• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2018

Autoriteti i Dosjeve-Marrëveshje me “Zërin e Amerikës“ dhe Federatën “Vatra”

November 24, 2018 by dgreca

Marrëveshje midis Autoritetit të Dosjeve me “Zërin e Amerikës“ dhe Federatën PanShqiptare “Vatra”/

2-Frank-shkreli-2-300x183-1-1

NGA FRANK SHKRELI/

Të premten, më 23 Nëntor 2018, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), 1944-1991 postoi në faqen e tij facebook, një deklaratë me të cilën njoftohet publiku i gjerë shqiptar, brenda dhe jashtë Shqipërisë, mbi atë që cilësohet si “Institucionalizim i marrëveshjeve së AIDSSH me “Zërin e Amerikës” dhe Federatën Pan-shqiptare “Vatra”. Është kjo një nismë, nga ana e Autoritetit për Hapjen e Dosjeve, sa e mirëpritur aq edhe historike, nga një ent zyrtar i shtetit shqiptar me një organizatë aq e njohur, siç është Federata Pan-Shqiptare “Vatra”, e cila ka luajtur role të rëndësishme në periudha të ndryshme por vendimtare në historinë e Shqipërisë dhe të Shqiptarëve dhe si organizata më e vjetër e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe marrëveshja e (AIDSSH) për bashkëpunim me “Zërin e Amerikës” në gjuhën shqipe është gjithashtu historike. Si “Vatra” ashtu edhe “Zëri i Amerikës” kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm dhe historik në jetën e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara dhe si gjithmonë edhe sot vazhdojnë të luajnë një rol kritik në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë e Kosovës dhe midis dy kombeve tona në përgjithësi. Një delegacion i Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), 1944-1991, i kryesuar nga Zonja Gentiana Sula, do të vizitojë javën që vjen, Nju Jorkun dhe Washingtonin, për të nënshkrimin e marrëveshjeve në fjalë, me drejtuesit e Federatës Pan-Shqiptare Vatra dhe Zërit të Amerikës. Prania e delegacionit të (AIDSSH) në Nju Jork dhe Washington do të kulmojë me nënshkrimin e marrëveshjeve, por do ndihmojë gjithashtu pjesëtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan, të cilët mund të jenë të interesuar për procedurat e aplikimit, për zbardhjen e dosjeve të tyre. Më poshtë pason deklarata e plotë me hollësi të mëtejshme në lidhje me vizitën e delegacionit të Autoritetit në Shtetet e Bashkuara dhe nënshkrimit të marrëveshjeve për bashkëpunim midis tij dhe Federatës Pan-Shqiptare “Vatra” dhe “Zërit të Amerikës”.

Zonja Gentiana Sula, Kryetare e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, 1944-1991

“Tiranë, 28 nëntor 2018 – Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit zhvillon një vizitë pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në datat 28 nëntor-3 dhjetor, i ftuar nga Federata Pan=shqiptare “Vatra”, në vijim të bashkëpunimeve me komunitetet brenda dhe jashtë vendit. Veprimtaritë janë të hapura për publikun. Autoriteti ka zhvilluar aktivitete me në fokus kujtesën që në krijim të tij, duke u përqendruar në specifikat e bashkësisë ku është organizuar veprimtaria. Ekipi që do të kryejë vizitën në Amerikë po bashkëpunon me komunitetin tonë atje për organizimin e takimeve mbi kujtesën kolektive, nisur nga hapja e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit; për vënien në jetë të projekteve të përbashkëta që do të diskutohen me shqiptarët atje; për projektin e dëshmive gojore, (që sapo finalizoi botimin e parë) duke e zgjeruar ndjeshëm hartën e tij me dëshmi të të mbijetuarve të diktaturës që sot jetojnë në SHBA. Vizita e AIDSSH në Nju Jork dhe Uashington, – veç komunikimit të drejtpërdrejtë me bashkësinë shqiptare në Amerikë dhe ofrimit të shërbimeve në bashkëpunim me Federatën Vatra, që lehtëson procedurat e aplikimit duke i asistuar të interesuarit, – kulmon me firmosjen e dy marrëveshjeve të bashkëpunimit. Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës së Shqipërisë organizohet dhe funksionon në zbatim të ligjit nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Socialiste Popullore të Shqipërisë”. Si organ i lartë shtetëror i pavarur, në bazë dhe në zbatim të dispozitave të veçanta të ligjit 45/2015, AIDSSH e vë memorien historike në themel të identitetit dhe trashëgimisë së individëve e bashkësive, duke inkurajuar dialog shoqëror pa komplekse për diktaturën, në emër të së vërtetës, pajtimit, lirisë dhe demokracisë.

Në këtë kuadër, AIDSSH synon të firmosë marrëveshje bashkëpunimi me Zërin e Amerikës, për zgjerimin e projektit të dëshmive gojore, duke e pasuruar ndjeshëm arkivin digjital të institucionit. Intervistat gojore të dëshmitarëve që u japin zë viktimave ruhen sipas parametrave në Autoritet, krahas dosjeve të Sigurimit, instrumente të pushtetit komunist. Në simpoziumin që organizohet nga Federata Vatra, veç prezantimit të projektit të dëshmive gojore dhe punës për muzealizimin e kampit të Tepelenës, të konkretizuar në botimin e parë të librit të dëshmive dhe në mbjelljen e pemëve të Memorialit të fëmijëve që humbën jetën atje, do të shfaqet filmi që e dokumenton këtë rrugëtim dhe do të shpërndahen publikimet përkatëse. Autoriteti dhe Vatra synojnë ta institucionalizojnë bashkëpunimin mes tyre me firmosjen e një marrëveshjeje të zgjeruar bashkëpunimi. Në vijim prezantohet puna e AIDSSH për hedhjen dritë në të shkuarën, duke hapur dosjet e përfaqësuesve të emigracionit shqiptar, si dhe duke paraqitur shërbimet e institucionit, fizike dhe online. Në mbyllje, të pranishmit mund të plotësojnë formularët e aplikimit dhe të marrin përgjigje për rastet individuale. Ndërkohë, bashkëpunimet e AIDSSH me komunitetin shqiptar në SHBA dhe arkivat në këtë vend do të vijojnë, me fokus krijimin e kuadrit të plotë historik, social e politik të periudhës së komunizmit të Shqipëri, duke thelluar kërkimin shkencor dhe zgjeruar mundësitë e studimit në arkivat përkatëse të kësaj periudhe, brenda dhe jashtë vendit.

Autoriteti e mbështet punën e vet dhe vijimësinë e projekteve të ndërmarra në parimet e rëndësishme të kujtesës, që e vënë memorien historike në themel të identitetit dhe trashëgimisë së individëve e bashkësive, si paraqitja e këndvështrimeve të ndryshme; evitimi i shprehjeve deterministe: shmangia e përgjithësimeve; trajtimi i figurave historike si individë; sigurimi i një baze gjenuine historike; përdorimi i njohurive të nivelit akademik si burime, ku çdo përmbajtje duhet të ballafaqohet e të diskutohet me akademikë të njohur dhe certifikuar për njohuritë specifike e të duhura për këtë punë. Mbështetur në këto parime, në kërkimin shkencor dhe përballjen profesionale të fakteve, Autoriteti vijon të ndërmarrë projekte ambicioze e komplekse, që kanë në fokus rishqyrtimin e historisë, rivlerësimin e saj, rehabilitimin e viktimave, rezistencën në personalitete e komunitete dhe inkurajojnë dialogun social, në emër të transparencës dhe konsolidimit të demokracisë.”

Vizita e përfaqësuesve të Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit në Shtetet e Bashkuara, pikërisht në Nju Jork dhe në Washington, javën e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë – është edhe një dëshmi tjetër se Autoriteti, përfshirë Kryetaren Gentiana Sula, është serioz në zbulimin e së vërtetës në lidhje me atë periudhë të tmerrshme të historisë shqiptare. Autoriteti është për tu rekomanduar edhe për këtë nismë, me vizitën në Amerikë, për të nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me “Vatrën” dhe me VOA-n – duke bërë kështu edhe komunitetin shqiptaro-amerikan, pjesë të përpjekjeve dhe bashkëpunëtor, që kanë për synim, siç thuhet edhe në njoftimin më lartë, “Kërkimin shkencor dhe përballjen profesionale të fakteve”, duke ndërmarrë projekte ambicioze dhe komplekse, “që kanë në fokus rishqyrtimin e historisë, rivlerësimin e saj, rehabilitimin e viktimave, rezistencën në personalitete e komunitete dhe inkurajojnë dialogun social, në emër të transparencës dhe konsolidimit të demokracisë.”

Filed Under: Politike Tagged With: Autoriteti i Dosjeve, Frank shkreli, marreveshje, Vatra & Zeri i Amerikes

PRAG PAVARESIE- PSE SHEMBET LAVDIA E ATDHEUT

November 24, 2018 by dgreca

Përgatiti Fritz RADOVANI/Melbourne-Australi/

1 luigj gurakuqi-11 shtepia e Luigjit

KJO ISHTE SHTËPIA E L. GURAKUQIT – SHKODER/

3 pllaka

Shembja e Shtëpisë së Atdhetarit Luigj Gurakuqi në Shkoder ishte një “Parathanje”!

Gjithmonë mbas një vrasjes së pabesë asht e shkrueme me “atë gjak” një Histori…

AT ANTON HARAPI O.F.M., shkruen: “SI E NJOH UNË GURAKUQIN ?”

Tek libri “NALTIMI I NDËRGJEGJES KOMBTARE” (Pa asnjë ndryshim nga unë.FR)

Ndër shqiptarë nuk njohta kend mâ hije-lehtë se Luigj Gurakuqin.

Kujtimit t’êm nuk i çfaqet nji burrë si ai: i urtë, i mendshëm e njiheri edhe trim si zana. Personaliteti i tij qe nji krijesë origjinale, ku shpirti shqiptár, i pajisun me kulturë e qytetnim, shprehej i madh, i naltë, fisnik. Këtê pata fatin me e pasë mik zemre e shoq pune, bashkëpuntuer edhe prîjs; me te përpoqëm idealet, damë gëzimet e idhnimet; lirija e besimi qi patëm shoq me shoq, kaptoi ndër hapat mâ të guxueshëm, u ul e përfshini fjalët e punët edhe mâ të zakonshmet: por deri edhe ndër këto kande të jetës, ku edhe shpirti i fatosit ka hijet e veta, në fundin e zemrës së tij nuk pashë tjetër veç se shka bindë, tërhjekë e bân për vehte.

Në Luigjin gjeta njerín, hetova shqiptarin.

Cilsítë e rropamet e Shpirtit të tij i kam para sysh porsi idé, porsi symbol, por nuk vêhem t’ i përshkruej. Sferat e jetës së Luigjit, nuk ka pendë shqiptari qi i përfshin. I zoti ndër të zotët, i madhi ndër të mdhejt, i miri ndër mâ të mirët, Luigji qe i mbarë Shqipnís, i të gjithë Shqiptarëvet, por Shqipnija nuk qe për tê.

Të parën herë qi më rá t’ a njoh, ishem endè pa hym ndër valët e jetës.

Emzot Doçi, Pater Fishta e Luigji bisedojshin mbi problemin shqiptár. Unë, si i rí, rrijshem e ndigjojshem pa marrë pjesë në kuvend. Abati don me më bâ me folë, e thotë: Po ky frati i rí a merret me çashtjet shqiptare? A e don Shqipnín? Luigji, pa më njohtë pa më dijtë, si më pau ashtu të frikësuem e të turpnuem, mori fjalën për mue:

– Po, tha menjiherë, edhe ky e ka për zemër atdhén: edhe ky tash e jep kontributin e vet, por tash don të zâjë prej nesh. M’u bâ se m’u çel perdja: njohta optimistin e dashamirin e të rijvet. Mora zemër.

Shkuen vjetë e vjetë pá u pá mâ me tê. Kur, ja, e gjêj në Kuvendin e Françeskanëvet në Troshan, ku i skredituem e i luftuem me durimin e fatosit, në qetsí të plotë, pritëte të dyndeshin rêt’ e zeza të gojë-këqijvet, të ftofej pasjoni i anmiqvet, t’a ndiente Shkodra e Shqipnija nevojën e tij.

Nuk e mbaj mend shka folëm, por e dij se folëm gjatë, folëm me zemër në dorë, folëm si burrat me kulturë. Këtê veç mbajta mend, se ishem pjekë në nji njeri me ndiesí të nalta shpirtnore. Sikur nuk mjeroi kur Shkodra pa e njohtë e përbuzi, ashtu nuk iu rrit mendja kur Shkodra dhe mbarë Shqipnija brohoriti për tê.

Në nji odë, në nji tryezë me tê, me javë e muej bashkëpunuem në fletoren “Ora e Maleve”. Aty pash zotsín theorike e praktike, aty turret e enthuzjazmit dhe aftësín e përqendrimit, aty syperjoritetin e fisnikín e tij.

– Luigj, i thom nji ditë: Na me pendë e të tjerët me pushkë, na me fjalë e të tjerët me plumb, tash po na e dalin e na lanë në záll né me gjithë Shqipní!? E atëherë kush e pat e pat, e mjerë kush i han shpina dhé!

– Ani, tha, përzot’ a; le të na vrasin, se unë Shqipnín nuk due t’a ngrehi mbi gjaqe e intriga, por mbi idé dhe mbi ndijesí. Nuk kam marrë kurrnji shënim përmbi ato kohë vërté ideale, këtu vetëm due të përtrîj disa ndër kujtime të çmueshme qi shpirti i êm ruejti mbi ketë shqiptár vërté të jashtëzakonshëm.

***
ZGJEDHJET
Ishte koha e zgjedhjevet. Enthuzjazmi i ynë kishte shtî deri në popullin e ulët nji interesim të gjallë. Lufta elektorale vlonte, njimend e qetë dhe e organizueme, por me të tanë intensitetin e vet. Kurr Shkodra me rrethe nuk u gjet në nji lëvizje mâ ideale, mâ të madhe e mâ t’ organizueme. Ishte e para herë qi muhamedanë e katholikë të lidhun sinqerisht në njênën anë, e muhamedanë e katholikë në tjetrën anë, Opozitë e Popullore, luftojshin shoq me shoq si ndër vende të qytetnueme, jo me armë, por me fjalën e lirë e me propagandë. Na e kishim shpallë listën e deputetëvet.

I kishim bâ llogarít dhe me sigurí përfundojshin me fitim, deri në nji kandidat. Natën e zgjedhjevet kundërshtarët na çojnë fjalë për nji kompromis, po deshëm t’a qesim atë deputet. Kjo punë veç nuk kishte si me u bâ pa nji dredhí, qi ishte trathtí. Qe kush tha se do bâ dredhija mbasi qellimi ishte i shêjtë.

Nguli kambë Luigji: – Kurrën e kurrës – tha – nuk e pranoj intrigën, me e dijtë se e bjerrim krejt çashtjen ndër zgjedhje! Qe i ndershëm e burrë në veshtrim të fjalës. Si ai…
Kishin shtî njerín m’e vrá. Merr vesht se kush âsht. E kërkon dhe e gjên natën tue këthye në shtëpí, vetëm për vetëm në rrugë. Të nesërmen me buzëqeshje dhe me nji qetësí të kandëshme shpirti më kallxon: – Pater Anton, e bâna duelin! Mbramë u ndesha me N. N., i dola para dhe me dorë në revolver i thashë: Në qofsh burrë, më vrà njitash, se sa për mbas gardhi qet pushkë edhe i dobti. – Po shka bâni? Shka të tha? Si u dave shëndosh? Kështu unë gëzueshëm, por turrshëm. – Uli fjalët – tha e më bâni bé e rrëfé se nuk do të më vritëte në kurrnji mënyrë. – Po ti? … – Shko, i thashë, se megjithëse mundem me të vrá, po të fali, jo për bé rrêjshëm qi po bân, por pse nuk âsht burrní për mue me shtîj në nji njerí të lig sikurse ty.

Luigji qe vërté trim, por trim i urtë e fisnik.

Njimend se nuk kishte të holla për të marrë njerí mbas vehtes, por nuk donte t’a marrë as kur me lëmoshë t’atyne qi e çmojshin dhe e dojshin, i a imponova gati përdhuni.

– Po pse, more Luigj, ti kështu po don me e marrë në qafë vehten dhe të gjithë ndjekësit e tú? – Pater Anton, më thonte me të gjitha ndiesít e zemrës, m’âsht mbushë mendja se e para pushkë nuk më mbytë, e sa për të dytën e shprazi vetë.

Mbasi e provoi njerín qi i dhashë rojë mbas vehtes, të tanë gëzim më tha:

– Pater Anton, me kësi burrash, po, mund t’a bâjmë Shqipnín!

Kur prekej në dellin e vet ishte enthuzjast i madh, u derdhte në nji optimizëm të çuditëshëm, gadi me thanë të tepruem.”

Shenim nga FR: Vazhdon Pjesa II “Grupi “Ora e Maleve dhe Demokracia”

Melbourne    2018

Filed Under: Analiza Tagged With: Fritz radovani, LAVDIA E ATDHEUT, PRAG PAVARESIE- PSE SHEMBET

KOSOVË-POLICIA AKSION NË VERI, ARRESTIME PËR VRASJEN E IVANOVIC

November 23, 2018 by dgreca

-Komunikatat dërguara nga Qeveria, Policia dhe Prokuroria e Shtetit të Kosovës/

Masked police officers carry their weapons as they stand guard in front of a court in Pristina September 17, 2014. Police in Kosovo arrested 15 people on Wednesday, including a number of imams, in the second major operation in weeks to stem the flow of young ethnic Albanians joining Islamist fighters in Iraq and Syria, a police source said. Most of Kosovo's 1.8 million people are ethnic Albanian Muslims and lead largely secular lives.    REUTERS/Hazir Reka (KOSOVO - Tags: POLITICS CRIME LAW CIVIL UNREST) - RTR46L0JPRISHTINË, 23 Nëntor 2018-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Një aksion policor me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, pas hetimeve disa mujore, është zhvilluar sot në veri të Kosovës, arrestohen të dyshuar për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanovic në 16 janar 2018. Në vijim deklaratat e njoftimet e dërguara nga Qeveria, Policia e Prokuroria e Shtetit të Kosovës:

DEKLARATË E QEVERISË SË KOSOVËS

Prishtinë, 23 nëntor 2018- Qeveria e Republikës së Kosovës, deklaron se aksioni policor në veri të Kosovës që ndërlidhet me ndalimin e disa të dyshuarve për vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq, është realizuar me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Ky veprim policor ishte në pajtim të plotë me ligjin, konform urdhrit të Prokurorisë Speciale, dhe nuk ndërlidhet në asnjë mënyrë me asnjë zhvillim politik. Qeveria e Kosovës siguron të gjithë qytetarët se shteti i Kosovës dhe organet e tij të rendit, në asnjë mënyrë dhe asnjëherë nuk do të orientohet kundër asnjë grupi etnik apo politik.Me këtë rast, Qeveria e Kosovës iu bën thirrje të gjithë qytetarëve, subjekteve politike, kryetarëve të komunave, posaçërisht atyre në veri dhe organeve të tjera, që të kontribuojnë në mbajtjen dhe avancimin e qetësisë publike, në shërbim të paqes dhe stabilitetit.Është më rëndësi që askush të mos bie pre e dezinformatave të ndryshme. Ruajtja e rendit dhe respektimi i ligjit është në interes të të gjithëve në Kosovë.

KOMUNIKATË PËR MEDIA E POLICISË SË KOSOVËS

Policia e Kosovës arreston disa persona të dyshuar, të cilët dyshohen për përfshirje në rastin e vrasjes së O. Ivanoviç

 Prishtinë, 23 nëntor 2018

 Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda nën udhëheqjen e Prokurorit Special të Prokurorisë Speciale të RKS-së, si dhe në mbështetje të njësive tjera speciale policore, sot më 23.11.2018, pas hetimeve disa mujore dhe me urdhëresë të gjykatës, ka kryer kontrolle në katër lokacione në qytetin e Mitrovicës-Veri.

 Në këtë operacion janë arrestuar katër (4) persona, tre (3) prej tyre  që dyshohen se janë të përfshirë në veprën penale ,,Vrasje e rëndë”, kurse një (1) person tjetër është arrestuar sepse ka rezistuar dhe penguar zyrtarët policorë gjatë kontrollit dhe arrestimit të të dyshuarve për rastin në fjalë.

Personat e dyshuar tanimë të arrestuar janë;

  1. N.S.  viti i lindjes 1976, M/S/K, njëherit zyrtar policor  në Veri të Mitrovicës.
  2. M.R. viti i lindjes 1993, M/S/K;
  3. D.M. viti i lindjes 1970, M/S/K, po ashtu zyrtar policor në Veri të Mitrovicës.
  4. A.C.  viti i lindjes 1965, M/S/K;

Ndërsa personi  i cili  ende mbetet në kërkim policor, pasi nuk është gjetur në lokacionin e tij është;

  1. M.R. viti i lindjes 1978 po ashtu M/S/K;

Policia e Kosovës gjatë kontrollit në këto lokacione po ashtu ka sekuestruar edhe disa dëshmi relevante që ndërlidhen me rastin, dëshmi këto të cilat do të procedohen sipas procedurës ligjore.Të gjitha veprimet e mëtutjeshme rreth rastit dhe personave të arrestuar, do të ndërmerren në konsultim dhe koordinim me organet e drejtësisë, gjegjësisht prokurorin kompetent të rastit.

NJOFTIMI NGA ZYRA E KRYEPROKURORIT TË SHTETIT

 Me urdhër të Prokurorisë Speciale arrestohen katër persona në veri të Mitrovicës

Prishtinë, 23 nëntor 2018 – Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda, si dhe në mbështetje të njësive tjera speciale policore, në orët e hershme të mëngjesit kanë realizuar një aksion në veri të Mitrovicës, ku janë arrestuar katër të dyshimtë se janë të përfshirë në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

 Me  qëllim që të zbatohen procedurat e ligjshme dhe të drejta për sigurimin e provave dhe arrestimin e personave të dyshuar për veprën penale të vrasjes së Oliver Ivanoviqit, në bazë të kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, dhe urdhrit të lëshuar me shkrim nga  Gjykatësi i procedurës  paraprake i Krimeve të Rënda në Prishtinë, janë kontrolluar disa lokale dhe prona në pjesën veriore të Mitrovicës, për shkak  se është vlerësuar se ka gjasa reale se në  këto lokale, shtëpi dhe prona mund të zbulohen dhe konfiskohen prova të rëndësishme për veprën penale.Gjatë zbatimit të urdhëresës së Gjykatës për kontroll, Policia e Kosovës ka gjetur armë pa leje dhe materie tjera që përbëjnë veprën penale, për të cilën ndiqet sipas detyrës zyrtare.

KOMUNIKATË PËR MEDIA E POLICISË SË KOSOVËS E 16 JANAR 2018

 Prishtinë, 16 janar 2018

           Rreth orës 08:10 min, në rrugën “Sutjeska” në veri të Mitrovicës, është regjistruar një incident me përdorim armë zjarri, me ç’rast persona deri më tani të panjohur kanë shtënë në drejtim të z. Oliver Ivanovic, i cili fillimisht është plagosur në afërsi të zyrës së tij të punës.Viktima është dërguar në qendrën spitalore në veri të Mitrovicës për reanimim, ndërsa mjekët kujdestarë kanë konstatuar vdekjen e tij.Njësitë policore kanë dalë në vendngjarje ndërsa këqyrja e vendit të ngjarjes është në vazhdim e sipër. Në vendngjarje janë gjetur prova materiale të cilat do të përdoren në procedurën e mëtejme hetimore.

 Gjithashtu, rreth orës 09:15min, në rrugën “Vojvode Putnika” në veri të Mitrovicës, është lokalizuar një veturë private e markës “Opel Astra”, pa targa të regjistrimit, të cilës paraprakisht i ishte vënë zjarri, ndërsa Policia dyshon se mund të jetë e lidhur me rastin e vrasjes.

Për të gjitha rrethanat e rastit dhe veprimet e ndërmarra të Policisë është informuar prokurori i Shtetit, i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, i cili ka dalë në vendngjarje.Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbardhjen sa më parë të këtij rasti dhe sjelljen e personit/ave të dyshuar para organeve të drejtësisë.

Filed Under: Kronike Tagged With: arreston, policia e Kosoves, vrasesit e Ivanovicit

Arti i Komunikimit është Bashkëjetesë pa Tensione

November 23, 2018 by dgreca

– Tensionet e brendshme nuk favorizojnë një shtet qe të zhvillohet në rrugë normale. Duhet gjendur rruga e komunikimit me popullin dhe jo arroganca.Jemi popull i vuajtur dhe kërkojmë të jetojmë si njerëz të lirë përpara ligjit.Eshtë i nevojshëm dhe i domosdoshëm një mentalitet i ri bashkombëtar dhe bashkëkohor./

1 shqipe

NGA SHQIPE NEBIAJ/Nju Jork/

Këto 28 vite për Shqipërinë janë një tranzicion i tejzgjatur zhvillimi mbas një izolimi 45 vjeçar.Ka ndryshime që nuk krahasohen me burgun që lamë pas.Por a duhej të ishte më mirë? Po lexoja mbi rikonstruktimin e shteteve në Gjermaninë e mbas luftës së dytë botërore ku Jeffrey Diefendorf ka shkruar shumë libra mbi shkatërrimin e Gjermanisë dhe Japonisë mbas luftës së dytë botërore the mbi rindërtimin e shpejtë të qyteteve të shkatëruara prej saj. Ai jep disa shpjegime mbi menaxhimin e ndërtimeve urbane dhe rikonstruktimin e ndërtesave historike siç ishin më parë.Diefendorf përshkruan qytete të ndryshme që u rindërtuan në mënyrë të ndryshme duke respektuar kulturën historike dhe konfliktet e brendshme.Mbas bombardimit të qytetit të Hamburgut disa mendonin të transformonin atë në rrugë moderne si (easy way).Kjo u kundërshtua nga qytetarët që donin të mbronin indentitetin e qytetit të tyre.Në Munich mbas luftës së dytë botërore ishte planifikuar një arterie urbane përballë bashkisë (City Hall) ku ndodhej një zonë e madhe pedestriane ku njerëzit ishin të kënaqur me atë.Një lëvizje e madhe popullore bëri të mos realizohej plani.Njerëzit detyruan planifikuesit e ndryshimeve që të hapnin ekspozita ku të respektohej dhe zëri i qytetarëve: Ne nuk duam që qytetet të duken të gjithë si New Yorku duam të ruajmë indentitetin e qyteteve tona ishte zëri i tyre.Në qytetin e Cologne, Konrad Adenauren( German statesman who served as the first Chancellor of the Federal Republic of Germany from 1949 to 1963) do të ndryshonte rrugët rreth katedrales por shumica e qytetarëve e kundërshtuan. Po në këtë qytet në një ndërtesë jo shumë e madhe ku kishte qenë udhëheqja e Gestapos( ku ishin vrarë dhe torturuar shumë njerëz) në vitin 1970 u kthye në një muze ku përbëhej nga një arkiv the biblotekë ku njerëzit njiheshin me hororin e Gestapos.Gjermania është vendi që pranoi në mënyrë kolektive përgjegjësitë e regjimit nazist. Të vimë prap te dhimbja jonë. Nuk e kemi patur traditën te kënaqësia e konsesusit por te beteja nder vedi se kush do ti nxjeri syte tjetrit.Uni eshte e keqja kur shqiptaret behen “Kalores” dhe kontrollojnë çdo gjë në favor të egos dhe jo të ligjit.Firmosin ligje por nuk u përmbahen atyre.Përsëritjet e mos respektimit të ligjeve sjell dhe një gjendje rutinë që çorienton shoqërinë në një apati të verbër.Duhen mendje të kthejllta dhe të ditura që të bëjnë të qartë fuqinë e ligjit ku çdo njeri të ndërgjegjsohet për fuqinë e tij.Sa më shumë njerëz të njohin ligjet dhe të drejtat e tyre aq më të pavarur do të jenë në lidhje me integritetin e tyre si qytetarë.Asgjë nuk bëhet me forcë se ajo mban një tension të brendshëm.Tensionet e brendshme nuk favorizojnë një shtet qe të zhvillohet në rrugë normale. Duhet gjendur rruga e komunikimit me popullin dhe jo arroganca.Jemi popull i vuajtur dhe kërkojmë të jetojmë si njerëz të lirë përpara ligjit.Eshtë i nevojshëm dhe i domosdoshëm një mentalitet i ri bashkombëtar dhe bashkëkohor.

Filed Under: Analiza Tagged With: Arti i Komunikimit është Bashkëjetesë, pa Tensione, Shqipe Nebiaj

KOSOVA NUK DO TË LEJOJË CENIMIN NGA SERBIA

November 23, 2018 by dgreca

-Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli: Nuk do të lejojmë cenimin e Kosovës nga Serbia/

1 a Veseli tereza

PRISHTINË, 23 Nëntor 2018-Gazeta DIELLI-B.Jashari/

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, në një konferencë shypi sot në mesditë ka thënë se vendimet e fundit të shtetit të Kosovës kanë për synim të ndalin destruktivitetin e liderëve institucionalë të Serbisë kundër Kosovës.

Në një konferencë për gazetarë, Kryeparlamentari Veseli theksoi se vendimet e shtetit të Kosovës janë janë legjitime, legale dhe transparente. Vendimet e institucioneve të Kosovës, sipas Veselit, nuk duhet assesi të interpretohen si vendime të drejtuara ndaj një komuniteti të caktuar.“Republika e Serbisë, lidershipi i saj, duhet ta kuptojë se politika e urrejtjes, bllokimit dhe provokimit ndaj Kosovës është duke rrezikuar stabilitetin rajonal. Është kundër frymës së dialogut të proklamuar. Kjo politikë nuk i ndihmon bashkëjetesës mes shqiptarëve, serbëve dhe komuniteteve tjera në Kosovë. Ka ardhur koha që të ndalen provokime të tilla”, tha Veseli.Më tutje, Kryeparlamentari Veseli tha se nuk do të lejojnë veprime që mund të shkaktojnë pasiguri ose jo stabilitet në vendin tonë.

 “Nuk do të lejojmë cenimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Nuk do të lejojmë veprime që kërcënojnë shqiptarët, serbët dhe komunitetet tjera në veri të vendit. Nuk do të lejojmë veprime që cenojnë bashkëqytetarët tanë serbë kudo që jetojnë në Kosovë”, tha Veseli.Ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të kenë besim në institucionet e Kosovës dhe të mos bien pre e provokimeve dhe gjuhës së urrejtjes.“Kosova është e angazhuar që të zgjidhë problemet me Serbinë në mënyrë konstruktive, përmes dialogut dhe mirëkuptimit. Por, kjo nuk do të thotë se ne do të tolerojmë pafundësisht synimet destruktive ndaj shtetit tonë apo përpjekjet për të tensionuar çdoherë gjendjen në Kosovë. E ardhmja e Kosovës dhe e gjithë rajonit është integrimi në Bashkimin Evropian. Republika e Kosovës është e angazhuar që të garantojë stabilitet, sundim të ligjit në çdo pjesë të territorit të vet. Shteti i Kosovës do të respektojë plotësisht obligimet ndërkombëtare që ka marrë. Gjithashtu, institucionet e Kosovës do të funksionojnë dhe veprojnë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi”, tha kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Filed Under: Politike Tagged With: Cenim, Kadri Veseli, kosova, Serbia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 24
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT