• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2019

Kaosi dhe pervesiteti qeverisës “Ha, Grabit, Ik”! 

April 12, 2019 by dgreca

Nga Dritan Demiraj/

Siguria kombëtare është arsyeja e parë e ekzistencës së Shtetit. Grabitja me datën 9 Prill 2019 në Aeroportin e shenjëtores “Nënë Tereza”, tregoi se ku është katandisur Siguria Kombëtare e Republikës së Shqipërisë si anëtar i NATO-s, duke marrë një goditje fatale besimi tek partnerët tanë perendimor dhe jo vetëm. 

Është sfiduar, turpëruar, sfilitur dhe shpartalluar një nga vendet më të sigurta në vend, ku çdo vend i pavarur pasqyron elementet e sigurisë dhe prezencën e funksionimit të shtetit serioz. Kjo ngjarje me siguri do të ngelet sërisht pa përgjegjës real, por do të mjaftohet me ndonjë “kokë turku” duke shpall një “armik”, apo ta përcjellë fajin diku gjetkë tek koncesionari dhe vetë mjaftohet të justifikohet si gjithmonë dhe për çdo gjë, se “shteti reagoi dhe ne nuk jemi si të tjerët…”, “kemi bërë shumë, por kemi akoma më shumë për të bërë” siç ishte rasti i skandalit tek unaza e re….!!! 

Pra mesa duket, Qeveria Pink u paska dhanë kinezëve me konçesion, jo vetëm aeroportin, por edhe Sigurinë Kombëtare të Shqipërisë.
Kjo është realisht fatkeqësi, ku Siguria Kombëtare është dhënë me koncesion nipërve të Mao Ce Dunit, duke kujtuar kohët e paraardhësve të këtyre që na qeverisin, për të na mbrojtur nga imperialistët e revizionistët, “motrën e vogël” Shqipëri!! 

Në rastin e qeverisjes së socialistëve këto vite të demokracisë, ka rënë poshtë dhe teoria e propabilitetit, pasi nuk janë rastësi që sa herë qeverisin kjo “racë politike”, përveç krimeve, korrupsionit shtetëror, ndodhin vjedhje galopante shtetërore dhe kriminale si psh vjedhja e thesarit të bankës qëndrore, vjedhje 5 herë në zonat më të sigurta të vendit nëpërmjet kompanive të sigurisë private ku pronarët e tyre janë në nivelet drejtuese më të larta të PS-së si Safet Gjici etj…, të cilët kanditohen për t’u zgjedhur dhe shpenzuar parat e vjedhura për të blerë votën e fukarenjve në mënyrë mafioze. Këto skenar do t’i kishte zili edhe Holliwoodi, por regjizori Rama, skenaristë ministrat e tij të brenshëm dhe producente Kodheli, kanë ndërmend të ngrenë lart emrin e kinematografisë “Shqipëria Pink”!!! Këta janë fanatik dhe pasionant te thënies të Leninit; “Një horr mund të jetë i dobishëm për partinë edhe duke qenë horr. Në polikë morali nuk ekziston; nuk ekziston asgjë përveç arritjes së rezultatit”.

Siguria e Aeroportit nuk është vetëm detyrë e koncesionarit që mundohen të përcjellin tellallët e qeverisë, por përgjegjësi reale të një shteti të përgjegjëshëm nëse do të kishim! Mirëpo në Shqipëri nuk ka qeveri të përgjegjshme, ka banda që grabisin në çdo vend, por ka edhe banda që përfaqësohen në qeveri! Nga tellallët qeveritar në momentin kur nënshkruan kontratën me koncesionarin ishin “Azgan”, ndërsa sot ku është zënë ngushtë qeveria nga skandali janë “pehlivan”, duke u mburrur se do marrë masa nga më ekstremet për kompaninë koncesionare, pasi tani “nuk mban më ujë pilafi kinez”, thua se nuk kishte raste të tjera për të marrë masa!!! Nuk kuptohet se kujt duhet ti ankohen në këto momente kjo qeveri e papërgjegjshme! 

Shqiptarët ju kanë “votuar” që të qeverisni dhe jo të “qyravisni” në këto momente ku siguria kombëtare e Shqipërisë ka performancën e “brekëve të Shukriut dhe Shukrinjëve”!!! 
Në datën 2 Shkurt 2011, Qeveria Shqiptare ka ngritur Komitetin Kombëtar të Sigurisë së Aviacionit Civil, i cili është i ngarkuar edhe për sigurinë e Aeroportit “Nënë Tereza”. Me Vendim të Kryministrit Rama Nr.752, datë 13.12.2017, ka qenë i emëruar jashtë detyrës funksionale z. Sandër Lleshi si Kryetar i Këshillit Drejtues të Autoritetit të Aviacionit Civil dhe shumë titullarë të institucioneve shtetërore.

Pse ky Komitet Kombëtar nuk bën transparencën e dokumentave që vërtetojnë problematikat, rekomandimet dhe informimin e institucioneve kushtetuese për gjendjen e sigurisë?. Paradoksi është se, ai sot ndodhet në detyrën e Ministrit të Brendshëm, si ish-Këshilltar për Sigurinë i Kryeministrit dhe megjithëse sipas tyre janë njohur me problematikat, nuk morën masa nëpërmjet kopetencave ligjore funksionale të zbatoheshin detyrimet nga koncesionari dhe Policia e Shtetit, apo eksperienca e mëparshme me rastin e kanabizimit të të gjithë vendit, i kishte bërë më të vetëdijshëm që të justifikonin urdhërat e “sulltanit” ?!! 

Por realiteti është se lidershipi i MPB po e transformon Policinë e Shtetit në një trupë që i shërben propagandës politike duke zbatuar çdo urdhër që i jep “Sulltani shtatlartë” pavarësisht kostos! Merr kurrajon e tepëruar dhe etiketon opozitën si parti antiparlamentare dhe parapolitike si dhe protestuesit si të verbër!!!

Prioriteti i punës së Policisë në këtë kohë është: përgjimi dhe ndjekja e eksponetëve të opozitës, krimet kundër popullsisë civile të cilët mbrojnë pronat dhe djersën e 29 viteteve emigracion, të cilët kanë ndërtuar një “kasolle” për të jetuar, përdorimi i gazit helmues kundër fëmijëve, grave shtatzëna, pleqve dhe çdo njeriu që shpreh një pakënaqësi kundër horrave qeverisës, mbrojtja dhe fshehja e bandave dhe krimit të organizuar si dhe ruajtja dhe sigurimi i tregut e parcelave me kanabis që kanë filluar të rimbidhen në çdo vend të Shqipërisë! 

Titullarëve të policisë kanabiste, u duhet bërë e qartë që do të shkojnë në burg nesër me veprimet dhe operacionet e paligjshme kriminale që po ndërmarrin, kur në Shqipëri të zbatohet ligji i ndëshkimit për gjithë këto “zombie”. 

Gjithmonë kam shprehur respekt, mbështetje dhe inkurajim për të gjithë antarët e ndershëm të Policisë së Shtetit të cilët me përkushtim e ndershmëri, të keqpaguar, të keqpajisur dhe me halle të mëdha familjare përballen çdo ditë me elementë kriminal, të cilët kanë mbështetjen politike të bandës kryesore kriminale politike “Rilindje”.

Filed Under: Politike Tagged With: Dritan demiraj

ZGJEDHJET E PARA PLURALISTE NË SHQIPËRI 28 VJETË MË PARË DHE REALITETI I SOTËM POLITIK

April 10, 2019 by dgreca

Nga Frank SHKRELI/

Dje dhe pardje në Tiranë qëndroi Zëvendës Ndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, ku zhvilloi takime me udhëheqësit më të lartë zyrtarë të vendit si dhe me kryetarët e opozitës politike shqiptare. Sipas lajmeve, në këto takime thuhet, se u bisedua mbi një numër çështjesh që kanë të bëjnë me krizën serioze aktuale politike në Shqipëri. Njoftohet gjithashtu se zyrtari i lartë amerikan të ketë biseduar me elitën politike shqiptare edhe për një dialog të mundshëm midis qeverisë dhe opozitës shqiptare edhe mbi subjektin aq të përfolur gjatë këtyre 28-viteve të bisedimeve shqiptaro-amerikane, reforma zgjedhore.

Ishte mars/prilli i vitit 1991. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kishin rivendosur marrëdhëniet diplomatike, më 15 mars të atij viti, kur u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit midis Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Z. Muhamet Kapllanit dhe Ndihmës/Sekretarit Amerikan të Shtetit, Z. Raymond Seitz. Ashtu si edhe në vitin 1945, kur Enver Hoxha dëboi delegacionin amerikan nga Shqipëria për këtë arsye, Shtetet e Bashkuara kishin kushtëzuar rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë, ndër të tjera, edhe me mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme në Shqipëri.

Menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Uashingtonit dhe Tiranës, më 15 mars, Departamenti Amerikan i Shtetit vendosi që të dërgonte sa më shpejt një delegacion diplomatik në Shqipëri për të hapur ambasadën e re dhe njëkohësisht për të shërbyer si monitorues në zgjedhjet e para pluraliste, që ishin në plan të mbaheshin në Shqipëri, më 31 mars, 1991. Një delegacion i përbërë nga katër veta dhe i kryesuar nga ambasadori David Swartz, arriti në Tiranë, një javë pas nënshkrimit të Memorandumit dhe një javë para mbajtjes së zgjedhjeve, duke u bërë kështu misioni i parë diplomatik amerikan që vizitonte Shqipërinë, që prej vitit 1946. Zgjedhjet e 31 marsit, 1991 u konsideruan si hapi i parë drejt liberalizimit politik dhe ekonomik të Shqipërisë, si dhe drejt hapjes së vendit ndaj botës, por edhe si mundësia për vendosjen e një procesi të demokratizimit të jetës në vend, pas izolimit komunist të vet-imponuar, prej pothuaj 50-vjetësh të vendit.

E kujtoj këtë histori, ndoshta në një përpjekje të pasuksesshme, për të venë në dukje se problemet aktuale politike në përgjithësi dhe reforma e procesit të zgjedhjeve në veçanti, i kanë rrënjët pikërisht tek zgjedhjet e para pluraliste post-komuniste në Shqipëri dhe se nuk ndryshojnë shumë nga ajo kohë. Ashtu si edhe gjatë 28-viteve të fundit post-komunizëm, procesi i zgjedhjeve të para “pluraliste” në Shqipëri në mars të vitit 1991, nuk ishte as i lirë dhe as i ndershëm. Në atë kohë, Partia e Punës gëzonte një monopol absolut mbi mjetet e komunikimit dhe median, ndërkohë që partitë e opozitës ankoheshin se nuk kishin pasur kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur për zgjedhjet, pasi nuk kishin as mjetet dhe as përvojën e nevojshme për t’u përballur me Partinë e Punës që i kishte rrënjët thellë në shoqërinë shqiptare. Në të vërtetë, nga vizitat që bënim tek qendra e Partisë Demokratike dhe tek ajo e Partisë Republikane – që ishin dy partitë kryesore të opozitës – në Tiranë si edhe në zyrat e tyre në rrethe, shihej konfuzioni i tyre, për të mos thënë se mbizotëronte një kaos i vërtetë, falë mungesës së përvojës për të organizuar një fushatë, sidomos kundër një partie që kishte kontrolluar dhe penetruar çdo aspekt të jetës së shqiptarëve, për pothuaj një gjysmë shekulli.

Ndryshe nga monitoruesit evropianë, 3 delegacionet monitoruese amerikane – përfshirë atë të Departamentit Amerikan të Shtetit – refuzuan t’i cilësonin zgjedhjet e para “pluraliste” në Shqipëri, si të drejta e të lira. Një prej tyre, Instituti Kombëtar Republikan ka thënë në raportin e tij se, “Fushata e zgjedhjeve në Shqipëri nuk mund të karakterizohej as si e drejtë dhe as e lirë”. Delegacioni tjetër amerikan monitorues, ishte Komisioni Amerikan i Helsinkit. Departamenti Amerikan i Shtetit, nëpërmjet zëdhënëses Margareth Tutwiler në atë kohë, me një deklaratë më 3 prill, 1991, informonte median amerikane se, “Duke u bazuar në raportet e monitoruesve amerikanë dhe ndërkombëtarë, duket se procesi elektoral kishte mangësi serioze në disa fusha me rëndësi të standardeve të OSBE-së, për zgjedhje të drejta dhe të lira”. Ish-Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, duke iu referuar Shqipërisë si një vend pa përvojë demokratike, kishte theksuar me atë rast se, “Tani është në dorë të të gjithë elementëve të shoqërisë shqiptare për të mbështetur që sistemi i ri pluralist të funksionojë në mënyrë efektive”, duke thënë se: “Partia e shumicës duhet të respektojë plotësisht të drejtat e partive më të vogla”. Ajo kishte përfunduar deklaratën e saj duke ofruar angazhimin e Shteteve të Bashkuara se Washingtoni, “Do të mbështeste vendosmërisht parimet e demokracisë në Shqipëri, si edhe ata që veprojnë për të ndërtuar demokracinë dhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut”, ishte deklarata e para 28 vjetëve e zëdhënëses së Departamentit Amerikan të Shtetit, pas zgjedhjeve të para pluraliste në Shqipëri, më 31 mars 1991.

Reforma zgjedhore vazhdon të jetë një problem kyç i politikës shqiptare. Tiranë.

15 prill, 2019, Zëvendës Ndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer në një intervistë me një grup gazetarësh të rinj, sipas portalit të ambasadës amerikane në Tiranë, tha këto mbi procesin dhe mundësinë e reformave zgjedhore në Shqipëri:

“Nëse ka një mundësi për dialog me qeverinë mbi reformat zgjedhore, mendoj se ata duhet ta ndjekin këtë mundësi. Reformat zgjedhore janë të rëndësishme në Shqipëri, jo si një mjet për të tejkaluar “krizën” aktuale apo ngërçin aktual, por sepse janë të rëndësishme për demokracinë shqiptare. OSBE-ja ka përcaktuar një sërë synimesh dhe objektivash për atë proces reformash, do të jetë e rëndësishme për aspiratat evropiane të Shqipërisë që reformat zgjedhore të përfundohen”, ka deklaruar zyrtari i lartë amerikan, gjatë vizitës së tij në Tiranë dy ditë më parë.

Është pra i njëjti mesazh sot nga Washingtoni, si ai 28-vjet më parë, për një proces të drejtë e të lirë zgjedhjesh në Shqipëri ashtu siç ishte edhe thirrja e Shteteve të Bashkuara me rastin e zgjedhjeve të para “pluraliste” të vitit 1991, “Për zgjedhje të drejta e të lira” dhe që “Partia e shumicës duhet të respektojë plotësisht të drejtat e partive më të vogla”. Shtetet e Bashkuara, si atëherë ashtu edhe sot, kanë shprehur vazhdimisht mbështetjen e fuqishme për parimet e vërteta të demokracisë në Shqipëri dhe ata të cilët me të vërtetë punojnë seriozisht për të vendosur lirinë dhe demokracinë e vërtetë dhe respektimin e të drejtave të njeriut për të gjithë. Ashtu si edhe atëherë edhe sot është në dorë të të gjithë sektorëve të shoqërisë shqiptare – por mbi të gjitha të klasës politike shqiptare – që të japin ndihmesën e tyre për krijimin e një sistemi efektiv dhe me të vërtetë funksional dhe pluralist, i cili do të garantojë njëherë e mirë mbajtjen e zgjedhjeve të drejta e të lira, bazuar në standardet ndërkombëtare.

Në vitin 1991, Partia e Punës doli në zgjedhje me grupe dhe organizata që ishin të krijuara prej saj, si Fronti Demokratik, Lidhja e Grave, Lidhja e Sindikatave, Komiteti Kombëtar i Veteranëve, Bashkimi i Rinisë dhe Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Së bashku me këto grupe, Partia e Punës në ato zgjedhje siguroi 162 vende në Kuvendin prej 250 vendesh, ndërkohë që Partia Demokratike fitoi vetëm 65 vende në parlamentin e asaj kohe. Sot, përflitet se Kryeministri Rama ka në mend të shkojë në zgjedhje me “parti të reja të opozitës”, pas djegies së mandateve të Partisë Demokratike. Shpresojmë që “partitë e reja të opozitës”, të mos jenë si Fronti Demokratik i zgjedhjeve të para “pluraliste”, të vitit 1991.

Thonë se sa më shumë të ndryshojnë gjërat, aq më shumë mbeten të njëjta, në themel. Por në të vërtetë ka një ndryshim: Shqiptarët e vitit 1991 kishin shpresë për një jetë më të mirë pas shembjes së Murit të Berlinit. Nuk jam i sigurt, nëse kjo shpresë, për një të ardhme më të mire, vazhdon të jetë e tillë sot. Shpresat e mia për ndryshime themelore në trojet shqiptare, fatkeqësisht, sa vijnë e veniten me kalimin e viteve, jo vetëm për reformën zgjedhore por në përgjithësi. Por ajo shpresë që mbetet ende për një FILLIM TË RI, “se pas dimrit vjen një verë…” vazhdon të jetë me shqiptarët e një brezi tjetër të lodhur, e të cilët presin për 28 vjet për një jetë më të mirë për veten dhe familjet e tyre, pra, me ata, “Të arratisur, syrgjynosur, rraskapitur dhe katosur”, të cilët, “Po vajtonj pa funt, pa shpresë”, duke kënduar së bashku me Nolin:

…Se mileti po gatitet,
Se tirani lebetitet,
Se pëlcet, kërcet furtuna,
Fryhet Vjosa, derdhet Buna,
Skuqet Semani dhe Drini,
Dridhet beu dhe zengjini,
Se pas vdekjes ndriti jeta
Dhe kudo gjëmon trumbeta.
Ngrehuni dhe bjeruni,
Korrini dhe shtypini,
Katundar’ e punëtorë,
Që nga Shkodra gjer në Vlorë!


Ky ilaç e ky kushtrim
më bën djal’ e më bën trim,
më jep forc’ e më jep shpresë,
anës Elbë-s, anës Spree-së.


Se pas dimrit vjen një verë,
që do kthehemi njëherë,
pranë vatrës, pranë punës,
Anës Vjosës, anës Bunës
. (“Anës Lumenjve”, nga Fan Noli)

*Autori ka qenë anëtar i delegacionit të parë të Departamentit Amerikan të Shtetit në Shqipëri dhe monitorues i zgjedhjeve të para “pluraliste” në atë vend, në Mars/Prill 1991.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli

Teki Gjonzeneli- martir i persekutimeve komuniste ne Shqiperi

April 10, 2019 by dgreca

Nga Sami REPISHTI/ish i burgosun politik ne Shqiperine komuniste (1946-56)

Me keqardhje te madhe mesova lajmin e vdekjes se mikut tim, tani te ndjere, Teki Gjonzeneli, nga Vlora.

Zonjes Filanda, djelmeve dhe vajzave te tij, dhe te gjithe te dashtuneve e familjareve, ngushellimet e mia ma te thella per humbjen e njeriut te tyne.

Une kam njohe te ndjerin Teki vetem ketu ne Amerike Por ne Shqiperi, babaj i tij, i ndjrei Muhamet Gjonzeneli ka kalue se bashku me mue shume vite burgimi te rande, dhe ka perballue fatkeqsine e vuejtjeve te pameritueme me guxim dhe dinjitet shembullor. Djali i tij Tekiu ka qene i brumosun me kete fryme patriotike dhe te vendosun ne sherbim te atdheut shqiptar dhe demokacise.

    Ne burgjet komuniste kam njohe edhe xhaxhajn e tij Profesor Bego Gjonzeneli, qe une kam portretizue ne lobrin tim Pika Loti, dhe kam quejte mesuesi i im. Te dy keto burra vlonjate kane qene shembull per te gjithe. Guximi i tyne nuk kishte kufi. 

    Mbas viti 1949, kur diversantet e pare zbriten ne token shqiptare per organizimin e nji rezistence te armatosun kunder qeverise kriminale te Enver Hoxhes e Mehmet Shehut, Profesor Gjonzeneli me shume shoke, atehere ne burgun e Vlores, ia doli me sukses me marre kontakt me boten e jashteme me ndihmen e nji polici shkodran qe sherbeu si korrier. Kjo “lidhje” u zbulue. Ish te burgosunit Prof. Gjonzeneli, studenti i Medrezese Hamdi Gjoni, dhe te tjere u moren perseri ne Sigurim, u torturuen dhe u denuen me vfekje mba pak ditesh.

Ne ate kohe une ka qene ne kampin e punes se detyrueshme te Vloçishtit dhe kam perjetue dhimbjen e madhe te humbjes se tyne. Ish koleget e burgut te Vlores u tronditen shume. Åta kishin humbe disa nga udheheqsit e rezistences anti-komuniste dhe humbja e tyne ishte e pazevendsueshme.

   Une ia kam  spjegue te njerit Teki kete faze persekutimi ne Shqiperi, dhe te dy se bashku kemi vajtue fatin e keq qe na solli kaq tragjedi. Sot vajtojme Tekiun, akoma ne moshe te pjekun por jo i plakun. Shpesh here bisedojshim ne telefon dhe shqyrtojshim zhvillimet e ngjarjeve ne Shqiperine post-komuniste, dhe dilshim te shgenjyeme rande nga ky zhvilim. Ideali i nji Shqiperie te lire, te pavarun, etnike, demokratike dhe europiane nuk u plotesue, die shpresa per nji zhvillim ma fatlum, u zbeh deri ne ate pike sa me na detyrue me perqafue pesimizmin.

Sot kujtoj me dhimbje kete shok vuejtjesh nga nji famailje e persektueme rande dhe shpreh ngushellimet e mia per te gjithe ata qe e njohen dhe e deshen Tekiun qe na la sot. Nuk do te harroj asnji here te ndjerin dhe  familjaret e tij. 

   I perjeteshem qofte kujtimi i tij. Pushofte ne paqen qe aq shume e meriton!

   Sami Repishti, ish i burgosun politik ne Shqiperine komuniste (1946-56)

Filed Under: Komente Tagged With: Teki Gjonzeneli

VATRANËT E DETROITIT DHE TORONTOS VIZITUAN VATRËN

April 10, 2019 by dgreca

Vatranët e Detroitit sërish sakrifikuan dhe udhëtuan nga Detroiti në Nju Jork, për të qenë pjesë aktive e Veprimtarive kushtuar 110 vjetorit të Gazetës DIELLI. Ata udhëtuan më shumë se 20 orë ardhje-kthim me makinë, dhe ashtu si gjithë këto vite nuk i munguan Vatrës, as me prezencë e as me aktivitet dhe donacione. Mondi Rakaj, Alfons Grishaj, Valentin Lumaj, Pal Rakaj, para se të merrnin rrugën e kthimit për në Detroit,të Dielën me 7 Prill, erdhën në Bronks dhe vizituan Vatrën, ku u pritën nga Kryetari i Vatrës Dritan Mishto, editorët e Diellit Dalip Greca dhe Rafaela Prifti si dhe nga menaxheri i përgjithshëm për veprimtaritë Kulturore Frederik Ndoci.

I pranishëm në veprimtaritë e 110 vjetorit të DIELLIT ishte edhë kryetari i degës së VATRËS në Toronto-Kanada, Tony Sufaj, i cili dhuroi $2,000.00 për fushatën e DIELLIT. Falenderime!

Tony për të parën herë vizitoi selinë e Vatrës dhe provoi emocione të vecanta duke prekur për së afërmi historinë e VATRËS dhe të DIELLIT.

Faleminderit vatranë për sakrificat dhe përkushtimin ndaj VATRËS dhe DIELLIT!

*Me shume foto shihni ne fb Gazeta Dielli

Filed Under: Emigracion Tagged With: Vatranet e Detroitit

PËRMORTJE PER TEKI GJONZENELIN

April 10, 2019 by dgreca

Nga Dr. Prenjo Imeraj/

Teki Gjonzeneli kaloi një jetë të stuhishme dhe cilësore. Me gen nga nje familie fisnike dhe vitale-Gjonzenelaj, ai punoi me ndershmeri, krijoi familie dinjitoze duke u lidhur në martesë me një vajze nga dera fisnike e Agajve te Smokthinës, Finlanda Agaj, duk sjellë në jetë tre fëmijëjë: Interën e pa fat, Monikën dhe Fatmirin. Vetëm prej origjinës nacionaliste të rrethit te tij familiar dhe Finlandës, provoi familiarisht morsën e egër komuniste, duke hequr mbi kurriz: diskriminimin klasor, diferencimin shoqëror, mohimin e shkollimit per krejt familien dhe vëllezërinë, internimin dhe burgun gjithashtu tok me te atin Muamet dhe vëllezërit Memisha dhe Murat Gjonzeneli. Vëllai i tyre, më i madhi, duke parashikuar gjithëçka për të ardhmen e tij te zymtë, sakrifikoi jetën, duke “çarë” me not kanalin e Korfuzit dhe përfundoi në SHBA, ku ndoqi shkollën ne City College të NYorkut për Elektronikë, ku talenti i tij mori përpjesëtime të mëdha, duke arritur majat e karierës shkencore dhe administrative. Paradoksin më të madh familia e Teki Gjonzenelit, do e provonte pas arratisjes se Qamilit. Familiarisht e internuan në fshatin e tij të lindjes, prej të cilit ai ishte larguar fëmijë i moshës parashkollore. Jo pa qëllim e transferuan atje, pasi Tragjasi njihej dhe trajtohej si fshat “komunist”, por edhe atje kishte mbetur akoma fisnikëri për ta ndihmuar moralisht Tekiun. Ishin në pritje të fëmijës së tyre të parë, kur operativi i sigurimit që e shoqëronte, I tregoi ca mbeturina muresh, ku dikur kishte qenë stallë lopësh.

-Po kjo është e zbuluar, mori guximin e foli Tekiu…

-Mbulojeni me kashtë, se gjendet kudo, u a ktheu operative dhe u largua. Teki Gjonzeneli nuk mund ta duronte vuajtjen e bashkëshortes në muajt e fundit të shtatzanisë. Pasi e mbuloi kasollen me kashtë, për të mos u lagur nga shiu, iu drejtua kryetarit të Këshillit Popullor të fshatit:

-Ju lutem, caktomëni një vend ku të ndërtoj një dhomë dhe kryetari ia ktheu aty për aty, pasi me zi po e priste:

-Atje lart, tek ai shkëmbi atje lart, në atë kreshtën në drejtim të malit. Tekiu falënderoi sinqerisht kryetarin dhe iu fut punës qysh atë ditë, për grumbullimin e materialeve. Çudia ndodhi shpejt. Brenda dy muajve, pa ardhur akoma “palca” e dimrit tok me vëllanë e tij më të vogël, por i kudogjendur Memishaun, ngritën një vilë një katëshe, që çuditërisht me qëllim apo rastësisht doli me çati të mbuluar me tjegulla në formën e pesëkëndëshit. Gojët e këqia filluan të flasin se na kanë sjellë në fshat “pentagonin”. Por Tekiu e kishte gadi përgjigjen: Une “nuk e di” se ç’është pentagoni, por forma lidhe me formën e shkëmbit, hajdeni dhe shikojeni. Sigurisht në organizatën e partisë dhe këshillin popullor kishte edhe njerëz te ndershem e fisnikë si: Brahim Dalani, Abil Laçe, Abas Ormeni, Faik Bejo e të tjerë, që e penguan prishjen e ‘pentagonit’ të Tekiut. Kulmi ishte kur Finlanda solli në jetë vajzën e parë, të cën Tekua e rregjistroi me emrin Intera, për ti kujtuar internimin absurd. Kur e pyetën në gjendjen civile se ç’është ky emër: ai përgjigjet në çast: “Në nderim të intenacionalizmit proletar”! Në vitet 90 të shekullit të kaluar, me fillimin e zhvillimeve demokratike, të tre vëllezërit Gjonzeneli, familiarisht u larguan drejt SHBA-ve ku priti krahëhapur vëllai I tyre Qamili. Prej dy dytësh Tekiu, nuk është midis nesh. Ai u nda nga jeta duke bërë edhe vdekjen dinjitoze: refuzoi kimoterapinë, radioterapinë, mjekimet dhe ushqimet, duke shpejtuar aktin e pashmangshëm jetësor të vdekjes. I paharrua kujtimi! L’e ti prehet shpirti në paqe, dheu i Amerikës i lehtë, të rrojnë të gjithë ata që ka lënë prapa!

Filed Under: Komunitet Tagged With: Teki Gjonzeneli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • …
  • 30
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT