-Kryeministri Ramush Haradinaj: Kosova e 17 shkurtit është një kompromis, një minimum i të drejtës së shqiptarëve dhe kushdo që e prekë këtë kompromis të së drejtës së shqiptarëve, atëherë e hapë pyetjen tjetër për të drejtën e shqiptarëve në Ballkan/
-Nuk ka ngjarje të historisë sonë kombëtare ku nuk e gjen luftëtarin e dijetarin e Kabashit dhe kontributin e Kabashit. Vend që i bashkon shqiptarët/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
KORISHË, 17 Mars 2019/ Kosova e 17 shkurtit 2008 të shpalljes së pavarësisë është një kompromis, një minimum i të drejtës së shqiptarëve, tha sot në Korishë të Prizrenit kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në tubimin përkujtimor me rastin e 20 vjetorit të rënies së dëshmorëve Halim Ahmetaj, Rexhep Kukaj dhe Murat Kabashi dhe ditës së Betejës së Kabashit.
“Sot janë të bashkuar të gjithë, bashkë si shqiptarë, si bashkëkombës, sepse në këto ngjarje vetëm kështu ia vlen. Edhe vendi ku jemi, Kabashi, është vend që i bashkon shqiptarët. Nuk ka ngjarje të historisë sonë kombëtare ku nuk e gjen luftëtarin e Kabashit, dijetarin e Kabashit, kontributin e Kabashit. Më vjen mirë që kjo histori shqiptare vazhdoi edhe me luftën e fundit dhe më vjen mirë që Batalioni i Kabashit, i cili bashkoi rreth vetës nëpër periudha të luftës rreth 350 luftëtarë e vazhdoi këtë traditë”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se edhe sot fëmijët që nxënë dije dhe mësimdhënësit që japin dije në shkollën “Dëshmorët e Kabashit” po ashtu e vazhdojnë këtë traditë të çmuar të shqiptarëve.
Më tej kryeministri Haradinaj, tha se ne në Kosovë jemi në të drejtën tonë, kemi pranuar në tokën dhe në shtëpinë tonë popujt që kanë ardhur nga larg, dhe iu kanë lëshuar tokë e hapësirë dhe këtë e di dhe e thotë edhe historia.
“Por, tani jemi në kohën kur ne duhet të kujdesemi për shtëpinë, tokën tonë, për atdheun tonë, sepse nëse ka popull në Ballkan që ka dhënë për të tjerët jemi ne. Dihet historikisht që ndër shekuj shqiptarët kanë dhënë nga territoret e veta, nga e drejta e vet, nga ajo që ua ka lënë zoti në Ballkan, për popujt tjerë. Ka ardhur koha dhe jemi në kohën kur duhet të kujdesemi për tokën tonë, për atë që ka mbetur e jona dhe atë që është e shqiptarëve. Kur e them atë që është e shqiptarëve, kurrë nuk harrojë të them se kushdo që jeton me ne, komunitetet etnike, janë në shtëpinë e vet dhe ne dimë t’i nderojmë, por nuk ka më kthim prapa dhe nuk ka më vazhdim të praktikave me marrë prej shqiptarëve. Brezi i UÇK-së e ka ndryshuar këtë, rrjedhat e historisë kanë ndryshuar dhe prej shqiptarëve më askush nuk mund të marrë”, tha kryeministri Haradinaj.
“Kosova e 17 shkurtit është një kompromis, një minimum i të drejtës së shqiptarëve dhe kushdo që e prekë këtë kompromis të së drejtës së shqiptarëve, atëherë e hapë pyetjen tjetër për të drejtën e shqiptarëve në Ballkan”, vijoi ai.
Kryeministri Haradinaj tha se kanë rënë dakord për të realizuar të drejtën tonë, Kosovën e 17 shkurtit, të bindur se kështu po dëshmojmë edhe njëherë se jemi për paqe dhe stabilitet në Ballkan, duke u bërë thirrje të gjithëve që të ndihmojnë në arritjen e paqes në Ballkan, por jo duke kërkuar prej shqiptarëve për paqe në Ballkan.
“Ne jemi ata që kemi dhënë në vazhdimësi dhe nuk mund të japim më për paqe, veç asaj që është e vërteta jonë”, tha kryeministri Haradinaj.
Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Haradinaj tha se duhet ta kuptojmë se përveç asaj që ndodh mes nesh, brenda popullit tonë, pra pluralizmit, demokracisë, garave të brendshme, nuk duhet të harrojmë se jemi të rrethuar nga kundërshtarët dhe duhet të dimë se gjatë garës që kemi brenda nesh mos të harrojmë se jemi në garë edhe me kundërshtarët jashtë nesh.
“Një pjesë e atyre që kanë bartë mbi supe rrugën e mundimshme të lirisë nuk e harrojnë këtë dhe nuk do ta harrojnë kurrë se përpos garës brenda nesh jemi në garë edhe me të tjerë, jemi në garë me fqinjët grabitqarë që kanë dëshmuar në histori”, tha kryeministri Haradinaj.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj në shenjë respekti i ka ndarë Medaljen “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” Batalionit Kabashi, të cilën e pranoi komandanti Lulzim Kabashi.
Në emër të kryesisë së fshatit, Rexhë Ukaj, tha se kjo ditë e karakterizon luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në mbrojtje të pragut të shtëpisë, mbrojtjen dhe nderin e krenarisë së Kabashit, që e pati traditë dhe e kultivoj me shekuj.