• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2018

KRIM PASIONI

June 29, 2018 by dgreca

blerta-haxhiaj

Nga Blerta Haxhiaj/

Krimi i dhunshëm është relativisht i drejtëpërdrejtë. Të dashurosh nuk është mekat! Mekati është të mos zotërosh mënyrën për të dashuruar. Dashuria është Universale, ajo thjesht zgjedh formen me të cilën shfaqet. Të zotërosh informacionin mbi krimin gjithmonë ka qënë një mjet popullor për të qënë në qëndër të vëmendjes. Politikat dhe studimi mbi krimin janë mbi pasionet irracionale dhe intereset racionale. Efektet forcuese të krimit i përkasin kohës, individët kryejnë krime, planifikojnë, janë pjesë e rrjeteve kriminale, burgosen aty ku lidhjet me të burgosurit tjerë forcohen edhe më shumë sepse ata mbajnë stigmën e ish të dënuarve, gjë që kufizon mundësitë e tyre legjitime. Si një rreth vicioz i sjelljes kriminale, simbolika e politikave mbi parandalimin e krimit, kërkojnë ndëshkime dhe dënime të ashpra, të cilat çojnë në rritjen e shpenzimeve, të cilat i pasurojnë ekzekutimin dhe burokracitë penale. Pra, politika e krimit, jo vetëm krimi, është shndërruar në një studim në bashkëveprim mes pasionit dhe interesit vetjak. Triumfi i simbolikës mbi disa lloje të racionalizmi shprehet mes triumfit të ekspresivitetit mbi besimin e asaj të kontrrollit dhe rehabilitimit të krimit racional. Dilemat e shumta të politikave mbi krimin mund të paraqiten si të pambrojtura në nivelin shoqëror dhe individual – te dikush që i jep fund jetës së tij si pasoj㍑ e ekuacionit ekonomik. Argument kundër krimit të pasionit është vetë morali si prepozicion që vrasësi e meriton të vdesë mirëpo nga ana morale kjo bie na ndesh sepse krimi dhe vrasja janë të ndaluara. Leximi virtual dhe komunikimi virtual kanë zhvilluan një tejpopullim të veprimit komunikativ siç është krimi i cili në mënyrë primare shfaqet i drejtë dhe ka karakter social e ekonomik, në instancat e vonshme jep totalisht të kundërtën e saj. Vrasësi, ai që vret, plaçkitë, përdhunon dhe vjedh ka një karakter të keq, prandaj se si të ndërtohet një karakter i tillë, tenton të identifikojë mbeshtetjen strukturore të personalitetit të njeriut ashtu siç është puna dhe oportuniteti. Dikush tjetër fokusohet mbi familjen dhe religjonin, dikush mbi tradhëtinë dhe paranë. Frika më e madhe në publik është shfaqja haptazi e këtyre të kombinuara sëbashku sepse aty shfaqen probleme që duhet zgjidhur. Fokusimi i patologjive individuale sociale lirohet nga frika sistematike, pabarazia ekonomike dhe gjinore, preventivat japin një rrezik të madh dhe serioz ndaj krimeve të tilla që ndodhin si krime pasioni apo krime ekonomiko-pasioni. Krimi dhe kriminelet ndëshkohen dhe dënohen në atë mënyrë që gjenerata tjetër e krimineleve të kenë në mendje së çfarë mund ndodhë në të ardhmen po atyre. Aplikimet në sociologji, filozofi dhe shkenca sociale janë të mbjellura në ligj dhe psikologji. Ai që jep mësim shkenca politike dhe kriminologji eksploron politikat e simbolikave mirë të njohura politike dhe se si ato janë të aplikuara në krim. Turma dhe politikat komplekse të krimeve mund të kuptohen vetëm në kontekstin e vlerave kulturore dhe kondicioneve sociale të jetës në Shqipëri, morali ndëshkues, përgjigjet individuale të pyetjve sociale, pabarazia gjinore dhe dallimi në shtresa, ndoshta nuk po arrijme të tolerojmë. “Vepra penale kryhet me pakujdesi kur personi, megjithëse nuk i dëshiron pasojat, e parashikon mundësinë e ardhjes së tyre dhe me mendjelehtësi shpreson t’i shmangë ato, ose nuk i parashikon, megjithëse sipas rrethanave duhej dhe kishte mundësi t’i parashikonte.”  – Neni 16 Kodi Penal RSH. Menaxhimi i rrezikut mund të mos jetë i njëjtë në menaxhim por përsa i përket dhunes nuk ka ndjenja të ndryshme ndaj saj. Si domosdoshmëri për nga fuqia, politik-bërësit janë fillestar në dallimin e kujdesshëm të krimineleve, plaçkitësve dhe përdhunuesve. Të merresh më ta është shumë kontraversale dhe një mister në vete, Në fund, ligji penal është një sistem dënimi i bazuar në ndjenjat e përbashkëta morale. Shumica prej nesh do të pajtoheshin – në mënyrë intuitive – se ata që kryejnë vrasje me paramendim duhet të marrin dënimin më të rëndë të mundshëm, edhe pse mund të mos pajtohemi nëse ky dënim duhet të jetë me vdekje. Por dënimi përshtatet me krimin e kryer ndërsa ndëshkimin shpirtëror që ata do ta marrin do jete tërë jetën. Ekonomia dytësore e fton dhunën që të jetë sa më aktive. Politikanët që jetojnë në epokën e tyre do të bëjnë çdo gjë që ata mos të shfaqen të butë ndaj krimit. Përtej simbolikës së tyre opinion publik është i zgjuar dhe kundrejt faturave e taksave që shqiptarët paguajnë janë pjesë e politkës së përditshme. Ligji forcon lidhjet e shumta, mbron individin, është influencues dhe shumë zëmërgjërë në kontributet sociale dhe të sigurisë si te legjlislatorët dhe te zbatuesit e ligjit. Vetëgjyqësia është një tipar karakteristik i shoqërisë shqiptare (nëse do që një punë ta bësh mire, bëjë vet), por ata nuk e harrojnë se veprat penale ndahen në krime dhe në kundërvajtje penale. “Vrasja e kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike – Vrasja me dashje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike të çastit shkaktuar nga dhuna ose fyerja e rëndë e viktimës dënohet me burgim gjer në tetë vjet” – Neni 82. Rritja e krimit më shumë ngjason me rritjen industriale, gjë që është mekat sepse në vend të që rritet mirëqënia e jetesës dhe mbarëvajtja e individit brenda shoqërisë krimi është bërë si një kafe që del e pi qetë e qetë në një kafiteri. Racionaliteti dhe irracionaliteti nuk pushojnë shumë larg njëra tjetres ato janë si një përllogaritje që herë del sakte dhe mire, here del gabim dhe mirë.

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Blerta Haxhiaj, Krim Pasioni

Ministria e Diasporës neglizhoi të konsultonte nismat ligjore me mërgatën në Amerikë

June 29, 2018 by dgreca

Ekrem Bardha u largua nga Shqipëria komuniste në rininë e tij, në qershor të vitit 1953, dhe përfundoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ishte pikërisht atje, në Detroit, në zonën e Miçiganit, ku ndërtoi një pasuri të tërë duke marrë të drejtën e hapjes së 18 dyqaneve fast food të McDonalds.

1 samiti-1

Por Bardha nuk e harroi kurrë vendin e tij të origjinës. Në Shtetet e Bashkuara Bardha shërbeu si avokat për Shqipërinë mes njerëzve të fuqishëm në Uashington dhe luajti një rol kyç në ndërgjegjësimin e politikanëve amerikane për situatën e vështirë të shqiptarëve etnikë në Kosovë, e cila gjendej në atë kohë nën atë federatë që quhej Jugosllavi.

Pas rënies së komunizmit ai u kthye në vitin 1990 së bashku me vajzën e tij, Donikën, për të hapur një nga restorantet e para private të cilësisë së lartë në Tiranë, dhe më pas me krijimin dhe kultivimin e një vreshti të suksesshëm.

“Ai gjithmonë përpiqet të përmirësojë imazhin e vendit… të bindë njerëzit që të kthehen pas dhe të investojnë”, – thotë Donika.

Pavarësisht përpjekjeve të tyre, familja Bardha është ende përjashtimi i rregullit.

Sot, një e treta e popullatës shqiptare të vitit 1991 jeton jashtë kufijve të vendit, duke formuar një nga diasporat më të mëdha të një vendi europian.

Por vetëm një fraksion i vogël i shqiptarëve ka vendosur që të përfshihet në marrëdhënie ekonomike me vendin e origjinës, pavarësisht se disa studime tregojnë se kjo do të kishte një ndikim të konsiderueshëm në zhvillimin ekonomik të vendit.

“Është si trupi i njeriut. Nëse ti po përdor vetëm 75 për qind të tij, atëherë nuk do të funksionosh kurrë me kapacitet të plotë, 100 për qind”, – thotë Mark Kosmo i Shoqërisë Shqiptaro-Amerikane të Masaçusetsit, e vendosur në SHBA.

Qeveria shqiptare së fundmi ka bërë përpjekjen e saj të parë të koordinuar për të shfrytëzuar kapitalin njerëzor dhe financiar të diasporës, duke përfshirë krijimin e Ministrisë së Diasporës në shtator të vitit 2017, e ngarkuar me mbikëqyrjen e këtij projekti.

Por një investigim njëmujor i Qendrës Shqiptare për Gazetari Cilësore dhe Qendrës së Nju Inglandit për Raportim Hulumtues (New England Center for Investigative Reporting), e vendosur në SHBA, ka zbuluar se ministria, gjatë procesit së përpilimit të politikave, ka neglizhuar në mënyrë rutinë konsultimin e vijueshëm dhe të frytshëm me vetë popullatën që supozohet të përfaqësojë.

Bashkëpunimi për legjislacionin e ri ishte shumë i paktë dhe shumë vonë

“Është e padrejtë të bësh politika mbi diasporën pa asnjë nga diasporat (referuar diasporave të shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë), të pranishme në tavolinë”, – thotë Liza Gashi, bashkëthemeluese e Germin-it, një organizate jofitimprurëse e diasporës në Prishtinë, Kosovë.

Gashi thotë se organizata kërkon të thjeshtojë dialogun mes komunitetit global shqiptar duke përdorur një regjistër virtual të organizatave dhe task forcave së diasporës.

“Qëllimi, – thotë Gashi, – është të krijojmë një kanal komunikimi me dy drejtime, në vend të atij me një drejtim që kemi pasur në të kaluarën”.

Pas një konference triditore në Prishtinë në fund të muajit maj, Germin publikoi një listë gjithëpërfshirëse rekomandimesh për krijimin e një këshilli konsultues.

Gashi thotë se dokumenti ishte rezultat i një prej shtatë task force-ave që kanë shkëmbyer rregullisht ide që nga shtatori i vitit 2017.

Propozimi projekton këshillin si një trup vendimmarrës, të pavarur nga qeveria, i cili është i caktuar përkohësisht nga task forca e organizatës Germin në bashkëpunim me ministritë e diasporës së Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, por të zgjedhur përfundimisht vetëm nga diaspora globale shqiptare.

Ministri i Diasporës, Pandeli Majko, ndoqi konferencën e fundit, por Kosmo, i cili është i përfshirë te Germin, e akuzon atë se ka anashkaluar rekomandimet e tyre në favor të një qasjeje më burokratike.

Kjo vjen, pasi Majko nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me organizatën më herët këtë vit, çka u pa gjerësisht si një angazhim për të bashkëpunuar me një sërë projektesh të diasporës, përfshirë këtu krijimin e këshillit konsultues.

Në vend që të adaptonte propozimin e Germin-it, në fillim të qershorit, ministri i Diasporës vendosi strukturën e tij legjislative për krijimin e këshillit konsultues, një trup institucional i përbërë nga 13 këshilltarë civilë, të zgjedhur nga vende me diasporë të madhe shqiptare. Këshilli do të identifikojë problemet e lidhura me popullatën e tyre dhe do t’i propozojë zgjidhje Ministrisë së Diasporës, kryeministrit dhe liderëve të qeverive në vendet e tyre të rezidencës.

Ligji i ri, i aprovuar nga Këshilli i Ministrave, thotë se ambasadorët e Shqipërisë do të bashkëpunojnë me liderët lokalë të diasporës për emërimin e kandidatëve më të mirë. Majko mundet gjithashtu të emërojë individë dhe së bashku me Këshillin e Ministrave – në vend të diasporës – thotë fjalën e fundit se kush do të përzgjidhet.

Kosmo sheh probleme me emërimet nga lart-poshtë dhe me procesin e konfirmimit, edhe pse e lavdëroi ligjin si shumë të detajuar. Ai shqetësohet se Këshilli mund të shihet si një zgjatim i qeverisë, më shumë se si një trup i pavarur që vendos interesat e diasporës në radhë të parë.

“E di që ekzistojnë shqetësime apo rezerva, për shkak se kjo është eksperienca e parë në këtë drejtim dhe këto lloj gjërash nuk janë debat i mbyllur… ky do të ishte një gabim i madh për ne”, – ka thënë Majko në një intervistë, duke u zotuar se do të punonte ngushtë me Germin-in.

Ministri Majko gjatë intervistës me Jackie DeFusco. Foto: Antonio Çakshiri

Majko thotë se ai nuk e mbështet Këshillin si një trup të pavarur tani apo në të ardhmen e afërt për shkak të niveleve të ndryshme të organizimit të diasporës nga shteti në shtet.

Gashi u takua personalisht me Majkon më 8 qershor, pasi ligji u aprovua.

Ministri Majko në seancën e Kuvendit (7 Qershor 2018) ku u miratua ligji për Zhvillimin e Diasporës. Foto: Antonio Çakshiri

Ajo thotë se Majko i premtoi në mënyrë verbale përfshirjen e disa prej rekomandimeve të Germin-it.

“Një seancë me pyetje dhe përgjigje me ministrin dhe anëtarë të diasporës po planifikohet aktualisht për në fund të muajit qershor”, – thotë Gashi.

Në eksperiencën e tij 25-vjeçare duke punuar mbi çështje të diasporës, Kosmo thotë se ka pasur një mungesë të vazhdueshme të kulturës së konsultimit.

“Është e vështirë të jesh i zhgënjyer në këtë pikë, sepse tashmë jam mësuar”, – thotë ai.

Historia e një angazhimi të rremë

Në vitin 2013, qeveria shqiptare iu qas studiuesve të Universitetit të Harvard-it për këshilla mbi përmirësimin e ekonomisë së saj. Ata rekomanduan krijimin e një Ministrie të Diasporës nga qeveria shqiptare.

Vëzhgimi i Harvard-it i vitit 2015 – i afro 900 shqiptaro-amerikanëve – zbuloi se diaspora ishte e etur për të qëndruar në kontakt me vendin e saj të origjinës.

Më shumë se gjysma e atyre që u përgjigjën ishin të përfshirë në organizata të komuniteteve shqiptare në Shtetet e Bashkuara, por ende mungonte kanali i institucionalizuar për t`i lidhur këto grupe përtej shteteve dhe kufijve kombëtarë.

Në këtë kontekst u krijua rrjeti virtual i Germin-it, gjerësisht i konsideruar si revolucionar.

Samiti i diasporës në Tiranë, në nëntor të vitit 2016, ishte përpjekja e parë, e organizuar qeveritare për të lidhur shqiptarët globalë, por samiti kishte problemet e tij.

Pasi u shty disa herë, ftesat u dërguan vetëm një muaj përpara datës mbi të cilën ishte rënë dakord. Ljubica Nedelkoska e Qendrës për Kërkimin mbi Zhvillimin Ndërkombëtar të shkollës Harvard Kennedy thotë se eventi do të kishte qenë më i suksesshëm nëse do të ishte planifikuar më herët, por sërish tërhoqi mbi 800 anëtarë të diasporës nga rreth 40 shtete.

“Mund të shihje shumë energji dhe njerëzit vërtet kishin nevojë të flisnin”, – thotë Nedelkoska, – Shqiptarët jashtë vendit nuk e kishin pasur kurrë mundësinë për të bërë bisedat që donin me qeverinë”.

Duke hedhur shikimin pas, Kosmo thotë se samiti treditor ishte gjysmë-spektakël, gjysmë-substancë:

“Spektakli nuk është i keq… por, çfarë ndodh më pas, është ajo që ka rëndësi”, – theksoi ai.

Kosmo u zhgënjye me mungesën e vijimit të diskutimit pas samitit. Ai thotë se krijimi i një Ministrie të Diasporës në nëntor të vitit 2017, një vit më vonë, ishte shenja e parë që qeveria dha për marrjen me seriozitet të çështjes së diasporës.

Por problemet vazhduan.

Kosmo i dërgoi një e-mail, afërsisht tremijë fjalë të gjatë, ministrit të sapoemëruar Majko në nëntor 2017, duke sugjeruar me ngulm krijimin e një grupi pune që do të bashkëpunonte rregullisht për krijimin e Strategjisë 6-vjeçare Kombëtare të Diasporës së Shqipërisë.

“Më e mira do të ishte që Strategjia Kombëtare e Diasporës të finalizohet me përfshirjen e kontributit të diasporës shqiptare. Nuk duhet të bëhet nga qeveria me diasporën shqiptare që e komenton, por duhet të jenë si një produkt i përbashkët”, – shkroi ai.

Ai rekomandoi gjithashtu që ministri të kërkonte financimin nëpërmjet donacioneve për të mbështetur udhëtimet e këtij grupi drejt Tiranës në fillimin e vitit 2018, për t’i dhënë nismën konsultimit të politikave.

Majko u përgjigj duke e falënderuar për vëmendjen e tij ndaj strategjisë dhe duke thënë se do ta kontaktonte nëse do të kishte pyetje të mëtejshme.

Në mungesë të ndonjë përgjigjeje të radhës nga Majko, Kosmo shkroi një letër tjetër në shkurt të vitit 2018, të firmosur bashkërisht nga mbi 200 anëtarë të diasporës shqiptare, shumë nga të cilët të përfshirë në mënyrë aktive në Germin.

Letra argumentonte se partneritetet e shkuara publike-private me diasporën kishin qenë shumë informale dhe të pamjaftueshme.

Grupi përpiloi një listë gjithëpërfshirëse pyetjesh, duke përforcuar interesin e tyre për krijimin e një grupi pune, si dhe përcaktoi shtatë fusha të ekspertizës, ku diaspora mund të ndihmonte.

Kosmo thotë se ministri nuk u përgjigj, edhe pse shumë nga këto pika ishin diskutuar informalisht, kur Majko vizitoi Bostonin, Masaçusetsin më vonë gjatë atij muaji.

Tre muaj më vonë, në maj, Këshilli i Ministrave aprovoi strategjinë 6-vjeçare dhe planin e punës së Ministrisë së Diasporës, por në mungesë të një bashkëpunimi formal me diasporën Kosmo e konsideroi si një draft të parë – në rastin më të mirë.

Kur u pyet nga reporterët e Qendrës pse nuk krijoi një grup pune të diasporës, Majko nuk dha një shpjegim specifik. Ai theksoi se plani i tij i punës lejon specifikisht diasporën të japë kontributin e saj në ndryshimet në strategji gjatë samiteve të përvitshëm, i pari nga të cilët i kushtoi qeverisë rreth 18,000,000 lekë ose 167 mijë dollarë, sipas Ministrisë së Jashtme.

Kosmo mendon se komunikimi në mënyrë ditore ose javore është një domosdoshmëri për të krijuar një plan të mirë pune.

Përpara se diaspora të angazhohet formalisht në procesin e politikave, Kosmo mendon se një samit i dytë, aktualisht i planifikuar për në nëntor të vitit 2018, është i parakohshëm.

Takimet me diasporën dhe përgjegjësitë financiare

Gjatë nëntë muajve të shkuar, Majko ka shpenzuar shumicën e kohës së tij duke u takuar ballë përballë me individët dhe organizatat e komunitetit në vendet me diasporë të madhe shqiptare.

Majko thotë se dëgjimi i ideve të tyre në këto mbledhje informale është i domosdoshëm për ndërtimin e marrëdhenieve të mira në këtë kapitull të ri.

Liderët e komunitetit shqiptaro-amerikan thonë se disa nga këto udhëtime u planifikuan në minutën e fundit, duke i detyruar ata që të mblidhen me nxitim për të pritur ministrin.

Në Clearwater, Florida, Rrjeti i Biznesit Shqiptar dhe Profesional, ABPN thotë se u lajmërua dy javë përpara vizitës së Majkos.

Udhëtimi i ministrit në Hjuston, Teksas, gjithashtu u organizua në minutën e fundit, data e saktë e të cilit u konfirmua vetëm 72 orë përpara eventit. Rreth 50 persona mundën të marrin pjesë me këtë lajmërim afatshkurtër, në një zonë me rreth 1,700 shqiptarë.

Zyra e kryeministrit, i cili aktualisht mbikëqyr buxhetin e Ministrisë së Diasporës, nuk ia doli që t’i përgjigjet kërkesës së dërguar në kuadër të ligjit për të Drejtën e informimit, për një detajim të buxhetit dhe shpenzimeve të udhëtimeve të Majkos.

Një buxhet zyrtar, për të cilin ministri Majko thotë se nuk është ende “funksional”, i gjetur online për Agjencinë e Diasporës dhe Mërgimit, liston buxhetin total të ministrisë për vitin 2018 në shumën 17,000,000 lekë ose rreth 160 mijë dollarë.

Rreth 70 për qind e atij buxheti po shpenzohet për rrogat dhe shpërblimet e pesë punëtorëve, duke lënë më pak se 5,400,000 lekë ose rreth 50 mijë dollarë për ato që janë listuar si kostot operative dhe kostot e ndryshme.

Burime të shumta në dijeni të veprimtarisë së ministrit, duke përfshirë Kosmo-n, Nedelkoska-n dhe Richard Lukajn, një filantrop i diasporës shqiptare që jeton në Shtetet e Bashkuara, ritmin e ulët të progresit ia atribuojnë një buxheti të varfër dhe një stafi të vogël.

Lukaj thotë se këto udhëtime, dedikuar mbledhjes dhe ndarjes së informacionit, janë të përshtatshme për një ministri të paprecedent që ende po përpiqet të fokusojë përpjekjet e saj.

Liderët e komunitetit shqiptaro-amerikan në Florida dhe Teksas thonë se Majko duhet të vijojë komunikimin edhe pas vizitave, të cilat, sipas tyre, nuk ka kanë prodhuar rezultate të prekshme.

Suksesi kërkon një ndryshim kursi

Një pyetje e ngritur gjatë takimit të ministrit në Florida ishte se çfarë mund të bëjnë grupet e diasporës për të influencuar politikat në vend.

“Përshtypja që unë mora ishte se ata nuk ishin duke kërkuar realisht opinione dhe

mendime se si t`i ndryshonin gjërat, por njerëz që ishin gati të investonin”, – thotë Veton Krasniqi, zëvendëspresident i ABPN-së.

Kosmo thotë se investimet janë përgjithësisht gjëja e parë që një ministër i thekson diasporës gjatë udhëtimeve të tij. Duhet të jetë çështja e fundit, sipas tij.

Vëzhgimi i Harvard-it i vitit 2015 zbuloi se investimi është elementi më pak popullor i angazhimit në diasporën shqiptaro-amerikane.

Më shumë se 95 për qind e të pyeturve thanë se korrupsioni ishte shqetësimi i tyre kryesor rreth bërjes së biznesit në vendin e tyre të origjinës.

Nedelkoska e Harvard-it thotë se një leksion kyç nga ekzaminimet e mëparshme të diasporës në Shtetet e Bashkuara është se njerëzit janë në thelb mosbesues ndaj çdo qeverie shqiptare, jo vetëm ndaj administratës aktuale.

“Ekziston një mënyrë për ta thyer këtë qëndrim… të tregosh transparencë, – thotë ajo.

– Qeveria duhet të jetë e aftë që të komunikojë mirë. Ata duhet të jenë të qëndrueshëm dhe të mbajnë premtimet e tyre”.

Duke marrë pjesë në grupe fokusimi dhe nga vëzhgimet, Gashi ka mësuar se shqiptarët jashtë vendit duan sa më pak përfshirje që të jetë e mundur të qeverisë në projektet e diasporës. Kosmo beson se njerëzit janë më të prirur të investojnë në bizneset shqiptare nëse një kanal jofitimprurës për investimin e drejtpërdrejtë krijohet nga një organizatë joqeveritare si Germin. Kjo është arsyeja pse grupi krijoi një task force për një plan filantropik pune.

Një rezultat që shumë shpresojnë se do të vijë nga përpjekja e diasporës është kalimi i aftësive dhe ekspertizës së atyre që jetojnë jashtë tek ata në Shqipëri.

Nedelkoska thotë se “sëmundja e përhershme” e Shqipërisë është mungesa serioze e aftësive praktike, ato ajo i konsideron më të vlefshme se njohuritë në ekonomitë në zhvillim. Ajo thotë se është e rëndësishme që qeveria të fokusohet në ndërtimin e rrjeteve që do ta zhvendosnin diasporën shqiptare me aftësi drejt vendit, fizikisht ose virtualisht.

Shkëmbimet edukative ose profesionale janë mënyrat për të cilat diaspora është më e gatshme të angazhohet, sipas vëzhgimit të Harvard-it.

“Është më e rëndësishme që ata t`i ushqejnë këto lloj marrëdhëniesh, në mënyrë që doktorët shqiptarë të mësojnë nga doktorët në Masaçusets dhe sipërmarrësit të mësojnë nga sipërmarrësit në Nju-Jork”, – thotë Nedelkoska.

Majko thotë se ministria e tij është në fazat e para të planifikimit të projekteve që adresojnë nevojat dhe kapacitetet. Germin ka ngritur task force për të dyja këto fusha. Gashi thotë se ata planifikojnë të ndajnë me ministrinë rekomandimet e tyre përfundimtare gjatë fundit të muajit qershor.

Optimizëm i pazakontë

Pavarësisht ankesave të liderëve të diasporës, ndjesia popullore që rrethon këtë ministri ka një optimizëm të pazakontë.

Eva Millona, një emigrante shqiptare që sot shërben si drejtoreshë ekzekutive e Koalicionit të Emigrantëve të Masaçusetsit dhe Avokatisë së Refugjatëve, është pjesë e shumicës së shqiptaro-amerikanëve të intervistuar që beson se Majko është një zgjedhje e mirë për ta drejtuar këtë ministri.

Ajo thotë se shqiptarët në Masaçusets, – shtet i cili është shtëpia e diasporës me edukimin më të mirë në Shtetet e Bashkuara, sipas profilit statistikor të Harvard-it – mezi presin ta shikojnë ministrinë të marrë formë.

“Është një mundësi e madhe për diasporën që të ketë një zë dhe të mbështesë përmirësimin e rajonit”, – thotë ajo. – Buxheti është diçka, por vizioni dhe përkushtimi për ta bërë të funksionojë janë diçka tjetër”.

“Ëndrra ime është që diaspora të mund të shihet, – thotë Majko. – Ne po punojmë me qenie njerëzore, me njerëz dhe, nëse kemi mirëkuptimin e tyre, do të jemi të suksesshëm”.

Intervista e plotë me Ministrin e Diasporës Pandeli Majko (Në anglisht)

Gjatë intervistës me Ministrin e Diasporës Pandeli Majko në zyrën e tij brenda godinës së Kryeministrisë. Foto: ACQJ

*Fotoja kryesore në fillim të shkrimit, e publikuar nga kryeministri Edi Rama në Facebook gjatë Samitit të Diasporës në Nëntor 2016

English version

Filed Under: Featured Tagged With: Diaspora e Amerieks, Ekrem bardha, Ministria e Diaspores

Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, në Kosovë

June 29, 2018 by dgreca

NATO-Kosova, lidhje të fortë prej shumë vitesh/

1 ok Presidenti1 Thaci NATO1 Biseda 1

-Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Paolo Alli: NATO-ja dhe Kosova kanë një lidhje të fortë prej shumë vitesh/

-Presidenti Thaçi: NATO është në Kosovë, por tani është koha që edhe Kosova të jetë në NATO/

-Kryeministri Haradinaj: Kosova në NATO e sheh sigurinë dhe paqen e përjetshme/

-Në vizitën sot në Prishtinë, delegacioni i Asamblesë Parlamentare të NATO-s zhvilloi takime fillimisht në Kuvendin e Kosovës/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 29 Qershor 2018/ NATO-ja dhe Kosova kanë një lidhje të fortë prej shumë vitesh, tha sot në Prishtinë Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Paolo Alli, dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të përparimit të Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në NATO.
“Jam këtu sot si President i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, për të demonstruar edhe njëherë se Asambleja Parlamentare është shumë e afërt me Kosovën, është shumë e lidhur dhe e përkushtuar me Ballkanin Perëndimor, sepse ne mendojmë se Ballkani Perëndimor është pjesë esenciale e Evropës”, theksoi Presidenti Alli.Ai tha se janë duke bërë më të mirën për të mbështetur përpjekjet që Kosova është dukë bërë në procesin e reformës, që është e nevojshme për anëtarësim në NATO.“Ne shohim progres real, ne shohim gjithashtu se ka punë për t’u bërë, veçanërisht në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por ne jemi të sigurt se udhëheqja e juaj është shumë e fuqishme dhe ju do të keni sukses në rrugëtimin tuaj për integrim euroatlantik”, tha Alli, duke theksuar se prezenca e misionit të KFOR-it, përpjekja që NATO ka bërë në vitet e kaluara për të kontribuar në stabilitet, në siguri dhe paqe, është dëshmi se Kosova dhe Ballkani Perëndimor duhet të jenë më afër Evropës.Në pyetjet e gazetarëve për takimet e zhvilluara me zyrtarët e NATO-s, Kryeministri Ramush Haradinaj tha se në këto takime është biseduar për perspektivën e Kosovës, tranzicionit dhe anëtarësimit në NATO.“E gjithë perspektiva  e rajonit tonë është një fjalë. Ashtu sikurse vendet tjera edhe Kosova në NATO e sheh sigurinë dhe paqen e përjetshme”, tha Kryeministri Haradinaj, pas takimit me Presidentin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Paolo Alli.

Duke theksuar bashkëpunimin e vazhdueshëm me NATO-n, Kryeministri Haradinaj tha se Kosova i gëzohet ardhjes së presidentit të Asamblesë Parlamentare, ku edhe Kosova ka statusin e vëzhguesit.
Në takim, Kryeministri Haradinaj ka thënë se Kosova dhe populli i saj do t’i jetë përjetë mirënjohës dhe asnjëherë nuk do ta harrojë ndihmën që NATO ka dhënë në të gjitha fazat e shtetndërtimit.Kryeministri Haradinaj theksoi rolin e rëndësishëm të NATO-s në garantimin e paqes dhe të sigurisë dhe e vlerësoi forcën paqeruajtëse të KFOR-it si një partner të rëndësishëm në Kosovë.Po ashtu, Kryeministri Haradinaj tha se Forca e Sigurisë së Kosovës, e mbështetur nga NATO  në çdo periudhë të ndërtimit të saj, ka përmbushur kapacitet operative drejt transformimit në Forcën e Armatosur, në bashkërendim me partnerët ndërkombëtarë.Në vizitën sot në Kosovë, delegacioni i Asamblesë Parlamentare të NATO-s – Presidenti Paolo Alli dhe drejtori i Komisionit për Dimensionin Civil dhe Siguri, Andrius Avizius, zhvilloi takime fillimisht në Kuvendin e Kosovës, me Kryesinë, e pastaj edhe  me delegacionin e Kuvendit Kosovar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.Edhe presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi priti në takim të veçantë Presidentin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Paolo Alli dhe delegacionin.

 PRESIDENTI THAÇI PRITI NJË DELEGACION TË ASAMBLESË PARLAMENTARE TË NATO-s

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim një delegacion të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, i kryesuar nga Paolo Alli, President i Asamblesë.Presidenti Thaçi ka shprehur falënderimin e tij për vizitën, bashkëpunimin dhe përkrahjen që i ka dhënë Kosovës Asambleja Parlamentare e NATO-s.“Kosova është faktor stabiliteti në rajon, e përkushtuar për dialog me Serbinë që do të sjell paqe të qëndrueshme në tërë rajonin”, ka shtuar ai.Kosova, sipas Presidentit, e mirëpret rikthimin e vëmendjes së BE-së në rajonin e Evropës Juglindore, me strategjinë dhe Samitin e Sofjes.“Rezultate konkrete të menjëhershme janë zgjidhja e kontestit të emrit në mes Greqisë e Maqedonisë si dhe fillimi i fazës përfundimtare të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ai.Duke folur për kërcënimin global nga terrorizmi, Presidenti Thaçi ka theksuar se Kosova është lider në rajon në luftimin e ekstremizmit e radikalizmit.Nga tjetër, Paolo Alli, President i Asamblesë Parlamentare të NATO-s është shprehur i kënaqur me bashkëpunimin me Kuvendin e Kosovës. Në fund, presidenti Thaçi ka thënë se NATO është në Kosovë, por tani është koha që edhe Kosova të jetë në NATO. Sipas tij, FSK-ja është e gatshme për transformim në një forcë profesionale.

ANËTARËT E KRYESISË SË KUVENDIT PRITËN NË TAKIM DELEGACIONIN E LARTË TË ASAMBLESË PARLAMENTARE TË NATO-s.

Anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, të udhëhequr nga Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit, pritën sot në takim Delegacionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s.
Zhvillimet politike në Kosovë, me fokus integrimi evropian, liberalizimi i vizave si dhe anëtarësimi i FSK-së në NATO, ishte temë qendrore gjatë këtij takimi.
Nënkryetari Haliti, fillimisht shprehu falënderim për takimin e përbashkët me udhëheqësit e lartë të delegacionit të NATO-s duke e vlerësuar si ditë të veçantë jo vetëm për Kuvendin, por për të gjitha institucionet e vendit.
Haliti i informoi përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare të NATO-s për zhvillimet politike në Kosovë, për reformat që institucionet kanë bërë në rrugën drejt integrimeve evropiane, si dhe për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, përfshirë këtu edhe aftësimin e FSK-së për t’iu bashkëngjitur NATO-s në misionet e saj.
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Haliti, nga përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare të NATO-s me këtë rast kërkoi që ta mbështesin FSK-në si forcë të armatosur të NATO-s, dhe përkrahje për heqjen e vizave për Kosovën.
Kryetarja e komisionit për Integrime Evropiane, Blerta Deliu-Kodra, njoftoi për zhvillimet në zbatimin e procesit të MSA-së, ndërkaq, deputetët Fatmir Xhelili dhe Haxhi Shala, kërkuan mbështetje nga Asambleja e NATO-s dhe aleatëve të tjerë që FSK-ja të transformohet në ushtri të NATOS-s
Paolo Alli, President i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, deklaroi se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është kusht esencial për anëtarësimin e Kosovës në këtë mekanizëm. Po ashtu, ai bëri të ditur se edhe luftimi i korrupsionit dhe sundimi i ligjit janë tepër të rëndësishme për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe NATO.
“Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë mbetet kushti më i rëndësishëm për këto procese. Po ashtu edhe luftimi i korrupsionit dhe sundimi i ligjit janë bazike drejtë rrugëtimit në vendet euro atlantike. Lufta kundër terrorizmit mbetet ende sfidë për të gjithë, prandaj mbetet edhe shumë punë për tu bërë”, tha Alli.
Alli, bëri të ditur se Ballkani Perëndimor është rajon i rëndësishëm për Evropën, duke u zotuar se edhe integrimi është i garantuar, por, me kusht që secili shtet të përmbushë obligimet e veta.
” Ne jemi duke vështruar progresin në rajon, dhe e kuptojmë që qytetarët e Kosovës dëshirojnë t’i bashkohen NATO-s, natyrisht që ka ende punë për tu bërë, por, ju siguroj që Kosova është në rrugë të mirë duke i plotësuar objektivat që të bëhet pjesë e NATO-s”, tha Paolo Alli, President i Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Në fund të takimit, Alli, theksoi: “Evropa nuk do të jetë e kompletuar pa i pasur në familje edhe vendet e Ballkanit Perëndimor”.

PRANVERA E VITIT 1999: NË KOSOVË LIRIA VINTE ME NATO-n

Në Kosovë në pranverën e para 19 viteve nisi të ndodhte liria dhe paqja: Ishte ora 05 e 17 minuta e mëngjesit në 12 Qershorin historik 1999, kur tanket e para të NATO-s të përcjella nga helikopterët hynin në Kosovë.Në Kosovë liria po vinte më pak se tre muaj pas 24 Marsit 1999 të fillimit të ndërhyrjes shpëtimtare të aviacionit të NATO-s me bombardimin e pozicioneve të forcave kriminale serbe të kasapit të Ballkanit, Milosheviç, i cili përfundoi në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, NATO, Paolo Alli, Presidenti i Asamblese

Kosovë-Dialogu mbështetet fuqishëm nga SHBA

June 29, 2018 by dgreca

1 Treshja e Kosoves-Presidenti Thaçi informon kabinetin qeveritar për procesin e dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel: Procesi i dialogut mbështetet fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat gjatë çdo raundi të bisedimeve e kanë gjithmonë përfaqësuesin e tyre në Bruksel, për të koordinuar procesin me palët e përfshira dhe për t’i dhënë përkrahje konkrete këtij procesi/1 Qeveria1PRISHTINË,  29 Qershor 2018-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka informuar kabinetin qeveritar për fazën e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Presidenti Thaçi ka thënë se procesi i dialogut mbështetet fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat gjatë çdo raundi të bisedimeve e kanë gjithmonë përfaqësuesin e tyre në Bruksel, për të koordinuar procesin me palët e përfshira dhe për t’i dhënë përkrahje konkrete këtij procesi.“Kështu ka qenë edhe kësaj here dhe unë kam zhvilluar dy takime pune me përfaqësuesin e SHBA-së përpara mbajtjes së takimit zyrtar. Këto takime të rregullta koordinuese me partnerin tonë kryesor strategjik, SHBA-në, si dhe me shtetet e tjera të fuqishme evropiane të cilat luajnë një rol mbështetës për këtë proces, janë tepër të rëndësishme”, u shpreh ai.Presidenti Thaçi ka paralajmëruar se puna e delegacionit të Kosovës në kuadër të këtij dialogu do të jetë transparente, me raportime të rregullta përpara qytetarëve dhe institucioneve.“Për këtë qëllim, edhe përpara nisjes në takimin e parë e kam bërë të qartë gatishmërinë time për të raportuar përpara Kuvendit të Kosovës sa herë që kërkohet një gjë e tillë”, ka thënë ai.Kreu i shtetit ka shtuar se Kuvendi i Kosovës duhet të jetë i përfshirë në këtë proces në mënyrë të drejtpërdrejtë, derisa koalicioni qeveritar, në bashkëpunim me partitë politike parlamentare, ato të opozitës dhe pozitës, do të arrijnë që të përcaktojnë modalitetet e kësaj përfshirje sa më shpejt që të jetë e mundur.“Them kështu, sepse koha është duke ecur dhe ky proces nuk mund të ndalet për shumë arsye”, ka thënë presidenti Thaçi.Konsensusi sa më i gjerë politik dhe shoqëror në këtë fazë të dialogut, sipas presidentit Thaçi, jo vetëm që do ta rriste besueshmërinë ndaj këtij procesi, por do ta forconte delegacionin e Kosovës.“Shpresoj se liderët e partive politike ta kuptojnë përgjegjësinë e tyre ndaj institucioneve shtetërore dhe mbi të gjitha, ndaj qytetarëve të vendit”, ka thënë ai.Megjithatë, presidenti Thaçi ka theksuar se Kosova i ka institucionet e veta shtetërore legjitime dhe demokratike, prandaj askush nuk duhet të pretendojë të vendosë në pikëpyetje legjitimitetin kushtetues dhe ligjor të tyre.I pari i vendit ka shtuar se para nisjes në takimin e parë në Bruksel, u ka bërë thirrje publike subjekteve politike për t’iu bashkuar delegacionit të Kosovës, duke përsëritur të njëjtën gjë edhe sot.“Ejani dhe bëhuni pjesë e delegacionit të Kosovës dhe jepni dijen dhe patriotizmin tuaj, në tryezë të bisedimeve. Ky do të ishte veprimi i duhur, veprimi më racional dhe i guximshëm të cilin e presin qytetarët e Kosovës. Gjithçka tjetër, të gjitha kritikat e pabaza dhe pamatura, tregojnë vetëm shenja lodhjeje dhe mungesë të përgjegjësisë e guximit”, ka thënë presidenti Thaçi para kabinetit qeveritar.Duke folur për takimin që ka zhvilluar në Bruksel, presidenti Thaçi ka thënë se e ka bërë të qartë se Kosova është e përcaktuar dhe thellësisht e interesuar për të arritur marrëveshje përfundimtare obliguese dhe ligjore me Serbinë.“Ne kemi bërë të qartë se Kosova ka shteruar kompromiset e veta të cilat janë të konkretizuara në Planin Gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisari, respektivisht në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Rrjedhimisht, ne kemi thënë se hapësira për kompromise shtesë nga ana e jonë është shumë minimale”, ka theksuar ai.Presidenti Thaçi ka thënë se të dy palët e përfshira në dialog janë pajtuar për të vazhduar përpjekjet e mëtejme për të arritur marrëveshje dhe do të vazhdojnë përpjekjet që të mos lejohet rritje apo përshkallëzim i tensioneve apo provokimeve ndërshtetërore, me qëllimin e vetëm që të ruhet paqja dhe stabiliteti.“Për më tepër, të dy palët jemi krejtësisht të vetëdijshme se e ardhmja evropiane e të dy shteteve varet nga kualiteti i arritjes së marrëveshjes përfundimtare. Në rastin e Kosovës, marrëveshja përfundimtare dhe njohja eventuale nga Serbia, ka një dimension shumë të gjerë, sepse ne mendojmë se një situatë e tillë, krijon një mundësi reale për Kosovën që të bëhet edhe anëtare e OKB-së dhe të njihet nga pesë shtetet e BE-së të cilat ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë”, ka shtuar presidenti.Kosova duhet të pranojë dialogun si mjetin e vetëm për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, sipas presidentit Thaçi, sepse në rast se ne refuzojmë të bëjmë këtë dialog, atëherë BE-ja dhe partnerët tanë do të fajësojnë Kosovën për dështimin e tij.“Për më tepër, dështimi eventual i arritjes së marrëveshjes nënkupton paqe të brishtë, marrëdhënie të tensionuara ndërshtetërore të cilat do të kenë efektin e tyre negativ në rajon dhe më gjerë. Mendoj se të gjitha këto arsye dhe shumë të tjera që nuk po i përmend, na detyrojnë ne të gjithëve, që të punojmë me vendosmëri për të gjetur mënyrën dhe guximin për të arritur marrëveshje përfundimtare”, ka shtuar ai.Në fund, presidenti Thaçi ka thënë se Kosova mbetet konstruktive edhe e përkushtuar për të arritur marrëveshje përfundimtare në fund të këtij procesi./b.j/

Filed Under: Politike Tagged With: Dialogu me Serbine, kosova, Mbeshtetje SHBA

FRANK SHKRELI I SHKRUAN KRYEMINISTRIT PËR VLERËSIMIN E AT GJERGJ FISHTËS

June 28, 2018 by dgreca

KUR DO T’I VIJË RADHA VLERËSIMIT HISTORIK TË AT GJERGJ  FISHTËS, Z. KRYEMINISTËR?/c

2 Franku

*-Besoj se po të pyetej Eqerem Çabej, ai do të dëshironte dhe do të ishte krenar, që si dy miq të vjetër, ta kishte bustin e At Gjergj Fishtës aty pranë tij, në kopshtin e Akademisë së Shkencave./

Nga Frank Shkreli/

Në fillim të kësaj jave, Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama inauguroi bustin e gjuhëtarit Eqerem Çabejt, një akademiku dhe njeriu të letrave shqipe, me të vërtetë me vlerë dhe i merituar.  Kryeministri shqiptar, me të drejtë, ngriti lart figurën e Çabejt, duke vlerësuar rolin dhe kontributin që ai ka dhënë për gjuhën shqipe.  Media të ndryshme shqiptare i bënë jehonë këtij aktiviteti ndërsa njoftuan se busti i gjuhëtarit dhe albanologut të shquar shqiptar Dr. Eqerem Çabejt është vendosur në kopshtin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.  Në ceremoninë e inaugurimit foli edhe, Z. Rama, i cili u shpreh se, “Busti i Eqerem Çabejt në zemër të Tiranës, një vepër e bukur për një njeri të bukur, të cilin përkushtimi dhe kontributi për gjuhën e shqipe e ktheu përjetësisht në Lartmadhërinë e shkencave albanologjike”, është shprehur Kryeministri Rama.

Me këtë shënim të shkurtër nuk dua të marr përsipër asnjë kritikë për askënd. Prof. Eqerem Çabej meriton bustin në kopshtin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ose kudo tjetër në trojet shqiptare. Siç u shpreh edhe akademiku Vasil Tole, sekretar shkencor i Akademisë së Shkencave, gjatë inagurimit të bustit,  Eqerem Çabej, “Është më së pari një simbol, simbol i shkencëtarit dhe i atdhetarit, i ndërgjegjes shkencore dhe i ndërgjegjes qytetare, i fisnikërisë njerëzore dhe i moralit njerëzor, kjo e provuar vijueshmërisht në tri sisteme: gjatë mbretërisë, pushtimit nazifashist të vendit si dhe komunizmit”.   Dr. Eqerem Çabej mund të jetë i vetmi që u mbijetoi të tre sistemeve, sidomos komunizmit, ndryshe nga shumë bashk-kohas të tij, duke mënjanuar etiketimin si armik i popullit nga regjimi i Enver Hoxhës.   Megjithëse, siç njoftonte edhe gazeta Kombi më 4 nëntor 1943, Dr. Eqerem Çabej ishte një ndër anëtarët e qeverisë së formuar atë vit, prej Rexhep Mitrovicës. Për fatin e tij të mirë, të familjes së tij dhe të kulturës dhe gjuhës shqipe, Dr. Eqerem Çabej nuk e pësoi nga regjimi komunist, ashtu siç e pësuan kolegët e tij të cilët ishin pjesëtarë me ‘të, në qeverinë pro-naziste shqiptare, disa prej të cilëve e paguan me jetë pjesëmarrjen e tyre në këtë qeveri.  Pjesëmarrja e Dr. Eqerem Çabejt në qeverinë e Rexhep Mitrovicës nuk ia ulë aspak vlerat dhe kontributet e tija, por përkundrazi, e rritë atë në vijimësi, sidomos për kontributet e tija në fushën e historisë filologjike shqiptare, por edhe në studime të tjera të albanologjisë, në përgjithësi. Me të, gjuha shqipe dhe kultura shqiptare janë më të pasura. Andaj u ngrit busti i tij para ndërtesës së Akademisë së Shkencave.

Pyetja nuk është se pse i ngrihet busti Prof. Eqerem Çabejt, por pse nuk vlerësohen për kontributet e tyre – në tre sistemet gjatë të cilave jetoi dhe veproi ai — edhe figura të tjera të ndritura të Kombit shqiptar që vepruan gjatë asaj periudhe, si për shembull, At Gjergj Fishta*, shtëpia ku ka jetuar ai, ndonëse e shpallur monument kulture, është këthyer në një gërmadhë të vërtetë ku flejnë zogjët e natës.

Ndoshta pak njerëz e dinë, por Prof.Eqerem Çabej ka pasur konsideratë të lartë për At Gjergj Fishtën – i cili për arsye që dihen nuk mundi t’a shprehte gjatë regjimit komunist, pasi Fishta ishte shpallur “armik i popullit dhe tradhëtar i Kombit”, i ndaluar rreptësisht nga komunistët shqiptarë, për hatër të komunistëve jugosllavë. Por Çabej ka vlerësuar lartë At Gjergj Fishtën — para sundimit komunist kur Eqerem Çabej mund të shprehej lirisht– duke e cilësuar Fishtën, ndër të tjera edhe si “Poeti kombëtar i Shqiptarëve”. Duke shkruar për vlerësimet edhe konsideratat e E. Çabej për Fishtën, i ndjeri Prof. Dr. Engjëll Sedaj është shprehur se –vlerësimet e tija për Gjergj Fishtën — si “Poet Kombëtar i Shqipërisë”, si “Përfaqësues më i pari i leteraturës së sotme shqiptare”  dhe sidomos si poet më i avancuar epik ballkanik i shekullit, (Çabej) i mbështet kryesisht në Lahutën e Malcis”, veprën kryesore të At Gjergj Fishtës.

Në një prej vlerësimeve të tija për Lahutën e Malcis dhe për Fishtën,Prof. Eqerem Çabej është shprehur: “…Fishta zë fill me njësinë e vogël të fisit për të mbaruar te njësia më e madhe e kombit, ia fillon me bariun e moçëm Marash Ucin dhe mbërrin te Abdyl Frashëri në Lidhjen e Prizrenit. Duket qartas përpjekja e tij të zgjerojë dalëngadalë botën në një brendi më fort nacionale, të ngrejë kështu veprën në sferën kombëtare. Kështu vepra e tij ka marrë karakterin e një eposi kombëtar…duke qenë njëkohësisht në një farë kuptimi edhe një epos ballkanik.  Një dritë jete homerike shkëlqen mbi veprën e tij: si në dukje të zanave që u përngjajnë Dianës e Atenës…”.

Ndërsa katër vjet para se të vdiste Fishta, Prof. Çabej jep këtë gjykim për At Gjergj Fishtën: “Gjergj Fishta është bërë, sidomos në Lahutën e Malcis, përfaqësuesi më i parë i literaturës së sotme shqiptare”.  Dhe më tej Çabej është shprehur se, “Në fakt, në poezinë epike të Fishtës është kënduar thelbi i shpirtit të shqiptarëve, elementi i konservuar i popullit që njëherit më së mirë dëshmon njësinë e kombit”.   Çabej ka shkruar gjithashtu për epërsinë artistike të Fishtës, se në, “Ngjarjet e një natyre më shumë lokale, që përbën bazën historike për veprën” Lahuta e Malcisë, At Gjergj Fishta — ka theksuar Prof. Eqerem Çabej — “Prej kësaj bëri një epope kombëtare”, kështu që sipas tij, “Kjo epope nganjëherë i kalon kufijtë e shqiptarisë, duke qënë njëkohësisht, në një farë kuptimi, edhe një epos ballkanik”.  Ndërkaq, për kontributin e Fishtës në zhvillimin e gjuhës shqipe në përgjithësi, albanologu austriak, Prof. Dr. Norbert Joklka shkruar se, “Me At Gjergj Fishtën gjuha shqipe u rrit, u madhnue, u ba zojë.  Me At Gjergjin, kryetar në Kongresin e Manastirit, u caktue njëherë e përgjithmonë një alfabet i vetëm për mbarë Shqipninë, vendim ky me dobi që nuk numrohen.  Me At Gjergjin zuni fill shkolla, me shqipen gjuhë mësimi…” është shprehur albanologu i njohur austriak.

Besoj se po të pyetej Eqerem Çabej, ai do të dëshironte dhe do të ishte krenar, që si dy miq të vjetër, ta kishte bustin e At Gjergj Fishtës aty pranë tij, në kopshtin e Akademisë së Shkencave.  Fatkeqsisht, për derisa politika shqiptare — e cila vendos çdo gjë në atë vend, madje edhe për gjërat që nuk i takojnë siç janë gjuha, arti, trashëgimia kulturore, letërsia e të tjera – e trajton At Gjergj Fishtën kështu siç e ka trajtuar këto 28-vjet post-komunizëm – në Shqipëri nuk ka ndryshuar asgjë! Është e vërtetë se njerëzit në Shqipëri janë të lirë të blejnë dhe të lexojnë librat e Fishtës, por nga pikpamja e pranimit dhe njohjes zyrtare të kontributit të autorit të “Epopesë Kombëtare”, siç e ka quajtur Gjergj Fishtën Prof. Eqerem Çabej, nuk ka asnjë ndryshim. Se pse At Gjergj Fishta anashkalohet dhe pse mbahet gjithnjë në harresë zyrtare, kjo është një pyetje për mbarë shoqërinë dhe Kombin shqiptar, por, veçanërisht, është një pyetje që duhet ti drejtohet Kryeminsitrit Rama, Ministrisë së Kulturës, Akademisë së Shkencave dhe enteve të tjera përgjegjëse të qeverisë dhe të shtetit shqiptar.  Pikë së pari, pyesni për këtë Ministren e Kulturës.

Një bashkohas i tij, At Benedikt Dema është shprehur pas vdekjes së At Gjergj Fishtës se “Shqypnia do të nisë me e çmue ma tepër At Fishtën, kur në raste në të cilat Kombi kërkon e lyp ndërmjetësimin e nevojshëm të autoritetit e të veprimtarisë së tij”.  Fatkeqsisht, Atdheu i At Gjergj Fishtës nuk vepron më me entuziazmin e idealeve që ishte program i jetës së tij, “Për të vendosur themelet e patundura të idealizmit kombëtar, për të prirë në luftime në mbrojtje të Kombit, për t’i gërshetue kunora lumnije racës mijëvjeçare shqiptare, gjakut të derdhun e flijeve të vuajtuna të Kreshnikëve të Kombit”, ka shkruar dikur Benedikt Dema, duke shpresuar njëkohësisht se shqiptarët, si Komb i qytetëruar, do të dijnë t’i çmojnë njerzit e mëdhej të tij, duke i ndërtuar atij gjeniu, atij Ati të Atdheut, një përmendore të pashlyeshme, “një shenjë të përherëshëme e të denjë, për një komb të përparuem”.  Shpresojmë, por deri kur?  Pa At Gjergj Fishtën, pa vlerat kombëtare dhe pa idealet e tija, Shqipëria nuk është e përparuar dhe njëkohësisht, nuk është as Shqipëria që duam!  Z. Kryeministër, kur do t’i vijë radha At Gjergj Fishtës, që të zejë, zyrtarisht, vendin që ai meriton dhe që i takon në historinë dhe në kulturën e Kombit shqiptar?

Ju falënderoj për vëmendjen, Zoti Kryeministër!

Frank Shkreli

*Në kujtim të fjalimit të At Gjergj Fishtës në Konferencën e Paqës, 1919:

https://sq.wikipedia.org/wiki/Fjalimi_i_At_Gjergj_Fishtës_në_Konferencën_e_Paqës 20 qershor (1919)

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Kryeministrit Rama, leter, per At Fishten

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 33
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT