• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2018

Një libër me vlerë për historiografinë shqiptare

December 6, 2018 by dgreca

2 Permeti

Nga Prof. Dr. Eshref Ymeri/

I nderuar z. Nuri Dragoj! Duke u njohur me punimin tuaj, mjaft interesant, “Përmeti dhe Lufta e Dytë Botërore 1939-1944”, bindem edhe më shumë në faktin që puna e historisë është ca e ngatërruar. Kjo për faktin se nuk është e lehtë ta trajtosh duke u nisur nga kriteri i së vërtetës, i cili kërkon që historiani të jetë kryekëput i paanshëm dhe autoritet shkencor i padiskutueshëm. Sipas të gjitha gjasave, anashkalimin e këtyre dy kërkesave themelore, duhet të ketë pasur parasysh edhe Volteri, kur ka thënë: “Historia është një tërësi krimesh, çmendurish dhe fatkeqësish, mes të cilave bien në sy disa virtyte, disa kohëra fatlume, si puna e ca vendbanimeve me njerëz që zbulohen aty-këtu, mes një shkretëtire të egër”.

Ngjarjet historike që shtjelloni në këtë vepër mbi bazën e fakteve të dokumentuara, më sjellin në kujtesë një thënie mjaft të goditur të shkrimtarit amerikan Robert Hainlain (Robert Anson Heinlein – 1907-1988). Ai thotë: “Historia lidhet me të vërtetën, ashtu si puna e teologjisë me fenë”.

Pas leximit të veprës suaj shkencore, një vepër dyvëllimshe, e cila të befason me morinë e fakteve që  sillni përmes më shumë se dy mijë citimeve, më erdhi ndër mend shprehja e famshme, me domethënie aforistike, e cila, me sa duket, ka prejardhje të kryehershme: “Historinë e shkruajnë fitimtarët”.

Pikërisht në thelbin e këtij aforizmi fshihet tragjizmi i objektivitetit historik. Prandaj koha ka vërtetuar me fakte se aforizmi në fjalë duhej pasuruar me diçka tjetër. Atij i duhej bërë një shtojcë e vogël me domethënie të thellë. Shtojcën e ka bërë Anton Dreksleri (Anton Drexler – 1884-1942), një personalitet i njohur evropian, themelues i nacionalsocializmit gjerman, pararendës i Hitlerit, i cili thotë: “Historinë e shkruajnë fitimtarët, prandaj humbësit nuk përmenden në të”.

Çdo lexues i veprës suaj, i cili të vërtetën e ka për yll karvani, vjen në përfundimin e vetvetishëm se historia është konkrete, është e prekshme, është e faktuar vetëm atëherë, kur zhvillimin e saj, ai e kundron me sytë e vet në ditët tona.

Ju keni derdhur shumë djersë dhe kam bindjen se ia keni arritur plotësisht të hulumtoni aq thellë në historinë e krahinës së Përmetit dhe përgjithësisht të jugut të Shqipërisë, saqë e keni bërë lexuesin të rrijë dhe të përsiatë thellë në heshtjen e tij: Vallë a do të vijë ajo ditë kur historianët “e liçensuar” të vendit tonë, të arrijnë të flasin me gjuhën e fakteve, të dalin para masës së lexuesve me autoritet shkencor në zbulimin e objektivitetit historik? Në këtë aspekt, kam bindjen se librat tuaj, janë një leksion i mirë për historiografinë shqiptare.

Në përfundim të leximit të veprës suaj, lexuesi gjakftohtë shtron pyetjen: Cili duhej të ishte kriteri i objektivitetit të historianëve në pasqyrimin e historisë së vendit tonë, gjatë viteve të luftës? Përgjigjja, në këndvështrimin tim, se si duhen shkruar vepra shkencore të paanshme, në të cilat të pasqyrohen plotësisht ngjarjet dhe dukuritë historike, si edhe të vlerësohet vendi i tyre në historinë tonë kombëtare, deri tani vazhdon të mbetet e hapur. Por ju me punën tuaj të madhe i jeni afruar më shumë se kushdo tjetër të vërtetës, e cila, ndonëse është e dëshiruar, në fakt, është anatemuar thuajse tërësisht.

Sipas historianëve “të liçensuar”, humbësit gjatë viteve të luftës, nuk paskan të drejtë të kalojnë nëpër “sitën” e objektivitetit historik. Ata, në “punishten” e historianëve tanë, duhet të shërbejnë vetëm si objekt demaskimi, përçmimi, poshtërimi dhe talljesh të përhershme, siç ndodhi faktikisht gjatë një periudhe mbi gjysmëshekullore.

Ju jeni ndalur dhe keni folur me gjuhën e fakteve për Marrëveshjen e Mukjes. Nuk e di se cila ishte arsyeja e vërtetë që komunistët pranuan të ulen në një tryezë të përbashkët me përfaqësuesit e nacionalizmit shqiptar. Ndoshta diku thellë, në vetëdijen e tyre mund të ketë gjalluar vetëtimthi ndonjë ndjenjë grahmuese nacionalizmi, për tragjedinë që shovinizmi evropian i shkaktoi kombit shqiptar në Kongresin e Berlinit dhe në Konferencën e Londrës. Paçka se në veprën tuaj argumentohet me dokumente historike, që komunistët shqiptarë, në aleancë me komunistët serbë dhe grekë, përfaqësues këta të dy vendeve tradicionalisht armiqësore ndaj kombit shqiptar, e kishin kristalizuar qëndrimin e vet ndaj Ballit Kombëtar dhe Legalitetit që nga fundi i vitit 1942 dhe sidomos në pranverën dhe në verën e viti 1943.

Fakti që komunistët shqiptarë e hodhën poshtë Marrëveshjen e  Mukjes, sapo teksti i saj i ra në dorë Miladin Popoviçit, dëshmon pa mëdyshjen më të vogël se Enver Hoxha dhe krerët e tjerë të udhëheqjes komuniste, nuk ishin gjë tjetër, veçse vegël e verbër në shërbim të Beogradit. Miladin Popoviçi, pasi e lexoi tekstin e Marrëveshjes së Mukjes, e zhubraviti, e mblodhi shuk dhe ia pëplasi Enver Hoxhës në fytyrë. Ky s’u bë i gjallë, në vend që të mbante një qëndrim burrëror prej shqiptari me vetëdije të lartë kombëtare.

Për fatkeqësinë tonë kombëtare, historianët “e liçensuar” nuk i zbuluan asnjëherë arsyet e vërteta të hedhjes poshtë të Marrëveshjes së Mukjes. Me heshtjen e tyre për atë Marrëveshje, ata braktisën të vërtetën historike, u radhitën përkrah ideologjisë komuniste, e cila u shartua në vendin tonë nga ana e serbosllavizmit, përmes emisarëve të tij Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviçi, dhe ngritën bateritë kundër përfaqësuesve të nacionalizmit shqiptar, sikur gjoja ata ishin shkaktarët e përçarjes ndërshqiptare.

Me përvojën tuaj të pasur, keni studiuar shumë dokumente arkivore dhe gjatë hulumtimeve serioze që keni bërë në truallin e historisë së viteve të luftës në trevën e Përmetit dhe më gjerë, keni zbuluar shumë të vërteta, për të cilat historia zyrtare ka heshtur. Ka heshtur qëllimisht, sepse po të fliste me gjuhën e fakteve, siç keni folur ju, atëherë do të dilte në dritën e diellit e vërteta tragjike rreth tre objektivave që shovinizmi serbomadh u kishte ngarkuar emisarëve të vetë në Shqipëri, emisarë këta, të cilët “themeluan PKSH si agjenturë solide të tyren, futën vendin në një luftë civile dhe larguan nga pushteti elementin nacionalist shqiptar”.

Këto tri objektiva, Enver Hoxha, në përputhje me orientimet Beogradit, i realizoi më së miri. Këtë e vërteton fare qartë kjo dëshmi tronditëse për lidhjet e ngushta të  Enver Hoxhës me titizmin jugosllav: “… Kallxon nji zojë e cila, aso kohe bante punën si përkthyese në shërbim përsonal të sekretarit të Partisë Enver Hoxhës, në marrëdhanje diplomatike me ambasadën e Jugosllavisë në Tiranë, si nji ditë me nji bashkëfjalim ndërmjet ambasadorit titist e Enverit, ky i fundit shend e verë i paska pasë kumtue përfaqësuesit të Beogradit gati-gati si tue u krenue: “E mbytëm Patër Anton Harapin e, me të kemi plagosë për vdekje Klerin Katolik!..”. Simbas rrëfimit të grues, ambasatori, diplomat i vjetër panserbian, i paska pasë përgjegjë: “Po, po! Po keni endè gjallë Patër Gjon Shllakun, i cili peshon shumë”, ndaj duhet – vazhdoi ai – “simbas porosisë që kam prej qeverisë sime, të zhdukni Shllakun dhe të shkatrroni kulm e themel çerdhen e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye Françeskanët!” Pra, Enver Hoxha i mburrej përfaqësuesit të një shteti tradicionalisht armik të kombit shqiptar, se si ai vriste shqiptarë dhe se si merrte udhëzime për të vrarë të tjerë shqiptarë.

Në veprën tuaj me taban të shëndetshëm shkencor, ju keni dhënë një kontribut të shquar në studimin e historisë të trevës suaj amtare, duke hedhur dritë në një shkallë të konsiderueshme mbi pasqyrimin e saj, me sa më shumë objektivitet. Prej studimit që ju i paraqisni lexuesit nxirret një përfundim interesant: Në procesin e grumbullimit të dijeve historike janë të mundshme përftesat dhe firot. Me këtë rast, për shkak të arsyetimeve ideologjike, jo vetëm ngjarje të veçanta, por madje edhe periudha të tëra janë zhdukur nga fushëpamja e historianëve “të liçensuar”. Pikërisht këta historianë kanë fshehur qëllimisht servilizmin flagrant të udhëheqjes komuniste para Dushanit dhe Miladinit, të cilët Enver Hoxhën e kishin shndërruar në njeriun e tyre të bindur plotësisht.

Nga libri juaj mësojmë se njeriu me cilësi të larta morale, nuk ka liri të zgjedhë, pasi zgjedhja e tij është përcaktuar që në gjenezë, ngaqë liria e zgjedhjes te njeriu është pjesë e prirjeve të kundërta të tij. Sido që ta bëjmë zgjedhjen, në mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme, dy janë rrugët: Do të përballemi me zgjedhjen që buron nga një veprim i diktuar nga arsyeja apo nga pasione irracionale, sepse problemi i zgjedhjes nuk është çështje e mundësive të barabarta. Në rastin e personazheve të skalitura në studimin tuaj, përballemi me njerëz që kanë përqafuar rrugën e progresit në kundërshtim me regresin, të burrave që kanë preferuar të ushqejnë dashurinë dhe të shpërndajnë urrejtjen, të luftëtarëve që kanë vlerësuar mbi gjithçka pavarësinë dhe lirinë, në kundërshtim me skllavërinë.

Ju keni zbuluar me fakte konkrete mjerimin e udhëheqjes komuniste shqiptare, e cila, në Plenumin e Beratit që u mblodh më 23 nëntor 1943, e kishte bërë “zot shtëpie” emisarin e Titos, kolonelin Velimir Stojniç. Prandaj ai shovinist serbomadh, nga tribuna e atij plenumi, lëshonte një deklaratë poshtëruese për vendin tonë: “Shqipëria jo që nuk e rrit dot ekonominë e saj, por as e zhvillon dot atë, sepse imperializmi do ta gëlltiste;… e vetmja zgjidhje e saj është të bashkohet në një konferderatë me Jugosllavinë…”.

Enver Hoxha, i mbrujtur mirë tashmë me kolaboracionizmin me shovinizmin jugosllav, në mbledhjen e Byrosë Politike të 15 dhjetorit 1947, del po me të njëjtën deklaratë publike, duke vazhduar poshtërimin e vendit të vet, sipas shembullit të Velimir Stojniçit tre vjet më parë: “Duhet ta fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejt bashkimin de facto të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat (parti, ekonomi, ushtri, etj.), sepse Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur dhe aq më pak të ndërtojë socializmin pa u bashkuar me Jugosllavinë…”.

Shtrembërimi apo fshehja e fakteve historike nga studiues të kohës së diktaturës enveriane, por edhe pas saj, ka bërë që ju, me këtë vepër shkencore, t’u jepni përgjigje pyetjeve se si duhet shkruar tani historia; si të arrihet vërtetësia dhe objektiviteti në trajtimin e saj; mënyrën si mund t’i njohim dukuritë historike në tërë kompleksitetin dhe frymën e tyre kontradiktore; nevoja për t’iu kundërvënë falsifikimit të historisë. Kundërveprimi ndaj synimit të një sërë historianësh dhe publicistësh “të liçensuar”, për t’i interpretuar zhvillimet e ngjarjeve në përputhje me ideologjinë zyrtare në pushtet, është domosdoshmëri e kohës. Kjo për arsye se, duke i servirur ndodhitë e viteve të shkuara, ashtu siç u vjen osh tekave zyrtare, duke anashkaluar të vërtetën, me të vetmin qëllim që ngjarjet historike të pasqyrohen në mënyrë të njëanshme ose të deformohen plotësisht, i sjellim një dëm të madh edhe të ardhmes së kombit shqiptar, pasi nuk do të jetë në gjendje të shmangë gabimet e bëra më parë.

Në faqet e kësaj vepre mësohet me lehtësi se para kombit duhet të sillemi me dinjitet, pasi bijtë e tij i janë përgjigjur çdo thirrjeje, ndonëse politika nuk ka qenë në gjendje t’i udhëheq në drejtimin e duhur. Nevoja ka bërë që shqiptarët të ndërgjegjësoheshin se liria mund të fitohej vetëm atëherë kur kërkohej nga tërësia e individëve dhe jo nga një individ i veçantë. Vetëdija e shqiptarëve ka reaguar në shekuj, pa ndonjë vendim politik, i çfarëdo lloi qoftë ai, përherë në kundërshtim me mendësitë e regjimit pushtues, pa iu trembur shtypjeve të dhunshme që ushtronte makina ushtarake, pa u urdhëruar nga askush, duke u përfshirë vullnetarisht në breza në luftën për liri. Pra, kemi të bëjmë me një moral të lartë popullor, me rivlerësim të besimeve që udhëhiqnin sjelljen shoqërore të njeriut të lirë, i cili drejtohej nga nevoja e një koncepti shoqërisht të përbashkët, për një jetë më të mirë. Kjo, krahas përmbushjes së kënaqësive individuale, mbështetej edhe në gatishmërinë për të shkrirë krejt pasurinë, pa kursyer as jetën për idealin e lirisë.

Në vlerësimin e Kongresit të Përmetit ju e keni vënë theksin me shumë të drejtë në një fakt të pamohueshëm: ai kongres s’ishte gjë tjetër, veçse një kopje e shëmtuar e AVNOJ-it jugosllav. Në atë kongres u hodhën themelet e luftës së klasave, e cila, fill pas nëntorit të vitit 1944, filloi të zbatohej me tërë egërsinë e vet, përmes burgosjeve, internimeve dhe pushkatimeve të kundërshtarëve politikë. Por edhe para vitit 1944 ajo ka qenë konkrete. Vrasja e ballistëve, djegia e shtëpive të tyre, por edhe e njerëzve të tjerë që simpatizonin Ballin, ishte një luftë klase e pastër.  Frytet e asaj lufte klasash, populli shqiptar i voli gjatë viteve ’80, kur degradimi i diktaturës komuniste të Enver Hoxhës e katandisi popullin tonë deri në atë derexhe, saqë ai u gjend ballë për ballë me degjenerimin gjenetik për mungesë të ushqimeve bazë për mbijetesë. Skenari dhe regjisura jugosllave (me kryeaktor Enver Hoxhën) për varfërimin e popullit shqiptar deri në përmasa proverbiale, funksionoi për mrekulli.

Në bindjen time, ju keni bërë vlerësime mjaft objektive për Ballin Kombëtar dhe për Legalitetin. Por duhet pranuar se, sikur Enver Hoxha të kishte patur burrërinë dhe të mos lëvizte nga trualli i shqiptarisë, përballë emisarëve shovinistë jugosllavë, ngjarjet do të kishin ndjekur një tjetër rrjedhë. Por kjo ishte e pamundur për dy arsye: Së pari, Enver Hoxha, si njeri i bindur plotësisht para titizmit jugosllav, i përzgjedhur me kohë e me vakt nga Beogradi për të qenë në krye të partisë komuniste, veproi në përputhje me orientimet e shovinizmit jugosllav, për përçarjen dhe për hedhjen e farës së vëllavrasjes në radhët e popullit shqiptar. Së dyti, komunistët shqiptarë, me në krye Enver Hoxhën, gjatë viteve të luftës kishin si pikësynim kryesor marrjen e pushtetit me çdo çmim, pa lejuar absolutisht bashkëqeverisjen me përfaqësues nga radhët e nacionalistëve shqiptarë.

Ju e theksoni me shumë të drejtë dhe unë ndaj plotësisht të njëjtin mendim me ju, se faji kryesor për gjendjen ku u katandisën Balli Kombëtar dhe Legaliteti pas hedhjes poshtë të Marrëveshjes së Mukjes, bie kryekëput mbi Enver Hoxhën dhe krerët e tjerë të udhëheqjes komuniste, të cilët e futën popullin tonë në luftë vëllavrasëse. Ishin pikërisht ata fajtorët kryesorë, të cilët u bënë shkak që një pjesë e nacionalistëve shqiptarë të bashkëpunonte me gjermanët. Nënkuptohet vetvetiu që krerët kryesorë të nacionalistëve shqiptarë u treguan të paaftë dhe dritëshkurtër pas pushtimit të vendit tonë nga Italia fashiste. Ata nuk u hodhën menjëherë në veprime konkrete, nuk u vunë në krye të popullit për organizimin e tij në luftë të armatosur kundër pushtimit fashist dhe i lejuan vetes që komunistët të organizoheshin nga emisarët jugosllavë dhe t’ua rrëmbenin iniciativën nga dora. Oportunizmi i krerëve nacionalistë del mirë në pah në kujtimet e njërit prej përfaqësuesve të tyre të njohur, ministrit të brendshëm të viteve të luftës, Kol Bib Mirakaj, kujtime këto të botuara në librin e tij me titull “Vetëvrasja e një kombi”, Botimet “Fiorentina”, Shkodër, 2014.

Për sa u përket vlerësimeve tuaja rreth temës, nëse gjatë luftës ka pasur luftë civile apo luftë vëllavrasëse, mendoj se gjykimi juaj është më afër së vërtetës: gjatë viteve të luftës ka pasur jo luftë civile, por luftë vëllavrasëse. Kjo për arsye se lufta civile përfaqëson në vetvete formën më të ashpër të zgjidhjes së kontradiktave shoqërore që janë grumbulluar me kohë dhe që shfaqet si një kundërvënie e armatosur me përmasa të mëdha e dy palëve kundërshtare.

Profesori i shkencave politike në Universitetin e Stanfordit (Stanford University) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhejms Feron (James D. Fearon – 1963), thotë se lufta civile, si një konflikt i dhunshëm brenda vendit, është luftë e grupeve të organizuara, të cilat kanë si pikësynim marrjen e pushtetit me forcë në qendër të vendit apo në një rajon të caktuar, ose ndryshimin e politikës shtetërore.

Nisur nga ky këndvështrim, duhet pranuar se luftë  civile quhet përplasja e armatosur mes shteteve të Veriut dhe të Jugut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitet 1861-1865, luftë civile quhet përplasja mes Ushtrisë së Kuqe dhe Ushtrisë së Bardhë në Rusi,pas revolucionit bolshevik në vitet 1918-1920, luftë civile quhet përplasja mes komunistëve dhe antikomunistëve në Greqi, në vitet 1945-1949. Në të gjitha këto përplasje, palët ndërluftuese kanë pasur formacione ushtarake të mirorganizuara dhe të përmasave të mëdha.

Prandaj ju keni shumë të drejtë që përplasjen mes komunistëve dhe nacionalistëve në vendin tonë, gjatë viteve të luftës, e quani luftë vëllavrasëse dhe jo luftë civile. Ajo ishte vërtet një luftë vëllavrasëse, sepse forcat nacionaliste në vendin tonë nuk qenë të afta të vetorganizoheshin siç duhet, menjëherë pas 7 prillit të vitit 1939 dhe të krijonin forca të armatosura deri në nivel brigadash, e le pastaj për t’u ngritur deri në nivel divizionesh.

Si gjithmonë, ju përgëzoj për punën e vështirë kërkimore që keni përballuar dhe ju uroj suksese në veprimtarinë tuaj krijuese, e cila ka në themel vetëm kriterin e së vërtetës.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Nuri Dragoi, Permeti-Lufta e II, Prof. dr. eshref Ymeri

Paralajmërimi profetik i Presidentit George H.W. Bush

December 6, 2018 by dgreca

1 elida B

Nga Elida Buçpapaj/

Konflikti në Kosovë, i fundit në ish-Jugosllavi, do të shpërthente në marsin e vitit 1998.

Sllobodan Milosheviçi, atëherë presidenti i Serbisë e kishte  harruar letrën që kishte marrë nga Presidenti i 41 i SHBA!

Presidenti George H.W.Bush ia kishte dërguar Sllobos më 25 Dhjetorin e vitit 1992, ditën e Krishtlindjeve!

Që ky ta varte vëth në vesh!

Se të dërgosh e të marrësh letra më 25 Dhjetor ka një simbolikë diplomatike brënda!

Pasi 25 Dhjetori është holiday, ditë festimesh dhe ditë pushimi.

Ditë pushimi edhe për Presidentët e SHBA apo Presidentët e Serbisë!

Presidenti Geroge H.W.Bush e dërgoi këtë letër në Ditën e lindjes së Krishtit, kur shpirti njerëzor reflekton i paqtë për paqe!

E dërgoi gjithashtu si kambanë alarmi, si një letër e jashtëzakonshme për të parandaluar veprime të jashtëzakonshme, sikur është lufta dhe pasojat e tmerrshme që rrjedhin prej saj!

Prandaj kjo letër njihet edhe me konotacionin epik “paralajmërimi i Krishtlindjeve”,  pasi zakonisht për Krishtlindje bëhen vetëm urime!

Ndërsa më 25 Dhjetorin e 1992 Presidenti i SHBA George H. W. Bush në letrën që i drejonte Milosheviçit i tregonte “vijën e kuqe” !

Nëse Slloboja do ta shkelte këtë vijë të kuqe, sikur edhe e shkeli, do ta pësonte!

Letra e Presidentit George H.W. Bush ishte një paralajmërim profetik!

Por Milosheviçi e zhvleftësoi vlerën e atij paralajmërimi, se për ta harruar nuk mund ta harronte kurrë, bile Sllobos sa herë që vinte festa e Krishtlindjeve i kujtohej ai paralajmërim, që do t’i kushtonte shumë shtrenjt!

Në këtë letër historike, nisur më 25 Dhjetorin e vitit 1992, Presidenti George H.W. Bush do t’i shkruante Presidentit të Serbisë: “In the event of conflict in Kosovo caused by Serbian action, the United States will be prepared to employ military force against the Serbians in Kosovo and in Serbia proper.” Që shqip do të thotë: ” Në rast të konfliktit në Kosovë të shkaktuar nga pala serbe, Shtetet e Bashkuara do të jenë të gatshme të përdorin forcë ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe në Serbi. ”

Sikur e tregoi koha “vija e kuqe” dhe “paralajmërimi i Krishtlindjeve” funksionoi pikë për pikë! Bash sikur e shkroi Presidenti i 41-të i SHBA!

Slloboja kujtoi në marsin e 1998 se tashmë në Shtëpinë e Bardhë kishte ardhur një tjetër President!

Kujtoi shumë gabim!

Do të gabojnë rishtas kush do të kujtojë se tashmë meqë George H.W.Bush nuk jeton më, paralajmërimi i tij profetik po ashtu!

Se burrashteti si Presidenti George H.W.Bush nuk vdesin kurrë, ata i forcojnë themelet SHBA dhe bëhen veç rrënjë të lirisë dhe idealeve për demokraci!

Sepse e ardhmja është e lirisë jo e luftës, pikërisht ashtu si e përcaktonte vetë Presidenti George H.W.Bush kur thosh:  “Ne e dimë se çfarë funksionon! Liria funksionon! Ne e dimë se çfarë është e drejta! Liria është e drejta!

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, George H.W Bush, Kosove, Krishtlindje

PRESIDENTI GEORGE BUSH SI NËNË TEREZA – NË SHËRBIM TË TJERËVE

December 6, 2018 by dgreca

2-Frank-shkreli-2-300x183-1-1-1

Nga Frank Shkreli/

Presidenti Trump ka shpallur Ditën e Mërkurë ditë zije kombëtare për ish-Presidentin George H. W. Bush, i cili u nda nga kjo jetë në moshën 94-vjeçare.  Presidenti George Bush i vjetër kujtohet këto ditë si një person me karakterin më të lartë njerëzor dhe si një President, shembulli i të cilit do të frymëzojë gjithmonë amerikanët dhe të tjerët.  Shërbimi i tij jetësor publik dhe privat, ndaj atyre që janë në nevojë, të varfër dhe të harruar, qoftë në Amerikë qoftë edhe jashtë saj, do të ruhet dhe do të kujtohet përgjithmonë në zemrat e Amerikanëve dhe popujve të tjerë.  Më shumë se 25 vjet më parë, Presidenti George Bush i vjetër i dha jetë dhe drejtim një lëvizjeje të re për të ndihmuar njerëzit më në nevojë – një lëvizje kjo, e cila që prej atëherë e deri më sot ka ndryshuar, për më mirë, jetën e shumë njerëzve, duke përmirësuar jetën në shumë komunitete të ndryshme, anë e mbanë këtij vendi dhe në mbarë botën. Në fjalimin e tij me rastin e inaugurimit si president i 41-të i Shteteve të Bashkuara, në vitin 1989, Presidenti Bush i vjetër u bëri thirrje amerikanëve që të ndërmerrnin veprime vullnetare në komunitetet ku jetonin si, “pika ndriçimi duke bërë mirë anë e mbanë vendit.”  Në fjalimin e tij të inaugurimit president, kjo ishte tema kryesore, ndërsa ai pat premtuar, “në një moment plot shprese”, për të përdorur fuqinë e Amerikës, si një “forcë për të bërë mirë” në botë. Duke njoftuar programin e lëvizjes “Points of Lights”, Presidenti Bush është shprehur me atë rast se, “Amerika nuk është kurrë e plotë, në qoftë se nuk angazhohet për një parim të lartë moral.  “Ne si popull, e kemi këtë sot si një qëllim për t’u realizuar.  

Duam që fytyrën e këtij Kombi ta bëjmë më të përzemërt dhe fytyrën e botës ta bëjmë më të butë e më fisnike.  Ka shumë punë për të bërë. Kemi të pastrehët, të humburit dhe të harruarit, për të cilët nuk kujdeset kush. Kemi fëmijë për të cilët nuk kujdeset askush, e që nuk njohin dashuri as nuk gëzojnë jetë normale…të gjithë kanë nevojë për kujdesin tonë, për këshillat dhe ndihmën tonë”.  Pasuria, pat thënë me atë rast Presidenti Bush i vjetër, nuk është vlera për të cilën duhet të jetojmë.  Jeta jonë nuk duhet të matet dhe të vlerësohet bazuar në pasurinë që kemi akumuluar, duke shtuar se, “Nuk mund të shpresojmë që fëmijëve tanë t’u lëmë pas një veturë sa më të madhe e më të mirë, ose një librezë llogarie bankare me një shumë sa më të madhe.  Por ne duhet të shpresojmë që t’u lemë pas një mirëkuptim dhe trashëgimi, se çdo të thotë të jesh një mik besnik, një prind i dashur për fëmijët, një qytetar i cili lë pas shtëpinë e familjen, mëhallën dhe qytetin ku ka jetuar, pak më mirë se ç’i kishte gjetur…, nëse do të mbahemi mend si dikush që interesohet dhe pyet, nëse një fëmije të sëmur i ka bërë më mirë dhe nëse ndalohemi për ta përshëndetur atë duke shkëmbyer fjalë miqësore me të!”

Presidenti Bush i vjetri i kushtoi një vëmendje të posaçme shërbimeve vullnetare nga qytetarët, si një mjet për të zgjidhur disa prej problemeve më serioze të shoqërisë amerikane – duke theksuar gjithmonë fuqinë dhe vullnetin e qytetarëve për të zgjidhur vet problemet e komuniteteve ku jetojnë.  Ai vet i ka cilësuar  anëtarët e lëvizjes së themeluar prej tij, “Points of Light” si shpirti dhe zemra e Amerikës.  “Ata janë njerëz të thjeshtë, të cilët në mënyrën më altruiste prekin jetët e atyre që janë nevojtarë e të varfër duke u dhënë atyre shpresë e mundësi, kujdes dhe duke u shtrirë dorën e miqësisë.  Duke dhënë aq shumë nga vetja e tyre, këta individë të dalluar na tregojnë të gjithë neve, jo vetëm më të mirat e trashëgimisë tonë, por janë gjithashtu edhe dëshmitarë se çfarë mund të bëhemi edhe ne”, në shërbim të tjerëve”, ka theksuar Presidenti Bush i vjetër.

Me këto fjalë, që duket sikur do t’i kishte predikuar Nënë Tereza, e jo një president i Shteteve të Bashkuara, Presidenti George Bush ka vazhduar misionin e tij në këtë fushë, madje edhe pasi ishte larguar nga detyra e presidentit:  të promovonte dhe të drejtonte lëvizjen vullnetare me një vizion strategjik, duke frymëzuar individët, kapitalin dhe publikun në përgjithësi dhe njëherazi duke ndryshuar për më mirë sektorin e shpërndarjes së ndihmave shoqërore, në përgjithësi.

“Çdo përcaktim i një jete të suksesshme, duhet të përfshijë shërbimin ndaj të tjerëve”, ka thënë Presidenti George Bush.  Ndërsa, Nënë Tereza – një murgeshë me origjinë shqiptare, e cila jetën e saj ia kishte kushtuar të varfërve dhe të harruarve të shoqërisë, anë e mbanë botës, gjatë jetës së saj ka takuar udhëheqësit më të njohur të botës, përfshirë edhe Presidentin George Bush të vjetër, siç mund të shihet në fotografinë më poshtë.  Një citim i saj në lidhje me shërbimin ndaj të varfërve është mjaft identike me thënien më lartë të Presidentit Bush.  Ajo citohet të ketë thënë se, “Një jetë që nuk i kushtohet shërbimit ndaj të tjerëve, nuk është jetë.”

Në të vërtetë, lidhjet e Nënës Terezë me Shtëpinë e Bardhë kishin filluar gjatë administratës së Presidentit Regan, Zëvendës-President i të cilit ishte George Bush i vjetër, siç mund të shihet në artikullin e bashkangjitur më poshtë në anglisht.  Aty përshkruhet kontakti i Nënë Terezës me ish-Presidentin Ronald Regan në vitin 1986, të cilit ajo i kërkonte ndihmën për t’u dërguar ushqim banorëve të uritur të qytetit Juba në Sudanin e Jugut, të cilët ishin të rrethuar dhe që po vdisnin nga uria, ndërkohë që bota nuk çante kokë për ta.*

Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara George H. W. Bush me bashkëshorten e tij Barbarën takohen me Nënë Terezën në Zyrën Ovale të Presidentit në Shtëpinë e Bardhë – Washington, D.C. 9 Dhjetor, 1991 Është meritë e Presidentit Bush i vjetër që sot edhe pas më shumë se 25 vjet nga inaugurimi i ish-Presidentit, lëvizja “Points of Light”, është organizata më e madhe në botë kushtuar shërbimit vullnetar – e cila frymëzon, furnizon dhe mobilizon miliona njerëz për tu angazhuar në veprimtari vullnetarizmi që po ndryshojnë botën, duke ndihmuar të varfrit e më të varfërve, siç u është referuar atyre, Nënë Tereza.  Organizata “Points of Light”, e frymëzuar dhe themeluar nga i ndjeri President Bush i vjetër, ka më shumë se 200 degë në 35-vende të botës, në partneritet me mijëra firma dhe organizata jo fitimprurëse, sipas organizatës së fjalë. Nuk ka dyshim se fjalimi i njohur tani si fjalimi i “njëmijë pikave ndriçimi”, (A thousand Points of Life”) George H. W. Bush, si Presidenti i 41 (1989-1993), kishte sjellë në Shtëpinë e Bardhë — një dedikim ndaj vlerave amerikane, si dhe një vendosmëri për të bërë sipas tij,  Shtetet e Bashkuara një, “Vend më të mirë dhe më bujar”, përball ndryshimeve dramatike të fund shekullit të kaluar, jo vetëm në Amerikë por dhe në botë, gjatë mandatit të tij presidencial, kur ai udhëhoqi Shtetet e Bashkuara.

Vdekja dhe ceremonia e varrimit të Presidentit George Bush të vjetër u ofron amerikanëve, por jo vetëm atyre, një mundësi për të reflektuar mbi natyrën e fisnikërisë dhe bujarisë njerëzore që mundëson shërbimi publik si dhe nevojën e madhe për të ndihmuar të tjerë më në nevojë – secili prej nesh si individ dhe si shoqëri — më të varfrit në mesin tonë këtu në Amerikë dhe kudo në botë.  Siç ka thënë edhe Nënë Tereza, “Në qoftë se nuk ke mundësi të ushqesh 100-të uritur, atëherë ushqeje një të uritur, më të afërmit pranë teje”, ose, “Mos prit që udhëheqësit të ndihmojnë, bëje vet këtë punë, nga një person tek tjetri”.  Ky ishte dhe është edhe mesazhi i Lëvizjes vullnetare, “A Thousand Points of Life”, themelimin e të cilës Presidenti George Bush i vjetër kishte njoftuar si temë kryesore në fjalimin e tij të inaugurimit president, në vitin 1989.

Me gjithë dështimet dhe sukseset e Presidentit George Bush në fushën e politikës së brendshme dhe në fushën e politikës së jashtme përfshirë marrëdhëniet ndërkombëtare, duke i dhënë fund Luftës së Ftoftë me shembjen e komunizmit dhe shpartallimin e perandorisë komuniste sovjetike në mënyrë paqësore – porosia e Presidentit Bush për të ndihmuar nevojtarët dhe të varfrit – nëpërmjet vullnetarizmit – është gjithashtu një shembull dhe një pasuri e trashëguar prej tij sot dhe do të vazhdojë të frymëzojë edhe brezat e ardhshëm në këtë drejtim, jo vetëm këtu në Amerikë por edhe anë e mbanë botës.

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, President Bush, si Nene Tereza

U PËRCOLL ME NDERIME ATDHETARI NIKO KIRKA

December 6, 2018 by dgreca

NIKO KIRKA U KACAFYT DISA HERE ME VDEKJEN DHE … E ZMBRAPSI…./

2 Nikolla1 Zhani fjalimi1 aa sallaaa1 Gjoni flet2 prifti te varri

Komuniteti shqiptar përcolli me nderime e respekt atdhetarin, qëndrestarin, antikomunistin e pakompromis Niko Kirka, i cili ndërroi jetë të dielën me 2 Dhjetor 2018, në orën 7 e 10 minuta të mëngjesit në spitalin Calvary në Bronks, në prani të familjes.

Ditën e Martë, 4 Dhjetor, komuniteti shqiptar bëri homazhe në Shtëpinë Mortore”Farenga Brodher”, më Allerton Ave në Bronx, ku ishte vendosur i rrethuar me kurora me lule arkmorti me trupin e  të ndjerit.

Komuniteti, familje, individë, organizata, ngushëlluan Familjen Kirka. Të Mërkurën në orën 10 e 30 të mëngjesit në Shtëpinë Mortore”Farenga Brothers”, u organizua ceremonia përcjellëse. Lutjet dhe ritet fetare i bëri fadher Nikodhim, prift i kishës Orthodokse St. Nicholas në Nju Jork.

Fjalën përcjellëse e ka mbajtë nipi i Niko Kirkës, Zhani Lito. Ai përcolli elegjinë kushtuar dajës së tij, Niko Kirka. E japim të plotë: ” Një shprehje e vjetër thotë se vetëm vdekja dhe taksat janë, dhe gjithëmonë do të jenë,  të sigurta. Por një person, që unë kam menduar se e vinte këtë të ashtuquajtur”siguri” të vdekjes , në pikëpyetje, ishte Niko Kirka. Arsyeja që unë mendoja këtë gjë të pabesueshme është sepse Niko Kirka gjatë jetës së tij e ka parë vdekjen disa herë në sy dhe vdekja është mbrapsur. Niko Kirka e pa vdekjen shumë afër në burgun e Korçës, si një 19 vjeçar, kur sigurimi e kishte futur  në qilarin e atyre që po pushkatoheshin, me qëllim që t’ia thyenin shpirtin. Vdekja u kacafyt me Niko Kirkën në kënetën e vdekjes, në Maliq, dhe në kampet e tjera të Shhqipërisë komuniste, por gjithëmonë Niko Kirka, triumfoi, mbijetoi dhe vdekja u zmbraps. Aq e fuqishëm ishte mbijetesa e Niko Kirkës në kampin e përqëndrimit të Vloçishtit, sa që një hoxhë i burgosur atje, me lot në sy, i tha Nikos: Vetëm Ti dhe Krishti jeni ringjallur!

Po pse Niko Kirka ishte kaq i fuqishëm? Çfarë e mbante Nikon të fortë kur të tjerët thyheshin dhe vdisnin?

In the Bible-John 8:32 Then you will know the truth, and the truth will set you free.

E vërteta- Të tregohet e Vërteta!-, ky ishte Misioni që Niko i kishte vënë vetes. Të jetonte që të tregonte të vërtetën mbi komunizmin, ishte ky “sekreti” që e fuqizonte dhe e bënte të thyente vdekjen. Ishte misioni që i kishte vënë vetes për të treguar të vërtetën për të Atin, Kristo Kirkën, patriotin dhe vatranin e lavdishëm, që komunizmi e burgosi, e la pa varr, dhe u mundua që ta fshijë nga historia.

 

Ky mision i dha fuqi dhe kurajo. Qëllimi i këtij misioni e bëri të palëkundur para vështirësish të pa imagjinuara dhe të pafund. Ky qëndrim i kaliti karakterin dhe e bëri të vendosur deri në fund, derisa t’ia arrinte qëllimit të tij madhështor dhe historik, Niko Kirka kurrë nuk u lëkund në besimin se komunizmit do t’i vinte fundi dhe e vërteta do të triumfonte. Dhe Niko Kirka ia arriti qëllimit të tij. Komunizmi u thye, bëmat famkeqe të komunizmit u njohën botërisht dhe libri i Kristo Kirkës, dhe i jetës së tij, është botuar dhe historianët shqiptarë e lexojnë dhe nderojnë kujtimin e Kristo Kirkës.

Sot ne jemi mbledhur me dhimbje në zemër dhe lot në sy për Nikon tonë të dashur, por të gjithë e dimë se Nikoja gjithëmonë do të jetë pranë nesh si shembull i karakterit të pathyeshëm….

Persona si Niko Kirka kurrë s’vdesin, ata janë si ushtarët që “Fade Away” si e përshkruan gjeneral Macarthur.

Dajë i dashur Niko, ti tani je mes të dashurëve tanë dhe ne të gjallët pacim bekimin tënd!

I përjetshëm qoftë kujtimi i Niko Kirkës!”

Një mesazh ngushëllues për familjen dhe vlerësues për të ndjerin Niko Kirka, si antikomunist  dhe qëndrestar përballë diktaturës dhe komunizmit, që ende është në këmbë, përcolli  Dr. Gjon Bucaj.

 

Varrimi i të ndejrit u bë në Farnclif Cemetery, NY, ku preheshin eshtrat e Mitd’hat Frashërit dhe ku prehen eshtrat e nacionalistëve të tjerë që kanë ndërruar jetë në Nju Jork si: Zef Pali, Luan gashi, Sefer Mujo e të tjerë.

Më pas familja ka shtruar drekën për shpirtin e njeriut të tyre të dashur Niko Kirka në restorantin”Maestro’s”.

Prehu në Paqë Niko Kirka!

*(Per me shume fotografi shihni ne Facebook-dielli vatra

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Niko Kirka, u percoll me nderime

PROTESTA- Studentët nuk tërhiqen, nesër përballë Ramës

December 6, 2018 by dgreca

…studentët duket se e kanë seriozisht dhe po tentojnë t’i japin një leksion , jo vetëm Qeverisë, por edhe Opozitës : Një Qeveri nuk rrëzohet me deklarata e me vidio- përgjime, por me forcën e protestave masive.Studentët i kanë dhënë fund protestës për sot, por ata janë shprehur se do të mblidhen sërish nesër për të vijuar rezistencën e tyre deri sa të plotësohen edhe 4 kushtet e tjera. Cilat jane kerkesat? Kliko siper dokumentit te meposhtem…/

1 Protesta Ministria2 ok Protesta1 Pankarta

Protesta e studentëve të Universiteteve shqiptare hyri në ditën e dytë dhe forca e saj erdhi në rritje. Kur Qeveria e pa se forca e protestës studentore mund të risjellë Dhjetorin e dytë dhe përmbysjen e saj, nxitoi të nxjerrë sot shpejt e shpejt Vendimin nr.723, që shfuqizon pagesën e tarifave. Madje për ta bërë më të besueshme Kryeministri e shoqëroi lajmin e anulimit edhe me origjinalin e fotografuar të Vendimit të firmosur. Cfarë shkruhet në Vendim:” Këshilli i Ministrave bën zyrtar premtimin e dhënë nga ministrja Lindita Nikolla në mesditë se qeveria do të tërhiqej nga vendimi.Ministrja informon studentët për shfuqizimin e pikës 4 të VKM-së nr.288Studentët nuk do t’i nënshtrohen tarifës së shkollimit për kredit për detyrimet apo lëndët përsëritëse. Qeveria ‘Rama’ vendosi që të zyrtarizojë shfuqizimin e VKM nr. 228 për tarifat e studentëve përsëritës.Këshilli i Ministrave bën kështu zyrtar premtimin e dhënë nga ministrja Lindita Nikolla në mesditë se qeveria do të tërhiqej nga vendimi.”….

Por studentët duket se e kanë seriozisht dhe po tentojnë t’i japin një leksion , jo vetëm Qeverisë, por edhe Opozitës : Një Qeveri nuk rrëzohet me deklarata e me vidio- përgjime, por me forcën e protestave masive.Studentët i kanë dhënë fund protestës për sot, por ata janë shprehur se do të mblidhen sërish nesër për të vijuar rezistencën e tyre deri sa të plotësohen edhe 4 kushtet e tjera. Cilat jane kerkesat? Kliko siper dokumentit te meposhtem…

2 kerkesa-e-studenteve

“Nesër në orën 8 mblidhemi tek ministria dhe marshojmë deri kryeministrisë. Dekanët e fakulteteve të mbajnë përgjegjësi për të plotësuar kushtet për institucionet”, tha një përfaqësuesve të Këshillit Studentor.

Studentët kërkojnë gjithashtu edhe përgjysmim të tarifave për shkollimin e tyre. Por Ministria e Arsimit ka thënë se kjo është dicka që vendoset nga vetë fakultetet, jo nga qeveria. Të presim se si do të rrjedhin nesër zhvillimet.Bottom of Form

Ish-zv.ministri: Dekanët të bëjnë publike diplomat dhe doktoraturat

Pas protestës së sotme të studentëve ka reaguar edhe ish-zv.ministri i Arsimit, Taulant Muka, i cili dorëhoq dy javë pas emërimit në këtë post. Muka thotë se protestat e studentëve nuk duhet të ndalen vetëm tek heqja e tarifës për provimet e mbartura. Sipas tij dekanët duhet të bëjnë publike diplomat e tyre, masterat dhe doktoraturat. Ja çfarë shkruan Muka.

Rinia shqiptare tashmë po bashkohet nën një zë: Dije dhe arsim cilësor! Forca rinia, jemi të gjithë me ju!

Politikanët ju quajnë ngelësa dhe barrë për shoqërinë?! Sot do ju këshilloja të shtoni edhe një kërkesë në listën tuaj: të gjithë politikanët dhe rektorët/dekanët të bëjnë publike diplomat e tyre, doktoraturat e tyre për të parë nivelin e tyre arsimor. Shumica e politikanëve shqiptarë, që qeverisin dhe në opozitë, nuk kanë diploma, prandaj ata nuk e duan arsimin dhe dijen- prandaj nuk e duan rininë. Sot ata janë bashkë, sepse sot ata kanë frikë nga ju!

Por ju keni forcën e dijes me vete, një forcë që nuk e mposht asgjë! Largoni çdo politikan që ju bashkangjitet në protestë, ata duan t’ju përdorin! Mos u ndalni në kërkesën tuaj për dije! Vetëm një universitet cilësor mund t’ju sigurojë një të ardhme prosperiteti! Sot jemi të gjithë me ju, ju jeni shpresa!

Filed Under: Featured Tagged With: Protesta e studenteve, Qeveria Rama, terhiqet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT