• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2019

KOSOVA E PAVARUR, KOMPROMIS I SHQIPTARËVE

March 17, 2019 by dgreca

-Kryeministri Ramush Haradinaj: Kosova e 17 shkurtit është një kompromis, një minimum i të drejtës së shqiptarëve dhe kushdo që e prekë këtë kompromis të së drejtës së shqiptarëve, atëherë e hapë pyetjen tjetër për të drejtën e shqiptarëve në Ballkan/

-Nuk ka ngjarje të historisë sonë kombëtare ku nuk e gjen luftëtarin e dijetarin e Kabashit dhe kontributin e Kabashit. Vend që i bashkon shqiptarët/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

 KORISHË, 17 Mars 2019/  Kosova e 17 shkurtit 2008 të shpalljes së pavarësisë është një kompromis, një minimum i të drejtës së shqiptarëve, tha sot  në Korishë të Prizrenit kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në tubimin përkujtimor me rastin e 20 vjetorit të rënies së dëshmorëve Halim Ahmetaj, Rexhep Kukaj dhe Murat Kabashi dhe ditës së Betejës së Kabashit.  


“Sot janë të bashkuar të gjithë, bashkë si shqiptarë, si bashkëkombës, sepse në këto ngjarje vetëm kështu ia vlen. Edhe vendi ku jemi, Kabashi, është vend që i bashkon shqiptarët. Nuk ka ngjarje të historisë sonë kombëtare ku nuk e gjen luftëtarin e Kabashit, dijetarin e Kabashit, kontributin e Kabashit. Më vjen mirë që kjo histori shqiptare vazhdoi edhe me luftën e fundit dhe më vjen mirë që Batalioni i Kabashit, i cili bashkoi rreth vetës nëpër periudha të luftës rreth 350 luftëtarë e vazhdoi këtë traditë”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se edhe sot fëmijët që nxënë dije dhe mësimdhënësit që japin dije në shkollën “Dëshmorët e Kabashit” po ashtu e vazhdojnë këtë traditë të çmuar të shqiptarëve.


Më tej kryeministri Haradinaj, tha se ne në Kosovë jemi në të drejtën tonë, kemi pranuar në tokën dhe në shtëpinë tonë popujt që kanë ardhur nga larg, dhe iu kanë lëshuar tokë e hapësirë dhe këtë e di dhe e thotë edhe historia. 
“Por, tani jemi në kohën kur ne duhet të kujdesemi për shtëpinë, tokën tonë, për atdheun tonë, sepse nëse ka popull në Ballkan që ka dhënë për të tjerët jemi ne. Dihet historikisht që ndër shekuj shqiptarët kanë dhënë nga territoret e veta, nga e drejta e vet, nga ajo që ua ka lënë zoti në Ballkan, për popujt tjerë. Ka ardhur koha dhe jemi në kohën kur duhet të kujdesemi për tokën tonë, për atë që ka mbetur e jona dhe atë që është e shqiptarëve. Kur e them atë që është e shqiptarëve, kurrë nuk harrojë të them se kushdo që jeton me ne, komunitetet etnike, janë në shtëpinë e vet dhe ne dimë t’i nderojmë, por nuk ka më kthim prapa dhe nuk ka më vazhdim të praktikave me marrë prej shqiptarëve. Brezi i UÇK-së e ka ndryshuar këtë, rrjedhat e historisë kanë ndryshuar dhe prej shqiptarëve më askush nuk mund të marrë”, tha kryeministri Haradinaj.

“Kosova e 17 shkurtit është një kompromis, një minimum i të drejtës së shqiptarëve dhe kushdo që e prekë këtë kompromis të së drejtës së shqiptarëve, atëherë e hapë pyetjen tjetër për të drejtën e shqiptarëve në Ballkan”, vijoi ai.
Kryeministri Haradinaj tha se kanë rënë dakord për të realizuar të drejtën tonë, Kosovën e 17 shkurtit, të bindur se kështu po dëshmojmë edhe njëherë se jemi për paqe dhe stabilitet në Ballkan, duke u bërë thirrje të gjithëve që të ndihmojnë në arritjen e paqes në Ballkan, por jo duke kërkuar prej shqiptarëve për paqe në Ballkan.
“Ne jemi ata që kemi dhënë në vazhdimësi dhe nuk mund të japim më për paqe, veç asaj që është e vërteta jonë”, tha kryeministri Haradinaj.

Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Haradinaj tha se duhet ta kuptojmë se përveç asaj që ndodh mes nesh, brenda popullit tonë, pra pluralizmit, demokracisë, garave të brendshme, nuk duhet të harrojmë se jemi të rrethuar nga kundërshtarët dhe duhet të dimë se gjatë garës që kemi brenda nesh mos të harrojmë se jemi në garë edhe me kundërshtarët jashtë nesh. 
“Një pjesë e atyre që kanë bartë mbi supe rrugën e mundimshme të lirisë nuk e harrojnë këtë dhe nuk do ta harrojnë kurrë se përpos garës brenda nesh jemi në garë edhe me të tjerë, jemi në garë me fqinjët grabitqarë që kanë dëshmuar në histori”, tha kryeministri Haradinaj.  
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj në shenjë respekti i ka ndarë Medaljen “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” Batalionit Kabashi, të cilën e pranoi komandanti Lulzim Kabashi. 

Në emër të kryesisë së fshatit, Rexhë Ukaj, tha se kjo ditë e karakterizon luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në mbrojtje të pragut  të shtëpisë, mbrojtjen dhe nderin e krenarisë së Kabashit, që e pati traditë dhe e kultivoj me shekuj. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Bhlul Jashari

KËPUCËT DHE GAZETA L’UNITA

March 17, 2019 by dgreca

Nga Agim Xh. Deshnica

Vjeshtë e tretë. Në Grykën e Tujanit, e ngarkuar me re, shkrepnin vetëtimat e gjëmonte. Era shfrynte, këpuste gjethet e verdha, i hidhte përtokë, pastaj i ngrinte lart, i shtillte rreth e qark esë fundi i shtynte tej me vrull.  Pas rrufeve nisi shiu i  hollë, befas  shpërtheu rrebeshi mbi pullaze e drurë, rrugëve, trotuareve e mureve,  me pankartat e ushtarit  të sertë, me pushkë, bajonetë, me një sy e një vesh, me parullën: „Vigjilencë!“ Fortafolësit si gryka ullukësh gri,  të kapur në shtylla  e nën strehët e ndërtesave zyrtare, kullonin ujë çurk dhe dridheshin si në ethe nga zërat e recituesve  të Radio Tiranës, që shqyhenin  me poema, deri në mbrëmje vonë maskën e revizionizmit modern,, ndërsa borgjezisë i kanoseshim me britmën sus! Zërat e disa fortafolësve në qendër jehonin, në sheshe  e bulevarde. Nga përplasja e tyre në disa zona nuk merrej vesh se ç‘thuhej. Qytetarët në kafe, nën strehë dyqanesh, apo  të lagur kokë e këmbë në ecje e sipër dhe shumë të tjerë në shtëpi, dëgjonin të habitur, se duhej të punonin me nerva të tendosur! Nerva? Punë me nerva? Të punonin si të xhindosur? Të qetë ndiheshin vetëm shurdhët dhe ata, që  s’kishin radio në shtëpi. Ndërkaq në sheshin Skënderbej, nga kapela ushtarake, supet  e krahët e shtatores  në bronx të Stalinit, binin rrëke ujrash të turbulluar. 

Agroni tek rrinte në dritare  e vështronte jashtë  pyeste veten, se a mund të shkohej nëpër ato rrugë si lumenj, për të blerë një palë këpucë të reja? Ato që mbante në këmbë, pa u vjetëruar mirë, fusnin ujë sa, kur binte shi pandehte se ecte zbathur, pa le në pellgjet gracka! As ngjitjet, as qepjet, as gozhdët nuk bënin derman. Ndaj, kur rrebeshi pushoi, u nis për te dyqani më i madh i kryeqytetit, me emrin Magazina Popullore, shkurt MAPO, në rrugën e Dibrës, ku shiteshin këpucë të Fabrikës së Këpucëve. 

MAPO, për nga madhësia, ia kalonte dyqanit tjetër shtetëror, të cilin, sipas forcës së zakonit, sidomos  gratë, vijonin ta quanin “Xingoni” si në vitet, kur  pronarët italianë botonin në gazeta e revista reklamën: “Zzingone veste tutta la Roma!”. Nëse, ndokush atje blinte kostum e pallto e një palë këpucë, i dhuronin një kravatë, një çadër apo bastun. Pastaj me pakon e lidhur me fjongo e përcillnin gjer në prag të portës me “tante grazie e arivederla!” Në MAPO  pamja qe ndryshe. Në disa ditë të çdo jave, ajo mbetej me kopsa, kordele e basme kombinati me  lajle  e lule që  s’i prekte kush me dorë .  E kështu shitëset e kalonin kohën  e lirë me histori familjesh  me thirrje nga banaku në banak. Por kur papritur dilnin mallra importi, pa asnjë reklamë. lajmi merrte dhenë. Aty për aty dyqani i madh mbushej përplotë me burra e gra. E ç’të shihje pastaj? Ca majtas e ca djathtas suleshin drejt banakëve, duke u shtyrë me duar, bryle e supe. Një ditë për pardesy, që ua kishin ngjitur emrin “fësh-fëshe”, të holla,  saqë, kur frynte veriu ua hiqte nga supet. ’’Fësh-fëshet” ”  shiteshin    herë të blerta, herë të kaltra.  Dhe pastaj  shetitoret  u ngjanin herë livadheve,  herë  lumenjve. Në Mapo dilnin edhe këpucë çeke grash, ose radio hungareze “Orion”, që kapnin vetëm Tiranën, për habi dhe…Budapestin! Gojët e liga pëshpërisnin, se ua kishin rregulluar frekuencat vetëm për këto dy radio-stacione. Por, disa teknikë të shkathët kundrejt një pagese, thuajse falas, shtonin llampen F-2. Dhe në radion e vogël ngjyrë gështenjë, në trajtë kubi, dëgjoheshin qartë lajmet nga  radiot  e huaja në disa gjuhë, si: “Burasi Ankara!”- “Vi parla Roma!”-“Ju flet Zëri i Amerikës!”-“Bum, bum! Ju flet Londra!…” 

MAPO qe edhe një vend i këndshëm edhe për takime e biseda në këmbë, si te Qafa e Pazarit në Gjirokastër. Shërbente për bukuri, edhe si strehë  e ngrohtë për t’u mbrojtur nga moti me shi, vetëtimat, breshëri e thëllimi. Nëpër sallë endeshin, edhe kureshtarë, pa një dysh në xhep. Të gjitha këto u hapnin punë punonjësve të dyqanit të madh, pasi mbyllnin portat për pastrimin e dyshemesë nga letrat, paketat e bishtat e cigareve, llumi i baltës e për largimin e ujrave. 

Agroni hyri e shkoi në banakun e këpucëve. Teksa pyeste shitësen për numrat, mbante në duar pas shpine, një gazetë, për ambalazh, sepse këpucët shiteshin pa të. Ndjeu se dikush e preku lehtë në sup.  U kthye të shihte ndonjë mik a shok, por  u befasua, kur  përpërballë pa  vetullziun e  njohur  të trotuareve të rrugës së Durrësit  e të Dibrës.

 Pa e përshëndetur  ai e pyeti:

-Nga e ke gjetur  ti këtë gazetë?

 Djaloshi i hodhi një sy gazetës. U trondit e u habit, kur lexoi titullin, “L‘Unita- La Gazzeta di Partito Comunista Italiano”. Ç’t’i thoshte i zënë ngushtë, kur i ra ndër mend se ishim prishur keqas me partitë komuniste të drejtuara nga Hrushovi apo Moska. Mblodhi buzët e ngriti supet i shqetësuar.

-As vetë  s’e di! E kam marrë për të mbështjellë ndonjë send….Do ta ketë gjetur nëna, mbase në ndonjë autobus. -U shqetësua dhe më, kur përmendi nënën, që punonte në PTT. 

Vetullziu për një imtë e pa në sy  e tha:

-Kot  të pyeta- dhe u largua.

Por, Agroni e vuri re tek u mbështet në një banak, pak më tej, me njerin sy drejt tij. Si mumd t‘i fshihej  atij  vëzhgim dinak? E kapi edhe një si e qeshur e hidhur, kur mendoi se po i kanosej një rrezik i papritur, meqë ata lart na qenkan grindur me partitë, dikur motra. Po ai ç’hynte në këtë mes? Kush qe fajtor? Tani nga blerës  e ndiente veten si një i arratisur i çuditshëm, që kërkon shtegun për të dalë, jo matanè kufirit, por …jashtë mureve të dyqanit shtetëror. Ah! Sa zili u kishte atyre që hynin e dilnin nga u vinte më për mbarë. Këpucët i harroi. Gazetën e flamosur e bëri shuk dhe e rrasi në xhep. Ecte e ndalonte para banakëve e pyeste kot më kot shitëset për fustanet, basmet,  çorapet e grave, kopsat dhe kordelet. Shihte vetrinat e MAPO-s me dy porta, ku për një pardesy apo këpucë çeke, nga burrat e gratë thyeshin xhama e pasqyra. Veçse ato pasqyra të bekuara tani po e ndihmonin të pikaste ndjekësin që s‘i ndahej. Tek sillej i mërzitur veshi i kapi, edhe një këngë dashurie burrash e kënduar nga një artiste: “Te desha, të desha, si i marrë…“ Në pasqyra, herë këtu, herë atje, vinte re, se vetullziu i ishte qepuar e s’i ndahej, si zagar i heshtur. Por atij i bëhej se ai lehte egër: “të kapa, të kapa agjent i poshtër, s’ke nga ia mban!“ Pra, ai po përpiqej të zbulonte folezën e tij,  portën e numrin  e shtëpinë! Ç’drejtim do të merrte „agjenti?“ Ndërkohë djaloshi e hetonte ndjeksin nga ç’krah lëvizte përmes blerësve. Për një hop  Agroni u shtir sikur po shkonte drejt portës së majtë. Në atëçast pa, se „vetullziu“ mori djathtas, mesa kuptohej, për ta pritur jashtë e të shihte se nga do t’ia mbante, tatëpjetë rrugës së Dibrësit për në Bulevard, a përpjetë për nga Spitali?  Atëherë Agroni mori  djathtas dhe e ndoqi zagarin gjer afër portës. Atje ndaloi e pa me kujdes. Kaleci në mëdyshje, priste në trotuar. Meqë s‘po e shihte „agjentin“ ndërmjet njerëzve, që hynin e dilnin, mendoi se i shpëtoi nga duart. Pasi hodhi syte poshtë e lartë, nxitoi tatëpjetë. Djaloshi lëvizi ngadalë e doli jashtë dyqanit.Vuri re se vetullziu kishte humbur  në turmën mizë lisi  në Bulevard, Gjithsesi po e brente dyshimi nga çdo e papritur. U hodh me ndrojtje në trotuarin  përballë MAPO-s, kaloi para dyqanit Flora e u fut tutje labirintit me dyqane të zdrukthëtarëve,  kovaçëve e saldatorëve. U soll rrotull kolonave të kinemasë, dikur “Rex”, më pas “Nacional”, së fundi “17 Nëntori”. Ndaloi në sportelin e biletave e hodhi sytë poshtë e lartë. Për dreq një zë i njohur i thirri në emër. Bëri sikur nuk dëgjoi gjë. Shpejtoi hapat dhe doli te Fusha e Druve, prapa Maternitetit. U kthye nga e majta, preu Bulevardin e hyri  në rrugën Fortuzi me vila doktorësh e profesorësh e me shelgje në dy krahët. Atje eci më qetë  dhe ndaloi te çezma e hekurt, ku nga e djathta zgjatej rruga e Burgut të Vjetër. Matanë rrugës së Durrësit dukej në muzg Ambasada Sovjetike, që përgjohej ditë e natë nga shërbimi sekret. Uli kokën, sikur do të pinte ujë në çesmë. ndërkohë hodhi vështrimin drejt rrugës, që la pas. Ishte e shkretë…

Në shtëpi përballë çezmës e buzë rrugës së Burgut të Vjetër, i fshehur prapa perdeve vështroi më kot. Qeshi me vetullziun e zemëruar diku në Bulevard… Por befas  nga fqinji burg, dëgjoi  dy herë britmën e rreptë të  rojës: „Ndal!“ Në krahun tjetër të shtëpisë, në hije civilët e sigurimit me shpatulla në mur, vëzhgonin ambasadën.

 Iu kujtuan filmat me spiunazh, ndjekës, të ndjekur, pranga, hetues, tortura, pushkatime e burg. Pra, i kishte të gjithë aty tok! Veçse tani për disa muaj duhej të bënte kujdes: të nisej e të kthej nga puna  vetëm në muzg, ndërsa tek miqtë e vet të shkonte  e të vinte më rrallë  në mot me shi dhe erë, kur fortafolësit  njoftonin me zhurmë e bujë, se ishim çliruar nga sundimi i pushtuesve të huaj….

Shfreu i lehtësuar, por edhe me një farë dridhme, se për pak do të binte në duart e sigurimit komunist për shkak të një gazete komuniste…

Filed Under: LETERSI Tagged With: Agim Xh Deshnica

ASLLAN BUSHATI FESTOI 70 VJETORIN E LINDJES

March 17, 2019 by dgreca

Të Shtunën me 16 Mars në mjediset e restorantit MAESTRO në Bronks, ish nënkryetari i Vatrës Asllan Bushati festoi në prani të familjes, miqëve dhe një grupi vatranësh 70 vjetorin e lindjes.

Z. Bushati i parapriu festës me një urim të hershëm në mëngjesin e së shtunës në fb, ku shkroi me sens humori:

PLOT 70-të SOT
Familjarë, vllezër e motra, nipa e mbesa, vatranë, miq, shokë e dashamirë, ju njoftoj se sot(në orën 5:30 të mëngjezit sipas orës së Shqipërisë), përfundova me sukses rrotullimin e 70-të rreth diellit. Ndjehem mirë . Shëndeti dhe mendja nuk më kanë lënë akoma. Por që të mos lodheni me njoftimet e mija vjetore , ju bëj me dije që sot se i pranoj urimet tuaja progresivisht për 71-njishin deri tek 100-ta. Pas ditlindjes së 100 nuk pranoj më urime. Në të njejtën kohë, lutem pranoni edhe ju, në kohë dhe paradhënie edhe urimet e mija për ju, e familjarët tuaj: “qofshi mirë me shëndet dhe rrofshi gjatë”.
ASLLAN BUSHATI…

Gjatë drekës festive që z. Bushati dhe familja shtroi për miqtë dhe vatranët, të pranishmit i shprehën urimet më të mira, duke i uruar dhe shumë vite të tjera aktive.

Kryetari i Vatrës Dritan Mishto, në urimin e  tij shprehu kënaqësinë që ishte i pranishëm në këtë gëzim të familjes dhe miqëve ët Bushatit dhe evidentoi cilësitë më të mira të Bushatit, i cili gjithçka në jetë, siç tha ai, e ka fituar me zotësitë e veta, me vullnetin e vet dhe se në shkollë ka qenë një student i shkëlqyer dhe në jetë një ushtarak i zoti.

Më pas e uruan edhe miku i tij Zef Balaj, dr. Pashko Camaj, Lek Përlleshi, Prof.dr. Muharrem Dezhgiu, Dalip Greca dhe të tjerë.

Në fund të festës katër orëshe, Bushati ftoi mbesën e tij Erën dhe nënkryetarin e Vatrës Agim Rexhaj për të ndarë tortën e Ditëlindjes.(Dielli)

Filed Under: Featured Tagged With: asllan Bushati

Parisi i munguar në Tiranën e shallvareve

March 17, 2019 by dgreca

Nga Ilir Levonja

Pritshmëria për rrëzimin e Ramës sot ishte e madhe, por Rama po qësëndiset me të gjithë. Madje ri aplikoi kamerat me dron nga qielli, si e si ta zbehte protestën. Madje duke përdorur edhe webe oportunë ose as mish e as peshk.

Gjuajti me ligësi momentet a oraret. Dhe duke patur parasysh se gjatë gjithë këtyre ditëve u fol shumë për dhunë, skenarë rusë mbi destabilizimin e vendit etj., imazhin e Shqipërisë para sezonit turistik dhe çeljes së negociatave në qershor etj., me dashin amerikan dhe të tjera ambasada, duhet thënë se ia arriti qëllimit. Qe një protestë e vrullshme por që zgjati jo aq sa ajo e para. U dirigjua me kujdes farmaceutik që të shmangeshin provokimet, trazirat a të tjera, duke rënë plotësisht në pritshmërinë qeveritare. Apo policisë së sistemuar dhe kërcënuese dy herë më e fortë se në protestën e parë. Urrejtja e atyre në shesh ishte më e fortë se e liderve, megjithatë nuk triumfojë. Kushdo që mendon se ka një balancim mes lidershipit dhe protestuesve gabon, deri sa Rama ia hodhi edhe kësaj radhe. Se në raport me komunitetin europian, qytetarin e saj, Parisi i sotshëm përshembull u mbush tym e zjarr, nga jelekët e verdhë kurse Tirana nga policia e shtetit të Edi Ramës. Megjithatë tani studiot po përgatisin të nxjerrin të njëjtit surretër, të njëjtët fadroma plot xhel, të njëjtit shenjtorë të informalizmit dhe do flasin si zakonisht se a kish dhunë apo jo? Se, fitoi apo humbi Rama? Se e dënoi apo jo ambasada e iks shteti protestën, djegien e mandateve etj. Një kakoni Shqipërie të cilën kërkush tjetër pas Enver Hoxhës, si ky Edi Rama nuk e ka kthyer të gjithën në një front social demokratik. Tjetër ishte urrejtja e tyre në shesh, urrejtje faturash ilaçesh, urrejtje papunësie, urrejtje budallepsje, urrejtje sehirxhinjsh.

Megjithatë askush nuk e percepton dot Parisin, askush nuk krahasohet, askush nuk gjykon si atje, por i referohen ambasadës së pariszienëve, deklarateve të dhunshme pa bërë dhunë. I stepen aludimeve mbi skenarët rusë, i nënshtrohen unit provincial se sa ka bërë unë për ty, apo ti të ma punosh mua kështu e ashtu. Drejt një evaziviteti që i ngjan një dënimi që kurrë nuk ka për t’u zbatuar. Dhe ky jo nga Edi Rama dhe rilindja, por nga mos dakortësia e lidershipit me turmën.

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Levonja

URDHERI I FASHISTEVE PER TE DEBUAR HEBREJTE NGA SHQIPERIA

March 17, 2019 by dgreca

Kur Italia fashiste detyroi refugjatët hebrenj, të pranuar nga mbreti Zog, të largoheshin nga Shqipëria

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 17 Mars 2019

Gazeta “Paix et Droit”, organ i Aleancës Universale Izraelite, ka botuar, në qershor të 1939, në faqen n°12, një shkrim mbi fatin e refugjatëve hebrenj në Shqipëri, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Të gjithë refugjatët hebrenj do të duhet të largohen nga Shqipëria

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

“Autoritetet italiane kanë urdhëruar refugjatët hebrenj që banojnë në Shqipëri që të largohen nga vendi deri më 7 qershor.

Në Shqipëri, mes njëqind dhe dyqind refugjatë u pranuan në këtë vend nga Mbreti Zog I. Deri tani, ata gëzonin lirinë më të plotë dhe kishin marrëdhëniet më të mira me popullsinë shqiptare.”

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 25
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT