• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2018

NJE ROMAN ME PËRMASA TË MËDHA

April 15, 2018 by dgreca

1 Libri i Shpendit

Ese rreth romanit të  Shpend Sollaku Noé-së «Il pero fiori a dicembre» – «Dardha lulëzio në dhjetor»/1 kujtim

nga KUJTIM HAJDARI/Sapo mbarova së lexuari romanin «Dardha lulëzio në dhjetor».  Është pak të thuash që më ka lënë mbresa të pashlyeshme; është një roman që gati-gati e përjeton. Me mënyrën e të shkruarit dhe me narracionin e rrjedhshëm e të bukur përfshihesh brenda në roman, e gjen veten midis atyre njerëzve që luftojnë me një vullnet të çuditshëm e të pamposhtur për jetën, nën një regjim që mbyti çdo gjë njerëzore:  lirinë e individit në të gjitha limitet, dinjitetin e personit, iniciativën, e xhveshi individin ekonomikisht. Një realitet të tillë, të hidhur e të egër politik e autori jep kaq bukur, me një realizëm artistik pa kaluar aspak në historizëm, duke i ruajtur gjithnjë romanit bukurinë e një vepre letrare-artistik.

Në një regjim politik të tillë, të egër e shkatërrues zhvillohen ngjarjet e romanit, kryesisht në Berat, në kampin e interrnimit, në Lushnjë e në Tiranë. Si bosht kryesor të të gjitha ngjarjeve do t’na udhëheqë në të gjithë romanin familja Rabìu, një familje intelektuale që si gjithë njerëzit e tjerë të kulturës ishin në shënjestër të regjimit komunist dhe që u nënshtruan persekutimeve të pamëshirshme, të pallogjikshme e çnjerëzore.

Në roman të mahnit arti narrativ i shkrimtarit dhe aftësia e tij për të kaluar nga një tabllo jete në tjetrën, ku na çon me anë të familjes Rabìu, pa e rënduar tonin e tij kallëzimtar, duke e freskuar here pas here me dialogë të goditur e të bukur.

Peshën e rëndë politike e ndjen kudo, ashtu siç ishte e pranishme në jetën tonë, por pena e stërvitur e shkrimtarit i trajton kaq me zhdërvjelltësi ngjarjet në roman saqë trajtimi i aspekteve politike mbetet si një mjedis, si një sfond ku zhvillohet gjithë subjekti i romanit, duke i shtuar veprës besueshmërinë në vertetësinë e bazës reale të asaj kohe. Duke u mishëzuar me subjektin e romanit ngjarjet politike i shtojnë dramacitetin veprimit, e bëjnë atë më tërheqës e ngjarjet më rrenqethëse.

Është për t’u theksuar se shkrimtari paraqet shumë bukur jo vetëm shkatërrimin e njeriut, por edhe shkatërrimin e vendit në aspektin fizik dhe moral. Në aspektin fizik u shkatërrua pothuajse çdo gjë e bukur duke filluar nga veprat me vlera antike, pyjet e bukur, lumenjtë e mrekullueshëm etj. Në aspektin moral, me luftën e klasave, me mbytjen e çdo gjëje te përparuar e me mbylljen e vendit, me mënyrat e zhvillimit të ekonomisë e kulturës, me luftën kundër imperializmit e bëri vendin tonë të dukej një Don Kishot para botës.

Këto të gjitha na shpalosen nëpër skenat e romanit me një bukuri e përsosmëri që të krijojnë mendimin se shkrimtari ka qënë një dirigjent i përkryer i gjithë veprës.

Nuk gjen një përshkrim, një dialog, një analizë që të vrasë syrin.

Romani i Shpend Sollaku Noè-së është voluminoz, rreth 500 faqe, e dikush mund të mendoj se të lexosh një roman të tillë mund të jetë dhe pak e lodhshme, por në fakt kur e mbaron së lexuari mbetesh i habitur: ai të duket i shkurtër për sasinë e madhe të ngjarjes dhe të kohës që ka përfshirë, për problemet dhe temat e shumta që trajton dhe për mesazhet e rëndesishme që i përcjell lexuesit. Për një subjekt të tillë do të duheshin një sërë romanesh, por duhet të kemi parsysh që shkrimtari vjen në këtë vepër pas një përvoje të gjatë në vëllime të shumta poetike, shkrime të ndryshme në prozë dhe romanit tjetër në italisht, para këtij, KUFIRI I MJEGULLËS.

Kjo përvojë e gjatë në fushën e letrave i ka dhënë aftësinë ta përpunojë në mënyrë të përkryer gjithë materialin jetësor të kohës dhe t’na i japë gjërat të situra, pa krunde e të koncentruara aq mirë sa rrezatojnë e të bëjnë të shohësh përtej asaj që lexon

Është gjithë kjo përvojë që e bën të afirmohet në këtë roman si një mjeshtër edhe i prozës së gjatë.

Me këtë mjeshtëri ka realizuar në roman edhe një numër të madh personazhesh nga të cilët po përmend shumë pak: Nadir Rabìu, përfaqësues i brezit të ri, atij brezi që i përket e ardhmja, atij brezi që ai regjim i shkatërroi fëmijërinë dhe rininë. Duke e vënë në situata të ndryshme e në ambiente të ndryshme, na gdhend një karakter me cilësitë e atij brezi të atëhershëm. Duke e marrë për dore nga vogëlia deri në shkollën e mesme na tregon se si rritet Nadiri në karakter me të mirat e gabimet e tija, Na tregon dëshirat, aspiratat e atij brezi, dëshirën për liri, për krijmtari, për të qënë aktiv e ndërtues të jetës. Dëshirën për të thyer ato dyer burgu ku e kishte mbyllur vendin diktatura. Anisa Rabiu, e ëma e Nadirit, gjithashtu del bukur si figurë e nënës së shqetësuar, bashkëshortes besnike dhe figurës së gruas si qytetare me gjithë shqetësimet dhe problemet e kohës. Munir Rabiu, i ati i Nadirit, është intelektual dhe përkthyes i zoti i frëngjishtes që burgoset për agjitacion e propogandë , gjëra të sajuara, për të hequr qafe intelektualët. Dega e Brendshme me policët e saj që është gjithnjë e pranishme me arrestimet e burgosjet e njerëzve, më të shumtën e herëve të pafajshëm. Shokët e Nadirit, si ata në Berat ashtu dhe ata në Kampin e interrnimit vizatohen me tiparet e tyre dalluese; po ashtu edhe Mirna Valona, inspektore e partisë që ndihmon familjen Rabiu për meritat e saj në Luftën Nacionalçlirimtare, por gjithmonë duke i qëndruar besnike partisë. Vehidi, përgjegjësi i kampit të internimit, është një nga figurat negative nga mët ë e urryerat. E plot e plot personazhe të tjerë që shkrimtari i realizon në ambientet e romanit në mënyrë të përkryer. Është për t’u theksuar se personazhet realizohen natyrshëm dhe gdhenden aq mirë e kujdesshëm sa të mbesin në mendje për shumë kohë dhe të duket se këta persona i ke takuar, i njeh mirë, të bëhen të afërm sikur ke jetuar me ta.

Kur mbaron romanin «Dardha lulëzoi në dhjetor»  ndjen një farë dhimbjeje që po ndahesh nga diçka e dashur, e bukur dhe të merr dëshira t’i rikthehesh, të gjendesh përsëri në atë narrative aq tërheqëse. I bëj shkrimtarit falenderimet e mia të perzemërta për këtë vepër të bukur dhe i uroj suksese në vepra te reja.

Filed Under: ESSE Tagged With: «Dardha lulëzio në dhjetor», Kujtim Hajdari, Shpend Sollaku Noe'

Demokracia,problemi i saj dhe antropologjia demokratike

April 15, 2018 by dgreca

1-ok-marjana-bulku
Nga Marjana BULKU/
Peter Fecher , vetëm 18 vjeç banonte në Berlinin Lindor dhe e dinte që muri që e ndante qytetin , i ndërtuar në vitin 1961 u bë simbol i ndarjes midis shteteve diktatoriale dhe atyre demokratike në Europë deri në vitin 1989,kohë kjo kur ky mur u shemb. Një ditë gushti të vitit 1962 , teksa po kapërcente murin për në Berlinin Perëndimor demokratik qëllohet nga rojet gjermano-lindore dhe përfundon në mënyrë tragjike tentativa e këtij të riu për të prekur Demokracinë…
Sa mijëra fate të ngjashme…qindra histori për tu rrëfyer!Rasti i Shqipërisë ku numërohen mijëra të arratisur politikë , të vrarë në kufinj, të internuar burgosur politik e qindra të dënuar na rrëfen se ne jetuam një diktaturë ekstreme mbi të cilën do ta kishte shumë të vështirë lulëzimin një demokraci e kulluar. Edhe pse përkufizimin më të saktë për demokracinë e sjell Linkolni si” Pushtet i popullit ,dalë nga populli dhe për popullin” demokracia është term grek :demos -popull dhe kratis-sundim,pushtet.Sipas Sartorit definicioni është shumë më kompleks pasi nuk përputhet plotësisht me etimologjinë e fjalës “demokraci”edhe për shkak se demokracia keqpërdoret nga regjimet.Nëse i referohesh Greqisë së lashtë aty dallohej se gjendja e lirisë civile lejohej vetëm për një grup të ngushtë ku përjashtohej masa e madhe e skllevërve,grave, të huajve dhe qytetarëve që merreshin me punë çnderuese dhe të vështira.
Sipas Aristotelit, Soloni ishte babai i demokracisë athinase.Kaosi politik dhe social në shekujt VII dhe VI p.e.s bëri që mjaft qytete greke të qeveriseshin nga tiranë .Athina u përpoq të shmangte këtë regjim duke zgjedhur Solonin dhe reformat e tij si mjet për zgjidhjen e krizës shoqërore dhe ekonomike.
Por a ishte Soloni demokrat?!
Le të analizojmë vargjet e tij ;
  “U kam dhënë masave pozitën që u përshtatet nevojave të tyre/
As nuk u kam vjedhur nderin, as nuk i jam nënshtruar lakmisë së tyre.
E ata që kishin shumë pushtet
që Ishin të lavdishëm e të pasur,
kam gjykuar se asgjë nuk duhet t’i privonte nga luksi dhe nga pozita e tyre.
Atëhere,u ngrita me mburojën time
për të mbrojtur të pasurit dhe të varfrit.
Kështu populli do të jetë më i gatshëm për t’u bindur zërit të udhëheqësve të vet.
Kur “kapistra” nuk është shumë e lirshme ,
as shtrëngimi shumë i madh”…
…Pra Soloni shfaqet si dhurues i çdo të mire , të gjitha veprimet e vetës së parë na bëjnë të kuptojmë se ky udhëheqës nuk pyet askënd për veprimet e veta politike.Prirjet autoritare shpalosen në brendi” Kështu populli do të jetë më i gatshëm për tu bindur” . Por që këtu mund të dallosh se si populli është ai që i ushqen sistemet ,cilatdo qofshin ato ,duke ua pakësuar ose shtuar jetëgjatësinë.
Babai i demokracisë nuk ishte demokrat , kjo shpaloset në të gjitha poezitë e tij të cilat ishin edhe platforma nëpërmjet të cilave ai e shmangu tiraninë.Pushteti ekonomik për Solonin kishte rëndësi të veçantë,ai njihet si themelues i Timokracisë e cila shtresëzonte shoqërinë ku një rol i madh i jepej shtresës së mesme për të thyer monopolin e aristokracisë.Solomoni mund të ushtronte pushtet apsolut duke u lidhur me cilëndo parti por ai parapëlqeu të mos i pëlqente askujt , duke u bërë shpëtimtar i vendit dhe ligjvënës shembullor. Përmes modelit të tij kuptojmë se misioni i Demokracisë është SHMANGIA E TIRANISË.
Rasti i Shqipërisë (antropologjia e sistemeve)
Për shkaqe historike tek ne ka munguar antropologjizmi borgjez që sipas shkollës anglosaksone formulonte :Demokraci përmes Ligjit.
Ne jetuam dhe jetojmë në një antropologjizëm feudal  ku formula është ; Turma dhe prijësi . Retrospektivisht sistemet e dikurshme ishin; Mbretëria me popull dhe mbret.
Komunizmi ; populli heroik dhe sekretari i partisë.
Ky lloj evolucioni i komanduar nga sistemet nuk arriti të prodhojë asnjëherë Antropocivilizim . Mungesa e individit si institucion , në një mjedis ku jeton parimi autotitarist” shteti jam unë” e mohon rolin e individit me të drejtat e tij dhe përgjegjësitë çka janë themel i demokracive.
Demokracia mund  të rrezikohet nga qetësia dhe rendi sikurse dhe nga trazirat dhe mungesa e rendit sipas Brucher. Dhe pyetja që lind është : A janë protestat dhe tubimet pjesë e demokracive?!
Dhe pse protestohet?!
Është shumë e rëndësishme të dihet se si protestohet duke përdorur mjetet e duhura që nuk dhunojnë masën që proteston por as palën të cilës i drejtohet protesta.Cënimi i të mirave , mosgarantimi apo mohimi i tyre çon në protestë ,edhe krizat apo fatkeqësitë krijojnë klimë proteste madje edhe irritimi kur autoritetet bëjnë indiferentin.
Po përse goditet protesta?
Ka vetëm një përgjigje ; sepse mungon institucionalizimi i protestës. kur njerëzit protestojnë kundër një individi a kemi vallë të bëjmë me shtet demokratik?!
Jo , sepse njerëzit nuk besojnë në demokraci derisa protestojnë kundër një individi.Demokracia reale nuk është ajo që krijon një klub të fortë mes njerëzve, por ako që lejtëson marrdheniet e tyre të ndërsjella. Kur paqja rregullon vetë punët e veta ajo shndërrohet në demokraci.
*Fragment nga studimi i Marjana Bulkut gjatë programit Master në Institutin e strudimeve evropiane(2010-2012 )

Filed Under: Analiza Tagged With: antropologjia demokratike, demokracia, Marjana Bulku

Skënderbeu në gojën e popullit

April 15, 2018 by dgreca

4anton-cefa

 Nga Anton Çefa/

“Mund të dukej se shqiptarët të vendosur prej një kohe shumë të gjatë në bregun tjetër të Adriatikut, nuk do të kishin ruajtur veçse nje kujtim të vagëlluar për bëmat e Heroit të Krujës. Po s’është kështu dhe fjalët që thuhen mbi mosmirënjohjen e popujve nuk mund t’u zbatohen këtyre shqiptarëve. Në qoftë se pushtimi i huaj nuk lejon që t’i ngrihet një monument Kastriotit të madh në vendin e tij lindor, në qoftë se Sfetigradi, të cilin sllavët e kanë quajtur me të drejtë “fortesa e shenjtë” nuk është veçse një grumbull gërmadhash, emrin e Heroit do të vazhdojnë ta bekojnë dhe kujtimin e tij do ta lavdërojnë sa të rrahë edhe një zemër shqiptare në të dy gadishujt.”

                                     Elena Gjika (me pseudonimin Dora D’Istria) 1).

Skenderbeu

Që nga shek. XV, populli ynë ka krijuar legjenda e gojëdhëna, ka kënduar këngë për Skënderbeun dhe trimëritë e tij, dhe këndon edhe sot e kësaj dite.

“Populli në tregimet e tij, nga dashuria e madhe dhe nderimi për këtë hero legjendar, nga autoriteti dhe mënçuria e tij, e ka rritur atë me një bukuri klasike, me përpjestime të mëdha, ndonjëherë hiperbolike, por që ky hiperbolizëm ka një lidhje shumë të kuptueshme dhe organike me luftërat që mishërojnë aspiratat popullore dhe me figurën e një udhëheqësi të madh popullor.”, ka shkruar Qemal Haxhihasani.2). Shpesh, edhe në paraqitjen e tij, populli ka futur elemente legjende. “S’ka pasë si Skanderbegju. Ai ka qanë me fletë nan sqetull. Mustaqet i kishte katër pllamë më njan’ anë e katër më tjetrën. Kur luftonte Skanderbegju, iu bajshin sytë xhak, ene qitte duhm prej gojet” – thuhet në një gojëdhënë të mbledhur në fshatin Macukull të rrethit të Matit. 3).

Në shumë gojëdhëna dhe këngë Skënderbeu bën veprime të çuditshme, të jashtëzakonshme: çanë shkëmbinj, bën që të rrjedhin kroje nga shkëmbi, ndalon ujërat e lumejve, fluturon me kalë, etj.

Në një rast, “Skënderbeu ishte me një fuqi të vogël në Rraicë. Ballaban Pasha me nji fuqi të madhe, po vinte nga lindja, nga drejtimi qi ndodhën katundet Llabunisht, Velçan, etj. Për me i dalë në ballë, Skënderbeu çau nji shkamb 10 – 15 m., qi i kishte zanë rrugën e ky shkamb sot quhet “Shkambi i  Skënderbeut.” 4).

Një herë tjetër, “Skënderbegu po shkonte me ushtrinë e tij në Malin e Pëshkashit, atje ku quhet “Maja Skanderbeg”. Ishte tue garendë dhe ushtreja e tij kishte etje të madhe. Skanderbegu s’kishte gajle për vetvedin, por i dhimsesh ushtreja. U ndal pra çaty ke Maja Skanderbeg, nxuer shpatën, ja nguli shkamit e tha: “Këtu dalç! Ene fup duel nji kru me ujë shumë të ftofët, sa me plasë bastanin. Piu xhithë ushtreja ene vetë Skanderbegju. Manej ky nguli shpatën pak ma teposhtë e tha: “Këtu hupç! Edhe me të vertetë hupi i xhith ai uj. Sot e kësaj dite ujët e atij kroji aty del e aty hup. Këti kroji i  thonë: “Gurra Skanderbeg” dhe asht çudi me e pa. (Peshkash – Mat, 1929) 5).

“Kur luftonte Skanderbegu me turqit, fluturonte me kalë, nga Deja në Kunorë të Lurës, në Varosh, në Gurë të Bardhë e në Kala të Darsit; prej knej në Kala të Bruçit, në Shtjefen, në Bazje, ne Malin Skanderbeg e në Sarisalltik në Kru. Kur ja dote puna binte ene në Lezhë, në Shkodër e në Durrës.” (Bazje, Mat).6)

Për t’u vënë në dukje është që urimet e mallkimet e Skënderbeut realizoheshin gjithnjë. Po e ilustrojmë këtë fakt me shembuj.

“Kur erdhi Skanderbeu n’Shingjergj, tanë katuni i dul përpara me rroba t’bukra.  Skënderbeu i la ket uratë: -Shingjergji gjithi rroba t’bukra majtë! Meqenë se e priti edhe me kangë e me valle, na e la: Shingjergji qoftë i përparu gjithherët! Prej kësaj urate Shingjergji  asht e ka qenë, i gjithi në ballë të katuneve (prej uratës qi i dha Skënderbeu). (Shëngjergj – Tiranë) 7).

“Kur erdhi Skënderbeu n’Bizë t’Shingjergjit, ai ven pat mjaft njegull. Skënderbeu, ka s’ju da mjegulla fare tha: “Kti veni njeglla mos iu hjektë asiherë! Ene sot ky ven rri gjithi me njegull.” 8).

*   *   *

Po japim ndonjë prej gojëdhënave që ka botuar historiani Atë Marin Sirdani në librin “Ndriçime të historisë , të kulturës dhe të artit shqiptar”, botuar nga ‘Shpresa”, Prishtinë, 2002 :

Nderimi ma i madhi

“Kishte formue Skanderbegu nji trup të zgjedhun ushtrije prej ma se dy mi shqyptarësh, të cilët per dishiplinë, trimni e besniki s’kishin shokë në botë. Shpesh e shpesh u gjindte në mjes të tyne e u kujdeste me dijtë deri punët e nevojat ma të voglat e tyne. Disa herë hate në tryezë me ta, e mbas ndonji ngadhnije i u falte atij qi kishte diftue ma tepër trimni edhe i ipte me pi me qelqen e vet.

Në luftën e Torviollit, posë sa oficierave, qi ishin da në shej, kjenë edhe tre ushtarë të gardës qi diftuen nji trimni aq të madhe sa gjithkënd lanë pa mend. Skanderbeu mbasi i dariti me dhanti të çmueshme ata e oficirat qi ishin da në shej, i grishi në darkën kombëtare t’asaj nate, dhe i u fal tuj pi e u dha me pi me qelqen e vet në mjes të brohorive e duartrokitjeve të kohortës pretorjane. N’e nesre i rrethuem Skanderbegu prej komandarve,  vizitoi të plaguemt njipernji tuj u dhanë zember e tuj u kujdesë t’i mjekojshin sa ma mirë. Me ket sjellje shtoi dashtninë e ushtarve, edhe mzi pritshin me u shndoshë e me rrokë armët, per me dhanë jetën nen flamurin e njai mbreti aq zembermirë, po t’ishte e mundun, nji mi herë. Të treten ditë thirri mbarë ushtrin edhe veçoi me dhanti të çmueshme gjith ata qi kishin tregue nji trimni të veçanët, me nji gzim e ambelsi qi i gzote ma tepër se shpërblimi.” 9).

Stima e meritueme

Hamza Begu, pris i vlerët i turqve, i muejtun keqas prej Skanderbegut, u ngushtue me hikë me gjith ushtri rrugë e pa rrugë. Skanderbegu e ndoq e e damtoi gjithnji e tuj mos i pa pshtim vetit, ke njifte zembren e gjanë të Skanderbegut, ktheu dalë me gjith ushtri e me sy të përvajshëm e luti me pasë dhimbët per ta e mos me i shkue dam. Skanderbeu e priti me çehre aq të mirë e i pergjigji me fjalë aq t’ambla e t’nierzishme sa gadi shkrehi në vajë jo veç robt por edhe ushtrin e vet. Per me u dhanë nji farë ngushëllimi e me u sigurue se nuk do të hiqshin kurr farë të keqje prej tyne bani qi t’hajshin bukë në tryezë me te, e mbarue së ngranmi urdhnoi t’u raditte të gjithve gjithshka mujshin me pasë nevojë, e, marrë nji farë shpërblimi kjen lirue me shkue. Tuj vu oroe Skanderbegu se disave po u vite keq ke ishte aq zembergjanë e i dhimbshëm, e qi prap do të vijshin me luftue kundra si, thotë se, sa herë do te xete rob kurr nuk do t’i shkote dam, por perherë do të kishte dhimbë per ta, e s’do të lete kënd me i marrë me t’keq.

Me nji zembër kaq të dhimbshme e të mirë Skanderbegu kishte fitue nji stimë aq të madhe deri nder anmiq, sa faqe thojshin se ‘Shoqi i Skanderbegut nuk kishte le e as nuk do te letë në botë.” 10).

*     *      *

Të dhënat më të parat për jetën, veprimtarinë, luftat e Skënderbeut, i kemi nga Dimiter Frengu (Dhimiter Frangu), arkëtari i Skënderbeut, vepra e të cilit është mjaft e rrallë ndër ne:“Historia e Glorisi Gesti etVittoriose Imprese, fatte contra Turchi, dal Sig. Don Gjorgio Castriotti, Detto Scanderbeg, Principe d’Epiro.” 11).

Frano Bardhi, (1606 – 1643) Leksikografi i parë shqiptar, historian, folklorist dhe etnograf, në vitin 1636, botoi në Venedik veprën “Gjergj Kastrioti i Epirit, i quajtur përgjithësisht Skënderbeg, princ shumë trim e i pathyeshëm i shqiptarëve” si polemikë për të hedhur poshtë mendimin e pathemeltë të një peshkopi bosnjak bashkëkohës, i quejtur Jan Tomku, i cili i mohonte Skënderbeut prejardhjen shqiptare. 12).

Bardhi na ka dëshmuar që populli kishte thurur këngë për trimëritë e bëmat e Skënderbeut dhe i këndonte ato. Bardhi shkruan: “Një numër i madh vajzash, në mes të rrezikut të luftës, atëherë kur çdo gjë të shtinte frikën e ushtrisë turke, mblidheshin çdo tetë ditë në mes të rrugëve, në qytetet ku ai kishte qenë zot, dhe këndonin lavdinë e kryetrimit të tyre të vdekur . . . ” 13)

Frang Bardhi thekson gjithashtu se “ . .  vazhdimisht deri në ditët e sotme, bashkëkombasit tanë flasin për te (Skënderbeun) dhe këndojnë me zë të lartë timëritë e tij nëpër gostitë dhe e quajnë Skënderbeun tonë, për autonomasi “Kulçedra e Arbërit”, d. m. th. Dragoi i Epirit”. (Franciscus Biancus, Georgius Castriotus, Venetiis 1636, f. 71. 14).

Në “Relacione dërguar Vatikanit mbi vizitën e Pukës, qershor 1637” , Bardhi shkruan: “Sipas zakonit të të moçemve, ndër gostitë e tyre nëpër rrugë e punë këndojnë me zë të lartë trimëritë e burrave të tyre të mëdhenj, dhe sidomos të të pathyeshmit zot, zotit Gjergj Kastriotit, të quajtur Skanderbe, dhe të të shkelqyeshmit  Lekë Dukagjinit, princit dhe zotit të tyre.”15).

Po ashtu, historiani venedikas, humanisti Antonino Sabeliko, ka shkruar që në vitin 1487 , “ . . . populli, i mahnitur nga adhurimi i lartë i këtij burri, sikur të shikonte tek ai diçka që kalonte mundësitë njerëzore, e lartësonte kujtimin e princit të dashur me këngë solemne. Më kanë treguar burra të denjë për t’u besuar, se mu në mes të zjarrit të luftës, kur gjithçka shungullonte nga armët e barbarëve (turqve), grumbuj vajzash kishin zakon të mblidheshin javë për javë në sheshe (kryqëzime rrugësh) të qyteteve, ku ai kish sunduar dhe të këndonin lavditë e princit të tyre të vdekur, ashtu siç bënin edhe të moçmit në gostitë e heronjve të mëdhenj.” 16).

Vazhdimësinë e këngëve popullore shqiptare për Skënderbeun na e dëshmon F. Pukëvil, ish-konsull i Francës pranë Ali Pashë Tepelenës, në një vepër rreth udhëtimit të tij (1798 – 1801) nëpër More, Shqipëri, etj. . . . Ai thotë se djemtë e maleve të Çikës “i përdorin këngët e tyre që shtyhen në shekujt e Skënderbeut të lavdishëm, për të sharë dobësitë e osmanëve.” 17).

Edhe sot e kësaj dite, poetët popullorë thurin këngë në të cilat tregohen

bëmat luftarake, trimëritë, sjelljet e tij, etj.

Arbëreshët, gjithashtu, i kanë kënduar dhe i këndojnë Skënderbeut dhe bashkëluftëtarëve të tij: Pal e Llesh Dukagjinit, Pal Golemit, Nik Petës, Dedë Skurës, Pjetër Shinit, etj. “Këngët tona, shkruan De Rada, linden në kohën kur ra ora e madhe për prindërit tanë, të ngritur kundër dallgëve turke . . . Në to ndihet  popullit arbëresh si rreze të hijshme dielli.” (J. De Rada, “Hyrje e ribotimit të Rapsodive, 1883-87”. 18).

Po japim këtu një këngë arbëreshe të kësaj periudhe:

Dedë Skura

Tek çuka e një kodrine,

Nënë hijën e një lisi,

Dergjej prapët Dedë Skura,

Trimi vëtë s’mund ta ftohte

Zjarrin e plagvet të tij.

Kaluan shokët krenarë:

Dedë Skurë, ngreu të shkojmë!

-Ecni, shokë, ju, me shëndet,

Unë s’vi dot me ju;

Veç ju lutem aty poshtë,

Kalin tim të ma mirrni,

Të mos cofi’ ai me mua

E t’ia shpini ju tim biri.

Kur të rritet, të ngjesh’ shpatën,

E t’i hipi kalit tim,

Se e shpie ai në luftë,

Mbi mizorët, q’i vranë t’anë,

Të ngopë zemrën time. 19)

Referenca:

1). Nasho Jorgaqi, “Antologji e mendimit estetik shqiptar 1504 – 1944”, Dora D’Istria , “Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore”, Pjesa III, “Shqiptarët në mërgim, f. 130.”

2). Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë – Instituti i Kulturës Popullore: “Epika historike 1”, f. 127.

Më poshtë do të shënojmë vetëm “Epika historike 1”

3).“Epika historike 1.” f. 127.

4). “Epika historike 1”, f.128.

5). Epika historike 1, f. 129-30.

6). Epika historike 1, f. 130.

7). Epika historike 1, f.134-35

8). Epika historike 1, f.136.

9). Atë Marin Sirdani, “Ndriçime të historisë, të kulturës dhe të artit shqiptar”, Shpresa, Prishtinë, 2002, f. 332.

10). Po aty, f. 333.

11). Po aty, f. 318.

12). FESH, botuar në Tiranë më 1985, f. 68.

13). Frano Bardhi, “Gjergj Kastrioti i Epirit, i quajtur përgjithësisht Skënderbeg, princ shumë trim e i pathyeshëm i shqiptarëve”, f.102.
14). Epika hisorike 1, f.24.

15). Cituar simbas librit “Folklori shqiptar”, botuar nga Universiteti i  Tiranës – Instituti i Folklorit, Tiranë 1972, f. 81 – 82).

16). Epika historike 1, f.23.

17). Cituar  sipas autorit Ramadan Sokoli “Figura e Skënderbeut në këngët popullore”, në “Çeshtje të folklorit shqiptar 1”, botuar nga Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë – Instituti i kulturës Popullore”, f. 262.

18). Cituar sipas “Epika historike 1”, f.26.

19). “Epika historike 1”, f. 194-95.

Filed Under: Featured Tagged With: Anton Cefa, në gojën e popullit, Skenderbeu

Prof. Dr. Frashër Demaj do të vizitojë Vatrën

April 15, 2018 by dgreca

1 Frasher demajHistoriani i njohur nga Kosova, Prof. Dr. Frashër Demaj, do të vizitojë selinë e Vatrës ditën e martë, 17 Prill 2018, në orën 6 e 30. Historiani Demaj do të pritet nga Kryetari i Vatrës z. Dritan Mishto me bashkëpunëtorët e tij.

Prof. dr. Frashër Demaj është diplomuar në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Filozofik, dega e Historisë. Në këtë fakultet ka diplomuar më 1996 me temën “Kriza Lindore dhe Çështja Shqiptare 1875-1881”. Studimet pas universitare i filloi në vitin akademik 1997-98 në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës fillon studimet pasdiplomike në periudhën Koha e re, shek. XIX-XX dhe ka magjistruar më 25.3.2005, me temën: “Qëndrimi i Italisë ndaj Çështjes shqiptare 1875-1881”. Temën e doktoraturës me titull: “Britania e Madhe dhe çështja shqiptare 1875-1913” e ka mbrojtur 15.7.2009 në Fakultetin Histori-Filologji në Universitetin e Tiranës.

Profesor Demaj e ka nisë karrierën si mësimdhënës në shkolla të ndryshme të Kosovës,duke filluar nga shkollat fillore, Gjimnaz, ndërkohë që pasioni i tij i gazetarisë i ka dhënë mundësinë e bashkëpunimit me redaksi të ndryshme revistash, si “Rrezja” në Prishtinë, në vitet 1999-2002 ka punuar si anëtar i redaksisë-gazetar i revistës “Kosovarja” në Prishtinë; në vitin 1999 ka punuar në cilësinë e gazetarit – në të përditshmen “Fakti” të Shkupit. Në vitin 2001 ka qenë drejtor i revistës për komunikacion “Tempulli”.Gjatë kohës së punës si gazetar ka botuar një numër të konsiderueshëm të artikujve me permbajtje historike, politike, kulturore, sociale etj

Prof. Frashër Demaj  nga korriku i vitit 2003 punon në Institutin e Historisë në fillim si asistent dhe më pas si hulumtues i pavarur dhe si bashkëpuntor shkencor për të vazhduar pastaj deri në korrik 2015 si Bashkëpuntor i Lartë Shkencor-Profesor i asocuar (inordinar).

Nga korriku 2015 është zgjedhur në gradën Këshilltar Shkencor-Profesor i rregullt (ordinar).

Frashër Demaj ka punuar në kolegjin JURIDICA në Prishtinë. Ka ligjeruar lëndët: Histori e shtetit dhe institucioneve, Komunikimi Nderkulturor dhe Metodat e Hulumtimit shkencor.

2010-vazhdon të punojë me në Kolegjin FAMA në cilësinë e profesorit të lëndëve Histori e Shtetit dhe së Drejtës (2010-2013), kurse aktualisht ligjëron lëndët Metodat e Kërkimit Shkencor në studimet master (Juridik-Civil, Juridik-Penal, Shkencat e Sigurisë, Administratë Publike dhe Marëdhënie Nderkombëtare me Diplomaci dhe Shkathtësitë e Lidershipit, ne master në drejtimin Marrëdhënie Nderkombëtare me Diplomaci. Në vitin akademik 2014-2015 ka ligjeruar edhe lëndën Metodat e Hulumtimit në Shkenca Politike dhe Administratë Publike me studentë të BCH.

Frashër Demaj ligjeron (visiting profesor) në Universitetin e Barit “Aldo Moro” në Itali, në studimet master në programin Studimet e Paqës, Liritë dhe të drejtat e Njeriut.
Frashër Demaj ligjëron (visiting profesor) në Northern Illionis University (NIU) në Çikago të SHBA-ve .Nga maji i vitit 2014 është zgjedhur rektor i kolegjit FAMA në Prishtinë. Ai ishte një nga ligjëruesit e Konferencën shkencore që u organizua në komuniteti shqiptar kushtuar 550 vjetorit të Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Për më shumë ejani në takimin me Prof. dr. Frashër Demaj të Martën, 17 Prill 2018, në orën 6 e 30 PM.

Filed Under: Politike Tagged With: Prof.Dr. Frasher Demaj, vizite ne Vater

PIRRO MANI- DITELINDJA- KUJTESE: NA I NXEFE SHUPLAKAT GJENERAL…!

April 14, 2018 by dgreca

2 Pirro Mani.jpgPirro m 3.jpg

Nga Dalip Greca*/

Së bashku me një nga miqtë më të afërt të Pirro Manit, që prej kohës kur la Koloradon për Nju Jorkun, Veis Belliun, e vizitojmë jo rrallë “Gjeneralin” e skenës shqiptare në shtëpinë e tij në Harrison, një zonë e lakmuar nga njujorkezët. Edhe këtë herë Pirro na priti në krye të shkallëve të shtëpisë së tij së bashku me Pavlinën.
-Është i vetëm çifti sonte,- thotë me të qeshur regjisori…
Pjesa tjetër e familjes kishte shkuar për fundjavë jashtë Nju Jork-ut.
Pa mbaruar mirë përshëndetjet Pavlina e shtroi tavolinën. Biseda që në fillim kapërcen oqeanin. Qe fundjanari dhe po diskutonim rreth veprimtarive që u organizuan në Shqipëri, veçanërisht në Gjirokastër, për 80 vjetorin e Shkrimtarit Ismail Kadare. Pirros i kishte mbetë në kujtesë thënia e Kadaresë se ishte tepruar me veprimtaritë kushtuar ditëlindjes së tij, ndërkohë që ishte harruar 17 Janari i Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu…. Natyrisht që Kadare i meriton nderet.
Nga Kadare kaluam tek “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”… Pyetjen e bëra unë, pasi Veizi ma kujtoi rrugës; Si ishte puna e nxefjes së shuplakave në Prishtinë në Vjeshtën e Vitit 1972?
…. Në fakt e kishim lënë një bisedë përgjysëm gjatë vizitës që patëm bërë paskthimit të tij Verën e shkuar nga një vizitë në Shqipëri, ku Tirana dhe rrethet e Teatrit, aktorë të vjetër e të rinj, studentë të Akademisë së Arteve, media folën dhe shkruan shumë për “Epokën e Pirro Manit”. Në atë vizitë ta paskthimit nga Tirana, bashkë me ne ishte dhe Adem Belliu i Televizorit Kultura Shqiptare në Nju Jork, që e la kamerën hapur për të “vjelë” sa më shumë nga bsieda me Pirrron dhe Pavlinën…..
***
Këtë herë, unë kisha marrë me vete disa fletë të printuara nga gjurmët e shfaqjes të “Gjeneralit të Ushtrisë së Vdekur” në Prishtinë në në vitin 1972. I pata kërkuar korrespondentit të Gazetës “Dielli” në Kosovë, gazetarit Behlul Jashari, që të hulumtonte në shtypin e kohës se si ishte pritë shfaqja e Gjeneralit aso kohe në Kosovë. Behluli kërkoi nëpër librari, nëpër koleksione gazetash, dhe diçka gjeti. I kisha kërkuar që mundësisht të takonte e të intervistonte personazhe që kishin qenë në shfaqje.
Në fakt nuk e pati të lehtë: Fatkeqsisht, më shkruante Behluli, shkrimtari, përkthysi, gazetari Vehap Shita, që ka shkruar për vënien në skenë në Teatrin Krahinor të Kosovës, Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur të të madhit Pirro Mani, ka dy vjet që ka ndërruar jetë, ndërsa shkrimtari e gazetari Musa Ramadani, redaktor i Kulturës për shumë vite në Gazetën Rilindja, që gjithashtu e ka ndjekur nga afër shfaqjen dhe ka shkruar për të, tani nuk është mirë me shëndet, por gjithësesi biseduam në telefon dhe atij i kujtohej mjaft mirë shfaqja dhe ende i ruante të fuqishme mbresat nga shfaqjet e Gjeneralit….E kujton Pirron si gjeneral të Skenës…
Ia lexoj Pirros letrën e Behlulit, dhe e shoh se si i shkëlqejnë sytë….Tek dëgjon mesazhin e gazetarit nga Prishtina, bëhet më i vëmendshëm, pastaj duket sikur përhumbet në mjegullën e kohës dhe nga rrathët e kujtesës kërkon të kapë gjurmët e asaj shfaqjeje ….
– Ka qenë një shfaqje e madhe…Pata më shumë liri regjisoriale atje në Prishtinë. E shfryva dufin e censurës dhe autocensurës. Realizova një shfaqje moderne me të gjitha mjetet skenike që më jepte liria.Në Kosovë shkeleshin liri të tjera, por jo si në Shqipëri, ku gjithçka censurohej, veçanërisht në fushën e krijimtarisë… Nuk kisha mbi kokë atje “Kontroll Partie”, siç i thoshim ne, Këshilli Artistik, që bënte skanerin e shfaqjes para se të shkonte tek publiku….

Biseda ngrinë…. Për një çast Gjenerali i skenës shqiptare, heshtohet… Për disa minuta dëgjojmë frymarrjen e tij të shpeshtuar.Duket se po e përjeton atë që ka lënë atje në Prishtinë, pjesë nga vetja.
Më pas, sikur të ishte kujtuar për diçka, më thotë: Nuk arrij t’i bashkoj të gjitha copëzat e atij përjetimi që zgjati më shumë se 6 muaj në Prishtinë. Shkroi shumë shtypi atje për Gjeneralin. Mbaj mend se njëra nga gazetat e asaj kohë pat vënë një titull që më mbeti në mendje për shumë kohë ”Na i nxefe shuplakat Gjeneral!”….Në fakt ma kishin thënë këtë shprehje edhe me zë pas shfaqjes”Na i nxefe shuplakat Gjeneral”…Më pëlqente shumë ky kompliment. Kaq, s’mund të thonin më shumë në atë kohë…
***
… Gazetari nga Prishtina më kishte dërguar disa faqe të librit të shkrimtarit Vehap Shita”Kur ndizen Dritat”, libër i botuar pesë vjet pas shfaqjes në Prishtinë, në vitin 1977, dhe që mund të gjendet sot edhe në bibliotekën e Universitetit të Urbanës në Illinois, këtu në SHBA.
Shkrimtari, kritiku Shita, shkruante: Pa marrë parasysh se romani i Ismail Kadaresë “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” është vepër e njohur, e çmuar si një nga më të bukurat në Letërsinë bashkohëse shqipe, drama që Pirro Mani kishte thurur me lëndën e romanit, edhe si autor i dramatizimit, edhe si regjisor, të jep përshtypjen e një spektakli teatral më vete. Pirro Mani ka ndjekë rrugën e inskenimit realist spektakolar, por me tendencë të dukshme që të mbeten gjithnjë në plan të parë idetë e veprës.
Pirro Mani e kishte parim profesional, që të mos i hynte në pjesë autorit, por ai i ngjizte veprës shpirtin e tij regjisorial, dhe vepra fitonte atë ç’ka i mungonte.
Në kujtesën e Pirro Manit”Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” ka një peshë të shumfishtë. Kadare ia pat dhënë të parit dorëshkrimin e “Gjeneralit të Ushtrisë së Vdekur”, ende pa u botuar si libër. Ishte tronditur Pirrua nga dramaciteti dhe ankthi që mbartëte subjekti. Ndërsa e përpintë së lexuari, mendjen e kishte në skenë….Kur doli libri nga shtypi, Pirro ishte nga të parët që e mori nga autori me autograf. Në mendjen e tij nisi endja e pëlhurës skenike, që në Prishtinë pat më shumë liri e fantazi krijuse.
Pirro kujton kohën e largët të shfaqjeve në Kosovë. Ishte Vjeshtë e vitit 1972. Atë kohë drejtor i Teatrit të Prishtinës ishte shkrimtari dhe poeti i zëshëm i Letërsisë Shqipe Azem Shkreli. Përgatitjet me Trupën e Prishtinës kishin vazhduar rreth gjashtë muaj. E kujton si sot…Kur Pirro pat krijuar bindjen se gjithçka ishte gati, nisur nga praktika në Shqipëri, ku Partia kontrollonte gjithçka, dhe pa viston e saj nuk jepej shfaqja, kishte shkuar për të takuar e për tu këshilluar me drejtorin e Teatrit.
– Pse është munduar regjisori deri tek drejtori?, i pat thënë Azem Shkreli me të qeshur.
Pirro iu përgjigj pyetjes me pyetje:
– Kur do ta mblidhni Këshillin Artistik, që të kontrollojë shfaqjen dhe të na lejoji ta shfaqim për publikun? Unë jam gati, që nesër…
Nuk e kishte mbaruar fjalinë e dytë, kur drejtori-shkrimtar, pat shprehë habinë:
– Çfarë Këshilli Artistik po thua, he burrë? Nuk kemi Këshillë ne këtu. Ti je regjisori, e ti je Këshilli artistik. Nuka ka punë Këshilli Artistik me vizionin tënd, me realizimin tënd regjisorial s’ka punë njeri! Ti je Këshilli, përsëriste dhe qeshte shkrimtari -drejtor.
Pirro është habitë për vete. Ç’thotë ky Azem Shkreli? Po Partia, breeee? Po vija….?! Po Kontrolli punëtor…Po Bashkimet Profesionale…Po ai, i madhi fare…nuk do të dërgonte përfaqësues ai…
I kishte drejtuar dhe një pyetje drejtorit:- Po a nuk bëhet këtu shfaqje gjenerale para Këshillit Artistik?
– Jo pra jo, je ti mbreti i skenës, je ti Gjenerali….
U kthye tek trupa dhe intensifikoi provat. Gjithçka iu duk se ishte gati. Gjenerali, që luhej nga Shani Pallaska-pionier i aktrimit Kosovar dhe Prifti i luajtur mjeshtrisht nga i madhi Istref Begolli, ishin shkrirë me skenë sipas vizionit të regjisorit Pirro Mani, ashtu siç edhe Plaka Nicë në fiksimin e saj tronditës, e mishëruar fort bukur nga loja e përsosur e Melihate Ajeti, që dukej se “Nica” e saj vinte nga një tjetër planet, si jashtoksore, për t’ia prishur gëzimin gjeneralit.
Publiku Kosovar e mbajti frymën pezull gjatë shfaqjes. Pirro kujton momentin e shfaqjes së plakës Nicë… Halucinacionet e Gjeneralit… Tronditja nga kontrastet e thella…Fantazia e Pirro Manit kishin krijuar një mjedis të kontrasuar me Kryqe, varreza pushtuesish,e zeza e hijeve të mortit, skeletet e veshura me najlon, ishte e frikshme fëshfëritja e tyre, ndjesia e vdekjes që zotëronte skenën, pastaj skena e bardhë e dasmës,daullet e dasmës, valltarët që kërcenin në skenë, këngët polifonike me interpretim modern…Ishte një shfaqje ekspresioniste, që diktoi respekt në qarqet teatrore…
Publiku kosovar e priti shfaqjen me duartrokitje të zjarrta. Ishte dhe Kadare në shfaqje. U gëzua shumë kur pa atë pritje aq të ngrohtë. Morën pjesë edhe nga teatri Serb, ai Podgoricës, i Novi Sadit. Të gjithë e vlerësuan.Ishte diçka ndryshe….(per me shume foto shkoni ne facebook dielli vatra- Per ta lexuar te plote shkrimin shkoni ne Dielli arkiv)

Filed Under: Featured Tagged With: ditelindja, Gjenerali, Pirro Mani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • …
  • 42
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT