• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2018

ERENESTINA GJERGJI-HALILI: QOFTE E BEKUAR VATRA!

December 28, 2018 by dgreca

Me Erenestina Gjergji Halili në “ Vatra”, si në votër!/
2 erenestinaNga Dalip Greca/*
Kushdo që vjen në Vatër me dëshirën e mirë për t’u ngrohur shpirtërisht e konsideron “shtëpinë e Shqiptarëve të Amerikës” si një vatër tradicionale shqiptare, një Vatër zjarri (Ose votër, siç e shkruan Erenestina, që dashuron gegnishten e ambel të Fishtës, të cilin Vatra e pat pritë me dashuri në verën e vitit 1922), një vatër që të përcjell ngrohtësi, mirësi dhe respekt për ata që e mbajtë të ndezur votrën me zjarrin e atdhedashurisë. Vatra e shqiptarëve të Amerikës u konceptua edhe si një Faltore Kombtare, ku luftohet(jo thjesht predikohet) gjuha shqipe, kultura, traditat, Historia, ndjenja kombëtare, – një Faltore kombëtare , faltore të shqiptarizmit, ku të gjithë shqiptarët, pa dallim feje, si motra dhe vëllezër të një gjaku, bashkohen dhe inspirohen për t’i shërbyer kombit. Ku më mirrë se rreth Vatrës(Votrës) punohet për çështjen kombëtare?
Me këtë synim erdhi, me synimin e ngrohjes pranë votrës, erdhi poetja, gazetarja, profesoresha e Universitetit të Tiranës, Erenestina Gjergji Halili. E pritëm me dashuri, respekt, e pritëm me këngë të vjetra që patën krijuar për të ngrohur shpirtrat e bashkatdhetarëve vatranët, Thoma Nasi, Kol Tromara e të tjerët. Mire se Erdhe në Vatrën e Shqiptarizmiës, i uroi i pari i Vatrës, kryetari i saj Dritan Mishto.
Një bisedë e lirë, një takim i ngrohtë reth Votrës. Ashtu siç shkroi Erenestina “folëm për librin si liri, për lirinë si”Tokë e premtuar”, këtu-në atdheun e Lirisë…”
Biseduam të lirë rreth lirisë, rreth poezisë, rreth librave të Erenstinës. Pyetje- përgjigje. Opinione. Bisedë e lirë, interpretim poezish .
Vargjet e poezisë”Th’rrmijat e dheut”, kushtuar Lazër Radit, marrë nga libri”Gja`ma e Erës” e Erenestinës, të interpretuara nga Dritan Haxhia, i heshtën edhe pëshpërimat e bisedave(sa keq që nuk e kam në tastierë a-në e Fishtës):
 
Ma mu`erën atdheun,
ma da`në copë e th’rrmi,
mandej ma vnu`ene n’xhep përdhu`ni
E m’tha`në shko!
U ktheva prep me dheun tem n’xhep,
Se dheu th’rret dheun,
E setra s’mbante ma`.
 
At’her’ kur panë qi dheu m’u ba` asht,
ma muerren prep e mue prep ja`shtë.
Ma ba`ne ishull njat-dhe’ temin,
se dheu s’i tret të pa`atdhetë,
se vetima s’gjuen çka` a`sht na`n dhe’,
se etnit s’i msuen çka` a`sht për ne ky dhe…
U e`nda me th’rrmija qysh se jam le’!
 
Bardhyl Ukcamaj kujton çastet e Dhjetorit ’90, ku dhe Erenstina ishte pjesë…Haxhi Dauti sjell mbresat e tij nga kontaktet e para me Tiranën, pjesmarrjen në Festival Kombëtar, Ilir Buçpapaj foli për raportin mes gegnishtes dhe gjuhës standarte, Lek Mirakaj solli marrdhëniet e ish të burgosurëve politik me Letërsinë, Cafo Boga foli rreth huazimeve të panevojshme në shqipen e gazetave dhe të televizioneve, Valbona Peraj foli për këngën dhe poezinë, Engjëll Ndocaj sjell çaste të bashkëpunimit në televizion, editori i Diellit sjell histori nga Dielli dhe Vatra… Biseda të lirshme.
Për kënaqësinë e pjesmarrsve Erenstina reciton poezinë “Gja`ma e burrave t’Dukagjinit” nga libri i saj”Gj’ma”.
 
Një interpretim i shkëlqyer me gegnishte e bukur të saj:
Houuu, ho!
 
Krahnuerha`pun,
duert na`n ijë, tanë k’ta burra, nj`a u pri.
Tan’ nji hap,
frymën ndalin, ka`mët përtokë, njiherësh rrahin,
kryet çuemun, me dvetë qiell….
 
Hou-uu,ho!
 
N’emën thrresin, vika`më qesin…
Rrqethët lisi n’rrajë t’veta,
gjeth’ e lvore zi po kan`në,
qyqja e malit, nda`li kangën,
kanë dalë burrat me qit gja`më!
 
Hoooou-ho!
 
Brra`m nji hap, nji hap brram..!
Duert prej ij’s rr’zojnë kada`lë
duert gjak, ne’lt i çojnë,
gjith’ prej dhimtet, krahnue’rt zblojnë….
 
Hou-ho, ho-oou-ho…t’mjer’t na` për ty!
Brra`m nji ka’më…nji zanë kjan…
 
Brra`m nji hap…dragoi ndalet…
 
Brra`m! E bjeshka duert ka n’gji…
Brra’m! E kroni s’bza`n, gjys’ngri…
Burrat l’shohen me ba`ll ra`mun…,
 
Oooo, t’merët na` për ty!
 
Brra`m nji hap, hooou-ho!
Brra`m! Brra`m! Hou-Hoooo!
Gja`më po ba`jnë, duert na`n ijë,
ta`n k’ta burra, nja`u pri’!…
 
Intepretim i mrekullueshëm sa të krijohet ideja se je në një skenë teatri, ku drama e Gjamës luhet para syve…
 
Më pas intervista nga televizionet: TVSH -Engjëll Ndocaj, TV Albanian Culture-Adem Belliu, RTV 21 Kosovë, Halil Mula, nga nëj gotë verë dhe biseda të lira rreth letërsisë.
*Per me shume fotografi shih ne Facebook

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Erenestina Halili, Vatra-Voter

PRESIDENTI THAÇI NE FAMILJEN RUGOVA

December 28, 2018 by dgreca

Presidenti Thaçi viziton familjen e Presidentit historik Rugova/

1 Thaci te Rugova-Uron për themelimin e Ushtrisë së Kosovës dhe për festat e fundvitit/

PRISHTINË, 28 Dhjetor 2018- Gazeta DIELLI/ Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vizituar sot familjen e Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në Rezidencën në Velani – Prishtinë.

Duke njoftuar për këtë vizitë, ku ka uruar për themelimin e Ushtrisë së Kosovës dhe për festat e fundvitit, Presidenti Thaçi shkruan:

Sot vizitova familjen e presidentit historik Ibrahim Rugova, të cilën e urova për themelimin e Ushtrisë së Kosovës dhe për festat e fundvitit. Trashëgimia shtetformuese e presidentit Rugova dhe vlerat që ka përfaqësuar ai do të jenë udhërrëfyes edhe në fazën përfundimtare të konsolidimit të shtetit tonë.

Mesazhet e përhershme për dialog, bashkëpunim e unitet të brendshëm duhet të jenë parimet bazë të veprimit të gjithë spektrit politik, bashkë me partneritetin dhe besimin tek SHBA-ja dhe partnerët evropianë.

Besoj që këto vlera e parime do të respektohen nga të gjithë edhe në këtë fazë përfundimtare të dialogut Kosovë – Serbi, që do të sjellë njohjen e Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Filed Under: Kronike Tagged With: Bell Jashari, e Dr. Rugoves, ne Familjen, Thaci

KOSOVA MASËN 100% IA ZGJERON SERBISË…

December 28, 2018 by dgreca

-Qeveria e Kosovës, masë 100% edhe për markat, brendet e njohura ndërkombëtare që prodhohen në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë/

-Nismë Marrëveshje për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar/

1 qeveria-Mbledhja e 82-të e Qeverisë së Republikës së Kosovës, njëherit edhe e fundit për vitin 2018, ka nisur me një minutë heshtje në shenjë respekti dhe nderimi për pjesëtarin e Policisë së Kosovës, Izet Demaj/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

 

PRISHTINË, 28 Dhjetor 2018/ Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Kryeministri Ramush Haradinaj, në mbledhjen e sotme miratoi vendimin për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit për masën prej 100% për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina të datës 21 nëntor 2018, nga i cili hiqet paragrafi 2 i vendimit bazë, me të cilin përjashtohen markat, brendet e njohura ndërkombëtare të vendeve tjera, të cilat prodhohen në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë.

“Qeveria ka shprehur respekt të jashtëzakonshëm për sugjerimet e aleatëve që të mos vazhdohet me veprime të tjera, por është e papranueshme letra e kryeministres së Serbisë dërguar kryeministrave të vendeve që e kanë njohur pavarësinë që të tërheqin njohjen”, tha me këtë rast Kryeministri Haradinaj.

“Po ashtu, është e papranueshme heshtja e zyrtarëve të lartë të BE-së, në këtë rast e zonjës Mogherni dhe komisionerëve të tjerë, në ketë letër”, vijoi ai, i cituar në komunikatën nga mbledhja dërguar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës.
“Kjo është një vepër agresioni, por edhe përkundër kësaj ne nuk do të vazhdojmë me masa tjera shtesë ndaj produkteve serbe, por do ta respektojmë masën 100 për qind, ndërsa heqja e listës së brendeve është e karakterit tjetër”, tha Kryeministri Haradinaj në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

QEVERIA E KOSOVË, NISMË MARRËVESHJE PËR PIKA TË PËRBASHKËTA NË VENDKALIMET ME SHQIPËRINË

Qeveria kosovare në mbledhjen e sotme miratoi nismën për lidhjen e Marrëveshjes me Këshillin e Ministrave të Republikës së Shqipërisë për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar.

“Me këtë Marrëveshje, palët angazhohen për thjeshtësimin dhe përshpejtimin e verifikimeve kufitare, me qëllim lehtësimin e qarkullimit të shtetasve dhe mallrave”, u theksua në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj kërkoi nga organet kompetente që të nisin të gjitha procedurat për ta konkretizuar në kohë vendimin e sotëm.

Në 2018-tën, në 26 nëntor, qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë në qytetin e Pejës zhvilluan mbledhje të përbashkët, të pestën, pas të parës historike në Prizren në 11 janar 2014, të dytës në Tiranë në 23 mars 2015 , të tretës në 3 qershor 2016 në Prishtinë dhe të katërtës në 27 nëntor 2017 në Korçë.

QEVERIA NJË MINUTË HESHTJE NË SHENJË RESPEKTI DHE NDERIMI PËR PJESËTARIN E POLICISË SË KOSOVËS, IZET DEMAJ

Sot, Mbledhja e 82-të e Qeverisë së Republikës së Kosovës, njëherit edhe e fundit për vitin 2018, ka nisur me një minutë heshtje nga Kryeministri Haradinaj dhe Kabineti Qeveritar në shenjë respekti dhe nderimi për pjesëtarin e Policisë së Kosovës, Izet Demaj, i vrarë dje në mbrojtje të rendit dhe ligjit në vend, për të vazhduar me vendimin e Qeverisë, që familjes së tij, t’i ndajë 15 mijë euro.
Dje, Qeveria e Republikës së Kosovës ka dënuar ashpër vrasjen e pjesëtarit të Policisë së Kosovës në Istog, Izet Demaj dhe ka ftuar organet kompetente që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit dhe rrethanat që kanë shtyrë deri në këtë akt qyqar.

Qeveria e Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta Familjes Demaj dhe Policisë së Kosovës për humbjen e pjesëtarit të tyre.

Vepra heroike e flijimit për të shpëtuar jetët e pafajshme është dëshmi e radhës për profesionalizimin dhe humanizmin e Policisë së Kosovës dhe vecmas të pjesëtarit të saj, njëherit ish ushtarit të UÇK-së, Izet Demaj.Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh zotimin e saj se do të angazhohet me të gjitha mekanizmat për të krijuar ambient të sigurtë në Kosovë dhe se do të bëjë të pamundurën për luftimin e krimit dhe të dukurive negative në vend, duke kërkuar gjithashtu nga organet e rendit që të shtojnë masat e sigurisë që ngjarje të tilla të mos ndodhin dhe siguria e qytetarëve të jetë në nivelin e duhur.

Rastet si ky i sotmi, janë dëshmi se përkushtimi për fuqizimin e rendit dhe ligjit në vend, duhet të vazhdojë të jetë një nga prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe gjithashtu kjo vrasje nuk do të ndaloj organet e rendit që të kryejnë punët e tyre me përkushtim dhe me përgjegjësi institucionale në shërbim të të gjithëve dhe krijimit të një klime të qetë, theksohej në deklaratën e djeshme të Qeverisë së Kosovës.

PRESIDENTI SHPALL TË SHTUNËN DITË ZIE SHTETËRORE NË NDERIM TË POLICIT IZET DEMAJ

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas rënies heroike në mbrojtje të qytetarëve dhe në krye të detyrës të pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Izet Demaj, ditën e shtunë më 29 dhjetor 2018, në shenjë nderimi shtetëror e ka shpallur ditë zie në Republikën e Kosovës.Në ditën e zisë shtetërore, në shenjë respekti për aktin heroik të policit Izet Demaj, në pajtim me legjislacionin në fuqi, flamuri shtetëror ngrihet në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.

 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Bell Jashari, kosovo, Serbia, taksat

MESAZHI PËR VITIN E RI: TË MBROHET FJALA E LIRË DHE DEMOKRACIA!

December 28, 2018 by dgreca

1 Frank-shkreli-Nga Frank Shkreli/

Katër organizata ndërkombëtare mbrojtëse të të drejtave të njeriut dhe të lirisë së fjalës — i janë drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Edi Rama dhe Ministres së Drejtësisë së atij vendi, Z. Etilda Gjonaj, me një letër të hapur ku i kërkojnë tërheqjen nga ligji — të propozuar prej tyre — për regjistrimin, mbikëqyrjen, gjobitjen dhe mbylljen e portaleve online, njoftojnë media të ndryshme shqiptare në portalet e tyre.  Siç dihet, ky projektligj është paraqitur disa ditë më parë nga udhëheqsi i qeverisë shqiptare, të cilin ai e ka pagëzuar, si një “paketë antishpifje”.  Në letrën, një kopje e të cilës i është dërguar edhe zyrës së OSBE-së në Tiranë, katër organizatat në fjalë: Federata Europiane e Gazetarëve, Qendra Europiane për Liri të Medias dhe të Shtypit, PEN International dhe Reporterët pa Kufijë, i kanë kërkuar Ramës të tërhiqet nga konsiderimi i këtij projektligji.  Në mesazhin e tyre drejtuar Kryeministrit shqiptar, ato shprehen se, nisma e propozuar prej Z.Rama, “Është kundër rekomandimeve të OSBE-së dhe shkakton shqetësime të mëdha për ne”, theksohet në letrën e nënshkruar prej tyre, drejtuar qeverisë shqiptare.  Organizatat, të cilat njihen për veprimtarinë e tyre në mbështetjte të lirisë së fjalës dhe demokracisë anë e mbanë botës, paralajmërojnë Kryeministrin Rama se, “Nëse projektligjet e propozuara, miratohen nga parlamenti shqiptar, ato do të dëmtojnë rëndë qarkullimin e lirë të informacionit dhe do të kenë efekt pengues për median në internet dhe do të kufizojnë të drejtën e qytetarëve shqiptarë për akses në informim”, shkruhet në letrën e nënshkruar nga katër organizatat ndërkombëtare, të njohura për mbështetjen e tyre ndaj të drejtave të njeriut dhe demokracisë në botë.Përpiluesit e letrës dënojnë gjithashtu mënyrën e fshehtë se si është përgatitur dhe si është paraqitur ky projektligj, siç thonë ata, pa konsultim dhe pa asnjë informacion paraprak për publikun, ndërsa nënvijojnë moskënaqësinë e tyre me procesin e ndjekur në lidhje me këtë nismë: “Shprehim zhgënjim të thellë se ky ligj është hartuar pas dyerve të mbyllura, pa përfshirë gazetarë dhe organizata të shoqërisë civile përgjatë procesit të hartimit.  Ne ju kërkojmë të ndërprisni menjëherë iniciativën për të amenduar këto dy projektligje dhe të përfshini gazetarët, shoqërinë civile, përfaqësuesin e OSBE-së për Lirinë e Medias, Bashkimin Europian dhe Këshillin e Europës, në çfarë do lloj iniciative që prek lirinë e shprehjes, median dhe gazetarët”, theksohet më tej në letrën e tyre dërguar Kryeminsitrit Edi Rama dhe Ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj.  Në letër thuhet gjithashtu se, “Përfaqsuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias e ka bërë të qartë se, “Shtetet anëtare nuk duhet të imponojnë regjistrim të detyrueshëm për median “online”, si kusht paraprak për punën e tyre, gjë që mund të ketë një ndikim tepër negativ mbi lirinë e medias”, në përgjithsi në ato vende.

Mediat shqiptare njoftojnë se projektligji i hartuar nga qeveria e Z. Rama, propozon themelimin e një regjistri për median “online” pranë  të ashtuquajturit Autoriteti i Komunikimeve Elektronike e Postare (AKEP), përfshirë edhe vendosjen e përmbajtjes së medias “online” nën mbikëqyrjen e Autoritetit të Medias Audiovizive dhe një Këshilli Ankesash (AMA), një komision ky pranë këtij enti, i cili, nëqoftse miratohet ky projektligj, do të ketë kompetencat të gjykojë nëse media është e njëanshme apo e paanshme, nëse ajo cënon “moralin public” apo jo dhe nëse ky ent qeveritar e gjykon të arsyeshme, ai mund të vendosë gjoba deri në 8 mijë euro dhe madje të urdhërojë edhe mbylljen mediave, që ky ent vendos se kanë shkelur ligjin.

Nuk ka dyshim se nisma e Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Edi Rama, propozimi pa këshillime me grupet e interesuara dhe paraqitja e këtij projektligji Kuvendit të Shqipërisë, ka për qëllim për të frikësuar dhe për të kontrolluar shtypin, duke kufizuar lirinë e medias – siç theksojnë edhe organizatat në fjalë në letrën drejtuar Kryeministrit shqiptar — ashtuqë nepërmjet miratimit eventual të këtij projektligji nga Kuvendi i Shqipërisë, jo vetëm të disiplinojë por edhe të dënojë median që sipas tij mund të gjykohet, si e njëanshme ose e paanashme, ose si një media që cenon “moralin publik”.  Tomas Xhefersoni, i cili konsiderohet si përpiluesi kryesor i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara ka shkruar se nëqoftse me eksperimentin e demokracisë mund të konstatojmë se njeriu mund të qeveriset nga arsyeja dhe e vërteta, atëherë duhet të lëmë të gjitha rrugët e hapura që të mundësojnë që të arrihet tek e vërteta. “Rruga më me rëndësi drejtë zbulimit të së vërtertës, është liria e shtypit”, ka shkruar ai. Prandaj, “Liria e shtypit është e para që e pëson nga ata që kanë frikë nga hetimi i veprimtarive të tyre”, ka thekësuar Xhefersoni.

Thonë se Uinston Çurçilli ka deklaruar se, “Demokracia është forma më e keqe e qeverisjes, me përjashtim të të gjitha formave të qeverisjeve që janë provuar nga koha në kohë.”  Demokracia e vërtetë është një krijesë e brishtë, por megjithë të metat e saja, është e vetmja formë qeverisjeje që parandalon ushtrimin e pushtetit të një regjimi ose të një personi me prirje autoritare, tiranike ose despotike.  Historia na mëson që të mos përulemi para dukurive të tilla kudo qoftë, por t’i kundërshtojmë, sidomos përpjekjet arbitrare dhe imponuese nga cilado qeveri ose nga cili do udhëheqës qoftë, për të kufizuar dhe për të kontrolluar lirinë e fjalës, me anë të ligjeve të imponuara pa asnjë konsultim me grupet e interesuara të shoqërisë.  Sepse siç na këshillon edhe Tomas Xhefersoni, humbja e lirisë së fjalës, pasohet edhe nga humbja e të gjitha lirive të tjera bazë të njeriut, një nga një.  Beso në të vërtetën! Beso në Demokraci! Kundërshto masat antidemokratike, sepse Demokracia nuk pret!  Thuaj JO kufizimit të lirisë së shtypit!

Filed Under: Politike Tagged With: demokracia, fjala e lire, Frank shkreli, mesazh, Viti i ri

ULIM KOKEN E REFLEKTOJME MBI KRIMET E PAFALESHME…..!

December 28, 2018 by dgreca

Mid’hat Frashëri Rivarroset në Shqipëri:ULIM   KOKEN  E  REFLEKTOJME MBI KRIMET  E  PAFALESHME…..!/
1-Sami-Repishti1-240x300Nga Prof. Sami Repishti/

Ridgefield, CT.- Qoftë nga turpi për baltëzimin e emnit të Mid’hat Frashërit, qoftë nga respekti i thellë që kemi për fjalën, veprën dhe personalitetin e Mid’hat Frashërit, të gjithë  duhet të “ulim kokën”. Sot, duhet të jeshë “stalinist” në Shqipëri, ose ndjekës i tij, me ofendue Mid’hat Frashërin. Nuk duhet  të jeshë “ballist” në Shqipëri, ose ndjekës i tyne, me respektue Mid’hat Frashërin. Mjafton të jeshë shqiptar!

Jam shqiptar; nuk kam qenë “ballist”! Sot “ulë kokën” me respekt për këte figurë multidimensionale të historisë së popullit tonë: model i dashunisë për Shqipërinë; i zjarrit, që nuk u shue kurrë për arsim e përparim; i fjalëve të peshueme mirë që nuk u kursyen kurrë në mbrojtjen e vendit; i punës së pandërpreme dhe cilësore për ma shumë se gjashtë dekada; dhe për jetën e tij kushtue atdheut pa hezitim, pa kondita.

Nana Shqipëri e shpërbleu; i dhuroi përjetësinë!

Që në ditët e rinisë shkollore lexova pjesë nga “Kalendari Kombiar”. Fjalia e parë: “Të kemi dashuri njeri me tjetrin, të jemi të bashkuar të gjithë tok: të Krishterë dhe Myslimanë; të ndihim me sa mundet për çdo farë të shenjtëruar, të mos shajmë  dhe përçmojmë gjuhën e mëmës sonë; po sa mundemi të levdërojmë e të lehtësojmë së gjithash etj.etj. Këto janë detyrat e një mëmëdhetari, që ngashëron mbrothësinë e gjuhës vet.”  Ashtë kjo fryma që u hodh plot 121 vjet ma parë…. !

I lexuem në nji kohë kur Shqipëria posa ishte okupue nga agresioni fashist italian, 1939, dhe në nji vend ku zemrimi i krijuem nga pushtimi ushtarak kishte arrijtë kulmin, fjalët e Mid’hat Frashërit tingëllojshin në veshët e rinisë sonë jo vetëm si nji “thirrje për revoltë”, por edhe si direktivë e rrugës që duhej ndjekë. Autori, Mid’hat Frashëri, u ngrit në nji piedestal të nderit dhe fjala e tij mori karakterin e thirrjes së “fatit” për vendin tonë: Shqipëria e shqiptarëve!

Nuk e kam takue Mid’hat Frashërin, por mesazhi i tij ka tingëllue si kanga e orës së maleve tona, frymëzuese e luftës për liri, burizane e nji ushtrie që po formohej. Fjala e tij udhëtonte krah për krah me “fatin” e vendit tonë.

Për fatin (dhe fajin) tonë zhvillimi i këtij entuziasmi çlirimtar nuk zgjati shumë. Ideologji të hueja për patriotizmin shqiptar u zhvilluen shpejt e kërcnuese në shtëpitë tona, të qytetit e të fshatit. Gënjeshtrat e fjalës indoktrinuese të shoqënueme nga fryma e nji terrorizmi të institucionalizuem si në ish Bashkimin Sovjetik -e panjohun prej nesh,- përfshiu çdo kand të vendit tashma të traumatizuem, e përfundoi në mënyrë të paevitueshme në luftë vëlla-vrasëse, pakuartier, por të studjueme simbas strategjisë staliniane : “të punojmë e të luftojmë pa hezitim, pa kondita, pa rezerva për Bashkimin Sovjetik! ” u ba urdhëni i ditës për lëvizjen e re. Përfundimet lëkundën mendjet e papërgatituna rinore, dhe forcuen grushtin e elementit terrorist.

Gënjeshtër e terror: nji përbamje toksike eksplozive efekti i së cilës na ndjek  edhe sot, nuk u asgjasuen as edhe mbas shkërmoqjes së “komunizmit”: ata mbijetojnë në mendjet e smura e ndërgjegjet e randueme nga krimi i “diktaturës së proletariatit”, çmenduria madhore e shekullit 20.

Dje, fryma iluministe e Mid’hat Frashërit dhe pikësynimet e tij për nji “Shqipëri etnike, të lirë, të pavarur dhe demokratike…” u luftuen me egërsinë e fanatizmit ideologjik “enverist” me rrjedhime katastrofike.

Dje, u krijue nji atmosferë ku qytetarë të ndershëm dhe mendje të ndrituna u rrethuen nga legjone të çmenduna dhe ekstremistë.

Dje, shumica e frikësueme nga terrori i kuq solli dekadencën e turpshme për dekada me rradhë, dhe injorancën e së kaluemes sonë fisnike…..!

Sot, para nji katastrofe të këtillë, mjafton të jeshë shqiptar me nderue Mid’hat Frashërin…!

******

“Tiranë, 14 Nentor 2018. Personaliteti i shquar i kulturës dhe letrave shqipe, Mid’hat Frashëri nga sot do të prehet në Atdhe. Pas mbërritjes së eshtrave nga SHBA si dhe homazheve në Akademinë e Shkencave, eshtrat e tij janë varrosur pranë vëllezërve Frashëri tek Liqeni Artificial, pasi ai ishte bir i Abdylit dhe  i frashërllinjve të mëdhej, Samiut dhe Naimit. Për kthimin e eshtrave nga SHBA për në vendlindje të firmëtarit të pavarësisë dhe kryetarit të Kongresit të Manastirit, Këshilli i Ministrave akordoi fondin prej 3,239,400 lekë, për organizimin e procedurave të nevojshme ndërshtetrore…..”(DIELLI, November 2018, f.50)

Ky gjest fisnik në përmbajtje dhe dinjitoz në formë, na nderon të gjithëve. Për arsye të gjendjes së acarueme ishte e pritun që edhe në nji rast të këtill krejt të veçantë do të dilnin kritikat, me karakter politik për këte figurë qendrore të politikës e kulturës shqiptare.

Për KM E.Rama “…kthimi i eshtrave të tij ishte nji detyrim dhe borxh”. Sepse, spjegoi ai: “ Mid’hat Frashëri i dha Shqipërisë gjithçka kishte e mundi”. Ai qortoi të gjithë ata që e shohin si provokim “…bënë mirë të ulin kokën e të kujtohen se sa krime bënë ata që shkruan historinë e gjysmës tjetër të Lumo Skendos….(Ata) bënë mirë të ulin kokën….dhe kthimi i eshtravet tij, të shërbejë edhe si një reflektim. Mjaft kemi gjykuar në mungesë. Këtu janë eshtrat e nji burri të dënuar në mungesë jo nga një gjykatë por nga gjyqi i historisë së shkruar nga fitimtarët për të poshtruar të mundurit. Mjaft kemi shpifur, mjaft me shpërdorimin e atyre që nuk janë më….Mid’hat Frashëri ishte e mbetet një shembull, ndërsa koha pastroftë baltën që nisem ta pastrojmë sot….” (Fjala në ceremoninë shtetnore të përmortëshme të kthimit  të eshtrave të personalitetit të shquar Mid’hat Frashëri, 14 .nentor. 2018)

Në nji prononcim të shkurtë për mediat, kryetari i opozitës, Lulëzim Basha, deklaroi:” Eshtë një nga ditët e rralla që qëndrojmë para nji arkmortori me nji sens krenarie, nderimi por edhe kënaqsie….Kënaqsi që eshtrat e këtij burri të madh dhe shkencëtari të një dimensioni europian do të prehen simbas amanetit të tij. Një shembull që duhet të ndiqet edhe për shumë të tjerë….” Nji sugjerim pozitiv!

Para ceremonisë së përmortëshme shtetnore në Tiranë, nji tjetër ceremoni fillestare u mbajt në “Kishën Zoja e Shkodrës” Salla “Nana Tereza” në Hartsdale.N.Y. jo larg vorrit të Mid’hat Frashërit, në Ferncliff. Ambasadorja shqiptare në Washington, Zonja Luli-Faber, e lindun, e rritun, dhe e arsimueme gjatë rregjimit komunist, pranoi haptazi, se: “Duke patur parasyshë kontributin e madh patriotik të këtij personaliteti unik të letrave dhe historisë së Shqipërisë, Kryeministri ka mirëpritur lutjen e Institutit të Studimeve “Lumo Skendo” në Tiranë për mundësinë e kthimit të eshtrave të Mid’hat Frashërit në Shqipëri; Sepse : Mid’hati ishte i të gjithëve”. Mirënjohje e vonueme, por e mirëseardhun. “….Asgjë nuk është rastësi, tha ajo.. Ai ishte vizionar dhe në vitet 20 u shpreh mos shikoni përreth; vetëm Amerika mund të na japë mbështetjen dhe shpëtimin e vertetë ……Kryetari i Komitetit Kombëtar ‘Shqipëria e Lirë’ eshtrat e Midh’hat Frashërit sot prehen para nesh, i rrethuar nga bashkëkombasit e tij….Ne, sot të gjithë, shërbejmë Mid’hat Frashërin duke qenë të bindur se kështu i shërbejmë edhe Shqipërisë. U prehsh në paqë Mid’hat Frashëri” përfundoi ajo.

Kjo frymë mirënjohje publike për të ndjerin Mid’hat Frashëri ashte sinjal pozitiv se gjakërat kanë fillue të  ftohen dhe se arsyeja ka fillue të triumfojë në mes nesh….! Uroj që ky hap i parë të çmohet dhe të ushqehet deri në nivelin e dialogut të hapun,  të mbështetun në fakte, me synimin e përgatitjes për breznitë e ardhme të nji paraqitje serioze e permanente të së kaluemes së zjarrët, por jo përherë të ndritun. Socialisti Pandeli Majko foli për “një të majtë reflektuese”(Panorama.8 dhetor)

Me këte rast, u ndigjue edhe fjala e aktivistit dhe historianit Uran Butka, drejtor i Institutit të Studimeve Historike “Lumo Skendo”, Tiranë, nismëtar i kthimit të eshtrave të Mid’hat Frashërit në Atdhe. Ai theksoi nji aspekt të biografisë së Mid’hat Frashërit i lanun në heshtje – rolin e tij politik si themelues e drejtues i “Ballit Kombëtar” në Shqipëri, dhe i Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë” në botën e jashtëme. Fara e hjedhun nga veprimtaria e këtyne dy organeve politike nuk u mbyt, deklaroi Z. Butka; “Vepra e Mid’hat Frashërit është pjesë e rëndësishme e luftës për pavarësi, për liri, për identitet e bashkim kombëtar, për shtet demokratik, për zhvillim kapitalist modern, për qytetari, kulturë dhe integrim përendimor nën mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Reagimet nga çdo anë ndaj kësaj inisiative, nuk munguen, dhe si zakonisht me ngjyra politike të papajtueshme: sepse sot, historia e fitimtarit baltuese dhe e gënjeshtërt po ballafaqohet me të vertetën, pak e përhapun por e dokumentueme.

Kundërshtimi i gjestit fisnik dhe plotësisht të merituem erdhi nga dy kuartiere, aleate në natyrën e tyne por të ndryshme në formë. I pari rrjedh nga “zjarri djegës partizan” elementë të zhytun thellë në përkrahjen pa kondita të “Neronit” në ditët kur “Roma” digjej flakë, dhe duertrokitës të nji sistemi politik që degradoi sistematikisht diskursin politik, mbyti çdo za e pikëpamje që e kundërshtoi, që tregoi nji mospërfillje të plotë për faktet, që demonizoi kundërshtarin tue e quejtë “armik i popullit”, e burgosi e torturoi dhe e pushkatoi.

Teorikisht, ai system trathëtoi “humanizmin marksist”, të çoroditun nga Lenini me “diktaturën e proletariatit” dhe të vramë mizorisht nga Stalini. Eksperienca staliniste në Shqipëri, ka qenë nji abces kanceroz në trupin social të shoqënisë sonë.

Për gjykimin e këtyne meturinave komuniste toksike, huazoi fjalët e Kryeministrit Edi Rama, kryetar i Partisë  Socialiste: ”Mid’hat Frashëri nuk është dënuar nga asnjë gjykatë shqiptare e ngritur sipas parimeve themelore të së drejtës, për çka është akuzuar, gjykuar, vrarë e rivrarë dhe varrosur e rivarrosur në mungesë, me baltën e miljarda herë leximeve të nekrologjisë së tij politike, për shumë dekada…..Mid’hat Frashëri i cili nuk kryesoi dhe nuk mori pjesë në ndonji qeveri kolaboracionistësh të Tiranës së viteve ’40, nuk lëshoi si Pierre Laval (i Frances,SR) urata mbi fitoret e nazi-fashistëve dhe nuk u bë asnjiherë ideolog i braktisjes së aleateve në favor të fuqive të Boshtit, kishte edhe ai apo jo (?) disa merita, madje madhore në historinë e Shqipërisë…..Këte duhet ta dëgjojnë të gjithë ata të cilëve sytë, hundët, goja, veshët u janë taposur me baltë nga 70 vjet propaganda karikatureske për Mid’hat Frashërin….”, të gjitha “mendjet e smura”, që refuzojnë të ndigjojnë të vërtetën.

Rryma e dytë ashtë ajo e “historianëve” falso që përbuzin faktet dhe refuzojnë me thanë të vërteten, tue nxjerrë pjesë jashtë kontekstit të ngjarjeve të viteve ’40.; ata me ndërgjegjsim të plotë shtrembnojnë të vërteten sepse nuk përputhet me “tezën” e tyne mashtruese.

Mbas pushtimit të vendit nga fashistët italianë, 7 prill 1939, grupet komuniste ishin të hutueme fare. Grupi i Shkodrës hodhi tezën se “pushtimi italian kishte efekt pozitiv në zhvillimin e lëvizjes komuniste në Shqipëri. Italia do të industrializonte vendin tonë bujqësor, do të krijohej klasa punëtore dhe proletariati që nuk ekzistonte….dhe revolucioni! (sic!)

Pesë muej ma vonë, gusht 1939, u firmue Traktati i Mos-sulmimit në mes të nazistëve dhe Bashkimit Sovietik. Ky pakt coptoi Poloninë në mes dy shteteve grabitçare. Akti banditesk në vend që të demaskohej u përshëndet si bashkimi i “punës” kunder “kapitalit” franko-anglez. Nji vjet ma vonë, Gjermania sulmoi shtetet e Europës perëndimore dhe i pushtoi me egërsi të madhe. Bashkimi Sovjetik sulmoi Finlandën që rezistoi heroikisht dhe pushtoi pjesë të territorit fin. Asnji protestë kundër këtij akti banditesk që nuk u reparue asnjiherë.

Në ndërkohë, Gjermania sulmoi vendet ballkanike dhe shkatërroi ish Jugosllavinë dhe Greqinë, ndërsa B.S. pushtoi tri republikat baltike dhe ia aneksoi Rusisë. Përsëri asnji protestë nga komunistët. Me shkatërrimin e Jugosllavisë, italianët hynë edhe në Kosovë . Nji ndër hapat e parë ishte arrestimi i elementit komunist jugosllav. Në mes tyne profesionisti revolucionar Miladin Popoviq, dhe “muzhiku” Dushan Mugosha, të cilët u internuen në nji kamp afër Peqinit. Me urdhër të ardhun nga PK Jugosllave, nji grup aktivistësh –komunistë dhe jo-komunistë shqiptarë, liruen “dy të internuemët” nga kampi. Janë këto dy elementë që vuen themelet e nji Partie Komuniste Shqiptare, caktuen Enver Hoxhën si sekretar të përgjithshëm, dhe morën drejtimin efektiv të Partisë së re.(7 nëntor 1941)

Me 22 qershor 1941, Gjermania naziste sulmoi Bashkimin Sovjetik pa paralajmërim. Ushtritë ruse u tërhoqën në kaos drejt Moskës me humbje të mëdha. Para rrezikut nazist, B.S. u lidh me nji aleancë jo-natyrale; për fatin e të gjithë njerëzimit doli me sukses falë koalicionit anglo-sovjeto-amerikan. Në B.S. hyni në lojë “gjeneral Dimni Rus” e mundësoi disfatën naziste.

Telegramet e mirënjohjes e falënderimit për rezistencën sovjetike nga KM Churchill dhe Presidenti F.D.Roosevelt janë, në fakt, modalitete që shpesh herë mbulojnë esencën e problemit nga sytë e popullit. Lufta Nac-Çlirimtare nuk u ba kurr  që të bahemi “republika e shtatë” e Jugosllavisë. Mijëra të rij e të reja idealistë luftojshin për nji Shqipëri të lirë,  nji popull të lirë, dhe demokraci, dhe u trathëtuen!

“Çlirimi” ka qenë nji zgjim frikësues, nji trathëti e maskueme. “Liria e Shqipërisë u usurpue” tha Mid’hat Frashëri, dhe “këtu unë jam dakord me te.” deklaroi KM Edi Rama. “Dhe nuk janë veteranët e Luftës Nac-Çlirimtare, por komunistët e pas-luftës që sot gjykojnë Mid’hat Frashërin, a thue se jemi të nesërmen e fitores së luftës, e jo plot 28 vjet nga data zyrtare e vdekjes së shpresës që solli fitorja e tyre (?) ka të bëjë jo me atë luftë por me krimet qe u bënë në emër të fitores saj!” (7.000 plus të pushkatuemë me gjyq e pa gjyq,, 26.000 plus të burgosun politikë, burra e gra; 50.000 plus familjarë, shumica pleq, gra e fëmij të internuem sepse baba-gjyshi i tyne ka qenë “reaksionar”!. Ish presidenti Ramiz Alia pohonte: ”Rendi i ri shoqëror u vendos me forcën e bajonetës! Ka pasur edhe gabime, por jo krime!”( Shpresa dhe Zhgënjime” f.12) Gënjeshtar patologjik!

Në BS u riorganizue KOMINTERN-i, organizatë komuniste për mobilizimin e popujve në ndihmë të BS. Filloi organizimi i grupeve komuniste sidomos në Europë. Në Shqipëri, gjithçka “komuniste”u ba nën drejtimin e instruktorëve jugosllavë. Çetat e armatosuna filluen aksionet kundër okupatorit në pranverën e vitit 1942: komunistë, ballistë, të pavarun. Për hir të organizimit, disiplinës dhe formimit ideologjik çetat komuniste fituen epërsinë. Me metodat e tyne ma shnjerëzore, tue përfshi terrorin e hapët, u krijue atmosfera e dhunës dhe frikës që vijoi deri në fund të vitit 1944, me largimin e nazistëve nga vendi i jonë. Komunistët shqiptarë refuzuen çdo bashkëpunim politik në vrapin e tyne me marrë në dorë pushtetin absolut politik të vendit. Kundërshtarët u detyruen me lanë Atdheun. Kështu bani edhe Mid’hat Frashëri. Dokumentacioni ekzistues konfirmon varësinë e plotë të komunistëve shqiptarë nga PK Jugosllave, që vazhdoi deri në qershor të vitit 1948, me prishjen e marrëdhanjeve shqiptaro-jugosllave.

(Në burgun e Burrelit, antifashisti i njohun Prof. Gjergj Kokoshi, ish ministër i arsimit në qeverinë e parë të E.Hoxhës, dhe deputet, përsëriste: ”E çliruem Shqipërinë, dhe ia dhuruem peshqesh Titos!”)

******

I frikësuem nga nji skenar i këtill, vizionari Mid’hat Frashëri pranoi qendrimin “le të mos nxitojmë, të mos shkatërrojmë vendin, të presim e të shohim!” në luftë kundër nazistëve. Logjikisht i drejtë, por në rrethana të atyne ditëve mund të gjykohet “politikisht i gabuem”. Në situata të vështira ngjet që merren vendime për momentin të gabueme, por që me zhvillimin e ngjarjeve të mavonëshme tregohet se kanë qenë korrekte. Në fjalorin e filozofisë së etikës ekziston nji shprehje e përshtatshme për këte situatë: “conceptionalism” – nji terminologji që përdoret sot në përcaktimin e nji qendrimi ku të gjitha aksionet tona janë të drejta ose të gabueme simbas vlerës ose kundërvlerës që vjen si rrjedhojë e aktit tonë. Nji qendrim i këtill lexohet në kujtimet e ML britanik Julian Amery në librin e tij “Sons of the Eagle”. Këtu japim citatet ma të përshtatëshme për ilustrim:

“….Mid’hat Beu…ishte nji republikan me bindje të forta dhe iu përkushtue librarisë së tij. Ai ishte i formuem me kulturën europiane dhe ate të Lindjes së Mesme…nji konservativ romantik, i përfshimë nga zjarri patriotik. Ai ishte i paisun, megjithate, me nji gjykim të ftohët por të ndritun, e biseda e tij ishte tërheqse dhe fitoi admirimin tonë.

Na e akuzuem troç Ballin Kombëtar për “bashkëpunim’ me gjermanët dhe e kercënuem se do të denoncojmë lëvizjen dhe udhëheqsit e saj si armiq të Aleatëve në se ata nuk braktisin menjiherë luftimet kundër partizanëve. Mid’hat Frashëri ishte shumë i ndershëm për të mos u shtirur dhe u përgjegj: ’tash është tepër vonë. Një revolucion po përhapet në Shqipërinë e Jugut në të cilin komunistët janë të organizuem në Lëvizjen Nacional-Çlirimtare me qellim të çthurin rendin social të mbrojtun nga Balli Kombëtar…Ballistët kanë qenë besnikë ndaj Aleatëve (Mukaj,1943 SR)por mbas kapitullimit italian, Enver Hoxha sulmoi Ballistët sepse nuk donte të ndante me rivalët çmimin e pushtetit politik. Lufta civile nuk ka lidhje me Çlirimin Kombëtar të cilin e kishin ndjekur të dy palët qyshë në fillim…’

Partizanët, sidoqoftë, e kanë tregue veten të pamëshirëshëm për çmimin e luftës që paguente popullsia civile dhe të fortë me armë që morën nga britanikët. Ata kanë ba trysni të fortë ndaj Ballistëve, dhe këta të fundit, sikur e kanë pasur të pamundurnji luftë në dy fronte kishin qenë të detyruur t’i pezullojnë sulmet e tyne ndaj gjermanëve të mbrojnë veten nga partizanët…Ishte për të ardhun keq që kjo luftë civile kishte marrë përparësi, ndaj zhvillimeve tjera, por ky ishte realiteti. Gjermanët tashma ishin të mundun dhe shqiptarët mund të bejnë pak me shpejtue apo vonue shkatërrimin e tyne. Pasoja e luftës civile, sidoqoftë ishte ende në dyshim dhe kishte prekë çdo aspekt të jetës së përditëshme të çdo shqiptari. Ai nuk mund t’i fajsonte vertet ata udhëheqës Ballistë të cilët për aksione të veçanta kishin pranue ndihmën nga ushtria gjermane. Ata nuk e kishin bërë këte gjë nga dashuria për gjermanët, apo nga përllogaritja e një fitorje të Gjermanisë….”

“Nga çdo njiqind armë që britanikët u dërgonin partizanëve, nandëdhjetë  zbrazeshin kundër shqiptarëve….Në se Enver Hoxha do të braktiste përpjekjet për të krye revolucionin socialist nën petkun e rezistencës patriotike, atëherë Ballistët me kënaqsi do të luftonin kundër gjermanëve. Ballistët janë miq të britanikëve, ndërsa partizanët janë vetëm agjentë të Rusisë” deklaroi Mid’hat Frashëri.

  1. Amery shton:” Ne i hodhëm poshtë me forcë argumentët e tia, duke mos dhënë asnji shenj simpatie që mund të trimronte formimin e nji fronti anti-komunist. Megjithate, ne do të pranonim në veten tonë se kishte shumë të verteta në atë që tha ai. Në revolucione ‘nuk mund të keshë pa-anësi!”,,,”Në kohën e revolucionit,ai që nuk ashtë me mue, ashtë kundër meje!” (S. Buçpapaj.Mid’hat Frashëri, prania fizike.DIELLI, 20 dhjetor 2018)

Të metat, gabimet dhe krimet e Enver Hoxhës dhe të sistemit tij nuk u spjeguen nga intelektualët serioz shqiptarë, me shumë pak përjashtime. Edhe kur u trajtuen nga intelektualë jo-komunistë, mendimet e tyne nuk u pranuen nga kuadrot e formueme gjatë rregjimit diktatorial. Akoma sot duket sikur nuk lejohemi me mendue ndryshe nga versionet zyrtare për këte Shqipëri qe na dogji zemrën me problemet e saj, e që na dekurajon me aktet e udhëheqjes saj.

“Bartës i ndershmërisë intelektuale në pohimin e së vërtetave të veta pavarësisht çmimit që ato kanë” (E.Rama), sot Mid’hat Frashëri, ky burrë shteti, na këshillon seduhet nji dozë ndershmënie frashëriane nga ana e kuadrova të rregjimit komunist, me pohue të vërteten.

“Në nëntor 1944, Mid’hat Frashëri në Shkodër, në shtëpinë e Rrojve u drejtohet të pranishëmve duke thënë: ‘Marr përgjegjsinë t’ju deklaroj se e çbëjmë organizatën eBallit Kombëtar. Ajo e kreu misionin e vet historik. Ne humbëm luftën, por jo shpresënCili kuadër komunist ka guximin moral me denoncue haptazi egërsinë kriminale të regjimit”. komunist në Shqipëri? Ata të pakët që folën, u vranë!

Unë mendoj se kjo mungesë guximi civil ashtë shkaku i ndasive tona sot që nuk lejon dialogun serioz, dhe eventualisht pajtimin tonë kombëtar.

Filed Under: Opinion Tagged With: feflektim, krimet, kthimi ne Shqiperi, Midhat Frasheri, Prof. Sami Repishti

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 31
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT