• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2018

FTESA E ZV. MINISTRIT DHE PRRALLA E EZOPIT

November 23, 2018 by dgreca

2Eugjen-Merlika-2008V-1-204x300

“Njerёzit turpёrohen jo pёr fyerjet qё bёjnё, por pёr ato qё pёsojnё. Prandaj, pёr tё arritur qё tё paudhёt tё turpёrohen, nuk ka rrugё tjetёr veçse t’i shpёrblesh me tё njёjtёn monedhё”/

Giacomo LEOPARDI ( 1798 – 1837), poet e shkrimtar i njohur italian/

Shkruan:Eugjen MERLIKA/ DIELLI/

Nё festimet e pёrvjetorit tё Tiranёs, njё shkak pёr tё shpalosur tё gjitha bёmat e bujshme tё bashkisё sё Tiranёs, edhe se kjo e fundit ishte e rrethar nga qindra qytetarё qё kёrkonin paratё e mundit tё njё jete tё tёrё, tё investuara nё shtёpitё qё i kap plani i prishjes, nё emёr tё Qeverisё pёrshёndeti zv. ministri i Mbrojtjes, z. Petro Koçi, i vetmi qeveritar i pranishёm.

Fjala e tij trajtoi tema tё sё shkuarёs, natyrisht me qё kremtohej pёrvjetori i njё ngjarjeje tё saj. Oratori mori pozёn e historianit, duke risjellё nё kujtesёn e dёgjuesve, qё mbanin nё duar portretet e “udhёheqёsit legjendar”, Enver Hoxha, se lufta nacional – çlirimtare kishte qёnё njё “vendim i duhur politik e ushtarak, pёr t’i u bashkuar njё koalicioni tё madh antifashist, me armё nё dorё pёr tё çliruar vendin.” Gjynah qё zv. ministri nuk thotё se kur u krijua ky koalicion e kur kishte filluar lufta. Mbase ai nuk e di se para atij koalicioni kishte qёnё njё tjetёr, me emrin “pakt mos sulmimi”, i nёnёshkruar nё kryeqytetin e Rajhut tё tretё mё 23 gusht 1939, nga ministrat e Jashtёm tё Gjermanisё e tё BS, tё autorizuar nga krerёt e tyre Adolf Hitler dhe Josif Stalin. Ndoshta nuk ёshtё mungesё e tij, mbasi edhe historia zyrtare, dhe ajo e botuar mё 2008, nuk e pёrmend fare kёtё fakt historik tё stёrnjohur nё botё. Madje ai “harron” tё thotё se lufta kishte hedhur hapat e saj tё parё, mbas sulmit tё Gjermanisё kundёr Bashkimit sovjetik e krijimit tё Partisё komuniste shqiptare, nёpёrmjet katalizatorёve jugosllavё, duke tingёlluar qartё si njё pёrpjekje pёr t’i ardhur nё ndihmё mё shumё “atdheut tё socializmit”, simbas urdhёrave tё Moskёs, se sa trojeve tё Arbёrit, tё bashkuara pёr herё tё parё mbas tridhjetё viteve, nё njё administratё tё drejtuar nga Tirana.

Pёrpjekjeve tё komunistёve, gjatё luftёs, pёr tё diskredituar klasёn drejtuese atdhetare, qё kishte si yll polar tё veprimtarisё sё saj, bashkimin e shqiptarёve nё njё shtet tё vetёm, i shtohet mbas tre tё katёrtat e shekullit edhe zv.ministri Koçi, qё shprehet kёshtu: “Ata donin qё, duke bashkёpunuar me fashizmin dhe nazizmin, tё mbanin pushtetin politik duke tradhtuar interesat e vendit. Ata nuk luftuan pёr Shqipёrinё e madhe, por tё merrnin pushtetin, por populli shqiptar nuk i mbёshteti.” Njё interpretim tё tillё tё historisё sё asaj kohe do t’a kishte zili edhe gazeta “Zёri i popullit” e kohёs sё luftёs. Vlen t’i kujtohet zv. ministrit tё painformuar se, gjatё pesё viteve tё qeverisjes nёn pushtim nё Shqipёri, u ndёrruan shtatё kryeministra, fakt ky qё vёrteton jo vetёm se sa e vёshtirё ishte jeta politike e tyre, nё mbrojtjen e shpalosjen e vlerave tё trashёguara kombёtare (shpёtimi i hebrenjve ёshtё shёmbulli mё domethёnёs), por edhe se ata nuk ishin tё ngulitur nё idenё e pushtetit, tё cilin e aspironin me çfarёdo çmimi  kundёrshtarёt e tyre,   kryesisht Enver Hoxha.

Bёn pёrshtypje shprehja “Shqipёri e madhe”, qё pёdor zv. minstri socialist, duke i bёrё jehonё njё koncepti tё propagandёs sё vjetёr e tё re kundёr shqiptare tё politikёs dhe kulturёs serbe. Drejtuesit e kombёtarizmit shqiptar kanё pёrdorur gjithmonё shprehjen “Shqipёri etnike”, kur binte fjala pёr Atdheun e bashkuar nё kufijtё e tij natyrorё, por z. Koçi parapёlqen tё rrjeshtohet me politikanёt e studjuesit serbё, nё terminologjinё e tij tё urrejtjes patologjike.

Madje kjo urrejtje gjen shprehjen mё tё plotё kur ai, nga lartёsia e detyrёs sё tij, si pёrfaqёsues i Qeverisё, pёr mё tepёr nё njё dikaster tё rёndёsishёm, si ai i mbrojtjes, gjen rastin tё ftojё “tё gjithё ata qё janё pasardhёs tё atyre qё bashkёpunuan me fashizmin t’i kёrkojnё falje popullit, qytetarёve tё Tiranёs, se vetёm kёshtu mund tё arrihet ai qё quhet pajtim kombёtar”. Ndoshta, nё historinё e kёtyre viteve tё demokraturёs, Petro Koçi do tё mbahet mёnd pёr kёtё ftesё tё tij nё njё festё pёrkujtimore, mbasi nuk shquhet pёr asgjё tjetёr.

Ky zotёri neokomunist arrin tё kёrkojё diçka qё nuk kanё patur paturpёsinё t’a kёrkonin as krerёt e njohur tё komunizmit shqiptar, kёrkesёn e faljes nga ana e pasardhёsve tё kundёrshtarёve tё tyre politikё. Ёshtё njё paturpёsi, nё kufijtё e zvetёnimit tё plotё intelektual dhe moral, brёnda vёshtrimit mё dogmatik e kriminal tё dukurive njerёzore. Zv. ministri e din mirё se ata pasardhёs, tё cilёve u drejtohet me njё cinizёm skajor deri nё absurditet, janё viktima tё pafajshme e tё panumurta tё shtypjes mё mizore nё gjithё Evropёn komuniste, qё ka ushtruar diktatura e etёrve shpirtёrorё tё tij. Kёto fjalё, qё besoj se janё unike nё historinё e botёs, mbasi askush, sado vrasёs tё ketё qёnё, nё çfarёdo sistemi e nё çfarёdo diktature, nuk ka zbritur kaq poshtё nё honin e zvetёnimit moral, sa qё tё ketё mёtuar kёrkesё faljeje nga ana e viktimave tё krimeve tё tij.

Falje kёrkojnё gjithmonё njerёzit qё ndjehen fajtorё para dikujt pёr paudhёsitё qё mund t’i kenё bёrё. Por njerёz qё, nga djepi e deri nё plakje kanё mbajtur nё qafё kularin e “luftёs sё klasave”, qё janё privuar nga tё gjitha tё drejtat qytetare, qё kanё provuar mbi shpinё dhjetra vitesh burgimi apo kampesh internimi, qё kanё gjetur vdekjen tё zhytur nё llucat e kampit tё Bedenit, apo nё galeritё e minierave tё Spaçit apo Qafё Barit, qё janё rritur pa baballarё e nё sajё tё flijimit sipёrnjerёzor tё nёnave tё tyre, qё kanё qenё gjithё jetёn prè e poshtёrimit dhe fyerjes vetёm nё sajё tё mbiemrit qё mbanin, nuk ka asnjё ligj tё shkruar e tё pashkruar tё botёs sonё qё t’i bёjё tё “kёrkojnё falje” tek xhelatёt e tyre.

Qёndrimi i zv. ministrit tё Qeverisё shqiptare mund tё gjejё shembёlltyra vetёm nё botёn e kafshёve. Nga ajo botё mё vjen ndёrmend njё pёrrallё e mrekullueshme e fabulistit mё nё zё tё botёs sё lashtё, grekut Ezop, qё titullohet “Ujku dhe qёngji”. Pёr ndonjё qё mund t’a ketё harruar margaritarin e grekut tё madh, po e sjell atё tё plotё:

“Njё ujk pa njё qёngj qё pinte ujё pranё njё rrёkeje uji dhe i erdhi dёshira pёr t’a ngrёnё me ndonjё sebep tё mirё. Duke qёnё lart nё kodёr, filloi t’a padisё se ai i ndotёte ujin, kёshtu qё ai nuk mund t’a pinte atё. Qёngji i tha se pёr tё pirё ai vetёm sa vinte buzёn tek uji e se nuk mund t’a turbullonte atё, mbasi ujku ishte mё lart. Me qё i shkoi huq ai shkak ujku atёherё i tha: “Po ti je ai qё vitin qё shkoi ke sharё babain tim!” Qёngji atёherё i shpjegoi se n’atё datё ai nuk kishte lindur ende. “Mirё, pёrfundoi ujku, nёse ti je aq i zoti pёr tё gjetur gjithmonё rrugёdalje, un nuk mund tё rri pa tё ngrёnё.”

Besoj se zv. ministri rrin mirё nё rolin e ujkut, edhe se nuk ka mё mundёsi tё pёrsёrisё nё praktikёn e tij bёmat “zulmё mёdha” tё terrorit tё paraardhёsve tё tij. Por urrejtja, qё mbruan çdo qelizё tё trurit tё tij, nuk mund tё shprehet mё mirё se sa tek pёrpjekja pёr t’i fyer e poshtёruar deri nё pafundёsi viktimat e asaj pёrndjekjeje tё pashembulltё qё qe lufta e klasave nё Shqipёrinё komuniste. Ai poshtёrim bёhet n’emёr tё “pajtimit kombёtar”, i cili pёr tё ёshtё pёrjetёsimi i logjikёs sё luftёs e terrorit, duke i ligjёsuar ato nё kundёrshtim me çdo normё e parim tё moralit njerёzor. Ai parim, qё do tё kёrkonte normalisht kёrkimin falje nga dhunuesi e jo nga i dhunuari, nё mёndjen e çoroditur tё zv. ministrit kthehet pёrmbys e prodhon arsyetime tё denjё vetёm pёr ujkun e Ezopit.

Nuk e di se sa pajtohet mendёsia e tij me vendimin e lёvdueshёm tё Qeverisё, pёr tё nderuar kujtimin e njё atdhetari, duke sjellё eshtrat e tij me ceremoni n’atdhe. Nё logjikёn e tij si edhe tё shumё tё tjerёve edhe Mithat Frashёri ishte njё “kolaboracionist”. Heshtja e kёtyre ditёve kundrejt ftesёs shkandullore tё Petro Koçit, drejtuar pasardhёsve tё ish kundёrshtarёve politikё tё komunizmit, tё martirizuar pёr gjysmё shekulli, pёr tё kёrkuar falje, ёshtё njё miratim i tёrthortё i asaj mendёsie qё gjen shtratin e ngrohtё nё zyrat e larta tё shtetit shqiptar. Nёse ai qёndrim, pёr arsye tё kuptueshme fasade, nuk mund tё jetё pozicioni zyrtar i Qeverisё, ёshtё detyrё e kёsaj tё fundit duke filluar nga kryetari i saj dhe ministrja pёrkatёse tё distancohen haptas nga “ftesa” e turpёshme e vartёsit tё tyre.

Nё çdo Vend tё Evropёs njё ftesё si ajo e zv. ministrit Koçi do tё kishte shkaktuar njё pёshtjellim politik e mediatik, tё pasuar nga njё dorёheqje e menjёherёshme. Tek ne ajo kalon nё pavёmёndjen mё shqetёsuese, edhe se pёrbёn njё fyerje cinike pёr shumё mijra qytetarё tё kёtij Vendi. Nuk ёshtё njё shenjё e mirё, tregon se evolucioni i mendimit ecёn me hapin e kёrmillit, se nuk shkёputemi dot si shoqёri nga mendёsia e regjimit, nga ndarja famёkeqe “ne” dhe “ata”, se ajo mendёsi vazhdon tё ketё idhtarёt e saj jo vetёm nё veteranёt qё manifestojnё me portretet e Enver Hoxhёs, jo vetёm nё komentet analfabete tё hymnizimit tё sё shkuarёs nё internet, por ajo qё ёshtё mё keq, edhe nё instancat e larta tё shtetit.

Nёndor 2018

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Eugjen Merlika, perralla e Ezopit, zv.Ministri

Zonja Mogherini, ju lutem shkoni në shtëpi!

November 23, 2018 by dgreca

1 Bucpapaj Mogherini

Nga Elida Buçpapaj/

Qeveria e Kosovës të mërkurën vendosi masa mbrojtëse prej 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Propozimin e Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala e mbështeti menjëherë Kryeministri Ramush Haradinaj.

Po ashtu i menjëhershëm ishte reagimi nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini që kërkoi tërheqjen e menjëhershme e kësaj takse. Mogherini tha se “Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të rritur taksën ndaj mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnja për 100 për qind është shkelje e pastër e CEFTA-s dhe frymës së Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës.” Ndërsa kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, nga ana e tij, nënvizoi se për “Një kohë të gjatë Kosova është penguar në transport se CEFTA nuk ka fuksionuar në mes Kosovës dhe Serbisë”.

Vendimi i qeverisë së Kosovës erdhi një ditë pasi Serbia festoi triumfuese fitoren që kishte arritur lobimi i saj diplomatik për mosanëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, ku kanë votuar kundër edhe të paktën tre shtete anëtare të BE-së!

Shefja e diplomacisë së BE-së nuk shprehu asnjë lloj qendrimi kur Kosova, për shkak të ndërhyrjeve të Serbisë, humbi për të tretën herë mundësinë e anëtarësimit në INTERPOL. Ndërsa reagoi sa hap e mbyll sytë kur iu cënuan interesat ekonomike të Serbisë.

Zonja Mogherini, ju i trajtoni serbët si bijtë tuaj të privilegjuar, ndërsa si njerkë shqiptarët, kur do të duhej të ishit Nënë e mirë edhe për serbët edhe për shqiptarët, në të mirë të gjeneratave të reja dhe të integrimit të Kosovës e Serbisë në BE!

Ju jeni një njerkë si tek përralla e Hirushes – Cinderella – apo si Madam Thénardier tek romani Të mjerët e Victor Hygoit!

Kam shkruar përpara disa vitesh se Kosova është si geto në zemër të Europës, sepse ka mbetur e braktisur nga BE-ja, e mashtruar, e nëpërkëmbur, e trajtuar si shtet i dorës së dytë apo të tretë si ato plaçkat që shiten lirë në treg! Ju kujtoj se Srebrenica ka ndodhur nën hundët e indiferencës së zyrtarëve të lartë të llojit tuaj, që nuk meritojnë kurrësesi të jenë në krye të BE-së!

Jeni një burokrate me zemër të akullt, paçka se keni lindur në një vend me plot diell që është pjesë e NATO-s dhe Perëndimit, që ka marrë vendimet deçizive për Kosovën e të ardhmen e saj e rajonit, që padyshim nuk janë zvarritja dhe tërheqja zvarrë e proceseve.

Ju mbani qendrime favorizuese ndaj njërës palë dhe diskriminuese ndaj palës tjetër, pa marrë parasysh se Kosova është shteti viktimë; ju vononi integrimin e Kosovës dhe Serbisë në BE, sepse ushqeni iluzionet mitomane serbe për aneksim të Kosovës që e kallën rajonin në flakë .

Duke vepruar kësisoj, me papërgjegjshmëri për rolin që keni, sikur thotë Ilir Deda, deputeti i Parlamentit të Kosovës, ju e keni humbur krejtësisht kredibilitetin tek institucionet dhe tek Populli i Kosovës! Ja si shkruan deputeti Ilir Deda për ju: “Mogherini kërkon heqjen e menjëhershme të taksës ndaj Serbisë dhe thotë që është në kundërshtim me “frymën” e MSA-së? Eh po ne, dhe jo vetëm ne në Kosovë, qe 5 muaj po kërkojmë që Mogherini të prononcohet kundër ndarjes së Kosovës; të reagojë kundër Serbisë që po punon në mënyrë agresive kundër Kosovës duke e shkelur “frymën” e normalizimit të marrëdhënieve; dhe po, po kërkojmë që BE t’i përmbushë obligimet e saj ndaj Kosovës. Çuditërisht ajo vetëm ka heshtë, mos të them që i ka injoruar këto kërkesa. Kështu e ke kur Mogherini e humbë kredibilitetin”, ka thënë Deda.”

Pa kredibilitet nuk mund të qendroni në postin e Përfaqësueses të Lartë të BE-së!

Sepse keni përfituar vetëm të mirat dhe privilegjet e postit, pa përmbushur detyrimet!

Nuk e keni prishur asnjëherë gjumin për hallet dhe problemet që e shqetësojnë popullin e Kosovës, ndërkohë që hidheni si shigjetë kur Qeveria e Kosovës ndërmer një veprim reaksion – ndaj armiqësisë që tregon hapur qeveria e Serbisë e cila kurorëzoi me shampanjë lobimin e saj për mos anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL. Sepse ju e dini se – Ad ogni azione corrisponde una reazione uguale e contraria – ! Pa mendoni sikur ju të mendonit për të mirën shqiptaro-serbe, që të festonin me shampanjë edhe njëra palë dhe tjetra njëherësh!

Ku ishit ju Përfaqësuese e Lartë e BE-së që drejtoni dialogun më absurd në botë, kur i kërkoni vetëm njërës palë të përmbushë detyrime, ndërsa palën tjetër e mbështesni kur i shkel detyrimet më sinjifikative të fqinjësisë të mirë midis dy vendeve!

Si qendroni ju indiferente ndaj lobimit që bëri Serbia për mos anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, në INTERPOL?

E dini ju se çfarë do të thotë dialog? E dini ju se dialogu vendoset mbi themelet e barazisë, reciprocitetit dhe interesit bilataral në respekt të integritetit territorial të seicilit vend! Si mund të ketë dialog kur Serbia lobon kundër shtetit të Kosoves, pavarësia e të cilit u vendos nga Perëndimi që e ka njohur Kosovën shtet, pas një konflikti të egër me viktima të pafajshme, që detyroi një milionë shqiptarë të largohen nga banesat e tyre dhe që përfundoi vetëm me ndërhyrjen e trupave të Aleancës Verio-Atlantike.

Si mund të ketë dialog kur Serbia lobon që shtetet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës të heqin dorë nga kjo njohje?!

A nuk e kuptoni se ky është një proces prapaktheu?

A nuk e kuptoni që ky proces i kthen shqiptarët dhe serbët drejt konfliktit?

Natyrisht që e kuptoni se nuk jani as injorante dhe as analfabete! Jeni vetëm e njëanëshme, në kundërshtim me parimet themelore të humanizmit europian ku mbështetet liria dhe demokracia! Prandaj nuk e meritoni të jeni kryediplomate e BE!

Zonja Përfaqësuese Lartë e BE-së ka ardhur koha të shkoni në shtëpi sepse qendrimet tuaja nuk janë të pavarura ndaj palëve; nuk janë në të mirë të paqes dhe stabilitetit afatgjatë të rajonit; nuk janë në të mirë të pajtimit dhe bashkekzistencës rajonale dhe as të integrimeve të shteteve të Serbisë e Kosovës në BE!

Dialogut bizar që drejtoni ju i kam dedikuar edhe një poezi:

Antidialog

Poezi nga Elida Buçpapaj

Dialog në erë
dialog në ferr
arbitri dirigjon
në Bruksel

ti dhe viktima
sy për sy
në hije dhe diell

dialog në erë
dialog në terr
arbitri dirigjon
në Bruksel

dialog në log
dhëmb për dhëmb
që urat shemb

dialog i qorrtë
dialog i lodhtë
dialog i ngordhtë

ti me dhëmbë çeliku
të implantum
viktima
me dhëmbë
të thymë, të coptum

dialog në terr
viktima në hell
arbitri dirigjon
në Bruksel

viktima vikat
ka hak
ti veshët
me dyll i mbush
Brukseli hepohet
pro teje për fushë

vikama e viktimës
shpirtin përtej e shpon
Brukseli baketën
e dirigjentit
e hedh në hon

edhe pastaj gjithë ovacion
këlthet
rrofte dialogu
dialogu asht mbret!

 

antidialog poezi nga elida buçpapaj

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, Haradinaj, kosova, Mogherini

Kosova, taksë 100% për mallërat nga Serbia e Bosnja

November 21, 2018 by dgreca

-Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, Kryeministri Ramush Haradinaj e bëri të qartë se tash ky është realiteti dhe kjo masë e ndërmarrë sot duhet të zbatohet një qind për qind. Masa prej 100 për qind ndaj Serbisë, shkak i bllokimit të vendit për t’i gëzuar të drejtat e CEFTA-s/

1 a Voton qeveria

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/*

PRISHTINË, 21 Nëntor 2018/ Në mbledhjen e pasditës së sotme të Qeverisë së Kosovës, vendimi për vendosjen e masës mbrojtëse, që  nga 6 nëntori 2018 ishte 10 për qind, për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina është ndryshuar dhe taksa do të ketë vlerën 100 % të mallrave të importuara nga këto vende. Gjithashtu do të ndalohet importimi i produkteve që në etiketa dhe deklarata përcjellëse të mallrave të importuara shkruajnë emërtimet “Kosovë dhe Metohi”, “Kosovë 1244”, “Kosovë UNMIK”. Në arsyetim të vendimit thuhet se, Marrëveshja e CEFT-as në raportet tregtare Kosovë-Serbi është shkelur në vazhdimësi nga pala serbe, që nga nënshkrimi i saj.

“Jemi dëshmitar që një kohë të gjatë se Kosova është bllokuar, nuk është lejuar që t’i gëzojë të drejtat e CEFTA-s, është penguar përmes origjinës së mallit pra duke mos e njohur origjinën e mallit, është penguar në transport, analiza dhe në çdo instrument tjetër. CEFTA, nuk ka funksionuar në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe kjo është dëshmi. Serbia është duke e cenuar edhe sigurinë kombëtare, pra kjo është qasja që ka ardh nga Serbia në vazhdimësi në periudhat e fundit”.  Kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në mbledhjen e 76-të të Qeverisë,  nga ku kjo e fundit mori vendim për vendosjen e masës prej 100% ndaj produkteve të importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, përjashtuar brendet ndërkombëtare të listuara në aneks.

Kryeministri Haradinaj, tha se, pasi është bërë një analizë e respektimit të marrëveshjes së CEFTA-s nga Serbia, shihet se në të gjitha vitet e kaluara, prej kur ekziston CEFTA, Serbia i ka vendosë Kosovës barriera jotarifore, jo taksë e ngjashme sikurse që e ka vendosë Kosova, por e ka kontestuar origjinën e mallit dhe vetvetiu malli i Kosovës ka pasur vështirësi të hyjë në Serbi.

“E ka vështirësuar dakordimin e analizave për çdo produkt që ka hyrë, ka vendosë procedurë të verifikimit të analizës dhe e ka bërë të pamundur të hyjë ose të transportohet. Ka penguar transportin, pra vulat e dyfishta. Ka përdorur plot masa, me të cilat Serbia nuk e ka respektuar CEFTA-n. Edhe pse Kosova është ankuar disa herë radhazi te CEFTA dhe institucione tjera të BE-së, prapë Serbia nuk e ka respektuar këtë masë, shtuar këtu edhe agresivitetin politik, pengesat që ia bënë vendit”, e bëri të qartë kryeministri Haradinaj duke thënë se Qeveria e vendit nga sot, obligon Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë dhe të gjitha institucionet relevante, që të largojnë dhe të ndalojnë importin dhe hyrjen potenciale në treg të të gjitha produkteve, të cilat nuk i referohen dhe janë në kundërshtim me emërtimin zyrtar dhe kushtetues të Republikës së Kosovës, vendimi ky që ka hyrë në fuqi menjëherë.

Ndër tjerash, duke i listuar shkeljet që ia kanë bërë në vazhdimësi Serbia dhe Bosnje Hercegovina Kosovës, siç janë mosrespektimi i rregullave të origjinës dhe bashkëpunimit në administrimin doganor, përdorimi i vulave paralele të cilat nuk i njihen Kosovës, Menaxhimi i Integruar i Kufijve, ku nuk kanë vendosur kontroll efektiv mbi qarkullimin e mallrave dhe njerëzve, dëme materiale dhe siguria e ultë në brezin kufitar, pastaj Energjia nga ku 30 milionë euro humbje direkte në vit dhe rreth 300 milionë euro humbje si rezultat i mungesës së qasjes në energji, e po ashtu ndihma shtetërore që në çdo euro të shitur në Kosovë Serbia i stimulon kompanitë serbe me 30 cent, dhe shumë shkelje tjera, kryeministri Haradinaj, shtoi se kjo është një masë legjitime që kanë marrë institucionet e Kosovës, jo nga dëshira, por për shkak të sjelljes shqetësuese të Serbisë ndaj Kosovës.

Kryeministri Haradinaj, e bëri të qartë se tash ky është realiteti dhe kjo masë e ndërmarrë sot duhet të zbatohet një qind për qind.
 

6 NËNTOR 2018: QEVERIA E KOSOVËS VENDOSI MASË MBROJTËSE – TAKSËN 10% PËR PRODUKTET E IMPORTUARA NGA REPUBLIKA E SERBISË DHE NGA BOSNJA DHE HERCEGOVINA

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 74-të, në 6 nëntor 2018, ka miratuar vendimin për vendosjen e masës mbrojtëse për importin e të gjitha produkteve të prodhuara në Republikën e Serbisë dhe në Bosnjë dhe Hercegovinë. Masa mbrojtëse nënkupton taksën prej 10 për qind të të gjitha produkteve që importohen në Kosovë dhe kanë për vend të origjinës Republikën e Serbisë dhe Bosnjë dhe Hercegovinën. Përjashtim nga kjo masë do të bëjnë produktet e brendeve ndërkombëtare të prodhuara në këto dy vende.
* Me shume fotografi nag mbledhja e sotme e Qeverise i gjeni ne fb(dielli vatra)

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari, Bosnja, kosova, mallrave nga Serbia, takse 100%

GJERGJ KASTRIOTI- SKËNDERBEU-HEROI QË NA BËN KRENARË KUDO QË JEMI

November 21, 2018 by dgreca

-Nga takimi i zhilluar në Boston, me rastin e vitit të Heroit tonë Kombëtar-/

1 a Gjergji1 b nderim1 a prifti1 Nderim1 fuat1 folesi2 folesja3 folesi1 a librat12 librat

Nga Fuat Memelli/Boston

Kanë kaluar afro 6 shekuj nga betejat legjendare të Skëndërbeut e luftëtarëve të tij dhe jehona e tyre është e gjallë në zemrat e shqiptarëve në Shqipëri e trojet e tjera ku ata jetojnë si dhe nëpër Botë. Ato na erdhën edhe më shumë në kujtesë në këtë vit jubilar të 550 vjetorit të ndarjes së tij nga jeta, i shpalluar “Vit i Skëndërbeut” nga qeveria shqiptare. Plot veprimtari janë zhvilluar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi si dhe ne mjaft shtete të botës  si në Itali, Francë, këtu në Amerikë, etj. Vazhdojnë ato kudo ku ka shqiptarë dhe jo vetëm. Një veprimtari e tillë u zhvillua të dielën që kaloi edhe në Boston. Ishin besimtarët e kishës shqiptare Shën Trinia që zhvilluan këtë veprimtari. Nismëtar i saj u bë peshkopi Ilia Ketri dhe e ndoqi  me përkushtim, Gjergji Nini, kryetar i bordit të kishës. Himni i flamurit amerikan dhe ai shqiptar, çelën veprimtarinë. Janë dy flamuj dhe dy himne që shoqërojnë çdo veprimtari të shqiptarëve që punojnë e jetojnë në Amerikë. Le të ndalemi te tre referimet dhe dy ekspozitat e paraqitura me këtë rast.

NËPËR FAQET E LIBRIT TË MARIN BARLETIT

Referatën e parë e  mbajti  Ivoni Plasa, ish mësuese e anglishtes në Shqipëri. Ajo solli për të paranishmit disa të dhëna e mesazhe nga vepra e Marlin Baletit “ Historia e jetës dhe bëmave të Skënderbeut, princ i epiriotëve.” Ky libër u shtyp në vitet 1508-1510 në Romë. Ai është ribotuar në vende të ndryshmë të Botës, më shumë në Europë dhe në disa gjuhë si në italisht , gjermanisht, polonisht, portugalisht, greqisht, anglisht, etj. Libri i Barletit shërbeu si burim kryesor i historianëve që studjuan dhe botuan për Skënderbeun, si dhe prej letrarëve , piktorëve e skulptorëve që nga shekulli i 16-të e deri sot. Barleti e quan Skënderbeun “perëndi e lirisë” sepse simbolizon “ditët e pavarësisë dhe lavdisë së atdheut” “ Folësja përmendi edhe fjalët lapidare të Skënderbeut kur u kthye nga Turqia në Krujë :” Lirinë nuk ua solla unë por e gjeta në mes tuaj.” Dhe më pas…” S’ju dhashë unë juve armët, po ju gjeta të armatosur, u gjeta me lirinë në kraharor, në ballë, në heshtat , në shpatat, me një fjalë kudo.” Ivoni e mbylli ligjëratën e saj për librin e Barletit me vlerësimin që i bën Fan Noli këtij libri :”Me latinishten e tij elegante dhe stilin e tij të kujdesur, fitoi  këndonjës anembanë Botës dhe e bëri të pavdekur kujtimin e Skënderbeut në Europë.”

GJURMË TË SKËNDERBEUT NË TROJET E LIBRAZHDIT

Një kumtesë tjetër që u ndoq me interes nga të pranishmit, ishte ajo me titull “ Gjurmë të emrit dhe luftës së Skënderbeut në trojet e Librazhdit”, mbajtur nga ish mësuesi i gjuhës shqipe dhe letërsisë, Niko Dako. Ai ka punuar disa vite mësues në qytetin e Librazhdit dhe ka mbledhur copëza të historisë se Skënderbeut në këtë rreth.  Emri dhe vepra e heroit tonë kombëtar, lidhet jo vetëm me Krujën por edhe në trevat e Dibrës,  Shkodrës, Tiranës, Beratit e deri në Itali. Fushë e veprimeve të Skënderbeut, kanë qënë edhe trojet e Librazhdit. Folësi u ndal kryesisht në hapërirën juglindore të Librazhdit që kap pellgun e Prërrenjasit të sotëm dhe vazhdon në grykën e Shkumbinit të sipërm , deri afër qytetit të Librazhdit. Gjurmët e Skënderbeut në këtë rreth kanë mbetur në emrat e vendeve, në legjendat që kanë gjalluar në shekuj në gojën e popullit si dhe në faqet e historisë.Toponimet gjenden në emra gurësh, shpellash, fshatrash, etj. Në Shqipëri ka 70 toponime me emrin e Skënderbeut. Nga këto 8 janë në rrethin e Librazhdit. Fshati Rajcë ka tre lagje, njëra nga të cilat quhet Rajcë-Skënderbe. Afër fshatit Bërzeshtë ka një shpellë e cila quhet “Shpella e Skënderbeut”. Një nga lagjet e fshatit Qukës, quhet “Qukës-Skënderbe”. Pranë fshatit Spathar, gjendet një gur i cili quhet “Guri i Skënderbeut”.Në të djathtë të fshatit Pishkash, ka një masiv shkëmbor që quhet “Sofra e Skënderbeut”, i cili ka një gjatësi 1300 metra dhe gjërësi 800 metra. Niko Dakua u ndal edhe në betejën e famëshme të Skënderbeut me turqit në fushën e Domosdovës ose Torviolit, siç quhej ajo dikur. Për këtë betëjë, Barleti ka shkruar:” Atë ditë luanët kanë komanduar luanë”. Folësi përmëndi edhe fakte , gojëdhëna e legjenda për Skënderbeun edhe në zonën e Sopotit, etj, të cilat ruhen deri në ditët tona.

FIGURA E SKËNDERBEUT NË LETËSINË E HUAJ

Ky ishte titulli i referatës që mbajti Jani Plasa, ish mësues i gjuhës dhe letërsisë në Shqipëri. Ai theskoi se pas vdekjes së Skënderbeut, në shekullin e 16-të në Europën Perëndimore lindi dhe lulëzoi një letërsi e frymëzuar prej qëndresës heroike të popullit shqiptar nën udhëheqjen e Skënderbeut. Kjo letërsi u shkrua në fillim në gjuhën latine e më pas në disa gjuhë të tjera e në gjini të ndryshme letrare si poezi me poema heroike, në prozë me romane e historikë e romane aventurash, në dramaturgji me drama e tragjedi, në librete oprash dhe operetash, etj. Jeta dhe vepra e Skënderbeut tërhoqi vëmëndjen e dramaturgëve së pari në Spanjë e më pas në Itali, Francë, Angli, Suedi e Poloni. Poeti i madh anglez Xhorxh Bajron në veprën e tij “Shtegëtimi i Çajd Haroldit, shkroi vargje të zjarrta për Shqipërinë, shqiptarët e Skënderbeun. Më 1866 Akademia Franceze përkujtoi 400 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut me një program të gjerë lëtrar. Në Greqi figura e Skënderbeut ishte frymëzim për luftëtarët e lëvizjës çlirimtare greke në shekullin e XIX. Historia e Skënderbeut u përkëthye në Greqi në vitin 1812. Kollokotroni, një nga luftëtarët e shquar të kësaj lëvizje, shkruan në kujtimet e tij se këtë libër e mbante me vete. Edhe poeti madh amerikan, Henry Longfelloë, i nxitur nga Dora D’Istra, ka shkruar për Skënderbeun. “Kjo vjershë  është ndoshta më e bukura që është shkruar në gjuhë të huaj për trimin tonë kombëtar”, ka theksuar Fan Noli, i cili ka shqipëruar atë mjeshtërisht. Referuesi u ndal edhe në vepra të tjera që i janë dedikuar heroit tonë legjendar.

***

Më pas peshkop Ilia Ketri falenderoi  referuesit për  temat që trajtuan, të cilat u mirëpritën nga pjesëmarrësit. Të pranishmit vizituan edhe dy ekspozitat e paraqitura me këtë rast. E para kishte për autor skulptorin Pirro Asllani. Ai kishte sjellë një mori fotosh me pamje nga puna për ndërtimin e Muzeut “Gjergj Kastrioti- Skënderbeu “ të Krujës , ku ai ka qënë një nga artistët që ka punuar kur ndërtohej kjo vepër. Ai përmëndi një grup artistësh me emër kanë punuar aty si Janaq Paço, Zef Shoshi, Haxhi Bakalli, Niko Progëri, Bashkim Ahmeti, Gazmend Leka, Ylli Drishti, Leon Çika, etj. Ekspozita tjetër kishte për autor Jani Plasën, i cili është një koleksionist me emër. Ai kishte sjellë pulla me figurën e Skënderbeut si dhe foto të ndryshme të heroit tonë kombëtar. Në shoqërinë e kitarave të  Niko Dakos dhe Sterjo Shkodranit, pjesëmarrësit kënduan këngë patriotike nga ato të grupit “Lira” të Korçës. Ja kështu u mbyll  kjo veprimtari për Skënderbeun, heroin tonë kombëtar, i cili na bën krenarë ne shqiptarët kudo që jetojmë, në trojet shqiptare e   nëpër botë.

Filed Under: Featured Tagged With: -HEROI QË NA BËN KRENARË, “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Fuat Memelli

Yjet nuk janë të kuq

November 21, 2018 by dgreca

(Saga e Melyshajve)/1 yjet-nuk-jane-te-kuq-saga-e-melyshajve1 Albana-Lifschin

Nga Albana M Lifschin/

Fragmente- Toger “Baba”/

Gjyshi tregonte:Toger Babën, që Mehmet Shehu e solli në Mirditë për me nënshtru mirditorët, ka qenë faqja e zezë e partisë komuniste. Ai ia vuri emnin vetes “Babë”, a thu se Mirdita kishte nevojë për “baba”. Emnin që i kish vu e ama e kishte Hodo Habibi dhe ishte prej Kurveleshi. Ishte një njeri mizor, imoral, pa nder e pa princip. Erdhi me kartabiankë në Mirditë me shtru në hu djemtë e burrat e me ҁnderu femnat.

Kishte me vete 200 partizanë dhe dorën të lirë me pushkatu kë të donte ai, pa gjyq fare. Në atë kohë, viti 46, në malet e Mirditës ishin rreth 500 burra të shpërndamë në ҁeta të vogla. I kishin lanë shtëpitë e tyre pasi nuk e donin regjimin e Enver Hoxhës. Ishin në hall se, për t’u hedhun përtej kufinit në Jugosllavi, kishin frikë se Titoja mund t’i dorëzonte te qeveria e Tiranës.

Toger Baba kishte për qëllim gjetjen dhe arrestimin e tyre. E filloi misionin e tij me terror në popull, pa dallim. E nisi fillimisht në Fan. Dha urdhën që katundarët të mos i mbyllshin shtëpitë, as ditën e as natën, se ishin për kontroll. Burrat i mblodhi dhe dha urdhën t’i shtronin në hu, pasi t’i zhvishnin. Të zhburrnum e të lidhun dorë për dorë i shtynin pranë një zjarrmi të madh të ndezun, ndërsa i rrihnin.

E sa për gratë…mjerë ajo grua që ia vinte syrin toger Baba, se nuk dilte nga duart e tij pa u përdhunu. Kur hynte nëpër pyje në ndjekje të të arratisrve, merrte me vete gra (jo burra) që t’i tregonin rrugën. Pasi mbaronin misionin, ato të shkretat ktheheshin në shtëpitë e tyre të turpnueme e pa guxu të thoshin një fjalë.

Populli jetonte në panik. Qeverisë i shkuan raporte për punët e tij të zeza, por ato mbetën nëpër sirtaret e zyrave, deri sa i erdhi fundi kësaj pune. Në tetor 1946, ai mbërriti në Kodrën e Spaҁit dhe arrestoi krejt burrat e katundit, 40 vetë.

Të lidhun dorë për dore, ata i detyruan të ecnin tri orë më kambë, të zhveshun. Në katundin Mushtë të Bjeshkës së Madhje përdori si burg për ta një stallë lopësh, ku balta kishte shku deri në gju. Të nesërmen burrat i vunë përsëri përpara deri në Kimëz. Atje kishte mbledhun burra e gra nga katundet e tjera. Aty i ra në sy gruaja e Preng Gjon Markut. Quhej Dilë. Ai e arrestoi dhe pastaj dha urdhën që ta zhvishnin. Gruaja kundërshtoi me fjalë të forta dhe atëhere togeri urdhnoi të bahej një zjarrm me dëllinja të thata dhe ta hidhnin gruan në zjarrm. Burri i saj, nga që nuk duroi më, shpërtheu lidhjen e duarve dhe u arratis nëpër mal ashtu si ishte i paarmatosur.

Policia dhe partizanët e toger Babës iu vunë nga pas dhe e vranë.

Një kushërinit të tij, që në atë kohë studionte në Moskë, Pal Nikollë Prendit, i shkoi fjala se ҁ’po ndodh në Mirditë. Ai mori dy javë leje, u kthye prej andej dhe e raportoi gjendjen në qeveri. Raporti i Pal Nikoll Prendit i shkoi në dorë ministrit të brendshëm të asaj kohe, Koҁi Xoxes.

Toger Baba e la Mirditën e shkoi në Zadrimë. Mendoi se me Zadrimën do ta kishte ma lehtë, tue mos e ditun se zadrimasit përbaheshin ma së shumti nga mirditorë. Në Hajmel vendosi qendrën e tij. I ra në sy një vajzë e bukur. Ishte e motra e Kol Simonit, Luҁia. Për ta pasë ma të lehtë me e shti në dorë të motrën, Luҁien, arreston të vëllain me pretekstin se ky ka strehu ҁetat e malit. E torturoi djalin me pyetje, por nuk nxori gja prej tij. E vërteta ishte se Kola s’ishte marrë me këtë punë.

Atëhere arrestoi Luҁien dhe i kërkoi të bjerë në shtrat me të. Kur ajo nuk pranoi, atëhere ai iu hodh për ta përdhunu. Vajza rezistoi me gjithë fuqinë e saj duke ia ҁjerrë fytyrën me thonj togerit dhe i shpëtoi nga duart. Iku me vrap dhe u fshe në një shtëpi në katund. Aty priti sa të dilte drita dhe u nis për në Shkodër.

Ndërkohë togeri kishte dhanë urdhën që katundi ta dorëzonte vajzën ose përndryshe do t’ia vriste të vëllain, Kolën. Dhe ashtu bani. Porositi që ta dërgonin djalin në në bregun e Lezhës, e rrugës ta vrisnin nën pretekstin se u kishte ikur nga duart.

Luҁia, me të mbërritun në Shkodër, shkoi drejt e te familja e Tuk Jakovës, me të cilën familja e saj kishin miqësi. Prova se ҁfarë i kishte ndodhur ishte ajo vetë, boll që ta shikoje të shkyme rrobash e të rrahun. Tuku e këshilloi të shkonte në Tiranë dhe i dha vajzës një letër për t’ia dhanë në dorë Koҁi Xoxes. Koҁi, kur e pa vajzën në atë gjendje dhe lexoi letrën, dha urdhën që të shkohej në Hajmel e të vërtetoheshin në vend të tana sa ishin raportu për Hodo Habibin, të ashtuquajtunin “toger Baba”.

Gjykata e Shkodrës kishte marrë informacionet për veprimet e togerit në Mirditë. Toger “Baba” u var në konop.

Më kanë thanë se ma vonë, pasi Enveri e dënoi Koҁi Xoxen, “Babën” e bani hero.

  1. 108

Arratisja e dajës

– Pas mbarimit të luftës, kisha shumë dëshirë të bëhesha mësues. Pyet nënën tënde, se do t’i kujtohet. I vija në rresht fëmijët e fshatit, thyeja lapsat më dysh e u jepja fletë letre. Mirëpo duhej që qeveria e krahinës të më miratonte si mësues Ndreca. Ndrec Ndue Goka. Ndreca ishte familje bajraktare. Me të kisha fol vetë. Ai ishte dakord, por më tha se duhej të zbrisja në Shën Pal, ku ishin zyrat e të bisedoja me ata.

Prandaj, një ditë u nisa për në qendrën e rrethit, ku besoja se do më jepnin aprovimin. Aty gjeta të parin e vendit, Bardhokun, bashkë me tim vëlla, Palin. U thashë se përse kisha shku deri aty. Dhe prita se ҁfarë do më thoshin.

‘Hajde të bajmë komunist njëherë, pastaj kollaj për mësues”- tha Bardhoku.

Ia ktheva përgjigjen në vend: “Unë, komunist?! Mua komunist mos m’u baftë as qeni!”

Dhe dola nga zyra. Pas më kishte ndjekur një malsor, me porosi të tim vëllai. Ai më dha një pusullë prej tij. Pusulla kishte vetëm dy fjalë: “O në mal, o në burg”. E kuptova se ҁ’desh të thoshte im vëlla me ato dy fjalë. Me atë copë letër më shpëtoi jetën. Nuk u ktheva në shtëpi atë ditë, por dola në mal. U arratisa…

Në mal, më pas, jam taku edhe me babën. Bashkë shkuam në Greqi, në një kamp refugjatësh. Llavrio i thoshin. Asfalia greke deshi ta bante babën agjent e ta kthente prapë në Shqipëri. Por baba s’e ka përzierë atdheun me Partinë Komuniste. Nuk pranoi. Atëhere e lanë edhe atë si gjithë të tjerët të shkonte në Itali, si emigrant.

  1. 121

-A e di ti, mbesa ime, se sa njerëz u vranë e u masakrun vetëm për Bardhokun? 14 vetë përnjëherë! Pasi i torturuan, 4 i varën në litar dhe dhjetë i hodhën në gropë të përbashkët, pasi i pushkatuan.

E ke dëgju këtë histori? Njeni prej atyne bërtiti prej varrit:

“Qëlloni prapë, burra, se jam hala gjallë!”

300 familje i nisën në internim.

U rrëqetha.

– A e di se kush ishte ai që thirri prej varri? Axha im, vëllai i gjyshit tënd. Ishin të gjithë të pafajshëm, s’kishin të banin fare me vrasjen e komunistit. I morën nga shtëpitë zvarrë, i banë bashkë e i pushkatun pa gjyq, se kryeministri i asaj kohe, Mehmet Shehu, qe betu se nuk kthehej në Tiranë pa mbushur 101-in. Për një person do të vriste 101! Nuk kishte gajle se ata 101 mund të ishin të pafajshëm. Shkatërroi 300 familje nëpër kampe internimi. Ky ishte “pushteti i popullit” i komunistëve.

f.123

Jashtë binte një shi i imët. Isha ulur mbi shtratin e gjyshit dhe kisha hedhur një batanie krahëve. Përqark meje libra. Isha e rrethuar prej tyre si prej qindra ngjarjeve, me dëshirën për t’i përthithur të gjitha njëherësh, Sikur të ishte e mundur!

Në to gjeta episode dhe njerëz që s’i njihja, që s’kisha dëgjuar kurrë për ta. Kisha hyrë në botën e “reaksionit”. Njerëz që kishin luftuar kundër qeverisë komuniste të Tiranës në vitet e para të pasҁlirimit (“të pasluftës”, thuaj, se për t’u ҁ’iruar s’jemi ҁliruar kurrë” më kishte korigjuar daja).

Në libër gjyshi u referohej atyre si “luftëtarë të lirisë” dhe jo “reaksionarë”.

Vazhdova më tej. Lufta. Përҁarja. Vendosja e pushtetit të ri dhe lista të tëra të vrarësh antikomunistë. Të vrarët ishin vendosur të ndarë në kolona sipas bajrakëve. Krahas ҁdo emri ishte data e vrasjes dhe vendi ku kishte rënë dëshmor. Ata ishin dëshmorë, por emrat e tyre s’i kishim mësuar dhe nuk do t’i kishim mësuar kurrë, sikur të mos…

Shkisja dorën nga emri i parë deri tek i fundit, sipas numrit rendor.

Nga bajraku i Oroshit, 40 veta;

nga bajraku i Spaҁit 30 veta;

nga bajraku i Kushmenit 27;

nga bajraku i Fanit 30 veta;

nga bajraku i Dibrrit 55 veta;

nga bajraku i Kthellës (aty ku ishte bajraku i gjyshit) 43 veta;

nga bajraku i Selitës 13 të vrarë në luftën antikomuniste;

nga bajrakët e Malësisë së Lezhës 22 vetë.

Pastaj gjyshi vazhdonte me listat e rretheve të Veriut deri edhe në Kosovë, në një hapësirë prej 21 faqesh. Kolona të tëra të vrarësh, me qindra. Brigada të tëra luftëtarësh antikomunistë, luftëtarë të lirisë. Një faqe e tërë historike, që kishte edhe ajo dëshmorët e saj.

A kishin edhe ata një ditë përkujtimore? Jo. Atyre nuk u ishte rezervuar vend në altarin e të rënëve. Familjet e tyre ishin kalbur internimeve.

  1. 139

E fejuara

Atë ditë që zbrita nga autobuzi i linjës në Shpal, më doli përpara një polic. Më tha se kishte tri ditë që vinte te stacioni i autobuzit për të më pritur mua, me porosi të Palit. Më kishte njohur nga përshkrimi që i kishte bërë ai.

– Tri ditë?

– Pali më tha që ti je mamia e parë që po vjen në Mirditë. E si mos të presim ty?

Ndjeva sikur papritur dy krahë të ngrohtë më mbështollën të tërën. Në këtë vend malor po më priste dashuria. Polici më shoqëroi deri te zyra e Palit. Aty ishin edhe të tjerë që nuk i njihja. Ai më dha dorën dhe më përafoi. Ishte një përqafim shoqëror, por unë u skuqa. Një moment i tillë përqafimi më kish ngacmuar që në shkollë, në mbrëmjen e lamtumirës. Atë mbrëmje qenë ftuar edhe disa djem dhe vajzat kishin ftuar miqtë e familjes. Midis tyre ishte ai. Ishte i qeshur e me një humor të menҁur. I qetë dhe shoqëror.

Qe një tërheqje e menjëherëshme. Mësova se punonte në Komisionin e Planit të Shtetit. Nuk di kë goditi dashuria të parin, mua apo atë. Unë, që atë natë, pas vallëzimit të parë, kisha një dëshirë të ҁuditshme për të vënë kokën në supin e tij. Ishin vetëm pak sekonda kur kjo ndodhi dhe mu bë sikur doja të rrija ashtu gjithë jetën.

Qetësia e tij më jepte një ndjenjë sigurie. Unë u emërova në Shkodër. Qe një ndarje gjeografike. Mendja ime ishte tek ai. Nuk më shqitej dëshira për ta parë. Këtë ia pohoja vetes me rrahje zemre. Dhe ja si erdhi puna. Ndodhi që dy shoqe të miat i thirrën për t’u emëruar në Mirditë, se aty kishte nevojë më shumë. Por ato s’pranuan për shkak të terrenit të vështirë. Pas tyre, në Komitetin e Partisë të qytetit më thirrën mua. Unë isha anëtare partie dhe s’mund të refuzoja. Ndërkohë Pali kishte kaluar me punë në Mirditë, në Komitetin e Partisë. Ishte rastësi apo një gjë e paracaktuar?

Nuk mund ta fshihnim dot dashurinë tonë. Ajo ҁeli shumë shpejt, si një gonxhe gati në shpërthim. Neve na tradhtonin sytë. Ndjenja e ngrohtë e dashurisë qe e shpallur në sytë tanë, në të gjithë qenien tonë. Pali më shoqëronte kudo. Dashuria e madhe nuk mbulohet, sepse shndrit, ashtu sikurse dielli. Ndihesha si në ajër. Kur Pali luante basketboll në fushën e sportit, unë vrapoja t’ja fshihja djersët. Atë kohë kjo nuk ishte diҁka  që mund të ndodhte. Por s’kisha sy për të parë rreth e qark. Unë shikoja vetëm atë.

Një buzëmbrëmje, Pali më tregoi se sa me mall e kishte pritur ardhjen time në Mirditë. Dhe aty më zbuloi sekretin e tij të vogël. Kur kishte dëgjuar se dy mamitë e tjera kishin refuzuar ardhjen në Mirditë, i kishte punuar mendja me shpejtësi. I kishte shkruar Komitetit të Partisë së Shkodrës një letër me sugjerimin për të më dërguar mua.

– Pal, – i thashë një ditë me buzë në gaz,- ti po fejohesh me myslimane. Ke thyer ligjin e maleve.

E dija mirë se sa e rëndë ishte kjo për mirditorin. Ai kishte lindur në një vend që ishte puro katolik dhe kishte ruajtur me fanatizëm fenë e vet ndër shekuj.

– Edhe ti po fejohesh me katolik,- ma priti ai dhe më përqafoi fort. – Nexhi, – më tha, – ne do të ecim drejt me të renë. Të vjetrën do ta lëmë pas..

Pali ishte siguria ime, mbrojtja ime. Në fillim, më kishin rënë në vesh disa fjalë njerëzish që ishin habitur se si kjo vajzë e re nga Shkodra kishte ardhur në Mirditë. Dikush madje kishte thënë se duhej të kisha bërë ndonjë gabim, prandaj më kishin sjellë këtu, për dënim. Askush s’e dinte se aty më kishte sjellë dashuria. Pali i rrëfeu për mua shokut të tij të ngushtë, Bardhokut dhe i tha se do të fejoheshim. Ai e përqafoi duke i rrahur krahët.

Një ditë në qytet erdhi Ministri i Shëndetësisë, doktor Ibrahimi. Me të mbesën kisha qenë shoqe shkolle, por doktorin s’e kisha takuar ndonjëherë. Pali më prezantoi me të. Më ra në sy se ai më përshëndeti ҁuditërisht shumë përzemërsisht, a thua se ishim miq të vjetër. E pyeta:

– Më njihni mua?

– E kush nuk të njeh ty, moj ҁupë! Pali e ka gdhëndur emrin tënd në ҁdo lis të Mirditës!

Unë gati u përlota nga emocioni.

Po. Kishim vrapuar me Palin nëpër lisa, kinse po zinin njëri-tjetrin. Ishim të lumtur! Kur Pali më mbante në krahë e sillej përrreth, unë shikoja se si qielli rrotullohej  përmes majave të lisave dhe qeshja, qeshja.  E mbaj mend kur ai gdhendi emrin tim në trungun e një lisi. Sa shpejt qe përhapur fjala! Me siguri dikush kishte kaluar andej dhe e kishte parë emrin tim. Isha e vetmja në atë krahinë me emrin tim.

Kishim filluar të ëndërronim për jetën tonë. Duhej, fillimisht, të kishim disa sende të nevojshme për shtëpinë, duke filluar që nga kuzhina. Ҁdo mendim për jetën tonë të përbashkët më jepte kënaqësi dhe e ndaja me të. Një ditë, Pali më mori me vete dhe shkuam te dyqani i Markut në Shpal.

– Mark, më ka dhënë leje nana me u martu,- filloi ai me një sens humori.

Marku pa nga unë.

– Mire, shumë, – tha,- së paku, nanës tande tani nuk do t’i duhet me marrë rrugën ҁdo të shtunë për të sjellë rroba për t’u ndërru ti.

Unë qesha. Pali gjithnjë vishej bukur e pastër. Sigurisht që kjo “detyrë” tani e tutje do më takonte mua.

– Na sugjero Mark, ҁfarë mund të blejmë ndonjë gja për shtëpinë e re në dyqanin tand.

– Së pari na duhen enë për kuzhinë- thashë unë dhe u drejtova kah ishin ekspozuar artikujt e kuzhinës. Ishte pazari i parë që bëmë së bashku me Palin.

Kur e kujtoj tani, them se atë kohë kemi qenë njerëzit më të lumtur në planet. Vendosëm të bënim celebrimin. Shkuam te zyrat, por nëpunësi atë ditë nuk u ndodh atje dhe u kthyem pa e bërë këtë formalitet.

Ishin kohë të vështira. Pali ishte dashuria ime e madhe, por thellë besoj se ai më ka dashur më shumë. Kur e shoh me sytë e sotëm, them që u tregova e dobët. Por ndoshta s’kam të drejtë. E kaluara është vështirë të gjykohet nga e sotmja. E sotmja ka ligjet e saj, e kaluara ka të vetat. Atëhere më mundën presionet e familjes dhe të vëllezërve për t’u shkëputur nga Pali. Familjen e kishte të internuar dhe të gjithë farefisin e kishte kundër pushtetit. Unë vetë isha në Parti. vëllezërit nuk ishin dakord me fejesën time, kurrësesi. Më kërkuan ta lija. Rezistova fillimisht. Dëgjoja zemrën.  Por kur Palit iu arratis edhe babai, i humbi buzëqeshja. Shprehte shpesh dyshimin që tek ai nuk kishin më besim. Ndihej shumë i dëshpëruar. Shumë shpejt e thirrën në Komitetin e Partisë dhe i komunikuan përjashtimin nga Partia.

Presioni i familjes mbi mua qe përfundimtar. Isha para alternativës, Vëllezërit dhe të gjithë të afërmit i prenë marrëdhëniet me mua, më braktisën. U dorëzova. Kur, pas pak kohe nga ndarja jonë, dëgjova se Pali u arratis, u ndjeva fajtore. Mos ndoshta kishte ndikuar edhe braktisja ime që e bëri të merrte atë rrugë? Ai s’kishte njeri më të afërm se mua atë kohë. Ne sapo kishim filluar të pleksnim ëndërrat e së ardhmes së bashku.

Shkëputja nga ai nuk më bëri të lumtur. Dashuria e tij qendroi me mua tërë kohën për të më torturuar. Nuk mund të duroja dot kur e quanin “tradhtar. Nuk ma pranonte ndërgjegjia. Kë tradhtoi? Idealin e vet? Bardhokun? Ishte e pamundur. Më kujtohej ajo ditë, kur u vra Bardhoku. Trupin ia sollën në Rrëshen dhe ia vendosën  aty ku është shtëpia e kulturës sot. Palin e kishin dëgjuar të betohej mbi trupin e Bardhokut se do të hakmerrej për të, për shokun e idealeve. Si mundej që, pak muaj më pas, Pali të arratisej? Jo,  nuk mund të ishte ai Pali. Nuk ishte Pali që kisha njohur e dashuruar unë.

Koha lëshon mbi vite mjegullën e vet e disa gjera  fillojnë e na zbehen. Por dyshimi në arratisjen e Palit më mbeti njëlloj si atë ditë që e dëgjoja për herë të parë: ” Ne do të ecim drejt me të renë. Të vjetrën do ta lëmë pas”. Këto fjalë nuk ia harroja kurrë.

Kaluan tetë vjet. Unë u martova dhe linda fëmijë. Askush s’e di se ҁdo t’i sjellë e ardhmja. Se si mund të përmbysen ngjarjet. Ҁ’ lojra bën fati!

Më kujtohet si tani ai ҁast  aq i papritur  dhe aq tronditës. Ishte një ditë e ftohtë marsi e 1957-ës. Isha ulur në një karrige pranë sobës me foshnjën time në prehër, kur u hap dera  dhe në kuzhinë hyri im vëlla. Ai më vuri përpara syve gazetën. Në ballë pashë fotografinë e Palit dhe dekretin e qeverisë që e shpallte “Hero i Popullit”. më shkau fëmija nga duart dhe më ra të fikët.

  1. 179

Ajo ishte bijë nga dera e Gjomarkajve. Atë e vranë vetëm sepse theu besimin, kanunin, u martua me Baftjarin, Baftjar Ymerin  nga Burreli. E vranë se ishin nga fe të nfryshme. Për një mirditor, martesa me një mysliman ishte sakrilegji më i madh që mund të bëhej në atë kohë. Mirditori me pushkë ka mbajtur gjallë këto dy gjera: atdheun dhe besimin e tij. Ndryshe s’kishte për t’u ruajtur katolicizmi i pastër në Mirditë.

..Ajo u vra në një ditë me Bardhok Bibën. Edhe ajo me urdhën të Komitetit të Maleve, firmosur nga kryetari i saj. Qe “shpagimi maleve”. Edhe ajo ishte nga dera e Gjomarkajve, si Bardhoku. Ata e filluan ndëshkimin nga barku i tyre.

  1. 198

Në Rubik, autobuzi i linjës gjithnjë bën një ndalesë pranë urës, përpara një pllake të madhe përkujtimore për një grevë të rreth 400 punëtorëve të minierës në gushtin 1938, për kushtet e punës, paga më të larta dhe një ditë pushimi në javë. Ajo pllakë për protestën e punëtorëve  ishte aty për të kujtuar se ҁ’kishin hequr minatorët para luftës. Mendohej se shërbente si një ballafaqim me punën e kushtet e jetesës së minatorëve pas “pushtetit popullor”.

Sa minatorë kishin vdekur nga silikoza dhjetëvjeҁarët e fundit? Sa i ishin nisur asaj rruge? Pas të 35-ve fillonte kolla. Pata lexuar një skicë të ndjerë për kollën e minatorit. Kolla ishte paralajmërimi i një vdekjeje të ngadaltë. Pluhui i mineralit ka kohë që ka veshur mushkëritë e minatorëve, të cilëve, nga dita në ditë, ua merr frymën deri në grahmën e fundit. I pari, i dyti, i treti, i njëqindti, i dyqindi, i pesëqindti i vdekur nga silikoza. Jetë e këputur në mes. Ata që vdesin janë 40 vjeҁarë, 50 vjeҁarë…

Rubiku! Rubiku! Miniera që nxirrte bakër, kishte tri fabrika pasurimi. Njëra prodhonte ar që nuk e shihte askush. Male me bark të pasur, njerëz me bark bosh.

  1. 202

Mu bë sikur mbi pllakën përkujtimore të minierës vunë një tjetër, ku thuhej se nga kjo minierë, që prej 1944 e gjer më sot, kanë vdekur…mijëra minatorë nga silikoza, por ata asnjëherë nuk bënë grevë për përmirësimin  e kushteve të punës, edhe pse kolliteshin, edhe pse e dinin se po vdisnin gradualisht, edhe pse lekët nuk u dilnin as për supë, ndërsa racionin e tyre të qumështit ua jepnin fëmijëve..

f.203

Gjergji, drejtori i pallatit të kulturës në Rrëshen, më pyeti:

– Ju jeni mbesa  e Pal Melyshit. Ai është Hero i Popullit e megjithatë një figurë, sa e respektuar aq dhe misterioze. Pali ishte Hero i Popullit në monizëm dhe mbeti i tillë edhe në demokraci. Me kë ka qenë Pali vërtet? Cili është mendimi juaj?

Një zë i brendëshëm vazhdimisht më kishte folur për dramën e madhe që duhej të kishte vuajtur Pali në shpirtin e tij. Nëse gjyshi kishte ndjerë zhgënjimin e parë të madh kur partizanët ia dogjën kullën, a thua Pali nuk kishte filluar të ndjente atë zhgënjim kur nënën e tij, motrën dhe vëllezërit ia mbanin në internim, pas telave me gjemba, pa pasur asnjë faj? Pas aratisjes së babait dhe pothuaj të gjithë burrave Melyshaj, a nuk kishte rënë tërmet në ndërgjegjen e tij? A mund ta besonin shokët e “idealit” pas kësaj? Drama e tij qe një dramë kreshnikësh. Duhej një fuqi e jashtëzakonshme shpirtërore për të kaluar përmes saj fisnikërisht. Nuk më ështe hequr nga mendja kurrë ai që e kishte planifikuar vetë vdekjen e vet.

  1. 214

– Mos harro punën  e Stalinit- i tha nipi nën zë.

– Ne jetojmë në Tropojë, në veri të Shqipërisë. Kemi jetuar bashkë me tim vëlla. Ai qe më i madhi. Kishim një shtëpi e pak bagëti. Një pasdite, dikush erdhi e na tha se duhet të mblidheshim te Lisi i Kuvendit, se kishin ardhur disa të deleguar dhe bëhej një mbledhje e rëndësishme. Im vëlla tha po, por duhej të mbarështonte bagëtinë e u vonua për në mbledhje. Rrugës duke shkuar atje, isha edhe unë me të, pamë  tre vetë që po ktheheshin nga mbledhja. Ishte kryetari i këshillit e dy të tjerë, që nuk i njihja.

– Po ti, more, pse s’erdhe në mbledhje, apo t’u duk vetja më i rëndësishëm se Stalini?

Nuk po kuptoja se ҁfarë po thoshin.

– Jo, bre , por kisha punë me bagëtinë.

– Po, a e di ti pse ishte mbledhja?

– Jo, s’më tha  kush.

– Sepse Stalini i madh ka vdekur.

– I shkoftë shpirti në parajsë!- tha im vëlla.

– Ҁfarë parajse, more. Ai ishte ateist!

Vëllai nuk e kuptoi se ҁ’donte të thoshte ajo fjalë, por përderisa ishte gabim herën e parë, atëhere e korigjoi duke i thënë:

– I shkoftë shpirti në xhenet!

Kryetari u egërsua dhe i tha:

– Tash po e sheh xhenetin ti! Guxon të tallesh me Stalinin! Armik i popullit!

Atë mbrëmje, na trokitën në derë dy policë të Degës dhe arrestuan tim vëlla. Të nesërmen, e gjithë familja jonë u përzu nga shtëpia dhe na nisën në internim. Aty kemi ndejtë dhjetë vjet. Kur na kthyen, shtëpinë na e kishin marrë e s’kishim ku të fusnim kokën. Na dhanë një barakë e na thanë: “Punoni, që të hani!”

  1. 229

Sa herë që zbuloheshin “grupe antiparti”, bëhej kasaphanë në arkivin e filmit. Priteshin sekuenca të tëra ose ndalohej fare filmi për transmetim, vetëm e vetëm se aty ishte një “armik i popullit”, edhe pse ai qe një figurë reale historike, që kishte ekzistuar. Mbaj mend, që një kolegen time e pushuan vetëm se gjatë kontrollit të një filmi para transmetimit, i kishte kaluar sekuenca ku dukej fotografia e Mehmet Shehut në mur.

Mblodhi dhe i dergoi per Diellin- Bardhyl Selimi, nentor 2018

Filed Under: Politike Tagged With: Albana M. Lifschin, Yjet nuk jane te Kuq

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 24
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT