• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2019

FAN S.NOLI: SHQIPTARËT I BASHKON KOMBËSIA

April 18, 2019 by dgreca

Fan S. Noli: Në Shqipëri, çdo muhamedan ka në vetëdijen e tij se është pasardhës i paraardhësve të tij të krishterë/

– Telegram i Fan Nolit dërguar Sër Eric Drumondit, Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së Kombeve, 16 Dhjetor 1913- /

AVNI SPAHIU, autori i librit Fan Noli’s American Years, sjell një përmbledhje të telegrameve dhe letërkëmbimeve ku shfaqet zotësia diplomatike dhe forca argumentuese e tij në momente shumë të vështira për vendin. Edhe pse kanë kaluar më shumë se 100 vjetësh, përmbajtja është aktuale dhe taktikat dhe manovrat e qeverisë greke janë të njëjta.
“Në Shqipëri, çdo muhamedan ka në vetëdijen e tij se është pasardhës i paraardhësve të tij të krishterë. Për nga shpirti, zakonet dhe traditat ai është i krishterë më i mirë se sa serbi dhe greku. Fanatizmi i tij nuk ka ekzistuar kurrë pos në imagjinatën e të huajve dashakeqës dhe të keqinformuar. Interesat për avancimin e fesë së krishterë në një vend që krenohet si vend ku ka lindur Skënderbeu, kampioni i Krishtërimit, shërbehen më mirë duke këmbëngulur më pak në tiparet që ndajnë dhe më shumë mbi faktet që i bashkojnë tëkrishterët dhe muhamedanët e së njëjtës kombësi.”

KONCENTRIM I FORCAVE GREKE NË SHQIPËRI

Telegram i Fan Nolit dërguar Sër Eric Drumondit, Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së Kombeve, Palais Luxemburg, Paris, për t’u qarkulluar tek anëtarët e Këshillit, dërguar më 16 dhjetor 1913
Jam njoftuar nga Qeveria ime se grekët po koncentrojnë trupa të rregullt dhe të parregullt përgjatë kufirit jugor të Shqipërisë me qëllimin e qartë të nxitjes së trazirave për të krijuar kështu pretekst për të invaduar dhe pushtuar me anë të forcës krahinat e Gjirokastrës dhe të Korçës, të ashtuquajtur Epiri Veriori. Këto krahina i takojnë me të drejtë Shqipërisë sipas vendimit të Konferencës së Londrës të vitit 1913 që nuk është kundërshtua asnjëherë nga fuqitë nënshkruese. Banorët e tyre, të cilët me përjashtim të një pakice të parëndësishme greke, janë shqiptarë të pastër kanë manifestuar edhe një herë vendosmërinë e tyre për të mbetur shqiptarë në zgjedhjet parlamentare që u bënë këtë muaj.

Në emër të drejtësisë, paqes dhe moralitetit ndërkombëtar, ftoj Këshillit të Lidhjes qëtë parandalojë agresionin e pajustifikueshëm grek, që pa dyshim do të provokojë ndërlikime serioze në dritën e faktit se populli shqiptar – është fuqimisht i vendosur t’i kundërvihet invadimit të territorit të tyre kombëtar deri në fundin e hidhur.

Peshkop Noli

Delegat i Shqipërisë

Hotel Marini, Romë

***

Letra dhe Memorandumi i Nolit dërguar SHTZ Arthur J. Balfour

Sekretar i Shtetit i Punëve të Jashtme

Londër, Angli

më 29 nëntor 1918

Shkëlqesia Juaj,


Ju lus të pranoni memorandumin e bashkëngjitur të Kishës Shqiptare Ortodokse të

Amerikës që përfaqëson zërin e të gjithë shqiptarëve pavarësisht besimit, si këtu, ashtu edhenë vendin tonë të vjetër.

Të bindur se ju do të përdorin ndikimin tuaj të lartë në emër të Shqipërisë, mbes,Shkëlqesia Juaj, shërbëtori juaj më i përulur,

Fan S. Noli

***

MEMORANDUM

Të nënshkruarit, përfaqësues të Kishës Ortodokse Shqiptare në Shtetet e Bashkuara,kanë nderit t’i paraqesin me respekt për konsideratë Konferencës Ambasadoriale këtë deklaratë:

Jemi vënë në dijeni se në pjesë të ndryshme të Shqipërisë, tani të pushtuara nga ushtritë greke dhe serbe, shqiptarët ortodoksë i janë nënshtruar një presioni për të nënshkruar deklarata “entuziaste”; në të cilat ata janë të detyruar të mohojnë kombësinë e tyre dhe të mirëpresin copëtimin e vendit të tyre.

Të gjithë ata që janë të njohur me ndjenjat e popullit shqiptar, më një anë, dhe me metodat serbe dhe greke, në anën tjetër, mund të hetojnë me lehtësi kuptimin e vërtetë dhe vlerën e deklaratave të tilla. Një rast i vetëm mund të ilustrojë këto veprime të njohura ballkanike:

Disa banorë ortodoksë të Korçës, një qytet në mes të Shqipërisë, i kanë adresuar Sekretarive të Jashtme të Fuqive (të Mëdha) një memorandum ku ata deklarojnë se, si “grekë Shqipfolës” ata kërkojnë pushtimin e përhershëm të krahinës së tyre nga ana e Greqisë. Po të ketë edhe të vërtetën më të vogël në këtë deklaratë, si mund të shpjegohen atëherë faktet në vazhdim:

1. Vendi ku u hap shkolla e parë kombëtare shqipe është Korça.

2. Shtypshkronja e parë kombëtare e Shqipërisë u themelua në Korçë. Disa ngaprijësit më të shquar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare vinin nga Korça.

3. Tubimi masiv i 20 mijë njerëzve për të protestuar kundër miratimit të një alfabeti arab për gjuhën shqipe i mbajt në Korçë (Times, 1910).

5. Përpjekja e parë serioze për themelimin e Kishës Kombëtare Ortodokse Shqiptare, të ndryshme nga kisha e pastër politike e Patriarkatit, filloi në Korçë nga Lidhja Ortodokse Shqiptare.

6. Kryengritja e parë në Shqipërinë e Mesme kundër politikës antishqiptare të Turqve të Rinj filloi në Korçë.

7. Gazetat kombëtare, si dhe shoqatat e Shteteve të Bashkuara janë mbajtur kryesisht nga kontributet vullnetare nga imigrantë nga Korça dhe krahina e saj.

Vetëm ky fakt i fundit, një shfaqje e shkëlqyer dhe spontane e patriotizmit shqiptar në një vend të lirë, meriton të krahasohet me manifestimet e detyrueshme dhe të nxitura të njerëzve që janë të gatshëm të nënshkruajnë nën kërcënimin e bajonetave vrastare. e njëjta gjë mund të thuhet për deklaratën e ngjashme të banorëve shqiptarë të banorëve ortodoksë shqiptarë të Durrësit në favor të Serbisë.

Këta shembuj mund të shumëzohen pafundësisht, por mjafton një për të hedhur dritë mbi metodat mashtruese të grekëve dhe të serbëve.

Shqiptarët ortodoksë të Shteteve të Bashkuara, që përfaqësojnë mijëra familje, janë të bindur se Fuqitë do t;i përgjigjen me vlerën e njëjtë dashurisë së shtirur të shqiptarëve ortodoksë për serbët dhe grekët. Në rrethanat ekzistuese, është gjëja më e lehtë në botë që Greqia dhe Serbia t’i bindin shqiptarët ortodokë që jetojnë në Shqipëri që të nënshkruajnë çfarëdo letre të çfarëdo qëllimi. Kundruall këtij zelli të detyrueshëm për armiqtë e kombit tonë duhet vënë krahasimin e nacionalizmit spontan dhe këmbëngulës të shqiptarëve ortodoksë të Shteteve të Bashkuara, të cilët me paratë dhe gjakun e tyre kanë bërë aq shumë luftëra për lirinë e Shqipërisë.

Ndër manifestimet e tjera kombëtare të shqiptarëve të Shteteve të Bashkuara është themeluar Kisha Ortodokse Shqiptare, nën Sinodin rus. Klerikët, kapelat dhe zyrat botuese e kësaj Kishe, me një kosto prej mijëra dollarësh në vit, mbështeten kryekëput nga shqiptarët ortodoksë të Shteteve të Bashkuara, që janë vëllezërit dhe bijtë të po atyre njerëzve të cilët Greqia dhe Serbia po i detyron të deklarohen si serbë dhe grekë.

Në përfundim, ju lus që të shtoni edhe një fjalë (nga që nuk meriton një diskutim serioz) lidhur me pretendimet e njohura greke dhe serbe, se shqiptarët ortodoksë janë armiqësorë ndaj bashkatdhetarëve të tyre muhamedanë. Në Shtetet e Bashkuara, ku shqiptarët ortodoksë përbëjnë shumicën dërmuese dhe shqiptarët muhamedanë një pakicë jo të konsiderueshme.

Prijësi i tyre, i zgjedhur me votën e lirë, është muhamedan. Madje edhe në malet e egra të Shqipërisë Veriore ka shembuj të malësorëve muhamedanë që i janë besnikë prijësve roman- katolikë dhe e kundërta.

Në Shqipëri, çdo muhamedan ka në vetëdijen e tij se është pasardhës i paraardhësve të tij të krishterë. Për nga shpirti, zakonet dhe traditat ai është i krishterë më i mirë se sa serbi dhe greku. Fanatizmi i tij nuk ka ekzistuar kurrë pos në imagjinatën e të huajve dashakeqës dhe të keqinformuar. Interesat për avancimin e fesë së krishterë në një vend që krenohet si vend ku ka lindur Skënderbeu, kampioni i Krishterimit, shërbehen më mirë duke këmbëngulur më pak në tiparet që ndajnë dhe më shumë mbi faktet që i bashkojnë të krishterët dhe muhamedanët e së njëjtës kombësi. Një dëshmi e fundit e mungesës së çfarëdo fanatizmi nga ana e muhamedanëve shqiptare është ajo se në mesin e tyre mund të gjenden përkrahësit më të vendosur të zgjedhjes së një princi të krishterë për fronin shqiptar.

Ajo që u intereson shqiptarëve të të gjitha besimeve është një administratë efikase dhe e fuqishme në një Shqipëri të bashkuar të qeverisur nga një princ europian.

Fan S. Noli, BA, Harvard University

Kryeprift i Kishës Shqiptare Ortodokse të Shteteve të Bashkuara

(E dergoi per Gazeten DIELLI ne SHBA)

Filed Under: Featured Tagged With: NOLI-AVNI SPAHIU

POR SIMBOLET E VËRTETA NUK MUND TË VDESIN

April 17, 2019 by dgreca

Shkruar nga ALDO CAZZULLO/

Eugjen Merlika e perktheu nga “Corriere della Sera”/

            Ata që flakërojnë në televizione apo në smartfone janë dru e metale; nuk është Notre Dame. Mund të shëmben mure që do të rindërtohen; nuk mund të vdesë një simbol, një besim, një komb. Kur një popull nuk din më se kush është, kur një Vend nuk njeh më misionin e tij në histori, kur një komb i lashtë, ndoshta i plakur, dyshon për rolin e tij në botë, atëherë një tragjedi mund të vlejë për t’a shkundur. Kur Victor Hugo shkruajti Notre Dame de Paris, Katedralja nuk ishte katandisur shumë më mirë se sa do t’a lenë flakët e shpërthyera dje mes lotëve të besimtarëve dhe tronditjes së turistëve. Revolucionarët e kishin shkatërruar dhe ëndërronin për t’a kthyer në tempullin e Perëndeshës Arsye, ose në një gurore.

            Përmendoret e ballores ishin rrëzuar sepse, në sytë e jakobinëve nuk paraqisnin mbretërit e Judesë, por Mbretërit e Regjimit të Vjetër. Ai që ndërtoi Notre Dame-n, para se sa arkitekti neogotik Viollet – le – Duc, qe një roman. Hugoi nuk ishte përshkuar nga një shpirt fetar. Ishte një romantik që kishte zbuluar diçka që i kishte ikur vrullit revolucionar: Notre Dame ishte Franca. Një popull është e shkuara e tij; pra një katedrale e kushtuar Zonjës së Bekuar përfaqësonte vetvetsinë kombëtare më mirë se sa Zhan d’Arka apo Xhokonda, që atëherë qe e ekspozuar në Louvre. Kështu shkrimtari shpiku një dashuri të pamundur ndërmjet një gungaçi e një arixheshke, dy krijesat më të përçmuara që, në hijet e kiklave gjenin strehë nga mizoria e pushtetit. Suksesi qe i pakufishëm. Që aty lindi ideja e shpëtimit të katedrales.

            Zjarri i djeshëm shënoi majën e një krize të vetvetësisë franceze. Flaka shpërtheu për shkak pakujdesie, pavarësisht nga vetmohimi i zjarrfikësve, ndihmat u dukën që në fillim të papërshtatëshme. Edhe Makroni u zu në befasi: po pregatiste një fjalë për t’a mbajtur në televizion, e kuptoi se nuk mund të fliste për tjetër gjë, por vonoi të turrej në vënd; ku nga ana tjetër prania e tij do të ishte lexuar si një vërtetim pafuqie me shkulmat e ujit që dukeshin si çezma të vogla në krahasim me madhësinë e tragjedisë, ndërsa çatia nuk qëndronte, kikla – neogotike, jo origjinale – po thyhej, dhe vetë zemra e Parisit dridhej.

            Megjithatë flakadani është për Francën mundësia për të gjetur bashkëqënien, të vënë ashpërsisht në provë nga kriza ekonomike, nga pasiguritë e presidentit, nga një opozitë e shterpët e shpesh e dhunëshme. Prej dhjetëvjeçarësh Vendi që ka ndihmuar për t’i dhënë botës të drejtat e njeriut dhe Evropës ëndrrën e demokracisë, jeton një grand malaise, një gjëndje të ligë që nuk mund të shpjegohet vetëm me rënien e fuqisë blerëse e shkatërrimin e punësimit. Franca dyshon në vetveten. Një Vend që kishte një perandori e që i kishte vënë vetes një detyrë ndjen se  vlen vetëm pak më shumë se asgjëja. Zjarri që ka shkatërruar Notre Dame-n ka qënë goditja e fundit; por mund të jetë edhe shenjë e një rilindjeje të mundëshme. E dëshmon këtë dhimbja por edhe krenaria që u panë gjatë natës nëpër rrugët e kryeqytetit.

            Sigurisht, në të shkuarën francezët e kishin të qartë se Notre Dame nuk ishte për ta vetëm një kishë. Katerina e Mediçëve kremtoi në të martesën që e bëri mbretëreshë të Francës. Hugonotët kërkuan shpëtim në të nga masakra e natës së Shën Bartolomeut. Mbreti Diell grumbulloi në të të gjithë flamurët e rrëmbyer armiqve nga ushtritë e tij e u mbiquajt “stolistari i Notre Dame-s”. Napoleoni mëtoi të ishte kurorëzuar aty nga Papa, në një skenar prej letrash të ngjitura nëpër mure për të fshehur shkatërrimet revolucionare, por kurorën e vuri vetë në kokë, ndërsa Davidi  ravijëzonte vizatime për pëlhurën e tij. Me Viollet – le – Duk romantizmi zotëroi arkitekturën gotike dhe u gdhendën ullukët e çatisë, të gjallëruara më pas nga filmi i Disney-t e të ripara në shfaqjet muzikore.

            Kur erdhi ora të lirohej Parisi nga nazistët, De Gaulle urdhëroi gjeneralin Leclerc të arrinte sa më parë në Notre Dame, nga trualli i shenjtë i së cilës nisnin idealisht të gjitha rrugët e Francës: pararoja ishte kompania e nëntë e divizionit të dytë, e përbërë kryesisht nga republikanë spanjolë, ndërmjet të cilëve shumë  priftngrënësa, që i kishin ripagëzuar autoblindat e tyre Guernika dhe Guadalajara, por që mbetën të shtangur nga guximi i arkitekturave, të kubeve, të paramureve.

            Këtu Chirac-u deshi të kremtojë ceremoninë e varrimit të paraardhësit të tij Mitterrand, por pa qivurin e tij: ndërsa dy familjet e presidentit – ajo zyrtare dhe ajo e fshehta – bashkoheshin në një varrezë fshati, të fuqishmit e Botës festuan aleancën mes fronit dhe altarit me kardinalin Lustiger, një hebre i kthyer në krishterim, pak si në gjëmba atë ditë.

            Me Sarcozy-n, Holland-in, Macron-in shënjtëria e presidencës humbi shumë. Mbreti është lakuriq dhe Katedralja është e pambrojtur. Sonde francezët qanë Notre Dame-n. Por do t’a rindërtojnë. Duhet një tjetër arkitekt i madh. Duhen muratorë të durueshëm, t’ardhur nga Vende të ndryshme të botës. Duhen dhuratat dhe lutjet e besimtarëve. Por Notre Dame është një monument fesë dhe shpresës. Mund të digjen gjërat e njeriut; por ajo që bartim përmbrenda është e paprekëshme nga zjarri si salamandra, simboli i Françeskut të parë, jo rastësisht mbreti që në fatkeqësi komentoi: “Gjithshka është e humbur, me përjashtim të nderit”.

            Marrë nga “Corriere della Sera”, 16 prill 2019     

E përktheu Eugjen Merlika    

Filed Under: Featured Tagged With: ALDO CAZZULLO

LETRA E ROALD DAHL PER BIJEN E TIJ

April 17, 2019 by dgreca

“Dielli” sjell Këshilla mjeksore pranë Jush/

Nga Rafaela Prifti/

Sipas Raportit të Organizatës Botërore të Shëndetit, shtimi i rasteve të infektimit nga fruthi është shqetësues. Fruthi është sëmundje infektive ngjitëse dhe virusi transmetohet lehtë nga njerëzit e infektuar nëpërmjet kollës dhe teshtitjes. Qarkullimi i njerëzve nga pikat ku infektohen dhe importimi në cdo vend të globit madje edhe aty ku është arritur eliminimi i fruthit paraqet rrezikshmëri për cdo rajon. Në nivel botëror numri i viktimave nga kjo sëmundje infektive arriti në 110,000 në vitin 2017, dhe prej tyre pjesa më e madhe ishin fëmijë nën moshën pesë vjecare. Sipas të dhënave zyrtare, vitet e fundit ka pasur epidemi të tilla në Evropë dhe prej tyre 35 janë raste fatale. Deri tani Komisioni i Shëndetësisë për Nju Jork-un ka publikuar të dhëna se rastet e para të fruthit janë diagnostikuar tek persona të pavaksinuar që kanë udhëtuar në Israel, dy raste të reja kanë ardhur nga individë që kanë vizituar Britaninë e Madhe.

Vaksinimi i fëmijve dhe përgjegjësia e prindërve për imunizimin e tyre ndaj sëmundjeve potencialisht fatale është rikthyer në qendër të vëmendjes me aktivizimin e rasteve të konfirmuara të fruthit. Prindërit që paraqesin si argumente për mosvaksinim rreziqet e mbartura nga vaksinimi, ndër të cilat më alarmuese teorizohet të jetë autizmi, tashmë njihen me emërtimin ‘antivaksët’. Të tjerët që njohin dobitë e vaksinës dhe që mbështeten nga personeli mjekësor shtrojnë argumente të bazuara në studime e testime. Ky grup favorizon vaksinimin si masë preventive ndaj sëmundjes infektive dhe si mbrojtja më efektive e jetës së fëmijve. Rastet e diagnostikuara të sëmundjes së fruthit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijnë duke u shtuar. Nga 500 raste të raportuara në Nju Jork 332 janë identifikuar nga muaji janar dhe javën e kaluar janë raportuar 40 raste të reja të fruthit, për të cilin është gjetur vaksina 50 vjet më parë. Ekzistenca e vaksinës është arritje për mjekësinë dhe për prindërit që kanë përjetuar hidhërimin e humbjes së fëmijës për shkak të mungesës së vaksinës. Autori i librave klasikë për fëmijë, Carli dhe Fabrika e Cokollatave, Matilda, Gjigandi i Madh i Mirë etj, Roald Dahl ka shkruar edhe ese për shëndetësinë dhe vecanërisht vaksinimin. Letra e tij për të bijën Olivia, e shkruar në vitin 1986 ka dalë në qarkullim për t’iu kundërvënë bojkotimit vullnetar të vaksinës.  

“Bija ime Olivia u infektua nga virusi i fruthit në moshën 7 vjecare. Ndërsa sëmundja dukej se bënte të vetën, unë shpesh herë i lexoja në shtrat pa pasur aspak ndjenjën e panikut. Një mëngjes kur dukej se po bëhej më mirë, isha ulur mbi shtrat dhe po i tregoja sesi mund të formohen figura kafshësh me fije teli. Por kur ajo vetë provoi të ndërtonte një model vërejta se nuk ishte në gjendje të koordinonte aftësitë motorike me ato mendore. Ndihesh mirë? e pyeta. Ndihem si përgjumshem, mu përgjigj. Pas një ore, humbi ndjenjat dhe pas 12 orëve ndërroi jetë. Virusi ishte kthyer në fruth encefalit dhe mjekët nuk mund të bënin më asgjë. Kjo ndodhi njezët e katër vjet më parë në vitin 1962 por edhe sot e kësaj dite nëse tek fëmija i infektuar ndodh reaksioni fatal si ngjau tek Olivia, mjekët janë krejt të pafuqishëm për t’ia shpëtuar jetën. Por prindërit sot kanë në dorë t’i mbrojnë fëmijët nga një tragjedi e tillë. Ata duhet të kërkojnë me këmbëngulje t’i imunizojnë fëmijët nga sëmundja e fruthit. Unë nuk mund ta imunizoja Olivian sepse në vitin 1962 vaksina e aprovuar e fruthit nuk ishte zbuluar. Ndërsa sot vaksina është e gjendshme dhe e gatshme për cdo familje dhe kryhet me një vizitë tek mjeku. Për opinionin e gjerë, fruthi nuk konsiderohet si sëmundje e rrezikshme. Më besoni kur ju them se është fatale. Për mendimin tim, prindërit që refuzojnë të vaksinojnë femijët po luajnë me jetën e tyre. Në Amerikë, ku imunizimi nga sëmundja e fruthit ashtu si dhe lija e dhenve është i detyrueshëm, këto sëmundje infektive janë eliminuar. Këtu në Britaninë e Madhe, për shkak të prindërve që refuzojnë vaksinimin e fëmijve nga kokëfortësia, injoranca ose frika, diagnostikohen 100,000 raste infektive për vit. Mbi 10,000 vetë do kenë pasoja të ndryshme dytësore nga infeksioni. Të paktën 10,000 individë do pësojnë infeksione të veshit ose në kraharor. Dhe njëzet do jenë raste fatale.

Cdo vit njëzet fëmije do humbin jetën në Britaninë e Madhe nga fruthi.

Cilat janë rreziqet që i kanosen fëmijve të vaksinuar? Thuajse të paqenësishme. Në bazë të statistikave, në një zonë me rreth 300,000 banorë, vetëm një fëmi në 250 vjet do ketë pasoja serioze nga imunizimi prej fruthit. Mundësi që ekziston për një në një million. Mund të thuhet se ka me shumë mundësi që fëmija të mbytet duke ngrënë një copë cokollatë sesa të sëmuret nga vaksinimi kundër fruthit.

Atëherë përse nuk i largoni shqetësimet e kota? Është thuajse krim ta lësh fëmijën të paimunizuar. Momenti më i përshtatshëm është kur fëmija është 13 muajsh por vaksina mund të bëhet në cdo kohë. Fëmijët e moshës shkollore të cilët janë të paimunizuar nga fruthi duhet t’ju luten prindërve të shkojnë të bëjnë vaksinën sa më parë të jetë e mundur.

Rasti e solli që unë t’i kushtoj Olivias dy nga librat e mi. I pari ishte Xhejmsi dhe Pjeshka Gjigande. Në atë kohë ajo ishte ende gjallë. I dyti Gjigandi i Madh i Mirë mban përkushtimin për të pasi atëherë ajo kishte vdekur nga fruthi. Emri i saj e gjeni të shkruar në faqet e para tek të dy librat. Dhe jam i sigurtë se do ishte shumë e lumtur sikur ta dinte se me vdekjen e saj ajo do shpëtonte jetën e shumë fëmijve të tjerë.”             

Filed Under: Opinion Tagged With: Rafaela Prifti-Roald Dahl

MHILL VELAJ, KRYETARI I RI SHOQATES SE SHKRIMTAREVE

April 17, 2019 by dgreca

-U zgjodh kryesia e re e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë/

Nga Adnan Mehmeti/

Stamford,Connecticut,  16 prill 2019

(Mëhill Velaj u zgjodh kryetar, Dr. Yllka Filipi nënkryetare dhe Veneta Çallpani sekretare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë)

Anëtarët e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë votuan për zgjedhjet e reja 2019. Me përfundimin e mandatit të kryetares pararendëse, Raimonda Moisiu, u hap procedura për votime të reja, të propozuar nga anëtarët e Shoqatës. 

Votimet rezoltuan se pjesa dërrmuese kishin votuar për shkrimtarin Mëhill Velaj, i cili  është anëtar i Shoqatës që nga themelimi i saj. Ai, si një anëtar i devotshëm, nuk mungoi në asnjë aktivitet të Shoqatës, i cili ka mbajtur postin e nënkryetarit për dy mandate (2005-2007/2007-2010). Mëhill Velaj është autor i 20 librave me poezi, tregime, publicistikë dhe romane. Dr. Yllka Filipi, që ishte më parë sekretare e Shoqatës, në këtë mandat u zgjodh  nënkryetare, ndërsa Veneta Çallpani, sekretare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.

Duhet theksuar se Shoqata e Shkrimtarëve u themelua në vitin 2001 nga Gjekë Marinaj, i cili ishte njëherit edhe president. Ndërkaq, në vitin 2009 President i Shoqatës u zgjodh Adnan Mehmeti, pozitë të cilën e mban aktualisht. Kryetari i parë i Shoqatës ka qenë Naum Prifti, ndërsa nga dy mandate radhazi, u zgjodhën, Ramiz Gjini, Dalan Luzaj dhe Raimonda Moisiu.

Sot Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë inkurajon dhe mbështet shkrimtarë, poetë dhe artistë, që prezantojnë letërsinë e Diasporës, i përkasin periudhës së shtrirjes kombëtare jashtë kufijve të atdheut dhe idealizmit, pasionit dhe shprehjes, të gjithë ata, që e jetojnë jetën me të vërtetat e saj.

Fjala falëndëruese dhe mirënjohja e kryetarit të zgjedhur. Z Mëhill Velaj

Të nderuar e të dashur kolegë dhe kolege, Anëtarë të Shoqates  se Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë,

Uroj të jeni gjithmonë mirë me shëndet në jetë bashkë me familjet tuaja  të shtrenjta,

Qofshi gjithmonë të suksesshëm dhe të vlerësuar në këtë mision të madh që ju e kryeni me qytetari të lartë, për integrimin e kulturës, letrave shqipe, letërsisë, artit dhe identitetit shqiptar në këtë tokë të bekuar amerikane.  

Ju falënderoj për ndjenjën e respektit dhe vlerësimit, për atë memorje kulture që ju karakterizon  mes hyjnores, krijueses  e njerëzores. Shumë mirënjohje dhe falënderime që me votat tuaja më dhatë besimin dhe respektin, duke më zgjedhur Kryetar të Shoqatës.

Këto janë vlerat që mbajnë gjallë dhe të vazhdueshme miqësinë, bashkëpunimin mes shkrimtarëve dhe shoqatave të ndryshme, veç besimit, ndershmëria dhe një pikë të rëndësishme e zë respekti reciprok. Derisa dikush na zgjedh si mik e koleg, në rastin konkret si Kryetar të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, e ka një arsye pasi beson në  ndershmërinë, punën dhe kontributin tim, njerëzor, intelektual, krijues e qytetar. Të respektosh do të thotë të bashkëjetosh me mendimin tuaj, të dëgjosh pa paragjykuar, dhe ta pranojmë njëri-tjetrin kundrejt besimit e respektit, vlerë thelbësore në angazhimin, mbështetjen dhe bashkëpunimin mes vedit. 

Me respekt e dashuri,

Sinqerisht, i juaji

Mëhill Velaj

Filed Under: Komunitet Tagged With: Mhill velaj

PËRSE SULMOHET VISAR ZHITI?

April 17, 2019 by dgreca

  • PËR TË MOS I LËNË VETËM NË ARENË MES BISHAVE…/

Nga Gazmend KAPLLANI/

“Nuk është e rastësishme që Visar Zhiti sulmohet vazhdimisht nga ish kriminelë, bashkëpunëtorë të Sigurimit, xhelatë dhe kopukë të regjimit komunist…                                                                                                         Në se mund të hedhin baltë dhe të vrasin serish një njeri kaq të pastër dhe të talentuar, atëhere e kanë fituar betejën me kujtesën…” 

SIÇ KAM THËNË  në shumë kumtesa  për Letërsinë Shqipe Visar Zhiti është Primo Levi dhe Varlam Shalamov i let:ersise shqipe dhe Europiane. Sidomos dy veprat e tij, “Ferri i care” dhe “Rrugët e Ferrit” përbëjnë antologjinë më tronditëse, jo vetem te epokës kriminale të komunizmit, por të gjithë letërsisë shqipe.                                                                                                    Nuk është e rastësishme që Visar Zhiti sulmohet vazhdimisht nga ish kriminelë, bashkëpunëtorë të Sigurimit, xhelatë dhe kopukë të regjimit komunist. Ata i njohin metodat e denigrimit moral dhe të vrasjes fizike dhe morale. Në se mund të hedhin baltë dhe të vrasin serish një njeri kaq të pastër dhe të talentuar, atëhere e kanë fituar betejën me kujtesën. Atëhere mund të hedhin valle mbi kufomat e viktimave të tyre. Sepse është ajo që i friken më shumë: kujtesës dhe drejtësisë së saj.

Siç ka shkruar Tzvetan Todorov, historia e njerëzimit nuk ka  njohur armiq më të mëdhenj kundër kujteses së dy regjimet totalitare, Fashizmit dhe Komunizmit. Xhelatët si Caja apo kopuket vrastare si Taku Uturaku duke hedhur baltë mbi Visar Zhitin apo duke kërcënuar intelektualë të mirëfilltë si Agron Tufa, vazhdojnë punën dhe zanatin e tyre, sepse atë dinë të bëjnë.           Nuk dinë të ndryshojnë. Po të ekzistonin kushtet, sërish do të bënin të njëjtën gjë: njëri prokuror duke dënuar njerez me vdekje dhe tjetri kryexhelat gulagu. 

Është nostalgjia për “pushtetin” e humbur kriminal, që i bën sërish të këlthasin sot. 

Lexoni dhe rilexoni Visar Zhitin: 

“Ishte një kohë kur unë isha rob, i burgosur brenda telave me gjëmba dhe dikush më ruante, e kishte punën e policit të mbante mbyllur, madje dhe të më tmerronte, të më bënte të vuaja, të më çonte me dhunë në punë, etj, etj, me vite dhe nëse unë e tregoj këtë sot, që është tjetër kohë, jo e policit por e imja, kjo e shqetëson policin tim, i duket hakmarrje, e tërbon dhe megjithëse ai është tjetër njeri tani, jo polic, vepron po aq dhunshëm si atëhere.                                           Nuk ka shoqëri normale në botën demokratike, ku të lejohet që persekutorët e dikurshëm të kërcënojnë të persekutuarit e tyre, që shefat e burgjeve të shpifin ndaj viktimave në mbrojtje të krimeve të tyre siç po ndodh së fundmi në vendin tonë”.

Populli ynë nga ana tjetër është një popull thellësisht i traumatizuar nga tmerri i 50 vjetëve, një popull i abuzuar, i varfër dhe i rraskapitur, që nuk di si të trajtojë traumën e tij të madhe.                                                                 Për më shumë, mbajtja mbyllur qëllimisht e dosjeve famëkeqe të Sigurimit, mosekzistenca e një Komisioni të së Vërtetës dhe të Drejtesisë për krimet e regjimit komunist, (një nga regjimet me kriminale që ka njohur historia bashkekohore e Europës), toleranca e tanishme politike dhe mediatike qe po gëzojnë ish xhelatët, u ka krijuar p:ershtypjen që mund të vrasin dhe torturojne serish viktimat e tyre.                                                                       Është një moment shumë i trishtë. Besoj se të paktën artistët dhe intelektualët dhe pjesa më e ndershme e shoqerisë shqiptare, në Shqipëri apo diasporë, do reagojë kundër këtyre fantazmave të së kaluarës, që e duan gjithmonë Shqip:erinë si një njeri qe vegjeton pa kujtesë, peng të xhelatëve, kopukëve, injorantëve dhe vrasësve. 

         ________________________________________

            *) Shkrimtari Gazmend Kapllani jeton dhe punon në SHBA. Krahas eseistit dhe gazetarit të njohur për Ballkanin dhe më gjerë, ai është lektor i Letërsisë dhe Historisë së Europës në “Emerson College” në Boston. Romanet e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të botës duke e cilësuar atë si një nga shkrimtarët më të mirë bashkëkohorë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Gazmend Kapllani-Visar Zhiti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 30
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT