• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2018

QEVERIA E RE, PËRPJEKJE PËR TË SHPËTUAR TË VJETRËN

December 29, 2018 by dgreca

Fundi i paralajmëruar i një qeverisje demode…./

Ilir-Levonja-300x298

– Lufta brenda llojit është po aq shtërpëzuese sa droga dhe prostitucioni. Edi Ramën nuk mund ta mbroj dot një propaganduese studiosh, a komisarja politike e ekraneve, si Spiropali. As patosi socialist i Erionit të vogël… ai babai i Elbasanit të ha të gjallë. Po kështu edhe xhuxhi i Durrësit… Shpëtimi qëndron tek katarsisi, rruga, masat, përmbysja.

Nga Ilir LEVONJA/

1) Të gjitha këto lëvizje, në qeveri, nuk janë asgjë tjetër veçse ca përpjekje të kota për të shpëtuar rënien e saj. Por ajo ka marrë rrugën. Madje mos u çudisni kur t’i shikoni me ca xhaketa të shqyera, ose të përbuzur, vërtitur qosheve si plaçka të panevojshme. Në një farë mënyre ky është një sinjal i qartë për klasën politike në përgjithësi. I ka rënë për rrisk Edi Ramës që të mbaj mbi shpinë gjithë fytyrat e shushunjëzimit të vendit. Dhe lum shqiptarët nëse veprojnë në kohë, duke hequr përfundimisht dorë nga gara e shpërblimeve për një gjel deti a ca ditë pushimi. Këto statutet limfatike në fb, të të dorëhequrve, nuk janë asgjë. Mos u merrni me përshembull ish ministren e arsimit Nikolla. Si ia dhjeu kryeministrit me diplomaci etj. A lotët e iks a ypsilon ministri. Nuk kishin asgjë në dorë. As ai, as ajo, as ajo tjetra e kulturës, apo ai që dilte nga shtatë herë në ditë, ai i pusetave dhe bërrylave të rrugëve. Ai i energjisë a i turizmit… Ishin të gjithë ca kuklla tavoline, që zhvendoseshin kollajllisht. Jo nën petkun e intelektualit a sharmin e shtetarit që punon për vendin, por ca figurinave që janë gati të përpëliten në litar mjaft që t’i shërbejnë shefit. Ka marrë gremisjen e gjitha. Dhe kjo jo për hatër të opozitës. Jo, jo aspak… Jo për hatër të këtij apo atij, por për hatër të kohës. Si opozitarizmi dhe qytetaria janë mundur prej kohës. Kjo për faktin se opozitarizmi nuk e njeh qëllimisht sublimitetin. Dhe Edi Rama, nuk ka se çfarë të bëj me pushtetin. Nuk di ku ti shpjerë duart. Kanë marrë fund pasi koha i ka nxjerrë zbuluar.

2) Në fakt vendi ynë ka nevojë jo vetëm për një katarsis politik, por edhe një lëvizje me veprim të drejt për drejtë në dënimet publike. Dhe kam përshtypjen se po i vjen era. Ka nevojë për një parapërgatitje burgjesh, për konfiskime etj…, pasi vetëm kështu mund të shkarkoj dëmin e madh moral karshi qytetarit që po e braktis, por edhe atë ekonomik të faturave të mbarsurave, të prishjeve pa fund, borxhe që u takojnë atyre që nuk kanë lindur akoma. Deri sa na ka mundur koha, them se këtë nuk pres ta bëj përshembull ish ministrja e kulturës. Apo ai i pusetave etj. Ka vdekur një herë e mirë dinjiteti intelektual. Janë të gjithë ca zorraxhinj të tenderimeve duke bërë garë me njëri-tjetrin në përqindjet e zhvatura. Kjo është arsyeja që nga dje e sot vlaga e internetit yshtet mbi atë që se çfarë thotë a si i përgjigjet ky ministër apo ai ministër pas shkarkimit të beftë prej Edi Ramës. Eshtë një qejfhumbje kohe, sepse asnjë prej tyre nuk ishte i dobishëm. Ishin thjesht ca marioneta që firmosën pa fund, fonde me destinacione përfitimesh personale. Përshembull kjo kulutra shqiptare, një dështim total, i gjithi. Një theqafje me sukses…, pasi ironia më e madhe është një fakt që të dërrmon sytë. Thua viti i Skënderbeut, dhe hapësirën televizive të shqiptarëve e mbush me telenovela Turqie. Askush nuk pyeti se sa është përqindja e kohës që shqiptarët të njohin hallet e vetveten midis atyre vet, Skëndërbeut dhe Mehmet pushtuesit. Është një absurditet social. E për më tepër për një shtet që akoma nuk i ka dhënë një dorë gëlqere shtëpisë së poetit kombëtar Gjergj Fishta. Kjo është çështje gjenetike e kohës, kur nuk di se çfarë bën tjetër me pushtetin veçse të vjedhësh. Ndaj mos u kënaqni me këto se si ia ktheu iksi apo ypsilon ministër Edi Ramës. Mos u kënaqni, por qani.

3) Eshtë një nga ato përpjekje djallëzore për të shpëtuar jo për të ndrequr qeverisjen e vendit. Nuk ka më qeveri ai vend. Dje studentët, sot ca mërgimtarë. Nuk e di deri ku arrijnë fjalët e manipulimeve nga partitë, por për një gjë ju siguroj… në sytë e emigrantëve, sidomos atyre që kanë kapur dekadën, përdorimi politik është një strategji e dalë boje. Pasi në raport me vendin ku jetojnë, duke parë se si bëhet politika aty, nuk intimidohen nga afshet partiake, qofshin majtas apo djathtas. Të jeni të bindur se tek një emigrant perëndimor nuk ka dashuri të përjetshme karshi njëshave. Nga ajo dashuria me aromë diktature proletariati etj., vrit e prit e prij Enver, jemi grusht bashkuar rreth teje. Përkundrazi ka neveri me shumicë kur shohin akoma fytyra që bëjnë politikë prej gati tridhjetë vjetësh tashmë. Sidomos kur ata janë emigrantë ekonomikë…, ruhuni nga emigrantët e rrahur prej politikës.

Eshtë një nga ato përpjekje e stërmunduar, ku ai që e di më mirë se kushdo tjetër, që e ka humbur betejën është vetë Edi Rama. Dhe me siguri është duke studiuar obsionet a modelin Gruevski. Kjo nga betejat e humbura me klanin e oligarkëve dhe kartelin e drogës. Por dhe rrathët e shtuar të emisarëve klanore brenda llojit. Lufta brenda llojit është po aq shtërpëzuese sa droga dhe prostitucioni. Edi Ramën nuk mund ta mbroj dot një propaganduese studiosh, a komisarja politike e ekraneve, si Spiropali. As patosi socialist i Erionit të vogël… ai babai i Elbasanit të ha të gjallë. Po kështu edhe xhuxhi i Durrësit… Shpëtimi qëndron tek katarsisi, rruga, masat, përmbysja.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, PËRPJEKJE PËR TË SHPËTUAR, Qeveria e re, TË VJETRËN

Më të mirët e Korçës

December 29, 2018 by dgreca

Më të mirët e Korçës- E meritojnë shpërblimin moral të viteve të tyre të arta/

1 presidenti salle.jp_1 te dekoruarspasee dekoruar

Shkruar nga Raimonda MOISIU/*

Korça ime/jonë përjetoi  në një ceremoni mbresëlenëse dhe e organizuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë Z. Ilir Meta dhe Kryetari i bashksë Korçë z. Sotiraq Filo, të cilët vlerësuan e dekoruan disa sportistë të shquar të qytetit ndër vite; Tamara Nikolla Tanellari, Pavlina Evro Ylli, Dhimtraq Xhambazi, Piro Kasati, Koço Dinella, dhe Zamira Koleci, shkrimtarin Sterjo Spasse me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”: personalitete që morën shpërblimin moral të viteve të tyre të arta. Në këtë tentativën time kësaj here edhe unë autorja e kësaj esseje spontane dëshiroj tu sjell pasazhe  interesante, origjinale, informuese, historike e vlerësime dinjitoze të shkruara prej meje dhe të botuara në shtypin shqiptar dhe shqiptaro-amerikan,  nëpërmjet intervistave,  esseve dhe profileve të këtyre personaliteteve të nderuara. Ndjehem e lumtur dhe krenare,  që me shkrimet e mija kam shërbyer denjësisht në vlerësimin e figurave të tilla të krenarisë së Korçës dhe sportit korçar, atij shqiptar, dhe  artit e kulturës shqiptare. Por edhe për një arsye tjetër unë kurrë nuk do të lodhem se transmetuari këto vlera, vetveten, ndikimin që kanë këto vlera, me qëllimin e mirë vetëm e vetëm për t’i bërë të njohur dhe integruar, shpirtin intelektual, identitetin dhe krenarinë kombëtare shqiptare dhe identitetin e dijes dhe kultures korçare. Është detyrimi i eternitetit që kemi ndaj këtyre figurave të tilla.

E kush nuk do të dëshironte sot të kthehej ndër ato vite të shekullit të kaluar, të sillte panoramën- kujtesën mbresëlënëse dhe historike, elitën e shquar të sportit shqiptar, ata që bënë historinë e sportit shqiptar, futbollistët dhe sportistet legjendë dhe heronj të kohës që jetonin, të cilët me inteligjencë, pasion, talent e profesionalizëm, arritën të shkruanin historinë në nivel kombëtar, europian e botëror. Disa prej tyre prehen në Paqen e Amëshura, disa prej tyre janë aty edhe sot –fisnikë e krenarë, idhuj e legjenda, ata janë e do të mbeten figura madhore, jo vetëm për gjeneratën që i përkisnin dhe të ardhmes, por edhe për ata ëndërrimtarët, sportistët e rinj, që dëshirojnë t’iu ngjajnë atyre; që bënë Epokën!

Tamara NIKOLLA Tanellari (mbas vdekjes)

Ndjej  dëshirën, forcën e saj, t’i bëja homazh emrit dhe figurës së saj dhe të sjell në kujtesën e kombit shqiptar, të historisë së sportit shqiptar, të mijërave sportdashësve, lexuesve, figurën e volejbollistes së shquar e të talentuar korçare,”Mjeshtres së Merituar”, të sportit, “Nderit të Sportit Shqiptar”, nderit të Korçës sonë, e gjithë Shqipërisë , Tamara Nikolla Tanellari; “Njeriu dhe sportistja e mirë te Tamara Nikolla qenë shkrirë në një. Vlerat e larta morale dhe ato sportive të shkrira po në një. Jeta e saj sportive është sa monumentale, aq e artë për Korçën e saj të dashur, për ekipin e “Skënderbeut”, për historinë e sportit shqiptar që ajo idha aq shumë, ajo është simbol i sportit, në mënyrë të veçantë, i lojërave me dorë.”

Legjenda e Futbollit Shqiptar -SUPERMBROJTËSI -Teodor VASO.

Ndër ta është edhe legjenda, ikona e futbollit korçar dhe atij shqiptar-i pakalueshmi,-Teodor Vaso- një figurë sportive dominuese në ndeshjet kombëtare e ndërkombëtare, që  i dhanë famën dhe historinë e një futbolli  më profesional, spektakolar, historik e mitik  të shekullit të kaluar! Teodor Vaso është futbollisti mes më të mëdhenjve futbollistë shqiptarë, që ka njohur ndonjëherë historia e futbollit shqiptar, që me lindjen e tij. Më një karrierë të artë, që përputhet me biografinë e mahnitëshme e të pakalueshmit -Teodor VASO.

Ka lindur dhe aktualisht jeton në qytetin e Korçës. Është diplomuar në Institutin e Kulturës Fizik “Vojo Kushi” në Tiranë. Trajner dhe Specialist futbolli pa ndërprerje, që nga viti 1972-, -55 vjet aktivitet sportiv. Në dy vitet e fundit, 2012-2013, në funksionin e të deleguarit të FSHF-së, për ndeshjet në qarkun e Korçës. Kampion kombëtar me ekipin”Partizani”në vitin futbollistik 1963-64 dhe fitues i Kupës së Republikës në atë vit dhe në vitin 1966-ë. Fitues i Kupës Ballkanike me klubet,  në  1970 –ën,  veçmas me ”Partizanin”. Fitues i anketës 5 Sportistët më Të Mirë të vitit 1967-ë, në përbërje të ekipit kombëtar të futbollit, që eliminoi RFGjermane, në 17-12-1967—ën. “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, dekoruar me “Medaljen e Artë” për merita të shquara në sport’, me rastin e 90 vjetorit të themelimit të Shoqërisë së parë kulturalo- sportive, në Korçë.  Medalje e FSHF, me motivacionin për rezultate të larta në ndeshjet e futbollit me ekipet, që ka luajtur brenda dhe jashtë Shqipërisë. Futbollisti “Më i Mirë i Shekullit” për Korçën, në anketën e bërë me rastin e 90 vjetorit në fjalë. Ka luajtur në të gjitha rolet e formacionit futbollistik, me përjashtim të rolit të portierit, në të gjitha ndeshjet kombëtare dhe ndërkombëtare. Ka shënuar 26 gola duke qenë në role mbrojtëse, dhe ka qenë përfaqësues në 36 ndeshje ndërkombetare, 18 ndeshje me kombëtaren shqiptare, 15 ndeshje me skuadrën”Partizani dhe 3 me skuadrën Korçare. Në një intervistë ekskluzive, që kam zhvilluar me të, para do kohe  – Teodor Vaso rrëfeu historinë futbollistike të jetës së tij, sportit shqiptar dhe të plot kolegëve, që së bashku bënë Epokën   e Futbollit shqiptar. Vaso na rrëfeu dritën që ata lanë pas.

Pavlina EVRO YLLI

E kush nuk do të dëshironte të shkruante për Legjendën e Atletikës Shqiptare – Pavlina EVRO YLLI dhe historinë e saj. Ajo i përket “muzeut historik të Brezit të Artë” (Golden Generation) të sportistëve dhe bëri HISTORINË –jo vetëm brenda vendit por edhe jashtë kufijve në Ballkan, Europë e Botë, i dha emër Shqipërisë, Korçës tonë në shumë evenimente kombëtare e ndërkombëtare. Nuk besoj se ka korçar dhe shqiptar që nuk e njeh Legjendën e Atletikës Shqiptare, – Pavlina EVRO-Ylli -Kampione e Europës, me mbi 120 medalje kombëtare e ndërkombëtare. Edhe sot pas 30 vjetësh qëndron në këmbë në atletikën botërore dhe lojërat olimpike, rekordi i vendosur nga atletja shqiptare, Pavlina EVRO-Ylli, -një garë 1500m -3000m, që Pavlina jonë bëri legjendën në Oslo të Norvegjisë, triumfoi dhe valëviti flamurin shqiptar duke na bërë krenarë dhe ndritur emrin e Shqipërisë, në një kohë tejet të vështirë për shkak të regjimit. Ja si shprehet një nga korifejtë e sportit shqiptar, Prof. Kreshnik TARTARI në një koment në Facebook, për Pavlina Evron: “Kampionët e mëdhenj padyshim që bëhen, por më parë duhet të lindin. Ti me shoqet e tua si ti, me në krye të papërsëritshmin PIRRO KASATI, krijuat më shumë se një shkollë, një akademi unikale në Shqipëri. Mëkat i pafalshëm që s’është më ashtu si gjithë sporti shqiptar. Edhe me volejboll po të ishe marrë do ishe bërë një Kampione e Madhe. Shumë respekt, PAVLINA EVRO, për atë çka ke bërë për Korçën e Shqipërinë.” Në këtë intervistë, “Mjeshtrja e Madhe” e sportit dhe “Qytetare Nderi” e Korçës, Pavlina Evro-Ylli, nuk lë pa kujtuar brezin e artë, që bënë historinë në sportin e atletikën shqiptare, që nga i madhi e papërsëritshmi- Pirro Kasatin, dhe më pas vazhdon; Hanxhara, Menkshi, Marieta Zaçe,V. Kasati, Cepa, Bushati, Ruci, Laho, Toska, Qiriaqi, Tare, etj.

Basketbollistja e jashtëzakoneshme korçare Zamira KOLECI (mbas vdekjes)

Basketbollistja korçare Zamira Koleci ishte nderi dhe krenaria e basketbollit shqiptar e korçar, nostalgjia e sportistes që bëri historinë e sportit shqiptar, veçmas në atë të lojërave sportive me dorë, Zamira Koleci femra ideale  që gëzonte virtytin symbol të mirësisë, paqes dhe dashurisë.

Sterjo Spasse-Shkrimtar- Mjeshtër i Rrëfimit (mbas vdekjes)

Sterjo Spasse, një prej shkrimtarëve shqiptarë më në zë të shekullit XX-ë, një prej urave lidhëse më të fuqishme mes dy kombësive shqiptare dhe asaj maqedonase, shkrimtari modern, i cili evokoi paqen dhe harmoninë mes kombeve. Të dy, atë dhe bir, Sterjo dhe Ilinden Spasse janë pionierë të letrave shqipe, që duken sikur dalin nga muzeu historik i letrave shqipe.

Postscriptum

Gjithmonë kam pasur optimizmin dhe besimin se përvojat jetësore indikojnë në mënyrën se si gjithkush nga ne mendon e vepron me cilësitë e virtytet që mbartim në vetvete. Situatat, ngjarjet, njerëzit e thjeshtë, qytetarët, intelektualët, njerëzit e letrave shqipe, elita e shquar e botës hyjnore të artit e kulturës, përballen e kontribuojnë gjatë jetës së tyre në forma e përmbajtje të ndryshme. Unë si bijë e lindur dhe e rritur në Korçë, i besoj shumë qytetarisë dhe inteligjencës së shpirtit korçar, që gjithmonë më frymëzon mua dhe që është gjithmonë në ecje, gjithmonë në ndryshim, kontributi i saj është kompleks, i gjallëruar, sepse edhe vetë dashuria për vendlindjen vjen nëpërmjet promovimit të vlerave të kësaj qytetarie, ndikimit të zhvillimit, progresit e begatisë të qytetit, si premisa bazë për enticitetin e botës të artit,kulturës e dijes, që e pasurojnë të tashmen tonë mes të bukurës e të përditshmes njerëzore.

  • per me shume fotografi nga veprimtaria shihni ne Facebook(dielli vatra)

Filed Under: ESSE Tagged With: Më të mirët e Korçës, Presidenti Meta, Raimonda Moisiu

TESTAMENTI I MUSTAFA KRUJЁS

December 29, 2018 by dgreca

60  vjet  mё  parё  ndёrroi  jetё  MUSTAFA MERLIKA  – KRUJA/

1 Mustafa Kruja

(Krujё 1887 – Niagara Falls 1958)

   nga Karl Gurakuqi/ Shejezat/

            Me 20 shtatuer 1958 Mustafa Merlika Kruja, mbas radhitjes së titujvet të dorshkrimevet të veta të pabotueme, më shkruente, ndërmjet tjeravet, edhè këto fjalë… “kaq, e mbas këtyne mos të presë mà Shqipnija shkrime prej meje!… unë kam dekun tashmâ e asaj Zotynë i lashtë bijt e tjerë…” Parandiesí e idhtë! Mbas tre muejsh, me 27 dhetuer t’atij vjeti, i ndiemi i la lamtumirën për gjithmonë kësaj bote në Niagara Falls n’Amerikë.

Nuk duhej të vdiste, pse Shqipnija kishte ende nevojë për pendën e tij. E ndryshme dhe e dendun ka qênë veprimtarija e Mustafa Krujës, thuej në pikpamje politike, thuej edhé në fushën e letrave shqipe.

Historija e kohёs sё rè shqiptare, sidomos ajo e prej vjetit 1921, datё e nji kthese nё jetёn kombtare, pikёnisje e nji perjudhe qi do t’i hudhte themelet nji shteti kushtetues, nuk âsht shkrue endè, as nuk mund tё shkruhet ashtu nё kambё e nё dorё. Janё endè gjallё njerz, qi , mirё a keq, e kanё dhânё ndihmesёn e vet nё themelimin e kёsaj shoqnije shqiptare, dikush me pjesёmarrje tё drejtpёrdrejtёshme nё jetёn politike, dikush me armё e dikush me pendё.

Nё çdo ndёrmarrje, nё fillimin e punvet, ngjajnё gabime, po thuej se janё tё pashtёmangёshme. Shpesh herё rrethanat e kohёs e shtrёngojnё njerín tё marrё nji rrugё, qi ndoshta pёrfundon keq; rryma e ngjarjeve e merr rrёshqanthi dhe e shpjen aty ku ai nuk kishte pasё mend me dalё; janё disá rasa nё jetёn e njeriut qi e shtŷjnё me bâ ndonji hap tё gabuem; nga ndonji herё hŷn padashtas nё valle dhe âsht i shtrёnguem tё kёrcejё kundra vullnetit tё vet.

Të shumta e të ndryshme kanë qênë peripetít nëpër të cilat âsht përshkue kjo Shqipnija e jonë e mjerë; të mëdhaja kanë qênë rreziqet qi e kanë ndjekë.; lojna tё papёlqyeshme janё luejtё mbí kurriz tё saj; ferra nepёr kâmbё i kanё qitё anmiqt, qi dojshin me i a zânё frymёn nё ditёt e para tё jetёs. Shqiptarёt, tё parysun, pse tё dalun nga nji zgjedhё shumvjeçare, shum herё, padashtas, u bânё veglat e atyne qi kёrkojshin me zânё peshk n’új turbull. Mjerisht ká pasё edhè asish qi qёllimisht kanё bâ lojёn e anmikut, por kёta numurohen ndёr gishta. Pyll pá derr nuk ká, i thonё njaj fjale.

Por të gjitha këto i a lamë kohës t’i gjykojë, atëherë kúr të jenë mbledhë provat pro e contra, kúr të jenë shue pasjonet, kúr të jenë hapë fletët e dokumentavet, kúr do të mund të flitet me gjak të ftoftë, larg nga interesat vetanake e nga partizanít, me nji fjalë, kúr të shkruhet historija e vërtetë.

Mustafa Merlika Kruja ká qenë nji personalitet shqiptar i radhës së parë: ká marrë pjesë aktive në jetën kombtare qyshë prej krijimit të shtetit në Vlonë në Kongresin e vjetit 1912 si përfaqësues i qytetit të vet. Qeverija e Ismail Qemalit e emnoi si závendës-prefekt në qytetin e shpalljes së vetëqeverimit, por nuk vonoi shum e i u ngarkue sekretarija e kryesís së Këshillit të Ministravet. Nolens volens prá ká qênë i detyruem të ndiqte rrugën e jetës politike shqiptare deri në mbarimin e vjetit 1944. Sot për sot âsht punë e vështirë të jipet nji gjykim krej i pa-anshëm i veprimit të tij në këtë lâmë kaq të përshtjellueme. Tue i a lânë prandej historís të gjykojë veprën e tij si burr shteti, po shёnojmë vetëm ndihmesën qi i ká dhânë lavrimit të gjuhës shqipe.

Ndonëse i diplomuem në shkencat politike (në Instambul në vjetin 1910), mori rrugёn e mësuesís. Kishte nji shpírt arsimtari. Natyra e tij e pat shtŷ qyshë në riní me u marrë me arsimin e popullit, pse prej arsimit Shqipnija priste zhvillim e përparim sidomos n’atë kohë kúr duhej me i vû themelet shtetit të ri, të dalun nga errsina shekullore. Auktoritetet shtetnore, tue vrejtё prirjen e tij e tue i ardhё dishirit tё çfaqun prej si, e panё tё rrugёs me i ngarkue drejtorín e arsimit nё prefekturёn e Elbasanit. Kёtu u tregue nё naltёsín e misjonit tё rrokun, tue punue me ndёrgjegje e me at zellin e madh, qi e ka shque gjithmonё sá qe gjallё. Kúr nё vjetin 1914 diplomatija evropjane zgjodhi pёr mbret tё Shqipnís Princ Wilhelm Wiedi-in, u hodh nё Durrёs pёr tё dhânё ndihmёn e vet n’organizimin e arsimit si kёshilltar nё ministrín.

Edhè atëherë kúr rrethanat e shtynë të ndiqte rrugën e politikës vepruese, nuk e la mbas dore lavrimin e gjuhës. I fali kësaj studime të matuna e të frytshme gramatikore e sintaksore. Mjafton të përmendim Fjalorin e madh të shqipes, rreth të cilit ká punue gadi krejt jetën, pá u lodhë, tue mbledhë visarin gjuhësuer të malit e të fushës. Ky fjaluer, i pajuem me shembuj e fraza tё nxjerruna nga goja e gjallё e popullit, me sinonime tё qemtueme me nji zéll tё mrekullueshёm, pat qênё miratue nga Instituti i Studimeve Shqiptare tё Tiranёs, i cili pat vendosё tё shtypej, por qi mjerisht u pengue nga gjendja e kapёrdîme. Fjalori ká qênё 2400 faqesh formati tё madh me 30.000 fjalё, tё spjegueme shqip. Nuk dijmё nё se dorёshkrimi ká shpёtue nga rebeshi i kohёs.

Shkrimet e Mustafёs janё tё shumta e tё ndryshme; janё tё shpёrdamё andej e kёndej nёpёr fletore e revista: pat nisё tё shkruente nё moshё shum tё ré mâ sё pari turqisht me pseudonimin A.XH. (Asim Xhenan). Mâ vonё e vijoi veprimin fletorár nё vjetin 1914 nё fletoren e Barit “Il Corriere delle Puglie”, e cila botonte trí herё nё javё nji faqe nё gjuhёn shqipe nёn redaksín e Sotir Gjikёs. Ky pat themelue nё vjetin 1918 nё Romё tё pёrjavёshmen politike “Kuvêndi”, e cila e vijoi botimin deri nё numurin 81 tё 3 korrikut 1920. Mustafa Kruja gjatё gjithё kёsaj kohe punoi nё shtyllat e saja me shkrime tё ndryshme me pseudonimin Mak , por edhè pá tê. Rreth kёsaj reviste ishin mbledhё pendat mâ tё mira: Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta, Kolё Kamsi, Kostandin Cipo, Milto Sotir Gurra, Faik Konica, Dhimitёr Berati, Visarjon Dodani, Mehdi Frashёri, Aleksandёr Stavri Drenova (Asdreni), etj.

Prej vjetit 1920 deri mё 31 maj 1923 pat dalё nё Vlonё fletorja “Mbrojtja Kombёtare”; drejtori i kёsaj tribune luftarake, Don Mark Vasa, e ftoi Mustafёn pёr bashkёpunim. Edhè kёtu penda e tij e vlefshme dha nji ndihmesё tё çmueshme me artikuj gjithfarё ngjyre.

Mustafa Kruja bashkёpunoi gadi nё tё gjitha fletoret dhe tё pёrkohёshmet shqipe mbrendё dhe jashtё Atdheut deri nё ditёt e fundit tё jetёs. Gjatё mёrgimit, nё kohёn e regjimit tё Zogut, kur gjindej nё Zara, tue mos lânё nё njênё anё vijimin e pёrpilimit tё Fjalorit, qi ishte qёllimi i jetёs sё tij, e vijoi luftёn e vet politike me artikujt e botuem nё fletoren “Lirija Kombtare” tё Gjenevёs nёn drejtimin e Omer Nishanit dhe ne fletoren “Shqipёrija e Ré” tё Kostancёs nё Rumaní.

Por prodhimi i tij mâ frytdhânёs gjindet nё studimet gjuhёsore qi pat botue nё tё pёrkohёshmet “Hylli i Dritёs” t’Etёnvet Françeskanё tё Shkodrёs, “Leka” t’Etёnvet  Jezuitё tё Shqipnís, “Illyria” tё Tiranёs, “Shêjzat” tё prof. Koliqit nё Romё, etj.Tё gjitha kёto studime i ndiemi i ká mbledhё nё nji vёllim tё vetёm me titullin “Kritiqizёm gjuhёsore” me qёllim botimi. Janё kёto nji kritikё ndёrtimtare qi u bâhet shtrêmbnimeve gjuhёsore t’ Aleksandёr Xhuvanit, Mati Logorecit, Koço Tasit, etj. I nёnshkruente gjithnji me pseudonimin Shpend Bardhi. Nё krejt ketё kritikё frŷn nji frymё e pastёr, pá pasjone, pá mёní, themelue vetёm nё shkencё, sikursè i ka hije nji studimtari.

Si libra tё botuem, po pёrmendim pёrkthimin nga serbishtja tё librit tё Vladan Djordjeviq-it “Shqiptarёt dhe Fuqít e Mёdhá” (Zara 1928), ashtu edhè “Abetari-n e tё Mёrguemit” (Aleksandrí 1952).

Pyetjes s’eme, se shka po i lînte Shqipnís, i përgjegji tre muej para se të vdiste tue më dërgue listën e dorëshkrimeve gatí për shtyp. Po i rradhis kёtu qi tё njifen prej publikut shqiptár me shpresë se mund të dalë ndonji Mecenat, i cili tue u a çmue vleftën, t’i a japë shtypit.

Dorёshkrimet prá janё kёto simbas radhitjes sё vetё auktorit: “…. E tash, lum Karl’ i im, mё ká mbetun me tё kallzuem edhè ç’punё kam mujtun me bâmё gjatё kёtij mёrgimi deri ditёn qi u nisa prej France pёr kёtu (Niagara Falls). Qe prá me rend kronologjik se ç’ká shkarravitun vllai i yt”:

  1. Mёsim i gjermanishtes pâ mundim (mbas methodёs Assimil).
  2. Kritiqizёm gjuhёsore (kritikё shtrêmbnimesh gjuhёsore ndёr artikuj tё botuem nepёr revista tё ndryshme e tё mbledhun nё nji volum pёr t’i ribotuem).
  3. Ludwig von Thallòczy, Illyrische – albanische Forschungen pёrkthyem shqip (Vёzhgime iliro-shqiptare) Vetёm volum’i I (pjesa historike).
  4. Historija e Monarqís Maqedone.
  5. Aleksandri i Madh.
  6. Pyrri prej Plutarkut, pёrkthyem nga frêngjishtja me komentime tё gjâna.
  7. Ilirёt e Indogjermanizimi i Evropёs, vepёr e prof. Hans Krahe, pёrkthyem nga gjermanishtja nё bashkёpunim me zotin Ago Agaj.
  8. Pelasgjit e Shqiptarёt (pёr t’u botuem nё nji revistё asè broshurё mbё vete)
  9. Emni dhe origjina e jonё (themelisht nji studim qi kam pasё botuem nё “Albanie Libre”)
  10. Monarqít Ilirjane e Epirote – Aventurat madhёshtore tё Pyrrit.
  11. Kronologji Ballkanike.
  12. Introdukte ndёr Studime Historike.
  13. Historija e Faraonёvet.
  14. Sprovё pёr nji fjaluer kritik (vetёm A e B).
  15. Fjalor’ i Frangut tё Bardhё: monografi kritike (veçanё nga sá ká botuem revista “Shêjzat”).

Mustafa e pёrfundon letrёn me kёto fjalё testamentare: “Tё tâna kёto shkrime, mbas dekёs s’eme, i dashuni Karl, mbesin nё dorё tё Xhires (motrёs) dhe pronё e saj absolute: i djeg, i fal, bân ç’ti detё kokrra e qejfit me to, por jam tue i a lânё me porosí testamentare qi personalisht asnji sakrificё nuk do tё bâjё pёr botimin e tyne”.

               I ndiemi ká mbajtë nji korrespondencë të papreme me eksponentat e politikës e të letërsis shqiptare. Letrat e tija janë nji burim i mirë për historin e vjetvet të fundit të Shqipnís. Po të mblidheshin, do të sajojshin nji gurrë të vlefshme për të qitë në shesh disá anë të panjoftuna të jetës shqiptare, në të cilat ai ká luejtë nji rrol me randësi.

 

            Marrё nga “Shêjzat”, Vjeti i III, N. 11 – 12, Nanduer- Dhetuer 1959

            Pronar Ernest Koliqi, Kryeredaktor Martin Camaj

Filed Under: Politike Tagged With: I MUSTAFA KRUJЁS, Karl Gurakuqi, TESTAMENTI

GOMARËT, LEPURI PLAK DHE VALIU I KASABASË

December 28, 2018 by dgreca

Në vend të Platformës së bisedimeve me Beligradin/

Nga: Sinan KAMBERAJ/

2gomeret e sinanit

GOMARËT, LEPURI PLAK DHE VALIU I KASABASË/
—————

Po iknin me t’katrat veshngritur/
Gomarët e Kasabasë varg e varg/
Valiu kishte lëshuar Fermanin:/
– I dua të tredhur, që sot – jo më larg!/

Mes tyre vraponte I tmerruar/
Një Lepur i rrjepur e kurrizdalë/
– Po, ti? – i tha një Gomar plak,/
– Pse ik’ ti pa lazëm; qenke dhe i çalë?/

S’ka punë me ty Ustai, o derëzi!
Fermani vlen veç për rodin tonë!
– O, kur ta këtë marrë vesh Ustai se jam Lepur
Për koç .. t’mia bëhet shumë vonë!
*
– O, Zot, ç’po ndodh? -pëshpëriste mileti;
Ç’të keqe bënë të urtët hajvanë?
– E di vetë Valiu, thoshin Plakat;
S’ka vakt Ai të llafoset kot me dynjanë!

Po plasnin së qeshuri fshehur vejushat:
– Bo-bo, ç’budalla ky Valiu i Ri!
Dhe i mbanin ijët tek kujtonin
Kastrimin e veshgjatëve fatzi’!

– Ah, sa gazmorë që ishin kur pëllisnin!
Shyhret kish gjithë Pazari; sa gazmorë!
Ç’punë ka me koç… të tyre Valiu?!
Pu-pu! – bënin ato dh’e mbanin kryet me dorë

– Ç’do të bëjnë të gjorat Gomarica?!
Pelat kushërira, ç’do bëjnë, sa keq?!
– Hë, mo!, – ndërhynin lëneshat;
– Ç’është gjithë ky vaj për ca Gomarë Pleq!
*
Gomarët po e linin Kasabanë –
Pazari, oh, do të mbetej shkret!
Si do ta dinë orarin e drekës –
Qysh nesër: ministra e deputetë?

S’pjerdh Valiu për Kryeministra e ministra
S’çan bythën Ai për zyrtarë!
Ka hallin e Hyrije Hanëmit –
Q’ia prishin Gomarët gjumin e parë!

– Dhe, kur Hanëmi nuk fle rehat
Guverna pëlcet prej zararesh:
Po vazhduan t’ua çnjohin njohjet –
Lidershipi ka për t’bërë punë Gomarësh!
—-
25 Dhjetor 2018

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Bisedimet me Beligradin, Gomaret, Lepuri, platforme, Sinan Kamberaj, Valiu i Kasabase

Gjuha, tradita, identiteti dhe Shqiptarizmi

December 28, 2018 by dgreca

1-Filip-Guraziu-1Nga Filip GURAZIU/

Gjuhapa dyshim asht elementi kryesor bashkëformues  i nji  populli  dhe së bashku me sjelljet ose veprimet  që manifestohen  në mënyren e jetesës , kodin juridik dhe kulturën e nji populli formojnë ate që ne e quejmë  Traditë.

Dy konceptet, Gjuha dhe Tradita me kalimin e kohës zanë vend thellë në ndërgjegjën e individit ( i konsideruem qelizë formuese e ndërgjegjës së shoqnisë njerzore) dhe projektojnëe me kalimin e kohës…përcaktojnë  konceptin e Identitetit.

Tradita dhe identiteti  janë dy  koncepte juridike  që bashkëjetojnë të ndërthuruna ngusht njena me tjetrën gjatë evolucionit të  pa mbarim të nji shoqnije njerzore, tue qenë në të njajten kohë mjaft të ngjajshëm, por konceptualisht të ndryshëm.

Evolucioni i pashmangshëm, efekt magjik i kohës, ndikon pa paragjykim  në transformimin e “ mjedisit “ ku jeton shoqnia njerzore tue transformue edhe vetë njeriun. Ai (evolucioni ) nuk pyet për urdhna politikë, për dasi krahinore, për dëshira të “unit”, por vepron simbas nji logjike të imponueme prej  nji fuqie të padukshme e cila përjeton përmbrendë ndërgjegjes së  nji shoqnie njerzore dhe kushtëzohet prej  Identitetit.

Asht pikërisht ky identitet që imponon kodin specific  të skalitjes së ADN së individit  dhe që percakton dhe dallon nji popull me nji tjetër. Tue e shtri hapsinën e logjikës per të gjitha qeniet e gjalla,  lehtësisht konstatojmë  se sa fort dashunohet ruejtja e Identitetitne natyre; kaq e fuqishme paraqitet kjo “ lidhje “ me Identitetin , sa shpesh për me e ruejtë dhe trashigue sfidohet jeta në favor të vdekjës!

Diktatura në vitin 1972 i dha dënim maksimal Gegnishtes me pasojë eleminimin material të sajë, por anës shpirtnore të lidhun me Identitetin nuk pati se  ç’ka me i ba ! Gegnishtja jetoi për shumë vite  në letargji mbrenda ndërgjegjës popullore derisa shpertheu mbas viteve 90-të…

Sot Gegët vazhdojnë të komunikojnë në familje gegnisht ashtu si kanë folë prindt e tyne; sot “ paskajorja “ hap mbas hapi po gjenë terren në komunikim jo vetëm në veri; sot, shkruejnë gegnisht mbi 200 autorë; sot shkruhen artikuj në gegnisht në gazetat kryesore; sot këndohen kangë në gegnisht; sot nji masë e madhe njerzish të thjeshtë ( Gegë) shkruejnë poezi në gegnisht si forma ma e sinqertë dhe direkte e shprehjes së tyne emocionale ( Libri “ Antologji – Gegnishtja Poetike “ i publikuem kët vit përmblodhi poezi në gegnisht prej 35 autoreve të panjohun ma parë )

Pra, gegnishtja jeton fuqishëm në ADN e popullit shqiptar !

Mungesa e gjuhës së Nanës , hupja e gegnishtes  na transformon në  nji popull pa identitet, ‘ pa të kalueme dhe pa të ardhme ‘ dhe me të drejtë vijnë pyetjet: Kush do të ishim ne shqiptaret pa identitetin tone? Prej kah erdhëm  dhe ku do të shkojmë ? C’farë të drejte juridike do të kishim ne për mbrojtjën e interesave tona  kombëtare me qenë se pa Gegnishten mbesim me identitet anonim ?

Në kushtet e nji “ beteje të verbërt “ me fillesë  politike dhe  e nxitun prej nji smire me motive krahinore antishqiptare që sot mbahet në kambe artificialisht prej atyne akademikve të cilët vlersojnë ma teper “unin” e tyne se  sa interesat ‘ kuq e zi ‘ mbarëkombëtare, del si ‘ detyrë mbi detyrat’  jo vetem mbrojtja, por edhe rritja e fuqizimi i përdorimit  të gjuhës së Nanës, Gegnishtes.

POR KUJDES !!! Nuk kërkohet  përmbysje e “standartit “ në favor të Gegnishtes, por vetem rishikimi e tij për me mundësue ndërthurjën  sa ma të mire dhe mbi baza shkencore të Tosknishtes me Gegnishten ! Thirrjes tonë i vjen në ndihmë ‘ dialektika dhe evolucioni: gjuha si pasqyrim i pandashëm i evolucionit në mjedisin shoqnor kërkon domosdoshmënisht sot mbas 46 viteve studim dhe rishikim, vetëm akademikët marksistë të edukuem me filozofinë materialiste paraqiten dogmatikë spse për kët rast nuk i pranojne zhvillimet dialektike !!!

Nw kwto 30 vjet “ demokraci “ shqiptarët thyen ‘tabu’ qw nuk ja merrte mendja kuj; si heqia e vendimit me vdekje ose pranimi ligjor i martesave me të njajtin seks etj., por vetem rishikimi i vendimeve qe na la i “ashtuquejtuni kongres politik gjuhesor “ i 1972  vazhdon të konsiderohet TABU !  Dashakeqësi ?,   No coment !

A munden dhe a duhet të bashkohen Shqiptarët me kontributin e tyne modest në favor të gjuhes së Nanës ? Ç’ka nënkupton  ruejtjen dhe mos hupjen  e veprave madhore kulturore identitare për mbarëkombin shqiptar;  të Kristoforidhit, Fishtës, Shirokës, Vasës, Gjeçovit, Mjedës, Migjenit, Prennushit, Koliqit, Camës, Pipës, Rrepishtit , Shllakut, Dedës, Gjeçit e shume e shume te tjereve , në shërbim të edukimit të brezit të ri ! A duhet dhe a mund të jemi bashkë për ruejtjen e traditave tona, për ruejtjen e identitetit tonë ?

 

Jemi të ndërgjegjshëm për situatën e vështirë ekonomike  dhe morale që po kalojnë  shqiptarët, por në të njajtën kohë jemi po aq të ndërgjegjësuem dhe të bindun se nuk duhet me hupë kohë, por me u  bashkue me kontributin tonë rreth nji ideali që  nuk lidhet me partitë politike, as me besimet fetare,  as me nacionalizmin agresiv dhe as me diskriminimin e pakicave etnike  etj., por që ka si objektiv  vetëm  ruejtjen e identitetit etnik, nderimin e flamurit kuq e zi, për nji kohezion sa ma të fortë ndërmjet shqiptarve kudo që ndodhen me qëllim respektimin e sakrificës së mijra shqiptarve që derdhën gjakun për atë flamur dhe nderimin e  të gjithë atyne që sakrifikuen çdo gja për kulturën dhe traditen tonë , për gjuhen Shqipe që nuk mund të kuptohet pa bashkimin dhe nderthurjen e  Gegnishtes me Tosknishten..

Vetëm kështu bashkohen shqiptarët rreth identitetit të tyne historik tue u radhitë me krenari si nji ndër popujt ma autokton tëBallkanit . Ky asht vizioni i së ardhmes  që i hapë rrugën Shqipes dykrenare drejtë naltësive hapsinore për  me fluturue “ la e më la “.   Te bashkohemi pra e mos tëpresim ma!

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Filip Guraziu, gjuha, IDENTITETI, shqiptarizmi, tradita

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 31
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT