• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2019

In memoriam, në 30-vjetorin e kalimit në amshim

April 3, 2019 by dgreca

Sekretari i fundit i Abacisë së Mirditës, themeluesi i kishës së parë katolike shqiptare në SHBA (New York) mons. dr. Zef Oroshi (1912-1989) /

Nga Klajd Kapinova /

Po kush ishte imzot Zef Oroshi, që për një kohë të shkurtë, u bë një nga personalitet më të shquar të diasporës shqiptare në Europë e ShBA?

Oroshi, është ish qendra e Mirditës, që ka gdhendur faqe të ndritura në historinë e popullit shqiptar.

Ajo, për shkak të pozicionit të saj gjeografik, në qendër të maleve kreshnike të Veriut, duke u njohur me traditat e saj si një krahinë katolike, ka qenë ndër shekuj një kështjellë e fortë e shqiptarizmës, një epiqendër e fuqishme e tërmetit kundërosman për shekuj me radhë.

Ata që bënë historinë e Mirditës ndër shekuj, ishin kapedanët ose Dera e famshme shtatë shekullore e Gjonmarkagjonit dhe abatët, veçanërisht imzot Preng Doçi, ku, pasardhësit e të cilit jetojnë ende në afërsi të Rubikut.

Ai u shkollua në Shkodër dhe Itali. Shërbeu si misionar për shumë vjet në Kanada dhe Kalkuta (Indi). Më pas ringriti Abacinë e Oroshit. Ishte njeri, ndër figurat kryesore, që bëri shumë për të zhvilluar Mirditën dhe vendosur rregull në jetën e malësorëve të asaj ane.

Abati i shquar, kishte shpesh tendenca të forta pavarësie nga otomanizmi de-shqiptarizues. Ishte njeriu, që kishte ngritur një platformë të kjartë me bosht të theksuar politik, për krijimin e një Principate në Mirditë, duke u përpjekur, për ta vënë atë në jetë.

Për më tepër, krahina në fjalë, është qeverisur gjithmonë me dinjitet, në bazë të kanunit të maleve dhe për kohën e mungesës së shtetit dhe të drejtës (ligjeve ose kushtetutës) së shkruar.

Kanuni i Lek Dukagjinit (i mbledhur dhe kodifikuar më vonë nga atë Shtjefen Gjeçovi O.F.M. (1874-1929), ishte një nevojë e domosdoshme, për të drejtuar jetën e bashkësisë nëpër Malësi të Veriut, në të cilën, ka zënë vend në histori Mirdita, me qendrën e saj të hershme Oroshin.

Mbiemri Oroshi, që prelati mbarti me dinjitet edhe në SHBA, lajmëron sipas regjistrave të kishës, se ai kishte lindur më 24 nëntor 1912, në Tokën e Kathedraleve (deri në shek. XIX numëronte 200 kisha), limanin vigan të kryengritjeve për flamurin e lirë, që ishte e mbeti Mirdita.

15 vjet më pas, i riu Jozef Oroshi, gjendet në auditoret e Seminarit Papnor në Shkodër. Librat, me sa duket ishin dhe mbetën pasioni i tij i vetëm. Përkushtimi i përshpirtshëm ndaj fesë e shërbesave fetare, ishte një traditë e hershme e trashëguar nga të parët e familjes Oroshi.

Mësimet fillestare Zefi i vogël, i mbaroi në vendlindje, ndërsa mësimet e mesme i nis në vitin 1927, në seminarin e mirënjohur të Jezuitve në Shkodër.

I etur për dije të thella e kulturë të pasur civilizuese dhe kristiane Perëndimore, vijon studimet e larta më 1936-1940, në degën admiruese të Teologjisë e Filozofisë në Romë (Itali) pranë Universitetit të Urbino-s në Propaganda Fide, sëbashku me 14 djem të tjerë të rinj shqiptarë asokohe. Mprehtësia dhe zgjuarësia, ishin të ngjizur thellë në mendjen e begatë të të riut.

Kardinali italian Shkëlqësia e Tij mons. Fumasson Biondi, Prefekt i Propoganda Fide, e shuguron, duke i dhuruar petkat dhe koletin e meshtarit.

Buzëqeshja e sinqertë dhe fisnike, lexohej lehtë në fytyrën e meshtarit të ri, që hynte me ndërgjegje dhe dëshirë të plotë në vreshtën e madhe të Zotit. Fjala e Zotit, është fjala e popullit.

Meshtari, gjatë gjithë jetës së tij, u gjend afër popullit të vet, në ditë të mira dhe të vështira, si një ushtar besnik i Krishtit.

Ai ndau me besimtarët gëzimet dhe hidhërimet e një jetë të vështirë plot tallaze në emigracion.

Abati i Mirditës dhe Delegati (Regent) Apostolik (kur është dëbuar nga qeveria komuniste e Tiranës imzot Leone Nigris Delegat Apostolik në Shqipëri deri më 5 maj 1945, shënimi im K.K.) imzot Frano P. Gjini (1886-1948) e kishte don Zef Oroshin meshtar të ri në moshë dhe njëkohsisht sekretar të tij të përkushtuar, brenda famullive që administronte shpirtërisht (kishat sufragane).

“Edhe në jëtën baritore, ai s’ka pushue kurr pa përfitue nga përvoja kur ka pasë shembuj të shkëlqyeshëm.

Prej 1940-1942, p.sh. shërbeu si sekretar i Abatit të Mirditës n’Orosh, Imzot Frano Gjinit, të cilin e admironte për drejtimet e këshillat qi epte, për elokuencën e tij bindëse e për pervujtininë e dinjitetin fetar e kombtar qi e praronte.

Si në dhomen e pritjes dhe zyren e Abatit, ashtu edhe në zyren e sekretarit të tij, Dom Zefi, kishte varë pikturat e patriotit në za, Abat Preng Doçit.

Nji ditë i vjen nji mik prej Shkodre Imzot Gjinit, dhe kur ve re se titullari i avacis nuk kishte asnji pikturë, i kthehet Dom Zefit, tue e prozhmue: “Po si more Dom Zef, s’ia paskeni gjetë nji pikturë edhe Monsinjor Gjinit!?”

Per te mos e ngushtue priftin e ri, Monsinjor Gjini, i pergjigjet me të shpejtë: “Kur të vdes un, në qoftëse e meritoj, do t’ma venë pikturën krah për krah me Abat Doçin; përndryshe do të mbajnë vetëm t’Atijën. Si dihet Monsinjor Gjini, u ba martir e dha shum ma tepër se Abati i “surgjenum” për mase 20 vjet.” (1)

Mbas 12 vjetëve (1940-1952), pasojë e përndjekjeve të sigurimit dhe martirizimeve të vëllezërve në Krishtin, në kohën e ateizmit të gjirokastritit Enver Hoxha, mbasi thotë meshën e pagëzon një fëmijë të porsalindur, hoqi shpejt veladonin dhe mori udhën e arratisjes nëpër male, duke iu bashkuar forcave të rezistencës kundërkomuniste.

Kryqin, që kishte në qaf nuk e la në Kishë, por e mori me vete, për t’ia prirë të mbaren në udhëkryqet e botës.

E Zoti e deshti dhe e ndihmoi shumë. Ai ndihmoi në momentet më të vështira me qindra emigrantëve, duke u dhënë ndihmë papushim, në të gjitha drejtimet, deri sa kaloi në jetën e pasosun…

Për 8-9 muaj, qëndron mes maleve, në shpella, shi e borë, me bukë e pabukë, i veshur keq në dimër, duke provuar mundimet e Krishtit, që salvohet nga të pafetë.

Në ditën e Pashkëve 1952, për 15 trimat e lirisë, mes maleve të Mirditës (pyjet e Molungut), thotë meshën në orët e para të mëngjesit, ku, Zoti i dëgjon lutjet, duke e shpëtuar e udhëhequr drejt tokës së lirë…

Në gusht 1952, ai gjendet në tokat etnike shqiptare në Dardani për 3 muaj, duke kaluar e qëndruar për pak kohë në Gjakovë, Pejë, Mitrovicë dhe shkon në Beograd.

Dera e Gjomarkajve të atdhelindjes së vet, falë mikpritjes, zemërgjerësisë, bujarisë tradicionale, i dërgon garanci, për të shkuar në Itali.

Ishte viti 1953, kur ai gjendet sërisht para ëndrrës rinore. Tashmë 41-vjeçari Oroshi, po e prekte realitetin dhe shijonte atë liri, që prej kohësh e kishte bluar në mendje e dëshiruar me zemër.

Sërisht me libra dhe pranë tyre, ndjehej i gëzuar dhe krenar si bir arbëror. Më të mbërritur në Romë, fillon përpjekjet e takimet me klerikë, për të vijuar studimet e larta në Teologji.

Këtë dëshirë zemre e përkushtimi, për dituritë, shumë vite më parë, ia kishte shprehur ish-eprorit të lartë abatit ipeshkëv imzot Frano Gjinit.

Dhe Zoti e ndihmoi, për t’i hapur me bujari portat e dijës universale, mbasi kishte ndjekur nga afër kalvarin e vuajtjeve, për të ardhur deri tek Portat e Piazza di San Pietro në Itali.

Paralel me studimet e larta, i kërkoj Selisë së Shenjtë, që t’i miratoj kërkesën (dekretin), për të qenë kapelan katolik (bari misionar), për bashkëatdhetarët mërgimtar politik, që gjendeshin në Romë.

Një pjesë e grigjës së tij, kishin shprehur dëshirën, për të emigruar në ShBA, ku, imzot Oroshi i ndihmon, falë bujarisë të gjithë pa dallim feje.

Sikurse kujtojnë miqtë e tij prelati, ka ndihmuar me bujari një hoxhë shqiptar, për të ardhur i qetë në Tokën e Bekuar të Amerikës.

Me bindje të plotë tek e ardhmja, menjëherë iu përvesh punës dhe filloj veprimtarinë intelektuale e baritore, duke u marrë pikësëpari me shqipërimin e librave të rëndësishme, me të cilat, do të përhapte fjalën Hyjnore të Krishtit dhe ruajtjen e gjuhës së bukur amtare, shqipen.

Por në Tokën e Bekuar të Botës së Re, një tjetër prelat katolik, kishte qenë përpara imzot Zef Oroshit. Ai ishte bashkëvendasi e atdhetari i flaktë, abati i Mirditës e rilindasi i madh imzot Preng Doçi.

Kjo kishte ndodhur, në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Ai, meqenëse e kishte të ndaluar të kthehej në Shqipëri nga Perandoria Osmane asokohe (mbas 11 vjet burg, që kaloi në qelitë e ftohta të osmanllinjve), imzot Preng Doçi (duke e marrë miratimin nga Selia e Shenjtë), u nis për mision në Amerikën e Veriut në vitin 1877. Ishte ky shqiptari i parë mirditor, që shkeli kontinentin e ri, si misionar klerik katolik.

Dy mirditas Doçi e Oroshi, në kohë të ndryshme, bëhen tribunë e mendimit përparimtar shqiptar, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në ndihmë të besimtarëve dhe popullit shqiptar i ndodhur njeri mbas tjetrit në dy robëri: otomane barbare dhe diktaturën komuniste.

Studiuesi dr. Pjetër Pepa, saktëson: “Natyrisht, kleri katolik, që kishte qenë historikisht urë lidhjeje mes Shqipërisë dhe Europës, që kishte kulturën perëndimore, kishte miq në Perëndim e bashkëpunonte me Perendimin, sa herë e lypte çështja kombëtare dhe fatet e atdheut, ishte gjithnjë kundër orientalizmit dhe e luftoi atë, me të menduarin, mënyrën e jetesës, administratën e veprimtarinë shoqërore e prapë, gjithsesi ishte në epiqendër.”(2)

Falë pasionit e vullnetit të hekurt, për t’u marrë me libra dhe studime, që kërkonin shumë mund dhe kohë në përkthime, dr. Oroshi, përfundoi shqipërimin e librave: Katekizmi (1953), Ungjilli simbas Mateut (1953), Studimet e Bioshme (1953), duke mos lënë mbas dore studimin e leksioneve të disiplinave të universitetit në vitin e parë akademik (1953-1954).

Po më 1960, përkthen dhe boton Visarthin Shpirtnuer, një lloj katekizmi doracak, për familjarët emigrantë shqiptarë katolik.

Dashuria e respekti, për shkrimtarët e shkollës së traditës geg veriorë, që kishin vulosur me erudicionin e përkushtimin e tyre, u bënë objekt i studimeve të tij.

Për të qenë më konkret, ai zgjodhi shkrimtarin e shquar dhe prozatorin modern prof. Ernest Koliqin dhe kontributin e tij shumëplanësh, në fushën e letërsisë bashkëkohore shqipe.

Një punim të plotë dhe dinjitoz: si vepër monumentale, kushtuar shkrimtarit Koliqi (numër special), ai e botoi të plotë, në revistën autoritative, shkencore, kulturore Shejzat (1975), në përkujtim të mikut të tij të madh.

Në Universitetin e famshëm të Romës Angelicum (1958), vijon studimet e vitit të pestë në degën adhuruese të teologjisë, që ndryshe njihet si disiplina ose gjimnasitika e trurit.

Këtu merr si subjekt, për të trajtuar gjerësisht e filozofikisht 20 teza në shkencën e Teologjisë, duke e mbrojtur (në vitin 1960) me sukses temën: “Një reformator i madh i Kishës irlandeze të shekullit XII”, për gradën shkencore Doktor.(3)

Në komisionin e Këshillit Shkencor Vlerësues të Universitetit, bënin pjesë figura të shquara të kulturës, që punonin si lektorë në Universitetet e ndryshme italiane.

Ekipi prej pesë profesorëve të njohur italianë dhe një nga Universiteti i Oxford-it në Angli, e dëgjonte me vëmendje dhe interesim shpiegimin e tezave, sipas një këndvështrimi dhe studimi të hollësishëm, që kleriku shqiptar, i kishte bërë punimit voluminoz shkencor të disertacionit shumëplanësh filozofik, teologjik, të cilin, e përshkonte një bosht i ngjeshur enciklopedik.

Kjo u duk dhe në literaturën e përzgjedhur shoqëruese, që autori i palodhur e këmngulës kishte renditur në fund të temës shkencor hulumtuese.



Kujtimet e hidhura nuk i fshihen…


Ai përpiqej, t’a largonte vemendjen nga ngjarje plot të papritura, që i kishin ndodhur në Shqipëri. Por sërisht, kujtime të një kohë të hidhur, që s’harrohen e ngacmonin, për të gjykuar sesi ka mundësi, që shqiptari komunist urren për vdekje bashkëatdhetarin atdhedashës dhe idealist.

Jemi në vitet e inkuizicionit të zjarrtë komunist, ku, proletarët, ishin gati të grinin në morsën e tyre cilindo, që nuk mendonte, ushqehej e këndonte vallen sllavo-ruse proletare kundërshqiptare…

Kështu, krimineli me nofkën sadisti i pamëshirshëm, i quajturi famkeqi Hodo Habibi (i vetëquajtur si Toger Baba), me urdhër të treshës: Rita Markos, Mehmet Shehut e Enver Hoxhës, e ndiqte këmba-këmbës don Zefin, për ta vrarë, ashtu sikurse kishin masakruar pa gjyq 101 vetë në Qarkun e Shkodrës sëbashku me Malësi të Madhe (Kelmend), sikurse në Lezhë dhe Mirditë.

Duke lexuar me kujdes, kujtimet plot plagë të imzot dr. Zef Oroshit, shohim se: “… Vetë Mehmet Shehu, pati deklarue, se Dom Zefit ia fali jetën, por në gjyq duhet me dalë. Nji e thanë tjetër, ishte e sigurt: “Sa t’i peshoj trupi i tij aq flori japim për atë që na e fut në kurth gjallë apo vdekun Dom Zefin”… Nga ujqit në qeveri e ujqërit e malit, kjem të detyruem të iknim, sepse të dyja palët turreshin mbas erës së gjakut… Preng Përdoda, po ecte pak përpara dhe u fut në gjirin e nji kepi sa rafti. Sapo vuna kamben e djathtë ndigjova zanin e tij: “O shkova megjith gur.” Menjiherë kapa degën e frashnit e e tërhoqa për xhakete, duke i shpëtue jetën…”(4)

Editorët e botimeve kulturore të kohës, me këmbëngulje i kërkonin eruditit të palodhur dr. Oroshit, artikuj të larmishëm me tematika të ndryshme.

Kjo duket gjatë letërkëmbimeve, që prelati katolik kishte me pendat e spikatura të mendimit elitar shqiptar në emigracion, si: prof. Ernest Koliqin, prof. Karl Gurakuqin, prof. Rexhep Krasniqin, prof. Martin Camaj, atë Daniel Gjeçaj O.F.M…

Kështu, në një letër që prof. Ernest Koliqi, i shkruan nga Roma imzot Oroshit, ndër të tjera nënvizon: “Ju falena nderës për letër. Presim si zogla verës ndoi shkrim t’Uejin. Shndet e punë të mbara.”

Gjithashtu ruajti një korrespondencë të rregullt, me shumë personalitete e njerëz të thjeshtë shqiptare dhe të huaja, ndër të cilët, ishin: Halim Begeja, dr. Henrik Gurashi (1914-1971), Tahir Kërnaja, A. Toto, K.Cakrani, J. Bresa, Gj. Bala, Terence Carinal Cooke D.D., Robert F. Kennedy, Teki Xhindi, Xhevat Kallajxhiu, Abdurrahim Kumbarçe, Gus Gorguze, dr. Hamdi H. Uruçi M.D., Kolec Pikolini, Rrok Maloki, Marash Ndoc Shkreli, Ymer Doda, reverend Baba Rexhepi, Ibrahim Kulla, Tahir Markaj, dr. Lec Zojzi M.D., Giovanni Cardinale Villot, msgr. James J. Murray, Cardinal Antoniutti, imam Salih Myftija, Edward E. Swanstrom, Harvey Rothenberg, veschovo (ipeshkëv) Giuseppe Perniciaro, Thomas F. Henegham, mons. Felice Cenci rettore, atë Andreaw Nargaj, doktor dhe zoja Dibra, Vahit Çika, dr. Andrew E. Elia, John J. Maguire D.D., episkopi Stefan lasku, imam Isa Hoxha, prof. Rexhep Krasniqi, dr. Tajar Zavalani, prof. Mhill Marku, prof. Zef V. Neka, don Prek Ndrevashaj, papas Teodoro Minisci arqimandrit, Lec Shllaku, Nesti Andrea, Roza Baba, dr. Agim Leka M.D., Kolë Preka Cacaj, fr. Emmanuel Kljajiç O.F.M., don Ivan Colakoviç, Preng Gruda, Sami Çaushaj, Isa E.Ndreu, Ndoc Vulaj etj.

Ajo që është interesante, është se ai ka nënshkruar si antar i Urdhërit të shën Françeskut, kur në fakt kishte mbaruar studimet teologjike si klerik jezuit.

Edhe sot komuniteti katolik shqiptar në New York dhe rrethina, meshtarin aktual (një prift dioçezan) të Urdhërit Jezuit don Pjetër A. Popaj, shpesh e thërret si frat.

Malësorët tanë, kanë pasur e ruajnë ende një respekt të veçantë, për antarët e Urdhërit të shën Françeskut, në Veri të Shqipërisë, të cilët, me përkushtimin dhe dashurinë e tyre për popullin, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme, në ndërgjegjën e kombit shqiptar ndër shekuj.

Don Zefi, ka celebruar meshë së pari në kishën sllovene të shën Cirilit në St. Morris Park 8th Street në New York, në kapelen e Universitetit të Fordham-it në Bronx, në shkollën e kishës së Mount Cornel në Bronx, në kishën e St Raymond’s në Costle Hill Avenue në Bronx.

Emigrantët shqiptarë në Amerikë, kishin ardhur nga kampet e refugjatëve të Italisë e Austrisë. Për më tepër, Lidhja Katolike, u formua në një mbledhje të mbajtur në kishën katolike Sllovene të shën Qirilit, në Saint Mark’s Pace, New York.

Në mbledhje, si mysafirë, morën pjesë, mes të tjerëve, prof. Rexhep Krasniqi, Kryetar i Komitetit Shqipnia e Lirë dhe aktivisti i komunitetit Stavri Qiriako nga Bashkësia Orthodokse Shqiptaro Amerikane.

Asokohe Monsinjori, që ishte meshtar i emëruar, për shërbesa fetare në St. Raymond (East Tremont Avenue, Bronx, New York), megjithëse çonte meshë në Kishën amerikane, gjithnjë me shpirt e zemër rrinte pranë komunitetit të vogël katolik shqiptar.

Dhe më 1973, u realizua dëshira e madhe e klerikut të përkushtuar në trinomin Fe Atdhe Përparim, mbas fushatës fondmbledhëse prej bashkëatdhetarëve, në praninë e besimtarëve, u bë më në fund bekimi i kishës së re, mes një atmosfere të madhe gëzimi, me të cilin ishte bashkuar, përmes mesazhit edhe ish Kardinali i New York-ut, i ndjeri, Arqipeshkvi Metropolitan Eminenca e Tij Terence Cooke.

Kisha e re, qendroi për shumë orë e hapur, për vizitorët e shumtë shqiptarë e amerikanë.

Në një nga sallat e bukura të ambienteve të Fordham University, u mbajt programi i rastit dhe u shtrua darka madhështore, përgatitur nga Këshilli dhe Pleqsia e Lidhjes Katolike Shqiptaro Amerikane dhe tre komisione te formuara nga ata.

Ja sesi e përshkruan, Mark K.Shkreli, atmosferën festive të asaj dite gëzimi, për të gjithë bashkëatdhetarët, në faqet e revistës me të njëjtin emër, tek përcjell raportin:

“Saloni, megjithse me 400 vende, kje tepër i vogël, për të pranue të gjithë ata që dëshirojshin të merrshin pjesë në këtë solemnitet. Mbramjen madhështore e zamadhe me praninë e tyne dhe mysafirët e grishun, për ketë rast e nderonin ndër të tjerë (mbasi drejtori i ynë, At Zef Oroshi dhe kryetari i mbramjes z. Fran Sokoli, morën vendet e veta) edhe: Dr. H. Begeja, përqafsues i Ballit Kombëtar, z. Ago Agaj, përfaqësues i B.K.I., Dr. Rexhep Krasniqi, president i K.Sh.L., z. Imam Isa Hoxha i New York-ut, z.Peter Chickos, president i Vatrës, imzot Gustav Schultheoss, Vikar Episkopal i Bronx-it dhe perfaqësues i Eminencës Kardinal Cooke, Arqipeshkëv i New York-ut; Imzot Stefan Lasko, ipeshkëv i Kishës Orthodokse Shqiptare n’U.S.A.; Dr. Anthony Athanas, ish-Kryetar i Vatrës dhe përkrahës i çdo të mire shqiptare; Dr.Çesk Ashta, Kryetar i L.K.Sh.; z. Sami Çaushaj, i Org. Balli Kombëtar; Dr. Arnold, i shkollës Mjeksore “Eistein” Bronx; Dr. Brown, Drejtor i Projekteve Shëndetësore në Fordham Misericordia Hospital; Dr. Athanas Gegaj, editor i gazetës “Diellit”.

N’ora 5 mbas dreke, kryetari i darkës z. Fran Sokoli, shpalli fillimin e programit. Zonjusha shqiptare Lume Juka, këndoi Hymnin Kombëtar amerikan dhe atë shqiptar. Mbasandej lexuene referatet z.  Ndoc Vulaj, n/kryetar i L.K.Sh.A. dhe z. Pashko Deda, antar i të njajtës. Hymnet dhe referatet kjenë të pershëndetuna me duartrokitje të zjarrta.”(5)

Po të shikosh me kujdes fotot e botuar, në koleksionin e revistës Jeta Katolike asokohe, syri dallon menjëherë pamjen arkitektonike të projektuesit, ku, Shtëpia e Zotit, (Kisha), kishte formën e kryqit latin, me kumbonare, me hapësirë mbas lterit, me drita të zbukuruara shumëngjyrëshe, që ndriçojnë fuguret e shenjtorëve dhe afresket e shënjtorëve në pikturë.

Këtu shquhej një ballkon, brenda ambienteve të Kishës dhe në fasadet e saj, janë të vendosur truporet e shën Ndout, shën Nikolla, Nana e Këshillit të Mirë, etj., ndër më të adhuruarit me devocion të besimtarëve të krishterë e jokrishterë.

Bariu nacionalist e dijetari i ndritur i shqiptarëve, la një emër shumë të mirë në fushën e publicistikës e botimeve në gjuhën shqipe.

Ishte ai, që shqipëroi librin Katër Ungjijt dhe Punët e Apostujve (Romë, 1960, 1979), në gjuhën e ëmbël gegë, aq të nevojshëm për shqiptarët.

Pjesë nga materialet e para të shqipëruara prej Ungjillit, nisin të botohen për herë të parë, në revistën e komunitetit katolik Jeta Katholike Shqiptare (1966-1978), në numërat e para të saj, por pa nënshkrimin e vet.

Kjo rubrikë, vijoi rregullisht, në shumë numëra të së përkohshmes, për pesë vite me radhë.

 Monsinjori ishte tepër enërgjik, në kryerjen me saktësi deri në fund të çdo detyre, që merrte përsipër. Don Zefi, me modestinë tipike malësore, ishte një bibliotekë, që ecte me dy këmbë, sikurse shpreheshin të gjithë ato që e njihnin nga afër, “një enciklopedi vërtetë e gjallë”.

Ai nuk dinte të shterronte kurrë, për dijet akademike dhe bashkëkohore fetare dhe kulturore shqiptare që zotëronte. Për nga kultura e pasur dhe e gjerë, ai kishte përherë në zotërim, një thellësi e pastërti mendimi logjik.

Mbas Koncilit II Vatikanas (1967), mesha e shenjtë, u caktua me dekret papal asokohe të mbahet jo në gjuhën tradicionale latine, por në gjuhën respektive të çdo populli, që ushtron besimin katolik.

Eshtë bërë traditë në çdo shtet, për meshtarët, kur emërohen si barinj shpirtëror në shtete të ndryshme të botës, duhet të flasin gjuhën e popujve që u shërbejnë me sakramente e çojnë meshën në kishë.

Në këtë mënyrë, kuptohet e përjetohet më kjartë domethënia e doktrinës së krishterë.

Mbas 40 viteve (2007), papa Benedikti XVI, ka shprehur orientimin (sërisht me dekret papal), për t’u kthyer tek tradita e hershme kristiane.

Tashmë mesha, po mbahet në gjuhën e hershme tradicionale latine, për të qenë më pranë kohës së hershme, kur krishterimi u bë si fe zyrtare në botë.

Shprehja me fjalë të zgjedhura e mbresëlënëse, erudicioni dhe edukata e thellë ekumenike e imzot Oroshit, ishin ftesa e së dielës edhe për shqiptarët e besimeve të tjera, shumë prej të cilëve shkonin për të dëgjuar predikimin (homelinë) në kishë.

Si njeri me kapacitet human, si mjek i mirë me ilaçet e Krishtit, shëron shumë plagë ndër shqiptarë, mërgimtarë të infektuar nga dhuna e ushtruar nga rregjimet e njëjta totalitare.(6)

Dr. Oroshi, edhe gjatë meshëve në kishat amerikane, bëri apel, për të drejtën e popullit për liri civile, besimi, për të cilën vuante shpirtërisht e punoi me devocion me miqtë amerikanë e aktivistë të palodhur bashkëatdhetarë kudo nëpër botë, për lirinë e fesë në Shqipëri.

Projektues e aktivisti i flaktë, mbetet si frymëzuesi i bashkëatdhetarëve në organizimin e disa tubimeve kundërkomuniste dhe liri besimi në Shqipëri, para Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UN) në Manhattan New York.

Respekt e mirënjohje për mësuesin Mjeda

Imzoti e adhuronte shumë mësuesin e paharruar klerikun, poetin dhe njeriun e shquar të përmasave botërore don Ndre Mjeden (1866-1937).

Oroshi, shpesh jetonte e vepronte, nën shembullin e edukatorit të zellshëm e frytdhënës pranë Seminarit Papnor në Shkodër (1843-1946, 1991).

Për të gjithë shqiptarët asokohe, Ishte një ndër njohësit dhe propaganduesi më i shkëlqyer i jetës dhe veprës së poetit të dashtur Mjeda.

Ai, e përkujtoi me respekt të madh mësuesin e tij, në shenjë mirënjohje e nderimi në New York, duke organizuar përkujtimin, në 40-vjetorin e vdekjes.

Mjedja e nxënësi i shkollës e adhurues i tij, kleriku emigrant imzot Oroshi, kishte miqësi me klerikët shqiptarë të besimeve fetare.

Don Ndre Mjeda e prifti Oroshi, ishin për dialogun ekumenik me ortodoksët, besimin islam, bektashit, protestantët e fetë e tjera.

Ai, kishte bërë shpesh takime me Kryepeshkopin Hirësinë e Tij imzot dr. Fan Stilian Nolin në Boston.

Për frymën e shëndosh në takimet ekumenike (midis kishave të krishtera), sikurse mësojmë nga studiuesi i rrymës shkencore të mjedjaologjisë prof. dr. Mentor Quku(7), “…autoriteti i Mjedës, në këtë drejtim ishte absolut. Personaliteti i poetit, shihej si njeriu më i përshtatshëm në të gjitha rastet kur lindëte nevoja për dialog.”(8)

Në mesin e shekullit XX, me rizgjimin e lëvizjeve për bashkimin e besimtarëve të krishterë në botë, filluan të thyhen shumë barriera e pengesa përmes ekumenizmit.

Kështu papa Pali (Paul) VI (1963-1978) e Patriarku i Konstantinopojës Atenagora I (1886-1972) me origjinë arvanitas, që jetojnë në Greqi, në takimin e tyre në vitin 1964 në Tokën e Shenjtë, u munduan t’i afrojnë zemrat e të krishterëve të ndarë (shkizma) në vitin 1054.

Diskutimet e gjata, të dy barinjve të grigjës shqiptare në emigracion, gjenin gjithnjë frymën e ngrohtë të mirëkuptimit e respektin e ndërsjelltë. Ata kishin menduar kohë të gjatë, për rikthimin dialogut ndërfetar (ekumenik), që kishin bërë pararendësit prelatë, për të afruar e më mbas bashkuar kishën e ritit oksidental (catholic roman) dhe oriental (orthodox east), si një vlerë e re shpirtërore e bashkësisë arbërore në ShBA.

Me sa duket, përvojën e kishte mësuar nga eruditi i gjërë e i thellë poliedrik i poetit don Ndre Mjedja shumë vite më parë. Fëmijëria dhe rinia asokohe, kanë qenë një bllok shënimesh në kujtesën e freskët të klerikut dr. Oroshi.

Në revistën 3 mujore të përkohshme të komunitetit katolik shqiptar në New York, ai do të shkruaj artikullin me titull: “Dom Ndre Mjedja me rastin e 40-vjetores së vdekjes”(9)

Ashtu sikurse për don Mjedjen e madh dhe bariun në emigracion imzot dr. Oroshin, “… feja dhe atdheu janë dy nocione, të cilat, nuk ishin në raporte përjashtuese me njeri tjetrin. Në çdo rast kudo dhe kurdo kishte vend për të gjithë… Devocioni fetar është brenda vetëdijës së Mjedës sëbashku me atdhetarizmin e flaktë. Ata nuk mund të përjashtonin njeri-tjetrin, sepse ashtu ishin dimensionuar; ata flinin bashkë brenda Mjedës”(10)

Kishte raste, që nga misionet e pambarim imzot Oroshi, gjente pak kohë të lirë, për t’u prerë në qetësi, vetmi e cila, i pushtonte mallin për atdhelindjen. Meditacionin e thellë si ushtrim shpirtëror e bënte dy javë në vit.

Vetmia e tij, ishte një adhurim i përshtatshëm mbushur me lutje, për një kontakt më imtim me Zotin.

Ai shpesh i mbushte sytë me lot dhimbjeje e malli të pashuar, për atdhelindjen Oroshin, familjen e shpërndarë në kampet e vështira të internimeve komuniste.

Gjatë shëtitjeve të lira në park, që miku i afërt Tomë Mrijaj, ka bërë me kumbarën e katër fëmijëve të tij (Ardiana, Nikolla, Elizabeta dhe Donika, shënimi im K.K.), kleriku i nderuar dhe respektuar imzot dr. Zef Oroshi, vijueshmërisht, bënte biseda të lira për Oroshin, përsekutimin e klerit katolik në Shqipëri.

Një ditë, kujton studiuesi dhe publicist Tomë Mrijaj, disa vite para se meshtari të ndahej nga kjo jetë, ku, jetonte me shumë priftërinj të tjerë të moshuar, që kishin dalë në pension në Cardinal Spellman High School në Bronx, New York, thotë se, ai më thirri në telefon.

Dr. Oroshi, gjatë bisedës telefonike, i thotë mikut të vet: “Tomë, a keni mundësi të vini pak tek unë!?” Bashkëbiseduesi i përgjigjet prelatit, se në çdo kohë, jam i gatshëm të vi tek ju. Gjatë rrugës, duke udhëtuar me makinë Toma, mendonte, se don Zefi, duhet të jetë shumë i sëmurë.

Aktivisti i kishës katolike shqiptare Zoja e Shkodrës dhe miku i afërt i meshtarit Tomë Mrijaj, tregon: “Kur hyra brenda shtëpisë, Monsinjori, u ngrit në këmbë, me buzëqeshi gjithë humor, duke thënë: “Pashë në dritare një diell të bukur, që më ngacmoi në shpirt frymëzimin. Menjëherë, më shkoj mendja tek ju, e u telefonova, duke qenë i sigurtë se do të vinit për të shëtit sëbashku me mua.”

Iu përgjigja, se jam gati të shkojmë për shëtitje, ku, të dëshironi ju. Ai dëshironte që të shkonim në brigjet e plazhit Orchard Beach. Atë ditë, në bregdet nuk kishte asnjë vizitor, përveç meje, imzot dr. Zef Oroshit dhe qindra pulëbardha, që fluturonin dhe ecnin të qetë rreth nesh.

Prelati ynë më pyeti: 
“I dashtun Tomë, nëse ia qëlloj a më thua të vërtetën?”

Ai nga sëmundja e rëndë, mendonte se e kishte humbur vetëdijën. Monsinjori, e ngriti dorën e djathtë lart e shtriu drejt ujërave të pambarim të Oqeanit Atlantik dhe me drejtimin nga Jugu më tha: “A i bie të jetë në atë drejtim Shqipnia?”

Unë iu përgjigja menjeherë, se në atë drejtim, që tregoni ju me dorë është Shqipëria. Pashë se mënjeherë i erdhi nga thellësia e shpirtit një buzeqeshje shumë e gëzuar.

U ngrit në këmbë, i çoi duart përpjetë dhe tha fjalët: “E vraft Zoti Enver Hoxhën e at komunizëm të zi, që nuk na la me jetue në vendin tonë. Po ç’ka i bam na priftat, të cilët, u masakruan nga diktatura e tij. Na historikisht, e kena dasht dhe e dona vendin e popullin tonë, të cilit, i kena shërbye përherë me zemër e dashuni.”

Atij i plasi një vaj i madh dënese dhe përshpërti emrat e vëllezërve të tij Prenit, Ndout dhe motrës Luçies, për të cilët, kishte marrë lajme jo të mira, se gjenden të internuar në Gradisht të Lushnjës.

Ju drejtova imzot Zef Oroshit, se ju jeni një personalitet i madh, që po vuani, sikurse kanë vuajtur historikisht njerëzit e shquar të këtij planeti.

Librin tuaj të shqipëruar: “Katër Ungjijt dhe Punët e Apostujve”, e pashë në çdo Kishë gjatë vizitës sëfundit në Kosovë dhe meshtarët më pyesnin për ju. Ai u qetësua disi dhe mbas pak minutash u kthyem me makinë në shtëpinë e tij…”

Mons. Oroshi dhe numëri i parë i revistës Jeta Katholike Katolike (New York, 1966)

“Shekujt e parë letrarë shqiptarë, apo e thënë ndryshe, faza pararendëse e kulturës së shkruar shqipe, dallohet për një prani të gjithëpushtetëshme të autorëve klerikë katolikë… Në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, nga 294 autorë që botuan të paktën një libër, 205 prej tyre ishin pjesëtarë rë komunitetit të krishterë shqiptarë…” – Prof. dr. Stefan Çapaliku. “Krishtërimi ndër shqiptarë”, Tiranë, 1999 f.440-444

Revista fetaro kulturore Jeta Katholike Shqiptare (Albanian Catholic Life) si organ shtypi, që në hyrje përcakton, se është organ i Lidhjes Katholike Shqiptaro Amerikane në New York.

Redaktorët e parë ishin: Dr. Çesk Ashta e Kolë Çuni, ndërsa drejtor përgjegjës Rev. Joseph J. Oroshi, D.D. Adresa e parë e revistës ishte: 261 South Broadway Tarrytown, N.Y., U.S.A.

Më poshtë në faqen e dytë thuhet, se dorëshkrimet dhe nëse nuk botohen nuk kthehen.

Karakterin demokratik dhe lirinë e debatit e shohim në përcaktimin se: “Artikujt me karakter polemik, duhet të nënshkruhen me emen”, një shembull ky për mediat “demokratike” shqiptare të shekullit XXI.

Në ballinë bie në sy dy shtegtarët arbëror, që shoqërojnë me vështrim ikjen në Genazzano (Itali) të fugurës së shenjt të Zojës së Shkodrës, mbas masakrave barbare të pushtuesve turq mbi popullsinë vendase.

Kjo vepër relgjioze dhe artistike njëherësh, gjendet sot në tavanin pranë elterit të kishës katolike Zoja e Shkodrës (1998) në Hartsdale New York.

Revista, në #1, viti I (1966), ka 26 faqe. Bie në sy në gjithë buletinin mungesa e gërmes ë.

Ajo hapet me editorial-in e shkruar nga drejtori përgjegjës imzot dr. Zef Oroshi, me pseudonimin Zodiaku (E më vonë do të përdorë pseudonimin Teologu, Redaksia).

Ai, mbasi bën një përshkrim të shkurtër të përsekutimit të intelektualëve në Shqipëri në vitet e errëta të komunizmit ateist, shton se përballë masakrave elita intelektuale në emigracion përkujton frytet dritëdhënëse të lëmeve të ndryshme të diturisë, duke përshkruar revistat që botoheshin në Shkodër, gjatë kohës që vetë meshtari Oroshi ishte student në shkollën private katolike.

Me një nostalgji të veçantë, kleriku Oroshi, kujton dy pleqtë të veshur me kostume tradicionale vendase, që shëtisnin derë më derë, për të shpërndarë me një krenari e zë të lartë revistat: Hylli i Dritës, L.E.K.A. etj.

Autori Zodiaku, shkruan:

“Natyrisht dhe per kete, megjithse do te dale tremujor dhe pa kurrfare mtese epersijet, na mungojnë mjetet dhe, ne rrethanat e sotshme, deri diku dhe pendat, sepse, secili asht i mbethyem ne tavoline ose fabrike me punen nga e cila nxjerr jetesen e perditshme.

Meshtaret shqiptare, dhe ata qe kane mbete gjalle dhe jetojne ne boten e lire, jane te shkaperderdhun e te lidhun me pune aty ku i ka hjedhe rrethana historike, nen urdhnin e auktoritetevet fetare vendase.

Megjithate, derisa ndjetin e kemi te mire, me te gjitha flijimet personale qe parashifen, kemi uzdaje te plote se disa penda ma prodhueset nder ambjente te e sidomos meshtarevet e te katholikevet kane me na mungue…

Sot per sot Lidhja Katholike Shqiptare Amerikane e New York-ut ka caktue me e qite per nji vjete buletinin.

Nese bamiresija, simpathija dhe penda e intelektualvet do te na perkrahin, u premtojme lexuesavet se grupit t’yne nuk do t’i mungojne vullndesa e flijimevet personale dhe e punes vullnedtare per vijimin e tij.” (f.2)

Artikulli vijues, në faqet 3-5, është shkruar nga Pader Andrew Nargaj, O.F.M., Ph.D., duke i lënë vendin më pas shkrimit redaksional: Rruga e Jone.

Një përkthim interesant, është bërë nga Prof. Martin Camaj, të titulluar: Adhurimi i Tre Dijetareve nga Lindja, ndërsa Kolë Nikoll Bajraktari, përshkruan atmosferën e Krishtlindjeve dhe vijon me poezinë Keshendellat.

Kol Çuni, në shkrimin e parë jep përshkrimin e Presidentit John F. Kennedy: Babe Familjet e Besimtare i Vertete.

Prof. Mhill Marku, paraqitet për lexuesit mërgimtarë me analizën: Gjuha Shqipe ne Amerike dhe më poshtë ka ofruar një poezi nga Pader Gjergj Fishta.

Zef Pashko Deda, trajton marrëdhëniet mes Vatikanit e Washingtonit dhe Papa Pali VI, ndërsa për Gonxhe Bojanxhiun e veprimtarinë e saj në dobi të të varfërve, At dr. Zef Oroshi, u tregon shqiptarëve ne mërgim për bijën e harruar në tokën e të parëve në Shqipëri.

Revista, në #1 të saj, ka kronikën shoqërore, zgjedhjet e reja të Lidhjes Katolike Shqiptare Amerikane, si dhe stafin e shtypit, në të cilën janë emrat: Loro Stajka, Ndue Gj. Markaj, Nikoll Melyshi, Kol Nikoll Bajraktari, Zef Pashko Deda, Tonin Mirakaj, Zef Hasani, Fran Sokoli, Lodovik M. Bajraktari.

Ajo që është më interesantja, është se në revistë janë të shënuar meshët përkujtimore e mesha për deshmorët e Atdheut (pavarësisht se cilit besim i përkasin), duke u quajtur tradicionalisht më vonë si meshë Kombëtare çdo 28 Nëntor, kur është edhe kremtimi i Shpalljes së Pavarësisë.

Revista, falënderoi të gjithë për pagesën e rregullt të antarësisë, me anën e së cilës krijohet mundesia e vijimësisë së saj.

Filed Under: Histori Tagged With: KLAJD KAPINOVA-Monsinjor Oroshi

110 DOLLARË PER 110 VJETORIN E DIELLIT-NDIHMO EDHE TI!

April 3, 2019 by dgreca

-FUSHATA KA NISË SOT DHE PËRFUNDON TË DIELËN NË MBRËMJE!

Z. Ismer Mjeku nga Albanian Yello Pages bëhet nismëtari i një fushate afatshkurtër, që nisi sot ( 3 Prill) dhe vazhdon deri të Dielën në mbrëmje, 7 Prill 2019.

Bashkatdhetarw- Ndihmojeni DIELLIN në mënyrë simbolike, vetëm  110 dollarë, pra 1 Dollar për cdo vit të mbijetuar të gazetës më të vjetër të shqiptarëve. Bashkë do të mbetemi në historinë e Diellit, që sfidon kohën e mbijetesës në shekullin e dytë të pasthemelimit, qw nga 15 Shkurti 1909.

 $110.00 për 110 vjetorin! Bashkatdhetar-NDIHMO EDHE TI!

Z. Ismer Mjeku, sot në mëngjes, pasi i dorëzoi Editorit tw DIELLIT Chekun me $110.00, nisi të postoi në rrjetin e miqëve të tij mesazhe ku bënte thirrje për t’i ardhur në ndihmë Diellit si gazeta e vetme që mbijeton ende dhe që e nisi botimin 110 vite më parë, si gazetë e Rilindjes Kombëtare. Jepni dhe ju ndihmën Tuaj duke i zgjatur Jetën Diellit, si regjistri më i vjetër i jetës së Shqiptarëve në Amerikë.

Cheku- Pay To VATRA

Memo: 110 Vjetori i DIELLIT.

Vatra nuk do t’ua harrojë kontributin e dhënë.

Faleminderit!

Filed Under: Featured Tagged With: $110 Per 110 VJETORIN-DIELLI-Ismer Mjeku

“Dije të Heshtura”…

April 3, 2019 by dgreca


Parathënie për librin e Astrit Lulushit “Dije të Heshtura”…/

Nga Fotaq Andrea/

Mendje kureshtare, me ndjeshmëri të lartë, me pasionin e leximit si domosdoshmëri jetike, me peshë mendimi sintetik dhe fuqi shprehëse, Astrit Lulushi vjen sot me “Dijet e tij të heshtura”, si të çelë një vëllim të dytë të “Pak ndryshe”, libër aq i veçantë në llojin e vet që ai na dhuroi më 2010. Jemi sërish në një “guidë” të re udhëtimi enciklopedik, me larmi të pasur tematike, me gjurmime historike, arkeologjike, artistike, shkencore, gjuhësore, mitologjike, letrare, etj., në fushat e shkencave të sakta dhe të atyre shoqërore. Dhe e gjitha, në kërkim të një emocioni, që Lulushi e rrok fort gjatë lëçitjeve që bën, për ta shfaqur të përpunuar e origjinal, dhe për ta përcjellë e ndarë më tej me lexuesin.    

Edhe në këtë libër, tipar dallues i përmbajtjes së tij është thjeshtësia dhe lehtësia e penës, të shprehurit pa emfazë, pikërisht gjëja më e vështirë dhe më e arrirë në artin e të shkruarit. Janë shkrime me baraspeshë e përkorë, mjaft të shkurtra dhe gjithë kuintesencë, si të kishim të bënim me vizatime à la Matisse apo Cocteau, që me pesë-gjashtë vizime të befta, të shpejta e të kombinuara mjeshtërisht japin thelbin e tablosë me përmbajtje të thellë.

« Dije të heshtura » është një libër që lexohet shpejt, me shkrime fluturake, grimcake, si vetë qelizat e trurit ngarkuar me mendim. Dhe meditim. Po është, nga ana tjetër, edhe një libër që, përtej leximit të thjeshtë, kërkon të studiohet, shijohet, përtypet ngadalë, në heshtje e qetësi për vetë ngarkesën ideore që përmban dhe mesazhin që përcjell.

Dy nocionet e titullit: “Dije” dhe “Heshtje” përmbajnë në vetvete sa modesti, aq edhe urtësi, maturi, pjekuri. Janë dije vërtet të heshtura, të qeta, por edhe që flasin shumë: “Heshtja flet, heshtja ka peshë”, thotë Lulushi, tek ka parasysh fuqinë e perceptimit dhe konsolidimin e mendimit “brenda një lloj lirie që njeriu i jep vetes”. Modestia që shfaq kjo “Heshtje” të kujton madje titullin e librit të tij të parë: “Pak Ndryshe”, ku nocioni “Pak”, gjithnjë brenda modestisë, nënkupton dhe përfshin në vetvete nocionin “Shumë”, sepse vetë libri është “Shumë Ndryshe” nga të tjerët, për vetë përmbajtjen dhe stilin që e karakterizon.

“Dije të heshtura”, me bosht qendror Botën dhe Njeriun, shpalosin krejt fijet lidhëse të këtij dualiteti të fuqishëm sfidues vendosur përballë njëri-tjetrit dhe në marrëdhënie të caktuara historike e evolutive. Janë si në kërkim të nocionit “Liri” brenda misterit “Njeri”, një liri me shumëkuptimësi e frymëmarrje të gjerë, që buron para së gjithash nga “zemra e pacenuar”, siç shprehet autori, “Liri”, si një fjalë e artë njerëzore, apo “Liri, ngjyrë Njeriu” siç e karakterizon André Breton. Rrokja e vetvetes, përkitja e vetvetes, kërkimi i vetvetes, vetërespekti e vetëshprehja si një e drejtë, vetë-kontrolli mbi jetën dhe besimi për një jetë gjithnjë e më të mirë, – janë këto disa nga shprehjet e fuqishme të lirisë në botën e brendshme të njeriut, larg mbylljes e izolimit, larg mendjes së mykur, mendjes-beton a mendjes-bunker. Që këtej dhe krejt energjia vitale që buron nga faqet e këtij libri.

Krejt vëllimi ndjek rendin alfabetik të titujve të shkrimeve, duke u shfaqur si një lloj agenda thématique, që të kujton librin tjetër të Astrit Lulushit Kalendar Historik (2017). Ky ndërtim i veçantë i librit përligj dhe lejon larminë tematike, ngacmon kërshërinë e lexuesit për të bërë “kaptime” apo “kërcime” subjektesh, larg një “çapitjeje monotone të mërzitshme” në vijë lineare. Kalohet kështu me kollajësi nga historikja te shkencorja, nga psikologjikja te recensa dhe ekologjia, nga koha e Aleksandrit të Madh te interneti e facebook-u, nga grimca Higgs, te asimilimi i arvanitasve në ishullin Andros në Greqi, e kështu me radhë te “Cezari” dhe “mutacionet gjenetike” apo “dieta njerëzore”… Me fjalë të tjera,” shkrimet na shfaqen si “universe paralele”, me larushi subjektesh, por që i bashkon forca e stilit, konciziteti i përmbajtjes, ritmi i gjallë, si një lloj tamburimi mendor që shkon nga e befta e së veçantës te e papritura e së panjohurës, te shfaqja e së padukshmes, duke çliruar energji pozitive, meditacion, emocion. Vetëm në “kuadraturën” e germës “B”, të themi, kemi 10 shkrime me subjekte të renditura “arbitrarisht”, por aq bukurisht të pasura në lëndën e tyre ekzotike, me liri tematike. Kemi një lloj “loje kaotike” brenda baraspeshës dhe ndërlidhjes së vet, një lloj “bing-bangu lëndor në shpërthim”, ku çdo “shkrim-grimcë” shfaqet subjekt më vete, qelizë, atom, neuron, që ngre në këmbë tërë “binanë” e germës “B” dhe konkretisht titujt: “Bakteret”, “Barazi shoqërore”, “Bashkëpunim”, “Besim”, “Burokraci”, “Botë”, me njëfarë nënndarjeje, “Botë-njeri”, “Botë paralele”, “Botë universesh”, “Botë pa Aleksandrin”…

Renditur në këtë mënyrë, në lirshmëri të plotë, shkrimet na shfaqen edhe të përplota në vetvete, autotelike, brenda raportesh të caktuara sipas fushave të dijes. Spikat shoqërorja, në marrëdhënien e ngushtë njeri-liri, liri-burokraci, fe-ideologji, ekonomi-politikë-shtet, globalizëm-diversitet, etj. Por dallojnë edhe trajtesa të kategorisë moralizuese (ves-virtyt, “e mirë”, “e keqe”, njerëzore-çnjerëzore, vjedhje-mashtrim-krim, shtypje-varfëri-korrupsion), si dhe refleksione të llojit sociologjik, psikologjik, antropologjik, historik etj. për të shkuar e rrokur me mendim vetë përmasën e pafund hapësirë-kohë të shkencave natyrore, duke çikur madje universe e multiverse të Stephen Hawking, krejt Gjithësinë, me qasje sa shkencore, aq edhe filozofike e praktike. Veçse, fusha e predileksionit të Astrit Lulushit është, prej kohësh, ajo mjekësore, tek shfaq përherë zbulimet e mëdha të kësaj shkence si për t’u bërë atyre jehonë që të dëgjohen nga veshë të vëmendshëm.

Shpesh, duke shfletuar këtë libër me tematikë të gjithanëshme enciklopedike, më vinte ndër mend “Albania” e Faik Konicës e njëqind e kusur vjetëve të shkuara, e njohur, siç dihet, për larmi të pasur tematike, me rubrika të shumta e këshilla praktike, si një manual stërvitor mendor për emancipim shoqëror e ngritje kulturore. Dhe, ashtu si te kjo revistë, në librin “Dije të heshtura” të Astrit Lulushit nuk ka lulka retorike a teprime. Përkundrazi, gjithçka është në vendin e vet, si dije që mbartin refleksione çastësore, tek përcjellin e zbërthejnë citime koncize filozofësh, teoricienësh e akademikësh, që përbëjnë në fakt, burimin lëndor të frymëzimit dhe meditimit. Dhe autorit s’i mbetet veç të lidhë bukur dy-tre realitete njëherësh, me asociim të shpejtë ideor, ku del në pah realiteti, karakteri e mentaliteti shqiptar. E në këtë mes, politika shqiptare, e djeshme dhe e sotme zë vend qendror dhe shfaq anët komplekse të saj, mbi të gjitha dobësitë, paragjykimet, idetë e rrezikshme që ka mbartur e mbart, si shprehje të formave diktatoriale, pas sundimit të një sistemi të ashpër komunist, me dhunë e diktaturë, që njohu populli shqiptar, tek iu “mohua morali dhe natyra njerëzore”, siç shprehet autori.

Pa dashur ta zgjasim më tej këtë hyrje, e të biem, si të themi, “në konflikt” me vetë koncizitetin e shkrimeve të prozës dhe poezisë së autorit (ah! poezia e tij një sumbull vesimi në kopshtin prozaik!), le të themi në mbyllje se Astrit Lulushi, edhe në këtë libër, kërkon e gjurmon historikisht njeriun e progresit, që koha e mirëpret kurdoherë: “Ndoshta, thotë autori, njerëz të mirë nuk ka, dhe dallimi është mes atyre që të keqen ua japin të tjerëve dhe atyre që e mbajnë përbrenda, për vete”. Ja, de facto, “njeriu model” i librit “Dije të heshtura”.

 Fotaq Andrea,

Strasburg

Parathënie për librin e Astrit Lulushit “Dije të Heshtura”

Nga Fotaq Andrea

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi-Fotaq Andrea

Akademiku Bedri Dedja- shkrimtar poliedrik mbarëkombëtar

April 3, 2019 by dgreca

Nga Alfred Papuçiu*
U mbushën pesëmbedhjete vjet që kur Akademiku Bedri Dedja u largua mëngjezin e datës 13 prill 2004, pa e parashikuar dikush ikjen e tij të dhimshme, në moshën 74 vjeçare. 
 Profesor Bedriu lindi në Korçë më 20 Nëntor 1930. Në kujtimet e tij , „ xhaxhi  Bedriu“,  siç e thërrisnim ne , edhe së fundi, tregonte se më 31 mars 1931, kur do të varrosej Mihal Grameno, në Korçë ra një tërmet i fuqishëm. Një nënë maqedonase (shule), një plakë komshije, kishte ardhur dhe e kishte nderur trupin e saj mbi djepin e Bedriut të vogël që t’i shpëtonte jetën nga të rënat e çatisë. Atij gjithmonë i vinte keq që nuk e dinte varrin e asaj  plake zemërmadhe dhe as shtëpinë ku kish lindur që të vinte dy buqeta me lule, një në shtëpi dhe një në varr. Për të jatin kishte dëgjuar se kishte qënë djali më i mënçur dhe më trim i fshatit dhe që vdiq kur i biri ishte vetëm 1 vjeç. Nga kujtimet e së jëmës dhe të shokëve kishte mësuar se ai ishte i guximshëm, patriot dhe lexonte dhe në gjuhë të huaj. Nëna e Bedriut ishte nga një familje e thjeshtë durrsake me prejardhje ulqinake.
Shkollën fillore Bedri Dedja e ndoqi në Shkodër, ndërsa shkollën e mesme e ka kryer në Gjimnazin «16 Shtatori» të qytetit të Durrësit. Më 1949 u dërgua me bursë shteti për studime të larta në Moskë, ku më 1953 e mori diplomën e arsimit të lartë në dy degë paralele: të psikologjisë dhe të pedagogjisë si dhe të letërsisë për fëmijë. Ka punuar dyzet vjet si pedagogë i psikologjisë në shkollat e larta të Republikës së Shqipërisë.
Këto ditë po lexoja disa letra shumë të ngrohta nga të shumtat që ka marrë Akademiku , profesor Bedri Dedja nga Liga Botërore e Shkencave Psikologjike. Aty shprehej dëshira për bashkëpunim nga ana e këtij organizmi me prestigj në botë. Të them të drejtën m’u bë zemra mal që figura të tilla si ai nderojnë Shqipërinë në botë. Shqiptarët gjithmonë kanë patur njerëz të shquar, njeriun e thjeshtë dhe të respektuar botërisht « Nënë Terezën » si shtetase , Skënderbeun, një papë, guvernatorë, perandorë dhe vizirë të mëdhenj. Figurat e ndritura të Kombit tonë që nga Skënderbeu, Nënë Tereza, Fan Noli, Ismail Qemali, Ibrahim Rugova, studjuesit dhe shkrimtarët prof. Eqrem Cabej, prof. Mahir Domi, Lasgush Poradeci, Ismail Kadare,  Dritëro Agolli, Alfred Uçi, prof. Rexhep Qosja e sa e sa figura të tjera janë krenari e kombit tonë. Një i tillë është edhe akademiku Bedri Dedja.  Para disa kohë sh  gazeta zvicerane « Le quotidien Jurassien » e Zvicrës e cilësoi Bedri Deden si personalitet shqiptar me zë.
Prandaj edhe mendova të shkruaj për krijuesin e  « Nëpër varat e jetës », si edhe të sa e sa qindra librave të tij që bëjnë pjesë në fondin e artë të letërsisë shqipe.
Më kujtohen ato ditë nëntori të vitit 1959, kur im atë i paharruar, Tuni Papuçiu, duke patur mbështetjen e shkrimtarit Bedri Dedja, dhe shumë shkrimtarëve dhe piktorëve të tjerë, përfshirë dhe piktorin e shquar Agim Faja, Safo Markon, Petro Markon, Dritëro Agollin, Nasho Jorgaqin, Xhevat Beqaraj e shumë të tjerë, punonte deri natën vonë, me devotshmëri, mbi bocat e revistës “Fatosi” për ta nxjerrë numrin e saj, ditën e festës kombëtare. Akademiku Bedri Dedja, i qëndronte pranë. Një njeri fjalëpakë, ndoshta edhe i lodhur pak nga jeta, i njohur botërisht në fushën e pedagogjisë dhe psikologjisë, i cili megjithë moshën e tij mbi 70 vjeçare nuk rreshti pa shkruar për Kosovën dhe Shqipërinë, edhe nga Nëshateli i Zvicrës, ku vinte herë pas here, për vocërakët dhe rininë shqiptare që ta mbajnë gjallë gjuhën amtare dhe dashurinë për vendin e tyre. Romani i tij që titullohet “Sikuriada, ose Kalamajtë e pallatit tim-3”, i redaktuar në mënyrë të përkryer nga bashkëshortja e tij Pandora Dedja, i drejtohet  siç thote vetë autori “popullit të kalamajve, jo vetëm me ngjarje të vërteta e përralla, por edhe me një program se si ata do ta shndërrojnë e përparojnë atdheun e tyre të dashur, kur të rriten e të bëhen gra e burra, deputetë, ministra e kryeministra, presidentë, prefektë, kryetarë bashkie, drejtorë, inxhinjerë e artistë. Ai përgatiste një roman tjetër për Kriosin, Danjën, Arbrin, Noelin, një roman që e ka zanafillën aty në Nëshatel dhe që gjeti së fundi rrugën e botimit në Kosovë, në sajë të punës së palodhur të bashkëshortes së tij të mirë, të urtë dhe të dashur, Pandorës që i qëndronte gjithmonë afër me këshillat e saj dhe që kujdesej që ai të mos lodhej shumë. Para disa vitesh u botua në Prishtinë nga shtëpia botuese „Faik Konica“, libri i fundit i shkrimtarit Bedri Dedja, „Presidenti i Planetit të Kuq“, i cili është cilësuar nga kritika si “Testamenti letrar e shpirtëror i autorit”. Botimi është special, jo vetëm nga përmbajtja por edhe nga përgatitja për shtyp, bërë me kaq art nga Premtim Hajdari, në Zvicër. Ka 45 ilustrime, punuar nga Piktori i Merituar, Agim Faja dhe çmimi është simbolik, mbasi dëshira e familjarëve është të shpërndahet tek të gjithë fëmijët shqiptarë. „Xhaxhi Bedriu“ e përfundoi veprën e tij të fundit, dy ditë përpara se të vdiste . Ky ishte romani i ri fantastiko- shkencor për fëmijë “Presidenti i Planeti të Kuq”, në të cilin trajton në mënyrë të mrekullueshme të gjitha problemet akute me të cilat ndeshemi sot në botë, në luftë e në paqe. Aty gjejmë edhe bashkëjetesën në Europë, por edhe ç’është në të vërtetë globalizimi. Bota e bukur dhe e pastër e fëmijëve paraqitet me të gjitha karakteristikat e saj të moshës, si edhe mesazhi për ne të gjithë, se brezi i ri është pasuria më e madhe kombëtare, të cilën duhet ta ruajmë e ta kultivojmë, mbasi kjo do të jetë e vetmja pasaportë e jona për të ardhmen e Kombit. 
Në Tiranë para disa vitesh u zhvillua një konferencë përkujtimore për Akademikun Bedri Dedja dhe promovimi i librit të tij të fundit, ku ndër të tjerë e muarrën fjalën Prof. Nuri Abdiu  –   “Bedriu psikolog dhe profesor i i profesorëve”;  Akademik Pajazit Nushi – “ Ndikimi i veprës së Prof. Bedri Dedjes në Kosovë”;  Prof. Hamit Boriçi – “Akademiku Bedri Dedja – Personalitet i shquar i shkencës dhe i kulturës kombëtare shqiptare”dhe Edlira Dedja  “Libri i tij fundit”…
E njoh akademikun dhe profesorin Bedri Dedja qysh prej shumë vitesh. Mbaj mend se kur isha në moshë të vogël më solli si kujtim nga një udhëtim i tij në Moskë, një album me pulla të rralla ruse të shekullit të kaluar dhe të viteve të mëtejme, pasi e dinte se unë isha një filatelist i pasionuar..Një album që e mbaja si gjë të rrallë dhe që u bë shkak që unë të kisha këmbime letrash me filatelistë nga e gjithë bota. Një ditë të marsit 2002, një frymëzim më bëri që t’i them vetes, pas leximit të atyre letrave të Ligës Botërore të Shkencave Psikologjike : ajo që të tregoj çaste të jetës së tij, si dhe të botoj në frëngjisht një pjesë të perlave të tij, si një nga  shkrimtarët më me zë shqiptarë për fëmijë dhe adoleshentë, vepra e të cilit është përkthyer në dhjetra gjuhë të botës. Mbi këtë mundësi nuk i thashë atij asgjë, sepse e dija se ai nuk do të ishte dakord, me modestinë që e ka karakterizuar gjithë jetën e tij. Por nëse botohet ky shkrim i imi, në sajë të dashamirësisë së miqve të mij të mirë dhe të aftë, ai do të më kuptonte edhe po të ishte akoma gjallë se nuk e bëj vetëm për të, por që brezat tanë të ardhëshëm të krenohen me figurat tona të nderuara të Kombit tonë. Prandaj edhe fillova të përkthej dhe të botoj në frëngjisht, fillimisht « Perrallat e Zvicrës », të cilat tashmë lexohen edhe nga vocërakët zviceranë apo shqiptarë. Në dorë kishin edhe botimin e tij për jetën e Pestalozzit, këtij edukatori të shquar zviceran, por Bedriu ynë u largua nga kjo jetë, pa mundur ta përfundojë atë. Prof. Bedri Dedja e kishte gati projektin dhe do ta realizonim shpejt me titull “Pestalozzi dhe Shqipëria”. Unë i kisha premtuar se do ta përktheja në frëngjisht. Libri do të ishte një homazh për pedagogun e dëgjuar zviceran që për vite të tëra mendoi për njerëzit e thjeshtë, për t’i mësuar ata të ndjekin një rrugë të mbarë: atë të dashurisë dhe respektit ndaj njeri tjetrit, ndaj bashkëkombasit dhe të huajit. Ky libër do të ishte një mesazh i miqësisë midis Zvicrës dhe Shqipërisë dhe do të shërbente si një udhërrëfyes për brezat e rinj në Shqipëri, Kosovë e Diasporë që do të mësonin më tepër për jetën dhe ravat e jetës së pedagogut dhe humanistit të shquar zviceran, Pestalozzi.


 E kam bërë të flasë gjatë profesor Bedriun,  vitet kur vinte ne Nëshatel apo Gjenevë,   përpara një gote uji të kristaltë, nga burimet e Zvicrës, sepse e di se miqtë tanë mjekë ja kishin ndaluar që të pijë edhe një gotë të vogël rakie apo një gotë vere. Megjithatë, sëbashku edhe e pinim disi fshehurazi, një gotë të vogël. Mendoja dhe bëja shaka me të se akoma edhe 10-20 vite ka për të na treguar për udhën e tij si « Nëpër ravat e jetës » por më gjerë, të na shkruajë dhe të na japë këshilla pedagogjike dhe të një psikologu që është me emër në psikologjinë botërore. Por vdekja e mori me vete. Megjithëse ai ishte optimist dhe nuk thoshte asnjëherë « e di se çfarë «  më pret », « do të përgatitem » ; përkundrazi pena e tij punonte dhe unë për ta lehtësuar punën e tij i kisha dhënë së fundi një ordinator, në vend të makinës së tij të shkrimit që zhurmonte atje në apartamentin e tij të rrugën e Kavajës. Kaçurelat gjysëm të thunjura i jepnin një pamje tjetër portretit të tij, por që ende i a fshihnin moshën e vërtetë.
Ai ishtë Kryetar i Shoqatës Mbarëshqiptare të Psikologëve, anëtar i Asamblesë së Ligës Botërore të Shkencave Psikologjike. IBC, ose Qendra Ndërkombëtare e Biografive të Kembrixhit, në vëllimin e 1999-2000, në rubrikën « Who Who’s », e ka cilësuar Bedri Deden me tre tituj : si  « shkrimtar dhe autor botëror » si « një nga 2000 shkrimtarët më të shquar të  shekullit të XX-të » dhe « Njeriun e Vitit 1999-2000 ». Është “Qytetar Nderi” i Beratit, laureat i “Cmimit te Republikës”, “Urdherit Naim Frashëri”. Me rastin e 70 Vjetorit të lindjes së tij, ai mori urdhërin « Mjeshtër i Madh i Punës ». Një rrugë në Tiranë mban emrin e Akademikut Bedri Dedja.
Vendimi që mora të shkruaj sot për profesorin Bedri Dedja  nuk ishtë një detyrë e lehtë për mua, sidomos duke pasur parasysh kur ke përpara një personalitet të shquar si ai. Por gjithmonë njerëzit e mëdhenj të çdo kombi qofshin karakterizohen nga thjeshtësia dhe janë tepër komunikues me njerëzit e çdo moshe dhe kategorie shoqërore. Unë kam pasur fatin gjatë jetës sime të kem pranë figura të tilla të shquara të gjuhësisë, profesor Mahir Domi i cili shihte shkrimet e mija të para dhe më ndihmonte me zemërgjerësinë dhe thjeshtësinë që e karakterizonte, si edhe tim atë,  për të ecur në rrugën e gjatë dhe të vështirë të publiçistikës dhe letërsisë. I tillë ishte edhe « xhaxhi » Bedriu për mua që herë pas here shihte shkrimet e mija para se t’i botoja. Ai më dha kurajo gjatë jetës sime, sidomos pas vdekjes së tim eti ; me fjalët e tij të urta të një psikologu e pedagogu të shquar, më shtynte të shkruaja, si një terapi e mirë pas lodhjes së ditës, më dërgonte herë pas here letra, më telefononte apo më vinte dhe i shkoja për vizitë, si edhe para vdekjes së tij, për të botuar në një vëllim refleksionet e mija tek të cilat ai nuk donte të vinte asnjë presje.  Vitin e Ri të fundit, para vdekjes së tij e kaluam sëbashku familjarisht në Nëshatel të Zvicrës ku banon e bija. Aty kishte ardhur dhe i biri, Taulanti deputet dhe të afërm të tjerë. Kujtuam të kaluarën se sa ka bërë ai dhe e shoqja për të ndihmuar nipër e mbesa që të merrnin sidomos rrugën e arti. Lidën, Glejdin, Raqin, Jetën, Marcelën etj.
Në këto shënime të hedhura ndoshta shpejt për prof. Bedri Deden, sjell edhe kujtimin e bukur të një pjesë të miqve të mij që jo vetëm e njihnin personalisht por edhe nëpërmjet « Përrallave të Zvicrës », botim dygjuhësh i « Toenës » që unë pata fatin ta përkthej në frëngjisht për të. Librat e tij ndodhen në duart e vocërakëve shqiptarë në Shqipëri, Zvicër e kudo në botë ku ato janë përkthyer.  Ato do mbeten kujtimi më i mirë që ka lënë shkrimtari i shquar për ta. Në vitin 1998 ai botoi librin “Sekreti i talentit”, në të cilin nuk ka përgjigje të prera, si në formulat matematike të Galuanit (1811-1832). „Ky libër, shprehet Bedri Dedja, pavarësisht se është i imi dhe nuk është e hijshme të lavdërosh veten, ka një të mirë se mund të quhet libri i dyerve dhe dritareve të hapura, nga të cilat mund të dalësh, ose mund të shikosh për ta zgjidhur vetë me forcat e tua se cili është “sekreti” i talentit“.
Akademiku Bedri Dedja më vonë nga 1992-1997 u muarr intensivisht me shkrime politike për çështjen kombëtare shqiptare, kryesisht në disa gazeta të Shqipërisë, por edhe në gazeta të Kosovës, që botohen në Zvicër dhe në gazetën zvicerane “Ekspres”. Më se njëherë, kam patur fatin t’i përkthej në frëngjisht shkrimet e tija tepër domethënëse. Në ditët e fundit të jetës së tij, Akademiku, i ndihmuar si gjithnjë nga  bashkëshortja e tij, Pandora, përgatiti vëllimin me shkrime publicistike e shkencore me dy tituj “Mikroenciklopedi shqiptare” ose “Pedagogjia në Fokus”. Vëllimi përmban një larmi shkrimesh me një spekter të gjerë e dritëpamje të qartë pedagogjike, shkencore, kulturore e shoqërore. Bedri Dedja ka hartuar një numër të madh tekstesh universitare. Ai është autor dhe bashkautor në fushat e psikologjisë, pedagogjisë, historisë së mendimit pedagogjik dhe historisë së arsimit kombëtar. Shkrimtari Dritëro Agolli dhe miku i tij i pandarë, është shprehur për Bedriun ndër të tjera:”…Ne kemi shembuj edhe në letërsinë për fëmijë që tregojnë për gjithanshmërinë e shkrimtarit dhe të kësaj krijimtarie. Kështu Bedri Dedja  nuk është mbyllur vetëm në muret e kësaj letërsie: është edhe studjues, edhe kritik, edhe krijues në fushën më të gjerë letrare. Prandaj edhe romanet e tij për fëmijë kanë kulturë letrare e cilësi artistike” 
Fjalët e mira të miqve dhe të dashamirësve e lumtëronin dhe e mallëngjenin shkrimtarin, duke e nxitur të jepte vepra të reja. Ja si shkruan ai ndër të tjera tek libri me kujtime: “Nëpër ravat e jetës”: “Xhevahiri i vargut të xhevahirtë (siç shprehet Pandora- e shoqja, shënimi im) më tha para disa ditësh se i kishin pëlqyer shumë vjershat e mia për fëmijë të ciklit “Vallja e ditëve tona”, të botuara në “Drita” më 4 qershor 2000, të cilat i kam shkruar në fillim të këtij shekulli. Nuk mund të mos përlotem, pasi jam njeri me ndjenja tani në prag të pleqërisë, kur ai në dedikimin e librit me vjersha “Zogj të kaltër”, më 10 Nëntor 1999, më shkruan: “Profesor Bedri Dedes, që u thinj për të mbetur i pathinjur ardhmëria jonë. Nderim punës sate fort të çmuar dhe themelvënëse, i dashur miku im dhe miku i të gjithë familjeve shqiptare! Me zemër, Xhevahir Spahiu”
“Dhe unë them, shkruan profesor Bedriu, se kam plane të tjera krijuese që i mbështes në aftësitë e mia…Në këtë pasuri të madhe janë vlerësimet dhe inkurajimi i madh i njerëzve, lexuesve dhe krijuesve. Ky inkurajim më është dhënë që në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare nga Aleks Caçi, Luan Qafëzezi, Vedat Kokona e Lirak Dodbiba”
Disa muaj përpara se të ndahej nga jeta, Profesor Bedri Dedja  la për Institutin e Integrimit të Jetimëve të Shqipërisë një program që, me zhvillimin e këtij institucioni të ri, të sfidonte vrazhdësinë e së tashmes ndaj kësaj shtrese të shoqërisë sonë dhe padyshim, për të dhënë frute sa më të shëndetshme për të ardhmen. Siç kujton shkrimtari Ferhat Cakaj, “Bedriu Ynë i bën thirrje shtetit shqiptar, gjithë shoqërisë se kjo “…shtresë duhet të na ngjajë me qerpikët e syve të shoqërisë…” Ky zë, zëri i Profesorit të Madh ngrihet si flakërimë në ditët që kalojmë. Çdo njeri me mëndje të kthjellët duhet të mirëkuptojë e të mbështesë zërin e Profesor Bedriut. Nuk ka integrim në Europë, pa integrimin e kësaj shtrese në jetën e shoqërisë sonë. As që mendohet një e ardhme pa mjegulla e atdheut, pa fëmijët, pa dritën e syve të asaj të ardhmeje”. Programi, ashtu si edhe vetë Instituti i Integrimit, është sfidues ndaj diferencimit të skajshëm shoqëror që u bëhet fëmijëve në përgjithësi e sidomos fëmijëve jetimë në veçanti, ndaj frymës së përjashtimit të shtresave të varfëra e të pambrojtura. Ky program është për shtetin, për institucionet e tij dhe njëkohësisht për të gjithë shoqërinë. Këtu nuk është fjala për shqetësimin ndaj 200 apo 2000 fëmijëve, të 12.000 fëmijëve që janë hedhur në rrugët e Greqisë apo Italisë, mbi të cilët dhembin plagë të rënda si analfabetizmi, injoranca, ngujimi brënda katër mureve, uria, prostitucioni, trafiku i organeve, rritja pa dinjitet, vdekja… Por edhe më gjërë . 
Më poshtë, më lejoni të dashur lexues t’u jap një vlerësim të të paharruarit Bedri Dedja për një poet kosovar, nga kujtimet e tij të shumta dhe me vlerë artistike, ku ai ndër të tjera shprehet: “Mustafë Xhemailin dhe vëllimin e tij poetik «Fusha e plagosur» unë e takova më 1997. Kur e vizitova studion e tij në Bienne, (Zvicër) qytet i bukur buzë liqenit, mbeta i mahnitur. Një bibliotekë shumë e pasur, një videotekë, një ekspozitë pikturash si trilogjia pikturale shqiptare e piktorit tonë të madh Ibrahim Kodrës dhe grafika nga cikli «Pas korrjeve» të grafistit të njohur Hysni Krasniqit etj. Në një hapësirë tjetër një piano dhe një xhubletë e vjetër 100 vjeçe. Studio me një teknikë moderne për punë me literaturë profesionale dhe me një arkivë shumë të pasur për kulturën dhe letërsinë. E, mbi të gjitha, ajo që më bëri përshtypje në këtë studio, ishte aroma e fuqishme e fushës së Kosovës. Më dukej sikur ishte shkëputur një copë nga vendlindja dhe kishte ardhur bashkë me Mustafën dhe familjen e tij, këtu në Zvicër! Ai më tregoi se më kishte njohur më 1967, kur ishte fëmijë dhe kishte lexuar «Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit», botimin e parë në Kosovë. Më tha se atëherë kishte ëndërruar të bëhej një Fatbardh Pikalosh. Por, kur e lexova librin e tij «Fusha e plagosur», unë u binda se Mustafa ia kishte kaluar Fatbardhit tim. Përveç poet solid dhe origjinal, ai tash është edhe një veprimtar i shquar në veprimtaritë kulturore të Komunitetit shqiptar në Zvicër si dhe një profesionalist i shkëlqyer i emisioneve kulturore dhe dokumentarëve teveliziv të Televizionit të Prishtinës”.
Ai vlerëson autorë të suksesëshëm si Ferit Lamaj duke theksuar për të me dashuri:“Është privilegj për letërsinë e sotme shqiptare dhe, sidomos për fëmijë, që i ka ardhur një talent i fuqishëm, Ferit Lamaj. Ta transplantosh realitetin e jetës në art me figura përrallore duhet mjeshtëri e rrallë dhe këtë mjeshtëri fabulisti Lamaj, si një filozof i kohës, e zotëron më së miri”.
Një nga ish studentet  e tij në Institutin e Lartë Pedagogjik të Elbasanit, Kozeta (Këze) Zylo që jeton tashmë në SHBA kujton në një letër dërguar të bijës së profesorit të nderuar: »Unë kam qënë me fat që kam patur një profesor, akademik, shkrimtar nga më të shquarit, ku me punën e tij kolosale, ka bërë emër në fondin e figurave të intelektualëve të shquar në botë. Kurrë, kurrë, nuk do ta harroj Profesorin tim të respektuar në vitin 1975-1977, kur jepte leksione në Universitetin e Elbasanit, i cili në atë kohë kishte ardhur me « dënim » nga lart. Oh, sa e vuante Profesori im atë dënim, e bashkë me të dhe ne studentët e tij, por që ai kurrë nuk e shprehte…edhe pse ne e psikologjisnim në leskionet e tij ! Ai kishte një seriozitet dhe një ndershmëri të rrallë, dhe ne studentët e atij brezi mezi e prisnim orën e tij, sepse elokuenca e tij, dashamirësia e tij, dinte të prekte zemrat e mijëra studentëve që ai mësoi dhe edukoi. Personalisht e kam profesorin më të shtrenjtë, një mik ndër më të mirët, jo vetëm pse na jepte vlerësimin që meritonim, por mësova shumë prej figurës së tij madhore ».
 Këtu në këto rreshta nuk mund të jap të plotë figurën e prof. Bedri Dedes, por do ta bëj së shpejti. Natyrisht, jam i ndërgjegjëshëm se bashkëshortja e tij, Pandora, studjuese e letërsisë, apo fëmijët e tij, ose nipërit dhe mbesat e tij dhe të afërmit, do të thonë, pasi ta lexojnë shkrimin se nuk kam thënë këtë pjesë të personalitetit të tij, ose nuk kam theksuar çaste të forta të jetës së tij dhe se kam harruar gjëra të rëndësishme. Por u premtoj atyre se do bëj gjithçka për të mbajtur shënime, për t’i dëgjuar këtu në Zvicër, në Shqipëri, në Kosovë, në Itali, në Greqi, në Kanada, në Amerikë, kudo që ndodhen.
Gjithashtu, nuk mund të harroj shënimet për Bedri Deden, të Tunit, tim ati të paharruar, që një ditë të vitit 1959 filloi me të botimin e revistës së parë për fëmijët dhe fatosat pas çlirimit « Fatosin ». Ai shkruante me dashuri për shkrimtarin që nuk i vinte ndoresh aspak për punët e shtëpisë apo për të blerë diçka në treg por që e kishte penën e artë, qëndronte mbi libra dhe kudo që shkonte e fliste, fjalët e tij i mbanin të heshtur dhe të menduar ata që e dëgjonin. Kishte një filozofi të veçantë, të një krijuesi brilant që sidomos dha një ndihmesë të madhe për ecjen përpara të letërsisë shqipe për fëmijë. Për dekada të tëra, ajo revistë « Fatosi »u lexua nga çiliminj disa vitesh dhe baballarë dhe gjyshër të moshuar. Dhe gjatë disa dhjetëvjeçarëve, « xhaxhi Bedriu » siç ishim mësuar ta quanim, ka shkruar mrekullira për fëmijët, mijra rrëfenja, poezi, poema, pjesë teatrale,, romane, për të vegjëlit tre vjeçarë dhe të moshuarit 100 vjeçarë. Ai është një nga autorët më me zë në Shqipëri, por edhe jashtë kufinjve shqiptare.
Ai ka shkruar në shumë zhanre të letërsisë dhe me tepër sukses. Shumë nga veprat e tij kanë marrë çmime Republike dhe janë përkthyer në  vende të ndryshme të botës.  Ai ka shkruar rreth gjashtëdhjetë vepra letrare në të gjitha gjinitë. I janë ribotuar gjashtëdhjetë e një herë librat për fëmijë. Mund të përmendim midis të tjerave :  « Përralllat e Zvicrës », « Shkolla e pyllit », « Tregimet e Gjyshe Pastërtores », « Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit », « Si u bënë katër çiliminj biznesmenë », « Patoku në plazh », « Bariu i vogël në mal të thatë », « Përrallat njëmbëdhjetëkatëshe », « Përralla e shpatave të arta », « Kërcënimi i thonjve kozmikë », « « Artan Burizani dhe çeta e tij », romanet e tij « Republika e 1100 çudirave » , « Kalamajtë e Pallatit tim », « Met partizani », « Alarmet e qytetit Sdikuisht », « Kacimisri rreth globit », « Qyteti me tri kështjella », « Nëpër korridoret e thella të Jonit ». Romani i tij « Një udhëtim i
 rrezikshëm » është botuar në shumë gjuhë dhe është në listën e nderit të Organizatës Ndërkombëtare të Letërsisë për Fëmijë. Mjaft prej librave të Prof. Bedri Dedja janë botuar edhe  në SHBA,  në Francë, në Greqi, në Zvicër, në Rumani, në Kinë, në Rusi, e gjetkë nëpër botë.
 Vështrimi i tij i qartë dhe gjallëria e tij prej një psikologu të shquar dhe një pedagogu të pashembullt, kanë qënë një kartë e fortë për prof. Bedri Dedja për të paraqitur në një mënyrë të thjeshtë dhe shumë karakteristike mendimet e tij në librat dhe studimet e shumta për fëmijët dhe të rriturit. « Nëpër ravat e jetës », kujtimet e tij, janë një mesazh optimist për jetën dhe për njerëzit që ai i donte dhe për të cilët nuk rreshti asnjë ditë së shkruari, apo medituari.
 Librat e prof. Bedri Dedes « Letërsia për fëmijë për shkollat pedagogjike », « Traditat dhe problemet e letërsisë shqiptare për fëmijët », « Shkrime për letërsinë për fèmijët », disa qindra artikuj të tij përdoren në shkollat dhe institutet kërkimore dhe janë aktuale. Ai ka përkthyer e botuar tridhjetë vepra të letërsisë klasike botërore dhe ruse për fëmjë, në prozë dhe poezi.
 Përmbledhja « Perrallat e Zvicrës » që është një botim dygjuhësh : shqip dhe frëngjisht, është një pjesë e kujtimeve dhe rrëfenjave që prof. Bedri Dedja ka shkruar për këtë vend të vogël, tërheqës, të njerëzve punëtorë, mikpritës, si Zvicra. Në Zvicër ai ka ardhur herë pas here dhe e ndjente veten të qetë për të shkruar, për të mbajtur konferenca, sidomos për të  rinjtë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe viset, që e kanë zgjedhur këtë vend isi atdheun e tyre të dytë. Ai u nguliste atyre në mendje, me elokuencën e tij të pashembullt, se duhet të respektojnë ligjet dhe zakonet e Zvicrës, si edhe zviceranët respektojnë traditat dhe gjuhën shqipe dhe të popujve të tjerë, duke u dhënë atyre mundësi të mësojnë dhe të flasin në gjuhën e tyre amtare. Bedri Dedja jo më kot shprehej: “Më i lumtur nga të gjithë do të jetë ai popull, i cili më mirë se çdo gjë tjetër do të mësojë fëmijët e vet, do të dijë të pasurojë mendimin dhe t’u japë drejtimin ndjenjave të tyre”. Edlira Dedja, e bija e konsideron këtë thënie një amanet të madh të cilin dëshiron ta çojë më tej.
Prof. Bedri Dedja  ka dhënë mësim pedagogjinë dhe psikologjinë në shumë Universitete dhe institucione kërkimore shqiptare, ka dhënë një ndihmesë për shkollën dhe historikun e saj, për arsimin dhe edukatën, për psikologjinë shoqërore.Ai ka mbajtur konferenca jashtë shtetit, në dy kongrese evropiane të psikologjisë dhe ka qënë ftuar në kongreset e XXIV, XXV, XXVI dhe XXVII botërorë të psikologjisë. Ai kishte marrë letra dhe ftesa për veprimtari shkencore ndërkombëtare nga Danimarka, Irlanda, Suedia, Afrika e Jugut, Kolumbia, Belgjika, Spanja, Kanadaja, Amerika, Meksika, Portugalia, Holanda, Rusia etj, etj. Prof. Bedri Dedes i janë botuar studime të veçanta të karakterit pedagogjik e psikologjik, si dhe vepra letrare në Amerikë, Francë, Zvicër, Greqi, Rumani, Kinë, Rusi e gjetiu. Njëzet e katër vepra pedagogjike, psikologjike dhe histori-pedagogjike mbajnë autorësinë e tij. Është bashkëautor në njëzetë e shtatë vepra të këtyre profileve. Dhe kur e pyesnin miqtë dhe dashamirët e shumtë, ish-studentët e tij : « Si e sheh të ardhmen ? », prof. Bedriu me atë pamjen e tij fisnike përgjigjej : « Të bukur, të trazuar, të hijshme, të trishtuar : është koha e dhimbjeve dhe gëzimeve më të mëdha për rilindjen e Shqipërisë ! »
Dhe ai vazhdon të ecë nëpër rava, me mendimin  dhe këshillat e tij, duke lënë si mesazh besimin se Shqipëria dhe shqiptarët do të ecin në rrugë të mbarë, solidarë, të përkushtuar për kombin dhe brezat e ardhëshëm të një vendi të vogël, por me njerëz punëtorë, fisnikë dhe fqinjë të denjë e të respektuar.
“Xhaxhi” Bedriu iku, por na la pas kujtimin e njeriut të mirë, të urtë, të dashur për fëmijët e tij dhe vocërakët kudo, për njerëzit që e donin dhe i donte në Shqipëri, Kosovë, Toronto, Sunio, Gjenevë, Nëshatel, Nju Xhersi, Fier, Durrës, Berat, Korçë  e kudo.Ai më la kujtimin e bukur te « Rravat e jetës » me botimin e letrave të mija që i kisha dërguar në prill 1978 dhe korrik 1979, me kujtimet e tij për tim atë dhe me shënimin kuptimplotë : «Fredit, Rozës, Gentit dhe Nausikës, një tabllo për jetën tonë, me shumë dashuri ». Më tej vjen firma e tij karakteristike që nuk do ta shoh më të hidhet në letër. (11.06.2001). Vepra poliedrike, shkencore dhe letrare e Bedri Dedes, do të jetojë për brezat e ardhshëm si një vlerë e madhe e kulturës sonë Kombëtare.
Do të dëshironin të ishin sot mes nesh me tufa lulesh në duar dhe të përuleshin para kujtimit të shkrimtarit, publiçistit, pedagogut, profesorit, akademikut Bedri Dedja edhe dhjetëra miq nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Diaspora: ish studentë, mësues e pedagogë, shkrimtarë për fëmijë e të rritur. Secili prej tyre ka se ç’të kujtojë e të tregojë për Bedriun: shokë të fëmijërisë, bashkënxënës të të ndjerit mësues të talentuar gjakovar Ismet Shaqiri në shkollën e lagjes Parrucë të Shkodrës, ku studjoi edhe Bedriu;  bashkëgjimnazistë në qytetin e Durrësit; bashkëstudentë në  Institutin Pedagogjik Shtetëror në Moskë; ish-studentët të profesorit njëzetekatërvjeçar dhe të parit Dekan të Fakultetit Histori-Filologji; ish-kolegë dhe studentë të Institutit të Lartë Pedagogjik në Elbasan, ish-kolegë e bashkëpunëtorë të Profesor Bedrit, zëvendësministër i Arsimit dhe Kulturës, të Prof. Bedriut themelues dhe drejtor i Institutit të Studimeve Pedagogjike, të Bedriut Akademik, njerit prej bashkëthemeluesve të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe i pari sekretar shkencor i saj,  të publicistit  Bedri Dedja, themelues  e drejtues për disa vjetë i gazetës “Mësuesi” dhe i disa revistave për fëmijë… Madhështia e tij duket edhe nga një numër i vogël shkrimesh të tij dhe të bashkëbiseduesve të tij, që do t’u japim më poshtë. Ato janë shumë pak në morinë e 130 veprave dhe qindra e qindra artikujve që ka hartuar Bedri Dedja gjatë viteve… Bedri Dedja gjithashtu ka qenë anëtar i Redaksisë së përgjithshme për hartimin e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar (1985) si dhe bashkëautor dhe redaktor përgjegjës i botimit të Akademisë së Shkencave dhe Ministrisë së Arsimit, Historia e Arsimit dhe e Mendimit Pedagogjik Shqiptar Vol. I (2003)
Në Sen-Gal të Zvicrës u organizua edhe një koncert humanitar nga ana e “Opera pa Kufi”shoqatë  e dëgjuar në Nëshatel, si dhe Kiwanis Suisse-Liechtenstein.


I përjetshëm qoftë kujtimi i Akademikut Bedri Dedja ! 


Gjenevë,  prill 2019


*Autori është diplomuar në Institutin e studimeve të larta europiane në Gjenevë dhe është anëtar bashkëpunëtor i Federatës Ndërkombëtare të Talasemisë TIF

Filed Under: LETERSI Tagged With: Alfred Papuçiu-Bedri Dedja

OFENSIVA MEDIATIKE NDËRKOMBËTARE E KINËS KUNDËR LIRISË SË SHTYPIT NË BOTË

April 3, 2019 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Derdhja e miliarda dollarëve në investime të ndryshme, përfshirë infrastrukturën nga Kina në kontinentin evropian dhe anë e mbanë botës gjatë viteve të fundit, nuk është asgjë e re.  Qeveri dhe media të ndryshme anë e mbanë Evropës dhe këtu në Amerikë kanë folur dhe kanë raportuar për këtë fenomen gjatë viteve të fundit. Por, deri tani është ditur pak në lidhje me një ofensivë tjetër ndërkombëtare kineze – që paralelisht me të parën, me investimet ekonomike pra, anë e mbanë botës, që nepërmjet kontrollimit të medias, ka për qëllim të influencojë Evropën dhe botën, në përfitim të interesave të Kinës. 

Reporterët pa Kufijë ose “Reporters Sans Frontiers” (RSF), është një organizatë ndërkombëtare jo-qeveritare dhe jo fitim-prurëse, me qendër në Paris, mbështetëse e lirisë së fjalës dhe të lirisë së shtypit në përgjithësi, anë e mbanë botës.  Kohët e fundit, kjo organizatë ka botuar një raport me titull: “Përpjekjet e Kinës për një rend të ri mediatik në botë”, në të cilin pasqyrohet politika kineze dhe shpenzimet marramendëse që ka ndërmarrë Pekini në ofensivën e tij, për të influencuar botën me pikpamjet e tij.  

Në raportin prej 50-faqesh të organizatës “Reporters Sans Frontiers” thuhet se gjatë 10-viteve të fundit, Kina ka ndërmarrë përpjekje të mëdha për të vën nën kontrollin e Pekinit atë që cilësohet si një “Rend i ri mediatik botëror”, me qëllim për të parandaluar kritikat e medias botërore ndaj regjimit kinez.  Organizata për mbrojtjen e shtypit dhe të fjalës së lirë me qëndër në Paris e cilëson projektin e Kinës si një, “kërcënim ndaj lirisë së shtypit anë e mbanë botës.”

Kina, sipas indeksit të “Reporters Sans Frontiers” mbi lirinë e shtypit në botë, zë vendin e 176 nga 180 vende që pasqyrohen në atë indeks.  Shqetësimi lind nga fakti se Kina, ndërkohë që ka ndërmarrë këtë ofensivë, konsiderohet njëkohësisht nga organizatat për mbrojtjen e lirisë së shtypit në botë, si vendi që ka burgosur numrin më të madh të gazetarëve.  Sipas RSF, Pekini ka burgosur me dyzina gazetarë dhe “bllogera”, vetëm e vetëm, se kanë botuar lajme dhe informacione të censuruara zyrtarisht nga Partia Komuniste Kineze.  Për më tepër, thuhet në raport, nepërmjet një sistemi shumë të sofistikuar censure dhe propagande, Kina kufizon përhapjen e lajmeve dhe të informaconit për 800-milionë kinezët që aktualisht përdorin internetin, ndërsa një sistem shumë i sofistikuar përgjimi e kontrolli, kufizon edhe më shumë mundësinë e kinezëve për tu informuar lirisht.

Në parathënien e raportit thuhet se “Presidenti i Kinës, Xi Jingping nuk e fsheh faktin se është armik i demokracisë, i vlerave universale, i të drejtave të njeriut dhe i lirisë së shtypit.”  Sipas mendimit të udhëheqsit kinez, thuhet në raport, detyra e gazetarëve është që të përhapin propagandën e Partisë dhe “të lidhen ngusht me udhëheqsinë e Partisë, në mendime, në politikë dhe në veprim.”

                                   

Gjatë fushatës së tij të egër kundër gazetarëve dhe “bllogerëve” kinezë pesë vitet e fundit, Presidenti i Kinës, Xi, sipas organizatës “Reporters Sans Frontiers”, “Ja ka arrijtur të imponojë vizionin e tij totalitar brenda vendit të tij dhe tani po përpiqet që këtë vizion totalitar ta eskportojë përtej kufijve të Kinës.”

Organizata franceze RSF thekson se gjatë dekadës së fundit, Kina ka bërë përpjekje aktive për të vendosur një “rend të ri mediatik botëror”, nën kontrollin e saj, një rend nën të cilin gazetarët nuk janë asgjë tjetër veçse ndihmës të propagandës shtetërore.  Thuhet se pjesë e këtyre përpjekjeve propagandistike janë modernizimi i transmetimeve të saj televizive ndërkombëtare, investimet në media të huaja, blerja masive e reklamave në faqet e mediave ndërkombëtare dhe ftesa që Pekini zyrtar u bën gazetarëve nga mbarë bota për të vizituar Kinën, duke marrë përsipër të gjitha shpenzimet e tyre.  Sipas këtij raporti Kina aktualisht shpenzon 1.3 miliardë euro në vit me qëllim të përhapjes së propagandës së saj anë e mbanë botës.  

Regjimi kinez madje organizon edhe takime ndërkombëtare si një mënyrë tjetër për të promovuar vizionin e tij shtypës ndaj lirisë së fjalës dhe modelit të tij se si duhet të funksionojë media, nënvijohet më tej.   Raporti “Reporters Sans Frontiers” thekson gjithashtu se Kina edhe nepërmjet ambasadave të veta dhe instituteve Konfucius nuk hesiton më që të sulmojë dhe të frikësojë gazetarët me qëllim që të imponojë një “fjalor ideologjikisht korrekt” për të fshehur “kapitujt e errët” të historisë së saj.  Në raport thuhet se ambasadorët kinezë shpesh ankohen se një artikull ose një tjetër në median vendase, “ka lënduar ndjenjat e 1.4 miliard kinezëve”, një ekzagjerim i tepëruar ky, sipas raportit të RSF, pasi 97 % e 800-milionë kinezve që përdorin internetin, nuk mund të lexojnë shtypin e huaj, pikërisht për shkak të censurës së imponuar të regjimit kinez mbi popullin e vet.

Kjo ofensivë kineze kundër lirisë së shtypit dhe të fjalës – e cila sipas raportit të organizatës franceze për mbrojtjen e gazetarëve, RSF – është ende vështirë t’i dihen përmasat e saja – përbën jo vetëm një kërcënim ndaj lirisë së medias, por edhe ndaj demokracive në përgjithësi.  Në raportin në fjalë,  paralajmërohet se nëqoftse vendet demokratike nuk rezistojnë këto masa të Pekinit, atëherë qytetarët kinezë do të humbasin të gjitha shpresat se vendi i tyre do të ketë ndonjëherë liri të shtypit, ndërkohë që stili propagandistik kinez do të konkurojë me gazetarinë e mirëfilltë që njohim ne, që nuk jetojmë në Kinë — duke kërcënuar dhe rrezikuar kështu mundësitë e qytetarëve kudo që të zgjedhin vet fatin e tyre. 

Tani, mund të ketë njerëz që thonë seçfarë të keqe kanë investimet kineze madje edhe fushata e Pekinit kundër lirisë së fjalës dhe në favor të një “rendi të ri botëror të medias” të stilit propagandistik kinez.  Për ata, të cilët nuk vlerësojnë lirinë e medias dhe fjalën e lirë në shoqërinë ku jetojnë, s’ka kurrfarë rëndësie.  Por, për ata që besojnë në lirinë e shtypit dhe të fjalës së lirë unë u them: mos mendoni se këto investime të Kinës kryesisht me qëllim propagandistik, si në fushën ekonomike ashtu edhe në atë mediatike — Pekini po i bën për interesat e Evropës ose të botës, përfshirë Ballkanin Perëndimor.  Jo, e bën për interesat e veta, në dëm të tjerëve dhe aspak me qëllime të mira.  Rreziku nga flirtime të tilla nga udhëheqsit aktualë është se siç kemi venë re gjatë këtyre viteve, modeli i korruptuar autokratik i llojit putinist, erdoganist ose ai i tipit kinez, po bëhen gjithnjë më të pranueshëm, sidomos në radhët e disa udhëheqësve aktualë autokratikë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën. Kjo lojë që po luhet atje, nuk është vetëm çështje parash, investimesh e financash;  madje as influencash, por ka të bëjë me çështje më me rëndësi, siç janë me vlerat njerëzore. Ka të bëjë me vlerat dhe me të drejtat bazë të njeriut, përfshirë lirinë e shtypit dhe lirinë e fjalës — ashtu siç pasqyrohen në Deklaratën Universale mbi të Drejtat e Njeriut.  30-vjet pas shëmbjes së komunizmit zyrtar – lind pyetja se cili është interesi parësor i udhëheqësve të këtyre vendeve: a kanë në mend të ndërtojnë shoqëri me modele ekonomike dhe politike të tipit demokratik perëndimor që funksionojnë në bazë të sundimit të ligjit, apo të përqafojnë modelet korruptive politiko-ekonomike të autokratëve si Putini, Xi ose Erdogan? 

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT