• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2019

KËRCËNIMET NDAJ SIGURISË BOTËRORE, NË RREZIK EDHE BALLKANI PERËNDIMOR

January 31, 2019 by dgreca

-Paralajmërimet u bënë nga zyrtarët më të lartë të enteve të Zbulimit Amerikan       gjatë një sesioni në Komisionin e Zbulimit të Senatit  të hteteve të Bashkuara të martën që kaloi./

1-Frank-shkreli-

Nga Frank Shkreli/Zyrtarët më të lartë të zbulimit amerikan, përfshirë Drejtorin e FBI-së, Chris Wray dhe Drejtoreshën e CIA-s, Gina Haspel, paralajmëruan për kërcënimet në rritje e sipër ndaj sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe ndaj sigurisë botërore, si pasojë e bashkpunimit në rritje e sipër midis Kinës dhe Rusisë.  Ata paraqitën të martën raportin vjetor — para Komisionit të Senatit për Zbulimin të Shteteve të Bashkuara – dhe për të dhënë dëshmi mbi sfidat e sigurisë me të cilat përballet bota këtë vit.

 

Përveç dëshmive nga ai vet dhe nga udhëheqsit më të lartë të enteve të Zbulimit amerikan, Drejtori i Zbulimit Kombëtar Dan Coats, i dorëzoi Komisionit të Senatit raportin vjetor me vlerësimet e enteve amerikane të Zbulimit, për paralajmërimet ndaj kërcënimeve që i kanosen sigurisë kombëtare dhe botërore.  Z. Coats shkruan në parathënien e raportit që i dorëzoi Senatit se, “Kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara do të shtohen dhe do të marrin forma të ndryshme gjatë këtij viti, shkaktuar pjesërisht nga bashkpunimi i ngushtë midis  Kinës dhe Rusisë, ndërkohë që ato do të garojnë më intensivisht në nivel ndërkombëtar me Shtetet e Bashkuara dhe me aleatët dhe partnerët e tyre tradicionalë. Garat po ndodhin në të gjitha fushat, përfshirë konkurrencën për superioritet teknologjik dhe ushtarak, përfshirë gjithnjë e më shumë edhe vlerat, si pjesë e kësaj gare.  Rusia dhe Kina po përpiqen të përcaktojnë dinamikat e sistemit ndërkombëtar dhe të sigurisë rajonale dhe të ushtrojnë njëkohësisht influencën e tyre politike dhe ekonomike në të gjitha rajonet e botës, e sidomos në rajonet gjeografike afër tyre”, thuhet në raportin e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar.   Drejtori i Zbulimit Kombëtar.  Z. Dan Coats u tha gjithashtu anëtarëve të Komisionit të Senatit se Rusia dhe Kina e ndoshta edhe vende të tjera do të përpiqen të përdorin mediat sociale dhe mjete të tjera, për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2020.

Në raport theksohet fakti se “Kina dhe Rusia kanë lidhur një aleancë më të fortë se kurdoherë tjetër, ndoshta ç’prej viteve 1950-ave, duke nenvijuar se ka të ngjarë që këto lidhje të forcohen edhe më shumë gjatë këtij viti, sidomos kur përputhen disa prej interesave të tyre, në kundërshtim me vlerat demokratike perëndimore dhe të zbattimit të drejtave bazë të njeriut.”   Në parathënie të raportit mbi kërcënimet ndaj sigurisë botërore, dorëzuar të martën Senatit, nënvijohet gjithashtu se, “Ndërkohë që Kina dhe Rusia po përpiqen të shtrijnë influencën e tyre globale, ato njëherazi po shkelin edhe normat e sigurisë, të njohura dhe të pranuara tanimë, ndërkombtarisht, duke shtuar në këtë mënyrë rrezikun për shpërthimin e konflikteve rajonale, sidomos në Lindjen e Mesme dhe në Azinë Lindore”, theksohet në raport.

Eskpertët e Zbulimit amerikan shprehin gjithashtu shqetësimin e tyre se k[saj atmosfere pasigurie për botën kontribon edhe fakti se aleatët dhe partnerët e Shteteve të Bashkuara po kërkojnë një pavarësi gjithnjë e më të madhe nga Washingtoni, në përgjigje të atyre që ata supozojnë se janë ndryshime në politikat amerikane të sigurisë dhe të tregëtisë, ndërkohë që tregohen më të gatëshëm se në të kaluarën që të arrijnë marrveshje për partneritete dypalëshe ose shumëkombëshe.  Ndër të tjera, ata paralajmërojnë se sistemi ndërkombëtar i pas Luftës së Dytë Botërore është gjithnjë e më shumë nën trysni — përballë kërcënimeve dhe sulmeve kibernetike, përhapjes së armëve bërthamore, garës në hapësirë dhe konflikteve rajonale.

Raporti i agjencive amerikane të Zbulimit ven në dukje edhe kërcënime të tjera ndaj sigurisë botërore, duke përmendur terrorizmin si një kërcënim ndaj interesave amerikane dhe të aleatëve të Shteteve të Bashkuara anë e mbanë botës.  Imigrimi, sipas raporti, përbën gjithashtu një problem që nxit tensionet, jo vetëm midis disa shteteve por edhe në nivel global.  Trazirat politike po shtohen në shumë rajone të botës ndërsa po zhbëhet qeverisja e mirë, nënvijojnë shefat e enteve të Zbulimit amerikan.

Si një ndër problemet me të cilat përballet bota këtë vit, sipas raportit të agjencive amerikane të Zbulimit, është edhe rritja e nacionalizmit në Evropë, si një dukuri kjo që nxit tensione në kontinent dhe më gjërë.  Dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian dhe zgjedhjet për parlamentin evropian, në fund të muajit Maj, sipas raportit, do ta bëjë të vështirë që Bashkimi Evropian dhe udhëheqsit e vendeve të ndryshme evropiane, të mund të përballen me përpjekjet në rritje e sispër të Rusisë dhe Kinës, për t’i përçarë ata nga njëri tjetri dhe për t’i larguar nga Shtetet e Bashkuara.  Raporti thekson se ka të ngjarë që Rusia dhe Kina të shtojnë përpjekjet e tyre për të rritur influencën e vet në Evropë në kurriz të interesave amerikane, duke përfituar në këtë mënyrë, jo vetëm nga problemet ekonomike në disa vende, por edhe nga mosmarrveshjet transatlantike dhe nga rezultati i zgjedhjeve për Parlamentin evropian në Maj, ndërsa pritet që parti të ndryshme nacionaliste evropiane të shënojnë fitore të dukshme në ato zgjedhje. Raporti përmend gjithashtu si faktor i pasigurisë edhe, “Ambiciet rajonale të Turqisë, mosbesimi i saj ndaj Shteteve të Bashkuara dhe autoritarizmi në rritje e sipër i udhëheqësve turq, po ndërlikojnë marrëdhëniet dypalëshe, ndërkohë që po e bëjnë Ankaranë më të gatëshme dhe më të vullnetshme të sfidojë objektivat rajonale të Shteteve të Bashkuara.”

Raporti i ekspertëve amerikanë të Zbulimit mbi kërcënimet, gjatë vitit 2019 ndaj sigurisë botërore, parashikon gjithashtu një të ardhme të zymtë për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor ku thuhet se: “Pothuaj është e sigurt se rajoni i Ballkanit Perëndimor do të mbetet i rrezikuar nga dhuna në nivel të ultë, ndërsa ka mundësi edhe për një konflikt të hapur ushtarak gjatë gjithë vitit 2019.  Rusia do të përpiqet të shfrytëzojë tensionet etnike të rajonit dhe njëkohësisht të përfitojë nga korrupsioni i lartë që ka pllakosur vendet e Ballkanit Perëndimor, me qëllim që t’i pengojë ato vende të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian dhe e Aleancës së Atlantikut Verior, NATO-s”, thuhet në raport.

Në këtë situatë të zymtë që parashikon raporti vjetor i enteve të Zbulimit amerikan për botën në përgjithsi dhe për Ballkanin Perëndimor në veçanti, Shqipëria dhe Kosova nuk kanë qenë kurrë më në gjëndje të dobët – të pakën këto 30-vjetë post-komunizëm – për të kundërshtuar influencat e huaja, sidomos influencat nga Rusia, Turqia e deri diku edhe Kina.  Korrupsioni i lartë, gjëndja e mjerueshme ekonomike dhe mos-stabiliteti politik, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, janë një pikë e dobët dhe përbëjnë një fushë të dobishme veprimi dhe shfrytëzimi – në mungesë të normalitetit politik dhe ekonomik shqiptar – për interesat anti-shqiptare   të Rusisë, Serbisë, Turqisë, Greqisë, e të tjerëve.

Siç mund të shihet edhe nga raporti amerikan mbi kërcënimet që i kanosen sigurisë botërore gjatë këtij viti, rreziqet janë të mëdha edhe ndaj fatit dhe interesave kombëtare dhe të sigurisë së Shqiptarëve në trojet e veta. I takon kësaj klase politike që të ushtrojë maturi politike dhe diplomatike – por mbi të gjitha atdhedashuri — në këtë botë të pasigurt dhe plot kërcënime, duke ndenjur larg interesave të huaja dhe provokimeve të tyre dhe të mos joshen me “miqësi” të rrejshme — nga shtete që, historikisht, kurrë nuk ia kanë dashur të mirën shqiptarëve.  Këto janë kohëra shqetësuese, për të mos thënë të rrezikshme, të cilat nevojitin njerëzit më mendje ndritur dhe më me përvojë që ka Kombi.  Rregulloni punët e shtëpisë, dhe ashtu siç jeni betuar, bëni detyrat që iu kanë besuar shqiptarët, para se të jetë vonë.  Kujdes, se kjo nuk është koha as vendi për të eksperimentuar me politikën e jashtme dhe me diplomacinë e Kombit shqiptar, sidomos përballë kërcënimeve dhe rreziqeve ndaj sigurisë botërore dhe rajonale, siç paralajmëruan edhe shefat e enteve të Zbulimit Amerikan, në dëshmitë e tyre këtë javë, para Komisionit të Zbulimit të Senatit të Shteteve të Bashkuara.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Ballkani, Frank shkreli, Kercenimet ndaj Sigurise

Rama, Caka dhe Makiaveli

January 30, 2019 by dgreca

1 Edi-Rama-Gent-Cakaj

…. Vini re se arritja me e madhe në diplomaci e Ministrit është “Filozofia e Fesë dhe Metafizika, se ku përputhen këto me diplomacinë vetëm ti si kryeministër mund ta dish). Së dyti, ai është diplomuar me titullin Master në shkencat politike nga Universiteti i Evropës Qendrore në Budapest, Hungari (2015). Po pse do t’i duhej një titull në të njëjtën fushë dhe titull Master nga Universiteti i Sorosit që Hungaria e mbylli? /

1 Rafael Floqi

Nga Rafael Floqi/

“Metoda e parë për vlerësimin e inteligjencës së një sundimtari është të shohësh burrat e shtetit që ai ka rreth tij,  thotë tek Princi  Niccolò Machiavelli, pastaj vazhdon  “Nuk jam i sigurt për këshilltarin e mbretit. A ka ndonjë gjë në kokën e tij, apo është e zbrazët?”

Çfarë do të thotë kjo po të spotrohemi në kohë dhe hapësirë në Shqipëri dhe të shohim ty “mbretin tone”, z. Edi Rama dhe ministrat e tu të rinj?

Le të shohim CV e ministrit më të përfolur, gjeniut të lëçitur, të cilit më së fundi iu zbulua edhe përvoja. “Gent Cakaj ka lindur në Prishtinë, më 6 korrik 1990, është shkolluar në Kosovë, Belgjikë dhe Hungari. Në vitin 2017, Gent Cakaj ka marrë gradën Master Shkencor në Filozofi, duke u diplomuar me rezultate të shkëlqyera nga Universiteti i Leuven-it në Belgjikë, Qendra për Metafizikë, Filozofi të Religjionit dhe Filozofi të Kulturës të Institutit të Filozofisë të këtij universiteti. ( Vini re se arritja me e madhe në diplomaci e Ministrit është “Filozofia e Fesë dhe Metafizika, se ku përputhen këto me diplomacinë vetëm ti si kryeministër mund ta dish). Së dyti, ai është diplomuar me titullin Master në shkencat politike nga Universiteti i Evropës Qendrore në Budapest, Hungari (2015). Po pse do t’i duhej një titull në të njëjtën fushë dhe titull Master nga Universiteti i Sorosit që Hungaria e mbylli?  Ndërsa studimet universitare i ka kryer për drejtësi në Fakultetin Juridik të Universitetit AAB në Prishtinë (2016), si dhe studimet për filozofi në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Prishtinës (2012).

E keqja është z Rama se ne dimë të lexojmë në rreshta dhe ndërmjet rreshtave. P.sh. pas studimeve ku sipas sugjerimit të Batonit siç ka deklaruar ai vetë  ia coi si stazhier Vali Bishga duke e caktuar këshilltar  dhe rrogën e parë të punës e ka nisur me ju z Rama si këshilltar, por më thuaj a kishte ndonjë ditë përvojë punë zyre.

Gent Cakaj thuhet se ka një ekspertizë të thellë në Analiza Politike dhe Politika Krahasuese, në Filozofi Moderne dhe Metafizikë thuhet, por “Metafizika është dega e filozofisë që shqyrton natyrën themelore të realitetit, duke përfshirë lidhjen midis mendjes dhe materies, midis substancës dhe atributit, dhe mes mundësisë dhe aktualitetit, thotë American Heritage® Dictionary of the English Language (5th ed.). 2011, ndërsa Diplomacia është arti i të mundshmes me mjetet e te pamundshmes, një art ashtu si shahu, që sado të kesh mundësi dhe te jesh një mendje e ndritur do edhe përvojë. Pasi siç thotë një thënie amerikane “ There is no replacement for experience.” Nuk ka zëvendësues për përvojën.  Në politikën e jashtme sidomos kur je një vend i vogël nuk ka vend për voluntarizëm dhe as për akrobacia, eksperimente dhe dëshira personale në një kohë mjaft me rëndësi, kur priten marrëveshje të rëndësishme për kufijtë me Greqinë, miratimi i anëtarësimit në BE, kryesimi i OSBE-së dhe bisedimet me Serbinë për ndryshimet e kufijve me Kosovën.  Kush e merr seriozisht Shqipërinë me këtë “enfant prodige” që vetëm Ju dhe Batoni e shihni?

Ne si analistë, mund të analizojmë operacionet e sistemeve ndërkombëtare, por burrështetasit i ndërtojnë ato. Dhe ekziston një dallim i madh midis perspektivës së një analisti dhe atij të një burri shteti. Analisti mund të zgjedhë problemin që dëshiron të studiojë, ndërsa problemet e burrështetasve i imponohen atij. Analisti mund të japë çdo kohë që është e nevojshme për të arritur një përfundim të qartë; sfida e madhe për burrështetasin është presioni i kohës. Analisti nuk rrezikon. Nëse përfundimet e tij provojnë gabim, ai mund të shkruajë një tjetër shkrim. Apo jo Baton? Burrështetasit i lejohet vetëm një mendim; gabimet e tij janë të pakthyeshme, z. Rama.

Prandaj z. Rama duhej më shumë kujdes. Këmbëngulja juaj mund të shërbejë si djep për teori konspirative me emërues te përbashkët Sorosin, Ju edhe Thaçin. Gjë që unë nuk ngutem t’i besoj, por nuk e kuptoj ku e gjen të drejtën një analist si Baton Haxhiu të kërcënojë presidentin Meta. Kjo më le të dyshoj, edhe pse nuk dua, por prapë se prapë më bren një pyetje. Si shpjegohet se që të dy ministrat kosovarë të qeverisë Rama vijnë nga Universiteti i Sorosit? A mund të më japësh ndonjë shpjegim për këtë ?

Personalisht mendoj se ndër të 7 ministrat që ndërrove, nga sa e kam dëgjuar në intervista në TV, Gent Caka është një djalosh i ri, i lexuar, me llogore, e fjalor argumenti shkencor, por pa eksperiencë, dhe duke qenë në një fushë të vështirë, mendoj se risku është shumë më i madh se shpatullat e tij, ndaj dhe Meta ta futi, kur të tha që të bëhesh dhe ti Ministër, duket se të ka hequr siguresën .

Ju Ministër i Jashtëm de jure shkëlqesia juaj z. Edi Rama mund të mendoni se shkuarja me atlete në mbledhjet e BE-së është diplomaci, mund të mendoni, se provokimet, apo kërcënimet ndaj BE-se janë diplomaci, se deklaratat kundër presidentit, atëherë kandidatit Trump janë diplomaci, se deklaratat për Kosovën në Beograd mund të ngjallin një frymë entuziazmi patriotik, por cili është rezultati …. Ja Vuçiçi po vjen shpejt në Tiranë, dhe ai është bërë figurë e Ballkanit dhe jo Ju. Besoj Macroni ju bleu mendjen nga atletet, dhe Merkel nga veprat…

Politika e jashtme e Shqipërisë ka vuajtur nga personalizimi i saj nga kryeministrat. Dhe Ju besoj se ndryshimet në qeverinë e re nuk i bere nga qefi por  e bëre nga halli i situatës të brendshme, se sa nga përpjekjet për të rilindur Rilindjen. I bëre ndryshimet jo si thua, në intervista me shtypin e huaj, për rigjallërim të punës, sepse ministrat nuk kanë qenë autoritete të ardhura nga jeta politike e vendit, as dhe nga PS-ja, por janë përzgjedhja e juaj dhe e Lindës në atë që përbën enturazhin tuaj.  Prandaj, ministrat për ju nuk personifikojnë autoritete të fushës, por individë që do të ndihmojnë në realizimin e idesë suaj. Prandaj, ishte edhe një numër kaq i madh ministrash 7-të, të shkarkuar për 7 minuta, në një mbledhje të Asamblesë Kombëtare të PS, ku emrat e ministrave të rinj vetëm t’i i dije.

Dhe kjo ka ndodhur se politika e jashtme gjatë qeverisjes së Rilindjes ka qenë dhe ka vijuar si një diplomaci show, pa asnjë vizion i qartë, pa asnjë vazhdimësi për të siguruar stabilitetin dhe sovranitetin e Shqipërisë, por ka qenë një personalizim i politikës së jashtme nga ju z. kryeministër dhe tani dhe ministër i Jashtëm adintering, Rama. Nuk besoj se Bushati ka bërë ndonjë belbëzim, pro Merkelit a kufijve të Kosovës me Ju.. Këtu ka do gjëra të errëta. Pse duhej të na e kujtonte i pari, ish ministri i jashtëm Grek, Kotzias se Bushati po largohej se nuk pranonte shkëmbimin e territoreve Kosovë –Serbi?

Dhe një çështje tjetër. Nëse një shtet është njëkohësisht shtet i vogël, politika e tij e jashtme kërkon shumë përpjekje për të pasur sukses.  Me gjithë mundësitë e kufizuara shtetet e vogla e të reja, mund të realizojnë këto synime dhe të gjejnë vendin e tyre në marrëdhënie ndërkombëtare, sidomos nëse janë të afta të përcaktojnë dhe të realizojnë ndonjë pozicion specifik të tyre në kuadër të rrethanave ndërkombëtare. Në kësi situate, diplomacia publike efektive paraqet një mbështetje të madhe për realizimin e interesave të jashtme të shtetit.

Një nga veçoritë e diplomacisë publike të shteteve të vogla është se ato duhet të përqendrohet në aktivitete që synojnë tërheqjen e vëmendjes së publikut ndërkombëtar. Kjo nuk arrihet lehtë. Në janar 2018, Gent Cakaj i është bashkuar Kabinetit të Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë si këshilltar politik, përgjegjës kryesisht për procesin e integrimit evropian dhe politikës së jashtme.  Po ka një pyetje këtu pse fshihej kjo biografi . Ka pasur ndonjë sugjerim të eminencës gri, Baton Haxhiut, nuk dua t’u besoj komenteve nga Kosova, por figura e tij ka shume hije se dritë.

Duket se arsyeja e vetme, që i ndërrove ministrat nuk është puna e pesëvjetëshit, se ajo është loja. Kuajt nuk ndërrohen kur janë të suksesshëm. Siç pohove se ishin ministrat e larguar, z. Rama. Por shkaku i vërtetë s’qenka jo rigjallërimi i qeverisë siç i pohove gazetares gjermane, por sic i deklarove vetë opozitës, se” ministrat e rinj s’kemi mundësi të m’i shani për korrupsion”.  E në këtë mes nuk e besoj se kundërshtimi i ish-ministrit të jashtëm, Ditmir Bushati për korrigjimin e kufijve nuk mund të jetë shkaku.

Një palë iku, një palë erdhi, dikush erdhi si rilindas, por nuk lindi asnjëherë. Anonimati i ministrave të rinj besoj se të shërben. siç u shprehe vetë për t’u mbrojtur përkohësisht nga akuzat e opozitës për figura të korruptuara. Dhe aman më qafsh, Bracen e zgjodhe zëvendëskryeministër se të bënte zhurmë e s’doje të bezdiste me kuisjet e tij në Parlament?

Duke ju referuar fjalimit të parë të këtij Cakaj dukej se artikulimi i tij diplomatik ishte i papranueshëm. Si mund të jetë ministër i jashtëm një që s’ka koncepte e artikulim serioz e që emocionohet para kryeministrit të tij si një fëmijë që reciton para shkollës  Kur dëgjon dikë që ka një dalje publike dhe është e pamundur të komunikojë me audiencën, sigurisht që nuk të krijon një habi të madhe, si gjeni, enfant prodigue, sikur e ke prezantuar . Si mundet që ky njeri të mund të drejtojë një ministri kaq të rëndësishme. Në mënyrën se si ai u pozicionua kur mori kompetencat, tregonte mosdije totale për detyrat e shtetit. Po ishte i lexuari i paditur.

Këto gjëra thotë Machiaveli, mund të ju tregojnë shumë për një sundimtar, për sjelljen e tyre, për prirjet e tyre dhe inteligjencën e tyre. Nëse të gjithë të tjerët janë duke u përulur shpesh, ose duke lavdëruar sundimtarin, mund të jeni në gjendje të mendoni rreth nivelit të pasigurisë. Po njësoj, nëse gjithkush do t’i nënshtrohet liderit  “Më të zgjuarit prej nesh të gjithëve!”

Dhe ajo zonjëza Besa Shahini në atë intervistën me atë ekscentrikun Çani, pikërisht këtë gjë tregoi. Se me gjithë përvojën e madhe me politika për arsimin, ajo nuk gjykonte dot me kokën e saj po me atë tënden, jo më me kurrikulën e fillores. Po me këmbënguljen e pacipë të Çanit, u zbulua edhe ajo tjetra, se shoqja Veliajt dhe e ministres tjetër Elisa Spiropalit vinte dhe ajo nga studimet e Universitetit të atij mikut tënd, Sorosit, aty ku edhe ajo hartonte politika zhvillimi si edhe metafiziku ynë i jashtëm.

Ore kam një ide tani që Sorosit ia mbyllën Universitetin në Hungari, pse si thua ta hapë atë në Shqipëri, pasi mund të nxjerrësh ndonjë para, edhe për ata të gjorët, studentët e Universitetit të Tiranës, tani që je vënë në krye të revoltës së tyre….

Mu dhimbs ai Genti sa në siklet qe. E  kuptoj e kishte hallin të mos zhgënjente kryeministrin, ty pra, e jo të kryente detyrën për Shqipërinë. Pasi marrëdhëniet nuk janë brenda institucionit, por marrëdhënie kanalizohet në mënyrë personale, si dishepulli për mjeshtrin. A nuk po e bën punën edhe Ministri i Brendshëm ish-gjenerali Sandër Leshi, që u degradua dhe u gradua në lesh,  nga dashuria për ty ?  Kjo mund të jetë një çelës për inteligjencën e vërtetë të ministrave (si dhe për mençurinë e tyre).

Po pse i ndërrove aman, në Shkodër në kohën e Enverit qarkullonte në barsaletë .U mor vesh se fatorinot e autobusëve merrnin lekët dhe nuk jepnin biletat pasagjerëve , do të hiqeshin nga Parku. Ato protestuan pse na hiqni do të kaloj ca kohë dhe të rinjtë do mësojnë hilet tona, ne jemi ngopur disi por të rinjtë janë më të uritur, është më mirë të na lini ne. Morali kuptohet.

E kuptoj që je zënë ngushtë, dhe pse bëre ndryshime në aparatin qeveritar, po këto ekzibicione politike si duket nuk po të sjellin sukses. Ministria e Punëve të Jashtme, është një post që të solli kokëçarje. Më lind pyetja mos vallë në fazën finale të dialogut Kosovë – Serbi ndoshta i duhet patjetër një ministër i tillë sa për firmë.

Nuk e kuptoj o kryeministri ynë pse mediat e kazanit, siç i quan ti si në Shqipëri po ashtu edhe në Kosovë, duke i parë sjelljet e tua po të krahasojnë me Putinin dhe Erdoganin. A man më thuaj sa për qind te Putinit pëlqen dhe sa për qind të Erdoganit ? E prapë ai Makiaveli më porosit shikoni njerëzit me të cilët ai rrethohet?  Çfarë mendoni për ta, inteligjencën e tyre dhe shijen e tyre?  Z. Rama si ju percepton bota ju, shpesh bazohet në atë që ju dukeni ( me atlete) si dhe në njerëzit që keni përreth pa asete.

E di se autoriteti i juaj nuk pranon që të ketë dikë tjetër si sfidues në qëndrime, duke i menduar ministrat të gjithë në funksion të politikës suaj dhe jo si përfaqësues institucionalë në bazë të Kushtetutës.  Sepse po të shohim atë që e shite si një hap pozitiv në Ballkan në marrëdhënien e re mes Serbisë dhe Shqipërisë, sot po e shohim se me shumë zgjuarsi është përdorur nga Serbia për të fituar dhe realizuar skenarin për rikthimin e Serbisë në rajon si protagoniste, duke përdorur elementin shqiptar, pas një humbjeje të madhe morale dhe politike me gjenocidin ndaj Kosovës? Kur është në pyetje pozita reale e një shteti në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe aftësia e tij për të realizuar interesat e jashtme, burime të fuqisë si madhësia, pozita gjeografike, resurset ekonomike, fuqia ushtarake apo kultura… janë përcaktuese. Edhe tradita e gjatë shtetërore është përparësi e madhe. Zotërimi në masë të kufizuar i këtyre dhe burimeve tjera të fuqisë, nga ana e shteteve të vogla dhe të reja ka ndikim të drejtpërdrejtë në planifikimin dhe zbatimin e politikës së jashtme. Prandaj duhet mençuri dhe përvojë z. Rama dhe jo cicmice dhe provokime koti në Amarcord si me Greqinë. Nuk na duhet amarkordi apa amorpropri yt, para Çamërisë dhe kufijve detarë të Shqipërisë.

Winston S. Churchill, thoshte se diplomacia Diplomacia është arti i njerëzve që u thonë bashkëbiseduesve shkofsh në djall por në mënyrë të tillë që ata vetë t’i kërkojnë drejtimet e rrugës ” dhe Genti Caka, sado djalë i lëçitur qoftë, në metafizikën e Kantit, nuk i di ende rrugët dhe adresat. E tregoi fakti që ndërroi adresën e Twitterit pa u zgjedhur ende ministër e tregon foshnjërinë e tij … Z Rama nuk kam asgjë ndaj ministrave kosovarë dhe është gjë e mirë që të vazhdojë tradita e ministrave nga Kosova në qeverinë shqiptare, por duhet duhet një Hasan Prishtine, për të zgjidhur çështjet e mëdha kombëtare të kufirit me Greqinë dhe me Serbinë. Diplomacia nuk është lojë xing z. Rama. Është lojë që nuk të fal. Ti e di si kujtohet Zogu për Shën Naumin.

Çfarë lloj njerëzish e rrethojnë një lider? A është ajo një bandë e “yes –menësh ” apo janë ata ekspertë të lëndës, të gatshëm për t‘ia përplasur me shuplakë sundimtarin të tyre?  Asnjë ministër se ka bërë këtë gjë gjer më sot në Shqipëri. Madje as dhe një dorëheqje. Të gjithë flasin vetëm sa hiqen. Aman ai Manjani!  Por sa janë ata në qeveri janë të gjithë të butë, të pangopur, kukulla goxha, shkurt, pak më shumë se lodra për të gudulisur egon tënde prej buratinai?

Në fakt më fal se këto pyetje, s’janë të miat por të Makiavelit, dhe 500 vjet më parë.

PS :Nëse ka një ngjashmëri me Ju qeverinë e re tënde të re , kjo mund edhe  të mos jetë e rastit.

 

Filed Under: Politike Tagged With: Caka dhe Makiaveli, Rafael Floqi, Rama

SHTËPIA NË PARK DHE KRROKAMA E KORBIT: KURRË MË!

January 30, 2019 by dgreca

Reportazh: Në 210-vjetorin e lindjes së Poetit Edgar Allan Poe/
Nga: Sinan KAMBERAJ/

Në Bronx të New York-ut, në harkun ku rruga ‘Kingsbridge’ pret Avenynë ‘Grand Concourse’, në një Park të vogël me lisa të lartë, zbardhëllon një shtëpi njëkatëshe e gjysmë. Ajo është e ngjashme me shtëpi të tjera, të cilave, Plani Urbanistik mund t’u kërcënohet me rrënim, por jo kësaj. Atë e mbron një “ligj mbi ligje” – Ligji i Mbrojtjes së Monumenteve Kulturore të New York-ut.
Kjo është Shtëpia – Muze e poetit të madh Edgar Allan Poe.
Këtë shtëpi, të ngritur në vitin 1812, në një truall tjetër, pronë e një pasaniku amerikan, e kishte marrë më qira Poeti Edgar Allan Poe. Ai jetoi në të bashkë me gruan e tij Virginia, e cila vdiq më 1847, kurse Poe, dy vjet mbas saj.
Në vitin 1913, kjo shtëpi u zhvendos që andej dhe, ashtu siç ishte, pa asnjë ndryshim arkitektural, teknik a funksional, zuri vend në Parkun e Vogël, ku është sot.
Bashkia e Qytetit asokohe ia kishte bërë dhuratë Poetit Poe, post mortum, truallin e Shtëpisë, duke e pagëzuar me emrin e tij edhe Parkun – oborr të saj.
“Shtëpia u restaurua nga Shoqata për Art e Shkencë e Bronx-it dhe në vitin 1913 mori statusin “Shtëpi – Muze”, – thotë kustosja, Znj. C. Sadel. Ajo u shpjegon vizitorëve, me një shkathtësi të veçantë, çdo gjë që u intereson, derisa t’i këtë përcjellë ata, – ashtu siç i ka pritur – me buzëqeshje e respekt.
Jam me mikun tim Halil Jahjaga, i cili ka ardhë në New York, dhjetë vjet para meje, në vitin 1982. Mbasi konfirmojmë prezencën tonë edhe në librin e vizitorëve, Znj. Sadel i vjen mirë kur i themi se Poe është një poet shumë i dashur edhe në vendin prej nga vijmë ne.
Në katin përdhes është “dhoma e ndejës” dhe kuzhina me oxhak, një raft librash, një tavolinë pune dhe një karrike – të gjitha këto – autentike. Në këndin e djathtë të dhomës, janë ekspozuar botime veprash të poetit, reproduksione dorëshkrimesh të tij, fotografi e piktura, libri i përshtypjeve të vizitorëve, me nënshkrime e grafi nga më të ndryshmet.
Nga dera e hapur e dhomës së gjumit shihet krevati i Virginia Clemm-it, gruas së Poetit Poe, në të cilin ajo i kishte ngrysur netët e gjata të tuberkulozit, deri në muzgun e jetës së saj.
(Vizitori, – lexues i poemave të mrekullueshme “Annabel Lee” dhe “For Annie”, – domosdo do të përfytyrojë sytë e mbyllur të gruas së Poetit; dorën e tij mbi të sajën, duke u përpjekur ta qetësonte në çaste krizash nga sëmundja që e kishte pushtuar, netëve të gjata të dimrave njujorkezë …)
Ngjitemi shkallëve të ngushta që të çojnë në gjysmëkatin e Shtëpisë. Kalojmë në korridorin e vogël. Nga paradhoma kalohet në studion e punës së Poetit. Nga dritarja e vogël e studios, Edgar Allan Poe do të ketë vështruar atë Shpendin e Zi – Korbin ndjellakeq, – mbi degë të lisit në oborr të Shtëpisë, – krrokama e të cilit u bë metaforë e poezisë melankolike, në shumë gjuhë të botës, për më gjatë se një shekull.
Ndërsa kustosja po përgatiste projektorin për të shfaqur një dokumentar të shkurtër të ilustruar me sllajde nga jeta dhe vepra e Poe-s, nga kërkëllima e një dere që u hap diku poshtë, – në terr të plotë, – miku im bashkëvizitor, më “sugjestionon” me zë të ulët çukatjen e Korbit në derë dhe krrokamën e tij në lis: “Kërr-kërr” (“Nevermore”! – “Kurrë më”-në e famshme, të ri-krijuar nga Noli – përkthyesi ynë i Madh i veprave të mëdha të letërsisë botërore)!

Mbyll-e gojën dreq a shpendë!
Ngrihem dhe thërres më këmbë,
Çporru prapë mun në djall,
Në skëterrë dhe në zall!
Pendë mos më shkunt të zezë
Të më rrej’ e të më ndezë;
Mos lër shenjë të gënjeshtrës,
Që më the, po shko prej derës!
Nxirm’a qipin tënt prej zemrës,
Thyej qafën jashtë derës!
Thotë Korbi: “Kurrë më!”
(“Korbi”)

Zëri melankolik i spikerit kumbon në dhomën e vogël të vizitorëve.
Edgar Allan Poe u lind në Boston më 19 janar 1809. Bir i prindërve aktorë të njohur, Elizabeth Arnold dhe David Poe – Junior, Poeti mbase e trashëgoi prej tyre magjinë e artit, që e bëri të pavdekshëm atë.
Ngaqë mbeti bonjak qëkur ishte fëmij, – e ëma i vdiq, ndërsa babai e braktisi, – për të u kujdes një çift bashkëshortor, që nuk kishin pasur fëmijë. Ata u bënë ‘prindërit e tij të dytë’, duke e marrë me vete Poe-n e vogël ngado që shkonin, në Virginia, Skotlandë, Angli …
Biografët thonë se Poe regjistroi gjuhët antike dhe moderne në Universitetin e Virginia-s, në Charlottesville, kur i kishte mbushur shtatëmbëdhjetë vjet. Edhepse kishte rekord të shkëlqyeshëm në mësime, “i jati” Allan nuk ia shleu borxhet, ndaj Poe i ndërpreu studimet. Një vit më pas (1827), Poe angazhohet në Ushtrinë Amerikane në Boston, ku arrin gradën e oficerit të lartë – Sergent Major. Mbas katër vjetësh shërbimi, e la Armatën dhe, me tërë qenien, iu përkushtua sërish letërsisë. U kthye në New York dhe vazhdoi të botonte vepra letrare. Si shpirt i parehatuar, shpërngulet sërish në Baltimore (Pensillvania), tek gjyshja dhe i vëllai. Vdekjen e të vëllait, në moshën 24 vjeçare, – si dhe të gjyshes, në moshtë të shtyer, – e përjetoi rënd. Në këtë kohë botoi shumë tregime të shkurtëra. Dy vjet më vonë kthehet sërish në New York, bashkë me gruan, me të cilën ishte martuar në Baltimore, si dhe me vjehrrën. Poe vazhdon këtu krijimtarinë letrare. Ai kthehet përsëri në Philadelphia, ku për gjashtë vjet qëndrimi, bëri emër si shkrimtar i madh, duke botuar 34 tregime të shkurtëra, kryesisht të stilit gothik.
Shpirti endacak i Poes dhe ngritja e hovshme kulturore e New York-ut, bënë që ai të kthehet edhe një herë në këtë qytet, në prill të vitit 1844. Dy vjet më vonë, bashkë me gruan Virginia dhe vjehrrën Clemm, vendosen në Fordham të Bronx-it. Këtu gjeti njëfarë qetësie dhe për tri vjet shkroi shumë vepra.
Shtëpia e tij në Fordham ishte një rezidencë e ngrohtë, – për aq sa mund të thuhet, – ku kthehej dhe punonte, me një vrull të çuditshëm, sikur të parandjente vdekjen.
Poeti Poe nuk gjente qetësi!
E la New York-un papritmas dhe vajti sërish në Baltimore, ku, më në fund, e zuri vdekja, më 7 tetor 1849.
Biografët e tij thonë se ajo qe një vdekje tragjike dhe – relativisht misterioze.
Ngado që vajti, Poe la gjurmë të fuqishme – shkroi e shkroi pa pushuar. Por, New York-u ishte “Shtëpia e tij”. Këtu shkroi poemat më të mira “Deep in Earth”, “Alalume”, “The Bells”, “For Annie”, “Annabel Lee”, “To My Mother”, “Eldorado”, etj.
*
Dalim jashtë. Është mbrëmje e vjeshtës së parë. Gjethe të zverdhura të lisave para Shtëpisë, – ndonëse para kohe, – kanë filluar të bien. Në degë të lisave, çuditërisht, ka korba! Krrokamën e tyre e mbyt zhurma e makinave dhe alarmet e autoambulancave.
Krra-krra!
Annabel Lee, Annabel Lee! …
Poe e përjetësoi Lee-n në artin e vet poetik, duke i siguruar edhe vetës pavdekësinë.
Krahas kësaj poeme tmerrësisht të bukur, u përkthyen edhe shumë poema të tjera në gjuhët e mëdha të botës.
“Annabel Lee” dhe “Korbi” – u përkthyen edhe në gjuhën shqipe, – i thamë Znj. Sadel, – në njërën prej gjuhëve më të vjetra të Gadishullit Ilirik – që s’ka motra në Trungun e Gjuhëve Indoevropiane.
Pērkthyesi në gjuhën tonë i dy Poemave të famshme të Poes – i thamë asaj, – ishte një Prift shqiptar që e ka drejtuar një Gazetë Shqiptare me një emër të bukur – DIELLI (THE SUN) – Fan Noli. Ai ka studiuar në Universitetin e Harwardit, ka jetuar gjatë dhe ka vdekur, ku e ka edhe varrin, – në Boston, – pra në vendlindjen e Poetit Edgar Allan Poe.
Znj. Sadel, na u bë se na përshëndeti më ngrohtësisht se dy vizitorë të tjerë para nesh.
Në degë të lisave, në oborr të Shtëpisë – Muze, ka korba.
Nevermore – Kurrë më!
Kurrë më – Nevermore!
Poema ‘Korbi’ , – thonë gati njëzëri kritikët e artit të Poes, – tingëllon më bukur shqip, se anglisht!

——-

(“Illyria” – New York, 27-29 shtator 1993)
2.
3.
4.
5.
6.

Filed Under: Emigracion Tagged With: SHTËPIA NË PARK DHE KRROKAMA E KORBIT: KURRË MË!, Sinan Kamberaj

Prishtina dërgoi ekzemplarët me libra për fëmijë

January 30, 2019 by dgreca

Librat u derguan për bibliotekën e shkollës shqipe,,Kongresi i Manastirit,,në Çikago/
Abetare
Ministria e Diasporës dhe qeveria e Kosovës për nevojat e arsimimit dhe për mësimin e gjuhës shqipe për brezin e ri shqiptarë nëpër botë dhe SHBA,ka nisur kontingjentin me ekzemplarë të botimeve të letërsisë për fëmijë dhe të gjuhës shqipe për bibliotekën e shkollës shqipe,,Kongresi i Manastirit,,në Çikago.
Kjo nismë e ministrisë së diasporës në Prishtinë është mirëpritur në Amerikë dhe përmes dërgimit të botimeve të librave në gjuhën shqipe,siç thonë në Çikago,do të ndihmojë rrugëtimin e shkollës shqipe dhe brezi i ri shqiptaro-amerikan që ka lindur dhe po rritet në vendin e lirë të Amerikës,do të di më shumë për hartën e atdheut shqiptar të Kosovës dhe të Shqipërisë etnike.
Përfaqësuesit e shkollës shqipe ,,Kongresi i Manastirit,,
falënderon Konsulatën e Përgjithshme në Nju Jork dhe mabsadorën Teuta Sahatqija për nismën e saj që botimet e letërsisë për fëmijë në gjuhën shqipe tashmë janë bërë pjesë e punës arsimore të shkollës shqipe dhe për nxënësit shqiptaro-amerikanë në Çikago.
Inforomi: Skënder Karaçica

Filed Under: Emigracion Tagged With: Libra per femijet, Ministria e Diaspores, ne Cikago, Skender Karacica

KUJTESE-2 8 JANAR , 1990- VAJTIM NË KOSOVË

January 30, 2019 by dgreca

IMAZHI QË I DHA FOTOGRAFIT GEORGES  MERILLON  ÇMIMIN :‘’WORLD  PRESS  PHOTO  of the  YEAR,’’ 1991 DHE U SHFAQ SI EVIDENCË E KRIMEVE TË MILLOSHEVIÇIT NË GJYQIN E HAGËS./

1 qajne te vdekurin

NGA QEMAL AGAJ/

Në këndvështrimet e shumta për të klasifikuar një fotografi influencuese, një aspekt qëndron konstant, i padiskutueshëm në historinë e fotografisë; fotografi duhet të jetë atje në momentin më kulmor. Një fotografi e mirë është jo vetëm dëshmitare ngjarjesh  historike, por sjell pamje për një botë më të gjerë dhe krijon atmosferë ku ndërhyrja shihet e  domosdoshme.

Janë të shumta rastet kur fotografitë e botuara në revista, apo në shtypin e përditshëm, kanë nxitur organizma dhe opinionin publik në zgjidhjen e katastrofave natyrore, apo ato të shkaktuara nga vetë njeriu.

Fotografia VAJTIM NË KOSOVË, e fotografit, Georges Merillon, që po i prezantoj lexuesit në këtë shkrim, është një imazh, që edhe pa ditur rrethanat, të trondit. Është më shumë se një dokumentim ngjarjesh historike, është nga ato raste që një vepër arti e quajmë të bukur edhe pse na ngjall trishtim.

Por fotografia shënon histori gjithashtu. Nasim Elshani është ndër viktimat e para të Millosheviçit në Kosovë. Ai vdiq në Janar, 1990, qëlluar nga policët në një protest në Brestov. Kjo vrasje më vonë u shfaq si evidencë në katalogët e krimeve ndaj Shqiptarëve të Kosovës në gjyqin e Hagës.

Protesta ishte rrjedhim i masave policore të Millosheviçit, që në 1989 shfuqizoi statusin e Kosovës si Provincë Autonome, stabilizuar nga Tito në 1974. Shqiptarët u përjashtuan nga të gjitha postet që mbanin në institucionet e shtetit. Ky vendim nxiti protesta të fuqishme në Shqiptarët e Kosovës, që përbënte 90% të popullatës prej dy milionësh.

Në atë kohë, asnjeri nuk mund të imagjinonte sa larg do të shkonte shtypja e Shqiptarëve në Kosovë. Më shumë se 100 demostrues u vranë dhe më shumë se 1000 u dënuan në protestat e fundvitit 1989, që vazhduan në 1990.  Ky ishte vetëm fillimi i një lufte dhe terrori të egër. Koha provoi që Millosheviçi të ishte një nga më të humburit në histori. Ai dështoi të mbaj Jugosllavinë të bashkuar dhe dështoi të ndërtoj një Sërbi të Madhe.

Ishte 29 Janari, 1990  kur Merillon mori fotografinë. Imazhi u botua një muaj më vonë në Francë në revistën L’EXPRESS* me komentin e autorit:

‘’Unë hyra në dhomë. Shtrirë në tokë, trupi i Nasim Elshanit. Vetëm gra. Nuk dëgjohej tjetër veç vajtime. Drita që hynte nga e vetmja dritare ishte e zbehtë. Kameramani hyri bashkë me mua dhe ndezi dritën e kameras. Prozhektori u aktivizua menjëherë. Unë bëra fotot brenda një minute dhe u largova.’’

Për nga vlerat historike, emocionet që ngjall, dhe influencën, ky imazh është botuar në librin me të vërtetë interesant të autorit TOM  ANG* me titull: PHOTOGRAPHY, THE  DEFINITIVE  VISUAL  HISTORY, 2014, në kapitullin,  CHALLENGE AND CHANGE, f.320-321, shoqëruar me komentin si më poshtë:

MOURNING IN KOSOVO. GEORGES MERILLON, 1990.

‘’Nëna, motrat dhe fqinjë të fshatit vajtojnë mbi trupin e Nasim Elshanit 27 vjeçar, i vrarë gjatë një proteste kundër  vendimit të  qeverisë Jugosllave për heqjen e autonominë së  Kosovës. E njohur si ‘’KOSOVO PIETA,’’ për ngjashmërinë me pikturat e Mjeshtrave të Vjetër,’’ Virgin  Mary mourning Christ,’’ fotografia fitoi çmimin ‘’World Press Photo of the Year 1990.’’

A N A L I Z Ë  E  FO T O G R A F I S Ë :

Që fotografia është art, nuk mund të diskutohet kur shikon një imazh si vajtimi i Nasim Elshanit të Georges Merillon. Gruaja e re në qendër përshfaq diçka universale në këtë dhimbje të një familje Kosovare.

 Do të ishte e limitizuar të përcaktosh influencën e një imazhi vetëm në kuadrin e dokumentimit. Fotografia e Georges Merillon, Vajtim në Kosovë, i kalon kufijtë e një dokumentimi të një proteste. Është një fotografi, që edhe pa ditur rrethanat, të ngjall emocione të trishtuara. Që në shikim të parë në imazh mbizotëron një gjendje dëshpërimi pa fund, një skenë me të vërtetë katastrofike ku shuhet çdo iluzion për ringjallje.

Georges Merillon në këtë rast nuk është thjesht dikush që përdor teknologjinë e kohës, kameran. Ai dëshmon një moment, që pa prezencën e tij, nuk do të ishte bërë i njohur, ashtu si shumë ngjarje të tjera tragjike gjatë luftës së Kosovës, sjell të hidhurën e shkuar me një vepër arti.

Në fotografi dallohen qartë dy nga komponentët që kompletojnë një vepër arti: Zgjidhja grafike dhe ngjyrat.

Nga ana grafike fotografia konsiston në dy grupime grashë, secila në një moment të veçant emocional. Grupi në të majtë, përqëndruar te motra e madhe, që është qendra e gjithë imazhit, është më kompakt. Gratë me shikim të trishtuar dhe duar të zgjatura,  mundohen t’a qetësojnë atë. Interesante është se pamja bëhet më e qetë kur shikimi lëviz nga e majta në të djathtë. Mbrapa nënës një grua e moshuar me shikim vajtues nga motra në qendër. Përpara saj, nëna ka hapur duart  sikur do t’a përqafoj të birin për herë të fundit. Në kontrast, motra e vogël  është me vështrim të qetë hedhur diku nga vjen drita.  Poshtë, afërsisht në linjë horizontale, trupi pa jetë i Nasim Elshanit mbuluar me çarçafë të bardhë qëndron si alegori që ndanë jetën nga vdekja. Vetullat, sytë, buzët, ndjekin një linjë diagonale që ngjitet lart drejt motrës, që po përjeton një moment tejet të dëshpëruar.

Në rastin e Merillon, shfaqet qartë ajo që quhet, Momenti Deçiziv, ëndërra e çdo fotografi të ndodhet në vendin e duhur në kohën e duhur. Autori ka kapur një moment në kulmin e tij. Një sekondë më vonë gratë mund të kishin larguar nga skena motrën, që në fakt është esenca e suksesit të imazhit.  Të gjithë gratë janë ulur. Çdo figurë në këmbë do të shuante ekuilibrin e momentit.

Drita e prozhektorit të kameramanit fokusuar në qendër, zbehet kur kalon djathtas dhe çuditërisht, sikur do të thyej ligjet e optikës bëhet e fortë kur zbret poshtë mbi trupën e Nasimit. Të le përshtypjen sikur ka dy burime drite.

Shpërthimi dëshpërues i motrës në qendër, gratë përreth saj, duartë e hapura të nënës, trupi i shtrirë  pa jetë i Nasimit, ngjyra e zbehtë në fytyrën e tij, të sjellin ndërmend pikturat e Rilindjes Italiane me motive nga varrimi i Krishtit. Kjo ngjashmëri ka bërë që fotografia Mourning in Kosovo, nga stjudjues dhe historian arti të quhet, KOSOVO PIETA*

Po të botohej në bardhë e zi, imazhi do të humbiste atë që e bën të marrë përmasa biblike, drita.Tre ngjyra mbizotërojnë në fotografi: E bardha , e kuqja dhe e zeza. Si për të plotësuar harmoninë e ngjyrave, mbi krye majtas, një sfond i ndërmjetëm i errët. E kuqja ndën krye, tiparet dhe mjekra e zezë e Nasimit të kujtojnë ngjyrat e flamurit tonë, simbol i qëndresës dhe egzistencës. E bardha e çarçafit rrezaton vazhdimësi jete, e errëta, moment trishtimi.

HISTORIA  E  FOTOGRAFIMIT,  BAZUAR  NË  NJË  INTERVISTË  QË  AUTORI  KA  DHËNË  PËR  PARIS  MATCH,*  NË  2005.

Ngjarja ndodhi në fund të vitit 1998. Në atë kohë asnjë njeri nuk e mendonte se duhej përqëndruar vëmendja në konfrontimin e një grupi të paarmatosur nacionalistësh Kosovar kundër forcave Sërbe.

Merillon lexoi një raport të A.F.P.* për demostratat. Ai nuk kishte informacion të saktë se çfarë po ndodhte.’’U bëra dëshmitar në përplasjet e demostruesve të rinj me forcat Sërbe,’’ kujton Merillon. ‘’Ata qëllonin me gurë tanket.’’Në mbrëmje të ditës së dytë ai dëgjoi për një fshat ku ushtria hapi zjarr mbi demostruesit.Të nesërmen në mëngjes, me një grup të vogël televiziv Frances, u nisën për në fshatin e vogël Nagafoç. Arritën në fshat rreth mbasdites.‘’Na u duk sikur të ishte fundi i botës kur pamë fshatarët të turreshin të na tregonin çfarë kishte ndodhur,’’ vazhdon Merillon. Në 27 Janar, policia Sërbe, kishte zënë pritë për të rinjtë e fshatit që po shkonin për një grumbullim në Rahovec, pak km. larg. Policët morën pozicion në gjunjë dhe qëlluan. Katër u vranë dhe 32 u plagosën.

Gazetarët po afroheshin drejt një dhome të vogël ku trupi i një të riu mbuluar me çarçaf të bardhë ishte shtrirë për tokë. Gra, nëna e të riut, motrat të grumbulluar rreth trupit.

Koha ishte e shkurtër. Për shkak të shtetrrethimit në Prishtinë, duhej të ktheheshim  sa më shpejt të ishte e mundur. Grupi televiziv prej tre vetash,  filmuan grupin e grave. Merillon  shpenzoi më pak se pesë minuta në dhomë. Fotografi kujton kualitetin e lartë të dritës përreth trupit të të vrarit. Kur grupi televiziv u largua, gjysëm errësira pushtoi dhomën.

Në atë moment aq të shkurtër, Merillon kujton se një nga imazhet ishte e përkryer. Fotografia u botua një muaj më vonë me titullin: ‘’Nogovaç, Kosovë, Jugosllavi, 28 Janar, 1990. Vajtuesit në vdekjen e Nasim Elshanit (27), që u vra gjatë një proteste kundër vendimit të Qeverisë Jugosllave, për të hequr Autonominë e Kosovës.’’

Personaliteti i parë politik ishte Francois Mitterand, që shkroi vetëm pak fjalë kur pa fotografinë. Ishte i pari që vuri në dukje dimensionet e imazhit në këndvështrimin artistik dhe që padyshim evokon një mësim historik dhe politik që mund të mësohet nga ky imazh, kur thotë:

‘’Si ka mundësi të mos sjellësh ndërmend Mantegna apo  Rembrand? Zemërimi  dhe dhimbja kanë gjithmonë të njëjtën pamje. Një nga problemet që po ballafaqohet Europa në këtë fundshekuli është ajo e minoriteteve. Ne duhet t’i kushtojmë vëmendje sa më shpejt.’’

D H J E T   V J E T   M Ë   V O N Ë,  1999.

Ajo që pa dhe jetoi Merillon  në ato pak minuta në atë dhomë të ndriçuar dobët përpara trupit të Nasim Elshanit, kishin ngelur të pashlyera në kujtesën e tij. As ai s’e mendonte se ajo fotografi, e vajtimit të një familje, u bë emblema e vuajtjeve të Shqiptarëve nga terrori sërb. Pothuajse  dhjetë  vjet më vonë, kur trupat e N.A.T.O. –s hynë në Kosovë, fotografi u kthye në Kosovën e shkatërruar nga lufta, të takoj familjen që fotografoi.(Lexoje te plote ne Diellin ne PRINT)

Filed Under: Featured Tagged With: Kosove 1990, qajne te vdekurin, Qemal Agaj

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 38
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT