• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2018

Kosovë-Java me bizneset e diasporës shqiptare

October 18, 2018 by dgreca

-Kryeministri Haradinaj: Qeveria partner i bizneseve nga diaspora/

1 Diaspora1 ok diapsora

Prishtinë, 17 Tetor 2018-Gazeta DIELLI/“Bizneset nga diaspora  nuk do të jenë partner të padobishëm dhe në asnjë moment nuk duhet të ndihen vetëm. Jemi në rrugë të mirë për ta kthyer besimin e ndërsjellë”. Kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në hapjen e “Java me bizneset e diasporës shqiptare”, e cila u organizua nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, në bashkëpunim me Odën Ekonomike Gjermane-Kosovare.
Në hapjen e javës së bizneseve,  kryeministri Haradinaj duke iu uruar mirëseardhje të gjithë të pranishmëve tha se kjo është një ngjarje me rëndësi, dhe për këtë duhet  falënderuar të gjithë ata që kanë punuar për këtë ditë,  dhe rëndësinë e kësaj ngjarje e dëshmon edhe kujdesi ynë me prezencën këtu.Kryeministri Haradinaj tha se që nga fillimi i punës së tij, nuk ka dashur që të kthehet pas për asnjë minutë, por vetëm të ecet para, duke e bërë diferencën në vend.
“Jemi në rrugë të mirë për ta kthyer besimin e ndërsjellë”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se një sipërmarrës sot mund të krijojë përvojë korrekte në komunikim me institucionet e vendit, në të njëjtën kohë u ka bërë thirrje bizneseve të diasporës që gjatë javës sa janë këtu ta shfrytëzojnë që së bashku të punojnë si partner të dobishëm.
Duke falënderuar të gjithë përfaqësuesit e bizneseve nga vende të ndryshme, kryeministri Haradinaj porositi ata që të shfrytëzojnë kohën, në mënyrë që të plasohen idetë e tyre ose për të gjetur ide se si mund të bashkëpunohet.Kryeministri Haradinaj tha se një ndër projektet me rëndësi të veçantë është edhe Parku Inovativ Trajnues në Prizren, park ky, i cili do të sjellë ekspertizë, kualitet pune dhe aftësim profesional, duke shtuar se edhe diaspora është me rëndësi të bëhet pjesë e tij.
Kryeministri, gjithashtu rikujtoi faktin që bizneset janë të liruara nga tatimi për lëndën e parë; janë të liruara poashtu në importin e pajisjeve teknologjike;  të gjitha eksportet trajtohen me TVSH zero; tatimi në fitim është 10 për qind në Kosovë; tatimi në dividendë është zero për qind dhe tatimi në të ardhura personale është më së shumti 10 për qind.
Kryeministri tha se janë në proces e sipër të hapjes të tregut me të gjithë dhe se do të bëjnë hapa konkret me Shqipërinë, do t’i heqim të gjitha procedurat  dhe burokracitë e lodhshme të kufirit Kosovë-Shqipëri, duke i siguruar që do ta reduktojnë kohën e pritjes.Zëvendëskryeministri dhe ministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, tha se është nder dhe kënaqësi që diaspora është në vendin e vet, këtu në Prishtinë dhe që kryesisht vijnë nga Gjermania, Kanada, por edhe vende të tjera. Ministri Gashi tha se do të kenë mundësi që në ditët në vijim të diskutojnë për thellimin, përmirësimin dhe bashkëpunimin mes institucioneve të vendit dhe bizneseve të diasporës, në të mirë të bizneseve të tyre dhe ekonomisë në Kosovë.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, tha se Parku Inovativ dhe trajnues në Prizren do të udhëhiqet nga një menaxher gjerman dhe se është një  mundësi e mirë për ofrimin e trajnimeve profesionale për punëtorët dhe bizneset, në të njëjtën kohë ka potencuar edhe investimin nga Qeveria gjermane në këtë Park.
 Nora Hasani, Drejtoreshë menaxhuese në Odën Ekonomike Gjermane-Kosovare, tha se e mbështet fuqishëm bashkëpunimin ekonomik mes dyja vendeve dhe kjo jave është tejet e rëndësishme që të avancojmë në këto raporte.Në hapjen e javës së bizneseve nga diaspora të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, dhe ministri i Shtetit për Diasporë nga Shqipëria, Pandeli Majko./b.j/

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari, diaspore, Java me bizneset, Kosove

USHTRIA E KOSOVËS DO TË JETË FAKTOR I RËNDËSISHËM NË RAJON

October 18, 2018 by dgreca

1.-Harry-Bajraktari-potret-240x300

Nga Harry Bajraktari/

Nju Jork, 18 Tetor 2018/ Pas lirisë dhe pavarësisë, Kosova sot pati një ditë tejet të veçantë. Parlamenti i Kosovës në mënyrë unanime miratoi Projektligjin për transformimin e Forcës së Sigurisë në Forcë të Armatosur të Kosovës, përkatësisht në ushtri të shtetit tonë. Miratimi i këtij Projektligji hap rrugën, ku në një të ardhshme të afërt Kosova të bëhet pjesë e NATOS.
Përpjekjet e Kosovës, më në fund, po realizohen që edhe kjo ta ketë ushtrinë e vet që do të ruajë me dinjitet dhe përgjegjësi kufijtë e saj në tërë territorin dhe njëkohësisht do të jetë forcë në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon.
Kosova ka bërë përgatitje të suksesshme që ta ketë ushtrinë e saj, duke dërguar vite me radhë pjestarët e FSK në shkollim dhe stërvitje në SHBA dhe në disa vende të tjera evropiane. Kjo forcë e Kosovës, oficerët dhe kadetët e saj, kanë zënë ndër vendet e para në gara të ndryshme, në shtetet ku ato janë organizuar. Ky sukses flet se do të kemi një ushtri profesionale, moderne dhe të përgjegjshme për t’ i dalë zot vendit në situata të ndryshme.
Me formimin e ushtrisë sonë, me hyrjen në NATO të Maqedonisë dhe pastaj të Kosovës në këtë Aleancë Veriatlantike, rajoni i Ballkanit do të përfitojë shumë në aspektin e paqes dhe të sigurisë.
Ushtria e Kosovës do të jetë ushtri e paqes. Ajo do të mbështes të gjithë qytetarët e saj, pa përjashtim, dhe do të ruajë ata nga të gjitha rreziqet e mundshme. Në ketë kontekst Kosova po realizon të drejtën e vet të patjetërsueshme, si çdo shtet tjetër në botë, që ta ketë forcën e vet të armatosur.

Jam shumë i lumtur që Qeverisë së Kosovës, deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj t’ju uroj miratimin e Projektligjit për transformimin e FSK në Forcë të Armatosur të Kosovës – në ushtri.
Sot është një ditë e jashtëzakonshme për popullin tonë.

Urime për këtë fitore të madhe, Kosovë!
Harry Bajraktari

Filed Under: Politike Tagged With: faktor ne Rajon, harry bajraktari, Ushtria e Kosoves

$42,623.96 për Nëna dhe Fëmijë -‘Meet Us Halfway’ në Nju Jork

October 18, 2018 by dgreca

U ngritën $42,623.96 në ngjarjen vjetore të Aksionit për Nëna dhe Fëmijë, ‘Meet Us Halfway’ në Nju Jork/

2 Fonde.JPG

Nju Jork, 17 Tetor 2018- Fondacioni ‘Aksioni për Nëna dhe Fëmijë’ (ANF), mbajti mbrëmjen e saj të tretë të bamirësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Yale Club të qytetit të Nju Jorkut më 16 tetor 2018.Shumë mbështetës dhe dashamirë të punës së ANF-së u mblodhën për ta bërë këtë mbrëmje një sukses. Folëse e mbrëmjes ishte Shkëlqesia e saj, Ambasadorja Besiana Kadare, Përfaqësuese e Përhershme e Republikës së Shqipërisë në Organizaten e Kombeve te Bashkuara në Nju Jork, e cila mbështeti punën e mirë të Aksionit dhe bëri thirrje për mbshtetjen e këtij misioni humanitar. Musafire nderi ishte edhe Ambasadorja Teuta Sahatqija që vahzdon mbështetjen e saj tash disa vite.

Gjatë kësaj mbëmje, Aksioni ndau çmimin për Kontribut Jetësor, biznesmenit dhe filantropit,Richard Lukaj, për kontributin e jashtëzakonshëm dhe punën e palodhshme për nënat dhe fëmijët në Kosovë.

Gjatë mbrëmjes shumë njerëz dhanë kontributin e tyre dhe dhuruan fonde në koktelin dy-orësh. Pjesë e organizimit të ngjarjes ishte edhe një ankand i qetë, i cili përfshinte kreacion nga Besë Rugova, bizhuteri nga Sara Shala, pjata graniti të punuara nga Dhe by Granita, një foto sesion nga Fadil Berisha, dy darka në restoranin ‘Çka ka qëllu’, shërbime të formësimit të vetullave ngaSabrie Celaj. Gjithashtu pjesë e ankandit ishte edhe kompania Angleze e syzeve të punuara nga druri Campbell Marson Eyewear, Restaurant Angeletto të cilët dhuruan një darkë dhe verë, Eddy Bogaert i cili dhuroj një vepër të tij të artit, Body Cosmetica të cilët dhuruan procedura të kirurgjisë plastike si dhe darkë Restaurant Vero.

Suksesi i kësaj mbrëmje nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e Konsullatës së Kosovës në Nju Jork dhe Ambasadores Sahatqija, si dhe pa mbështetjen e miqeve tane Fadil Berisha, Bledar Asllani, Drin Kukaj, Mark Kosmo, Sara Shala dhe  Valon Xharra.

Fondet e ngritura nga  shitjet e biletave dhe nga donacionet e gjatë kësaj mbrëmje filantropie do të dedikohen për mbështetjen e programeve të Fondacionit në Kosovë, specifikisht në: furnizimin me pajisje mjekësore, mbështetjen e dorëzimit të medikamentit Surfaktant, zhvillimin e sistemit të transportit neo-natal, zgjerimin e ‘Klasave për Nëna‘ si dhe skrinimin e kancerit të qafës së mitrës.

Filed Under: Komunitet Tagged With: $42, 623.96, ne Nju Jork, për Nëna dhe Fëmijë -‘Meet Us Halfway’

KOSOVA DREJT ANËTARËSIMIT NË INTERPOL

October 18, 2018 by dgreca

-Presidenti Thaçi: Anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL ndikon në rritjen e sigurisë rajonale/

1 Interpol

-Kryeministri Haradinaj: Me anëtarësimin në Interpol, Kosova do të jetë më e aftë në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore/

1 ok Interpol

PRISHTINË, 18 Tetor 2018-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në konferencën e organizuar për Ditën e BE-së kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore.Presidenti Thaçi ka thënë se trafikimi me qenie njerëzore është ndër shkeljet më flagrante të të drejtave të njeriut.Ai ka thënë se trafikimi me njerëz i lëndon vetë viktimat, por edhe kufijtë e shteteve tona, shoqëritë tona, ekonomitë tona, derisa në anën tjetër forcon krimin e organizuar, prek thellë edhe në vetë vlerat dhe parimet mbi të cilat ndërtohen shoqëritë liberale dhe demokratike.“Trafikimi me qenie njerëzore i lëkundë themelet e BE-së dhe vazhdon të jetë ndër problemet më fondamentale me të cilat përballet BE-ja edhe sot. Prandaj janë të mirëseardhura mundësitë si kjo sot, që së bashku të bisedojmë për migracionin ilegal, për rreziqet që paraqet për shoqëritë dhe për masat që mund të ndërmarrim për ta luftuar atë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka shtuar se Kosova ka krijuar një kornizë gjithëpërfshirëse ligjore dhe politika për luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore, të harmonizuara me ligjet e Bashkimit Evropian.

“I falënderoj BE-në, shtetet anëtare dhe SHBA-në për mbështetjen që i kanë dhënë Kosovës në ngritjen e kapaciteteve për të luftuar të gjitha llojet e krimit ndërkombëtar. Policët kufitarë të Kosovës bëjnë trajnime nëpër vendet e BE-së dhe mësohen të zbatojnë politikat e FRONTEX-it edhe në Kosovë. Duke mbrojtur kufijtë e Kosovës e dimë se kontribuojmë edhe në mbrojtjen e kufijve të BE-së”, ka thënë presidenti Thaçi.

Presidenti ka thënë se falë hapave që kanë ndërmarrë institucionet e vendit është shënuar edhe progres.

“Hapi i parë ka qenë informimi i drejtë i qytetarëve që nuk kanë të ardhme si emigrantë ilegalë në BE apo kudo në botë. E dyta, organet e rendit e të sigurisë kanë vepruar kundër atyre që kanë nxitur apo organizuar transportin ilegal të emigrantëve, duke i vënë para drejtësisë autorët e këtij fenomeni. Ne kemi bashkëpunuar me shtetet e rajonit dhe të Bashkimit Evropian për të parandaluar dhe luftuar këtë fenomen dhe vendosjen e autorëve para drejtësisë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Në këtë konferencë, ku kanë marrë pjesë përfaqësues të shumë institucioneve të Kosovës dhe ndërkombëtarë, presidenti Thaçi ka thënë se kjo ka qenë e rëndësishme jo vetëm për të luftuar vetë fenomenin, por edhe për aspiratën për liberalizim të vizave për Kosovën.

“Jam i lumtur që angazhimi ynë ka marrë vlerësime pozitive nga BE dhe partnerët tanë. Kjo i ka hapur rrugë liberalizimit të vizave për Kosovën dhe tani me të drejtë presim vendimin e drejtë, të merituar për qytetarët e Kosovës. Por, ky është edhe zotim se do të vazhdojmë të luftojmë me përkushtim të njëjtë trafikimin me qenie njerëzore”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi duke folur për bashkëpunimin me shtetet e rajonit, ka pohuar se për të luftuar me sukses trafikimin e njerëzve është qenësore që bashkëpunimi i mekanizmave të sigurisë të jetë i papenguar.

“Jemi anëtar në Iniciativën Rajonale për Refugjatë, Azil dhe Migracion (MARRI) dhe kontribuojmë në mënyrë aktive në punën e kësaj organizate të suksesshme rajonale. Por, është qenësore që Kosova të jetë e pranishme në të gjithë mekanizmat rajonalë e ndërkombëtarë të sigurisë. Edhe pse nuk kemi qenë pjesë e INTERPOL-it, Kosova ka qenë jashtëzakonisht e suksesshme në luftën kundër krimit të organizuar, kundër trafikantëve”, ka thënë presidenti Thaçi.

I pari i vendit ka theksuar se Kosova duhet të bëjë një hap përpara për të fituar betejën e vështirë me trafikantët e qenieve njerëzore. Anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL, sipas tij, do të ndikojë në ruajtjen e paqes dhe në rritjen e sigurisë në Kosovë, rajon dhe mbarë botën.

“Populli ynë ka qenë viktimë e dëbimeve të mëdha, shpërnguljeve, spastrimit etnik dhe e trafikimit. Prandaj, ne kemi një ndjeshmëri më të madhe për viktimat e trafikimit me qenie njerëzore. Shteti i Kosovës është një produkt edhe i solidaritetit ndërkombëtar, vlerave dhe parimeve të të drejtave dhe dinjitetit të njeriut. Prandaj, sot jemi shumëfish të obliguar moralisht për të treguar kujdes të veçantë për viktimat e këtij krimi dhe të jemi të pakompromis me kriminelët”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai i ka ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës, institucionet e sigurisë, të drejtësisë, shoqërisë civile dhe mediat, që të bëhen pjesë e kësaj lufte dhe pjesë e fitores kundër saj.

NË INTERPOL, KOSOVA DO TË JETË MË E AFTË NË LUFTËN KUNDËR TRAFIKIMIT ME QENIE NJERËZORE

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në konferencën për Shënimin e Ditës së BE-së Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, e organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.Kryeministri Haradinaj me këtë rast tha se përkushtimi i institucioneve të Kosovës është që të punohet jo vetëm që të jenë pjesë e një lufte që bëjnë vendet e BE-së kundër luftimit të trafikimit me qenie njerëzore, por edhe të ketë sukseset e veta.“Kosova është e sfiduar me luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore, për shkak se ende nuk është anëtare e Interpolit dhe Europolit”, tha kryeministri Haradinaj, duke besuar shumë se me anëtarësimin në Interpol, Kosova do të jetë më e aftë dhe më në gjendje të zhvillojë partneritet me të gjitha institucionet relevante në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore, duke siguruar se në Kosovë, të gjitha vendet e Bashkimit Evropian kanë një partner serioz në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore.Kryeministri Haradinaj shtoi se Kosova ka hartuar Ligjin për Kompensimin e Viktimave të Krimit; se është krijuar komisioni për Kompensim ndaj viktimës së krimit, i cili funksionon në Ministrinë e Drejtësisë dhe se Kosova është duke zbatuar Strategjinë dhe Planin e Veprimit 2016-2019, e cila është vazhdimësi e dy strategjive të mëhershme në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore Kryeministri, poashtu përmendi se në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar, Kosova ka nënshkruar protokollin bashkëpunues mes Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Gjithashtu, Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore në këtë periudhë kohore, me qëllim të identifikimit dhe hetimit të rasteve, ka zhvilluar 21 plane operative, 20 operacione për zbatim të rasteve, 10 operacione të përbashkëta me inspektorët komunalë të punës në Administratën Tatimore të Kosovës, si dhe 18 operacione me njësi të tjera policore.Kryeministri Haradinaj tha se në gjysmën e parë të këtij viti, Prokuroria e Shtetit ka trashëguar 38 raste me 66 persona dhe ka pranuar 11 raste të reja me 15 persona. Prokuroria gjatë kësaj periudhe ka punuar gjithsejtë me 49 raste ligjore me 31 persona, nga të cilat i ka zgjidhur 14 raste me 24 persona, ndërsa kanë përfunduar 35 raste tjera me 52 persona.Ndërkaq, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Trafikimi me qenie njerëzore është ndër shkeljet më flagrante të të drejtave të njeriut, vlerën mbi të cilën është ndërtuar shteti ynë.“Trafikimi me qenie njerëzore lëkund themelet e Bashkimit Evropian dhe vazhdon të jetë ndër problemet më fundamentale, me të cilat përballet BE-ja edhe sot, por edhe vendet tona”, tha presidenti Thaçi, duke shtuar se Kosova ka krijuar një kornizë gjithëpërfshirëse ligjore dhe politike për luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore të harmonizuara me ligjet e BE-së. Nataliya Apostolova, shefe e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, tha se ka kënaqësinë që të merr sot pjesë në këtë eveniment shumë të rëndësishëm që siç tha ajo,  shërben në  ngritjen e  ndërgjegjësimit dhe shkëmbimit të informacioneve, njohurive dhe praktikave ndërmjet akterëve të ndryshëm të përfshirë.Sipas saj, për BE-në, lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore është top prioritet në të gjithë botën dhe se angazhimi në luftimin ndaj këtij fenomeni, po aq sa është individual, është edhe shoqërorë.Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, tha se institucionet e Republikës së Kosovës, gjithherë kanë treguar një gatishmëri në gjetjen e metodave sa më adekuate për luftimin e trafikimit me qenie njerëzore.“Prioritet i të gjitha instancave relevante mbetet parandalimi i kësaj dukurie, i përcjellë  edhe me aktivitete të ndryshme që do jenë pjesë edhe e kësaj fushate Anti-Trafikim me Qenie Njerëzore, me qëllim të ngritjes së vetëdijes së opinionit publik dhe ndërgjegjësimit institucional”, tha ministri Mustafa./b.j/

Filed Under: Politike Tagged With: anetarsimit ne Interpol, Behlul Jashari, Kosova drejt

GJERGJ KASTRIOTI – SKENDERBEU SI UDHËRRËFYES I SHQIPTARËVE DHE SHËMBULL I SHKËLQYER I DIASPORËS

October 18, 2018 by dgreca

1-Frank-300x212

Nga Frank SHKRELI/

Në kuadër të aktiviteteve të Vitit Mbarëkombëtar 2018, kushtuar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, në Prishtinë po mbahet një konferencë me pjesëmarrje nga studiues shqiptarë dhe të huaj. Konferenca është organizuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Institutin e Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, Institutin e Historisë në Tiranë dhe Institutin e Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve të Maqedonisë në Shkup.

Disa medie të Kosovës kanë njoftuar se, ndonëse Presidenti i Republikës së Kosovës, Z. Hashim Thaçi dhe Kryeministri, Z. Ramush Haradinaj, kishin premtuar se do të merrnin pjesë në këtë konferencë kushtuar Gjergj Kastriotit-Skënderbe, asnjëri prej tyre siç duket nuk ishte i pranishëm në këtë tubim, megjithëse ishin pjesë e programit të konferencës, të njoftuar më herët. Përfaqësuesi më i lartë i shtetit dhe i qeverisë së Republikës së Kosovës që mori pjesë në këtë konferencë akademike, ishte Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi. Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve në këtë konferencë, Ministri Bytyqi, tha se Gjergj Kastrioti – Skënderbeu është njëra nga figurat më të respektuara në historinë tonë kombëtare. Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve në këtë konferencë, Ministri Bytyqi, tha se Gjergj Kastrioti – Skënderbeu është njëra nga figurat më të respektuara në historinë tonë kombëtare. “Si figurë unifikuese” shtoi ai Gjergj Kastrioti -Skënderbeu, “Çdo herë ka qenë dhe mbetet adresa kryesore e identifikimit të popullit shqiptar. Skënderbeu, si njëri nga strategët më të njohur të artit luftarak, për 25 vite rresht, arriti që të vë themelet e shtetit mesjetar shqiptar. Edhe përkundër që ai u ndesh me ushtrinë më të fortë të kohës — pra me atë osmane — ai ishte i pathyeshëm dhe pengesë kryesore për depërtimin e ushtrive osmane në Evropën Perëndimore”, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës, Z. Shyqiri Bytyqi.

Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve në këtë konferencë, Ministri Bytyqi tha se Gjergj Kastrioti – Skënderbeu është njëra prej figurave më të respektuara në historinë tonë kombëtare. “Si figurë unifikuese” shtoi ai Gjergj Kastrioti -Skënderbeu, “Çdo herë ka qenë dhe mbetet adresa kryesore e identifikimit të popullit shqiptar. Skënderbeu, si njëri nga strategët më të njohur të artit luftarak, për 25 vite rresht, arriti që të vë themelet e shtetit mesjetar shqiptar. Edhe përkundër që ai u ndesh me ushtrinë më të fortë të kohës — pra me atë osmane — ai ishte i pathyeshëm dhe pengesë kryesore për depërtimin e ushtrive osmane në Evropën Perëndimore”, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës, Z. Shyqiri Bytyqi. Ministri Bytyqi theksoi se Skënderbeu, për vite të tëra shërbeu si figurë pikë nisëse e shumë proceseve të mëdha të popullit tonë dhe si i tillë, për shqiptarët e Kosovës, ai ishte shembulli me i mirë për vetëdijesimin e ndërgjegjes kombëtare. “Ai, ishte udhërrëfyesi i jonë në momentet më të rëndësishme të ndërtimit të shtetit tonë, që nga vlimet e mëdha politike në fillim vitet e ’90-ta të shekullit të kaluar, më pas gjatë luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e deri në ditët tona”, tha në fund të fjalës së tij, Ministri Bytyqi. Një prej të folësve në këtë tubim akademik në Prishtinë ishte edhe Përfaqësues i Kishës Katolike të Kosovës, Dioqezës së re Prizren-Prishtinë, Don Lush Gjergji i cili iu drejtua pjesëmarrësve me këto fjalë: “Historia flet dhe thërret në këtë përvjetor të madh, 550 vjetorin e vdekjes së të pavdekshmit Gjergj Kastrioti – Skënderbeut, i cili si dikur i mblodhi dhe i afroi Arbërit, ashtu edhe sot na afron dhe na bashkon ne Shqiptarët me shumë porosi, qortime, vërejtje, synime dhe frymëzime për të tashmen dhe të ardhmen tonë më të mirë”. Në fjalën e tij, Don Lush Gjergji bëri pyetjen se çfarë na mëson sot figura, jeta dhe veprimtaria e Gjergj Kastriotit – Skënderbe, për kohën dhe hapësirat tona ndërsa theksoi strategjinë largpamëse dhe vendimtare të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, duke nënvizuar se, “Takimi, afrimi, bashkimi, bashkëpunimi dhe bashkëjetesa e bëjnë Gjergj Kastriotin – Skënderbeun figurë historike dhe aktuale unike për ne dhe për botën. Njeri që diti, deshi dhe mundi të krijonte këtë rrugëtim shkallor, si art të suksesit, vëllazërisë, afërsisë, vlerësimit pozitiv, të jetës dhe të suksesit të përbashkët me të gjithë dhe për të gjithë.”

Don Lush Gjergji tha se nga Heroi Kombëtar i tyre, shqiptarët në këtë vit mbarëkombëtar kushtuar Gjergj Kastriotit-Skënderbe, mund të mësojnë shumë edhe sot, sidomos për bashkim, për bashkëpunim dhe për bashkëjetesë me njëri tjetrin. Për një bashkim, theksoi ai, “Si shprehje fuqie të bashkimit në dallime, për çdo ngadhënjim dhe sukses, që mbështetet në të vërtetën dhe në dashurinë për njëri-tjetrin, për idetë dhe idealet e përbashkëta, i bazuar në të vërtetën historike ilire dhe arbërore për përballimin vëllazëror të baticave dhe zbaticave historike dhe aktuale” dhe në bashkëpunim nënvizoi ai, “Si domosdoshmëri për çdo kohë dhe vend, shprehje e fuqisë dhe jetës, veprimtarisë dhe synimeve të përbashkëta, ku ne shpesh çalojmë dhe mungojmë, si një lloj dobësie pothuaj karakteristike e “thembrës së Akilit” për Popullin tonë”. Nga Prijësi i Madh, sipas Don Lush Gjergjit, duhet të mësojmë edhe bashkëjetesën, “Si shprehje atdhedashurie dhe flijimi, kërkimi të vazhdueshëm i të mirës së përbashkët, pa të cilën s’ka as të mira personale, individuale, familjare, grupore, që lehtëson fuqinë shpirtërore, morale, jetësore, që edhe ne, si Gjergji ynë dikur, t’i kthehemi vetvetes dhe të vërtetës”, ka thënë ai. Këtë temë siç duket trajton edhe libri më i ri i autorit Z. Jakup Krasniqi, “Skënderbeu dhe Porositë për Shekullin XXI”, që u përurua të mërkurën në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë. Duke folur për Gjergj Kastriotin – Skënderbe, të cilin ai e cilësoi si ndër figurat historike më të larta jo vetëm evropiane por edhe botërore, historiani Jakup Krasniqi ka veçuar faktin duke theksuar se ne e kemi njohur Heroin Kombëtar Skënderbeun si komandant dhe ushtar i fuqishëm, por duhet ta shohim edhe në këndin e mendimtarit të fortë, të një qeveritari që di çka do dhe jo vetëm për kohën e tij, duke i shërbyer edhe kohëve të tjera. Gjatë promovimit të librit, Z. Krasniqi ka porositur qeveritaret shqiptarë ta shfrytëzojnë pasurinë e begatë që vjen nga Skënderbeu në të tashmen dhe për të ardhmen tonë, njoftojnë disa burime mediatike të Kosovës.

Ministri Shyqiri Bytyqi e cilësoi Skënderbeun si udhërrëfyesin e shqiptarëve të Kosovës gjatë gjithë historisë e deri në luftën e fundit për çlirimin e vendit, ndërsa Don Lush Gjergji u tha pjesëmarrësve në konferencë se Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, “Nuk e kishte humbur kujtesën historike personale, familjare, fetare dhe kombëtare. Edhe pse babai i tij Gjon Kastrioti qe i detyruar t’ua dorëzonte Gjergjin në moshën e brishtë 9 vjeçare, diku në fillim të vitit 1415”, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, sipas Don Lush Gjergjit, “Është shembull i shkëlqyer i përfaqësuesit të “diasporës”, i cili nuk mendonte me “bark”, por me krye, vlerësonte me mendje dhe me zemër dhe thënë me gjuhën e Shën Nënës Terezë, e “Jep pjesën më të mirë të vetvetes”, por për të tjerët, për të mirën e përbashkët për të gjithë, si model flijimi dhe dhurimi, altruizmi dhe atdhedashurie shembullore”. Skënderbeu shtoi ai — “Shtyllë jete dhe veprimi pati BESËN dhe me Besëlidhjen Shqiptare më 2 mars 1444, vuri themelet e reja dhe të vjetra tona komb-formuese dhe shtet-formuese, duke nderuar traditat e përbashkëta, simbolet — mbi të gjitha synimet, idetë dhe idealet tona — nën flamurin e përbashkët drejt historisë dhe ardhmërisë”, përfundoi Don Lush Gjergji, fjalën e tij përshëndetëse me rastin e hapjes së konferencës shkencore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në 550-vjetorin e vdekjes”, mbajtur në Prishtinë më 16 Tetor, 2018.

Filed Under: Opinion Tagged With: “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, diaspora, Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 41
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT