• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2018

HAVZI NELAJ SI NJË DASHURI TRAGJIKE

June 15, 2018 by dgreca

Havzi

Nga Visar Zhiti/

Poeti martir, Havzi Nelaj, erdhi sërisht në qytetin e Lindjes, tani në bronz, besnik i vetes dhe i të gjithëve ne. Me një rezëllim të mynxyrshëm si të fitimtarëve moralë, që kanë gjithçka, edhe jetën. Bustin e tij e realizoj skulptori Hilmi Hoxha, mik im kur isha mësues në Kukës, në një fshat të largët. Afër  piedestalit me bustin e Havziut tonë më arrestuan dhe mua dhe më dënuan 10 vjet burg për poezitë e mia. Dhe do ta njihja Havziun në burgun e Spaçit, teksa shtynim vagona në ferr. Më nëpërmendet heshtja e tij e mënçur dhe ajo pak buzëqeshje, që kishte një si dritë të përtejme në terret e nëndheshme.                       

Si një peng mall po sjell një pjesë nga burgologjia ime “Ferri i çarë”dhe fjalët e gruas së tij si një porosi e rrallë shpirti.
2 Nela HavziVarja e fundit

Kam lajm nga Havzi Nelaj.                                                                        

Ashtu, si është? Ka shkruar më poezi atje në Kukës(burg)? Pasi u lirua nga burgu e çuan në internim, në Arrën.                                                                       Ç’emër, si arnat, si leckat e shpirtit.                                                                     

Ç’vështrim që kishe, të gjerë dhe ëndërrues. Heshtje. S’kisha ndeshur heshtje më rroposëse se tënden. Flisje pak. Pse kemi folur aq pak? Sa keq më vjen tani! Dhe në trup ishe i paktë, me kokën të anuar në njërin sup. Ah, si të varurit! Fytyrë e butë, me një ëmbëlsi trishtane.                                            

Ike pa leje nga internimi… Po ti ishe arratisur një herë, kishin frikë prej teje. Kishe dhe një revole, s’dihej ku e gjete, që, në rast rrethimi, të vrisje veten… Dhe ashtu ndodhi, të rrethuan në shtëpinë e dajës, herët në mëngjes. Po flije, kur të zgjuan. Pe policët… Qëllove me revole për të vrarë veten. Ta kapën dorën dhe plagose njërin nga rrethuesit në gojë. Arma ngeci. Vjetërane. T’u hodhën përsipër. Dhe të çuan në gjyq për të të dënuar për herë të katërt, po në atë ngrehinë ku isha dënuar edhe unë, i njëjti prokuror egërshan dhe i kafshët.                        

Për herë të parë ishe dënuar poshtë, në Kukësin e vjetër, të mbytur tashmë nga ujërat e Drinit, në sallën e shfaqjeve të shtëpisë së kulturës. Dramë e vërtetë. Ti, mësuesi i urtë, sapo kishe mbaruar universitetin me mundime dhe guxove e dole kundër prishjeve të tempujve të fesë, ishe për veshjet e bukura popullore, nuk duhen hequr me zor, ç’janë këto kooperativa, the, nuk kolektivizohen shpirtrat. Populli është i sëmurë, shtove. Dhe po të ndiqnin si kundërshtar.                                Bashkë më tët shoqe u arratisët. Në piramidën e kufirit le një letër “Lamtumirë, Atdhe i dashtun…” Në Prizren të mbyllën në një hotel. Do të na shërbesh ne, të thanë, bëhu polic. Jam mësues, u the, dhe poet, e kam parim të jetës. Por bëhesh dhe i vdekjes, të thanë. Dhe ju kthyen. Dhe ju dënuan. Ty 15 vjet burg, tët shoqe 10. Të dy 25 vjet. Dhe të ridënuan edhe me 8 vjet të tjerë, prapë si kundërshtar politik. I besoj Zotit, i the hetuesit, liri ka në Perëndim, i the prapë, në Amerikë, Francë, Suedi, Gjermani…

Ku u njohëm ne, miku im, që avitesh midis qiellit dhe tokës, i ëndërrt, në Spaç apo në Qafë-Bar? Në errësirë, nën dhé. Shtynim vagonë si skllevër. Seç më the për poezinë. Me kryet mënjanë, dhembshurisht, si të varurit. Dhe unë të thashë se ç’është një që ka mbiemrin tënd, ai e pati librin tim dhe… nga i njëjti fshat jemi, fis… S’e dija që ti kishe shkruar poezi për të drejtat e njeriut, për Helsinkin, ishe i pari që e përmendje, kur nuk lejohej, në të gjithë poezinë shqipe.

            Fryma e Helsinkit u derdh porsi era,

            na përkëdheli zemrat, çeli si pranvera…

Kishe shkruar dhe në burgun e Burrelit, madje një roman “Bota e bardhë”, po ku është, s’gjendet? Në birucat e Rrëshenit ke bërë poezi me mend, po edhe unë. Dhe për Kanunin se ç’thamë një ditë, se mos ishte ditë, makth, tmerr, të dhashë një libër, më duket. Ja që edhe prilli thyhet, buzëqeshe hidhur. Po pse kemi folur aq pak bashkë? Pse?

Dhe u liruam në të njëjtin dimër, ti në dhjetor, unë mbas pak, në janar. Po ajo borë e ftohtë, po ajo diktaturë. Ti u ktheve në Kukësin tënd, nise të ndërtoje një shtëpi, por të internuan, të çuan andej ku nuk duhej të rrije as me bishat, kështu the, kurse unë shkova prapë në Lushnjë, mbartja tulla si i dënuar, pa asnjë të drejtë tjetër.                                                                                      Dhe të çuan në bankën e të akuzuarve për herë të katërt e të fundit. Ku ishte jot shoqe? Të erdhi nga pas kudo. Të ulën atje ku kam qenë ulur dhe unë. E pe Kukësin e Ri? A ishte shpirti i qytetit apo qe mbytur me të vjetrin? Ndoshta po ato pranga kam pasur edhe unë ndër duar, se si shtrëngohen, ka një vidhë të trashë, i vënë dhe një dryn të madh si dyerve të birucave. Në cilën ishe ti, në birucat andej, te 9-a isha unë në fillim. Dhe të dënuan shpejt e shpejt. Me vdekje. Me varje.                                                                                                    Te agjencia e autobusëve ngritën trekëmbëshin, gati afër qendrës së qytetit, ku isha arrestuar edhe unë. Sa herë kisha pritur aty për të ikur larg, në fshatin ku më kishin caktuar mësues. Ja dhe fusha me drurë molle anash dhe më tej mali me emrin Pikëllimë. Mjegull si andej. Fantazma ime avitet që të shikojë. Fantazma jote… zhduket.                                                                                Gjithçka u krye natën. Pas mesnate. Gusht, zagushi mbytëse. Ca yj të mëdhenj binin mbi qytet si kokrra misri, dora e Zotit i hidhte mbi rrugët dhe tarracat.                                                                                                        

Të sollën te vendi, heshturazi. Si hajdutë. Ah, sa i varfër ishe, me rroba të vjetra. Si të hipën në trekëmbësh? Kush ta vuri litarin në fyt? Çfarë the? Asnjë dëshmi.                                                                                             

Një lëkundje e fortë lart-poshtë. Terratisje. Ra mali mbi agjencinë e autobusëve, i theu drurët e mollëve anash, dritaret, u shtrembëruan, gulçe, qyteti përpëlitej në litarin e varur në qiell, u këput qielli, njëra këpucë preku gjykatën dhe tjetra komitetin e partisë, po lëkundej nata, i mbylli sytë përgjithmonë, kokëmënjanë, ashtu si ti, po shuhej…                                               Zbardhi fytyra e të varurit në të gjitha rrugët. Dhe u thirrën njerëzit për ta parë. Ishin shpërndarë ftesa. O Zot! Si në gjyqin tim.                                               

Midis tokës dhe qiellit ai, i varuri. Lëkundej lehtë, pikëllueshëm. Me kokën mënjanë. Symbyllur. Me qerpikët e zinj si zi e përjetshme. Herë shkonte paksa në të ardhmen, pastaj në të shkuarën, shpatë e drejtë e ngulur tej e tej mbi këdo, nga kryet te këmbët, e pamundur ta shoh, hiqeni.                                                    

Ora 11 e paradites digjte si pishtar. Një thikë e ashpër preu litarin. Trupi i Havzi Nelës ra përtokë në fund të trekëmbëshit. Pak fare trup i kishte mbetur, ndërsa shpirti i kishte ikur lart. Me përbuzje të shenjtë.                                                 Kufomën e çuan te lavazhet e policisë. E flakën në një qoshe. Afër mesnatës e ngritën si një deng. Në një gropë çfarëdo e mbuluan me dhé, gati si më këmbë, ashtu si në varje. Qafa ishte rrjepur. Përsipër hodhën ca shkurre, që të mos kuptohej asgjë. S’duhet të ishte më as i vdekur.                                                

Një vit më vonë do të binte Muri i Berlinit.                                                                                                                                                                             FORCA E BUZËQESHJES

Po buzëqeshja jote e hidhur ku kishte mbetur? E gjeta, ishte te jot shoqe. Ajo buzëqeshte si ti, për ty prapë. Kaq shumë njëlloj, mallëngjyeshëm, si drita e syve.                                                                                                                   

Do të desha të tregoja si u dashuruam, më tha ajo.                                                 

Ashtu? Jo për vuajtjet dhe dënimet? Se të gjithë ne flasim si na burgosën, si na vranë, si na hodhën dhé përsipër, si endemi si fantazma, kurse ajo, grua e heshtur, e bukur ende, me hiret e moshës së vonë, dinjitoze, ka vendosur të tregojë se si u dashuruan. Atje në Veri, maleve. E pabesueshme. Vetëm kjo ka rëndësi, më shumë se sa burgjet dhe vdekja.                                                     Kur të fillojmë të flasim për dashurinë, atëherë kemi fituar…

Filed Under: Featured Tagged With: HAVZI NELAJ SI, NJË DASHURI TRAGJIKE, Visar Zhiti

Kosova, 10 vjet nga hyrja në fuqi e Kushtetutës së pavarësisë

June 15, 2018 by dgreca

-Amendamentimi i  Kushtetutës në 2012-tën për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ndryshimet e ardhshme priten për Ushtrinë/1 Sejdiu

Kushtetuta-Kosove-1 (1)-Në rrugën drejt pavarësisë Kosova ka një histori kushtetuese edhe para kushtetutës së saj të parë si shtet i pavarur me njohje ndërkombëtare/1 Newborn

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 15 Qershor 2018/ Para 10 viteve, në 15 Qershor 2008, ka hyrë në fuqi Kushteta e Republikës së Kosovës të njohur ndërkombëtarisht, e cila në nenin 1 e përcakton “shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”.  Më parë akti më i lartë  juridik i shtetit ishte miratuar nga Kuvendi i Kosovës në ditën e 9 Prillit, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurtin historik.

1 festa e Kushtet

Dita e Kushtetutës, 9 prilli, është festë shtetërore, sipas Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, të miratuar në Kuvend në 21 Maj 2008.Dekretimi i këtij ligji dhe 40 ligjeve të tjera, të  dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet më të rëndësishme të ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës, 15 Qershorit 2008. Dekretimin e bëri presidenti i atëhershëm i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, pasi ato i dërgoi në Presidencë kryeparlamentari në atë kohë, Jakup Krasniqi.

Deri në hyrjen në fuqi të Kushtetutës ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës i ka nënshkruar shefi i UNMIK-ut.

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, presidenti “shpall ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”. Poashtu,  “ka të drejtën e kthimit për rishqyrtim të ligjeve të miratuara, nëse konsideron se janë të dëmshme për interesat legjitime të Republikës së Kosovës ose të një a më shumë komuniteteve të saj”.

Zhvillimet më të rëndësishme brenda dhjetë viteve ishin në 2012-tën, kur Kuvendi, në 7 Shtator,  ka miratuar amendamentimin e  Kushtetutës së Republikës lidhur me përfundimin e mbikëqyrjes  ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ndërsa në 10 shtator pasoi vendimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar, i mbledhur në Prishtinë, për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare.

“Përmbyllja e mbikëqyrjes është vlerësimi më i lartë ndërkombëtar, që i është bërë shtetit të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë”, u vlerësua atëherë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur pavarësinë, ishte formuar më 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të shtetit të ri, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin.

Deri në 10 vjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës Pavarësia e Kosovës është e njohur nga 116 shtete të botës anëtare të OKB-së.

Ndryshimet e ardhshme kushtetuese pritet të jenë për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës.

Në rrugën drejt pavarësisë Kosova ka një histori kushtetuese edhe para kushtetutës së saj të parë si shtet i pavarur me njohje ndërkombëtare.

Kosova prej vitit 1974  ka pasur Kushtetutën e vet, e cila i ka siguruar mëvetësi organizative si njësi konstituive me të drejtë vetoje në federatën  e atëhershme, nga shpërbërja e së cilës dolën shtatë shtete të reja të rajonit – edhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedona.

Pas kundërshtimeve të fuqishme institucionale e gjithëpopullore të “kushtetutës së tankeve” serbe me të cilën  në mars të vitit 1989 dhunshëm e përgjakshëm në mënyrë kundërkushtetuese suprimohej autonomia, në rrethana të okupimit, Kosova në vitin 1990, shpalli Deklaratën Kushtetuese në 2 Korrik e më pastaj Kuvendi miratoi në 7 Shtator Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Në vitin 1991, nga 26 deri në 30 Shtator 1991 u organizua edhe edhe referendumi ku kosovarët votuan 99,87 për qind për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur, i cili pasohej me zgjedhjet e para pluraliste, parlamentare e presidenciale të 24 majit 1992. Republika e Kosovës me kushtetutën e vet e institucionet demokratike të zgjedhura atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.

Prej vitit 2001 deri para 10 viteve, Kosova ka pasur një Kornizë Kushtetuese, e miratuar nga OKB-ja, e cila ishte dokument më shumë inicial kushtetues, por ka mundësuar zhvillimin e vendit nga një krijesë defakto e pavarur, ndonëse nën protektorat, në një entitet shtetëror të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një kohë.

Me rastin e 10 vjetorit të Ditës së Kushtetutës, 9 Prillit, hartuesit e Kushtetutës së Republikës së Kosovës janë dekoruar me Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë nga presidenti  Hashim Thaçi.

Dhjetëvjetori i hyrjes në fuqi të Kushtetutës së shtetit të pavarur shënohet në kohën kur nëpër qytetet kosovare festohet 19 vjetori i lirisë, e cila nisi me Ditën e Paqes e Lirisë – 12 Qershorin e vitit 1999, kur forcat shpëtimtare të  NATO-s,  pas ndërhyrjes me aviacion në fushatën ajrore 78 ditëshe,  filluan të  hynin në Kosovë, nga Maqedonia, e të nesërmen edhe nga Shqipëria.

Filed Under: Featured Tagged With: 10 vjet, Behlul Jashari, Dita e Kushtetutës, Kosove

“QEVERIA E NDRYSHIMIT” DHE “REVOLUCIONI” ITALIAN

June 15, 2018 by dgreca

Shkruajtur nga Eugjen Merlika/

“Nёse nё republikёn e bimёve do tё kishte votim tё pёrgjithshёm hithrat do tё kishin syrgjynosur trёndafilёt dhe zambakёt”- JEAN LUCIEN ARRÉAT (1841 – 1922), shkrimtar e filozof francez/

Votimet e 4 marsit 2018 nё Itali pёrmbysёn nga themelet raportet e forcave dhe krijuan njё tabllo tё re tё kuadrit politik. U ngritёn, me rezultate qё tejkaluan edhe parashikimet mё optimiste, dy forca politike tё Opozitёs: Lёvizja 5 yjet dhe partia e Lidhjes sё Veriut e cila, si pasojё e ndryshimit tё strategjisё sё saj tridhjetёvjeçare, doli me etiketёn “Ne me Salvinin”, nё kuadrin e njё aleance parazgjedhore tё Qendrёs sё Djathtё, sё bashku me Forza Italian tё Berluskonit dhe Vёllezёrit e Italisё tё Giorgia Melonit.

Pёrfundimet e votimeve sipas njё ligji tё pёrzier proporcional e maxhoritar dhanё njё kuadёr nё tё cilin asnjё rrjeshtim politik nuk mori shumicёn. Zyrtarisht Qendra e Djathtё, si aleancё, arriti tё ketё shumicёn relative prej 37%, e ndjekur nga 5 yjet me 32,7%. Partia demokratike nё pushtet, prej pesё vitesh, u rrjeshtua e treta, duke shёnuar rezultatin mё tё ulёt tё gjithё historisё politike tё mbas luftёs sё dytё botёrore, gjё qё detyroi sekretarin e saj dhe ish kryeministrin Renzi tё jepte menjёherё dorёheqjen.

U deshёn tre muaj bisedimesh mes forcave politike nёn regjinё e ndritur tё Kryetarit tё Shtetit, Sergio Mattarella, pёr tё çmbёshtiellё lёmshin qё mblodhёn pёrfundimet zgjedhore. Pёr herё tё parё nё jetёn politike tё pёrtej detit, rezultati i tyre u quajt jo njё marrёveshjeje mes partish nё kuadrin e njё koalicioni, pas zgjedhor, por  njё “kontratё” mes dy forcash, 5 yjet dhe Lidhja, tё cilat kishin qёnё nё kundёrshti tё theksuar me njёra tjetrёn gjatё fushatёs zgjedhore e mё pas. Ёshtё interesant tё vihen nё dukje deklaratat e ndёrsjellta tё mosbesimit mes kёtyre dy forcave. Po sjell kёtu vetёm njё frazё tё sekretarit tё Lidhjes, njё javё para kontratёs, pёr udhёheqёsin politik tё 5 yjeve: ”Kush ndryshon mendim ndonjё herё mё pёlqen. Por kush ndryshon mendim çdo njё tё katёrt ore, e mendoj pёr Di Maion, mbi shkollёn, taksat, punёn, euron, imigracionin…. Jooo! Un nuk i jap kyçet e Vendit tim nё dorё njerёzve qё kanё ide kaq konfuze”

Ҫuditёrisht etja pёr pushtet qe kaq e fortё saqё i davariti paqartёsitё brёnda njё jave, i bёri tё firmosin “kontratёn”, tё caktojnё kryeministrin e madje tё bёjnё edhe listёn e ministrave, duke marrё mbi vete edhe pёrgjegjёsitё qё Kushtetuta i cakton Kryetarёve tё Shtetit e tё Qeverisё. Shkuan tek Presidenti me kёtё “plan rregullator” tё drejtimit tё Vendit, por u zemёruan shumё se ai nuk pranoi tё firmoste emёrimin si ministёr i ekonomisё tё prof. Savonёs, njё ekonomisti tё njohur pёr idetё e tij kundёr Bashkimit evropian e kundёr euros. Zemёrimi qe aq i madh sa Di Maio vendosi t’i bёjё thirrje masave tё dalin nё protesta tё fuqishme pёr tё vёnё nё akuzё Kryetarin e Shtetit si atentator tё Kushtetutёs. Mbas 48 orёsh Di Maio shkoi pёrsёri tek presidenti qё ndёrkaq po bёhej gati tё dekretonte njё qeveri teknike pёr tё organizuar zgjedhje tё reja. Presidenti, njё zotёri i vёrtetё, i akuzuar pёr “tradhёti kombёtare” prej njё çunaku 31 vjeçar, i dha kohё pёrsёri qё tё merren vesh dy kontraktuesit. U thirr pёrsёri profesori Conte, qё pat dhёnё dorёheqjen e u vendos tё pranohej njё listё tjetёr ministrash, me zhvendosjen e Savonёs nё njё tjetёr ministri. Kёshtu 2 qershori, festa e Republikёs, nё vend tё manifestimeve oqeanike tё idhtarёve tё kursit tё ri, u festua normalisht.

5 yjet dhe Lidhja, tё cilat nuk ishin votuar pёr tё qeverisur sё bashku, janё dy forca “populiste”, tepёr kritike kundrejt Evropёs dhe institucioneve tё saj pёrfaqёsuese. Prandaj edhe fitorja e tyre nё njёrin nga Vendet themeluese tё BE, nё fuqinё e tretё ekonomike tё tij, shqetёsoi mjaft ata institucione dhe vetё qeveritё evropiane, kryesisht ato tё zonёs euro. Nё bazёn e atij shqetёsimi ёshtё kontrata e firmosur, nё vazhdim tё njё fushate zgjedhore me premtime nga mё tё ndryshmit, pёr plotёsimin e tё ciёve llogaritё e ekspertёve luhaten nё shifrat 100 – 130 miljard euro, shuma tё cilat janё krejtёsisht jashtё mundёsive reale tё njё vendi qё mban mbi shpinё njё borxh mbi 2300 miliardёsh. Por ky borxh i stёrmadh, nё pёrqindje i dyti n’Evropё, mbas atij tё Greqisё, duket se nuk i shqetёson aspak “djemkat” e politikёs italiane, tё cilёt nuk kanё arritur tё marrin as edhe njё diplomё universiteti nё jetёn e tyre.

Tani pёr ta çёshtje sedre mbetet sendёrtimi i premtimeve zgjedhore, qё vёrtetё njё pjesё shkojnё nё dobi tё shtresave nё nevojё, por qё kanё njё çmin qё tremb kёdo qё kupton sado pak nga ligjet e ekonomisё.Nё njё buxhet tё pёrgjithshёm vjetor prej 830 miljard eurosh, harxhohen vetёm pёr tё paguar interesat mbi borxhet mё shumё se 60 miliardё. Nёse ky borxh do tё vazhdojё tё shtohet pёr t’u dhёnё nga njё rrogё gjithё nёnshtetasve tё papunё, apo pёr t’i nxjerrё nё pension punonjёsit para kohёs qё parashikon ligji Fornero, tё ndёrthurura kёto me zbatimin e taksёs sё sheshtё qё pakёson me 40 miljard t’ardhurat, nuk janё tё pakёt ata qё parashikojnё njё falimentim tё Italisё nё kohё relativisht tё shkurtёra. “Italia ёshtё shumё e madhe pёr tё falimentuar, por ёshtё po aq e madhe pёr t’u shpёtuar” u shpreh kёto ditё Kancelarja gjermane.

Por teoritё e idhtarёve tё borxheve thonё se investimet e mёdha, edhe nё borxh publik tё pafrenuar, mund t’a ndryshojnё gjёndjen, duke sjellё njё rritje ekonomike tё atillё qё tё jetё e aftё tё shmangё problemet e papunёsisё e tё ketё t’ardhura tё tilla qё tё kompensojnё vetё borxhet. Nuk jam ekonomist e nuk mund tё bisedoj me kompetencё n’atё drejtim, por mua mё duket se thёnia popullore “shtrij kёmbёt sa ke jorganin” ёshtё njё shprehje e urtё e njё pёrvoje tё gjatё tё historisё sё popujve. Si e tillё ajo ёshtё e vlefshme si pёr individёt ashtu edhe pёr popujt. Madje kёsaj konsiderate do t’i shtoja edhe barrёn morale tё shkarkimit tё tyre mbi brezin e ardhshёm, gjё tё cilёn e quaj sa tё padrejtё aq dhe imorale.

Ka pasur njё periudhё tё historisё sё Italisё, nё vitet 80, kur punonjёsit nxirreshin nё pension mbas 19 vjetёsh, 6 muajsh e njё dite nga fillimi i punёs. Atёherё nuk kishte forca, t’ashtuquajtura populiste, por pasojat e atyre vendimeve tё marra pёr interesa zgjedhore e tё ligjёruara pёr hapje vёndesh pune rёndojnё prej dhjetёvjeçarёsh mbi taksapaguesit italianё, nё njё kohё kur raporti i atyre qё marrin pension, me ata qё paguajnё kontribute ёshtё i shpёrpjestuar nё dobi tё tё parёve. Premtimet pёr tё marrё vota e pёr tё mbajtur pushtetin kanё qenё gjithmonё njё kostante pёr politikёn botёrore, edhe nё vitet mё tё suksesёshme tё saj.

Duke kёrkuar nё njё fjalor italisht kuptimin e termit “populizёm”, hasa nё kёtё pёrkufizim: “Ideologji e njё lёvizjeje politike ose artistike qё sheh nё popullin njё model etik apo shoqёror.” Ideja e pёrkufizimit ёshtё e lashtё sa bota dhe mbart ne vetvete gjithё demagogjinё, nё gjёndje tё hipnotizojё turmat, pёr tё pёrdorur fuqinё e tyre si bazё pёr t’u ngjitur nё pushtet, pёr tё zbatuar pastaj mbi kurrizin e tyre diktatura nga mё tё ndryshmet. Shёmbulli mё shprehёs i kёsaj tё vёrtetё janё sot Vendet e Amerikёs latine, kryesisht Venezuela, e kthyer nё gjendje urie kronike nga shteti mё i begatshёm i kontinentit, si pasojё e njё qeverisjeje “populiste” prej njёzet vitesh.

Bazat teorike tё populizmit mbijnё nga ideologjitё, kryesisht tё majta, tё demagogjisё sё koncepteve tё barazisё shoqёrore e prirjeve pёr tё ndёrpretuar çdo vёshtirёsi tё jetёs shoqёrore, si rrjedhojё e “politikёs sё padrejtё” tё klasёs drejtuese qё kёrkon tё shkarkojё mbi popullin e thjeshtё tё gjitha sakrificat e mundёshme. Jo rastёsisht, njё nga emblemat e populizmit italian, qё ka tё veçantёn e tij nё marrёveshjen mes sё majtёs e sё djathtёs, ёshtё shprehja “populli kundёr elitave”. Njё koncept i tillё dasor i shoqёrisё pёrbёn demagogjinё mё tё dёmshme e mё regresive qё mund tё pёrfytyrohet. Pёr tё patur idenё se ku mund tё çojё pёrqafimi i tij, duhet tё kthehemi mbrapa, nё pёrvojat e viteve 60 – 70 tё shekullit tё shkuar, tё zbatuara nga Kina e Mao Ce Dunit dhe akoma mё keq nga Kamboxhia komuniste e Pol Potit.

Jo rastёsisht drejtuesi aktual i Lidhjes sё Veriut, Matteo Salvini, ka qenё para disa vitesh “themeluesi i komunistёve padanё” nё Itali. “Qeveria e ndryshimit”, e kryesuar formalisht nga profesori Conte, ka shpallur nё programin e saj njё sёrё parimesh e detyrash qё pёrbёjnё gjithshka dhe tё kundёrtёn e tyre, djallin dhe ujin e shenjtё, si nё strategjinё ende jo tё qartё ekonomike, ashtu edhe nё politikёn e jashtёme, qё me fjalё mbetet besnike e NATO-s dhe BE, por qё me prirjen filo Putin tё drejtuesve efektivё tё saj, i ve minat gjithё kundёrvёnies sё Perёndimit ndaj politikёs agresive ruse nё zona tё ndryshme tё botёs. Madje, simbas Salvinit, NATO, si aleancё mbrojtёse, nuk duhet t’i mbajё sytё tek Rusia, nga e cila nuk vjen asnjё lloj rreziku, por t’a “mbrojё” Italinё nga “sulmi” qё vjen nga Jugu, nёpёrmjet varkave tё mbushura me emigrantё. Sa e pёshtirё ёshtё kjo kёrkesё, e kthyer nё njё strategji zgjedhore, me tё cilёn katёrfishoi votat nё zgjedhjet e fundit, mund tё kuptohet kur tё sjellim ndёrmёnd se shtete me mundёsi ekonomike shumё mё tё pakta se Italia, si Jordania apo Libani, i bёjnё ballё nё heshtje e me zemёr tё hapur qindra mijra tё shpёrngulurve nga zonat e luftёs tё Sirisё  apo Irakut.

“Qeveria e ndryshimit”, pёr mirё apo pёr keq do t’a vertetojё shpejt koha, e ngritur kёto ditё nё Itali, dashje pa dashje, bёhet njё problem pёr Evropёn, mbasi nё tё do tё gjejnё mbёshtetje gjithё forcat kundёr sistem tё kontinentit, tё cilat nuk e duan atё nё rrugёn e tij tё integrimit tё plotё, mbasi ndjehen tё “kёrcёnuara” nё sovranitetin e tyre, nё zbatimin e rregullave qё pranohen bashkarisht.  Ato quhen “sovraniste” e qeverisin nё vendet e lindjes, nё Austri, janё tё fuqishme nё Francё (Bashkimi kombёtar), Gjermani (Alternativa pёr Gjermaninё), nё Hollandё , nё Spanjё dhe arritёn tё shkёpusin Anglinё nga Evropa nёpёrmjet Brexit-it e gjejnё mbёshtetje edhe tek mendёsia e politika e presidentit tё SHBA.

Vёnien e interesave kombёtare mbi çdo gjё ne, shqiptarёt, ndoshta e ndjejmё mё shumё se tё tjerёt si domosdoshmёri, sepse jemi ende njё komb i ndarё nё pesё shtete. Por sovranizmi i disa Vendeve tё Bashkimit nuk ёshtё njё dukuri e dobishme pёr tё, sepse sa mё shumё tё vonohet proçesi i integrimit tё Evropёs, sa mё shumё Vendet e saj tё ngurojnё nё dhёnien e kompetencave organeve tё Bashkёsisё, aq mё shumё do tё zgjatet periudha e kalesёs nё Shtetet e bashkuara t’Evropёs, aq mё e dobёt do tё jetё ajo nё pёrballimin  me botёn nё tё gjithё drejtimet.

Para pak ditёsh dёgjonja njё komentator tё njohur tё shtypit shqiptar qё, duke folur mbi zhvillimet e politikёs italiane, shprehte keqardhjen pёr faktin se tek ne nuk ka forca antisistem. Desha t’i them atij zotёrie se duhet tё falёnderojmё Zotin qё ende nuk i kemi ato forca. Ёshtё e vёrtetё se Shqipёria ka nevojё pёr njё shndёrrim rrёnjёsor tё klasёs politike  tё saj, por prania e forcave antisistem do tё na hidhte nga shiu nё breshёr. Me drobitjen nё tё cilёn ka arrtur Vendi, njё fitore e atyre forcave do tё ishte varrimi i tij i plotё. Nёse rrezikohet tё çojnё nё falimentim Italinё merret me mёnd si do t’a kishin katandisur Shqipёrinё.

Pёr tё kuptuar mё mirё thelbin e dukurisё qё sot po trondit Evropёn dhe institucionet e saj, sё bashku me shpresat tona pёr tё qenё njё ditё jo tё largёt pjesё e saj, po e mbyll kёtё shkrim me njё fragment tё njёrit prej politologёve mё tё mirё italianё, prof. Angelo Panebianco, qё nё njё artikull tё botuar nё Corriere della Sera tё 21 marsit tё kёtij viti shprehet:

“Njё qeveri 5 yje – Lega do t’i detyronte tё gjithё tё kujtojnё se krisja politike themelore, jo vetёm nё Itali, nuk ёshtё mё ajo e majtё – e djathtё (socialistё – konservatorё) e kohёve tё bukura nё tё cilёt bota perёndimore ishte mjaft e qёndrueshme dhe e rregullt, aq sa t’i lejonte politikёs, tё ndihej ndёrmjet mёdyshjeve mё shumё Shtet apo mё pak Shtet, mё shumё apo mё pak Shtet shoqёror e tё tjera.

E çara themelore tani ёshtё ndёrmjet forcave qё kundёrshtojnё shoqёrinё e hapur dhe atyre qё e mbrojnё atё. E me qё shoqёria e hapur, e themeluar mbi demokracinё pёrfaqёsuese dhe ekonominё e tregut ёshtё njё prurje e pёrkatёsisё sonё botёs perёndimore, kush e kundёrshton duhet tё kundёrshtojё edhe atё pёrkatёsi, duhet tё dobёsojё lidhjet me Evropёn dhe Shtetet e Bashkuara, duhet tё zhvendosё hap mbas hapi Vendin drejt njё aleance me Rusinё (nёnkuptohet me shoqёritё e mbyllura)”   

Me qё ne shoqёrinё e mbyllur, madje tejet tё mbyllur, tё ngjajshme me burgun, e provuam pёr gjysmё shekulli, duke paragjykuar jetёt e dy brezave, nuk duam tё biem as nё shembёlltyrёn sado tё zbehtё tё saj. Duke mbajtur parasysh tё mirat e shoqёrisё sё hapur, edhe nё kufizimet e saj, duhet tё jemi tё vendosur nё mos pranimin e sё kundёrtёs sё saj, edhe nё format mё tё sheqerosura e mё ndjellёse, tё cilat nuk mungojnё tё na serviren çdo ditё.

                                                                                                            Qershor 2018        

Filed Under: Politike Tagged With: Eugen Merlika, Qeveria e ndryshimit, Revolucioni Italian

ALFONS GRISHAJ ME CIKEL TE RI NE “SOFREN E DIELLIT”

June 15, 2018 by dgreca

ALFONS GRISHAJ/1 alfonsi 5

Orkide  Mistike  (Ottava Rima)/

 Me akull ushqehet… blu petalet,/

 Çdo ind thith ujin tek shkrihet ngadalë,/

 Ngritur velat, stuhive s’ ndalet/

Dete dashuri, një ngjyrë valë-valë./

 Përgjumur mëngjesi, gjelat lajmëtarë

 Hesht trokthi,  shpërthejnë vargje metrike,

Në qiell deti rrjedh ujëvarë…

Transhendencë e shpirtit…  Orkide mistike!

 ***

Dashuria  jonë(Haiku)

Peshk hekuri ship

Dashuria jonëpërmes

Krisjes  së kohës.

 Varfëria (Nonet)

 Gjethe  vrarë pamja e skamllekut

Rrëpirëcopat e arnave

Lëkurë e kalbur peri

Fije jete varur

Tufanit- acar

Dridhet buza

Si bluza

Dy lot

Zot !!  

Kushtim  (Sonet)

 Të kujtova shpesh kur pranver’ stis shpirtrat

 Mes gjelbërimit, qeshur dhe brengosur

 Me syt’e menduar, burime tëpasosur

Ku jet’ gëzojnë lulet,vallëzojnë ëndrrat.

Kristal mbi botën meskine rreh flatrat

Dhe dritë i fal mendjes sëterrosur

Si nënë paqton vajin e vrerosur

Fashiten retë dhe diell marrin zemrat.

Ecën-ecën me hapin e ylberit

Simfoni heshtur tej trillit të territ

 Pëllumbeshë e prehur në kaltërsi.

 Në fokus celi vjollca plot mirësi

 Dhe pushon mbi buzë nektar ciltërsi

 N’parajsëtash qesh me dyert e ferrit!

 ***

 Zgjim  (latern)

    Vrik

  Veten

 Prej gjumit

Drejt ajrit

Kulm.

***

Vetmisë  (Monorimë)

Vetmia, shurdh-memece, hije diskrete,

 Pemë pa gjethe, pak shpresë piruete

Mikro kasolle me pullaz helmete

 Heshtja përditëshme monolog me vete

 Fjalët e pathëna pa fuqi adete.

 Helmi i saj,  heshtur  të largon prej jete…

***

“Kritikut”   (limerik)

 Pas kuintave, i panjohur

 Kollitet çalë,  ftohur:

   “Si mik  një këshillë…

Nuk bën ajo sillë,

 Merr pjatën time, ngrohur!”

Filed Under: Opinion, Sofra Poetike Tagged With: alfons Grishaj, cikel poetik, Orkidé

MJEKJA E PARË SHQIPTARE NË AMERIKË

June 14, 2018 by dgreca

1 Dhimitra Tsina.JPG

MJEKJA E PARË SHQIPTARE NË AMERIKË(JO VETËM) U DIPLOMUA NË QERSHOR 1929/

Vajza e parë shqiptare që u diplomua në Amerikë ishte Dhimtra Tsina. Ajo i përfundoi studimet për mjeksi në Universitetin e Bostonit më 1929 dhe diplomën e mori të Martën me 18 Qershor 1929. Njoftimin e ka dhënë gazeta “Dielli” organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA” në numrin e saj 5084(877), qershor 1929. Kryeredaktor i Gazetës në atë kohë ishte Aqile Tasi.

Diplomimi në Mjeksi i së parës vajzë shqiptare në SHBA, dhe jo vetëm, përcillet nga shqiptaret si një arritje e madhe e emancipimit dhe shkollimit të femrave shqiptare. Dielli shënon se ajo ishte e para vajzë shqiptare në botë, përfshi edhe Shqipërinë, që bëhej mjeke. Dielli dhe Vatra e përgëzojnë zonjushën Tsina, e cila i përrfundoi studimet shkëlqyshëm.

Gazeta “Dielli” në kronikën qe publikoi sjell edhe këtë hollësi:Megjithëse dr. Tsina kishte të drejtë që pas diplomimit të hapte zyrë mjeksie kudo në Amerikë të Veriut, me që provimet i kreu me sukses përapara se të përfundonte viti shkollor në Universitet,-  këtë mot ajo do të hyjë për praktikë në New England Hospital for Women and Children.

Pas ca kohe praktikë në SHBA, Zonjusha Tsina ka nder mend të shkojë në Shqipëri që t’i shërbejë vendit të saj, shkruante Dielli.

Besojmë se vlen të shënohet me këtë rast, theksonte Dielli,-  se në të gjithë vjetët që ka vazhduar mësimet universitare, zonjusha Tsina s’ka patur tjetër përkrahje për të zënë në gojë, përvec përkrahjes së vëllait të saj Vasil Tsina. Vetëm sivjet(pra për vitin 1928-29) ajo morio një dhuratë nga Mbreti Zog I prej 250.00 dollarësh (dyqind e pesëdhjetë) për rezultatet e larta që arriti. Këtë dhuratë asaj ia pat dorëzuar Ministri i Mbretërisë Shqiptare në Uashington, shkëlqesia e Tij Faik Konitza.

Doktoresha Dhimtra Tsina është shumë e njohur për vatranët e vjetër përmes gazetës Dielli. Ajo shpesh ka botuar shkrime mjeksore, këshilla, dhe ka trajtuar cikle të tëra shkrimesh per problemet mjeksore, vecanërisht për gratë dhe fëmijët. Dr. Dhimtra u specializua për Gjinekologji. Ajo u martua me Dr. Andrew  Elia, i cili kishte shërbyer si komandant Lt në Marinën e SHBA. Ai ishte oficer -mjek, në një anije furnizimi gjatë Luftës së Dytë Botërore.(përgatiti për Diellin: d greca)

Filed Under: Histori Tagged With: dalip greca, Mjekja e pare shqiptare, SHBA-Dhimitra Tsina

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • …
  • 33
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT