• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2019

Mrika Nikçi afër “Guinness World Records”

May 27, 2019 by dgreca


Mrika Nikçi afër futjes në Librin e Ginesit/

-Pas Everestit Mrika do të vazhdojë menjëherë rrugëtimin e saj drejt pushtimit të 3 majave të mbetura: Denali, Amerika Veriore – Alaska, Elbrus, Evropë, Carstenz Piramidë, Australi, dhe kështu do ta kompletoj projektin e saj “MRIKA SEVEN SUMMITS” për tu futur në Librin e Genisit/

PRISHTINË, 27 Maj 2019-Gazeta DIELLI/ Mrika Nikçi shumë afër ëndrrës së saj për tu futur në Librin e Rekordeve Botërore të Genisit
“Guinness World Records”. Me ngjitjen e 7 majave “Climbing the Seven Summits” Mrika do të bëhet personi i parë në botë që arrinë këtë sfidë akoma pa i mbushur 18 vjet.

Sot na gëzoi lajmi që Mrika në oren 6:10 të mengjesit ka mbërritur në majën e radhës, majën më sfiduese dhe më të lartë në botë, malin Everest 8848 metra lartësi mbidetare (ltd).

Mrika këtë projekt po e realizon në shoqërimin e babait të saj Arianit Nikçit, thekson njoftimi i derguar.

Mrika, 17 vjeçe dhe babai i saj Arianiti, janë dy shqiptarët e parë në botë që në Dhjetor 2018, kanë pushtuar majën më të lartë të Antarktidës, ku si pasojë e mjegullës dhe motit të keq, kanë mbetur të bllokuar për 11 ditë rresht në një tendë dhe në temperaturat deri në -40 gradë Celsius. Fatmirësisht Mrika dhe Arianiti nga Peja arritën të kthehen shëndosh e mirë dhe vazhduan ekspeditën e tyre mbresëlënëse.

Pas Everestit Mrika do të vazhdojë menjëherë rrugëtimin e saj drejt pushtimit të 3 majave të mbetura: Denali, Amerika Veriore – Alaska, Elbrus, Evropë, Carstenz Piramidë, Australi, dhe kështu do ta kompletoj projektin e saj “MRIKA SEVEN SUMMITS” për tu futur në Librin e Genisit. 

Ky projekt ka rëndësi nacionale pasi që gjithmonë promovon vlerat sportive, kulturore, dhe e vendosë Kosovën si shtet në hartën botërore të sportit, dhe ndikon në fuqizimin e vajzave dhe grave Kosovare.

Majat e arritura deri me tani janë:
Mount Vinson Antarctic me lartësi 4892 lmd, Kilimanjaro Uhuru Peak 5.895 lmd, Aconcangua, 6962 lmd, Mt. Everest 8848 led.

Lajmin e bën të ditur stafi nga KARROTA, të cilët po e mbështesin projektin “MRIKA SEVEN SUMMITS”./b.j/

Filed Under: Opinion Tagged With: Mrika Nikçi- "Guinness World Records"

REVOLTAT E SPAÇIT DHE QAFË BARIT, NË WASHINGTON

May 27, 2019 by dgreca

Bashkevuajtesit ne Foto prane monumentit te viktimave te komunizmit ne Washington : Nga e majta: Dolores Mirakaj, Cezar dhe Marlin Ndreu, Lisa Stravecka(Kupi), Jimm Stravecka, Naim Stravecka, Gary Stravecka, Matilda Mirakaj, Mark dhe Kristina Mrnacaj/*

REVOLTAT E SPAÇIT DHE QAFË BARIT, TË HARRUARA NË TRANZICIONIN 30 VJEÇAR SHQIPTAR, U PËRKUJTUAN NË WASHINGTO/

Presidenti Trump: Ne kurrë nuk mund t’i kthejmë në jetë të rënët. Ne kurrë nuk mund t’ua shlyejmë borxhin që kemi ndaj tyre. Por ne mund t’i nderojmë e t’i kujtojmë për jetë ata”…

Nga Dalip Greca

            Shqipëria komuniste e njohur për ashpërsinë e diktaturës më të egër të ish vendeve komuniste, me numrin më të madh të pushkatuarëve-krahasuar me numrin e popullsisë (Në vitet 1944 – 1991, rreth 6.000 persona u ekzekutuan, 34,135 shqiptarë janë burgosur dhe dënuar për arsye politike, mijëra kaluan jetën nëpër kampet e internimit) – ka fatin që të ketë përjetuar dhe dy kryengritje antikomuniste, dy revolta të përgjakura, të vetmet në Perandorinë e Lindjes komuniste; revoltën e Spaçit të 21-22-23 Majit 1973 dhe të Qafë Barit-21 Maj 1984. Të dyja i bashkon muaji maj. Në kohën kur ndodhën revoltat u mbuluan me gjak, ndërsa pas rrëzimit të diktaturës, tranzicioni postkomunist 30 vjeçar shqiptar, institucionalisht, është përpjekë ti mbulojë me harresë. Edhe pse kanë kaluar 46 vjet nga revolta e Spaçit dhe 35 vjet nga ajo e Qafë Barit, institucionet e shtetit shqiptar, nuk kanë bërë asgjë për vlerësimin e tyre, për dënimin e fajtorëve,  ndërsa ata që i mbuluan me gjak, ende nuk kanë kërkuar as falje.

            Shqiptarët e Amerikës, falë këmbënguljes të ish burgosur politik Pëllumb Lamaj me bashkëpunëtorët e tij, nuk kanë heshtur, por e kanë ngritur zërin, kanë organizuar përkujtesa,  dhe kanë sjellë në vëmendje të opinionit shqiptaro-amerikan dhe institucioneve amerikane, jehonën e atyre revoltave dhe ashpërsinë e dhunës.

    Edhe këtë vit, në përvjetorin e 35 të revoltës së Qafë Barit dhe 46 vjetorit të revoltës së Spaçit, Pëllumb Lamaj, duke pasë edhe ndihmën e  Çezar Ndreut e Merita B. McCormack, në bashkëpunim me Fondacionin Memorial të Viktimave të Komunizmit në Washington dhe Federatën Pan Shqiptare të Amerikës VATRA, organizuan me 20 Maj 2019,  pranë Monumentit kushtuar viktimave të komunizmit, një veprimtari përkujtimore, nderuse për heronjtë e revoltave, ku përcollën mesazhe për shoqërinë shqiptare, institucionet e  vendit dhe klasën politike.

         Pas Hymneve Kombëtare, një minut heshtje për heronjtë e revoltave.

Organizatori Lamaj dhe ish të burgosurit politik që kishin përjetuar revoltat si:Lek Mirakaj, Naim Stravecka, shkrimtari Visar Zhiti(përmes përshëndetjes) ish i burgosur Marko Gjoni, risollën historinë, por dhe i përcollën mesazhe të forta institucioneve dhe politikës shqiptare, për vlerësim, mos harresë, dhe kërkuan dënimin e krimeve të komunizmit dhe autorëve.

  Veprimtaria e 20 majit pranë viktimave të komunizmit në Washington, shërbeu edhe si kujtesë, por edhe si apel për sensibilizimin e shoqërisë shqiptare ndaj krimeve të komunizmit dhe informimit të institucioneve amerikane. Dr. Murray Bessette, përfaqësuesi i Fondacionit Përkujtimor të Viktimave të Komunizmit, drejtor i programeve akademike pranë këtij fondacioni, shprehu kënaqësinë që ishte pjesë e aktivitetit. Ai tha se ndjehej i nderuar që ishte bashkuar me shqiptarët në përkujtimin e viktimave të komunizmit të egër shqiptar. Dr. Bessette, tregoi shkurtazi historinë e fondacionit të përkujtimit të viktimave të komunizmit. Ai tha se projekti për krijimin e Fondacionit Memorial nisën që me 17 dhjetor 1993, ku presidenti Bill Klinton nënshkroi ligjin e aprovuar nga Kongresi në mënyrë unanime.  Që në atë kohë janë dashtë përpjekje të mëdha për grumbullimin e fondeve nga donatorë vullnetarë,  gjetjen e vendit për ngritjen e memorialit, zgjedhjen e projektit etj. Statuja memoriale iu besua skulptorit nga Kalifornia Thomas Marsh, i cili e dhuroi statujën në respekt të viktimave të komunizmit. Për promovimin e tij u zgjodh data 12 qershor 2007, në simbolikë të 20 vjetorit të fjalimit proverbial të presidentit Regan në portën e Brandenburgut: Zoti Gorbaçov, shembeni këtë mur”! Muri që ishte ngritë me 13 gusht 1961, ku 10 mijë kilometra tela ishin shtrirë në perimetrin prej 155 kilometrash të Berlinit Perëndimor,- u shemb 2 vjet pas atij mesazhi të presidentit Regan. Pikërisht në përvjetorin e lëshimit të atij mesazhi, me 12 qershor 2007, në prani të Presidentit  George W. Bush u promovua Memoriali kushtuar viktimave të komunizmit, në pjesën ballore të të cilit gjendet përkushtimi: “Për më shumë se 100 milion viktima të komunizmit dhe për ata që duan Lirinë!”

Dr. Bessette informoi se çdo vit këtu organizohet dita përkujtimore kushtuar viktimave të komunizmit, për këtë vit takimi mbahet me 14 qershor.

Pëllumb Lamaj, i mbijetuari i revoltës, drejtuesi i veprimtarisë përkujtimore,  që e përjetoi vetë ferrin e burgjeve të tmerrshëm, përshkroi ngjarjet, që ndodhën në Spaç dhe Qafë Bari, respektivisht në 21-23 Maj 1973 dhe 21 Maj 1984 dhe përshkroi me detaje shpërthimin e vullkanit të  zemrimit të të burgosurve politik, përleshjen me policinë dhe tronditën qeverinë komuniste. Lamaj e përshkroi revoltën e Spaçit, që nisi me 21 Maj 1973, si kryengritjen e parë antikomuniste të perandorisë komuniste të Lindjes, ndërsa të burgosurit që ngritën krye nga puna e rëndë, kushtet ekstreme,  nga torturat fizike dhe psikologjike, i përshkroi si heronj, që me kurajo iu kundërvunë policisë së regjimit, hoqën flamurin me yllin bolshevik, dhe ngritën flamurin pa yll,  për tri ditë u bënë zotër të burgut. Burgu u rrethua me forca të shumta policore, të burgosurit u lanë pa ushqim e ujë, mbi ta u hodhën si bisha forcat speciale të sigurisë. Revolta e 21 Majit 1973 u shtyp me egërsi nga autoritetet, duke përdorur trupa dhe mjete ushtarake. Nxitësit, organizatorët dhe pjesëmarrësit më aktivë u ndëshkuan me rritje të dënimit, ndërsa katër prej tyre u dënuan me pushkatim. Katër martirët e revoltës së Spaçit ishin: Hajri Pashaj, Dervish Bejko, Pal Zefi dhe Skënder Daja, ndërkohë,  rreth 110 të burgosur u ridënuan me 25 vjet.

Lamaj foli edhe për dënimin me vdekje të dy gazetarëve Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani. Më pas ai përshkroi revoltën e Qafë Barit të 21 Majit 1984, e cila nisi nga pakënaqësia dhe dhunë, përshkroi solidaritetin e të burgosurve për të mos lejuar policinë nën drejtimin e Edmond Cajës, që të ridërgonte në minierë dhunshëm të burgosurit që nuk kishin realizuar normën e lartë. Kjo solli konfliktin e dhunën, arrestimet dhe pushkatime, ku Sandër Sokoli vdiq nga torturat, ndërsa dhjetëra të burgosur u rrahën shtazërisht, për të arritur kulmin me pushkatimin e Tom Ndojës dhe Sokol Sokolit.

Lamaj, ka denoncuar politikën shqiptare, institucionet e shtetit, që nuk kanë bërë asgjë për evidentimin dhe dënimin e krimeve të komunizmit. Ai i ka bërë apel klasës politike dhe institucioneve shqiptare t’i kushtojnë vëmendjen e duhur të kaluarës komuniste 50 vjeçare, që mbolli vetëm terror, vrasje, ndau shqiptarët me luftën e klasave …

Për Lamajn shqiptarët nuk mund të ecin përpara pa hequr nga supet këtë turp dhe krim historik. Ai kërkoi dënimin e krimeve komunizmit.

Kryetari i Vatrës, Dritan Mishto, pasi vendosi buqetën me lule tek monumenti, përcolli mesazhin: “Nderojmë sot në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, kujtimin e viktimave të komunizmit, mes të të cilëve ka edhe shumë vatranë të nderuar, drejtues të saj dhe editorë të Gazetës sonë Dielli.

Për gjeneratat që vijnë pas, është shumë e rëndësishme njohja e tërë asaj epoke krimesh nga më çnjerëzoret. Ashtu, si këtu në Shtetet e Bashkuara, shoqëria shqiptare, partitë politike dhe mbarë strukturat e mendimit dhe opinionbërjes, duhet të qëndrojnë qartësisht në dënimin dhe distancimin nga këto krime, për të pasur një vështrim të sigurtë drejt së ardhmes.

Shpreh edhe njëherë respektin për Fondacionin e Viktimave të Komunizmit, me të cilin kemi një marrëdhënie të ngushtë, gjithashtu në mënyrë të veçantë përgëzoj organizatorin Pëllumb Lamaj, një personalitet me vlera të larta dhe i papërkulur, si dje në diktaturë, ashtu edhe sot në  demokraci. Një falenderim i veçantë edhe për z. Mustafa Xhepa, drejtues i Shtëpisë së Lirisë Shqiptaro Amerikane. 

Ju Faleminderit të gjithëve !”

Mustafa Xhepa, përcolli mesazhin në emër të Albanian-American Freedom House: Ai tha se: Eshtë nder dhe krenari për organizatën Shtëpia e Lirisë Shqiptaro-Amerikane të marrë pjesë në këtë cermoni të shënjtë, të organizuar nga heroi antikomunist Pëllumb Lamaj, ku do të kujtohen dhe nderohen të rënët, të mbijetuarit dhe heronjtë që luftuan dhe përballuan për një gjysëm shekulli armikun më të tmerrshëm të njerëzimit – komunizmin.  

Ashtu siç ka thënë Presidenti Trump “Ne kurrë nuk mund t’i kthejmë në jetë të rënët. Ne kurrë nuk mund t’ua shlyejmë borxhin që kemi ndaj tyre. Por ne mund t’i nderojmë e t’i kujtojmë për jetë ata”. Ju zgjodhët “Perëndeshën e Demokracisë” të vendosim kurora, me të drejtë; ajo është simboli i qëndresës dhe shpresës, kur studentët kinezë protestuan në sheshin Tiananmen dhe përbindëshi komunizëm i shtypi me tanke, por ëndrrën për liri nuk ua shoi dot, lufta vazhdon.

Dekada më parë, 21, 22 dhe 23 maj, 1973 në Spaç dhe 22 maj 1984 në Qafë Bari, në kushte krejt të ndryshme, të rrethuar me tela me gjemba e kulla vrojtimi, të ruajtur ditë e natë me mitrolozë e qen kufiri nga ushtarë dhe policë të përzgjedhur nga tufa e ujqërvë komunistë, u ngritën luftëtarët e lirisë, antikomunistët shqiptarë, në dy revoltat më masive të burgjeve politike kundër perondorisë së djallit. Me gjakun e tyre të pastër, heronjtë lyen flamurin e Kastriotit dhe mbi shqiponjën e lirisë hoqën prangën që ia mbante krahët lidhur, yllin e diktaturës. Krimit iu shkundën themelet, aty mori fill ëndërra evropiane për demokraci. I tmerruar, regjimi i shtypi me gjak e hekur, pushkatime e ridënime, por etjen për liri nuk ua shoi dot.

Sot ne përkulemi me nderim përpara këtyre dy revoltave heroike, që si margaritarë ndrisin faqet e historisë së kombit tonë dhe nga ky vend, tribunë e lirisë i bëjmë thirrje drejtësisë të dënojë masakrat e kryera nga kriminelët komunistë, përfundoi Xhepa.

        Lekë Mirakaj, një nga të mbijetuarit e burgjeve të diktaturës, që e ka përjetuar revoltën e Qafë Barit,  tha se ne jemi këtu për të përcjellë mesazhe të forta dhe të qarta. Populli ynë vërtetë ka nxjerrë heronj si Mic Sokoli, Adem Jashari e shumë të tjerë, por një popull i lumtur nuk ka nevojë për heronj.

Në fakt heronjë ishin edhe ata që përballuan dhe iu kundërvunë diktaturës.

Për Lek Mirakaj ky tubim nderon viktimat , pavarsisht nëse qeveria e sotme dhe ato të djeshme e pëlqejnë ose jo.

Duke folur për revoltata, Lek Mirakaj, tha se shoqëria shqiptare, shteti dhe politika, duhet tu kushtojnë më shumë vemendje dhe t’u japin atyre vendin që u takon në historinë tonë Kombëtare. Ka qenë absultisht shumë e vështirë që të kërkoje liri e demokraci nën dhunë dhe i rrethuar me tela me gjemba, ata ishin heronj.

Duke u prononcua për Zërin e Amerikës, Mirakaj tha: “Ne sot këtu erdhëm për t’i dhënë një mesazh si opozitës ashtu edhe ekzekutivit. Ata mund të bëjnë sikur s’ka ndodhur asgjë, por brezat që do të vijnë janë të interesuar, pavarësisht të bijtë e kujt do të jenë. Do të kenë nevojë me mësu të vërtetën, ashtu siç po ndodh në tërë botën”.

Ish i burgosuri i regjimit serb gazetari Shaqir Salihu dëshmoi për vuajtjet në burgjet e ish Jugosllavisë,ku dhuna ishte po njësoj, ç’ka do të thotë se diktaturat kudo shtypin liritë njerëzore. Nuk kishte familje shqiptare, tha Salihu, që të mos kishte një të burgosur në burgjet e tmerrshme të Nishit, Pozarevacit, Sremska etj. Ai tregoi se si u arrestua në vitin 1966 nga forcat e sigurimit të Rankoviçit dhe si e torturuan, duke ushtruar dhunë të egër mbi të dhe ish të burgosurit e tjerë.

Një tjetër ish i burgosur politik, Naim Stravecka, që përjetoi revoltën e Qafë Barit, sjell dëshmi drithëruse për dhunën e ushtruar nga policia dhe forcat speciale të diktaturës. Ai e krahasoi regjimin diktatorial shqiptar me atë të Koresë së Veriut.

Naim Stravecka kujton se si nisi revolta, si shërbeu si shkas e më pas tregoi për barbarinë e dhunshme, për të cilën thotë se nuk e di nëse ka pasë ndonjë të ngjashme si kjo, nuk e di nëse janë trajtuar ashtu izraelitët nga nazistët?-pyeti zëshëm Stravecka.

Apeli i Naim Stravckës ishte i qartë:Viktimat e diktaturës ende nuk kanë parë drejtësi. Unë nuk dua, tha ai- të mbetem një viktimë e përjetshme, dua drejtësi. Aspiratat tona ende nuk janë arritë. Ne kujtojmë dhe nderojmë bijtë e Shqipërisë që u persekutuan, por shohim që persekutorët janë në pushtet dhe nuk kërkojnë as falje. Ne duam drejtësi, apeloi Stravecka.

Marko Gjoni, një ish i burgosur qysh fëmijë, denoncoi dhunën e diktaturës, por edhe politikën dhe ekzekutivin e sotëm, që nuk kanë bërë asgjë për dënimin e  fajtorëve dhe atyre që kanë kryer krime.Unë u arrestova 15 vejç, tha ai, dhe komentoi përmes pyetjes: si ka mundësi që viktimat ende persekutohen nga ish perskutorët?  Ai kërkoi që dënimet duhet të bëhen në mënyrë institucionale, duke gjykuar drejtësisht fajtorët. Enver Hoxha, kryekrimineli, ende ka gradat e Heroit! Kjo është absurde, tha ai. Gjoni bëri apel që njerëzit duhet të jenë të bashkuar në luftën kundër krimeve të komunizmit, dhe jo të vihen ballëpërballë, siç përpiqet politika të bëjë.

Me interes u përcoll mesazhi i shkrimtarit Visar Zhiti, ish i burgosur politik. Mesazhin e lexoi editoria për gjuhën angleze në gazetën Dielli, Rafaela Prifti. Në mesazh shkruhej: Është akt i lartë dhe me rëndësi që ju mblidheni në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Washington .D.C të superfuqisë më të madhe, kampion i lirisë dhe i demokracisë dhe i mbrojtjes së tyre kudo në botë, që të përkujtoni dhe të nderoni pranë Memorialit të Lirisë, kushtuar viktimave të komunizmit, dy revolta të të burgosurve politik në një vend të vogël dhe të largët, në Shqipërinë tonë.

   Dy revoltat në burgjet e tmerrshme të Spaçit dhe të Qafë Barit tronditën diktaturën së brendshmi dhe ishin të vetmet kryengritje në të gjithë burgjet e perandorisë komuniste.

Të burgosurit u ngritën jo vetëm kundër dhunës së rëndë, po dhe kundër mbylljes së Atdheut në bunkerin e diktaturës, duke kërkuar liri, me ëndrrën që Shqipëria të bëhej demokratike.

Regjimi diktatorial i Enver Hoxhës i mbyti këto revolta me gjak dhe hekur, duke vrarë dhe ridënuar të burgosur, madje duke dënuar dhe vetë burgjet. Ne ishim të dënuar në vendin e dënuar.

  Dhe ju po përkujtoni, po nderoni qëndresën duke ngritur lartë atë frymë që i parapriu pranverës demokratike në Shqipëri, që solli ndryshimin e madh, që në themele ka martirizimin e të përndjekurve, vuajtjet e të gjithë shqiptarëve.

  Nuk mund të rrimë pa e thënë se ndodh që pikërisht kjo harrohet dhe nuk janë të paktë përfituesit nga vuajtja e të tjerëve, parti dhe institucione dhe shtoj me keqardhje dhe shqetësim, se ka dhe shenja të një revanshi të frikshëm nga ata që bënë diktaturën dhe që ushtruan dhunë apo pasuesit e tyre, që tani janë pasuruar apo kanë detyra gjithandej a kanë emigruar në botën Perëndimore, jo në Lindje, jo, nostalgjikë të asaj që historia e hodhi tej duke arritur deri aty sa të guxojnë të persekutojnë sërish të persekutuarit e tyre të dikurshëm në forma të tjera mashtruse.

   Ne shpesh ndihemi të nëpërkëmbur e të braktisur, edhe nga vetvetja e lodhur, prandaj kjo që bëni ju sot është dhe shpresë, dhe moral, dhe qortim, dhe qytetari e lartë, mbrojtje e bashkëvuajtësve tuaj në Atdhe.

   Nga SHBA gjithëmonë na ka ardhë mbështetja ekzistenciale si komb, frymëzimet për lirinë dhe prosperitetin e vendit. Aq më tepër tani, që Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe SHBA-ja e shikon popullin shqiptar si aleat strategjik.

Me kurorat e luleve që keni sjellë sot, lutem që të bashkoni fjalët dhe urimet e mia!-Juaji-Visar Zhiti.

Mark Mrnaçaj, që u lind në kampet e internimit, i cili ka ardhë në këtë veprimtari përkujtimore së bashku me zonjën e tij, Kristinën, pasi vendosi një buqetë me lule në monumentin e viktimave, solli historinë e familjes dhe të fisit të tij, që u burgos, u internua, u përndoq për 45 vite me radhë. Marku solli historinë e babait të tij, Nikollës, që u burgos dy herë, për dy dekada, dhe pjesën e ndërmjetme, mes burgut të parë dhe burgut të dytë, e kaloi nëpër kampet e internimit, ndërkohë që një jave pas burgut të dytë, ai vdiq, si pasojë e torturave. Në apelin Mark Mrnaçajt, u kërkua drejtësi : Pranimi i krimeve prej atyre që ushtruan dhunë, kërkesa e faljes, pendesa, përbëjnë hapin e parë të pajtesës dhe shërimit të sëmundjes që mbartin shqiptarët, tha ai.

Anëtarja e Këshillit të Vatrës, një nga bashkorganizatoret e veprimtarisë, Merita B. McCormack, ka përcjellë me emocion, poezinë e shkruar  në burg nga Pëllumb  Lamaj”Statuja e Lirisë”.

Një pjesë prej ish të burgosurëve politik kishin ardhë së bashku me familjarët e tyre. Lek Miraka kishte ardhë bashkë me zonjën e tij,  Doloresin e vajzën Matildë; Naim kishte ardhë me djemtë, Jimmin dhe Garyn me bashkshorten Lisa, të bijën e njërit prej qëndrestarëve të burgjeve Fatbardh Kupit, birit të heroit të 7 Prillit-Abaz Kupit; ndërsa Çezar Ndreu, pinjoll familjes Ndreu, që kaloi jetën në  internim, edhe këtë herë, ashtu si në përkujtesat e përvitshme, ku ai ka qenë i pranishëm, ka marrë me vete të birin,Marlinin, student në Michigan State University, ku ai studion për Bussiness administration.

– Qëllimi  i ardhjes së Marlinit këtu bashkë me mua është që dhe gjenerata e tretë të jetë e informuar dhe e ndërgjegjësuar për fytyrën e vërtetë të komunizmit vrasës, që të mësojnë se çfarë kanë hequr gjyshërit, prindërit, shqiptarët në tërësi,- thotë për Diellin Çezari.

Veprimtaria e 20 Majit pranë viktimave të komunizmit në Washington, u ndoq nga Zëri i Amerikës dhe dy editorët e gazetës DIELLI. Në fund  pjesmarrësit kaluan një drekë bashkë, e cila u sponsorizua nga djemtë e Naim Straveckës, Gary dhe Jimmy.

 ***

Një natë para veprimtarisë, me 19 maj dega e Vatrës në Washington, kishte vendosur një kurorë pranë monumentit.

(Dielli i Printuar, Maj 2019)-Per me shume fotografi shkoni ne Facebook-dalip Greca

Filed Under: Featured Tagged With: Dalip Greca- Revoltata e Spacit-Qafe Bar-Washington, Dalip Greca-REVOLTAT E SPAÇIT DHE QAFË BARIT

ARBA KOKALARARI, eurodeputetja e parë shqiptare në PE..

May 27, 2019 by dgreca

-Arba eshte Mbesa e Musine Kokalarit

Eurodeputetja e parë shqiptare e sapozgjedhur në Parlamentin Europian është Arba Kokalari.  Deputetja që përfaqëson Suedinë në Parlamentin Europian është mbesa e intelektuales, disidentes dhe atdhetares së njohur Musine Kokalari.

32-vjeçarja mori mbështetjen e suedezëve në këto zgjedhje, ndërsa përfaqësonte partinë e Moderatëve suedezë, pjesë e Partisë Popullore. Partia e Arbës arriti të sigurojë në rezultat prej 17.6 % me këtë rezultat garantohen 4 deputetë.

“Unë kam hyrë në parlamentin evropian! Faleminderit për të gjithë ata që kanë luftuar për mua!”, shkruan Arba Kokalari në Facebook.

“Para disa minutave u publikuan rezultatet pleliminare të zgjedhjeve në Suedi për Parlamentin Europian. Arba Kokallari pas një fushate fantastike pushtoi Suedinë. Ajo tani ka siguruar një vend në Parlamentin Europian duke u bërë deputetja e parë me rrënjë shqiptare sipas rezultateve preliminare.

Partia e Arbës ka fituar 17.6 % me të cilin rezultat ju garanton 4 deputetë. Arba Kokalari u lind në Tiranë me 27 nëntor 1986. Ajo ishte mjafte aktive në Partine Moderate ku udhëhoqi me rininë dhe departamentin e kulturës në qytetin e Stokholmit. Urime Arba , gëzuar shqiptarë kudo ku ndodheni”, shkruan gazetari Astrit Gashi.

Kush është Arba Kokalari?

Arba Kokalari, lindi më 27 nëntor 1986, është politikane suedeze në Partinë Moderate.

Arba Kokalari është deputete në kryesine federative për Partinë Moderate në qytetin e Stokholmit dhe u zgjodh zëvendëse e kryetarit të shoqatës së EPP-së YEPP në maj 2015.

Ajo më parë ishte sekretare ndërkombëtare e Shoqatës Rinore Moderate.

Arba Kokalari, mbesa e intelektuales, disidentes dhe atdhetares se njohur Musine Kokalari, ishte në listë nga partia Partia Moderate që qeveris Suedinë, si një kandidaturë shumë serioze për deputete në Parlamentin Europian.

Ishte vetëm 16vjeç kur nisi të merrej për herë të parë me politikë, ndryshe nga shumë bashkëmoshtarë të saj. Ajo e shikon politikën si të lidhur ngushtësisht me jetën e saj, pasi edhe studimet i ka mbaruar pikërisht për Politikë dhe Politikë Europiane.

Kokalari premton se do të jetë një zë i fortë edhe për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Prandaj shqiptarët që jetojnë në Suedi kishin një arsye më shumë për ta votuar atë të jetë një deputete në PE.

Filed Under: Featured Tagged With: Arba Kokalari-Deputetja e Pare Shqiptare ne PE

DOREZIMI BUJAR I ARKIVAVE NGA DIASPORA DHE VLERESIMI QESHARAK NGA SHTETI I KOSOVES

May 27, 2019 by dgreca

– Dhuruesit kanë bërë dorëzimin e arkivave në vendlindje si gjest bujarie dhe humane pa asnjë interes dhe përfitim financiarë, kurse shteti i Kosovës i “vlerëson” dhuruesit patriot bujarë me copa letre pa asnjë vlerë patriotike./

– Lidhja e Prizrenit në New York (1962-2014) i dhuron arkvin e vet Kosovës)/

– Një reportazh që nuk u botua asnjëherë në mediat në Kosovë/

Nga Klajd Kapinova/

Dorëzimi apo dhurimi me bujari i Arkivave të organizatave panshqiptare në drejtim te shtetit amë në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni etj., ështe një nismë që duhet vlerësuar shumë në disa drejtime.

Shumë personalitete të shquara të komunitetit shqiptaro amerikanë tashmë kanë dorëzuar arkivat personale të tyre në Shqipëri. Rasti më klasik janë profesor dr. Arshi Pipa dhe prof. Zef Nekaj, të cilët vullnetarisht, me shpenzimet e tyre i kanë derguar thesaret e tyre kulturore dhe shkencore, dokumentet, dorëshkrimet dhe librat në Shkodër (gjithsej 45 pako të mëdha në Muzeun Hisorik të Shkodrës) dhe Mirditë pranë familjes së tij.

Media poskomuniste dhe socialiste sot në Shqipëri e kaloi me heshtje këtë gjest fisnik të dy profesorëve tanë shqiptaro amerikanë Pipa dhe Nekaj, sepse ata ishin opozitarë me regjimin komunist dhe “demokratik” socialist sot…

Dje në New York, një grup shqiptaro amerikanë u mblodhën në një lokal për të bërë ndarjen formale të disa fletushkave pa vlerë, për aktivistët dhe nacionalistët e komunitetit tonë zotërinjtë Ismet Ukë Sadiku Berisha aktualisht Kryetar i organizatës Panshqiptare Lidhja e Tretë Shqiptare e Prizrenit dhe Sekretari i Prgjithshëm studiuesi dhe publicisti Tomë Mrijaj.

Shteti i Kosovës dorëzimin e dokumenteve historike të arkivit original të Lidhjes së Tretë Shqiptare të Prizrenit me qendër në SHBA dhe zyrat e saj në New York e “vlerësoi” me dy copa pusulla ose letra bakalli pa vlerë.

Dihet se arkivat janë pasuri kombëtare, pavarësisht sa larg ndodhen ato sot. Gjatë periudhës së diktaturës komuniste në Shqipëri 1944-1990, shteti komunist i vodhi dhe mori me forcë të gjithë arkivat, dokumentet, antikuaret, dorëshkrimet dhe sendet me vlerë historike nga kuvendet Franceskane dhe Jezuite në Shkodër e i nisi me makina speciale në drejtim të Arkivit Qendror të Shtetit.

Edhe sot e kësaj dite, këto pasuri dhe prona personale të kuvendeve të Kishës Katolike në Shkodër nuk i janë rikthyer këtyre kuvendeve, por përkundrazi shteti komunist (socialist) sot vazhdon të ketë përfitime të mëdha financiare nga shfrytëzimi i tyre. Ata kanë vënë tarifa financiare, duke i detyruar studiuesit dhe personat e interesuar për ato që të paguajnë për të marrë kopjet e tyre.

Këtë gjë do të bëj shumë shpejt edhe shteti apo Republika pa arkiva i Koosvës, me dokumentet e organizatave panshqiptare në SHBA etj.

Dhuruesit i kanë bërë këto gjeste bujarie dhe humane pa asnjë interes dhe përfitim financiarë, kurse shteti i Kosovës i “vlerëson” dhuruesit patriot bujarë me copa letre pa asnjë vlerë patriotike.

Për të larë gojën përfaqsuesit e shtetit të Kosovës sjellin në SHBA letra me zhgarravina e motivacione boshe me boj dhe ftojnë disa mediat për të bërë zhurmë…

A është e drejtë që drejtuesit e organzatës panshqiptare të Lidhjes së Tretë Shqiptare të Priztrenit zotërinjtë Ismet Berisha dhe Tomë Mrijaj të ftohen nga miqët nga Kosova për të marrë pusulla bagalli pa asnjë vlerë, kur vlerësimi për gjestin e tyre patriotik dhe bujar duhet të ishte bërë direkt nga Presidenca e Kosovës!?

YONKERS, New York

Mikpritja, një traditë e hershme e popullit shqiptar, është transmetuar brez pas brezi edhe në komunitetin e madh shqiptar në SHBA dhe posaçërisht në shtetin e madh metropolitan të New York-ut.

Në vazhdën e traditës së tij bujare, aktivisti i palodhur i komunitetit shqiptaro-amerikanë, studiuesi, publicisti dhe Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes se Prizrenit Tomë Mrijaj, me makinën e tij, niset drejt aeroportit ndërkombëtar “JFK” (John F. Kennedy International Airport), për të pritur delegacionin e Arkivave të Republikës së Kosovës, miqët: Ramë Manaj Kryeshef Ekzekutiv i Agjensisë Shtetërore të Arkivave, prof. dr. Muhamet Shatri, zyrtarë i lartë i Ministrisë së Diasporës për Grumbullimin e Lëndës Arkivore dhe Muzeale dhe njëherazi president i Shoqatës Mbarëshqiptare Trojet e Arbërit, Hamdi Bërbatovci, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Diasporës, dr. Ruzhdi Panxha, Drejtor i Drejtorisë për Veprimtari Arkivore të Republikës së Kosovës.

Idea dhe realizimi i nismës

Historia e nismës së dorëzimit të materialeve të pasura arkivore të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në drejtim të shtetit të ri të Kosovës, ka qenë një ëndërr e kryesisë, kryetarit Ismet Berisha, një pinjoll i shquar i familjes së mirënjohur të Derës së Sadik Ramë Gjurgjevikut, nacionalistëve të shquar Ukë dhe Shaban Sadiku, Ismet Ukë Berisha, kryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (LShP) dhe Sekretarit të Përgjithshme të saj, studiuesit dhe publicistit bashkohorë Tomë Mrijaj.

Gjatë kontakteve të vijueshme të studiuesit Mrijaj me prof. Muhamet Shatrin, që nga viti 2013, historiani Shatri i kishte kërkuar, që të interesohej në komunitetin e madh shqiptaro-amerikanë tek shoqatat dhe miqtë e tij të sigurojë materiale arkivore historike, me vlera për pasurimin e Arkivit të Kosovës.

Duke ndjekur me kujdes historinë e veprimeve të vijueshme patriotike të zotërinjve Berisha dhe Mrijaj, mësojmë, se Lidhja e Prizrenit (1878, 1943, 1962), me kohë e ka menduar, që t’i dhuroj Kosovës, vendlindjes së Lidhjes së Prizrenit, të gjithë arkivin e pasur të aktivitetit të madh patriotik të organizatës së tyre, për çështjen shqiptare në SHBA dhe shtetet e ndryshme të botës, ku ajo ka pasur degët e saj.

Për më shumë, mësojmë nga deklarata e dhurimit të arkivit të organizatës së vjetër shqiptare (me qendër në New York të SHBA-së), të nëshkruar nga aktivistët veteranë të komunitetit shqiptaro-amerikanë, zotërinjtë Ismet Berisha dhe Tomë Mrijaj.

Ndër të tjera, në deklaratën, që për herë të parë behet publike, thuhet, se:

“Lidhja Shqiptare e Prizrenit me qendër në New York, ShBA dhe degët e saj në shumë shtete të botës, i dhuron Agjencisë Shtetërore të Arkivave (AShAK) të Kosovës të gjithë dokumentacionin nga viti 1962-2014.

Kryesia e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, mbas një aktiviteti të pareshtur patriotik, nga viti 1962-2014, Vendosi, që Arkivin e saj të pasur shumëvjeçar t’ia dhurojë AShAK, në mënyrë që dokumentet historike, të jenë pronë e popullit.

Ne besojmë, se shkencëtarët e rinj të historisë, do të ruajnë dhe ofrojnë në të ardhmen muzeve të shtetit të Kosovës ngjarje, data dhe përsonalitete, që kanë kontribuar për çështjen kombëtare në tërësi dhe të popullit martir të vendlindjes në veçanti. Ne shpresojmë dhe besojmë, se muzetë e ardhshëm, do të jenë institucioni i ruajtjes së kujtesës, i ngjarjeve dhe dëshmive të shkruara materiale të emigrantëve në diasporën e Amerikës, duke i ofruar materiale për kërkime historike, dhe qëllime studimore, edukuese, në shërbim dhe i hapur ndaj publikut.”

Çfarë përmbajnë arkivat e Lidhjes së Prizrenit në SHBA!?

Delegacioni i ekspertëve të Kosovës, gjatë kohës së qëndrimit në New York, ka mundur të seleksionoj 18 kutia të mëdha me materiale arkivore historike. LShP e themeluar në New York (1962) nga një grup shqiptarësh të emigruar nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare, ka një histori të pasur plot luftra dhe përpjekje, prej shumë dekadash e shoqëruar me fitore dhe humbje.

Në arkivin e saj, përfshihen letërkëmbime të personaliteteve të shquara të diasporës shqiptare në SHBA dhe shtete të ndryshme të botës.

Këto letra, foto, dorëshkrime, etj., janë ruajtur prej shumë dekadash në zyrat e Lidhjes.

Në fondet e arkivave bëjnë pjesë letërkëmbimet e Kryetari të parë ing. Xhafer Devës, me Kyetarin e mëvonshëm Ismet Berisha dhe personalitete të tjera të diasporës në Amerikë dhe shtete të tjera të botës.

Aty gjenden disa nga dokumentet e rëndësishme, sikurse janë: “Lidhja e Dytë e Prizrenit” (16-20 shtator 1943), letërkëmbime të antarëve të Lidhjes, kongreset, që janë mbajtur për Kosovën; Kushtetuta e LSHP, dokumente të degës së LSHP në Canada; Kongresi II-të i LSHP 26-27 nëntor 1971 Manhattan New York; letra origjinale e Prof. Ernest Koliqit dërguar LSHP në New York; letrat e Mbretit të Shqiptarëve Leka I Madrid (Spanjë, 1966); Tajar Zavalanit; Hasan Dostit ish Kryetar i Komitetit “Shqipnia e Lirë” (California, 1966); Kapiten Ahmet Sata, Përgjegjës i Rezistencës në Belgjikë (Bruxelles, 1966); Kolë Bibë Mirakaj S. Biagio, 1966); Muharrem Bajraktari (Bruxelles, 1966); letrat e Tahir Zajmit, Hamëz Devedaku, Miftar Gashi, Qerim Berisha, Muharem Maralusha, Father Andreë Nargaj O.F.M.; letra të ndryshme nga Grupi i LSHP në Malbourne (Australi, 1966); Spiro Theodhosi (Massachusetts, USA); Beqir Maloki, Jak Shahini (Montreal, Canada); Faik Zaqi (Toronto); Agim Kosova (Detroit, MI); Abdul Latifi (Damask, Siri); Xhelal Mitrovica (London), Jusuf Sahiti dhe vëllai Sait Gashi (Izmir, Turqi), Mehdi Hasan Mati (London), Skënder Ukë Sadiku, Reiz Ali Hoxha (Marselle, Francë); Kalosh Hamdia, kumtesa dhe manifestime në përvjetore të ndryshme të LSHP në New York dhe shtete të ndryshme të botës; Memorandumi drejtuar Kombeve të Bashkuara me Seli në New York City SHBA (Sekretarit të Përgjithshëm Mr. Uthant, drejtues i Asamblesë së OKB-së) dhe delegatëve të shtetëve”; dokumente origjinale mbi shpërndarjen gjeografike të LSHP dhe degët e shpallura nëpër botë: Dega New York themeluar (1962); dega “Hasan Prishtina” (1963), Toronto, Canada; dega At Shtjefen Gjecovi O.F.M., (1963), Bruxelles, Belgjikë; dega “Azem Bejta” (1964), Paris, Francë; dega Melbourne (1964), Australi; dega “Haki Taha” (1964), Racine–Milëaukee, USA; dega “Haxhi Zeka” (1964), Stamboll, Turqi; dega “Isa Biletini”, (1964), Ëaldraiburg, Gjermani; dega “Haxhi Zeka”, (1964), Chicago, USA; dega “Sadik Rama” (1964), Ankara, Turqi; dega Gjermani Perëndimore, (1965) Kaiserslautern (RFGj); dega Ontranto (1966), Canada; dega “Abdyl Frashëri”, (1971), Brooklyn, NY, USA; dega Greeëich, (1971), CT., USA; dega “Ali Pashë Gucia”, (1971), Bronx, NY, USA; dega Philadelphia, (1999), Pennsylvania, USA; dega Fort Laudaerdale, (1998), Florida, USA; dega Stamford, (1997), Conneticut, USA etj., letra nga dom Anton Kcira, famullitar i kishës Katolike Shqiptare të shën Palit në Detroit, (MI); Dom Pjetër Popaj famullitar i kishës Katolike Shqiptare Zoja e Shkodrës Hartsdale, New York; Kongresi I i LShP faqe 1-36; Veprimtaria e LSHP në mërgim, Kongresi II, III, 1982, (dorëshkrim); “Libri ynë i bardhë”, LSHP 1878-1943-1962 (dorëshkrime); letra origjinale dërguar Shtëpisë së Bardhë në kohë të ndryshme, si: zj. Hillary Rodham Clinton, Presidentit Bill Clinton, Anthony Lake (ndihmës i Presidentit Bill Clinton për Sigurinë Kombëtare të SHBA-së), Hanry Kelley (bashkëpunëtor i stafit për cështje të Ballkanit); Zv/Presidentit Al Gore; Christopher Marcich (ndihmës për Marrëdhëniet Tregtare për Europën dhe Mesdheun); Thomas E. Donilon, senator Mike DeËine, Jesse Helms, senator Christopher J. Dodd, Mark Sobel, senator Bill Bradley, David E. Grogan, senator Benjamin A. Gilman, Hans Meesman (Ambasador i Hollandës në Ëashington D.C.), Christine Mattheës (editor, Cambridge University Press), kongresisti Floud H. Flake, Presidenti George Ë. Bush, senator Alfonse D’Amato, Anne Massagee (Drejtuese e Programit të të Drejtave të Njeriut, në Qendren “Carter” në Emory University), senator Joseph L. Liberman, senator Claiborne Pell, Profesor David Crystal (Cambridge Encyclopedia), kongresist Christopher Shays, Joseph DioGuardi, etj., etj.

Takimi në Federatën Panshqiptare Vatra

Delegacioni i ekspertëve të Arkivave Qendore të shtetit të Kosovës, u shoqërua gjatë gjithë kohës së qëndrimit nga aktivisti i palodhur i komunitetit shqiptaro-amerikanë,  studiuesi Tomë Mrijaj, njëherazi Sekretar i Përgjithshëm i LShP.

Publicisti dhe autori i disa libra për komunitetin tonë z. Mrijaj, u dhuroi nga arkivi i tij përsonal Arkivit të Kosovës, dokumente të rëndësishme, që kanë lidhje më historinë e aktiviteteve patriotik të LShP, për cështjen shqiptare dhe të Dardanisë në vecanti.

Në zyrat e Federatës Panshqiptare “Vatra” (1912) në Bronx, delegacioni i miqve nga Kosova, u prit në ambientet e Vatrës nga ish kryetari i saj dr. Gjon Bucaj dhe stafi i tij si dhe editori i gazetës “Dielli” gazetari Dalip Greca.

Në shtëpinë e rinovuar të Vatrës, në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, u zhvillua takimi mes drejtuesve të lartë të Federatës Vatra dhe përfaqësuesëve të Arkivave të Kosovës.

Ish Kryetari i Vatrës dr. Bucaj, u uroi mirëseardhjen dhe bëri një përshkrim të historisë së arkivit të Vatrës nga vendlindja (Boston) deri në New York, dhe mundësitë, që ka organizata më e vjetër shqiptare në SHBA, për të dërguar kopje të dokumentacionit të saj arkivor.

Në takimin me vatranët, diskutuan miqtë: Ramë Manaj Kryeshef Ekzekutiv i Agjensisë Shtetërore të Arkivave, prof. dr. Muhamet Shatri, zyrtarë i lartë i Ministrisë së Diasporës për Grumbullimin e Lëndës Arkivore dhe Muzeale dhe njëherazi president i Shoqatës Mbarëshqiptare Trojet e Arbërit, dr. Ruzhdi Panxha, Drejtor i Drejtorisë për Veprimtari Arkivore të Republikës së Kosovës.

Ata në mënyrë profesionale bënë një përshkrim të arkivave të Kosovës, gjendjen e tyre dhe mënyrën se si personeli i saj i kualifikuar i admnistron materialet dokumentare, që dhurohen (origjinale ose fotokopje) nga organizata, klube, individe, parti politike dhe shoqata të tjera në emigracion.

Editori i gazetës “Dielli” (1909) Dalip Greca, ekspozoi disa nga dokumentet origjinale, ndersa ish Kryetari dr. Gjon Bucaj, dhuroi një dokument origjinal të vitit 1920, e njohur asokohe si “Huaja Kombëtare”, organizuar nga Federata Vatra, për t’i ardhur në ndihmë Qeverisë së Shqipërisë.

Gjatë bashkëbisedimit të kualifikuar, miqtë e ardhur nga vendlindja, u bënë thirrje individëve, grupeve, organizatave atdhetare, kulturore, politike etj., të cilët, kanë dokumentacion arkivor, shkresor apo fotografik, t’ia dhurojnë Kosovës, me qëllim që të vihen në dispozicion të studiuesve në mënyrë profesionale e institucionale. Ajo që ishte e rëndësishme në mesazhin final të miqve ekspertë të arkivave dhe historisë ishte se ata garantuan ruajtjen dhe privatësinë e dokumentacionit të dhuruar nga grupe dhe individë nga emigracioni.

Thesari i Arkivit të Komitetit “Shqipnia e Lirë”

Ajo që suprizoi të gjithë të pranishmit, ishte një fond origjinal e i pasur arkivor, që kishte sjellë me vete studiuesi veteran i komunitetit ish gazetari i “Zërit të Amerikës” Idriz Lamaj.

Publicist Lamaj, kishte sjellë me vete dhe ekspozoi në zyrat e Vatrës mbi 15.000 dokumente origjinale të Komitetit “Shqipnia e Lirë”.

Ai tha, se kishte sjellë për të parë ekspertët e arkivave të Kosovës, dokumente origjinale dhe se ata nuk janë i gjithë materiali i pasur, që ai disponon prej shumë dekadash nga ish zyrat e Komitetit, ku ai bënte pjesë.

Vatristi veteran Lamaj, u shpreh i gatshëm të bashkëpunoi me Arkivat Qendore të vendlindjes në Kosovë dhe Shqipëri.

Për lexuesit, është mirë të dijnë se cfarë përmbajnë një pjesë e dokumenteve: “Masakrat malaziase në Plavë-Gusi-Rugovë”, raporte origjinale nga Komiteti i Kosovës 1919-1921; “A chronology of events in Albania 1944-1952” (Free Euro Press); correspondence: letrat e Prof. Ernest Koliqit, Athanas Gegaj, Tahir Zajmi, Ing. Xhaver Deva, Raif Maliqi, Dervish Bajram Currit, Prof. Rexhep Krasniqit, Prof. Martin Camaj, prof. Zef Nekaj, Imam Vehbi Ismaili (autobiografi); deklarata e mbylljes së KShL; Prof. Rexhep Krasniqi: “Qendresa e Kosovës kurrë nuk asht trajtue në historinë e Shqipnisë” (dorëshkrim); Xhevat Kallajxhiu “Zëri i Amerikës”; Vasil Germenji 1960 (raport); KShL Zyra e Kryesisë për vitet 1960, 1970, 1971 etj.; Letra të ndryshme dërguar Departamentit të Shtetit Amerikan gjatë viteve: 1960, 1969, 1970, 1971 etj.; KShL “Dita e Flamurit”, 1977, 1975, 1978, 1980, 1983 etj.; KShL Zyra e Kryesisë–korrespondencë 1957-1967, 1964-1965,  1984-1985 etj.; korrespondenca të ndryshme në gjuhën angleze; letërkëmbimet e Dr. Mons Zef Oroshit me juristin Kapidanin e Mirditës Ndue Gjomarkaj; Kolë Mirakaj, Njazi Sulca, Ëelfgang Tucks, Prof. Rexhep Krasniqi, Miss Melanie M. Sever, Shemshedin Kryeziu, Lec Shllaku (editor), Jonuz Ndreu, Ragip Frashëri, Joe Wilkie, Shaban Gjura, Leo Cherna, Prof. Gjon Sinishta, Prof. Adem Hoda (editor i gazetës “Ndërgjegja”), Barbara Lopez, Dr. A Dema (Uriburu, Argentina 25.5.1984), Dori Male, Tahir Kolgjini, Skënder Zogu, Lt. Col. Eduardo Ressel (Rio de Janeiro, RJ Brasil); Mark Traboini, Mr. C. Barsh (The Hague The Netherlande), Dr. Sami Repishti, Emil Kastrati, Shaban Gjuro, Maria Lombardo, Rifat Kolgjini, Stephan Lipsiue; “Dosja e Trathtisë” (material tepër secret), Prof. Arshi Pipa, Isuf Uka Kelmeni, Prof. Rexhep Krasniqi (letrat e fundit, para se të ndërronte jetë…), 50-vjetori i Radios “Zëri i Amerikës”, Adem Hodo, Xhevat Kallajxhiu, letërkëmbimi i gazetarit Idriz Lamaj, me figurat e shquara të botës shqiptare në diasporë, Osnelda Deva, Mehdi Frashëri (raporti original i autopsisë), Memorandim për Këshillin e Komitetit “Shqipnia e Lirë”, Viktor Darragjati (Madrid, Spanjë), Këshilli i KShL për vitet 1958-1960, Organizatat Politike Shqiptare në Mërgim, etj., etj.

Mirënjohje për asamblistin shqiptaro-amerikanë Mark Gjonaj

Me rregullore të veçantë, Ministria e Diasporës, jep çmim vjetor në fusha të ndryshme të arsimit, shkencës, sportit, bisnesit, post mortum (mbas vdekjes), kontribut të veçantë, për pjesëtarët e diasporës, që kanë dhënë kontributin e tyre për shtetin e Kosovës, qoftë edhe përmes përmisimit të imazhit të Republikës së re.

Shteti i Kosovës, në kuadër të manifestimit tradicional: “Ditët e Diasporës 2014”, për kontribut të veçantë, jep çmimin vjetor. Në një takim vëllazëror, mes miqve shqiptarë këtë çmim, në emër të Ministrisë së Diasporës dhe Ministrit Ibrahim Sh. Makolli e dorëzoi Hamdi Bërbatovci, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Diasporës. Ai me fjalë të përzgjredhura, përshkroi aktivitetin atdhetar të asamblistit Mark Gjonaj dhe kontributin e tij, në ndihmë të çështjes shqiptare, duke i dorëzuar Mirënjohjen e shtetit të Kosovës.

Në ceremoninë e vlerësimit të aktivistit dhe politikanit të ri z. Gjonaj, morën pjesë: Prof. Dr. Muhamet Shatri, zyrtarë i lartë i Ministrisë së Diasporës për Grumbullimin e Lëndës Arkivore dhe Muzeale dhe Kryetar i Shoqatës Mbarëshqiptare “Trojet e Arbërit”, studiuesi dhe publicist bashkëkohorë Tomë Mrijaj Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, bisnesmenët: Hilë Përlleshi dhe Sani Vataj etj.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Klajd Kapinova-Diaspora- Arkivat-Shteti i Kosoves

Kur flitet mbi kotësinë

May 27, 2019 by dgreca


Nga Astrit Lulushi/

Eseja e Montaignes “On Vanity” është, siç Montaigne e përshkruan, “një shoshë idesh”. Ai pranon se shpesh titujt e eseve të tij kanë shumë pak të bëjnë me përmbajtjen. Por ai e di se çfarë shkruan, është detyra e lexuesit për ta ndjekur: “është lexuesi i pavëmendshëm që humb subjektin, jo unë”. Vanity, si në “e padobishme, e pavlefshme, e kotë”, është indirekt tema e esesë. Montaigne përpiqet t’i japë vlerë kotësisë, nëse ajo siguron kënaqësinë. Një pjesë e mirë e esesë  ka të bëjë me udhëtimin për të lënë qytetin e lindjes. Ai e arsyeton largimin e tij nga akuzat e kota me përfitimet e panumërta që sjell udhëtimi. Ndryshimi është kënaqësi, plus kjo është një ikje nga punët e tij të përditshme Udhëtimi është gjithashtu një mënyrë për t’i shpëtuar një klime politike shfrëzuese a shtypëse. Është gjithashtu një ikje e madhe nga gruaja e tij: “Gjithkush e di se duke parë njëri-tjetrin gjatë gjithë kohës nuk mund të ofrojë të njëjtën kënaqësi që jepet duke u larguar dhe duke u bashkuar” – me fjalë të tjera, mungesa e bën zemrën të rritet. Udhëtimi nuk bën dëm, veç në portofol. Dhe nëse keni fat të mirë për të qenë në gjendje të vizitoni shtëpinë e dikujt tjetër ku jeni mik i nderuar dhe ata duhet të bëjnë të gjithë punën e drejtimit të familjes, aq më mirë! Montaigne shkruan, se “kur u pyet se çfarë lloj vere preferonte, Diogjeni u përgjigj:”Verën e dikujt tjetër.” Natyrisht, udhëtimi është një përvojë e pasur. Dhe udhëtimi për hir të udhëtimit është i kënaqshëm. Montaigne gjithashtu shpreson të vdesë, larg shtëpisë. Vdekja është një gjë e vetmuar dhe të kesh njerëz përreth është vetëm një largim vemendje nga ngjarja e madhe. Plus duhet t’i ngushëlloni dhe t’u thoni atyre se gjithçka është e mrekullueshme. Përveç kësaj, Montaigne thotë se “vdekja nuk është një nga angazhimet tona shoqërore: vdekja është skenar vetëm me një karakter”. Montaigne pranon të jetë dembel, dhe mbi të gjitha dëshiron të jetë “indiferent.” Ai thotë se mund të jetojë i varur nga dikush për aq kohë sa të bëhet i lirë dhe pa detyrime. Ndonjëherë ai “ndien disa tundime të ambicieve , por i kundërshton ato dhe përfundimisht kjo ndjenjë i ikën. Ka shumë në këtë ese rreth shkrimit dhe arsyeve të Montaignes për të shkruar. Ai është mjaft nënvlerësues i vetes, gjë që të bën të qeshësh kur e lexon. Në fillim vëren, se “të shkruarit duket se është një nga simptomat e moshës së kaluar”,  dhe shton se “hidhërimi i të mos-shkruarit vjen nga të gjithë ata që vuajnë nga thirrja për të shkruar dhe nuk shkruajnë. Secili prej nesh kontribuon në korruptimin e kohës: disa kontribuojnë me tradhtitë, të tjerët me padrejtësitë, mosbesimin, tiraninë, ata më të dobët si unë kontribuojnë në turbullirë, dhe kotësi”. Më tej në ese, Montaigne flet mbi sasinë e librave që janë botuar dhe pyet pse janë “librat më të këqij që hynë në listën e librave më të shitur?” Diçka që shumë lexues dhe shkrimtarë ende pyesin sot.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi-Mbi Kotesine

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 34
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT