• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2019

Heshtja izolon

May 5, 2019 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI/ S’ka shqiptar, i cili nuk e di a s’ka dëgjuar për tmerret e izolimit të plotë, që fillon me kufizimin e fjalës. Por, afër 30 vjet nga ajo periudhë diktature, dëgjohen zëra nostalgjikë për kthim mbrapa. Me daljen e një brezi të ri që nuk e ka provuar atë kohë, këto zëra do të ndjehen edhe më shpesh. Fjala është për Shqipërinë që nuk gëzon shtyp të lirë.
Kombi mbështetet në diskutimin publik si një nga mjetet e domosdoshme për të arritur zgjidhje korrekte për problemet e mirëqenies sociale. Kufizimi i fjalës e ndërpret këtë diskutim. E gjithë historia njerëzore mëson se përshtatja e marrëdhënieve shoqërore nëpërmjet arsyes është e mundur kur fjala e lirë lejohet. Kur njerëzve u krijohet mundësia të komunikojnë lirshëm mendimet dhe vuajtjet e tyre, të vërteta ose të imagjinuara, pasionet e tyre shpërndahen në ajër, si baruti në sipërfaqe – por të këputur nga tmerret, mendimet punojnë në heshtje, dhe vjen një moment kur shpërthejnë duke shkatërruar gjithçka përpara. Kur arsyeja kundërshtohet me arsye dhe argumenti me argument, çdo qeveri e mirë do të jetë e sigurt. Fjala e lirë është vetë qytetërimi. Madje edhe fjala më kontradiktore, ruan kontaktin – është heshtja që izolon…

Filed Under: ESSE Tagged With: ASTRIT LULUSHI-Heshtja Iluzion

VIKTIMAT E LUFTES NE KOSOVE KERKOJNE DREJTESI

May 5, 2019 by dgreca

VIKTIMAT E LUFTES NE KOSOVE KERKOJNE DREJTESI NE KONGRESIN AMERIKAN NE UASHINGTON

-Pasqyrim i zgjeruar i Seancës Dëgjimore të Komisionit të Punëve të Jashtme/

Nga Rafaela Prifti/

Foto: Qemal ZYLO/

Pas njoftimit të mëhershëm dërguar për Diellin online nga Uashingtoni, po paraqes për lexuesit shkrimin e zgjeruar me pjesë nga dëshmitë e folësve të ftuar në seancë, pyetjet nga anëtarët e Komisionit të Punëve të Jashtme, dhe një përshkrim të atmosferës në sallë. Shkrimi mund të jetë i gjatë por jep të dhëna dhe informacion me interes për disa pika, të cilat mund të përdoren si referencë në studimet e ardhshme. Pas punimeve të seancës, në program kishte vizita te zyrat e deputetëve dhe protestë përpara Ambasadës së Serbisë në Uashington. Për këtë pjesë, sjell përgjigjet nga biseda me anëtarin e Kryesisë së Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, z. Marjan Cubi, të cilit i shpreh mirënjohje.     

Kryetari i Komisionit* të Kongresit Amerikan për Punët e Jashtme, z. Eliot Engel e hapi seancën me një përshkrim të shpejtë të rrethanave globale njëzet vjet më parë. Në atë kohë tri shtete të cilat kishin qenë dikur në kampin komunist, Hungaria, Polonia dhe Republika Ceke u anëtarësuan në aleancën atlantike NATO, Boris Jelcin dha dorëheqjen dhe posti i presidentit të Rusisë kaloi te Vladimir Putin, Marrëveshja e Dejtonit kishte filluar të implementohej, ndërsa në Kosovë kishte nisur fushata e spastrimit etnik të popullsisë shqiptare. Në bazë të raportit të vitit 2017 nga Qendra per Legjislacion Njerëzor, të titulluar “Fshehja e provave të krimeve të kryera gjatë Luftës në Kosovë”, qysh nga viti 2001 janë gjetur 941 trupa të shqiptarëve të Kosovës në katër varre masive në Serbi. Sipas raportit, vendimi për fshehjen e trupave dhe provave të krimit është marr në nivelet më të larta qeveritare qysh në mars 1999. Asnjë person i vetëm nuk është thirrur përpara ndonjë gjykate në Serbi për fshehjen në masë të të vrarëve shqiptarë në varreza masive. Raporti tjetër nga Organizata për të Drejtat Njerëzore tërheq vëmendjen tek një direktivë tjetër e ardhur nga Beogradi, dhunimi si mjet i vazhdimit të luftës në forma të tjera dhe instrumente të spastrimit etnik. Për viktimat e dhunës nuk ka pasur drejtësi, tha z. Engel. Si Amerika, ashtu edhe aleatët evropianë nuk ndërmorën veprime me vend. Madje Amerika dhe BE e detyruan Kosovën të krijonte ‘gjykatën speciale’ për të hetuar rastet e shkeljeve nga forcat e UCK-së. Ndërkohë Departamenti i Shtetit dhe aleatët tanë evropianë nuk kërkuan nga Beogradi që të vinte në zbatim drejtësinë si pjesë e programit të vendit drejt integrimit evropian. Z. Engel tërhoqi vërejtjen tek mandati i Dhomave të Specializuara të cilat deri tani kanë ndjekur penalisht vetëm shqiptarët. Ai tha se Komisioni i Punëve të Jashtme do ta monitorojë nga afër Gjykatën Speciale në mënyrë që të ndjekë ligjërisht të gjithë ata që kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë. Prandaj ka rëndësi që dëshmitë e panelistëve të ftuar këtu të dëgjohen, theksoi z. Engel, dhe prezantoi me radhë folësit.

Përfaqësuesi Republikan i nivelit të lartë i Komisionit, Michael McCaul tha se ndonëse ndërhyrja e NATOS përfundoi agresionin në qershor 1999 por lufta nuk ka përfunduar për një numër të madh të viktimave. Duke shtuar se seanca është jo vetëm mundësi për të dëgjuar dëshmitë por dhe për të kërkuar rrugën e vendosjen së drejtësisë së mohuar. Z. McCaul shtoi se kurajo dhe guximi i tyre i jep zemër edhe të tjerëve të japin dëshmitë e tyre. Në emër të drejtësisë dhe në emër të atyre që e kërkojnë atë, folësit paraqitën dëshmi gojore të detajuara: Ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga foli për statusin e grave të dhunura, Vasfije Krasniqi për mbijetesën prej dhunimeve të kohës së luftës, Ilir Bytyqi për rastin e tri vëllezërve të tij dhe Profesor Paul R. Williams për diskordancën midis mandatave ligjore të instancave ndërkombëtare dhe vendore që kanë mundësuar moszbatimin e drejtësisë deri më sot.

Ish-Presidentja e Kosovës iu drejtua Përfaqësuesve me fjalët, “sot mbaj peshën e mijra jetëve që u sakatuan nga lufta në Kosovë. Ato duan të dëgjohet zëri i tyre dhe kërkojnë drejtësi për krimet e kryera ndaj tyre.”  Në kontekstin e sotëm të përpjekjeve për normalizim të marrëdhënieve me shtetin fqinj dhe ish-agresorin, për të negociuar paqen, tha ajo, del parësore cështja e drejtësisë ndaj krime të luftës dhe krime ndaj njerëzimit të kryera nga forcat e regjimit serb gjatë periudhës së luftës në Kosovë. Është fjala për jetët e civilëve dhe të pafajshmëve, për të mbijetuarit që ende vuajnë pasojat e luftës, për të pagjeturit dhe familjet e tyre. Znj, Jahjaga citoi disa të dhëna nga dokumentet e mbledhura nga Humanitarian Law Center, Kosovo, për periudhën 1998-2000. Sipas dëshmive, numri i civilëve të vrarë arrin 13, 535 prej të cilëve 1,230 fëmijë dhe 1,647 ende të pagjetur, përafësisht 20,000 femra dhe meshkuj shqiptarë kanë përjetuar dhunë seksuale si taktikë lufte, në periudhën mars-prill 1999, në kulmin e fushatës së spastrimit etnik, rreth një milion refugjatë u shpërngulën nga vendi, Gjatë periudhës 1998-1999 kanë ndodhur qindra ekzekutime në masë por vetëm 74 prej tyre janë të dokumentuara. Në shtojcën e dëshmisë së saj, ajo ia dorëzoi Komisonit të dhënat për datat dhe vendet e 74 varreve masive. Në lidhje me Tribunalin Ndërkombëtar për Krimet në ish-Jugosllavi në Hagë, folësja tha se nuk ka arritur të vendosë drejtësinë për viktimat si edhe të krijojë dokumentacion të plotë të akteve kriminale të kryera gjatë kohës së luftës. E njëjta ineficiencë u përcoll nga gjykatat e drejtuara nga OKB-ja në Kosovë të cilat ndonëse kishin mandate për hetime në shkallë të gjerë bënë shumë pak për evidentimin e krimeve, sqaroi znj, Jahjaga.

“Ne që kemi përjetuar luftën, ia dimë më shumë vlerën paqes.” tha folësja e parë e seancës. Por paqja nuk mund të jetë e qëndrueshme nëse autoritet serbe nuk pranojnë përgjegjësitë e regjimit të Milloshevicit për krimet e kryera në Kosovë. Për të ecur drejt pajtimit, Serbët kanë rastin më të mirë të distancohen dhe të tregojnë senuk janë si paraardhësit e tyre. Ndërsa poltika e shmangieve nga tema, fshirjes së dallimit midis agresorit dhe viktimës, ambiciet për ndryshim të kufijve flasin për mungesë interesi për një të ardhme në paqe. Duke marrë si shembull edhe fjalimin e presidentit serb Vucic në Mitrovicën veriore vitin e kaluar, znj. Jahjaga dëshmoi se klasa politike që drejton Serbinë sot po ecën në hapat e regjimit të Milloshevicit. Pasojat e gjuhës së urrejtjes i kemi përjetuar dhe e dimë mirë se ku cojnë, shtoi ajo. Ish-presidentja e Kosovës e përfundoi dëshminë me porosinë “Kosova është e përkushtuar të ndërtojë të ardhme në paqe për vendin dhe rajonin, dhe dëshirojmë që edhe serbët të demonstrojnë të njëjtin përkushtim.”

Profesori i të Drejtës Ligjore dhe Marrëdhënieve Ndërkombetare në degën juridike në Universitetin Amerikan si edhe president dhe bashkëthemelues i Entit të Udhëzimeve dhe Legjislacionit Ndërkombëtar mbajti dëshminë gojore për t’i dhënë fund shkarjes nga përgjegjësia për aktet krimanale gjatë kohës së luftës në Kosovë. Analiza e tij e plotë prej 22 faqe iu dorëzua Komisionit. “Për cdo viktimë duhet të vendoset drejtësia dhe cdo kriminel duhet të përgjigjet për krimet e veta.” tha profesori Williams. Duhet të kemi kujdes nga sllogani se të gjitha palët janë përgjegjëse. Gjatë luftës në Kosovë forcat e angazhuara nga regjimi serb ishin autorë përgjegjës për më shumë se 80 për qind të akteve kriminale. Duke cekur periudhën e pasluftës, folësi tha se mekanizmat hibride të krijuara nga UNMIK-u dhe EULEX-i vepruan në raporte shpërpjesëtimore për zbatimin e drejtësisë. Ai tha se gjykimet për dhunën seksuale gjatë luftës duhet të jenë pjesë e padive për krimet e luftës. Në vitin 2015 komuniteti ndërkombëtar ushtroi presion ndaj Kosovës për krijimin e Dhomave të Reja të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit Specialist me seli në Hagë. Aty pritet të gjykohen vetëm shqiptarët që ishin në radhët e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës. Nëse ky është funksioni i Gjykatës, tha ai, atëherë kjo në thelb i jep amnesti të gjithë autorëve që kryen krime me nxitjen e regjimit serb dhe efektivisht i mbyll derën drejtësisë për qindra mijra viktima në Kosovë, përfshirë 20,000 viktima të dhunimeve seksuale të kohës së luftës. Hendeku i përgjegjësisë për krimet e luftës është krijuar nga bashkësia ndërkombëtare ku hyn edhe Shtetet e Bashkuara, theksoi eksperti ligjor. Profesori Williams e paraqiti dëmin e shkaktuar deri më sot nga miopia e sponsorëve ndërkombëtarë, me këto fjalë: “…ekuivalenca morale e pavërtetë, ngritja e gjykatave të llojit etnik, mohimi i dhënies së drejtësisë për viktimat, dhe kultivimi i padrejtësive etnike, e dobëson legjitimitetin e mekanizmave të sjelljes përpara përgjegjësisë dhe aftësisë së tyre për t’i hapur rrugë pajtimit –cka është thelbësore për një paqe të qëndrueshme.”  Në fund, folësi dha mendime për ta rivendosur integritetin e Dhomave të Specializuara duke sqaruar mandatin e dekretuar nga parlamenti i Kosovës për ndjekjen e krimeve të luftës. Si edhe bashkëpunimin midis Amerikës me qeverinë e Kosovës, për të kërkuar nga Zyra e Prokurorit Specialist t’i jap përparësi hetimit të krimeve të përdhunimeve të lidhura me periudhën e luftës.      

Folësi i tretë i seancës Ilir Bytyqi, shqiptaro-amerikan nga Staten Island, nga Fondacioni i vëllezërve Bytyqi iu drejtua Komisionit me fjalët: Viktimat nuk mund të injorohen. Nëse doni paqen në Ballkan, ne mund të injorohemi.” Ai tha se nuk mund të arrihet marrëveshje afatgjate midis Serbisë dhe Kosovës, pa ngritur cështjen e viktimave. Trupat e tre vëllezërve Bytyqi u gjetën në një varr masiv në një qendër trajnimi në Petrovo Selo në Serbinë lindore. Autoritetet serbe hapën një hetim për rastin në vitin 2002, por deri më tani nuk janë ngritur akuza. Ilir Bytyqi akuzoi autoritet serbe për mbrojtjen e vrasësve. Ai tha përpara Komisionit se Presidenti Aleksandër Vuçiç mbron kriminelët që vranë vëllezërit e tij, të cilët u vranë pasi u arrestuan nga policia serbe në vitin 1999 pas përfundimit të luftës së Kosovës. Në fushatën e tij për drejtësi ai kërkoi nga Kongresi, Bashkimi Evropian, Serbia dhe Kosova që të japin ndihmë për raste të tilla dhe të tjera të mbetura pa përgjigje. Në dëshminë e tij Ilir Bytyqi tha se Rezoluta 32 e paraqitur nga anëtarët e Dhomës së Përfaqësueve dhe të Komisionit për Punë të Jashtme, Lee Zeldin, Kryetari Engel dhe Grace Meng dhe  miratuar nga Kongresi verën e kaluar, pati shumë efekt në Serbi. Dhe për më tepër, folësi mbështeti qëndrimin e shprehur nga Kryetari i Komisionit Engel që Serbia të mos lejohet të hyj në Bashkimin Evropian derisa të jetë në gjendje të provojë se do të sjellë para organeve të drejtësisë kriminelët e luftës dhe ata që janë përgjegjës për fshehjen e krimeve. Z. Bytyqi kërkoi nga autoritetet në Serbi ta ndërrojnë kursin e drejmit të politikës së tyre, ndërsa qeveria e Kosovës të shtojë përpjekjet për të kërkuar drejtësi për viktimat.

Folësja e katërt ishte Vasfije Krasniqi Goodman, një nga gratë e para në Kosovë që ka treguar publikisht se ishte viktimë e përdhunimit gjatë kohës së luftës. Ajo dëshmoi se kur ishte 16 vjeçe u përdhunua nga policia serbe në fshatin e saj në vitin 1999. Më vonë ajo e raportoi rastin në UNMIK dhe EULEX. Ndonëse autori i krimit është identifikuar, kanë kaluar njëzet vjet dhe për mua nuk ka pasur drejtësi, tha znj. Krasniqi. Në fund, ajo iu drejtua anëtarëve përfaqësues të Kogresit Amerikan të veprojnë pa humbur kohë në emër të drejtësisë për viktimat.   

Pasi u paraqitën dëshmitë gojore, seanca vazhdoi me pyetje për folësit.

Kryetari i Komisionit, z. Engel i drejtua znj. Jahjaga me pyetjen: Si mund të ndihmojnë Shtetet e Bashkuara për këtë pikë?

Ajo u përgjigj se për viktimat e luftës nuk ka pasur drejtësi. Nuk ka pasur drejtësi për të dhunuarat gjatë luftës, për të pagjeturit, për të shpërngulurit. Human Rights Watch ka mbledhur dhe paraqitur statistikat për periudhën e konfliktit, por organet e drejtësisë nuk kanë vepruar.

Në përgjigjen e tij Profesori Williams tha se gjykata speciale duhet ta ketë të qartë mandatin nën autoritetin e qeverisë së Kosovës. Administrata e UNMIK-ut nuk ushtroi juridiksionin e vet në bazë të mandatit të dhënë. Qeveria e Kosovës ka kompetenca ligjore të bëjë amandamente/shtojca të statutit. Juridiksioni i dhënë nga një organ i Këshillit Evropian është rast i rrallë i diplomacisë që merr rolin e legjislativit.

Deputetja Karen Bass pyeti se cilat janë veprimet që mund të ndërmarrë qeveria amerikane. Profesori Williams u përgjigj se Departamenti i Shtetit duhet të shqyrtojë krijimin e Tribunaleve hibride me mandate, statute dhe kapacitete të përcaktuara. Dhe vërehet se Shtetet e Bashkuara e kanë dobësuar sferën e veprimeve vitet e fundit.

Deputeti Steve Chabot u interesua për përfundimet e nxjerra nga shembuj të ngjashëm si masakrat në Ruanda, Afrikën e Jugut etj. Profesori Williams theksoi se është me rëndësi të kuptohet natyra e marrëveshjeve të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, ku drejtësia të shihet si pjesë e procesit të paqes. Në Ruanda dhe Kamboxhia ndodhi i ashtuquajturi ‘Katarsi i Viktimave”. Një qasje gjithëpërfshirëse do të kërkonte shtrirjen e mekanizmave eksiztues në gjykata të nivelit lokal.

Deputetja Spanberger komentoi se pas miratimi të ligjit për njohjen e statusit të grave të mbijetuara nga dhuna e luftës, nuk ka pasur numër të madh të tyre që të dalin si rrjedhojë e ligjit. Znj. Jahjaga u përgjigj se statusi ligjor u miratua në shkurt 2018 por duhen vite për të kundërvenë stigmatizimin që ekziston ende në shoqëri që kërkon platformën e duhur.

Kryetari i Komisionit z. Eliot Engel tha se ai vetë e ka pyetur Presidentin Vucic dy here për të zgjidhur rastin e vëllezërve Bytyqi dhe të dyja herët ka marr vetëm premtime dhe asgjë nuk është bërë në përgjigje të kërkesës.

Deputeti Lee Zeldin e mori fjalën dhe tha se përfaqësuesit e të dy partive nuk heqin dorë nga cështja e vëllezërve Bytyqi. Ai tha se nga kjo seancë i dërgon një mesazh të qartë Presidentit Vucic, “Shtetet e Bashkuara kërkojnë drejtësi për viktimat sipas Rezolutës 32. Kjo është pikë që do ta pengoj Serbinë të bëj hapa drejt synimeve të ardhshme.”             

Në fjalën e tij deputeti Brad Sherman tha se përkundër perceptimit të përgjithshëm Shtetet e Bashkuara i përkrahin shtetet me shumicë myslimane sic është rasti I vendeve si Bosnja dhe Kosova. (Lexoje te plote en Diellin e Printuar)

Filed Under: Opinion Tagged With: Rafaela Prifti-Kronika e plote-Viktimat e Luftes-Kosove-Kongres

Administrata Trump miraton ligje të reja të sigurisë në det të hapur…

May 5, 2019 by dgreca

Fire boat response crews battle the blazing remnants of the off shore oil rig Deepwater Horizon April 21. A Coast Guard MH-65C dolphin rescue helicopter and crew document the fire aboard the mobile offshore drilling unit Deepwater Horizon, while searching for survivors April 21. Multiple Coast Guard helicopters, planes and cutters responded to rescue the Deepwater Horizon’s 126 person crew.

Nga Shefqet Kërcelli

Administrata e Trump prezantoi të enjten planin e saj përfundimtar për të permiresuar masat e sigurisë së shpimit në det të hapur, të vendosura nga administrata e Obamës pas fatkeqësisë së naftës BP Deepwater Horizon 2010, në gjirin e Meksikës, bazuar në shqetësimet e ngritura nga disa grupe të interesit mbi rreziqet potenciale për punëtorët dhe mjedisin.

Ndryshimet parashikohen të shpëtojnë drillerë të naftës dhe gazit, me një kosto të paktën 1 miliardë dollarë gjatë 10 viteve, sipas zëdhënëses së Departamentit të Brendshëm.

Departamenti i Brendshëm, komunikoi ligjet e fundit të rishikuara pas ngjarjes në Port Fourchon, port në Luiziana, që nxjerr mbi 90% të prodhimit të naftës, në thellësi të Gjirit të Meksikës.

Vitin e kaluar, Byroja për Sigurinë dhe Agjencia e Mjedisit, propozoi ndryshime në rregullin e kontrollit në det të hapur 2016, i cili kishte nevojë për monitorim në kohë reale të operacioneve dhe certifikimin nga palët e treta të pajisjeve emergjente.

Zoti Scott Angelle, kreu i BSEE, u shpreh në një gazetë të përditshme të Luizianës se, agjencia kishte rishikuar 68 nga 342 dispozitat e ligjet e kontrollit të administratës së zotit Obama dhe ka paraqitur një “Ligj të përmirësuar, më të sigurt, më të zgjuar dhe më ekonomik”. “Ligji i paraqitur sot, përdor një metodë të bazuar në performancën dhe përmbush kërkesat e monitorimit në kohë reale, heq kërkesat dyfishuese të certifikimit që nuk kanë asnjë vlerë, zvogëlon rreziqet e dështimit dhe përmirëson jetëgjatësinë e pritshme të komponentëve parandalues ​​të momenteve kritike”, deklaroi ai.

Gjithashtu ligji i rishikuar, pasqyron ndryshimet e kërkuara nga industria e naftës dhe gazit, që ishin të pakënaqur me ligjet e Administratës Obama, të cilat sipas tyre, impononin ngarkesa financiare duke kufizuar keshtu zhvillimin dhe prodhimin e ardhshëm.

Ndërkohë grupet e mjedisit paralajmëruan se, zbutja e ligjit të kontrollit, ishte e pamatur dhe një shembull tjeter se si administrata Trump po i plotësonte kërkesat e industrisë.

“Administrata Trump po i vë kursimet e industrisë përpara sigurimit vetëm disa javë pas përvjetorit të derdhjes më të keqe të naftës në historinë e SHBA”, tha Diane Hoskins, Drejtore e grupit për ruajtjen e Oqeanit.

“Ne duhet të zbatojmë reforma të reja të sigurisë, jo t’i rikthejmë masat e sigurisë që janë aktualisht në vend”, theksoi ajo.

Tankeri “BP Macondo” shpërtheu në flakë më 20 prill 2010 në kompleksin Deepwater Horizon, një incident tragjik ku vdiqën 11 punëtorë, dhjetra u plagosën, ndërsa kostoja për rehabilitimin e Bregut të Gjelbër shkon në disa miliarda dollarë.

Administrata e Obamës ngriti një grup pune për të shqyrtuar shkaqet e aksidentit, të cilat u përdorën gjerësisht për të formuluar legjislacionin e mbrojtjes së mjedisit detar dhe shmangien e katastrofave të tilla detare.

Senatori Demokratik Tom Carper, demokrati më i lartë në komitetin e mjedisit të Senatit, tha se ligji i ri nënvlehtëson punën e specialistëve që shqyrtuan këtë aksident detar.

“Ai injoron hapur mësimet e mara për një katastrofë të parandalueshme plotësisht. Gjithashtu nuk mer në konsideratë rreziqet e papritura, të cilat janë rezultat i një sistemi të parregullt të kontrollit të këtyre masave në det të hapur, u shpreh ligjvënësi demokrat.

Ndërkohë Instituti Amerikan i Naftës, deklaroi më parë gjatë kësaj jave se, standardet e miratuara nga industria e naftës dhe gazit dhe ligji i përmirësuar do të shtonin sigurinë e cdo aktiviteti nxjerës-transportues të naftës në det të hapur.

“Ky përparim në këtë fushë shkon krah për krah me rishikimet e propozuara për një numër ligjesh në det të hapur, të cilat shtojnë sigurinë në det dhe janë më të mençura dhe më efektive se më parë, është një process në zhvillim, ndersa ne ecim përpara me të sigurtë dhe të përgjegjshëm në veprimtarinë e kompanive në det të hapur”, tha zoti Eric Milito, nënkryetar i API për operacionet në det të hapur.

Burimi: Valerie Volcovici UASHINGTON, 2 maj (Reuters).

Filed Under: Politike Tagged With: Trump-Rregulla te reja-shperthimi

VISAR ZHITI PER MITRUSH KUTELIN

May 4, 2019 by dgreca

Shkrimtari që i tejkalon vdekjet e veta duke lënë një vepër themeltare, të pavdekshme në letrat shqipe…/

-Një rrëfim i pa besueshëm, dramatik për Mitrush Kutelin tonë, nxjerrë nga burgologjia FERRI I ÇARË-/

nga Visar ZHITI/

* * *

– E di ti që e kanë varrosur njëherë të gjallë Kutelin? – më tha A. S., ndërsa pinim kafe. Shqeva sytë, por mendova se mos qe fjala për ndonjë metaforë. Sidoqoftë, jo kaq egër.
– Si?! – klitha.
– E kanë varrosur vërtet, ishte i dënuar në kënetën e…
– Këneta e Koçitas, e ferrit?
– E Vloçishtit. Duhet të ketë qenë viti ’48-49…
Po, po, e dija. Kisha pasur njerëz të mi atje. Edhe Makesen Bungo rrëfen për një shkrimtar të burgosur që e thërret polici dhe e pyet: “Ç’punë bëje ti më parë, ë?” – “Shkruaja libra”, – i përgjigjet i burgosuri. “Ashtu? – ulërin polici. – Pse, Lenini je ti? Vetëm ai shkruante libra”, – dhe e godet në kokë. Mitrush Kuteli nuk lëvizi. As u mënjanua. I plasi gjaku…
– Dëgjo tani, është e tmerrshme, e dëshmon Hamza Tusha nga Elbasani, është gjallë, e ka parë me sytë e vet, ka qenë dhe partizan dhe e burgosën, por i shkonte fjala te komandanti i burgut, Tasi Marko, me vëllanë lart, në Byro. O ky, o njëri nga kapterët, me urdhër të komandantit, s’dihej të cilit komandant, a iu shkrep vetë, se dëshirat e një kapteri të xhindosur ishin barabar me ato të shtetit, thërret pra ai, kapteri, që t’ia sjellin aty, menjëherë, atë shkrimtarin. Të burgosurit punonin si robër për tharjen e asaj kënete, këneta e ferrit, siç the ti. “Shpejt, hapni një gropë, aty në llum, e dua të thellë, – bërtiste kapteri me zë komandanti. – Hë, mbaruat? Shpejt, të dënuar, se… Ja, këtë, këtë shkrimtarin, hidheni brenda, lakuriq!”
Dhe i vërsulen Mitrush Kutelit – s’u pa ç’ishin, roja, të dënuar në shërbim të komandës – ia shkulin rrobat dhe ai, i hutuar, rri në këmbë, drejt, si një Krisht. – Hidheeeeni, në gropë! Mbulojeni shkrimtarrrrin!” – dëgjohet britma e kapterit si një armë. Lopatat hedhin baltë mbi të, kënetë… Sa veta kishin mbuluar ashtu pas punës, në llurbë…
– Kjo është makabre, e papërballueshme edhe ta dëgjosh.
– Po, po. Dëgjo vazhdimin. Hamzait i qaset bashkëqytetari i tij, i burgosur edhe ky, Tahir Çiftja, i përgjërohet që t’i thotë komandantit t’i lejojë që ta hapin varrin – e ç’varr ishte ai? krim, hatá… – thuaji, aman, turp, gjynah, thuaji: a ta shohim, ka vdekur apo jo? Sa duron robi… mbase gënjehet.
Komandanti turfulloi, ç’është kjo… hapeni gropën. Dhe e ashtu bënë. E zbuluan. Nxjerrin atë grumbull balte që pak më parë kishte qenë mish dhe kocka, gjë e gjallë, i burgosur, njeri. Mitrush Kuteli… regëtinte ende… Mbase llumi, uji, lëkura merrte ajër, lakuriq… prilli, ishte muaji prill… Zoti… Grahmat e fundit të baltës.
Mjeku i burgut, ai që të dënuarit e kishin shpëtimtar, engjëll mbrojtës, Dr. Isuf Hysenbegasi, u përkujdes shumë, e solli në jetë. E ngjalli…
U meka. S’po kisha më fjalë.
– E di ç’bënë me gropën? – e kishte vendosur, donte të më lemeriste prapë.
– E mbyllën, – bërtita – çfarë tjetër?!
– Po, po, “por më parë futni këta dy pleqtë”, urdhëruan. S’donin t’u shkonte dëm gropa dhe kapterët 

Filed Under: Politike Tagged With: Visar Zhiti- Ferri i Care- Mitrush Kuteli

Papa, Maqedonisë së Veriut: do të vij për të sjellë farët e vëllazërimit

May 4, 2019 by dgreca

Sot, në Evropë, ndjehet fort nevoja e kulturës së vëllazërimit. Këtë thekson Papa Françesku në videomesazhin drejtuar Maqedonisë së Veriut, të cilën do ta vizitojë më 7 majin e ardhshëm. Vizitë, që ia beson ndërmjetësimit të Shën Nënë Terezës, “Bijë e kësaj toke”.

R. SH. – Vatikan

Përshëndetje, përmes një videomesazhi, për t’u shprehur dashurinë dhe gëzimin njerëzve dhe Kishës të Maqedonisë së Veriut, kur mungojnë vetëm tri ditë nga arritja e tij në Shkup, kryeqytet i vendit. Papa Françesku përmbledh, me pak fjalë, domethënien kryesore të shtegtimit të tij të ardhshëm apostolik në këtë vend, pas dy ditësh, kaluar në Bullgari:

“Sot, më shumë se kurrë, ndjehet nevoja për ta bërë të rritet në Evropë e në mbarë botën, kultura e takimit, kultura e vëllazërimit, e unë do të vij mes jush për t’i mbjellë këto farë, i sigurt se toka juaj është e mirë e do të dijë t’i bëjë të mbijnë e të japin fryte”.

Papa Françesku, më 7 maj, në Shkup. Kishë periferie, e vogël, pot plot gjallëri

Bukuria e tokës suaj – pohon akoma Papa në videomesazh – qëndron në varietetin e kulturave dhe të përkatësive etnike dhe fetare, që jetojnë në të. Për të kujtuar, në vijim, se bashkëjetesa nuk është gjithnjë e lehtë, “ndonëse është lodhje, të cilën ia vlen ta bësh, sepse mozaikët më të bukur janë pikërisht ata, që kanë larmi të madhe ngjyrash”.

Vizitë, nën mbrojtjen e Nënë Terezës

Françesku flet, më pas, për figurën e Shenjtores shqiptare, Nënë Terezës “bijë e tokës suaj”- u kujton maqedonasve. Në Shkup Papa do të vizitojë Memorialin e Rregulltares, ku do të thotë një lutje, në praninë e liderëve të ndryshëm fetarë, për t’u takuar, më pas me të varfërit e Saj. Në videomezazh, Papa thekson se ia beson gjithë vizitën ndërmjetësimit të  Shën Nënë Terezës:

“Nënë Tereza, e lindur dhe e rritur në Shkup, u bë, me hirin e Zotit, misionare guximtare e dashurisë së Krishtit në botë, duke u dhënë ngushëllim e dinjitet më të varfërve ndër të varfër”.

Kështu, ky vlerësim i ri, tejet i lartë për Nënë Terezen, do t’i prijë e do ta përcjellë Papën, gjatë gjithë vizitës, aq të dëshiruar, në atë tokë ku pa dritën së pari Gruaja më e madhe e shekullit XX.

Në përfundim Françesku u kërkon besimtarëve të luten, në përgatitje të arritjes së tij, që vizita, tashmë fare e afërt, të jetë e frytshme, “me paqe e të mira për mbarë popullin e Maqedonisë së Veriut”.

Kortezi: Radio Vatikani- 04 maj 2019, 14:06 -Vidion shiheni ne Radio Vatikani

***

Papa, bullgarëve: do të vij mes jush “nën shenjën e fesë, të bashkimit e të paqes”

Dy ditë para nisjes për udhëtimin e tij të 29-të apostolik në Bullgari e në Maqedoninë e Veriut, nga 5 deri më 7 maj, Papa Françesku përshëndet popullin bullgar me një videomesazh dhe flet për shtegtim “në gjurmët e shën Gjon Palit II” e “në kujtim të shën Gjonit XXIII”.

R.SH. – Vatikan

Shtegtim “nën shenjën e fesë, të bashkimit e të paqes”,  “në gjurmët e shën Gjon Palit II” e “në kujtim të shën Gjonit XXIII”, dy papë që Françesku i kanonizoi së bashku më 27 prill 2014, në praninë e Papës së nderit, Benedikti XVI. Kështu flet Papa Françesku për etapën e parë të udhëtimit të tij të 29-të apostolik, atë bullgare, në një videomesazh për popullin e Bullgarisë, ku do të shkojë më 5 e 6 maj, për të vijuar më 7 maj, me vizitën në Maqedoninë e Veriut.

“Ardhja në Bullgari do të jetë për mua e për bashkëpunëtorët e mi shtegtim nën shenjën e fesë, të bashkimit e të paqes. Vërtet, toka juaj është atdheu i dëshmitarëve të fesë, që nga koha kur shenjtorët vëllezër Cirili dhe Metodi mbollën aty farën e Ungjillit: farë e mirë, që ka sjellë fryte të begata edhe në periudhat e vështira të shekullit të kaluar”.

Evropa me dy mushkëri e shën Gjon Palit II

         Këto fjalë, kujton më tej Papa, “i përsëriste shpesh shën Gjon Pali II”, “i cili punoi aq shumë që Evropa të rizbulonte forcën çliruese të Krishtit e të rifillonte të merrte frymë me të dyja mushkëritë”. Papa Vojtila e pati vizituar i pari Bullgarinë, duke qëndruar në Sofie dhe Plovdiv, nga 23 deri më 26 maj 2002.

         “Në gjurmët e tij, do të kem gëzimin të takohem me Shenjtërinë e Tij Patriarkun dhe me Sinodin e Shenjtë të Kishës Ortodokse Bullgare. Së bashku, do të shprehim vullnetin për ta ndjekur Zotin tonë Jezu Krisht në udhën e bashkimit vëllazëror ndërmjet gjithë të krishterëve”.

Legati apostolik, Angelo Roncalli: “njeri i fesë, i bashkimit, i paqes”

         Më pas, Ati i Shenjtë kujton imzot Angelo Roncalli-n, Papën e ardhshëm Gjoni XXIII, që në vitin 1925 si Vizitator apostolik e, në periudhën 1931-1934 si Legati i parë apostolik në Bullgari, kontribuoi në riorganizimin e Kishës Katolike vendase.

         “Shtegtimi im do të bëhet i gjithi në kujtim të Papës shenjt Gjoni XXIII, i cili, në rreth 10 vitet e qëndrimit në Sofie si Legat apostolik, krijoi me popullin tuaj lidhje vlerësimi dhe dashurie, që vazhdojnë edhe sot. Ai ishte njeri i fesë, i bashkimit dhe i paqes. Prandaj, zgjodha si moto të udhëtimit titullin e Enciklikës së tij historike ‘Pacem in terris – Mir na zemyata’”.

         Së fundi, Papa u kërkon bullgarëve ta shoqërojnë me lutje, ndërsa Zotit, t’i dhurojë “paqe e begati Bullgarisë”.

Filed Under: Opinion Tagged With: Papa- Maqedonia e Veriut-Bullgaria

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • …
  • 34
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT