• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2018

President Trump, Ju lutem mos dilni në foto me kryepolitikanët shqiptarë!

July 20, 2018 by dgreca

1 Trump ElidaNga Elida Buçpapaj/Shqipëria dhe Kosova vuajnë krizën e keqqeverisjeve, të mosfunksionimit të sistemit, vuajnë prej mungesës së shtetit ligjor, prej korrupsionit, shpërdorimit të pushtetit, nepotizmit, klientelizmit, mercenarizmit që ka paralizuar tregun dhe iniciativën e lirë, që ka paralizuar konkurencën e ndershme, shanset për punë, që ka rritur pasigurinë, papunësinë, pabarazinë sociale, varfërinë, shtimin e shtresave vulnerabël dhe në nevojë.

Nga ana tjetër kemi fuqizimin e një kaste politike që ka uzurpuar çdo instancë të shtetit, përmes një sistemi zgjedhor të degraduar që fuqizon pushtetin e njëshit. Kjo kastë shumë e fuqishme, e privilegjuar, është pasuruar në bashkëjetesë me krimin e organizuar dhe taksave që i merr një populli në mjerim.

Kjo klasë politike ka humbur plotësisht besimin e Sovranit, sepse pasurimi i saj është në përpjestim të drejtë me varfërinë e Sovranit, sa më tepër pasurohet kasta, aq më tepër vuajtjet e popullit agravohen. Në raste të tilla, në një sistem normal demokratik, populli do të kishte shpëtuar me kohë prej tyre, por me një shtet antiligjor, kryepolitikanët janë mbi ligjin, kryepolitikanët e bëjnë ligjin, kryepolitikanët janë vetë ligji!

Qëllimi i tyre është përjetësimi i pushteti. Presidentëve të SHBA në kushte normale Kushtetuta u lejon të zgjidhen vetëm në dy mandate, ndërsa kasta politike në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni është e përhershme. Kjo kastë riciklohet, bën aleanca interesi, por janë gjithmonë ata, të pasuruar, të gjithëpushtetshëm që kanë fatin e popullit në dorë dhe synojnë fuqizimin e tyre edhe përmes lobingjeve në metropolet e Perëndimit, përfshi edhe Washington D.C.

Kjo klasë politike që urrehet nga populli synon të fitojë kredenciale duke u fotografuar me liderët dhe figurat më të fuqishme të politikës botërore, që janë përfaqësuesit e vlerave të Perëndimit, e sidomos me Presidentin e SHBA.

Duke dalë nëpër foto me Ju:

Së pari, ata mashtrojnë popullin, sepse pjesa më e varfër e elektoratit, që nuk ka kushte minimale vetëdijësimi të pavarur, kujton se politikanët shqiptarë që dalin me Ju, janë burra të mirë dhe kësisoj vijojnë e japin votën;

Së dyti, kjo kastë politike, tek e cila Sovrani nuk beson më, kërkon të riparojë imazhin e sterrosur dhe rrënuar,

Së treti, ata synojnë t’i diktojnë popullit se qëndrojnë në pushtet pasi kanë mbështetjen e SHBA !

Populli shqiptar, elita dhe gjithë shqiptarët e ndershëm kanë shpresë të madhe tek Amerika që na ka shpëtuar disa herë nga zhbërja, sepse besojnë me të drejtë se SHBA është vendi i lirive dhe demokracisë së vërtetë.

Fotot Tuaja me kryepolitikanët shqiptarë janë në respekt të plotë me një rit protokollar zyrtar, si konfirmim i marrëdhënieve ndërshtetërore, por politikanët tanë i përdorin për interesa të tyre. Këto foto  nolens volens krijojnë një kontraversëri, sepse Ju duke përfaqësuar shtetin e së drejtës takoheni me shkaktarët e degradimit të sistemit, shtetit ligjor dhe të varfërisë e mjerimit të Sovranit.

Këta kryepolitikanë faqezinj Ju përdorin për të bërë demagogji dhe për të mashtruar Sovranin.

Kur shqiptarët Ju shohin nëpër foto me kryepolitikanët që sillen si sulltanë me Sovranin më së paku po them se dëshpërohen shumë dhe bëhen edhe më shpresëhumbur! Sepse gjatë këtij tranzicioni mbi çerek shekulli janë ndërruar pesë presidentë dhe SHBA, ndërsa shqiptarëve iu ka mbetur mbi kurriz e njëjta kastë, që po ua le rininë  pa të ardhme!

Prandaj, Ju lutem, mos dilni më në foto për publikun me kryepolitikanët shqiptarë, sepse ky stanjacion që po vuajnë shqiptarët u dedikohet atyre.

Populli shqiptar meriton foto me Ju, por jo kryepolitikanët!

Populli shqiptar meriton të integrohet në BE, meriton të ketë një sistem demokratik, ku të mbretërojë ligji dhe shteti i së drejtës!

 

*Ky opinion ribotohet, sepse kryepolitikanët shqiptarë dështimet e tyre kërkojnë t’i fshehin duke u fotografuar me kryeburrashtetasin e botës!

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, President Trump

KAPITULLIMI AMERIKAN

July 20, 2018 by dgreca

1 Trump PutinShkruar nga Franco Venturini/“Corriere della Sera”/

            I njёjti Donald Trump qё kishte trajtuar keq aleatёt e Nato-s, i njёjti Donald Trump qё kishte kёshilluar Theresa May-n tё padiste Be, I njёjti Donald Trump qё e kishte quajtur “armike” Evropёn, dje u u kthye nё njё bashkёbisedues  tё pёrkulshёm ndaj njё Vladimir Putini tё dalё fitues nga takimi i Helsinkit.

Nё tё vёrtetё kreu i Kremlinit nuk kishte nevojё t’i shkёpuste lёshime kolegut amerikan: takimi aq shumё i dёshёruar i mjaftonte. Rusia pushonte sё qёni njё fuqi rajonale dhe vёrtetohej nё sytё e botёs (dhe tё televizioneve ruse) njё mbifuqi e pёrgjithёshme qё flet me Amerikёn nё kushte barazie. Ishte ky njё synim qё Moska e ndiqte qё nga dita e rёnies sё Bashkimit Sovjetik. Por Trump-i, nё mёdyshje se kjo nuk do tё mund tё mjaftonte, deshi t’i shtojё nga vetja diçka tjetёr.

Bashkёbisedim i shkёlqyer, skajshmёrisht prodhues. Heshtje mbi Krimenё. Nё konferencёn pёrfundimtare tё shtypit njё gazetari amerikan, pёr tё marrё vesh diçka, i u desh tё pyeste Putinin, me pёrgjigjen e njohur qё mё parё. Nёse marrёdhёniet ruso – amerikane janё mё tё kёqiat e mundёshme, kjo i kushtohet marrёzisё sё administratave tё mёparёshme tё SHBA.

Duhet guximi i diplomacisё, un Trump-i jam gati tё rrezikoj pёr paqen dhe tё mirёn e popullit amerikan. Ndёrhyrje ruse nё zgjedhjet e 2016-ёs? Ёshtё njё gjueti shtrigash, Putini e ka pёrjashtuar, un i besoj e kam ndonjё dyshim pёr Fbi-nё. Ёshtё qesharake qё Amerika dhe Rusia, qё zotёrojnё 90 % tё armёve bёrthamore, tё paralizohen nga kёta hetime qё janё njё katastrofё e vёrtetё.

Mё pas, nё njё çast tё mirё, njё top i kampionatit botёror tё sapo mbyllur i dhurohet Trump-it nga Putini (nё shkёmbim tё dhuratave tё tjera). “Tashmё topi ёshtё nё fushёn e Amerikёs”, njё kuptim i dyfishtё jo i denjё pёr njё ish Kgb, tё tjera buzёqeshje, tё tjera falёnderime, tё tjera premtime pёr tё punuar sё bashku e pёr t’u takuar sёrish shpejt.

Tё kuptohemi, i gjithё ky ёshtё njё lajm i mirё. Nёse Amerika e Rusia i shtrijnё dorёn njёra tjetrёs, nё vend qё tё kёrcёllijnё dhёmbёt siç bёjnё prej mё se njё viti, nёse konkretizohet njё vullnet i pёrbashkёt pёr tё rimarrё udhёn e çarmatimit atomik, nёse mendohet tё pёrballohen krizat rajonale me njё shpirt bashkёpunimi, sigurisht mund tё thuhet se mbas Helsinkit kemi vetёm deklarata qёllimesh (si nё Singapor me Kim jong-un) por askush nuk mund tё mohojё pa keqdashje se bёhet fjalё pёr njё zhvillim pozitiv.

Megjithatё disa pyetje vihen. Pёrse Trump-i ёshtё kaq agresiv me aleatёt e aq lёshues me atё qё ai vetё e ka pёrcaktuar si njё kundёrshtar? Pёrse presidenti bie nё kundёrshtim me vetveten kaq lehtёsisht sa tё duket edhe karikatural? Takimi i Helsinkit na ndihmon tё kuptojmё, aty ku vёrteton se Tramp-ёr janё dy. Njёri, ai mё i studjuari, i flet bazёs sё tij zgjedhore n’Amerikё dhe ёshtё tashmё nё fushatё pёr t’u rizgjedhur mё 2020: ky Trump kёrkon me zё tё lartё tё ndreqё skandalin e harxhimeve pёr mbrojtjen e Evropёs, keqtrajton zonjёn Merkel, gjuan me top kundёr “soft Brexit” tё Theresa May-t (njё tjetёr grua), pёrcakton armike edhe se vetёm nё tregёti Evropёn, çirret mbi gjithё ata kapituj qё duken se janё nё kundёrshtim me doktrinёn e Amerika First. Me pёrjashtim kur bёhet njё tjetёr Trump, qё ve marrshin mbrapa, pёrgёnjeshtrohet, lёvdon Nato-n dhe May-n, por me pak bujё mediatike e atёherё kur mesazhi i vёrtetё ka shkuar tek ata qё duhet t’a dёgjojnё.

Mirё pra, Rusia dhe Putini janё tё pёrsosur pёr Trump-in e parё dhe nuk ka nevojё mё tё ndёrhyjё mё mbrapa tjetri. Tё punohet pёr paqen, a nuk e duan tё gjithё zgjedhёsit? Nёse gjёrat shkojnё keq i kujt ёshtё faji? I Obamёs, i demokratёve dhe mediave, pёrsosur. Hetimet mbi ndёrhyrjet e Moskёs nё zgjedhjet e 2016 janё njё kompllot, Putin ёshtё i besueshёm. E pastaj, duke bashkёpunuar me Moskёn, mund tё zgjidhen aq probleme, edhe pёrtej pakteve tё çarmatimit. Ndёrmjet tё tjerave, nёse Koreja e Veriut nuk do tё furnizojё pjesёn e fortё pёr tё ndihmuar rizgjedhjen mё 2020, mund tё mendojё Rusia.

Java e Trump-it n’Evropё na ndihmoi pёr t’a njohur mё mirё. Por nёse nё Nato evropianёt me shumё mund do tё arrijnё tё harxhojnё pёr mbrojtjen 2% tё PPB (jo mё shumё) ndёrmjet 2024 dhe 2030, nёse Theresa May do tё vazhdojё tё luftojё deri sa t’a lenё, nёse gjurmёt e kalimit tё Trump-it janё mjaft tё dobta konkretisht (por jo pёr zgjedhёsit e tij), çfarё mbetet nga takimi i Helsinkit? Sigurisht vazhdimi i pёrpjekjeve tё Putinit, nё marrёveshje me Netanyahun mё shumё se sa me Trump-in pёr tё larguar milicitё iraniane nga kufijtё izraelianё e jordanezё. Ndofta edhe njё pёrpjekje marrёveshjeje mbi traktatin Inf, qё ndalon raketat me rreze tё mesme veprimi n’Evropё, veç njё bashkёbisedimi ruso – amerikan pёr tё zgjatur edhe pesё vjet”Startin e ri”, traktatin e firmosur nga Obama e Medvedjev mё 2010 e qё mbaron mё 2021. Nё lidhje me tё, dje nuk pati njoftime tё sakta, por Trump-i dhe Putini disa herё kanё pёrmendurpёrgjegjёsinё e tyre si mbifuqi bёrthamore. Mbi tё gjitha, 2020 do tё ishte vёrtetё i pёrsosur pёr t’i njoftuar zgjedhёsve amerikanё kёtё marrёveshje.

 

“Corriere della Sera”, 17 korrik 2018   E pёrktheu nga italishtja Eugjen Merlika

Filed Under: Politike Tagged With: Eugjen Merlika, Franco Venturini, Kapitullimi Amerikan

U shua Fadil Hasa …e vrau shteti përmes injorimit

July 20, 2018 by dgreca

In Memoriam Fadil Hasa: Seriale turke & shtet kriminal ndaj Artit, Artistëve e Kulturës Shqiptare!/1 elida FadilNga Elida Buçpapaj/

U shua edhe një tjetër yll i humorit shqiptar i mbuluar nga heshtja dhe harrimi.

E vrau shteti përmes injorimit!

Na bënte të qeshnim e të harronim hallet e diktaturës dhe tranzicionit.

E qeshura thonë të zgjat jetën!

Edhe kur e ke barkun bosh, kur qesh e sfidon të keqen!

Fadil Hasa ishte lënë në harrim qëllimshëm nga shteti shqiptar, i cili po na shkombëtarizon, duke na kthyer në një kope bagëtish, pa identitet.

Në Shqipëri janë me dhjetra televizione, disa syresh të ashtuquajtura edhe kombëtare në të cilat ditën e natën shfaqen serialet turke, ndërsa s’ka vend as për historinë dhe as për kulturën shqiptare.

Nëpër televizionet e Tiranës shfaqen në mënyrë invaduese live oligarkët e politikës dhe serialet turke. E njëjta situatë edhe në Kosovë.

Qendrimi im nuk ka të bëjë me asnjë lloj ksenofobie apo turkofobie, por me të drejtat kushtetuese të një vendi, shteti i të cilit ka për detyrë që të përhapë dhe mbrojë kulturën, artin dhe historinë kombëtare.

Ekranet e Tiranës na japin nonstop seriale të historisë së Sulltanëve, të perandorisë turke prej ngjizjes, të haremeve, të sulltaneshave, eunukëve. Këto seriale Turqia i prodhon për turqit kryesisht, por që ka interes të bëjë invadim kulturor aty ku mund. Dhe mund në Shqipëri e Kosovë, ku qeveritë janë të kapura, dmth antishqiptare!

A do të lejonte zoti Tajip Erdogan që nëpër televizionet turke të shfaqeshin natë e ditë serialet shqiptare, ku nëpër këto seriale të vihej në epiqendër vepra heroike e Skënderbeut, se si ai i mundi dhe e shpartalloi hordhitë turke, se si e shpartalloi Sulltan Muratin e Sulltan Mehmetin duke i dhënë për çerek shekulli goditje mu në zemër Perandorisë Otomane ?!

Jo nuk e lejon.

Unë nuk them të veprojmë si Presidenti Erdogan. Unë them që vendin e kulturës shqiptare nuk duhet ta uzurpojë kultura dhe historia e një vendi të huaj.

Natyrisht që shqiptarët kanë të drejtë legjitime të shohin prodhimet më të mira të kinematografisë dhe televizioneve botërore, ku nuk përjashtohen as prodhimet turke, por jo kësisoj, një invadim të vërtetë në dëm të kulturës shqiptare, artit dhe artistëve shqiptarë.

Brezi i ri shqiptar nuk e njeh fare Fadil Hasen, nuk e njeh as historinë, nuk i njeh as krimet e diktaturës apo kulturën kombëtare, por harxhon orë të tëra duke parë seriale turke trash që shiten për dy lira ose që jepen falas!

Fadil Hasa deri sa e dha frymën e fundit kishte të drejtë që të ishte i pranishëm në skenat apo përmes ekranit në vatrat tona, por atij iu mohua kjo e drejtë.

Tri ditë përpara Fadil Hasës u shua operatori i shquar Ilia Tërpini i lënë po ashtu në harrim dhe i kujtuar veç ditën kur iku nga kjo botë! Kështu edhe me poetët, shkrimtarët. Kujtohen vetëm dy-tre të kohës së diktaturës dhe të tjerët varrosen edhe si kujtesë. Prandaj ky shtet është kriminal.

Edi Rama për shembull nuk ka harruar që t’i vejë emrin e të jatit Kristaq Rama rrugëve në Durrës dhe shkollave të Tiranës, ndërsa Poetin Kombëtar Gjergj Fishta e ka varrosur shtatë pashë përmes injorimit!

Ju lutem kërkoni emrat e Fadil Hasës në google dhe po ashtu të kryepolitikanëve shqiptarë të këtij tranzicioni kriminal. Do të gjeni miliona fajle, foto e video të kryepolitikanëve tanë që nuk vlejnë asnjë grosh ndërsa nga Fadil Hasa do të gjeni disa video krejt të një cilësie të mjerë.

Fadil Hasa ishte Mik në familjet tona, Mik i mirëpritur, por i larguar me dhunë nga shteti shqiptar. Prania nëpër shtëpitë tona e Artit, Artistëve dhe Kulturës shqiptare është e drejta jonë si spektatorë, teleshikues, qytetarë dhe shqiptarë.

Shikoni se çfarë qytetarësh na kanë katandisur! Ne na e mohojnë të drejtën e edukimit me historinë, artin dhe kulturën kombëtare, ndërsa përfaqësuesit e kulturës dhe Artistët i trajtojnë si skllevër, si lypsa ose i poshtrojnë përmes injorimit, ndërsa këtë boshllëk kombëtar e mbushin me seriale të rëndomta turke.

Turqia është vend mik i shqiptarëve. Erdogani përsërit shpesh “populli vëlla shqiptar”! Nuk e kuptoj se në çfarë konteksti, ndofta se në Turqi jeton një komunitet prej 20 milionësh shqiptarë, kryesisht mjerisht të asimiluar, apo se Qemal Ataturku, krijuesi i Turqisë moderne ishte shqiptar apo se shqiptarët kanë luajtur një rol parësor në jetën e Perandorisë, pasi në Perandorinë Otomane ka patur të paktën 28 sadrazemë (kryeministra) dhe 36 vezirë (ministra) me origjinë shqiptare ?

Turqia është vend anëtar i NATO-s dhe padyshim ne jemi aleatë, por duke patur në themel respektin reciprok bilateral pa qene e nevojshme aspak që vendin e kulturës shqiptare ta zenë mallrat turke me shumicë.

Kultura shqiptare duhet të kthehet vendi që i takon, mohuar nga një klasë politike me banditë, si ky kryebanditi me atlete që ka 20 vjet që i ka shkrepur të shembë Teatrin Kombëtar duke i konsideruar Artistët shqiptarë askusha, kur është vetë hiçi i hiçit!

Në vend të buqetës me lule për ty i dashur Fadil Hasa, në vend të lotëve, po i shkruaj këto rradhë për t’i kujtuar shqiptarëve se ata janë stërnipat e Skënderbeut, se Skënderbeu bëri gjithçka jo që të pushtojë të tjerët, por që të mbrojë vendin e Arbërit!

Filed Under: ESSE Tagged With: Elida Buçpapaj, Fadil Hasa, shteti

Mërgimtarët duhet të jenë të përfaqësuar në Parlamentin e Kosovës

July 19, 2018 by dgreca

Nexhat Daci H IbrahimiNga Hysen Ibrahimi/1 MeNexhatinMërgimtarët, të cilët po kalojnë pushimet këto ditë në Kosovë, shpesh kanë vërejtjet e tyre lidhur me trajtimin që iu bëhet atyre në Kosovë. Ndërkaq, shtresa intelektuale e mërgatës, e konkretizon më shumë, kur thotë se nuk kanë përkrahje të institucioneve të Kosovës për shqetësimet që mund t’i kenë ata. Mungesën e kësaj përkrahje e konfirmoi edhe kryetari i Akademisë së Shkencve dhe Arteve të Kosovës, akademik Nexhat Daci, i cili thotë se mërgata duhet të kërkojë më shumë nga institucionet e Kosovës. Gjatë një pritje që i bëri një delegacioni të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klemneti XI Albani” që vepron në Suedi, akademik Daci tha se shqiptarët në mërgatë duhët të bëjnë më shumë presion për të kërkuar trajtimin që meriton.

“Anjëherë mergata nuk e ka marrë trajtimin e merituar nga institucionet e Kosovës. Kjo duhet të jetë shenjë që ju duhet të bëni edhe më shumë presion, presion gjithmonë në kuptimin pozitiv them, me ardhjen e mërgatës në vendlindje. Me ndërrimin e gjeneratave ndërrohemi ne dhe ju dhe më e keqja është se në mërgim gjithnjë e më shumë fëmijët flasin gjuhën e vendit ku jetojnë. Ky nuk është faji i fëmijëve dhe i nënave, por shoqatat si ju duhet të bëni çmos që të ruhen rrënjët e kombit”, tha akademik Daci.

Akademik Nexhat Daci, përmendi me këtë rast, shembullin e Kroacisë dhe mërgatën e saj, se si ka ndikuar në ndërtimin dhe formimin e shtetit të Kroacisë. Ndërsa mërgata shqiptare tha ai, e ka ndihmuar shumë Kosovën dhe popullin e saj të qëndrojë në kohë të vështira.“Të ardhuruart e Kosovës nga mërgata kanë qenë një shpëtim mos me u var nga armiku për bukë. Mërgata ka dhënë një kontribut shumë të madh që të qendronin stoikë shqiptarët ku janë, për me ruajt vetëvetën, fëmijë. Dhe janë një rast unik. Për këtë arsye, po ndodh ky takim, sepse unë nuk mbaj takime jashtë shkencës, por kur është çështja e popullatës sonë, nuk i shikoj shumë rregullat”, tha Daci, duke shprehur mikpritje për anëtarët e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klemneti XI Albani” që vepron në Suedi.

Ndërkaq, kryetari i kësaj shoqate, Hysen Ibrahimi e njoftoi z. Daci me punën që bëjnë në shoqatë, për krijimet e këtij viti dhe për punën që është bërë deri tani. “Synimi ynë parësor është ruajtja e identitetit tonë shqiptar kombëtar në mërgatë. Ne duhet t’i ruajmë rrënjët. Prandaj synojmë të shkruajmë e të argumentojmë punën që bëjmë, me qëllim që gjeneratave të ardhshme të kenë çka të lexojnë dhe të shohin historinë e të parëve të tyre. Këto libra janë vepër argument”, tha Ibrahimi.

Por, ai kërkoi që institucionet e Kosovës, përfshirë edhe ASHAK, të vlerësojnë dijën dhe punën intelektuale që bëjnë mërgimtarët. “Ne kemi gati gjysmëshekulli që jetojmë në mërgatë, dhe kemi përvojën tonë, kemi njerëz të shkolluar dhe atë përvojë që do ta sillnim në Kosovë, do të ishte me interes. Ne e dimë që akademik Daci e njeh rëndësinë e mërgatës për këtë arsye kemi shprehur interesim të takohemi, të marrim këshilla, të këmbëjmë ide, e të bashkëpunojmë edhe sa i përket vetë akademisë”, tha Hysen Ibrahimi.

Ai shprehu keqardhje që nuk janë konsultuar nga akademia gjatë procesit të hartimit të Fjalorit Enciklopedik të Kosovës, duke shfaqur shpresën se puna e SHSHASH “Papa Klemneti Xi Albani”, do të përfshihet në një dokument tjetër të tipit të fjalorit enciklopedik, ku do të dëshmohet dhe argumentohet verimtaria e kësaj shoqate.

Fjalori enciklopedik i Kosovë ka dalë tashmë nga botimi dhe pritet të përurohet në muajin shtator, bëri të ditur profesor Daci. Me këtë rast, ai theksoi se në Kosovë janë bërë ndryshime të mëdha në një dinamikë të madhe, duke këshilluar mërgimtarët që të gjykojnë më ndryshe, sepse sipas tij shumëçka ka ndryshuar në Kosovë. “Ejani në vendlindje sa herë që t’ju lejojnë mundësitë, mos lejoni t’ju nënçmojë dikush, por as mos u sillni ju me mendimin se shqiptarët e Kosovës shesin fara para kinemasë”, tha Daci. Sipas tij, zhvillimet në Kosovë janë aq të mëdha, në shumicën e rasteve për të mirë, sa që asnjë vend i Ballkanit, as një vend i perëndimit nuk e ka këtë dinamikë të zhvillimit. “Kaloj tash autostradave tona që janë bërë me djersen tonë, nuk janë të perëndimit, as nuk janë kredina. Kosovarët i kanë bërë dhe janë më të mira se autostradat e të gjithëve në Ballkan, janë përfekt. Kemi shumëçka me çka krenohemi edhe tash pjesa tjetër në Bruksel, pjesa kryesore çështja e vizave”, tha akademik Daci.

Kryetari i ASHAK, tha se Kosova duhet të ketë respekt të përjetshëm për mërgatën dhe jo interesin material. “Mërgata duhet ta ketë deputetin e vet në Parlamentin e Kosovës, siç e kishte dikur në parlament, përfaqësuesit e mërgatës në një parlament demokratik, me kontributin që e kanë pasur dhe do ta kenë, jo financiar. Për t’u ruajtur identitet i trungut dhe i rrënjeve tona, duhet të jetë mërgata e pranishme gjithkund, aq sa i ka edhe mundësitë kohore. Ne duhet të mësohemi dhe ta dimë se për çlirimin e Kosovës, më shumë ka dhënë mërgata, shqiptarët nga Lugina e Preshevës dhe shqiptarët e Maqedonisë, se sa të gjithë të tjerët”, vlerësoi Daci.

Edhe anëtarë tjerë të delegacionit të SHSHASH u interesuan për punën e akademisë së shkencave në raport me mërgatën dhe institucinet tjera në Kosovë. Bajram Muharremi, nënkryetar i shoqatës, shfaqi shqetësimin se në Kosovë nuk kanë trajtimin institucional, edhepse tha ai, me librat e Thesarit Kombëtar të Mërgatës Shqiptare në Suedi, tashmë janë në mbi 50 vende në Evropë dhe në botë. Këtë e kanë bërë me qëllim të shtrirjes sa më shumë të informacioneve të vërteta për historinë dhe ndodhitë në Kosovë, tha Muharremi. Për këtë arsye, ai kërkoi të dinte nëse akademia i ka të evidentuar krimet që janë bërë nga Serbia gjatë luftës në Kosovë.

Ndërkaq, profesor Daci tha se çdo krim, çdo dëmtim i pronës është i evidentuar, por Kosova tha ai nuk mund të grisë padi kundër Serbisë, sepse ende nuk është anëtar i OKB-së.

Anëtari tjetër i shoqatës Rrahman Rrahmani kërkoi që ASHAK të ushtrojë ndikimin e saj që institucionet e Kosovës të kenë një kujdes dhe trajtim më të mirë për shqiptarët në mërgatë, të paktën të mos iu asimilohen fëmijët e tyre. Ndërkaq, Mone Juniku, anëtare e kryesisë së shoqatës, falendëroi akademik Dacin për pritjen që kishte rezervuar, duke shfaqur besimin në mbështetjen që do ta kenë edhe mërgimtarët, kudo që jetojnë.

Në fund të takimit, Hysen Ibrahimi, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, e ftoi akademik Nexhat Dacin të marrë pjesë në Sesionin  e gjashte Shkencor të shoqatës, që i kushtohet 140 vjetorit të Lidhjës Shqiptare të Prizrenit e që do të mbahet më 25 korrik 2018, në Prizren.  Me këtë rast, Ibrahimi i dhuroi akademik Dacit vëllimin e 9-të të “Thesarit Kombëtar të Mërgatës Shqiptare” në Suedi dhe disa libra tjerë të botuar nga kjo shoqatë.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Hysen Ibrahimi, Mergimtaret, ne Parlament

“Etikë dhe Politikë” nga Bujar Plloshtani

July 18, 2018 by dgreca

1 ok etike e Pol

“Etikë dhe Politikë”, me parathenie nga Ermira Babamusta, është libër që plotëson një boshllëk në fushën e filozofisë dhe politikës, sidomos në teoritë e ekzistencializmit, analizës psikoanalitike dhe teorisë së konceptimit të njeriut. Nëpërmjet qasjeve dhe koncepteve origjinale ai ka trajtuar pikëpamjet e objektivit që studiohen nga fushat e filozofisë dhe politikës. Ky libër filozofiko-shkencor trajton tema që janë tepër praktike dhe funksionale, që i përshtaten kohës moderne dhe shteteve përkatëse të Ballkanit
1 Bujar Plloshtani“Kjo materie është përafërsisht një reflektim i filozofisë politike, e cila trajton problematika të ndryshme filozofike dhe politike. Ngjarjet e shumta filozofike dhe politike që e karakterizojnë botën sot si kryefjalë kanë diskutimet e shumta, për të arritur modelin e një shteti me qeverisje të mirëfilltë të vlerave demokratike, zbatimin dhe shtrirjen e sundimit të së drejtës në mbarë territorin shtetëror dhe demokracinë, si formë më e mirë e kontrollit të pushtetit”, shprehet në parathënien e tij, autori Bujar Plloshtani.

     Bujar Plloshtani, është poet dhe eseist, lindur më 18 dhjetor 1983 në qytetin e Tetovës. Ka kryer studimet për Drejtësi në Universitetin e Evropës Juglindore. Ka punuar në Organizatën SAATCHI, sektori i intervistave, në Shkup. Në Tetor 2007, themelon Shoqatën e artistëve “Pushkin” dhe zgjedhet kryetar i saj.

Në cilësinë e anëtarit të Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptarë të Maqedonisë merr pjesë në Ekspozitën e Friedrich Schiler. (Jeta dhe Vepra në kohë e shkrimtarit gjerman). Më 2010, emërohet anëtar i Shoqatës së Poetëve të Japonisë. Është Anëtar i Dhomës së Festivalit të poezisë “Ura Poetike AMA-HASHI”, Kyoto, Japoni. 

“Duet of Azure” është libri ku poezitë e tij janë përkthyer në gjuhën angleze dhe japoneze nga JUNPA Books, Japoni. Është fitues i Festivalit Letrar për të Rinj “Tirana 2016” – Edicioni II.

Çmimi i Parë i Jurisë për esenë “Mbi ekzistencializmin”. Ka marrë pjesë në Festivale Letrare në shkallë vendi dhe jashtë. Redaktor në Agjencinë e lajmeve “Klosi News”.

 Botimet:

“Nga regjia e shpirtit” – poezi (2007);

“Traktati mbi arsyen e mendimit” – letra filozofike (2009);

“Mbi arsyen e fjalës” – poezi (2010).

“Etikë dhe Politikë” – filozofi politike (2018)

“Duet of Azure” – poezi e përkthyer (2018)

 Intervista me Shkrimtarin Bujar Plloshtani

Bisedoi: Ermira Babamusta

Cili është libri juaj më i ri dhe kur e keni botuar?

Bujar Plloshtani: Libri më i ri që është botuar këtë vit mban titullin “Etikë dhe Politikë”, dhe ndërkohë ky botim vjen nga kolana e filozofisë politike.

Për çfarë bën fjalë libri?

 Bujar Plloshtani: Materia në fjalë është përafërsisht një reflektim i filozofisë politike, e cila trajton problematika të ndryshme filozofike dhe politike. Ngjarjet e shumta filozofike dhe politike që e karakterizojnë botën sot si kryefjalë kanë diskutimet e shumta, për të arritur modelin e një shteti me qeverisje të mirëfilltë të vlerave demokratike, zbatimin dhe shtrirjen e sundimit të së drejtës në mbarë territorin shtetëror dhe demokracinë, si formë më e mirë e kontrollit të pushtetit. Përpjekjet e tilla kanë për synim një qeverisje dhe bashkëpunim më të mirëfilltë të institucioneve që rregullojnë në veçanti të gjitha aspektet shoqërore e politike me elementet substanciale që bart shteti i së drejtës.

Çfarë mesazhi keni dashur të përcillni përmes tij?

Bujar Plloshtani: Është paraqitur ideja për përgatitjen e një lideri ideal për të qeverisur me pushtetin, dhe ndërkohë është vënë në dukje paraqitja dhe roli i politikanit të rastit në vendimmarrjen e politikave në veçanti. Sidomos, edhe çështjet etike siç janë: e mira, e keqja, e lejueshmja, e palejueshmja, e drejta, e padrejta, e vërteta, e pavërteta janë çështje morale që janë bërë lëndë e diskutimit në këtë materie.

Çfarë strukture ka libri?

Bujar Plloshtani: Libri është ndarë gjithsej në katër kapituj, dhe trajton tema të ndryshme nga filozofia, politika dhe shkrime tjera sociale. Kreu i parë i titulluar «Çështje esenciale mbi mendimin filozofik», janë trajtuar çështje të ndryshme që lidhen me filozofinë politike dhe me mendimin filozofik në përgjithësi. Sidomos janë trajtuar esetë mbi etikën, shtetin, botën dhe artikuj tjerë që lidhen me filozofinë.Kreu i dytë i titulluar «Në përgjithësi mbi mendimin politik», janë trajtuar çështje të ndryshme që lidhen me politikën dhe qeverisjen e shtetit demokratik. Ese mbi nocionin e politikës dhe mbi kuptimin e demokracisë.

         Kreu i tretë i titulluar «Përsiatje mbi disa çështje politike», kryesisht janë trajtuar çështje që lidhen me proceset aktuale politike në vendet e rajonit. Kreu u katërt i titulluar «Disa vlera kushtetuese, politike dhe sociale», janë trajtuar çështje që lidhen me të drejtat dhe liritë e njeriut, nocionin e lirisë, zgjedhjet e lira dhe një shqyrtim i shkurtër mbi nocionin e shoqërisë civile.

Çfarë e ka frymëzuar këtë zhanër të librit?

 Bujar Plloshtani: Nëse mund ta përkufizojmë shkurt, filozofia politike merret me studimin e qeverisjes dhe marrëdhënieve mes individëve dhe bashkësive me shtetin. Si duket, filozofia politike nuk është lëvruar në masë të gjerë, dhe me vullnet të lirë iu përkushtova kësaj materie të cilën e konsideroj si nevojë të kohës. Të paktën besoj se kjo materie sadopak do të zgjojë interes për lexuesit.

            Cilin libër do të veçonit nga veprimtaria juaj?

 Bujar Plloshtani: Nëse do të duhej ta veçoja një libër nga veprimtaria ime është pa mëdyshje «Etikë dhe Politikë». Duhet të jetë kaq e vështirë ta veçosh një libër nga veprimtaria, sepse çdo libër konsiderohet për kohën e vet si një pjesë e pandashme dhe unike. Prandaj, mendoj se çdo libër cilësor duhet të jetë i denjë për çfarëdo kohe.

Cili libër/autor që keni lexuar ju ka tërhequr më shumë dhe pse? 

Bujar Plloshtani: Duhet të jetë mjaft e vështirë të veçosh një libër ose një autor, pasi ka aq shumë libra ose autorë që më tërheqin, saqë s’heq dot një paralele të tillë mes librash ose autorësh. Megjithëse, guxoj të përmend disa edhe atë: «I huaji» i shkrimtarit dhe filozofit francez Alber Kamy, pastaj «Ekzistencializmi është humanizëm» i shkrimtarit dhe filozofit francez Jean-Paul Sartre. Edhe libri «Metafizika e dashurisë» e filozofit gjerman Arthur Schopenhauer. Nuk mund të lësh pa e përmendur dhe «Procesin» e Franz Kafkës, pastaj Pushkinin, Keatsin, Akhmatovën e me radhë. Me një fjalë, më kanë lënë mbresa për mënyrën koncize të të shkruarit dhe sidomos për mendimet brilante që kanë lënë në veprat e tyre.

Çfarë temash ju interesojnë të trajtoni në shkrimet tuaja?  

Bujar Plloshtani: Te poezia përpiqem ta kthej botën shpirtërore në një ndikim të domosdoshëm me botrat e ndryshme shpirtërore. Nuk mund ta fsheh dot nën buzë motivin social dhe filozofik. Ndërsa te eseu përpiqem të pasqyroj një mendim a ide për të cilën mund të konstatohet një realitetit a gjykim kritik mbi çështje të ndryshme shoqërore, letrare dhe politike. Temat kryesisht filozofike më interesojnë, pasi trajtimet e tilla i shoh si kontrabandë mendore, dhe kështu mendoj se e bëjnë më interesant dhe më të besueshëm librin.

Çfarë mendoni për letërsinë që krijohet sot?

Bujar Plloshtani: Letërsia si art i fjalës është tërësia e domosdoshme e nevojës ideo-estetike e prirur të shërbejë në çdo kohë, dhe si e tillë mundëson ta njohësh ekzistencën e njeriut, konceptin e botës dhe veten si. Letërsia që krijohet sot në mbarë botën është duke u vlerësuar në udhën e duhur. Mirëpo, nëse futemi në thelbin e kritikës, shpesh mund të lexojmë dhe libra që nuk përmbushin kriteret më elementare letrare dhe artistike. Letërsia si e tillë është shkencë që përpiqet të hapërojë në udhë të cilësuara, duke vënë në dukje realitetin shoqëror përmes figurave letrare, dhe vetëm kështu, si e tillë ajo mundëson në njohjen e jetës së njeriut dhe të botës.  

Si ka ndryshuar stili i shkrimit tuaj gjatë viteve?

Bujar Plloshtani: Për shkrimtarin me rëndësi duhet të jetë stili dhe autenticiteti i mendimit që shpaloset brenda procesit krijues. Sipas meje, trajektorja e shkrimeve ka nisur me poezinë dhe habitshëm ka rrugëtuar deri te eseu. Stili mund të kuptohet si veçantia e autorit në një vepër letrare, që duhet kujdesur të shmangë gjuhën e zakonshme. Kur flasim për stilin, këtu e kam parasysh pothuaj stilin që është i ngjashëm me pikëpamjet e mia individuale, duke u përpjekur të ruaj shprehësinë emocionale dhe gjuhën e zakonshme. Kur jemi te pikëpamjet, them mbase kanë ndryshuar në mënyrë të njëtrajtshme. Stili, i cili të ndërlikuarën arrinë ta bëjë mjeshtërisht të kuptueshme për masën, atëherë një vepër do të përmbushte prej vërteti pritshmëritë.

Çfarë e bën të suksesshëm një shkrimtar?

Bujar Plloshtani: Shkrimtari është një sistem kompleks, që vështirë se zbërthehet. Për mua suksesi lidhet me punën në vazhdimësi. Ndërsa puna në vazhdimësi mund ta nxjerrë në dritë një vepër të suksesshme. Një shkrimtar të suksesshëm e bën puna konstante individuale. Kjo është esenca themelore, ndryshe udhë të ndërmjetme nuk ka. Një shkrimtar të suksesshëm e bën vepra që i përmbush pritshmëritë e një procesi krijues, që bazohet në vlerat e mirëfillta qofshin ato letrare ose filozofike.

Filed Under: Politike Tagged With: “Etikë dhe Politikë”, Bujar Plloshtani, Ermira Babamusta

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT