykata Kushtetuese, me vendimin nr. 15, datë 15 prill 2010, e dënoi këtë veprim të kryer nga qeveria e mëparshme, ku Shqipëria humbiste 300 kilometra katrore sipërfaqe detare, dhe e ka quajtur antikushtetuese marrëveshjen e nënshkruar prej saj. Në këto rrethana, nevojitet tërheqja me çdo kusht e qeverisë shqiptare nga një akt i tillë, në të kundërt duhet të pranojmë që Viti i Gjergj Kastriotit Skënderbeut është zëvendësuar me Vitin e Hamza Kastriotit.

Shqetësuese është mungesa e reciprocitetit. Kryeministri Rama u shpreh se në marëdhënie me Greqinë e çdo vend tjetër, duhet të mbahet parasysh reciprociteti. Është i pari kryeministër që e ka shprehur publikisht një gjë të tillë. Por nuk mjafton e thëna. Bazuar në Kushtetutën e Shqipërisë, por dhe në atë të Greqisë, theksohet që në marrëdhëniet me shtetet e tjera, parimi i reciprocitetit është parim bazë. Ky parim me rëndësi në marrëdhënie midis shteteve është shkelur me të dyja këmbët. Politika pranon vendosjen e varrezave të ushtarëve grek në të gjithë vijën që Athina e quan “Vorio-Epir”, por asnjë politikan nuk ka kërkuar reciprocitet, që varreza të tilla të ngrihen dhe në Greqi, ku janë vrarë e masakruar dhjetra mijë shqiptarë të krahinës së Çamërisë edhe më gjerë. Numri i të vrarëve zë fill që nga koha e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për të vijuar me kohën kur zhvillonte punimet Konferenca e Londrës 1913, masakrat e vitit 1914, vrasjet dhe dëbimet në vitet 1918-1924, si dhe ato gjatë Luftës së Dytë Botërore. Po këta të rënë për idealin e tyre dhe të kombit, a nuk duhen nderuar duke ngritur varreza në qendrat e tyre të vendlindjes, që është Greqia? Duket se shteti shqiptar nuk ka qenë i aftë ta detyrojë Athinën të zbatojë reciprocitetin në marrëdhëniet midis dy shteteve.

Nuk mund të ketë reciprocitet midis dy vendeve, kur Shqipëria ka nënshkruar Konventën e Këshillit të Evropës për njohjen dhe mbrojtjen e minoritetit, ndërsa Greqia nuk e ka nënshkruar një konventë të tillë. Kjo tingëllon vërtet ironike dhe sarkastike. Athina insiston dhe këmbëngul pranë qeverisë shqiptare që të zgjerohen të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri, duke kërkuar dhe gjëra që shkojnë përtej një kërkese reale dhe të pranueshme, në një kohë që Athina zyrtare nuk pranon as të përmendësh fjalën Çamëri në bisedime dypalëshe, le pastaj të diskutosh si partner për mënyrën e zgjidhjes së këtij problemi të madh, pa të cilin nuk mund të ketë mirëkuptim dypalësh.

Tirana e njeh minoritetin grek në Shqipëri, që nga koha kur ai është vendosur këtu. Edhe në periudhën e komunizmit janë respektuar të drejtat e tij, madje që nga viti 1921, kur Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve. Është njohur për ta e drejta e arsimimit, besimit, e organizimit etj. Athina i kërkon Tiranës të mos interesohet për popullsinë shqiptare të përfaqësuar nga arvanitët apo çamët, të cilët numërojnë mbi 300 mijë vetë që e kanë ruajtur gjuhën shqipe, pa folur për më shumë 800 mijë shqiptarë të tjerë, që kanë shkuar pas vitit 1990 dhe jetojnë në territorin grek. Me këtë mendësi, Greqia nuk lejon hapjen e shkollave shqipe, kur janë dhjetëra mijëra fëmijë që kanë nevojë për librin shqip, për mësimin e gjuhës amtare.

 

Një tjetër problem është çështja came. Teorikisht Greqia herë pranon dhe herë kundërshton trajtimin e kësaj teme në marrëdhëniet dypalëshe. Pas vitit 1992, këtë problem e ka shtruar Serreqi, ministr i Jashtëm i asaj kohe. Atëherë pala greke nuk guxoi të deklaronte mosnjohjen e kësaj çështje. Këto 27 vite të demokracisë, në vend që të avancohej në zgjidhjen e këtij problemi, nga politika shqiptare është pranuar diktati grek dhe çështja në fjalë është shuar.

Edi Rama e rizgjoi problemin çam dhe nëse do të tregohet konseguent, do t’i sjell dobi, jo vetëm Shqipërisë, por të dy vendeve. Politika shqiptare duhet të vihet në lëvizje nga shoqata “Çamëria”, si dhe nga partia “Bashkimi Demokrat për Integrim”, të cilat nevojitet të jenë më agresive në parashtrimin e problemit çam në kancelaritë evropiane dhe botërore. Është në të drejtën e tyre që ta paraqesin problemin me forcën e duhur. Nëse ata heshtin, problemi nuk do të zgjidhet kurrë. Bota ka nevojë të shohë shqetësimin e vet çamëve, ta prekë atë, ta jetojë këtë shqetësim dhe pastaj të interesohet dhe të mësojë më shumë për t’i dhënë zgjidhjen përfundimtare, gjë e cila është një e drejtë e ligjshme e çamëve. Natyrisht kjo kërkon durim, guxim e përgjegjësi.

Çështja po debatohet edhe në media. Do të dëshironim që intelektualë të shquar shqiptar, në vend që të merren me debate të pafrytshme, mbi çështje tepër të koklavitura, duhet të merren me probleme që kanë të bëjnë me mbijetesën në aspektin ekzistencial të vet kombit, për t’i thënë ndal një ofensive, e cila kërkon të realizojë planet e mykura të megalidesë në shekullin e 21-të. Kjo ndodh sepse politika shqiptare e ka bërë të vetën përgjunjësinë, kompleksin e inferioritetit para të huajve, të cilët luajnë rol të fuqishëm edhe në opinionin e brendshëm shqiptar. Kjo ndodh edhe për shkak të korrupsionit politik. Flitet vazhdimisht për korrupsion, duke e nënkuptuar atë thjesht me terma financiarë, me para, me blerje të institucioneve apo zyrtarëve, por këtu ne kemi të bëjmë me korrupsion politik. Për interesa të çastit, për një mbështetje politike apo kapjen e një karrigeje, bëhen lëshime që dëmtojnë Shqipërinë.

Politika është për të mbrojtur në radhë të parë interesat e vendit, dhe nga momenti që këto interesa shiten për të patur një mik më shumë, apo për të patur një mbështetje politike më shumë në konfliktin e brendshëm ndërpartiak, atëherë ajo bëhet e neveritshme.

Në vendin tonë, nëse trajton çështje të interesit kombëtar, menjëherë etiketohesh “nacionalist”. Në fakt, të mbrosh interesat kombëtare nuk do të thotë që je “nacionalist”, por qe je patriot, që do vendin tend, i cili pa dashurinë e njerëzve që e popullojnë, nuk mund të mbijetojë. Eshtë vështirë të gjeshë politikanë në vendet fqinjë që, kur diskutohen çështje madhore të kombit të tyre, të mos bashkohen. Te ne ndodh e kundërta, sepse politika shqiptare ndihet e përulur para të huajve. Shpesh mbahen sytë nga përfaqësuesit e trupit diplomatik, çfarë thotë njëri ambasador e çfarë mendimi shprej tjetri, si e gjykojnë ata një sjellje politike apo një tjetër, duke harruar që diplomatët në fjalë, nuk janë këtu për të zgjidhur problemet e shqiptarëve, por në radhë të parë për të mbrojtur interesat e kombit të tyre, të aleancave të veta, mbase dhe ta drejtojnë ujin në mullirin e tyre, aty ku u pëlqen të bluajnë.

Në këtë kuadër, besojmë se ka ardhur koha për t’u venë në lëvizje shoqëria civile, të thotë fjalën e vet për çdo çështje me rëndësi kombëtare, ta imponojë qeverinë të verë në plan të parë interest kombëtare dhe jo ato të kolltukut dhe xhepit të individit, madje as të partisë që përfaqson. Nëse qeveritë do të vazhdojnë në linjën e tyre, duke kryer veprime që cënojnë ionteresat madhore të kombit, shoqëria civile duhet të vihet në krye të popullit dhe ta detyrojë qeverinë të largohet, për të ardhur në krye njerëzit që e duan Shqipërinë.

 

UNITETI GLOBAL ALBAN

UNIONI SHQIPTAR I SHOQËRISË CIVILE

Filed Under: Featured Tagged With: Greqi -Shqiperi, Nuri Dragoi, Pasojat e rrezikshme

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT