• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2019

Rexhep Mitrovica- Burrështetasi që u la nën harresë

January 3, 2019 by dgreca

1 rexhep-mitrovica
Nga Jahja LLUKA/
 I vetmi kryeministër i Shqipërisë Natyrale,përgjatë periudhës 5 nentor 1943- maj 1944. Figura e tij shumë-dimensionale dhe karakteri i tij unik bënë që Rexhep Mitrovica, të jetë prijës i Shqipërisë, në situatë mjaftë delikate kur bota digjej. Nën hijen e harresës dhe vepra dhe figura e Rexhep Mitrovicës nuk ish dashur të zbehet, përkundrazi duhet të jemi krenar që kemi pasur një kryeministër të rangut botëror, i cili ja kishte vënë vetes një qëllim shpëtimin e kombit shqiptar, nga rreziqet që vinin në dëm të atdheut. Rexhep Mitrovica ishte njeri largpamës, njëri ndër më meritoret për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe,sepse ai e kishte kuptuar një gjë, që një popull analfabet të cilit i ishte mohuar çdo e drejtë ekzistenciale dhe qytetëruese , e kishe thuajse të pamundur të dilte nga zgjedha e robërisë. Andaj duke kujtuar dhe respektuar veprën e Rexhep Mitrovicës është mire që eshtrat e tij të riatdhesohen, në tokën të cilën ai aq shumë e deshti, duke i falur rininë, guximin, mençurinë dhe energjinë deri në çastet e fundit të jetë së tij. Edhe pse i rritur në një frymë orientale,Rexhep Mitrovica nuk harroi kurrë se kush ishte dhe çfarë ishin shqiptarët. Të jetuarit në mendësi orientale për Mitrovicën ishte nënçmim, në zemrën e tij kishte zënë vend poezia, filozofia dhe historia. “Rexhep Mitrovica u lind me 15 Janar 1888, në Mitrovicë, nga prindërit Hajria dhe Mahmudi.” Familja e tij falë pasurisë që kishin i mundësuan shkollimin, gjë që ndikoi pozitivisht në formësimin e karakterit të tij. Qysh i ri kishte shfaqur disa specifika të veçanta të cilat më pas e shoqëruan tërë jetën, për ta bërë atë personalitet të kohës në të cilën përkiste por dhe më gjërë. Ishte nxënës i shkollës fillore të Shkupit, më pas vijoi mësimet në në Gjimnazin Mbretëror të Selanikut dhe në liceun privat modern “Progres” në Selanik. Në Paris Rexhep Mitrovica u bë një me frymën eurpoiane e cila thuajse i ishte mohuar sa kishte qenë në vendlindje përshkak të rrethanave ekzistuese. Përveç që njohu për së afërmi civilizimin e mohuar, atje studioi letërsi frënge dhe drejtësi dhe poashtu degën e elektricitetit. Duke qenë çdoherë me mendje dhe zemër kah atdheu Rexhep Mitrovica pash shpërthimit të Revolucionit Xhonturk më 1908, kthehet në atdhe ku angazhohet për përgatitjet e Kongresit të Manastirit. Niveli i tij intelektual ishte i lartë dhe dëshira e tij për t’i shërbyer atdheut bënë që me 1909,emërohet mësues dhe pastaj drejtor në Normalen e Shkupit.Zgjidhet nënkryetar i klubit “Bashkimi” dhe bashkëpunon me gazetën e këtij klubi “Bashkmi i Kombit”. Veprimtaria e tij mjaftë aktive pason me pjesëmarrjen e tij në në Kongresin e II të Manastirit me 2-3 prill 1910. “Pas dy vitesh me 1912,udhëton me Mit’hat Frashërin,Sali Gjukën e Bedri Pejanin nga Shkupi në Mitrovicë,Pejë,Gjakovë,Durrës deri në Vlorë,ku më 28 Nëntor ngrihet Flamuri Kombëtar dhe shpallet Pavarësia e Shqipërisë” Rexhep Mitrovica ishte një ndër protagonistët kryesor të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, është nënshkrues i dokumentit të Pavarësisë dhe më pas zgjidhet anëtar i Senatit dhe nënministër i Punëve Botore. Pas Konferencës së Londrës me 1913, territori i Kosovës mbet sërish nën zgjedhën serbe. Krimet serbe ndaj popullatës shqiptare nën shenjë hakmarrje dhe gjenocidi ishin të tmerrshme. Rexhep Mitrovica nuk mund të rrij i heshtur përballë asaj situate,kështu i shkruan letër Ismail Qemalit duke rrëfyer për gjenocidin serb ndaj popullatës shqiptare, për t’iu bërë të ditur fuqive perëndimore vuajtjet dhe tmerret nëpër të cilat kalonte kombi ynë. “Në Mars të 1914,u dekretua drejtor i arsimit për Shqipërinë e Mesme.Nënshkruan një protestë kundër mizorive serbe në Veriun e Shqipërisë.” Situata politike në Shqipëri ishte e pakëndshme, ndërsa rrethanat e shtyejnë Rexhep Mitrovicën të emigrojë në Sofje më pas në Bukuresht të Rumanisë me 1915. Duke parë nivelin e analfabetizmit në trojet shqiptare, Rexhep Mitrovica nuk mundi të qëndroj në megrim. Vet fakti që shqiptarëve iu ishte ndaluar shkollimi dhe emancipimi prej shekujsh, ishte një tragjedi. Zgjidhja dhe nisma drejt lirisë, ishte vetëdija e masës, për atë që ishin si dhe kërkimi për të drejtat e tyre ekzistenciale të mohuara. Rexhep Mitrovica rikthehet në vendlindje më 1916, në Mitrovicë, ku angazhohet për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe.Dy vjet shërbeu si mësues dhe drejtor i shkollës Popullore në Mitrovicë. “Bëhet anëtar i Komitetit “Mbrojtja e Kombëtare e Kosovës” me 1919.Merr pjesë si anëtar i delegacionit në Konferencën e Paqes në Paris si përfaqësues i Komitetit të Durrësit për Shqipërinë e Mesme dhe si korrespodent i gaztës “Populli”. Anëtar i Shoqërisë “Albania të Vjenës”.Organizon një takim madhështor me artistin Aleksandër Mojsiu në Vjenë. Më 27 mars 1920, zgjedhet deputet i Partisë Popullore.Shkruan artikuj të ndryshëm me pseudonimin “Kumona e Popullit”dhe përshendet pranimin e Shqipërisë si anëtare e Lidhjes së Kombeve më 17 dhjetor të po atij viti. Zgjidhet deputet i Kosovës me 1921,në Parlamentin e Parë Shqiptar të dalë nga Kongresi i Lushnjës.Bashkëthemelues i “Bashkimit të Shejtë”.Zgjidhet Ministër i Arsimit në Qeverinë e Xhafer Ypit (24 dhejtor-1921-shkurt 1924).Fillon reformat në arsim në Shqipëri, ku nga (27 korrik-3 gusht 1922) organizoi Kongresin Arsimor që u mbjat në Tiranë.” Një vit më pas, pra me 1923, Rexhep Mitrovica kryen punën e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme në vend të Sejfi Vllamasit. Jep dorëheqje nga posti i Ministrit të Arsimit dhe shkruan “Letër arsimtarëve” me 1924 dhe largohet për në Bari të Italisë.Atje aid he një grup bashkëatdhetarësh themelojnë organizatën “Bashkimi Kombëtar” më 21 shtator 1925, organizatë antikomuniste e emigracionit politik shqiptar(1925-1939). “Më 1934, zgjidhet sekretar i Komitetit të Organizatës “Bashkmi Kombëtar”.Më 1935,zgjidhet këshiltar i organizatës “Bashkimi Kombëtar”,më 1936, zgjidhet anëtar i Komitetit “Bashkimi Kombëtar dhe drejtor i gazetës “Bashkimi Kombëtar”.Numri i pare doli më 28 Nëntor 1936.Më 1938,zgjidhet anëtar i Direktoriatit të organizatës “Bashkimi Kombëtar”. Më 9 prill 1939, organizon protestë kundër pushtimit të Shqipërisë nga Italia Fashiste.Më 30 prill kthehet në Shqipëri. Anëtarësohet në Këshillin e shtetit.(24 maj). Në prill të 1941, kthehet në vendlindje Mitrovicë.Propozohet komandant i forcave shqiptare në Trojet e Lirueme.Organizon hapjen e shkollave shqipe në Prefekturën e Mitrovocës,(Mitrovicë,Vushtrri,Podujevë dhe Pazar i Ri).” Veprimtaria politike e tij dhe angazhimi i tij i pandalshëm bëhen pengesë për qarqet e ndryshme antishqiptare, Rexhep Mitrovica burgoset në gusht të vitit 1943, dhe internohet në Porto Romano afër Durrësit. “Pas kapitullimit të Italisë fashiste lirohet dhe merr pjesë në themelimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit,(shtator),ku zgjidhet kryetar i Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë Shqiptare të Prizrenit.” Nënori i vitit 1943- me datën 5, shënon historinë shqiptare. Rexhep Mitrovica zgjehet Kryeministër i Shqipërisë Natyrale. Por rrethanat e pafavorshme dhe në dëm të Shqipërisë bënë që me prill 1944, Rexhep Mitrovica të mbaj një ligjeratë në radio.Fjala e tij u botua të nesërmen në gazetën “Bashkimi i Kombit”Jep dorëheqje nga detyra e kryeministrit.Braktis Kosovën(mesi i nëntorit).Vendoset në Austri ku shkruan “Kujtimet”. “Më 1947, kalon në Itali, më pas në Stamboll. Jeton në malteze dy dekada me radhë deri në vdekje më 21 maj 1967.Më 1949, me Mit’hat Frashërin themelojnë organizatën “Lidhja Kosovare”.Kryetar u zgjodh i biri i tij,Nexhat Mitrovica.Përgjatë viteve 1950-1967,shkroi artikuj të ndryshëm, të cilët i botoi në gazatat “Flamuri”,”Besa”etj. Shkroi memorandum me anë të të cilave njoftonte opinionin ndërkombëtar për pozitën e shqiptarëve në Kosovë nën regjimin e Titos dhe në Shqipëri nën diktaturën e Enver Hoxhës. Gjurmoi në Arkivin e Stambollit për Konferencën e Berlinit 1878.” Ishte kategorikisht kundër vendosjes së komunizmit në Shqipëri, të cilën me larpamësinë e tij e pa si një shkatërrues i qenies shqiptare, gjë që më vonë pasoi duke e lënë Shqipërinë të vrarë për dekada me radhë. “Vdiç me 21 maj 1967 dhe u varros të nesërmen në Maltepe. Në pllakën e mermertë është gdhendur emiri i tij: “Rexhep Mitrovica – Kryeministër i Shqipërisë (15 janar 1888-21 maj 1967).” Duke lexuar biografinë e tijm, ne kuptojmë një personalitet të shquar dhe mjaftë largpamës për periudhën në të cilën jetoi. Dhe fati i trishtë i kombit por dhe i figurave të mëdha që i’a deshën kombit lirinë dhe emancipimin. Do kalojnë kohë dhe do kuptojmë vepren e njerëzve të shquar e cila nuk ju shpërblye sa ishin gjallë, por misioni të cilën ata e nisën pasoi gjenerata të tëra deri në luftën tone të fundit. Ne duhet të jemi krenar për veprën e Rexhep Mitrovicës dhe të gjithë personaliteteve si ai. T’i shërbesh atdheut është vepra më sublime që një njeri mund ta ketë bërë në këtë botë. Sepse individet dhe popujt që luftojnë për liri pa dëm të askujt, janë të bekuar, edhe pse vuajtjet janë të mëdha çmimi i lirisë, është tej njerëzor sepse qenia njerëzore si e tillë nuk do kishte kuptim, nëse jeton nën zgjedhë dhe skllavëri. Andaj duke kujtuar dhe respektuar veprën e Rexhep Mitrovicës është mire që eshtrat e tij të riatdhesohen, në tokën të cilën ai aq shumë e deshti, duke i falur rininë, guximin, mençurinë dhe energjinë deri në çastet e fundit të jetë së tij. Sepse vetëm duke respektuar personalitete të tilla, kombi ynë do ecë përpara në rrugën e tij të mohuar prej shekujsh, e që sot e kemi një mundësi t’i tregojmë botës se kush ishim dhe cilat kanë qenë aspiratat tona të moçme. Referencat janë marrë nga libri: Kujtimet e mia/Rexhep Mahmud Mitrovica- Prishtinë: Shtëpia Botuese Libri Shkollor,2016.
…

Filed Under: Analiza Tagged With: Burrshtetasi ne harrese, Jahja Lluka, Rexhep Mitrovica

Vuçiqi, të veprojë si De Gaulle-i, ta lirojë Serbinë nga kolonitë e saj !

January 3, 2019 by dgreca

Ky do të ishte shpëtimi i Serbisë ! Ndryshe, betejat dhe luftërat e gjenocidit kolonial sllavo-bizantin, nuk do të përfundojnë  në Ballkan/

Nga Prof.Dr.Mehdi HYSENI/1 Mehdi_Hyseni

-Çfarë i duhen Serbisë kolonitë shqiptare të Preshevës, të Bujanocit, të Medvegjës dhe të Novi Pazarit?  Pse Serbia nuk ua njeh të drejtën historike dhe të vetëvendosjes  këtyre kolonive të etnikumit gjeopolitik shqiptar?

Këto koloni, duhet të lirohen nga sundimi kolonial i Serbisë (1878-2019), në mënyrë që Serbia të mos jetojë  githmonë me ëndrra mitologjike mesjetare, se fqinjtë e saj në tokat e tyre joserbe, duhet shfarosur me  gjenocid kolonial.

Kjo praktikë ataviste shekullore, duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë se popujt dhe vendet e huaja, të aneksuar dhe kolonizuar me gjenocid, nuk mund sundohen dhe të mbahen përjetësisht skllavë nën Serbi.

Vuçiqi ka shansin historik për ta shpëtuar Serbinë, ashtu sikurse dikur De Gaulle-i, që shpëtoi Francën nga  fundosja në kolonitë e saj në Afrikë dhe në Indokinë ( 1950-1960). 

Nëse presidenti serb Aleksandar Vuçiq, vërtet ka arritur ta kuptojë krjimin e realitetve të reja në Ballkan, pas 3 gjenocideve të kryera nga Serbia në Kroaci, në Bosnjë dhe në Kosovë (1990-1999), duhet të krijojë një Serbi të re, demokratike dhe paqësore, duke e liruar nga bagazhi historik kolonial shekullur ndaj popujve dhe vendeve fqinje, e në radhë të parë të shqiptarëve dhe të Shqipërisë.

Vetëm kjo strategji objektive vizionare e politikës dhe e diplomacisë së Aleksandar Vuçiqit dhe e forcave porgresive, demokratike dhe paqësore evropiane, të grumbulluara rreth tij, do të mund ta shpëtonin Serbinë nga luftërat e ardhshme fatale dhe tragjike në Ballkan.

Beogradi të mos frikësohet nga bashkimi i Kosovës me Shqipërinë

Përkundrazi, si politika, ashtu edhe dipomacia zyrtare e Serbisë, duhet të përshëndetin dhe të mbështetin heqjen e kufirit Kosovë-Serbi (sepse kjo është vetëm çështje e Prishtinës dhe Kosovës. Kjo varet vetëm nga shprehja e vullnetit të populit si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë).  Kjo është paradigm positive dhe racionale, që paralajmëron një kthesë të madhe historike  për bashkimin gradual të shqiptarëve vetëm brenda territoreve të tyre historike autoktone të Shqipërisë.

Prandaj, as Serbia e as shtetet e tjera fqinje nuk kanë arsye pse të frikësohen nga bashkimi demokratik dhe paqësor i shqiptarëve ngase fshirja e kufijve ndërshtetërorë me shtetet fqinje, pa dyshim se do të sjellë në pajtimin, në afrimin dhe në normalizimin e njëmendtë të marrëdhënieve mes popujve ballkanikë. Ky proces paqësor, do të ndikojë pozitivisht jo vetëm në krijimin e marrëdhënive të qëndrueshme kualitative, që i tërë Ballkani të mos jetë fushëbetejë e luftërave të përgjakura kolonialiste, hegjemoniste dhe  shfarosëse të dikurshme, POR ZONË PAQEJE, SIGURIE, BASHKËPUNIMI RECIPROK në të gjitha fushat: politike, ekonomike, tregtare, kulturore, të turzimit, të lëvizjes së lirë të njerëzëve dhe të qarkullimit të mallrave, të hapjes së tregut të lirë, si dhe të mbrojtjes dhe të respektimit të drejtëve  të njeriut dhe të lirive themelore.

Kjo formë e re e heqjes së barrierave kufitare mes shteteve, do të  jetë garancia më e forte dhe më përmbajtësore jo vetëm në favorin e axhendës dhe të standrdeve integruese  të Evropës demokratike, por, njëherazi  edhe të krijimit të marrëdhënieve të reja më realiste, më konstruktive dhe më humane ndërkombëtare, që do të bëjnë të mundur, që  e gjithë bashkësia njerëzore të jetojë pa frikë për fatin, për zhvillimin, për objektivat dhe për mirëqenien e  vet të plotë, pa luftëra, pa gjenocide, pa uri, pa varfëri dhe pa ekzode milionshe të refugjatëve dhe të papunëve anembanë botës.

Ballkani nuk ka nevojë për vazhdimin dhe për intensifikimin e  garave të ethshme hegjemoniste, kolonialiste dhe neokolonialiste sllavo-biznatine me bagazh gjenocidi për shfarosjen e shqiptarëve, por për: humanizimin,  demokratizimin, integrimin, paqësimin,  sundimin e së drejtës, lirinë e plotë, që të gjitha këto vlera universale të njerëzimit garantojnë përbashkësinë, ekzistencën, zhvillimin ekonomik, prosperitetin, paqen, mirëbesimin dhe mirëqenien e plotë të të gjithë popujve në rajonin ballkanik.

Me një fjalë, Ballkani ka nevojë të evropianizohet dhe të shndërrohet në  një zone paqeje, sigurie, bashkëpunimi, koekzistence dhe lirie të plotë për të gjithë popujt e tij, jo  vetëm për konglomeratin sllavo-bizantin. Kjo “formulë” e sundimit kolonial disashekullor mbi shqiptarët dhe mbi tokat e tyre, tanimë është e vdekur, sepse kanë përfunduar luftërat koloniale në Evropë. Tani, ndodhemi në fund të dekadës së dytë të shekullit XXI, që serbët, malazezët, grekët dhe maqedonët, duhet të heqinë dorë nga kolonitë e tyre shqiptare në Ballkan, ashtu sikurse dikur metropolet evropiane, që i braktisën kolonitë e tyre shekullore në Amerikën Latine, në Azi dhe në Afrikë.

Filed Under: Analiza Tagged With: De Gaullle, Kolonite, Prof. Dr. Mehdi Hyseni, Serbia, Vuciqi

Eshtë turp kombëtar tu kujtosh shqiptarëve të Kosovës pasaportën

January 3, 2019 by dgreca

….-Eshtë turp kombëtar tu kojtosh moshën, pasi një i djathtë safi si Ahmet Zogu, ai që themeloi shtetin e parë modern, ai që i dha vlerë pasaportës sonë, nuk ishte ishte më shumë se 21 vjeç kur u bë ministër i brendëshëm në qeverinë e dalë nga Kongresi Kombëtar i Lushnjës në janarin e vitit 1920. Po kujt i flet thuaj: atyre që nuk janë as mish e as peshk. Pengmarrës më të këqij se Edi Rama dhe gjithë kabinetet e tij. Në fund të fundit, është një nga ato qoka që Edi Rama e përdor me taktika propogande. Dhe që ju bini këndshëm në rrjetë./

2-Ilir-196x300-1

Nga Ilir Levonja/

Ka disa ditë që opozita merret me një shqiptar të Kosovës, atë që Edi Rama e emëroi si ministër të punëve të jashtëme të Shqipërisë. Kjo ndodhi në asamblenë urgjente të rilindjes së Ramës, e cila përfundoi me një riformatim të qeverisë. Në atë asamble ku të gjitha forumet dolën kallpe, kot, si ai i freshistave apo i grave socialitste etj. Dolën kallpe sepse u zunë në gjumë, gafil, sidomos freshistët prej studentëve. Por edhe gratë që kishin fjetur gjumë pa e nuhatur asnjëherë situatën. Nuk e di a është çështje opozitare kjo, pra emërimi i një djali të ri me prejardhje nga Kosova. Ajo dhimbje e madhe e shqiptarisë në tërësi?! Asesi që jo, pasi derisa nuk njeh Edi Ramën, as që diskutohet më në emra të përveçëm. Aq më tepër kur interpretimet ngërthen me kushtetutën, qytetarinë etj., të një shqiptari të Kosovës. Kjo a ky lloj opozitarizmi nxjerr atë cektësinë intelektuale të një shumice dërrmuese kur i qasen me kurajo historisë së kabineteve qeveritare ndër vite. Flasin me bindje se gjithë asat e deritanishëm të qeverisjen kanë qënë shtetas krejt të kulluar, puro nga Shqipëria amë. Kjo ta neveritë fund e krye vetveten dhe soji për shkak se i kemi kaq me pushtet e kaq me bollëk të paditurit sa nuk çfarë thuash. E para zë fill me një lloj interpretimi a dialogu dite që dëgjojmë deri tek gazetarë të televizioneve kombëtare kur thonë kosovarët. Dhe jo, shqiptarët e Kosovës…Eshtë një kulturë tashmë e konsoliduar e një lagështirë që po na rrëzon çatinë në kokë, por edhe normale për shkak të informalitetit në arsimimin, punësimin dhe të tjera. Megjithëse mburremi me Lidhjen e Prizërenit, bash truallin e moteve kur vërtetë Shqipëtarët quheshin shqiptarë dhe jo kosovarë, lebër, myzeqarë a brashnjarë etj. Megjithëse kemi pasur edhe një kryeministër me emrin Hasan Proshtina. Një ministër mbrojtje me emri Mehmet pashë Dërralla, një tetovar etj., prapë nxjerrin ca faqebuçko, ca ”opozitarë” plot yndyrë dhe bëjnë opozitarizëm me të ashtuquajturit e tyre kosovarë. Moj opozitë, nuk jemi për Edi Ramën. Kaq! Nuk jemi për ato mijra arsye… për së pari se e gjitha, situata ekonomike dhe dëshira për të jetuar aty është një panoramë perfektë e dhomave në qytetin studenti. Eshtë një dështim total social pasi ka një lubi thithëse fondesh, një lubi vrimash të zeza kudo, gjithandej… Eshtë një dështim total nga degradimi i rënies së administratë, punësimi, pagat e ulta, rryshfeti, borxhi, koncesionet dhe grabitja e pronave publike. Dhe ju, jo se nuk i dini. I dini shumë mirë. Dhe e keni shancin ndër duar ditë më ditë. Por si ta shpjegosh sfidën e munguar politike të djegjes së mandatave, në raport me këtë emërimin antikushtetues të një qytetari nga shteti i dytë i shqiptarëve, Kosovën e përvëluar?! Një vrimë në ujë! Një hiç opozitar. Aty e kishit situatën, studentët, zgjedhjet e parakohëshme. Eshtë absurde të rrish jashtë institucionit gjashtë muaj se nuk njeh qeveriun. Dhe pastaj të kthehesh me gjoja miratimin e reformës së ligjit të zgjedhjeve etj. Një absurd opozitar si ky i këtij që drejton sot me mjetet e propagandës nga diktatura e proletariatit. Eshtë fare e thjeshtë, ju nuk doni sfidën politike. Që është largimi i qeverisë së Edi Ramës. Asesi jo! Ju po prisni radhën. Kalimin e pushtetit. Mëndje mbushur…, për të vazhduar ta shisni, ta shpërdhosni, ta shqyeni më keq se tri p-të e Edi Ramës dhe lali Erit si e si të fryni a dyfishoni të ardhurat tuaja në bankat e botës. Kthimi në parlament i juaji ishte vrarja më e madhe, thika pas shpine prirjeve dhe shpirtit demokrat. Një qurravitje teknicienësh që njohin perfekt intrigat dhe manovrat e holleve, por aspak dëmin social të një vendi që ka mbi 40% të fuqisë vitale në emigrim. Nuk mund të bësh marrëveshje shteruese me kaq kollajllëk. Nuk mund të flasësh në emër të popullit duke menduar se ata janë me ty. Edhe pse vret e pret sheshit demokracinë e zgjedhjeve dhe të të zgjedhurit. Në vitet 90-të u ngritëm me moton jo dyzetë vjet në pushtet. Tani po i kultivojmë ekzemplarët e Enverit me karrika parlamenti.

Duke degdisur vitalitetin me qejEshtfin më të madh. Merreni me një ministër të ri një djalë shqiptar. Eshtë turp kombëtar tu kujtosh shqiptarëve të Kosovës pasaportën. Aq më tepër kur themi që nuk njohin Edi Ramën. Eshtë turp kombëtar tu kujtosh moshën, pasi një i djathtë safi si Ahmet Zogu, ai që themeloi shtetin e parë modern, ai që i dha vlerë pasaportës sonë, nuk  ishte më shumë se 21 vjeç kur u bë ministër i brendëshëm në qeverinë e dalë nga Kongresi Kombëtar i Lushnjës në janarin e vitit 1920. Po kujt i flet thuaj: atyre që nuk janë as mish e as peshk. Pengmarrës më të këqij se Edi Rama dhe gjithë kabinetet e tij. Në fund të fundit, është një nga ato qoka që Edi Rama e përdor me taktika propogande. Dhe që ju bini këndshëm në rrjetë. Se, sado që kanë firmosur publikisht, prapë raporti i shkëmbimeve a konsolidimit të shqiptarëve në dy shtete, është një brishtësi të dhimbshme.

Mjaft të përmendimin se sa pak është bërë në unifikimin e teksteve a programeve mësimore në arsimin parauniversitar.

Aty ku nis edhe rruga e vërtetë e një kombi. Por këto e të tjera nuk kanë vlerë opozitare. A, nuk u bashkangjiten dot programeve tuaja në platformat e reja të perspektivës. Sepse ju nuk jeni opozitarë, por partia e babës, birit, e stanjacionit.

Filed Under: Politike Tagged With: Eshtë turp kombëtar, Ilir Levonja, pasaportën, tu kujtosh shqiptarëve të Kosovës

E VERTETA E NJE MITI

January 3, 2019 by dgreca

1 Naum Prifti

NGA NAUM PRIFTI/ DIELLI

Ndryshe nga dasmat dhe fejesat ku gëzonte vetëm fisi e rrethi familjar, në ditën e Pashkës gazmonin të gjithë dhe gjithkush këndonte e vallëzonte sipas dëshirës. Kjo festë i kishte kapërcyer kufijtë vendorë dhe aty vinin vizitorë e mysafirë nga krahina të largëta dhe vende të panjohura. Ditën e Festës, kur gratë dhe vajzat ashtu si nga mot, luanin valle të kënduara në sheshin e kishës, nëna e nëntë djemve shkoi te varrezat të qante nëntë djemtë e saj të vdekur. Tek varrezat ajo e kishte zakon të fjalosej me djemtë e saj sikur t’i kishte rreth zjarrit të vatrës.

Mbi varrin e Kostandinit qëndroi më gjatë dhe rënkoi më rëndë.
-Ta sjell unë Garentinën mbi krahët e mi kur të duash ti, – i pati premtuar Konstandini dhe buzagaz i pati shtrirë krahët për ta përqafur Nënën. Trupi i Nënës u lëshua mbi gurin e Konstandinit që pati ngulmuar më shumë se vëllezërit e tjerë ta martonin motrën larg, në një mbretëri të Evropës që nuk i kujtonte dot as emrin. Qante Nëna nga dhimbja për nëntë djemtë e mbuluar me dhe, qante edhe nga malli për vajzën e gjallë, që s’e kishte parë qysh ditën që e përcolli nuse. Ta dinte Garentina gjëmën që pllakosi nënëzezën, do të kishte pasë ardhur një herë që të mos e linte të tretej çdo vit e më shumë në lotët e vet. Pa djemtë, jeta e saj ishte bërë rruga shtëpi varrezë, varrezë shtëpi. Nëna zhuritej prej mungesës së vajzës. Ta kishte pasë pasur pranë, do të kishte një prehër ku të vinte kokën, një zemër ku të zbraste dertet, një krah ku të mbështeste duart. Mirëpo ajo ishte martuar larg dhe nëna kish mbetur fillikate e zemërshkrumb…
Shtatë vjet më parë, mes mysafirëve të festës pati ardhur një djalë i pashëm, veshur me rroba të shtrenjta, ngjeshur në arme të lara, hipur mbi një dori pullali. Dukej që atje tej se qe prej derë bujare. Sa e pa Garentinen duke hequr vallen, u befasua nga hiret e saj, nga harmonia e vallëzimit dhe ëmbëlsia e zërit sa fisniku shfaqi dëshirën të njihej me të.
-Rriji larg sherrit, o mik, – e këshilloi shoqëruesi, – se këtu në Arbëri për aventura asisoji të shkon koka.
– Njohja është respekt, jo aventurë, – ngulmoi vizitori i largët.
– Asaj s’guxon t’i afrohet kush sepse ka nëntë vëllezër me armë në brez, të gatshëm të mbrojnë nderin dhe dinjitetin e familjes.
-Atëherë ajo qenka Garentina! – tha fisniku i huaj, sepse nami për bukurinë e saj kishte kapërcyer sinorët e qytetit të vogël.
Ai e kërkoi dorën e saj brenda ditës dhe në familjen e Garentinës u ndez diskutimi pro e kundër atij propozimi. Tetë vëllezër e quanin fatlum martesën e motrës me një princ evropian. Ata ishin të zellshëm të shpalosnin zotësitë e tyre luftarake në beteja e fushata ushtarake, ndërsa nëna dhe vëllai i madh arsyetonin se largësia do t’i ndante për së gjalli me Garentinën.
-Fat më të mirë s’mund të lakmonim për motrën tonë, – ndërhyri Konstandini. – Jepu uratën Nënë se princa fisnikë nuk trokasin çdo ditë në portë. Kjo krushqi me një familje të nderuar e lartëson edhe emrin tonë. Garentina do t’ia jetë zonjë në një derë fisnike dhe ne do jemi krushqi me një princ që gëzon prestigj te madh në vendin e vet.
-E di se fati është si zogu që të vjen në dorë vetëm njëherë – ia ktheu nena. Garentina për vete do t’i ketë gjithë te mirat, veç zemra me rreshken kur mendoj se nuk do ta kem pranë. Një vajzë kam, njëzë te vetme, si ta katis në fund të rruzullit? Vajza për nënën është shkop i pleqërisë, kasaforta e brengave, ku ta gjej kur dua të zbraz dertet e shpirtit tij?
-Po të jap besën para vëllezërve dhe Garentinës se edhe i vdekur të jem, nga varri do të ngrihem e do ta sjell, – i tha Konstandini.
-Nëna u bind, tha “U trashëgoftë!” dhe pas dy javësh Garentina u nis nuse bashkë me dhëndërrin në mbretërinë e largët.
Pas katër vitesh ngjau mënxyra e padëgjuar që s’ka gojë njeriu ta rrëfejë. Për të kënaqur djemtë pas kreshmimit, Nena gatoi kulaçe gruri dhe vorbën me thela mishi e la anës zjarrit te vakur, mezet dhe ëmbëlsirën në cep të dollapit. Kur u fut në ashef të merrte mësallat, lugët e misurët për të shtruar dreken, pa nje stihi që po spërdridhej pranë oxhakut. Mori fshesën ta godiste, por gjarpri i nëmur shkau sakaq poshtë derës së oborrit dhe humbi sysh sikur ta kishte përpirë dheu. Nena u kthye në kuzhinë ku e përgatiti sofrën dhe pastaj shkoi te nxirrte prej dollapit lagjinin me vere. Djemte sa u burbuletën me lugën e parë të gjellës, ndjenë therje të forta barku, nisën të përpëliten dhe zbehen, e humbën vetëdijen dhe njëri pas tjetrit dhanë shpirt se stihia kishte shtënë helmin e saj në vorbë pa e parë askush. Kur u kthye nëna dhe pa të nëntë djemtë meit, lagjini iu thërmua copë e çikë dhe rrëkejtë e kuq të verës u krijuan sakaq në këmbët e saj të mpira. Prej pamjes së mënxyrshme, nëna u drunjëzua sa lotët i ngrinë në sy dhe zëri iu shua. Nëntë trima mbuluar me dhe, nëntë varre dhe nëntë plagë në zemër. Nëna vajtonte me ligje të cilat i buronin vetvetiu nga shpirti i shkrumbosur.

Qysh duron moj zemra ime?
Qysh duron e nuk pëlcet,
Nëntë djem shtrirë në dhe.
Mbeta kërcure përjetë:
Si një lis pa degë e fletë.
Pse s’vjen morti të më marrë;
Të shpëtoj, të mos jem gjallë.
As vajzën pranë s’e kam;
As ajo nuk ma qan hall;
Konstandin më dhe fjalën,
Të më sjellësh Garentinën,
Konstandin, a po dëgjon,
Nënë-zeza ç’ të kërkon?

Kur e shprazi vajtimin, kur i derdhi lotët dhe i shfreu ngashërimet, u ngrit duke shikuar malet e lindjes andej nga kishte ikur Garentina, i vetmi ‘evlat’ për Nënën e zhuritur, i vetmi ngushëllim i shpirtit.
Kostandini dëgjoi vajet rrënqethëse të Nënës dhe qortimet e saj për premtimin e dhënë dhe namëta u ngrit në këmbë. Kryqi i gurtë iu bë kalë, rrasa e gurit shale, lulja e lirit fre dhe ai u nis fluturim te e motra.
Kur ia afrua portave të mbretërisë dëgjoj ahengun e festës që vinte nga turmat e njerëzve në sheshin pranë katedrales. Ai e kërkoi me sy Garentinën, dhe i bëri shenjë të afrohej. Ajo doli nga rrethi i valles dhe rendi drejt tij ta përqafonte. Me butësi ai iu shmag duke thënë se qe gjithë pluhur.
-S’ka gajle, – ia ktheu ajo dhe për t’i treguar se edhe pluhuri mbi faqet e vëllait qe i dashur për të, u zgjat drejt tij dhe e puthi. Faqja e tij e ftohtë akull.
-Vëllai i motrës, ti ke ngrirë. Faqet i ke akull… – iu dhimbs asaj.
– Nga thëllimi i maleve, – e qetësoi ai. – Po ftohtë nuk ndjej aspak.
Vëllai qe paksa i zbehtë sikur reflektonte një dritë hënore, edhe pse pasditja ishte plot ngrohtësi.
-Eja të shkojmë në shtëpi, të marrim një afsh të ngrohtë, – e luti ajo, – edhe tryezën e festës e kemi gati.
Përsëri me ton të butë, ai nuk pranoi duke i thënë se kishin rruga të gjatë përpara dhe duhet të arrinin pa rënë nata. Pastaj shtoi:
-Nënën e ka djegur malli për ty dhe nuk i durohet më pa të parë.
Për të shuar kureshtjen dhe dyshimin se nxitimi i tij kishte shkas ndonjë fatkeqësi, ajo e pyeti:
-Në qoftë rruga për ndonjë kob, – zot, si ma nxe goja këtë fjalë? – të vishem për mort, në është për gaz e festë të nisem si gjeraqinë.
-Kështu si je motër, më të mira s’ke ç’i do. Nëna erdhi vetë dhe m’u lut…- pastaj heshti menjëherë se e ndjeu se foli pa menduar.
-Pse nuk jeni bashkë në një shtëpi? Ku të erdhi Nëna? – e pyeti e motra e shqetësuar.
-Në dhomën ku po flija, motër, – e qetësoi duke e ftuar të hipte me të në kalë.
Garentina vërejti ngjyrën e pazakonshme të doriut, që ngjante sikur të ishte stisur me fije bari të sapokositura.
-S’kam parë kurrë kalë të gjelbër, si ky yti. Në ç’vend e ke blerë këtë soj pa soj? -pyeti duke hukatur.
-U zhgrye në një livadh dhe u ngjyros si mos më mirë. Pak ujë do dhe boja ikën menjëherë, – shpjegoi ai.
Garentina deshi të merrte kalin e saj, por Konstandini i tha se gjokun ishte i fortë dhe mund t’i mbante të dy per bukuri. Ai kërceu mbi shalë i lehte si pupël, si të ish një pelerinë ajri. Ai i zgjati dorën për ta ndihmuar të hipte në kalë dhe Garentinës iu duk sikur dëgjoi disa kërkëllima të lehta kockash si të uleshe mbi jastëkë mbushur me ashikë.
Konstandini dhe Garentina u nisën për rrugë. Rruga nga kishte ardhur nuse kishte lënë gjurmë në kujtesën e saj për shkak të fushave pjellore, pllajave të buta, plantacioneve të pemëve, urave të gjata mbi lumej ku ujët dukej sikur flinte i patrazuar me shekuj, bujtinat e pastra, kështjellat me pirgje të lartë që shfaqeshin dhe zhdukeshin në horizont. Pas një kohë bukur të gjatë udhëtimi, Garentina nuk po haste asnjë nga ato peisazhe ndaj e pyeti vëllain:
-Konstandin, ku po shkojmë? S’më ngjan të kem ardhur kësaj rruge…- foli e shqetësuar se mos po shkonin në drejtim të gabuar.
-Kam zgjedhur një rrugë tjetër se kjo pret më shkurt. Do të habitesh sa shpejt do te arrijmë, – e qetësoi vëllai.
Garentina u kujtua se kishte ikur pa u përshëndetur me askënd. E kishte humbur mendjen aq sa t’i lejonte vetes një pakujdesi të tillë. “Unë jam shushkë,” e qortoi veten me zë. Konstandini qe shfaqur papritur dhe ata qenë nisur me ngut, por familja e bashkëshortit do të pezmatohej që Konstandini kishte ardhur deri aty dhe ishte firasur pa u takuar.
Kishte gabuar dhe nuk mund të shfajësohej kurrsesi prandaj duke shtrënguar duart pas mesit të vëllait, i tha;
-Konstandin, po ti si nuk u takove me tim shoq? – sado që u mundua të tregohej e matur, në zërin e saj ndihej qortimi.
-Duhet të kthehemi…
-Gjahtarët nuk lënë adresë… – ia ktheu Konstandini me të qeshur.
Të djelave dhe festave princi me shokët e tij dilnin për gjah. Garentina u lehtësua nga fjalët e vëllait që iu dukën të arsyeshme dhe lëshoi një pshehrëtimë të shkurtër.
Kali qe lëshuar galop e jelja tundej përpara e prapa si një tufë bari kur e fryn era. Patkonjtë nuk dëgjoheshin fare sikur të shkelnin mbi një qilim pelushi. Garentina kishte ndjenjën sikur po notonte në ajër, e liruar nga rëndesa e gravitetit si në ëndrrat fluturuese të fëmijërisë.
Ndihej aq e lumtëruar sa nuk dëshironte gjë tjetër vec të jetonte në këtë udhëtim sa më gjatë të cilin e përjetonte pa vetëdije si përtëritje e një kohe të tejkaluar.
-Nuk po mund t’i dëgjoj potkonjtë e kalit. A mos e ke lënë pa mbathur? – e pyeti Garentina e sigurtë se ky kalërim nuk kishte asnjë lloj troshitje, asnjë lloj lodhje..
-Doriu im i ka thundrat me flatra, nuk e di ti?
-Mos do të thuash se fluturon? – vërejti Garentina me pak ironi. –Si mund të fluturojë pa krahë?
-Oh, kali kur merr vrull fluturon pak caste në erë. Pra kur grumbullon shumë vrull, fluturon më gjatë, – shpjegoi i vëllai përsëri me arsye.
-Atëherë do t’i tim shoq të blej një kalë të tillë….- shprehu dëshirën Garentina.
-Të tillë nuk mund të gjenden … – tha Konstandini pa lënë të kuptohej nëse ishte përgjigje me shpoti apo dredhim.
Garentina mbylli sytë dhe mbështeti kokën në shpinën e vëllait. Ndjeu një erë myku, sikur pelerina të kishte qëndruar e mbyllur gjatë në një sepet me lagështirë. Ajo e ngriti kokën vërtik dhe vuri re disa njolla të hirta e të çngjyrosura mbi copë.
-Vëllathi im Konstandin, pelerina jote ka zënë myk! – e thëna e saj qe alarmuese sikur po zbulonte diçka te frikshme.
-Është nga tymi i barutit, motër. Kur shkrehen dyfegjet tymi pahitet mbi rroba e duket si byk, edhe erën e kane aty-aty. – e qetësoi ai.
Sa të marra ishin pyetjet e saj! Sikur nuk e dinte si pahitej tymi i barotit mbi rrobat e leshta. Sa mirë që vëllai nuk zemërohej dhe nuk mërzitej me pyetjet pa kuptim.
Garentina ndjeu se po i vinte gjumë. Nuk e kuptoi nëse fjeti apo dremit, veç kur hapi sytë ndodhej përpara një liqeni të kaltër që vezullonte si pasqyrë në mes një gjelbërimi mahnitës. Buze tij mund të qëndronin një copë herë sa për t’u freskuar dhe aty mund t’ia hiqnin doriut bojën e gjelbër, dhe ta lanin me ujë, siç i kishte thënë vëllai parzi.
Por Konstandini nuk ia ktheu frerin as djathtas as majtas, dhe dukej se rrezik të binin mbi liqen.
-Konstandin, do mbytemi! – klithi ajo duke u shtrënguar pas tij.
-Harrove se po fluturojmë? – e qesëndisi pak. Ajo u qetësua menjëherë dhe hodhi sytë të sodiste liqenin. Mbi sipërfaqen e shndritshme të ujit hija e tyre shkiste si një njollë ku dallohej koka e kalit, trupi, këmbët, bishti i nderur prapa, kurse sipër kurrizit kalëronte vetëm një hije. Hija e saj. Ajo shkundi kokën për të larguar tufën e flokëve mbi fytyrë dhe briti:
-Vëlla, sa çudi! Ti s’bën hije… shiko mbi liqen!
Ai lëvizi paksa kokën anash dhe ai ktheu buzagaz:
-E kush mund të bëjë hije pranë një bukurie të tillë?
E ledhatuar nga komplimenti e falënderoi duke e pushtuar me krahë, por përsëri ndjeu sikur gishtrinjtë e saj hasën vetëm kocka nën pelerinë.
-Konstandin, t’u bëftë motra kurban, vetëm brinjët të paskan mbetur! Pse je dobësuar kaq shumë, ç’merak të bren? – e pyeti ajo.
-Prej disa vitesh jam kështu, po ndonjë dhimbje a sëmundje s’kam, – e qetësoi vëllai.
Garentina deshi t’i shihte sytë se iu duk sikur ia tha me qesëndi, po ai atë çast i grahu kalit. Peizazhi i rrugës së tyre ishte ende i panjohur për të dhe horizontin e priste një mjegull e dendur mur të cilës iu afruan edhe më. Garentina dalloi shtjella mjegulle që vërtiteshin anash si sprija për të përpirë ndonjë viktimë. Do të ishte mirë të mos zhyteshin përmes mjegullës, se me vrullin e galopit mund të përplaseshin pas ndonjë shkrepi ku do mbeteshin pre korbash. Mirëpo sa herë e kishte këshilluar të vëllain, kishte gabuar, ndaj vendosi ta mposhte frikën.
Ndjeu bulëza të imëta t’i zbrisnin mbi flokë, qerpikë, lëkurë e faqe. Ajri u ftoh sa i shkonin bromza dhe ajo u kujtua për thellimin e maleve që ndjeu kur e puthi të vëllanë në faqe. Kur e kur midis të çarave të mjegullës shkrepte një gjysmë hëne e kuqe gjak ndonëse në vakum nuk mund të përcaktohej nëse ishte ditë apo natë. Kur dolën prej mjegullnajës dhe dielli u shfaq në horizont, Garentina u shtendos dhe u mbush me frymë.
Por dielli filloi të digjte fort ndërsa kaluan mbi një shkretërirë me rërë e gurë të nxehtë përvëlues. Nuk shihej asnjë fshat, asnjë nga hanet prej druri e guri ku kishin bujtur me burrin në rrugëtimin pas dasmës! Atë çast u kujtua se vëllai i pati thënë se kishte zgjedhur tjetër rrugë që të arrinin sa më shpejt te nëna e malluar.
Larg në horizont u ngrit përpjetë një vijë malesh të thepisura me shkrepa e qafa, një vijëz aq e njohur të cilën Garentina mund ta shihte edhe me sytë mbyllur. Ishin malet e vendlindjes! Aty edhe ajri, edhe aromat e natyrës, edhe fëshfërimat e pemëve qene të njohura dhe tokësore, kurse pak më parë sapo kishin dalë nga shurdhëria e plotë dhe e gjithëpushtetshme e një boshësie kumbuese ku humbet zëri dhe tjetërsohet uni.
Duke shkuar mes një pylli të pacënuar, me drurë shekullorë, Garentina dalloi kurorat e tyre që bashkoheshin si ombrella të hapura dhe hijedrirat larushitnin lëndinat dhe trungjet me ngjyra fantastike. Zogjtë cicëronin nëpër degët e pemëve, duke iu gëzuar dritës e ngrohtësisë.
-Ciu ciu, ciu, sa çudi! Shkon i gjalli me të vdekurin.
Konstandini i grahu kalit te largohej prej atij zogu qe fliste me gjuhe njeriu, mirëpo zogu u lëshua fluturim pas tyre, me cicërimën e tij për kalërimin e një të gjalli me një të vdekur. Pastaj edhe zogjtë e tjerë, nisën te këndonin ne kor:
-Sa çudi, sa çudi, ciu ciu, shkon i gjalli me një të vdekur!
Pa e ditur se si mund ta kuptonte gjuhën e zogjve, motra e shqetësuar e pyeti Konstandinin:
-I dëgjon shpezët çfarë po thonë?
-Ç’iu vë veshin, motër? Këta mësojnë një avaz dhe e përsëritin përjetë, – iu përgjegj ai. – Edhe pas njëqind vjetësh po të kalosh këtu, këtë cicërim do të dëgjosh.
-Të keqen motra, sa më qetësove, – u çlirua ajo, – Ktheju pak të t’i puth motra sytë.
Brenda lutjes së saj kishte edhe një dredhi të vogël për ta parë fytyrën e vëllait, por ai ia ktheu:
-Ke harruar kujt i puthen sytë? Atyre që s’shihen më… – e qortoi ai butësisht.
-Më fal njëmijë herë më fal. Fale motrën tende shukllano se s’di c’thote… –iu përgjërua ajo e ngashëruar dhe me lot ne sy.
Ai e porositi të ruhej nga lanuret që mund t’i fshikullonin faqet dhe trupin tek kalonin një shteg mjaft të ngushtë. Garentina e ndjente se po i afroheshin vendlindjes. Përhedhja e sertit të maleve, luginat, kodrat valë-valë, zallishtet, përrenjtë, pllajat dhe arat qenë ashtu si i kishte ruajtur në kujtesën e saj, si i kishte lënë ne vashëri, si i kishte parë në fëmijëri.
“Zemër mbahu!” foli me vete. As te lëndina ku e kishin zakon të prisnin e të përcillnin nuset, ashtu si e kishin percjelle ditën e dasmës, as në hyrje të qytetit nuk po dukej asnjë njeri i vetëm. Lëndina dukej krejt e shkretë dhe e braktisur, sa asaj iu rrënqeth zemra prej angushtisë.
-Konstanin, vëllathi im, nuk po shoh njeri te na prese – i tha e pezmatuar. – Ku janë vëllezërit, pse nuk ka dalë asnjeri?
-Nuk mund ta dinin kur do te arrinim, prandaj kot brengosesh motër. A do të doje të ngujoheshin këtu gjithë ditën e ditës?
Me sa lehtësi ia teratiste Konstandini mendimet e zymta që e kapullonin herë pas here. “Lum si unë për ty vëlla! tha me vete motra duke mbështetur kokën në supin e tij. Ia qukiti hundën një erë dheu e freskët, që vetëtimthi e coi në funeralin e gjyshes kur ishte vajzë. U mat ta pyeste vëllain por sakaq dalloi varrezat e qytetit me kryqet e hirtë dhe s’pati asnjë dyshim se aroma e dheut vinte prej andej.
Pranë kishës së Shën Gjergjit, bardhësia e mermertë e varreve përzihej me gjelbërimin e barit dhe lulet e egra. Konstandini nduku frerin fort dhe Garentines iu bë se dëgjoi serish kërcitjen e kockave te gishtrinjeve.
-Zbrit motër se arritëm. Rrugën e shtëpisë ti e di.
-Pse, nuk do shkojmë bashkë? – guxoi ta pyeste.
-Sa të ndez një qiri në kishë dhe t’i heq frerin kalit, – i tha Konstandini.
Garentina zbriti prej kalit dhe shpejtoi t’i dilte përpara që të bindej se vëllai nuk ishte aq i zbehtë dhe aq i hequr si i qe dukur kur e takoi te sheshi përpara udhëtimit, mirëpo Konstandini i grahu kalit duke u larguar nxituar pas cepit të kishës. Garentina u mundua ta mbante shikimin mbi të dhe të kujtonte ngjyrën e pelerinës së vëllait. Nuk kishte kaluar vecse një grimë që ishin ndarë dhe ngjyra i kishte shkarë nga kujtesa.

Garentina mori rrugën e shtëpisë ndërsa zemra i hovte prej gëzimit e padurimit që do të takohej me vëllezërit, me Nënën, që do të flinte në shtëpinë e saj ku gjithçka ishte e njohura që nga çupëria. Ja tek u duk edhe shtëpia. Vec dritaret qenë mbyllur me kanata dhe mbi rrasat e catisë kishte mbirë bar e barishte. Garentina ngjiti një palë shkallë me vrap dhe trokiti te dera. Askush nuk erdhi ta hapte. Atëherë thirri:
-Nënë, hape portën!
Heshtje sikur shtëpia te qe e shkrete. Trokiti dhe thirri përsëri më me forcë. Pas një shurdhërie sfilitese, nga brendësia u dëgjua një zë i mekur si të vinte nga thellësia e dheut.
-Kush është?
-Jot bijë, Garentina! Nuk ma njeh zërin, Nënë?
Priste t’i hidhej e ta pushtonte nenen me krahë sa te hapej dera. Nenen e mundonte dyshimi se te dera kishte ardhur nje hije. Nga vonesa shpirti i Garentines mbeti pezull, sikur te ndodhej ne nje hapesire boshe, dhe pa menduar hodhi sytë rretheqark për të parë se mos kishte ardhur në shtëpi tjetër.
Flegra u hap ngadalë me kërkëllimë dhe matanë u duk nëna me fytyrë të bardhë si shkumës, sytë me rreth të zi, e veshur krejt në të zeza, shaminë lidhur nën gushë, shenjë e një zie të thellë.
-O bije, po ti nga dole në këtë ditë të shënuar? – dukej se donte të gëzohej dhe nuk mundte. – Kush të solli? Nuk po e shoh tet shoq këtu… – tha duke hetuar oborrin pas Garentines mos dallonte aty dhëndërrin e vetëm duke rregulluar kuajt.
-Më solli Konstandini, -e kujtoi Garentina e hutuar nga reagimi i Nënës.
Në sytë e saj kaloi një hije dyshimi.
-Cili Konstandin? – e pyeti sikur të mos kujtohej as për emrin e djalit të saj dhe Garentina ndjeu zemrën t’i rrënqethej nga kjo lajthitje që kishte pësuar e ëma.
-Konstandini, nene, yt bir, a nuk e porosite ti? Apo harrove? – e pyeti qortuemshëm që ta nxirrte nga ajo përhumbje e thellë.
Nëna u mbështet pas shtalkës së derës sikur t’i qene marrë mendtë e për tu mbajtur diku.
-Bijë e nënës, ti flet përçart, apo une s’po dëgjoj mirë dhe i marr tjetër për tjetër ato që më thua?
Garentina provoi sërish ta sillte ne vete.
-Nënë. Konstandini po vjen pas meje.
-Bijë e nënës, – i foli ngadalë e me dhimbje, – asaj rruge që ka shkuar Konstandini nuk është kthyer njeri deri më sot… që të kthehet ai.
-Konstandini hyri në kishë sa për të ndezur një qiri dhe do lëshoj edhe kalin në kullotë, – ngulmoi Garentina. – Ne sa u ndamë, më beso, – e luti.
Për Nënën kjo ndihej si një goditje tjetër e fatit të pamëshirshëm. Edhe vajza e vetme e kishte mendjen ujem, dhe me një dëshpërim të thellë prindëror tha:
-Sa do të doja ta besoja, sa do të doja të përqafoja një nga djemtë e mi.
-A nuk iu lute të më sillte në shtëpi se të kishte marrë malli? A nuk i vajtët në dhomë…? – e pyeti ajo duke përsëritur fjalët e Konstandinit.
-Oh, a-tje ku vaj-ta u-në, tje-tër në-në mos vaf-të e gja-llë… belbëzoi nëna vajtimshem.
-Ku janë vëllezërit? Pse nuk po shoh asnjë këtu?
-Ja-në e s’ja-në a-tje ku va-në… në-nën kër-cu-re e la-në,- vazhdoi vajin ajo.
Ajo u fut ne cardhak, mori nga një kamare nëntë qirinj, nëntë tufa borzilok, nëntë vezë të kuqe, doli në krye të shkallëve dhe i bëri shenjë t’i vinte pas. Mbase nëna po e çonte të takonte vëllezërit te sheshi nga ku dëgjohej hareja e gazi i festës. Mirëpo me të zbritur poshtë, ato u kthyen për nga rruga që nuk shpinte te sheshi, por për aty ku Garentina qe ndarë me Konstandinin.
Garentina e ndiqte Nënën nga pas dhe e pa sesi me thjeshtësinë e një rituali ajo u përkul mbi tetë varre, vendosi te koka e secilit një qiri e një vezë të kuqe duke shkundur sipër dheut fara nga një tufë e thatë borziloku. Te varri i nëntë, u ndal dhe e vërejti sikur të shikonte për ndonjë të carë a plasaritje, nëse guri kishte lëvizur nga vendi a plisat ishin prerë.
-Kush the se të solli? – e pyeti sërish nëna vajzën pa i ngritur sytë.
-Kon-sta…- nuk e mbaroi dot fjalën mbi varrin e tij. Garentina ishte e sigurt se kishte udhëtuar aty hipur mbi një kalë të gjelbërt bashkë me Konstandinin. Dhe mbi atë gur filluan t’i kujtoheshin e t’i vinin në mend me radhë dyshimet e rrugës, zbehtësia dhe dritëza hënore mbi fytyrën e vëllait e cila i shkiste vazhdimisht nga kujtesa si një ekran që nuk e fikson figurën, myku në supet e tij, hija e saj vetmitare mbi liqen, zogjtë në pyll, dhe sidomos këngët e tyre. E kaploi dyshimi se nuk qe ajo që kishte udhëtuar, po dikush tjetër në vend të saj. Aq shumë mendime e kundërshtonin atë udhëtim fantastik, me një kalë fluturues në një botë të panjohur ku koha nuk ekzistonte si kohë, dhe prapë aq hollësi e pohonin se kishte ngjarë: shkretëtira, mjegulla, liqeni, pyjet, bisedat e këmbyera me të. Qysh nga fëmijëria, Garentina frikësohej nga vdekja dhe nga çdo i vdekur, tmerrohej nga çdo hije të vdekurish, dhe lemeritej nga çdo ëndërr me të vdekur. Ajo kishte udhëtuar me Konstandinin! Për herë të pare vdekja e kishte humbur misterin e frikshëm. Besa që e solli të motrën pas shtatë vitesh pranë nënës ishte dashuria e cila eksiston përtej vdekjes. Tani s’donte asgjë tjetër më shumë sesa ta përsëriste edhe njëherë atë udhëtim me të vëllain hipur mbi të njëjtin kalë, duke ndjerë frymën dhe zërin e tij, tek fluturonin mbi vende e peizazhe të panjohura, dhe ngarendnin përmes mjegullës e nëpër pyll ku të vetmet gjallesa ishin shpendët sqepshkurtër që cicëronin papushim për një të gjallë me një të vdekur. Ai ishte udhëtimi më i mrekullueshëm që fati ia kishte falur vetëm asaj ndaj e pushtoi varrin e të vëllait me mirënjohje të pakufishme dhe mbeti atje si një përmendore e përjetshme e dashurisë njerëzore që nuk njeh kufij midis jetës dhe vdekjes.

Filed Under: Opinion Tagged With: E VERTETA E NJE MITI, Naum Prifti

Roli i femrës në shoqeri

January 3, 2019 by dgreca

argjira-ukimeri

Nga Argjira Ukimeri/Prizren/

Për të krijuar një ide sa më të qartë rreth asaj që quajmë “ ngritje arsimore e femrës “ duhet të gërmojmë thellë në historinë e njerëzimit për të ndjekur më pas kronologjikisht rolin e femrës në shoqëri që në periudhat e hershme të egzistences humane.  Nëse pyesim për lindjen dhe zhvillimin e trajtimit të pabarabartë të grave, në përgjithësi marrim përgjigjen se kjo duhet kërkuar në rrënjët e patriarkatit. Ideja se shoqëria patriarkale -me gjithë shkallëzimet dhe formësimet e ndryshme – ka ekzistuar gjithnjë, vazhdon të qëndrojë kokëfortë.  Megjithatë, shkencëtarët gjatë dekadave të fundit, kanë paraqitur një pamje tjetër të zhvillimit historik. Shumë dëshmi tregojnë se në kohën e neolitit, pra, para rreth 7000 vjetësh, kultura të zhvilluara të punimit të arave popullonin vise të Evropës dhe Azisë së Vogël. Në këto shoqëri, gratë luanin një rol të rëndësishëm: nga ana ekonomike si punëtore të arave dhe nga ana fetare si udhëheqëse shpirtërore në adhurimin e hyjnive. Linja e trashëgimisë ka të ngjarë të ketë qenë matrilineare, pra nga nëna te vajza. Burrat kishin pozita të rëndësishme si artizanë dhe tregtarë, ndërsa luftëra duket se nuk ka pasur. Kur shkencëtarët zbuluan fenomenin e shoqërive të hershme matrilineare, ata mendonin se ky ishte “matriarkati”1.Ata nxorën teorinë se zhvillimi nga “matriarkati” në patriarkat është zhvilluar sipas një ligjësie- nga më e ulëta drejt më të lartës. Por zhvillimi historik dhe struktura përkatëse shoqërore e popujve është më komplekse. Sot ka pikëpamje të ndryshme për shpjegimin e këtyre dukurive. Popullsia e Evropës e kohëve të lashta ka shumë të ngjarë të mos jetë zhvilluar “natyrshëm” drejt patriarkatit. Ndryshimet rrjedhin më tepër nga ndikimi i fiseve të kalorësve aziatikë, të cilët duhet të largoheshin për shkak të gjendjeve të rënda nga atdheu i tyre (thatësirat, shtimi i popullsisë). Ky proces ndodhi shumë herët (rreth 3500 vjet p.e.s.)Formimi i patriarkatit lindi qysh herët në kontinentin e Azisë, nëpërmjet marxhiënalizimit të gruas dhe konflikteve të armatosura, të cilat kanë rrënjë të përbashkëta. Edhe pas pushtimit të Evropës nga fizet aziatike (indoevropiane), disa zakone të banorëve të hershëm gjetën zbatim deri në fillim të të ashtuquajturit “antikitet klasik”, si p.sh. te lidët, lykasit dhe etruskët. Disa të drejta, si p.sh. e drejta matrilineare e trashëgimisë u ruajtën deri në fund të shekullit XVIII te baskët në Francën Jugore (deri në vendosjen e ligjeve qytetare në Code de Napoléon) dhe në ishujt e Egjeut: “Në shumicën e ishujve, vajza e madhe merr si trashëgimi një pjesë të shtëpisë bashkë me mobiljet dhe një të tretën e pasurisë së nënës, që në të vërtetë, në shumicën e rasteve përbën pjesën më të madhe të pasurisë. Nëse vajzat e tjera të shtëpisë martohen dhe largohen nga shtëpia, iu jepet gjithashtu një pjesë e shtëpisë si dhe pjesa e mbetur e pasurisë. Këto dukuri ndodhnin në ishujt Lesbos, Lemnos, Skopelos, Naksos, Sifnos, Santorin dhe Kos, ku unë kam mbledhur vetë informacione ose i kam marrë nga të tjerë.”2 Pushtimet dhe luftërat e vazhdueshme çuan në dominimin e disa kulturave më pak patriarkale. Këto u bënë pika kryesore e referimit për qytetërimin evropian që po lindte (Greqi, Perandoria Romake). Qendra e fundit e një kulture të lartë të drejtuar nga gratë ishte Perandoria minoike, i cili u zhduk për shkak të katastrofave natyrore në gjysmën e dytë të mijëvjecarit para erës sonë.  Patriarkati është produkt i një zhvillimi historik mijëravjecar. Megjithatë ka pasur edhe forma të tjera shoqërore. “Matriarkati” në kuptimin e sundimit të grave mbi burrat duket se nuk ka ekzistuar asnjëherë. Megjithatë te shumë popuj të lashtë gratë kanë qenë në qendër të bashkësisë si mishërim i parimit të dhënies së jetës. Por kjo nuk do të thotë që burrat kanë një vend më pak të rëndësishëm, sepse në të njëjtën kohë bëhet edhe ndarja e sferave të veprimit mes gjinive. Irokezët – një popull indian, i cili jetonte në Gjirin Hudson para se të vinin të bardhët – paraqiten si shembulli i një sistemi jopatriarkal. Bashkëjetesa e tyre frymëzoi edhe iluministin francez Ruso për teorinë e tij “të të egërve të dlirë”.

Çdo fis përbëhej nga klane të ndryshme. Çdo klan jetonte në një anijatë1, e cila trashëgohej në mënyrë matrilineare (nga nëna te vajza). Drejtuese e klanit ishte nëna (matriarkja), e cila përdorte si ndihmës luftëtarin më të mirë të klanit.  Nëna e klanit zgjidhej në mbledhjen e klanit. Djemtë dhe vajzat qëndronin gjatë gjithë jetës në shtëpinë e nënës së tyre. Gjatë martesës, burri e vizitonte gruan kohë pas kohe në shtëpinë e klanit të saj.

Martesat mund të prisheshin lehtë. Gratë nuk duhet t’i përmbaheshin asnjë ndalese zakonore apo për ruajtjen e virgjërisë, pasi të gjithë fëmijët konsideroheshin fëmijë të nënës dhe klanit të saj. Atësia biologjike ishte më pak e rëndësishme se atësia sociale, e cila ushtrohej nga një vëlla apo një i afërm tjetër i nënës. Edhe arat (tokat) iu përkisnin grave dhe ato i mbanin së bashku. Burrat kujdeseshin për përbërësit e dëshiruar, nëpërmjet gjuetisë, peshkimit dhe tregtisë. Procesi i formimit të vullnetit politik brenda klanit zhvillohej në mbledhje të ndara të burrave dhe grave. Pas kësaj kërkohej arritja e mirëkuptimit mes dy grupeve. Në asamblenë e grave, ato që kishin më shumë fëmijë, kishin të drejtën e më shumë votave. Qoftë në këshillin e fisit, qoftë në këshillin e lidhjes, gratë dhe burrat ishin të përfaqësuar në të njëjtin nivel.  Luftërat ishin cështje të burrave, edhe pse deri në ardhjen e evropianëve në Amerikë nuk ka pasur luftëra të organizuara te irokezët. Robërit e luftës të një fisi armik, nuk vriteshin menjëherë, por fillimisht provohej nëse ata mund të jetonte në shkëmbim të një luftëtari që kishte rënë rob në klanin e tij. Ky verifikim ishte punë e grave. Nuk kishte dhunë seksuale, as kundër robërve, as brenda klaneve.  Pas fitores së amerikanëve të bardhë, irokezët u shtynë në rezervate të ngushta, ku, sidomos në Kanada, ata do të humbisnin veçoritë e tyre kulturore. Në vitin 1847, të gjithë irokezët, edhe burrat, u detyruan të punonin në ara dhe u shpall drejtimi i familjeve nga burrat për hir të njësimit ekonomik. Më 1869-ën, një ligj në Kanada përcaktoi edhe linjën mashkullore të trashëgimisë së këtyre fiseve.  Kjo që diskutuam më lartë është shembull i një sistemi shoqëror jo patriarkal ku për protagonist kishim Irokezët, ndërkohë për të ilustruar një shembull të një sistemi shoqëror patriarkal do të flasim për fiset nomade të Lindjes së Mesme. Patriarku kishte autoritetin e vetëkuptueshëm mbi anëtarët e tjerë të familjes. Gruaja mbante mbiemrin e tij dhe jetonte në shtëpinë e tij. Ajo e quante burrin “Ba’al” (Zotëri). Te dhjetë urdhëresat,” gruaja konsiderohet si pronë, bashkë me skllavin, skllaven, gjedhët dhe gomarin po kështu edhe fëmijët”1 Por djemtë ishin të mirëpritur si trashëgimtarë dhe pasardhës. Ndërsa vajzën, babai mund ta shiste për skllavëri ose për prostitucion.  Burri gëzonte liri të plotë seksuale, ndërsa gruaja jo. Ai mund të merrte edhe gra të tjera. Djemtë nga gratë e tjera ose prostitutat mund të njiheshin me ligj dhe mund të pretendonin të gjitha të drejtat, nëse gruaja e parë nuk lindte djem. Nëse burri vdiste pa lënë një djalë të pjekur (mbi 18 vjeç), e veja duhet të martohej me një ungj apo vëlla të burrit, në mënyrë që prona të mbetej në fis. Megjithatë, gruaja vlerësohej shumë si nënë. Gratë mund të arrinin një status të lartë si udhëheqëse fetare në kult rreth hyjnive të pjellorisë. Por me shfaqjen e feve monoteiste, këto kulte u zhdukën.  Ishte zakon që pas konflikteve të armatosura, burrat e mposhtur të vriteshin, ndërsa gratë përdhunoheshin dhe skllavëroheshin, në mënyrë që forcat e tyre prodhuese (puna) dhe forca riprodhuese (lindja e fëmijëve) të keqpërdoreshin në dobi të fisit fitimtar. Këto dy sisteme shoqërore me ide të kundërta në dukje, janë ndoshta fare të afërta në thelb sepse edhe Irokezët si shembull i një sistemi shoqëror matriarkal, nuk e vendosin në mënyre absolute femrën si shtyllë të shoqërisë,ata thjesht i japim më shum respekt dhe vlerë por pa lënë anash asnjëherë rëndësinë e burrit.

  • Pozita e gruas në fetë monoteiste

Zhvillimi drejt monoteizmit, drejt idesë së një Zoti të vetëm vlerësohet në përgjithësi si përparim i njerëzimit drejt mendimit abstrakt. Ky proces u zhvillua në shembullin e patriarkatit, prandaj edhe simbolet e botës fetare të krishterimit, judaizmit dhe muslimanizmit u përcaktojnë grave një rol të dorës së dytë. Sipas historisë biblike të krijimit, Zoti krijoi botën dhe burrin me frymën e tij dhe gruan nga brinja e këtij të fundit. Forca krijuese është shpirtërore dhe i është dhënë vetëm burrit, i cili, sipas Biblës, ka edhe aftësinë e abstragimit, duke iu vënë emra bimëve, kafshëve dhe gruas. Burri u krijua sipas shëmbëlltyrës së Zotit, ndërsa gruaja është “ndryshe”. Mbetet e paqartë nëse gruaja është njeri “i vërtetë”, ngaqë ajo nuk është krijuar me frymën e Zotit. Gruaja është shoqëruese dhe ndihmëse e burrit.  Një histori tjetër e rëndësishme në këtë kuadër është paraqitja e rënies nga mëkati. Eva e shtyn Adamin në tundim, e shtyrë nga gjarpri, duke i dhënë një mollë nga pema e njohjes së të mirës dhe së keqes. Në këtë mënyrë, ajo shkakton rënien e njeriut nga mëshira e Zotit. Kjo do të thotë që gruaja është më mëkatare se burri. Gruaja është simbol i seksualitetit, e në këtë mënyrë, edhe i mëkatit. Prandaj edhe varësia dhe inferioriteti i gruas ndaj burrit është pjesë e vullnetit të Zotit.  “Kjo ishte shenja për Adamin që tek e shoqja ai të shihte veten si në pasqyrë, ndërsa për Evën një paralajmërim për t’iu nënshtruar burrit, prej të cilit vinte.”

Pozita e gruas në filozofinë antike
Pjesa dërrmuese e filozofëve të lashtë e përligjnin trajtimin e pabarabartë me vendosjen e secilit nën të mirën e përgjithshme dhe me ndarjen e pabarabartë të dhuntive dhe aftësive. Gruaja shihet si një krijesë më e ulët “nga natyra”.  Shembulli i Aristotelit: për të, qytetarë janë vetëm ata që janë të lirë nga veprimtaritë prodhuese dhe riprodhuese shtëpiake. Skllevërit, të huajt, gratë dhe fëmijët janë të përjashtuar nga jeta politike, sepse nuk kanë premisat e nevojshme. Ata shfaqen si ndihmës për të krijuar kushtet për elitën e qytetarëve të plotë. Gruaja për Aristotelin është një përçudnim i natyrës si pasojë e pjellorisë së mangët, një fazë fillestare deficitare e burrit. Sipas tij, ajo nuk ka as arsye, as aftësi riprodhuese. Në të dyja, ajo luan vetëm një rol plotësues të dorës së dytë:  “Ashtu sic ndodh që nga të gjymtuarit të lindin prapë të gjymtuar, mund të lindin edhe të shëndoshë. Kështu, nga një femër lind nganjëherë përsëri një femër, por ndonjëherë lind edhe një vajzë. Një femër është një vajzë e gjymtuar dhe të përmuajshmet janë farë, vetëm se jo farë e pastër. Sepse i mungon diçka kësaj fare, burimi i jetës… sepse ky burim jete gjendet vetëm te fara mashkullore.”

Këndvështrime për nënshtrimin e gruas në kulturën perëndimore

Kultura perëndimore bazohet në lidhjen mes simboleve dhe ideve, të cilat rrjedhin nga burime fetare dhe nga filozofia e Greqisë së lashtë. Në fazën kur njerëzit skicuan sistemet e simboleve për shpjegimin e botës (fe, shkencë, filozofi), gratë ishin kaq të lëna pas dore, saqë nuk mund të merrnin më pjesë aktivisht në këtë përparim. Këtu duhet parë edhe një nga arsyet që grave në këto sisteme iu është përcaktuar një status i ulët. U krijuan dy konstrukte: “mashkullor” dhe “femëror”. Këta ishin të ndryshëm në detyrat, aftësitë dhe mundësitë e tyre. Kjo u ka shërbyer brezave të mëvonshëm për të ruajtur status quo-në, që iu dukej ose si “e natyrshme”, ose “e shkruar nga Zoti”.
Për herë të parë në shoqëritë borgjeze të shekullit XVIII, thirrja e grave për të drejta u bë e fuqishme. Kjo kishte shumë arsye. Së pari, Deklarata e Përgjithshme e të Drejtave të Njeriut mbi bazën e së drejtës natyrore në Francë1 dhe në Shtetet e Bashkuara2bëri që të nisnin kërkesat për të drejta të barabarta për gratë.
Falë zhvillimit të punës produktive kapitaliste, vendi dhe i punës dhe vendbanimi po ndaheshin gjithnjë e më shumë nga njëri-tjetri. Kjo solli ripërkufizimin e ndarjes së punës mes gjinive. Burri e konsideronte gruan si bashkëshorte dhe nënë, puna e së cilës mundësonte dhe siguronte suksesin e burrit jashtë shtëpisë. “Familja” konsiderohej tashmë si hapësirë e komunikimit social dhe e riprodhimit jashtë sferës profesionale, e cila u përkiste vetëm bashkëshortëve dhe fëmijëve. Gratë ishin “çliruar” nga puna për të fituar, prandaj gruaja duhet të krijonte në familje një strehë private dhe intime, e cila zëvendësonte në mënyrë harmonike botën e jashtme të profesionit, të konkurrencës për para dhe pushtet.  Shoqëria borgjeze nuk i lejonte gratë të ishin konkurrente të mirëfillta në procesin e prodhimit. Ato përjashtoheshin nga shumë vendime ekonomike, politike dhe madje edhe nga ato private. Gratë kishin mundësi të kufizuara arsimimi, asnjë të drejtë administruese mbi pronën e tyre, nuk mund të nënshkruanin marrëveshje dhe nuk mund të punonin pa pëlqimin e burrit. Në të drejtën për divorc dhe kujdestari për fëmijët, ato liheshin në mënyrë të dukshme pas dore. Ndërsa në të njëjtën kohë u krijuan kushtet për vendosjen e pagave minimale për gratë që punonin dhe për shfrytëzimin e tyre. Kjo situatë ishte toka e përshtatshme për kërkesat e para publike për të drejta dhe mundësi të barabarta për gratë.  Gjithsesi ajo që ndodhte ne botën e civilizuar të perëndimit pak dëgjohej në vendin tonë kur ishte fjala për ngritjen arsimore të femrës ose për të drejtat dhe mundësitë e barabarta të gruas shqiptare. Femra shqiptare më shum se kushdo tjetër ka vuajtur pasojat e egos mashkullore dhe diskriminimin e vazhdueshëm qysh në kohrat e vjetra. Shoqëria shqiptare në histori ka kaluar pengesa dhe vështirësi të mëdha egzistenciale aq sa problemi I barazisë gjinore ishte fare I papërfillur.Tani do të hedhim një shikim më të plotë mbi arsimimin e femrës në vendin tonë.
Zhvillimi i arsimit femëror në Shqipëri
Femra në Shqipëri doli nga sundimi osman me një prapambetje të theksuar arsimore. Kjo për shkak të mungesës së sistemit arsimor kombëtar. Në vitin 1912 në vend ekzistonin vetëm 250 shkolla të huaja. Me këtë gjendje të shkollave kuptohet shkalla e lartë e analfabetizmit të popullit tonë dhe në veçanti në radhët e femrës.
Në këto kushte para shtetit shqiptar, krahas detyrave të tjera të rëndësishme për zhvillimin e vendit, qëndronte edhe organizimi i arsimit kombëtar. Qeveria e Vlorës, me gjithë kushtet e vështira objektive dhe subjektive, të krijuara pas vitit 1912, me politikën e saj arsimore synonte të krijonte sistemin arsimor me frymë kombëtare, demokratike dhe laike; krijimin e kuadrit mësimor si dhe realizmin e arsimit fillor të detyrueshëm. Në këtë kuadër kujdes ju kushtua arsimit femëror.  Për të realizuar tërheqjen e vajzave në shkollë u shtrua si detyrë krijimi i shkollës shtetërore femërore dhe hartimi i programit shkollor të veçantë për të. Krijimi i një shkolle të tillë në Shqipëri ishte i domosdoshëm. Së pari, për shkak të prapambetjes në të cilën ndodhej vendi; së dyti, fanatizmi dhe mendimi konservator për femrën në shoqërinë shqiptare ishte mbizotërues; së treti, pjesa dërrmuese e popullsisë ishte e besimit mysliman.  Kjo pjesë zbatonte zakonin e mbylljes së vajzës në moshë fare të re, duke prekur kështu një pjesë të viteve të moshës shkollore. Çelja e shkollës femërore ishte më e pranueshme edhe për popullsinë e dy besimeve të tjera, në veçanti për klerin katolik i cili ishte kundër shkollave të përzjera (djem e vajza).
Në bazë të të dhënave arkivore shkolla e parë fillore femërore shtetërore u çel në vitin shkollor 1913-1914, në qytetin e Lushnjës, me një kapacitet prej 30 nxënësesh. Po atë vit, u riçel shkolla e parë e vashave “Qiriazi” në qytetin e Korçës e cila nën presionin e shovinistëve grekë, më 1914, u mbyll përsëri.
Në vitin 1914-1915, në qytetin e Shkodrës shteti çeli shkollën fillore femërore në lagjen “Serreq”. Me gjithë kushtet e vëshitra të krijuara për Shqipërinë gjatë Luftës së Parë Botërore, vijoi çelja e shkollave femërore shtetërore.
Në vitin 1915-1916, u çelën shkolla fillore femërore në qytetin e Vlorës dhe shkolla e dytë fillore femërore në Shkodër me emrin “Xhamia e Begos”.  Në vitin shkollor 1917-1918, pas shpalljes së Korçës Krahinë Autonome, u riçel shkolla e vashave dhe në qytetin e Pogradecit u çel shkolla fillore shqipe e vajzave, nën drejtimin e Persefoni Trenit. Po atë vit u çelën shkolla fillore femërore në Tiranë, në Durrës dhe Përmet. Në vitin shkollor 1919-1920 në qytetin e gjirokastrës u çel shkolla fillore femërore nën drejtimin e mësueses Urani Rumbo. Në bazë të të dhënave del se edhe në qytetin e Krujës ishte çelur shkolla fillore femërore.  Funksionimi i shkollave femërore, ashtu si gjithë arsimi kombëtar, hasi në një sërë vështirësish. Në radhë të parë ndihej mungesa e kuadrit të nevojshëm për mësues, mungonin programet dhe tekstet mësimore etj. Për shkak të mentalitetit patriarkal, frekuentimi i shkollës nga vajzat ishte tepër i kufizuar. Mjediset shkollore ishin të papërshtatshme. Problemi i arsimimit të femrës shqiptare dhe arsimi kombëtar në përgjithësi zunë vendin e tyre në luftën për demokratizimin e jetës së vendit në vitet 1920-1924. Hapat e hedhura në fushën e arsimimit të femrës në vitet 1912-1920 përbënin për shtetin e rimëkëmbur shqiptar një bazë të vlefshme dhe një përvojë të mirë që do të ndihmonte në përhapjen e mëtejshme të shkollës fillore femërore si dhe në ngritjen e saj në nivele më të larta.  Shtytje të rëndësishme zhvillimit të arsimit në Shqipëri i dhanë tri kongreset arsimore që u mbajtën në vitet 1920-1924. Në Kongresin e tretë, i cili u mbajt në gusht të vitit 1924 në godinën e vajzave në Tiranë, midis problemeve që qëndronin para arsimit kombëtar, u ngrit dhe çështja e shkollimit të femrës shqiptare, që u quajt si një problem i ngutshëm dhe serioz për vendin dhe u përcaktuan rrugët për përmirsimin e saj.
Çështja e arsimimit të femrës zuri vend edhe në Parlamentin shqiptar të viteve 1921-1924. Në një nga seancat parlamentare të vitit 1921, u kërkua çelja në shkallë vendi, e shkollave të reja fillore femërore, si edhe çelja e një shkolle normale femërore për përgatitjen e mësueseve; u shtrua si domosdoshmëri ngritja metodike e kuadrit arsimor në shkollat ekzistuese, u miratua çelja e shkollës normale femërore private “Kyrias” e cila u hap në vitin 1922 në Kamëz të Tiranës. U ngrit problemi i përmirësimit të tipit, i strukturës dhe i programeve të shkollës, që do të ndikonin në rritjen e nivelit arsimor të femrës dhe do të luftohej zakoni i tërheqjes së vajzës nga shkolla dhe mbyllja e saj në shtëpi në moshën 10-12 vjeç.  Krahas vënies në dukje të problemeve që qëndronin para arsimit femëror, në këto vite u çelën shkolla fillore femërore shtetërore në Kavajë , dhe në Shijak  Për t’iu kundërvënë propogandës helenizuese të shkollave greke, të çelura në vitin 1914 në trevën e Gjirokastrës, u mendua të rritej niveli i arsimit në shkollën femërore ekzistuese, të çelej një shkollë fillore femërore në lagjen “Dunavat”, Libohovë e Delvinë.
Në qytetin e Korçës, u çel shkolla e mesme normale femërore. Dokumentacioni i hulumtuar nuk jep të dhëna të plota për numrin e nxënësve që frekuentonin shkollat femërore gjatë viteve 1920-1924. Por nga të dhënat zyrtare për vitin shkollor 1921-1922, del se numri i përgjithshëm i nxënësve ishte 25 197 dhe 20%  e tyre ose afërsisht 5 000 ishin nxënëse.  Hapat e hedhur në zhvillimin e arsimit kombëtar dhe atij femëror në vitet 1912-1924, hapën rrugën për të shërruar plagën e rëndë të analfabetizmit në Shqipëri.  Megjithatë ato shërbyen si bazë për ndërtimin dhe konsolidimin e sistemit arsimor në përgjithësi dhe atij femëror në veçanti. Arsimimi i femrës mbeti një çështje e rëndësishme e qeverisë dhe forcave përparimtare edhe gjatë viteve 1925-1939. Ai përbënte një nga problemet kryesore të fjalimit që Ahmet Zogu mbajti para Asamblesë në janar të vitit 1926. Përmirësimin e pozitës së vështirë të gruas në vitin 1926 ai e shihte në përputhje me zhvillimin ekonomik, politik, shoqëror dhe kulturor të Shqipërisë. Sipas tij përparësi do t’i jepej zhvillimit arsimor të vajzës duke e tërhequr si në shkollat femërore dhe të përzjera, çeljen e shkollave të reja femërore dhe në veçanti përhapja e tyre në zonat rurale. Në bazë të të dhënave statistikore për zhvillimin e arsimit kryesisht në periudhën e Republikës Shqiptare 1924-1929, kanë funksionuar këto shkolla dhe me këtë përbërje nxënësish.  Në vitin shkollor 1924-1925 numri i përgjithshëm i nxënëseve ishte 4 220, ndërsa në tri vitet në vazhdim numri i tyre erdhi duke u rritur nga 5 200 deri në 5 700 nxënëse.  Në vitin shkollor 1925-1926 numri i vajzave ishte rritur 471 më shumë se në vitin shkollor 1924-1925, ndërsa në vitet e mëvonshme numri i tyre u rrit përkatësisht 1 030, 1 050, 1  254 më shumë se në vitin 1924-1925.  Në bazë të të dhënave të vitit shkollor 1925-1926, del se në të gjithë vendin funksiononin 37 shkolla fillore femërore dhe një e mesme, dy shkolla femërore private dhe një e mesme.  Në vitin shkollor 1926-1927, në Tiranë u hap shkolla e infermiereve dhe dega femërore në shkollën bujqësore amerikane në Kavajë.  Gjatë regjimit republikan rrjeti shkollor nuk pësoi ndonjë ndryshim nga pikëpamja e shtrirjes gjeografike, ai ruajti pak a shumë atë të viteve 1912-1924.  Nga të dhënat statistikore të drejtorive arsimore del se në këto vite u çelën shkolla të reja femërore, u rrit numri i vajzave në shkolla, u tregua kujdes në përgatitjen e kuadrove mësuese etj. Në bazë të këtyre të dhënave del se në Shqipërinë e Jugut numri i shkollave femërore, i mësueseve dhe i nxënëseve që i frekuentonin ato ishte më i lartë se në Shqipërinë e Mesme dhe atë të Veriut.  Kjo lidhet me zhvillimin ekonomik e shoqëror më të lartë të trevave të jugut, me numrin e madh të emigrantëve në shtetet perendimore, si dhe lëvizjen e lirë të njerëzve etj.  Në prefekturën e Korçës në vitin shkollor 1925-1926 funksiononin shkolla femërore jo vetëm në qytet, por edhe në fshatrat përreth. Në qytetin e Korçës ishin çelur tri shkolla femërore dhe një e mesme normale për përgatitjen e mësueseve, shkolla fillore femërore ishin çelur edhe në fshatin Boboshticë, dhe në nënprefekturat e Leskovikut, të Kolonjës, të Pogradecit, të Bilishtit.  Numri i nxënëseve në qarkun e Korçës, në vitin shkollor 1925-1926, ishte 1 236 nxënëse prej të cilave 717 i takonin qytetit të Korçës. Pas Korçës, për frekuentim të lartë të shkollës, vinte prefektura e Gjirokastrës dhe nënprefekturat e Libohovës, të Përmetit dhe të Delvinës Shkolla fillore femërore shtetërore funksiononin në qytetin e Vlorës, të Fierit, të Sarandës. Në bazë të të dhënave për gjendjen arsimore në vitet 1925 deri në 1929, në Shqipërinë e Mesme, numri i shkollave ishte më i vogël dhe numri i përgjithshëm i nxënëseve ishte më i pakët se në prefekturat që u përmendën.  Në Tiranë funksiononte shkolla fillore femërore shtetërore me program pesëvjeçar. Në vitin shkollor 1925-1926, ishin regjistruar 181 nxënëse prej të cilave 134 e vazhdonin atë rregullisht, shkolla fillore femërore funksiononin në Durrës, në Krujë, në Shijak.  Të dhënat statistikore të vitit shkollor 1928-1929, flasin për një frekuentim të ulët, nga vajzat, të shkollave femërore dhe të përzjera të këtyre qyteteve. Numri i përgjithshëm i tyre arrinte në 684 dhe duke e krahasuar me atë të vajzave të Korçës, ishte shumë i ulët.  Në vitin shkollor 1926-1927, në Peqin u çel shkolla fillore femërore me 29 nxënëse gjithsej. Edhe në qytetin e Elbasanit dhe në atë të Kavajës vazhdonte të funksiononin rregullisht shkollat fillore femërore. Numri i vajzave që frekuentonin shkollat fillore femërore nuk i kalonte 90 vetë.  Niveli i ulët arsimor në Shqipërinë e Mesme i vajzave, ishte pasojë e fanatizmit dhe prapametjes. Këtë e nxjerr në dukje Mehdi Frashëri, në vitin 1930, në konferencën kushtuar gjendjes arsimore të femrës në Tiranë.

Sipas të dhënave të pohuara prej tij nga 2000 vajza në moshë shkollore vetëm 180 vazhdonin shkollën. Përveç hezitimit të prindërve për t’i çuar vajzat në shkollë, ai theksoi se duhej luftuar zakoni i të mbyllurit të vajzës në moshën 10-12 vjeç, pasi në zbatim të këtij zakoni vajzat që vazhdonin shkollën ishin të detyruara ta linin atë shumë shpejt.
Për nivelin e ulët të frekuentimit të shkollës prej vajzave, shtypi i kohës fajësonte qeverinë që nuk i kushtonte vëmendje përmirësimit të kushteve në shkollat ekzistuese dhe kërkonte ngritjen e godinave të reja shkollore.
Mungesa e madhe për shkolla, sidomos për ato femërore ndihej në zonat e Shqipërisë Veriore e Verilindore, përveç qytetit të Shkodrës. Në këtë qytet krahas dy shkollave fillore femërore ekzistuese, në vitet 1925-1928 u çelën edhe tri shkolla të tilla.  Në vitin shkollor 1928-1929, numri i nxënëseve arriti në 380. në qytetet e tjera veriore nuk kishte shkolla femërore dhe numri i mësueseve ishte i pakët. Në shkollat e përzjera, numri i të cilave ishte i kufizuar, frekuentimi nga vajzat ishte i papërfillshëm, sidomos në zonat e thella malore ku analfabetizmi e prapambetja ishin të mëdha.  Siç shihet gjatë regjimit republikan u synua kryesisht në konsolidimin e shkollave ekzistuese, në përmirësimin e programeve arsimore dhe në çeljen e shkollave të reja. Megjithatë nevoja për ndërtimin e një sistemi arsimor kombëtar dhe të shkollës femërore në shkallë vendi ndihej shumë. Kjo dëshmohet në kërkesat e fshatarëve të Trebishtit të Peshkopisë, të disa fshatrave të Shkodrës, të Rehovës, të Babanit në prefekturën e Korçës, për shkolla femërore. Në përgjigje të këtij shqetësimi Ministria e Arsimit përgatiti në 1928 ligjin organik mbi arsimin i cili hyri në fuqi atë vit. Ai parashikonte ndryshime në sistemin arsimor shkollor fillor dhe të mesëm, krijimin e arsimit profesional dhe ndryshime në programet shkollore.  Artikulli 26 i këtij ligji parashikonte që në çdo qytet e fshat sipas numrit të fëmijëve të hapeshin një ose më shumë shkolla për vajza. Në ato fshatra ku nuk mund të ngriheshin një ose më shumë shkolla të tilla, vajzat duheshin të arsimoheshin në shkolla të përzjera. Në zbatim të këtij ligji u arrit të çelej një konvikt femëror në Vuno, me 40 vajza bursiste nga Himara, Vlora, Delvina  dhe Kurveleshi. Gjithashtu u morrën masa për çeljen e një shkolle fillore femërore në Trebisht të Peshkopisë.  Krahasuar me arsimimin fillor femëror, arsimi i mesëm ishte më i kufizuar si për nga numri ashtu edhe për nga shtrirja gjeografike.  Në vitet 1925-1933 vazhduan të funksiononin këto shkolla të mesme femërore shtetërore dhe private: Instituti femëror privat “Qiriazi”, shkolla normale femërore shtetërore e Korçës dhe shkolla femërore private “Stigmatine” në Shkodër.  Në vitin 1930-1931 u çel në Tiranë instituti femëror privat “Naim Frashëri” me program shtatëvejçar.  Në vitet 1930-1933, vihet re forcimi i ndikimit të shtetit në institutet femërore private jo vetëm në programe, por edhe në pranimin e kontigjenteve të vajzave që mbështeteshin me bursa nga shteti.  Megjithë masat e marra gjatë viteve 1925-1928 në fushën e arsimit në përgjithësi dhe atij femëror në veçanti, shtetit shqiptar i mbetej shumë për bërë.  Këtë e pohoi dhe A.Zogu në një intervistë dhënë gazetës “Daily Telegraph” të Londrës, në tetor të vitit 1928. ” Ne jemi shekuj të tërë mbrapa Evropës së qytetëruar. Njerëzit nuk janë në gjendje as të shkruajnë as të lexojnë…Unë jam i vendosur t’a qytetëroj popullin tim dhe t’a fus atë sa më shum në rrugën e mësimit të zakoneve dhe të mënyrës së jetesës perëndimore”.  Problemet që qëndronin para arsimit kombëtar dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohej Shqipëria, A. Zogu i trajtoi në fjalimin që mbajti në mbledhjen e parë para parlamentit, pas shpalljes së Monarkisë.  Ai shprehu vendosmërinë se do të punonte për ngritjen e një sistemi arsimor kombëtar dhe të shkollës femërore në tërë vendin. Ai synonte t’i arrinte këto nëpërmjet zbatimit të reformave shtetërore në fushën arsimore, ekonomike, sociale dhe legjislative.  Për përgatitjen e reformës në arsim, në vitin 1929 u ngrit një komision i posaçëm, i kryesuar nga ish-Ministri i Arsimit Abdurrahman Dibra.  Drejtimet kryesore të reformës ishin forcimi i karakterit shtetëror të shkollës shqiptare, laicizmi dhe kombëtarizimi i saj. Në tërësinë e problemeve të arsimit, komisioni i kushtoi vëmendje arsimimit të femrës. Veçanërisht u tërhoq  vëmendja për gjendjen arsimore të femrës në zonat rurale, për shkak të mungesës së shkollave femërore dhe të përzjera.  Për këtë arsye komisioni vendosi të riorganzonte sistemin arsimor të shkollave fillore dhe të mesme femërore dhe të çelte shkolla të reja, të pajisura me konvikte, në zonat rurale, për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve të zonave malore, që nuk kishin mundësi t’i ndiqnin shkollat rregullisht. Veç kësaj reforma synonte të përmirësonte përmbajtjen e programeve mësimore dhe unifikimin e tyre. Reforma në arsim përveç këtyre synimeve, pati edhe karakter politik. Ajo kishte si qëllim të pengonte depërtimin e ndikimeve nga shtetet fqinje, nëpërmjet shkollave të çelura e të financuara prej tyre. Fryma kundër shkollave të huaja private ndihej në më të shumtën e neneve të ligjit për reformën arsimore. Në zbatim të reformës më 10-11 prill 1933, Parlamenti vendosi të ndryshonte nenet 206, 207 të statutit mbretëror. Në nenin 206 të ndryshuar, mësimi dhe edukimi i shtetasve shqiptarë konfirmoheshin si e drejtë ekskluzive e shtetit. Aty shpallej se arsimi fillor për të gjithë shtetasit shqiptar ishte i detyrueshëm dhe falas.  Megjithatë për nevoja arsimore të popullatës, në ligjin për arsimin u la një klauzolë, sipas së cilës shkollat private mund të funksiononin vetëm në qoftë se bashkëpunonin me shtetin, ta ndihmonte atë për të çelur shkolla në ato vende ku shteti nuk kishte mundësi t’i hapte vetë.  Në vitin 1933, në zbatim të ligjit për reformën arsimore për shtetëzimin e shkollave, u mbyllën institute “Qiriazi”, shkolla e “Stigmatimeve” në Shkodër, institute privat femëror “Naim Frashëri”, u mbyll edhe e vetmja normale femërore shtetërore në Korçë.
Me nxënëset e klasave të ulëta të kësaj shkolle, në këtë qytet, u çel shkolla qytetëse katërvejçare, ndërsa në Shkodër me mbylljen e shkollës femërore “Stigmatine”, do të krijohej dega e ulët femërore pranë gjimnazit të Shkodrës.  U mbyllën shkollat e minoritetit në gjuhën greke. Ndaj këtij veprimi të qeverisë shqiptare reaguan ashpër qeveria greke dhe Vatikani, që u ankuan deri në Lidhjen e Kombeve.  Në vitin 1933 u çel në Tiranë institute femëror “Nana Mbretneshë” me dy degë të plota normale dhe gjimnaziale, me program tetëvjeçar. Në këtë institut do të vazhdonin studimet nxënëset e katër shkollave të mesme të mbyllura.  Përqendrimi i arsimit normal femëror në një dorë të vetme siç ishte instituti femëror i Tiranës, pati rëndësi për përmirësimin e përmbajtjes së programit shkollor dhe të ngritjes cilësore të mësimdhënies, pasi këtu u përqendruan forcat më të kualifikuara Brenda vendit, u emëruan edhe mësuese nga shtete të ndryshme perëndimore.

Megjithatë, duke qenë i vetmi institut femëror në Shqipëri, çoi në kufizimin e numrit të nxënëseve, sidomos në degën normale, sepse jo të gjitha vajzat, në rrethe të ndryshme të vendit, që dëshironin të vazhdonin shkollën e mesme i kishin mundësitë ekonomike ta vijonin atë. Edhe shteti duke qenë me mundësi të pakta financiare nuk ishte në gjendje të përballonte kërkesat gjithnjë e në rritje  të vajzave për bursë. Veç këtij institucioni për arsimimin e mesëm të vajzave rol të rëndësishëm luajtën licetë dhe gjimnazet e përzjera. Në qytetin e Korçës, pas transformimit të normales në shkollë qytetëse, me vendim të ministrisë së Arsimit, filloi pranimi i vajzave në Liceun e Korçës. Gjithashtu në vitin shkollor 1933-1934, rritet numri i vajzave në gjimnazin e Gjirokastrës, në gjimnazin e Shkodrës, në Normalen e Elbasanit etj. Për të përmirësuar gjendjen arsimore të vajzave në fshat, në ligjin për reformën arsimore ishte parashikuar çelja e shkollave dhe e kurseve femërore dyvjeçare me karakter bujqësor, të cilat do të çeleshin nëpër fshatra e qytete të vogla që u afroheshin fshatrave të mëdha.  Në programet e tyre, lëndët me karakter të përgjithshëm do të kufizoheshin. Në një shkollë të tillë ishte menduar të  kthehej normalja femërore në shkollën amerikane në Kavajë. Në këtë lloj shkolle, do të pranoheshin vajza që kishin kryer arsimin fillor, deri në moshën 15 vjeç. Në programet e përgatitura për shkollat bujqësore dyvjeçare më shumë vend zinin lëndët e ekonomisë shtëpiake, sidomos ato të ekonomise bujqësore të cilat zinin në program 10 orë në javë. Në vitin shkollor 1934-1935, kjo lloj shkolle femërore u çel në shkollën amerikane të Kavajës. Njëzet vajza do të mbështeteshin me bursë nga shteti. Nxënësit do të pranoheshin kryesisht nga fshatrat përreth. Përveç kësaj shkolle Ministria e Arsimit nuk arriti ta realizonte këtë objektiv të reformës në pjesët e tjera të vendit për arsye se një ndërmarrje e tillë kërkonte mbështetje të fuqishme financiare dhe kaudro mësuese etj. Gjithashtu kontigjentet e vajzave që parashikoheshin me ligj të pranoheshin në shkolla duhej të ishin me arsim fillor, gjë që ishte e pamundur sepse pjesa dërrmuese e vajzave në fshat ishte analfabete.  Megjithatë, kjo Ministri mori disa masa, ndoshta të kufizuara, për përmirësimin e gjendjes arsimore të vajzave në malësitë e veriut duke çelur shkolla të reja me konvikte. Kështu në gusht të vitit 1932 me propozim të saj, këshilli i ministrave vendosi që konvikti i Homeshit në Dibër të kthehej për vajza. Në vitin shkollor 1932-1933, aty u sistemuan 20 vajza bursiste nga krahinat e Gorës së Kukësit, të Dibrës, të Bërzeshtës së Elbasanit, të cilat pas mbarimit të shkollës do të kontribuonin si mësuese në krahinat e tyre.  Në prefekturën e Shkodrës vazhdonin të funksiononin pesë shkolla fillore femërore dhe po bëheshin përpjekje për të çelur degën femërore në gjimnazin e qytetit, e cila pas shumë pengesash çeli dyert në vitin shkollor 1934-1935. Po këtë vit u çel shkolla fillore femërore në nënprefekturën e Lezhës.  E rëndë mbeti gjendja arsimore e femrës në krahinat e Lumës dhe të Pukës. Sipas të dhënave në krahinën e Lumës mbi 200 vajza në moshë shkollore, nuk vazhdonin mësimet për shkak të mungesës së shkollave dhe të mësueseve.  Në njëzet shkollat e përzjera për shkak të fanatizmit të prindërve një numër i vogël vajzash frekuentonin vetëm  shkollat në fshatin Borje dhe në qendrën e Kukësit. Për këtë arsye autoritetet e nënprefekturës së Lumës i kërkuan Ministrisë së Arsimit çeljen e shkollave fillore femërore në Bicaj, në Topojan dhe në Krumë.  Nga të dhënat statistikore arsimore të kësaj nënprefekture del se deri në vitin 1939 aty nuk u çel asnjë shkollë fillore femërore. Vetëm në vitin 1938, ministria e Arsimit i dërgoi krahinës së Lumës 20 bursa për të mbështetur studimet e 20 vajzave për mësuese në Institutin Femëror të Tiranës. Në zbatim të reformës arsimore në vitin shkollor 1932-1933 dhe më pas, u vu re një rritje e pjesëmarrjes së vajzave në shkollë. Përveç shkollave ekzistuese në qytete të kësaj treve u çelën shkolla të reja. Kështu, në qytetin e Tiranës u çelën tri shkolla fillore femërore me program pesëvjeçar me 22 klasa gjithsej. Edhe në qytetin e Elabasanit u çel shkolla e dytë fillore femërore. Krahas shkollave femërore në vitet 30 e sidomos pas reformës së vitit 1932-1933, në Shqipëri u çelën edhe 40 shkolla të përzjera. Në bazë të të dhënave në vitin shkollor 1934-1935 në 575 shkolla fillore të vendit mësonin 50 890 nxënës prej të cilëve 14 944 ishin vajza , kundrejt 5 082 vajzave që vijonin shkollën në vitin 1926-1927.  Ritme të larta u vunë re në arsimin e mesëm. Në vitin shkollor 1934-1935, në shkollat normale të vendit nga 308 nxënës gjithsej, 106 ishin vajza.  Ndërsa në gjimnazet numri i përgjithshëm i nxënësve ishte 2 303, prej të cilave 529 ishin vajza , kundrejt 117 vajzave që vijonin të mësonin në të gjitha shkollat e mesme në vitin shkollor 1926-1927. Më  1936-1937 numri i tyre u rrit në 1205.  Me gjithë arritjet në arsimin femëror, në pjesët urbane të vendit dhe me përjashtime të vogla në pjesët rurale, vajza në fshatin shqiptar mbeti pothuajse e paarsimuar.
Kjo theksohej në pjesën dërrmuese të raporteve arsimore të prefekturave të vendit për vitin shkollor 1933-1934.
Në 188 fshatra të Elbasanit, theksohej në raportin arsimor, – nuk ka asnjë shkollë për vajza. Në 17 shkolla të përzjera, nga 744 nxënës, vetëm 65 janë vajza” . Shifra të tilla alarmante jepeshin edhe nga prefektura e Durrësit, dhe e Tiranës etj.  Kjo përqindje e vogël e vajzave shqiptare qe vazhdonin shkollën dhe që arsimoheshin vinte si pasojë e një kohe të rëndë, dhe e një pozite të mjerueshme të femrës shqiptare, si pasojë e një mentaliteti mjeran një injorance të thellë, dhe shum qartë pasqyron diskriminimin që i bëhej femrës duke mos e konsideruar qenie humane të aftë për të dhënë më shum në shoqëri.

Portrete te grave te shquara shqiptare
Në radhët e atyre familjeve shqiptare që janë shquar për shërbimet e larta ndaj atdheut renditet nderueshëm familja e Qiriazëve, zulma e veprimtarisë patriotike të së cilës do të jehojë gjithnjë e më shumë në kalim të kohëve dhe do të ndikojë gjithnjë e më tepër në formim të breznive të ardhshme. Padyshim gratë që kanë dhënë kontributin më të vlefshëm në arsimimin dhe edukimin e femres shqiptare janë pikërishtë vajzat e familjes Qiriazi, Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi dy mësueset e para shqiptare që ne i njohim si dy heroinat që sfiduan kohën për të ndriçuar mendjet e vajzave dhe grave shqiptare.  Qiriazët e kanë origjinën nga fshati Peras i Kolonjës. Stërgjyshi i Qiriazëve, Mëhilli, qe vrarë duke luftuar me turqit, në fillim të shek. XIX. Mbas kësaj drame, familja emigroi në Tërnovë, një fshat afër Manastirit. Gjyshi i tyre, Qiriazi, qe 11 vjeç, kur u larguan nga fshati i lndjes.Lindën dhe u rritën në një mjedis thjesht shqiptar, një djep vërtet i denjë për të përkundur bij e bija të përkushtuar ndaj idealeve më fisnike njerëzore e kombëtare.  Në kujtimet e saj, Sevastia ka shkruar: “Babai na tregonte histori të mahnitshme rreth stërgjyshërve tanë apo heronjve shqiptarë. . . . Ndjenjat patriotike të tim eti na ushqyen me frymën e tij, e cila me kalimin e viteve u rrit dhe na bëri të gjithë ne fëmijët patriotë të mirë, që u përpoqëm me mish e me shpirt për çështjen e Shqipërisë”.
Prindërit e Sevastisë, Dhimitri e Maria – edhe kjo vajzë kolonjare, e bija e Kristo Vodenës, – patën dhjetë fëmijë. Dhimitri zuri punë në Manastir, ku mori edhe familjen.  Aty u lind Sevastia, në vitin 1871. Që në moshën 4-vjeçare, atë e dërguan në shkollën greke, prej nga pak më vonë kaloi në shkollën e Misionit Amerikan. Gjerasimi, vëllai më i madh, i mësoi asaj të shkruajë e të lexojë në gjuhën shqipe. Ai, gjithashtu, ndikoi shumë në edukimin e saj me ndjenja e ideale atdhetare.  Shtëpia e Qiriazëve, ndërkaq, qe shndërruar në një vatër të rëndësishme kombëtare, që priste e përcillte personalitetet e shquara të Rilindjes si Kostandin Kristoforidhin, Koto Hoxhin, Pandeli Sotirin, Petro Nini Luarasin, Orhan Pojanin, Nuçi Naçin, etj. Në këtë shtëpi u bënë, në vitin 1908, mbledhjet e Komisionit të Alfabetit.
E zgjuar nga natyra, me një botë shpirtërore të pasur, e ndezur që në fëmijëri me zjarrin e idealeve atdhetare, me një këmbëngulje e vullnet të paepur, Sevastia ndjeu që heret nxitjen e brendshme dhe nevojën e domosdoshme për dituri. Kështu, mbasi mbaroi shkollën e Misionit Amerikan, duke kapërcyer pengesa e vështirësi të patregueshme, ajo u regjistrua në Kolegjin e Kostandinopolit, e para vajzë shqiptare, në ato kohë, që po merrte arsim të lartë. Mbasi kreu Kolegjin, diploma e saj u regjistrua në Byronë e Edukimit në Kostandinopol, gjë që i mundësoi asaj të merrte “iradën”, d. m. th. lejen për të hapur një shkollë shqiptare për vajzat.  Për këtë qëllim, bashkë me Gjerasimin shkuan në Korçë, ku kishte vetëm shkolla në gjuhën greke për fëmijët e krishterë dhe shkolla në gjuhën turke e arabe për fëmijët myslimanë.  Më 23 tetor 1891, mbas një lufte të vendosur dhe përpjekjeve të pareshtura kundër Patrikanës së Stambollit dhe autoriteteve osmane, ata hapën Shkollën Shqipe të Vashave, të cilën Sevastia e drejtoi që nga dita e themelimit. Aty dhanë mësim mësueset shqiptare Parashqevi Qiriazi, Fanka Efthimi, Polikseni Luarasi, Helidhona Falli, etj.  E mirëpritur dhe e dashur nga populli, shkolla u rrit shpejt dhe u shndërrua në një çerdhe të edukimit patriotik të vashave. Kur, në janar të vitit 1894, vdiq Gjerasimi, për të vazhduar punën e tij në shkollë erdhi nga Manastiri vëllai tjetër, Gjergji. Në vitin 1904, mbas mbarimit të Kolegjit të Kostandinopolit, erdhi edhe motra më e vogël, Parashqevia, gjë që i krijoi mundësinë Sevastisë të shkonte në Amerikë për të plotësuar studimet e saj për një vit. Mbasi vizitoi Bostonin, Sevastia shkoi në Chicago, ku ndoqi leksionet në Fakultetin e Pedagogjisë në University of Chicago.  Njëkohësisht, ajo mbajti konferenca për t’ua bërë të njohur Shqipërinë miqve amerikanë. Në vitin 1905, u kthye në Europë. Gjatë udhëtimit, ajo u ndalua në Londër, Paris, Vjenë dhe në Bukuresht, ku u njoh me veprimtarinë energjik të çështjes kombëtare, Kristo Dakon, që në atë kohë ishte sekretar i përgjithshëm i Shoqërisë Patriotike “Drita” dhe një nga udhëheqësit kryesorë të studentëve shqiptarë të Universitetit të Bukureshtit. Meqë ai ishte specializuar në matematikë, Sevastia iu lut të përgatiste tekste mësimore për aritmetikën, gjeometrinë dhe algjebrën për Shkollën e Vashave, gjë që ai e bëri me dëshirë të madhe. Ato qenë të parat tekste të këtyre disiplinave në gjuhën tonë.  Kjo veprimtari e përbashkët, që vazhdoi nëpërmjet korrespondencës mbasi Sevastia u kthye në Korçë, dhe hullia e qëndrimeve dhe idealeve të larta patriotike, i afruan me njëri-tjetrën, dhe, në vitin 1910, duke e ndjerë veten të denjë për njëri-tjetrën dhe për t’i shërbyer së bashku atdheut, u martuan. Patën dy djem: Aleksandrin dhe Gjergjin, që vazhduan me përkushtim e dinjitet jetën dhe bëmat e prindërve.  Mbas luftrave ballkanike, e kërcënuar herë mbas here për konfiskimin e librave, djegien e shkollës dhe internimin nga qeveria turke, dhe e ndjekur nga

veprimtaria kriminale e Patrikanës, Sevastia u tërhoq përkohësisht në Manastir.  Ajo e rihapi shkollën në dy vitet e para të Pavarësisë, 1912-1914; po për arsye të përndjekjevë të andartëve grekë, Qiriazët u larguan në Rumani dhe, me fillimin e Lufyës së Parë Botërore, erdhën në Amerikë, në Natick, Massachusetts. Të dy motrat filluan menjëherë nga puna për t’i mësuar shqiptarëve të rritur gjuhën amtare. Shkolla në Natick, e para shkollë në gjuhën tonë në Amerikë, qe hapur që në vitin 1908 nga Kristo Dako.  Ndërkaq, ndërsa Parashqevia boton revistën dyjavore “The Morning Star” (“Ylli i Mëngjesit”), çifti Dako – Qiriazi themelojnë Partinë Kombëtare Shqiptare, me qendër në Ëorcester, kryetare e së cilës qe Sevastia. Qëllimi i kësaj partie politike qe mbrojtja e të drejtave të Shqipërisë në forumet ndërkombëtare. Kësaj propagande, ndër të tjera, i shërbeu edhe “Memorandumi mbi të drejtat, shpresat dhe aspiratat e shqiptarëve”, që shkroi Sevastia dhe ua dërgoi Fuqive të Mëdha, më 12 tetor, në prag të Konferencës së Paqes të Parisit.Në vitin 1922, Sevastia u kthye në Tiranë dhe, së bashku me Parashqevinë, që kishte ardhur nga Parisi mbas përfundimit të Konferencës së Paqes, ku kishte qenë delegate e shqiptarëve të Amerikës, rihapën Shkollën e Vashave, tashmë si Instituti Kyrias, një institut me karakter hollësisht kombëtar dhe me vlera të pakrahasueshme mësimore-edukative, ku mësonin vajzat shqiptare pa dallime krahinash e besimesh.

Me vendimin e qeverisë shqiptare për mbylljen e shkollave private e fetare, në vitin 1933, mbas 42 vjetësh shërbimi, u mbyll edhe Instituti Kyrias. Me rënien e Shqipërisë në duart e komunistëve, si për gjithë popullin tonë dhe sidomos për familjet e nacionalistëve, filluan vitet e vështira të përndjekjeve, bastisjeve, dhunimeve, burgosjeve, torturarave, pushkatimeve, varjeve, etj. Nuk mund të përshkruhen peripecitë dhe dhimbjet fizike e shpirtërore, që kaloi Sevastia dhe familja e saj në vitet e fundit të jetës së saj. Ajo vdiq në vitin 1949, mbasi e patën nxjerrë nga shtëpia dhe pati përjetuar dhunimin e kufomës së të shoqit, patriotit të madh Kristo Dako, burgosjen e djemve të saj, Aleksandrit dhe kirurgut të njohur, Gjergjit, i cili, duke mos mundur të durojë torturat e hetuesisë, vari veten në qelinë e burgut.
Ajo vdiq, në vitin 1949, e ngushtuar në shpirt që nuk ia dhanë kufomën e tij ta varroste me duart e veta dhe zemërplasur, duke parë gremisjen e atdheut të saj të dashur, për të cilin pati punuar gjithë jetën.Arkivolin e saj, të vendosur mbi një karrocë, e përcollën vetëm njerëzit e familjes: dy nuset e djemve, mesa e vogël, Viktoria, dhe kuzhinierja e Institutit Kyrias. Për opurtunitet dhe hipokrizi politike të pushtetarëve, më vonë, asaj i dhanë titullin “Mësuese e Popullit”. Siç duket, “u përmendën” ata mjeranët e kuq në pushtet që ajo kishte qenë gjithë jetën dhe do të ishte përjetësisht mësuese e breznive shqiptare.  Ndërkohe shek. XX në kulturën perëndimore dhe në atë botërore në përgjithësi shënon një etapë të re në rolin e femrës në shoqëri, në ngritjen arsimore dhe edukative të saj gjithsesi në këtë kohë filluan të bëheshin gjithnjë e më shum publike kërkesat e grave për barazi gjinore dhe për respektimin e të drejtave të tyre, por duke lënë akoma shum për të dëshiruar. Që një femër të edukohet dhe të arsimohet është e domosdoshme që kjo e fundit të ketë një vetëdije dhe moral të lartë në mënyrë qe të dijë të kërkojë atë që është e drejtë e saj, dhe që ndoshta është e drejta më elementare pas te drejtës per jete, arsimi.  Niveli i vetëdijes së femrave vazhdon të rritet akoma edhe sot, kur shum femra janë pjesë e rëndesishme e shoqërise, kur shum femra janë aktive në vendim-marrje.  Në shumë shtete të botës, për shkak të besimeve kulturore dhe fetare, kërkesat e grave për barazi shihen si pa vend në kuadrin e të drejtave të njeriut. Vendi i gruas si “njeri i dorës së dytë” është ai që ushqen dhunën dhe diskriminimin.  Edhe në shtetet, në të cilat barazia mes burrit dhe gruas sigurohet në kushtetutë, zbatimi i saj sigurohet vetëm në mënyrë të pjesshme.  Gjatë shekullit XX, gjendja e grave është përmirësuar hap pas hapi, falë ndryshimeve të kushtetutave në shkallë kombëtare dhe deklaratave dhe dokumenteve ndërkombëtare. Në shumë vende janë hequr kufizimet formale dhe ligjore.  Këto masa sollën mundësi më të mira për arsimim, kujdes shëndetësor dhe për pjesëmarrjen politike të tyre. Megjithatë kjo nuk do të thotë se është siguruar mbrojtja e të drejtave të gruas, madje edhe në nivel global pavarësisht nga çdo kontekst kulturor.  Shkelja e të drejtave të grave është produkt i dhunës. E drejta më e rëndësishme e njeriut – e drejta për jetën dhe paprekshmërinë fizike – iu mohohet çdo ditë grave në mbarë botën.  Ato janë të ekspozuara ndaj dhunës në familje, në shoqëri, madje edhe ndaj dhunës shtetërore. Më shum se kushdo tjetër të ekspozuara ndaj dhunës fizike e psikologjike janë femrat e vendeve ne konflikt pra vendeve që janë në gjendje lufte dhe kjo ka qenëgjithmonë shum shqetësuese dhe vazhdon të jetë edhe sot.  Pozita e diskutuar e të drejtave të gruas pasqyrohet edhe në zhvillimin e marrëveshjeve dhe dokumenteve ndërkombëtare, nëpërmjet të cilave vendosen të drejtat e grave dhe hetohen shkeljet e të drejtave të gruas në mbarë botën nga Kombet e Bashkuara.Por në shumicën e vendeve perëndimore fakti se një femër duhet arsimuar është pranuar si një gjë thelbësore.  Ishin të parat femrat e arsimuara që ngriheshin kundër shtypjeve dhe diskriminimeve që i bëheshin femrave në mbarë globin, ishin pikërisht ato qe hidhnin hapat e parë për të krijuar më pas Deklaratat e të drejtve te grave dhe dokumente të tjera që dilnin në mbrojtje të pozitës së femrës në shoqëri në të cilat pikënisja e çdo lloj zhvillimi ishte arsimimi dhe edukimi bazë.

  • Portrete të grave të shquara botërore

Në mbrojtje të të drejtave të grave dhe sidomos në mbrojtje të edukimit dhe arsimimit të femrës janë ngritur shum aktiviste ndër të cilat do të përmendim: Klara Cetkin (1857-1933)-
Ajo lindi si Klara Aisner në fshatin e vogël Viderau (Saksoni). Vajza e mësuesit të fshatit dhe e një shtëpiakeje u përball herët me rrethanat e atëhershme të mjera të punëtorëve vendas.  Falë njohjeve të së ëmës, ajo mundi të siguronte ndër gratë e para gjermane një specializim për mësuese.  Ajo mësoi në seminarin e idhtares së të drejtave të grave Augusta Shmit në Lajpcig dhe përfundoi me rezultate të shkëlqyera. Në Lajpcig hyri në një rreth studentësh rusë, ku u njoh me bashkëshortin e saj të ardhshëm Osip Cetkin.  Në këtë rreth diskutoheshin idetë e reja socialiste, lexoheshin artijoj socialdemokratë dhe ndiqeshin kongrese. Klara u lidh me idetë Partisë Socialiste të Gjermanisë (SAP).  Viti 1878 ishte viti i ligjeve socialiste në Gjermani. Kancelari perandorak Bismark e ndaloi Partinë Socialiste nëpërmjet ligjit ” Kundër qëllimeve të rrezikshme për bashkësinë të demokracisë sociale”.“. Në të njëjtën kohë u ndaluan edhe të gjitha organizatat, shtypi dhe sindikatat e krijuara nga kjo parti.  Klara mori përsipër vende pune të ndryshme si guvernante (mësuese në shtëpi), ku binte në sy për shkak të qëndrimit të saj pa kompromise dhe pushohej. Osip Cetkin u arrestua gjatë një sulmi të policisë në një konferencë të fshehtë të socialistëve dhe u dëbua nga vendi.  Në vitin 1883, Klara u transferua tek i shoqi në Paris. Edhe pse mori mbiemrin e tij, ajo nuk u martua me të për të mos humbur nënshtetësinë gjermane. Në Paris lindën edhe dy fëmijët Maksimi dhe Kostja. Familja jetonte jetonte në një varfëri të skajshme dhe mbijetonte vetëm falë solidaritetit dhe sidomos falë miqve rusë, që merrnin pjesë së bashku me ta në lëvizjen socialiste. Gjatë qëndrimit të saj, Klara përvetësoi profesionin e gazetares dhe përkthyeses. Ajo u njoh me udhëheqësit e lëvizjes punëtore ndërkombëtare, zgjeroi horizontin dhe përvetësoi parimet e marksizmit. Kur Osip u sëmur rëndë, Klara përjetoi periudhën më të vështirë. Përveç kujdesit dhe rritjes së fëmijëve dhe mbajtjes së shtëpisë, ajo duhet të kujdesej edhe për burrin e paralizuar, që vdiq në vitin 1889.  Në Internacionalen II, ku ajo ishte edhe bashkorganizatore, Zetkin mbajti një fjalim mbi çështjen e grave, i cili kontribuoi në përfshirjen gjithnjë e më tepër të grave në lëvizjen socialiste. Libri i saj i botuar po këtë vit “Cështja e grave dhe punëtoreve të së tashmes” u bë baza e teorisë socialiste për emancipimin e gruas. Në këtë libër, ajo mbronte tezën se socializmi dhe feminizmi përputhen me njëri-tjetrin. Cetkini mbronte fuqishëm të drejtën e gruas për punë, madje edhe përballë shokëve të saj (kolegëve), të cilët ishin të mendimit se puna e grave duhej hequr, sepse ulte pagat e burrave. Teoritë e deritatëhershme të socialistëve në lidhje me çështjen e grave u zgjeruan me pikëpamjen se gratë duhet të cliroheshin nga Vormachtstellung der Männer.

“Ata, në flamujt e të cilëve propagandohet çlirimi i të gjithë atyre që quhen qenie njerëzore, nuk duhet ta dënojnë gjysmën e llojit njerëzor me varësi ekonomike, madje deri në skllavëri sociale dhe politike. Ashtu siç punëtorët shtypen nga kapitalisti, shtypet edhe gruaja nga burri.  Ajo do të mbetet e shtypur, për sa kohë nuk ka pavarësi ekonomike. Kushti i domosdoshëm për pavarësi ekonomike është puna. Nëse duam që gratë të jenë anëtare të lira të shoqërisë, të barabarta me burrat, nuk duhet kufizuar puna e gruas, përveç rasteve të veçanta, të cilat duhet të jenë përjashtime.” Në vitin 1890 u shfuqizuan ligjet e socialistëve. Cetkin u kthye në Gjermani. Këtu iu ofrua redaksia e gazetës socialdemokrate për gratë “Barazia”, të cilën e drejtoi për 25 vjet me radhë. Në të njëjtën kohë filloi edhe punën në redaksinë e shtojcës për gratë të “Leipziger Volkszeitung”.  Në këtë mënyrë, ajo u bë qendra shpirtërore dhe zëdhënëse e lëvizjes proletare të grave, e cila rritej dita-ditës. Ajo përpiqej për politizimin e punëtoreve në kuadrin e socializmit.  Klara Cetkin luftoi për pavarësinë ekonomike të punëtoreve dhe të gjitha grave. Me këtë lidhej e drejta për të njëjtën pagë kundrejt së njëjtës punë, për organizimin në sindikata dhe për kujdesin shtetëror për fëmijët. Më vonë se gratë borgjeze (qytetare), por megjithatë me vrull, ajo u angazhua për të drejtën e grave për të votuar dhe për përfshirjen e kësaj kërkese në programin e socialdemokratëve gjermanë. Dita ndërkombëtare e gruas që u festua për herë të parë në vitin 1911, zë fill pikërisht në nismën e saj. Në të njëjtën kohë, Cetkin u angazhua për përmirësimin e rolit të gruas në familje. Deri atëherë,  “jeta e gruas kishte qëndruar në kuadrin e nënshtrimit të saj në familje”. Ndërsa tani martesa duhej parë si bashkim i dy partnerëve të barabartë, të cilët e ndihmojnë njëri-tjetrin për t’u zhvilluar. Të dy bashkëshortët duhet të marrin përgjegjësi për edukimin e fëmijëve. “Ashtu si burri dhe gruaja janë bashkë si prodhues, ashtu duhet të jenë bashkë si edukatorë të fëmijës, sepse edukimi është një krijim i dytë i fëmijës dhe në marrëdhënien shumëplanëshe, krijimi më i rëndësishëm. […] Në këtë kuadër dua të tërheq vëmendjen për detyrën e prindërve, për t’i rritur pa paragjykime djemtë dhe vajzat e tyre, që paska punë që nuk janë të denja për burrin dhe që i shkojnë për shtat gruas. Djemtë dhe vajzat duhet t’i kryejnë me të njëjtin përkushtim dhe gëzim të gjitha punët që dalin në jetën në familje.” Cektin ishte për divorcin, “dashurinë e lirë” , abortin si vendim personal dhe doli kundër moralit të dyfishtë. Ajo vetë u martua në vitin 1900 me poetin 18 vjec më të vogël se ajo, Fridrich Cundel dhe jetoi me të dhe dy djemtë e tyre në Shtutgart.  Ndërsa udhëheqja e socialdemokratëve ishin pro luftës, Cetkin ishte kundër dhe luftoi qysh në fillim kundër kursit të saj reformues. Kur shpërndante trakte me kërkesat e konferencës së grave për përfundimin e luftës në Gjermani, ajo u arrestua dhe u akuzua për tradhti ndaj atdheut, por u lirua për shkak të protestave të fuqishme. Debati i brendshëm në lidhje me drejtimin politik të socialdemokratëve gjermanë, debat që ashpërsohej në çështjen e luftës, përfundoi me ndarjen në: grupin “e radikalëve të majtë” rreth Karl Libknehtit dhe Roza Luksemburgut, e cila në vitin 1917 themeloi “Partinë e Pavarur Socialdemokrate (USPD)”, më vonë KPD-në, Partinë Komuniste të Gjermanisë. Këtij grupi i përkiste edhe Klara Cetkin që ishte shoqe e ngushtë me Roza Luksemburgun. Për këtë arsye, iu hoq redaksia e “Barazisë”. Në Partinë Komuniste, ajo ishte anëtare e Komitetit Qendror nga 1919-a deri në 1924-ën, ku ajo përfaqësonte edhe krahun e matur të partisë.  Në të njëjtën kohë, ajo filloi të krijonte një lëvizje grash brenda Partisë Komuniste. Sërish rinisi të redaktonte gazeta grash të afërta me partinë (p.sh. gazetën “Komunistja”).  Në vitin 1921, në Konferencën Ndërkombëtare të Gruas, ajo u caktua drejtuese e Sekretariatit Ndërkombëtar të Grave të Evropës Perëndimore.  Në vitet 1920-1933 ishte deputete e KPD-së në Rajstagun Gjerman, saß sie als Abgeordnete für die KPD im Deutschen Reichstag, dessen Alterspräsidentin sie ëar. Në këtë funksion, ajo njohu qysh në vitin 1932 rrezikun e nazizmit në një fjalim që u bë i famshëm dhe kërkoi bashkimin e të gjitha forcave demokratike: “Thirrja e kohës është fronti i bashkuar i të gjithë punonjësve, për ta kthyer mbrapsht fashizmin, për t’i ndihmuar të skllavëruarit dhe të shfrytëzuarit të ruajnë drejtimin e organizatave të tyre, madje edhe jetën fizike. Përballë kësaj domosdoshmërie historike duhe të mbeten në plan të dytë të gjitha idetë bashkuese dhe ndarëse, politike, sindikaliste, fetare dhe ideologjike. Të gjithë të kërcënuarit, të vuajturit, të gjithë ata që dëshirojnë çlirimin, janë pjesë e frontit të bashkuar kundër fashizmit dhe bashkëpunëtorëve të tij në qeveri!”
Edukimi i fëmijëve duhet të qëndrojë larg stereotipeve të sekseve (gjinive). Cetkin gjith jetën e saj ia kushtoi luftës për barazi gjinore dhe mbrojtjes së femrës.Edhe në moshë të thyer dhe e sëmurë, ajo qëndroi e angazhuar politikisht derisa vdiq në vitin 1933 në Arkangelskoje. Ajo u varros në murin e Kremlinit.  Mirëpo edhe pas vdekjes së Cetkin shum aktiviste të tjera vazhduan rrugën e saj në mbrojtje të arsimimit dhe edukimit të femrës në radhë të pare si dhe në mbështetje të gruas për të qenë aktive në jetën shoqërore, gjithsesi ne kemi dhënë një shembull të vetëm Klara Cetkin me mendimin që kjo e fundit është një përfaqësuese e denjë e grave në mbarë botën dhe symbol I luftës kundër diskriminimit të gruas . Viti ndërkombëtar i gruas 1975, dekada pasuese e gruas nga viti 1976 deri në vitin 1985 nën moton “Barazi, Zhvillim dhe Paqe” ishin një pikë kthese. Nisën aktivitete të fuqishme për gratë brenda Kombeve të Bashkuara.  Një ndër fushat që iu dha shum rëndësi ishte sigurimi i arsimit bazë për të gjitha femrat, megjithse në shumicën e rasteve femrat e arsimuara vinin nga qytetet apo kryeqytetet dhe shum pak nga vendet rurale.

Por në vendet e zhvilluara ky fenomen thuajse është shkrirë por duke përjashtuar këtu vendet në konflikt apo vendet më pak të zhvilluara në të cilat fenomeni i mosarsimimit të femrave kryesisht me origjinë rurale qëndron ende kokëfortë.Fatkeqësisht vendi ynë nuk ka njohur akoma një zhvillim të kënaqshëm dhe siç e dimë jemi një vend në tranzicion dhe perpara kemi shum sfida gjithsesi një ndër problemet kyq që duhet luftuar me shum forcë është zhdukja e analfabetizmit e kryesisht tek femrat. Kemi të bëjmë akoma me fshatra dhe regjione të caktuara ku femra diskriminohet në shum forma duke iu mohuar edhe e drejta e shkollimit apo duke u shkolluar vetem në arsimin bazë.
Përkundrejt faktit se sot femra shqiptare më fort se asnjëherë tjeter merr pjesë në vendim-marrje dhe tregon me shum aftësi rolin e saj të rëndësishëm në shoqëri, dhe se statistikat tregojne se vit pas viti numri i femrave dhe grave që janë pjesë aktive e shoqërisë rritet, kemi akoma shum për të bërë dhe baza e krijimit të inteligjences kombëtare si tek edukimi i femrës ashtu edhe tek ndërgjegjësimi i meshkujve është padyshim arsimimi.
Duke përmbyllur një temë për të cilën mund të flitet pafund, sikurse kjo që trajtuam ne, le të themi se me ngritjen arsimore të femrës jo vetëm edukojmë brezat e rinjë por ndërgjegjësojmë edhe gjininë e kundërt duke e bindur me shum argumente të gjithë shoqërine se edukimi dhe arsimimi i femrës është një zhvillim dhe përparim i përgjithshem.

Argjira Ukimeri. (Pedagoge)

Janar, 2019 Prizren

Filed Under: Politike Tagged With: Argjira Ukimeri, në shoqeri, Roli i femrës

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • …
  • 38
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT