• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2018

VATRA DEKLARATE PER SHKEMBIM TERRITORESH KOSOVE-SERBI

August 16, 2018 by dgreca

VATRA, E SHQETËSUAR PËR RETORIKËN E KORRIGJIMIT, NDRYSHIMIT APO KËMBIMIT TË TERRITOREVE KOSOVË-SERBI/

1-Logo-Vatra

– Vatra e Shqiptarëve të Amerikës, që për më shumë se një shekull ka qenë avokatja e sigurimit dhe ruajtjes së integritetit Kombëtar, e konsideron të rrezikshëm hapjen e debatit për korrigjim kufijësh apo shkëmbim territoresh me Serbinë.-

NJU JORK, 16 GUSHT 2018- Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” po i ndjek me shqetësim zhvillimet e fundit në Kosovë. Vatra ndjehet e shqetësuar për retorikën e rrezikshme dhe deklaratat e kohëve të fundit rreth  “Shkëmbimit të territoreve”, “ndryshimit të kufijëve”, apo “korrigjimit të kufijëve” të saj me Serbinë.

Vatra e Shqiptarëve të Amerikës, që për më shumë se një shekull ka qenë avokatja e sigurimit dhe ruajtjes së integritetit Kombëtar, e konsideron të rrezikshëm hapjen e debatit për korrigjim kufijësh apo shkëmbim territoresh me Serbinë. Këto deklarata, që kanë për ideator Presidentin Aleksandër Vuçiç të Serbisë, dhe promovues Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, nuk bëjnë gjë tjetër veçse vënë në dyshim integritetitin dhe sovranitetin e Kosovës, frenojnë procesin e konsolidimit të shtetit të ri të Kosovës,pengojnë realizimin e marrëveshjeve të deritanishme të palëve; i japin kohë Serbisë të promovojë destabilizimin e rajonit dhe të vëjë në dyshim ardhmërinë e shtetit të ri të Kosovës

Të hapësh kapitullin e ri të kufijëve, ndërkohë që faktori ndërkombëtar i quan të paprekshëm kufijtë e Ballkanit dhe kërkon rezultate në tavolinën e bisedimeve, është jo vetëm humbje kohe, por edhe braktisje të interesave kombëtare shqiptare. E humbur në këtë rast është vetëm Kosova, që për të përfshirë në kufijtë shtetëror trevën etnike shqiptare të Luginës së Preshevës me rrethina, duhet të sakrifikojë tokat shqiptare të veriut të vet të populluara nga shumica serbe-Kosova, sipas kësaj retorike, Kosova jep toka shqiptare dhe merr toka shqiptare! Vetëm naivët mund të promovojnë ide të tilla të rrezikshme.

Federata Vatra mbështet deklaratën e Departamentit të Shtetit Amerikan, ku i është i bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit, “Që të shmangin retorikën negative dhe të punojnë së bashku për një marrëveshje që siguron qëndrueshmëri për të dyja vendet dhe rajonin”.

Për Vatrën është e papranushme edhe HESHTJA e Tiranës zyrtare.

Filed Under: Featured Tagged With: deklarate, korrigjim kufijsh, ndryshimi territoresh, Vatra

DANAS- Thaçi: JO krijimit të Republikës Serbe në Kosovë

August 16, 2018 by dgreca

Hashim Thaçi: Nuk do të lejojmë krijimin e Republikës Serbe në Kosovë. Ky është titulli i gazetës serbe të Beogradit “Danas”, e cila boton sot intervistën me Presidentin e Kosovës. Mbititulli është: Presidenti Kosovar flet për Danas për fazën e ardhëshme të dialogut të Brukselit, Perëndimin, Rusinë, Aleksandar Vuçiçin…Ndërsa, nëntitujt janë: Unë flas me Vuçiçin dhe dëshiroj të gjejmë zgjidhje sepse dua ta shoh Kosovën në NATO dhe BE, sa më shpejtë që është e mundur; Ndodhemi në periudhë kritike dialogu midis dy shteteve tona.Gazeta DIELLI me korrespondentin në Kosovë këto i sjell (përkthyer në shqip) nga gazeta  e Beogradit “Danas”.

Ndërsa, në vijim intervista ashtu si e ka përkthyer e botuar media në Prishtunë:

***1-Thaci-300x169

Thaçi për Danas: Nuk do të lejojmë krijimin e ”Republika Srpska”-s në Kosovë/

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë për të përditshmen serbe “Danas” ka folur për shumë tema, për marrëdhëniet me Serbinë, dialogun, perspektiven evropiane dhe FSK-në.

Në këtë intervistë, Thaçi po ashtu ka thënë se institucionet e Kosovës nuk do ta lejojnë krijimin e “Republika Srpska”-s në Kosovë, përcjell “Zeri.info”.

Në vazhdim Intervista e plotë e Thaçit për “Danas”

Danas: Të dy presidentët, të Kosovës dhe të Serbisë, javët e fundit kanë filluar të flasin për një demarkacion apo korrigjim të kufirit. Të dy ju keni theksuar se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës do të jetë e dhimbshme. Megjithatë, opinioni di fare pak për progresin në dialogun tuaj në Bruksel apo madje edhe për kornizën e ndonjë marrëveshjeje të tillë. A mund të na tregoni më shumë për pritjet që keni për marrëveshjen përfundimtare?

Thaçi: Kosova tashmë është një fituese morale dhe politike, sepse njerëzit tanë janë të lirë. Ata jetojnë në një shtet të lirë, të njohur nga pjesa dërrmuese e anëtarëve të Kombeve të Bashkuara. Por, ne tani duhet të lëvizim me shpejtësi drejt anëtarësimit tonë në BE, NATO dhe në OKB. Dialogu me Serbinë, bashkëpunimi rajonal dhe pajtimi janë kushte thelbësore për ta jetësuar këtë qëllim. Nuk po zhvilloj bisedime me Beogradin për shkak të ndonjë nostalgjie. Nuk vuaj nga Jugonostalgjia siç vuajnë disa. As nuk bisedoj me Beogradin se më pëlqen të shpenzoj kohë në korridoret e Brukselit, duke ngrënë sanduiçe të ftohtë deri në orët e vona të mbrëmjes. Jo – por bisedoj me Vuçiqin dhe jam i etur të gjej një zgjidhje, sepse dua ta shoh Kosovën tonë në NATO dhe BE, sa më parë. Do të jem shumë i sinqertë, nuk mendoj se do të anëtarësohemi në këto mekanizma derisa të mos kemi kufi të pazgjidhur mes dy shteteve. Ne duhet të arrijmë një pajtim të plotë për demarkacionin e kufirit, që të mos lejojmë që disa çështje të hapura të shndërrohen në çështje konflikti në të ardhmen. Synimi im nuk është ndonjë ndarje etnike, e as krijim i një “Republika Srpska” të dytë në territorin tonë. Zoti na ruajt! Qëllimi im është vendosja e kufirit prej rreth 400 kilometra, e ky proces kërkon zgjidhje kreative, të cilat do të sigurojnë paqen sot dhe në të ardhmen.

Danas: Kohët e fundit se doni t’u ndihmoni shqiptarëve të Luginës së Preshevës që t’i bashkohen Kosovës si pjesë e këtij dialogu? Pse të hapet kjo çështje tani? A mendoni se Beogradi do të lejojë që të japë territor pa marrë diçka substanciale në këmbim?

Thaçi: Lugina e Preshevës, njerëzit e këtyre tri komunave qysh më 1992 kanë shprehur qëllimet e tyre politike. Është e qartë se çdo demarkim i kufirit mes dy shteteve do të ketë rëndësi për këto familje dhe këta qytetarë. Interesat e tyre duhet të respektohen dhe të merren parasysh. Një thënie e vjetër thotë se nëse ka vullnet ka edhe zgjidhje. Besoj se nëse ka vullnet nga lidershipi në Kosovë dhe ai në Serbi për të gjetur zgjidhje kreative, do të gjejmë një mënyrë për t’i akomoduar njerëzit në këto rajone kufitare që të ndihen të qetë, të sigurt dhe me të ardhme ekonomike dhe politike të sigurt. Si serbët në pjesën veriore të Kosovës ashtu edhe shqiptarët në Luginën e Preshevës më së shumti janë të preokupuar me vendet e punës dhe ekonominë. Kush do të investojë në shtetet tona nëse kemi çështje të hapura të zgjatura për dekada të tëra? Si do t’i parandalojmë të rinjtë tanë të largohen nëse duhet të përballen me diskriminim apo frikë çdo 10 apo 20 vjet?

Danas: A po bisedoni ju dhe Vuçiq me duart tuaja mbi harta, me koordinata të fshatrave dhe kufijve si në Dejton, apo çfarë procesi po ndodh tani?

Thaçi: Pa asnjë dyshim, gjëja e fundit në mendjen time është Dejtoni. Kam shpallur pavarësinë e Kosovës si një republikë sovrane, laike dhe qytetare. Ajo do të mbetet qytetare. Hartat nuk do të përcaktojnë fatin e njerëzve. Njerëzit do të përcaktojnë fatin e hartave. Unë mendoj vetëm për hartat evropiane. Ish-Jugosllavia është shpërbërë dhe janë shtatë shtete që u krijuan nga ky proces i përgjakshëm i cili nisi vetëm në Beograd – kur njerëzit atje filluan të merreshin me harta dhe memorandume. Ky obsesion me harta ka sjellë kaos dhe gjenocid. Marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë marrëveshje evropiane. Ajo do të mbështetet nga Brukseli dhe Uashingtoni. Dhe do të finalizohet me një rezolutë të re të Kombeve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të KB-së, duke i hapur kështu perspektivë evropiane. Ose do të jetë një zgjidhje evropiane me mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së ose nuk do të ketë marrëveshje.

Danas: Çfarë do të ndodhë nëse nuk do të ketë marrëveshje? Shumë njerëz si në Serbi, por edhe në Kosovë, janë shprehur se është më mirë të mbahet status quo-ja? A do të ketë dhunë?

Thaçi: Status quo-ja mund të shkaktojë telashe në planin afatgjatë.  Kriminelët, populistët, nacionalistët, “palët e treta” nga jashtë rajonit tonë – të gjitha ata po synojnë të mbajnë status quo-në për të vazhduar me “operacionet” e tyre dhe për ta minuar Evropën, NATO-n dhe mbarë establishmentin perëndimor. Ballkani sot është i sigurt, madje kemi shënuar progres të caktuar, si marrëveshja fantastike mes Greqisë dhe Maqedonisë, si dhe pranimi i Malit të Zi në NATO; por ne duhet t’i mbyllim të gjitha çështjet e hapura dypalëshe. Sot nuk kam frikë nga dhuna. Jam i shqetësuar për propagandën e Beogradit, sipas së cilës një lloj plani po përgatitet nga policia apo ushtria e Kosovës për të hyrë në luftë. Kjo është marrëzi dhe e rrezikshme. Policia e Kosovës dhe ushtria e Kosovës trajnohen nga NATO, nga BE-ja dhe u përmbahen vlerave euro-atlantike. Por nëse nuk i rregullojmë marrëdhëniet tani, atëherë po humbim mundësinë që një apo dy breza të tjerë të kenë jetë normale. Pse ta shtyjmë zgjidhjen nëse të dyja palët janë gati të mbyllin kapitullin e dhimbshëm të së kaluarës? Pse t’i lëmë fëmijët tanë pengje të ëndrrave mitike, historike? Është e qarte se Kosova dhe Serbia janë dy shtete. Por është gjithashtu e qartë se ata janë fqinj që duhet të bisedojnë dhe t’i zgjidhin çështjet e hapura.

Danas: A e mbështesin BE-ja dhe SHBA-të qëndrimin tuaj? Ka sinjale të përziera që vijnë nga kryeqytetet e BE-së. Londra dhe Berlini po tregohen të zëshme ndaj ndryshimeve të kufirit. Uashingtoni po qëndron i heshtur. Moska po vëzhgon me vëmendje. 

Thaçi: Në dialogun që po e zhvillojmë në Bruksel aty gjithmonë ka përfaqësues të qeverisë së SHBA-së, në të gjitha fazat e dialogut, prandaj BE-ja dhe SHBA-të mbështesin një marrëveshje të përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk ka asnjë dyshim për këtë. Mund të them se kemi pasur një mungesë fokusi – sidomos nga Brukseli – por bota është një gjendje të vështirë dhe po bëhet gjithnjë më e vështirë. Nuk kam iluzione siç kanë disa njerëz, të cilët mendojnë se ne jemi qendra e botës dhe se secili duhet të dëgjojë dëshirat dhe kërkesat tona. Jo, ne kemi një dritare shumë të ngushtë të mundësisë dhe shumë pak hapësirë manovrimi në kryeqytetet e mëdha për t’u marrë me Kosovën dhe Serbinë. Pra, duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi, derisa ka kohë dhe vullnet, që bashkë me aleatët tanë ta mbyllim marrëveshjen dhe ta mbështesim marrëveshjen përfundimtare.

Danas: Çfarë do të ndodhë me serbët e jugut në Kosovë nëse do të ketë korrigjim të kufirit? Njerëz të shumtë druajnë nga eksodi, si në rastin e “Oluja”-s në Kroaci?

Thaçi: Kjo është një propagandë e orkestruar. Askush nuk do t’i prekë serbët në jug, veri, perëndim apo në lindje të Kosovës. Kishte propagandë edhe kur shpallëm pavarësinë, më 2008, se serbët do të largohen me traktorët e tyre, por nuk e bënë këtë. Ata qëndruan në Kosovë dhe madje morën pjesë në krijimin e institucioneve të Kosovës, policisë, Kuvendit, Gjykatës Kushtetuese. Sot, serbët janë të integruar dhe nuk shoh ndonjë arsye për njerëzit në Shtërpcë ose Graçanicë apo kudo që të kenë frikë nga e ardhmja e tyre në Kosovë. Një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do t’u ndihmojë atyre, sepse do të ulë kërcënimet e nacionalistëve dhe ekstremistëve nga komuniteti i tyre serb që varen mbi kokat e tyre. Përfitoj nga kjo intervistë që sërish t’u bëj ftesë të gjithë serbëve, të gjitha komuniteteve jo-shumicë që të sigurohen se shteti i tyre është Kosova dhe se ata kanë një të ardhme të sigurt në këtë vend.

Danas: A do t’i marrë Kisha Ortodokse Serbe të njëjtat garanci?

Thaçi: Kisha Ortodokse Serbe është një kategori kushtetuese në Kosovë dhe gëzon mbrojtje kushtetuese. Fatkeqësisht, atë nganjëherë e politizojnë komunitete të organizuara fetare në Kosovë, meqë disa peshkopë, veçanërisht nga jashtë Kosovës, dërgojnë mesazhe shumë të mjera. Unë asnjëherë nuk u përgjigjem këtyre deklaratave, sepse nuk dua të vendos pozitën e klerit serb në Kosovë në një pejsazh politik. Përpiqem që t’i mbrojë ata nga vetja e tyre. Jam shumë krenar për shumëllojshmërinë e trashëgimisë në Kosovë dhe kam promovuar dialogun ndërfetar si një komponent thelbësor të pajtimit. Prizreni, Deçani, Rahoveci janë vende të bukura turistike edhe për shkak të larmisë së pasur etnike – shqiptarë, serbë, turq, boshnjakë. Komunitetet kryesore në Kosovë, të tilla si myslimanët, ortodoksët, katolikët, hebrenjtë, sufijntë – ata ishin këtu gjatë kohës së Perandorisë Osmane, gjatë pushtimit serb, gjatë diktaturës jugosllave dhe ata do të jenë këtu edhe në të ardhmen.

Danas: Analistët në Kosovë thonë se jo vetëm me komunitetin serb keni probleme për ta shtyrë përpara marrëveshjen përfundimtare. Shumica e partive opozitare nuk e mbështesin dialogun tuaj me Vuçiqin.

Hashim Thaçi: Kosova është demokraci e vërtetë. Nuk kam “armë” për të kontrolluar opinionin publik dhe shpresoj se asnjë kryetar nuk do të ketë “armë” të tilla për të kontrolluar mediat, shërbimin e inteligjencës, ushtrinë, Kuvendin, siç i kanë disa në rajon. Kushtetuta e Kosovës kërkon nga Presidenti të përfaqësojë Kosovën jashtë dhe brenda vendit, prandaj unë jam i mandatuar nga vullneti i qytetarëve për të gjetur një zgjidhje me Serbinë. Unë gjithashtu do të ri-kërkoj vullnetin e qytetarëve për të konfirmuar marrëveshjen përfundimtare të paqes dhe njohjen reciproke, duke organizuar një referendum. Ka zëra të shumtë në Prishtinë përkitazi me atë se si duhet Kosova të veprojë me Serbinë, por i refuzoj thirrjet për shtyrjen e marrëveshjes ose shantazhimin e komunitetit ndërkombëtar. Ide të tilla janë të rrezikshme. Kam gjithashtu përvojë personale kur partitë e Kosovës gjithmonë janë bashkuar në kohë nevoje, qoftë në Rambuje, qoftë në Vjenë apo gjetiu. Prandaj, jam i bindur se sërish do të bëhemi bashkë në fund për ta mbyllur këtë kapitull të dhimbshëm, që të mund ta vendosin flamurin para ndërtesës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Danas: A mendoni se Rusia do të mbështesë korrigjimin e kufirit?

Hashim Thaçi: Kam zhvilluar një bisedë të shkurtër me kryeministrin rus, Medvedev dhe ndjek me kujdes deklaratat ruse. Mendoj se Rusia ishte e qartë se ata do të mbështesin një marrëveshje për të cilën bien dakord të dyja palët. Ata vazhdimisht pohojnë se nuk do të jenë “më serbë se vetë serbët”. Rusia gjithmonë ka qenë pjesë e Grupit të Kontaktit dhe ka ndihmuar për gjetjen e propozimeve nga Rambujeja dhe Planin e Ahtisaarit. Kosova nuk ka asnjë problem me Rusinë dhe është mirënjohëse që Federata Ruse në mënyre kreative ua mundësojë sportistëve tanë të vizitojnë Rusinë për ngjarjet sportive ndërkombëtare. Sportistja jonë, Majlinda Kelmendi, fitoi medaljen e artë në xhudo dhe presidenti Putin mundësoi që flamuri i Kosovës të ngrihet lartë, pak vite më parë. Mendoj se kjo simbolikë e bashkëpunimit në sport, ekonomi dhe kulturë është shumë e rëndësishme. Izolimi i Kosovës në të ardhmen do të thotë izolim i Serbisë dhe i mbarë rajonit. Jam i sigurt se kjo nuk është agjenda e Moskës.

Danas: Ju nuk jeni të shqetësuar për ndërhyrjen dhe ndikimin rus në media?

Hashim Thaçi: Nuk shqetësohem për ndërhyrjen ruse në Kosovë, sepse 92% e qytetarëve tanë e mbështesin BE-në dhe SHBA-në, por ne i mbajmë marrëdhëniet e mira me të gjithë. Kosova është republikë shumë e vogël me nevoja dhe ambicie modeste për të pretenduar se ka një rol të madh midis fuqive të mëdha.

Danas: Çfarë po ndodh me Asociacionin dhe marrëveshjet e deritashme? Pse nuk po zbatohen?

Hashim Thaçi: Kjo është një çështje tjetër që mbetet e hapur dhe përbën një arsye për të arritur drejt një zgjidhjeje përfundimtare sa më shpejt të jetë e mundur. Ne patëm një marrëveshje për rrjetet e energjisë, dhe Serbia për vite me radhë po vazhdon të refuzojë zbatimin e saj. Kjo po i shkakton Kosovës probleme dhe humbje reale financiare. Kemi pasur një marrëveshje për Asociacionin, ka pasur shumë vonesa dhe njerëzit nuk e dinë këtë, por shumë vonesa janë shkaktuar pikërisht nga Beogradi. Shpeshherë kur donim ta bënim një hap përpara drejt hartimit të statutit, që gjërat të lëvizin, pati ngurrim nga disa qarqe në Beograd që donin që ky Asociacion të mbetej si një pengesë. Nuk dua të them gjithçka këtu në gazeta, por Brukseli dhe Uashingtoni janë të vetëdijshëm për arsyen e vonesave dhe për gatishmërinë tonë për t’i kapërcyer ato. Pa dyshim, për sa kohë që respektohet Marrëveshja e Brukselit, dhe kjo marrëveshje mbështetet në mënyrë eksplicite në Kushtetutën e Kosovës, Asociacioni do të themelohet për t’i avancuar të drejtat dhe përgjegjësitë komunale.

Danas: Disa medie në Beograd pohojnë se Presidenti Vuçiq kohët e fundit ka kërcënuar se do të tërhiqet nga politika nëse qytetarët serbë nuk do ta mbështesin marrëveshjen e tij me ju. A do ta bëni të njëjtën gjë?

Hashim Thaçi: Thënë të drejtën, unë tashmë jam tërhequr nga politika ditore dhe nga shumë çështje të qeverisjes. Jam zgjedhur President me shumicën më të madhe të mundshme dhe tani kam përgjegjësi para Kushtetutës dhe qytetarëve të Kosovës për të kryer mandatin tim. Kam parë disa sondazhe nga agjencitë e Kombeve të Bashkuara sipas të cilave kosovarët besojnë se presidenca duhet të udhëheqë bisedimet me Serbinë, prandaj mbetëm i bindur se ende kam misionin tim të tretë për të përmbushur – Kosovën në NATO dhe BE. Ne kurrë nuk kemi qenë më afër këtij qëllimi, por ende duhet të tregojmë durim dhe të punojmë së bashku për ta siguruar vendin tonë në familjen evropiane të kombeve. Besoj se e njëjta gjë vlen edhe për Serbinë dhe Vuçiqin.

Danas: Kryetari i Serbisë ka thënë se do të ngulmojë për çështjen e pronës serbe në Kosovë në fazën e radhës së dialogut në Bruksel. Çfarë mendoni për këtë nismë?

Hashim Thaçi: Çështja e pronës është e rëndësishme për të gjithë. Për shembull, ekziston një vëllim i madh i dokumenteve për pensionet e Kosovës të cilat Serbia i ka vjedhur më 1999, dhe ekzistojnë më shumë se një milion faqe të dëshmive të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës të cilat vërtetojnë se shteti serb, policia dhe ushtria serbe qëllimisht i kanë shkatërruar pronat e qindra mijëra kosovarëve. Besoj se kur ta hapim këtë kapitull Beogradi do të jetë i pari që do të dëshirojë që ta mbyllim të njëjtin kapitull sa më parë. Por, nuk mund t’i mbyllim sytë para kërkesave legjitime të njerëzve për drejtësi dhe për pronat e tyre. Kjo është në përputhje me vlerat që duam t’i përqafojmë në BE.

Danas: A ka të reja për themelimin e ushtrisë së Kosovës?

Hashim Thaçi: Forca e Sigurisë së Kosovës tashmë ekziston, ato trajnohet nga NATO, kanë hierarki dhe strukturë. Procesi i transformimit të FSK-së në një forcë adekuate, bashkëkohore, dinamike dhe shumetnike është një proces që nuk mund të ndalet. Ky proces tashmë ka filluar dhe nuk mund të ndalet. Shpresojmë se kjo do të ndodhë me ndryshime Kushtetuese, por ekzistojnë disa formula të cilat mund të përdoren për jetësimin e këtij qëllimi. Askush nuk mund të vendos veto dhe pres që djemtë dhe vajzat tona në formë t’u kontribuojnë misioneve të NATO-s gjithandej botës, por ftoj edhe autoritetet në Serbi që të mos ushtrojnë trysni mbi serbët e Kosovës të cilët sinqerisht duan të jenë ushtarë të Kosovës. Këtë e kanë vërtetuar të gjitha partnerët tanë strategjikë.

 

Filed Under: Politike Tagged With: Danas, Jo, Kosove, Republikes Serbe, Thaci

ARRATISJA E FAMILJES HIMARIOTE MALO ME 28 PJESTARË SIPAS GAZETËS “DIELLI”

August 15, 2018 by dgreca

LAJMI I BUJSHËM: TETOR 1972,  FAMILJA HIMARIOTE ME 28 ANËTARË, E ARRATISUR NGA SHQIPËRIA, ARRITI NË NJU JORK ME 29 ANËTARË(NJË “U SHTUA”RRUGËS)-/

1 Familja Malo 1

Ishte lajmi më i bujshëm i arratisjeve nga vendet komuniste të Lindjes. Gazetat Njujorkeze e kishin gjurmuar lajmin dhe e kishin përcjellë së bashku me fotografitë që në momentin e mbërritjes. Ata mbërritën në Nju Jork me 5 tetor 1972. Ikja kishte qenë e bujshme për familjen me 29 anëtarë të Thoma Malos. Gazeta Dielli e botoi kronikën në numrin 31 tetorit 1972, ndërkohë që gazetat amerikane kishin shkruar kronika dhe reportazhe e intervista, që në momentin e arritjes së tyre. Ishte marrë me këtë ngjarje gazeta e madhe The New York Times, Daily News dhe gazetat të tjera të Staten Island. Familja pasi ishte arratisë në mënyrë spektakolare nga Himara, kishte udhëtuar nga Korfuzi drejt Nju Jork-ut me vaporin “Kristofor Kolombo”. Familja u vendos menjëherë në Staten Island të Nju Jork-ut. Familja MALO përbëhej nga kryefamiljari Thoma Malo, zonja e Tij-Aleksandra, katër djemtë e tyre, katër nuset, dy vajza, një dhëndër, nipër e mbesa; plot 29 veta.

Familjes i ishin dashur 1 vit dhe 2 muaj për të arritur në Tokën e Ëndrrave, në Amerikë. Ata ishin arratisur nga Shqipëria diku nga fillimi i muajit gusht të vitit 1971.

Familja u tregoi gazetarëve amerikanë se ishte arratisur nga një fshat i Himarës, ku ata jetonin me bujqësi dhe vecanërisht merreshin me kultivimin e ullinjëve. Z. Thoma Malo u tregoi gazetarëve se familja e tij kishte rreth 400 rrënjë ullinj dhe punonte tokën e tij me përkushtim, pasion e dashuri. Por ëndërrat e tij për të shtuar pasurinë u ndërprenë më 1951, kur qeveria komuniste i mori tokën, ullinjtë, dhe e detyroi të punontë në kooperativë.

Vendimin për t’u larguar një ditë nga Shqipëria, ai e mori në mendjen e tij që në momentin kur i kolektivizuan pasurinë dhe e detyruan forcërisht të hyntë në kooperativë: priste vetëm rastin e përshtatshëm, për të marrë të gjithë familjen me qëllim që shteti komunist të mos hakmerrej.Arratisja vlerësohej si tradhëti dhe dënimet ishin të ashpra dhe binin mbi cdo pjestarë ët familjes, burg dhe internime. Ishte kjo arsyeja që Thomai dhe Aleksandra e kishin marrë vendimin të prerë:O të gjithë, o asnjë!

E gjithë familja, me djem e vajza, me nuse, me nipër e mbesa duhej ta linin fshatin për të mos lënë asnjë gjurmë pas.

Po si arritën që të arratiseshin?  Momenti i përshtatshëm erdhi në gusht të vitit 1971.Një nga djemtë e Thoma Malos, Vasili, ishte kapiten i një barke peshkimi në portin e vogël të Himarës. Plani u hartua me detaje dhe një mbrëmje gushti, e tërë familja Malo zbriti në breg të detit dhe zuri vend në barkën DE RADA pasi kishin bërë të pamundur reagimin e gjashtë rojeve, që ruanin barkën dhe morën kursin e lundrimit drejt Korfuzit. Në Greqi arritën shëndoshë e mirë të 28 pjestarët e familjes, e cila në tokën e Helene, u bë edhe me një pjestare më shumë; në qershor 1972 u shtua me një vajzë dhe kur familja mbërriti në Nju Jork me 5 tetor 1972, numëronte 29 vetë.

Gazeta “Dielli” e 31 tetorit 1972, komentonte:”Të gëzuar të gjithë i faleshin Zotit, që arritën shëndoshë e mirë në Amerikë. Zoti Thoma Malo dhe djemtë e tij janë punëtorë, plot vullnet e dëshirë për punë.  Ai i tha gazetës Daily  News se kishin vuajtur shumë, por tashti cdo gjë do të normalizohej. Ia vlen që të vuash për të gjetë Lirinë. Ne deshëm të vijmë në një vend të lirë si Amerika, dhe erdhëm;-këtu do të  punojmë ndershmërisht, do të dërgojmë fëmijët nëpër shkolla, të mësojmë gjuhën e vendit dhe të gjithë do të jemi të lumtur”.

Sic njofton The New York Times dhe gazeta tjetër Daily News, familja shqiptare u prit shumë mirë, dhe me shumë ngrohtësi nga amerikanët  në Statin Island dhe nuk iu nkursyen ndihmat nga :Kryqi i Kuq Amerikan, nga Salvation Army, e Organizatat Kishtare e të tjerë.

Gazeta Dielli uronte:”Ne urojmë zotin Thoma Malo, zonjën e tij Aleksandra, dhe të gjithë pjestarët e familjes me 29 anëtarë:Pacit ardhë me këmbë të mbarë dhe u qoftë jeta e Lumtur në këtë vend të Lirë e të Bekuar!”.

Në seksionin e anglishtes Dielli i 31 tetorit  botonte shkrimin e datës 6 tetor 1972 të gazetës Daily New, shkrimi zinte tri kolona (Dielli botohej atë kohë me format të madh), dhe në mes ishte vendosur fotografia e plotë e familjes prej 29 anëtarësh, me diciturën: Thoma dhe Aleksandra Malo me të gjithë pjestarët arritën në Pier 86 në bordin e anijes Cristofor Colombo.(Përgatiti:D Greca)

Filed Under: Featured Tagged With: 28 anetare, dalip greca, familja Himariote, Malo

Rruga e mundimshme për zgjidhjen paqësore të Çështjes Çame

August 15, 2018 by dgreca

Por, sa janë vetë çamët të bashkuar, të gatshëm për të realizuar ëndrën e tyre? A do e mundin unin, të kalojnë vetveten e tyre për të zgjedhur udhëheqësin ose Moisiun që zëri i tyre të dëgjohet i bashkuar për të realizuar qëllimet e tyre?/

1 cameria banderola2 cameriaenglish_cameria_mapmasakra-ndaj-cameve1 cameri

Nga Arben Llalla/

Marshi i rrugës për të bërë sensibilizimin e Çështjes Çame nisi i mundimshëm, me sakrifica në fillim të viteve 1990. Kjo rrugë filloi me krijimin e Shoqërisë politike-atdhetare “Çamëria”, e cila u themelua nga dëshira e madhe e shqiptarëve me rrënjë nga Çamëria me qëllimin e mirë për realizimin e ëndrrës për mrekullinë e rikthimit përgjithnjë në tokat dhe shtëpitë e tyre. Ka rreth 70 vite që shqiptarët me origjinë nga Çamëria synojnë rikthimin e premtuar dikur nga organizatat ndërkombëtare, Shqipëria dhe Greqia. Pra, shqiptarët nga Çamëria, kur u përzunë me dhunë nga EDES e udhëhequr nga Napoleon Zerva u quajtën refugjatë, të cilët do të rikthehen shumë shpejt në shtëpitë e tyre. Gjaku, vuajtjet, përpjekjet e parreshtura të çamëve për rikthim është rasti më unikal i një populli të Ballkanit, ndoshta edhe më gjerë. Rikthimi i premtuar çamëve ju duket sa afër dhe larg. Ata e ndjejnë erën e tokës së tyre, zgjaten për ta prekur, por nuk e prekin dot. Tentojnë ta shkelin, të vizitojë shtëpitë, varret, por nuk i lejojnë, sot, në kohërat moderne, në vitet ku i gjithë njerëzimi thërret e punon për një botë pa kufij, për botën e lirë.

Por, sa janë vetë çamët të bashkuar, të gatshëm për të realizuar ëndrën e tyre? A do e mundin unin, të kalojnë vetveten e tyre për të zgjedhur udhëheqësin ose Moisiun që zëri i tyre të dëgjohet i bashkuar për të realizuar qëllimet e tyre?

Shoqata “Çamëria”, e cila ishte i vetmi zë serioz i Çështjes Çame në vitet 1990, njohu dy suksese të mëdha, atë që Kuvendi i Shqipërisë më 1994 shpalli 27 Qershorin si ditën e gjenocidit grek kundër popullsisë shqiptare nga Çamëria dhe më 8 Prill 2004 votimi i Rezolutës së Çështjes Çame, e cila ishte Rezolutë pozitive, por e cunguar në kuptimin e plotë të saj. Më tej, u themelua Instituti i Studimeve të Çamërisë, cili arriti të organizonte dy simpoziume ndërkombëtare rreth Çështjes Çame. Por, që e heshti misionin, për të cilën u themelua pas vitit 2010.

Kështu, lindi nevoja që të krijohej një grupacion politik, parti e cila si pikë kryesore do kishte zgjidhjen paqësore të çështjes në fjalë, pra sensibilizimi i Çështjes Çame. Në vitin 2011 u bë bashkimi i dy grupacioneve politike në partinë PDIU, duke shtuar fjalën kuptimplotë “uniteti”. Kjo forcë politike sapo filloi punën u përballë me tekat kundër, të cilat nuk mund ta mundnin unin, të kalonin vetveten dhe krijuan një çarje të pasuksesshme. PDIU në drejtimin e Shpëtim Idrizit arriti të rritej me shpejtësi, e megjithëse si parti asnjëherë nuk ishte në qeveri me poste ministrash. Shpëtim Idrizi arriti që Çështjen Çame ta fusë në diskutimet e Komisionit Europian duke biseduar personalisht me shumë personalitete të njohura të politikës ndërkombëtare. Nga këto biseda u bë e mundur që Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn të deklaroi si çështje të diskutueshme mes Shqipërisë dhe Greqisë edhe Çështjen Çame. Më tej, ishte eurodeputeti gjerman Knut Fleckenstein që bëri me dije se Çështja Çame duhet të diskutohet mes dy qeverive. Këto kanë qenë ndoshta aksionet e vetme të mirëfillëta politike pas viteve 1990 që Çështjen Çame e bëri kaq të pranishme në arenën e politikës së Europës. Në këtë kohë shqiptarët me origjinë nga Çamëria që duhej të mbështesnin edhe më fort PDIU-në, e cila mbron fuqishëm çështjen e tyre, u treguan të ngurtë, egoistë duke u kthyer në hyzmeqarë të partive të tjera politike, të cilëve nuk u ka shumë ënda Çështjen Çame. Por, përkundrazi këto parti i shohin shqiptarët nga Çamëria si njerëz të huaj, të cilët në hierarkinë e posteve shtetërore të Shqipërisë nuk duhet të jenë, sepse na zemërohet fqinji, i cili disa herë ka kryer masakra mbi popullsinë shqiptare dhe herë pas here politikanët e tij deklarojnë se kanë pretendime territoriale ndaj Shqipërisë.

Pas zgjedhjeve të 2017 u pa se PDIU mori shumë vota, por pak deputetë si pasojë e kodit zgjedhor, intrigës së drejtuesve të sotëm të shumicës, por edhe të disa figurave të njohura të komunitetit çam që punuan kundër kësaj partie kombëtare.

Por, pse mbërritëm këtu? Le ta nisim me çamët e pasur që ishin deputetë dhe që u vunë në shërbim të Dules, duke e mbajtur kalapiç, apo ndonjë tjetër që u shndërrua në hyzmeqar i Gramozit, e shumë të tjerëve. Unë mund të flas me emra, por qëllimi im asnjëherë nuk ka qenë e do të jetë përçarja e shqiptarëve, por bashkimi, duke patur parasysh thënien e Faik Konicës: “Bashkimi nuk është që të ulim kryet përpara njeri-tjetrit, por të merremi vesh njerëzishëm, e të punojmë të lirë të gjithë për një qëllim.”

Duke u bashkuar të gjithë bashkë rreth Shoqatës “Çamëria” dhe PDIU-së, ne u tregojmë të tjerëve se jemi të vendosur që Çështja Çame nuk do të harrohet, nuk do të lejojmë të sakrifikohet për kërcënimet e Greqisë. Çamët, por edhe ne shqiptarët nga krahinat e tjera duhet t’u tregojnë politikanëve dritëshkurtër se jemi gati të paguajmë me çdo çmim zgjidhjen paqësore të Çështjes Çame dhe të çështjeve të tjera mbetur pezull me Greqinë. Rrugën e zgjidhjes së këtyre çështjeve me fqinjin tonë jugor i kërkojmë në bazë të rregullave, normave dhe ligjeve demokratike ndërkombëtare. Greqia dhe BE do të jenë më të qeta dhe demokratike nëse çështjet pezull me Shqipërinë zgjidhen drejtë.

Për çudinë më të mëdha pas një retorike pozitive të Ramës 1 për Çështjen Çame, Rama 2 që doli nga zgjedhjet e 2017, në vend të kishte këtë çështjen në tavolinën e bisedimeve me Greqinë dhe BE, ta kishte më të përforcuar në programin e saj katërvjeçar, ajo e reduktoi, e hoqi sikur nuk ekzistonte.

Politikanët e huaj vazhdojnë të jenë spektik për Çështjen Çame, ata e shohin si një çështje të drejtash njerëzore, kur në të vërtetë bëhet fjalë për diçka më të thellë, për genocid, për padrejtësinë që i është bërë një populli, i cili jetonte në trojet e veta mijëra vjeçare dhe gëzonte statutin pakicë kombëtare në bazë të Marrëveshjes së Lozanës.

Shqiptarët me origjinë nga Çamëria duhet të mësojnë nga zhgënjimi i partive të tjera, nga indiferentizmi i tyre për këtë çështje kombëtare, duhet t’i besojnë partisë që lindi nga kjo kauzë, PDIU-së. E pra, zgjidhja e Çështjes Çame kalon nëpërmjet një kalvari vuajtjesh të mundimshme, ku shumëkush mund të humbë karrierën politike, por jo vetëm kaq. Pa këto sakrifica Çështja Çame nuk mund të kuptohet kurrë. Është koha që të gjithë të rrezikojmë, nëse duam të jemi pjesë të sakrificës për Çështjen Çame, pa marrë parasysh shtigjet me rreziqe të mëdha. Njeriu nuk ngopet asnjëherë me jetë e pasuri, por në fund këto nuk vlejnë asgjë, nëse s’ke bërë diçka për kombin tënd, në rastin në fjalë për Çështjen Çame. Të gjithë një ditë i japim llogari vetëm historisë, e cila nuk korruptohet, ajo mban shënime…

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Arbeb Llalla, rruge e mundimshme, zgjidhja e Ceshtjes Came

FAIK KONICA, DIELLI DHE VATRA

August 15, 2018 by dgreca

Faik Konica:Ju tregoj si e mora drejtimin e gazetes “Dielli” dhe si u inspirua Vatra dhe  Kanunorja e saj nga dy shoqerite irlandeze The  Gaelic League edhe Sinn Fein/

1 Faik Konica2

Para se të vij në Amerikë kisha rrojtur disa vjet n’Ingli, dhe atje kisha vënë re analogjin’ e madhe që kish Irlanda kundër Inglisë me Shqipërinë kundrejt Turqisë- me ndryshimin që Irlandasit të frymëzuar nga një idealism të pa vdekur, po lëftojin qindra vjet për clirimine  tyre. Nisa pra të studjoj organizatat e këtij populli të cuditshëm dhe vecan dy:- the Gaelic League edhe Sinn Fein, e para për të përhapur kulturën me anë të gjihës nacionale, e dyta për të ndarë Irlandën nga Inglia. Organizimi dhe Kanunorja e Vatrës u inspiruan gjer në një pikë nga të dy shoqëritë irishe dhe prandaj “Vatra” ka pasur dhe ka në gji të saj dy tendenca  që rrjedhin nga inspirata e parë e tyre:tendenca kulturale dhe tendenca politike, nga të cilat e fundmia ka mbretëruar shumë vjet dhe tani del në shesh edhe e para; e penguar aq kohë me padrejtësi dhe për dëm të popullit.

Më 9 të vjeshtës së Mesme 1909 arita në Boston nga vapori Ivernia(që është një tjatër emër I I Rllandës) dhe mora në dorë redaksinë e Diellit, të cilën gjer atëherë (numër 29) e kish shkruar me talent At Fan S. Noli. Diellin e zotronte dhe e mbante shoqëria Besa-Besën e cila qëndrimin e ksihte në Boston, po anëtarët I kishte më të shumtët në rrethet; Natick, në Cocshitude, në Brocton, në Freminghem, në Malboro, në Lynn, në Ëorvester, në Southbridge etj., dhe ca të pakët anëtarë shumë më larg. Përvec shoqërisë Besa-Besën kish n’Amerikë edhe disa shoqëri të tjera, ca për interesat e një fshati ose ët një qyteti, ca edhe me qëllim të përgjithshëm. Po Shoqëria Besa-Besën, si propprietare dhe botonjëse e “diellit” cquante përmi të gjitha dhe kish një rëndësi të vecantë.

Si u vendosa në Boston edhe u njoha me patriotët që merrnin pjesë në lëvizjen kombëtare, nisa të përhap’ iden’  e bashkimit ët shoqërive, po ndonëse e pëlqejin ët gjithë, asnjë s’dukej gati të bënte capin e duhur. Me shoqërin’ e Jamestoën-it ish bërë fjalë edhe më parë, por s’ksih dalë gjë shoqëria korcare.”Arësimi” ish ajo që cfaqte dëshirën më të madhe për bashkim, dhe pata shumë herë fjalime të pëlqyera për këtë cështje me kryetarin e athershëm, Z. Nik Dishnica. Po edhe këto fjalime kanë humbur. Dheu nuk ish edhe I gatitur mjaft për lulëzimin e mendimit.

Disa javë pas ardhjes sime këtu, këshillova të mbahet një mbledhje e shoqërisë Besa-Besën, për të biseduar vetëm këtë cështje, edhe atje cfaqa idenë që shkaku i mosbashkimit të shoqërive ish se shoqëritë s’dojin të humbisjin qënien e tyre duke u cdukur në gji të njerësve vetëm të shoqërisë Besa-Besën, dhe proponova një zgjidhje të pëlqyer:Jo bashkimin, po federimin.

“Dielli” , 31 mars 1922

Filed Under: Politike Tagged With: dielli, Faik Konica, Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 34
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT