• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2019

SHBA në përkrahje të plotë të pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës

March 9, 2019 by dgreca

Nënsekretarin për Çështje Politike në Departamentin Amerikan të Shtetit, David Hale: SHBA-ja nuk ndryshon pozicionin kur bëhet fjalë për shtetësinë e Kosovës – është në përkrahje të plotë të pavarësisë dhe sovranitetit/

-Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi: Shprehëm edhe një herë falënderimin tonë për letrat e Presidentit Trump dhe mbështetjen për një marrëveshje që balancon interesat e të dyja vendeve, si të pavarura dhe sovrane/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË,  9 Mars 2019/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, bën të ditur se, sot, së bashku me kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe kryeministrin Ramush Haradinaj, zhvilluam një takim me Nënsekretarin për Çështje Politike në Departamentin Amerikan të Shtetit, David Hale.

Pas takimit Presidenti Thaçi është shprehur:

Temë e diskutimit ishte aktualiteti politik në Kosovë, e ardhmja euroatlantike e vendit dhe bashkëpunimi bilateral me SHBA-në. Biseduam edhe për zhvillimet aktuale në Ballkanin Perëndimor, me theks të veçantë për vazhdimin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë në këtë momentum të ri, si mundësi për një marrëveshje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse, që do t’i mbyllë të gjitha çështjet e hapura në mes të vendeve tona. Pra, për një marrëveshje ligjërisht obliguese, që do të sjellë njohjen reciproke dhe ulësen në Kombet e Bashkuara dhe që do të na mundësojë që të kalojmë nga gjendja e armiqësisë së përhershme në një gjendje të paqes, normalitetit dhe bashkëpunimit mes vendeve tona.

Duke mos u pajtuar me kushtëzimet e Beogradit, Kosova përsëriti zotimin se është gati për dialog sa më gjithëpërfshirës dhe transparent. Për këtë edhe Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Platformën për Dialogun.

Ne i shprehëm edhe një herë falënderimin tonë për letrat e Presidentit Trump dhe mbështetjen për një marrëveshje që balancon interesat e të dyja vendeve, si të pavarura dhe sovrane. Por, edhe e shprehëm qëndrimin se Status Quo-ja dhe gjendja e konfliktit të ngrirë është e papranueshme. 

KRYEMINISTRI HARADINAJ: MARRËVESHJE QË REZULTON ME NJOHJE NË KUFIJTË EKZISTUES TË KOSOVËS 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi: Pata nderin që sot në rezidencën e Ambasadorit Amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, së bashku me Presidentin Thaçi dhe Kryetarin Veseli, të zhvillojmë një takim të hapur dhe të sinqertë me Nënsekretarin për Çështje Politike, David Hale.

Në këtë takim paraqita qëndrimin se tash Kosova është më e gatshme se kurrë, e unifikuar me një zë të vazhdojë dialogun me Serbinë dhe të kontribuojë në fqinjësi të mirë, paqe dhe stabilitet. Ky unitet është edhe më domethënës pas votimit të Platformës së Dialogut dhe Ligjit.

E ritheksova se ne jemi gati për dialog dhe ftojmë Serbinë që t’i kthehet tavolinës e të diskutojmë të gjitha çështjet e hapura duke përfshirë edhe tregtinë e lirë dhe të arrijmë një marrëveshje që rezulton me njohje në kufijtë ekzistues.

MEDIA: SHBA NUK KA POZICION RRETH REZULTATIT TË DIALOGUT KOSOVË-SERBI, POR INSISTON NË NJOHJE TË NDËRSJELLË, THOTË HALE

Përkrahja amerikane për Kosovën është e palëkundshme. SHBA-ja kujdeset thellë për mirëqenien, prosperitetin dhe sigurinë e Kosovës. Dhe këto janë bazat mbi të cilat zhvillohen diskutimet mes SHBA-së dhe Kosovës.

Kështu ka thënë nënsekretari amerikan për çështje politike, David Hale, të shtunën në Prishtinë, pas takimit me krerët e institucioneve të Kosovës.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve nga tri media kosovare, përfshirë “Kohën Ditore”, nënsekretari Hale ka përsëritur qëndrimin amerikan rreth dialogut, duke theksuar se Uashingtoni konsideron se tani është një moment i përshtatshëm për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë, duke theksuar se në bosht të asaj marrëveshjeje duhet të jetë njohja e ndërsjellë.

Sidoqoftë, nënsekretari Hale e ka përsëritur se SHBA nuk ka një pozicion të vetin se cili duhet të jetë rezultati i dialogut, dhe se përmbajtja e marrëveshjes do të varet nga të dy palët.

Por, ai ka theksuar se ka një pajtim të gjerë mes aleatëve perëndimorë se çdo marrëveshje duhet ti kontribuojë stabilitetit rajonal dhe jo e kundërta.

Nënsekretari Hale, i cili të shtunën në mëngjes i ka takuar së bashku presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli, para vizitës në Prishtinë ka qëndruar në Beograd, ku ka dërguar të njëjtin mesazh për tejkalimin e pengesave që ti hapet rrugë dialogut.

Duke iu përgjigjur pyetjes së Kohës Ditore për të komentuar rreth Platformës për dialog, të cilën e ka miratuar Kuvendi i Kosovës të premten, nënsekretari Hale tha se e sheh këtë si pjesë të debatit demokratik në Kosovë, por shtoi se SHBA-ja nuk ka një pozicion rreth platformës.

Në çdo rast, siç tha nënsekretari Hale, SHBA-ja nuk ndryshon pozicionin kur bëhet fjalë për shtetësinë e Kosovës – është në përkrahje të plotë të pavarësisë dhe sovranitetit.

TAKIMI U ZHVILLUA NË REZIDENCËN AMERIKANE NË PRISHTINË

Liderët shtetërorë të Kosovës kanë qëndruar në Rezidencën Amerikane në Prishtinë për dy orë të shtunën paradite, ku janë ftuar në takim nga nënsekretari për çështje politike në Departamentin Amerikan të Shtetit, David Hale.

Burime të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) tregojnë se Hale ka kërkuar suspendimin e taksës, duke folur për rrezikun e dështimit të dialogut. “Nëse Kosova mbetet përgjegjese për dështimin e dialogut do të paguajë çmim”, ka thënë Hale kanë treguar këto burime, duke thënë se ky ka qenë mesazhi kryesor i amerikanëve në takimin e sotëm.

Ndërkohë, të hënën, në Prishtinë për të njëjtën temë do të vijnë edhe dy këshilltarë të kancelares gjermane Angela Merkel, të cilët pritet të rrisin presionin mbi qeverinë kosovare për të suspenduar taksën dhe vazhduar dialogun.

 DEKLARATA E PRESIDENTIT SERB VUÇIÇ

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pas takimit në Beogrd me zyrtarin e lartë Amerikan dje ka shkruar në Twitter: 

“Nënsekretarit për çështje politke në Departamentin e Shtetit të SHBA David Hale i kam thënë se Platforma për dialog, miratuar dje, është në thelb vendim i Prishtinës ta ndërpresë dialogun me Beogradin. Serbia në afat të shkurtër do marrë masa me të cilat do reagojë në situatën e krijuar”.

Filed Under: Featured, Politike Tagged With: Presidenti Thaçi

Lobi grek në Amerikë: Të pengohet hyrja e Shqipërisë në BE !

March 8, 2019 by dgreca

1 Nikolas Gagee

-Konventa e Helenikeve Greke qe u mbajtë në Clearwater, Florida nga 21- 24 shkurt, miratoi një rezolutë unanime, që i bënte «thirrje» qeverisë shqiptare, që t’u sigurojë grekëve etnikë në vend, (në fakt të gjitha ato që i kanë), të gjitha të drejtat arsimore, fetare, politike, gjuhësore dhe kulturore, sipas marrëveshjeve ndërkombëtare dhe kërkoi që Bashkimit Evropian të ngrijë negociatat për pranimin e Shqipërisë.

NGA RAFAEL FLOQI/
Ndërsa në Shqipëri po vazhdon lufta politike, dhe qëndrimet e paqarta të qeverive shqiptare për marrëveshjen e kufijve detarë me Greqinë dhe zgjidhjen e problemeve mes vendeve, lobi vorioepiriot në Amerikë ka shumëfishuar përpjekjet e tij, për të penguar anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Dhe kjo tendencë nuk është vetëm e qarqeve nacionaliste, ashtu, siç është bërë zakon të quhet, por edhe qeverisë greke, e kombinuar edhe me drejtues të Komitetit Shqiptar të minoriteteve dhe drejtues minoritarë lokalë. Dhe prandaj kjo është e rrezikshme.
“Kjo mund të realizohet vetëm, thanë ultranacionalistët grekë në konventën e mbajtur në Clearwater, Florida nga 21- 24 shkurt, në qoftë se qeveria amerikane, qeveria greke, Bashkimi Evropian, ta mbajnë nën një presion efektiv Tiranën, dhe se Federata jonë, do të bëjë gjithçka që ka në dorë, për të ushtruar presion”, theksoi Nicholas Gage, veprimtari antishqiptar dhe shkrimtar grek, në Kuvendin e 40 të Federatës Panepiriotike të Amerikës, të mbajtur çdo dy vjet, ku shkrimtari antishqiptar, Nicholas Gage, ( alias Nikos Gaxojanis) u rizgjodh nga një bord “vorioepiriotësh” për të drejtuar organizatën edhe për tre vitet e ardhshme.
Konventa miratoi një rezolutë unanime, që i bënte «thirrje» qeverisë shqiptare, që t’u sigurojë grekëve etnikë në vend, (në fakt të gjitha ato që i kanë), të gjitha të drejtat arsimore, fetare, politike, gjuhësore dhe kulturore, sipas marrëveshjeve ndërkombëtare dhe kërkoi që Bashkimit Evropian të ngrijë negociatat për pranimin e Shqipërisë, deri sa parlamenti i saj të miratojë të gjitha parimet e BE-së mbi të drejtat e pakicave.
Gjithashtu ai u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara, Bashkimi Evropian, Kombeve të Bashkuara, dhe qeverisë greke për ta shtyrë Shqipërinë që të përmbushë të gjitha detyrimet ndërkombëtare të saj, ndaj grekëve etnikë të « Epirit Veriut » dhe në gjithë Shqipërinë. (Vini re, deklaratën, në të gjithë Shqipërinë, kjo tregon se pretendimet Vorio Epiriote nuk janë shuar dhe ata ushtrojnë presion për të zgjeruar zonën e minoritetit edhe me Himarën), shkruan gazeta e kësaj Federate, The National Herald, më 28 shkurt.
Që mesazhe të tilla, të pasakta, të përdoruara qëllimisht si përgjithësuese për shkelje të drejtash, të vijnë nga qarqet ultra nacionaliste, kjo nuk është gjë e re, por kur ato vijnë, edhe nga goja e Presidentit të Greqisë, Prokopis Pavlopulos, i cili ka ripërsëritur në mënyrë ultimative një tjetër mesazh të qartë, Shqipërisë se duhet të respektojë minoritetin dhe të heqë dorë nga pretendimet për çamët. Dhe kjo e bërë në Mal të Zi, tok me Gjukanoviçin, një javë pas fitores të koalicionit shqiptar ne Tuz, ka një domethënie dhe rrezikshmëri më të madhe antishqiptare. Gjë që shtron pyetjen pse pres. Pavlopulos, do ta bënte këtë deklaratë të tij nga Podgorica, edhe pse drejtuar ndaj Shqipërisë?
Duket se objekt i bisedimeve kane qenë Shqipëria dhe të drejtat e Shqiptarëve në Mal të Zi , dhe se Gjukanoviçi, në mungesë të një aleance me Serbinë, për arsye që dihen, ka zgjedhur të flasë me gojën e presidentit grek.
Pra thënë me fjalë të tjera Shqipëria të respektojnë koloqithjet me rigon, të të drejtave të minoritarëve tanë grekë që i gëzojnë ato të drejta, dhe të mohojnë çdo minoritet shqiptar. Ai tha se Athina nuk është kundër integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por për Greqinë minoriteti dhe heqja dorë nga pretendimi për çamët janë pengesë e pakapërcyeshme.
“Greqia nuk është kundër perspektivës evropiane të Shqipërisë. Por sjellje të tilla si ato kundër minoritetit etnik grek janë një pengesë e pakapërcyeshme për rrjedhën e qetë evropiane të Shqipërisë. Një tjetër pengesë lidhet me çdo pretendim për të drejta të së ashtuquajturve çamë shqiptarë, të cilët kanë qenë bashkëpunëtorë të pamëshirshëm të nazistëve, siç e ka vërtetuar historia” deklaroi ai gjatë vizitës në Malin e Zi.
Po kjo shtron pyetjen a ka rënë dakord, Shqipëria, që të heqë dorë nga “Çamëria”? Para do kohe gazeta greke “Protothema” në një reportazh, ku zbardheshin pikat e marrëveshjes së Shqipërisë dhe Greqisë, pohonte më të rëndësishmen; se të dy palët kishin rënë në ujdi, që të mos përdorin termat gjeografikë: “Vorio Epir” dhe “Çamëri”. “Zgjidhja, ishte sipas gazetës, pjesë e një pakete që synonte të “mbyllë 100 vjetët”, siç tha atëherë, ish ministri i Jashtëm Nikos Kotzias. “Një nga çështjet kyçe dhe të vështira të negocimit ishte heqja e irracionalitetit. Për këtë qëllim, të dy vendet duket se kanë rënë dakord të “shmangin referencat dhe identifikimet gjeografike, që potencialisht mund të stimulojnë pasionet midis dy popujve”. Në veçanti, pala greke tashmë ka rënë dakord të heqë referimin e termit “Epiri i Veriut”, duke pranuar pretendimin e shqiptarëve, se ai fsheh irredentizmin dhe prandaj duhet të hiqet. Nga ana e saj, Shqipëria do të braktisë termin “Çamëria”. Lypset tani, që nuk është më ministër z Bushati, që të mos njollosë biografinë e tij, të rrëfejë, cila është marrëveshja me grekët për Çamërinë për të cilën Shqipëria ka rënë dakord.
Por çështjet dhe emërtimet nuk janë njësoj. “Çështja Çame” është histori, populli Çam ishte në tokën e vet, çamët kanë prona, kanë tapi, u është bërë padrejtësi historike, me gjenocidin e 1945-s, por kurrë Çamëria nuk mund të barazohet me “Vorio Epirin”, një term që nuk ka ekzistuar kurrë, që minoriteti grek nuk ka pasur kurrë pronësi me tapi në territoret ku sot jetojnë.
Por t’i kthehemi konferencës dhe rrezikut të saj. Vini re përfaqësuesja e Republikës së Shqipërisë dhe dy te zgjedhur lokalë, morën pjesë në këtë konferencë antishqiptare. Ku mysafir i veçantë të nderi në këtë kongres ishte, renegati Pirro Dhima, ish-deputeti i Pasokut nga Himara, i cili fitoi tre medalje të arta olimpike dhe një bronzi në peshëngritje për Greqinë në Lojrat Olimpike; Gus Bilirakis, kreu i Grupit Hellenic në Kongresin e SHBA; dhe kryetarja e Komitetit Shtetëror Shqiptar të Minoriteteve, Konstandina Bezhani, si edhe dy kryetarë bashkish minoritare: Akilea Deçka dhe Leonidha Kristo.
Federata Panepirote e Amerikës deklaroi, se “Konventa e saj ishte e dyzeta konvente e suksesshme në historinë tonë 77-vjeçare, me delegatët dhe 480 të ftuar që morën pjesë në darkën gala”, tha zoti Gage. “Bordi i ri kësaj shoqate antishqiptare u krijua me dy “vorioepriotë” veteranë që kanë lindur në « Epir » dhe të anëtarëve të rinj të lindur në Amerikë, por me ndjenja të forta për atdheun dhe traditat e prindërve të tyre.”, thuhet në deklaratë.
“Një forcë e tillë do të na ndihmojë të mbështesin grekët etnikë që jetojnë në të dyja anët e Epirit Verior, njëra nën presion nga autoritetet shqiptare dhe bashkatdhetarët tanë që jetojnë në Greqi me kufizime të rënda ekonomike, ç’ ka Greqia a përjetuar në vitet e fundit”, ka thënë Gage.
Gage, i cili u zgjodh njëzëri për të shërbyer një mandat tjetër si president i Federatës dhe do të mbështetet nga John Katsimbadis, një biznesmen nga Detroiti. Pika kulmore e konventës ishte darka gala e mbajtur në sallën e komunitetit, të Kishës së Trinisë së Shenjtë në Clearwater, ku Gage, Dhima, kongresisti Bilirakis, dhe Bezhani, folën për nevojën për të fuqizuar të drejtat themelore të grekëve etnikë në Shqipëri. (Nuk dihet çka ka deklaruar ajo, pasi nuk botohet në gazetën në fjalë. Por në vetë websitin e saj të Komitetit të Minoriteteve që ajo drejton, shkruhet « Përfshirja në Kushtetutën e Shqipërisë të nenit 20 lidhur me të drejtat e Minoriteteve, si dhe nënshkrimi i Konventës Kuadër për Mbrojtjen e Minoriteteve, nga ana e qeverisë shqiptare, janë hapa të rëndësishme në këtë drejtim, por Minoriteti shpreh rezervat e veta lidhur me mungesën e një kuadri të plotë ligjor, ku të përcaktohen qartë të drejtat dhe të krijohen institucione për mbrojtjen dhe ushtrimin e këtyre të drejtave”. Është interesant fakti, që të ashtuquajturat të drejta të minoriteteve, që duhet të nënshkruaj Shqipëria, jepen në grup dhe nuk specifikohet asgjë konkrete.
“Përmes lobizmit tonë në Uashington, tha Gage, ndikimi ynë me organizatat ndërkombëtare, diskutimet tona të drejtpërdrejta me udhëheqësit shqiptarë, dhe presioni ynë i qëndrueshëm ndaj autoriteteve shqiptare, ne kemi përmirësuar ndjeshëm jetën e grupeve etnike në Shqipëri. Ne i dhamë fund klimës së frikës që autoritetet krijuan kundër tyre, shtuam mundësitë ekonomike dhe politike për ta dhe zgjeruan të drejtat e tyre për të ruajtur besimin, kulturën dhe traditat e tyre. Më e rëndësishmja, ne kemi vendosur parimin, se politika amerikane ndaj Shqipërisë do të përcaktohet nga trajtimi i shqiptarëve nga grekët etnikë në vend. Ajo që ne themi dhe ajo që ne bëjmë ka rëndësi në Shqipëri dhe kjo është arsyeja pse ne kemi pasur një ndikim kaq të fortë në vend dhe pse liderët e saj të lartë kanë qenë të gatshëm të negociojnë me ne për të përmirësuar trajtimin e popullit tonë atje”.
Ashtu si duket edhe nga këto ditirambe ala Guxojanis, nuk duhet të harrojmë ndikimin që lobi grek ka ndikim në autoritet amerikane. Megjithatë nuk duhet të harrojmë një fakt interesant, në këtë konventë nuk u përmend rasti i Kostandinos Kacifës, i vrarë më 28 tetor 2018, në një përplasje me armë automatike me policinë e Shtetit shqiptar në Bularat të Gjirokastrës. Shtrojmë pyetjen. Pse? Nga prania e shtetasve shqiptarë në konventë, apo se akti është aq flagrant, sa nuk do të gjente mbështetje nga autoritetet amerikane?
Natyrisht, duhet bërë shumë më tepër për shkak se armiqësia ndaj grekëve etnikë në Shqipëri është e lartë në të gjitha nivelet e jetës publike.
Nuk duhen harruar skërmitjet për Kishën e Përmetit e atë të bunkerit të Dhërmiut nuk mund t’i mungonte kurrsesi zëri i anti-shqiptarit, Nicholas Gage. Pak ditë para mbërritjes në Tiranë, të ish ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lou, është takuar me një përfaqësi të lobit grek në Amerikë. Delegacioni i grekëve kryesohej nga ultra-nacionalisti Nikolas Gejxh dhe ishte zhvilluar më 2 dhjetor 2013 në zyrat e Departamentit të Shtetit, në Uashington. Gejxh ka qenë me cilësinë e kryetarit të shoqatës “Federata Panepiriote e Amerikës” dhe së bashku me të kanë qenë edhe zëvendëskryetari i kësaj shoqate, Menelao Xhelio. Sipas Gejxh qëllimi i këtij takimi ka qenë që të informohej ambasadori Lou për problemet e minoritetit grek në Shqipëri, dhe t’i kërkohej atij që të ushtronte presion ndaj qeverisë së Tiranës për të përmirësuar kushtet e këtij minoriteti. Nicholas Gage, ishte shfaqur aso kohe për të dhënë mendimin e tij rreth prishjes së kishës ai aso kohe u shpreh për nja ndërtesë pa leje shqiptare të kishës së Shën Thanasit. Aso kohe, ta pohonin se Donald Lu, është takuar me kryeministrin Edi Rama për të protestuar rreth shkatërrimit të kishës, si një veprim i pandjeshëm ndaj të drejtave të besimit ortodoks në Shqipëri dhe minoritetit grek dhe për ta nxitur atë që të gjejë një zgjidhje të pranueshme për të dy palët. Më parë Federata Panepiriote në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i kishte bërë thirrje administratës së presidentit Barack Obama që t’i bënte presion Shqipërisë për çështjen e kishës së Përmentit. Në një deklaratë të bërë publike në websitin e tyre, presidenti i shoqatës së grekëve në SHBA, Demetrios Koutoulas, i ka bërë thirrje atëherë administratës së presidentit Obama dhe Kongresit amerikan që të bëjë presion ndaj shqiptarëve për t’ua kthyer kishën e Përmetit besimtarëve
Ndërsa disa muaj më parë në një nga lagjet me prani të dy komuniteteve shqiptare e greke, Bay Ridge në Brooklyn, në organizimin e shoqatës Rrënjët Shqiptare “Albanian Roots”, u mbajt një protestë paqësore kundër nderimit të Kostandinos Kacifas. Protesta ndodhi përballë qendrës kulturore Federata “Laconian” (Spartans), e cila pretendon se përfaqëson flamurin e Vorio Epirit, dhe qarqet ultra nacionaliste greke në Nju Jork dhe do të nderonte Kostandinos Kacifën ku morën pjesë dhjetëra shqiptarë nga të gjitha trojet, në kushte të një të ftohti polar minus 10 gradë celsius. Anëtarë të Partisë Agimi i Artë, me flamurit e kësaj partie dhe disa eksponentë të organizatave që përfaqësojnë minoritetin grek, dhe organizatën Federata Laconian (Spartans), në SHBA kënduan himnin grek dhe hodhën parulla shoviniste kundër Shqipërisë dhe shanin shqiptarët si terroristë. Ndërsa 35-vjeçarin e vrarë në përpjekje me Policinë e shtetit shqiptar e cilësuan hero që sipas tyre ra për atdheun e tij. Përfaqësuesit e komunitetit grek, përfshirë edhe një grup të grave, përdorën sharje dhe hodhën parulla provokuese, ngritën flamurin e Agimit të Artë dhe Vorio Epirit, dhe më zë të lart thërrisnin : “Konstantinos Kacifas, u vra se ka luftuar si shumë prej helenëve të shtypur të pambrojtur për të ruajtur identitetin e tyre grek, jugu i Shqipërisë është Greqi. Në Greqi nuk ka asnjë çam dhe nuk ekziston çështje çame – Harrojeni Çamërinë”.
Përtej Shqipërisë, rezoluta e ultra nacionalistëve grekë u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të bëjnë gjithçka që është në dorë të tyre për t’i dhënë fund pushtimit të Qipros Veriore nga trupat turke; kërkuan që qeveria turke t’i japë fund ngacmimeve të Patriarkanës së tyre dhe për të rihapur seminarin Halki , si edhe kundër FYROM për të ndaluar përdorimin e emrit Maqedonia, e cila ka qenë synim i Federatës Panepirotike. Gage theksoi argumentin fals, se “duhet bërë shumë më tepër, për shkak se armiqësia ndaj grekëve etnikë në Shqipëri është e lartë në të gjitha nivelet e jetës publike”.
Ne jemi për të drejta sa më të plota për të gjithë minoritetet, dhe pjesëmarrja e minoritarëve shqiptarë në takimet e diasporës greke edhe për të kërkuar të drejta që i kanë konventat evropiane, kjo nuk është tradhti, por gjithnjë në marrë veshjen me Greqinë , duhet kërkuar barazi. Barazi të së drejtave të minoritarëve me të drejtat e minoritarëve çamë. Politika e futjes së Kokës së Strucit në rërë ndaj Çështjes së Çamërisë, duhet të marrë fund. Nuk mund të dënohet një popull dhe sikur të ketë bashkë punuar me fashistët, le që ka ndodhur e kundërta. Mos vallë grekët i dëbuan nga Greqia të gjithë familjarët e kolaboracionistëve grekë

Filed Under: Analiza Tagged With: Lobi Greka, ndal anetaresimit et Shqiperise ne BE, ne SHBA, Rafael Floqi

MËSUESIT MËRGIMTARË BËNË HISTORINË

March 7, 2019 by dgreca

1 Arsimi diaspo

 Shkruan: Hysen Ibrahimi/

Në këtë 7 Mars, do të ju njohim me një përvojë të mësuesve shqiptarë në mërgatë, më saktë të atyre në Suedi, të cilët në kohët më të vështira bënë historinë.

Mësimi në gjuhën shqipe ishte prioritet për shqiptarët në Suedi. Që në kontaktet e para me njëri-tjetrin, në qytete e vendbanime suedeze, si çështje parësore shqiptarët e kishin diskutuar mundësinë organizimit të mësimit në gjuhën shqipe për fëmijët shqiptarë. Në këtë kuadër, intelektualë shqiptarë dhe aktivistë të shumtë mobilizohen për të mbajtur gjallë arsimin shqip. Kështu ata kishin regjistruar fëmijët shqiptarë në secilin vendbanim që ata të mbanin mësimin plotësues në gjuhën shqipe. Mësimi në gjuhën shqipe kishte nisur më të madhe në vitin 1992 dhe mësuesit ishin intelektualë shqiptarë, madje shumë të përgatitur, të cilët, vullnetarisht e kryenin këtë mision.

Në librat e ”Thesarit kombëtar” jipen detaje për organizimin e grupeve të mësuesve shqiptarë, të cilët po i bënin thirrje çdo familje shqiptare që ta ruajë identitetin kombëtar, duke e ruajtur para të gjithave, gjuhën shqipe për fëmijët e tyre. Madje, kërkime të SHSHASH “Papa Klementi XI – Albani”, çojnë shumë vjet më parë kur ishte mësuar shqip në Suedi. Shkolla e parë shqipe e mësimit plotësues në Suedi është hapur në vjeshtën e vitit 1968, në Malmö të Suedisë. Mësuesi i parë i shkollës shqipe në Suedi ishte Bejzat Beqiri. Pastaj, ishte mësuesi Kosovë Rexhë Balaj, nga Istogu, i cili ishte i përndjekur nga shërbimi sekret i Serbisë e ish Jugosllavisë, ku kishte migruar në vitet 60-ta. Ai që atëherë kishte iniciuar mbajtjen e mësimit në gjuhën shqipe për fëmijët shqiptarë në Suedi. Pastaj, më 5 mars 1976 ishte hapur shkolla e parë shqipe në qytetin e Nybros, me iniciativë të Sadulla Zendelit – Dajës.

Qeveria suedeze nuk i ka penguar, përkundrazi, i ka mbështetur për organizimin e mësimit edhe në gjuhën shqipe. Në ”Thesarin numër 1” veçohet bashkëpunimi me rektoren e shkollës Margaretha Larsson, në qytetin e Bastadit, e cila, i kishte ofruar të gjitha kushtet për fillimin e procesit mësimor, në lokalet e shkollës ku shkonin nxënësit shqiptarë. Këtë lloj mbështetje shqiptarët e kishin marrë shumë shpejt edhe në shkolla tjera të Suedisë.

Në secilën komunë, ishin ngritur Komisionet Rajonale, të cilat mbikqyrnin procesin e regjistrimit të nxënësve dhe vijimin e procesit mësimor në gjuhën shqipe. Çdo gjë ishte bërë në koordinim me prindërit, të cilët kishin dhënë një mbështetje të madhe për ato procese. Ata kishin formuar edhe Këshilla të Prindërve, në mënyrë që të realizohej mirë ai mision, duke siguruar që fëmijët shqiptarë të mos mungonin asnjëherë në shkollën shqipe.

Këshilli i Prindërve kishte marrë masat organizative, kishte siguruar planprogramin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe, kujdesej maksimalisht që të përcillte mësimdhënësit shqiptarë dhe lëvizjet e tyre eventuale, për aryse familjare. Interesimi për mësimin plotësues në gjuhën shqipe kishte qenë shumë i madh. Mësimi i gjuhës amtare ishte shumë i rëndësishëm, sepse nuk mund të asimiloheshin fëmijët shqiptarë në mërgatë, në këtë rast edhe në Suedi. Ata kishin mësuar ndërkohë për shkrim-leximin shqip, historinë, kulturën, gjeografinë e çdo që kishte të bënte me shqiptarët dhe për shqiptarët.

Ndërkohë ishte themeluar Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë për Suedi “Naim Frashëri” (LASH-i). Përmes LASH-it, ishin botuar dhe shumë tekste mësimore shkollore, që nga ABETARJA e tre libra leximi për klasën e II, III dhe IV, gjeografia, antologjia e shumë të tjera. Mësimi ishte zhvilluar me planrogram të Arsimit të Republikës së Kosovës. Planprogrami ishte dërguar nga kryetari i LASH-it “Naim Frashëri” për Suedi, Prof. Bedri Paci. Qëllimi ishte që fëmijëve shqiptarë t’iu ligjërohej për gjuhë shqipe, dituri natyre e shoqërie, histori, gjeografi matematikë, art figurativ, art muzikor,dhe gjithçka tjetër që kishte të bënte me çështjen shqiptare.

Gjatë viteve 1991-1993, mësimi zhvillohej nëpër strehimore ku punonin mësuesit në baza vullnetare. Sapo kishin marrë lejeqëndrimin, familjet shqiptare kalojnë, nga strehimoret nëpër qytete dhe kështu nxënësit shqiptarë fillojnë mësimin në shkollat suedeze dhe mësimi i gjuhës amtare, zhvillohej në bazë të ligjit suedez që quhet “Modersmål” d.m.th “Gjuhë amtare”. Drejtori i shkollës në Hyltebruk, Bengt Johansson kishte dhënë përkrahje për shqiptarët. Në fund të vitit shkollor 1993/1994 kanë qenë të aktivizuar mbi 266 pedagogë që kanë mbajtur mësimin plotësues në 72 strehimore dhe në 28 komuna të Suedisë. Në vitin shkollor 1994/1995 mësimi ishte organizuar në 49 strehimore dhe në 28 komuna të Suedisë. Ishin përfshirë mbi 3 mijë e 700 filloristë, me të cilët kishin punuar vullnetarisht mbi 200 mësimdhënës. Në vitin shkollor 1995/96 filloi mësimi i gjuhës shqipe edhe në shkollën e mesme të mjekësisë, ku mësimdhënësi Fetah Bahtiri mbante kurset e gjuhës shqipe: Dygjuhësia aktive në praktikë dhe përdorimi i dygjuhësisë vlerësohej me pika. Meqenëse për mësimin e gjuhës shqipe në shkollë të mesme nuk kishte planprogram mësimor, Fetah Bahtiri e kishte hartuar vetë një planprogram mësimor dhe punonte sipas tij. Ky planprogram iu ishte shpërndarë edhe disa mësuesve bashkatdhetarë në Kuvendin vjetor të LASH-it. Në librin e tij “Dritë, ngrohtësi, optimizëm”, Fetah Bahtiri, sjell shumë dëshmi rreth organizimit të mësimit në gjuhën shqipe. Që nga viti 1998 – 2011, vijueshmëria e nxënësëve në gjuhën amtare, tanimë ishte 100 %, gjë që ishte rast i rrallë në Suedi.

Në librat e ”Thesarit kombëtar” veçohet përkushtimi i mësimdhënësve shqiptarë për mbajtjen e mësimit shqip në Suedi.

Mësimdhënësit vullnetarë në Suedi kanë kryer mision shumë fisnik. “Të arsimosh fëmijët në gjuhën amtare është një punë e shenjtë”, thuhej në një letër të kryetarit të LASH-it, Bedri Paci dhe të Ibrahim Ergiut (kryetar i Këshillit Pedagogjik), për arsimtarët që mbanin mësimin në gjuhën shqipe në Suedi. Bedri Paci kishte vënë kontakte me zyrtarë të Entit Shkollor të Suedisë për botimin e teksteve me të cilët do të punonin mësimdhënësit shqiptarë në mësimin plotësues në gjuhën shqipe.

Disa të dhëna nga arkivi personal i Hysen Ibrahimit, (tani kryetar i SHSHASH “Papa Klementi XI- Albani”) tregojnë se ishin evidentuar 262 lokacione ku mbahej mësimi shqip në Suedi. Ndërkaq, në librin “Thesari kombëtar 9” është publikuar një listë me 471 emra të mësidhënësve shqiptarë në Suedi , të cilët janë identifikuar nga veprimtari Hysen Ibrahimi, në librin e tij “Vepra 2”.

Aktivitetet e shqiptarëve në Suedi, për të ruajtur gjuhën dhe kulturën shqipe, janë të ngjashme me ato të Papa Klementit XI – Albanit, emrin e të cilit e mban sot Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Suedi. Ai ishte faktor shumë i rëndësishëm për përhapjen e emrit të popullit të tij shqiptar, të historisë dhe të gjuhës së tij.

Mësuesit mërgimtarë shqiptarë bënë punën më fisnike të mundshme. Ata dhanë dije, djersë, sakrificë për të mundësuar fëmijëve të mësojnë shkronjat dhe gjuhën e bukur shqipe. Sot, të rinj shqiptarë në Suedi kanë arritur të jenë të dalluar në shumë fusha. Ata janë bërë mjekë, inxhinierë, juristë, ekonomistë, regjisorë, artistë, piktorë e profesione të tjera të rëndësishme.

Gëzuar 7 Marsin Mësuesve shqiptarë në mërgatë dhe të gjithë mësuesve shqiptarë për misionin fisnik që kanë!

 

Hysen IBRAHIMI, Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi

7 mars 2019

 

Filed Under: Emigracion

Nuk ka demokraci Shqiperia pa demokratizimin e partive

March 7, 2019 by dgreca

2-Frank-shkreli-2-300x183-1-1

-Z. Basha- Neqoftse deshiron qe te jesh ndryshimi, si mase te pare, mos i perjashto deputetet qe nuk kane djegur mandatet e tyre, perfshire vajzen e Azem Hajdarit, duke u treguar tolerant ndaj mendimeve ndryshe, brenda partise./

Nga Frank Shkreli/

Media shqiptare njofton se gjate nje shkembimi pyetje-pergjigje me gazetaret te merkuren para kryeqendres se Partise Demokratike ne Tirane, kryetari i kesaj partie, Lulzim Basha pranoi deshtimin e marrveshjes se fshehte te 17 Majit me kryeministrin Rama. Jo vetem deshtimin, por ai me ne fund pranoi edhe demin qe ajo marrveshje i shkaktoi Shqiperise dhe zhvillimeve demokratike ne vend, ne pergjithesi.
Nuk dua te flas per kete marrveshje midis dy te pareve te Shqiperise pothuaj nje vit me pare, pasi kam reaguar duke shprehur qe atehere demet qe mund te sjellte ajo marrveshje per Partine Demokratike si opozite dhe si rrjedhim edhe demet qe ajo marrveshje e fshehte — permbajtja e te ciles ende nuk dihet mos qofsha gabim — shkaktoi per politiken shqiptare ne pergjithsi. Marrveshja Rama-Basha ishte ne thelb anti-demokratike per nga natyra, rezultati i te ciles shihet sot.
Por nuk dua te komentoj ate marrveshje, te cilen edhe dy protagonistet e saj e shohin tani si te deshtuar, por dua te mirepres deklaraten e Z. Lulzim Bashes dje ne lidhje me, sic tha ai, “dy dite jashtzakonisht te suksesshme bashkpunimi me Institutin Republikan Amerikan, perfaqsuesit e te cilit jane ketu per te ndihmuar Partine Demokratike ne nje hap shume te rendesishem, jo vetem per ne, por per Shqiperine” tha Basha.
“Kam vendosur”, shtoi ai, “te sjell standardet e demokracise perendimore ne Partine Demokratike dhe per kete kam mbeshtetjen e te gjithe botes” duke permendur disa ente dhe organizata perendimore te cilat sipas tij, e mbeshtesin kete ide.” Ai premtoi nje model, sipas te cilit, kandidatet per deputete te Partise Demokratike do te zgjidhen me parimin nje anetar nje vote, nga antaresia e plote e Partise Demokratike, duke organizuar, me ndihmen e partnerve te PD-se, zgjedhje praprake qe ai i cileson si “primaret”.
Dua te theksoj se kjo nuk eshte nje ide e re, pasi gjate ketyre 30 viteve te post-komunizmit, sidomos grupe dhe individe nga Shtetet e Bashkuara te Amerikes e kane propozuar dhe mbeshtetur kete ide, si te domosdoshem per demokratizimin e partive dhe si rrjedhim, te demokratizimit te Shqiperise. Ne disa prej takimeve ku eshte ngitur shpesh ky subjekt kam qene edhe une prezent, ne takimet me zyrtaret qeveritare dhe partiake shqiptare, c’prej shembjes se komunizmit, duke filluar nga prilli/marsi, 1991.
Si atehere ashtu edhe sot, une kete model ose propozim te Bashes e shikoj si pozitiv, dhe nuk dua ta shikoj me sy kritike. Por nese Z.Basha eshte serioz ne lidhje me kete propozim, kjo mbetet per tu pa. Por, duke pasur prasyshe pervojen e zhvillimeve politike te ketyre 30 viteve post- komunizem, eshte e qarte se mungesa e demokracise se vertete dhe autoritarizmi aktual brenda partive politike dhe sidomos roli  i 1-shit te plotfuqishem ne oarti dhe si rrjedhim edhe ne qeveri ,  qe udheheq me dore te hekurt, e kane sjellur Shqiperine dhe shoqerine shqiptare ne pergjithesi, ne gjendjen katastrofale te udhekryqit politik, ne te cilin gjendet sot.
Keshilloj, neqoftese me lejohet, se neqoftse Lulzim Basha deshiron qe shqiptaret te mbeshtesin Partine Demokratike sepse ajo ofron dicka ndryshe, ky model qe ai propozoi dje duhet te zbatohet nje minute e me pare. Jo neser, jo pasneser ose muaj me vone, neqoftse deshiron qe shqiptaret ta konsiderojne Partine Demokratike, si nje parti ndryshe. Neqoftse deshiron qe te jesh ndryshimi, si mase te pare, mos i perjashto deputetet qe nuk kane djegur mandatet e tyre, perfshire vajzen e Azem Hajdarit, duke u treguar tolerant ndaj mendimeve ndryshe, brenda partise. Modeli qe propozon Z. Basha, ne thelb toleron mendimet ndryshe, brenda partise. Ky eshte edhe shembulli politik i partive politike amerikane, neqoftse je serioz per kete qe propozon, dhe neqoftse deshiron qe shqiptaret te besojne se PD eshte ndryshe dhe jo si ajo partia qe nenshkroi marrveshje te dyshimte ne dhoma gjysem te erreta pas mesnates,me krye kundershtarin pllitik.

Kot e kini, te humbni kohe te gjithe, se pa demokratizim te partive, Shqiperia nuk do te kete as demokraci, as liri te vertete, por do vazhdoje te cilesohet si gjysem e lire, ashtu si deri tani.

Zoti Basha thote se per kete model ka mbeshtejen e partnereve nderkombetare. Ne rregull!  Por kjo mbeshtetje ka qene gjithmone aty per ju. Mund te kini nevoje per keshillat bazuar ne pervojen e tyre politike, por jo doemosdoshmerisht per mbeshtetjen e tyre per zbatimin e ketij modeli partiak.  Nderkombtaret mund te ofrojne ndihmen teknike dhe njohurite politike, por zbatimi eshte ne duar tuaja dhe te Partise Demokratike, neqoftse deshironi nje kuvend me te vertete demokratik e te lire nga autoritarizmi i udheheqsve te partise, nje parlament me antaret e te cilit do te jene krenare te gjithe shqiptaret kudo. Jo si ky qe po na turperon para botes!

Zbatimi i ketij modeli qe propozoni, kerkon vullnet te mire, guxim politik dhe atdhedashuri. Koha per veprim eshte tani, Z. Basha!

Filed Under: Politike Tagged With: Demokratizimi i Partive, Frank shkreli

“Shqiponjat e Kallajit ”Ramëzi, si “Sulmuesit” e PP-së

March 7, 2019 by dgreca

NGA ALFONS GRISHAJ/

2-Alfons-Grishaj1-250x300

 

NGA ALFONS GRISHAJ/

“Simiti i Diasporës”  zbuloi revolucionin e PS ndër Kontinente.

Të pranishmit ishin skanuar nga Partia dhe ambasadat me shumë kujdes… Gjeniu i kanabisit kish shpikur dhe një shqiponjë për të nderuar besnikët e partisë,  “Shqiponja e Kallajit”, e lyer me bojë metali ngjyrë ari. Kjo më solli ndërmend “Sulmues-it” e Partisë Punës, që u jepej aksionistëve, dhe “Kryqin e Hekurt” të Hitlerit, që nazizmi ua akordonte emigrantëve dhe industrialistëve besnikë. Por, ama foli hakun, “Shqiponja e Kallajit” ia kalonte “Sulmuesit” të PP-së dhe “Kryqit të Hekurt”, sepse  ishte mashallah goxha e madhe sa  të mbushej dora plot, biles po të shkrihej t’i mbushte dhe poturet.

Në takim ranë në sy lektorë  nostalgjikë nga  familje të PP-së, të cilët me letra fallso (ashtu siç janë dhe vetë) janë bërë azilantë në perëndim. Përjashto Ekrem Bardhen që foli si patriot, të tjerët…,  sehirxhinjë dhe aminxhinjë. Askush nuk kritikoi Qeverinë  e blerimit të kanabisit  dhe varfërisë. Të gjithë  duartrokisnin dhe brohorisnin… duke shpresuar të merrnin “Shqiponja Kallaji”  për t’i  çuar si trofe në shtëpitë e largëta.

Në shoqërinë e civilizuar, hipokrizia dhe militantizmi nuk sjellin progres, përkundrazi!  Thirrja “I love You”,  e kaloi në ekstazë  Kryetarin e liliputëve. “I love you too!”, – iu përgjigj ai. Pjesa teatrale mori hov dhe grimasat kaluan caqet e çdo vizatimi surreal…

Kokëministri fryrë si gjeli majë plehut, me një gjestikulacion musolinian zbuloi sekretin e madh se, përtej Adriatikut, Mediat e vërteta,  Mediat patriotike anti-tradhëti, anti-drogë, anti-varfëri, anti-krim, ishin  kazan e shkuar kazani! Disa prej të pranishmëve iu qeshi mustaku për “bombën” që lëshoi  Ramëzezi. Po  kush i quan kështu atdhetarët e vërtetë?! Bash  mjeshtri i kazanit, teneqexhiu Ramëzi.

Sa për informacion, në vitin 1775 Amerika kishte 37 gazeta javore në kolonitë e saj (The Challenge of Democracy, F. 151). Vatra do kremtojë110 vjetorin e Gazetës Dielli me 6 Prill 2019. Shtypi i Diasporës Shqiptare të Amerikës ka lindur dhe është zhvilluar në truallin e traditës më të mirë të gazetarisë në botë, prandaj dhe është i ndryshëm nga modeli i branavekëve allaturka të çitaklliut Ramëzi, i cili gjen kurajon t’u mësojë njerëzve, që thithin prej dekadash ajrin e lirisë perëndimore, se çfarë do të thotë gazetë, media… Le të kujtohet pak se ironia e tij me kazanë, bakalë etj. është kulturalisht vetëpaditëse, shprehje e dashurisë ndaj kontaminacionit anadollak…

Simiti i Diasporës nuk propozoi ndonjë lloj strategjie zhvillimi,  bashkëpunimi apo as dhe minimalisht ndonjë vizion për të ardhmen, vetëm një organizim paratrupor për të testuar votuesit dhe krijuar celulat e PS në botë. Ajo që të vjen keq është që në këtë vorbull ishte dhe ndonjëri si,  Mark Gjonaj, i cili aksidentalisht (besoj jo në mënyrë të qëllimtë) është bërë instrument i të majtëve, pa e kuptuar se duke i shërbyer atyre, po digjet në opinionin nacional. Ai mori një Medalje të vërtetë nga Kryeministri Haradinaj, por nuk i shkoi në mendje për asnjë moment ta pyeste teneqexhiun e Kazanit, pse Kryeministri Haradinaj, Heroi i vërtetë i Dardanisë (që është dhe homologu i Ramëziut),  nuk merrte pjesë në  Simit-in e “Shqiponjave…”?!

Unë e kuptoj se njeriu ka shumë dëshira… dhe një nga ato është për të udhëhequr masën, për t’u bërë i madh. Po dëshira i kalon shpesh herë kufinjtë e mundësisë, sepse nuk është dëshira që arrin objektivin, por nënqenia, shpirti i frymëzuar dhe i angazhuar në misione fisnike e realizon atë. Udhëheqësit kanë përmasa unike, të cilat  nuk fitohen, por lindin.

Në Simit, nuk u panë intelektualët e vërtetë, personalitetet kritike të komunizmit, luftëtarët e lirisë dhe demokracisë që luftuan dhe luftojnë ende për çështjen kombëtare: Zhozef DioGuardi, Dr. Elez Biberaj, Prof. Sami Rrepishti, Prof. Nikolla Pano, Dritan Mishto, Naum Prifti, Harri Bajraktari, Dr. Gjon Buçaj, Dr. Gjon Kelmendi, Prof. Franz Grishaj, Baba Helidon Pashaj, Dom Ndue Gjergji, Dom Pjeter Popaj, Imam Edin Gjoni, Dom Fred Kalaj, Dalip Greca, Imam Shuajip Gërguri, Zef Balaj, Agim Rexhaj, Kolec Ndoja, Merita Bajraktari, Marjana Bulku, Ilir Levonja, Çezar Ndreu, Marko Kepi, Eduard Aliko, Gjeto Ivezaj, Kujtim Qafa, Frederik Ndoci, Gëzim Nika, Gjen. Asllan Bushati, Nevruz Nazarko, Col. Dritan Demiraj, Mynyr Nazifi, Toni Vulaj, e shumë e shumë personalitete të cilëve nuk mund t’ua rreshtoj emrat në dy faqe letër. Mospjesëmarrja e këtyre figurave  dhe të tjerëve  tregon se kush ishte  në atë sallë…

Vatra nëpërmjet strukturave të saj, Kryetarit Mishto, Editorit  Greca dhe Degës së Michiganit, denoncuan natyrshëm Simitin e fryrë me brumë dhe sodë rozë. Unioni i Biznesmenëve, organizatat lokale e kombëtare, mediat,  personalite patriotë në Diasporë e kritikuan këtë tubim si paranojë të Ramëziut, do të thoja,   takim faustian.

Pamëdyshje, tubimin në fjalë do e quaja, “Takimi me Diasporën e Partisë  Punës”,  sot  Partia Socialiste.

Sinqerisht, nëse Ramëzezi, do ta quante Samitin e Diasporës, “Simiti i Diasporës Socialiste”, askush nuk do shqetësohej, biles do t’i uronim  nismën. Por asnjë emigrant patriot nuk mund të rrijë gojëkyçur dhe duar lidhur që të mos thotë një fjalë… apo të mos hedhë në letër mendimin e vet për të denoncuar manipulimin dhe gënjeshtrat e një Qeverie të paturpshme që ka shtrirë tentakulat përtej oqeaneve për të helmuar opinionin kombëtar dhe atë ndërkombëtar se gjoja u bë  Samiti i Diasporës …

Kazani që ka përgaditur Ramëzezi për të tjerët, po vlon…, dhe herët a vonë,  ky kazan do e përpijë  dhe të zonë. Snajperat mbi Xhami janë një sakrilegj , një shëmti e qeverisë në agoni. Dje u dogjën dy goma, nesër çerdhja e krimit!

Filed Under: Opinion Tagged With: “Shqiponjat e Kallajit”Ramëzi, alfons Grishaj, si “Sulmuesit” e PP-së

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • …
  • 25
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT