
Nga ana tjetër kemi fuqizimin e një kaste politike që ka uzurpuar çdo instancë të shtetit, përmes një sistemi zgjedhor të degraduar që fuqizon pushtetin e njëshit. Kjo kastë shumë e fuqishme, e privilegjuar, është pasuruar në bashkëjetesë me krimin e organizuar dhe taksave që i merr një populli në mjerim.
Kjo klasë politike ka humbur plotësisht besimin e Sovranit, sepse pasurimi i saj është në përpjestim të drejtë me varfërinë e Sovranit, sa më tepër pasurohet kasta, aq më tepër vuajtjet e popullit agravohen. Në raste të tilla, në një sistem normal demokratik, populli do të kishte shpëtuar me kohë prej tyre, por me një shtet antiligjor, kryepolitikanët janë mbi ligjin, kryepolitikanët e bëjnë ligjin, kryepolitikanët janë vetë ligji!
Qëllimi i tyre është përjetësimi i pushteti. Presidentëve të SHBA në kushte normale Kushtetuta u lejon të zgjidhen vetëm në dy mandate, ndërsa kasta politike në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni është e përhershme. Kjo kastë riciklohet, bën aleanca interesi, por janë gjithmonë ata, të pasuruar, të gjithëpushtetshëm që kanë fatin e popullit në dorë dhe synojnë fuqizimin e tyre edhe përmes lobingjeve në metropolet e Perëndimit, përfshi edhe Washington D.C.
Kjo klasë politike që urrehet nga populli synon të fitojë kredenciale duke u fotografuar me liderët dhe figurat më të fuqishme të politikës botërore, që janë përfaqësuesit e vlerave të Perëndimit, e sidomos me Presidentin e SHBA.
Duke dalë nëpër foto me Ju:
Së pari, ata mashtrojnë popullin, sepse pjesa më e varfër e elektoratit, që nuk ka kushte minimale vetëdijësimi të pavarur, kujton se politikanët shqiptarë që dalin me Ju, janë burra të mirë dhe kësisoj vijojnë e japin votën;
Së dyti, kjo kastë politike, tek e cila Sovrani nuk beson më, kërkon të riparojë imazhin e sterrosur dhe rrënuar,
Së treti, ata synojnë t’i diktojnë popullit se qëndrojnë në pushtet pasi kanë mbështetjen e SHBA !
Populli shqiptar, elita dhe gjithë shqiptarët e ndershëm kanë shpresë të madhe tek Amerika që na ka shpëtuar disa herë nga zhbërja, sepse besojnë me të drejtë se SHBA është vendi i lirive dhe demokracisë së vërtetë.
Fotot Tuaja me kryepolitikanët shqiptarë janë në respekt të plotë me një rit protokollar zyrtar, si konfirmim i marrëdhënieve ndërshtetërore, por politikanët tanë i përdorin për interesa të tyre. Këto foto nolens volens krijojnë një kontraversëri, sepse Ju duke përfaqësuar shtetin e së drejtës takoheni me shkaktarët e degradimit të sistemit, shtetit ligjor dhe të varfërisë e mjerimit të Sovranit.
Këta kryepolitikanë faqezinj Ju përdorin për të bërë demagogji dhe për të mashtruar Sovranin.
Kur shqiptarët Ju shohin nëpër foto me kryepolitikanët që sillen si sulltanë me Sovranin më së paku po them se dëshpërohen shumë dhe bëhen edhe më shpresëhumbur! Sepse gjatë këtij tranzicioni mbi çerek shekulli janë ndërruar pesë presidentë dhe SHBA, ndërsa shqiptarëve iu ka mbetur mbi kurriz e njëjta kastë, që po ua le rininë pa të ardhme!
Prandaj, Ju lutem, mos dilni më në foto për publikun me kryepolitikanët shqiptarë, sepse ky stanjacion që po vuajnë shqiptarët u dedikohet atyre.
Populli shqiptar meriton foto me Ju, por jo kryepolitikanët!
Populli shqiptar meriton të integrohet në BE, meriton të ketë një sistem demokratik, ku të mbretërojë ligji dhe shteti i së drejtës!
*Ky opinion ribotohet, sepse kryepolitikanët shqiptarë dështimet e tyre kërkojnë t’i fshehin duke u fotografuar me kryeburrashtetasin e botës!