• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2018

Jo 29 Nëntorit 1944!

December 11, 2018 by dgreca

Elida 1

Nga Elida Buçpapaj/

Klasa politike dha show-n e rradhës. 28 Nëntorin e festuan të ndarë e të përçarë. Njëra palë në Vlorë, tjetra duke lamentuar në Facebook. S’ka shëmtim më të madh.

Çdo 29 Nëntor e njëjta histori e pështirë, njëra palë për Shkup e tjetra për Shkodër, si dy paralele që vrapojnë për hesap të vet pa asnjë pikë takimi.

Kemi mbi një çerek shekulli që përballemi me dilemën se kur është çliruar Shqipëria dhe se kur është larguar prej vendit çizmja e fundit naziste.

Këtë dilemë e kish zgjidhur në mënyrë të politizuar historiografia komuniste që retushoi historinë për 50 vjet sipas vullnetit të diktatorit.

Këtë dilemë nuk e kanë zgjidhur historianët e shkolluar në Perëndim gjatë periudhës të tranzicionit.

Dhe, sa vjen 29 nëntori, shoqëria sherrohet dhe thellon bipolarizimin e saj. Njëra palë insiston, tjetra mohon sa për show.

Ndërsa Parlamenti i Shqipërisë është kthyer në një arenë cirku nga tempulli ku mbrohet statura e shtetit të së drejtës.

29 nëntorin e respekton çdo herë edhe Presidenti i Republikës, si përfaqësues i unitetit kombëtar!

Po a ka unitet kombëtar kur njëra palë në mënyrë histerike mbron 29 nëntorin dhe tjetra në mënyrë pasive mbron 28-tën!

E çfarë rëndësie ka largimi i çizmes së fundit naziste, kur më 29 nëntor 1944 do të startonte katrahura kombëtare, vëllavrasja dhe diktatura e proletariatit!

E çfarë rëndësie ka data kur u tërhoq ushtria pushtuese kur vendin e pushtoi terrori i kuq që ishte po aq i tmerrshëm sa terrori i zi!

E çfarë rëndësie ka saktësia në orë, minuta e sekonda e largimit të pushtuesit të fundit kur në Shqipëri më 29 nëntor 1944 nisi kasaphana e drejtuar nga një regjim përbindësh, që i mohoi të gjitha të drejtat elementare të njeriut, që eleminoi jo vetëm çdo kundërshtar, por i konsideroi kundërshtarë dhe gratë e fëmijët e viktimave, duke ua mohuar të drejtën e jetës!

Mjerim për elitën shqiptare që përdridhet si karavidhe dhe bën çdo lloj konçensioni për interesa të ngushta personale, duke qenë dëshmitare e territ gjysmë shekullor të regjimit barbar!

Kemi mbi çerek shekulli që për demagogji, ithtarët dhe klientët e regjimit të vjetër sa herë vjen 29 Nëntori, vendosin shenjën e barazimit midis diktaturës së Enver Hoxhës, 29 nëtorit 1944 dhe luftës antifashiste!

Deri kur populli shqiptar do të ushqehet nga kjo trushplarësi idiote, kur dihet me fakte se gjysmën e atyre që shkuan partizanë diktatura i vrau, i burgosi apo i ekskomunikoi nga shoqëria së bashku me familjet e tyre, dmth me gra e fëmijë!

Sot për një vend pune, elita bëhet gur varri dhe nuk e kthen kokën për të parë fatkeqësitë që solli 29 Nëntori 1944 që damkosi, vrau e burgosi sa e sa baballarë që duarlidhur nuk mund të bënin asgjë për të ardhmen pa të ardhme të fëmijëve të tyre që mbetën pa shkolla, nëpër internime, me biografi të nxirë!

Po a mund të mbulohet dielli me një shoshë gazete apo me një skuadrilje historianësh që vazhdojnë ta kthejnë historinë përmbys sikur bënte Arben Puto, kunati i të mynxyrshmit Manush Myftiu, që firmoste internimet e familjarëve të armiqve të partisë të krimit!

Këta që mbrojnë 29 Nëntorin 1944 si ditën e çlirimit të Shqipërisë, mbrojnë diktaturën që ka ekzekuruar krime kundër njerëzimit. Diktatura është e parehabilitueshme!

A mund të quhet Shqipëria e pas 29 Nëntorit 1944 e lirë, kur liria u prangos nga terrori komunist!

Lufta antifashiste e shqiptarëve s’ka lidhje me 29 nëntorin 1944. Shumica e viktimave të diktaturës enveriste ishin antifashistë, mendimtarë, liberalë!

Nuk mund të retushohen kurrë më faktet historike, mbi të cilat shkruhet historia, se si diktatori i nxitur nga Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha, hodhi në kosh të plehrave Konferencën e Pezës dhe Marrëveshjen e Mukjes duke nxitur luftën civile vëllavrasëse; se Enver Hoxha eleminoi jo vetëm kundërshtarët e deklaruar por edhe liderët e antifashizmës, sikur ishte Qemal Stafa me shumë të tjerë, të rinj të kulturuar e të ditur që i shihte si rrezik për pushtetin politik!

S’ka demokraci, s’ka shtet të së drejtës pa dekomunistizimin dhe distancimin me Kushtetutë nga e djeshmja kriminale e ekzekutuar nga sistemi.

Mjaft me demagjogji të nivelit kooperativist të denjë për shoqëri analfabete! Jeni qesharakë!  Lerini pallavrat e aleancës të diktatorit me Perëndimin! Kur dihet se posa mbaroi lufta dhe menjëherë pas 29 nëntorit 1944,  Enver Hoxha i dëboi aleatët Perëndimorë si armiq të vendit, ndërsa shqiptarët që kishin punuar me ta ose i vrau ose i rrasi nëpër burgje si tradhtarë!

E përse duhet që Shqiptarët të pranojnë 29 nëntorin si ditën e çlirimit, kur prej asaj dite liria për të cilën luftoi rinia shqiptare u burgos!

Im atë poeti Vehbi Skënderi la bangat e shkollës dhe doli partizan që 14 vjeç, ku u plagos tri herë. Idealet e tij ishin Liria, Barazia dhe Vllazëria – Liberté, Égalité, Fraternité – për të gjithë. Diktatura ia shkatërroi jetën, sikur edhe familjes së tij! Bashkëkohësit e tim eti janë gjallë dhe uroj të rrojnë e të gëzojnë jetën, por duhet të flasin; ka nga ata që duhet të kërkojnë ndjesë, por nëse e kanë gojën e rrudhur, të paktën moral të mos na bëjnë! Memecëria apo demagogjia nuk mund ta retushojnë të vërtetën, sikur i retushonte Enveri shokët e luftës që i vriste!

E përse duhet të pranojnë shqiptarët 29 nëntorin, kur dihet se diktatori e zgjodhi këtë datë për servilizëm ndaj Titos, si shenjë gjunjëzimi për ta kthyer Shqipërinë në republikë të shtatë të ish-Jugosllavisë!

E përse duhet të pranojnë shqiptarët 29 nëntorin, kur dihet se kjo datë lidhet me izolimin dhe bunkerizimin e vendin? Shqipëria në zemër të Europës dhe askush nuk dinte asgjë për të!

E përse shqiptarët duhet ta pranojnë këtë datë që solli frikë, terror, që i bëri shqiptarët spiunë, i bëri frikacakë, i dehumanizoi, i bëri të kënaqen me fatkeqësinë e vëllait, i bëri të gjithë t’i thonë amin diktatorit në vend të Zotit !

Le të bëjnë kompromis e le ta zgjedhë e majta datën e çlirimit të vendit.

Le të jetë, për shembull, 5 Maji. Dita e vrasjes së Heroit antifashist, djaloshit 21 vjeçar Qemal Stafa! Le të jetë një datë që lidhet me dinjitetin dhe sakrificat e shqiptarëve, por jo me diktatorin, as me diktaturën që mbolli ndarje, vuajtje dhe dhimbje.

Ka ardhur Momentumi që politika shqiptare të distancohet nga diktatura, jo në mënyrë retorike, por me ligje dhe rregulla ashtu si është vepruar në vendet e ish-Europës Lindore. Të dënohen krimet e regjimit enverist dhe nomenklatura e kuqe! Elita e rehabiliton veten duke deklaruar të vërtetën!

Të mos spekulohet më me kolaboracionizmin!

Po flasim për Shqipërinë dhe shqiptarët e prej 29 nëntorit 1944! Për krimet e kryera prej kësaj date të kobëshme! Nuk mbrohet dot regjimi kriminal me sulme ndaj njerëzve të vrarë, të burgosur, ndjekur apo të syrgjynosur nga regjimi komunist!

Civilizimi Perëndimor është 180 gradë ndryshe nga nazizmi, fashizmi dhe totalitarizmi stalinisto-enverian.

Shqipëria nuk mund të pretendojë të jetë anëtare e NATO-s apo të anëtarësohet në BE – kur liderët e shtetit shqiptar simpatizojnë ish-eksponentët e nomenklaturës të regjimit komunist, apo kur trashëgimtarët bilogjikë të ish-regjimit totalitar emërohen në postet më të larta të administratës publike pa u distancuar nga gjyshërit dhe etërit e tyre.

Vetëm Bashkim Shehu e ka bërë këtë. Dhe është i nderuar!

Trashëgimtarët biologjikë nuk mund të mbajnë poste në administratë pa i dënuar krimet e etërve dhe pa lypur ndjesë për viktimat e diktaturës.

Gjermania demokratike vazhdon e kërkon ndjesë për krimet e Hitlerit, edhe kur Lufta e Dytë Botërore ka gati treçerek shekulli që ka përfunduar!

Shteti i së drejtës imponon rregulla. Shteti shqiptar nuk mund të mbajë qëndrim konfondues ndaj së shkuarës diktatoriale, ku përfshihet edhe 29 nëntori 1944.

Vetë e majta shqiptare ka plot argumenta për të arsyetuar se përse kjo datë nuk përkon me atë të çlirimit të Shqipërisë. Do të mjaftonte lista e gjatë e vrasjeve të bashkëpunëtorëve të diktatorit që i likuidoi si gjatë luftës dhe për gati gjysmë shekulli!

Askush nuk mund të mohojë se 29 nëntori 1944 mbolli në Shqipëri dhe ndër shqiptarë vdekjen, përçarjen, vëllavrasjen, ndarjen, burgjet, frikën, izolimin,internimet, kampet, Gulagët, luftën e klasave, varfërinë dhe katastrofën kombëtare!

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, Jo 29 Nëntorit 1944!

LAHUTA NUK KËNDON MË PËR SHQIPËRI DHE PËR SHQIPTARË!

December 11, 2018 by dgreca

1 franikursll

Nga Frank Shkreli/

Unë nuk e di se ku qendron e vërteta mbi këtë çështje, por i vjen një erë shumë e keqe: nëse është pranuar ose jo propozimi i Serbisë për të regjistruar Lahutën si instrument të saj në UNESCO, si pasuri e saj kulturore.  Qeveritë dhe Ministritë e Kulturës gjatë viteve kanë një reputacion me të cilin nuk mund të krenohen, përsa i përket ruajtjes, mbrojtjes dhe kultivimit të kulturës së lashtë dhe të re shqiptare – si në nivel kombëtar dhe ashtu edhe në atë ndërkombëtar – siç pasqyrohet edhe nga ky rast. More, ja merrte kujt mendja se serbët do të përvetësonin lahutën si pjesë e trashëgimisë së tyre?  Po, kështu kanë vepruar gjithmonë këta, në kurriz të tjerëve.  Hajdutë kanë qenë gjithëherë.  Por, se serbët do t’a merrnin lahutën prej nesh pa “zbrazur asnjë fishek” në mbrojtje të pasurisë sonë kulturore, kjo nuk mund të merret me mend.  At Gjergj Fishta do të rrotullohej në varr, por fatkeqsisht, varrin nuk ia dimë dhe eshtrat ia hodhi Enver Hoxha në lum.  Edhe ai i kishte kënduar Lahutës – Lahutës së Malësisë.

Për hir të së vërtetës duhet shënuar se Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë ka përgënjeshtruar lajmin e përhapur në media një ditë më parë, se lahuta është njohur nga UNESCO si trashëgimi kulturore e Serbisë.  Në deklaratën e saj thuhet se, “Asnjë vendim nuk është marrë dhe në asnjë rast Komiteti Ndërqeveritar për Ruajtjen e Pasurisë Jomateriale të UNESCO-s nuk është shprehur, siç cilësohet gabimisht në disa media, se ‘lahuta nuk është shqiptare, por serbe’”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Kulturës.  Ministria e Kulturës shpjegon se “Praktika kulturore e “Të kënduarit me lahutë” është historikisht e pranishme dhe është një praktikë kulturore e gjallë në një zonë shumë të gjerë të Evropës Juglindore, jo vetëm në Shqipëri, Kosovë, por edhe në Mal të Zi, në Bosnje-Hercegovinë, Kroaci, etj. Të kënduarit me lahutë është nga ato raste kur mund të zbatohet propozimi shumëkombësh bazuar në faktin se ato vende ndajnë praktikën kulturore në fjalë si një traditë historike dhe dukuri kulturore të gjallë dhe asnjë vend nuk përjashton tjetrin”, sqaron më tej ministria.

A është kjo mbrojtja më e fortë që Ministria e Kulturës mund t’i bëjë lahutës si një instrument i lashtë i Shqiptarëve.  Ndoshta, sipas deklaratës së Ministrisë shqiptare, ende nuk është marrë vendimi nga Komiteti Ndërqeveritar për Ruajtjen e Pasurisë Jomateriale të UNESCO-s, por Ministria shqiptare nuk e mohon se UNESCO do e njohë lahutën si trashëgimi kulturore e Serbisë, me justifikimin se të, “kënduarit me lahutë është historikisht e pranishme dhe është një praktikë kulturore e gjallë në një zonë shumë të gjerë të Evropës Juglindore, jo vetëm në Shqipëri, Kosovë, por edhe në Mal të Zi, në Bosnje-Hercegovinë, Kroaci, etj.  Të na rrojë internacionalizmi proletary i Enver Hoxhës.

Ky konfuzion është rezultat i papërgjegjësisë zyrtare dhe një arrogance që është bërë traditë tanimë për të zbardhur të vërtetën, e që zmadhohet edhe më shumë nga shkrimet hamendëse në medien publike, pikërisht për arsye të mungesës së informacionit të sakt.  Ja disa nga titujt në median shqiptare, në Shqipëri dhe në Kosovë, në lidhje me propozimin e Serbisë për të regjistruar Lahutën si instrument të Serbisë: “Lahuta serbe në UNSECO”; “Lahuta shqiptare është gati npër në UNESCO”; “Ministria e Kulturës -UNESCO-s: Lahuta është e jona”;  “Lahuta njihet si trashëgimi e Serbisë”; “Lahuta Trashëgimi e Serbisë?  “Vendimi sklandaloz i UNSECO-s”; “Lahuta gati për UNESCO, mungon lobimi”;  “Lahuta është shqiptare apo serbe?”;  “Ministria e Kulturës: S’ka asnjë vendim nga UNESCO”; “Lahuta Shqiptare e penalizuar nga Kosova”; “Lahuta s’është shqiptare, por serbe”, e të tjera.

Në të vërtetë, ky ka qenë gjithmonë dhe është objektivi përfundimtar i sllavëve, i grekëve dhe i turqëve, që më së pari të mbjellin dyshime dhe konfuzion në radhët e vet shqiptarëve mbi identitetin e tyre kombëtar dhe kulturor, si dhe mbi historinë dhe prejardhjen e tyre.   Kështu kanë bërë ata dhe vazhdojnë të mbjellin dyshime — madje edhe me ndihmën e vet shqiptarëve — edhe mbi figurën e Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastriotit – Skenderbeu dhe për identitetin kombëtar të Nënë Terezës.

Edhe kjo na ka munguar! Armiqtë e Kombit shqiptar, tashti duan edhe Lahutën – simbolin e lashtësisë së Kombit shqiptar — pasi na morën ose më mirë të themi pasi ua dhamë dhe po u japim tokat tona, detin dhe tashti po u dorëzojnë edhe një pjesë të identitetit të kulturës kombëtare.  Edhe ajrin për të marrë frymë, do të ua mohonin shqiptarëve këta, gjithmonë sipas orekseve dhe interesave të tyre politike, fetare, ideologjike dhe historike, të momentit.

Çdo gjë e shenjtë shqiptare duket se është në shitje, në ankandë.  Serbia do tokën shqiptare, se nuk ka marrë mjaft gjatë 100- vjerëve të kaluar. Tashti do të përvetësojë edhe Lahutën, simbolin më të njohur të lashtësisë së Arbërit.  Prisni edhe pak se shpejt Akademia e Shkencave e Serbisë do të pretendojë se edhe xhubleta, veshja e grave malësore ç’prej epokës ilire, do të kërkojë ta regjitrojë në UNESCO si trashëgimi kulturore serbe dhe askush nuk do të shqetësohet për këtë punë.  Turqia pretendon se “Kosova është Turqi” dhe kërkon me ngulm ndryshim të historisë shqiptare, ndërsa Greqia ka marrë Çamërinë, do të marrë detin dhe nuk heq dorë nga i ashtuquajturi Epir. Çdo ditë, popat e Kishës ortodokse serbe përpiqen të përvetësojnë gërmadhat e kishave shqiptare në trojet shqiptare nën Mal të Zi, sikur të kenë qenë të tyre, historikisht, aty ku asnjëherë nuk ka ka shkelur këmbë e serbit.  Nëqoftse shqiptarët nuk i dalin zot historisë së tyre, të tjerët do e përvetësojnë, siç është rasti i trashëgimisë kulturore me lahutën.  Më e keqja e kësaj situate të mjerueshme është se të gjitha këto po ndodhin në heshtje  ose me marrveshjen e kësaj klase politike shqiptare sot, ose si trysni ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.  Keni venë re ndonjë reagim nga zyrtarë të lartë ndaj këtyre hajdutlleqeve e pretendimeve antishqiptare nga Tirana dhe nga Prishtina?  Hiç, përkundrazi! Tirana dhe Prishtina zyrtare sillen me këto tre shtete, si shtete “strategjike”, ose si “popuj miq”, siç i quante Enver Hoxha — gjithmonë sikur fajin për gjithçka e kanë shqiptarët.  Shqiptarët vazhdojnë të japin e të japin ndërsa këto tre shtete nuk ngopen duke vjedhur nga shqiptarët, madje edhe trashëgiminë kulturore, siç është instrumenti muzikor, Lahuta.  Është për të ardhur keq, “për ca zuzarë, që u lindën shqipëtarë”, siç ka shkruar dikur Faik Konica e të cilët,

“S’na lënë dhe ne të tjerët,

T’dalim nga gjum’i errët,

Po ç’dëgjojnë ven’ e thonë,
E ç’shohin e tradhëtojnë

Eshtë turp prej kësi krimbash
Të mundohet një komb trimash”

Për çdo shtet normal, mbrojtja e historisë, e heronjve kombëtar si Gjergj Kastrioti-Skenderbeu dhe mbështetja e identitetit historik kombëtar nga sulmet dhe nga pretendimet e të huajve, janë çështje të shënjta të mbijetesës dhe të sigurimit kombëtar, të vet ekzistencës së kombit dhe vazhdimësisë së tij.  Përgjegjësia numër një e një qeverie dhe e përfaqësuesve të saj është që të mbrohet historia, trashëgimia kulturore dhe identiteti kombëtar, ashtu siç do të mbrohej kufiri tokësor e detar, në rast të një sulmi ushtarak.  Pse heshtin këta njerëz!  Pse heshtin historianët shqiptarë? Ku është zemërimi?

Në Malësitë tona dikur, shtëpia pa pushkë e pa lahutë nuk konsiderohej shtëpi.  Në shtëpinë ku kam lindur e jam rritur unë, kishim tre lahutarë.  Gjyshin tim Lukë Tomën e Shkrelit dhe axhën Gjergjin dhe më vonë djalin e axhës Vasel Shkrelin, i cili e vazhdon këte traditë të familjes tonë edhe këtu në Amerikë, si më poshtë, i cili i ka kushtuar këtë këngë lahutës, si instrument i traditës e i trimërisë, si një instrument që ka mbajtur gjallë historinë dhe trashëgiminë e shqiptarit në vatrat stërgjyshore të kullave shkëmbore tona, si një instrument i bekuar e i lashtë arbëror, i cili u ka zgjatur jetën heronjve, sipas fjalëve të lahutarit:

https://www.youtube.com/watch?v=iEay5gMwtUI

https://www.youtube.com/watch?v=NmJODhiKkT4

Sulmet kundër identitetit të shqiptarëve dhe trashëgimisë së tyre historike dhe kulturore po bëhen gjithnjë e më kërcënues, për ata që kanë sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar.  Ku janë mbrojtësit e visarit dhe të trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore të Kombit Shqiptar, kësaj race iliro-trake, bartës të ligjëshëm dhe historikë të traditave shekullore të saj.  Pse nuk ngrejnë zërin në mbrojtje të vlerave të trashëgimisë kulturore të Kombit, para se të bëhet vonë?  Sot, Lahuta vajton fatin e saj.  Lahuta duhet të shpëtohet ashtuqë të këndojë përsëri për Shqipëri dhe për Shqiptarë!

Filed Under: Opinion Tagged With: DHE PËR SHQIPTARË!, Frank shkreli, LAHUTA NUK KËNDON MË PËR SHQIPËRI

SKËNDERBEU DHE NOLI

December 10, 2018 by dgreca

-Veprimtari e zhvilluar në kishën e Shën Gjergjit në Boston/

1 at Arthur salle1 Arthur Fosina1 a Nikolla Pano1 agimi me salle mire1 Neka1 a folesi3 2 Fuat At Arthuri

Nga Fuat Memelli/

Është e treta herë që brenda 6 muajve, në kishën e” Shën Gjergjit” në Boston, ose siç quhet ndryshe “Kisha e Nolit”, zhvillohen veprimtari kushtuar figures së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti –Skënderbeut. E veçanta e kësaj veprimtarie përmbyllëse, ishte gërshetimi i saj me dy ngjarje të rëndësishme të  kësaj kishe: 110 vjetorin e themelimit të Katedrales së Shën Gjergjit dhe mbajtjen e meshës së parë në gjuhën shqipe nga imzot Noli. Për të marë pjesë në këtë veprimtari të shënuar kishin ardhur shqiptaro-amerikanë e amerikanë nga Bostoni e qytetet rreth tij si dhe nga Neë Yorku , Ëashingtoni, etj. Ishte kjo jo vetëm një veprimtari përkujtimore por edhe si një dite feste. Neka Doko, punonjëse e Bibliotekës “Fan Noli” dhe e Qendrës Kulturore pranë kësaj kishe, një nga organizatoret kryesore të kësaj veprimtarie, thekson se ditës së sotme, i kanë paraprirë dy veprimtari të tjera në këtë kishë. Meqënëse janë pjesë të një “zinxhiri” veprimtarish, po ndalem shkurtimisht tek ato, për t’i  lënë pastaj “sofrën” kryesore veprimtarisë përmbyllëse.

PROLOGU I VEPRIMTARIVE

Nisi më 6 maj të këtij viti. Kjo datë nuk ishte e rastësishme. Më 6 maj është ditlindja e Skënderbeut. Gjithashtu 110 vjet më parë, më 6 maj 1908, Noli mbajti liturgjinë e parë në gjuhën shqipe. Atë ditë ai lexoi shkrimin e tij për Skënderbeun, botuar një vit më parë te gazeta “Albania” që nxirte Konica. Një pjesë të kësaj fjale, e mbajti Neka Doko më 6 maj të këtij viti. Është ky një fjalim prekës i Nolit për Skëndërbeun. Ajo kujton disa nga fjalët e Nolit, drejtuar bashkëatdhetarëve në Shqipëri:…”Ju lutem juve, luftëtarë të mëdhenj, prijës, më hapni mua të gjorit një vend të vajtoj për Skënderbeun”. Fjalën e plotë të Nolit, ia kishte dërguar kishës bashkë me librin e tij “Antologji për Skënderbeun”, studjuesi Fotaq Andrea. Veprimtaria e mësipërme u mbështet nga At Artur Liolini dhe vajzat e Shën Gjergjit. Po atë ditë u paraqitën botime për Skënderbeun, fotografi, etj.

Ngjarja e dytë me temë “Punime në arte për Skënderbeun dhe Nolin në kishën e Shën Gjergjit”, ishte më 7 tetor të këtij viti. Me këtë rast u mblodhën fonde për Bibliotekën “Fan Noli” si dhe për veprimtarinë e fundit. U hap edhe një Ëebside për bibliotekën dhe Qendrën Kulturore pranë kësaj kishe, ku një ndihmesë të veçantë dha Loreta Dhamo, veprimtare e Shoqatës së Motrave “Qiriazi”.

NJË FESTË BINJAKE

Veprimtarinë përmbyllëse e çeli “i zoti  shtëpisë” ,kancelari i kishës së Shën Gjergjit, At Artur Liolini. Ndër të tjera ai theksoi:” Sot kemi një festë binjake: së pari jubilleun e 550 vjetorit të ndarjes nga jeta të Skënderbeut. Po këtë vit kujtojmë edhe 110  vjetorin e themelimit të Katedrales së Shën Gjergjit si dhe të mbajtjes së litrugjisë së parë në gjuhën shqipe nga imzot Noli. Kisha e Shën Gjergjit ka qënë dhe do të jëtë gjithëmonë e hapur për shqiptarët, të krishterë e myslimanë”. Më pas afrohet në mikrofon studjuesi i njohur, Prof. Nikolla Pano. Ai u ndal në figurën e Skënderbeut, duke iu referuar ligjëratës së tij të mbajtur pak kohë më parë për herioin tonë në Tiranë. Ai ka dhënë një kontribut të çmuar si këshilltar dhe kontribues për pasurimin e bibloitekës së Nolit. Referues në këtë veprimtari ishin edhe dy amerikanë. Grant Harris, punonjës i Librarisë së Kongresit Amerikan në Ëashington, foli për një studim të tij për Skënderbeun dhe emigrimin e shqiptarëve pas vdekjes së tij. Tom Mclain, ish student i departamentit të Historisë në Universitetin e  Bostonit, ku ka studjuar edhe Noli, në punimin e tij tok me Grigor Panon, u ndal në punën e bërë nga Noli për “Historinë e Skënderbeut”, vepër të cilën e ka shkruar kur vazhdonte këtë uiniversitet dhe e ka botuar në vitin 1947. Këtë punim Mclain e kishte referuar kur ishte student edhe para pedagogëve të tij.

Si një Skënderbei gjallë, me shpatë e përkrenare dhe veshje kombëtare, u paraqit në sallë aktori i njohur, Xheviat Limani. Ai interpretoi plot emocion fjalën e Skënderbeut kur u kthye në Krujë:” Lirinë nuk e solla unë por e gjeta midis jush….”. Në këtë interpretim ai kishte përfshirë edhe fjalë të shkruara prej vetë atij për Skënderbeun. Më pas ai recitoi poezinë e famëshme të Nolit”Jepni për nënën”…”Mbaju nëno mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë…”. Në të dy interpretimet, të cilat ishin ndër pjesët më të bukura të veprimtarisë,”Skënderbeu i gjallë” u “shpërblye” disa herë me duartrokitje nga të pranishmit.

Edlira Athanas, një nga moderatoret e kësaj veprimtarie, foli për figurën e Skënderbeut në operan shqiptare me të njëjtin titull, premeiera e të cilës u dha në vitin 1968. Kompozitor i saj ishte Prenk jakova , ndërsa rolin e Skënderbeut e lunate , Gjoni Athanas, , babai i Edlirës. Një koincidencë e bukur kjo! Prej disa vjetësh Gjoni jeton në Boston dhe me këngët e tij ka qënë i      pranishëm në disa veprimtari të shqiptarëve në këtë qytet.

Moment me interes i veprimtarisë ishte paraqitja e një punimi grafik për Skënderbeun, realizuar 100 vjet më parë por që nuk i dihej autori. Punimi kishte pseduonimin “Shkëmb e gur”. Ai i  ishte dorëzuar kishës në vitin 1975 , nga shqiptaro-amerikani Van Kristo, aktualisht konsull Nderi i Shqipërisë në Boston. Pas një pune këmbëngulëse disa mujore të Neka Dokos dhe dardhares Adriana Stefani, u bë e mundur gjetja e autorit. Ai ishte patrioti Spiridon Ilo. Shpjegimin plotësues për këtë gjetje, e bëri motra e Adrianës, Odeta Stefani, duke thënë se pseudonimi ishte gjetur te dokumenta të tjera të Spiridonit, të cilat i kishte patur djali i tij i adoptuar, dardhari i ndjerë, Vangjo Ilo.

Edhe poema e Long Fellout për Skënderbeun,zuri vend në atë veprimtai. Pjesë të saj u interpretuan në anglisht nga Erdlira Athanas dhe në shqip nga aktori, Julian Nënshati. Në emër të Federatës Pan Shqiptare “Vatra” përshëndeti nën kryetari i saj, Agim Rexha, ku mes të tjerash theksoi:” Kisha Orthodokse Shqiptare në Amerikë dhe “Vatra”, ishin dy shtyllat që mbajtën gjallë çështjen kombëtare shqiptare në Amerikë dhe i paraprinë Pavarësisë së Shqipërisë. Imzot Noli është një gur themeli  në kështjellën e shqiptarizmit në Amerikë. Ai është edhe te kisha, edhe te “Dielli”, edhe të “Vatra”. Kujtojmë në këtë përvjetor heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastriot- Skënderbeun, sepse një popull pa kujtesë, shuhet. Federat “Vatra” dhe gazeta “Dielli” me editor  Dalip Grecën si dhe gazeta “Illyria” me editor Ruben Avxhiun, e kanë patur në  qendër të vëmëndjes figurën e  Skënderbeut në këtë vit jubilar”.

***

Veprimtaria përmbledhëse “Skënderbeu dhe Noli në kishën e Shën Gjergjit”, ishte konceptuar me disa element si referime, paraqitje vizuale me foto e dokumenta të gjetura në Amerikë dhe disa shtete të Europës. Ishte konceptuar edhe me interpretime, etj. Bostoni, qyteti të cilin Fan Noli e ka quajtuar “Një Shqipëri e vogël”, mbylli kështu veprimtaritë e shqiptarëve të Amerikës për figurën e heroit tonë legjendar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

Filed Under: Featured Tagged With: Arthur Liolin, Fuat Memelli, Katedralja e Shen Gjergjit, SKËNDERBEU DHE NOLI

NDEROHET NE BOSTON GJERGJ KASTRIOTI-SKËNDERBEU DHE FAN S. NOLI

December 10, 2018 by dgreca

KATEDRALJA E SHËN GJERGJIT DHE BIBLIOTEKA NOLIANENDERUAN GJERGJ KASTRIOTI-SKËNDERBEU DHE FAN S NOLI-/

1 a agim Liolin1 agimi elezi fuat Pano2 drejtori i bibliotekes1 agimi me flamur1afishe1 xhevati1 agimi te karriga e Nolit

– Vatra u përfaqësua me nënkryetarin e saj z. Agim Rexhaj, i cili krahas përshëndetjes përcolli edhe Kumtesën e përgatitë nga Editori i Diellit për kontributin e Editorëve të gazetës Diellit me studimet historike rreth figurës së Heroi Kombëtar: Fan S. Noli, Athanas Gegaj, Andon Frashëri, Nelo Drizari,Bilal Xhaferri,  Edward Lico dhe Xhevat Kallajxhiu-

– Vatrës iu dorëzua Certifikata e Mirënjohjes nga Kryekancelari Atë Arthur Liolin-

Me 8 Dhjetor në Katedralen e Shëngjergjit në Boston u organizuan veprimtari nderuse dhe historike për 550 vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu si dhe u nderua Kujtimi i Imzot Nolit në 110 vjetorin e Meshës së parë në Gjuhën shqipe. Ashtu sic kishte njoftuar Gazeta Dielli në disa numra radhazi dhe në publikimin online Kisha Orthodokse dhe Biblioteka Noliane i kishin bashkuar të dy përvjetorët, duke nderuar dhe Nolin si studues i Heroit Kombëtar, por dhe Misionin e Tij për Kishën Autoqefale dhe Meshën e Parë ën Gjuhën Shqipe në SHBA.

Studues të njohur si Prof. Nikolla Pano, Grant Harris nga Biblioteka e Kongresit, Agron Alibali, Neka Doko, përcollën të dhëna e interpretime interesante me kumtesat e tyre rreth Heroit Kombëtar.

Në përshëndetjen e tij z. Agim Rexhaj tha:

I dashur At’ Arthur Liolin

Të nderuar miq

Ndjehem shumë i privilegjuar që t’ju përshëndes sot nga kjo Foltore  në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, në emër të Kryetarit të saj z. Dritan Mishto, Kryesisë, Këshillit të Vatrës, dhe degëve të saj në SHBA e Kanada, që ma deleguan mua përfaqësimin sot këtu, ngase një tjetër veprimtari zhvillohet po sot në Vatër me Kryeparlamentarin e Kosovës z. Kadri Veseli!

Po ashtu nuk mundi të vinte edhe Dalip Greca, Editori i Gazetës Dielli, gazetës më të vjetër të Botës shqiptare, që pas ca muajësh, me 15 shkurt 2019, feston 110 vjetorin e themelimit të saj me Editor të parë Imzot Nolin, ashtu si Kryekisha e Shëngjergjit dhe Biblioteka Noliane kujtojnë sot 110 vjetorin e Meshës në gjuhën shqipe të udhëhequr nga Imzot Nolit.

Kisha Orthodokse Shqiptare në Amerikë  dhe VATRA, ishin dy shtyllat që mbajtën në këmbë çështjen Kombëtare Shqiptare në SHBA dhe i paraprinë Pavarësisë së Shqipërisë.

Emri i Imzot Nolit është  gurë- themeli në Kështjellën e Shqiptarizmit në Amerikë; Noli është edhe tek Kisha, edhe tek Dielli, edhe tek vetë VATRA. Ndërsa e kujtojmë këtë përvjetor të 110 të Meshës në Gjuhën shqipe ne nderojmë Imzot Nolin dhe të gjithë ata që i shërbyen dhe i shërbejnë me devocion Kishës Orthodokse Shqiptare në ShBA duke ruajtur të shenjtë Autoqefalizmin.

Kjo veprimtari Juaja, shënon epilogun e të gjitha veprimtarive që u organizuan në Kujtesë të Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA dhe Gazeta e saj Dielli i kanë paraprirë dhe e kanë mbajtu në qendër të veprimtarive figurën e heroit Kombëtar. Gazeta Dielli, përveç numrit special Kushtuar këtij përvjetori, që nxori në Ditën e Flamurit, në çdo numër të saj ka evokuar historinë që lidhet me emrin e heroit, ndërkohë që Vatra në bashkëpunim me institucionet fetare dhe organizatat e tjera të diasporës ka qenë bashkëorganizatore e simpoziumeve dhe konferencave shkencore kushtuar Heroit Kombëtar. Kështu së bashku me Kishën Katolike “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork, Vatra realizoi një Konferencë me nivel shkencor me rastin e 550 vjetorit të Vdekjes të Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Po ashtu Vatra ishte pjesë e një akademie shkencore, që u organizua në Michigan, ku ligjëruan studiues dhe akademikë të njohur nga trevat shqiptare.

Figura e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu ka shërbyer si një Ikonë e shenjtë për Diasporën shqiptare në Amerikë dhe Europë. Në mënyrë të veçantë për Federatën Panshqiptare të Amerikës VATRA, figura e heroit Kombëtar, ka mbajtur ndezur shpirtin e atdhetarizmit.Rexhaj përcolli pjesë nga Kumtesa e përgatitë me këtë rast nga Editori i Diellit, Dalip Greca, kumtesë që fokusohej në kontributin e Editorëve të gazetës Diellit me studimet historike dhe librat e botuar prej tyre rreth figurës së Heroi Kombëtar.Ndër ta përmendim: Fan S. Noli, Athanas Gegaj, Andon Frashëri, Nelo Drizari, Bilal Xhaferri, Edward Lico dhe Xhevat Kallajxhiu.(Për më shumë lexoni në Gazetën Dielli në print)

Filed Under: Featured Tagged With: agim Rexhaj, at arthur Liolin, dalip greca, Skenderbeu

GJEGJE PREJ RRUGAÇI E KRYEMINISTRIT SHQIPTAR

December 10, 2018 by dgreca

2 Kolec Traboini 3

Nga KOLEC TRABOINI/

 “Bëji një radiografi sferës poshtë kapelës” , – më shkruan Edi Rama- kur radiografitë na i bën mikesha e tij familjare Vilma Nushi, të cilës i jep koncesion miliona euro nga paratë e popullit më të varfër në Europës.

Dhe pikërisht në kohën që në Shqipëri kanë dalë katër probleme që po e fusin tërë shoqërinë në panik e amulli qeverisje, Kryeministri i Shqipërisë në mënyrë të fshehtë e jashtë vëmendjes së opinionit publik e Medias i hipën avionit e shkon në Turqi. Ca të tjerë thonë se edhe më tej e ka marrë revanin. Po ku? E megjithëse nuk dihet nga shkon e nga vjen, ai gjen kohë të përcjellë në faqen e tij në Facebook ca xhirime me vizita në ca familje të varfra që kinse u jep libra falas kur ato libra duhet të kthehen sërish në dispozicion të shtetit, dhe këto propaganda personale i vë nën okielon ERTv. Pra televizioni personal i kryeministrit sikur ai të jetë angazhuar në një biznes privat e jo të paguhet nga populli më i varfër me taksat më të larta. Po ky nuk do t’ia dijë fare edhe pse ka ardhur në pushtet si forcë e majtë politike që duhej të kishte në fokus problemet sociale dhe programin për të luftuar varfërinë e jo rritur atë nëpërmjet papunësisë e taksave të larta. Dhe cilat janë problemet që po e fusin në amulli qeverisjen; protestat e vazhdueshme kundër prishjes së shtëpive të qytetarëve të rajonit të Astirit, tek Unaza e Madhe në hyrje të Tiranës, duke mos u paguar të paktën aq sa kushtojnë shtëpitë që qytetarët kanë bërë për të futur kokën. Gjithashtu protesta që i ka kaluar të 100 ditët për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar nga prishja që kërkon ti bëjë qeveria duke i dhënë tokën publike oligarkëve partnerë të saj për të ndërtuar kulla aty në qendër të Tiranës, shto edhe protestën e madhe të studenteve kundër tarifave të larta për arsimin në vendin më të varfër në Europë, kur ikjet e shqiptarëve për shkak të varfërisë janë në rritje të frikshme duke rrezikuar të ardhmen e këtij vendi. Pikërisht në këtë kohë varfërie, plas një skandali vjedhjes së jashtëzakonshme të parave të popullit, Qeveria jep koncesionin për 2 km rrugë 40 milion Euro, një segment të saj një kompanie fantazmë, Of Shore, e regjistruar nga një shqiptar 26-vjeçar pa të ardhura, që, na ruaj zot poturet e kryeministrit,  punon në një punë të rëndomtë portier hoteli dhe regjistrimi i kësaj kompanie në dhënien e koncesionit është bërë me dokumente kinse nga SHBA, por të falsifikuara që shqetësojnë edhe organet kompetente amerikane të cilat menjëherë nisën ta hetonin këtë skandal korruptiv, ku vihen në lojë jo pak por 18 milion euro.

Pikërisht në këtë gjendje të pështjelluar, Kryeministri gjen para e kohë për tu nis në shëtitjet me avion, thonë për Turqi, por nuk ka asnjë informacion si e pse ky udhëtim kur veprime të kësaj natyre duhej të ishin transparente.

Në videon qe kishte vënë, kinse ishte në Shqipëri e jo diku ne qiellin e Stambollit ne udhëtim, krahas shumë qytetarëve që të shqetësuar pyesin e kërkojnë shpjegime edhe unë bëra një shënim të shkurtër. Më poshtë po vendos shënimin tim dhe përgjigjen e Kryeministrit shqiptar Edi Rama, tek i cili kemi varur shpresën se do të zhvillohet edhe kjo Shqipëria jonë,” Shqipëria që duam”, e  “në drejtimin e duhur”, sepse punët kanë vajtur keq e më keq e tundimi për ta braktisur atdheun është një epidemi dhe një katastrofë e vërtetë kombëtare.

Pas replikës së tij që tingëllon rrugaçërore, i dhashë përgjigjen time disi të përmbajtur, ani pse populli di të stigmatizoje e mallkojë nga pikëpamja stilistikë, shumë më mirë dhe më hidhur se kastat që ka në zverk.
Siç do të vini re më poshtë,  kryeministri i Shqipërisë jep shembullin e vet mospërfillës dhe injorues, pos të tjerash, edhe se si  nuk duhet marrë në konsideratë Gjuha Shqipe, duke mos respektuar as rregullat me të thjeshta të drejtshkrimit.
KOLEC P. TRABOINI: Nga bredh, o njeri. Shko tek studentët se ata po ti tundin themelet e qeverisjes…dhe fol pak për 18 milion Euro të kaparosura nëpër kompani fantazma.

KRYEMINISTRI EDI RAMA: Kolec P. Traboini mos u qaj hallin themeleve te qeverisjes zotrote, po shko beji nje radiografi sferes poshte kapeles, se i paska rrjedhur brendia me duket. Cilat 18 milione Euro te kaparosura neper kompani fantazma? Nga dolen 18 dhe pse 18 e jo 28 per shembull? Hajde kokeboshllek hajde, muhabet klubi per nje kompani qe jo vetem s’ka marre asnje kokerr leku nga shteti, po qe nese rezulton te kete fallsifikuar dokumentat, do te ballafaqohet me ligjin deri ne fund. Flet Shqupi, mbledh kapelja dhe nxjerr goja e Kolecit, pune e madhe sa e madhe budallakia kur i thonë.

KOLEC P. TRABOINI: Zoti Edi Rama, Bilbil je, o nipi i Nikos. Jo për gjë por e kam pas koleg zyre. Si nuk i ke ngjarë pak dajës, do të ishe më  mirë se kështu kunj në kunj me të gjithë. Ti më përmend kapelën, por unë nuk të përmenda poturet, as pantallonat e shkurta me tiranda kur shkoje në stërvitje se kishe një dalldisje për basketbollist që i vogël pa le kohën e Parisit. Të mbaj mend, o nipi i Nikos. Kishim shumë shpresa tek ty, të kam përkrahur me dhjetëra shkrime në 2013, por dole ky që je e aspak më i mirë se Sali Katraura. Mjerisht ky popull punon e robtohet dhe është i detyruar të hajë shqelmat e atyre që duhej ta konsideronin vetën shërbëtorë e jo padronë të popullit. Dhe sa për të kujtuar, ironinë e satirën i zotëroj mirë e mos kujto se më turbullojnë ato krahasimet pa logjikë që adreson ti. E ato 18 milionët ishin projektuar të shkonin diku, pyet at ministrin që ka magjistarin, indianin Guru si mik në shtëpi,  se e di ai se si ja kaparosi një 26- vjeçari pa asnjë eksperience, një portier hoteli, një koncesion 18 milion euro. Sot je kryeministër, por mendo për atëherë kur nuk do të jesh, do ta kesh të vështirë të shpjegosh gjithë këtë katrahurë në qeverisje. Dhe prano ato kërkesat e drejta të studentëve sepse jemi vendi më i varfër në Europë, me të ardhurat më të pakta, ndaj dhe shkollimin e shtresave në nevojë duhet ta përballojë shteti. Dhe atë SHQUP-in mos ma përmend mua, nuk jam i Shqup-it e as i Surrelit, sepse kur ti e kishe mik Sali Katrahurën, dilje edhe në foto me të zotërote, unë e stigmatizoja si një kalorës mesjetar delirant.
Partia ime është populli im e jo ato rrangallat parti që manovroni si ti, si Saliu apo Medi-ziu. Lëri pak nder vetes e mos u bëj i payndyrë, sepse vlera më e madhe që lemë pas është kujtimi i mirë tek të tjerët.

Kolec P. Traboini/9 dhjetor 20181 Replike me Edi Ramen

Filed Under: Analiza Tagged With: GJEGJE PREJ RRUGAÇI E, Kolec Traboini, KRYEMINISTRIT SHQIPTAR

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • …
  • 31
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT