• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2018

Presidentja e Kroacisë, mysafire në Shqipëri

July 18, 2018 by dgreca

Presidenti Meta mirëpret në një vizitë shtetërore në Tiranë, Presidenten e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarović/

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta i uroi mirëseardhjen në Shqipëri, Presidentes së Republikës së Kroacisë, Sh.S.Znj. Kolinda Grabar-Kitarović, e cila me ftesë të Kreut të Shtetit, po zhvillon një vizitë shtetërore në Shqipëri.

Pas ceremonisë së mirëseardhjes dhe ekzekutimit të himneve kombëtare të të dy vendeve, Presidenti Meta dhe Presidentja Grabar-Kitarović zhvilluan një takim kokë më kokë dhe më pas kryesuan takimin e zgjeruar midis dy delegacioneve zyrtare.

Presidenti Meta vlerësoi lidhjet e forta historike të miqësisë midis dy popujve, si dhe marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve.

Të dy bashkëbiseduesit shprehën angazhimin dhe mbështetjen për ngritjen e këtyre marrëdhënieve në nivel të partneritetit strategjik, duke nënvizuar se kjo do ta intensifikojë më shumë dialogun politik dhe do t’i nxisë më tej marrëdhëniet ekonomike e tregtare.

Një vëmendje e veçantë gjatë takimit iu kushtua bashkëpunimit në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.

Presidenti Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e fortë e të qartë të Kroacisë dhe personalisht të Presidentes Grabar-Kitarović për çeljen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe nënvizoi se të gjitha institucionet e shtetit shqiptar janë të angazhuara për të përmbushur me sukses të gjitha standardet dhe detyrimet përkatëse.

Duke u ndalur në bashkëpunimin rajonal, të dy Presidentët nënvizuan nevojën e një angazhimi dhe koordinimi më të mirë në mënyrë që stabiliteti dhe siguria e rajonit të konsolidohen dhe procesi i mirëkuptimit e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit të vijojë në mënyrë të qëndrueshme.

Presidenti Meta vlerësoi edhe rolin e kontributin e Kroacisë në kuadër të Procesit të Brdo-Brijunit, si dhe shprehu besimin që Samiti i ardhshëm që do të zhvillohet në Shqipëri, në vitin 2019, do ta gjejë rajonin dhe vendet e saj në një situate edhe më të favorshme, si në marrëdhëniet me BE-në ashtu edhe me NATO-n.

Në fund të bisedimeve zyrtare të dy Presidentët dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, si dhe iu përgjigjën interesit të gazetarëve për çështje të ndryshme me interes dypalësh e rajonal.

Në vijim deklarata e Presidentit Meta në konferencën e përbashkët për shtyp:

Sot kisha kënaqësinë që t’i uroja mirëseardhjen në Tiranë, në një vizitë shtetërore, mikes së shqiptarëve dhe Presidentes së Republikës së Kroacisë, zonjës Kolinda Grabar-Kitaroviç.

Kemi bashkëbiseduar si për marrëdhëniet dypalëshe, edhe për ato rajonale dhe zhvillimet e ndryshme ndërkombëtare.

Që në fillim dua të konfirmoj menjëherë se marrëdhëniet midis dy vendeve tona janë mëse të shkëlqyera. Në themel të tyre qëndron miqësia shumëshekullore midis dy popujve dhe kombeve tona dhe lidhjet e forta historike.

Prania e Arbanasve të Zarës prej më shumë se 300 vitesh në Kroaci, por edhe e një komuniteti të ri shqiptar nga të gjitha trevat, të cilat kanë luftuar dhe shumë prej tyre dhe kanë dhënë jetën për lirinë e Kroacisë, e bëjnë edhe më të fortë këtë miqësi.

Albanologu i shquar kroat Milan Shuflaj (Milan Šufflay) apo dhe albanologu tjetër i apasionuar, Arbanasi nga Zara, Aleksandar Stipćević, kanë shërbyer si ura lidhëse të jashtëzakonshme midis dy popujve tanë sepse ata u bënë zëdhënës të besueshëm të historisë së shqiptarëve, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në forcimin dhe të ardhmen e kësaj miqësie.

Së bashku me Presidenten Grabar-Kitaroviç, kemi rënë dakord gjithashtu që gjatë vitit të Skënderbeut të bëjmë dhe një vizitë të përbashkët në zonën ku banojnë Arbanasit.

Sot pata kënaqësinë t’i shprehja edhe njëherë mirënjohjen Presidentes për mbështetjen që Kroacia i jep procesit të integrimit të Shqipërisë, por edhe vendeve të tjera të rajonit tonë.

Kroacia ka qenë dhe mbetet një mbështetëse e fortë e çeljes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Modeli dhe eksperienca e Kroacisë në BE, është shumë e vyer për ne shqiptarët.

Po kështu, si dy vende anëtare në NATO, ne ndajmë vizion dhe interesa të përbashkëta edhe në fushën e sigurisë dhe për këtë kemi një bashkëpunim shumë të mirë e të konsiderueshëm dhe që do ta shtojmë akoma më tej në të gjitha aspektet.

Dy vendet po punojnë që së shpejti ta ngrenë nivelin e bashkëpunimit, në atë të “partneritetit strategjik”.

Në kuadrin dypalësh, një vëmendje shumë domethënëse i kushtojmë bashkëpunimit ekonomik, pasi potencialet dhe burimet e të dy vendeve, si në aspektin dypalësh edhe në atë rajonal, janë të jashtëzakonshme.

Interesat e të dy vendeve janë të përbashkëta dhe komplementare dhe kuadri i përbashkët ligjor në fuqi na krijon të gjitha mundësitë për të forcuar bashkëpunimin, veçanërisht në fushën e turizmit, energjetikës, infrastrukturës, etj.

Realizimi në mënyrë të veçantë i projekteve madhore rajonale të gazifikimit TAP-it, por dhe IAP-it, si dhe Korridori Blu, do t’i bëjë dy vendet tona edhe më të ndërlidhura me njëri-tjetrin.

Një bashkëpunim me interes është edhe ai detar, si dhe ndërmjet porteve shqiptare e kroate. Si dy vende të Adriatikut, bashkëpunimi në këtë aspekt është shumë i dobishëm, bashkëpunim që shtrihet edhe në çështjet e mbrojtjes së ambientit dhe menaxhimit të ndotjeve.

Me këtë rast i shpreha mirënjohjen Presidentes për mbështetjen që Kroacia i ka dhënë edhe projektit të përbashkët me Programin e Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (PNUD) për menaxhimin e ndotjeve të ujërave detare (Marine) dhe të Bregdetit (Coastline) për rritjen e sigurisë në det dhe në porte, në përputhje me Ligjin dhe Politikën e BE për Detin.

Në këtë drejtim ne shohim mundësinë e mbështetjes dhe shtrirjes së këtij projekti edhe në formatin rajonal trilateral, duke përfshirë edhe Malin e Zi.

Sigurisht që bashkëpunimi rajonal ishte një prej çështjeve qendrore të bisedës sonë. Theksuam vendosmërinë për të vijuar me kontributin konstruktiv për të forcuar qëndrueshmërinë dhe bashkëpunimin në rajonin tonë.

Po kështu patëm kënaqësinë që të mirëprisnim edhe njoftimin e Komisionerit Avramopoulos sot se, Kosova i ka plotësuar të gjitha kërkesat për liberalizimin e vizave dhe të gjithë urojmë që qytetarët e saj sa më shpejt të udhëtojnë në hapësirën Shengen.

Njëkohësisht ne mbështesim dialogun Kosovë-Serbi, për një zgjidhje të qëndrueshme dhe përfundimtare e cila ndihmon perspektivën evropiane të të dy vendeve të gjithë rajonit tonë dhe pa dyshim që jemi shumë të lumtur për ftesën që ka marrë Maqedonia për t’u anëtarësuar në NATO, pasi ky vend e ka nisur këtë proces së bashku me dy vendet tona, me Kroacinë dhe Shqipërinë përmes Kartës së Adriatikut, prej kohësh.

Ashtu sikurse kemi diskutuar dhe shpresojmë për zhvillime më pozitive edhe në Bosnje-Hercegovinë në të ardhmen.

Në vitin e ardhshëm, në Shqipëri do të organizohet Samiti i radhës së Krerëve të Shteteve të vendeve të rajonit të Procesit të Brdo-Brijunit, ku dihet që është një iniciativë ku Presidentët e Kroacisë dhe Sllovenisë kanë një rol shumë të rëndësishëm që nga themelimi dhe vijimësia e kësaj nisme. Kemi diskutuar së bashku edhe për të koordinuar për një organizim sa më të suksesshëm dhe të dobishëm në vendin tonë gjatë vitit të ardhshëm.

Presidentja e Kroacisë nuk mund të mos vizitonte Shqipërinë gjatë vitit të Skënderbeut. Unë kam kënaqësinë që ajo ka gjetur kohën e mjaftueshme për të ndarë tre ditë me të gjithë ne, ku do të pritet edhe nga autoritetet e tjera më të larta të vendit, por dhe do t’i adresohet me një përshëndetje të veçantë Kuvendit të Shqipërisë.

Duke e uruar edhe për performancën e jashtëzakonshme të ekipit të Kroacisë në Kampionatin Botëror të Futbollit, besoj se ka qenë një përfaqësim i shkëlqyer jo vetëm për Kroacisë, por mendoj dhe i mundësive që ka çdo vend që beson tek suksesi, që i përkushtohet atij dhe që mbështet talentet e tij për të arritur majat, dua edhe njëherë tjetër t’i uroj suksese gjatë kësaj vizite mjaft të rëndësishme dhe ta ftoj për të dhënë mesazhin e saj.

Faleminderit!

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Kolinda Grabar-Kitarović, Presidenti Meta, prêt Presidenten e Kroacisë

MIQËSIA SHQIPTARO-KROATE

July 18, 2018 by dgreca

1 FrankNga Frank Shkreli/ Presidentja e Republikës së Kroacisë Znj. Kolinda Grabar-Kitarović gjëndet këtë javë për një vizitë shtetërore në Tiranë, e ftuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Ilir Meta.  Media shqiptare njofton se Presidentja e Kroacisë do të pritet me ceremonitë më të larta shtetërore nga Presidenti i Shqipërisë, ndërkohë që do të takohen delegacionet e dy vendeve ndërsa udhëheqsit e lartë do të mbajnë së bashku një konferencë për gazetarët vendas dhe ata kroatë, të cilët shoqërojnë Presidenten Kitaroviq.  Përveç pritjes dhe takimeve me homologun e saj shqiptar, Udhëheqësja kroate do të zhvillojë gjithashtu bisedime edhe me udhëheqëa të tjerë shqiptarë, përfshir Kryeministrin e Shqipërisë, Z. Edi Rama, Kryetarin e Kuvendit, Z. Gramoz Ruçi dhe Kryetarin e Partisë Demokratike të opozitës, Z. Lulzim Basha.  Një ndër pikat kulminante të vizitës së Presidentes kroate në Tiranë do të jetë fjalimi që ka në plan të mbajë në Kuvendin e Shqipërisë ditën e enjtë.

Në rendin e ditës të vizitës së Kryetares së Kroacisë në Shqipëri, sipas medies së Tiranës, është edhe takimi me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Z. Erion Veliaj dhe vizitat që pritet të bëjë Presidentja Kitaroviq, jashtë Tiranës.  Është në plan që ajo të vizitojë Durrësin për të paraqitur projekt-planin kroato-shqiptar për mbrojtjen e mjedisit në Detin Adriatik, që pasqyron një shqetësim të konsiderueshëm ky për autoritetet kroate, pasi njoftohet se mbeturinat nga bregdeti shqiptar janë përhapur edhe në brigjet e bregdetit kroat, në veri të Adriatikut.  Pritet që Presidentët Meta dhe Kitaroviq të nënshkruajnë një marrëveshje bilaterale për mbrojtjen e detit nga ndotjet.  Ndërkohë, gjatë vizitës së saj në Shqipëri, Presidentja e Kroacisë do të ndalet edhe në Berat dhe në Kalanë historike të Krujës, sipas njoftimeve të medies.

Marrëdhëniet midis Tiranës dhe Zagrebit, ç’prej shpalljes së pavarësisë së Kroacisë nga Federata ish-jugosllave, kanë vazhduar të jenë të shkëlqyeshme.  Vizita e Presidentes Kolinda Grabar-Kitarović këtë javë në Shqipëri është një pasqyrim i natyrshëm i këtyre marrëdhënieve miqësore midis dy kombeve, në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që Presidentja kroate pritet që gjatë takimeve me zyrtarët më të lartë shqiptarë në Tiranë, të premtojë mbështetjen dhe ndihmën e saj dhe të vendit të saj ndaj përpjekjeve të Shqipërisë, për antarësim në Bashkimin Evropian.

Megjithse, siç dihet për arsye të politikës pas Luftës së Dytë Botërore, nuk ekzistonin marrëdhënie ndër-shtetërore, marrëdhëniet miqësore midis kombit Shqiptar dhe Kombit Kroat janë të vjetëra.  Ato shkojnë mbrapa në histori, e cila shënon se lidhjet midis dy kombeve të hershme – sidomos ndërmjet Arbërisë dhe Republikës së Raguzës (Dubrovnikut të sotëm) kanë filluar qyshë në kohën e Kastriotëve, kur ata gëzonin liri të pa kufizuar tregëtie me njëri tjetrin dhe marrëdhënie të tjera.  Përveç lidhjeve tregtare midis Kastriotëve me Republikën Raguzës, lidhjet midis Arbërisë dhe Raguzës si dhe qëndrave të tjera në territorin e dikurshëm të Kroacisë së sotëme, kanë qenë të forta edhe në fushën e diplomacisë dhe të arsimit.  Thuhet se diplomati, kleriku, oratori i njohur dhe njeriu besnik i Gjergj Kastriotit, Palë Gazulli, ka shërbyer si ambasador i Heroit Kombëtar të Shqiptarëve në Republikën e Raguzës.  Thuhet se Pal Gazulli ka qenë gjithashtu edhe rektor i shkollave të Raguzës.  Këto lidhje në fushën e arsimit, sidomos për studentët nga të gjitha trojet shqiptare vazhdojnë edhe sot, siç kanë kanë vazhduar, historikisht.  Madje edhe gjatë periudhës komuniste – të rinjtë shqiptarë nga trojet shqiptare në ish-Jugosllavi — preferonin të shkonin në shkollat kroate dhe sidomos ata të fesë katolike regjistroheshin në seminaret katolike anë e mbanë Kroacisë, përfshirë edhe qytetin e Rjekës, vendlindja e Presidentes kroate, Kolinda Grabar-Kitarović – ku edhe unë kam kaluar vitet më të bukura në shkollën e mesme klasike të urdhërit salezian në atë qytet.Këto marrëdhënie të ngushta e të hershme midis dy popujve tanë, janë përforcuar edhe më vonë në fillim të shekullit të kaluar nga puna e palodhë-shme e shumë kroatëve, përfshir historianin dhe albanologun e njohur kroat, Milan Shufflaj, i cili nepërmjet hulumtimeve dhe disa veprave të tija, ka dokumentuar historinë e shqiptarëve në Mesjetë — veprimtari të cilën ai, fatkeqsisht, e pagoi me jetën e tij, duke rënë martir i albanalogjisë. Ai u vra nga dora e zezë serbe në Shkurt të vitit 1931, një ditë pasi ishte këthyer në Zabgreb nga një vizitë në Shqipëri, ndërkohë që po përgatiste një botim tjetër mbi historinë e Shqiptarëve.  Kontributi i tij konsiderohet nga historianë dhe akademikë të njohur, si unik dhe i pazëvëndsueshëm.

Por, megjithë ndihmën dhe kontributet kroate ndaj historisë dhe kulturës shqiptare, por edhe në fusha të tjera, nuk duhet të mungojmë së përmenduri se pjesë e këtyre marrëdhënieve të ngushta nuk është vetëm kontributi i kroatëve gjatë historisë së shqiptarëve.  Kroatët kurrë nuk do të harrojnë ndihmën dhe kontributin e shqiptarëve, sidomos shqiptarëve të Kosovës dhe të trojeve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi, gjatë luftës më 1990-at dhe në themelimin e shtetit të pavarur kroat në fund të shekullit të kaluar.  Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar Kitaroviç   NË një konferencë të përbashkët me homologun e saj Ilir Meta ka cilësuar shqiptarët si një ndër të paktët popuj miq për Kroacinë. Kitaroviç ka shprehur mirënjohjen e thellë për shqiptarët që ndihmuan në lirinë e vendit, njofton gazeta Telegraf e Tiranës.  “Sot diskutuam për bashkëpunimin mes Kroacisë e Shqipërisë dhe Shqipëria ishte miku jonë kur miqtë ishin të paktë. Na mbështetën gjatë luftës në Kroaci. Ne e vlerësojmë këtë mbështetje. Nga komuniteti shqiptar në Kroaci, që janë rreth 10.000 shqiptarë, 2.500 ishin vullnetarë në luftën e Kroacisë, 87 humbën jetën 37 janë të zhdukur. Kjo është një çështje shumë e madhe për ne dhe i jemi mirënjohës shqiptarëve që luftuan për lirinë e vendit tonë”, tha Kitaroviç, në një konferencë të përbashkët me kreun e shtetit Meta, nga Presidenca.

Këtë fakt e kanë theksuar edhe personalitetet të tjera, të njohura kroate, përfshir edhe ish-presidentin Stipe Meshiq, një mik i madh i shqiptarëve, i cili si njohës i mirë i çështjeve ballkanike dhe i realitetit nën të cilin kanë jetuar shqiptarët ndër shekuj, por njëherazi edhe si një person që kontribon çdo ditë në afrimin midis dy popujve, ka shprehur vazhdimisht dhimbjet e tija dhe të kroatëve në përgjithësi, për fatin e keq dhe për vuajtjet e shqiptarëve në trojet e veta.   Në një intervistë, ish-Presidenti kroat, Meshiq është shprehur: “Unë jam një njeri, i cili gjithmonë ka njohur realitetin dhe është e njohur për këdo se bota ndaj shqiptarëve nuk ka qenë kurrë zemërgjerë, veçanërisht ndaj shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë.   Shqiptarët në ish-Mbretërinë Serbo-Kroato-Sllovene nuk kanë pasur asnjë të drejtë. Ata nuk kishin të drejtë për kombësi, gjuhë, kulturë, nuk kishin asgjë”, ka thënë ai.

Është pra në këtë këndveshtrim të lidhjeve historike midis dy kombeve tona që Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarovićzhvillon këto ditë vizitën e saj shtetërore në Shqipëri, ashtuqë me një kuptim të historisë – le të ndërtohet baza madje edhe më e fuqishme së ç’është tani, për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat, sidomos në bashkpunimin dhe rolin që duhet të luajnë Kroacia dhe Shqipëria së bashku — por gjithmonë në kuadër të integrimit të plotë euro-atlantik të dy vendve — për një të ardhme më të mirë për të dy kombet dhe për paqën dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Kroatët kanë përshëndetjen e tyre, “Bog i Hrvati” që do të thotë, “Zoti dhe Kroatët”.  Është një shprehje që është përdorur nga politikani dhe shkrimtari kroat Ante Starçeviq, në fjalimin që ka mbajtur para parlamentit kroat në vitin 1861 e në të cilin ka thënë në kontekstin e kohës, se e ardhmja e Kroacisë nuk duhej të vendosej nga Austria, por nga Zoti dhe Kroatët.  I lutemi Zotit pra, që vizita e Presidentes së Kroacisë këto ditë në Shqipëri, të shërbejë si një hap tjetër drejt përforcimit të mëtejshëm të miqësisë historike dhe të marrëdhënieve të shkëlqyeshme midis dy vendeve dhe dy kombeve tona, si kontribues të paqës dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, në kuadër të integrimit të plotë euro-atlantik të Shqiptarëve dhe Kroatëve dhe që Zoti të jetë gjithmonë me ta që të vendosin vet të ardhmen e tyre.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, miqesia, SHQIPTARO-KROATE

LAJM I MIRE- BE: Kosovës, liberalizim vizazh

July 18, 2018 by dgreca

-Komisioneri Avramopoulos: Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave/

1 Thaci Viza.JPG1 Avramopoulos2.JPG1 Thaci-delegacioni.jpg2 Thaçi-Avramopoulos

-Presidenti Thaçi: Sot filloi shembja e murit të fundit të izolimit/

BRUKSEL, 18 Korrik 2018-Gazeta DIELLI/ Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Kështu, Komisioni Evropian ka kumtuar rekomandimin pozitiv për Kosovën në lidhje me liberalizimin e vizave. Komisioneri i BE-së për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi Dimitris Avramopoulos dhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në një konferencë shtypi së bashku në Bruksel e vlerësuan shumë të rëndësishëm rekomandimin pozitiv, duke e cilësuar atë ndër hapat e fundit në Bashkimin Evropian para se të merret vendimi përfundimtar për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Jam i lumtur të ju njoftoj se të gjitha përpjekjet e Kosovës dhe puna e tyre drejt liberalizimit të vizave janë shpaguar dhe prandaj sot mund të konfirmojmë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave”, theksoi komisioneri Avramopoulos.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi bashkë me kryeparlamentarin Kadri Veseli, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe zëvendëskryeministrat Behgjet Pacolli, Fatmir Limaj dhe Dardan Gashi janë takuar me Komisionerin e BE-së për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos.

Pas takimit, presidenti Thaçi dhe komisioneri Avramopoulos, kanë mbajtur konferencë për media.Kreu i shtet ka thënë se vendimi i sotëm i Komisionit Evropian për të shpallur të përmbushur edhe kriterin e fundit në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën është një ndër lajmet më të mira që kanë pritur qytetarët e Kosovës.Sipas tij, kjo përbën një moment historik dhe një njohje e përpjekjeve shumëvjeçare për të ankoruar Kosovën në zemrën e Evropës. “I nderuar Komisioner Avramopoulos, ju shpreh falënderimin për gjithë mbështetjen tuaj në ecjen tonë përgjatë kilometrave të fundit. Por, më duhet ta theksoj, se kilometrat e fundit, vërtet kanë qenë shumë të gjata. Mirëpo,  jam i lumtur që së bashku kemi arritur në këtë cak të rëndësishëm, dhe jam i bindur që së bashku dhe shpejt do të vijmë te momenti ku qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza në vendet e BE-së”, ka theksuar presidenti Thaçi.

 Presidenti Thaçi ka pohuar se liberalizimi i vizave është momenti më domethënës në rrugën evropiane të Kosovës deri në anëtarësimin në BE.“Sot ka filluar shembja e murit të fundit të izolimit të një shoqërie të tërë evropiane”, ka theksuar ai, duke shtuar më tej se “Lajmi i sotëm  e përmbyllë një cikël shumë të vështirë dhe rigoroz të përmbushjes së kërkesave të Komisionit Evropian. Siç edhe kemi deklaruar edhe më herët, Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave, dhe sot me plot kuptimin e fjalës, kemi pajtim të plotë me partnerët tanë në Komision Evropian”, ka thënë presidenti Thaçi.Presidenti Thaçi ka shtuar se kjo nuk ka qenë një dhuratë, por një mirënjohje e punës së vështirë që e kemi bërë së bashku.Ai ka shprehur falënderimin për secilin anëtar të delegacionit, Kryetarin e Parlamentit, Kryeministrin, Zëvendëskryeministrat, por edhe për gjithë spektrin politik, opozitën, qeveritë e kaluara, dhe të gjitha institucionet e vendit, organet e rendit dhe ligjit, përfshirë gjykatat për kontributin e vazhdueshëm dhe të paepur në këtë proces.

Presidenti Thaçi ka shprehur zotimin se kjo punë do të vazhdohet me përkushtimin e njëjtë edhe në fazat e mëtutjeshme.“Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të lehtësojë lëvizjen e lirë të njerëzve, por do të ketë ndikim pozitiv edhe në lëvizjen e mallrave dhe mbi të gjitha do të avancojë idealet dhe vlerat evropiane në Kosovë. Unë kam besimin dhe përkushtimin që të vazhdojmë dhe të përmbyllim këtë proces të rëndësishëm. Lajmi i sotëm do të jetë shtytës në punën tonë të përditshme në shtyrjen  përpara të reformave të rëndësishme në të gjitha fushat, përfshirë këtu edhe në çështjet që ndërlidhen me sundimin e ligjit”, ka theksuar kreu i shtetit.

 Ai më tej ka thënë se është më se evidente që Kosova, përveç një vendi aspirues për anëtarësim, është edhe një partner aktual i BE-së në adresimin e të gjitha sfidave të përbashkëta, si në sensin e migrimit, sigurisë, ashtu dhe e të gjitha çështjet tjera ku kemi interes të përbashkët.

 “Në këtë rast më duhet të them ne jemi të vetëdijshëm edhe për sfidat përbrenda vetë BE-së, sa i përket temave të Migracionit, rritjes së populizmit etj. Por, duke qenë se jemi të gatshëm dhe të përgatitur, nuk besoj që kemi kohë shumë dhe mundësi më të mirë që të merren vendime sa më shpejt dhe ta përfundojmë këtë projekt të përbashkët shumëvjeçar, në mënyrë që të përfundojë izolimi i stërzgjatur i qytetarëve të Kosovës, të vetmit në Ballkan por edhe më gjerë që nuk kanë përfituar nga kjo mundësi”, ka pohuar presidenti Thaçi.Sipas tij, institucionet e pavarura do të vazhdojnë me të gjitha përkushtimet tona në proces, në mënyrë që të kemi sa më shumë argumente edhe në përballje të mëtutjeshme edhe me shtetet anëtare.“Në përmbyllje më lejoni t’ju shpreh një falënderim të sinqertë për juve personalisht në këtë drejtim, dhe për angazhimin tuaj të madh. Shpërblimi më i madh që mund t’jua ofrojmë është vetë efekti që kjo do të ketë për popullin tonë, për ruajtjen dhe përforcimin e kredibilitetit të vetë BE-së në vendin tonë, por edhe ndikimin pozitiv që kjo do ta ketë edhe për procesin e dialogut”, ka thënë presidenti Thaçi.

DEKLARATË E QEVERISË LIDHUR ME REKOMANDIMIN POZITIV PËR LIBERALIZIMIN E VIZAVE NGA KOMISIONI EVROPIA

PRISHTINË, 18 Korrik 2018-Gazeta DIELLI/

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mirëpret rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës nga Komisioni Evropian, dhe vlerëson se kjo është dëshmi e ecjes drejtë integrimit të plotë të vendit tonë në strukturat euroatlantike.

Kjo shpreh edhe një herë përcaktimin e gjithë kosovarëve për një të ardhme euroatlantike, duke praktikuar vlerat demokratike civilizuese perëndimore.

Kryeministri Ramush Haradinaj dhe Qeveria e Republikës së Kosovës janë koshient për faktin se në rrugën e Kosovës drejt integrimit të plotë, ka punë për të bërë dhe sfida, për të cilat do të ketë angazhim konkret, institucional dhe nga e gjithë shoqëria.

Ky angazhim për të përmbushur kriteret që na ofrojnë me vendet e zhvilluara evropiane do të vazhdojë.Ndërtimi i shoqërisë demokratike, të qëndrueshme, të zhvilluar dhe me mirëqenie të qytetarëve, është synim i vazhdueshëm i Qeverisë së Republikës së Kosovës.

 Kryeministri Ramush Haradinaj dhe Qeveria shprehin bindjen se qytetarët dhe institucionet e Kosovës do të dinë të vlerësojnë drejtë dhe të respektojnë vendimet dhe rregullat e institucioneve evropiane për lëvizje të lirë.

Në këtë drejtim, ne garantojmë mbështetje institucionale për respektimin e kritereve, rregullave dhe procedurave që lidhen me këtë rekomandim të Komisionit Evropian.Kryeministri Ramush Haradinaj dhe Qeveria e Kosovës presin që ky rekomandim do të marr mbështetjen edhe nga Parlamenti Evropian dhe nga Këshilli i Ministrave, në mënyrë që lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës në vendet evropiane të bëhet realitet deri në fund të këtij viti.

 MINISTRI I JASHTËM PACOLLI: REKOMANDIMI POZITIV PËR LIBERALIZIMIN E VIZAVE NJË MOMENT I RËNDËSISHËM HISTORIK PËR VENDIN DHE QYTETARËT

 Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Behgjet Pacolli, ka mirëpritur rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, që u publikua sot nga Komisioni Evropian.

 “Njoftimi i sotëm nga Komisioni Evropian për rekomandimin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës është një moment i rëndësishëm historik, i cili e bën Bashkimin Evropian të prekshëm për qytetarët e Kosovës. Ky hap drejt liberalizimit të vizave është një test për lidershipin e BE-së në rajon dhe një angazhim për të ardhmen evropiane të Kosovës”, ka thënë numri dy i Qeverisë së Kosovës, Pacolli.Kryediplomati kosovar, Pacolli, ka përgëzuar edhe Institucionet vendore për punën, angazhimin dhe përkushtimin institucional në përmbushjen e të gjitha kritereve të vëna nga ana e Bashkimit Evropian.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, kosova, Liberalisim Vizash

Gjenë çantën me mijëra dollar dhe ia kthen pronarit

July 18, 2018 by dgreca

1 gjejne canten.JPG

Prishtinë 18 Korrik 2018- Ngjarjet e pazakonta shëndërrohen në të rëndomta kur ka njerëz të mirë.

1 Canta me para.JPG

Dje me 17 Korrik 2018 pas arritjes në Prishtinë në aeroportin “Adem Jashari”, dhe pas kryerjes së kontrollës së pasaportave Gëzim Gjonbalaj sëbashku me motrën Fionen patën paksa një arritje jo edhe aq të këndshme në Kosovë.

Të ngazëllyer në emocionet e ribashkimit me familjarët që i pritnin për ti takuar, ata posa arrijnë në banes në Prishtinë e kuptojnë se është duke ju munguar çanta personale e krahut , me dy pasaportat amerikane me të gjitha parat disa mijëra dollar dhe të gjithë dokumentet personale me kredit karta etj etj.

Arritja në Prishtinë me Austrian Airlines ishte në orën 23:10 minuta, por nata u zgjat shumë në kërkime dhe raportime në organet policore përderisa lajmërohet pas vetëm disa orëve  njeriu zemërbardhë Ismet Kqiku (në foto me Gzim Gjonbalaj pas takimit) që njofton prindin e Gëzimit se ai ka çantën komplet të pa prekur ashtu sic e ka humbur Gzimi, me pasaporta, para dhe të gjitha se çka kishte në çantën e vogël të krahut. Veprimi  burrëror dhe fisnik i Ismet Kqikut nga fshati Dardani i komunës së Ferizajit dëshmon më së miri për vlerat e rralla dhe të larta të këtij fisniku të denjë, por edhe të familjes dhe truallit që i përket ky njeri zemërbardhë dhe me vlera të rralla njerëzore.

nga: Esad Gjonbalaj

(përndryshe baba i Gzimit dhe Fiones)

Përshkrimi i fotos:

1.Gzim Gjonbalaj dhe Ismet Kqiku pas dorëzimit të çantës së gjetur nga Ismeti

  1. Gzimi dhe Fiona pas nisjes në aeroportin JFK në New York

Filed Under: Komunitet Tagged With: canta me mijera dollare, Esad Gjonbalaj, Ismet Kqiku

Kosovë-Serbi, u Zhvillua takimi i dytë i finales së dialogut

July 18, 2018 by dgreca

-Kosova dhe Serbia në finalen e dialogut, presidentët Thaçi e Vuçiç shtKosovë-Serbi, u Zhvillua takimi i dytë i finales së dialogut Beograd-Prishtinërnguan duart  me Mogherinin në Bruksel/

-Kryeministri Haradinaj: Normalizimi i raporteve në mes të dy vendeve është proces, i cili duhet të përmbyllet me njohje reciproke dhe si i tillë është shumë i rëndësishëm për tërë Ballkanin Perëndimor/

-Nga viti 2012, në Bruksel, 30 raunde kryeministrore, sot takimi i 7-të i presidentëve, i 5-ti Thaçi-Vuçiç/

–  THAÇI FB: I HAPET RRUGË NJOHJES SË KOSOVËS NGA SERBIA/

1 Thaci-Vucic-18korrik2018-Bruksel.JPG1 Moherini kosovaret1 Moghereini Serbet.jpgMogherini-Vucic-18korrik2018-Bruksel-22 Thaci-Mogherini-18korrik2018.JPG2 Treshe

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 18 Korrik 2018/ Sot në Bruksel u zhvillua takimi i dytë i fazës finale të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, i presidentëve Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiç, në procesin drejt notmalizimit të marrëdhenieve, kryesuar nga Bashkimi Evropian. Është ky takimi i shtatë presidencial, i pesti i presidentëve Thaçi e Vuçiç. Para takimit trilateral me dy presidentët përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka takuar ndaras fillimisht delegacionin e Kosovës e pastaj të Serbisë.

“Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me ftesë të përfaqësueses së lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka udhëtuar për në Bruksel, ku do t’i prijë delegacionit kosovar në takimin e radhës në kuadër të fazës së fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi  Presidenca kosovare.

Bëhet e ditur se, delegacioni i Republikës së Kosovës përbëhet nga të gjithë udhëheqësit institucionalë dhe liderët politikë të partive politike parlamentare që janë pjesë e koalicionit qeverisës, respektivisht nga presidenti Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj, si dhe zëvendëskryeministrat Behgjet Pacolli, Fatmir Limaj dhe Dardan Gashi.

Kryeministri Haradinaj njoftoi për takimin sot paradite. “Sot në Bruksel, bashkë me Presidentin Thaçi, Kryeparlamentarin Veseli, dhe zëvendëskryeministrat Behgjet Pacolli, Fatmir Limaj e Dardan Gashi, takuam Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini, ku dëshmuam se institucionet e Kosovës janë unike për dialogun me Serbinë.

Normalizimi i raporteve në mes të dy vendeve është proces, i cili duhet të përmbyllet me njohje reciproke dhe si i tillë është shumë i rëndësishëm për tërë Ballkanin Perëndimor”, ka theksuar kryeministri Haradinaj.

Në dialogun në Bruksel Kosovë-Serbi për presidentin  Thaçi, të inauguruar në muajin prill 2016, dhe presidentin Vuçiç, të inauguruar në qershor 2017, takimi i sotëm është i pesti, pas të katërtit të dielën e 24 qershorit 2018, të dy këto të fazës finale.

Ndërsa takimi i 23 marsit 2018 ishte i treti, pas të parit në 3 korrik e të dytit në 31 gusht 2017, ku në fokus ishte një fazë e re e dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Në 2017-tën kishte edhe dy takime të tjera në Bruksel në nivelin e lartë. Në 1 shkurt Kosova dhe Serbia zhvilluan takimin e dytë brenda një jave, në vazhdimësi të takimit të 24 janarit, me pjesëmarrje të presidentëve bashkë me krerët e qeverive pas 30 raundeve kryeministore të procesit drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA.

Në këto dy raunde presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u takua me atëherë presidentin e Serbisë Tomislav Nikoliç. Realizimi i marrëveshjeve dhe dhënja fund situatave tensionuese e retorikave ishte në fokus të ketyre dy takimeve që u zhvilluan ndërkohë që kishte kaluar një vit pa asnjë raund të nivelit të lartë, që nga takimi i 30-të kryeministor, por i vetmi në 2016-tën i zhvilluar në 27 janar dhe i fundit që nga i pari në 19 tetor 2012.

Para pesë vitesh, në 19 prill 2013, në Bruksel, Kosova dhe Serbia – kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, në raundin e 10-të të dialogut,   të ndërmjetësuesuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në atë kohë, baronesha Catherine Ashton, kanë parafuar Marrëveshjen e Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve, të vlerësuar historike.

Në 30 raundet kryeministrore, 23 takimet Thaçi-Daçiç janë pasuar me 7 raunde të tjera të kryeministrave atëherë Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë.

Bisedimet Kosovë-Serbi në nivel të lartë kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, poashtu në Bruksel.

***

PRESIDENTI THAÇI: I HAPET RRUGË NJOHJES SË KOSOVËS NGA SERBIA

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka shkruar në ‘facebook’:

Bashkë me udhëheqësit institucionalë dhe liderët politikë të partive politike parlamentare, që janë pjesë e koalicionit qeverisës, takuam përfaqësuesen e lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Në këtë takim rikonfirmuam përkushtimin tonë për dinamizmin e fazës së fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme.

Kjo do të t’i hapë rrugë njohjes së Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimit të Kosovës në strukturat euroatlanike. Kosova edhe në takimet e radhës do të jetë unike si në përfaqësim ashtu edhe në qëndrimet politike. HTH

Fishë teknike-Datat e të gjitha takimeve të nivelit të lartë Kosovë-Serbi në Bruksel:

30 RAUNDET KRYEMINISTRORE

Thaçi-Daçiç:

Viti 2012:

Raundi 1 – në 19 tetor
Raundi 2 – në 7 nëntor
Raundi 3 – në 4 dhjetor

Viti 2013:

Raundi 4 – në 17 janar
Raundi 5 – në 19-20 shkurt
Raundi 6 – në 4 mars
Raundi 7 – në 20 mars
Raundi 8 – në 2 prill
Raundi 9 – në 17 prill
Raundi 10 – në 19 prill
Raundi 11 – në 21 maj
Raundi 12 – në 20-21 qershor
Raundi 13 – në 8 korrik
Raundi 14 – në 24 korrik
Raundi 15 – në 27 gusht
Raundi 16 – në 8 shtator
Raundi 17 – në 7 tetor
Raundi 18 – në 6 nëntor
Raundi 19 – në 5 dhjetor

Raundi 20 – në 13 dhjetor

Viti 2014:

Raundi 21 – në 27 janar
Raundi 22 – në 12 shkurt
Raundi 23 – në 31 mars

Mustafa-Vuçiç:

Viti 2015:

Raundi 24 – në 9-10 shkurt

Raundi 25 – në 21 prill

Raundi 26 – në 23 qershor

Raundi 27 – në 29 qershor

Raundi 28 –  në 25 gusht

Raundi 29 – në 13 tetor

Viti 2016:

Raundi 30 – në 27 janar

TAKIMET E PRESIDENTËVE

Viti 2017:

Thaçi- Nikoliç -2 takime

-1 shkurt

-24 janar

Thaçi- Vuçiç

-3 korrik

-31 gusht

 

Viti 2018:

-23 mars

-24 qershor

-18 korrik  (takimi i 5-të)

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, ne Bruksel, takimi Kosove-Serbi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT