• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2018

Gjysmëfinalja e dialogut

July 23, 2018 by dgreca

Shkruan: Anton Marku -Vjenë/

Foto nga Anton Marku 2

Gjysmëfinalja e dialogut / Është gabim të mendohet se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nën ndëmjetësimin e Brukselit po hyn në fazën përfundimtare. Kjo do të jetë vetëm kapitulli i dytë i këtij procesi. Finalja do të ndodhë pas 5-6 viteve, kur të afrohet koha e aderimit të Serbisë në BE. Deri atëherë do të jemi dëshmitarë të ‘‘mosmarrëveshjeve’’ për ‘‘marrëveshjet’’ tashmë të nëshkruara e asnjëherë të zbatuara, së paku jo tërësisht. Ndërkohë do të ngriten edhe tema të reja, të cilat tashmë u janë bërë të njohura delegacioneve të të dyja shteteve. Në fund, tëgjithë do të fitojnë nga diçka e do të humbin nga diçka tjetër. Siç e do zakoni në Ballkan, humbja do të quhet fitore dhe e kunderta.  

Premtimi

Partitë politike të shqiptarëve të Kosovës, pa asnjë përjashtim, që nga paslufta, para dhe pas secilave zgjedhje, premtonin se një ndër prioritetet kryesore të programeve të tyre do të jetë bashkimi i qytetit të ndarë të Mitrovicës dhe integrimi i veriut në pjesën tjetër tëvendit. Por, kaluan pothuajse dy dekada që kur veriu është shndërruar në një zemër që rrah jashtë trupit. Jashtë Kosovës.

Aktualisht po flitet për asociacionin e komunave serbe në Kosovë, i cili po del që të jetë një strukturë shumë më komplekse se sa vetëm një OJQ, siç ishte prezantuar në fillim nga liderët tanë. Tashmë është e qartë se krijimi i saj është pothuajse një fakt i kryer. Po ju dha rasti, atë do e votojnë dhe miratojnë mu ata që fillimisht e kundërshtuan demarkacionin me Malin e Zi, bllokuan për tre vite jetën institucionale të vendit dhe në fund u bënë zëdhënësit më të mëdhenj të aprovimit të tij. Për më tepër, ata do të jenë në gjendje qëasociacionin ta ‘‘kontrabadonjë’’ në një ligj të posaçëm, e pse jo edhe në kushtetutën e Kosovës po qe se kjo do të vendosej si kusht, si nga Beogradi ashtu dhe nga bashkësia ndërkombëtare.

Po ndodhi kjo, pala kosovare do të duhej që të insistojë që si kundëshpërblim Kosova të hiqet nga preambula e kushtetutës së Serbisë, në të cilën ajo ende figuron si pjesë e saj.

Me duar në xhepa

Një ndër qëllimet e dialogut është që të diskutohet për tema të caktuara me interes të dyanshëm. Por, takimet e deritanishme kanë prodhuar pak rezultate pozitive. Për më tepër, ato janë shdërruar në arena për shkëmbim të akuzave, fyerje, konflikte verbale dhe terren për fitim të pikëve politike në rrafshin e brendshëm.

Në këtë kontekst, fitohet përshtypja se delegacionet e Kosovës, qofshin ato të nivelit teknik apo politik, në bisedime hyjnë të papërgaditura aq sa duhet dhe pa strategji dhe analiza paraprake të hollësishme se çfarë duan të përfitojnë nga këto takime. Vizionet afatgjata mungojnë ndërsa situatat shpesh zgjidhen në baza ‘‘ad-hoc’’.

Viteve, e sidomos muajve të fundit, politikanët kosovarë dolën shpesh me propozimin se në dialog duhet kyqur edhe SHBA-të, çka do të ishte e mirë po të ndodhte. Por, këto sugjerime pavetëdijshëm do të mund të legjitimonin kërkesën eventuale të Serbisë që nënegociata të përfshihet edhe Rusia. Ky do të ishte një autogol shumë i rrezikshëm për Kosovën dhe subjektivitetin e saj ndërkombëtar.

Opsionet

Edhe qeveria e Kosovës e edhe ajo e Serbisë morën mandatin nga qytetarët e tyre që të bashkojnë e jo të ndajnë territore. Por, që kontrasti të jetë edhe më i madh, janë po zyrtarët e lartë të këtyre dy qeverive që javëve që lamë pas kanë filluar të promovojnë idenë e lëvizjes së kufinjve. Kjo gjë po proklamohet si ‘‘kompromisi i madh’’, por pa precizuar se çfarë në të vërtetë mendohet me të: autonomi substanciale për komunat serbe në Kosovë, ndarja e veriut dhe vetqeverisje autonome e komunave serbe në pjesët tjera të Kosovës, federatë apo konfederatë me Prishtinën, shkëmbim territoresh (Lugina e Preshevës për veriun) apo dhe shkëmbim i popullsisë, që mbase do të ishte varianti më i pëlqyeshëm për të dy qeveritë, por dhe më pak real, së paku për momentin, pasi që me këtë duket se nuk do të pajtoheshin as shqiptarët e Luginës e as serbët andej Ibrit.

Hapi i dytë

Dialogu ka arritur në një pikë në të cilën palët, edhe po të duan, nuk do të mund të tërhiqen më. Në këtë kohë bojkotimi i tij, nga cila do anë, nuk do të ishte arma më e mirë. Përkundrazi. Tani nga çështjet teknike, e të cilat edhe ashtu deri më tani u zgjidhën vetëm tërthorazi, do të kalohet në ato politike me ndjeshmëri të lartë. Edhe Thaçi edhe Vuçiçi do të detyrohen të dalin nga vetvetja dhe braktisin pozicionet e tyre fillestare për të kërkuar dhe pranuar zgjidhje nga të cilat që të dy këta do të fitonin më shumë se sa do të humbin.

Finalja

Në fazën përmbyllëse të dialogut, me apo pa dashje, do të jetë jo vetëm e nevojshme dhe e domosdoshme, por edhe e paevitueshme përfshirja e Shqipërisë në këtë proces, e mbase edhe e Uashingtonit edhe Moskës, si garantues të marreveshjes eventuale, të cilën shpresoj se do të ketë kush të nënshkruaj.

Kjo dhe për faktin se si për shqiptarët ashtu dhe për serbët, e edhe për bashkësinë ndërkombëtare, momentalisht më e rëndësishme është marrëveshja mes politikanëve të këtyre dy vendeve se sa pajtimi mes dy popujve.

Deri në finalen e madhe kemi edhe shumë kohë. Së paku dhe një tjetër kampionat botëror në futboll.

Filed Under: Politike Tagged With: Anton Marku, Gjysmëfinalja e dialogut

Në Malësinë e Sharrit u shënuan përvjetori i Skënderbeut dhe përvjetori i Tetovës ‘68

July 23, 2018 by dgreca

1 shkolla Besa.JPG

Shkruan: Zymer U. Neziri/DIELLI/

2 Besa shkolla

Në Malësinë e Sharrit u shënuan përvjetori i 550-të i vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe për­v­jetori i 50-të i Demonstratave të Tetovës më 1968. Me këtë rast u zbuluan edhe dy pllaka përkujtimore. Pllaka përkujtimore për atdhetarin e profesorin Fadil Sulejmani (1940-2013) u zbulua në katundin e tij të lindjes, në Bozovcë, më 21 korrik 2018. Ajo u zbulua në praninë e bozovcave dhe të të tje­rëve nga ka­tundet përreth, nga Tetova dhe nga viset e tjera të Maqedonisë Perëndimore. Ndër ta pati edhe nxë­nës e stu­dentë të dikurshëm të tij, bashkëveprimtarë e të burgosur politikë. Të pra­ni­shëm nga Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës qe­në edhe veprimtarët e njohur, Hydajet Hyseni, kryetar, Av­ni Dehari (Kumanovë), Fatos Aliu (Preshevë) etj.. Fjalë rasti për jetën dhe ve­p­rim­tarinë e prof. dr. Fadil Sulejmanit mbajti prof. dr. Vebi Bexheti, kurse vëllezërit Sejdiu kënd­uan këngë kre­narie për Fadilin, bashkëfshatarin e tyre.

Fadil Sulejmani, themelues, drejtues e profesor i Universitetit të Tetovës (1994-), student i dalluar i gju­hës dhe i letërsisë shqipe, në Prizren e në Prishtinë, pjesëtar i Lëvizjes Studentore të vitit 1968, vepri­mtar i njohur i çështjes kombëtare dhe paj­tim­tar i gjaqeve, njeri i fjalës dhe i qëndrimit burrëror, i arre­stuar disa herë nga policia dhe i burgosur po­li­tik, hu­lumtues i njohur i terrenit dhe stu­diues jashtë­zako­nisht i zell­shëm, i doktoruar në Prishtinë dhe i spe­cializuar në Gjermani e në Itali, bën pjesë në grupin e gju­hëtarëve tanë më të njohur. Ndihmesat e tij edhe në fushën e etnologjisë janë po ashtu me pe­shë të madhe. Me shumë breza studentësh ka punuar edhe në Universitetin e Prishtinës, 1971-1994.

Pjesa e dytë e veprimtarisë ditore u zhvillua në katundin afër Bozovcës, në Veshallë. Në oborrin e shko­llës fillore  ‘’Besa’’ pati program kulturor, artistik e sportiv, nga të rinj e të reja nga Malësia e Sharrit, Tetova e Go­­stivari. Motoja e këtij solemniteti ishte ‘’Sharri nuk ndan, Sharri bashkon Du­kagjin e Po­ll­og!’’. Pllaka e zbuluar konsiderohet  simbol i rrugës historike Tetovë –Prizren dhe nevojë e domosdo­sh­me për tunelin që duhet të hapet për t’i lidhur Pollogun me Rrafshin e Du­ka­gjinit.

Këto veprimtari u organizuan nga KO e OJQ-së ‘’Nisma ‘68’’, z. Xhemil Daci, dhe u finacuan nga dr. Lazim Destani, biznesmen tejet i sukseshëm, por edhe shumë i njohur për bëmirësi dhe për financim të aktiviteteve të ndryshme.

Filed Under: Histori Tagged With: 50 vjetori, pervjetori i Skenderbeut, tetova '68, Zymer U. Neziri

Ah, malli i Shiperisë…!

July 23, 2018 by dgreca

Nga Jahja LLUKA/

Ah, malli i Shiperise , malli i atdheut të dashur, i shenjtë mall dhe dashuri e shenjtë, kush është ai shqiptar që s’e ka pasur në dhe të huaj! Duhet të jesh jashtë Shqipërisë, e të jesh larg, për të kuptuar se ç’forcë e ç’bukuri të ëmbël ka për veshët kjo fjalë: Shqipëri! – Faik Konica Duke pasur parasysh që numri i shqiptarëve është shumë më i madh, jashta atdheut sesa brenda, është domosdoshmëri që diasporës ti kushtohet vëmendje e veçantë; duke përdorur një strategji konkrete në raport me të. Përderisa potenciali i saj mbetet i lartë në shumë fusha, shtetet shqiptare duhet të jenë të hapura së pari në thithjen e trurit nga jashtë, poashtu në krijimin e mundësive për investime në ekonomi, arsim e shëndetësi, të cilat do të krijonin një ambient të mirëqenë për popullatën brenda atdheut dhe rikthimin e shpresës dhe dëshirës për ta bërë vendin.Sepse ne mund të jemi në gjithë botën por kemi vetëm një shtëpi, me rrënjet e së cilës jemi të lidhur përjetësisht. Por për tu bërë racional dhe praktik duhen të merren vendime të prekshme të cilat do ishin frytdhënëse në raport me diasporën. Kushtetuta duhet ndryshuar për t’iu dhënë mundësinë e votimit diasporës, kështu do kishin përfaqësuesit e tyre në parlamentet shqiptare. Fati i një pjese të madhe të kombit tonë ka qenë që në periudha të ndryshme të ndryshme të historisë të shpërngulet nga trojet e veta përshkak të luftrave, eksodeve dhe faktorëve të tjerë. Por pavarësisht faktit që ishin larg atdheut, diaspora shqiptare dha kontribut të rëndësishëm, në shumë procese përfshirë këtu krijimin e shtetit shqiptar me 1912 dhe poashtu vazhduan misionin e tyre deri në pavarësimin e Kosovës. Madje edhe në ditët e sotme, diaspora është kontribuesi kryesor në mirëqenien e shumë familjeve në vend e që kanë ndikim të drejtë për drejtë në progresin e përgjithshëm të shoqërisë shqiptare. Duke e pasur të gjallë frymën patriotike të trashëguar nga pasardhësit të cilët vdiçën me mall për Shqiptarinë, sot gjeneratat e reja përveç që po shkëlqejnë në karrierë në fusha të ndryshme,ata asnjëherë nuk po i mohojnë rrënjet, përkundrazi po e ngrisin lart kombin shqiptar me veprat e tyre brilante. E pamë Kampionatin Botëror të Futbollit, ku djemtë tanë shkëlqyen duke na dhënë vullnet dhe duke i treguar botës se shqiptarët janë bartësit e civilizimit të lashtë, në shtyllat e të cilit qëndrojnë sot vlerat perëndimore. Fakt është që diaspora jonë, jo vetëm që ka ndihmuar atdheun por ajo u integrua në ato vende dhe kontinente ku është prezente, ku përveç fuqisë punëtore, ajo nxjerri koka intelektuale të kalibrit botëror, artistë e sportistë të cilët po mahnisin botën. Duke pasur parasysh që numri i shqiptarëve është shumë më i madh, jashta atdheut sesa brenda, është domosdoshmëri që diasporës ti kushtohet vëmendje e veçantë; duke përdorur një strategji konkrete në raport me të. Përderisa potenciali i saj mbetet i lartë në shumë fusha, shtetet shqiptare duhet të jenë të hapura së pari në thithjen e trurit nga jashtë, poashtu në krijimin e mundësive për investime në ekonomi, arsim e shëndetësi, të cilat do të krijonin një ambient të mirëqenë për popullatën brenda atdheut dhe rikthimin e shpresës dhe dëshirës për ta bërë vendin.Sepse ne mund të jemi në gjithë botën por kemi vetëm një shtëpi, me rrënjet e së cilës jemi të lidhur përjetësisht. Por për tu bërë racional dhe praktik duhen të merren vendime të prekshme të cilat do ishin frytdhënëse në raport me diasporën. Kushtetuta duhet ndryshuar për t’iu dhënë mundësinë e votimit diasporës, kështu do kishin përfaqësuesit e tyre në parlamentet shqiptare. Përderisa ekziston vullneti i diasporës që të ndihmojë vendin ku përket, njashtu shtetet shqiptare duhet të shfaqin vullnetin për të ndryshuar ligjet kushtetuese ku përfshihen mërgimtarë të zot të cilët do të kontribonin në zhvillimin e demokracisë në vend. I kemi shembull arbereshët që edhe pse numërojnë shekuj, jashta atdheut, nuk harruan gjuhën , kulturën dhe traditën. Kemi arvanitët në Greqi të cilët janë miliona, e që ruajnë me fanatizëm rrënjët dhe gjuhën e vjetër pavarësisht politikës naciste sllave. Kemi arnautët të cilët e mondernizuan Egjiptin dhe Turqinë e që janë miliona, duke mos harruar se nga vijnë. Kemi diasporën në Perëndim që dhanë shumë për çështjen shqiptare, diasporën në Amerikë e cila e ngriti në nivel botëror kauzën shqiptare duke i dhënë shpresë e dritë kombit në ditë të vështira. Andaj diaspora duhet trajtuar si asset i rëndësishëm e që nuk duhet të mbesin vetëm fjalë në këtë drejtim por vendime të prekshme nga ana e qeverive shqiptare sepse gjaku nuk tjetësohet e as nuk bëhet ujë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Ah, Jahja Lluka, ma;lli i Shqiperise

ARBNORI: POLITIKA MË KA ZËNË DERËN, LETËRSISË IA KAM ZËNË DERËN

July 23, 2018 by dgreca

Intervistë e Editorit të  Gazetës Dielli(1994-2009), Anton CEFA me shkrimtarin Pjeter Arbnori*/

2-anton-cefa

“Politika më ka zënë derën, letërsisë ia kam zënë derën dhe nuk them se më ka dëbuar”/

1 arbnori

 

“Dielli”-Në krahasim me politikën, vështirësitë, rrugët e rrugicat e saj, zhgënjimet e dështimet e saj, ju keni vlerësuar më shumë hapësirën e ndriçme të artit letrar; por, në momente të caktuara e periudha të veçanta, epërsinë e ka pasë e para. Si e konceptoni shtysën e brendshme shpirtërore ndaj këtyre dy veprimtarive, që kanë karakterizuar më së shumti jetën dhe personalitetin tuaj?

Pjetër Arbnori-Veprimtaria politike dhe letrare janë të ndërthurura në jetën time dhe nuk shkëputen dot nga njëra-tjetra. Që në fëmini kam pasur një jetë shumë të dendur me ngjarje dhe shumë të ngjeshur me mbresa të pashlyeshme qofshin të mira qofshin të dhimbshme. Vështirësitë e jetës dhe gëzimet e pakta më kujtojnë ditët e vranta kur dielli për disa çaste e nxjerr syrin e ndriçëm, të cilin e mbyll sapo fillon rrebeshi. Kryesorja në jetë ka qenë grumbullimi i përshtypjeve që shtresohej muaj pas muaji, vit pas viti. Jo vetëm shikoja, ndieja por edhe mbaja mend dhe nxirrja përfundime. Për natyrë nuk kam qenë njeri agresiv, as ekspansiv, por jam përpjekur t’i bluaj ato që kam jetuar. Jo gjithmonë e kam shprehur atë që përjetoja, kështu që rruga më e mirë ka qenë në fillimet poezia ajo që më ndihmonte të shpreh shpirtin tim të ndjeshëm. Me mësime kam shkuar shumë mirë, kështu gjatë viteve jo vetëm që kam dalë i pari i klasës, po më dukej krejt e natyrshme që të isha i pari. Ambicja positive më ka shoqëruar gjithë jetën: “kam luftuar të ndërtoj një strehë për vete pa lënë tjetrin në shi; të siguroj një kafshatë bukë pa ia hequr tjetrit kafshatën nga goja.; të përpiqem të shkollohem pa e lënë tjetrin në errësirë; të  rropatem në pranga për të ndriçuar robërinë time pa ia rënduar jetën shokut pranë.” Është krejt e natyrshme që në këto rrethana është letërsia ajo që do të më tërhiqte për të paraqitur gjithçka që kisha provuar dhe ndier. Që në fëmini kam lexuar shumë. Babai më ka lënë një pasuri të madhe: një bibliotekë që e kam shfrytëzuar si duhet. Jam rritur me Fishtën, Lasgushin, Mjeden, Nolin, Konicën, Migjenin, Koliqin, Kutelin. Nuk e fsheh se kam dashur t’u ngjas sadopak këtyre. Po këtu hyn politika: tre prej tyre isha i detyruar t’i lexoja fshehtas, se i quanin reaksionarë. Veç kësaj, në fillim të vitit 1948, më futën motrën në burg për arsye politike. Nënën dhe motrën tjetër, m’i kanë pushuar disa herë nga puna, sado që ato bënin punë të rëndë krahu. Veç kësaj, pas vitit 1945, filluan kontrollet, arrestimet, gjyqet e pushkatimet në qytetin tim, Shkodrën, madje në gjithë Shqipërinë.

Të gjitha këto bënë që të përzihej politika me letërsinë dhe të pasqyroja mbresat dhe ndjenjat duke shkruar ndonjë poezi apo duke mbajtur ndonjë ditar, që natyrisht shpesh grisej ose digjej nga frika e kontrolleve. Vuajtja më bëri të merrem me politikë, politika më çoi me ndërgjegje drejt burgut; burgu më pasuroi shpirtërisht dhe më bëri të njoh anë të paprovuara të jetës; në kushtet e një mbylljeje hermetike, iu drejtova letërsisë për të dytën herë me dëshirën të pasqyroj të vërtetën.

Kur u arrestova, shumicën e shkrimeve të rinisë m’i konfiskuan dhe m’i zhdukën. Që kur munda të marr shënime në burg, nisa të mbajë një ditar të fshehtë me titullin e dukshëm: Pjetër Arbnori-Folklor (mbledhur nga goja e popullit ose vjelë nga shkrime të ndryshme)-Proverba-Gjë e Gjëza-Toponomastikë-Gazmore-Këngë popullore-Grimca historike, etj., etj. Titulli i fshehtë ka qenë: LUFTA PËR TË MBETUR NJERI. Një pjesë të këtij ditari të fshehtë, të mbajtur për afër 28 vjet, e kam nxjerrë me shumë kujdes, sakrificë e rrezik dhe shpresoj që heret a vonë ta botoj pas deshifrimit tepër të vështirë që i duhet bërë. Kush ka vizituar studion time-papafingo- e ka parë, shfletuar dhe fotografuar.

Të gjitha këto i kam bërë i shtyrë nga lufta për ta bërë padrejtësinë drejtësi. Kuptohet që kjo mbetet një përpjekje që nuk mund të realizohet kurrë plotësisht as në realitet, duke u marrë qoftë me politikë qoftë me letërsi. Në letërsi je më i lirë se në politikë.

Dielli – Edhe pse pjesën më të mirë dhe më të bukur të jetës e keni kaluar në robërinë e errët të burgut, ju e keni ndjerë veten gjithnjë shpirtërisht të lirë. Cila do të ishte marrëdhënia mes lirisë shpirtërore dhe letërsisë artistike, si atribut shpirtëror, në kushtet e robërisë fizike, në veçanti, dhe në kushtet e një jete normale, në përgjithësi?

Arbnori – Kam shkruar në ligjëratën mbajtur në Universitetin e Romës “La Sapienza”: “Jeta është një përpjekje për të zgjëruar çdo ditë kufijtë e lirisë, për të hapur çdo ditë kufijtë e kontaktit me botën, me realitetin. Kur nuk mund t’i thyesh kufijtë që të rrethojnë ka edhe një mënyrë tjetër për të hyrë në botën e lirisë që është mjaft e mundimshme, por më efikase: zgjërimi i lirisë në veten tënde, në mendjen dhe në shpirtin tënd. Kjo bëhet me anën e punës serioze intelektuale, me anë të mendimit, diskutimit dhe shkrimit”.

Në burg, në diktaturë mendimi nuk mund të ndalohet dot, përkundrazi nxitet edhe më tepër, diskutimi është me shumë rreziqe, po jo i pamundur; ndërsa shkrimi është një provë materiale në bazë të së cilës mund të dënohesh për të dytën herë, siç më ka ndodhur mua kur më shtuan dhjetë vjet për romanin “Shtëpia mbetur përgjysmë”. Shkrimi në burg është shkrirja e përvojës tënde, e kujtimeve, e vëzhgimit të përditshëm, e diskutimeve. Mendja të ndihmon për të sajuar metoda që realisht të bëjnë përherë e më të lirë derisa i afrohesh lirisë absolute. Unë kisha gjetur një metodë që më dukej origjinale. Duke qenë se për çdo mendim të shprehur mund të gjindej shkaku për të të dënuar, shumicën e veprave të mia unë i kam quajtur të përkthyera nga anglishtja, nga frëngjishtja, nga italishtja, nga rusishtja apo nga gjermanishtja. Vija poshtë kopërtinës: përkthyer nga Pjetër Arbnori. Autorin e vija ose tepër të madh ose të panjohur. Kisha edhe një metodë tjetër: ngjarjet ose i ndërroja në kohë ose vende. Ngjarjet apo personazhet ishin të ndodhura në Shqipëri dhe unë i kaloja në Gjermaninë naziste (1933-1939): “Kur dynden vikingët” ose në Bashkimin Jugafrikan (1960-1970): “E bardha dhe e zeza” ose në Irlandë e Angli, në kohën e luftës së irlandezëve për pavarësi: “Brighton-një vetëtimë e largët” ose ngjarjet e arrestimit të Grupit të Rezistencës (1950) i kaloja në ngjarjet tek “Vorbulla” e pas Lidhjes së Prizrenit 1878-1882, e kështu me radhë. Analogjia më ndihmonte për të përshkruar personazhe reale që i kisha njohur vetë në liri apo në burgje, apo për të cilët kisha dëgjuar nga bashkëvuajtësit. Në këto rrethana “të sajuara” kam qenë krejtësisht i lirë në plazmimin e personazheve, të dialogeve, të ngjarjeve, aq sa tani që i kam shpëtuar, nxjerrë e botuar romanet, kur m’i lexojnë shokët e vuajtjes që kanë mbetur gjallë, më thonë “sa bukur e ke përshkruar Ndrekë Kakarriqin apo filanin e filanin, pra më thonë emra personash të vërtetë dhe jo personazhesh të romanit.

Përshkrimi i burgut dhe i të burgosurve, hetuesve dhe policëve a gardianëve te romani “Vorbulla” është identik me ato që kam parë me sytë e mi ose dëgjuar prej shokëve të mi që njiheshin për besnikëri përshkrimi. Kur lexoja faqet e shkruara emocionohesha vetë po aq sa emocionoheshin shokët që i lexonin.

Dielli – Cilën arritje tuajën vlerësoni më shumë në fushën e politikës, të letërsisë artistike dhe të vetë jetës?

Arbnori – Kam luftuar për të drejtën me anën e më të dobëtit; kur kam arritur të bëhem i fortë me fitimtarët nuk i kam vënë këmbën në fyt kundërshtarit. Në letërsi kam përshkruar të vërtetën pa e lustruar, kam dialog të gjallë dhe humor të shëndoshë: romani “Shtëpia e mbetur përgjysmë”. Në jetë nuk e kam humbur besimin edhe kur isha në grykën e varrit; në të gjitha rrethanat jam munduar të gjej anën gazmore, edhe në kushtet tragjike. Ndjek parimin: po të thuash mirë, bëhet mirë.

Dielli – Ku e ndjeni veten më të talentuar: në politikë a në letërsi dhe cila ju ka dhënë më shumë kënaqësi në jetë?

Arbnori – Kam qenë i detyruar të merrem me politikë, megjithatë gjithë jetën e kam bërë pa hile qoftë ndaj shokëve qoftë ndaj kundërshtarëve. Për natyrë unë ia them cilitdo të vërtetën në sy (pa mendimin që ta denigroj ose që t’ia fus stërkëmbësën). Krenohem që nuk kam tradhtuar miqtë në kushte të vështira. Si shembull talenti në politikë: një herë duke folur në Kuvend u thashë spontanisht kundërshtarëve: ju nuk jeni socialistë por jeni “specialistë”. Unë shpresoja t’i indinjoj, t’i bëj të bërtasin, por të gjithë djathtas e majtas shpërthyen në gaz. Kanë kaluar vite dhe ende qoftë njerëz të thjeshtë qoftë me pozitë, të njohur e të panjohur, si me gojë si me shkrim ma përsërisin”Pjetër ia ke gjetur pikën: “nuk janë socialistë, por specialistë”. Në letërsi shkrimtari është si babai që ka shumë fëmijë dhe nuk dallon asnjërin veçanërisht, por unë kam më kanakar romanin “Shtëpia e mbetur përgjysmë” për realitetin e Shkodrës më 1943-1944, për humorin në vuajtje dhe për dialogun e gjallë. Ajo është arritja ime. Në jetë shokët më mbajnë mend që nuk kam bërë njëherë uh! , as oh!, as në prak të vdekjes, as në hekura, as gjatë më se 28 vjetëve në burg. Gjeta nënën gjallë dhe më pa të martuar, deputet të respektuar. Talenti im i madh është se kam një djalë e një vajzë si pëllumba, të bekuar nga Nënë Tereza vetë, siç më ka bekuar edhe mua dhe gruan time. A ka talent më të madh dhe arritje njëherësh.

Dielli – Letërsia e krijuar në burgje u bë e njohur mbas rënies së diktaturës. Cili është mendimi juaj për këtë letërsi: sa e si e dëshmon ajo veten si një kapitull i veçantë i historisë së letërsisë sonë? Lidhur me këtë, kjo letërsi, përveç jush, njeh krijues të tillë të fuqishëm si Trebeshina dhe Zhiti. Ka emra të tjerë që i bëjnë vetes një vend të merituar këtu?

Arbnori – Synimi i diktaturës ishte që të zhdukte do gjurmë të mendimit të lirë dhe çdo faqe artistike të krijuar në kushtet e burgut, internimit ose fshehtësisë. Dihet se veprimi i parë që bëhej nga njerëzit e ndjekur kur kërcënoheshin nga arrestimi ishte djegia e letrave të shkruara ose fshehja e tyre. Janë shumë të paktë krijuesit, qoftë edhe ata tepër të kujdesshëm, që nuk kanë pasur një fletë për të zhdukur, kur janë kërcënuar ose kanë pasur dyshim se do të kontrolloheshin. Unë vetë, megjithëse shumicën e kohës kam ndenjur i izoluar ose me shoqëri të kufizuar burgu, mund të dëshmoj se kam njohur një numër njerëzish të talentuar që në kushtet më të vështira kanë shkruar një faqe, dy faqe, dhjetë faqe që i kanë qarkulluar në shokë tepër të besuar. Letërsia, përgjithësisht arti, nuk mund të gjallojë pa i lexuar njeri krijimet, pa i parë ose pa i dëgjuar kush. Në burgun e Burrelit qarkullonin poezi që u recitoheshin shokëve e miqve gjatë ajrosjes (kurrë nuk recitoheshin me zë në dhomë), këndoheshin këngë me zë të ulët në ajrosje (pasi kënga në dhomë ishte e ndaluar me kërcënimin e ndeshkimit). Nuk duhet harruar se kontrollet e imta bëheshin çdo javë, duke nxjerrë dyshekët në oborr, ushqimet, librat, fletoret. Rrëmoheshin edhe fletët e pusullat e vogla. Më e pakta asgjësoheshin. Di që shkruheshin dhe kam lexuar prej tyre ese nga Mirash Ivanaj e Xhevat Korça, leksione juridike nga Engjëll Çoba, leksione estetike dhe logjike nga Koço Tasi, leksione filozofike nga At Pjetër Meshkalla. Kam dëgjuar këngë të bukura nga Gac Çuni dhe Tanush Kaso; kam lexuar poezi të ndjera nga Kudret Kokoshi, Jorgo Bllaci, Pano Taçi, proza poetike nga Astrit Delvina. Por mund të them se secili autor i ruante krijimet e veta vetë dhe mendonte si mund t’i kalonte jashtë, gjë që nuk ishte aspak e lehtë.

Edhe unë si ju mendoj se emëri i Kasëm Trebeshinës dhe i Visar Zhitit janë të spikatur, por i takon kritikës kompetente dhe të ndershme të thotë fjalën e vet për të tjerët.

Dielli – Vihet re rëndom, në këtë periudhë të trysnisë së çoroditur politike, të kësaj gjendjeje shpirtërore traumatike dhe të këtij çorientimi të përgjithshëm kulturor, përveç mungesës së një kritike të shëndoshë letrare, edhe një përpjekje dashakeqe për ta lënë në heshtje këtë letërsi, mos edhe për ta përbuzur dhe bile për t’ i nxjerrë namin e keq.

Arbnori – Përgjigjja është e thjeshtë. Kritika e shëndoshë letrare është e mangët dhe ka qenë e dukshme përpjekja dashakeqe e një kategorie të caktuar për ta lënë në heshtje këtë letërsi disidente, madje edhe është denigruar ajo me qëllim. Sidomos për shkakun se mijëra firma, miliona faqe e miliarda lekë të shpenxuar për të ngritur në qiell një ideologji të rreme, një letërsi të shpifur, një lavdi të fryrë si tollumbace doli bosh. Ish-shkrimtarëve u dhimbset letra e shpenzuar kot dhe u vjen edhe më keq që nuk mund të krijojnë në liri vepra të reja për të qenë, prandaj janë dashakeqës ndaj të tjerëve.

Dielli – Letërsia rreh të zbulojë botën e brendshme të njeriut, në përpjekje për të depërtuar në thellësitë e saj më të panjohura dhe për ta humanizuar atë. Çfarë mendimi keni për letërsinë e realizmit socialist, që lulëzoi në vendin tonë, duke u nisur nga fakti që ajo pati një hero të rremë, pasqyroi një realitet të shpikur dhe jetësoi një mesazh të pamoralshëm?

Arbnori – Realizmin socialist unë e kam quajtur publikisht RRENALIZMI SOCIALIST dhe jo pa arsye.

Dielli – Në veprat më të arrira të realizmit socialist u ngjiz një kontradiktë e fuqishme mes mjeshtërisë së lartë artistike dhe mesazhit të saj negativ, gjë që dëmtoi së tepërmi formimin e bereznive të reja. Si i gjykoni këto vepra ?

Arbnori – Me gjithë përpjekjet për rrafshimin e mendjeve dhe talenteve, edhe diktatura kishte nevojë për disa mjeshtra të spikatur të fjalës artistike, të cilët përpiqej t’i kishte nën kontroll dhe të lavdërohej me ta nëpër botë. Këta mjeshtër herë pas here goditeshin më rëndë ose më lehtë sipas planifikimit. Ndodhte rrallë që ata i dilnin edhe nga kontrolli diktaturës siç ka ndodhur me shkrimtarin Ismail Kadare, i cili në shumicën e rasteve i kapërcente kornizat. Ky shkrimtar i shquar më kujton një thënie të Bedri Spahiut, ish-udhëheqës komunist më vonë disident në burgjet e diktaturës, i cili më thoshte: “Unë jam i lirë në ujë, por nuk jam i lirë nga uji. Kur më vjen dëshira e madhe për pavarësi kërcej disa herë si peshku mbi sipërfaqe, shikoj botën po edhe më shikon bota siç jam dhe sa vlej…”

Dielli – Sado e egër që qe diktatura, tek ne pati një disidencë politike të hapur e të organizuar dhe ju keni qenë një ndër përfaqësuesit e saj më të mëdhenj. Si e shpjegoni që nuk ndodhi një gjë e tillë në fushën e krijimtarisë artistike, ku, në këtë drejtim, pati vetëm përpjekje të veçuara të ndonjë personaliteti?

Arbnori – Jam i rezervuar për pohimin tuaj. Ka pasur përpjekje dhe tentativa serioze për disidencë politike të hapur dhe të organizuar që nga 1945 deri më 1990, por diktatura ka qenë e pamëshirshme, madje provokuese. Është për t’u nderuar inteligjenca shqiptare dhe shtresat e ndryshme të popullsisë për rezistencën që i bënë komunizmit. Këtë e vërtetojnë grupet e ndryshme të dënuara, mijëra njerëzit e pushkatuar, të burgosur, të internuar dhe të arratisur. Kjo tregon papajtueshmërinë e popullit tonë me ideologjinë e kuqe. Nga ana tjetër ka pasur edhe shumë gjyqe false të cilat sajoheshin për t’i futur frikën pjesës tjetër të popullsisë.

Po kështu ka ndodhur edhe në fushën e krijimtarisë artistike, ku shkrimtarët e afirmuar vdiqën në burg : Vinçenc Prennushi, Ethem Haxhiademi; bënë burg: Mitrush Kuteli, Petro Marko, Kasëm Trebeshina, Visar Zhiti, Jorgo Bllaci, Pano Taçi, etj. . Ata që nuk u burgosën jetuan nën trysni, gjithmonë të kontrolluar: Lasgush Poradeci e tjerë, të cilët dogjën vetë dorëshkrimet ose ia dogjën të afërmit e tyre nga frika. Sot është e kotë të vajtojmë për vlerat e humbura, por t’u japim vlerën e vërtetë atyre që kanë mbetur si relike të një kohe që duhet pasqyruar medoemos me vërtetësi në mënyrë që të mos përsëritën shëmtirat e një murtaje intelektuale që brezi i ri duhet ta njohë.

Dielli – Prof. Gradilone i Institutit të Studimeve Shqiptare të Universitetit “La Sapienza” të Romës, në monografinë për veprat tuaja, pasazhe të ndryshme të tyre i ka përqasur me emra të tillë botërorë si Verga, Manxoni e deri te Homeri. Po ashtu, novela juaj, “Kur dynden vikingët”, në parathënien e Shefki Hysës, është krahasuar me “Fatin e njeriut” të Shollohovit, “Shkretëtirën tatare” të Dino Buxatit, “Plakun e detin” të Hemingueit. Cilët nga autorët e letërsisë botërore ju pëlqejnë më shumë dhe cili prej tyre mendoni se mund të ketë ndikuar në punën tuaj?

Arbnori – Profesor Giuseppe Gradilone, nxënës dhe pasues i Ernest Koliqit, ka shkruar një monografi me titullin “Pjetër Arbnori – Shkrimtar”. E falënderoj për analizën serioze dhe dashamirëse me të cilën më ka paraqitur. Sa për përqasjen me emra botërorë, mua nuk më rritet lehtë mendja, vetëm se ia shtoj detyrën vetes për t’u përngjarë sadopak atyre titanëve dhe më duhet të mos e ndaj limën nga dora. Me që më pyesni, unë do të them se adhuroj Shekspirin edhe pse nuk kam mundësi të shkruaj asnjë tragjedi, dramë apo komedi; kam nderim për Tolstoin sadoqë ky i fundit kishte mendim të gabuar për vlerat e Shekspirit. Ndër prozatorët pëlqej në mënyrë të posaçme Çehovin, Sarojanin, O’ Henrin, Heminguein e Buxatin. Kam lexuar pa kufi gjithmonë. Kur kisha kohë nuk kisha libra, tani kam libra nuk kam kohë. Lexoja çdo gjë që më binte në dorë, lexoja shpejt në mënyrë diametrale. Po kur më bie në dorë një vepër e mire, e lexoj dy herë, madje edhe dhjetë here, kur është fjala për një autor si Shekspiri.

Shkrimtari i mirë nuk mund të kopjohet, se bëhesh qesharak, por mjeshtri i madh depërton me metodën e tij sa të hyn në të gjitha qelizat tuaja. Nuk e kam për turp të ndikohem nga veprat e mëdha botërore, por gjithmonë jam kujdesur që të kem të dallueshme firmën time.

Dielli – Po i derjtohem prapë Gradilone-s që ju ka cilësuar si shkrimtar që “i përket brezit të rritur nën regjimin komunist, por me kujtesë edhe parakomuniste”. Sa e si është pesha e kësaj kujtese në krijimtarinë tuaj?

Arbnori – Vërtet jam i rritur në regjimin komunist, por kujtesat e fëminisë i kam përherë të freskëta. Pa adhuruar asgjë të mykur, kam pëlqyer jetën e lirë e të pakomanduar. Po të jetë për të besuar, nuk kam dashur kurrë të adhuroj perënditë e tokës por perëndinë në qiell, që është më i gjerë, më i lartë, më i pafund. Idetë komuniste nuk më kanë marrë kurrë mendjen.

Dielli – Pjesën më të madhe të veprave tuaja i keni shkruar në burg, ku kishi kohë, kushte jo. Tani që jeni i lirë ndodh e kundërta. Mendoj që kohën më të madhe ia kushtoni politikës. A është e vërtetë?

Arbnori – Unë çdo gjë e marr seriozisht në jetë, edhe politikën. Vazhdoj të punoj edhe në letërsi. Nuk kam bërë ndonjë gjë të madhe, po jo edhe pa vlerë. Politika më ka zënë derën, letërsisë ia kam zënë derën dhe nuk them se më ka dëbuar. Ngrihem çdo ditë mëngjes heret, shpesh në katër e gjysmë ose pesë. Gruaja dhe fëmijët flejnë, unë lexoj ose shkruaj. E ndiej që gjithnjë kam shumë gjëra që duhen kryer, plotësuar. Në politikë shpejt njerëzit harrohen. Përpiqem që njerëzit mos të më kujtojnë për keq. Në letërsi, një pjesë e njerëzve kujtohen më gjatë. Dëshiroj që brezat e ardhshëm, nëse do të qëllojë që të më kujtojnë, të mos thonë se i kam gënjyer, mashtruar ose kam shkruar me mllef.

Dielli – Cili është mesazhi i jetës dhe i veprimtarisë suaj për breznitë e ardhshme ?

Arbnori – Mos qaj, mos vajto, qëndro gjithmonë drejt, jo në gjunjë, po u rrëzove, ngrihu përsëri në këmbë dhe ec përpara. Thuaj dhe shkruaj gjithmonë të vërtetën, dhe mbroje në çdo rrethanë e me çdo kusht. Po besove gjithnjë, do ta kesh rrugën të hapur.

Dielli – Është bërë zakon ndër intervista të bëhen pyetje për planet e së ardhmes.

Arbnori – Kur të pushoj së punuari, së menduari, së shkruari, atë herë kam vdekur. Edhe në marrsha frymë pastaj, gjalloj më kot. 

  • Botuar në “Dielli”, v. 2004, nr. 3.

————————————————————————————————————-

Veprat e botuara të Arbnorit:

Letërsi   artistike

-“Kur dynden vikingët”, novelë, 1992

-“Mugujt e Mesjetës”, roman, 1993

-“Bukuroshja me hijen”, novelë, 1994

-“E bardha dhe e zeza”, roman 1995

-“E panjohura – Vdekja e ‘Gebelsit”, novela, 1996

-“Shtëpia e mbetur përgjysmë”, roman 1997, për të cilin autorit iu shtuan 10 vjet burg.

-“Vorbulla”, roman, 1997

-“Brajtoni, një vetëtimë e largët”, roman, 2000

Letërsi dokumentare e publicistike

 

-“Letër nga burgu”

-“Lufta për të mbetur njeri”, intervista 1992- 2000

-“Pjeter Arbnori: shkrimtar-politikan-njeri” 2001, botim i ilustruar autobiografik.

-“10300 ditë e netë në burgjet komuniste”, 2003, (botuar në shqip dhe në anglisht).

-“Martirët e rinj në Shqipëri – i nuovi Martiri in Albania”, 2004, (botuar në shqip dhe në italisht).

-“Martirët në Shqipëri – The Neë Martyrs in Albania”, 2004, botuar në shqip dhe në anglisht).

Përkthime:

-Andrea Morua “Historia e Anglisë”, 1998

Gati për botim -William Shirer “Ngritja dhe rënia e Rajhut të tretë” (në dy vëllime), përkthyer në burg, në vitin 1988.

Filed Under: Featured Tagged With: Anton Cefa, Interviste, Pjetër Arbnori

REZERVOJE DATEN- “FORCA E KELMENDIT” E AUTORIT ZEF NAÇI PROMOVOHET ME 18 GUSHT

July 23, 2018 by dgreca

-Libri me titull”Forca e Klemendit” e autorit Zef Naçi do të promovohet në Qendrën”Nënë Tereza” pranë Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” me 18 gusht 2018, Ora 4.00 P.M-/

Promovimi

Sapo ka dalë nga shtypi libri më i ri që i kushtohet Kelmendit dhe Kelmendasve nacionalistë i shkruar nag inxhinieri Zef  Naçi. “Forca e Kelmendit” është një libër intersant, që sjell jo vetëm Historinë dhe bukuritë natyrore( të kësaj Perle të gjakosur), figurat e shquara të kësaj treve që nga Papa Klementi XI(Gjon Francesk Albani), Nora e Kelemndit, Ujk Gila, Nikë Lekë Pep, Prekë Cali, Aleksander Sirdani, e deri tek Angjelin Prelocaj, …por dhe historinë e qëndresën e Kelmendasve përballë pushtusëve dhe diktaturës komuniste. Libri fokusohet tek njëri prej qëndrestarëve përballë diktaturës komuniste, martirit Nikollë Mrnaçaj, kalvarit të tij dhimbshëm, dhe fatit të pjestarëve të familjes.

Siç shkruhet në përcjelljen që i bën librit gazetari Ndue Lazri, redaktor i librit: Në këtë libër lexuesi gjen figurën e një protagonisti, që është epiqendra dhe shembulli tipik i njeriut të dënuar pa faj, Nikollë Mernaçaj. Figura e tij del nëpërmjet dëshmive të të tjerëve, atyre që e kanë njohur e bashkëvuajtur me të, të pjesëtarëve të familjes e të afërmve që vuajtën pasojat e burgosjes dhe internimit të Nikollës. ..Për të dëshmojnë: At Zef Pllumi, Pjetër Delia, Fran Tinaj, Grigor Kokali, Gjok Marku(Bujaj), Jozef Radi, Simon dhe Lek Mirakaj, Gani Neza, Lek Previzi, dhe shumë të tjerë…

Ejani të Shtunën me 18 Gusht, ora 4.00 PM në Qendrën “Nënë Tereza” dhe ndiqeni prezantimin e librit nën promovimin e Shoqërisë kulturore Kelmendi.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Forca e Kelmendit, Nikolle Mernaci, promovim, Zef Naci

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT