


Nga Harry Bajraktari*/
Përmbysja më e madhe në zgjedhjet e 6 Nëntorit 2018 ishte vendosja përsëri nën kontrollin e Partisë Demokrate të Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan.
Tani pushteti legjislativ në Washington është ndarë. Republikanët kanë Senatin; Demokratët Dhomën e Përfaqësuesve. Presidenti Donald Trump ka premtuar se do të bashkëpunojë me shumicën e re demokrate në Kongres. Mirëpo, mbetet për t’u parë nëse ndarja e pushteteve do të krijojë më shumë bashkëpunim apo konflikt në Washington.
Për shqiptarët ky ndryshim shënon një moment tjetër historik. Me fitoren e Demokratëve, një figurë që shqiptarët e njohin shumë mirë, kongresisti Eliot Engel, do të bëhet kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës në Kongresin Amerikan.
Kjo do të vendosë në postin e fuqishëm të politikës së jashtme në Capitol Hill, një njeri i cili prej 30 vitesh punon pa u lodhur për çështjen shqiptare, për Shqipërinë, Kosovën, për shqiptarët kudo që jetojnë, për paqen dhe demokracinë në Ballkan.
Nga detyra e re, ai do të ketë më shumë fuqi e mundësi për të na ndihmuar në punën tonë.
Engel ka një përvojë të gjatë në këtë Komitet. Dikur, në vitet e 90-ta, në bashkëpunim me pararendësin e tij republikan nga Nju Jorku, në krye të këtij Komiteti, Ben Gilman, ai organizoi të parën seancë dëgjimore të Komitetit kushtuar tërësisht Kosovës.
Tani që do të jetë vetë kryetar i këtij Komiteti të fuqishëm, Engel nuk do të ketë nevojë t’i lutet dikujt tjetër për të vendosur temat shqiptare në kalendarin e punës të Komitetit.
Sigurisht, pjesa më e madhe e punës për një kauzë nuk bëhet në seanca dëgjimore. Nga posti i ri, Engel do të ketë fuqi më të madhe kur lobon për Shqipërinë, Kosovën e për shqiptarët. Që tani zyra e tij është angazhuar në lobimin për anëtarësimin e Kosovës në Interpol.
Komiteti mund të kërkojë për shembull më shumë qartësi nga Departamenti i Shtetit për qendrimet amerikane lidhur me bisedimet e fundit Kosovë-Serbi etj.
Duhet të kuptojmë që SHBA ka shumë angazhime në botë. Komiteti i ri, me përbërjen e re, do të ketë prioritete të tjera më të mëdha, e globale. Marrëdhëniet me Kinën, me Rusinë, me Iranin, Korenë e Veriut e Lindjen e Mesme etj. Disa nga problemet e mëdha reflektohen edhe në Ballkan, po rajoni mbetet anësor në politikën e jashtme amerikane.
Të paktën, me Engelin në krye të Komitetit, ne sigurohemi se çështjet që u interesojnë shqiptarëve nuk do të lihen në harresë dhe që SHBA nuk do ta largojë vëmendjen nga rajoni ynë.
Në SHBA, sipas Kushtetutës, Presidenti merr vendimet, po kuletën e mban Kongresi. SHBA ka nismat dhe qendrimet e saj të politikës së jashtme, po financimi i tyre varet nga Kongresi dhe çdo gjë nis në Komitetin e Punëve të Jashtme.
Komiteti që do të drejtojë Engel është përgjegjës për kontrollin dhe legjislacionin për ndihmën e jashtme (përfshi edhe programin MCC ku me ndihmën e kongresistit Engel është përfshirë edhe Kosova si dhe dhjetëra programe të tjera ndihmëse).
Disa nga përgjegjësitë e Komitetit janë edhe financimi i operacioneve paqeruajtëse, përfshi edhe praninë ushtarake në Kosovë, projektet ushtarake në Shqipëri, financimet lidhur me dislokimin e trupave amerikane, agjensi të fuqishme si USAID, Akti për Eksportimin e Armëve, Akti për Ndihmën e Jashtme e legjislacione të tjera që kanë të bëjnë me promovimin e demokracisë, zbatimit të të drejtës ndërkombëtare, etj.
Marrëdhëniet me OKB-në dhe organizata e institucione të tjera ndërkombëtare, janë gjithashtu prerogativë të Kongresit si dhe komiteteve të punëve të jashtme në Dhomë dhe në Senat, ndonëse për shumë nga këto puna e kërkon bashkëpunimin me Shtëpinë e Bardhë dhe Departamentin e Shtetit.
Ne jemi me fat që në krye të këtij Komiteti me ndikim të madh tani do të jetë miku ynë, Eliot Engel.
Më kujtohet 30 vjet më parë, kur i mërzitur nga zhvillimet në Kosovë, trokita në derën e zyrës së tij në Nju Jork, për t’i folur për Kosovën. Eliot Engel sapo ishte zgjedhur në Kongres, nuk dinte asgjë për Kosovën dhe ishte anëtari më i ri i Komitetit të Punëve të Jashtme, në krye të të cilit do të vihet tani.
Qysh atëhere nisi mes nesh një rrugë e gjatë bashkëpunimi po edhe miqësie personale.
Kosova në atë kohë sapo kishte humbur autonominë në kuadrin e Jugosllavisë. Por vetë Jugosllavia po shpërbëhej e bashkë me rënien e saj u ringrit shpresa jonë historike për liri e pavarësi.
Me Eliot Engelin kemi sjellë udhëheqësit e Kosovës në Washington, kemi bashkëpunuar për rezoluta në Kongres, kemi lobuar Departamentin e Shtetit dhe Shtëpinë e Bardhë, zyrtarë jo vetëm amerikanë po të të gjitha vendeve të botës.
Ai hapi të ashtuquajturën Zyrën Amerikane në Prishtinë, duke ngritur flamurin amerikan, në 1996, në zemër të pushtimit serb duke u dhënë guxim dhe besim shqiptarëve të Kosovës. Ka ndikuar në vendimin e Presidentit Bill Clinton për të ndërhyrë ushtarakisht në krye të NATO-s duke çliruar Kosovën.
Bashkë kemi vizituar Kosovën menjëherë pas çlirimit duke parë me lot në sy tokën e të parëve të mi, për herë të parë të lirë. Me vete kishim një legjendë shqiptaro-amerikane, Anthony Athanas, e figura të tjera të komunitetit më të cilët kishim punuar së bashku. Shqiptarët e Amerikës meritojnë respektin e historisë kombëtare shqiptare për çfarë kanë bërë në këto vite.
Engel ishte lobuesi ynë më i madh për sigurimin e mbështetjes amerikane për pavarësinë e Kosovës. Ndonëse ai ishte demokrat dhe George W. Bush ishte republikan, ai la mënjanë ndarjet partiake për të na ndihmuar. Kështu ka vepruar e do të veprojë tani edhe në postin e ri.
Për mua është një nder e krenari që e kam njohur e punuar bashkë me të. Ashtu ndihen edhe shumë miq të mi shqiptaro-amerikanë. Le t’i urojmë mikut tonë një punë të mbarë në këtë post historik dhe urojmë që të shënojë një kapitull të ri të ndritur në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Zoti e bekoftë kongresistin Engel! Zoti e bekoftë popullin shqiptar! Zoti e bekoftë popullin amerikan dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës!
*Autori është veprimtar dhe bisnesmen i njohur i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe themelues i gazetës Illyria.
New York, 2018


Vrasja e shtetasit grek, Kostandinos Kacifas, nga fshati Bularat i nënprefekturës së Gjirokastrës, i cili kreu një akt terrorist në territorin e Republikës së Shqipërisë, ka ndezur debate në të dy shtetet fqinje, duke nxitur shpesh herë dhe qarqet nacionaliste ekstremiste. Zhvillimet rreth kësaj çështje janë të pakuptimta. Kacifas, me veprimin që kreu, duhej të konsiderohej terrorist, sepse ishte i tillë. Kush përdor forcën e armës për qëllime politike, apo për të terrorizuar qytetarët, është terrorist. Ky është ligj ndërkombëtar. Nëse Athina zyrtare do të mbështeste aktin e tij kriminal, pas shpalljes nga pala shqiptare të Kacifas si “terrorist”, nënkuptohej se terrorizmi mbështetej me qëllime të mbrapshta politike. Nëse Greqia përfaqëson një shtet normal, me dëshirë për të patur marrëdhënie të mira fqinjësore, qeveria e saj duhej të vihej në mbështetje të Tiranës zyrtare, pasi terrorizmi luftohet vetëm në mënyrë të organizuar dhe të bashkuar. Mirëpo ngjarjet nuk ecën në rrjedhën e vet. Qeveria shqiptare nuk e cilësoi veprimin e Kacifas “Sjellje terroriste”, edhe pse ishte i tillë. Policia shqiptare u sulmua me armë zjarri nga një person i veshur me uniformë ushtarake, madje u dëmtua automjeti i policies, ndonëse për fat nuk pati policë të vrarë. Në rrethanat e krijuara, policia shqiptare ka vepruar derjt dhe, në këtë mënyrë, ka bërë vetëm detyrën.








