• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2018

A MUND TE GJENI TE DHENA PER GJYSHIN VATRAN?

June 20, 2018 by dgreca

PYETJE: A MUND TE GJENI TE DHENA PER GJYSHIN VATRAN?/1 Huaja
35533780_397924304039879_513555497350070272_n
NË PËRGJIGJE TË INTERESUARËVE PËR DOKUMENTE TË PARARDHËSVE TË TYRE VATRANË-

A MUND TE GJENI TE DHENA PER GJYSHIN VATRAN?-Kështu fillojnë shumica e letrave që vijnë në E-mail-in e gazetës Dielli, ku marrim shpesh pyetje për historinë e Vatrës dhe drejtuesit e saj, por dhe shumë pyetje për dokumentet e identifikimit të të parëve te tyre…. Shumë nga pyetjet mbeten pa përgjigje edhe pse autorët e tyre i përsërisin e i përsërisin në vijëmsi. Po c’pyetje mbeten pa përgjigje? Kryesisht ato që kërkojnë nga arkivi i Vatrës dokumente të paradhësve të tyre me qëllim që t’i shfrytëzojnë ato për të ardhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe pse ne kemi dhënë përgjigje publike se Vatra nuk zotron dokumente të tilla, pyetjet përsëriten. E shumta në Vatër përmes arkivave të saj gjenden emrat, adresat, pjesmarrja nëpër fushatat Kombëtare që organizonte Vatra, por jo dokumente identifikimi, numra pune etj…Për të gjetur hollësi të atilla duhet punuar me avokatët e emigracionit. Cdo i interesuar mund të pajtojë një avokat dhe të ndjekë problemin që e shqetëson. Në regjistrat tona arkivore gejnden të dhëna për ata që kanë pasë detyra drejtuse në Vatër, kanë qenë pjesë e Komisioneve ose degëve, kanë marrë pjesë në fushata Kombëtare si”Fushata për Shpëtimin e Shqipërisë”, “Huaja Kombëtare”, fushata për Imzot Nolin(Shtëpinë e tij), për Banesën e Vatrës, për fondin e Studentëve etj…

PS: Gjithesesi per pyetje ju vazhdoni te na shkruani:gazetadielli@gmail.com

Fotografia paraqet Huane Kombetare qe Organizoi Vatra ne Vitet 1920-21 per t’i ardhe ne ndihme Shtetit Shqiptar,ku mblodhen 197 mije 0 72.98 Dollare(ne ate kohe pagesa e punetoreve nuk i kalonte $5.00)…Si disa nga regjistrat qe nga kohethemelimi i Vatres e rekorde gjat viteve…

Filed Under: Emigracion Tagged With: dalip greca, Gjyshi vatran

Specialistja-Si mund të ndikojë televizioni në ushqyerjen e fëmijës tuaj?

June 20, 2018 by dgreca

Shumica e fëmijëve e kalojnë një pjesë të madhe të kohës së tyre përpara televizorit. Ata, zakonisht, shohin reklama që promovojnë ushqime ose pije të ndryshme dhe kjo mund të ndikojë tek preferencat e tyre.

1 AjsheShkruan: AJSHE LEKA/

Disa nga ushqimet e reklamuara nuk mund të jenë pjesë e ditës së të ushqyerit të shëndetshëm për trurin dhe trupin e tyre. Shumë prej ushqimeve, siç janë ushqimet e shpejta (fast food), patatinat dhe pijet e gazuara, duke e pasur parasysh se përmbajnë yndyra të larta, kanë shtesa të sheqernave, natrium dhe kalori, kurse shpesh u mungojnë vitaminat, mineralet dhe fibrat dietale.

Si mund të përballohen tundimet televizive dhe të nxitet të ushqyerit e shëndetshëm?

1.Shmangeni shikimin e televizorit gjatë kohës së ngrënies. Si familje, mund të dakordoheni të mos shikoni TV (ose të përdorni pajisje të tjera elektronike) gjatë kohës së ngrënies.

2.Hani së bashku rregullisht, sepse kështu keni mundësi për të promovuar ushqim të shëndetshëm dhe lidhje familjare.

3.Shikoni programe të fëmijëve pa reklama. Merrni në konsideratë blerjen ose huazimin e DVD-ve për fëmijë, ose regjistrimin e programeve, në mënyrë që të ecni përpara përmes reklamave.

4.Kaloni kohë së bashku duke mësuar rreth ushqimeve. Provoni të vizitoni apo punoni në një kopsht, të vizitoni tregun e një fermeri ose të shihni pjesën e prodhuar në dyqan ushqimor.

5.Fëmijët më të rritur mund të mësohen se si të kontrollojnë etiketën e të dhënave të një prodhimi dhe të ndihmojnë në blerjen e ushqimeve të shëndetshme.

6.Përfshini fëmijët në kuzhinë. Fëmijët e vegjël kanë gatishmëri për të mësuar dhe një dëshirë të sinqertë për të ndihmuar. Kjo është një mënyrë e mirë për të rritur sigurinë e ushqyerjes përmes larjes së duarve para përgatitjes ose përdorimit të ushqimit si dhe caktimit të detyrave të thjeshta, si vendosja e tryezës ose heqja e gjetheve të maruleve për një sallatë.

7.Vendosni kufij sa i përket kohës së qëndrimit para ekranit, sepse fëmijët e të gjitha moshave kanë prirje të shpenzojnë më shumë orë para televizorit dhe pajisjeve të tjera elektronike, nëse lihen pa kontroll, pavarësisht se disa prej këtyre programeve mund të jenë edukative. Dilemat dhe shqetësimet mbeten në faktin se sa mund të ndikojë kjo në shëndetin dhe zhvillimin e fëmijëve.

Akademia Amerikane e Pediatrisë rekomandon jo më shumë se një orë në ditë qëndrim para ekranit për fëmijët 2-5 vjeç dhe përdorimin e një plani mediatik për fëmijët e moshës shkollore.

Fëmijët mësojnë shumë duke vëzhguar thjesht të tjerët. Një prind, duke zgjedhur ushqime dhe pije të shëndetshme, duke kufizuar përdorimin e pajisjeve elektronike, mund të bëhet një shembull i mirë për fëmijët e tij.

…………………………

(Autorja është konsulentë për nutricion dhe dietologji: fb.com/nutricistedietologe ) 

Filed Under: Komente Tagged With: Ajshe Leka, e fëmijës tuaj?, Si mund të ndikojë televizioni në ushqyerjen

Oda Amerikane dhe Konsullata e Kosovës në Nju Jork, aktivitete të përbashkëta

June 20, 2018 by dgreca

-Oda Amerikane dhe Konzullata e Kosovës në Nju Jork dakordohen për aktivitete të përbashkëta promovuese/1 Oda

-Promovim mundësive për investime në Kosovë dhe rritjes së bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës/

 PRISHTINË, 20 Qershor 2018-Gazeta DIELLI/ Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ishte nikoqire e konsullës së përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Teuta Sahatqija, me të cilën u bisedua për koordinimin e përpjekjeve ndërinstitucionale me qëllim të promovimit të mundësive për investime në Kosovë dhe rritjes së bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ambasadorja Sahatqija tha se pas realizimit të suksesshëm të aktivitetit të përbashkët për promovimin e verërave të Kosovës në dhjetor të vitit të kaluar në Nju Jork, ku mori pjesë edhe Ambasadorja e SHBA-ve në Kombet e Bashkuara, Nickey Haley, duhet të vazhdohet me aktivitete të tjera, të cilat kanë për synim sigurimin e partneriteteve për bizneset kosovare në SHBA. Ajo foli në veçanti për mundësitë e shumta që ekzistojnë për kompanitë kosovare nga fusha e teknologjisë së informacionit, në aspekt të kontraktimit të proceseve afariste.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, tha se përpjekjet institucionale për tërheqjen e investimeve amerikane në Kosovë, duhet të jenë të bashkërenduara dhe më të targetuara për biznese specifike amerikane, të cilat kanë mundësi për zgjerim të biznesit në Kosovë. Ai ofroi përkrahje Konzullatës së Përgjithshme të Kosovës në Nju Jork për koordinimin e aktiviteteve promovuese të cilat do të mbaheshin përgjatë vitit në Nju Jork e të cilat do të kishin në fokus audienca më të targetuara të bizneseve dhe palëve të tjera të interesit, përfshirë këtu edhe autoritetet shtetërore amerikane, si dhe institucionet financiare amerikane e ndërkombëtare.

Bashkëbiseduesit u dakorduan për përpilimin e një plani të detajuar të punës për të gjitha aktivitetet e mundshme, në të cilin do të përfshiheshin edhe organizata të tjera që mbështesin aktivitetet e inovacionit dhe ndërmarrësisë si Qendra e Inovacionit e Kosovës./b.j/

Filed Under: Ekonomi Tagged With: aktivitet ne Nju Jork, Konsullata e Kosoves, oda amerikane

Arkitektja Pruthi prezanton Kosovën në Muzeun e Artit Modern

June 20, 2018 by dgreca

Arkitektja Kosovare Patrisa Pruthi prezanton Kosovën në Muzeun e Artit Modern (MoMA) në New York/
1 Pruthi
Në MoMA – Muzeun e Artit Modern të New Yorkut, prej 15 korrik 2018 deri më 13 Janar 2019 do të shfaqet ekspozita: Toward a Concrete Utopia: Architecture in Yugoslavia, 1948–1980 (Drejt një Utopie Betoni: Arkitektura në Jugosllavi, 1948 – 1980).2 Ish JugosllaviaArkitektja kosovare Patrisa Pruthi, studente e dalluar e The Cooper Union School of Architecture, Universitetit më prestigjoz të Arkitekturës në New York, do të prezantojë më 10 korrik punimin e saj për Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës në Muzeun e Artit Modern në New York.

Pjesëmarrja e Arkitektes Patrisa Pruthi, do të thotë shumë për shtetin e Kosovës, meqenëse për herë të parë një monument kosovar prezantohet në një muze prestigjoz si MoMA.

Modeli i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës i përzgjedhur në mesin e shumë monumenteve të tjera nga Ish-Jugosllavia, puna e saj njëvjeëare do të gjejë vend në MoMA nga 10 korriku 2018 deri më 13 janar 2019.

Drejt një Utopie Betoni: Arkitektura në Jugosllavi, 1948-1980 prezanton për herë të parë punën e jashtëzakonshme të arkitektëve kryesorë të Jugosllavisë socialiste në një audiencë ndërkombëtare, duke theksuar një trup të rëndësishëm arkitektural modernist, kontributet e të menduarit progresiv që rezonojnë edhe sot. Ekspozita eksploron temat e urbanizimit në shkallë të gjerë, teknologjisë në jetën e përditshme, konsumizmit, monumenteve dhe memorializimit, si dhe arritjen globale të arkitekturës jugosllave. Ekspozita përfshin më shumë se 400 vizatime, modele, fotografi dhe video nga një koleksion arkivash komunalë, koleksionesh familjare dhe muzeve në të gjithë rajonin, si dhe përmban punën e arkitektëve të rëndësishëm, duke përfshirë Bogdan Bogdanoviq, Juraj Neidhardt, Svetlana Kana Radević, Edvard Ravnikar, Vjenceslav Richter dhe Milica Šterić. Nga brendësia skulpturore e Xhamisë së Bardhë në Bosnjën rurale, deri tek rindërtimi i qytetit të Shkupit në bazë të dizajnit Metabolist të Kenzo Tange, si dhe stili unik i ndërtesës së Bibliotekës Kombëtare të Kosovës të dizajnuar nga arkitekti kroat Andrija Mutnjaković, ekspozita shqyrton vargun unik të formave dhe mënyrave të prodhimit në arkitekturën Jugosllave dhe karakterin e saj të veçantë, por shumëdimensional.

Ekspozita është organizuar nga Martino Stierli – Krye-kuratori i Arkitekturës dhe Dizajnit, Philip Johnson, në Muzeun e Artit Modern dhe Vladimir Kulić, kurator i ftuar, Anna Kats, asistente kuratore, Departamenti i Arkitekturës dhe Dizajnit, Muzeu i Artit Modern.Për më shumë klikoni në linkun: https://www.moma.org/calendar/exhibitions/3931

Filed Under: Opinion Tagged With: kosova, MOMA, Patrisia Pruthi

70-VJETORI I DEKLARATËS UNIVERSALE MBI TË DREJTAT E NJERIUT

June 20, 2018 by dgreca

2 Franku

Nga Frank Shkreli/

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) shënon çdo vit më 10 Dhjetor, Ditën e të Drejtave të Njeriut, ditë kjo e cila kujton datën kur Asamblea e Përgjithshme e OKB-ës ka miratuar në vitin 1948 Deklaratën Universale mbi të Drejtat e Njeriut, duke shpallur se parimet e kësaj deklarate janë “Standarde të përbashkëta për t’u realizuar nga të gjithë popujt dhe nga të gjitha kombet.”  Kjo deklaratë në tërësi, ndoshta si asnjë marrveshje tjetër ndërkombëtare, potencon se të gjithë njerëzit pa dallim, kanë lindur të lirë, në dinjitet, me të drejta dhe liri të barabarta — një ide kjo që në sipërfaqe duket e thjesht, por është radikale në kuptimin dhe zbatimin e saj.  Ky vit pra, shënon 70-vjetorin e kësaj deklarate të miratuar nga Asamblea e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 10 Dhjetor, 1948, në Paris.  Gjatë këtij përvjetori, OKB-ja po shqyrton ndikimin e këtij dokument të rëndësishëm në historinë njerëzore dhe në jetën e përditëshme të njerëzve, anë e mbanë botës.

Sipas OKB-ës, lëvizja për mbrojtjen e të drejtave të njeriut ka shënuar përparime të dukshme gjatë 70-viteve të kaluara, por, fatkeqsisht, abuzimet me të të drejtat e njeriut vazhdojnë me një ritëm të vazhdueshëm, anë e mbanë botës.  Prandaj, ky përvjetor i Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut, është një rast i mirë, jo vetëm për të lartësuar sukeseset e arritura, por edhe për t’u angazhuar rishtas ndaj respektimit dhe zbatimit të parimeve të përmbledhura në 30 artikujt e Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut. Ashtu siç thuhet në parathënien e këtij dokumenti, “Njohja e dinjitetit të lindur të të drejtave të barabarta dhe të patjetërsueshme të të gjithë anëtarëve të familjes njerëzore, është themeli i lirisë, drejtësisë dhe paqës në botë”.

Deklarata Universale mbi të Drejtat e Njeriut na jep të drejtë, secilit prej nesh, jo vetëm që të mbrojmë të drejtat tona njerëzore, por edhe të drejtat e të tjerëve. Si  një frymëzim për të mbështetur të drejtat e njeriut për veten dhe për të tjerët, ju sjellim më poshtë, në këtë 70-vjetor, Deklaratën e plotë Universale mbi të Drejtat e Njeriut, si një dokument i gjallë, sa universal për nga hapësira, aq edhe i rëndësishëm për çdo individ dhe shoqëri – njëkohësisht, sipas OKB-ës, edhe dokumenti më i përkëthyer në botë, në më shumë se 500-gjuhë të ndryshme.

deklarataunivZonja Eleanor Roosevelt (bashkshortja e ish-Presidenti Franklin D. Roosevelt),njëkohsisht edhe kryetarja e Komisionit që përpiloi dokumentin në fjalë, mban pllakatën e Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut–UN Photo (1949).Ashtu si gjatë viteve, OKB-eja u ka bërë thirrje të gjithë popujve dhe shteteve anëtare të mbajnë përgjegjëse qeveritë e tyre për zbatimin e këtyre të drejtave, jo vetëm në këtë 70-vjetor të miratimit të Deklaratës, por edhe në përvjetore të tjera, për të gjithë njerëzit pa dallim dhe për 365 ditët e vitit.  Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut të OKB-së dhe parimet që kanë udhëhequr këtë organizatë gjatë më shumë se një gjysëm shekulli, ç’prej miratimit të saj më 10 dhjetor, 1948 — diskrediton tiranitë e sotëme dhe ato të shekullit të kaluar që i kanë shkelur brutalisht këto të të drejta, si komunizmin dhe fashizmin, si dhe diskriminimet, krimet dhe abuzimin e këtyre të drejtave ndaj personave ose grupe personash, sepse vetëm e vetëm, nuk pajtoheshin me këto ideologji.

Bota shqiptare, fatkeqsisht nuk dallohet shumë për kujtimin e përvjetorëve të tillë të datave ndërkombëtare në mbështetje të drejtave të njeriut. Por, nëqoftëse autoritetet, si në Shqipëri ashtu edhe në Republikën e Kosovës, përfillin thirrjen e OKB-ës për të shënuar, jo vetëm këtë përvjetor, por edhe për të promovuar çdo ditë të vitit këto të drejta bazë të njeriut “për të gjithë dhe përgjithmonë” dhe pa dallim – atëherë, ky përvjetor duhet të shikohet jo vetëm nga realiteti i sotëm, por edhe nga një perspektivë historike e së kaluarës.Fryma e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, duhet të frymëzojë në këtë 70-vjetor të miratimit të saj, promovimin e këtyre të drejtave sot, por duhet të shërbejë edhe si një rast për të kujtuar gjithashtu shkeljet dhe dhunën serioze ndaj këtyre të drejtave bazë të njeriut ndaj mijëra viktimave shqiptare të regjimeve shtypëse komuniste në Shqipëri dhe në Kosovë, ashtuqë të pakën viktimat që janë ende gjallë, më në fund, pas vuajtjeve të shumta, ta ndjejnë veten se janë pjesë e pandarë e shoqërisë shqiptare dhe se të pakën tani 30-vjet pas shembjes së komunizmit dhe pavarësisë së Kosovës, të gëzojnë të drejta të barabarta, dinjitet dhe liri të plotë për veten dhe për familjet e tyre, në krahasim me të tjerët, ashtu siç bëhet thirrje në Deklaratën Universale mbi të Drejtat e Njeriut.Trajtimi dhe ndriçimi i këtyre krimeve ndaj këtyre viktimave dhe i shkeljeve të   drejtave të njeriut do të çonte drejtë një shoqërie më të hapur dhe më normale, në pajtim me vetveten dhe me të tjerët. Mos trajtimi dhe mos zbardhja e kësaj historie tragjike gjysëm shekullore për shoqërinë shqiptare vazhdon ta mbajë atë në një ngërç konfliktesh politike dhe ekonomike deri në ditët e sotëme.  Është e nevojshme që trajtimi i krimeve të regjimit komunist dhe krimet kundër shqiptarëve në trojet e veta në përgjithësi — nga pikëpamja e shkeljes së të drejtave bazë të njeriut — të konsiderohet brënda kontekstit të këtyre parimeve dhe të drejtave universale të Deklaratës mbi të Drejtat e Njeriut. Një gjë e tillë do t’i shërbente jo vetëm të vërtetës historike, por edhe lartësimit të nderit dhe interesit kombëtar të shqiptarëve.  Le të jetë ky një angazhim nga të gjithë pa dallim — në këtë 70-vjetor të miratimit të Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut.

Sepse, siç është shprehur edhe Eleanor Roosvelt, “Në fund të fundit, ku fillon zbatimi dhe respektimi i të drejtave të njeriut? Në vende të vogëla dhe në hapësirën ku jetojmë, e të cilat mund të jenë aq të vogëla sa që nuk mund të dallohen as në ndonjë hartë të botës. Nëqoftse këto të drejta nuk kanë ndonjë domethënje dhe rëndësi atje ku jetojmë, atëherë ato nuk kanë rëndësi askund tjetër.  Pa një angazhim të përbashkët të qytetarëve, në mbështetje dhe në mbrojtje të këtyre të drejtave njerëzore aty në rrethin ku jetojnë ata, atëherë presim më kot që këto të drejta universale të njeriut të zbatohen në botën më të gjërë”,ka theksuar Eleanor Roosevelt.

 

***
Më 10 dhjetor të vitit 1948, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara nxori dhe shpalli Deklaratën e Përgjithshme mbi të Drejtat e Njeriut, tekstin e plotë të së cilës po e botojme në faqet që vijojnë. Mbas këtij akti historik, Asambleja ftoi të gjitha shtetet anëtare që ta shpallin tekstin e Deklaratës dhe të përpiqen që të përhapet, paraqitet, lexohet dhe të shpjegohet, sidomos në shkolla dhe institucione të tjera edukuese, në të gjitha vendet dhe shtetet pa marrë parasysh statusin e tyre politik.

1 deklarata70

      DEKLARATA E PËRGJITHSHME MBI TË DREJTAT E NJERIUT 

                                                             HYRJE

Mbasi njohja e dinjitetit të lindur të të drejtave të barabarta dhe të patjetërsueshme të të gjithë anëtarëve të familjes njerëzore është themeli i lirisë, drejtësisë dhe paqës në botë; mbasi mosrespektimi dhe përbuzja e të drejtave të njeriut ka çuar drejt akteve barbare, të cilat kanë ofenduar ndërgjegjen e njerëzimit, dhe mbasi krijimi i botës në të cilën njerëzit do të gëzojnë lirinë e fjalës, të besimit dhe lirinë nga frika e skamja është proklamuar si dëshira më e lartë e çdo njeriu;

mbasi është e nevojshme që të drejtat e njeriut të mbrohen me dispozita juridike, kështu që njeriu të mos jetë i shtrënguar që në pikën e fundit t’i përvishet kryengritjes kundër tiranisë dhe shtypjes;

mbasi është e nevojshme që të nxitet zhvillimi i marrëdhënieve miqësore midis kombeve;

mbasi popujt e Kombeve të Bashkuara vërtetuan përsëri në Kartë besimin e tyre në të drejtat themelore të njeriut, në dinjitetin dhe vlerën e personit të njeriut dhe barazinë midis burrave dhe grave dhe mbasi vendosën që të nxitin përparimin shoqëror dhe të përmirësojnë nivelin e jetës në liri të plotë;

mbasi shtetet anëtare u detyruan që, në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara, të sigurojnë respektimin e përgjithshëm dhe zbatimin e të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore;

mbasi kuptimi i përbashkët i këtyre të drejtave dhe lirive është më i rëndësishëm për realizimin e plotë të këtij detyrimi:

Nenet e Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut

Neni 1. Të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në dinjitet dhe në të drejta. Ata kanë arsye dhe ndërgjegje dhe duhet të sillen ndaj njëri tjetrit me frymë vëllazërimi.

Neni 2. Secili gëzon të gjitha të drejtat dhe liritë e parashtruara në këtë Deklaratë pa kurrfarë kufizimesh përsa i përket racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, besimit fetar, mendimit politik ose tjetër, origjinës kombëtare a shoqërore, pasurisë, lindjes ose tjetër. Asnjë dallim nuk do të bëhet në bazë të statusit politik, juridik ose ndërkombëtar të shtetit ose vendit të cilit i përket çdo njeri, qoftë kur shteti ose vendi është i pavarur, qoftë nën kujdestari, qoftë jo vetëqeverisës ose që gjindet në çfarëdo kushtesh të tjera të kufizimit të sovranitetit.

Neni 3. Gjithkush ka të drejtë të jetojë, të jetë i lirë dhe të ketë sigurimin vetjak.

Neni 4. Asnjeri nuk duhet të mbahet si skllav ose çifçi; skllavëria dhe tregtia e skllevërve janë të ndaluara në të gjitha format.

Neni 5. Asnjeri nuk duhet t’i nënshtrohet mundimit, veprimit ose dënimit të egër, jonjerëzor ose poshtërues.

Neni 6. Gjithkush ka të drejtë që t’i njihet kudo personaliteti juridik.

Neni 7. Të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe kanë të drejtë pa asnjë diskriminim të mbrohen barabar nga ligji. Të gjithë kanë të drejtën për t’u mbrojtur barabar kundër çdo diskriminimi që cënon këtë Deklaratë, si dhe kundër çdo nxitje për një diskriminim të tillë.

Neni 8. Gjithkush ka të drejtë për mjete juridike të frytshme para gjykatave kompetente kombëtare për veprimet me të cilat shkelen të drejtat themelore të garantuara nga kushtetuta ose ligjet.

Neni 9. Asnjeri nuk duhet t’i nënshtrohet arbitrarisht arrestimit, ndalimit ose internimit.

Neni 10. Gjithkush gëzon njëlloj të drejtën për një proces gjyqësor objektiv e publik para një gjykate të pavarur e të paanshme, në përcaktimin e të drejtave dhe detyrimeve të veta dhe për vendimin mbi çfarëdo lloj akuze penale.

Neni 11. Kushdo që është i akuzuar për një vepër penale ka të drejtë të konsiderohet i pafajshëm deri sa të vërtetohet fajsia në bazë të ligjit dhe në një proces publik në të cilin ka pasur të gjitha garancitë e duhura për mbrojtjen e vet.

Asnjeri nuk duhet të dënohet për veprime ose mosveprime të cilat nuk përbëjnë një vepër penale, sipas ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare, në kohën kur janë kryer. Gjithashtu nuk mund të vendoset një dënim më i rëndë nga ai që ka qenë zbatuar në kohën kur është kryer vepra penale.

Neni 12. Asnjeri nuk duhet t’i nënshtrohet ndërhyrjes arbitrare në jetën, familjen, banesën ose korrespondencën vetjake, si dhe sulmeve kundër nderit dhe prestigjit personal. Gjithkush ka të drejtën të mbrohet nga ligji kundër ndërhyrjeve ose sulmeve të tilla.

Neni 13. Gjithkush ka të drejtën e lirisë së qarkullimit dhe banimit brenda kufijve të çdo shteti.

Gjithkush ka të drejtë të largohet nga cilido vend qoftë, përfshirë këtu edhe të vetin, si dhe të kthehet në vendin e vet.

Neni 14. Gjithkush ka të drejtë të kërkojë dhe gëzoje në vende të tjera azil nga ndjekjet. Këtë të drejtë nuk mund ta gëzojë askush në rast se ndiqet për krime jopolitike ose për vepra në kundërshtim me qëllimet dhe parimet e Kombeve të Bashkuara.

Neni 15. Gjithkush ka të drejtën e një shtetësie.

Asnjeri nuk duhet të privohet arbitrarisht nga shtetësia e tij si dhe as nga e drejta që të ndërrojë shtetësinë.

Neni 16. Burrat dhe gratë në moshë të pjekur kanë të drejtë të lidhin martesë dhe formojnë familje, pa kurrfarë kufizimi për sa i përket racës, shtetësisë ose besimit. Ata kanë të drejta të barabarta si në rastin e lidhjes së martesës, gjatë martesës si dhe në rast shkurorëzimi.

Martesa duhet të lidhet vetëm me pëlqimin plotësisht të lirë të personave që do të martohen. Familja është bërthama e natyrshme dhe themelore e shoqërisë dhe ka të drejtën e mbrojtjes nga shoqëria dhe shteti.

Neni 17. Gjithkush ka të drejtën të ketë pasuri, si vetëm ashtu edhe në bashkësi me të tjerët. Asnjeri nuk duhet të privohet arbitrarisht nga pasuria e tij.

Neni 18. Gjithkush ka të drejtën e lirisë së mendimit, ndërgjegjes dhe besimit; kjo e drejtë përfshin lirinë e ndryshimit të besimit ose bindjeve dhe lirinë që njeriu, qoftë vetë ose në bashkësi me të tjerët, të shfaqë publikisht ose privatisht, besimin ose bindjen e vet me anë të dhënies së mësimeve, kryerjes së kultit dhe ceremonive fetare.

Neni 19. Gjithkush ka të drejtën e lirisë së mendimit dhe të shprehjes; kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit pa ndërhyrje, si dhe lirinë e kërkimit, marrjes dhe njoftimit të informacionit dhe ideve me çfarëdo mjeti qoftë, pa marrë parasysh kufijtë.

Neni 20. Gjithkush ka të drejtën e lirisë së mbledhjes dhe bashkimit paqësor.

Asnjeri nuk duhet të detyrohet të bëjë pjesë në ndonjë bashkim.

Neni 21. Gjithkush ka të drejtë të marrë pjesë në qeverisjen e vendit të vet, drejtpërdrejt ose me anë të përfaqsuesve të zgjedhur lirisht.

Gjithkush ka njëlloj të drejtë të hyjë në shërbimet publike në vendin e vet.

Vullneti i popullit është baza e pushtetit shtetëror; ky vullnet duhet të shprehet në zgjedhje periodike dhe të lira të cilat duhet të jenë të përgjithshme dhe votimi i barabartë, si dhe me votim të fshehtë ose sipas procedurës përkatëse të votimit të lirë.

Neni 22. Si anëtar i shoqërisë, gjithkush ka të drejtën e sigurimit shoqëror dhe realizimit të të drejtave ekonomike, sociale, kulturore të domosdoshme për dinjitetin e vet dhe për zhvillimin e lirë të personalitetit, me ndihmën e shtetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar dhe në përputhje me organizimin dhe mundësitë e çdo shteti.

Neni 23. Gjithkush ka të drejtën për punë, të zgjedhë lirisht profesionin, të ketë kushte të favorshme pune dhe të jetë i mbrojtur nga papunësia.

Gjithkush, pa kurrfarë diskriminimi, ka të drejtë që për punë të njëjtë të marrë rrogë të njëjtë. Gjithkush që punon ka të drejtën për një shpërblim të drejtë dhe favorshëm, në mënyrë që t’i sigurojë atij dhe familjes së tij një jetë që i përgjigjet dinjitetit njerëzor dhe, në qoftë se do të jetë e nevojshme ky shpërblim të plotësohet edhe me mjete të tjera të sigurimit shoqëror.

Gjithkush ka të drejtë të formojë sindikatë dhe të bëjë pjesë në të për mbrojtjen e interesave të veta.

Neni 24. Gjithkush ka të drejtë për pushim dhe kohë të lirë, duke përfshirë kufizimin e arsyeshëm të orarit të punës dhe pushimin e paguar periodik.

Neni 25. Gjithkush ka të drejtë për një nivel jetese të mjaftueshëm i cili t’i përgjigjet shëndetit dhe jetës së përshtatshme si të atij personalisht, ashtu edhe të familjes së tij, duke përfshirë ushqimin, veshmbathjen, banesën, kujdesin mjeksor dhe shërbimet e nevojshme sociale, si edhe të drejtën për të qenë i siguruar në rast sëmundjeje, papunësie, vejanie, pleqërie dhe raste të tjera të humbjeve të mjeteve për jetesë për shkak të rrethanave të pavarura nga vullneti i tij.

Nënat dhe fëmijët kanë nevojë për kujdes dhe ndihmë të posaçme. Të gjithë fëmijët, të lindur brenda ose jashtë martese, gëzojnë të njëjtat mbrojtje sociale.

Neni 26. Gjithkush ka të drejtën e shkollimit. Arsimi duhet të jetë falas, të paktën në shkollat fillore dhe të ulta. Arsimi fillor është i detyrueshëm. Arsimi teknik dhe profesional duhet të zgjerohet e arsimi i lartë duhet t’u bëhet i mundshëm të gjithëve në bazë të aftësisë.

Arsimi duhet të drejtohet nga zhvillimi i plotë i personalitetit të njeriut dhe nga forcimi i respektimit të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore. Ai duhet të nxisë kuptimin, tolerancën dhe miqësinë midis të gjithë popujve, grupeve të racave dhe besimeve, si dhe veprimtarinë e Kombeve të Bashkuara për ruajtjen e paqes.

Të drejtën për të zgjedhur llojin e arsimit për fëmijët e tyre e kanë në rradhë të parë prindërit.

Neni 27. Gjithkush ka të drejtë të marrë pjesë lirisht në jetën kulturore të bashkësisë, të gëzojë artet dhe të përfitojë nga përparimi shkencor dhe dobitë e tij.

Gjithkush ka të drejtë të mbrojë interesat morale dhe materiale, që rrjedhin nga çdo krijimtari shkencore, letrare dhe artistike, autor i të cilave është ai vetë.

Neni 28. Gjithkush ka të drejtë për një rend shoqëror dhe ndërkombëtar në të cilin mund të realizohen plotësisht të drejtat dhe liritë e shpallura në këtë Deklaratë.

Neni 29. Gjithkush ka detyrime vetëm ndaj asaj bashkësie në të cilën është i mundur zhvillimi i lirë dhe i plotë i personalitetit të tij. Në ushtrimin e të drejtave dhe lirive të veta, gjithkush do t’u nënshtrohet vetëm atyre kufizimeve të cilat janë parashikuar me ligj, ekskluzivisht me qëllim që të sigurohet njohja dhe respektimi i nevojshëm i të drejtave dhe lirive të të tjerëve e që të plotësohen kërkesat e drejta të moralit, rendit publik dhe mirëqenies së përgjithshme në shoqërinë demokratike. (3)Këto të drejta dhe liri nuk mund të zbatohen në asnjë rast kundër qëllimeve dhe parimeve të Kombeve të Bashkuara.

Neni 30. Asgjë në këtë Deklaratë nuk mund të interpretohet si e drejtë e një shteti, grupi apo personi për të kryer çfarëdo veprimtarie ose për të bërë një akt drejtuar kundër çdo të drejte ose lirie të shpallur në këtë Deklaratë. (Burimi: Marrë nga United Nations Department of Public Information, NY)

 

Filed Under: Histori Tagged With: 70 vjetori, Frank shkreli, I DEKLARATËS UNIVERSALE MBI, te drejtat e Njeriut

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 33
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT