• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2018

TURP PËR PERËNDIMIN!

March 21, 2018 by dgreca

  • Cari i ri si cari i vjetër!…Turp për udhëheqsit e Perëndimit që nuk shohin ose nuk duan të shohin se asgjë nuk ka ndryshuar për më mirë — dhe as nuk ka në mend të ndryshojë në të ardhmen, me rizgjedhjen e Vladimir Putinit për një mandat tjetër si president i vendit të tij. Si rrjedhim, nuk meriton asnjë urim nga udhëheqsit perëndimorë./

1-Frank-300x212

Nga Frank Shkreli/

 Media Amerikane  dhe anëtarë të Kongresit amerikan kanë shpërthyer me komente të ashpra në lidhje me lajmin se para dy ditësh, Presidenti Trump zhvilloi një bisedë telefonike me Presidentin rus Putin, ndër të tjera, për t’i uruar atij rizgjedhjen në atë detyrë, për një mandat tjetër.  Shtëpia e Bardhë e mbrojti Presidentin Trump. Sikur donte ta justifikonte urimin që  presidenti Trump i bëri Vladimir Putinit për fitoren e tij, Zëdhënsja e Presidentit, Sarah Sanders u tha gazetarëve se shefi i Shtëpisë së Bardhë nuk ishte i vetëm në këtë gjest, pasi ai “Iu bashkua udhëheqësve të vendeve të tjera që bënë të njëjtin urim, Gjermania dhe Franca uruan fitoren e Putinit”, tha ajo dhe shtoi se edhe “Presidenti Obama kishte bërë të njëjtën gjë në vitin 2012”, duke i uruar Putinit fitoren e atëhershme, u shpreh zëdhënsja e Shtëpisë së Bardhë.   Por gazeta Washington Post, citon zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë të kenë thënë se këshilltarët e Sigurisë Kombëtare i kishin thanë presidentit Trump që të mos uronte Putinin për fitoren e tij në zgjedhjet e fundit, por siç duket presdenti Trump injoroi këshillat e tyre dhe në bisedë e sipër me shefin e Kremlinit e uroi atë për fitoren e tij.

Ndërkaq, mediat evropiane njoftojnë se Krye-Komisioneri i Bashkimit Evropian Jean Claude Juncker i dërgoi gjithashtu një letër urimi udhëheqsit rus, ndërsa kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel ishte ndër të parët që uroi presidentin Putin, ndërkohë që presidenti i Francës, Emanuel Macron ka dërguar gjithashtu urimet për shefin e Kremlinit, por të pakën i kërkoi Moskës që të zbardhte vrasjen e papranueshme të një ish-spiuni dhe vajzës së tij, në Britaninë e Madhe.   Por ishte udhëheqsi i konservatorëve britanikë në parlamentin evropian, Ashley Fox ai i cili kritikoi letër urimin që kryekomisioneri i BE-së i kishte dërguar shefit të Kremlinit duke e quajtur letrën si të “turpshme”, pasi në të nuk përmendej fare përgjegjësia e Rusisë për vrasjen e ish-spiunit rus, Skripal dhe vajzës së tij.

Por senatorët republikanë në Kongresin e Shteteve të Bashkuara janë çuar peshë në lidhje me këtë çështje. Janë pikërisht senatorët e Partisë së vet Z. Trump, ata të cilët shprehën indinjatën më të thellë për këtë çështje, përfshirë Senatorin Republikan nga Arizona, Xhon Mekejn, i cili kishte rezervuar kritikat më të ashpra për Presidentin Trump në lidhje me urimin që Z. Trump i kishte bërë Pres. Putin për rizgjedhjen e tij të fundit.

Në një deklaratë për median, Senatori Mekejn e cilësoi bisedën telefonike të Z. Trump me Z. Putin si një fyerje, siç u shpreh ai, ndaj “Çdo qytetari rus, të cilit i është mohuar e drejta e votës në zgjedhje të lira dhe të drejta, ashtuqë me votën e lirë të kenë mundësi të vendosin vet të ardhmen e vendit të tyre, përfshirë edhe shumë patriotë rusë të cilët kanë rrezikuar shumë duke protestuar dhe duke kundërshtuar regjimin e Putinit,”  gjatë viteve.  Senatori republikan, i cili shpesh ka kritikuar politikën e jashtme amerikane të Presidentit Trump, sidomos qendrimet e tija ndaj Presidentit Putin – nënvijoi në deklaratën e tij se, “Një president amerikan nuk mund të udhëheq botën duke u uruar diktatorëve fitoren në zgjedhje jo të lira.”

Edhe udhëheqsi republikanëve në Senat, Z. Mitç Mëkanëll është distancua nga urimi për fitoren e Putinit që Z. Trump ia përcolli në bisedën tlefonike me të para dy tre ditësh.  Z. Mëkanëll deklaroi se Presidenti ka të drejtë t’i telefonojë kujt të dojë, por shtoi se numërimi i votave në zgjedhjet e fundit në Rusi i kujtojnë atij zgjedhjet që mbaheshin dikur nën regjimet komuniste, kur cilido të ishte udhëheqsi i radhës, gjithmonë fitonte me një përqindje dërmuese votash.  “Kështuqë, një bisedë telefonike me të (Putinin) nuk do të ishte lartë në listën time të prioriteteve”, është shprehur udhëheqsi i republikanëve në Senatin e Shteteve të Bashkuara.

Edhe një senator tjetër republikan, Çak Gresli u tha gjithashtu gazetarve të mërkurën se as ai nuk do ta uronte Putinin për fitoren e tij.   “Unë mendoj se Putini është një kriminel. Shiko se ç’ka bërë ai në Gjorgji, në Ukrainë, në vendet baltike, ç’bëri në Londër ku helmoi njerëz me gaze nervore. Unë nuk do të bisedoja me një kriminel.”, u ka thënë ai gazetarëve.

E pyetur nga gazetarët për të reaguar ndaj këtyre dhe tjera deklarata në lidhje me këtë çështje, zëdhënsja e Shtëpisë së Bardhë refuzoi të thoshte nëse zgjedhjet në Rusi ishin të lira dhe të ndershme, por u përgjigj duke thënë se, “Ne nuk u diktojmë vendeve të tjera se si të veprojnë”.

Zgjedhjet në Rusi, historikisht, nuk kanë qenë kurrë të lira, të drejta dhe demokratike.  Kështu ndodhi edhe kësaj radhe, sipas vëretjsve vendorë dhe ndërkombëtarë.  Megjithse, presidenti Putin u rizgjodh me vota dërmuese, vërejtësit ndërkombëtarë të zgjedhjeve, si edhe kundërshtarët politikë të Putinit kanë lëshuar akuza se gjatë zgjedhjeve të fundit ishin shënuar ç’rregullime të mëdha.  Organizata për Siguri dhe Bashkpunim në Evropë (OSBE) nënvijoi në një deklaratë se, “Pengesat mbi liritë themelore, si edhe ato në lidhje me regjistrimin e kandidatëve kanë kufizuar shumë hapësirën për një angazhim politik dhe si rrjedhim është shënuar mungesë e një gare serioze”, në fushatën politike për president.    Në të vërtetë, Putini nuk kishte ndonjë kundërshtarë serioz politik në këtë garë, pasi udhëheqsi i opozitës më të madhe në vend, Alexei Navalny ishte ndaluar të merrte pjesë në fushatën për president të vendit.

Fatkeqësisht, kohët e fundit presidenti Trump dhe të tjerë udhëheqës botërorë, përveë Putinit, kanë uruar edhe diktatorë të tjerë për fitoret e tyre, përfshirë kohët e fundit Presidentin e Kinës, Xi Jingping i cili shpalli veten president të përjetshëm dhe Rexhep Erdoganin e Turqisë i cili me anë të një referendumi shumë të kritikuar, ka rritur edhe më shumë pushtetin autokratik, që ai gëzon tani.  Mbështetja për Putinin është çkurajuese, u shpreh për gazetën Washington Post, ekspertja amerikane për Evropën dhe ish-këshilltare e Zëvendës Presidentit amerikan Joe Biden, Julie Smith. “Evropa pret prej nesh udhëheqje, veçanërisht në lidhje me Rusinë, por fatkeqsisht nuk po e gjenë këtë mbështetje”, tha ajo.

Për Rusinë dhe për botën, përfshirë perëndimin, zgjedhja edhe për një mandat tjetër të Vladimir Putinit si presidenti i Rusisë nuk do të sjellë asgjë të mirë për lirinë dhe demokracinë në Rusi dhe asgjë pozitive në marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Kongresi amerikan e di mirë këtë gjë, sidomos kur është fjala për marrëdhëniet e Moskës me fqinjtë e sajë, përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor.  Cari i ri si cari i vjetër! Turp për udhëheqsit e Perëndimit që nuk shohin ose nuk duan të shohin se asgjë nuk ka ndryshuar për më mirë — dhe as nuk ka në mend të ndryshojë në të ardhmen, me rizgjedhjen e Vladimir Putinit për një mandat tjetër si president i vendit të tij. Si rrjedhim, nuk meriton asnjë urim nga udhëheqsit perëndimorë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, Putin, TURP PËR PERËNDIMIN

A duhet mbrojtur monumenti i Bashkim Vllaznimit në Prishtinë

March 21, 2018 by dgreca

Ylber-Vokshi-Ylli-210x160

Nga arch. Ylber Vokshi-Ylli/

Pik së pari duhet hulumtuar dhe analizuar kur,ku dhe përse u ndërtua ky monument në këtë lokacion, që nga aspekti urbanistik i ka shkaktuar dëme të mëdha funksionimit normal të kësaj zone të qytetit të Prishtinës. Me atë zgjidhjen ”famoze“ urbanistike të atyre viteve revolucionare komuniste, nën moton “të rrënojmë të vjetrën të ndërtojmë të renë”,është bërë krimi ma i madh urban i asaj qyteze që ishte emëruar kryeqytet i Kosovës. U rrënua mu bërthama e qytetit të vjetër për të ndërtuar infrastrukturën e re administrative dhe politike, për të ia humbur gjurmët dhe identitetin urban të krijuar me shekuj. Ky plan ogurzi u realizua me sukses, pa guxuar dikush të kundërshtoi,e sot në shumë shkolla të arkitekturës analizohet dhe trajtohet si shembull i keq në fushën e urbanistikës së qytetit.

Mu në këto vite (1961) u sajua sheshi dhe monumenti i Bashkim Vllaznimit, duke ndërprerë rrugën apo aortën natyrore komunikuese që ekzistonte në atë zonë të qytezës, në mes të pjesës lindore (Vellushë-Germi ) dhe asaj perëndimore ( Tophane-Arbëri), që edhe sot i ka pasojat e veta duke krijuar një fyt të ngushtë komunikacioni në trafikun automobilistik në mes të atyre dy pjesëve të qytetit, Me “baj-pasin” e krijuar rreth objektit të Komunës së Prishtinës, sot kur është shumëfishuar komunikacioni,  paraqet një pengesë të madhe që me procesin e rehabilitimit urban të asaj zone duhet seriozisht trajtuar dhe zgjidhur.

Zgjidhja ma e preferuar do të ishte kthimi i rrugës komunikuese të dikurshme që lidhte këto dy pjesë të qytetit e që dhunshëm e ndërpre me ndërtimin e sheshit, që nënkupton dislokimin e monumentit dhe ri-dizajnimin e asaj zone me kapacitetet reja të dizajnit urban. Lidhshmëria në mes të Komunës dhe Kuvendit të Kosovës mundet të arrihet me forma tjera që do të rrjedhin nga rehabilitimi urban i asaj zone.

Jam përkrahës i madh i vlerësimit  dhe mbrojtjes së identitetit urban të krijuar me shekuj. Nuk do të thotë se çdo objekt i vjetër apo përmendore të ka vlera arkitektonike,artistike apo historike,e aq ma pak që atribute të tilla të kenë monumentet apo përmendoret ideologjike të një kohe të caktuar,të cilat vdesin dhe zhduken së bashku me përfundimin e ideologjisë si në rastin konkret asaj komuniste,pasi që u treguan të pa qëndrueshëm në kohën e sotme. Mbrojtja e tyre me çdo kusht,si po tentojnë disa,duke u thirr në disa vlera jo të qëndrueshme, mundet të ketë efekte të pa dëshirueshme negative.

Natyrisht ato monumente që  kanë vlera të pa kontestueshme artistike janë shpallur si monumente në mbrojtjen e shtetit dhe është vështirë të zhvlerësohen nga dikush tjetër. Në rastin konkret monumenti i Bashkim Vllaznimit as që është vlerësuar si i tillë, edhe se sipas disave  ka vlera artistike. Dilema profesionale ende ekziston se sa   ky punim është punuar për këtë mjedis apo është katapulltuar nga ndonjë projekt tjetër, që ka qenë dukuri normale në ato kohëra.

Në atë zonë të sheshit në perimetrin mbrojtës, gjinden edhe rrënojat të disa objekteve (Hamamit të vogël, Xhamia e Çarshisë,një shtëpi karakteristike) të cilat janë në listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme shtetërore të MKRS. Është i domosdoshëm sinkronizimi i hapave të ardhshëm me Ministrin.

Një është e sigurt kthimi i rrugës së vjetër që sot do të lidhte rrugën “UÇK” me atë “Nazim Gafurri” me modifikimin e udhëkryqit ekzistues,me shpronësime simbolike, nuk do të pengonte askënd e në anën tjetër do të çlironte komunikacionin automobilistik në të gjitha drejtimet.

Janë të njohura raste të shumta në botë që për interesa madhore janë dislokuar   edhe objekte nën mbrojtje, e në rastin konkret kemi të bëjmë me një përmendore që është menduar ti shërbejë propagandës agresive politike të  vëllazërim bashkimit,i ndërtuar në vitin 1961, mu në kohën kur represioni ndaj popullatës shumicë shqiptare të Kosovës kishte mbërritur kulminacionin e vet, nga regjimi ushtarako policor sllavo komunist (koha e Rankoviqit ).

Nostalgjikët e asaj kohe kanë të drejtë të kërkojnë mbrojtjen e asaj përmendoreje duke u thirrur në memorien historike apo disa vlera tjera, që pushteti i asaj kohe ka tentuar ti propagoi me të gjitha mjetet e mundshme. Por kur ato u imponuan me dhunë dhe represion,si e tregoi realiteti i ma vonshëm në Kosovë, atëherë atë periodë nuk duhet vlerësuar pozitivisht,aq ma tepër që ky monument nuk është vlerësuar të jetë në listën e monumenteve të mbrojtura nga shteti.

Krejt çka mundet me u tolerua sot është dislokimi i tij në një lokacion tjetër së bashku me simbole tjera të kohës,që do të iu shërbente hulumtuesve, historianëve, nostalgjikëve,turistëve dhe të tjerëve me i studiuar dhe analizuar atë kohë të kaluar, që ma së miri shpjegohet me anën e këtyre përmendoreve të së kaluarës tonë,e jo me insistime të pa qëndrueshme të kërkojnë frenimin e proceseve progresive dhe të dobishme urbanë në atë pjesë të qytetit me rikthimin e rrugës,që për momentin është i domosdoshëm.

E sa i përket  emërtimit të asaj hapësire sheshi  “Adem Jashari” kjo tregon miopin politike të atyre që sipërfaqësish japin ose marrin vendime të tilla që ma së paku e ka merituar personaliteti i tij që e flijoi jetën për lirinë e Kosovës. Vendi adekuat i një sheshi të tillë duhet definuar dhe caktuar pas një pune profesionale të ekspertëve të urbanistikës dhe të tjerëve,që në Kosovë u tregua si nocion i huaj në fushën e urbanistikes dhe planifikimit hapësinor në shekullin 21.

Mobiliari urban pjesë e të cilit janë edhe monumentet ideologjike të një kohe të kaluar, si është monumenti i dedikuar idesë së Vëllazërim Bashkimit në qendër të Prishtinës i quajtur “Monument dedikuar Luftëtarëve të Rënë”,do  të zhduket ashtu si  ka ndodhur me skulptura dhe përmendore të ndryshme në të kaluarën. Kjo ka ndodhur në Ballkan pasi pa kurrfarë  kriteresh janë vendosur përmendore ideologjike duke  i zëvendësuar ato të kaluarat, duke mos menduar në qëndrueshmërinë kohore të tyre.

Frikohem se fatin e ngjashëm do ta kenë edhe shumë përmendore dhe monumente nga lufta e fundit në Kosovë pasi të kalon euforia çlirimtarë, pasi janë ndërtuar dhe vendosur në lokacione të ndryshe pa analiza hapësinore dhe urbane, e që do të tregohen të pa qëndrueshme me kohën.

Ndërmarrja e domosdoshme e këtyre ditëve e Komunës së Prishtinës në sanimin sipërfaqësor të shkallëve dhe platos së sheshit sipas trendeve aktuale në botë, pa ndryshuar pozitivisht asgjë,sipas kërkesave dhe nevojave të kohës, tregon pa aftësinë tonë dhe mos guximin për të ndërmarrë diçka pozitive për të mirën e të gjithë neve, pa cenuar principet ndërkombëtare të planifikimit urban,që në rastin konkret kishte mundësi,e që i apostrofova në këtë shkrim. Prandaj reagimet publike që u plasuan në tregun mediatik këto ditë nga individët dhe asociacionet e ndryshme,nuk janë të qarta se për çka po polemizohet kur asgjë nuk po ndryshon nga koncepti komunist i para gati 60 vite.

Veprime të tilla kemi edhe në disa raste tjera në Prishtinë dhe qytete tjera,kjo formë e punës dhe mos punës po na hakmerret në kualitetin e jetës urbane edhe ashtu të varfër në Prishtinë dhe Kosovë.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: arch. Ylber Vokshi Ylli, Bashkim-Vllazrimi

Inxhinjeri Kujtim Beqiri dhe romani “Këneta”

March 21, 2018 by dgreca

1 Kujtim Beqiri

Ne Foto:Kujtim Beqiri/

Nga Gëzim Llojdia/

1.Fusha e Murros në luginë të Shushicës edhe sot i thonë :“Fusha  e Ali Beqirit” .Në Velcën e rrethuar me shpella e prej shkëmbinjve në brinjë të malit, lindi Ali Beqiri.“e  la i ati të vogël me një pasuri të pakët  e me një vëlla më të madh, shkruan, Ago Shero Agaj .Donte të bënte lart dhe fluturoi brenda një kohe të shkurtër e u bë nga më të pasurit e më të dëgjuarit e krahinës së tij .“Sa për nahije e tatëpjetë /u kam dalë për zot vetë…e bënë të thotë Ali Asllani në vjershat e tij të mbuluara e plot thumba në kohën e rebelëve . Sjell dëshmi se ai Aliu duhet të ketë lindur rreth vitit 1868 dhe vdiq në pranverën e vitit 1942 në Vlorë megjithë këto, thotë shkruesi në pleqëri, qe më fatkeqi i shokëve se rrojti shumë dhe pa shumë, pa me sytë e tij ripushtimin e vendit  prej Italisë,pa më vonë shkeljen e krahinës së tij prej grekëve  dhe për këtë shkak shënohet se atij ju desh të largohej për tu vendosur në konakët e Murrëzës ,por edhe aty nuk e pati të gjatë një përpjekje e ushtrisë me çetat shqiptare ju vu zjarri u mbart në Vlorë ku vuajti shumë dhe kur vdiq e varrosën pothuajse në heshtje dhe jo si e meritonte në një brinjë të Kuzum-Babait.Në këtë reshta përshkruhet vetëm ca pasazhe jete të Ali Beqirit, babait të Kujtim Beqirit inxhinierit, që u var në Maliq . Ali Beqiri mbylli sytë 4 vjet më pas i biri i tij ,varet mizorisht nga regjimi në verilindje të vendit në një kënetë, që po thahej .

2.Në Vlorë Këshilli i qarkut disa vjet më parë e nderoi me titullin:” Nderi i qarkut,Vlorë” edhe inxhinierin Kujtim Beqiri . I biri i tij bëri, që të shkëputen pika e lotit me thëniet “Shkuam në Maliq kërkuam eshtrat ,por eshtra nuk gjetëm . Atëherë morëm vetëm një dorë dhe e hodhëm në arkivolin  e vogël për të pasur një varr .

Dëshmitë tjera sjellin tronditjen  madhe që njeriu përjeton . E varën në litar, por e ri varën sërish sepse ende nuk kishte dhënë shpirt .Të kujt ishin  ushtritë,apo për kë bie fjala se çfarë ushtrish të huaja kaluan këtej dhe bënë këtë kasaphanë ? Nuk ishin ushtri të huajsh , të huajt ishin dora vetë shqiptarëve, që varnin të shkolluarit në perëndim . Kishin ndërtuar trekëmbësh në vjeshtën fundit të vitit 1946 .

Kujtim Beqiri ishte djali i Ali Beqirit. I quajtën :”sabotatorë të kënetës së Maliqit “ . Ka edhe një film të kinostudios:”Shqipëri e Re” dhe një roman të Fatmir Gjatës të quajtur :“Këneta” .

Në 6 nëntor të vitit 1946 ndaluan nën thirrjet :”Në emër të popullit “ .

Këneta  e Maliqit, disa nga shifrat që afrohen janë se rreth tre mije të burgosur kanë punuar atje .63 vetë kanë vdekur në punët e vështira si dhe janë pushkatuar janë varur në kohë të tharjes së saj . Masat represive , që u ushtruan në kënetën e Maliqit u përkasin metodave të nazistëve . Mushkonjat, kushtet e vështira të punës ushqimi i pakët ,mungesa e mjeteve të punës,mjetet përbëheshin prej lopatës, kazmës, tokmakut,dekovili dinamiti dhe pako gjë .Tharja e kënetës ku shfrytëzuan mizorisht energjitë mijëra vetëve që punuan për tharjen e saj , ndërkaq shteti refuzonte kredit dhe makineritë moderne që përdorte bota në tharjet e kënetave . Në 8 nëntor, i nxorën në gjyq , më 19 u dhanë vendimet. Për gjashtë prej tyre ishte kapital: marrje jete. Dy me varje. Katër me pushkatim. Natën e  22 nëntorit, i ngarkuan në makinë dhe prej Tiranës i dërguan në kantierin e tharjes së Kënetës së Maliqit. I kishin grumbulluar të gjithë punëtorët, u mbajt një fjalim i shkurtër. Nisën varja dhe pushkatimet . Kemi parë filmimet , që tregojnë në dokumentarët e kohës ku vriteshin njerëzia .Kujtim Beqiri , Abdyl Sharra u varën në litar, katër me plumba. Vasil dhe Zyrika Mano u pushkatua njëherësh bashkë me Mirush Përmetin dhe italianin Eugenio Scaturro.Italiani kur u gjend përpara skuadrës së pushkatimit nuk po e merrte vesh se po e vrisnin. Ndërsa nuk i kishin afruar përkthyes .

3.Kujtim Beqiri, mbaruar në Vjenë dhe ishte drejtor , u akuzua dhe u var në litar, e të tjerë u pushkatuan. Kujtim Beqirit i thanë të qëndronte pedagog në Vjenë, ai nuk pranoi, me idenë që të rikthehej në vend e t’i shërbente popullit të tij. Edhe sot foto e tij është vendosur në universitetin e inxhinierisë së Vjenës, si nxënës i shkëlqyer. Fjala e fundit e të riut para se të vdiste ishte; Fajin tonë do ta tregojë historia. “Të rrojë Shqipëria”.

Akuza karshi inxhinierëve nuk është një gjë tjerë veçse një sajesë e sigurimit për të gjetur fajtorët për mos tharje të kënetës .Aktakuza politike duket qartazi si dhe akuzat e falsifikuara që u bëhen atyre familjet e të cilave kishin kontribut në luftërat kundër pushtuesve të vendit. Fakti ,që pjesa e  pasur ishte shtylla e parë në të gjithë luftërat pa përfshirë atë të fundit, tregonte mbështetjen patriotizmin e kësaj shtrese e cila vuajti shumë në 50 vitet e komunizmit. Kjo shtresë humbi gjithçka nga regjimi vendin e shqiponjave .

4.CV e Kujtim Beqirit:

Ing.Kujtim Beqiri.Ka lindur, në Velce (Vlore), me 16.02.1916, ne familjen e arsimdashësit Ali Beqiri. Shkollën fillore dhe qytetësen i kryen ne Vlore dhe dërgohet, në Tirane, për te studiuar në  Shkollën Teknike Amerikane, në degën elektrike, të  cilën e mbaron shkëlqyeshëm, me 1932. Aftësitë e jashtëzakonshme të Kujtim Beqirit i kishin lenë mbresa drejtorit të shkollës, Harri Fultzit, i cili shprehej: “Ti Kujtim do të bëhesh si Beniamin Franklini”.Nga 1932 – 34 mbaron dy vitet e fundit dhe maturën me burse në Austri, ku vazhdon Fakultetin e Inxhinierisë Civile, te Universitetit të Vjenës, të cilin e përfundon rezultate të shkëlqyera me 1940. Emri i tij është i skalitur me germa të arta ndër studentet e shkëlqyer të Universitetit të  Vjenës. I propozohet, të  qëndrojë si asistent profesor ne Vjene, por Kujtimi 24 vjeçar preferon të kthehet në atdhe. Emërohet fillimisht si inxhinier i prefekturës se Dibrës, me pas në Prizren e së fundi në Vlorë. Pas çlirimit te vendit men pjese aktive në rindërtimin dhe ndërtimin e rrugëve dhe urave. Shquhet në drejtimin e punimeve të rrugës Kukës-Peshkopi dhe se bashku me ing. Gjovalin Gjadrin në rindërtimin e Urës së Rrogozhinës. Në korrik 1946, emërohet drejtor i punimeve për tharjen  e kënetës së Maliqit dhe me 8 nëntor 1946 dënohet me varje së bashku me ing Abdyl Sharren dhe ekzekutohet ne moshën 30 vjeçare, vetëm pas 10 vite pune.

Djali tjerë,vëllai i Kujtimit .

Agr. Mehmed Beqiri.Ka lindur në Velce (Vlorë), në familjen e patriotit të luftës së Vlorës, të Ali Beqirit, me 7 shkurt 1911. Shkollën fillore e kreu ne Vlore, ku vijoi edhe shkollën plotore. Në moshën 13 vjeçare, me bursën e shtetit shqiptar, dërgohet ne Austri, për të vazhduar shkollën e mesme. Në vitin 1924-25 vijon edhe mbaron klasën e pare të Gjimnazit të Freystadit. Mosha e vogël e Mehmetit e detyroi atë të kthehet në atdhe, ku vazhdon, në  Tiranë, Shkollën Teknike Amerikane, në degën agronomike.Mbaron shkollën teknike, me 1930 edhe kthehet në Vlore, ku familjarisht po merreshin me krijimin e një ferme frutikulture moderne. Me 1936 shkon përsëri në Austri, për të kryer studimet në Shkollën e Larte Agronomike, të Vjenës. Me mbarimin e studimeve me 1941 kthehet në atdhe, për tu marrë përsëri me pasionin e tij frutikulturën. Emigron, në 1944, fillimisht në Itali, Siri e pas 1956 ne SH.B.A. Në SH.B.A merr doktoratën për sociologji dhe shërben si profesor në Kanada.Vdiq në SH.B.A. me 6 qershor 1987.

5.Nga aktakuza

Tri fazat e tharjes së kënetës:Për tharjen e kënetës punuan 6 mijë aksionistë. Objektivi i fazës së parë për tharjen e kënetës dështoi dhe dështimi çoi në pranga grupin e parë të sabotatorëve. Grupi i përbërë nga një skuadër prej 10 vetash, ku midis tyre dhe një 16-vjeçar u akuzua për shkak se kishte kryer vepra sabotuese në stil të gjerë dhe në mënyrë sistematike, vepra spiunazhi në favor të agjenturave të huaja dhe kishte formuar një grup tekniko-profesional për të sabotuar rindërtimin, fuqinë ekonomike të vendit e si pasojë për të ndryshuar gjendjen e stabilizuar të vendit tonë në lidhje me monarko-fashistët grekë dhe me reaksionin e jashtëm.

Arsyet e arrestimit

Këshilli i Gjykatës së Lartë kishte konstatuar se: Qysh në verë të vitit 1945, në bashkëpunim me agjentë të huaj ishte formuar një grup tekniko-profesional për të kryer vepra shkatërrimi e sabotimi në stil të gjerë dhe në mënyrë sistematike, për të minuar pushtetin në sektorin më vital të ekonomisë kombëtare dhe të pakësojë rezistencën e popullit shqiptar, duke dëshiruar një ndërhyrje të monarko -fashistëve grekë dhe të reaksionit të jashtëm. Për të kurorëzuar qëllimin e mësipërm dhe aktivitetin e tyre popullor të pandehurit Abdyl Sharra, Kujtim Beqiri e Zyrika Mano bashkë dhe me elementë të tjerë janë venë në kontakt herë pas here me agjentët e reaksionit të huaj, të maskuar me funksione legale, për t’iu shërbyer qëllimeve të tyre imperialiste, bëhen spiunë dhe vegla të verbëta në shërbim të tyre.

Kush ishin pjesëtarët e grupit :Abdyl Sharra ish-oficer i fashizmit dhe i rrethuar nga një ambient familjar që u vu në dispozicion të Ballit e të okupatorëve. Kujtim Beqiri anëtar i Komitetit Qarkor të Ballit në Vlorë në kohën e okupacionit. Të dy këta, me metoda të ndryshme, duke abuzuar besimin që u kishte ngarkuar pushteti popullor i përvishen punës shkatërruese të sabotimit. Deri diku dhanë shenja sabotimi në urën e Penkovës, Gomziqes, Mifolit… Me qenë se këto ura ishin në përfundim të ndërtimit, nuk u shtri sabotimi në stil të gjerë. Aktiviteti sabotues mori hov në vepra të tjera
Kujtim Beqiri i emëruar inxhinier drejtues i aksionit të rinisë në rrugën Kukës-Peshkopi sabotoi një pjesë të rrugës në sektorin “B”, kurse Abdyl Sharra i emëruar drejtor i punimeve për tharjen e liqenit të Maliqit, para se të nisej për në krye të detyrës merr udhëzime nga agjentët e juaj në Tiranë, duke u shpërblyer me një rrogë të përmuajshme prej 50 sterlinash. Atij iu dhanë premtime se në të njëjtën mënyrë do të shpërbleheshin gjithë elementët e tjerë që do të bashkëpunonin me të. Qysh prej mbërritjes së tij e deri më 27 korrik të 1946, që u largua nga përgjegjësia si drejtues i kantierit të Maliqit ai e shtriu aktivitet antipopullor të gjerë duke rekrutuar Aleks Vasilin, Vasil Manon, Zyrika Manon, Pandeli Zografin, Mihal Stratobërdën dhe dy italianët që gjendeshin në Maliq.
Mbledhjet e fshehta.Herë pas herë së bashku bënin mbledhje mëshefta, ku parashtronin programin e tyre kriminal. Ndanë sektorët e sabotimit sipas përgjegjësisë së punës që i ishte ngarkuar secilit. Abdyl Sharra i ndihmuar nga Maroi Guarnieri dhe Mihal Stratobërda sabotuan punën në kanalin kryesor. Vasil Mano sabotoi punën në ofiçinën e kantierit, si në prishjen dhe riparimin e ekskavatorëve, lotokompresorëve dhe lokomotorëve, në centralin e elektrikut, në sjelljen e ujit, në ngritjen e sistemit të barakave. I pandehuri Pandeli Zografi sabotoi në instalimin e linjës së dekovilave dhe lokomotorëve. Italiani, Eugerto Scatura sabotoi në financë dhe ushqime. Aleks Vasili sabotoi në gurore. Zyraka Mano ishte në lidhje me grupin dhe agjentët e huaj.
vijon me tej aktakuza .Ndërkaq nuk jane gjetur trupat .Ne vend te tyre familjaret jane ngushëlluar me dheun e marre nga toka e Maliqit .

Filed Under: Histori Tagged With: Gezim Llojdia, Inxhinieri, Kujtim Beqiri

PËR HERË TË KATËRT GAZI LOTËSJELLËS NDËRPRET KUVENDIN E KOSOVËS

March 21, 2018 by dgreca

KOSOVË-GAZI LOTËSJELLËS I VETËVENDOSJES NDËRPRET PËR HERË TË TRETË SOT SEANCËN E KUVENDIT/

Seanca e Kuvendit të Kosovës në vijimin e seancës së jashtëzakonshme  për votimin Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror me Malin e Zi sërish u ndërpre rreth orës 15:40 për herë të tretë sot.Për hërë të dytë u ndërpre rreth orës 13:10, pas pauzës që u dha pas hedhjes së gazit lotësjellës për herë të parë rreth mesditës nga deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli paralajmëroi rimbledhjen e deputetëve në seancë sot në orën 16:30.

PËR HERË TË DYTË SOT GAZ LOTËSJELLËS NË KUVENDIN E KOSOVËS/

Seanca e Kuvendit të Kosovës sërisht u ndërpre për hërë të dytë sot rreth orës 13:10 nga hedhja e gazit lotësjellës, pas pauzës që u dha pas hedhjes së gazit lotësjellës për herë të parë rreth mesditës nga deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.1 GazlotsjellesKosovë-Gazi lotësjellës ka ndërprerë seancën e Kuvendit para votimit për demarkacionin/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 21 Mars 2018/ Gazi lotësjellës ndërpreu seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës që u rimledh sot në mesditë pak para se të votohet Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror me Malin e Zi. Nuk u tha ende zyrtarisht, por duket edhe sipas disa deklaratave të deputetëve se gazi lotësjellës është hedhur nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje, si edhe në rastet gjatë viteve të kaluara.

Votimi në Kuvendin kosovar i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi  pritej të bëhet këtë të mërkurë të 21 marsit, në vazhdimin e seancës  pas debateve që kanë përfunduar rreth një orë pas mesnatës në seancën e jashtëzakonshme të nisur dje pasdite, pas katër shtyrjeve në pritje të sigurimit të numrit të nevojshëm të votave.Për kalimin e Projektligjit duheshin dy të tretat e votave, së paku 80 të Kuvendit të Kosovës 120 anëtarësh.

Votimi sot dukej se do zhvillohej pa prezencën e Listës Serbe, si dhe gjatë gjithë seancës së Kuvendit të Kosovës për demarkacionin. Por një deputetet i saj, i komunitetit goran, u pa në momentet e fundit tek kishte hyrë në sallën plenare të Kuvendit dhe besohet se është vota e 80-të.

Në fillim të vijimit të seancës sot u dha pushim për saktësim të amandamentit nga Komisioni parlamentar për Politikë të Jashtme, për Projektligjin, neni 3 i të cilit pas miratimit do jetë ky:

“Pjesë përbërëse të këtij Projektligji janë: 1.1.Marrëveshja për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, e nënshkruar në Vjenë më datë 26 gusht 2015;

1.2.Deklarata e përbashkët e Presidentit të Republikës së Kosovës, SH.T.Z. Hashim Thaçi dhe Presidentit të Malit të Zi, SH.T.Z.  Filip Vujanoviç, e datës 16.02.2018.

1.3. Dokumentacioni zyrtar i Komisionit Shtetëror për shënimin e Kufirit Shtetëror – për orientim”.Marrëveshja për Kufirin Shtetëror mes Kosovës e Malit të Zi është nënshkruar në 26 gusht 2015 në Vjenë.

VEPRIMET POLICORE NË KUVENDIN E KOSOVËS

-Informacion i Policisë së Kosovës lidhur me veprimet policore në Kuvendin e Republikës së Kosovës/

Prishtinë, 21 mars 2018, ORA 17:50/

 Gjatë tentimit të katërt të vazhdimit të seancës parlamentare, sërish është hedhur gaz lotsjellës nga deputet të pranishëm brenda në sallë dhe bazuar në këtë veprim si dhe bazuar në vendimet zyrtare, Policia e Kosovës është detyruar të veprojë duke shoqëruar në stacion edhe një (1) deputet  për hedhje të gazit  lotsjellës si dhe një (1) deputete për posedim të gazit lotsjellës.Njëkohësisht përderisa janë zhvilluar aktivitete brenda në Kuvendin e Kosovës, diku rreth orës 17:10 është raportuar për një incident ku disa persona dyshohet se kanë hedhur gurë në drejtim të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku si pasojë janë thyer dy xhama të objektit të Kuvendit të RKS-së.Njësitet policore të cilat kanë qenë me detyrë zyrtare në atë lokacion, kanë vepruar menjëherë dhe si rezultat i veprimeve të shpejta në afërsi të lokacionit kanë ndaluar tre (3) persona të dyshuar të cilët i kanë shoqëruar në stacion policor për procedura të mëtejme.Lidhur me rastin në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit policor dhe njësia e forenzikës për të ekzaminuar vendin e ngjarjes.

Filed Under: Kronike Tagged With: demarkacioni, Gazi Lotsjelels, nderpret votimin

Amerika, e pranishme në Kosovë edhe me Korpusin e Paqes

March 20, 2018 by dgreca

-Ministri Shyqiri Bytyqi takim me përfaqësuesit Korpusit të Paqes në Kosovë dhe të Drejtorive Komunale të Arsimit/

-Korpusi i Paqes është një program vullnetar i drejtuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, misioni i të cilit përfshinë sigurimin e asistencës teknike, duke ndihmuar njerëzit jashtë SHBA-ve që të kuptojnë kulturën amerikane dhe duke ndihmuar qytetarët amerikanë që të kuptojnë kulturat e vendeve të tjera./

1 Ministri-Arsim-Korpus.JPG1 grupi i I erdhi 8 Qershor 2014.JPG2 Grupi i katert gusht 2014

-Në 17 gusht 2017 Ambasadori amerikan në Prishtinë Greg Delawie ka udhëhequr ceremoninë e betimit të grupit më të ri, të katërt, të përbërë nga 35 vullnetarë të Korpusit të Paqes në Kosovë/

-Grupi i parë i Korpusit të Paqes i SHBA-ve kishte 25 vullnetarë, të cilët mbërritën në Kosovë në 8 qershor 2014, ndërsa betimin solemn e dhanë në 20 gusht/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 20 Mars 2018/ Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi priti sot në takim përfaqësuesit Korpusit të Paqes në Kosovë dhe të Drejtorive Komunale të Arsimit. Ai i ka ftuar Drejtoritë Komunale të Arsimit që të nxisin interesimin e komunitetit për të bashkëpunuar me vullnetarët e Korpusit të Paqes, të cilët janë të angazhuar në mësimdhënien e gjuhës angleze.Qëllimi i këtij takimi ishte sensibilizimi i drejtorëve të shkollave, duke ditur që ka komuna të cilat nuk janë përfshirë në këtë vullnetarizëm të Korpusit të Paqes, në përfitimet që sjellë ky Korpus, diskutimi për mundësitë e reja dhe zgjerimi i bashkëpunimit.Ministri Bytyqi ka falënderuar përfaqësuesit e Korpusit të Paqes dhe e ka vlerësuar punën e tyre vullnetare, në ndihmën që po u ofrojnë mësimdhënësve në dhënin e mundësisë së përfitimit të teknikave të reja të mësimdhënies.

Ai tha se, Korpusi i Paqes ka disa vite që në Kosovë është i angazhuar për të ndihmuar mësimdhënësit tanë në mënyrë praktike. “Përmes kësaj forme të bashkëpunimit po bartet edhe kultura amerikane dhe jemi mirënjohës për të gjitha përpjekjet që kanë bërë për popullin e Kosovës. Kërkoj nga ju që t’i njoftoni shkollat e komunave prej nga vini, në mënyrë që të gjitha shkollat të kenë mundësi të aplikojnë dhe të përfitojnë nga kjo mundësi e mirë që po ofrohet nga Korpusi i Paqes”, është shprehur ministri Bytyqi duke iu drejtuar përfaqësuesve të Drejtorive Komunale të Arsimit.Korpusi i Paqes është një program vullnetar i drejtuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, misioni i të cilit përfshinë sigurimin e asistencës teknike, duke ndihmuar njerëzit jashtë SHBA-ve që të kuptojnë kulturën amerikane dhe duke ndihmuar qytetarët amerikanë që të kuptojnë kulturat e vendeve të tjera.

Korpusi i Paqes vazhdon që të sjellë në Kosovë ndihmën përmes vullnetarizmit të tyre. Pritet edhe nënshkrimi i një Marrëveshje Bashkëpunimi në mes të Ministrisë së Arsimit dhe Korpusit të Paqes.Në 17 gusht 2017 Ambasadori amerikan në Prishtinë Greg Delawie ka udhëhequr ceremoninë e betimit të grupit më të ri, të katërt, të përbërë nga 35 vullnetarë të Korpusit të Paqes në Kosovë. Ata shërbejnë në shkollat kosovare për dy vite në kuadër të programit arsimor në gjuhën angleze pranë Korpusit të Paqes në Kosovë, si mësues të gjuhës angleze, pasi edhe iu ndanë certifikata për përfundimin me sukses të trajnimit gjatë tre muajve në Kosovë. Ambasadori amerikan Delawie me atë rast theksoi se, “vullnetarët e Korpusit të Paqes paraqesin një partneritet ndërmjet dy vendeve tona” dhe se, “Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ndër miqtë dhe mbështetësit më të ngushtë të Kosovës”.

Grupi i parë i Korpusit të Paqes i SHBA-ve kishte 25 vullnetarë, të cilët mbërritën në Kosovë në 8 qershor 2014, ndërsa betimin solemn e dhanë në 20 gusht, poashtu pas trajnimit parapërgatitor në komunitetet në Kosovë.

Para se të shkonin në pikat e tyre të shërbimit vullnetarët u aftësuan për tre muaj në mënyrë gjithëpërfshirëse për aspektet ndërkulturore, gjuhësore, dhe teknike.

Korpusi i Paqës filloi programin e tij të parë në Kosovë me ftesë të Presidentes së atëherëshme Atifete Jahjaga, e cila në 9 shtator të vitit 2013 me ambasadoren në atë kohë të SHBA-së në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson, nënshkruan marrëveshjen ndërshtetërore për hapjen e programit të Korpusit të Paqes në Kosovë.

“Me këtë marrëveshje, Kosova bëhet shteti i 140 nikoqir i Korpusit të Paqes, organizatë kjo e vullnetarëve amerikanë e themeluar nga Presidenti Kenedi, që me dekada kanë ndërtuar ura të miqësisë mes popujve përreth botës”, theksoi atëherë Presidentja në ceremoninë ku ishte edhe drejtoresha e Korpusit Amerikan të Paqes, Helen Lowman.

Fillet dhe misioni i Korpusit të Paqes datojnë nga viti 1960 kur senatori i atëhershëm John F. Kennedy sfidoi studentët e Universitetit të Michigan-it për t’i shërbyer shtetit të tyre në kauzën epaqes duke jetuar dhe punuar në shtetet në zhvillim në nivel të homologëve të tyre lokalë. Nga ky frymëzim u ngrit një agjencion i qeverisë federale i përkushtuar ndaj paqes dhe miqësisë në botë.

Tre qëllimet fillestare të Korpusit të Paqes mbeten të njëjta: 1. Të ndihmojë popullin e shteteve të interesuara për të plotësuar nevojat e tyre për gra dhe burra të aftësuar; 2. Të ndihmojë në promovimin e të kuptuarit më të mirë të amerikanëve nga ana e popullit të cilit i shërben; dhe 3. Të ndihmojë në promovimin e të kuptuarit më të mirë të popujve tjerë nga ana e amerikanëve.

Vullnetarët e Korpusit të Paqes janë të përkushtuar ndaj ndërtimit të kapaciteteve lokale dhe zhvillimit të qëndrueshëm në nivelin bazë, për dallim nga financimi tradicional i zhvillimit.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Korpusi i paqes, Kosove

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT